Në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, presidentja e Reoublikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ‘Polica e Kosovës është jo vetëm njëra ndër shtyllat më të rëndësishme të Republikës sonë, por edhe një nga shembujt se si mund të themelojmë e të ngremë institucione të qëndrueshme, për t’u shërbyer me zell qytetarëve e atdheut’.
“Në 23-vjetorin e themelimit, ua shpreha mirënjohjen tonë të thellë për angazhimin e tyre përgjatë këtyre 23 vjetëve dhe gatishmërinë tonë të plotë që të mos reshtim së punuari që Policia jonë të zhvillohet edhe më tej, duke pasur gjithnjë synim sundimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit. Anëtarësimi në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është vizioni ynë për të ardhmen”, ka deklaruar mes të tjerash presidentja Osmani./ KultPlus.com
Në konferencën për shtyp me kryebashkiakun Veliaj dhe ambasadorin britanik, Rita Ora i është përgjigjur edhe disa pyetjeve të gazetarëve. Gazetarja e Tv Klan e ka pyetur atë nëse do kishte një bashkëpunim me Dua Lipën, Bebe Rexhen dhe Ava Max dhe përgjigjia e saj la të nënkuptohej se në të ardhmen ndoshta do sjellin një projekt së bashku vetëm se duhet të presin momentin e duhur, pasi të gjitha kanë angazhimet e veta.
“Në 2011-2012 kur fillova karrierën time e pashë të nevojshme dhe si një barrë në një farë mënyre dëshirën për ta bërë Shqipërinë të njohur në hartën globale, por tani jam e lumtur dhe me fat që shikoj kaq shumë artistë të përfshirë këtu edhe në fushën e muzikës por edhe në fusha të tjera të cilët e kanë lartësuar artin shqiptar. E kam ëndërr të vijmë të gjithë së bashku dhe të sjellim një bashkëpunim, por për shkak të angazhimeve të shumta që të gjithë kemi mbase nuk është gjithmonë e mundur”./ KultPlus.com
Nis Mural Fest Tirana, një prej festivaleve më të veçanta që zhvillohet në Tiranë. Mural Fest, tradita e një arti që nuk vdes kurrë është nismë e Agjencisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, këtë herë edhe në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së festivalit kuratori i Mural Fest Tirana, Helidon Haliti tha se e veçanta e këtij viti është se do të ketë më shumë pjesëmarrëse gra artiste si dhe do të ketë tre vepra kushtuar rinisë.
“Mural Fest ka nisur prej 5 vitesh, i realizuar nga Dekor Tirana, duke afruar artistë nga e gjithë bota. Risia e Bashkisë së Tiranës është se ka një grup e cila ka artistë brenda, të cilët pikturojnë përditë. Ata i njohin muret e Tiranës dhe pikturojnë gjëra përditë. Dera e Mural Fest është e hapur për të gjithë studentët dhe të pasionuarit pas artit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Workshop-i do të jetë 3 ditë. Është i iniciuar nga Dekor Tirana dhe nga Kongresi Rinor Kombëtar. E përgëzoj Kongresin sepse ka sjellë shumë aktivitete në Shqipëri. Këtë vit kemi dy artistë të shkëlqyer, siç është Noe nga Uruguai. Ne këtë vit kemi katër vajza artiste, me insistimin tim vjen edhe një vajzë nga Kosova, Emona 21 vjeç e cila ka bërë disa mure në Kosovë. Vjen gjithashtu edhe Zana nga Amerika, Pablo nga Spanja, apo Bogdani nga Rumania”, u shpreh muratori Haliti.
Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci tha se është e lumtur që Kongresi i është bashkuar këtë vit Mural Fest, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe se shpreson që në vitet e ardhshme kjo nismë të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë “Ne kemi ardhur me Tirana Art, si një nismë që synon që këtë festival të muraleve ta përçojë edhe te brezat e rinj nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve, por edhe mundësisë që atyre u jepet për ta përfaqësuar punën rreth e përqark qytetit. Unë jam e bindur që do u mundësojmë të rinjve më shumë hapësira dhe mundësi dhe do bëjmë të mundur që edhe vitet e tjera këtë traditë aq të mirë ta ruajmë dhe ta promovojmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Peci.
Ndërsa menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga tha: “Në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” festivalit që realizon Dekori i Bashkisë Tiranë, i bashkohet edhe Mural Art, një projekt që vjen në kuadër të vitit të rinisë, një vit special që sjell për të gjithë të rinjtë e Tiranës, shumë aktivitete të ndryshme”, u shpreh Menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga./ KultPlus.com
Rota Ora po qëndron në Tiranë për koncertin e sotëm që e ka në Sheshin “Skënderbej”, ku Rita Ora është ylli i mbrëmjes, por në këtë koncert do të prezantohen edhe këngëtare të tjera, shkruan KultPlus.
Mes të tjerash, Rita Ora përgjatë konferencës së sotme për medie ka shpërthyer në lot për vajzën 11 vjeçare e cila është dhunuar kohë më parë në Prishtinë. Ajo ka bërë thirrje që familjet dhe komuniteti të kenë më shumë kujdes dhe të punojnë me fëmijët dhe të rinjtë, që mos të përsëriten këto gjëra.
“Ju kërkoj ndjesë, sepse mund të jem emocionale për atë se çfarë ndodhi në Kosovë, na bëri të kuptojmë edhe njëherë që të kem një fokus, që prindërit dhe komuniteti të punojë me fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që mos të përsëritet situata”, ka thënë Rita Ora mes të tjerash në këtë konferencë. / KultPlus.com
Me rastin e 25 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënës Terezë, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka vizituar Muzeun në themelim “Nëna Terezë” në Prizren, i cili Shën Nënën Terezë e ka quajtur Nënëloke të bamirësisë.
KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e kryeministrit të Kurtit.
Fjalimi im me rastin e vizitës së Muzeut në themelim “Nëna Terezë” në Prizren me rastin e 25 vjetorit të shkuarjes së saj në amshim
NËNËLOKJA JONË E BAMIRËSISË DHE E DASHURISË
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,
E nderuara Zëvendës Kryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,
I nderuari Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,
I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj,
Të dashura motra të nderit,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që sot, këtu bashkë me ju, të përkujtojmë bijën tonë, Nënën e përbotshme, shenjtoren shqiptare, Shën Terezën, në këtë Muze i cili do të ruaj frymën e saj dhe
vazhdimësinë e mirësisë, humanizmit dhe shpresës, në Kosovën tonë.
Ky muze, i cili Prizrenit ia kthen Shën Nënë Terezën në përditshmëri, hap shtegun e synimit të saj i cili mishërohej në misionin e madh që ajo kishte: të krijonte institucione qëndrueshmërie në shërbim të më të varfërve.
Çdo ditë ecim nëpër bulevardin qendror të kryeqytetit tonë dhe çdo ditë duket se aty rrezaton një ngrohtësi e padukshme dashurie amnore. Jo gjithmonë e mendojmë se pse është kështu. Na duket aq e vetëkuptueshme, si çdo përkëdheli e pakusht nënash. Bulevardi mban emrin e një gruaje, e një bije të këtij populli, të lindur e të rritur në këto troje, që me veprën e saj bamirëse mahniti gjithë botën.
Agnes Gonxhe Bojaxhiu, e bija e Dranes (Drandofile) nga Gjakova dhe e Kolës (Nikollë) nga Prizreni, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në kohët kur nuk ishte e lehtë të ishe shqiptare. Kola ishte një atdhetar i përkushtuar, që kishte përkrahur edhe financiarisht lëvizjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe vitin 1919 ai udhëtoi në Beograd, në një takim politik rreth Kosovës. Pas kthimit nga ky takim u sëmur rëndë dhe vdiq në rrethana të dyshimta, si duket i helmuar. Gonxhes së vogël nëntëvjeçe iu desh të rritej pa babë. Mirëpo, me gjithë goditjet që do t’i sillte jeta, ajo nuk do të përkulej kurrë para sfidave të jetës.
Më 14 gusht 1927, derisa lutej në kishën e Zonjës së Bekuar të Letnicës, ajo ndjeu se i kishte ardhur thirrja për punën e saj të ardhshme si motër misionare. Pas një viti u nis për në Irlandë, ku nisi jetën si murgeshë katolike, dhe prej aty shkoi në Indi, për t’u gjendur ndër ata që thuhej se ishin më të varfrit e më të varfërve të botës. Betejën kundër varfërisë dhe vuajtjeve të njerëzve të braktisur nga të gjithë e nisi me 12 motra të bamirësisë në paralagjet e qytetit të Kalkutës në Indi. Kur vdiq, shoqata e saj kishte rreth katër mijë motra bamirëse nëpër gjithë botën. Por, siç thoshte ajo, “varfëria më e madhe nuk është të mos kesh çfarë të hash, por të mos jesh i dëshiruar, të mos jesh i dashur nga të tjerët, të mos kesh dikë që kujdeset për ty. Kjo është varfëria më e madhe.”
Pra, si vajzë shqiptare nga njëri cep i Evropës, Tereza kapërceu detin për t’u shkolluar në ujdhesën e Hibernisë, në skajin tjetër të kontinentit. Si evropiane, kapërceu oqeanin për të shërbyer në Indi. Si indiane e birësuar, Nënë Tereza kapërceu ndasitë klasore, etnike, racore e fetare për t’u bërë mburojë më të pambrojturve.
Në jetën e saj Nënë Tereza përjetoi dëshpërime e thyerje të rënda shpirtërore, me vdekjen e hershme të babait, me ndarjen nga nëna dhe motra, me pamundësinë për t’i takuar ato edhe në çastet e tyre të fundit të jetës. Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1991, dhe vizitoi varret e nënës dhe të motrës, ajo tha se i ka falur tashmë të gjithë ata që i kishin sjellë kaq shumë vuajtje. Nënë Tereza po ashtu vizitoi disa herë edhe Kosovën, sidomos kishën e Letnicës, ku për herë të parë kishte vendosur për rrugën e saj jetësore të bamirësisë. Në Kosovën e pushtuar, populli ynë organizoi shëndetësinë e bamirësinë po me emrin e Nënë Terezës, me shoqatën historike të solidaritetit.
Edhe në kohët më të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve të nëntëdhjeta, ajo dërgonte mesazhe përmes lutjeve, duke iu drejtuar kreut të shtetit shqiptar se “së bashku mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe popullin tone”; “Dua të lutem për popullin e varfër të Shqipërisë dhe për Kosovën që po vuan«, lutje këto që nxjerrnin nga ajo shqiptarësinë karshi periudhave të rënda që kalonte kombi ynë.
“Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin”. Ishin këto fjalët e Nënë Terezës, që kumbojnë edhe sot.
Me shoqatën e saj “Misionaret e Bamirësisë”, Shën Nënë Tereza nuk e çrrënjosi dot varfërinë, nuk zhduku prore të gjitha vuajtjet e njerëzimit, por ajo u kthye në një rreze shprese dhe në një udhërrëfyese të bamirësisë e të dashurisë, përtej kufijve shtetërorë, përtej ndarjeve racore, klasore e kombëtare. Me shembullin e saj ajo na mësoi se në secilin prej nesh ekziston një fuqi e jashtëzakonshme njerëzore për të mirën dhe për dashurinë.
Figura e saj ka përshkuar një çerek shekulli pas vdekjes – si simbol i krenarisë së kombit, si thirrje e popullit në ditët e vështira, si frymëzim në përpjekjet tona për rimëkëmbjen. Nënë Tereza qe personalitet transcendental. Ajo kapërceu caqet e natyrës, të sajesës dhe të bindjeve që kufizonin dhe ndanin njerëzit dhe sillnin vuajtjet dhe padrejtësitë e njerëzimit.
Nënë Tereza ndoqi shembullin e Krishtit dhe kujdesi i saj amnor ishte ngushëllimi i munguar shpirtëror i skamnorëve, fjalët e saj ishin balsam për dhembjet e më të përvuajturve. Fjala e ëmbël dhe çiltëria duhet të nisin nga vetë ne, sepse siç thoshte ajo “nëse i gjykon njerëzit, atëherë nuk ke kohë që t’i duash”.
U shpërblye me çmimin Nobel për Paqe si rrallëkush që nuk merret me politikë qoftë dhe tërthorazi. U shpall qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke marrë shpërblimin që deri atëherë u ishte dhënë vetëm katër vetave. Kisha Katolike e lumnoi dhe e shenjtëroi për shërbimin e saj, dhe besimtarët e Kalkutës e përqafuan për shenjtoren e tyre mbrojtëse.
Nënë Tereza u bë emër i madh i botës dhe i njerëzimit sepse besonte në fuqinë e veprës së vogël të dashamirësisë. Ajo porosiste njerëzit që ta donin njëri-tjetrin. Ajo vepronte pa pritur një çast më të mirë për veprim. “I druhemi së nesërmes,” thoshte, “sepse e bjerrim të sotmen.” Fjala e saj na grish të punojmë për të mirën sidomos tani, në 25-vjetorin e ikjes së saj në amshim.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Xavier Perez de Cuellar ftoi Nënë Terezën të marrë pjesë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme dhe të flasë me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të botës. Kur mbërriti në sallën e madhe të Pallatit të Qelqtë më 26 tetor 1985, para ‘ajkës’ së diplomacisë botërore tha: “Ju prezantoj gruan më të fuqishme në botë”. Dhe ai mendonte shumë seriozisht, sepse Nënë Tereza, e imët dhe e palosur, me një sari të veshur dhe me sandale lëkure, ishte vërtet gruaja më e fuqishme në botë.
Ajo ishte një nga ne, kurse të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për veprat e saj me të cilat krenohet i gjithë njerëzimi. Drita hyjnore e saj buron nga thirrja për t’u përkushtuar me mendje dhe me zemër njerëzve që kanë nevojë t’u ndihmohet. Sot përkulem para shënjtores sonë, Nënë Terezes, e cila me veprën e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo ku ai mungonte por ku ai e meriton.
Për gjithë veprën e saj të jashtëzakonshme, gjashtë vjet më parë, më 4 shtator 2016, u kanonizua nga Papa Françesku në një ceremoni në Sheshin e Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit. Duke i dhënë botës dashuri e mirësi, ajo u bë sinonim i dashurisë e mirësisë. Për ne ajo do të mbetet përherë edhe nobelistja edhe shenjtorja jonë e parë shqiptare me të cilën do të krenohemi si popull, duke ndjekur përherë këshillën e saj se “paqja fillon me një buzëqeshje”.
Fotografi Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve ne Ferizaj, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë me kurator Agron Shala përfshinë vepra të realizuara për 20 vjet nga fotografi Spahija dhe do të hapet më 8 shtator, në ora 20:00.
““S’du me t’pa, du me t’ndie” është titulli i ekspozitës së fundit të mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija. Nuk e ndërlidha ekspozitën me titullin e një kënge sepse, në perceptim të parë, mesazhet janë të ndryshme. As pse Spahija është adhurues dhe njohës i muzikës. Porse, si te Tomi, jeta është ndjesi; është edhe arti që merr jetë nga shpirti i artistit. Është ndjesia që artisti e bart te ne; është ndjesia që shikuesi e reflekton. Për të dyja palët vlen thënia e piktorit Paul Klee: “Njëri sy sheh, tjetri ndjen”. Dhe, “S’du me t’pa, du me t’ndie” e pasqyron këtë mendim”, ka shkruar kuratori Shala mbi këtë ekspozitë.
“Ekspozita e Spahisë përbëhet nga veprat e realizuara përgjatë 20 vjetëve të fundit. Një përzgjedhje e vështirë, por e veçantë kur kemi parasysh opusin e tij krijues dhe faktin se sa vëzhgues dhe kërkues është autori, çdo ditë dhe në çdo situatë – qoftë nëse pamja varet nga të tjerët, nga rrethanat apo nga vetë ai”, ka shkruar më tutje kuratori Shala./ KultPlus.com
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se e mirëpret fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi për lirinë e lëvizjes.
Hovenier shkroi në Twitter se liria e lëvizjes është thelbësore për marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke.
Ambasadori amerikan tha se presin të shohin përparim edhe në çështje të tjera në muajt e ardhshëm.
“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrje/daljeve. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për Kosovën & Serbinë. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, shkroi ambasadori Hovenier./ KultPlus.com
“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.
“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.
“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.
“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.
“U zumë të dy aq shumë për punën Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”.
“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.
“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.
“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.
“E vërtetë e pabesueshme E mbajta në krah tërë ditën Edhe zemër i dhashë: ‘Mbahu!’ Të nesërmen ne fshat kur arritëm, U tha te tjerëve: ‘Më rrahu!’”
“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Republikën Çeke, ka takuar sot kryetaren e Dhomës së Deputetëve, Markéta Pekarová Adamová.
Sikurse edhe në takimet e tjera me zyrtarë të lartë të shtetit çek, edhe në këtë takim Osmani ka kërkuar përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e agjendës evropiane të Republikës së Kosovës në përgjithësi. Presidentja ka ritheksuar se Kosova prej disa vjetësh ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar mbështetjen çeke që ky proces të përmbyllet nën Presidencën çeke të Këshillit të BE-së.
Të njëjtën përkrahje, Presidentja e kërkoi edhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe e më pas edhe në NATO.
“Ajo në veçanti diskutoi për rolin e rëndësishëm të parlamentarëve të Çekisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të na duhet përkrahje për shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Në takim me Pekarová Adamová, Osmani, u ndal edhe te marrëdhëniet dypalëshe, duke diskutuar për fusha të ndryshme në të cilat mund të thellohen më tej raportet dhe në këtë kontekst përmendi miqësinë e hershme të Kosovës me Republikën Çeke, që nga vitet e 80-ta dhe përkrahjen e palëkundur që Çekia ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se abetarja e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë është një vazhdim i punës së të parëve për gjuhën shqipe.
Ai, në ceremoninë e përurimit të abetares në Gjakovë, ka theksuar se fati i shkollës shqiptare ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit, sipas tij, raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik.
“Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejt dashuria për kombin, sot në gjirin e barazisë dhe lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me abetaren e përbashkët unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë”.
“Në ditë si këto duhet kujtuar puna dhe sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve, albanologëve, mësimdhënësve, studiuesve,kontribuuesve të parezervë, burrave dhe grave që e ruajtën gjuhën shqipe në kohët më të vështira e ruajtën pasurinë tonë të përbashkët. Jam i lumtur që andaj sot e kemi në duar këtë abetare për të cilën u zotuam me marrëveshjen e përbashkët nga mbledhja e dy qeverive tona”, ka thënë Kurti./klankosova/ KultPlus.com
Gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Konomi, kishte publikuar në “Facebook” një foto të të rrallë të tri motrave të Mbretit Zog, që shkojnë në Shkodër pak ditë pasi u shpall ligji për heqjen e ferexhesë.
Ato paraqiten të veshura me stil perëndimor në qytetin veriperëndimor. Ja çfarë shkruan gazetari për foton e rrallë.
STATUSI
Në fillim të vitit 1937, tri motrat e Mbretit Zog, Myzejen, Ruhije dhe Maxhide bënë një vizitë të papritur në Shkodër, në prag të shpalljes së ligjit për heqjen e ferexheve.
Ligji i Zogut, që u miratua në parlament në mars 1937, dënonte çdo grua që mbulonte fytyrën. Dënoheshin edhe ata që i inkurajonin gratë të mbuloheshin. Gjobat shkonin deri në 500 franga ari.
Që prej dhjetë vjetësh, qeveria u kishte kërkuar grave të hiqnin ferexhetë, por pa sukses, prandaj vendosi të veprojë me ligj.
Tri princeshat, të veshura me funde të ngushta, me peliçe dhe me kapele, shoqëroheshin nga një eskortë ushtarake dhe ndiqeshin në çdo hap nga fotografët. Vizita, që zgjati një javë, paralizoi pothuajse çdo aktivitet në Shkodër.
Motrat shkuan në mënyrë demonstrative dhe të bujshme nëpër shkolla, spitale e tregje, vizituan kisha e xhami dhe morën pjesë në dreka e darka. Në takimet e shpeshta që patën me gratë, princeshat u përpoqën t’i bindin se zbatimi i ligjit të ri nuk do t’ua dëmtonte prestigjin femëror.
Kjo është një foto tipike e fiksuar në njërën prej atyre ditëve dhe e publikuar në gazetën e ilustruar britanike “The Spear”. Gazeta e boton fotografinë nën titullin “Një shembull për popullin”.
“Gratë me ferexhe, – shkruan autori i fotografisë, – ecnin me shpejtësi nëpër rrugët e Tiranës dhe Shkodrës. Gra të mbuluara shihje madje edhe në trotuaret e Durrësit. Megjithatë, në fshat gratë shqiptare e tregonin fytyrën me krenari. Asnjë grua fshatare në Shqipëri, myslimane, katolike apo ortodokse, nuk kishte mbajtur ndonjëherë ferexhe./ KultPlus.com
Nezir Kraki ka reaguar sërish për çështjen e shamive, kërkesë e fundit nga shumë qytetarë, të cilët po kërkojnë ndryshimin e udhëzimit administrativ për lejimin e shamive nga nxënëset në shkolla.
Së fundi, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka dalë me një deklaratë në lidhje me këtë çështje, dhe sipas kryeministrit Kurti, pragu i lejimit të shamisë duhet të jetë mosha 16-vjeçare.
Pas kësaj deklarate, profesori Nezir Kraki ka dalë me një reagim. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Krakit.
Ka gabu atehere dhe gabon edhe sot kur deklaron se maturiteti fillon ne moshen 16 vjecare. E keta myhybët e tij qe s’guxojne gojen me e qel duhet t’i thone qe eshte gabim.
Sqarimi i tij nuk eshte koherent dhe krahasimi me mundesine e marteses ne moshen 16 vjecare eshte absurd. Absurd sepse per martese nen moshen 18 vjecare duhet pajtimi i prindit dhe po i bie qe edhe per vendosjen e shamise fjala e prindit eshte e fundit.
Kur e lidh me mundesine e votimit nga mosha 16 vjecare, Albini e ben kete per vota. Ne fakt, votimi nga mosha 16 vjecare eshte ide e gjithhershme e partive te majta ne mbare Evropen sepse historikisht moshat e reja votojne me shume majtas, te vjetrat djathtas. Pra, edhe ketu jemi larg nga brengosja e sinqerte per me shume liri e te drejta per rinine.
Mosha 18 vjecare duhet te mbetet kufiri qe ndan femijen nga i rrituri. Ne shoqerite normale e gjithe jeta sociopolitike eshte e organizuar rreth ketij parimi. Raportet familjare, pergjegjesite civile e penale, ndalesat dhe autorizimet…. Natyrisht rregulla edhe mund te ndryshojne me kohen, pse jo, por per momentin ne Evropen ku duam te shkojme, mosha madhore eshte 18 vjec. Dhe do t’ishte teper zhgenjyese nese Albini ben leshime te tilla per nje grusht vota mesjetare.
Per me teper, nuk arrij ta kuptoj se si Albinit i duket normale shkelja e statusit dhe lirise se femijes ne baza gjinore.
Dhe nuk e pranoj arsyetimin se « e kemi premtuar dhe duhet ta bejme ». Edhe bashkimi kombetar eshte premtu, jane premtu shume gjera utopike kur VV e kishte lluksin e vrojtimit. Tash eshte ne realitetin e veprimit dhe vendimit por nuk guxon as VV te marre vendime me parapavije elektoraliste se NUK eshte votu per shami por per qeverisje te mire.
Thjesht, dhe nuk dua komente debile ketu, femijet NUK kane nevoje te behen gati per jeten e dyte ende pa e fillu te paren.
Albini pra eshte gabim dhe krejt ju qe s’keni guxim me i thene te zezes e zeze nuk i duheni as Albinit, as Kosoves as Zotit dhe as dreqit./ KultPlus.com
Prej këtij viti, DokuFest është në mesin e 24 festivaleve që nominojnë një film të shkurtër dhe një film artistik për çmimin kryesor në Akademinë Evropiane të Filmit.
Mbi 250 filma do të prezantohen në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër që po mbahet në Prizren, e që këtë vit po shënon edicionin e 21-të, shkruan KultPlus.
Festivali që pas dy viteve u kthye në zhvillimin e rrugëtimit si viteve para pandemisë, po mbështetet edhe këtë vit nga ProCredit Bank, mbështetje që po vazhdon tash e 18-të vjet.
Festivali që ka nisë më 5 gusht me filmin “Zjarri i dashurisë” me regji të Sara Dosa, do të zgjasë deri më 13 gusht dhe do të prezantojë filma në tetë kategori: Balkan dox, artistik ndërkombëtar, filma të shkurtër dox, filma të shkurtër ndërkombëtarë, për të drejtat e njeriut, për natyrën, për të vërtetën dhe kombëtar.
Dhe sikurse çdo vit, edhe këtë herë festivali ka një moto, dhe për vitin 2022, ka përzgjedhë moton “Si të mbijetojmë?”.
Dhe kjo moto “Si të mbijetojmë” pos që përkon me peripecitë e njerëzimit me pandeminë, është edhe inkurajues për shumë të tjerë se si mund të ngritet një festival sikurse DokuFest, e që në fillet e tyre nuk e kishin pas idenë se do të jenë në mesin e festivaleve më të mira të botës.
Prej këtij viti, DokuFest është në mesin e 24 festivaleve që nominojnë një film të shkurtër dhe një film artistik për çmimin kryesor në Akademinë Evropiane të Filmit.
Dhe këtij rrugëtimi të gjatë artistik, argëtues dhe me shumë gjallëri jo vetëm për Prizrenin, tash e 18-të vjet i beson ProCredit Bank, që edhe këtë vit e mbështetë këtë festival dhe i qëndron afër si çdo vit tjetër – në sfida dhe arritje.
ProCredit Bank, është një ndër bankat në Kosovë e cila i jep shumë hapësirë ngjarjeve të mirëfillta kulturore në vend e kjo është dëshmuar jo vetëm me DokuFest-in, por edhe me shumë ngjarje të tjera kulturore./KultPlus.com
Ylli i njohur amerikan i filmit John Malkovich ka bërë të ditur se në Shkup do të xhirohen filma hollivudiane. Kjo pritet të ndodhë menjëherë pasi në afërsi të qytetit do të ndërtohen disa kinostudio në kuadër të projektit “Skopje Technology Park”.
“Do të doja të përshëndes miqtë e mi maqedonas dhe t’ju tregoj se sa i emocionuar jam për bashkëpunimin me kolegët e mi profesionistë D.V. Muffet dhe Matt Dillon për krijimin e studios filmike, muzikore dhe mediatike të kalibrit hollivudian, me certifikatë për ndërtim ekologjik në Shkup. Studio e parë e këtij lloji në të gjithë Ballkanin, tha Malkovich për MTV.
Ai njoftoi se do ta vizitojë Shkupin menjëherë pasi Qeveria të miratojë projektin “Parku Teknologjik i Shkupit”.
“Vendosëm që projektin ta emërtojmë “Stonebridge Study” për nder të kulturës së pasur dhe historisë së pabesueshme të popullit maqedonas”, theksoi Malkovich.
Ai tha se si ballkanas i kushton rëndësi të veçantë këtij projekti.
“Jemi të emocionuar jo vetëm sepse do të punojmë dhe xhirojmë filma të Hollivudit në Shkup, por do të ndihmojmë në forcimin e mëtejshëm të filmit ballkanik, si dhe komunitetit të muzikës dhe artit në çdo mënyrë të mundshme. Unë besoj fuqishëm se projekti do të jetë me rëndësie vendimtare për vendin dhe rajonin”, tha John Malkovich.
Këto ditë ai po viziton Serbinë, po luan në në shfaqjen “Komedia e Ferrit – Rrëfimet e një vrasësi serial”./ KultPlus.com
epa07459147 US actor John Malkovich attends a press conference held at the Centro Galego de Artes de la Imagen in La Coruna, Spain, 23 March 2019, during the film cycle ‘Go and Come’ (Vai e Vem). EPA-EFE/Moncho Fuentes
Shkollave në Austri mund t’u duhet të shkurtojnë udhëtimet me ski dhe ngrohjen për shkak të kostove të energjisë.
Drejtuesit e shkollave austriake janë të shqetësuar se mund të mos kenë para të mjaftueshme për të ngrohur shkollat e tyre dhe kanë frikë se kurset e skive ose trajnimet e mëtejshme mund të anulohen.
Problemet e ngrohjes përkeqësohen nga rregullat e Covid-19, të cilat kërkojnë ajrosje të shpeshtë jashtë klasave, transmeton Albinfo.ch.
Siç raportoi The Local të mërkurën, EVN dhe Wien Energie – të dyja pjesë e grupit Energieallianz Austria (EAA) – kanë njoftuar të dy se do të rrisin çmimet e energjisë nga muaji i ardhshëm.
Në një intervistë me transmetuesin ORF, Drejtori Menaxhues i Agjencisë Austriake të Energjisë (AEA), Franz Angerer, tha se nuk ishte për t’u habitur që çmimet ishin rritur pasi çmimet e tregut ishin rritur gjatë muajve të fundit. Ka shumë pak mënyra që konsumatorët të kursejnë në fatura, përveç uljes së konsumit. Fakti që Wien Energie dhe EVN, por jo partneri i tyre në Energieallianz Austria, Burgenland Energie, po rrisin çmimet është sepse Burgenland prodhon më shumë energji të erës. Megjithatë, ekspertët besojnë se çmimet do të rriten edhe atje përfundimisht.
Në të njëjtën kohë me rritjen e çmimit, Wien Energie, shpalli një tarifë për klientët e rregullt. Si rezultat, klientët Wien Energie mund të reduktojnë rritjen në 24 për qind për energjinë elektrike dhe 50 për qind për gazin natyror, sipas një transmetimi të Wien Energie të mërkurën./ KultPlus.com
“Nën diell – Shpjego çka ndodhi” ishte titulluar vepra e artistes Flaka Haliti në Manifesta 14, që është hapë së fundi në Prishtinë, dhe po kësaj vepre, organizatorët i kishin lënë një pozicion pothuajse kryesor, pasi që edhe hapja e Manifesta 14 ishte bërë pikërisht nën hijen e veprës së Flaka Halitit, shkruan KultPlus.
Por vepra “Nën diell-Shpjego çka ndodhi” nuk është më pjesë e veprave të vendosura në kuadër të Manifesta 14, dhe sipas burimeve të KultPlus, kjo vepër tashmë është dëmtuar si pasojë e reshjeve dhe bubullimave që ndodhën gjatë javës së shkuar në Prishtinë.
Mirëpo se vepra “Nën diell – Shpjego çka ndodhi” e Flaka Halitit ka rënë në tokë dhe se është dëmtuar, nuk është konfirmuar edhe nga udhëheqësit e Manifesta 14.
Udhëheqësit e këtij manifestimi kanë thënë për KultPlus se vepra është larguar nga ekipi teknik i festivalit, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, shi e bubullimë, dhe sipas drejtoreshës Hedwik Fijen, bashkë me ekipin teknik e kanë larguar veprën para se të ndodhte diçka serioze.
Dhe si duket vepra me titullin “Nën diell – Shpjego çka ndodhi”, kërkon ‘shpjegime’ edhe më tej për këtë vepër të Flaka Halitit, pasi që sipas drejtoreshës Fijen, kjo vepër, përpos kostos fillestare për realizimin e kësaj vepre, tashmë ka edhe koston shtesë për rivendosjen e saj në vendin paraprak. Fijen ka thënë për KultPlus se vepra e Flaka Halitit ka kushtuar rreth 20 mijë euro, kurse për kostot e riinstalimit të veprës ende nuk dihen në këtë fazë.
“Puna e Flaka Halitit do të riinstalohet në ditët në vijim, varësisht prej teknikës”, ka thënë Fije.
Dhe duke iu referuar përvojës me veprën e Flaka Halitit, KultPlus ka pyet drejtoreshën Fije se nëse kanë marr masa edhe për veprat e tjera, pasi që shumica prej tyre janë në hapësirë, ajo është shprehur se të gjitha punimet tashmë janë kontrolluar nga inxhinierët dhe janë parashikuar masa shtesë.
Kurse përshkrimi i Manifesta 14 për veprën e Flaka Halitit është në këtë fiormat:
Nëse keni parë ndonjëherë diellin të perëndojë në qiellin e përndezur ose gacat e përflakura të luftës, horizonti i mistershëm i Flaka Halitit do të bëjë që fyti t’ju shtrëngohet pak./ KultPlus.com
Më shumë se 30% e gjermanëve të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk jetonin më me prindërit ose kujdestarët e tyre në vitin 2021, sipas të dhënave të publikuara të hënën (01.08) nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis.
Kjo është përqindja më e lartë në 10 vitet e fundit, edhe pse vetëm një rritje modeste në përqindje prej pak më pak se 4% gjatë dekadës. Një total prej rreth 8.3 milionë të rinjsh u përfshinë në të dhënat, të cilat u prezantuan si pjesë e nismës së BE-së “Viti Evropian i Rinisë”.
Gjetjet vijnë një javë pasi Destatis zbuloi, se përqindja e popullsisë gjermane të moshës 15 deri në 24 vjeç ka arritur përqindjen e saj më të ulët që nga fillimi i të dhënave aktuale në 1950.
Çfarë tregojnë këto shifra?
Në Gjermani, të rinjtë janë larguar nga shtëpia mesatarisht në moshën 23.6 vjeç në vitin 2021, pothuajse tre vjet më herët se mesatarja e BE-së, sipas autoritetit të statistikave të BE-së, Eurostat.
Të rinjtë suedezë largohen nga shtëpia më të rinj, mesatarisht 19 vjeç. Portugalia ka moshën mesatare më të lartë për t’u larguar nga shtëpia në BE, me 33.6 vjeç.
Në Gjermani, gratë e reja mesatarisht largohen nga shtëpia më herët se burrat, me 27.6% të grave në grupmoshën që ende jetojnë në shtëpi krahasuar me 35.1% të burrave.
Gratë e reja që largohen nga shtëpia prindërore mesatarisht më herët se të rinjtë dominuan në të 27-ta vendet e BE-së në vitin 2021, sipas Eurostat.
Më pak martesa, bashkëjetesa dhe bebe
Destatis tha gjithashtu se numri i 15-24-vjeçarëve që bashkëjetonin ose martoheshin në vitin 2021 ishte më i ulëti në 30 vjet. Shifra prej 136,000 të rinjsh të martuar plotëson një rënie të shpejtë gjatë tri dekadave të fundit.
Në vitin 1991, kishte rreth 990,000 të martuar në këtë grupmoshë. Në atë periudhë kohore, rreth 9.6% e njerëzve të moshës 15 deri në 24 vjeç ishin të martuar.
Numri i prindërve në grupmoshën 15 deri në 24 vjeç gjithashtu ka rënë me gati 40% në Gjermani që nga viti 2011. Në vitin 2021, vetëm 2.4% e grupmoshës u bënë prindër. Kjo nuk ka ndryshuar shumë nga viti 2011 kur 3.7% e grupmoshës ishin prindër./DW
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se objekti i Kino Rinisë do ti kthehet në menaxhim Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.
Gazeta online KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama.
Objekti i KINO RINIA i rikthehet në menaxhim Kryeqytetit pas shumë vitesh.
Pas një pune disa mujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e Kino Rinisë nën menaxhimin tonë.
Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP.
E falenderoj shumë Drejtoren e Pronës, Doruntinë Maloku dhe gjithë stafin për përkushtimin disa mujor për kthimin e KINO RINISË në menaxhimin tonë. Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit./ KultPlus.com
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë nëse deri atëherë qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Ndërkaq, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës bënë të ditur se me 10 gusht do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së për të vendosur për hapat e ardhëm sindikalë. Ndërkohë, Qeveria ka thënë se Projektligji për Paga është në fazën finale.
Pas vonesës së Projektligjit për Paga dhe mos përmbushjes së kërkesave për ndarjen e 100 eurove shtese për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor nga data 1 shtator. Ketë e bëri të ditur për Radio Kosovën kryetari i kësaj sindikatë, Rrahman Jasharaj, i cili tha se deri me tani po mungon dialogu me qeverinë.
“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor, pra me 24 gusht, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do ta kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim. Grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi e me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, thotë kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Po ashtu, edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i tha Radio Kosovës se me 10 gusht do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së, ku pritet të marrin vendim për hapat e mëtutjeshëm sindikalë e që nuk përjashtohet edhe greva./KultPlus.com
Erdha Melina njëzet vjet rrugë mu deshën të vija tek ti në zemër të Athinës, një kafe piva në lagjen «Plaka», «Kafenea Melina» shndriste në diell si një vajzë e dashuruar, rrugën mora nga Akropoli për tek ti atje ku flije nën mermerin e nxehtë të Moresë, merre këtë cigare Mërkuri, çohu dhe ndize si njëherë ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko» kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo», çou dhe këndo këngën e trishtë të “qirja Andonit” që i lumtur ishte veç në ëndërr, Melina, gjaku im i shprishur, i dua sytë e tu të mëdhenj siç dua detin dhe diellin që bie e shuhet në të, gjithë dashuritë e Greqisë janë në sytë e tu dhe shkuma e Jonit dhe e Egjeut që vjen e të mbulon gjer këtu, Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua, se të puthurën tënde ende e kam në faqe dhe përqafimi yt krahët mi ngroh, ah, duart dhe gishtërinjtë e tua që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë dhe vargjet e rënda të Janis Ricos, shko tani Melina, u bë vonë, shko ti vajzë e Argolidhës arvanitase Dasin dhe Haxhidhakis të presin atje nën dhé, shko ashtu përhumbur në tymin e cigares se agimi po afron dhe bota do të zgjohet, ndryshe do duhet të të mbart mbi vete, të shkoj si bohemi i legjendës nëpër erë ku ca fjalë të prushta pas nesh do jehojnë: një i gjallë me një të vdekur shkon…/ KultPlus.com
Një ekran gjigant ra dhe plagosi dy kërcimtarë derisa po performonte grupi i njohur “Mirror” në një skenë koncerti në Hong Kong.
Ekrani goditi një interpretues përpara se të rrëzohej mbi të tjerët, treguan pamjet që q Koncerti muzikor u ndërpre menjëherë dhe menaxheri i grupit u kërkoi turmës të dilte me qetësi nga salla.
Policia e Hong Kongut konfirmoi për shtypin lokal se dy kërcimtarë të gjinisë mashkullore u shtruan në spital.
Nga spitali thanë se njëri prej tyre kishte marrë lëndime në qafë dhe ishte në gjendje të rëndë në kujdesin intensiv ndërsa një tjetër ishte stabil, raportoi South China Morning Post.
Gjithashtu, edhe disa persona u trajtuan për tronditje.
Shocking News!! Unfortunate scene saw the fans of the boy band “MIRROR”. During the concert presentation a giant screen fell on the members of the band “MIRROR” in full concert in Hong Kong!#HongKong#BoyBand#MIRRORpic.twitter.com/dDiICQP26g
Qeveria e qytetit ka urdhëruar që pjesa e mbetur e turneut të pezullohet derisa të kryhen kontrolle sigurie në vendet e tjera, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
“Jam i tronditur nga incidenti”, tha udhëheqësi i qytetit, John Lee, duke shtuar “u shpreh ngushëllimet për ata që u plagosën dhe shpresoj se ata do të shërohen shpejt”./ KultPlus.com
Naser Berisha, këngëtari i njohur për hitet e shumta të viteve të 90-ta është duke organizuar koncertin pop-rock, koncert që do të mbahet sonte në qendër të Gjilanit, shkruan KultPlus.
Naser Berisha ka njoftuar se koncerti “#eJona” do të fillojë prej orës 20:00 dhe do të përfshijë këngë hite origjinale prej viteve të 70-ta e këndej.
“I gjithë koncerti do të jetë live dhe të gjitha grupet do të performojnë këngët e tyre origjinale”, ka thënë Berisha për KultPlus, i cili këtë koncert e ka sjell për audiencën gjilanase, që vlerësohet si koncert nostalgjik për bendet e pop-rock që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në Gjilan. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova partner të sigurisë i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai, para medieve në Uashington, pas përfundimit të takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka theksuar se bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kanë shfrytëzuar mundësinë për kërkimin e shtimit të investimeve amerikane në Kosovë.
“Takimi që patëm bashke me presidenten qe shume i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe ShBA-së. Me këtë rast ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë”.
“Së pari është rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe i ndërhyrjes NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Pra, në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë të cilat dëshirojnë të tregojnë për zhvillim ekonomik se demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë”.
“Njëkohësisht ne përfituam nga rasti, nga sekretari Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu edhe ta rrisim shkëmbimin tregtar mes dy vendeve tona. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me ShBA-në për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin, synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner edhe të padiskutueshëm por gjithnjë e më të fuqishëm, pikërisht ShBA-në”, ka thënë Kurti, njofton KlanKosova.tv/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të shkëlqyeshëm takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Ajo ka thënë se në këtë takim është konfirmuar se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh sesa Amerika.
“Pa përkrahjen e ShBA nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm yni. Kemi folur me Blinken për subjektivitetin ndërkombëtar dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve dhe organizatave ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.
“Kemi diskutuar edhe për rolin konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi. SHBA si partner që mbështesin pavarësinë, kushtetutshmërinë, gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim. Si Biden edhe Blinken e kanë thënë qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë presidentja Osmani./ KultPlus.com