Kryeministri Kurti: Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria pret angazhim më të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës.

Ai ka thënë se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës mundëson gjykimin në mungesë.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se para tri vjetësh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit.

“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale”, ka shkruar ai.

Kurti ka shkruar se krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto, ka shtuar ai, ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje.

Ai ka thënë se kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit.

“Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Deshi lepuroshi


Rexhep Hoxha

Deshi lepuroshi
t’bëjë një mrekulli,
të vishej me tesha
po sikur njeri.
Veshi pantollone
këpucë e jelekë,
n’Zvicërr porositi
sahat me qostek.
Mirë, porse të ngratit
i shkoi puna huq,
sepse veshët e gjatë
s’i ndejtën n’kapuç./ KultPlus.com

Pasi u tërhoq nga dëshmia para Gjykatës, Elon Musk flet për herë të parë për Johnny Depp dhe Amber Heard

Elon Musk theu heshtjen për Amber Heard dhe Johnny Depp duke u shprehur me fjalë lavdëruese për të dy aktorët pasi avokatët e tyre dhanë argumentet përfundimtare në gjyqin për shpifje.

CEO i ‘Tesla’ dhe ‘SpaceX’, i cili ka qenë në lidhje me aktoren për disa muaj pas ndarjes së çiftit, fillimisht u konisderua si dëshmitar i mundshëm në këtë rast, por në fund nuk dëshmoi. Megjithatë në një status në Twitter ai shkroi: “Shpresoj që ata të dy të vazhdojnë përpara. Në më të mirën e tyre, ata janë të dy të pabesueshëm.”

Musk e bëri komentet e tij duke iu përgjigjur shkencëtarit të MIT Lex Fridman, i cili shkroi në Twitter: “Përfundimet e mia nga gjyqi Johnny Depp kundër Amber Heard: 1. Fama është një drogë e tmerrshme (për disa). 2. Psikiatrët dhe avokatë vijnë nga nivel drastike të ndryshme aftësish. 3. Të gënjesh miliona njerëz është diçka që njerëzit janë të aftë ta bëjnë. 4. Dashuria mund të jetë një rrëmujë. 5. Mega pint of wine.(referuar deklaratës së Amber për Johnnyn)”

Depp po e padit Heardin për 50 milionë dollarë për shpifje në një shkrim të ‘Washington Post’, në të cilin ajo shkroi, “Unë u bëra një figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”, pa përmendur emrin e aktorit. Heard ka kundërpaditur Depp për 100 milionë dollarë. Të dy akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë në familje gjatë një viti të martesës së tyre, ku secili mohon abuzimin.

Në padinë e tij për shpifje, Depp akuzoi Heardin se kishte një lidhje jashtëmartesore me miliarderin. “Pa e ditur zotin Depp, jo më vonë se një muaj pas martesës së tij me zonjën Heard, ajo po kalonte kohë në një marrëdhënie të re me themeluesin e Tesla dhe Space X, Elon Musk”, thuhet në dosje. Megjithatë, një përfaqësues i Musk tha për E!News në 2019, “Elon dhe Amber nuk filluan të takoheshin deri në maj 2016, madje edhe atëherë takoheshin rrallë. Marrëdhënia e tyre nuk u bë romantike deri pak kohë më vonë.”

Heard dhe Musk ndezën thashethemet për romancë rreth korrikut 2016. Ata dolën publikisht së bashku për herë të parë dhe gjithashtu e bënë lidhjen zyrtare në Instagramit në prill 2017. Gushtin e ardhshëm ata u ndanë. insajderi / KultPlus.com

Trupi i pajetë i Bujar Nishanit mbërrin në Shqipëri të martën

Trupi i pajetë ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani do të mbërrijë në Shqipëri të martën. Ish-kryetari i shtetit ndërroi jetë ditën e djeshme në një spital në Gjermani, ku ishte i shtruar prej një muaji.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se Nishanit do t’i kryhen të gjitha nderimet e fundit në një ceremoni shtetërore. Ai ishte presidenti i 6-të i Shqipërisë post komuniste.

Nishani po kurohej në spitalin universitar Charite në Berlin. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post Covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar. Bujar Nishani dha frymën e fundit dje.

Në karrierën e tij politikë ai njihej për gjuhën e kujdesur dhe maturinë. Bujar Nishani ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si deputet, ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar në selinë blu. Në vitin 2012, Nishani u zgjodh president. Ndërsa së fundmi ai ishte anëtar i Komisionit të Rithemelimit./ KultPlus.com

Avokati i Johnny Depp kishte përfunduar provimin e jurisprudencës në Kosovë (FOTO)

Seancat mes Depp e Heard janë në kulmin e fokusit mediatik duke u përcjellë me një vëmendje të madhe nga mediet dhe showbizi, shkruan KultPlus.

Mirëpo është një e veçantë tjetër në këto seanca gjyqësore. Avokati i Depp ishte më herët në Kosovë, dhe pikërisht në shtetin e Kosovës kishte përfunduar provimin e jurisprudencës, gjë që dëshmohet edhe në biografinë e tij.

Në ekipin mbrojtës të Depp është avokati Benjamin G. Chew, një emër ky i njohur edhe në Kosovë.

Përpos provimit të jurisprudencës, Chew, në janar të vitit 2014 mbrojti dhe liroi nga akuzat drejtuesin e PTK-së në një proces penal të EULEX-it.

Gjyqi Depp – Heard po vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe çdo ditë e më shumë po mësohen detaje të reja pikante nga martesa e tyre.

E gjithë bota e showbizit dhe jo vetëm i ka kthyer sytë kah gjyqi Amber Heard dhe Johnny Depp./ KultPlus.com

‘Abetare, Abetare, sillma diellin në dritare’

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Abetare, Abetare,
Sillma diellin në dritare!

Lehtë, lehtë
e bukur, bukur,
Dora ime sa e lumtur;
Hap një faqe,
kthen një fletë,
Nëpër shkronja –
Bota vetë.

Rrjedh në fjalë plot kumbim
Gjuhë e lasht e vendit tim.

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemrën e gëzoj,
Bëhem zog e fluturoj.

Abetare, Abetare,
Ti je dielli në dritare. / KultPlus.com

Abetare e përbashkët për të gjithë shqiptarët

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se ka marr pjesë në konferencën “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi” që është mbajtë në Malmo të Suedisë, shkruan KultPlus.

Ministrja Nagavci nga kjo konferencë ka vënë në pah se abetarja do të jetë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, që nga shtatori i këtij viti.

Më poshtë e sjellim të plotë deklaratën e plotë të ministres Nagavci.

Me shumë kënaqësi iu bashkova konferencës “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi”, që po mbahet në Malmo të Suedisë.

Në këtë konferencë po trajtohen tema me interes dhe me qëllim që të mbajmë gjallë frymën edukuese të gjuhës amtare në përbërjen e akademikëve, ligjëruesve, mësuesve, anëtarëve të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare ”Iliria” në Suedi dhe Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri”.

Duke e njohur rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe por edhe kulturës shqiptare, si Ministri e Arsimit po punojmë në ofrimim e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në diasporë.

Bashkë me Republikën e Shqipërisë tashmë e kemi tekstin e nivelit të parë

“Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dedikuar fëmijëve të diasporës që do të shpërndahet në shtator, po ashtu edhe Abetaren e përbashkët.

Në një bashkëbisedim të këndshëm me bashkëatdhetarët shqyrtuam domosdoshmërinë e angazhimit të shtuar të dy shteteve tona për aktivitete të përbashkëta.

Falënderime për mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë./ KultPlus.com

‘Thurje kosovare’ bashkoi veprat e 22 artisteve, Hoxha: Kjo ekspozitë është një momentum për gratë artiste

Flonja Haxhaj

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në Galerinë e këtij institucioni u hap mbrëmë ekspozita e titulluar ‘Thurje kosovare’, shkruan KultPlus.

Ekspozita e ideuar nga artisti Luan Mulliqi dhe e kuruar nga Eliza Hoxha, paraqet punime të grave artiste brenda dhe jashtë Kosovës, me qëllim që gratë kosovare të kenë vëmendjen e merituar për punët e tyre artistike dhe konceptuale.

Kjo ekspozitë synon ta zgjerojë perspektivën me qëllim që të hidhet dritë mbi punën e grave dhe për t’iu dhënë një mundësi atyre që diskutimin dhe dialogimin,  përmes punës së tyre artistike ta vendosin në një nivel tjetër, shkruan KultPlus.

Për t’ia shtuar edhe më shumë veçantinë e kësaj mbrëmje që kishte mbledhur shumë artdashës, ansambli ‘Zanat’ nën shoqërimin në piano të Edon Ramadanit interpretuan para pjesëmarrësve këngët ‘Kur një ditë të kthehesh ti’, ‘Perëndeshë e bukurisë’ dhe ‘O moj bukuroshe’.

Kuratorja e kësaj ekspozite, Eliza Hoxha, e cila ka paraqitur edhe një nga veprat e saj në këtë ekspozitë, shprehet e lumtur që i është besuar përzgjedhja e grave artiste, punimet e të cilave, përmes një logjike të caktuar konceptuale, Hoxha i ka paraqitur në ‘Thurje kosovare’.

“Ideja themelore ka qenë që të hedhim dritë pak më shumë mbi punën e grave artiste, ta zgjerojmë këtë hapësirë që t’i sjellim bashkë për t’u ballafaquar dhe konfrontuar për temat që besojnë, por edhe në atë që ndoshta nuk i kuptojnë, nganjëherë edhe me njëra-tjetrën, për ta zgjeruar zemrën dhe kufijtë tanë në fuqizimin e njëra tjetrës.”, deklaroi Hoxha.

Ajo më tutje flet edhe për emrin e ekspozitës, duke treguar se ky emër është vendosur për shumë arsye por që zanafillën e ka në historikun e grave shqiptare në kreativitetin e tyre në thurjet e veshjeve të shumta, në kreativitetin e tyre në aspektin estetik të shtëpisë, qëndisjes dhe në prodhimtarinë kryesore të veshjeve.

“Por në një moment tjetër bashkëkohor kur shoqëria hapet, krejt këto cilësohen si punë dore, ose si punë të rendit të dytë ose zanate dhe përjashtohen nga skenat ekspozuese dhe skenat e vlerësimit, dhe është e çuditshme se si sot, në skenën bashkëkohore, në dinamikat e reja, kur ne i kthehemi traditave në aspektin e post-modernes, kur ne hulumtojmë traditat tona dhe traditave të tjera, dhe janë prapë burrat që i marrin këto krijimtari të grave dhe i kanë prapë gratë në sfond për t’i krijuar disa veprave përmes thurjes përmes endjes dhe koncepteve të tjera konceptuale”, thotë Hoxha për KultPlus duke vazhduar se kjo ekspozitë, mund të shërbejë si një momentum ku gratë vlerësohen për punët që bëjnë.

Kuratorja Hoxha foli edhe për përzgjedhjen e grave artiste, punimet e të cilave janë paraqitur në këtë ekspozitë.

“Jam munduar që të përzgjedh gjinitë e ndryshme, grupmoshat e ndryshme por që më së shumti aspekt përcaktues ka qenë aspekti tematik i veprave të një artisteje. Ka edhe të tjera artiste që i kam pasur në mendjen time, thjesht  nuk është se janë më pak të mira ose më pak kreative, ka qenë thjesht një aspekt konceptual që brenda një hapësire të ketë disa pyetje, të ketë disa qëndrime që vetë gratë për veten e tyre i sjellin në vëmendjen e tjetrit, ngrehin një temë, mundohen ta thyejnë një tabu edhe bëjnë ca pyetje edhe për veten edhe për të tjerët” , tha ajo për KultPlus.

Një ndër pjesëmarrëset në këtë ekspozitë, Zake Prelvukaj, flet për KultPlus duke përshëndetur fillimisht iniciativën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, iniciatorin dhe kuratoren për krijimin e kësaj ekspozite.

“Përzgjodha ta paraqes një punë e cila i përket tranzicionit të hershëm pas luftës së Kosovës, atëherë kur gjithçka ishte asgjë dhe copëzat e asaj kohe ‘Ëorld ghetto’ dhe ‘Ghetto art’ në Prishtinë janë bashkëdyzuar, sepse në atë kohë kam ndjerë tranzicion,  që e ka e gjithë bota në mënyrën e saj, qoftë ekonomik, politik, shpirtëror, optik dhe fizik”, u shpreh Prelvukaj.

Ndërkaq veprat  e të gjitha artisteve që u paraqitën në këtë ekspozitë janë: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, Haveit, Kaltrina Hoda, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra-Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firzi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.

Kujtojmë që ekspozita ‘Thurje kosovare’ do të jetë e hapur për një muaj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, e pas kësaj, organizatorët planifikojnë që atë ta prezantojnë edhe në vende të tjera të Kosovës e për të vazhduar më pas edhe jashtë kufijve shtetërore./ KultPlus.com

Ditëlindje të lumtur

Kaloi një tjetër vit. Aq shpejt ka shkuar, saqë nuk je në gjendje ta kujtosh dot, nëse kanë ndodhur më tepër gjëra të mira se të këqijat syresh.

Epo mirë, ndoshta dikush mund të jetë larguar, teksa tjetërkush është shfaqur në jetën tënde pikërisht për të t’i lehtësuar gjërat vetvetiu.

Fatkeqësisht sakaq, ndokush nuk pati zgjedhur dot me vullnet të lirë, nëse duhej të ishte i pranishëm.

Është një vit pjekurie të mëtejshme, ndër mbresat e gjërave që dikur nuk patën vajtur edhe aq mirë, dhe të tjerave që premtojnë një të ardhme më të mbrothët.

Ke për të blerë një tortë, me plot qirinj përsipër. Do t’u frysh atyre fort, me sytë e mbyllur, duke shprehur një dëshirë, të cilën askujt nuk ke për t’ia treguar, ngaqë dihet qartësisht se përndryshe nuk mund të plotësohet dot.

Gjithsesi, ke për të dyshuar se gjithkush do të jetë i vetëdijshëm për dëshirën tënde.

Ke për të pohuar se në këtë ditëlindje nuk dëshiron dhurata, të cilat do të shfaqen sidoqoftë përpara teje të mbështjella me letrën që sa hap e mbyll sytë ke për ta grisur nxitimthi.

Do të kridhesh në shtrat duke kundruar kulmin mendueshëm:…

“Këtë vit do të ngadhënjej ndaj gjithë botës”

Nga:

José Ángel Gómez Iglesias. Shkrimtar i suksesshëm spanjoll.

Përktheu nga spanjishtja:

ELVI SIDHERI/ KultPlus.com

Ekzekutohen 100 eurot nga qeveria për punëtorët e sektorit privat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë kryer pagesat e shtesave prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sapo është kryer pagesa e shtesës prej 100 euro për rreth 210 mijë të punësuar dhe 10 mijë të vetëpunësuar të sektorit privat (atyre që nuk marrin paga nga buxheti i shtetit. Praj gjithsej 220 mijë persona sot do të pranojnë në llogaritë e tyre shtesën prej 100 euro”.

“Janë mbetur edhe aplikantët e lajmëruar në mars e që nuk kanë qenë të lajmëruar në shkurt, për të cilët pagesa do të kryhet në muajin qershor, me kusht që vazhdojnë të jenë të deklaruar si punëtorë për së paku tri periudha tatimore (mars, prill, maj) nga punëdhënësi.  Qeveria është në anën e qytetarëve!”,ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Me sloganin “Edhe n’shtet, edhe n’shpi” do të shënohet edicioni i gjashtë i Javës së Krenarisë

Edicioni i gjashtë i Javës së Krenarisë do të vijë me sloganin “Edhe n’shtet, edhe n’shpi”, dhe sipas organizatorëve “Prishtina Pride” ky edicion do të mbahet nga 6 deri më 9 qershor.

Ky edicion do të shënohet  përmes diskutimeve, ekspozitave artistike, aksioneve rrugore, festave e protestave, do të bëhen bashkë personat queer dhe aleatët.

Sipas organizatorëve, slogani pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, edhe në familje.

“Në një vend ku shoqëria dhe familja në thelb janë heteronormative dhe patriarkale, është detyrë e shtetit që të krijojë siguri për personat të cilët nuk ndihen të sigurt nga mendësia shtypëse e cila prodhohet nga këto dy institucione. Partitë politike, qeveria dhe presidenca në anën tjetër nuk i kanë prioritet të drejtat LGBTIQ+, përkundrazi personat queer përdoren nga ta për të arritur në pushtet. Në njërën anë tregohen progresiv në tryeza të mbyllura me ndërkombëtarë e shoqëri civile, në anën tjetër tentojnë t’i largohen sa më shumë temave të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në fushata e komunikim me votuesit.

Këtë vit, Parada e Krenarisë, përveç festimit, duhet të konsiderohet si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+”, thuhet në njoftim të organizatorëve.

Organizatorët kanë thënë se në këto ditë do të festohet për praninë e tyre e fuqizimin e atyre që ende po e pranojnë veten.

“Do të festojmë për rezistencën që e kemi në baza ditore pa përkrahje të shtetit dhe familjes, do të jemi zëri për të gjithë që nuk kanë siguri dhe jetojnë në dhunë emocionale, mendore dhe fizike. Do të festojmë për familjet që na kanë pranuar dhe ato që i kemi zgjedh, do të protestojmë kundër familjeve që shtypin fëmijët e tyre. Do të festojmë për dashninë që e kemi, do të protestojmë për njohjen ligjore të kësaj dashnie. Bashkë do të festojmë që ekzistojmë dhe i japim botës ngjyra, bashkë do të vazhdojmë të ecim drejt një bote ku jemi të barabartë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Ukrainaset po ndihmojnë në çdo formë, fituesit e Eurovision kanë nxjerrë në ankand trofeun

Fituesit e Eurovizion “Kalush Orchestra” kanë nxjerrë në ankand trofeun që e fituan në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Të njëjtit do të organizojnë edhe një iniciativë tjetër për kapelën e Oleh Psiuk, kapelë që ishte vënë në fokus të madh të medieve përgjatë performancës në skenën e madhe të Eurovizion.

Trofeu i Eurovizion ka dalë në ankand më 25 maj, dhe deri më tash grupi ka mbledhë 60 mijë euro, ndihmë që do të shkoj në Serihy Prytyla Charity Foundation, fondacion që mbështetë ushtrinë ukrainase.

“Ne fituam Eurovizion, tani duam të ndihmojmë Ukrainën që të fitojë luftën”, ka thënë Oleh. “Dua të shes këtë kapelë, dhe të gjitha paratë të shkojnë për ushtrinë ukrainase”, ka thënë vazhduar ai./ KultPlus.com

A ka sporti kosovar mjaftueshëm fizioterapeut të kualifikuar?

Sporti është një disiplinë e gjerë që ndihmon individin në shumë aspekte më tepër sesa vetëm në aspektin fizik, ndihmon në ndërtimin e karakterit personal, mëson dhe zhvillon të menduarit strategjik, të menduarit analitik, aftësitë e lidershipit, vendosjen e qëllimeve dhe marrjen e rrezikut.

Sporti në Kosovë tash e shumë vite luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë. Rol jo më pak të rëndësishëm në këtë aspekt luajnë dhe ekspertët fizioterapeut të sportit të cilët janë të përfshirë kryesisht në parandalimin dhe menaxhimin e lëndimeve që vijnë nga vetë pjesëmarrja në sport dhe angazhimi i individëve në ushtrimet sportive. Për më tepër, ata gjithashtu promovojnë një mënyrë jetese aktive për të ndihmuar individët në përmirësimin dhe ruajtjen e cilësisë së jetës së tyre. 

Në Kosovë, ka fizioterapeut të specializuar dhe ekspert të fushës sportive që ndër vite iu gjinden pranë sportistave kosovar. Ndonëse jo numër i madh i tyre veprojnë në këtë fushë që si pasojë është mungesa e nivelit të posaçëm akademik për perfundimin e këtij specializimi. Kolegji Universum e ofron Programin e Fizioterapisë, program ky që synon ti pajisë studentët me njohuri profesionale në ushtrimin e profesionit të fizioterapistit, në një cikël 3 vjeçar studimi, zhvilluar sipas kurrikulës bashkëkohore në një mjedis stimulues që promovon arsimimin, hulumtimin, shërbimin dhe udhëheqjen që përbën një bazë për një karrierë të suksesshme.

Kolegji Universum përveq studimeve dhe njohurive teorike në këtë departament, studentëve ju mundëson dhe zbatimin e njohurive në praktikë, në laboratoret më të sofistikuara të këtij drejtimi.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram./ KultPlus.com

‘Jetojmë në një botë ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria’

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.

Ndërsa KultPlus ju sjell këtë deklaratë të famshme të Galeanos, që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.

‘Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.’/ KultPlus.com

Muharrem Elezi: Poezia e ndaluar e Agron Elezit

Më duhet të pranoj që, për ta kuptuar nga syri kritik poezinë e Agron Elezit, edhe pse në dukje mjaft e kapshme, mua si shkrimtar mu desh një kohë.

Ky poet, që fatkeqësisht në mënyrë të prerë dhe të domosdoshme ka qenë gjithmonë i censuruar përgjatë shekullit të XX-të, rrjedh nga fakti i gjendjes sonë të mjerë dhe të imponuar politike që vazhdimisht bënte dhe po bën trysni në ngufatjen e kulturës sonë në përgjithësi dhe zërit artistik të vërtetë shqiptar në nivel botëror në veçanti.

Poetët e paktë dhe të vërtetë shqiptar të shekullit të XX-të të Kosovës kanë mbetur nën hije, ashtu si ka mbetur nën hije edhe çështja e pazgjidhur dhe vazhdimisht e nëpërkëmbur shqiptare në Ballkan.

Gjersa poezia botërore e shekullit XX-të karakterizohet me një vetëdije të krizës shpirtërore që është ngushtë e lidhur dhe ndikuar nga rrjedhat e filozofisë, nga pasojat e revolucioneve industriale dhe rutina monotone e jetës, poezia shqiptare kosovare kryesisht karakterizohej me përsiatjet latente të vetëdijes së krizës ekzistenciale kombëtare duke kaluar më pastaj në përsiatje personale të prozës poetike moderne; që përmes vargut të lirë dhe teknikave të shekullit të XX merrnin kahjen, dhe përkonin në të njëjtën mjegullnajë me krizën e shpirtit modern të lartpërmendur.

Ndërkaq Agron Elezi, me një kulturë grandioze të gjerë, si njohës i thellë i filozofisë dhe artit botëror, aq më shumë si muzikant, dhe duke e kuptuar thellësisht mesazhin e krizës së shpirtit artistik modern si dhe rrugëtimin e shpirtit artistik njerëzor përgjatë epokave, për dallim prej poetëve tanë legjibil të gjysmës së fundit të shekullit të XX-të, ky i sintetizoi me mjeshtri, dhe mjaft guximshëm këta dy shpirtra të krizës në një të vetme, duke i dhënë kështu një madhështi dhe origjinalitet artit poetik.

Poezia “Dua…” e vitit 1989, e botuar më 23 maj 2022 në portalin e respektuar “KultPlus” nga dorëshkrimet e mbijetuara të tij, reflekton mrekullueshëm këtë ndjesi artistike. Aq më shumë, përdorimi mjaft përkatës i figurave stilistike në këtë dimension të dyfishtë, bën që edhe tani pas 33 viteve, në botimin e parë në mediat e teknologjisë së shekullit të XXI, kjo poezi të mbetet aktuale dhe t’i rezistoj kohës duke u mëshiruar me audicionin tonë tashmë shumë më të ngritur për nga niveli i absorbimit artistik.

Vëni re se me çfarë mjeshtërie dhe origjinaliteti këtu sintetizohet misteri i shpirtit universal artistik që kërkon shpëtim, me fatin e mjerimit shqiptar që mbeti i zhveshur dhe nëpërkëmbur përgjatë historisë që kërkon rilindje.

Pra, autori nuk kopjon modele të poezisë moderne nga shkrimtarët botëror që në mënyrë artistike paralajmërojnë për nevojën që kriza të kuptohet dhe të reflektohet, e që asesi nuk gjen zgjidhje, por përkundrazi krijon një model krejtësisht origjinal për një zgjidhje dhe shpëtim me përmasa të dyfishta, e që është specifike për një shqiptar me vetëdije të një artisti botëror.

Ai e fillon këtë krizë në vargjet e para, mandej e refuzon atë duke i fyer poetët modern si shizofrenë të krizave shpirtërore, mandej kalon në përqafimin e vlerave dionisiane jetësore që në mënyrë metaforike simbolizon një anë të mbinjeriut të Niçes.

Në fund, klimaksin e arrin duke udhëtuar në kohë prapa, që t’i vetëdijësoj paraardhësit e tij t’mos përçahen kurrë, por ta mbajnë perandorinë e lavdishme të tyre të bashkuar ashtu që t’i ndryshoj e sotmja e cenuar e vet poetit të censuruar.

Pra, shpëtimin poeti e arrin dhe orienton jo në vlerat humanitare të shprehura në mënyrë artistike qe asesi nuk po e shpëtojnë botën, por në forcën e gjakut të tij, bashkimin, vetëdijesimin dhe rilindjen e kombit të tij të lavdishëm.

Këtu po jua sjellim poezinë e tij të vitit 1998 “ Më trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë”, ku edhe këtu në mënyrë të dyfishtë, shprehet artistikisht kriza dhe tendenca e çlirimit nga zgjedha: sa nga barbarët serb, që vazhdimisht në programin e tyre ka qenë përndjekja e shqiptarëve nga trojet e tyre, aq edhe nga përdhunuesi i njeriut industrial grabitqar të shekullit të XX-të që po e cenon ekologjinë dhe mbijetesën e planetit tonë. Nga vargjet “Derrat na kanë vërshu për shumë mote – E s’po mundemi me i largue” që aludon në pushtuesit, vazhdon në vargjet e radhës “Na kanë thye dyert dhe dritaret e gazetave – Na kanë bo pis miellin dhe ujin e kullum” që tani aludon më shumë në njeriun e shprishur të komercializuar industrial që reklamon ushqim dhe pije industriale në njëmijë ngjyra dalldisëse për të tërhequr njerëzimin në konsumimin e tyre, që në fakt janë ndyrësira të sheqerosura dhe mjaft të dëmshme për njeriun.   

Muharrem Elezi – Shkrimtar

M’trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë

Agron Elezi (Qershor 1998)

Derrat na kanë vërshu për shumë mote

E s’po mundemi me i largue

Na kanë thye dyert dhe dritaret e gazetave

Na kanë bo pis miellin dhe ujin e kullum

E s’po mundemi me i largue

Na përlyen fytyrën dhe bardhësinë e trurit

Na i kanë coptue ardhmëritë dhe kufomat tona

Na i humbën edhe hijet e gurëve shekullor të zotërave

E s’po mundemi me i largue

M’trego ti, o hyjnesha ime e mençurisë

Se si të shpëtojmë ishullin tonë të virgjërisë

Se si ta shuajmë gjëmimin e borive apokaliptike

Se si ta largojmë kundërmimin e qelbësisë

Se si t ‘shpëtojmë kopshtin tonë dhe planetin e ardhmërisë./ KultPlus.com

Mjegulla

(Fragment)

Dhurata Hoti

Doli prej shtratit dhe u nis në kuzhinë. Secila përpjekje për të fjetur sikur e kthjellte edhe më shumë. Vendosi të bënte një kafe turke. Më shumë kishte nevojë për ritualin e kafes, se sa vetë kafenë. Në fakt, kafeja, pija e saj më e preferuar nga të gjitha, i bënte shumë keq. Gjithçka që i jepte energji i shkaktonte në të njëjtën kohë edhe ankth. Hodhi kafenë dhe sheqerin dhe e la ujin të vlonte. Nuk kishte gota të pastra, e mori njërën nga grumbulli i madh që ishte mbledhur dhe e lau. Kafja vloi. Kjo pjesa kur duhet të priste kafen derisa sa ftohej ishte arsyeja pse përtonte të bënte kafe turke. Doli në ballkon, do ta shoqëronte me një cigare dhe ndërkohë kafja do të ftohej më shpejt. Ajri i ftohtë ia dha ndjenjën se po merrte frymë më me lehtësi. Në ballkonin përballë dritat e vogla shumëngjyrëshe ndaleshin e ndizeshin nën shtresën e mjegullës, duke dhënë një efekt filmash. Ishte hera e parë që ajo nuk ishte e trishtuar për festat e fundvitit. Pasi i piu disa hurba kafeje, ndjenja e njohur në stomak ishte aty. Si një vibrim i diçkaje të padukshme që kishte përfunduar në stomakun e saj. Për pak momente ajo kishte menduar që ndjenja e ankthit kishte përfunduar bashkë me gjumin. Megjithatë ndihej e lumtur dhe ankthi nuk ishte i zakonshëm. Më shumë i ngjante një lloj euforie. Si kur mezi pret diçka të mirë të ndodhë. E përfundoi cigaren dhe hyri në dush. Në ujin pak më të nxehtë se sa ishte e shëndetshme ajo qëndroi për një kohë të gjatë.

E ndali ujin dhe me peshqir e thau trupin. Filloi të vishej. Zgjodhi një prej bluzave të zeza bashkë me një palë pantollona të së njëjtës ngjyrë. Kur bëhej gati pa pasur ide të saktë ku do të shkonte pshtjellohej, por sot i pëlqeu, iu duk se atë kuptim kishte liria. E mori edhe një cigare të cilën e thithi duke e gjerbur pjesën e mbetur të kafesë. U zhvesh prap dhe prej dollapi nxori një fustan të zi të gjatë me një prerje asimetrike, përfundi të cilit nuk veshi asgjë. Donte të ndiente të ftohtin tek i futej në trup direkt dhe lëkurën që i përshkohej prej mornicave. Mbi të veshi edhe pallton e gjatë e të zezë dhe i lidhi flokët. Përpos vathëve të thjeshtë, hallka ngjyrë ari, nuk vendosi asnjë zbukurim, por i pëlqeu vetja kur u pa në pasqyrë. Me gjithë atë kohë pa gjumë kishte pritur të shihte rrathë të zinj poshtë syve, por në fakt lëkurën kurrë nuk e kishte pasur më mirë. Rrathët e zinj që i kishte tashmë prej fëmijërisë, ishin zhdukur. Dukej më mirë se pas një gjumi të qetë. Filloi të mendonte që ishte për shkak të dritës.. Ndoshta më në fund ia kishte gjetur pozicionin e përshtatshëm pasqyrës të cilës ia ndërronte vendin kohë pas kohe. Në apartamentin ngjitur saj, dikush po dëgjonte një këngë të famshme me motive krishtlindjeje. Nuk i pengoi sikur i pengonte zakonisht. E mori çantën dhe doli prej banesës.

Qyteti i shëmtuar kishte marrë një lloj bukurie të trishtuar prej mjegullës. Asaj i kishte pëlqyer gjithmonë kjo lloj kohe edhe pse nuk bënte asgjë mirë. Mirëpo, kishte diçka madhështore, diçka që i kujtonte përrallat me mesazhe ogurzeza. Edhe njerëzit mbylleshin dhe i rrallonin daljet. Sidomos në mëngjes qyteti dukej si i braktisur. Vendosi të ndalej për të pirë edhe një kafe të njëri nga lokalet përballë qendrës së qytetit, në një vend ku mund të pinte cigare. E porositi një kafe. Vetëm në dy tavolinat e tjera kishte njerëz. Në njërën një burrë dhe një grua, ndërsa në tjetrën një burrë rreth të dyzetave. Çifti nuk dukej edhe aq interesant, ndërsa burri i vetmuar kishte një sharm të çuditshëm. Kamerieri, një djalë i dobët, ia solli kafenë dhe e uroi t’i bënte mirë. Nora e ndezi një cigare. Burri ia nguli sytë. Ajo tentoi të mos vështronte më nga ana e tij. Nuk u ndje e bezdisur prej gjestit të tij, por as e lajkatuar. Sikur nuk kishte kapacitet të përjetonte emocione të shkaktuara prej të tjerëve. Burri i dukej joshës, por ajo nuk ishte me të vërtetë aty. Lumturia, pagjumësia, a çkado që kishte ndodhur me të, e kishte tëhuajsuar. Ajo ndihej më gjallë se kurrë dhe kjo e largonte prej të gjallëve të zakonshëm. Pagoi dhe doli. Nuk e kuptoi pse u nis në drejtim të stacionit të autobusëve.

Në rrugën përballë banesave në një qoshk mes shkurreve që e rrethonin oborrin, asaj iu duk se i pa këmbët e zbathura të dikujt. Iu ngjeth mishi. Filloi të paramendojë raste të ndryshme krimesh që kishte dëgjuar. U afrua me frikë, duke qenë pothuajse e sigurt se ishte ndonjë i vdekur. Iu duk vajzë. Kur u afrua e pa një djalë lakuriq të shtrirë pa vetëdije. Lëkurën e kishte të bardhë me një nuancë në ngjyrë ari. Nuk ishte nuancë e zakonshme e njeriut, as edhe të vdekurit. Kur iu afrua edhe më shumë e pa se ishte shumë i bukur. Flokët i kishte në ngjyrë të ngjashme me lëkurën. Lëkura e tij kishtë një shkëlqim që e bënte jotokësor. Ajo u përkul më afër tij, duke dashur ta dëgjonte nëse ende merrte frymë dhe pa se shkëlqimi i lëkurës vende-vende merrte nuancë të gjelbër, që ngadalë shndërrohej në luspa të vogla që valëviteshin në ritmin e frymëmarrjes dhe zhdukeshin prapë. Sikur te peshqit ose zhapinët. Ajo e afroi dorën por nuk guxoi ta prekte. Ai mori frymë thellë dhe pshehrëtiu përgjumshëm. Do të thotë ishte gjallë. Ajo pa rreth e rrotull për t’i gjetur rrobat e tij, apo ndonjë dokument identifikimi. Asgjë. Nora e mori telefonin dhe instinktivisht shtypi numrin e taksisë. Tentoi ta zgjonte, por ai dukej në gjendje deliri. E zhveshi pallton dhe disi arriti ta ngrinte dhe t’ia veshte sa ta mbulonte sadopak. Gjatë gjithë kohës vështronte përreth sikur po bënte ndonjë krim. Taksia erdhi. Ajo e luti taksistin, që po e shihte djalin i habitur, t’i ndihmonte ta fuste në taksi. I tha se ishte i dashuri i saj, që ishte i varur nga alkooli. Taksisti prej aty deri në shtëpi nuk u ndal së treguari histori për vajza të mira që përfundojnë të dashuruara në djem të pavlerë. Megjithatë e ndihmoi, duke e bartur djalin në krahë deri sa arritën në banesën e saj. Ajo hyri brenda, djalin e la në shtrat dhe e mbuloi me një jorgan të hollë. E falenderoi taksistin dhe i la një bakshish. E hapi dritaren dhe e ndezi një cigare. Përballë saj, në shtrat djali po flinte. Disi ishte ndjerë pak më e lehtësuar që edhe taksisti e kishte parë, ndryshe do të mendonte që ishte çmendur. Por ai ishte i vertetë, edhe pse ajo nuk e kuptonte çka ishte ai. Ndonjë qenie e krijuar prej ndonjë mutacioni? Apo ndonjë lloj krijese mitologjike, gjysëm-njeri, gjysëm… zhapi? çka duhej të bënte me të? Në fillim mendoi të kontaktonte të fejuarin e një prej shoqeve të saj që ishte mjek, por nuk e bëri. Mendoi që kushdo që do ta shihte se si i shndërrohej kohë pas kohe lëkura, do të tentonte ta shndërronte në një projekt laboratori. Pyetje të tjera të shumta po i vinin në mendje, a hante ushqim si të gjithë njerëzit e tjerë? Sa gjatë do t’i duhej ta mbante në apartament? I dashuri i saj do të fillonte të dyshonte. Për disa ditë do të mund ta mbante larg apartamentit me arsyen se kishte nevojë për të qenë vetëm, por s’mund ta bënte gjatë. U afrua dhe u ul pranë tij në shtrat. Ishte aq i bukur sa nuk dukej i vërtetë. Vetëm duke e paramenduar veten tek puthej me të u skuq. U ngrit prapë në këmbë, ai ishte aq joshës, sa kur ishte afër tij i vinte ta prekte. Po t›ia kishte përshkruar dikush këtë krijesë, ajo do ta kishte menduar të frikshme dhe të neveritshme, një njeri me lekurën që herë-herë i ngjan asaj të zhapinit, mirëpo ajo vetëm frikë nuk ndiente. Doli prej dhomës së gjumit, e hapi laptopin dhe kërkoi ndonjë mit apo çkado që mund të gjente për njerëz me luspa. Asgjë që lexoi nuk iu duk e ngjashme me qenien e shtrirë në shtratin e saj. Disa legjenda që flisnin për një racë të ardhur nga qielli, që ngjanin si reptilë të stërmëdhenj, por ata përshkruheshin si shumë të shëmtuar dhe të neveritshëm. Ndoshta ishte një mutant, mendoi ajo./ KultPlus.com

Ekspozita “PA LIMIT” me shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar

Naser Shatrolli

“PA LIMIT” Ekspozitë Galeria e Fakultetit të Arteve të Kosovës 17. maj, 2022, Prishtinë

Ekspozitë artistike, instalacion konceptual, e kuruar nga Ismet Jonuzi, skulptor dhe pedagog në Fakultetin e Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e Adem Rusinovcit – skulptor dhe pedagog, të Mehmet Behlulit, piktor dhe pedagog dhe të Driton Selmanit, piktor!

Paraqitja artistike nga pikëpëmja estetike ishte brenda logjikës së teatrit performativ – Ideja ishte sendërtuar mbi rekuizita reale që nxirrej në qendrën e mediumit skenik bota irreale në relacion me tematikën, e trajtuar nëpërmes figurës, si metafor dhe simbol i një teatri absurd.

Ekspozita kishte shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar, ndërsa ndriçimi filmik ishte zgjedhje adekuate për formatin.

Artistët duke përdorur imagjinatën e tyre riprodhonin përfytyrime – relikte kujtese mbi të kaluarën tonë të hidhur, që risemantoheshin figurshëm me disa objekte të caktuara, të cilat, për rrethana të reja, evokonin emocione në relacion me monedhat evropiane që ndërlidheshin me baterinë e ekzistencës sonë dhe me tabelën e fatumit shekullor që ka qenë dhe mbetet sinonim i fjalës ”kismet” – madje ky sllogan ngelet sinonim shekullor.

Armët, lulet e vyshkura, karriget e kalbura, bunari i mbuluar me gjethet e monedhës evropiane, kova e kuqe e kthyer mbrapsht, tabela e rrëzuar, janë rekuizita, me të cilat loznin bukur kreatorët e shfaqjes pamore – formë artistike e trasuar mes sikurit të dokumentarit si fenomen dhe sikurit të shprehjes si formë artistike!

Adem Rusinovci -Pedagog – Skulptor

Adem Rusinovci, kishte zgjedhur bunarin dhe monedhat evropiane që e lidhin trungun evropian me bunarin e një forme të re aplikative. Gjetja e Rusinovcit ishte qe atraksion estetiko-filozofik, e cila, në vetvete trumpetonte ngushtimin e universit të manovrimit të mendjes së njeriut.

Nëpërmes këtij modeli shprehës, Rusinovci piketonte në thelbin e problemit dhe në adresën e synimeve të njeriut bashkëkohor: Por cili është synimi i popujve me bunare të shterruara – kjo është pyetje më tepër retorike..!? Pra, konteksti ideor i kësaj drame artistike, e shprehur në frymën e formatit pamor – dikush e quan instalacion pamor, të tjerë i’a vënë një emër tjetër, ndërsa, për mendimin tim, kjo mënyrë e shfaqjes, ishte format i filmit pa zë – krijohej imazhi i celuloidit gjersa me qindra e mjëra monedha evropiane (1 euro) – punë dore, qëndronin në ajër, si formë e re e oxygenit të njeriut bashkëkohor, të cilat krijonin dinamika dhe tërheqnin zvarrë syrin e lakmisë gjersa fluturonin mbi kokat e publikut. Pra, ishte një formë artistike që dukej bukur qoftë nga aspekti estetik qoftë ideor. Në syzheun ideoestetik dhe në përcepcionin operativ, ecuria fabulare ishte në harmoni mes autorësh. Mjetet e tyre shprehëse qëndronin në relacion me temën. Lulet, armët, karriga, tabela orientuese, secila prej tyre, kundronte brenda pentagramit harkor-ideor, madje sintetizohej mirë dhe në kuptimin estetik. Monedha ka një shumësi dimensionale në zbërthimin e saj. Qëllimi i autorit është provokimi i intuitës publike. Monedhën fundja e zotëron universin e bunarit ndërsa kova e kuqe dhe dërrasa e bardhë, ngelen brend simbolik – ndaras prej të gjithave. Në vetevete, Rusinovci është krijues, mIshëron idetë e tij mirë dhe në vend të duhur i vendos, ndërsa detajet e bëjnë unike tërësinë e veprës. Bunari këtë rast ishte mirë i motivuar, fakti që përkonte dhe me diktaturën, me izolimin e mendimit, me etjet për dije, për shkencë, për art të mirëfilltë, për humanizmin, në të kundërtën e saj, kutia e bunarit, kishte perspektivën e një bunkeri – bunkerizim i mendimit të lirë, sikundër që, shtrihej dhe dimensioni i një varreze masive të luftës së fundit të ish Jugosllavisë, fakti që, janë gjetur një mori kufomash brenda tyre. Ka dhe dimensionin e pasurisë nëntokësore, për të cilën janë zhvilluar luftërat rajonale….!

Mehmet Behluli – Pedagog, Piktor!

Mehmet Behluli, kishte zgjedhur lulet dhe karriget e vjetra si mbetje të njollave të një epoke tjetër, aty këtu ndonjë copë a fletë libri, e kapur për karriges, që koincidonte ndjeshëm me fatumin e popujve të vyshkur. ndërsa, në kalendarin kronologjik këto rekuizita fragmentonin të ftohtin e egër, të cilat, kanë derivuar thatësi – tharje të bimëve familjare pa të cilat stagnon kuptimi për jetën. Lulet e vyshkura përqonin ndjesi për gruan, për vyshkjen e fetusit femëror – sikundër dhe për perspektivën e njeriut të ri, madje, ato ishin të lidhura ngushtë me bunarin e perspektivës evropiane, dhe me armët skulpturale të që kanë prodhuar tropikalizëm Afrikan në trendin ballkanik ndërsa si mjet shprese ngelej tabela orientuese me sllogani shekullor ”Kismet” të autorit Driton Selmani.

Në kuadër të kësaj platforme ideore-konceptuale fshehej magjia artistike dhe botëkuptimi ideo-filozofik. Behluli kishte përdorur arsyeshëm dhe argumentueshëm element të pikturës si dimension më vete, mbi të cilën pa u diktuar, kishte sendërtuar idenë e luleve dhe njollave të kuqe mbi pëlhurën – lëkurën tonë, madje, tendenca kapërcente kufinjtë e gjetjeve unike, duke i futur në proces pune disa gjëra me element tërësisht rutinor si: qesja e najllonit, si ndotës i ambientit në një rrethanë tjetër, ndërsa, këtu e përplotësonte mozaikun e kuptimit ideor!

Pra, Behluli, gërsheton arsyeshëm dhe bindshëm pikturën me zooparkun e luleve. Kambana e mesazhevë ishte sa humane po kaq dhe politike. Në karrige duhet dominoj arsyeja, ndjeshmëria e nderit. Paraqitja artistike ishte kuruar mençur dhe magjishëm, ngase, parafabrikohej kopshti familjar i familjeve të djegura, të vrara, të zhdukura, të dhunuara, në të cilat përvec vyshkjes, në ndonjëren nga vazot kishte dhe dromaca jete – ndonjëra mes luleve i kishte mbijetuar thatësisë, kjo qe gjë e mirë për optimistët, madje, në këtë format kërkimor artistik, Behluli ka gjetur tabelën e identifikimit të tij në paraqitjet artistike.

Ismet Jonuzi – Pedagog, Skulptor!

Nëpërmes armëve të luftës, sendërton themelet e shtëpive të shoqërive të dala nga lufta, dhe të atyre që duan të tregtojnë zemrat e njerëzve të frustruar, duke ua rikonfiguruar jetën mbi rrënojat e mjeteve të luftës.

Nga perspektiva vizuele, zemra e hekurt, e punuar me copa armësh, është shprehje adekuate e Jonuzit, në relacion me luhatjet e mëdha që kanë ndodhur në hartën e rajonit ballkanik sidomos. Por jo vetëm territori rajonal – armët nuk përkufizohen me territore e vende. Punimet e tij dukeshin bukur edhe si skulptura, si gjetje sidomos, për më tepër peshonin nuk kuptimin ideor, sikundër që, në aspektin fizik, rezultonin në format skenografie të një teatri filozofik.

Si motiv bazë, zemra e salduar nga tytat e armëve, godet në zemrat e njerëzve që ushqejnë mendjet e tyre me krisma kundrejt dinjitetit njerëzor, (shih njollat e kuqe në pikturën e Behlulit apo në kovën e Rusinovcit, ose drandofilin e kuq të autorit në fjalë). Pra, dimensioni skulpturor i Ismet Jonuzit, futet në rrafshin e retorikës politike dhe të mendësisë së tryezës së luftës, përmes së cilave, të fortit, ndërtojnë kauzat e tyre, duke ngritur deri në kulmin e marrëzisë muret e shtëpisë, si një parafabrikim i logjikës diktatoriale.

Pra, segmenti i këtij krijuesi ndërlidhet me diktaturën e popujve të egër, megjithëse, ambientin e kishte krijuar sikur çdo gjë është në funksion të jetës, marrë parasysh, tryezën, lulet e kuqe mbi tryezë, pastaj shtëpinë e fildishtë përbri dhe lapidarin e zemrës së njerëzve me zemër të çelikosur. Pra, fenonomenin hekur – apo kallashnikov, që bazën e prodhimit e ka në Rusi, artisti e formulon në një rrafsh artistik, me të cilin, përveç mesazheve të çarta ndaj forcës së tytës, përçon dhe idetë e tij estetike, me të cilat krijon universin artistik, duke i përdorur armët për të sendërtuar botëkuptimet e tij për artin. Pra, armën e paralizon me forcën e saldimit ne vepër arti. Dimensionet kërkimore të skulptorit Jonuzaj dekodojnë kode dhe limite në relacion me misionin dhe qëllimin e daltës së tij.

Driton Selmani – Piktor Ishte brenda këtij brendi artistik, nisur nga moduli i përshtatjes me akterët kryesor të kësaj ekspozite, duke i zbërthyer limitet e kohës së tij me limitet e njerëzimit, nëpërmes një tabele rrugore me ngjyra ta flamurit të Ukrainës, e cila e kishte dimensionin e orientimit të njeriut bashkëkohor. Pra, ekspozita tërthorazi prek dhe në dimensionin human. Tabela ishte nxjerrë dhunshëm ose është goditur me mjete të forta, që dëfton kaosin e organizimit urban, ndërkaq, mbështetja e saj në mur pa ndonjë bazament, tregon ekzistencën tonë pa një bazë qëndrueshmërie për synimet tona. Ndërsa, brenda saj, kishte sistemuar limitet e fundit të baterisë, orën, dhe slloganin ”KISMET” me të cilat paraskicon madje dhe mesazhe të caktuara në varësi të të limitit të baterisë – përkthyer në gjuhën artistike beteria ndërlidhej me zemrën moderne që funksionon me gjakun teknologjik. Performanca e tij ndërlidhej me reflektimin ”merre ose lëre”. Vrapo pas ”kismetit” tënd ose dorëzohu para kësaj logjike tabelare. Megjithëse, shpresa për një qetësi meditative ngelej brenda bunarit të dëshirës.

Si slogani ideoestetik, shpërfaq meteorët e mendimit mbi rezultatin dhe sanksionimin e mendjes së njeriut që truri i tij, shikimi, dëshirat, ambicjet, intuita ishin të kurdisura brenda kësaj logjike, pa e përjashtuar dhe ironinë që kishte brenda modulit botëkuptimor.

LIDHJET IDEORE

Bunari në hyrje të galerisë, monedhat si ambrellë dhe metafor që lidhej me tavanin qiellor, për të cilin ëndërron truri njerëzor. Pastaj, simbolika e parasë në relacion me kohën dhe me universin e qëllimit, unifikimi i Evropës brenda një monedhe si standard i pakapërcyer monetar në mes tokës dhe qiellit, ku do të parashtrohej në formë të kërkesës për ne siç është ajri nevojë jona për të qenë pjesë e Evropës së unifikuar. Pastaj dimensioni korruptiv që kontekstualizohej me thellësitë e bunarit dhe të mendjes së njeriut, dhe monedha si iluzion varshmërie, të cilën e krijuan evropianët, e cila ngelet peng tabelar – për të ardhmen e këtij rajoni specifikisht. Enigma vazhdon të qëndroj brenda bunarit, madje, enigma mbetet magnum shpirtëror me të cilin do të përballemi më tej, ndërsa, monedha evropiane do të derivoj një shumësi pyetjesh? Cila prej tyre e shuan etjen – monedha apo bunari? Kush është më afër qiellit bunari apo monedha!? Të gjitha këto detaje, janë pasazhe retorike me të cilët krijohet skeleti kritik mbi këtë ekspozitë konceptuale, formë kjo, me të cilën, artistët kanë krijuar botëkuptimin e tyre artistik, brenda logjikës së tendencës kërkimore në stil, zhanër, në gjetje hapësinore, gjithnjë, duke i kursyer maksimalisht ngjyrat dhe furçën e piktorëve klasik. Ekspozita në vetvete ka dhe dimensionin e ehos, fshehej edhe gjuha poetike në strumbulloin e saj, madje, fshehej dhe bukuria përrallore e kinemasë, dritë-hijet shpërfaqnin monedhaët e mendimit publik të publikut. (Autori merret me kritikë përveç dimensionit teatror)./ KultPlus.com

Tifozët mbërrijnë në Tiranë: Publikohet harta që tregon rrugët që do të bllokohen nesër

Finalja e madhe e “Conference League” në Tiranë ka sjellë me dhjetra tifozë në kryeqytet, duke e bërë kështu të nevojshme një strukturë të mirëorganizuar, që 25 maji të mos ketë incidente të asnjë lloji. 

Një hartë, që ndihmon qytetarët për të lëvizur në kryeqytet gjatë ditës së mërkurë, është shpërndarë nga policia.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoordit, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, më datë 25 maj.

Harta, e përpiluar në shqip e anglisht tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tifozët mbërrijnë në Tiranë: Publikohet harta që

Në zonën ngjyrë kafe në hartë është shënuar zona e dedikuar për këmbësorët. Në rrugët e vijëzuara me ngjyrë të kuqe nuk lejohet qarkullimi, përveç automjeteve të autorizuara dhe emergjencave, rrugët e vijëzuara me të verdhë janë të dedikuara për automjete që kanë bileta për të parë ndeshjen në stadium. Rrugët me portokalli janë të dedikuara për emergjencat, ndërsa rrugët e ngjyrosura me blu janë për ata që do të hyjnë në stadium.

Rret 35 ultras të Romës dhe dhjetëra tifozë mbërritën këtë mëngjes në portin e Durrësit, për të ndjekur nesër skuadrën e preferuar që luan kundër Feyenoord-it në finalen e Conference League. Para se të nisnin dhe shijonin qëndrimin e tyre në Tiranë, të gjithë tifozët kanë marrë disa këshilla për mënyrën sesi duhet të sillen.  Ata janë paralajmëruar të zbatojnë rregullat më poshtë:

1. Shmangni ecjen vetëm ose në grupe të vogla.

2. Mos merrni me vete flamuj apo simbole të tjera. Do të ofrohen vetëm kur të mbërrini në stadium.

3. Vendtakimi ku do të grumbullohemi për të shkuar drejt stadiumit do të konfirmohet më vonë.

4. Respektoni qytetin që po na mirëpret”.

Këtë të mërkurë, më 25 maj, Tirana do të presë finalen e parë të Conference League, atë mes Romës dhe Feyenoord, që do të luhet duke filluar nga ora 21:00, një moment historik në futbollin shqiptar, pasi për herë parë në vendin tonë organizohet një event i tillë. Burimi: Euronews, Top Channel./ KultPlus.com

Ambasadorët e QUINT-it shkojnë për vizitë në Manastirin e Deçanit

Trupi diplomatik në Kosovë ka shkuar për ta vizituar Manastirin e Deçanit pas thirrjes që disa prej tyre i bënë Qeverisë së Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës rreth këtij manastiri.

Diplomatët u pritën nga igumeni Sava Janjiq, derisa për këtë vizitë, përmes Twitter, njoftoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

“I lumtur që iu bashkova kolegëve nga trupi diplomatik i Kosovës në një vizitë te Manastiri i bukur dhe historik i Deçanit”, ka shkruar Hovenier.

Më 20 maj, kur u bënë gjashtë vjet që nga marrja e vendimit të Kushtetueses, shtetet e QUINT’it me një deklaratë të përbashkët, për të katërtën herë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, thuhet në reagimin e tyre./ KultPlus.com

Nis festivali i studentëve Prishtina Arts and Architecture Festival – PAAF 2022, çmimi “Profesor Nderi” iu nda Shyqri Nimanit

Në një ceremoni solemne në Kolegjin AAB sot nisi i vetmi festival i studentëve në vendin tonë, “Prishtina Arts and Architecture Festival”, ku të pranishëm ishin dashamirë të artit, studentë e fytyra eminente të fushës së kulturës në Kosovë.

Festivali PAAF 2022 këtë vit numëron edicionin e tij të tretë dhe do të zgjasë dy ditë. Hapjen e festivalit, e bëri rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, ndërsa Drejtori i Bordit të Festivalit PAAF2022, Shyqri Nimani u shpreh i lumtur që puna e studentëve po arrin të shpaloset përgjatë festivalit. Ndërsa, gjatë ceremonisë hapëse çmimi “Profesor Nderi” ju nda Shyqri Nimanit për kontributin shumëvjeçar dhënë në fushën e arsimit dhe ngritjen e cilësisë në këta sektorë si dhe kontributit të pareshtur në avancimin e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB. Dita e parë e festivalit PAAF 2022 vazhdoi me ekspozitën kolektive të studentëve të Fakultetit të Arteve, ku u prezantuan qindra punime të studentëve të cilat në vete përmbajnë mesazhe të ndryshme.Prishtina Arts and Architecture Festival do të vazhdojë të mbahet edhe nesër në hapësirat e Kolegjit AAB (24-25 maj 2022), dhe për shikuesit do të ofrojë edhe një varg aktivitetesh të tjera e punëtorish artistike./ KultPlus.com

Alarm i rremë për bombë në Rektoratin e UP-së

Policia e Kosovës bëri të ditur se pas kontrolleve të kryera në hapësirën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, alarmi për mjete shpërthyese ka rezultuar të jetë i rremë.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 12:00 kanë pranuar informatën se dyshohet për shpërthime të mundshme në Rektoratin e UP-së.

“Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, thanë nga Policia e Kosovës./ KultPlus.com

Ibrahim Rugova: Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë

Sjellim dhjetë thënie nga presidenti historik Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

Kosova është një vend i vogël, por ka aq shumë pasuri që ia ka falur Zoti.

Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.

Kosova sot është më pranë Evropës se vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore.

Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70% të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

Ne kemi euron monedhë, çka do të thotë shumë. Ajo nuk e ka stabilizuar vetëm situatën në Kosovë politikisht dhe ekonomikisht, por i ka lehtësuar edhe kontaktet e drejtpërdrejta që kemi me Europën.

Sa i përket shqetësimit që shpreh Serbia, ajo nuk ka të drejtë për të ndikuar në privatizimin apo të kërkojë ndonjë pronë, sepse Kosova është një ish-anëtare e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.

Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe NATO; si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA. / KultPlus.com

Kur njoha të mbijetuar të luftës, urisë dhe përdhunimit, mësova si është jeta për shumicën e njerëzve

“Çdo gjë në jetën time nuk do të kishte asnjë kuptim, nëse nuk do të jetoja një jetë në shërbim të njerëzve të tjerë. Nuk e dija se çfarë do të thoshte një gjë e tillë, pasi karrierën time e nisa mjaft e re dhe shqetësohesha vetëm për veten time. Vetëm kur nisa tëudhëtoja dhe të shihja përtej shtëpisë sime, arrita t’i kuptoja përgjegjësitë e mia për të tjerët. Kur njoha të mbijetuar të luftës, të urisë dhe përdhunimit, mësova se si është jeta për shumicën e njerëzve në këtë botë dhe se sa me fat isha që kisha ushqim për të ngrënë, një çati mbi kokën time, një vend të sigurtë për tëjetuar dhe një familje të shëndetshme. Atëherë kuptova se sa e pakuptimtë kishte qenë jeta ime dhe u betova të mos jetoja mënë të njëjtën mënyrë.

Jemi të gjithë kaq me fat, ama nuk e kam kuptuar asnjëherë pse disa njerëz lindin me fatin që unë kisha të ndiqja rrugën qëndoqa në jetë. Ndërkohë në anën tjetër të botës mund tëekzistojë një femër tjetër njësoj si unë, me të njëjtat aftësi, dëshira, etikë pune dhe dashuri për familjen e saj, që mund tëbënte filma dhe të mbante fjalime edhe më të bukura se unë, por që jeton në një kamp dhe nuk ka zë për t’ia dalë mbanë. Ajo shqetësohet se çfarë do të hanë fëmijët e saj, se si do t’i mbajëata të sigurtë dhe si do t’ia dalin të kthehen sërish në shtëpi.

Nuk e di pse kjo është jeta ime, dhe ajo është jeta e saj. Nuk e kuptoj një gjë të tillë, por do të bëj atë që mamaja ime mëkërkoi. Do të bëj maksimumin në jetë, në mënyrë që t’u shërbej të tjerëve më së miri. Të mbaj sot një fjalim të tillë, do të thotëse kam bërë atë që ajo më ka kërkuar. Nëse ime më do të ishte gjallë, me siguri do të ishte tepër krenare për mua në këto momente”. – Angelina Jolie./ KultPlus.com