”Sekreti i sekreteve” romani i ri i Dan Brown

”Sekreti i sekreteve” (”The secret of secrets”) titullohet romani i ri i shumëpritur i Dan Brown që do të dalë në librari më 9 shtator 2025, njëkohësisht në 17 vende të botës.

Protagonisti është i njëjtë me bestsellerin “Kodi i Da Vinçit” (2003), një nga librat më të shitur të të gjitha kohërave: profesori i historisë së artit dhe studiuesi i simbologjisë në Universitetin e Harvardit, Robert Langdon.

“Sekreti i sekreteve’ është padyshim romani më ambicioz dhe më i pasur me komplot që kam shkruar ndonjëherë. Është gjithashtu më argëtuesi”, thotë Dan Brown, librat e të cilit  përfshirë ”Origjina” (2017), ”Ferri” (2013) dhe ”Engjëj & Demonë” (2000) – janë botuar në 56 gjuhë dhe janë shitur mbi 250 milionë kopje në mbarë botën.

Robert Langdoni shkon në Pragë për të marrë pjesë në një konferencë nga Katherine Solomon, një eksperte në shkencën noetic, disiplina që studion mendjen dhe ndërgjegjen.

Katherine është gati të botojë një libër që përmban zbulime mahnitëse rreth natyrës së ndërgjegjes njerëzore që përmbysin besime shekullore.

Megjithatë, një vrasje misterioze dhe brutale i hap dyert kaosit.

Katerina papritmas zhduket së bashku me dorëshkrimin e saj.

Langdoni e gjen veten në pistën e një organizate të fuqishme, të ndjekur nga një grabitqar i frikshëm nga mitologjia më e errët e Pragës.

Ndërsa skena zhvendoset gjithashtu në Londër dhe Nju Jork, Langdoni kërkon dëshpërimisht për Katerinën si edhe shumë përgjigje.

Në një garë emocionuese midis botëve të shkencës futuriste dhe legjendave të lashta mistike, Langdoni do të zbulojë të vërtetën tronditëse rreth një projekti sekret që do të ndryshojë përgjithmonë gjithçka që mendojmë se dimë për mendjen njerëzore.

“Sekreti i sekreteve” është një komplot që të lë pa frymë.

Një mister i lashtë që kombinohet me kufijtë e neuroshkencës dhe me Pragën, një qytet magjik, njëjtë si mjedisi i romanit./atsh/KultPlus.com

Dy tablo të rralla të piktorit Zef Shoshi në ekspozitën e së bijës, Albana Shoshit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka çelur në mjediset e saj një ekspozitë të veçantë ku gërshetohen pikturat e Albana Shoshit me librat e bibliotekës së atit të saj, piktorit të madh Zef Shoshi.

Përveç krijimeve të piktores Albana Shoshi, në QKLL janë ekspozuar edhe dy nudo të rralla të babait të saj. Njëra prej nudove është e vitit të largët 1972, por realizimi në vaj i Zef Shoshit përmban ngjyra të ngrohta dhe një raport të tyre, të përkryer. Ajo ka nisur si një grafikë në ish-Akademinë e Arteve të Bukura, për të përfunduar në një tablo të veçantë dhe interesante.

Ekspozita që është si një takim brezash, përmban peizazhe, natyra të qeta e tablo të ngrohta familjare. Mjedisi plotësohet më një stendë të vogël librash, në rusisht e shqip, nga fondi i bibliotekës së të madhit Shoshi. Mes tyre gjenden në gjuhën origjinale dhe shqip “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit, një përmbledhje poetike e Pushkinit, si edhe tregime të Çehovit në italisht, Molieri, poetë latinë etj.

Nuk mund të mungonin në bibliotekën e famshme edhe librat e Kadaresë, apo për Gjergj Fishtën, si dhe studime mbi etnografinë dhe artin vizual shqiptar./atsh/KultPlus.com

Mahatma Gandhi, kujtimi i një lideri të pavarësisë dhe paqes

Sot, 30 janar, shënohet 80-vjetori i vdekjes së Mahatma Gandhi, liderit të njohur indian të lirisë që luftoi për të drejtat e njerëzimit dhe pavarësinë e Indisë nga Mbretëria e Bashkuar. Ai u njoh si “Baba i Kombit” në Indi për rolin e tij kyç në lëvizjen paqësore të lirisë.

Gandi nisi një seri grevash dhe aksionesh paqësore që dëmtuan ekonominë britanike dhe ndihmuan në dështimin e pushtetit britanik në Indi. Ai gjithashtu ishte i njohur për filozofinë e tij të njohur të satyagraha, ose “fuqisë së vërtetës”, që mbështetej në idenë se nëse një njeri mbron të vërtetën, ai do të triumfojë në fund.

Veprimtaria e tij u njoh në të gjithë botën dhe ndikimi i tij mbetet i ndjeshëm sot, siç tregon përdorimi i lëvizjeve paqësore për të luftuar për liri dhe barazi në të gjithë botën.

Në kujtim të kontributit të tij në lëvizjen e lirisë, letërsinë dhe filozofinë e paqes, Mahatma Gandhi mbetet një simbol i përjetësisë së njeriut që lufton për të drejtën dhe pavarësinë. / KultPlus.com

Tish Daija, kompozitori i shquar me krijimtari në të gjitha gjinitë muzikore

Më 30 janar të vitit 1926 lindi kompozitori dhe muzikanti shqiptar Tish Daija.

Lindi në Shkodër nga një familje artizanësh. Ende pa hyrë në shkollë bëhet pjesëtar i korit françeskan. Në moshën 10-vjeçare merr pjesë në bandën muzikore “Antoniane” të drejtuar nga Prenkë Jakova dhe filloi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera.

Në moshën 13-vjeçare ai krijoi këngët e tij të para si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, ‘’Sylarushe”, këngë të cilat mbeten ende mjaft popullore dhe këndohen nga këngëtarë të ndryshëm.

Në vitin 1946 pasi mbaroi studimet dhe u emërua mësues muzike në Vlorë.

Më pas u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956).

Tish Daija dha një kontribut të madh dhe në Ministrinë e Arsimit dhe e Kulturës ku punoi për 6 vjet. Në vitin 1962 u emërua në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore ku organizoi një sërë koncertesh brenda dhe jashtë trojve shqiptare.

Me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën (“Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.). Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

Për gjithë veprimtarinë, kontributin dhe punën e palodhur që dha për muzikën shqiptare, u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me titullin “Profesor” si dhe ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës./atsh/KultPlus.com

E tërheq mbrapsht gjithçka që ka thanë

Poezi nga Nicanor Parra
Përktheu: Orjela Stafasani

Para se t’përshëndetem
kam të drejtë me e shprehë nji dëshirë t’fundit:
Lexues bujar
…………………………. digje kët’ libër
nuk tregon at’ që doja me thanë.
Edhe pse qe shkrue me gjak,
nuk tregon at’ që doja me thanë.
Gjendja ime nuk mundet me qenë ma e trishtë,
u munda prej hijes sime:
fjalët morën hak n’mu’.
Falëm lexues
lexues miqësor
që s’mundem me u përshëndetë me ty
me nji përqafim t’ngrohtë:
Por po t’them lamtumirë
me nji buzëqeshje t’detyrueme e të trishtë.
Ka gjasë që s’jam ma tepër se kaq,
por dëgjoji fjalët e mia të fundit:
E tërheq mbrapsht gjithçka që kam thanë.
Me hidhërimin ma të madh n’botë,
e tërheq mbrapsht gjithçka që kam thanë./ KultPlus.com

‘Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij’

Thënie nga Benjamin Franklin:

Ai që mendon se paraja bën çdo gjë, për paranë bën çdo gjë.

Ata që janë të aftë për justifikime, rrallëherë janë të aftë për gjë tjetër.

Kush ka durim mund të ketë ç’të dojë.

Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.

Ku ka martesë pa dashuri, do të ketë dashuri pa martesë.

Nëse nuk do që të harrohesh sapo të vdesësh, ose shkruaj diçka që vlen të lexohet, ose bëj diçka që vlen të shkruhet.

Kush jeton duke shpresuar, vdes me barkun thatë.

Kush dashurohet tepër me veten, nuk do të këtë konkurrentë.

Nëse do të njohësh vlerën e parasë, kërko një borxh.

Huadhënësit kanë kujtesë më të mirë se huamarrësit.

Të mençurit nuk kanë nevojë për sugjerime, kurse budallenjtë s’i marrin parasysh.

Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.

Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.

Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.

Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.

Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.

Kush heq dorë nga liria për të pasur një siguri të përkohshme, nuk meriton as lirinë e as sigurinë.

Birra është prova që Zoti na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur.

Nuk ka pasur akoma një luftë të mirë apo një paqe të keqe.

Ai që i kujton me mall kohët e bukura, i bën edhe më të këqija kohët e këqija.

Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.

Mësoji tët biri të heshtë, të flasë mëson vetë.

Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.

Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.

​Me kërkesë të Trump, Musk do të përshpejtojë kthimin e astronautëve të NASA-s

SpaceX është planifikuar të sjellë në shtëpi astronautët Suni Williams dhe Butch Wilmore që kanë qenë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës që nga qershori.

Shefi i SpaceX, Elon Musk, tha se presidenti Donald Trump kishte kërkuar që kjo të ndodhte “sa më shpejt të jetë e mundur”, pasi “administrata e Biden i la atje kaq gjatë”.

Në një postim në X, Musk tha se presidenti Trump i kishte kërkuar kompanisë së tij të raketave që të sillte në shtëpi “sa më shpejt të jetë e mundur” astronautët e NASA-s.

SpaceX, në fakt, tashmë është planifikuar t’i sjellë dy astronautë në shtëpi, por jo më herët se fundi i marsit, së bashku me dy astronautë të tjerë që janë aktualisht në bord.

Udhëtimi i astronautëve nuk ishte menduar të zgjaste më shumë se një ose dy javë në orbitë si pjesë e fluturimit testues të anijes Starliner të Boeing. Por për shkak se sistemi shtytës i Starliner nuk funksionoi gjatë udhëtimit, NASA zgjati vazhdimisht qëndrimin ndërsa inxhinierët u përpoqën të kuptonin problemin.

Në postimin e tij, Musk shtoi: “E tmerrshme që administrata e Biden i la atje kaq gjatë”.

Edhe Trump në Truth Social i bëri jehonë kësaj ndjenje, duke pretenduar se Williams dhe Wilmore ishin “praktikisht të braktisur në hapësirë nga administrata Biden”.

Në fakt, stacioni hapësinor është furnizuar katër herë që nga mbërritja e të dyve, raporton New York Times.

NASA ka shmangur t’i cilësojë astronautët “të bllokuar”, siç bëri Musk në postimin e tij. Agjencia hapësinore ka këmbëngulur në mënyrë të përsëritur se Williams dhe Wilmore janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se qëndrimi i tyre i zgjatur është brenda intervalit të kohës së astronautëve të tjerë në orbitë.

QKK shpall jurinë vlerësuese të konkursit për projektet filmike të metrazhit të gjatë

Qendra Kinematografike e Kosovës ka emëruar jurinë vlerësuese për projektet filmike të metrazhit të gjatë, të cilët kanë aplikuar në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024.

Juria përbëhet nga kineastë dhe profesionistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të sjellin ekspertizën dhe përvojën e tyre në procesin e vlerësimit. Anëtarët e jurisë janë: Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi.

Tin Dirdamal është një kineast dhe montazhier autodidakt, i njohur për qasjen e tij inovatore në realizimin e projekteve filmike sfiduese. I lindur pranë kufirit SHBA-Meksikë, ai ka një formim të shumëanshëm që përfshin inxhinierinë, psikologjinë dhe arkitekturën, të cilat ndërthuren në krijimtarinë e tij kinematografike. Në moshën 22-vjeçare, realizoi filmin e tij të parë artistik, i cili fitoi Çmimin e Publikut në Sundance. Filmat e tij janë shfaqur në festivale prestigjioze si Bienalja e Venecias, IDFA dhe Sundance. Si artist nomad, ai integron përvojat kulturore nga rajone të ndryshme në praktikën e tij. Si mentor në institucione si UCLA dhe Yale, ai sfidon konventat tradicionale duke promovuar autenticitetin në artin filmik.

Norika Sefa është një skenariste/regjisore . Ajo ka mbaruar studimet në FAMU në Pragë. Ajo njihet më së shumti për filmin e saj debutant Looking for Venera, 2021 , i cili e afirmoi si një talent të ri me një zë shumë të dalluar. Filmi fitoi dhe u nominua për shumë çmime prestigjioze. Ajo ka realizuar Desde Arriba, një dokumentar të shkurtër të xhiruar në xhunglën ne Peru, nën drejtimin e Werner Herzog. Projekti i saj më i fundit, Like a Sick Yellow (2024), është një dokumentar avangard që thellon më tej qasjen e saj guximtare ndaj tregimit dhe shprehjes vizuale. Ftesat e kanë çuar Norikën në institucione të ndryshme artistike dhe kulturore për të folur mbi qasjen e saj të veçantë kinematografike. Ajo është e angazhuar në mësimdhënie dhe ka qenë pjesë e jurive ne festivale te rendësishme te filmit. Norika është anëtare e Akademisë së Filmit Evropian (EFA).

Antoneta Kastrati, skenariste, regjisore dhe producente nga Kosova, punon mes Los Anxhelos dhe Kosovës. Pas mbijetesës së luftës në fund të viteve 90ta, ajo filloi të realizojë filma  dokumentarë që trajtojnë sfidat e shoqërisë pas luftës. E përzgjedhur për programin DWW në Institutin Amerikan të Filmit, filmi i saj i shkurtër Ajo vjen ne pranvere (2013) u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Busan, duke fituar disa çmime. Filmi i saj i parë artistik, Zana (2019), pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto dhe u përzgjodh si kandidatura e Kosovës për Oscar 2020. Së fundmi, ajo ishte producente ne filmin The Lemurian Candidate (2025) dhe po zhvillon filmin e saj të ardhshëm, Kthimi n’mal” në Kosovë.

Thomas Logoreci është një skenarist dhe regjisor i njohur për kontributin e tij si në kinemanë dokumentare, ashtu edhe në atë artistike. Ai bashkë-shkroi Here Be Dragons, një dokumentar ese për Shqipërinë, me regjisorin e njohur irlandez Mark Cousins. Filmi pati premierën evropiane në BFI London Film Festival dhe atë amerikano-veriore në Telluride. Logoreci gjithashtu bashkë-shkroi dhe ishte bashkë-regjisor në filmin artistik Bota, i cili pati premierën në Karlovy Vary, u shfaq në mbi 25 festivale dhe ishte përzgjedhja zyrtare e Shqipërisë për Oscar 2016. Përveçse shkrimtar dhe regjisor, Logoreci kontribuoi si operator i kamerës në How Do You Measure a Year?, dokumentarin e shkurtër eksperimental të Jay Rosenblatt, i nominuar për Oscar në 2023.

Alireza Ghasemi është një regjisor iranian me bazë në Paris. Ai është ish-student i Cannes Cinéma de Demain (2018) dhe Berlinale Talents (2022). Filmat e tij të shkurtër, duke përfshirë Better than Neil Armstrong, Extra Sauce, Solar Eclipse dhe Lunch Time—i cili u nominua për Palmën e Artë për Filmin e Shkurtër në Festivalin e Kanës në vitin 2017—kanë marrë vlerësime ndërkombëtare. Filmi i tij i parë artistik i metrazhit të gjatë, In the Land of Brothers, pati premierën në Festivalin e Filmit Sundance 2024, ku ai u shpërblye me Çmimin për Regjinë më të Mirë./ KultPlus.com

Artisti Jakup Ferri përzgjidhet në ‘Art Explora’ në Paris

Artisti i njohur shqiptar Jakup Ferri është përzgjedhur për një qëndrim tremujor në “Art Explora – Cité internationale des arts” në Paris, shkruan KultPlus.

Lidhur me këtë përzgjedhje artisti Ferri është shprehur të jetë tejet i nderuar, për këtë mundësi sipas tij të jashtëzakonshme.

“Jam thellësisht i nderuar që jam përzgjedhur për një rezidencë tre-mujore në Art Explora në Paris, në mars, prill dhe maj. I shpreh mirënjohjen time të sinqertë komitetit përzgjedhës të Art Explora dhe që më dha këtë mundësi të jashtëzakonshme”, është shprehur artisti Ferri përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”.

Artisti Jakup Ferri ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik, në vitin 2022./ KultPlus.com

Anton Çehov: Mos më thuaj se hëna po shndrin, ma trego shkëlqimin e dritës së saj në një gotë të thyer

Thënie nga Anton Çehov:

“Dijet kanë vlerën e asgjësë, nëse nuk vihen në praktikë”.

“Njerëzit nuk e vënë re nëse është dimër apo verë, kur janë të lumtur”.

“Mos më thuaj se hëna po shndrin; ma trego shkëlqimin e dritës së saj në një gotë të thyer”.

“Paraja, ashtu si vodka, e bën një njeri të dehur, të çuditshëm”.

“Dashuria, miqësia dhe respekti nuk i bëjnë bashkë njerëzit, ashtu siç i bënë urrejtja e përbashkët për diçka”.

“Duhet t’i besosh njerëzve dhe të besosh tek njerëzimi, në të kundërt jeta bëhet e pamundur”.

“Sa më i rafinuar të jetë një person, aq më i trishtuar është ai”.

“Ti pyet: “Çfarë është jeta?”. Kjo është njësoj si të pyesësh: “Çfarë është një karrotë?”. Një karrotë është një karrotë dhe ne nuk dimë asgjë tjetër më shumë”.

“Ekziston një lumturi e madhe tek të dashuruarit dhe të qenurit të dashuruar”.

“Dikush duhet të jetë si Zoti për të qenë i aftë të ndërtojë suksesin pa bërë asnjë gabim të vetëm”.

“Nëse do të punosh për artin që të pëlqen, duhet të punosh për jetën tënde fillimisht”.

“Mjekësia është gruaja ime besnike dhe letërsia mësuesja ime; kur lodhem me njërën, unë e kaloj natën me tjetrën”.

“Ndoshta ndjenjat që ne përjetojmë, kur jemi në dashuri, përfaqësojnë një gjendje normale. Të jesh në dashuri, do të thotë të bëhesh ashtu siç duhet të jesh”.

“Nëse unë do t’i dëgjoja kritikat e të tjerëve, me siguri do të kisha vdekur i dehur në një kanal”.

“Nuk ka asgjë më të shëmtuar, më fyese dhe më depresive, se sa banaliteti”.

“Mençuria nuk vjen me kohën, por me edukimin dhe të mësuarit”.

“Për hir të Zotit, ki pak respekt për veten dhe mos i jep shumë gojës, ndërkohë që truri yt po bën pushimin për të ngrënë drekën”./redaktori.net/KultPlus.com

‘S’paske pas një pikë mëshire’ nga zëri i mrekullueshëm i Hafsa Zyberit (VIDEO)

Hafsa Zyberi është një ndër këngëtaret që kultivoi këngët e Shqipërisë së Mesme, shkruan KultPlus.

Ajo është këngëtare popullore e vlerësuar në breznin dhe kualitetin e Fitnete Rexhës, Nexhmije Pagarushës, Fatime Sokolit, Merita Halilit etj.

Disa prej këngëve të cilat ajo i këndoi ndër vite janë: “Hajde Moj Malenake”, “S’paske Pas Një Pikë Mëshirë”, “Si Më Ke Sytë Më Ke Vetullat”, “Të Du Moj Goce e Vogël”, “Ti Pelqeva Ato Sy”, “Unë Ty Moj Të Kam Dashte”, “Kënga e Shoqënisë”, “Balluket e Tuja”, “Çohuni Djema Shaloni Atin”, “Këngë Për Kajo Karafilin”, “Kumuri Qafëbardhë”, “Kur Ke Qenë Një Herë E Re”, “Lum e Lum Se Ja Mërrina”, “Më Shikon Më Buz Në Gaz”, “Moj Thëllënxa Mitare”, “Mun Te Ara Kë Tagjia”, “Në Bash Të Qejfit E T’muhabetit”, “Rrallë Kam Pa Ksoj Bukurie” etj.

KultPlus ju sjell një interpretim të saj ‘S’paske pas një pikë mëshire’:

s’paske pas një pik mëshire,
qysh mësova unë ksi soj,
xhanëm aman
qysh mësova unë ksi soj.

(ref.)
s’pres prej teje farë të mire
vec me fol o njëher me goj
xhanëm aman.
vec me fol o njëher me goj.

pse m’ke marrë kaq shumë mëri
s’shkohet jeta me inat
xhanëm aman
s’shkohet jeta me inat

(ref.)
fol me gojë o syni i zi
mos ki frikë se ben mëkat
xhanëm aman
mos ki frikë se bën mëkat

paske pas moj zemrën hekur
qysh durove mori xhan
xhanëm aman
qysh durove mori xhan

jam betu se nuk du tjetër
trëndafile o në Elbasan
xhanëm aman
trënadafile o në Elbasan/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Kontributi i intelektualit Minir Dushi është i pamatshëm

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u mbajtën homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të akademikut, njëherësh anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Minir Dushit.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, në këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe u shprehu ngushëllimet e tij të thella familjarëve të akademikut Dushi.

Si një nga anëtarët e parë që nga themelimi i ASHAK-ut, kryeministri Kurti e cilësoi akademikun Dushi, si një ndër figurat kryesore që ka dhënë kontribut të pamatshëm për vendin tonë, e veçanërisht në aspektin akademik dhe pedagogjik.

“Kontributi akademik dhe pedagogjik, shoqëror dhe kombëtar i profesorit dhe intelektualit Minir Dushi është i pamatshëm për ne dhe do të shtrihet gjatë edhe në këtë shekull. Mua, personalisht, librat e tij, e sidomos ai mbi Trepçën dhe Hajdar Dushin, i mbaj në zemër të bibliotekës”, ka shkruar kryeministri Kurti në librin e zisë për akademik Minir Dushin.

Të falem ty…

Poezi nga Mitrush Kuteli

Të falem ty, o gjuhë-shkëmb,
me rrënjët thellë në shkëmbenj,
që çave qiellinkur t’ u vrënj
dhe shembe bisha e shtërpënj,
po mbete prapë:
shkrep e shtëng:
të falem, gjuhë shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrungullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe:
vetëtim;
të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltësi,
ty afsh’ i zemrës – dashuri
gjithmon e ëmbël
mjaltë zgjoi.
Të falem ty o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim./ KultPlus.com

Eurovision Song – 42 000 bileta të shitura në vetëm shtatë minuta

U deshën vetëm shtatë minuta që mijëra bileta të shiteshin për shfaqjet live të majit të Eurovision Song Contest në Bazel Zvicër.

Kërkesa ishte e madhe kur shitjet filluan në orën 10:00 raportoi transmetuesi zviceran SRF, i cili është pjesë e ekipit që organizon ekstravagancën muzikore më të mirë të këtij viti.

Vetëm ata që ishin regjistruar paraprakisht mund të blinin deri në katër bileta për konkursin, i famshëm në të gjithë Evropën dhe më gjerë për performancat e tij të çuditshme dhe këngët tërheqëse tre minutëshe.

Biletat ishin në dispozicion edhe për disa prova. Ata u shitën brenda 20 minutave. Gjithsej, sot u shitën 42 mijë bileta.

Shitjet e mëtejshme janë planifikuar, megjithëse ende nuk është përcaktuar saktësisht se sa bileta të tjera do të vihen në dispozicion. /atsh/ KultPlus.com

Nesër promovohet libri ‘Lugina e lumit Issa’ i autorit polak Czesław Miłosz

Të enjten më 30 janar 2025, do të promovohet romani “Lugina e lumit Issa”, i autorit polak Czesław Miłosz. Eventi mbahet në librarinë Dukagjini prej orës 18:00.

“Lugina e Lumit Issa” i autorit Czeslaw Milosz, pjesë e kolanës “Effugium” – Evropa Kreative”, është një nga romanet më të dalluara për fëmijërinë dhe adoleshencën e autorit. Libri u shkrua nga Miłosz në mërgim dhe u botua për herë të parë në Paris në vitin 1955. Romani “Lugina e Lumit Issa” është një udhëtim i Miłoszit në fëmijërinë e tij si dhe një krijim imagjinar i një vendi mitik të kufizuar nga lumi Issa, brigjet e të cilit u referohen brigjeve të lumit Niewiaż në jetën reale, ku Miłoszi e ka kaluar fëmijërinë e tij.

Czesław Miłosz ka qenë poet, prozator dhe përkthyes polak, i lindur më 30 qershor 1911, në një fshat kufitar të Lituanisë. Miłosz ishte një figurë e shquar në letërsinë e shekullit të 20-të dhe laureat i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1980. Ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vazhdoi të shkruante deri në vdekjen e tij, në vitin 2004.

Ky roman është përkthyer nga Romeo Çollaku. Në promovimin që do të moderohet nga Liridona Bytyçi për Czesław Miłoszin do të flasim me profesorin e filozofisë Blerim Latifi.

Mbyllet festivali i dramës `Talia e Flakës 2025`

Në Gjilan është mbyllur festivali i dramës “Talia e Flakës 2025”, i cili ka zgjatur shtatë ditë rresht, nga 22 deri më 28 janar 2025. Në mbrëmjen e fundit është dhënë shfaqja “Jam unë ajo” nga produksioni “Bon”, që mban firmën autoriale të dy dramaturgeve, Vamira Thaqi e Dituri Neziraj.

Ndonëse e paraparë për një numër të caktuar të publikut për shkak të hapësirës së kufizuar në skenën e vogël, interesimi ka qenë mjaft i madh. Kjo mbase ka ardhur si rrjedhojë nga vet paralajmërimi se shfaqja është e predestinuar për audiencën +18, ndaj pikërisht kjo duket të ketë “ngacmuar’ kërshërinë e artdashësve gjilanas e më gjërë. Fabula e shfaqjes nga teksti i bashkë autoreve, fillon me brengën e dy grave lehona të cilat janë të merakosura për dukjen e jashtme pas lindjeve të foshnjeve, ndaj qëndrojnë para pasqyrës sikur për të mbajtur “nën vëzhgim strikt” procesin e zgjërimit të përmasave trupore, pas lindjes. 

Ndonëse fillimisht nuk duket e tillë, brenga e dy grave mikesha kuptohet gjatë rrjedhës së shfaqjes. Sipas përshkrimit të shkurtër narrativ të përmbajtjes së shfaqjes, Dija dhe Vesa janë të ndara nga realitete të ndryshme por të lidhura nga e njëjta barrë depresioni pas lindjeve. Përmes tyre zbërthehet një histori që nuk është thjeshtë personale, por një klithmë kolektive. Në errësirën e brendshme ku përzihen ndjenja faji dhe paaftësie, ato ballafaqohen me një botë që u refuzon të drejtën për të qenë të thyeshme. 

“Tendenca për të mbajtur publikun sa më pranë me shfaqjes, arrihet përmes dialogjeve të personazheve herë-herë të tensionuara e herë të tjera të relaksuara. Pikërisht afërsia e raportit të këtyre të fundit, që krijojnë me publikun e ulur në një hapësirë të ngushtë skenike, vjen si gjetje adekuate për të mbajtur kurreshtar atë, krahas formave të reja teatrale të domosdoshme, të cilat tashmë kudo janë pjesë të skenës në teatrin bashkëkohorë për ta bërë publikun pjesë të pashmangshme të lojës, dramës, shfaqjes, krahas aktorëve në skenë, e në kètë mënyrë për ta mbajtur gjallë vëmendjen e ndërvarur nga relacioni i ndërsjellë, e për t’u lidhur sa më emocionalisht. Afërsia dhe relacioni me publikun që arrijnë ta krijojnë dy aktoret, Tringa Hasani e Semira Latifi,  duke i shërbyer fillimisht me çaj tradicional, e në raste të më pastajme me ndërvarje komunikimi simbolik përmes grimasave e mimikës, vë në pah pikërisht një gjë të tillë, pra domosdonë e relacionit mes aktorëve dhe publikut. Loja e aktoreve është mjaft e sigurtë, për t’u konstatuar si e përligjur përvoja që tashmë ato kanë krijuar dhe përballjen me “barrën” intepretuese që fillimisht vjen si rrjedhojë nga vet magjia e skenës, e më pas edhe nga vështrimet “shpotitëse” e “kurioze”, deri në “kërshëri” të pafund të publikut, i cili di shpesh të gjejë “qime në ve”, duke pa deri edhe “shkarje” eventuale që fshihen në detaje të padukshme, apo fare pak të dukshme!”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Shfaqja eksploron një plagë sociale që fshihet pas buzëqeshjeve të rreme dhe pritshmërive të pashpirta, në një sistem ku “nënat janë heroina të heshtura”, duke mëtuar të sfidojnë tema që në mendësinë patriarkale janë tabu edhe te ne, sikurse kudo në botë, ku më shumë e ku më pak! 

Shfaqja “Jam unë ajo”, me tekst nga Valmira Thaqi e Dituri Neziraj, me regji nga Erson Zymberaj, si dhe me pjesëmarrje të aktoreve Tringa Hasani e Semira Latifi, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografi nga Njomëza Luci, korreografi të Gjergj Prevazit, muzikë të kompozitorit Tomor Kuçi dhe dizajnues të ndriçimit nga Burim Baftiu ka përmbyllur edicionin e këtij viti të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2025”. Ndërsa, për shtatë ditë me radhë festivali është përcjellur nga një numër mbase më i vogël shikuesish se herave të mëparshme, por ky fakt assesi nuk e ka zbehur imazhin e mirë dhe namin që mbartë “Flaka e Janarit”, gjegjësisht “Talia e Flakës”, pasi është dëshmuar një përkushtim i madh i trupave teatrale pjesëmarrëse, të cilat kanë kanë sjellur në festival shfaqje cilësore dhe mjaft të kushtueshme! E pikërisht konkurrenca e fortë që e ka përcjellur rrjedhën e festivalit do të jetë s’provë për jurinë profesionale vlerësuese që përbëhet nga dy regjisorë e një aktore.

“Vendimi është parapa të publikohet në Gala Mbrëmje, më 31 janar, kur pritet të shpallen edhe rezultatet e të gjitha shtyllave përkatëse, të cilat e përbëjnë tërësinë e manifestimit, si: “Peneli i Flakës”; “Talia e Flakës”; “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka” etj” thuhet në njoftim.

‘Teatri Ilegal’ – dokumentari i rezistencës në Kosovën e viteve ‘90

Të premten me 31 janar në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shfaqet dokumentari “Teatri Ilegal” nga regjisori, Sovran Nrecaj.

Vitet e ‘90-ta janë qartazi një periudhë kritike për Kosovën. Autonomia e saj ishte suprimuar në vitin 1989, si rrjedhojë shqiptarët e Kosovës e gjetën veten të përjashtuar nga hapësira dhe jeta publike e vendit të tyre. Në një përpjekje për të rezistuar, duke imituar normalitetin në një kohë tejet jo normale, arsimi, shëndetësia dhe kultura tanimë u akomoduan nëpër hapësira private duke krijuar kështu një sistem të jetesës publike tërësisht paralele. Ashtu si shumë institucione të tjera edhe dyert e teatrit të Ferizajt, të cilat ishin hapur disa dekada më herët, u mbyllën për artistët, punëtorët dhe publikun shqiptar të Kosovës. Por teatri vazhdoi të bëhej.

Mbyllja e dyerve të ndërtesës së teatrit u përcoll me hapjen e zemrave e dyerve të njerëzve të Ferizajt.

Ky rrëfim i aktorëve Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci është rrëfim i rezistencës, besimit, shpresës dhe reflektimit mbi rolin e të bërit art me çdo kusht.

DPA hapi në Shkup ekspozitën mbi strehimin e hebrenjve nga familjet shqiptare

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup si dhe ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, paraqiti një ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi strehimin e hebrenjve nga familjet shqiptare.

Ekspozita u ofroi të pranishmëve mundësinë të njiheshin me masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore shqiptare, për mbarëvajtjen e qendrimit të hebrenjve në Shqipëri.

Në mesin e materialeve arkivore, DPA-ja kishte përzgjedhur:

  • Korrespondenca e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me legatat shqiptare në Londër dhe në Paris mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në Shqipëri;
  • Urdhëresa e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave mbi ardhjen dhe qëndrimin e izraelitëve në Shqipëri;
  • Korrespondenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Prefekturën Krujë mbi transferimin e hebrenjve nga një lokalitet në tjetrin etj.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, parlamentarë të shumtë, ambasadori Denion Meidani dhe përfaqësues të tjerë të trupave diplomatike.

Duke patur si synim promovimin e historisë unike të qëndrimit të hebrenjve në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, DPA-ja nënshkroi vite më parë një marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin e Përkujtimit të Martirëve dhe të Heronjve të Holokaustit, “Yad Vashem”./atsh/KultPlus.com

Pas dhimbjes së madhe

Poezi nga Emily Dickinson
Shqipëroi: Natasha Lushaj

Pas dhimbjes së madhe, vjen e kotësisë ndjenja
nervat ruajnë etiketën, si varret;
zemra e palëvizshme pyet: kush, unë vuaja?
Kur? Dje, pardje apo shekuj më parë?
Këmbët, mekanikisht, vijnë vërdallë
si të ishin prej druri
prej dheu, prej ajri, ose s’di ç’tjetër
por sigurisht të rritura veçmas prej teje,
një kënaqësi kuarci, gur i fortë.
Është çasti i plumbtë,
i vetmi i kujtueshëm, nëse i mbijeton;
përreth mban mend njerëz si prej bore.
Të ther i ftohti, pastaj shtangesh habie,
pastaj e lë të ndodhë. /KultPlus.com

“Tirana Training Center”, Gonxhja: Gati për të qenë në hartën globale të kinematografisë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi pamjet e Tirana Training Center, qendra e trajnimit që do të formojë brezin e ri të kineastëve shqiptarë.

Kjo qendër trajnimi do të mund të trajnojë deri në 400 studentë njëkohësisht duke bërë të mundur lidhjen e industrisë sonë me gjigantët e industrisë kinematografike botërore si HBO, Netflix, Warner Bros, Paramount, Disney dhe shumë të tjerë. Këto bashkëpunime do të arrihen nëpërmjet Catalyst Story Institute.

Një ditë më parë drejtori ekzekutiv i Catalyst, Philip Gilpin u shpreh se të trajnuarit do të mësojnë shprehi pune, do të mësojnë të punojnë në grup duke qenë se televizioni dhe kinemaja nuk janë arte individuale dhe se e gjithë kjo qendër trajnimi do të jetë si një shtëpi për ta.

Aktualisht, sipas Gilpin, 40 profesionistë të mirënjohur nga e gjithë bota kanë rënë dakord të vijnë në Tirana Training Center. Trajnimet do të mbulojnë fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi i skenarëve dhe më shumë.

“Shqipëria, gati të bëhet një pikë kyçe në hartën globale të kinematografisë”, u shpreh ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

“Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”

Thënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. 

/ KultPlus.com

Katër arsye pse duhet lexuar patjetër Çehovin

Çehovin duhet lexuar patjetër, madje shumë shpesh. Një prej shkrimtarëve më të mirë të Rusisë, i cili gjatë gjithë jetës ishte edhe mjek, ka tregime të shkurtra të cilat nuk duhet humbur, për ta njohur mirë Rusinë e vjetër dhe shpirtin rus.

Një shkrimtar që e bëri Rusinë më të njohur në botën letrare, Çehovi përfundoi Universitetin e Moskës ndërsa më pas udhëtoi edhe për në Azi. Shkrimtari ndërroi jetë në Gjermani, në vitin 1904, verën e këtij viti.

Këto janë katër arsye pse duhet lexuar Çehovi, e ndoshta edhe për ta nisur këtë vit duke lexuar dicka nga ai.

1. Shkaku i librave të tij, rusët nisën të lexonin letërsinë e vërtetë. Shembull, tregimin “Kashtanka” e mësojnë edhe sot fëmijët në shkollat fillore në Rusi. Tregimi bën fjalë për një qenush që, i humbur, përfundon në shtëpinë e një palaçoje. Bashkë me palaçon, në cirk qenushi fillon lojën por gjatë performancës e sheh në publik pronarin e tij.

2. Shkrimi i tij e inspiron Stanisllavskin dhe sistemin e tij të aktrimit. Three sisters, The Cherry Orchard, Uncle Vanya dhe The Seagull janë katër drama që u kthyen në shfaqje, të gjitha të luajtura nga Olga Knipper – aktorja që më pas u bë gruaja e shkrimtarit të madh. 

3. Çehovi e rrezikoi edhe jetën e vet për shkrimin. Kur ishte diagnostifikuar me tuberkuloz, ai udhëtoi nga Siberia e deri në ishullin Sakhalin. Ishulli ishte vend i largët ku dërgoheshin të burgosurit, por Çehov shkoi dhe e dokumentoi jetën e banorëve të ishullit. Kësisoj, jeta e banorëve erdhi më pas e njohur për të gjithë Rusinë, dhe botën.

4. Në tregimin “Darling”, një grua ruse tregon instinktin e saj të fortë prej nëne dhe gruaje. Njëjtë si ajo, Çehov në plot shkrime e tregime sjellë shpirtin e vërtetë të Rusisë, të “njerëzve të vegjël”, njerëzve të rëndomtë. Çehov asnjëherë nuk ka provuar të tregojë idenë pas ekzistencës, por të dokumentojë problemet e rusëve. Në personazhet e tij gjithmonë ka thjeshtësi të dashurisë dhe aftësisë për të dashuruar. /KultPlus.com 

Më dëgjo siç dëgjohet shiu

Poezi nga Oktavio Paz

Shqipëroi: Merita Paparisto

Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu
as me vëmendje por as me shpërqëndrim,
gjurmë të lehta, rigim i hollë,
ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha
dita është akoma e gjallë
nata ende s’ka lindur
trajta të mjegulluara
në kthesën pas qoshes
trajtat e kohës
në lakimin e heshtjes,
dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu
pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them
me sytë të hapur për së brëndëshmi, në gjumë
me të pesta shqisat zgjuar,
po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh,
ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë:
që jemi dhe që janë,
ditët dhe vitet, ky moment
kohë e papeshë dhimbje që rëndon,
më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu,
asfalti i lagur shkëlqen,
avulli ngrihet dhe ikën larg,
nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë,
ti je ti dhe trupi yt prej avulli,
ti dhe fytyra jote e natës
ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme
ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim,
gjurmë uji përballë syve të mi,
degjomë, siç dëgjohet shiu,
asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën
në mjegull, përhumbur në natën,
në këtë natën që flen në shtratin tënd,
është dallga që fryhet në frymën tënde
gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin,
gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë
gishterinjte e tu prej ajri hapin qepallat e kohës
një ujvarë pamjesh dhe ringjalljesh
dëgjomë, siç dëgjohet shiu
vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú
i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër?
nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon
prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti
dëgjoi gjurmët e kohës
krijueses së vëndeve të papesha, të pandodhëshme
dëgjoje shiun si vrapon mbi taracë
nata ështe tani e errët natë varri,
shkrepëtimat flenë në foletë mes gjetheve,
një kopësht i paqetë bredh në mëshirë të fatit
hija jote mbulon këtë faqe libri./KultPlus.com

Kurt Kola, i përndjekuri i regjimit komunist që rezistoi me dekada në burgje dhe internim

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot të dënuarin politik dhe ish-kryetarin e “Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, Kurt Kola (6 maj 1937-29 janar 2022).

Kola lindi më 6 maj 1937 në fshatin Macukull të Burrelit. Për shkak se i ati, Bilal Kurti, ishte përfaqësues i lartë i partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe kishte bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, u internua së bashku me familjen. Fillimisht ata u dërguan në Peshkopi dhe më pas u zhvendosën në Berat, ku deri në prill të vitit 1949, jetuan në kazermat e djegura prej luftës.

Kur mbushi moshën 16-vjeçare, Kurt Kola u arrestua dhe u dënua në burgun e Gjirokastrës dhe ky do të ishte fillimi i një kalvari dënimesh, i cili do të përfundonte më 10 janar 1990, me rënien e regjimit komunist.

U zgjodh kryetar i Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, në mars të vitit 1993, dy vite më vonë u përzgjodh kryetar i “Lidhjes së Djathtë” dhe si kryetar i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë (1998-2002).

Kurt Kola shkroi dhe botoi disa libra me poezi dhe romane mbi jetën si i përndjekur politik dhe historinë e familjes së tij, ku mund të përmendim “Ëndrra Burgu” dhe “Në Shqipërinë burg”./atsh/KultPlus.com