Gjetje të kulturës arbërore zbulohen për herë të parë në Shënmri të Tiranës

Arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK-së kanë realizuar me sukses një gërmim shpëtimi në fshatin Shënmri, ku u zbulua një varrezë që daton në dy periudha historike të rëndësishme: periudhën helenistike dhe mesjetare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e vlerësoi si të jashtëzakonshëm këtë zbulim arkeologjik, i cili hedh dritë mbi historinë dhe jetën e banorëve të lashtë të kësaj zone.

Gjatë gërmimeve, arkeologët kanë zbuluar struktura funerare që përmbanin enë qeramike, stoli prej argjendi, bronzi, hekuri dhe qelqi, si dhe armë dhe objekte personale. Këto gjetje unike ofrojnë mundësi të mëdha për të studiuar mënyrën e jetesës dhe zakonet e të dy periudhave.

Stolitë e zbuluara në varret mesjetare ngjajnë me ato të kulturës arbërore të gjetura më parë në Koman, Krujë, Lezhë dhe Përmet, duke treguar për një shpërndarje të gjerë kulturore në Shqipëri.

Për herë të parë gjetjet e kulturës arbërore zbulohen në zonën e Tiranës, duke i shtuar vlerë të jashtëzakonshme trashëgimisë kulturore të kryeqytetit.

Ekspertët e IKTK-së do të vazhdojnë të dokumentojnë dhe analizojnë zbulimet, ndërsa hapi i ardhshëm do të jetë lokalizimi i vendbanimeve që duhet të jenë afër varrezës së zbuluar./atsh/KultPlus.com

Muzeu “Onufri” ekspozon relikuarin e mermertë të shek. VI

Me rastin e Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Qendra Muzeore Berat  ka ekspozuar një nga objektet arkeologjike që ka në fondin e saj, relikuarin prej mermeri i shekullit VI.

Relikuari u ekspozua në Muzeun Ikonografik “Onufri”, pas një procesi pastrues e konservues.

Ky objekt i rrallë i periudhës paleokristiane përmendet për herë të parë në një studim të historianit austriak Bushbek në vitin 1918 që e evidenton brenda Kishës së Ungjillëzimit (Evangjelizmoit) por në vitin 1990 studiuesi gjerman Guntram Koch publikon një studim te detajuar në revistën Monumentet 1990 (Nr 40).

Simbolet, figurat dhe përmasat e vogla bëjnë të mendosh për një mbajtës relikesh të shenjtorëve. Shembuj të ngjashëm si ky objekt gjenden në Sirinë e largët në territoret e dikurshme të Perandorisë Bizantine dhe mermeri është i importuar nga një vend i panjohur por është punuar nga mjeshtër lokalë, që korrespondon me periudhën e dytë të lulëzimit të Beratit (Pulheriopolis) në çerekun e dytë të shekullit VI./atsh/KultPlus.com

Akademiku Nazim Gruda hap simpoziumin ndërkombëtar në Athinë

Këto ditë po mbahet në Athinë simpoziumi ndërkombëtar për kultivimin në mjedise të mbrojtura, rrjetat dhe mbulesat e tjera për vendet me klimë të moderuar.

Në simpoziumin për mjediset e mbrojtura marrin pjesë personalitete të njohura të shkencës, mes tyre dhe akademik Nazim Gruda, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nazim Gruda është i njohur për kontributin e tij në hortikulturën e qëndrueshme dhe përmirësimin e cilësisë së perimeve.

Ishte ai që çeli ditën e parë të simpoziumit si folësi kryesor. Gruda prezantoi kërkimin shkencor “Nga serra në tryezë: Ndikimi i kushteve para vjeljes në cilësinë e perimeve në mjedise të mbrojtura”. Prezantimi i akad. Grudës ofron strategjitë më të fundit dhe zgjidhjet praktike për të përmirësuar cilësinë e perimeve në mjedise të mbrojtura.

Simpoziumi do të vijojë punimet me diskutime shkencore deri më 26 shtator 2024. Kjo veprimtari organizohet nga Universiteti Bujqësor i Athinës në Greqi dhe Shoqata Ndërkombëtare e Hortikulturës me qendër në Bruksel./atsh/KultPlus.com

25 shtatori, Dita Botërore e Ëndrrave

25 shtatori u vendos data e njerëzve që i shikojnë botën fushë me lule.

E ardhmja i përket atij që beson në bukurinë e ëndrrave të veta, shkruante dikur ish Zonja e parë Eleanor Roosevelt. Sot, ekziston një ditë që është e gjitha e dedikuar për ëndërrimtaret.

Në 25 shtator celebrohet World Dream Day, pra dita botërore e ëndrrave, për të gjithë ata që ëndërrojnë për të arritur larg, dhe bëjnë ç‘është e mundur ti vënë në jetë idetë e tyre pa hequr dorë dhe pa u dekurajuar.

Iniciativa ka lindur në 2012, me qëllimin e vetëm për të të frymëzuar individët, familjet, shkollat, kompanitë dhe komunitet, të jenë më të dedikuar dhe përqendruar në idetë, ëndrrat, objektivat dhe ti çojnë përpara, në të mirë të vetes dhe botës.

Organizimi në rrjetet sociale bazohet në tre shtylla, kreativitet, bashkëpunim dhe kontribut. Këtë vit ka titullin “New Dreams for a new World”, ëndrra të reja për një botë të re. Synimi është për ide të reja në përmirësimin e botës, jetës, ide inovatore, për një të ardhme më të mire në shërbim të njerëzimit, pikërisht me shumë se kurrë tani në epokën e pandemisë./ KultPlus.com

54 vite nga vdekja e Erich Maria Remarque, njërit prej shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX

Erich Maria Remarque ishte romancier gjerman që krijoi shumë vepra rreth tmerreve të luftës. Romani i tij më i njohur, “Të gjithë të qetë në Frontin Perëndimor” (1928), për ushtarët gjermanë në Luftën e Parë Botërore, u bë filmi fitues i Oskarit. Libri i tij e bëri atë një armik të nazistëve, të cilët djegën shumë nga veprat e tij, shkruan KultPlus.

Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Dhe Erih Maria Remark, e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, pa t’i shuheshin një nga një shokët, prej çmendurive të nazizmit. “Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Në 25 shtator 1970, Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër . Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Një vepër anti luftë, që do të bëhej shkak i përndjekjeve nga nazistët, të cilët pasi i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë. “Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë, dhe Remarku do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse, fatkeqësisht, breza të humbur, do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë”, – shkruan përkthyesi Robert Shvarc në pasthënien e romanit “Obelisku i Zi”, një ndër 5 veprat e përkthyera prej tij në shqip (“Tre shokët”, “Shkëndija jete”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” dhe “Obelisku i zi”) .

Remarku lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën. Del nga spitali, për të kaluar në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, klasi i parë, në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut, por shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifillon studimet e lëna për gjysmë dhe më pas punon për pak kohë si mësues filloreje.

Në 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” në Berlin. Ndërkohë punon për dy vepra paralelisht. Në 29 prill vjen shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani në muajin dhjetor. Ka reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Fimi ndalohet dhe çohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931 propozohet për Çmimin Nobel për paqen. Një vit më vonë fillon punën për një nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Në 10 maj ndalohen të gjitha librat e Remarkut në Berlin dhe në nëntor policia konfiskon “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage.

Në 4 korrik çatdhetarizohet nga Gjermania dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij Ilse Jutta Zambona. Nis punën për “Harkun e Triumfit”. Në shtator të vitit 1939 shkon në Los Angelos ku do të nisë një histori dashurie me Marlene Dietrich. Atje njihet me Greer Garson, Orson Welles, Igor Straëinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff dhe shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich dhe disa muaj më vonë do të krijojë një lidhje të shkurtër me Greta Garbo. Në shtator të vitit 1942 zhvillon një takim me zv/ presidentin amerikan Wallace për të diskutuar mbi një aksion të mundshëm anti-fashist. Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Në 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin, lajm të cilin shkrimtari e mësoi dy vjet më vonë. Në 25 gusht 1944 përfundon versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në Neë York dhe disa muaj më vonë edhe në gjermanisht.

Shumë shpejt fillon të punojë mbi romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Është koha kur shëndeti i tij fillon të lëkundet. Fillon mjekimet dhe mëson se ka diabet. Në janar të vitit 1952 botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht botohet në muajin korrik. Në dhjetor fillon punën mbi romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili botohet në vitin 1956. Interpreton rolin e mësuesit në filmin e bazuar mbi romanin e tij “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962 boton “Qielli nuk ka preferenca”, ndërsa dy vjet më vonë “Një natë në Lisbonë”. Në 25 prill të vitit 1967 i jepet “Großes Verdienstkreuz”, Medalia e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Në 25 shtator 1975 vdes në klinikën Sant’Agnese në Locarno. /KultPlus.com

“Travel+Leisure”: Vizitoni mrekullitë e Rivierës Shqiptare dhe natyrës alpine

Në fillim të qershorit vizitova Shqipërinë së bashku me bashkëshortin tim për pushime verore.

Përpara se të vizitonim plazhet e saj të njohura, ne u siguruam të përshkonim dhe shihnim Tiranën, kryeqytetin e saj, për të krijuar një ide të plotë se si ishte në të vërtetë ky vend, shkruan Stacey Leasca në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel+Leisure”.

Shqipëria është një perlë e fshehur në Evropë, e njohur për bukurinë e saj mahnitëse natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë.

Nga plazhet e pacenuara të Rivierës Shqiptare e deri te majat e thepisura të Bjeshkëve të Nemuna, vendi mesdhetar ka diçka për çdo vizitor.

Në verën e vitit 2024, Shqipëria përjetoi një bum vizitorësh – pasi një numër në rritje turistësh kishin zbuluar natyrën e saj të paprekur – dhe gjithashtu çmimet e saj relativisht të përballueshme.

E njohur për ujërat e saj të kristalta, bukurinë natyrore të pacënuar dhe vendet historike, nuk është çudi që Shqipëria po fiton popullaritet në mesin e vizitorëve.

Ndër të tjera, Shqipëria është një vend ku turistët priten ngrohtësisht. Vendi është tepër mikpritës dhe vendasit janë të njohur për mikpritjen e tyre.

Kostoja relativisht e ulët e jetesës dhe e udhëtimit ju vjen në ndihmë të gjithë vizitorëve me buxhet të limituar. Është një zgjedhje e shkëlqyer për udhëtime solo.

Më poshtë ne kemi renditur gjithçka që ju nevojitet për të planifikuar një udhëtim perfekt në Shqipëri:

Qytetet që duhen eksploruar:

Tirana

Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë, është një vend që vizitorët duhet të eksplorojnë.

Turistët mund të vizitojnë muzetë e tij mbresëlënës, të darkojnë në kafenetë e tij plot gjallëri – dhe madje të vizitojnë një nga 50 baret më të mira në botë për të shijuar një pije.

Dhe ndërsa ndodheni këtu, sigurohuni që të kaloni pak kohë duke eksploruar skenën e tij të artit, duke përfshirë një pasdite në muzeun unik Bunk’Art.

Berati

I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është një tjetër vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vendosur në Shqipëri, i cili ia vlen të bëni një udhëtim ditor.

Në Berat, turistët mund të eksplorojnë arkitekturën e tij të ruajtur mirë osmane dhe të vizitojnë shtëpitë në kodër me dritaret e tyre të veçanta.

Vendet që nuk duhet të humbisni përfshijnë Kalanë e Beratit, ku mund të shijoni gjithashtu pamjen e mrekullueshme panoramike të qytetit.

Shkodra

Vizitoni Shkodrën në veri të Shqipërisë, një nga qytetet më të vjetra të vendit.

Qendra kulturore është gjithashtu shtëpia e shumë vendeve të njohura, si Kalaja e Rozafës.

Turistët mund të vizitojnë gjithashtu qendrën e saj historike, e cila është e mbushur me kafene, së bashku me muzetë si Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi – i cili paraqet një koleksion mbresëlënës fotografish historike të së kaluarës së Shqipërisë.

Aktivitetet që mund të bëni:

Shëtitje në Parkun Kombëtar të Thethit

Zhytuni në Nënën Natyrë në Parkun Kombëtar të Thethit, i vendosur në Alpet Shqiptare.

Është një destinacion i dashur me majat e tij masive, të thepisura, ujëvarat e mrekullueshme dhe luginat e harlisura.

Parku është i vogël në krahasim me parqet e tjera kombëtare në mbarë globin, me një sipërfaqe prej pak më shumë se 10 milje katrorë – por është shtëpia e një grupi fantastik bimësh dhe kafshësh, duke përfshirë 50 lloje zogjsh.

Vizitoni Syrin e Kaltër

Shkoni në anën e kundërt të vendit, në qytetin jugor të Muzinës, për të vizituar Syrin e Kaltër, një burim natyror që krenohet me ujërat më të kaltër në botë.

Syri i Kaltër, është një shpellë rreth 50 metra e thellë, e rrethuar nga ujërat blu elektrikë – që ngjan si një iris.

Ecni nëpër Qytetin e Gurtë

Gjirokastra, e njohur si “Qyteti i Gurtë”, është vendi ideal për adhuruesit e historisë. Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rajonin jugor filloi si një kështjellë e vetme e ndërtuar në shekullin e IV dhe evoluoi në një qytet të vogël në shekullin e XIX.

Sot, vizitorët mund ta vizitojnë ende kështjellën dhe Muzeun e saj të Armëve, të shëtisin rrugët e saj me kalldrëm dhe të futen në restorantet e saj të shijshme që shërbejnë ushqime tradicionale.

Vizitoni Muzeun Arkeologjik Kombëtar

Njihuni më shumë me historinë e Shqipërisë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar, në Tiranë.

Ishte muzeu i parë që u hap pas Luftës së Dytë Botërore dhe është shtëpia e një koleksioni artefaktesh historike – që nga epoka e gurit deri në pushtimin osman – duke u ofruar vizitorëve një vështrim të shkurtër në çdo fazë të së kaluarës së vendit mesdhetar.

Plazhet më të mira:

Plazhet e Ksamilit

Ksamili është destinacioni më i njohur i plazhit në Shqipëri për një arsye: Është thjesht mahnitës!

Këtu, turistët do të gjejnë plazhe me rërë të bardhë të mbuluara nga ujërat bruz.

Në zonën e hotelit, vizitorët mund të qëndrojnë në plazh përpara akomodimit të tyre ose të paguajnë tarifa të vogla për të rrëmbyer një ombrellë në plazhet fqinje.

Por, gjithashtu mund të gjeni plazhe publike jashtë zonës së hotelit, duke përfshirë pika të fshehura poshtë shpateve të pjerrëta të maleve.

Plazhi i Dhërmiut

Rreth dy orë në veri të Ksamilit, turistët do të gjejnë një tjetër ambient të bujshëm buzë plazhit në Dhërmi.

Në fakt, këtu ka shumë vend për të gjithë – pasi plazhi i Dhërmiut është një nga më të gjatët në Rivierën Shqiptare.

Plazhi ofron një ndërthurje të guralecave dhe rërës së imët, kështu që të gjithë mund të gjejnë stilin e vijës bregdetare që u pëlqen.

Plazhi i Jalës

Po kërkoni pak paqe dhe qetësi? E gjeni në plazhin e Jalës.

I zhytur mes dy shkëmbinjve, plazhi i Jalës, i vendosur në veri të Himarës, njihet për atmosferën e tij intime.

Ujërat e tij të qeta e bëjnë atë një vend ideal për not dhe zhytje.

Megjithëse është edhe më i qetë dhe më i vogël se plazhet e zonave të tjera, pranë tij ndodhet një bar plazhi, ku mund të porosisni një meze të lehtë.

Koha më e mirë për ta vizituar:

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë, është gjatë pranverës, nga prilli në qershor dhe nga fillimi i vjeshtës, nga shtatori në tetor.

Këto periudha ofrojnë mot të këndshëm, ideal për të eksploruar si plazhet ashtu edhe malet pa turma turistësh.

Gjatë kësaj kohe, vizitorët mund të shijojnë gjithçka që Shqipëria ka për të ofruar, duke përfshirë plazhet dhe malet e saj mahnitëse – ndërkohë që ato janë ende të ngrohta – por jo aq të nxehta sa ditët në mesin e verës.

Ka edhe shumë arsye të tjera për ta vizituar Shqipërinë gjatë gjithë vitit, duke përfshirë pjesëmarrjen në një nga festivalet e famshme të vendit si “Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë” i mbajtur në vjeshtë – dhe “South Outdoor Festival”, një festival masiv muzikor, i cili organizohet në maj.

Gjithashtu, mund të merrni pjesë në “Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, që mbahet çdo pesë vjet në qytetin historik të Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

‘Poetike’

Poezi nga Luis Garcia Montero

Ka momente në të cilat lemë mënjanë
fjalët e dashurisë dhe heshtjet
për të folur për poezinë.
Ti shplodh zërin në të kaluarën,
e rikujton titullin e një libri,
historinë e disa vargjeve,
netët rinore të disa këngëtarëve,
rëndësinë që kanëpoetët dhe flamurët në jetën tënde.

Unë të flas për presje e gërma të mëdha,
pamje të bollëkshme apo që mungojnë,
rëndësinë e të kapurit të një ritmi
që të mbajë historinë,
ashtu siç mbajmë me duar
muret e lagështa të një kështjelle prej rëre.

Kujtoj edhe disa vargje,
në netët ku presjet dhe gërmat e mëdha,
metaforat dhe ritmet,
ngrohën shtëpinë time,
më bënë shoqëri,
ditën të më bindnin
me të njëjtën fuqi joshëse si tënden.

Eh, e di që poetët e tjerë,
vishen si poetë,
hynë nëpër zyrat e qetësisë,
administrojnë bankat e suksesit,
kalkulojnë në essence
llogaritë e fondeve të tyre të brendshme,
janë pishtarë mbretërish e perëndish
apo janë gjuhëzat e ferit.
Ndoshta sepse ata kanë botë.
Unë eci përpara duke të pasur ty
e duke pasur koshiencën./KultPlus.com

Homazh Marcello Mastroianni-t në sesionin RetrospecTIFF të festivalit të filmit

Natën e dytë të festivalit të filmit TIFF, u shfaq filmi “La Dolce Vita” i Federico Fellini-t, me protagonist aktorin Marcello Mastroianni, të cilit i kushtohet këtë vit, sesioni RetrospectTIFF.

TIFF i kushton një homazh të veçantë Marcello Mastroianni-t në 100-vjetorin e lindjes së tij. Një ikonë e kinemasë, Mastroianni la një trashëgimi të jashtëzakonshme duke sjellë personazhe të paharrueshme që ende frymëzojnë breza të tërë. Ndjekësve të TIFF-it do u ofrohet një program i veçantë me 4 filma të përzgjedhur nga karriera e tij:

  1. “La Dolce Vita” nga Federico Fellini (1960)
  2. 81⁄2 nga Federico Fellini (1963)
  3. “Io, Io, Io… e gli Altri” nga Alessandro Blasetti (1966)
  4. “Che Ora È” nga Ettore Scola (1989)

Programi i RetrospecTIFF është mundësuar me kontributin e Istitutit Italian të Kulturës, drejtuesi i të cilit, Alessandro Ruggera, ishte i pranishëm, mbrëmjen e djeshme në Kinema Millennium.

Projeksionet e filmave që garojnë në TIFF kanë qenë të shumta në ditën e dytë të festivalit, por mund të veçojmë filmin e regjisorit Isa Qosja, “Lejleku”, një prodhim i Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Filmi, prodhim i vitit 2023, është i metrazhit të gjatë (97′).

Regjisori Qosja rrëfen historinë e një fshati të përgjumur malazez, ku shumica e vendasve kanë emigruar në SHBA. Është mjedisi i një historie të hidhur dhe të ëmbël, i tre grave që luftojnë për autonomi. Suta i reziston presionit për t’u martuar me binjakun autik të burrit të saj të ndjerë, Vezire dhe Drane duhet të mësojnë të bashkëjetojnë pasi burri i tyre i përbashkët planifikon të largohet, Fize përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Ndërkohë që ardhja e një lejleku shqetëson fshatarët supersticiozë./atsh/ KultPlus.com

Dy artistët që ‘dhanë’ jetë artit në Kosovë, Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti (FOTO)

Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti janë çifti i njohur shqiptar që i kanë kushtuar pothuajse tëre jetën e tyre skenës artistike, shkruan KultPlus.

Muharrem Qena ka shkrirë talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Karriera e tij regjisoriale numëron deri në 200 shfaqje teatrale.

Bashkëshortja e tij, Melihate Ajeti- Qena ka qenë një figurë e shquar për bukurinë e talentin e saj të rrallë në aktrim, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ata të dy i kanë dhënë aq shumë artit shqiptar sa që edhe sot kujtohen për veçantitë e tyre artistike. KultPlus ju sjell një fotografi të rrallë të këtij çifti./ KultPlus.com

Spiropali vizitë në Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe Shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup

Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, përveç takimeve zyrtare, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, në Shkup.

Në Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Spiropali u prit nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi dhe personalitete të tjera shtetërore.

“Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është njëra prej ngjarjeve më madhore për historinë, kulturën, dhe identitetin tone. 51 foto dhe 58 dokumente flasin e na tregojnë rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Alfabetit, drejt shkrimit të Shqipes, gjuhës sonë të bukur e të shenjtë, me alfabetin latin. Me vendim të qeverisë shqiptare, 22 nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip”, u shpreh gjatë vizitës Kryetarja Spiropali.

Gjatë vizitës në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, Spiropali u prit nga Zëvendëskryeministri Arben Fetai, Zëvendësministri i Arsimit Lulëzim Aliu dhe Drejtori i Institutit të Albanologjisë Skënder Asani.

“Nuk mund të vija në Shkup dhe të mos ndaloja për të vendosur një buqetë me lule në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, shenjtores sonë, bijës më të shquar të kombit shqiptar që i përket të gjithë botës.”, u shpreh Spiropali./atsh/ KultPlus.com

‘Anija nuk kthehet më’, drama që trajton temën e emigracionit të detyruar si pasojë e luftës emocionon publikun në teatrin Dodona

Drama e regjisores Eli Nura, “Anija nuk kthehet më”, i ka dhuruar emocione publikut në sallën e Teatrit “Dodona”. Nën interpretimin e aktorëve Hazir Haziri dhe Anisa Ismajli, shfaqja e ka përcjellë mesazhin e saj të fortë për pasojat që sjell lufta dhe si rrjedhojë, emigracioni i detyruar.

Në qendër të tekstit dramatik, është historia e dhimbshme e një familjeje, që detyrohet të braktisë atdheun, për të shpëtuar nga flakët e luftës. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

E sjellë në formën e një leximi skenik, drama arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut, me dialogjet dinamike dhe rrëfimin emocionues të personazheve. Emigrimi për shkak të luftës, një histori e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, që ende mbetet e freskët, pasqyrohet me thellësi në dramën “Anija nuk kthehet më”.

Dy personazhet, Amali dhe Noa, përjetojnë një krizë të rëndë në jetën e tyre, të shkaktuar nga një udhëtim me anije, ku nuk arrijnë dot të marrin edhe fëmijët. Shfaqja sjell tension të fortë me dinamikën e ngjarjeve, që nxjerrin në pah karakteristikat e personazheve, brengat e tyre dhe rrugëdaljet që ndjekin për t’u bashkuar me fëmijët e tyre.

Gazetarja dhe kritikja teatore Abana Beqiri e quan këtë dramë një teks universal. “Ata janë dy emigrantë të zakonshëm, nga ata që ka gjithandej botës së madhe, të tillë që i ikin krizave politike, luftrave, varfërisë… Noa dhe Amali mund të jenë nga secili vend, ata janë pjesë e kësaj bote të trazuar dhe të çmendur. Ata janë emigrantë! Të huaj! Ata kanë atdhe, kanë emra, kanë histori e etni të tyret, por historia e jetës së tyre është universale. Pikërisht ky theks universaliteti e bën tekstin dramatik më interesant e më intrigues.”, është shprehur ajo në vlerësimin e saj për dramën.

Autorja dhe regjisorja Eli Nura, vlerësoi lart përkushtimin e aktorëve, që edhe pse për një kohë të shkurtër, arritën të depërtonin te publiku. “Është një dramë e dhimbjes dhe sakrificës, familjes dhe braktisjes së vendit, luftës dhe pasojave tragjike që shkakton”, është shprehur Nura.

“Anija nuk kthehet më”, e mbështetur nga komuna e Prishtinës, u dha premierë në kuadër të Festivalit “Summer Cult”, që mbahet çdo vit në Prishtinë.

Kjo vepër dramatike, u përzgjodh në mesin e shumë dramave të tjera nga vende të ndryshme të botës, për t’u vënë në skenë në Festivalin Ndërkombëtar të Athinës në vitin 2022, ku u prit me vlerësime të larta nga kritika teatrore./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gratë e Kosovës kanë qenë gjithnjë në ballë të çdo procesi historik të Republikës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot ishte pjesë e diskutimit me temën “Gratë në vijë të parë”, të organizuar nga “Clinton Global Initiative”.

Osmani gjatë fjalimit të saj ka përmendur se “Gratë e Kosovës kanë qenë gjithnjë në ballë të çdo procesi historik të Republikës”.

“si në kohën e rezistencës, ashtu edhe në luftë, në shtetndërtim dhe në çdo proces vendimtar për të ardhmen tonë”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në New York po mbahet sesioni i 79-të i Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, promovimi i mjedisit dhe të drejtave të njeriut përmes artit

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut prezantoi nga 16-21 shtator në Tiranë 41 filma dhe dokumentarë.

Këta filma dhe dokumentarë u shfaqën në vende të ndryshme si Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Akademia e Sigurisë, Kuvendi i Shqipërisë, Shkolla e Magjistraturës, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Qendra për Hapje dhe Dialog.

Qëllimi ishte arritja e audiencave të ndryshme dhe promovimi i diskutimeve për të drejtat e njeriut, dezinformimin dhe manipulimin, barazinë gjinore, shtypjen politike dhe të identitetit, lirinë dhe ndikimet ligjore e morale të luftës, përfshirë konfliktin në vazhdim në Ukrainë, në një përpjekje për ta sfiduar shoqërinë tonë që të reflektojë, të ngrejë pikëpyetje dhe të angazhohet në çështjet kritike të kohës që jetojmë.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, tema e festivalit “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen”, nënvizoi fuqinë e artit në promovimin e vlerave universale.

Në fjalën e tij në hapjen e festivalit, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se “anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të thotë mbështetje e parimeve të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Këto parime janë thelbësore për partneritetin tonë”.

“Tema e këtij viti “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen” është një kujtesë e fuqishme e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur planetin. Dhe arsyeja për këtë është e thjeshtë: thjesht nuk ka “planet B”. Jam krenar që po e ndihmoj FNFDNj-në të bëhet një aktivitet gjatë gjithë vitit me debate dhe diskutime, duke arritur audiencë përtej Tiranës dhe duke frymëzuar veprime kolektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, theksoi ambasadori Gonzato.

Drejtori Ekzekutiv i FNFDNj-së, Kujtim Çashku theksoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të ndjenjës së përgjegjësisë në shoqëri për ta mbajtur të pastër zonën ku jetojmë dhe zonat ku udhëtojmë.

“Festivali ynë kërkon të veprojmë, por edhe të mendojmë. Ekonomia në zhvillim është vetëm njëra anë, tjetra është se si ndikon në planetin tonë dhe pse kemi kaq shumë katastrofa, ndërkohë që speciet në tokë po zhduken. Institucionet gjithandej janë të shqetësuara për luftërat dhe kjo është e drejtë, por kjo është gjithashtu një luftë me viktimat e veta, pasi ne po shkatërrojmë tokën për brezat e ardhshëm”, tha Çashku.

Festivali u hap me filmin “Telling Nonie” me regjisor, Paz Schwartz. Në film flitet për Tsafrir, një operativ izraelit në moshë, i cili i zbulon Darwish-it se ka qenë i përfshirë në një operacion të shënjestruar vrasjeje në vitet 1950, ku u vra babai i saj, koloneli egjiptian dhe kreu i inteligjencës ushtarake në Gaza, Mustafa Hafez. Në moshën tetëvjeçare, Nonie mbeti jetime.

Të ulur në karrige në afërsi të Kibbutz Nahal Oz-it, në kufirin izraelit që sheh nga Gaza, ku Darwish kishte jetuar në fëmijëri dhe ku u vra babai i saj, ata tokin duart. Tsafrir kërkon shpengim, Nonie kërkon paqe, dhe gjatë gjithë filmit Telling Nonie, të dy dëshmojnë se si arabët dhe hebrenjtë nuk arrijnë ta njohin dhimbjen e njëri-tjetrit dhe t’i japin fund ciklit të dhunës.

Pas shfaqjes së filmit regjisori, Paz Schwartz, bëri një thirrje të pasionuar për paqe.

“Më 5 tetor të vitit të kaluar mora çmim për këtë film në Haifa. Dy ditë më vonë, më 7 tetor, më zgjuan sirenat dhe lajmet e tmerrshme. Zona pranë Kibbutz Nahal Oz-i, ku u takuan Tsafrir-i dhe Darwish-i, dhe që sheh nga kufiri i Gazës me Izraelin, u bë skena e sulmit të Hamasit më 7 tetor. Kur e filmova këtë dokumentar, kisha shumë shpresa për paqe, ndërsa tani, vërtet që nuk e di”, tha Paz Schwartz./atsh/ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës paralajmëron koncert madheshtor në hapje të sezonës 2024/ 2025

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet e Filharmonisë së Kosovës për hapjen e sezonit 2024/2025.

Sipas njoftimit, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, në hapjen e sezonit të ri dhe në ditëlindjen e saj të 24-të, do të sjellë një koncert madhështor, i cili mbahet të premten, prej orës 19:30, në sallën AMC. Nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisaëa, do të interpretohet Simfonia Nr. 1 nga Mahler (Premierë kosovare) dhe tri vepra simfonike nga Lorenc Antoni.

“Ky koncert i përmasave të mëdha ka sjellë në Prishtinë instrumentistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Zvicra të cilët i janë bashkuar instrumentistëve të Filharmonisë së Kosovës , thuhet në njoftimin e këtij institucioni në Facebook.

Mbramja

Poezi nga Esad Mekuli

Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërten shami,
n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra në borë-
flakron përëndimi…Retë mbi krye prorë
ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.

…Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:
cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime,
malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,
si të humbet jeta-xho gja u nxi, u zhduk.

N’ajri ndihen klithmat e natës që ra-
drujt pran rrugës era i përkund…
Ndërsa drita e bardh, e tretun dikund,

shigjeta të flakta mpreh errësinës me i ra.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
në mes të natës prehen n’lugin me andrrime. /KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me kryeshefen e MCC-së, e falënderon për marrëveshjen 236 milionëshe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.

Osmani tha se Albrightin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë së Kosovës.

“Në Neë York, e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë në Kosovë, përmes marrëveshjes historike në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e e cila po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë”, shkroi Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Më 22 korrik të vitit 2022, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emër të Kosovës e pati nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej 236.7 milionë dollarëshe.

Performanca e jashtëzakonshme me instrumentin e Organos përmbyll edicionin e 19-të të DAM Festival

Vjollca Duraku

Një performancë e jashtëzakonshme me një zhanër të ri që gërsheton muzikën klasike, elektronike dhe artin vizual është dhuruar në natën përmbyllëse të edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “DAM”, nga organisti Ràkàsz Gergely.

Plateja e Pallatit të Rinisë, me gjithë mangësitë e saj, të dielën mbrëma u shëndrrua në një sallë interpretimi të rrallë artistik. Instrumenti i Organos ishte kryefjala. I vendosur në qendër të sallës, ky instrument i veçantë me tre palë taste dhe shumë butonë fillimisht tërhiqte vëmendjen e publikut, duke shtuar pastaj edhe kuriozitetin mbi atë që do të dhurohej në koncertin “Lords of the organ”.

Pak pas orës shtatë të mbrëmjes, në podium doli artisti karizmatik Gergely, dhe  pas përshëndetjes me “Mirëmbrëma” ai filloi interpretimin e tij të jashtëzakonshëm, të kalitur me realizimin e mbi 2000 koncerteve  të mbajtura në Hungari, Evropë dhe Amerikë.

Krejt e veçantë ishte edhe loja e tij. Një profesionalizëm i paparë. Interpretimi të merrte me vete, kur në ekranin përballë tij paraqitej kjo performancë unike, që dhurohej me shtypje të tasteve dhe pedaleve me duar dhe këmbë. Ndërsa tingujt që jehonin në sallë përmes veprave të kompozitorëve të shquar botërorë, duke paraqitur periudha të ndryshme artistike, shënonte vërtetë një lloj arti të veçantë, të paparë deri më tani.

Veprat të cilat u interpretuan  në këtë mbrëmje ishin: “The four sesason’s- Winter”- Antonio Vivaldi, “Rhapsody in Blue”- George Gershwin, “The Planets”- Gustav Holst dhe “Beautify Thyself, O Dear Soul”- Johann Sebastian Bach.

Vepra e parë e cila u dha në koncert qe kryevepra e Antonio Vivaldit “Katër Stinët-Dimri”, e cila në prapavijë shoqërohej edhe me imazhe të stinës së dimrit. Ashpërsinë e stinës e theksonin tingujt me tone më të larta, përderisa pamjen panoramike të vendbanimit me borën kristal e paraqisnin tingujt fare të lehtë.

“Beautify Thyself, O Dear Soul” nga Johann Sebastian Bach ishte pika e dytë interpretuese e cila po ashtu shpërfaqi gjithë mjeshtërinë e solistit që këtë herë vinte së bashku me violonçelisten Dorottya Dénes, e cila dhuronte tinguj që jepnin ndjesi të thellë, pasi vetë vepra konsiderohet himn i repertorit liturgjik . Në prapavijë një fontanë klasike plotësonte mozaikun e mbrëmjes.

“Rapsody in Blue” kryevepra e kompozitorit George Gershwin vazhdonte rrëfimin e saj  e treta në radhë, përmes imazheve të qytetit të New York-ut dhe tingujve që ngjasonin në pianistikë. Ndërsa, vepra  “Planetet”    nga Gustav Holst u dha krejt në fund të ngjarjes, me melodi të jashtëzakonshme të cilat sikur paraqisnin harmoninë e sistemit diellor. Në prapavijë paraqiteshin edhe pamje me planete, një grua shtatëzënë që lindtte jetë të re, dhe një bimë në rritje që ndërlidhej me rritjen e fëmijës.

Solisti Rakasz Gergely i cili për herë të parë ka interpretuar në Prishtinë, në një prononcim për media ka thënë se publiku në Prishtinë veçse ia ka rrëmbyer zemrën.

“Shumë njerëz kur mendojnë për organon u shkon mendja për muzikën në kishë, por ky është edhe një instrument për të bërë show. Organot e para janë prezantuar në Romën antike të konstruktura për t’u bartur me karroca kau në arenat e gladiatorëve, ato ishin forma e argëtimit për masën dhe të gjitha koncertet e mia janë të tilla, argëtuese për publikun”, ka thënë Gergely, me shpresë që ky nuk do të jetë koncerti i tij i fundit në Prishtinë.

Ndërsa drejtori i Festivalit, Dardan Selimaj, ka falënderuar Ambasadën Hungareze për mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij koncerti.

“Jemi të lumtur që Ambasada Hungareze ka qenë e gatshme për të realizuar këtë koncert, i cili është i veçantë sepse në skenën tonë nuk kemi mundësi që të dëgjojmë organistë sepse në momentin kur ne dëshirojmë t’i ftojmë ata, ne nuk kemi instrument ku mund të luajnë. Kjo ka qenë një mundësi e rrallë, dhe për ne ka qenë kënaqësi qe kemi arritur ta kemi pjesë të festivalit”, ka thënë organizatori Selimaj, duke i dhënë disa detaje për instrumentin e Organos, dhe për zhvillimin e idesë për të realizuar një koncert të tillë.

“Ekziston një Organo në Katedralen e Prishtinës, mirëpo nuk është e përshtatshme për të dhënë një koncert të formatit të tillë. Kjo është një Organo elektrike, që megjithatë e sjell magjinë dhe tingullin e Organos. Kam dëgjuar koncerte të organistëve nëpër salla koncertesh ku Organot janë të jashtëzakonshme dhe kam pasur gjithmonë dëshirë që atë tingull ta sjellim edhe në Prishtinë. Me vjen mirë që sonte sadopak publiku ka pasur mundësi për ta dëgjuar dhe për ta parë”, ka shtuar më tej organizatori.

Gjithashtu, Selimaj ka bërë të ditur se edicioni jubilar i 20-të i Festivalit do të shënohet me vetëm një ngjarje, nga i cili vit edhe do të ndryshojë rrjedha e “DAM” duke u fokusuar në Garën e Kompozitorëve të Ballkanit.

“Viti i ardhshëm nuk do të ketë një edicion të 20-të, do të ketë vetëm një ngjarje e cila do të përmbledhë rrugëtimin 19-vjeçar të Festivalit. Festivali DAM në formatin kështu siç është përmbyllet me këtë edicion. Nga viti i ardhshëm organizata do ta ketë fokusin te gara e Kompozitorëve të Ballkanit, ngjarje që do të organizohet një herë në dy vjet”, ka përfunduar drejtori Selimaj.

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës- DAM Festival është mbajtur nga data 18 deri më 22 shtator, dhe para publikut ka sjellë artistë të shquar botëror./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Adresa e agresionit në Banjskë është Beogradi zyrtar

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është adresa kryesore e agresionit në Banjskë dhe e fshehjes së Milan Radoiçiqit, kryesuesit të grupit serb, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Në akademinë përkujtimore për heroin Afrim Bunjaku, ai tha se qëllimi i agresionit në Banjksë ishte i aneksimit të veriut të Kosovës.

“Prijësi i këtij grupi ishte vet Milan Radoiçiq kriminel i profilit të lartë që nënpetkun e një politikani aktiv në Kosovë prej vitesh kishte zbatuar urdhra kriminal nga Beogradi. Ai kishte trajtuar një rrjet të gjerë parapolitik në trajtën e  një bande mafioze e një grupi terrorist me të cilin e kishte mbajtur nën kontroll pothuajse gjithë veriun e Kosovës me anë të frikësimit, terrorit dhe shantazhit”.

“Që nga ajo ditë Radoiçiq është kërkuar nga shteti i Kosovës, kurse është fshehur nga shteti i Serbisë. Aktakuza e ngritur ndaj tij së fundi nuk është vetëm një kusht juridik edhe një denoncim ndaj një tentative të dështuar në trajtën e një terrorizimi shtetëror të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës”.

“Adresa e vendimit politik e planifikimit operacional e urdhërdhënies institucionale dhe adresa e fshehjes së ekzekutuesve të këtij akti agresioni me qëllim të aneksimit të një pjesë të territorit të Kosovës është Beogradi zyrtar, dhe vet shteti i Serbisë”, ka thënë Kurti.

Muharrem Qena, artisti i pesë kaheve

Nga: Sinan Gashi

Njeriu që është i tëri talent në vend si mish e kockë, i tëri përkushtim në vend se lakmi, i tëri sakrificë artistike në vend se pushtet, është pa mëdyshje Muharrem Qena.

I nisur një rruge të re jetësore e artistike, të parespektueshme për fillimin, aktori i lindur dhe ambiciozi i pashoq, që ta shpreh mendimin e idetë e veta të ngritura në mesazhe artistike, është i riu nga Mitrovica i viteve 1930, i cili përherë, derisa ia mundësoi shëndeti e mosha, nuk rreshti së dëshmuari se do, se mundet dhe se di ta begatojë jetën e njeriut, atë begati ideore e shijojë që e kishte në qenjen e vet.

Ai nisi rrugën e re, atë të aktorit, atë të artit teatral, që në vendlindje për të bërë shfaqje teatrale, duke tubuar rreth vetes grup entuziastësh dhe duke dëshmuar se ky është një art i ri dhe tejet i nevojshëm edhe për ne në Kosovë. Pas një kohe, ai nisë shkollimin profesional për aktor teatri e filmi në Beograd, për ta ndërprerë vetëm sa mësoi nismat e zanatit, kur dhe do kthehet në Prishtinë, për t’ia vënë themelet teatrit të parë profesionist në Kosovë. Me një grup shokësh tashti të ndjerë, ai krijon adhurimin e shikuesve, të cilët përditë e më shumë aktualizojnë këtë lloj arti. Edhe pse në kushte të rënda dhe nën një përcjellje të regjimit sllav, i cili kontrollonte temat e dramave, ata detyrimisht nisën me drama të përkthyera nga gjuhët e huaja, por që mundësisht të anonin kah vlerat njerëzore e univerzale. Madje edhe regjisorët ishin nga të huajt. Regjisori i parë që inskenoi dramën “Besa” të Sami Frashërit, por edhe shumë pjesë të tjera nga dramaturgjia botërore, ishte Muharrem Qena.

Kronologji e një jete të begatë

Vitet kronologjike të jetë – krijimtarisë së Muharrem Qenës, mund të radhiten këso forme: Më 1930 është i lindur në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore, kurse të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1947 pranohet student në shkollën e lartë të filmit në Beograd. Në kohën zgjatore 1948-1955 ai është në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, edhe si aktor edhe si regjisor. Ai kreu njëkohësisht edhe punën e dramaturgut, për shumicën e dramave të interpretuara, që ishte një intervenim i domosdoshëm për përshtatjen e teksteve të dramave të huaja për kërkesën tonë të mesazheve kombëtare.

Në vitet 1955 dhe 1956 ai kthehet regjisor në Teatrin e atëhershëm profesional Popullor të Mitrovicës, pra për dy sezona. Shfaqjet kulmojnë veçanërisht në rolet kryesore të dy aktorëve talentë të përhershëm: Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit – Qena. Pastaj, pasi mbyllet ky institucion, kthehet në Teatrin e Prishtinës, ku përgatiten edhe dramat: “Besa” e Sami Frashërit, pastaj “Nuk martohem me pare” e Murteza Pezës, “Mërgimtarët”, melodramë e maqedonasit Anton Parov, “Hani në rrugën kryesore” e Anton Çehovit, “Zhorzh d’Andoli” e Molierit, “Zonja me kamielje” e Aleksandër Dyma – Birit, e mjaft të tjera. Këto ishin në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Ai nga viti 1972 deri 1973 punon në Prizren, për teatrin e atëhershëm profesionist. I përgatit nja dy vepra dramatike. Në detyrën e regjisorit punoi edhe në Teatrin e Gjakovës, ku realizoi “Fisheku në pajë” të dramaturgut shkodran Fadil Kraja, e cila edhe ishte realizim për përpunimin e këtij teatri si profesionist. Kishte punuar një kohë edhe në teatrin e Shkupit, si regjisor mysafir.

Vepra që mbeti antologjike dhe që fitoi të gjitha shpërblimet e një festivale, ishte “Erveheja”, e dramatizuar sipas veprës së bejtexhiut Muhamet Kyçykut – Çamit. Edhe pse në pllakatë shkruante se është dramatizuar nga Ahmet Qirezi, gjithsesi ishte intervenimi thelbësor i Muharrem Qenës, i cili me përvojën regjisoriale që kishte, i dinte mangësitë dhe domosdoshmëritë e tekstit në raste.

Në festivalin e teatrove profesioniste të ish-Jugosllavisë, në Novi Sad, në një konkurencë të fortë, të gjitha shpërblimet e mundshme i ishin dhënë kësaj shfaqjeje, edhe për regji, edhe për aktrim, edhe për muzikë, edhe për skenografi. Aktivitetin profesional e përmbylli në TV, atëherë të Pristhinës, si regjisor në redaksinë e dramës, ku përgatiti seriale për fëmijë, dramën “Miu në xhep” të Hivzi Sulejmanit dhe një sërë programesh kulturo-artistike, dokumentare e zbavitëse, kryesisht për programet festivale për vitin e ri.

Muharremi si aktor filmi

Prirja e tij aktoreske, manifestohet natyrshëm dhe tepër me talent jo vetëm në dërrasat e teatrit, por edhe në film. Roli i parë ishte ai i ballistit, në filmin “Kapiten Lleshi”, film në temë nga LNÇ-ja. Më pastaj, në filmat e autorëve të Kosovës, aktivizohet në “Proka” të Isa Qosjes. “Njeriu prej dheu”, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, e disa të tjerë. Edhe pse në role episodike në raste, ai në çdo rast jep shenjat e një aktori të përkushtuar, i cili zbulon talentin dhe përshtatjen natyrshëm me karakterin e personazheve të ndryshëm, natyrisht nga filmi në film. Futet thellë në botën e rolit, për të dhënë me bindshmëri karakterin e tij dhe ngjizjen reale në raport me personazhet e tjerë dhe rrjedhën e ngjarjes në tërësi.

Muzika, një dhunti tjetër natyrore


I binte kitarës që në rini, duke emituar melodi të adhuruara të kohës, nga muzika jonë si dhe ajo e huaja. Po ashtu, gjatë ekzekutimit, edhe nxirrte tinguj që ishin origjinalë, që, më vonë, pasi ua shtonte tekstin, bëhej këngë e lehtë fort e adhuruar nga dëgjuesit. Edhe zëri melodik dhe fort karakteristik, që vështirë të emetohej nga dikush tjetër, bëri që disa nga ato këngë të mbesin hite. Tashti, këto ditë, u bë përurimi i më se njëzet këngëve të tija në një CD, në nis e me “Kaçurrelen” edhe sot aktuale, pastaj me “Shokut”, “Pa ty”, “Lamtumirë, “Kënga e çobanit”, e mjaft të tjera. Ajo që dëshmon përkushtimin edhe këtu, madje, është interpretimi i disa këngëve edhe në dy a tri variante, si me “Kaçurrelja” apo “Lamtumirë”. Ishte edhe koautor në disa nga këto këngë, por kanë ngelur disa interpretime të tjera që nuk janë përfshirë në këtë botim CD-je.

Muharrem Qena dhe Katarina Josipi në një skenë drame


/Muharrem Qena në vitin 1982, në Prishtinë, botoi dramën e vetme titulluar “Bashkëshortët”, e cila që nga titulli na fut në problemin me bashkëkohore dhe më aktual, atë të jetës bashkëshortore në shoqërinë shqiptare, paksa të vonuar. Muharremi, me përvojën e madhe të dramaturgut të veprave të përkthyera për teatër, mandej me përvojën e shumtë të inskenimeve të veprave të huaja dhe asosh origjinale, diti me saktësi se çka kërkon drama si zhanër, duke hedhë edhe talent prej artisti, në digresionet e rënjet e katarakteve emocionale në jetën e bashkëshortëve, për ta mbajtur lexuesin, përkatësisht shikuesin, në ankth deri në fund të përmylljes. Ai po ashtu kishte shkruar tekstin për operetën “Hoxha me tri fletë”, që në bashkëpunim me kompozitorin Rexho Mulliqi mendonin ta realizonin, por vdekja e atij e la përgjysëm projektin. Sido që të jetë, disa nga tekstet e këngëve të interpretuara nga ai dhe këto vepra të botuara, dëshmojnë edhe këtë kahje të dhuntisë krijuese.

Muharrem Qena duke e kënduar “Kaçurrelen” e famshme

Në përmbyllje

Ngase tani ai është në moshë të shtyrë dhe i pamundshëm për të krijuar në çfarëdo lëmie të dëshmuar artistike, mund të themi si rezyme, se Muharrem Qena, aktori, regjisori, këngëtari, dramaturgu, shkrimtari, dha këtë rezultat tashti shifror: Në 200 shfaqje ishte regjisor, në dhjetë drama aktor, luajti në pesë filma, interpretoi më se njëzet këngë të lehta dhe shkroi një dramë e një operetë.

Neve, gjeneratave të tanishme, na la mesazhin se dinte shumë nga sfera e artit, po jeta është e shkurtër për të shkuar deri në fund për të gjitha. Ajo që ishte kulminantja e forcës së tij, përgatiti për aktor dhjetra talentë, që u mungonte shkolla profesionale por kishin talentin. Kështu edhe erdhëm në ditët tona, të shkollave profesionale aktoreske, për teatër, film e regji. /KultPlus.com

Marie Kraja, diva që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte gruan për gjithçka

Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë në Kroaci, në vitin 1911.

Ajo dallohesh për një natyrë të qeshur por më shumë për një këngëtare të rrallë me një timbër të qartë muzikor në kanto. Zëri i saj i pastërt dhe i kthjellët ishte një mrekulli në publikun shqiptar të prapambetur të kohës kur u zhvillua ajo. Kishte një dinamikë të qartë të qëndrueshmërisë të vokalit të saj.

Që e vogël bashkë me familjen ajo vendoset në Shkodër. Më pas duke filluar nga 1930 ajo studion si shumë shkodranë në Graz të Austrisë deri në vitin 1934.

Shkodra edhe sot gjysma këndon, gjysma bën humor, ose më mirë gjithë shkodranët kanë për zemër aq shumë artin, sa gjysma e shkodranëve edhe sot dalin artistë, gjysma kanë dialog aq të këndshëm sa të ofrojnë me këndshmëri kulturën e tyre.

Marije Kraja herë-herë interpretonte kur studionte në Austri kompozimet e Bethovenit, Brunkerit, Vangerit, Pucinit, Verdit e Moxartit. Kryevepra këto që të bëjnë madhështor dhe profesionist në profesion ashtu si ishte edhe ajo, një yll i muzikës kombëtare.

Me tipare të qarta sopranoje, ajo mishërohet profesionalisht në kumbimin e zërit në rolin e Ollgas në operan “Rulaska”, në vitin 1950.

Në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, gjë që ishte një kontribut edhe për muzikën shqiptare që të merrte një karakter ndërkombëtar.

Ajo solli një traditë të re të kantos në Shkodër krahas femrave të tjera përparimtare në muzikë siç ishte Tefta Tashko Koço. Ishte një nga femrat përparimtare që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte femrën për gjithçka.

Fare mirë ajo mund të quhej shumë e emancipuar sa ishte e gjithë Shkodra me kulturën e saj të dalluar. Një femër e një lloj Hollivudi shqiptar ku përulesh me repsekt.

Njësoj si sopranoja e famshme dhe kolegia Tefta Tashko Koço, të dyja bashkë u munduan me mish e me shpirt për të sjellë një repertor të këngëve tradicionale popullore shqiptare dhe ia dolën. Kjo traditë është e fuqishme edhe sot në instrumentistë dhe muzikologë klasikë që e dashurojnë me zemër muzikën e tabanit popullor nga janë rritur.

Kur ajo këndonte shpërthente në zërin e saj i rrjedhshëm si një perlë e rrallë e muzikës. Krah për krah me Ibrahim Tukiqin, në këngën “Kush më rri karshi karshi” vjen, aq kumbues, sa i tejkalon instrumentat dhe kumbonin tek artdashësit. Zëri i saj rrjedh si burim pa ndalesë dhe gjithmonë shpërthen ëmbël. Ka një vazhdueshmëri të njëtrajtshme të shpërthimtit të vokalit të saj në çdo këngë e sidomos këngëve popullore që ajo i donte aq shumë.

Në vitin 1936 është pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjë që kontribuoi në ngritjen e një gjenerate të re dhe me mendim ndryshe për kulturën dhe muzikën. Kushedi sa këngëtarë të njohur dhe të dëgjuar kanë kaluar nga kjo femër e jashtëzakonshme e operas shqiptare.

Në 1946 ajo punon në Radio-Tirana dhe Liceut Artistik ‘’Jordan Misja’’.

Në vitin 1962 ajo është pedagoge Konservatorit Shtetëror të Tiranës ku vazhdon derisa mbaron karrierën e saj të plotë e del në pension në vitin 1966.

Është një nga gurët e themelit të muzikës operistike dhe të këngës në Shqipëri dhe një nga zërat më të rrallë. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para në premierën e parë të këtij institucioni. Ajo merr pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare ‘’Mrika’’.

Aktiviteti i saj jashtë Shqipërisë është i dendur dhe i pasur ku ndër të tjera kalon në skenat e mëdhaja të shteteve të Italisë, Austrisë, Gjermanisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik.

Ajo u rrit, u mbrujt dhe bashkëpunoi me një grup të madh artistësh që në vetvete ishin të gjithë divë të muzikës si Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ka marrë pjesë në emër të Shqipërisë në Vjenë në “Mbrëmjen e kombeve me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.

Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me profesorin dhe pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Ky profesor ishte i njohur me bashkëpunimin e tij me të gjitha këngëtaret e njohura të kohës.

Disa nga rolet kryesore të veprave artistike  që ajo i zhvillon me një profesionalizëm të lartë janë në operat shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Pasioni i saj i madh ishte mbledhja dhe kënga popullore ku dallohen 300 këngë popullore sidomos nga zona e veriut të Shqipërisë të mbledhura nga qytetet Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj ku u ruajten në institucionin e Radio-Tirana si fond i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Disa nga këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja mund  të përmendim:

“Çila sytë me të pa”,

“Dola në penxhere”,

“Marshalla bukurisë sate”,

”O bilbil, i mjeri bilbil’’

‘’Unë ty moj të kam dashtë’’

‘’Të martoj nana’’

‘’Midis t’ballit ma ke një pikë’’

‘’Iftida moj Lulja e Allit’’

‘’Vetë më ke çu fjalë’’

‘’Moll e kuqe topsheqere’’

“Çilni ju moj lule”.( kënga e parë e regjistruar në pllakë gramafoni në 1940)

Maria ka pasur dhe peripeci në lidhje me sistemin komunist ku ishte shënjestruar si një eksponent që vinte siç thuhesh nga ajo kohë me ‘’biografi të keqe’’ ku mendohesh se nga familja e saj kishin pasur lidhje me eksponentë të nazizmit për t’u gjetur mënyra që të kryqëzohesh artistikisht, dhe një mënurë për ta demigruar.

Megjithatë, ngeli në zemrën e publikut gjithmonë një krenari e këngës shqiptare dhe një profesioniste me rang botëror në mënyrën e interpretimit. Një këngëtare virtuoze që nderoi Shqipërinë.

Në Tiranë janë organziuar evente si “Konkursi Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marie Kraja” me pjesëmarrje vokalistësh nga vende të ndryshme të botës.

Ajo mban titullin më të lartë artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

U nda nga jeta në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet gjithmonë me respekt.

Maria Kraja erdhi si një mrekulli e këngës shqiptare në një kohë të vështirë për Shqipërinë, dhe si një njeri e dashur dhe e ngrohtë për të gjithë artdashësit që e kanë shumë për zemër në repertorin e saj, ajo ishte me plot gojën yll i muzikës klasike. Iku si një divë e plotësuar dhe e përmbushur.

Ajo rivjen sërish me këngët e saj të kullura nga burimi i pashtershëm i kulturës që ajo e dashuroi gjithë jetën e saj. /EugentKllapi/ KultPlus.com

Rama: “Kapedani” i restauruar, xhevahir i artit shqiptar për të gjithë brezat

Filmi ikonë “Kapedani” i është nënshtruar restaurimit në 4K, duke bërë që ky xhevahir i artit shqiptar të jetë i paprekshëm për të gjithë brezat.

Filmi i restauruar do të shfaqet sot në orën 19:00 në Kinema “Milenium”, me titra në anglisht, ndërsa biletat do të jenë falas.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pjesëza të shkëputura nga ky film, i cili mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”.

Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE- Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA.

“Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

“Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushëbeteje.

Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike./KultPlus.com

“Carmen” nga Barcelona Flamenco Balet hap edicionin e 12-të të FemArt

Në një kohë kur bota përballet me vuajtje të njëpasnjëshme dhe dhunë të përhapur, mesazhi i “Motërzimi: n’Kohë Lufte Dhe Paqe” vjen si një thirrje e fuqishme për bashkim dhe solidaritet në festivalin FemArt.

Në këtë edicion të 12-të, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 30 shtator 2024, mbi 200 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga 15 shtete do të bashkohen për të promovuar artin, aktivizmin dhe dialogun feminist, duke krijuar një hapësirë për të avokuar për paqe dhe të drejtat e njeriut.

FemArt nis më 25 Shtator, 2024 me artistët e shquar nga Barcelona Flamenco Balet, që para publikut do të prezantojnë krijimin e tyre më të ri artistik “Carmen”. Një interpretim unik dhe modern i operës së famshme të Bizetit. Kjo shfaqje përzien flamenkon me baletin klasik për të sjellë në skenë mesazhin e lirisë dhe guximit të gruas, një thirrje universale për të drejtat e barabarta. Me një përzierje magjepsëse të pasionit dhe dhimbjes, Carmen paraqitet si një simbol i gruas që sfidon një botë të dominuar nga burrat, duke na ftuar të reflektojmë mbi luftën e vazhdueshme për barazi gjinore.

FemArt do të ofrojë 30 aktivitete, që përfshijnë shfaqje teatrore, performanca artistike, punëtori, panele diskutimi, koncerte, publikime dhe filma, të gjitha të dizajnuara për të inkurajuar veprimin dhe dialogun për paqe, e angazhimin për barazi./KultPlus.com

Nisi edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART”

Mbrëmë, në një ceremoni solemne, në prani të krijuesve, artistëve, përfaqësuesve shtetërorë, etj, u bë hapja e Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART”, edicioni i 13-të, me temën “Kosova ime e bukur”.

Organizatori i këtij festivali, Muhamet Ahmeti-Metis, në fjalën e tij hyrëse, tha se në këtë manifestim kulturor po marrin pjesë 35 artistë të njohur nga 14 shtete të botës. Ky edicion është shumë i ngjeshur me aktivitete të ndryshme, siç janë vizitat në vende të trashëgimisë kulturore të Kosovës, debate, tryeza, etj,  për t’i realizuar veprat e tyre artistike me temën “Kosova ime e bukur”.

Këto vepra do t’i shihni në ekspozitën kolektive, që do të mbahet në FLORI GALLERY në Prishtina Mall, me datë 28 shtator 2024, duke filluar nga ora 19:00.

Ndërsa, nënkryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ceki se në këtë festival artistët tanë krijojnë njohje dhe bashkëpunime me artistët ndërkombëtarë. Sa më shumë që organizohen festivale të tilla është në të mirën e vendit tonë.

Në hapje e këtij edicioni u paraqitën edhe disa pika skenike nga aktorët e Kosovës.

Kjo ceremoni u organizua në ambientet e Holiday Resort – “Buquku”, në Sllatinë.

Sponsor i Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART” edicioni i 13-të janë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. Gjithashtu festivalin e përkrahën edhe Flori Gallery në Prishtina Mall dhe Stone Castle nga Rahoveci.

Festivali do të jetë i hapur nga 22- 29 shtator 2024./KultPlus.com

Piktura e famshme që mund të shitet për 95 milionë dollarë

Një pikturë e rrallë nga seria e famshme e René Magritte “L’empire des lumières” vlerësohet të shitet për më shumë se 95 milionë dollarë në Christie’s New York këtë vjeshtë.

Piktura pritet të thyejë rekordin e artistit surrealist Magritte.

“L’empire des lumières”, nga viti 1954, është një nga 27 pikturat në të cilat Magritte eksploronte dritën duke pikturuar një qiell me diell mbi një skenë të errët rruge.

Në vitin 2022, një vepër tjetër në serial gati trefishoi rekordin e mëparshëm të artistit belg kur u shit për 59.4 milion £ (atëherë 79.7 milion dollarë) në Sotheby’s në Londër.
Punime të tjera që do të përfshihen në shitjet e koleksionit përfshijnë pjesë të emrave të njohur si Joan Miró, David Hockney dhe madje edhe një foto Polaroid të Ertegun të bërë nga Andy Warhol.

“L’empire des lumières” e Magritte kap filozofinë e tij estetike të ekuilibrit dhe përmbajtjes”, tha Max Carter, nënkryetar i Christie’s. “Një ikonë e surrealizmit, kjo vepër e veçantë e Magritte është padyshim më e mira, e interpretuar me mjeshtëri dhe më e bukura e serisë.”

Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave do të shkojë për iniciativat bamirëse, tha një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve./vizionplus/KultPlus.com