Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon, Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do, Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.
Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.
A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di! Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.
Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata./KultPlus.com
Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun ne shkretinën e paanë të vetmis. Rrin dhe rrënkon e flet me gjuhën e heshtjes… Nji barkë u nis prej limanit, atëherë kur deti ishte plot valë. Stuhi! Stuhi…
N’at barkë lundronte nji zemër, zemër … Stuhi…Barka hepohet, barka anohet… Barka dhe vala… Ej, oj…Zemra mbi barkë… Stuhi…
Vala mbi barkë e zemër… Oj…Zemra u fundos… Ej, mbi det nji deshirë… Ah…Valet e muerën… / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka vënë sot në fokus lumin Vjosa, duke e cilësuar atë si një destinacion të veçantë për rafting dhe sportet ujore.
“Me adrenalinën në Vjosë, mbretëreshën e lumenjve të egër dhe të të apasionuarve pas përvojave në rafting dhe sporte ujore”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke e promovuar këtë zonë si një pikë të rëndësishme për turizmin e aventurës.
Lumi Vjosa është një dëshmi e bukurisë së jashtëzakonshme dhe biodiversitetit që mund të ruhet kur natyra mbetet e paprekur.
I vendosur midis maleve të thyera dhe fushave bregdetare, lumi Vjosa është përcaktuar si një zonë e mbrojtur, duke mbrojtur ekosistemet e tij të pacenuara dhe duke siguruar vendin e tij si një thesar natyror.
Zonat e mbrojtura luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrit delikat të ekosistemeve të planetit tonë dhe përcaktimi i lumit Vjosa si i tillë nënvizon rëndësinë e tij.
I shtrirë nga mali i Gramozit, deri në detin Jon, lumi krijon një habitat të rëndësishëm për një llojshmëri të larmishme flore dhe faune. Ujërat e tij të pastra kristal dhe të freskët ofrojnë një strehë për lloje të ndryshme peshqish, bimësh ujore dhe një mori specie zogjsh që varen nga rrjedha e tij e patrazuar.
Ajo që e veçon lumin Vjosa është gjendja e tij e paprekur dhe e pandryshuar.
Lumi Vjosa nuk është vetëm një strehë për biodiversitetin, por edhe një burim vlerash kulturore dhe rekreative. Komunitetet lokale që jetojnë përgjatë brigjeve të tij kanë një lidhje të thellë me lumin, duke u mbështetur në burimet e tij për jetesën e tyre.
Për më tepër, lumi tërheq turistë të shumtë, entuziastët e natyrës dhe kërkuesit e aventurave, të cilët tërhiqen nga peizazhet e tij të pacenuara, duke ofruar një përvojë unike./atsh/KultPlus.com
Në 88-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Anton Pashku, KultPlus ua sjell një fragment nga romani i tij ‘Oh’:
Ajo vuri buzën në gaz. Ai, prap, vazhdoi të kërkonte me shikim nëpër mal. Edhe njëherë tha:
“A thue, ku do të jetë ?”
“A mos të ka humbë gja?”
“Gjithmonë po më humb nga nji.”
“E ç’asht ajo që po të humb?”
“Paj, kurrë nuk i po i kam bashkë të gjitha delet. Gjithmonë po me humb nga nji. Qe, edhe tash më ka humbë nji. S’e din, s’ka llugë ku nuk kam lypë. A thue, kah do të ketë vojtë e bekuemja?”
“Ndoshta në ndonji zguer lisi! ” – ndërhyna papritmas.
“Mos u mahnit!” – tha ajo dhe, sigurisht tue dashtë mos me e lanë plakun ma me kthye, shtoi me nguti: “ke, plak, shumë dele?”
“Unë e di se i kam njiqind, por sa herë më dalin nandëdhetenandë. Giithmonë mungon nji dele. Qe, tash mungon larëza. Sa herë që humb kjo larëza, mue më bien kambët tue e kërkue nëpër mal. Aty e sheh, aty s’e sheh! Aty asht bashkë me të tjerat, aty humb si shurra e pulës!”
“Por, ty po të humbkan të tjerat, tue lypë larëzën!”
“Humbin, ç’me ba!”
“Po ç’ban kur e gjen larëzën e të tjerat të humbin nëpër mal?”
“I lypi.”
“A i gjen?”
“Paj… hëm… i gjej.”
“Të njiqindtat?”
“Eh, – tha plaku-jo.”
“Po?”
“Të nandëdhetenandtat.”
“Eu, po ty prap po t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindtën!”
“Ani.”
“Dhe ti i qepesh malit?”
“I qepem, pra.”
“Vazhdimisht?”
“Gati për ditë.”
“Tashë, gjithmonë më mungon nji.”
“Po ti gjithmonë i paske, në të vërtetë, vetëm nandëdhetenandë!”
“Ani.”
“Ti kurrë nuk i paske njiqind!” – tha ajo. “Nuk e di pse po u lodhke aq shumë tue kërkue nëpër skutat e malit?”
“Pse gjithmonë më mungon nji dhe unë due ta gjej.”
“E kur e gjen, prap mbetesh pa nji!”
“Mbetem. Por, ani. Përsëri dal me e gjetë… Tekembramja , mue më pëlqen të kërkoj; mali asht aq i egër dhe i butë, aq i vrazhdë dhe i bukur.”
“Mal ma!” -thash unë tue u gojisë.
Plaku tash heshtte; më shitonte me sytë e tij të vegjël, buza e poshtme i dridhej, më dukej se edhe mustaku i luente dhe mue, për çudi, tash më vinte keq pse i thashë: “Mal ma!” Po, megjithëkëtë, nuk tha gjë. Vetëm se rrotulloi sytë kah mali, mandej u kollit dhe shikimin e paloi në pyramidën e saj, që ishte në ndërtim e sipër. Më erdhi mirë thuese prej zemrës më ra diçka e pashpjegueshme që më randonte në ato çaste, kur ajo i dha fund heshtjes:
“E, ç’ban ti kur kërkon nëpër mal?”
“Eci.”
“Dhe?”
“Eci dhe futem nëpër lluga.”
“Futesh dhe … ?”
“Futem nëpër zguer; kërkoj. Dal. Eci, hajt bir, nëpër mal.”
“Hajt bir, dhe … ?
“Ndigjoj malin. Ndigjoj turrecin.”
“E ndigjon, dhe … ?”
“Kurrë, – tha plaku, – turreci nuk më ka mundë, kurrë.”
“Kurrë, dhe … ?”
“Dhe eci.”
“Ecën?”
“Nganjiherë za thue, por gohem dhe eci, hajt bir. Mali, ky
mali im, asht i bukur.”
“I bukur, dhe … ?’
“Do të ishte edhe ma i shpeshtë, edhe ma i bukur, sikur të mos jipte bishta për sakica.-
“Hëm, për sakica dhe …?”
“Dhe? Grithem, përgjakem aty-këtu, tue përshkue nëpër mal, ku dëgjohet aulina e ndonji qeni dhe ulurima e ndonji ujku. Mirëpo unë eci, hajt bir, prej lluge në llugë, prej zgueri në zguer, prej lisi në lis.
“Pre lisi në lis, dhe … ?”
“Ndalern dikur.”
“Dikur, dhe….. ?”
“Sodis.”
“Malin, dhe…?”
“Kërkoj të njiqindën me shkrim”
“A e sheh?”
“Pai, nganjiherë e shoh, por më humb para sysh, kur kujtoj se e kam krejt afër. Nuk më lëshon zemra: vazhdoj t’a kërkoj. Dhe prapë, grrithem, përgjakem tue u përshkue nëpër mal.”
“Dhe?”
“Eci”
“Dhe?”
“Ndalem, dikur,”
“Ndalesh dhe…”
“Ulem kur lodhem.”
“E?”
“Rri dhe njehi pikat e vesës në fijet e barit. Pikat e vesës janë.të bukura. Mbesin të bukura edhe mbasi avullohen. Mbasi të avullohen, ndoshta na duken se qenë ma të bukura se ishin. A s’asht kështu?”
“Ndoshta -tha ajo,- po kur s’ka vesë?
“Kur s’ka vesë rri dhe kujtohem.”
“Dhe?”
“Mendoj për barkën.”
“Për çfarë barke?”
“S’kam shumë barka. Çdokush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”
“Nji barkë!”
“Po, nji barkë që rri mes ujit. Ajo nuk mbytet, as nuk mbytet kurrë”
“Kurrë?”
“Kurrë.”
“As kur çohen valët e mëdha?”
“As kur çohen valët e mëdha sa bjeshka.”
“As kur bie shi?”
“As kur bie shi katërdhetë ditë në katërdhetë net.”
“As kur fryn?”
“As kur fryn duhia që shkul lisat e prapton latitë.”
” A fryn në këto anë?”
“Shpesh janë shkulitë lisat e praptue çatitë. Jo rrallë janë shkulë pemët posa kanë lidhë.”
“E barka ka shpëtue?”
“Barka ka qëndrue mbi valë. Kur asht thye ndonji bri i saj, ai bri asht zavendësue me nji prej lisave të shkulun.”
“Kjo qenka nji barkë e fortë.”
“Rrin dhe kurrë s’praptohet në ujë.”
“A e din sa asht e vjetër?”
“Askush nuk e mba mend kur asht punue. Mue ma ka lanë gjyshi.”
“Askush?”
“Ndoshta gjyshi i gjyshit… nuk e di.”
Ajo për nji çast heshti; shikoi piramidën e saj në ndërtim e sipër, piramidën prej rane, e ledhatoi me dorën e majtë dhe pyeti:
“A të duket e bukur kjo barkë?”
“Kur asht plot, duket fort e bukur. Duket, si me të thanë, duket nga bregu i ujit duket, si me thanë, duket si çiftelia. Luen mbi valë. Përkundet si zonjë… Luen mbi valët që sulen kah ajo, por ajo s’jau ven veshin. Luen. Dhe valët trenohen kur e shohin tue luejtë. Sulen kah ajo, por s’i bajnë gja. Ajo vazhdon me luejtë, barka -çifteli vazhdon me luejtë dhe prej saj përhapen tingujt, të cilët përpiqet me i gëlltitë zhumhuri i valëve. Shumë tinguj mbyten në zhumhurin e valëve, aty pranë barkë-çifteli. Disa të tjerë kërcejnë prej valës në valë dhe mbërrijnë deri në breg të ujit. Aty prap nisin të shumohen. Bahen aq shumë, sa nuk mund t’i njehë askush. Shkrihen në njani-tjetrin. Dalin prej njani-tjetrit. Kangë. Po, tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi. Çahet mjegulla. Shoh nji rriskë qiell dhe nji vetull mali. Qielli asht i murrmë, ajo vetull mali asht gjithashtu e murrmë. Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali. Tash e shoh tue u rrokulllsë qerrja e diellit. Qerrja e diellit rrokulliset me zhurmë e poterë. Zhurma e potera e qerres së diellit, që në rrokullisje e sipër thyhet e bahet copë-copë, mbyt çdo za: nuk ndihet shushurima e malit, zogjtë gurëzohen, hutini shikon lakuriqët e natës që fluturojnë në pikë të ditës, shikon dhe copat e qerres së diellit. Mugë. Në mugë shoh dy hije. Ecin ngadalë, drejt njani-tjetrit. Afrohen. Nuk flasin; kuptohen në heshtje. Shikojnë qerren e diellit, copat e saj para kambëve të tyne. Afrohet edhe nji hije. Edhe ky shikon copat e qerres së diellit. Që të tre marrin nga nji copë të qerres së diellit dhe e puthin. Mandej kthejnë kryet kah hutini që shikojnë lakuriqët e natës, të cilët fluturojnë në pikë të ditës. Kurse skaj tyne, filloj të shoh hije të tjera, që nuk ndalen, por vazhdojnë përpara; kalojnë pranë copave të qerres së diellit të rrokullisun, kur e ul ajo vetull mali dhe shkojnë në heshtje, njani pas tjetrit. Hijet. Shkojnë. Kryeulun. Të thuesh, nuk e çojnë kryet as kur pijnë ujë nga brojcat. Asgja nuk pipëtin. Ndëgjohet vetëm zhabllima e hapave të hijeve, që shkojnë kryeulun. Kurse hija e parë thotë: “Po shkojnë, ore breuk.”, ndërsa hija tjetër ia pret: “Po, ore desidat, po.”Hija e tretë vetëm dëgjon e nuk thotë gja; edhe ma tutje shikon vargun e hijeve që kalojnë skaj tij e copave të qeres së diellit. Shikon edhe hutinin që shikon lakuriqët e natës, të cilët dalin e fluturojnë në pikë të ditës. Mandej kthehen, hija e parë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet dhe këqyr hijen e tretë, mandej kthehen, hija e tretë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet, hija e dytë kthehet dhe këqye hijen e parë; në sytë e të tretëve ecin hijet, ecën vargu i hijeve që kalojnë skaj tyne. Ecin, hijet ecin. Dhe vetëm copat e qerres së diellit, para kambëve të tyne, nuk ecin. Kanë mbetë aty; nuk lëvizin. E këta shikojnë ato copa: qerrja e diellit nuk mund të ecë. Tash, nuk ecin as sytë e tyne.
——————————————————————
Ky fragment sjell dialogun ndërmjet Asaj (vashës) dhe Bariut, përmes të cilit arrihet shkallëzimi i rrëfimit drejt thellësive ilire. Biseda zhvillohet rreth numrit të deleve: bariu ankohet se i mungon gjithmonë një dele. Ndërsa ai gjithmonë nuk pushon së kërkuari pyllit të dendur, si në një udhëtim të pandërprerë. Gjithçka, edhe biseda, edhe rrëfimi për ngjarjen zhvillohen në një terren simbolik.: Humbja është e përhershme; kërkimi është i përhershëm. Toni ironikotragjik e bën më të prekshme, më të afërt në kohë dhe më intriguese idenë kryesore. Eu, po ty prap t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindën! Ani. Dhe ti i qepesh malit? I qepem pra. Vazhdimisht? Personazhi i bariut i afrohet figurës së Sizifit të dënuar përjetësisht, që me një shkëmb në krah t’i ngjitet malit dhe të rrokulliset poshtë për t’u ngjitur përsëri. Gjithashtu ky personazh përafron me personazhet absurdë të letërsisë bashkëkohore veçse i vendosur në një terren vendas. E njëjta ide shfaqet më pas me barkën që luhatet përjetësisht mes ujit dhe me kullën prej rëre. / KultPlus.com
Në Festivalin e 29-të të Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe me tekst të Jorgo Papingji.
Dashurinë e parë kush nuk e provoi Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi, E këndoi, e këndoi…
Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr, Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë Ku fluturoi dashuria jonë e parë, Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes? Një këngë e vetme jo nuk është rinia Por veç një dhimbje kam e do ta them, Se një prej këngëve është dhe dashuria Dhe këngë e saj ushton si një refren.
Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj Mos me thuaj s’ më ndihmon, Asnjëri s’do ta besojë. Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj. Të takoj,të takoj..
Dashurinë e parë kush nuk e provoi Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi, E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com
Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.
Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.
Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës. -Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada. Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.
-Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime. -Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe. -Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor… -Mizor?! -Po, po!-tha ajo—Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta? -Shtylla e artë e Hënës? -S´është e Hënës. -Po e kujt është? -Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit? -Unë? -Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje. Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet. -Mirë, mirë!-thashë. Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.
-A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën. -Ta lëmë, nëse na lë. -Mos u tall! -Nuk po tallem. -Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës! -Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe? -Po, ke të drejtë. -S´dua! -Pse? -S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme. -Ani që është e dhimbshme, ani. -Por ti s´e merr vesh! -Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën… -Eh…-thashë unë. Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.
Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet. -Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj. Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë: -Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore! Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë: -Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm! -Paska tinguj të pazëshëm? -Ja, paska! Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje. -Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo. -O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq! -Unë?
-Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës… Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë. Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…
Anita Bitri (8 janar 1968 – 19 tetor 2004) është këngëtare shqiptare dhe fituese e Festivalit i 29-të i Këngës në RTSH.
Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Që në moshë shumë të vogël recitonte poezi të njohura dhe imitonte këngë të festivaleve. Me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, ku paraqitet si valltare në rolin e “bletës punëtore”, tërhoqi vëmendjen e pjesëtarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si kërcimtaren dhe këngëtaren më të mirë të këtij Festivali.
Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi.
Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”.
Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike, që ka vetëm një protagoniste: Të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI.
Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito” kompozuar nga Aleksandër Vezuli.
Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Bitri pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.
Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”, ne SHBA. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë në rritje. Ajo po ashtu e dha kontributin e saj edhe në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë.
Në 2004, pati një vdekje aksidentale, në moshën 38 vjeçare, për shkak të një bllokimi të ventilimit të kaldajës, në shtëpinë ku banonte./ KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 199-vjetorin e lindjes, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe penës arbëreshe, poetin Gavril Dara (i Riu).
Lindi në Palac Adriani të Sicilisë, më 8 janar 1826, në një familje të shquar abëreshe. Mësimet e para i mori në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.
Më 1858 botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë. Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“.
Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Gavril Dara i Riu ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara i Riu është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji./atsh/KultPlus.com
Sot 90 vite më parë ka lindur këngëtari dhe aktori amerikan me famë botërore Elvis Presly, shkruan KultPlus.
I lindur më 8 janar 1935. Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti I Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”.
Presley kishte lindur në Tupelo, Mississippi, si një binjak-pa binjak, dhe kur ishte 13 vjeçar, ai dhe familja e tij u vendosën në Memphis, Tennessee. Karriera e tij muzikore filloi dikur më 1954, kur regjistroi një këngë me producentin Sam Philips nga Sun Records. Në bashkëpunim me kitaristin Scotty Moore dhe basistin Bill Black, Presley ishte ndër themeluesit e rokut, me uptempo, back beat me elemente të muzikës country dhe R&B. Ai u menaxhua nga Kolonel Tom Parker për më se dy dekada, me kontratën e nënshkruar nga RCA. Kënga RCA e parë e Elvisit , “Heartbeat Hotel”, u lansua në janar 1956 dhe u bë hiti numër 1 në SHBA. Ai fitoi titullin “Mbreti i Rock and Roll-it” pas një serie të suksesshme të paraqitjeve të tij në televizion dhe rekordeve të tij prijëse në top listat. Interpretimet e tij energjike të këngëve dhe stili i tij provokativ, i kombinuar me talentin e madh e bëri atë shumë të famshëm dhe të diskutueshëm.
Në nëntor 1956, ai nxori filmin e tij Love Me Tender. Më 1958, u rekrutua nga shërbimi ushtarak. Ai vazhdoi karrierën e tij muzikore pas dy viteve, duke krijuar disa nga punimet e tij më të suksesshme komerciale para se të përkushtohej më shumë me filmat hollivudian si dhe albumet e tyre shoqëruese (vitet 1960), të cilat u përqeshën dhe u kritikuan. Më 1968, pas një ndërprerjeje shtatë vjeçare nga performancat e drejtpërdrejta, ai u rikthye në skenën me brohoritje të shumta për replikën e veçantë Elvis, e cila e dërgoi në një turne koncertesh të zgjatura në Las Vegase dhe një varg turnesh shumë fitimprurëse.
Më 1973, Presley mori pjesë në koncertin e parë të transmetuar globalisht përmes satelitit, Aloha from Hawaii (Përshëndetje nga Hawaii).
Disa vite abuzimi me drogë në formë barnash ndikuan në dobësimin e shëndetit të tij, dhe më 1977 ai vdes në moshën 42 vjeçare. / KultPlus.com
Presley është një ndër muzikantët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit 20. Komercialisht i suksesshëm në shumë zhanre, duke përfshirë atë pop, blues dhe gospel, ai është solo – artisti më i shitur në historinë e muzikës me shitjet e regjistruara të vlersuara prej rreth 600 milion kopjeve në gjithë botën. Ai fitoi 3 çmime Grammy, dhe poashtu “Çmimin Grammy Të Arritjeve Të Jetës” (Grammy Lifetime Achievement Award), në moshën 36 vjeçare, dhe ka hyrë në sallat e shumta muzikore të famës./KultPlus.com
Sot janë shënuar 82 vjet nga lindja e fizikantit të njohur, Stephen Hawking.
Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimet e relativitetit të përgjithshëm dhe mekanikës kuantike.
Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje e njohur si ‘skleroza laterale amyotrophic’, ose ALS. Në atë kohë mjekët i dhanë vetëm dy vjet kohë jetë. Në fakt kjo sëmundje i merr jetën njerëzve brenda 5 viteve, por ai është njeriu që sfidoi doktorët dhe veten tij. Që pas deklaratës së mjekëve ai ka jetuar 50 vjet më shumë.
Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës. Ndërkohë që në një dokumentar të vitit 2013, ai tha: Mjekët menduan se kisha shkuar aq larg me mendje sa nuk mund të kthehesha më në tokë, në realitet dhe kështu i kërkuan Jane-it t’i fiknin makinën.
Por Jane nuk pranoi dhe këmbënguli që ai të kthehej në Kembrixh. Hawking tregon se terapia intensive ishte periudha më e keqe e jetës së tij. Sëmundja e ka lënë të paaftë të flasë dhe ka nevojë për kujdes të përhershëm, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë punën në lidhje me shkencën.
Në vitin 1988 botoi librin “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila që atëherë u kthye në best seller, me 10 milion kopje të shitura në mbarë botën. Gjithashtu, Hawkings u kthye në një model frymëzuar për njerëzit me aftësi të kufizuara anembanë globit, ku në një fjalim me rastin e hapjes së Lojërave Paraolimpike në Londër, në vitin 2012, i bëri njerëzit të qajnë e të kuptojnë sa e rëndësishme është jeta./ KultPlus.com
Më 8 janar të vitit 1937, lindi shkrimtari Anton Pashku, shkruan KultPlus.
Sot është 88 vjetori i lindjes së këtij shkrimtari me emrin e të cili lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare.
Bënte pjesë në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.
Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe. Anton Pashku, specifikisht, është ndër të parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla, rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të zakonshme të shkrimit letrar.
Anton Pashku vdiq më 31 tetor të vitit 1995, ndërsa la pas vetës shumë tregime, drama e romane të cilat i mbetën lexuesit shqiptarë më shumë se një kujtim nga shkrimtari i madh./KultPlus.com
Në Shtëpinë Studio Kadare u çel mbrëmë ekspozita e titulluar “Kadare – Dorëshkrime dhe letërkëmbime të panjohura”.
Ishin të pranishëm personalitete të jetës kulturore në vend si dhe miq e adhurues të shkrimtarit të madh.
Vizitorët e kësaj ekspozite do të mund të shohin dorëshkrime të veprave themelore të shkrimtarit. Gjithashtu letra me peshë për historinë e kulturës shqiptare.
Mes dorëshkrimeve të shumta, kjo ekspozitë përmban edhe një letër që nobelisti Günter Grass i drejtonte Ismail Kadaresë që në vitin 1987, duke i shkruar në emër të Akademie der Künste (Akademia e Arteve në Berlin, themeluar në vitin 1696). Në atë letër Grass i kërkonte Kadaresë të merrte pjesë në Takimin e Artistëve Evropianë, në Amsterdam.
Ekspozita zbulon të tjera kuriozitete nga jeta e kolosit të letrave shqipe. Ajo do të jetë e hapur përgjatë muajit janarit dhe shkurtit./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër raportoi për një rritje mbresëlënëse të numrit të vizitorëve në sitet arkeologjike të Shkodrës dhe Lezhës.
Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Kjo shifër është 25,5% më e lartë, krahasuar me vizitueshmërinë gjatë vitit 2023.
Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024, shifër kjo që sipas statistikave rezulton të jetë 70% më e lartë se një vit më parë.
Të dhënat e ofruara nga DRTK Shkodër tregojnë një interes të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë kulturore të këtyre trevave. Kalaja e Rozafës dhe Kalaja e Lezhës po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme.
Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ajo ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar një territor të gjerë përreth dhe përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë shkallësh, duke u ngritur njëri pas tjetrit e që ndahen me porta mes tyre.
Ndërsa Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu ende mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane./atsh/KultPlus.com
Shpenzoni më pak duke planifikuar pushime në destinacione të përballueshme, shkruan Sarah Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen irlandeze “The Irish News”.
Fillimi i një viti të ri premton fillime të reja – por përfshin gjithashtu një rritje të pashmangshme të çmimeve.
Por, ndërsa inflacioni vazhdon të rrisë çmimet në disa vende të botës, ekzistojne ende destinacione ku kostoja e jetesës është e ulët.
Për fat të mirë, ka mjaft opsione për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa kompromentuar rrezet e diellit ose cilësinë e përvojave.
Ne ju sugjerojmë gjashtë vendet më të mira dhe më të përballueshme për të pushuar në vitin 2025:
Qoftë për të shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke vështruar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra, është e lehtë ta ngatërroni Shqipërinë me fqinjin e saj përtej detit Adriatik.
Por, krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, pikat e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.
“The Irish News” ju rekomandon një udhëtim në të gjithë vendin ballkanik.
Mësoni për të kaluarën e Shqipërisë përmes arkitekturës otomane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit të Tiranës.
Eksploroni shtigjet në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe pushoni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.
Një udhëtim tetëditor kushton nga 911 paund për person, duke përjashtuar fluturimet./atsh/KultPlus.com
Qasjet e ndryshme të shpikësve për krijimin e një sistemi elektrik të standardizuar përfundimisht i larguan ata.
Thomas Edison njihet gjerësisht si një nga shpikësit më të rëndësishëm të historisë, një trashëgimi e lindur nga gjenialiteti i tij i padiskutueshëm në laborator dhe pamëshirshmëria e theksuar si biznesmen. Thënia e vjetër është se historia shkruhet nga fitimtarët, dhe në rastin e Edisonit, ai e rrotulloi narrativën e tij në kohë reale. Ndonjëherë, si në rastin e shpikjeve të zhvilluara nga bashkëkohësit si Nikola Tesla, kjo nënkuptonte paksa përkuljen e së vërtetës.
I lindur në vitin 1847, në fund të revolucionit industrial, Edison ishte pjesë e një valë të re shkencëtarësh dhe shpikësish që ndriçuan rrugën drejt epokës moderne. Laboratori i tij i famshëm kërkimor në Menlo Park, Nju Xhersi priti zhvillimin e inovacioneve që ende nënshtrojnë pjesën më të madhe të infrastrukturës sonë industriale dhe konsumatore, duke përfshirë gramafonin (i cili regjistronte dhe luante tinguj), filmat dhe llambën e dritës. Puna e tij atje ishte aq e rëndësishme sa qyteti në të cilin ndodhej Menlo Park tani mban emrin e tij.
I fiksuar pas punës së tij dhe i njohur si një shef kërkues, Edison kishte një ego po aq inkandeshente sa llambat e tij, një ndjenjë të madhështisë së tij që ishte padyshim e justifikuar. Ai ishte gjithashtu tepër konkurrues, i gatshëm të bënte gjithçka që kërkohej për të siguruar që ideja e tij të fitonte.
Edison shpiku ndriçimin DC, një zgjidhje më e sigurt për llambat harkore shpesh të rrezikshme
I lindur në Serbi, Tesla ishte një gjeni tjetër. Ndërsa Edison ishte një eksperimentues dhe kallajxhi i përjetshëm, Tesla ishte një llogaritës njerëzor dhe aftësia e tij për të përpunuar ekuacione komplekse të matematikës dhe fizikës në mendjen e tij e ndihmoi atë të arrinte suksesin e hershëm të karrierës në Evropë.
Pas një adoleshence nomade që kaloi duke udhëtuar dhe duke ndjekur mësime në të gjithë Evropën Lindore, Tesla u mbyll në Hungari në moshën 25-vjeçare, i punësuar për të punuar si inxhinier elektrik në Bursën Telefonike të Budapestit. Ai shkëlqeu atje, duke kanalizuar prirjet e punës që ai kishte shfaqur si student i mirë në Kroaci përpara se të linte shkollën. Brenda një viti ai shkoi në Paris për të punuar për kompaninë Continental Edison, një degë e biznesit të suksesshëm amerikan të shpikësit.
Në atë moment, energjia elektrike kishte filluar të ndriçonte rrugët e qyteteve në mbarë botën. Në fillim, shumica e qyteteve përdornin llamba me hark të tensionit të lartë për të ndriçuar qiellin e natës, por ndërsa ato shkëlqenin dhe mahnitën një qytetërim që gjatë gjithë historisë ishte qeverisur nga lindja dhe rënia e diellit, teknologjia e hershme e ndriçimit gjithashtu paraqiti një problem. : ishte shumë e rrezikshme . Ndriçimi me hark ushqehej nga stacionet e energjisë që pomponin më shumë se 3,000 volt energji elektrike në të njëjtën kohë, gjë që shpesh çonte në shkëndija, mbinxehje dhe shpërthime të plota në vende publike, duke rënë shira të energjisë elektrike mbi këmbësorët dhe duke ndezur zjarre me rregullsi.
Energjia elektrike e gjeneruar nga rryma direkte (DC) ishte një alternativë shumë më e sigurt, dhe sapo Edison zhvilloi një llambë inkandeshente të qëndrueshme dhe afatgjatë , ai u nis për të siguruar ndriçim për shtëpitë dhe ndërtesat në mbarë botën. Në vitin 1882, kompania e tij Edison Illuminating hapi stacionin e parë qendror të energjisë në botë në Pearl Street në Manhattan. Kompania përdori rrymë direkte për të dhënë 110 volt energji elektrike në ndërtesat e afërta – ajo filloi me 59 klientë – dhe siguroi një reduktim të ndjeshëm të rrezikut të një fatkeqësie aksidentale.
Tesla shpiku një sistem energjie me rrymë alternative
Për dy vitet e ardhshme, prodhimi elektrik DC i Edison-it përhapi dritën inkandeshente në një numër në rritje qytetesh në të gjithë vendin. Por për shtrirjen e saj në rritje, ajo kishte një dobësi të konsiderueshme: energjia elektrike e dhënë nga rryma direkte mund të udhëtonte vetëm kaq larg, veçanërisht në ato ditë të hershme. Si rezultat, shpikësit e tjerë vazhduan të zhvillonin atë që quhej rrymë alternative (AC), e cila mund të modulonte lehtësisht tensionin, duke përdorur transformatorë.
Tesla ishte një nga ata besimtarë të AC. Në vitin 1882, ndërsa punonte për postin e Edisonit në Paris dhe dilte në një shëtitje me një mik, Tesla u godit befas me zgjidhjen e një sfide inxhinierike që e kishte shqetësuar për disa kohë. Aftësia e tij për të vizualizuar të gjitha ekuacionet komplekse matematikore dhe bëmat inxhinierike erdhi në ndihmë, pasi Tesla ëndërroi mekanikën e një motori që gjeneron AC.
Zhvillimi dhe përmirësimi i gjeneratorit të rrymës alternative u bë diçka si një obsesion për të dhe në 1884, kur shefi i tij amerikan në Paris u thirr përsëri në Shtetet e Bashkuara, ai sugjeroi që Tesla të emigronte në perëndim. Dhe kështu në shtator të atij viti, Tesla mbërriti në Manhattan pas një udhëtimi të mundimshëm, në të cilin shumica e pasurisë së tij u vodhën gjatë një rebelimi në anije.
Tesla më në fund punoi për Edison, por të dy kishin ideologji kundërshtuese
Megjithatë, paratë nuk do të ishin një shqetësim për kaq gjatë. Tesla u përplas me vetë Edison, i cili e ftoi shpikësin emigrant të punonte për të në Edison Machine Works në Lower East Side të Manhatanit. Një letër rekomandimi nga shefi i tij i vjetër nuk e dëmtoi kauzën e tij.
Në atë kohë, Tesla kujtoi në një intervistë vite më vonë, se ai ishte i mahnitur nga shefi i tij i ri. “Ky njeri i mrekullueshëm, i cili nuk kishte marrë asnjë trajnim shkencor, por kishte arritur aq shumë, më mbushi me habi.”
Tesla u vu në punë në një sërë projektesh, duke përfshirë riparimin e sistemit të qarkut në Oregon, varkën e parë që u ndez nga energjia elektrike, rimontimin e gjeneratorëve DC dhe detyra të tjera. Vite më vonë, në një intervistë të kryer në 1921, Tesla kujtoi se i kishte bërë përshtypje Edisonit me rregullimin e tij të shpejtë të sistemit të ndriçimit të Oregonit, deri në atë pikë sa Edison e shpalli atë një “njeri të mallkuar të mirë”.
Shpikësi serb u ngarkua gjithashtu me krijimin e një sistemi ndriçimi me hark, por përdorimi i tij i energjisë AC nuk ishte me interes për Edison, i cili kishte një pasuri të investuar në energjinë DC dhe nuk donte të humbiste besnikërinë e tij. Më vonë, Tesla me sa duket do të thoshte se vetë Edison premtoi një shumë të madhe për të përmirësuar sistemin DC, më pas e tërhoqi ofertën kur Tesla i paraqiti punën e tij, duke pretenduar se ai “nuk e kuptonte humorin amerikan”, duke e zemëruar Teslën deri në atë pikë sa ai doli me furtunë dhe u nis vetë, i vendosur të kundërshtonte shpikësin e vjetër.
Më pas Tesla i licencoi patentat rivalit të Edisonit
Tesla punoi për Edison vetëm për rreth gjashtë muaj, dhe pas një kohe të kaluar duke gërmuar varre, ai mori para të mjaftueshme nga investitorët për të krijuar kompaninë e tij në Rahway, New Jersey, afër Menlo Park. Ata investitorë e hoqën kompaninë nga pushteti i tij, dhe vetëm në vitin 1887, me një fabrikë të re në Manhattan, Tesla ishte në gjendje të ndiqte me të vërtetë motorin AC.
Nuk do të kalonte shumë kohë përpara se të zotëronte makinën, pasi iu dhanë shtatë patenta të veçanta për mekanikën e saj të ndryshme në pranverën e vitit 1888. Menjëherë pas kësaj, ai i licencoi ato patenta te George Westinghouse, rivali kryesor i Edisonit në garën për furnizim e qytetet. Gara midis AC dhe DC do të përshkallëzohej prej andej, me Edison që tërhiqte pothuajse të gjitha ndalesat për të provuar se AC ishte i rrezikshëm, (edhe pse vdekja e famshme nga goditja elektrike e elefantit Topsy nuk ishte bërë e tij) për të diskredituar atë që përfundimisht do të dëshmonte një largësi.
Tesla vdiq pothuajse pa para, megjithëse kjo nuk kishte të bënte me Edison. Ai bëri një pasuri nga kontratat e tij me Westinghouse, por i humbi të gjitha përmes marrëveshjeve të dobëta të biznesit, investimeve të këqija dhe shpenzimeve në eksperimente madhështore që rezultuan një dështim. Rivaliteti i tij i supozuar me Edison ishte pothuajse nga shoqërimi dhe ndryshimi i mendimeve për çështjet shkencore, i theksuar vetëm në pamje të pasme si karriera e pabesueshme e Teslës, e cila shtrihej shumë më tepër se risitë e energjisë AC.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Korçë bën të ditur se përgjatë vitit 2024 Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë dokumentoi të dhëna mbi tre lloje shpendësh, në liqenin e Prespës së Vogël.
Sipas AKZM-së, llojet e shpendëve në Parkun Kombëtar “Liqeni i Prespës së Vogël”, janë karabullaku i vogël me 56 individë, bajza me 33 individë dhe çafka e madhe e bardhë me 13 individë.
Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është një aktivitet shumë i rëndësishëm, që u zhvillua edhe në Shqipëri vitin e kaluar.
Rreth 143 shtete nga e gjithë bota realizojnë një studim kaq të rëndësishëm. Ku popullata të ndryshme të shpendëve të ujit kërkojnë skema të ndryshme monitorimi.
Regjistrimi Ndërkombëtar i shpendëve të ujit përfshinë të gjitha llojet e ligatinave natyrore dhe ato të krijuara nga njeriu, si edhe të gjithë llojet e shpendëve që hasen në këto habitate.
Për realizimin e tij kontribuan Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ekspertë dhe vullnetarë të organizatave mjedisore të cilët marrin pjesë rregullisht në këtë moment të rëndësishëm për faunën në Shqipëri.
Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament. Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme, Sa s’di ç’ta marrësh, delir apo qytet.
Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm, Që një mijë vite rreh ta heqë më kot. Vërtetin gjethet dantealigershëm Si shpirtra që nuk patën trupa dot.
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt, Në varg veturash rendin, s’dihet ku. E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë Ngaqë askush s’beson askënd, askund.
2 Në një mëngjes të tillë ç’të bësh më mirë, Se sa të shkosh në klubin “Davidoff”? Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.
Në kafene ka për çdo punë një qasje, Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot. Për tri mijë euro porosit një vrasje, Për katër mijë, titullin vikont.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin, Çmimin Nobel a një veturë të re, Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit Të zotit president me emër hebre.
Flitet për mllefe, për kupën që u mbush, Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit. Në njërën nga tryezat shpall dikush Një skicë të re të historisë së kombit.
Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre, Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha. Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend, Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.
Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën, Jo një kasolle vllahu në Ballkan, E vunë në flamur të tyre shkabën Dhe bij të saj u shpallën anembanë.
Kështu në kafene kjo punë merr qasje Me “kundra” e “pro” të bujshme, natyrisht. Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi, Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish. 3 Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë. Temperatura e dollari zbresin prap. Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë, Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.
A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht? Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka. Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish, Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.
Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë Kujton aq krenarisht se është në majë? Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë, Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Një makth i dalë nga një gjumë i marrë Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe. Ca trumba zogjsh me curle e celularë Që nëpër mjegull klithin, nëpër re.
4 Pse gjethet befas prarim kurore marrin, Tek shtrohen si qilim mbi bulevard? Kambana e katedrales së Shën Palit Trishtueshëm bie si me peng e aht.
Ç’nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr, Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura. Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.
Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë, Pas dokeve kreshnike a në pritë. Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron E para veç një vit, e dyta as një ditë.
Dhe katedralja i përcjell me vaj Dy mjellmat e gabuara, të mekura. Ato që s’erdhën për kurorë, veç për varr, Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura. 5 Në klubin “Davidoff” qelqnajë e ngrirë Dremitje dite sjell s’di se nga ku. Një si madonë e lodhur më është përhirë, Që italishtja gjuhë mund t’ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme, Në të njëmijtin e treqindin vit, Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh, Këto tri kate, rradhët, ashensorët, Ku hypin, zdrypin, klithin obobo, Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot Të ndërrojnë katet, por katet s’ndërrohen kurrë. Të zes, në mjegull shtyhen sindozot, Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori? Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi. Shkodran je ti? Ç’plenum i zi të polli? Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt, Piktorët andej, i pesti rreth u mbush. Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati. Në s’do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka, Ashtu siç ju nuk patët për askënd. S’ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha, As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri, Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë. I nënti rreth po mbushet, dhe ai. S’ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.
6 Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi. Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall. Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri, Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh. Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja M’u duk se më kujtonte një premtim. Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja, I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit: Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem. Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur, Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?
S’e di, i thashë, me habi të ftohtë, Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush. Dikush nga ne të dy s’është më në botë, Po cili a cila, këtë s’e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë. S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund. Gjersa ajo u tret te qelqi i madh Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.
7 Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut Nis të stoliset për ballo a për orgji. Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut, Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.
Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin Drita dhe bare rrotulluese lart. Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë, “Amerikan”, “Raiffeisen” e “Credin’s Bank”.
Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq, Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut. I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.
Kull e Sahatit po tregon një orë, Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë. Në sallat e muzeut të fundit vizitorë Ja muzgu si në kurth befas i zë
8 Kështu në një fund dite ajo mu shfaq Fantazmë e kombit si e Hamletit mbret. Kish ndryshk e gjak mbi parzm e et per shpage Dhe kumt të frikshëm kish në sytë e vet.
Une ja besova fjalët, kumtin, ahtet, Gjithmonë ka një fantazmë qe lyp dicka prej nesh, Pastaj ajo kërkoi atë që s’lypet artin. Tek fjalen “popull” tundtte si rrebesh.
Te falem per ç’me dhe, veç mos me lyp ti mos, Një borxh që nuk ta kam. Të kërkoj ndjesë Qe dot s’të mbrojta, s’të mbrojta e sidomos, Prej vehtes tënde, armikut tënd të tmerrshem.
Ti rrugën tënde ke në këte botë të ftohtë, Shkrimtari do a s’do ka rrugen e vet. Të mbroftë Zoti, a marrezia të mbroftë, Tjetër hyjni unë kam. Pra mirëmbetsh!
Ska “mirembetsh!” fantazma klithi. Mejet Ti sndahesh dot, mbi toke apo nen toke! Nu ngritshim, te dy do cajme rete Ne rencim ne humnere, do biem tok.
Klithmën e saj kaq kohë pata në vesh, Here si rënkim, si urdhër a si vaj Kërkonte që gjithkund ta mbart si peshe, Porsi Ankizin at, mbi shpinë ta mbaj.
Të gjithëve kjo klithmë na ndjek si nëpër gjumë. I vogël është planeti sigurisht, Si një shtëpi e ngushtë, ku në bodrum Dikush klith: “ndihmë!” dhe ti, s’di si ta ndihsh.
Mesnata shkon Tirana dot nuk fle. Po flet përcart si shpirt që kërkon ndihmë Një metropol me kryet krejt në re, Kryeqytet me emrin krejt enigmë.
Në ç’makthe e gjete, ç’kumt aty ke ndryrë? Ç’urdhër ke fshehur, kë do trembësh me të? Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë, Ajo që s’jep përgjigje për asgjë./ KultPlus.com
Kalaja është simboli i qytetit të Gjirokastrës, i cili përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.
Ndërsa fluksi turistik ka përfshirë gjithë zonën e Gjirokastrës, kalaja mbetet destinacion i preferuar.
Statistikat e publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Gjirokastrës flasin për rritje me më shumë se 20.73 për qind të vizitorëve në këtë kala.
Ishin 262 972 vizitorë për vitin 2024 që panë nga afër dhe u mahnitën nga struktura dhe peizazhet që ofron kalaja e Gjirokastrës si pjesë e vizitave turistike.
Mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit.
Parku Arkeologjik Butrint mirëpriti 200,570 vizitorë gjatë vitit 2024, 68.4% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se, “ky sukses vjen, jo vetëm si rezultat i promovimit të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe i transparencës së plotë në menaxhimin dhe deklarimin e biletave, duke garantuar një administrim të drejtë dhe të besueshëm të të ardhurave”.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon drejt fushëgropës së Delvinës.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s.
Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. /atsh/ KultPlus.com
1. Lër të ardhmen të thotë të vërtetën, dhe vlerësoje gjithësecilin sipas punës dhe arritjeve. E tashmja është e tyrja; e ardhmja, për të cilën vërtetë kam punuar, është e imja.
2. 29 ditët e fundit të muajit janë më të vështirat.
3. Luftërat mes individëve, por edhe qeverive dhe kombeve, rezultojnë pa dallim nga keqkuptimet në kuptimin më të gjerë të këtij termi. Keqkuptimet shkaktojnë gjithmonë nga paaftësia për të vlerësuar këndvështrimin e njëri-tjetrit.
4. Paqja mund të vijë vetëm si një pasojë e natyrshme e iluminimit universal.
5. Shkencëtari nuk synon rezultate të menjëhershme. Ai nuk pret që idetë e tij të përparuara të pranohen me gatishmëri. Puna e tij është si ajo e atij që mbjell – për të ardhmen. Detyra e tij është të hedhë themelet për atë që do të vijnë, të tregojë rrugën. Ai jeton, punon dhe shpreson.
6. Kudo në hapësirë ka energji. A është kjo energji statike, apo kinetike? Nëse është statike, shpresat tona janë të kota; nëse është kinetike – dhe këtë e dimë me siguri – atëherë është thjeshtë cështje kohe, se kur njeriu do t’ia dalë që t’i bashkëngjisë makinerinë e tij, vetë rrotës së punës së natyrës.
7. Cdo qenie e gjallë është një motorr i bashkëngjitur rrotës së punës të universit. Ndonëse në dukje i prekur vetëm prej asaj që e rrethon, sfera e influencës së jashtme shtrihet deri në distanca të pafundme.
8. Ky planet, me madhësinë e tij në dukje mbresëlënëse, për rrymat elektrike është thjeshtë një zar i vogël metalik.
9. Ndonëse të lirë të mendojmë dhe veprojmë, ne jemi të lidhur mes nesh, ashtu si yjet në qiell, përmes lidhjeve të pandashme. Këto lidhje nuk mund të shihen, por ne mundemi t’i ndiejmë.
10. Në shekullin 21, robotët do të kryejnë punën që skllevërit bënin në qytetërimet e lashtë.
11. Përhapja e qytetërimit mund të krahasohet me një zjarr; fillimisht ka një shkëndijë, pastaj një flakë e vockël, më pas një flakë e madhe, që rritet me shpejtësi dhe fuqi të pabesueshme.
12. Shqisat na mundësojnë të perceptojmë vetëm një pjesë shumë të vockël të botës së jashtme.
13. Virtytet dhe dështimet tona janë të pandashme, si forca dhe materia. Kur ndahen, njeriu nuk është më.
14. Nuk më bëhet vonë se më vodhën idenë… trishtohem që nuk kanë një ide të tyren.
15. Paraja nuk e ka atë vlerë që i kanë vënë njerëzit. Të gjithë paratë e mia i kam investuar në eksperimente, me të cilët kam bërë zbulime të reja, që i kanë mundësuar njerëzimit një jetë pakëz më të lehtë.
16. Nga të gjithë rezistencat e fërkimit, ajo që e ngadëlson më shumë lëvizjen e njeriut është injoranca, ajoq ë BUda e ka quajtur “e keqja më e madhe e botës”.
17. Instikti është dicka që shkon përtej dijes. Padyshim që kemi disa fibra që na mundësojnë të perceptojmë të vërteta, atëherë kur deduksioni logjik, apo cdo përpjekje tjetër e trurit, janë të kota.
18. Eshtë paradoksale, por e vërtetë, që sa më shumë që ne dijmë, aq më injorantë bëhemi në kuptimin absolut, sepse vetëm përmes iluminimit ne kemi bërë të vetëdijshëm për limitet tona. Një prej rezultateve më të mrekullueshëm të evolucionit intelektual është hapja e vazhdueshme ndaj horizonteve të reja dhe më të mëdha.
19. Individi është kalimtar, racat dhe kombet venë e vijnë, por njeriu mbetet. Këtu qëndron dallimi i thellë mes individit dhe të tërës.
20. Shpikja është produkti më i rëndësishëm i trurit krijues të njeriut. Qëllimi final është zotërimi tërësor i mendjes, mbi botën materiale, shfrytëzimi i natyrës njerëzore për nevojat njerëzore.
21. Zhvillimi progresiv i njeriut është i varur nga shpikjet.
22. Rri vetëm, ky është sekreti i shpikjes; ji vetëm, sepse atëherë lindin idetë.
23. Jeta është dhe do të mbetet gjithmonë një ekuacion i pazgjidhshëm, por ajo përmban disa faktorë të njohur.
24. Dëshira që më udhëheq në gjithë cfarë bëj është dëshira për të shfrytëzuar forcat e natyrës në shërbim të njerëzimit.
25. Shkencëtarët e sotëm mendojnë thellë dhe jo qartë. Njeriu duhet të jetë në rregull mendërisht për të menduar qart, por mund të mendojë thellë dhe të jetë krejt i marrë.
26. Ditën kur shkenca do të fillojë të studiojë fenomenet jofizike, do të bëjë më shumë progres në një dekadë, se sa në të gjithë shekujt e ekzistencës së saj.
27. Nuk mendoj se ka ndonjë emocion tjetër që përshkon zemrën e njeriut, më të madh se sa ai i shpikësit, kur sheh që krijesa e trurit të tij shpaloset drejt suksesit… emocione si ky e bëjnë njeriun të harrojë ushqimin, gjumin, miqtë, dashurinë, cdo gjë.
28. Shkencëtarët e sotëm kanë zëvendësuar matematikën me eksperimentet, dhe ata përsiaten ekuacion pas ekuacioni, e në fund ndërtojnë një strukturë që nuk ka lidhje fare me realitetin.
29. Tre zgjidhjet e mundshme të problemit të madh të rritjes së energjisë njerëzore e gjejnë përgjigjen tek tre fjalë: ushqim, paqe, punë.
30. Sikur ta njihnit madhështinë e 3-shit, 6-ës dhe 9-ës, atëherë do të kishit në duar celësin e Universit. /bota.al/ KultPlus.com
Liliana Çavolli është një ndër këngëtaret më të famshme të muzikës shqipe, e cila me talentin dhe dashurinë e saj për këngën dha shumë për artin shqiptar, dhe si e tillë mbeti e paharruar për publikun e muzikës së mirëfilltë shqipe, shkruan KultPlus.
“Zambaku i Prizrenit”, “Kam një mall e kam një zjarr”, “Kur lulet kundërmojnë”, “Perëndeshë e bukur je”, janë vetëm disa prej këngëve të saj me të cilat ajo identifikohet dhe do të jetojë gjatë në mendjet e publikut shqiptarë.
Sonte, KultPlus ju sjellë këngën ‘Zambaku i Prizrenit’, e cila konsiderohet edhe si kryevepra e Liliana Çavollit:
O zambaku i Prizrenit o zambaku i bardhë
o zambaku i Prizrenit o zambaku i bardhë
aman aman që lulëzon Prizrenin aroma yte ma mbush o zemrën plot me gëzim
lalalalalala
n’aksham t’bukur të Prizrenit n’vese t’agimin ç’po shndrrit porsi lulja e argjendit shkon gjithnjë tu u hijeshu
aman aman që lulëzon Prizerenin aroma yte ma mbush o zemrën plot me gëzim/KultPlus.com
Elenita Roshi do të jetë drejtuesja e Muzeut Historik Kombëtar.
Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se Roshi sjell mbi 20 vite përvojë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, turizmit të trashëgimisë, dhe zhvillimit ekonomiko-shoqëror.
Elenita Roshi ka punuar gjerësisht me organizata ndërkombëtare, në projekte që fokusohen në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, sidomos në Butrint dhe Gjirokastër. Bazat e saj akademike, përfshirë një doktoraturë në marketingun e trashëgimisë kulturore dhe një bursë Humphrey/Fulbright në Universitetin Cornell të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, plotësojnë përvojën e saj praktike.
Si pedagoge e jashtme në Universitetin Politeknik të Tiranës, Elenita kontribuon gjithashtu në ndërtimin e ekspertizës së ardhshme në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.
“Pasioni i saj për ta bërë trashëgiminë tonë tërheqëse dhe edukative, si për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët, do t’i shërbejë procesit të rëndësishëm të rindërtimit të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të shndërrimit të tij në një hapësirë për edukim, frymëzim dhe dialog”, theksoi Gonxhja. /atsh/ KultPlus.com
Kruj’, o qytet i bekuar! Prite, prite Skënderbenë, Po vjen si pëllump i shkruar, Të shpëtonjë mëmëdhenë Shqipëtarët t’i shpëtonjë Nga xgjedh’ e keq’e Tyrqisë, Edhe ty të të nderonjë, Që je krej’i Shqipërisë, Ka pas trima shqipëtarë, Që s’u trembet syri kurrë, Ndë zëmërt të tij ka zjarrë, Ësht’ i urt’ e trim e burrë. Mirë se erdhe, o verë! Që na prure mirësinë, Dhe për shumë vjet të tjerë E zbukurofsh Shqipërinë. O Shqipërizë! gëzohu, Se të erdhi prapë dita, Lulëzohu, zbukurohu, Të zbriti nga Zoti drita! Edhe juve, o të vdekur, Merri ngaha ky gas pjesë, Që shkuatë buzëpjekur, Nd’atë jetë, paçi ndjesë! O moj vash’ e Shqipërisë, Që më rri duke mejtuar, Pa i xhvish rrobat’ e zisë, Arriti dit’ e uruar. Zbardhi fusha, ndriti mali Nga armët’ e trimërisë, Hingëllint’e s’mbahej kali, Që sill mbren’ e Shqipërisë Trimatë bashkë me mbretnë, Me nxit posi vetëtimë, U futn’ e zunë qytetnë Me të madhe kërcëllimë. Turqit, q’e kishin qytetnë, Papandehurë e panë Që u dha si drita, mbretnë, Pa s’hapnë goj’ e gjë s’thanë Se fjala po q’u dëgjua, Që vinte i bir’i mbretit, Shqipërija u lëshua Edhe ju derdhë qytetit; Burrat trima më s’mënuan, Gjith’ u mblodhë posi reza, Kryeqytetn’ e rrethuan, Armikn’ e preu e zeza. Zjente bota, tundej dheu, U ngrit gjithë Shqipërija, Duke thën’: “Erth Skënderbeu, Erdhi vetë Perëndija.” Mysliman’ e të krishterë U derdhë për mëmëdhenë, E kishin të bashkë nderë Si vëllezërë që qenë Pa Zoti nuk’ i la shkretë, U bë mbret’ i Shqipërisë Trim’i mir’ e i vërtetë, U mbarua koh’ e zisë. Pleqtë, q’e kishinë parë Në kohët të foshnjërisë, Van’ e puthnë duke qarë Dritëzën’ e Perëndisë. Gjithë ç’qenë shqipëtarë Me rradhë mbretit i vanë, Si vëllezrë më të parë, E me gas të math e panë. Skënderbegu, bukuroshi, Burri trim pa shok në jetë, Miqtë gjith’ i përshëndoshi, Posi vëllath i vërtetë. U sul gjithë njerëzija, Të shihninë Skënderbenë Pleq, të rinj dhe foshnjërija Gjith’ e donin shumë mbrenë. Pa Skënderbegu dërgojti, Të parin e turqet pruri, S’e shau dhe s’e qërtojti, Po afër soje e vuri; I tha: “Sulltani harrojti Fjalënë dhe miqësinë! Me ç’sy e faqe dërgojti, Edh’e shkeli Shqipërinë? E dinë bota e tërë, Edhe vet’ e di Murati Fjalënë që kishte bërë E besën q’i dha tim ati! E dini si kam lëftuar Për sulltan e për Turqinë, Dhe ajy qysh më ka shuar Vëllezërit’ e shtëpinë! S’janë punëra të lehta Këto që janë punuar, Dhe nukë rrinë të pshehta As janë për të harruar, Njeriut që të bën mirë T’i bësh kaqë të këqija, Nuk i bën as nj’egërsirë Këto që bën mbretërija, Të isha turk edhe unë, Ta kisha zëmrënë kllirë, Sot u bënja tjatrë punë, Nuk’ u flisja me të mirë. E drejta vetë rrëfehet, E të miratë po njihen, Çdo gjënë jetë çpërblehet, E gjësendi nukë lihet. Mbret ndër ju ‘shtë djallëzija, Nuk’ është kurr’ e vërteta, Dhe ligj’ është ligësija, Edh’e rremeja e shkreta! Nesrë të ngrihesh pa gdhirë, Merr shokëtë edhe shkoni, E pa bërë ditë mirë, Qafënë ta kapëtoni; T’u ap njerës, t’u përsjellin, E njeri të mos u ngasë, Në mes të tyre t’u pshjellin, Kurrëkush të mos u flasë.” Këto fjalëz’ i tha mbreti, Turku ndënj e u mejtua Një copë herë së qeti, U vrenjt e u sgurdullua. Po domosdo e dëgjojti, Dolli me mejtim nga dera, Menatë u ngrit e shkojti, Më s’e zuri drekëhera. Kështu e bëri Osmani, Q’ish në Shqipëri i parë, I dërguar nga sulltani, Po s’i vate puna mbarë. Në fortesat gjithë ç’qenë Nga ushtëri’ e Turqisë, E dëgjuan Skënderbenë, Q’erth në front të Shqipërisë, Dhe u ra gjithëve pika, Ikn’ e lanë Shqipërinë, Më s’shikuan pas nga frika, Po muarrë arratinë. Të pakëtë që kuxuan E s’ikënë si të tjerët, Dëm e kotë u munduan, E pësuanë të mjerët. Rrëmet’i faqes së dheut, Të vij më një vënt’ i tërë, S’ja dilte dot Skënderbeut, E gjë s’kishte për të bërë. Menjëherë Shqipërija E hoqi cipën e zisë, Dolli në shesht mirësija, Ra dritëz’ e Perëndisë. U hoq nata, erdhi dita, Gazi, kamja, dashurija, E vërteta, miqësija. Mbretëritë e dëgjuan Se u bë mbret Skënderbeu, Mbretëtë gjith’ u gëzuan, Këjo punë u pëlqeu. Dërguanë më të parë, Me miqësi, me uratë, Njerzët të urt’ e të mbarë Te mbreti i madh jetëgjatë Me mënyrë të pëlqyer E me shumë nder i priti Mbreti, edhe më të kthyer, Gjer në funt të shkallës zbriti. Nga gjithë mbretrët m’i madhi, Që ishte burr’ i vërtetë, Dhe shum’ i ndjerë, Hynjadhi, Erth te Skënderbeu vetë, Pa u ngrit dhe erdhi vetë Dhe Vlladislla si Hynjadhi, Ndënjnë ditë shtat’ a tetë Te shpirt e zëmërëmadhi; Erdh’ e panë Skënderbenë, Mbren e ri të Shqipërisë, Q’emër i tij mori dhenë Si emër’ i Perëndisë Mblodhi pleqt’ e parësinë, Si përsolli dhe Hynjadhë, E Vladisllën, Shqipërinë E vu në sër’ e ndë radhë, Mbretëri ishte lirija, Që kish çdo shqipëtar pjesë, Ligë ishte njerëzija, Vëllezërija ish besë. Si e ndritoj Shqipërinë, Vuri punëtë me radhë, Vate të shihte shtëpinë, Po ç’të shohë! një gërmadhë! Mall’i sat ëm’e tyt eti, Skënderbe! atje të shpuri, E madhe gjëmë të gjeti! Ra qielli e të zuri! Dallëndysheja kur kthehet E gjen prishurë folenë, Qysh qëndron e mallëngjehet? Ashtu e gjet Skënderbenë. Gjësendi s’kishte harruar Të kohës’ së miturisë, I kishte ndë krahëruar, Me mallthit të njerëzisë! Pa andaj shum’ u helmua, Se s’i gjet si i kish lënë, Me psherëtim’ u mejtua, Tha: “Nukë qënka thënë!” Ja mbuloj zëmrënë zija, Lottë si gurra i vanë, Në gjith ato të këqija Përnjëherë erdh’ i thanë” “Motërat’ e zotërisë Të gjitha bashkë po vinë”, Pa mbreti në mest të zisë Ndjeu gaz’ e la shtëpinë. Me vrap si ***ti u kthye, Të shihte motrat’ e tija, Zëmëra ju përdëllye, I dha durim Perëndija, Të gjorat motra kur panë Mbrenë trim të Shqipërisë, Të vetëmëthin vëllanë, Ëngjëllin’ e Perëndisë, Që më s’e kishinë parë, Si e mori penk Turqija, Në foshnjëri ishin ndarë, Dhe q’atë dit’ u ra zija; Pa i kishin shumë mallë N’ato ditët të këqija, I kishinë sy në ballë E shpresë nga Perëndija; Papo bashkëzë të pesa Në mest të tyr’e rrethuan, U zbriti nga Zoti shpresa, Me mall shum’ e përqafuan. Zot’ i math e i vërtetë! Emri yt qoft’ i lëvduar, Të qofshim falë për jetë, Mos qofshim teje mërguar! Ti i dhe nder mirësisë, Dhe zëmrës’ së mallëngjyer Në vajt e në mest të zisë Ngushëllimn’ i ke rrëfyer! Skënderbe, pa lere vajnë, Se po vinë shqipëtarët, Dhe burratë trima s’qajnë, Lëre, pa lëre të qarët, Se ‘shtë në gas Shqipërija, Q’erdhe ti, mbret i vërtetë, Sikur zbriti Perëndija Nga qiejt’ e lartë vetë. Pa këndo me ëmbëlsirë, O ëngjëll i ligjërisë, Atë burrë trimn’ e mirë, Q’i dh’aqë nder Shqipërisë. Këndo, këndo Skënderbenë, Që s’ka pasur shok në jetë, Që lartësoj mëmëdhenë, Kordhëtari trim me fletë! Lum ti, Shqipëri, o lule, Që pate trim të vërtetë, Kurrë në turp nuk’ u ngule, Të la nder të math përjetë! Mos ki keq, se kurdoherë Do ta kesh ditën’ e mbarë, Koha ty do të ta bjerë, Si ta pat prurë më parë, Po të dojë fati, plaku, Të t’apë foshnjë të rezë, Qumësht të bënetë gjaku, Dhe më s’sheh ditë të zezë. O kohë, që rrjeth si lumi Edhe s’rri gjëkundi fare, As dremit, as të zë gjumi, Dhe më t’errët hiqesh xvarrë, Hapu, hapu, errësirë! Të shoh mbren’ e Shqipërisë, Trimn’ e bukur’ e të mirë, Nder’ e gjithë njerëzisë, Rrethuar me burra trima, Shqipëtarë të vërtetë, Me fjal’ e pa blegërima, Me mënt e pa gjë të metë, Në fjalë t’urt’ e të qetë, Të but’ e të kupëtuar, Në luftë trima me fletë, Posi kuajt’ e harbuar, Qysh duken yjtë kur erret, Që ndrijnë në hapësirë, Edhe në mes të të tjerët Prëma ndrin shumë më mirë, Ashtu edhe ti më ndrinje, Mbret i math i Shqipërisë, Në mest të shokëvet rrinje Posi drit’ e Perëndisë. Zoti dha një vetëtimë, I tërë qielli ndriti, Një gjëmim, një kërcëllimë, Malet’ e lart’ i trënditi. Oshëtimë dha Tomori, Edhe zjarr e flakë qiti, Flaka qiellinë mori, Gjithësija vetëtiti. Këjo shënjë s’ish e pakë Që dha Zoti mi Tomorë, Nxori zjarr dhe zë e flakë Nga majatë me dëborë! Hodhë syt’ e panë malë Dhe gjithë më këmb’ u ngrinë, Kur më der u dha një djalë, Tha: “Rrëmet i math po vinë.” Se fjala kish marrë vrapnë, Pa kishte mbushurë dhenë, E hapi sa mundi çapnë Dh’e dëgjuan gjithë ç’qenë Shqipërija anembanë Ish në dasm’ e në gëzime, Ditën’ e liris’ e panë, Që e pritin pa durime. O liri e shënjtëruar! Ëngjëlli i Perëndisë, Erdhe me gëzim ndër duar, I dhe dritë Shqipërisë. Vallë kur do të vish prapë, E të na sjellç atë ditë, Përse rri pshjellë me napë? Pa hiqe, të shohëm dritë! Mbreti posi Perëndija, Ishte mbyturë në dritë, Rrij ndaj soje bukurija, Edhe gjithë mirësitë Mejtohej si të shpëtonjë Mëmëdhenë nga mynxyra, Ta ngrer’ e ta lartësonjë, Edhe i qeshte fytyra. Parësin’ e Shqipërisë, Që i erdhi Skënderbeut, Ati’ mbretit t’urtësisë, Mbretit trim të mëmëdheut, Ti ëngjëll, do të ma thuash, E të m’i sjellç në mënt mua, Dhe një nga një të m’i quash, Si ç’i ka ndër mënt të tua. Nga gjithë, q’erdhë, m’i parë, Dukagjini, mbret i ndjerë, Që s’pat shok nër shqipëtarë, Dhe Zahari me të tjerë, Sicili nga vend’ i tija U nis e gjithë u derdhë, Të shumë si mizërija Skënderbeut miq i erdhë. Mëndjeshumi Araniti Me shumë shokë të ndjerë Pej Vlore me vrap arriti, Edhe të tjer’ e të tjerë, Tanush Topja dhe Gjon Shpata, Të parët’ e Shqipërisë, Erdhë edhe Lato Gjata Ndë rrëmet të parësisë, Edhe Maneshi nga Berati, Moisi Dibrani burrë, Shumë të parë nga Mati, Trima të patrëmbur kurrë Prens’ i perëndishm’ Urani, Që kish shum’ emrë qëmoti, Me burra nga Elbasani, Edhe Boshdar Nartioti, Palë Dushmani i ndjerë, Dhe bukuroshi Gjon Kokë, Një i parë nga çdo derë E me shumë trima shokë. Trimatë nga Malësija Erdhë me armë të lara, U çkul gjithë Shqipërija, Kshu ishin kohët’ e para. Gjithë erdh’ e u gëzuan Kur e panë Skënderbenë, Dhe me gas van’ e qafuan Si vëllezërë që qenë Me zemrë të dëshëruar Mbreti të gjithë i priti, Me fytyrë të gëzuar, I qafoj e i gostiti. Në mest të ati’ rrëmëti, Q’ishin mbledhur të tërë E ish mbushurë qyteti, S’kish ku yë hithnje gjilpërë, U ngrit mbreti i ndjerë, Fjalëëmbëli zëbukur, Araniti mendjegjerë, Q’ish i hijshëm’ e i dukur, Gjithë trimatë pushuan, Vunë vesh ndë fjalë mirë, Plaknë me mënt e dëgjuan, Që flit me shum’ ëmbëlsirë. Tha: “Vëllezrë shqipëtarë! Ju miqthit’ e Skënderbeut, Mbretrë, zotërinj, të parë, Gjithë djemt’ e mëmëdheut! A e dini, sot, o shokë, Rrezik i math nga Azija Na ka ardhurë mi kokë, Po s’poshtetë Shqipërija; Zot’i madh pastë lëvdatë Që nuk e la Shqipërinë Pa zot, pa mbret e pa atë, Kurrë s’ja zbriti fuqinë, Mbret i gjithë Shqipërisë Sot të jetë Skënderbeu, Erdhi ng’an’ e Perëndisë, Të shpëtonjë mëmëdheu; Gjithë, ç’jemi shqipëtarë, Këtë zot për mbret ta njohim, Dhe për të math e të parë, Pa ashtu punë të shohim; Në doni që të shpëtojmë, Çë të thot’ ajy të bëjmë, Fjalën’ e tij ta dëgjojmë Dhe kurrë të mos bëzëjmë. Se turku kërkon ta hedhë Në robëri Shqipërinë, Në zi, në brengë, në zgjedhë, Pa rreh ta bënjë të tinë. Po nukë humb trimërija, Shqipëtarët s’e harrojnë, Do t’i ndritonj’ urtësija, Se t’urtëtë kupëtojnë.” Kshu the, plak i perëndishmë! Mbret’ i ndjer’ e i lëvduar! T’ish njeriu i tanishmë, Mase s’të kishte dëgjuar; Po ata të gjithë ç’qenë, Zotërinjt’ e urtësisë, E njohnë mbret Skënderbenë, Mbren’ e gjithë Shqipërisë, Mbret mbi mbretërët të tjerë, Mbi gjithë ç’ishin të parët, Mbret e trim e burr’ i vlerë Përmbi gjithë shqipëtarët. Gjithë përnjëherë thirrë Parësija dhe rrëmeti Me gas shum’ e me dëshirë, Sa u tunt gjithë qyteti: “Mbret i gjithë Shqipërisë Do të jetë Skënderbeu, Edhe hij’ e Perëndisë, Q’i kish mallë mëmëdheu.” Paskëtaj të gjithë ç’qenë Mbledhur atje atë ditë, E rrethuan Skënderbenë, Ajy në mest posi dritë Së pari mbretëtë vanë Edhe pleqtë e të parët, Dorën’ e besën’ i dhanë, Pastaj gjithë shqipëtarët. Papa edhe mbretëritë E njohnë mbret Skënderbenë, Edh’e njohnë q’atë ditë Më të math nga gjithë ç’qenë Të gjith’ e vunë të parë, Kordhëtar’ e Shqipërisë, Të math mi gjith’ ushtëtarë, Se do t’i binin Turqisë, Sa nder mori Shqipërija, Edhe ç’emrë shqipëtari, N’ato ditët të atija, Q’u bë nga gjithë m’i pari! Ishte i par’ i të paret, Edhe krej’i ushtërisë, Ball’ i gjithë luftëtaret Dhe i gjithë njerëzisë. Skënderbe, o jetëgjatë, Më nise këngë dhe valle, M’u zbavite dit’ e natë, Me miqthit’ e tu u çmalle! Sa lodra e sa gëzime! Sa gjahe dhe bredhj’ e vrape, Dhe kalori e dëfrime, Derën’ e parajsës hape! Kuajvet, që hingëllinin, Flak’ u delte nga potkonjtë, Dhe armët’ e lara ndrinin, Me vrap nxitonin langonjtë. O kohë që nxiton shumë, Poshtë kurrë nukë bije, Po ikën me vrap si lumë, Ato që merr, ku i shpije? Shtrigë, kuçedr’ e pabesë! Ha djemthitë q’i pjell vetë! Asnjë nukë munt të mbesë Pa ngrën’ ajo goj’ e shkretë? Edhe dielli, q’ep dritë, Edhe hëna do të vdesë? Edhe yjtë nonjë ditë Do t’i hash me të pabesë? Evropa ishte e shuar Edhe gjithë njerëzija Nga frika ishte tmerruar, Prit’ shpëtim nga Shqipërija. Gjithë mbretrëtë që qenë, Shqipëris’ i prunë besë, Dhe mbren’ e saj, Skënderbenë, E kishin të par’ e shpresë, Ç’u bë emr’i Shqipërisë, Dhe liri e saj e ndjerë? Ajo drit’ e Perëndisë Vallë më s’vjen tjatrë herë? Në kurt kurrë Shqipërija Nukë hyri, e në zgjedhë S’e ka shtënë Perëndija Edhe nukë do ta hedhë, Po kërkon emrin’ e vjetrë Dhe nderë që pat njëherë E s’e kish nonjë vent tjetrë, Zoti sërish do ta bjerë.
–
Kreu IX
N’ato kohë venetjanët Gjithë den’ e kishin zënë, E të detit të gjith’ anët Në dor’ i kishinë vënë. Pa dhe nga të Shqipërisë, Ca qytete t’anës’ s’detit Ishinë të Venetisë Edhe në ditët të mbretit. Lekë Zahari kish vdekur, Q’ish një prins i Shqipërisë, E Dajini kishte mbetur Pa zot e në mest të zisë, Q’ish qytet me shumë hije Dhe me gas në Mirëditë, Thoshnje kurrë nukë bije Bukuri e tij në shkitë, Aq i bukur ish Danjini, Pa kish dëshirë ta zinte, Po dhe Lekë Dukagjini, Q’e kish fqinjë s’doj ta linte, Se mëm’ e Lekë Zaharit Zu udhën e marrëzisë, S’desh t’ja linte shqipëtarit, Po ja fali Venetisë! Pa mbreti tha: “Venetija S’hyn në mest të Shqipërisë, Se s’mbet shkretë Shqipërija, Që t’i mbesë Venetisë.” Venetija e kërkonte, U bë armik menjëherë, Skënderbeu nukë donte, Puna ishte e përzjerë. Kah u bë ngalje një plakë E përgjunjur dh’e mahnitur, Ndezi një të madhe flakë Me dorëzët të drobitur! Me Turqin’ e me Sërbinë E kish prishur Skënderbeu, S’doj ta prish’ me Venetinë, Papo puna s’i pëlqeu. Po domosdo do ta prishte, Se vu këmbë Venetija, Puna rrezik të math grishte, Kish dëm shumë Shqipërija. Mbreti mblodhi parësinë, Dhe çelën’ e trimërisë Q’e nderonin Shqipërinë, Për punët të Venetisë, Po pshehtazi erdh’ e zunë Venetjanëtë Dajinë, Ushtëtarë shumë vunë Brënda në qytet të rrinë. Edhe mijë trembëdhjetë Dërguanë luftëtarë E Danil Huriqi vetë Ishte përmbi gjith’ i parë. N’anët të Drinit qëndrojti Ushtëri’ e Venetisë, Fushënë gjith’ e mbulojti Armiku i Shqipërisë! Kish italjanë, dalmatë, Gjithë burra luftëtarë, Të mbëdhenj, te tresh’, të gjatë, Kombe shum’ e shumë farë. Skënderbe’ burr’i vërtetë, Dhe trimatë shqipëtarë, Mijë plot katrëmbëdhjetë, Muarrë udhën’ e mbarë: Pesë mijë me Hamzanë E rrethuanë Dajinë, Edhe nëntë mijë vanë E kapërxyenë Drinë Shtatë mij’ ish kalorija, Të hekurt ishin të tërë, E dy mijë këmbësija, Posi pylli ishin bërë. Moisiu ish mënjanë Me shumë të mirë shokë, Të gjithë burra dibranë, Trima për vdekj’e për kokë M’anët tjatërë Tanushi Me dy mijë luftëtarë, Edhe Muzakë-bardhushi E shumë burra të parë Në mest ishte vetë Mbreti, Skënderbegu trim e burrë, Pas soje gjithë rrëmeti, Që s’ishte mundurë kurrë Dukagjini me Uranë Me pakë shokë të tjerë Ishin hequrë mënjanë E nuk ishinë përzjerë, Moisiu munt dalmatët Me ata burra dibranë, Dhe gjithë shqeht’ e harvatët Dhe dolli më tjatrët anë. Pas ati’ edhe Tanushi, Duke zhveshur jataganë, Kalit i ra e ja mbushi Dhe u fut nër italjanë Ata me ushta i pritnë, Shqipëtarët shpatat çkulë Edhe i pren’ e i shtritnë, Pa i bënë fare vrulë. Mez’i ushtëris’ s’armikut E pa që anët u thyen Dhe mbet në mest të rrezikut, Papo erdh’ e u rrëmbyen, U derdhë mi Skënderbenë, Si galat me sokëllimë, Duke shtënë drejt i venë Mbreti posi vetëtimë U hoth përmbi ta me shpatë, Të tër’ e zeza i preu; Më çdo herë gjasht’ a shtatë, I pritte të vdekur dheu. Erdh’ u ranë shqipëtarët, Nga vendi që patn’ i çkulë, Pa i bënë byk barbarët, Fjamurë në mest e ngulë. Po dalmatëtë u mblodhë, Që kishin marr’ arratinë, Mi shqipëtarët u hodhë, Duke mbledhurë fuqinë Gjenë përpara Uranë Edhe Lekë Dukagjinë, Që i pritn’ e i përndanë, U dhanë prap’ arratinë. Atë ditë shqipëtarët Të gjith’ armikët i shuan, Vetëm pak nga të parët Edhe Huriqi shpëtuan. Ishin dhe ca shqipëtarë Me armikëtë përzjerë, Punuanë si të marrë, Popo, ç’bëtë, o të mjerë! Nga gjith’ ata tradhëtorë Të kombit, të mëmëdheut, Kishin rënë në dorë Dy të parë Skënderbeut: Andreu me Bolkathanë, Q’ishin bërë me barbarët E goditnë shqipëtarët! Dukagjini desh t’i vriste Edhe bashkë me Uranë Të hiq shpatën’ e t’i priste Andrenë me Bolkathanë, Pa u ngrit me vrap nër shokë Dhe u derth tek ish Andreu, Po ati’ dorën mi kokë I vu vetë Skënderbeu Edhe e shikoj Uranë E i tha: “Dhe ti o burrë! Mos, mos e nga Bolkathanë, Se këto s’i bëmë kurrë Ne s’i kemi vrar’ barbarët, Q’i kemi vënë në dorë, E të vrasëm shqipëtarët, Të prishimë dy të gjorë! U mbloth i tërë rrëmeti, I shikonte si armikë, Atyre po u thosh mbreti: “Perëndija s’pattë frikë? Ësht’ i lik e i pabesë Kush tradhëton mëmdhenë E kombinë, pa s’ka shpresë, Se atë gjall’ nuk’ e lenë. Qysh u ndothtë ju të marrë, Ju bët’ armik kombit tuaj; Tek ishitë shqipëtarë, Përse u bëtë të huaj?” Kështu u tha Skënderbeu. “Mbret’ i math, o jetëgjatë!” Tha Bolkathaj e Andreu, “Bëmë të madhe mëkatë! Neve më s’duhet të rrojmë Me gjithë këtë të metë, Kombinë ta tradhëtojmë! Më nukë jemi për jetë!” Mbreti u tha dhe ca fjalë, Ata shum’ u mallëngjyen, Pastaj fajnë ua falë, Se të gjorët’ u gënjyen, Pa të vërtetën’ e njohnë, Ng’ajo që bënë më parë, Me gjithë zëmr’ u pendohnë Dhe u bënë shqipëtarë. U kthye në Dajin mbreti Edhe gjithë ushtërija, Po dhe s’ish dhënë qyteti, Ishte brënda njerëzija. Parësija e të tjerë Thanë: “Tani më ç’mënojmë, T’i hidhemi menjëherë, Ta marrim edhe të shkojmë.” Mbreti u tha: “S’është mbarë Që ta marrim e të shkojmë, Se ka brënda shqipëtarë, S’më ka ënda t’i lëftojmë Ata do t’i marr’ urija Edhe do t’epenë vëtë, Pse të vritet njerëzija Pa nevojë të vërtetë?” Kshu tha mbreti, pa e lanë Pa goditurë Dajinë, E pshuallë, po s’i ranë, Kursyenë njerëzinë. Mbren’ e Bosnjësë, Stefanë, Për të ndihur Venetisë, E rremnë ca venetjanë, Edhe ju derth Shqipërisë, Po Skënderbeu s’mënojti, Marinonë me Hamzanë I nisi dhe i dërgojti Me trima përmbi Stefanë, Me t’arritur shqipëtarët, Mbret’i Bosnjësë u thye, Edhe iku me të parët Pa kësul e pa qyrdye! Marinoja me Hamzanë, Me burratë shqipëtarë, Gjithë Bosnjës’ anembanë I vunë flakën’ e zjarrë. Pastaj Marinua Leshnë Zuri kundrejt Venetisë, T’u epte mirë rrebeshnë, N’i derdheshin Shqipërisë, Kur e mori vesh sulltani, Që lëfton me Venetinë, Ju lëshua dhe Stefani, Tha: “E hangra Shqipërinë!” Nisi prapë Mustafanë Me mijë pesëmbëdhjetë, Dhe në Shqipëri u dhanë Luftëtarëtë si mbletë. Pa Skënderbeu Uranë Dërgoj, me trima të tjerë, Ta ndalojnë Mustafanë, Po në luftë të mos bjerë Pa i tha: “Të zini malë, E t’i bëni të mënojnë, Me vrap më dërgoni fjalë, Po të zën’ e të lëftojnë.” Turqitë e kupëtuan Shqipëtarë q’ish i pakë, Edhe më nukë mënuan, Po e derdhë fill e flakë E muarrë me rrëmujë, Si s’e panë atje mbretnë, U nisnë drejt për në Krujë, Ta zënë kryeqytetnë. Po arriti Skënderbeu, Erth në fushët tek shkon Drini, Udhën’ armikut ja preu, Duke ardhur nga Dajini. La Hamzan’ atje të parë, Q’e kish rrethuar qytetnë, La dhe shumë luftëtarë, Dhe ca u nisnë me mbretnë. Venetjanët’ e mësuan, Q’erth ushtëri e Turqisë Edhe më nukë mënuan, Ju lëshuan Shqipërisë. Marinoja luftoj mirë, Pa s’e muarrë dot Leshnë, Armikëtë gjith’ u vdirë, Zot’i math u dha rrebeshnë. Po të tjerë më tjatr’ anë Hyn’ e zunë Shqipërinë, Posi karkaleci ranë Edhe lanë vetëm hinë! Mbreti ish nd’anët të Drinit, Lëftonte me Mustafanë, Venetjanëtë Dajinit Ju derdh’ e gjetnë Hamzanë. Hamzaj e ndau ushtërinë, Një anë jashtë lëftonte, Edhe tjatëra Dajinë E rrethont’ e s’e lëshonte. Me gjashtë mij’ ishte mbreti, Katrë mij’ ish kalorija, Kundrejt gjith’ ati rrëmeti, Që kish dërguar Turqija. Lufta posa ishte ngrehur, Shigjetatë vetëtinin Dhe shpatatë ishin nxehur, Gjak kërkoninë të pinin! Vdekj’ e shkretë rrotull vinte, E zez’ edh’e shëmëtuar, Në mest të luftës lëçinte, Trimat’ ishin ashpëruar. Trim’i turqet Karakushi, Q’ish një i par’ i Turqisë, Kalit i ra e ja mbushi, Dolli jashtë ushtërisë Dhe thirri: “O shqipëtarë, A ka në ushtërit tuaj Një burrë trim e të parë Të lëftonjë me të huaj? Këtu njihet trimërija, Le të dalë, pa të shohë, Një nga gjithë parësija, Vet’hen’ e tija ta njohë!” Kështu thirri Karakushi, Pa u ngidhë shqipëtarët, Me një gas të math Tanushi U nis të dil me të parët. Në mest të gjithë rrëmetit Maneshi posi fajkua Erth, ju afërua mbretit, I tha: “Falma lejën mua.” Mbreti qeshi edh’e mbajti, E i tha “Rri ti” Tanushit; Maneshi si flaka vajti, Dhe ndënj kundrejt Karakushit, I tha: “Më ngjan se gënjehesh, Pa mburre kështu si gratë, Apo pandeh që të kthehesh Edhe ta kesh për lëvdatë?” Pas kësaj i tha Maneshi: “Me ç’armë do të lëftojmë?” Ajy fjalë nukë deshi, I tha: “S’duhet të mënojmë”, Edhe një usht’ i vërviti Me rrëmbim të math armiku. Ky me mburronjët e priti, Ashtu shpëtoj nga rreziku; Pa një shigjet’ i vërviti Me të madhe fishëllimë, Në sy të djatht’ e goditi, Ja bëri tejpërtej vrimë Posi rrufeja shigjeta E mori në syt të mjerën, Përnjëherë ju nxi jeta, Ra nga kali, kafshoj terën. Qysh erth e u ashpërua Edhe mori me nxit malë, Iku e u egërsua Aq’ ajy i shkretë kalë! E la të vdekur të zotnë, N’anët të lumit arriti, Hyri brënda, bëri notnë, Dolli tej dhe hingëlliti. Kur u mërgua nga lumi, Hodhi syt’ e mori zallë Dhe shkrefëtiti vrapshumi, Po nuk’ e nxirrte dot mallë! Në Adrinopoj’ arriti, Duke ikur dit’ e natë, I ra derës’ e i ngriti, Edh’e zunë vajnë gratë. Maneshi si zok i lehtë Zbriti e kokën ja preu Me shpatë shumë të prehtë, Pa e ngriti dh’e rrëfeu; Armët’ e lara ja nxori, E la të zinë të nderë, Kokënë në dor’ e mori, Pa u kthye burr’i ndjerë. Turqitë u ashpëruan, Me trimëri shum’ u hodhë E me zëmërim lëftuan; Shqipëtarët’ u përmblodhë, Pa u derdh’ e i përpinë, I vranë, i ther’ i prenë, I copëtuan, i grinë, I përhapn’ u dhanë dhenë. Mojsi, o trimi me pallë, Me sa trimëri lëftove! Nukë le armik të gjallë, U dhe dërmën’ e i shove. Mustafaj be kishtë bërë: Një grusht flori do t’i ipte Ati trimi që ta zërë Moisinë, doj ta rripte! Ishte bërë vërtet beja, Po zihetë vetëtima? Mbahet në dorë rrufeja? Mundenë burratë trima? Kur lëshohej vetë mbreti Me kordhët të larë xhveshur, E hidhej si valë deti Kal’i math, i bardh’, i qeshur! Asnjë në mest të rrëmetit Nukë mundte të qëndronte, E kush i dil kundrejt mbretit? S’kish burrë që të kuxonte. U bënë stavë të vrarët, Gjaku rrithte si rrëketë, U shuan gjithë barbarët, Fusha erth u bë kënetë! Mbreti trim me luftëtarë Aqë me zëmërim shtinte, Sa gjaku nga kordh’ e larë Gjithënjë si lumë vinte! “Na shuanë! po ku jini? Këta që qen’ aqë pakë!” Tha Mustafaj, “as u bini”, Edhe u derth posi flakë. “Sy e faqe më s’na mbeti, Më ç’e duamë vet’henë”, Tha, pa ju nis pas rrëmeti, U derdhë mbi Skënderbenë. Skënderbeu i ra kalit Edhe shum’ u ashpërua, U bë si dragoj i malit, Vetëm mbi gjith’ u lëshua. Kali q’e njih Skënderbenë, U vërvit posi hastriti, E mori nër dhëmbë frenë, Armikëtë i mahniti. Mustafa pasha u thye Dhe gjith’ ata që kish pranë, Rrëmeti i tër’ u çqye, Vendinë sërish e lanë. Po Tanushi me Uranë E të tjerë shqipëtarë N’anët tjatër’ ua dhanë Me rrëmbim e me të sharë. Mustafaj erth u bë dyllë, E pa pisk e s’dij ç’të bënte, Mbeti kaluar si shtyllë, Udhë për t’ikurë s’gjënte! Të shumëtë luftëtarë U vranë në luft’ e ranë, Mustafaj me ca të parë Nxuarr’ armët’ e i dhanë. Mustafa trimi me pallë S’e mundi dot Skënderbenë, Po u zu vetë i gjallë, Të tjerët muarrë dhenë. Armikë plot mijë dhetë N’atë ditë ishin vrarë, E vetëm treqint e tetë, Kishin rënë shqipëtarë. U çlodhë një natë mirë, Se burrat ishin këputur, Më nesëret më të ngdhirë Fjala erdhi posi flutur Edhe tha që venetjanët E mbuluan Shqipërinë, U hapnë më të katr’ anët Dhe u derdhë mi Dajinë. Pa mbreti gërgoj tri mijë Të zënë Maqedhoninë, E në qoftë që të vijë, Ta ndalojn’ atje Turqinë. U lëshuan si rrebeshi, Dy mij’ ishte kalorija, Mi gjith’ i parë Maneshi, Një mij’ ishte këmbësija. Me të tjerët Skënderbeu Në Dajin’ erdhi e zbriti, Armikn’ e zeza e preu, Posa dëgjoj se arriti. Venetjan’, o venetjanë! Pritni Lekë Dukagjinë, Muzakënë dhe Uranë, Tanushnë e Moisinë! U talli e shkreta shpresë, Andaj i ndihtë Turqisë, Ja pattë me të pabesë, Mbretit trim e Shqipërisë. Venetjanëtë s’qëndruan, Po ikën’ e u përhapnë, U frikësuan’ e shkuan, Sicilido mori vrapnë, Dëgjuanë Skënderbenë Që po vij i ashpëruar, S’ndënjënë dot, muarrë dhenë Me nxit e të frikësuar, Shqipëtarët pas u ranë Dhe të shumët’ i arritnë, E të gjallë më s’i lanë, Në terët përjet’ i shtritnë. Me gjithë shokët Urani E kish bërë besa-besë, As këmbë pej venetjani Në Shqipëri të mos mbesë. Ke vënë re kosëtarë, Q’i hyn luadhit si flakë, Edh’e korr fët-e-fët barë, Pa e heth gjithë vandakë? Ashtu edhe shqipëtarët Venetjanëtë i shtunë, I korrë gjithë barbarët, Përmbi terët stav’ i vunë. Në Dajin ata q’u mbyllë, Dalin me paq’e me fjalë, Ishinë bërë si dyllë, Dhanë armët’ e u falë I përsuallë e shkuan Dhe u hodhë përtej denë, Në Veneti i lëvduan Shqipëtarët’ edhe mbrenë. Pastaj qytetn’ e Dajinit Mbreti burrë kordhëlarë Ja fali çelë Mardinit, Q’e kish farefis Zaharë Pa e bëri dhe Mardinë Mbreti mik edhe vëllamë Me prens Lekë Dukagjinë, Të dashur’ e të pandamë. Ushtëri’ e Shqipërisë Mori plaçkë nga Turqija Se ushtëri’ e Turqisë Kish marrë nga Shqipërija; I bëri punët si deshi E si qenë për të bërë, Pastaj u kthye Maneshi Dhe luftëtarët të tërë. E mblodhi gjith’ ushtërinë, Q’ish ndarë më të gjith’ anët E kish mundurë Turqinë Dhe Bosnjën’ e venetjanët; Pa në mest t’ati’ rrëmeti Të burravet shqipëtarë U ngrit me gas të math mbreti, Skënderbegu kordhëlarë U tha: “Djemt’ e Shqipërisë! Mëmëdhenë e nderuat, Me ndihmët të Perëndisë Nga armikët’ e shpëtuat. Ajy q’është trim e burrë E lëfton për mëmëdhenë, Nukë vdes, nukë vdes kurrë, Përjet’ e nderon vet’henë. Ata vëllezërit tanë, Q’u vranë për Shqipërinë, Emrë të pavdekur lanë, Gjithë bota do t’i dinë. Ndaj meje është i gjallë Gjithënjë ajy në jetë, Që lëfton si trim me pallë, Shpëton nder’ e bije vetë. I jam falë trimërisë, Që më shpëtoj Shqipërinë, I jam falë Perëndisë, Që më dha nder’ e fuqinë. Më ato arnëtë tuaj Mëmëdheu do të mbahet, Kurrë në dorë të huaj Nukë bij’e nukë ndahet.” Kështu u tha Skënderbeu. Shqipëtarët thirrë: “Rroftë Mbreti, kombi, mëmëdheu! Kurrë mos u varfëroftë!” Pastaj u ngrit ushtërija Me shumë të madhe bujë, Kalori’ e këmbësija Me gas të math erth në Krujë. Prunë Mustafa pashanë E turq të tjerë q’i zunë, Edhe shumë venetjanë, Veçan ndër shtëpi i vunë. Mbret’i mbante me të mirë Dhe të lir’ e me dëfrime, Me të ngrën’ e me të pirë, Me mëshir’ e pa mundime. Parësi’ e Venetisë I dërgoj kanisqe shumë Mbretit t’math të Shqipërisë E një fort të madhe shumë, I kërkoj vetëm lirinë Nëpër Shqipëri të ketë, Që të bënjë tregëtinë E të jetë mik përjetë E lufta q’u bë më parë, Paskëtaj le të harrohet, Të jenë si fis e farë, Gjithë puna të mbarohet. Mbret’i mir’ ata i priti Si miq e shum’ i nderojti, U dha kanisk, i gostiti, E të zënët’ i lëshojti. Parësi e Venetisë Pasandaj me të vërtetë Ju bë mike Shqipërisë Dhe Skënderbeut përjetë. Kanisqet, q’erdhë me barrë, Mbret’i math, burr’i vërtetë, Gjith’ i ndau në ushtëtarë E gjësendi s’mbajti vetë. Edhe fqinjët’ e pabesë, Sërbija, Bosnja, Vllahija, Ju lutn’ e kërkuan ndjesë, Thanë: “Na vu marrëzija!” Nevoj’aher’e mësojti, Pa nisi florinj me barrë Sulltan Murati, dërgojti, Që s’e kish bërë më parë. Pa dërgoj Ahmet pashanë, Që me mbrenë kishte qënë Mik, e kërkoj Mustafanë Dhe të tjerët q’ishin zënë. Mbreti i bëri gostinë, E priti si të vëllanë, Dhe bashkë hangër’ e pinë, Grishi edhe Mustafanë Dhe Tanushn’ e Moisinë, Muzakënë e Uranë, Maneshnë e Dukagjinë E të tjerët’ anembanë. Turqitë u ngrin’ e shkuan, Në Adrinopojë vanë, Të gjorët shum’ u gëzuan, “Kemi lindur sërish” thanë. Florinjtë i ndau mbreti, I muarrë luftëtarët, Pa pjes’ asnjë nukë mbeti Nga vegjëli e të parët. Popo, ta shihnje sulltanë! Ishte bërë si i marri: Pa pyetur, Mustafanë, Të varfërinë, e vari! Shqipëtarëtë fituan Luftërat, emërin, nderë, Pa fort shumë u gëzuan, Të gjithë burrat’ e vlerë Shpëtuanë mëmëdhenë, I dhanë nder Shqipërisë, Lartësuan vetëhenë Para gjithë njerëzisë. Me gjithë botën lëftuan, I muntn’ armikët të tërë, I prenë, i vran’, i shuan, Punë që më s’është bërë! Ata trimatë q’u vranë Për shpëtimt të Shqipërisë, Mëmat’ e tyre s’i qanë, Vanë njatë Perëndisë. Me gjith’ atë trimërizë, Me gjithë këta të mbarë E me kaqë mirësizë, Me ata bij shqipëtarë Skënderbeu u gëzua Dhe shokët’ i përgëzojti, Po s’u mburr e s’u lëvdua, Vet’henë s’e rëndësojti. Me zëmrë shumë të qetë lith duartë në krahruar, Pa thotë: “Zot i vërtetë! Emri yt qoft’ i lëvduar!” Shok s’ka pasur ajy burrë Edhe nukë do të ketë, Se si Skënderbeu kurrë S’ka ardhur’ e s’vjen në jetë. Gjithë ç’janë mirësitë E të tërë trimërinë, Urtësit’ e dituritë, Bukurin’ e njerëzinë, Duke mbledhurë me dorë, Gjithë tok i kish përzjerë, I kish tretur si dëborë, Pa kish bërë këtë herë Trimn’ e mirë, Skënderbenë, Zot i math e i vërtetë, Që e nderoj mëmëdhenë, Në mos ishte ajy vetë. —
Kreu X
N’Adrinopojë Murati Me të bir’ e me të tjerë Brengë të brëndëshmë pati, Dhe trazim ndër jeniçerë. Pastaj u hoth mbi të tjerë, Andej, këtej i përlau, Papo humbn’ ata të mjerë Si lëpushkat q’i ha kau! Njeri nukë i qëndronte, Aq’ ish i fortë Murati, Të gjithë i dobëtonte, I ndihte djalli dhe fati. Vetëm një që nukë mundte, Skënderbe trim shqipëtarë, Pa qante dhe kokën tundte, Në zëmër’ e kish nakarë. Pa prishurë Shqipërinë, Q’ish në kufit e një fqinjë, Nuk’ e shtonte dot Turqinë, E kish në syt si dëllinjë. Pa e mblodhi parësinë, Bënë fjalë gjat’ e gjerë, Si ta prishnjë Shqipërinë Edhe më të mos ta lerë. “S’ka të mbarë, tha, Turqija, Sa është gjall’ Skënderbeu, Do prishurë Shqipërija”, Gjithëve kjo u pëlqeu. Dyqint mijë luftëtarë! Njëqint mij’ ish kalorija! Gjithë t’egër’ e barbarë, U mbloth’ e u bë gatija! Mi gjith’ ata ushtëtarë Q’ishin mizëri e mbletë, Mi të parëtë m’i parë Ish sulltan Murati vetë. Pa dhe djalli këtë herë, Për të shuar njerëzinë, Top e gjyle kishte nxjerrë, Të vris njeriu njerinë! Me arm’ e me ushtëtarë, Me kamilla e me kuaj, Me shumë burra të parë, Me të tit’ e me të huaj, Me të madhe kërcëllimë U nis i tërë rrëmeti, Me zë e me oshëtimë Dolli me nxit nga qyteti. Pa Skënderbeu i mblodhi, Erth e tërë Shqipërija, Parësija me vrap rrodhi, Dhe pas gjithë vegjëlija. Fortesën’ e Sfetigratit, Që prara Dibravet ishte, Ja la sipërë Perllatit, Q’ish shumë trim e shokë s’kishte. Skënderbeu dolli vetë E solli rreth Shqipërinë Me kalorës dymbëdhjetë, E fortësoj njerësinë. Prap’ u kthye n’ushtëresë Dhe përhapi trimërinë, Dhe gas edhe bes’ e shpresë, Gëzoj gjithë njerëzinë. Fjal’ e atij edhe gurë Munt ta ngjallte me të parët, Dhe ta bënte trim e burrë, Jo trimatë, shqipëtarët! Fortesat’ i fortësojti, Pa përndau parësinë, Nëpër vënde i dërgojti, E pas mbajti Moisinë. Ishin të zottë të parët, Burra gjith’ e shumë trima, E të tërë shqipëtarët Ishin posi vetëtima! Parësi’ e Shqipërisë Ishte bërë zjarr e flakë, S’i trëmbëshinë Turqisë, Ndonëse ishin më pakë Një lëftonte me një mijë, Edhe nukë trëmbej kurrë, Armikëtë s’doj t’i dijë, Ishte kordhëtar e burrë. Më trim mi gjithë të parë Ishte Uran bukuroshi Dhe Tanushi kordhëtarë, Hamzaj, Muzakë djaloshi, Dukagjini, Moisiu, Maneshi shpatullgjerë, Golemi mjekërëziu, Edhe të tjer’ e të tjerë. Pa të tërë shqipëtarët Ishin shumë trim’ ahere, S’i ndaje dot nga të parët E nonjë pas nukë lere. Gjithë ç’qenë mbretëritë Njerës kishinë dërguar, Skënderbeu me të titë I pritnë duke gëzuar. Të dërguarit’ u thanë: “Ç’ndihm’ u duhetë, na thoni, Se gjithë mbretërit tanë Do t’u apënë ç’të doni.” Skënderbeu : “Na gëzuat, Miq të mir’ e të vërtetë!” Tha “dhe shumë na nderuat, Nder u dhëntë Zoti vetë. Kur t’u kërkojmë, të vini, Tani gjithë ushtërinë Gati e n’armë ta kini, Dhe ahere letë vinë.” Me urtësi Skënderbeu U tha vetëm këto fjalë, Të dërguarit’ i ktheu E dërgoj me ta të falë, Gjith’ ushtërit’ e Muratit, E shumë si mizërija, Ju lëshua Sfetigratit, U çkul e tërë Turqija! E rrethuan Sfetigratnë, Sulltani njeri dërgojti Ta bindte burrë Perllatnë Perllati ndënj’ e dëgjojti, Pa i tha: “Thuaj Muratit, Sa të jetë gjall’ Perllati Fortesën e Sfetigratit S’e merr dot kurrë Murati.” Me të msuar këtë fjalë, U ashpërua Murati Posi deti kur hedh valë, Tha: “Dal, pa më sheh Perllati.” Krisi topi si gjëmimi! Si rrufeja gjyl’ e shkretë E rrih fortesën, po trimi S’u trëmb, ish burr’ i vërtetë. Armikët’ u zëmëruan Dhe gjithë fuqin’ e mblodhë, Fortesësë ju lëshuan, Me rrëmbim të math u hodhë. Menjëherë shqipëtarët Ua dhanë me shigjetë, Stavë u bënë të vrarët, Ranë përdhe posi fletë Të tjerëtë u përhapnë, U trëmbn’ e u frikësuan, E gjithëkush zuri trapnë, Nga fortesa u mërguan. Pas asaj gjithë të parët Thirrë dhe Murati vetë, Ju lëshuan luftëtarët Prapë fortesës si retë. Po të brëndësmitë prushnë Dhe finjën’ e vajn’ e zjerë U hodhë dhe sheshn’ e mbushnë Me të vdekur’ e të nderë. Prapë e muarrë vrapnë, Shoku-shoknë më s’e panë, Iknë gjith’ e u përhapnë, Sicili nxitoj mënjanë. Sulltan Murati tha: “Unë, Që njerëzit gjith’ i munda, Të pësonj sot këtë punë E të më thyhetë hunda! Unë kaq’ kombe të tjerë I prisha dhe i kam vrarë, E të mos munt këtë herë Ta nxjerr tej me shqipëtarë!” Pa tha, “Atë që të kthehet Këtu vdekja do ta presë Si mjerë kush të gënjehet! Hidhuni përmbi fortesë!” Pas kësaj, gjith’ u përmblodhë, Duke shkelur mi të vrarë, Dhe fortesësë ju hodhë E nëpër muret u varë S’vunë re usht’ e shigjetë Si galatë u vërvitnë Dhe u vranë shumë vetë, Po të tjerëtë u ngjitnë. Më s’bënte punë shigjeta, Po kur zhveshnë shqipëtarët Shpatat’ e prehta të shkreta, I mori djalli barbarët. “Oburra!”, thirri Perllati, “Sot ta marrë vesh Turqija Dhe vetë sulltan Murati Ç’trima djem ka Shqipërija. Biruni me vrap, o shokë!” Tha, edhe gjithë po shtinin, Turqit’ pa dor’ e pa kokë Nga mur’i fortesës binin. Kur nj’e madhe kërcëllimë E tundi të tërë dhenë Dhe ndriti një vetëtimë, Turqit të mahnitur mbenë! Një zë i math po dëgjohej, Një rrëmet unjej nga bregu, Tymi sa vinte po shtohej, “Popo!”, thanë, “Skënderbegu!” Vërtet po vij me vrap Mbreti, Moisiu dhe Muzaka, Në mest të ati’ rrëmeti U hodhë mbi ta si flaka! Kish dhjetë mijë të zgjedhur, Të tërë ishin kaluar, Gjithë çela ishte mbledhur, Vdekjenë sillnin nër duar. Kalorinë e dërgojti Sulltani mi Skënderbenë, Mbreti gjith’ i copëtojti, Pa u dha dërrmën’ e dhenë. Armikët’ i ngau data, Gjith’ ushtërin’ e lëshojti Murati, po erdhi nata E vdekjenë e ndalojti. Nga kjo punë u helmua Fort shumë sulltan Murati, N’anët tjatrë u gëzua Me shokët’ e tij Perllati. Mbreti me shokëtë iku, Zuri një vent të mërguar, Po s’e mori vesh armiku, Pa ndenj gjithë natën zgjuar. Jashtë po rrinte Murati, Edh’e tërë ushtërija, Me shokët brenda Perllati, Ata edhe Perëndija, Gjithënjë fjal’ u dërgonte, E rrihte t’i mashtëronjë. Pun’ e rremeja s’mbaronte, Pa më s’dij si të punonjë. Kërkonte t’i haj më besë, Po fjal’ i dërgoj Perllati, “Mos bjerë më atë shpresë Se s’epetë Sfetigrati.” Pshihej dielli, dil hëna, Shkonte nata, vinte dita, S’mbaron dot pun’ as e thëna, As gënjeshtëra, as mita. Armikët’ ishin radhosur, Nëpër sheshe kishin rënë, Të sëmur’ e të plagosur, Vendin’ e kishinë zënë, Dhe nga vap’ e zjarr’i shumë Ishin prer’ e dobëtuar. Ca kishin rënë në gjumë, Të tjerëtë rrinin shtruar. Hëna herë në re pshihej, Herë delte e tregohej, Epte drit’ e përsëritej Dhe prapë me re mbulohej. Ahere majë një bregu, Me Tanushn’ e me të tjerë, Kishte dalë Skënderbegu Dhe i pa gjithë të nderë. O hëna krahrorergjëndtë! Ti u bëre tradhëtore? Zoti për faj mos ta zëntë! Të gjorët më qaf’ i more! I pa ashtu Skënderbeu Dhe u fal më Perëndinë, Pa shokëvet u rrëfeu, Tha: “E shihni ushtërinë? E shihni sulltan Muratnë, Q’ish i patundur si shkëmbi, Veç këtu s’e gjen dot fatnë, Pa gjithë botën e trëmbi. Ajy që nuk’ u munt kurrë, Që ka prishur mbretëritë, S’i ndënj kundrejt ndonjë burrë, Ndaj nesh ka rënë në shkitë! Gjithë botën’ e ka marrë, S’e ka trëmburë rrëmeti, S’munt dot vetëm shqipëtarë. E shihni? Këmbëkuc mbeti! Pa t’u derdhemi një herë, Atje tek janë të shtritur, Të dremitur’ e të prerë, Të dobët’ e të drobitur.” Me të thënë këshru mbreti, Gjithë burrat’ u gëzuan, U lëshuanë së qeti, Armikut ju afëruan. Pa nisinë Moisinë Me shumë trima të tjerë, E qyrë mir’ ushtërinë Dhe u kthyen menjëherë, Gjith’ u derdhë më të qetë, Në mest t’ushtërisë vanë Burrat trima të vërtetë, Armikët fare s’i panë. Moisiu, si turk veshur, U thosh më gjuhët të tyre: “Përse s’flini?” duke qeshur, Me farë turku mënyre! Ujku i urëtë shumë Kur futet ndaj bagëtisë Dhe barin’ e gjen në gjumë, S’ja mbyll derën e shtëpisë Ashtu edhe shqipëtarët Me vërtik shum’ u lëshuan, Pa i shuanë barbarët, I therë e i rrëzuan! Ç’u ka bërë Skënderbeu Armikëvet atë natë, I griu, i shoj, i preu! Ish rrufe ajo, s’ish shpatë! Aqë ngrinte shumë shpata, Sa shkelte mi yjt’ e shkonte, Me vrap nga frik’ e saj nata Ditësë vent i lëshonte! Gjaku më gjut kish arritur, U mbush vendi me të vrarë, Armikëtë të mahnitur Po ikënin duke qarë! Sa të zgjuhetë nga gjumi E të marr’ armët’ armiku, Gjaku ish bërë si lumi, Mbreti me shokëtë iku. Bisha duke përlëfytur Deshtë i lë mbi dhet rrahë, Edhe ikën në gjak mbytur, Nxiton si shqipja me krahë! Më të nesëret Murati U ngrit me shum’ idhërime, Më anët tjatrë Perllati S’e la të bënte fitime. Tri herë muarrë vrapnë, Të tri herët’ i përndanë, Gjith’ ushtërin’ e përhapnë Dhe shumë syresh i vranë. Shqipëtarët dit’ e natë Më të gjith’ anët u binin, Atyre u hiqninë shpatë, Fortesës ngrënje i shpinin. Një mëngjes gjith’ e rrethojnë Armikëtë Sfetigratnë Dhe i bien’ e s’pushojnë, Po s’e trëmbin dot Perllatnë! Firuz pashënë Murati Me mijë tetëmbëdhjetë E dërgoj me vrap lugati Të zij vënt, të rrij i qetë, Skënderbenë ta ndalonjë, Ta mbanj’ e të mos e lerë, Dhe ky vetë të lëftonjë E fortesësë t’i bjerë. Murati këto po shtinte Dhe Sfetigratn’ e shtrëngonte, E Skënderbeu po vinte, Se të gjitha i mësonte. Kishte mijë dymbëdhjetë Burra trima shqipëtarë, Dhe sa të gjith’ ishte vetë, Q’ishte mi të tër’ i parë. Firuz pasha më një gropë E kish ndarë ushtërinë, E kishte bërë tri copë Edhe po priste të vinë. Më nj’anë vete Muzaka, Moisiu më tjatr’anë, Mbreti vet’ u fut si flaka, Armikëtë gjith’ i ranë, Po ajy si vetëtima Hyri me kordhë në dorë, I ndau burratë trima, U dha gjithëve tërthorë. Si i hapi e i prishi, Qëndroj e u çloth mënjanë, Të parëtë gjith’ i grishi, Për luftënë fjalë thanë. Firuz pasha: “Shqipëtarë!” Thirri, “Ku e kini mbrenë? Jo më nxjerrki ca kusarë! Ç’e gjet vallë Skënderbenë? Ajy burri trim që kini Iku vall’ e mori malë? Pa ma bini, pa ma bini, N’është trim, këtu të dalë.” Kështu u tha Firuz pasha Me buj’ e duke lëvduar Dhe duke vrarë të trasha, I ziu e kish të shkruar! Mbreti trim, me të dëgjuar Këtë fjal’, u ashpërua Dhe hyri me nxit kaluar, Posi fajkoj ju lëshua, I tha: “Do ta mësosh mirë Ku ësht’ ajy që kërkove! S’më vjen keq, se me dëshirë Vdekjenë vetë e ftove.” Duke thënë kshu, e ndoqi, Ju hoth me vrap edh’e zuri, Një kordhë të mir’ i hoqi, Kokënë përdhe ja shturi! Koka ra dhe ligjëronte, Nuk’ i kishte sosur fjalët, Trup’i tij dhe po qëndronte, Sindëkur ishte mbi kalët! Armikëtë si e panë Që u vra e ra i pari, Gjithë ç’kishinë i lanë Dhe ikënin si i marri. Katrë mijë luftëtarë Kishin rënë posi duaj, Mben’ ata më vënt të vrarë Dhe gjë e plaçka e kuaj. Murati ish derdhur vetë Që ta mirrte Sfetigratnë, Po la mije shtat’ a tetë Dhe s’e mundi dot Perllatnë. Shtat’ a tetë mij’ u vranë, E shih q’u prish ushtërinë, Më s’e nxij dheu sulltanë, Pa e mblodhi parësinë, Tha: “Fortesënë ta lemë, Se puna nukë pronditi, Si druri që s’lëshon pemë”, Edhe ushtërin’ e ngriti. “T’i derdhemi Shqipërisë, E tejpërtej”, tha, “ta djegim, Tëmerr të math njerëzisë T’i apëmë e t’i ndjekim; Pa duke bërë rrëmujë, Përpara gjithë t’i vëmë, Të hyjmë brënda në Krujë, E gjësendi të mos lemë.” Mblodhi shokë’ Skënderbeu, Që hanin hekur me dhëmbë, Armikut udhën’ ja preu, Nuk’ i la të bënin këmbë. I pa që iknë Perllati E ju derdhë Shqipërisë Ushtërija dhe Murati, Papo ju duk dit’ e zisë, Tha: “O shokë, ne më çpresim? Po shuhetë Shqipërija, Jakëni gjithë të vdesim! Si ta apë Perëndija!” Kshu tha burri trim, Perllati, Dhe vuri armët’ e lara, Mori udhënë nga Mati, Që t’u dil turqet përpara. Fluturuanë si flakë Edhe në fortesë lanë Nga shokëtë ca të pakë, Q’ishinë gjithë dibranë. Shërbëtori që bij ujë, Tha: “Popo, ç’na qënka thënë!” “Ç’ësht’ “, i thanë, “kjo rrëmujë?” Tha: “Qeni në pust ka rënë!” Dibranët nuk’ e pinin Ujët’ e kërmës’ së shkretë, Tjatrë pus s’kish, qysh të rrinin? Pa ujë s’rrohet në jetë. Një tradhëtor, kanë thënë, Për të mirët të Turqisë E pat shtënë në pust qënë, Q’i bëri dëm Shqipërisë! Gjith’ ata burra dibranë Muarrë armët’ e shkuan, Fortesën, vetëm e lanë, Opopo! qysh u marruan? Ata posa kishin dalë E me shumë vrap po vinin, Muarrë të gjithë malë, Kërkonin ujë të pinin. Armikëtë ishin thyer Dh’ ata që mbenë të gjallë, Përsëri ishinë kthyer, U poqnë ballë për ballë. Këta me vrap ua dhanë Edhe përpara i vunë, Njëzet a tridhjet’ i vranë Dhe fortesën prap’ e zunë. Armikëtë e rrethuan Si mizërija fortesën, Po dibranëtë lëftuan, U bënë gati të vdesën. Sulltani nukë mënojti, Se i pa se s’kishin shpresë, Me njeri fjalë dërgojti, T’ikin me arm’ e me besë Etj’ e shkret’ i kishte prurë Afrë vdkjesë të tërë, Ishin gjithë të sëmurë, Pa të ndryshmë qenë bërë! Vëndësit dhe luftëtarët Me armë në dorë shkuan, Nuk’ i mbajtnë dot të parët, Punë të keqe punuan! Armikëtë më s’mënuan, Po fortesësë ju derdhë E gjithë shum’ u gëzuan, Se pa luftë brënda erdhë. Kështu e mori Murati Fortesën’ e Shqipërisë, Ra pa luftë Sfetigrati Q’ish në kufit të Turqisë! O fortes’ e Sfetigratit! Rrufeja të të kish rënë! Sa re në lakt të Muratit, Nukë je më për të qënë! Ishe zonjë, zojn’ të bënë, Dolle pej sër’ e pej radhe, S’je paskëtaj për të qënë! Perllati ishte përzjerë, Nër luftëra ishte ndodhur Me gjithë shokët’ e tjerë, Pa ish këputur’ e lodhur. Kur e dëgjoj këtë fjalë, U mahnit, mbeti si shtyllë, Në zëmërt i erth një valë Dhe u verth e u bë dyllë! Tha: “Popo, ç’bëra që ika! Të më mirr ushta në ballë, Të më paske rënë pika, Sot të mos isha i gjallë!” Kështu tha çelë Perllati, Në shpirtit kish brengë shumë, Krahrorgjeri, leshragjati, I derdhi lottë si lumë! Nuk’ e linte trimërija, Pa vu kokënë ndër duar, E mundonte vetëdija, Ish vrënjtur’ e shëmëtuar! Burr’i math, i trash’, i gjatë Ndënji pak e u mejtua, Hodhi dorënë mi shpatë, Mbreti trim ju afërua. Foshnja kur i flet ati, Si e lak me lotthit dhenë? Ashtu dhe çelë Perllati Qau kur pa Skënderbenë! Dhe i thotë: “Mos më lerë Të më vrasë vetëdija, Dua të vdes menjëherë, Se më s’më nxë Shqipërija!” Pa e qafoj Skënderbeu, Duke thënë shumë fjalë, Zëmrënë ja përdëlleu, Q’ish plot breng’ e gjithë valë. Foshnja, gra, pleq, luftëtarë Rrininë buzëlëshuar, Me fytyrëzë të vrarë Faji i kish turpëruar. Mbreti u tha: “Keq mos kini, Pa prap’ e vëmë në dorë, Juve shëndoshë të jini, Pa Zoti s’na lë të gjorë. Kijeni zëmrën të gjerë, Kurrë mos u dobëtoni, Puna sido që të bjerë, Burra e trima qëndroni.” Kshu tha, po shum’ u helmua Nga ky dëm i math që patnë, Po nukë ju zëmërua, Se e doj shumë Perllatnë. U dha gjë, plaçkë e arë Të ardhuret Skënderbeu, Dhe shtëpi e qe e farë, Të gjithë i ngushëlleu. Si u muarr Sfetigrati, U nis për n’Adrinopojë, Më s’ndenji fare Murati, Se pa të madhe nevojë, I numëroj luftëtarët Si tufën’ e bagëtisë, Ishin shuarë barbarët, S’ish as gjysm’ e ushtërisë. La tetë mij’ ushtëtarë Dhe topa gjyl’ e të tjera Në Sfetigrat q’e kish marrë, A ja la, të themi, hera. Skënderbeu e mësojti Dhe dolli me dhjetë mijë, Më çdo anë i dërgojti, Përpara, pas e nër ijë: Herë vënt të ngushtë zunë, Herë në ball’ i goditnë, Herë përpara i vunë E herë në prit’ i pritnë. Kështu i pren’ e i vranë, Të shumëtë mb’udhë mbetnë, Të pakëtë mezi vanë E zunë kryeqytetnë, Mbreti erth në Kruj’ e zbriti, Edh’ e hapi ushtërinë, Pas dy muaj e porsiti Të mblidhetë, parësinë. Mbreti pa punë po s’rrinte, S’lodhej kurr’ e s’i rëndohej, Edhe në gjumë kur flinte Për Shqipërinë mejtohej. Dolli e pa Shqipërinë Edhe gjyqet’ e çdo punë, Vuri nd’udhë mirësinë, Njeri s’la në të përdhunë. Në ditët të ati mbreti E sa rroj ajy në jetë, Në Shqipëri njeri s’mbeti Në të keq e në të metë. Shqipëtarët gjith’ i qitte, Q’i kish djem e i donte, Për luftë vet’ i stërvitte, Shumë bukur’ i mësonte. Nga ajy zot e mësonin Luftën me shumë dëshirë Shqipëtarët, pa lëftonin, Me armikët’ aqë mirë. Vate vetë këtë herë Skënderbeu pa Hynjadhë Edhe mbretërët e tjerë, Miqt’ e tij gjithë me radhë. Derdhi këtë herë topa, Pru italjan’ e gjermanë E ç’i duhej nga Evropa, Dhe fransës’ e venetjanë. Të gjith’ i kish miq, si thamë, Po më mik i Shqipërisë, Q’e kish mbreti vëllamë, Ishte mbret’i Italisë. Alfonsin kish mik për kokë, Vëlla të dashur përjetë E ballë në gjithë shokë, Mbreti trim e i vërtetë. Sindëkur i porositi, U mbluadhë parësija, Mbreti me nder shum’ i priti, Si ja epte njerëzija. Parësi e mëmëdheut Ishte mbledhurë e tërë, Për dasmët të Skënderbeut Fjal’ e mejtim kishte bërë. Pa mbretit të gjith’ i vanë Me një zë e me një gojë, Përnjëherë gjith’ i thanë: “Neve shohëm një nevojë. Të lutemi gjithë ç’jemi, N’emërit të Shqipërisë, Një fjalë që do ta themi, U bëftë e Perëndisë. Kombin duhet ta gëzojmë Edhe gjithë Shqipërinë, Andaj duam ta martojmë Këtë herë zotëninë.” Mbreti qeshi dhe tha: “Mua! S’më dini që s’mbanj dot zgjedhë? Tani kërkoni një grua Në robëri të më hedhë!” Pleqësi’ e parësisë Dhe më afërë i vanë: “Kjo dëshir’ e Shqipërisë Do të mbarohet’” i thanë. “Paskëtaj më s’të dëgjojmë, Se kjo punë është jona; Mëmëdhenë s’e shkretojmë, Për tjatrë gjë urdhërona.” “U ap fjalë që të vlohem, Si të marrëm Sfetigratnë, Do t’u dëgjinj të martohem, Po pa të mundim Muratnë.” Skënderbeu këtë fjalë Tha, ata gjith’ u gëzuan, I thanë: “Të qofshim falë” E fjalë të tjera s’shtuan. Ushtërinë prap’ e mblodhë, Të gjithë trimatë vanë E Sfetigratit ju hodhë, Më të gjith’ anët i ranë. Fjal’ e njeri dërgoj mbreti, Që të epenë me besë, Po këtë s’e desh Ahmeti, Q’ish i parë në fortesë Tha: “Sa gjak derdhi Turqija Edhe prapë nuk’ i mundi, Të derthnjë dhe Shqipërija, Pa të shohëm më së fundi.” Më topt edhe për fortesë Shqipëtarët s’ishin msuar, Në të huajt kishin shpresë, Se ata ishin të vuar. Po e dinte Skënderbeu Dh’e njohnë gjithë të parët, Që s’fitonte mëmëdheu Pa stërvitur’ shqipëtarët. Gjithë të huajt’ Turqija Menjëher’ i frikësonte, Fill e vetëm Shqipërija Dhe shqipëtari lëftonte! Mbreti e rrethoj fortesën, Që t’i lij n’uri të mbesin, Dhe Dërgoj tanushn’ e Shtresën Me shok’ udhënë t’i presin, T’i rrinë kundrejt Turqisë, Asnjë armik të mos lenë T’i qasetë Shqipërisë, T’u apën dërrmën’ e dhenë. Përsëri sulltan Murati Me dyqint mij ushtëtarë Erdhi drejt posi zapati, Si edhe herën’ e parë. Andaj e tër’ ushtërija Erdhi në Krujë dhe mbreti, E u zunë nga gatija, Se kohë shumë s’u mbeti. —
Kreu XXI
Mbreti priti miqësinë Dhe i përcolli të tërë, Q’i nderuan Shqipërinë Dhe punëtë që kish bërë Pa i erdhi parësija Nga çdo an’ e Shqipërisë, Edh’e tërë zotërija, Se ish hij’e Perëndisë. Të gjithë duke nderuar, Mbret’i priti shumë mirë, I pushtoj në krahëruar Me gas shum’ e me dëshirë. Këtej mbret’i Shqipërisë Edhe e tërë Shqipërija Kish gazet’ e Perëndisë Q’i do gjithë njerëzija; Andej sulltan’i Turqisë Vate shum’ i zemëruar, Sepse dëmn’ e Shqipërisë Zot’i math e kish ndaluar; Po ra në shumë lëngime E në smundje të këqija, N’idhërim’ e në rënkime, I dha brengë Perëndija. Shihte ëndërr’ e thërriste, Thoshte: “Po vjen Skënderbeu!” Dhe dridhej e angulliste, Sikur do ta pinte dheu! U tremb shumë këtë herë Sulltani nga Skënderbeu, Se ja shtu në baltë nderë Dh’e vërteta s’e gënjeu. Pas ca muajsh u shërua Dhe u ngrit si nga qivuri, Ndënji pak’ e u mejtua, Pa Ali pashënë pruri. I tha: “Ali pashë, ç’thua? Si t’ja bëjmë Shqipërisë? Që nukë më la nder mua Dhe faqe ndaj njerëzisë.” Ali pasha ju këthye, Fjalën’ e kishte ndër dhëmbë, Pa një her’ u kapërxye Dhe u ngrit me nxit më këmbë, I tha: “Unë të kam thënë Që mos e nga Shqipërinë, Se Zot’i math s’e ka thënë Ta bënjë njeri të tinë. Ne të zëmë miqësinë Me të zon’ e Shqipërisë Dhe ta kemi Shqipërinë Një fortesë të Turqisë. Kshu them e kështu kam thënë, Fjala s’më është dëgjuar, Po jam prapë tek kam qënë M’atë fjalë kam qëndruar. Kaqë herë që lëftuam Ne kurrë s’kemi fituar, E sa ushtëri dërguam Shqipëria i ka shuar. Edhe ta marrç Shqipërinë, S’bënetë rob shqipëtari, Po pyet ata që dinë E mos puno si i marri; Ata në dorë të huaj Kurrë nukë kanë rënë Dhe s’bijenë, po mos vuaj, Se s’hyjnë në zgjedhët tënë. Nukë merret Shqipërija Si thoni, me të përdhunë, Po përjetë miqësija Do të na hyjnë në punë.” Kështu i tha Ali pasha, Pa u bint sulltan Mehmeti, Q’i vrit më parë të trasha, Se të vërtetën’ e gjeti, Pa Ali pashës i thotë: “Fjala jote ësht’ e mirë, Gjer më sot vuamë kotë Si të marr’ e si ë pirë. Tani pa merr ushtërinë Dhe mos më dëgjo as mua, Po hiq e zërë kufinë Edhe bëj ashtu si thua.” Kshu tha dh’e nisi Alinë Me mijë pesëmbëdhjetë, Vate dhe zuri kufinë, E punoj si deshi vetë. Zu paqën’ e Perëndisë, Q’ësht’ e lartër’ edh’e mirë, E ju bë mik Shqipërisë Me besë e me dëshirë. Pa nisi pesë të parë, I dërgoj me vrap te mbreti Me qëllim shumë të mbarë, Miqësisë udh’ i gjeti, U bë mik me Skënderbenë, Mik me shpirt edhe me besë, Se e donte shume mbrenë, Kishte njerëzije pjesë. U poq edhe shumë herë Me mbren’ Ali pasha vetë, Q’i bënte si duhej nderë, Se e dij q’ish i vërtetë. Miqësi shumë rrëfyen E bënë vëllazërinë, Edhe kanisqe çkëmbyen Mbret’i urtë me Alinë. Koha me paqë po shkonte Duke rrjedhurë si lumi, Gjëkundi nukë qëndronte, Dit’ e natë s’e zij gjumi, Papo koha duke shkuar Përsëritet gjithë jeta, Gjësendi s’le pa ndryshuar, Gjith’ i merr me vet’h’e shkreta! Lulevet nuk u le erë E drurëvet s’u le fletë, Njeriut të zi, të mjerë, Ja nxin të shkretënë jetë! Sjell thinjët’ e pleqërinë, Fishk faqen, kërrus kurrisnë, Shtije poshtë dhe fuqinë, Njerin’ e than si murrisnë! Lulenë q’e çeli vera. E prishi dimër’ i shkretë, Po sërish kur i vjen hera Lulëzohet’ e nxjerr fletë. Kshu vdes edhe koha vetë Edhe dimëri dhe vera, Po ngjallen sërish në jetë E dukenë si të tjera. Kështu e tha Perëndija, Andaj po plakej dhe mbreti Dhe gjithë shokët’ e tija, U plak dhe sulltan Mehmeti. Dimër’i lij vjeshtëtë prapa E atë e ndiqte vera, Pas verësë vinte vapa, Pa vinin vjeshtët’ e tjera. Bilbili zij’ e këndonte Ndër lule m’er’ e në fletë, Pa pastaj sërish pushonte Dhe rrinte ca koh’ i qetë. Moti shkont’e përsëritej Edhe paqa fortësohej Fuqija nuk’ i venitej, Gjithënjë më shum’ i shtohej. Ish në prehje Shqipëria Edhe gjithë shqipëtarët, Mbretëronte urtësija, S’kishin të bënin të marrët. Mbreti shpirtmath me Alinë Piqeshinë kurdoherë Dh’e shtoninë miqësinë, Nuk’ e lininë të bjerë. Dhe vëndetë që kish zënë Rreth Shqipërisë Turqija, Gjith’ ishinë më të dhënë, Se i donte Shqipërija. Tërësin’ e Shqipërisë Edhe mbren’ e mbretërinë Do t’i njih mbret’i Turqisë, Kshu e bënë me Alinë. Po djajtë e djallëzitë E çmëntnë sërish Mehmenë Dh’e prunë më atë ditë, Q’u bë prap’ armik me mbrenë! Nga Jeziti, nga Mervani, Nga Mavij’ e mallëkuar Mori mësime sulltani, Udhën e gjet të punuar! Pa s’e donte Shqipërinë, Nuk’ e donte Skënderbenë, Sepse kishte urtësinë, Përpiqej për mëmëdhenë. E ngriti me vrap Alinë, Se u bë me shqipëtarët, U përpoq për Shqipërinë, Nukë lëftoj si të parët! Qëllimet që zu Mehmeti Dhe udhën’ e mallëkuar E kupëtoj mirë mbreti, Që rrij gjithënjë i zgjuar, Pa dolli me parësinë, I erth rrotull Shqipërisë E pa gjithë njerëzinë Mbret’i math i urtësisë. I dha fuqi Shqipërisë E fortësoj çdo fortesë, Po më shumë njerëzisë I dha trimëri e shpresë. Dimëri që helmon dhenë, Çvesh drurët’ e s’u le fletë, Lulet i bën sikur s’qenë Me ftohtësirët të shkretë Me atë të thatë dorë Që shtije gjithë thëllimnë, Shtron dëborë mi dëborë, Heth helmin’ e idhërimnë Me atë dorë të shkretë, Së largu duke qëlluar, Hodhi me fort një shigjetë, Oh, shigjet’ e mallëkuar! E pa të dirsurë mbrenë, Që përpiqej e punonte Gjithënjë për mëmëdhenë, Edhe gjumi s’e qetonte, Pa shigjetën’ e vërviti Me fuqi të madhe shumë, Mbren’ e mirë e goditi! Ç’bëre, o dimër’, o lumë! Mbret’i math e i vërtetë Ndjen brënda në krahëruar, Nga e nëmura shigjetë, Një të shkretë të sëmbuar! Atë që s’e zinte shpata Edhe ushta e shigjeta, Smundja me duar të thata Ndër rroba e shtu e shkreta! Mbreti me shokët zu Leshnë, Atje ethetë ja dhanë, Shëronjësit’ u përveshnë E të gjithë bashk’ i vanë. U çkul gjithë parësija, Njeri pa ardhurë s’mbeti, Rrodhi gjithë Shqipërija, Erth’ aty tek ishte mbreti. Mbreti thirri parësinë, U dërgoj me vrap një djalë, Tha: “Gjithë këtu të vinë, Se kam t’u them shumë fjalë.” Kshu tha, pa erth parësija Edhe pleqtë mëndjeshumë, Se kish njerëz Shqipërija, S’kishte mbeturë për lumë. Maksimi q’ish i dërguar Te mbreti, nga Italija, Dhe Jasafi i lëvduar, Që ishte nga Venetija, Hynë tok me parësinë Edhe me pleqt të uruar, Q’e mbaninë Shqipërinë Si lulen’ e lulëzuar. Ata hynë me gjak ngrirë Edh’e përshëndoshnë mbrenë Gjithë me zëmrë të mpirë, Të sëmurë shum’ e gjenë! Pa Skënderbe bukuroshi Gjithëve u bëri nderë, Sicilin’ e përshëndoshi Dhe zu fjalën menjëherë, Tha: “Erthmë e do të vemi, Mase prapë do të vimë, Se këtu përjetë s’jemi, E nukë mundim të rrimë. O vëllezrë shqipëtarë! Ju të jini të bashkuar, Sindëkur qetë më parë, Që të jini të nderuar; Mos e lini trimërinë Dhe bashkimnë në mest tuaj, Po ta kini miqësinë, Se nukë jini të huaj, Jini gjithë shqipëtarë, Kini mëmë Shqipërinë, Jini një fis e një farë E besoni Perëndinë Përpiqi ditë edhe natë, Mëmëdhenë ta shpëtoni, Armikut hiqini shpatë, Kurrë mos u frikësoni; Sindëkur kini lëftuar, Ashtu prapë të lëftoni, Që të jini të shpëtuar E të kini gjithë ç’doni; Mos e humbisni lirinë E mos bëhi rob në jetë, Po të doni mirësinë, Ua ep Zotth’i vërtetë. Im bir sot foshnj’ ësht’ e djalë, Nukë munt të mbretëronjë, Se në luftë s’munt të dalë, Mëmëdhenë ta shpëtonjë Se ka vetëm njëmbëdhjetë Vjet e nukë ka më shumë, Që ka lindurë në jetë, Vërsa s’u poq, është brumë Së pari do të mësonjë Qysh mbahetë mbretërija, Pa pastaj të mbretëronjë, N’e ka thënë Perëndija; Ato ditë sa të vinë, Ju të njihni për të parë Çelë Lekë Dukagjinë Gjithë ç’jini shqipëtarë, Ajy në këmbët të mbretit Të gjykonj’ e të lëftonjë, Të jet’ i par’i rrëmetit E çdo punë ta mbaronjë, Kur ka luftë Shqipërija, Pas fjalës që kemi bërë, Do t’i ndihnjë Venetija Me fuqit të saj të tërë Në ardhtë vetë sulltani, Veç ndihmes së Venetisë, Do të ndihnjë Ferdinani Me ushtërit t’Italisë Ashtu edhe Shqipërija Do t’i ndihnjë Venetisë, N’i arthtë siprë Turqija, Sindëkur dhe Italisë. Im bir e ka mbretërinë, Me t’ëmënë për ca kohë Le të zërë Apolinë, { Napolin } Sa të rritet’ e të shohë.” Kshu tha mbret’i Perëndisë, Ajy zot’ i zotëruar, Mbret’i urt’ i Shqipërisë, Dhe i mir’ e i lëvduar. Pa u kthye më të birë, I tha: “Ti, o jetëgjatë! Vështro të bëhesh m’i mirë E m’i urtë nga yt atë.” Nga fjalëtë që tha mbreti, Shkronjësi shum’ i mësuar, Bardhuli, q’ishte si deti, Asnjë nukë la pa shkruar. Mbreti ish më këtë fjalë, E të tjerëtë dëgjonin, Kur më der’ u dha një djalë, Nukë muntnë ta ndalonin, Tha: “Armikëtë po vinë, O burra, o shqipëtarë! Nxitoni, se na përpinë, Delni, sa muntni, më parë! E kapërxyen kufinë, Mijë plot tetëmbëdhjetë Me Ahmet pashën po vinë Duke unjur tatëpjetë.” Kshu tha, pa me të dëgjuar Këtë fjalë shqipëtarët, Muarr; armëtë nër duar Dhe duallë me të parët. Skënderbeu zgjeth të parë Dh’e vu në këmbët të tija Tanushnë mi luftëtarë, Se ishte bërë gatija. U ngrit edhe vetë mbreti: “Armët e kalënë!” thirri, Po fuqi më nuk’ i mbeti, E zunë miqt’ e i biri. Posi lisi duke rënë: “Zot’i math e i vërtetë! Le të bëhet ç’është thënë,” Tha, “se unë s’rronj për jetë Po më ki kujdes, Ti vetë, Shqipëtar’ e Shqipërinë, Mos m’i lerë kurrë shkretë, Se Ti e do mirësinë Në dorë të huaj kurrë Shqipërija të mos bjerë, Shqipëtari trim e burrë Të jet’ e ta ketë nderë Mbaje Shqipërinë zonjë, Të ketë gjithë të mirat, Të rronj’ e të mbretëronjë, Të mos ta han’ egërsirat, Fali lirinë ta ketë Edhe gjithë mirësitë, Të jetë m’emrë përjetë, Epi jet’ e dit’ e dritë!” Këto fjal’ i tha dy herë Me zëmrë shumë të qetë, Pastaj ra ndë gjum’ i prerë! Oh, moj sëmundj’e shkretë! Ëngjëlli i trimërisë, Fytyrë pej djalë mbreti Dhe gjuhën’ e Shqipërisë Duke marë, erth e gjeti, Dhe i tha: “Mos ki keq kurrë, Se s’i shtije Perëndija, Shqipëtari është burrë, Do të rronjë Shqipërija; S’ja ngre dot njeri lirinë, Se ja dha Zot’i vërtetë, Edhe gjithë mirësinë, Ja ka falurë përjetë.” Kshu tha ëngjëll’i uruar. “Fort mir’ “, i tha Skënderbeu, “Unë vete i gëzuar, Ndryshe nukë më tret dheu.” Shqipëtarët u përveshnë, Për shpëtimt të Shqipërisë Jetënë më nuk e deshnë, Dërrmën i dhanë Turqisë. Hynë n’ushtërit si flakë, Një të gjallë nukë lanë, Me Ahmet pashënë pakë Te sulltan Mehmeti vanë. Pa kur erdhë shqipëtarët, Skënderbenë keq e gjenë, I mori gjithë të qarët, Se e donin shumë mbrenë. Më nesëret duke ngdhirë Mbreti la jetën’ e shkretë! Shpirt’i math e shum’ i mirë Vate te zot’i vërtetë! Me gjëmim, me vetëtimë Reja poshtë shin’ e shtije, Pa lumi me ngashërimë Prapë në det vet’e bije, Dhe sërish ngrihet përpjetë E lëçin ndë hapësirë, Prap’ atje e hedhin retë, Se ajy ësht’ i pavdirë. Kur deshi Zot’i vërtetë, Që ka kryer gjithësinë, Të delte faqeza vetë, Tfaqi në jetë njerinë, Neve Atë burim kemi, Detnë pa funt e pa anë, Andej vim’ e atje vemi, Ajy është gjithë ç’janë. Trup’i mbretit ishte shuar! Mjekr’ e bardhë si dëborë Ish hapur mbi krahëruar! Popo, njeriu i gjorë! Gjashtëdhet’ edhe tri herë E kish parë Skënderbenë Në jet’ e bukura verë, Që vjen e zbukuron dhenë. Dolli Lekë Dukagjini Më derët, q’ishte rrëmeti, Tha: “Shqipëtarë, ku jini! Se na la të shkretë mbreti!” Kur dëgjuan këtë fjalë Të idhurë shqipëtarët, Thanë: “Mbret, të qofshim falë!” Dhe gjithë i mori të qarët! Mbretëresha edhe gratë, Burratë dhe djal’i mbretit Me lot qanë dit’ e natë, Se më s’dukej mëng’ e detit! Me nder të math njerëzija Në Lesh Skënderben’ e vunë, Shpirti shkoj te Perëndija, Se këtu më s’i mbet punë. U vesh gjithë Shqipërija Në të zi e zuri zinë, Parësi e vegjëlija, Q’e donin si Perëndinë. Qaje, moj Shqipëri, qaje Atë njerin’ e vërtetë! E zinë për jetë mbaje, Se shok më s’i vjen në jetë. —
Kreu XXII
Me zëmërë plag’ e flakë Shqipëtarët mbanin zinë, Se nuk’ ish mynxyr’ e pakë Këjo q’e gjet Shqipërinë. Mbretëreshënë së pari Nisin’ bashkë me të birë, Që s’pushoninë së qari Edhe zënë far’e ngjirë Në lundrë brënda i vunë E shumë nga parësija U nisnë bashk’ e i shpunë Dhe shumë nga vegjëlija! Edhe grat’ e parësisë Me mbretëreshënë vanë, Pas udhës së Shqipërisë, Vetëm fille nuk e lanë Vanë e ndënjnë për jetë, Mbretëreshësë s’ju ndanë, Ishin njerës të vërtetë Qëmoti prinditë tanë. Mbretëresha psherëtiti, Duartë në gji i vuri, Sytë plot me lot i ngriti, Të qarët’ e vajnë zuri, Tha: “Zotthi im i vërtetë! Mos e prish, ti, Shqipërinë, Si ka qenë le të jetë Mos ja ngrerë mirësinë.” Pa tha: “Jet’, e zeza jetë, Qysh mbete pa Skënderbenë! Më dukesh fare e shkretë! Unë sot le mëmëdhenë! Le shtëpin’ e njerëzinë, Me zemrë të përvëluar! Le miqthit’ e Shqipërinë Në rrezik e të helmuar! Më s’e shoh dot me sy mbrenë! Në këtë të shkretë jetë! E po vallë mëmëdhenë Do ta shoh dot sërish vetë! A do ta shoh Shqipërinë Dhe miqt’ e farën’ e fisnë! Kryeqytetn’ e shtëpinë! Ah, për ku, për ku më nisnë! Mbrenë s’e kam për të parë Un’ e zeza, un’ e mjera! Po të mos i shoh as varrë! Kështu tha zonj’ e vërtetë, Pej flake një ngashërimë, Pa dashurë fare vetë, I dolli si vetëtimë! Duke qarë i dëgjonin Gra e burra këto fjalë, Zëmrat’ e tyre rënkonin, Posi deti kur heth valë. Pa u mblodh’ e përdëllenin Mbretëreshënë fatzezë, U përpoqnë ta dëfrenin, Se në shpirtit kish një rezë. Zot’i math’, q’ep idhërimnë, E helmon njerin’ e gjorë, I fal edhe përdëllimnë, Se çdo gjë e ka në dorë Më nj’an’ i ep idhërimnë, Më nj’anë durim e shpresë, M’anët tjatërë mundihmë, Për çdo derë ka një lesë. “Zot’ i math e i vërtetë!” Tha mbretëresha: “Kam shpresë, Bëj si të duash ti vetë, Se të kemi prurë besë.” Këto fjalë ishin thënë, Lundra po e çante denë, Shumë kohë nd’ujë s’bënë, Po çpejt terënë e gjenë. Van’ e zunë Apolinë, Dolli gjithë njerëzija, Me nder të shumë i prinë, Ish e tyre mbretërija. Djalën’ e mbretit e panë Në Itali njerëzija: “Qënka Skënderbeu, thanë, Pa nukë vdes Shqipërija.” N’Apoli e ngrehnë fronë, Ndënji mbret’i Shqipërisë, Që kish për t’ardhur më vonë, Se ish shpres’ e njerëzisë. Po zoti s’e kshte thënë Që të ngrihej mbretërija, Punëtë ndryshe u bënë, Se ashtu desh perëndija! Ng’ajy fis e ng’ajo derë Nxori njerës trimërija Të mbëdhenj shum’ e të ndjerë, Q’i trashëgoj Italija! Skënderbeu të na vdesë, Zot’ i math e i vërtetë! E Shqipëria të mbesë Pa mbret, pa zot, si e shkretë! Ta mbulojnë ligësitë! E t’i ngrihetë e mira! Dhe të vinjë më një ditë, Që ta shkelnjë egërsira! Kjo fjalë s’ësht’ e vërtetë, E kurrë mos e besoni, Se Shqipëria ndë jetë S’ka mbetur kurrë si thoni; Nukë ka mbetur’ e shkretë, S’e humbi kurrë lirinë Dhe përjetë do ta ketë, Si dhe gjithë mirësinë Shqipëtari s’u mposht kurrë, Pat ngaherë lartësinë, Se ka qënë trim e burrë, Pandaj s’e humbi lirinë. Dërguanë mbretëritë Njerës të mir’ e të parë, Pa shkuarë shumë ditë, Në Krujë ndër shqipëtarë, Njohnë Lekë Dukagjinë, Q’ishte në këmbët të mbretit, Përdëllyen Shqipërinë Gjithë, veç sulltan Mehmetit. Pa edhe n’Apoli vanë Gjithë të parët te mbreti, E ngashëllyen për t’anë, Për mynxyrët që e gjeti; Ish në front të Apolisë, Se e kish dh’atë të tinë, Po ish mbret’i Shqipërisë, Ashtu e kishte porsinë. Kur dëgjoj sulltan Mehmeti Të këqijatë që ngjanë, Që e la jetënë mbreti, Vu kësulënë mënjanë! Pa nisi shumë të parë E ja dërgoj Shqipërisë Me mijëra ushtëtarë Armiku i Perëndisë! Shqipëtarëtë u mblodhë, Kordhët’ e lara i zhveshnë, Përmbi armikët’ u hodhë, Jetënë më nuk’ e deshnë. Armikëtë kur i panë, Q’u vërvitnë si fajkonjtë, Posi zogjtë u përndanë, Nxituanë si langonjtë Më nj’anë u ra Tanushi, M’anët tjatërë Urani, Leka, Zaka e Malushi Manul Pika e Tushani, U lëshuanë si flakë, Të gjith’ armikët’ i vranë, Shpëtuanë ca të pakë, Te sulltan Mehmeti vanë. Kur e pa sulltan Mehmeti Që s’e munt dot shqipëtarë Pa qënë dhe vetë mbreti, Si s’e mundi dhe më parë, Ndenji pak’ e u mejtua, Tha: “Kjo punë kshu të mbesë! Opopo! ç’më gjeti mua! Unë kisha tjatrë shpresë!” Kështu tha i zëmëruar, Dhe bëri sërish gatinë E nisi për të dërguar Në Shqipëri ushtërinë Po dhe ata dhe të tjerë Shqipëtarëtë i muntnë, Lëftuanë shumë herë, Gjithë jetënë e tuntnë! Nj’ushtëri kthehej, një vinte, Pas asaj tjatrë dërgonte, Në prëhje kurrë s’i linte, Se luftënë s’e pushonte, Po shqipëtarët si flakë Hynin në mest t’ushtërisë, Sado q’ishin më të pakë, Dërrmën’ i epnin Turqisë. Ndihte edhe Venetija Edhe mbret’i Italisë, Po dhe vetëm Shqipërija S’i trëmbej kurrë Turqisë. Trimatë duke lëftuar Si u thoshte trimërija, Sa armikë kanë shuar E di vetë Perëndija! Hije e mbretit e mbante, Nuk’ e linte Shqipërinë, Të huajtë i përndante, Pa merrninë arratinë. Lëftoninë dit’ e natë Për shpëtimt të Shqipërisë Burratë trima me shpatë, Nukë ju falë Turqisë. U ther’, u pren’ e u vranë Dhe ranë dëshmimëtarë, Po vëndinë nuk’ e lanë E njeri s’guxoj ta marrë. Sa përpiqej Shqipëria, Se robërinë s’e donte, Aqë më shumë Turqija Luftën’ e shkret’ e shtrëngonte. Egërsir’, o egërsirë! Më qafë përse i bije? A s’munt të bënç kurrë mirë? Se e mira s’të ka hije! Nukë të le ligësija Që të duash mirësinë, E ç’të bëri Shqipërija Që kërkon t’i ngresh lirinë? Sa qe gjall’ sulltan Mehmeti, Lufta ishte e paprerë, Një ditë pa luftë s’mbeti Shqipërija, zonj’ e ndjerë Po Evrop’ e shkret’ u shua, Papo ra dhe Venetija, U prish e u dobëtua, Sindëkur dhe Italija; Gjithë puna u ndryshua, I vate mbarë Turqisë, Liri’ e mjer’ u çalua, Më s’i mbet vent mirësisë, Se dragoj i Shqipërisë Më nukë ishte në jetë. Q’i rrinte kundrejt Turqisë, Mbeti Evropa e shkretë! Pa ishte thënë të venë Turqitë duke lëftuar, Të hyjnë brënda në Vjenë, Se Evropa ish e shuar! Shqipëria s’hyri kurrë Nënë zgjedhë të Turqisë, Shqipëtari ishte burrë, E mbajti nder’ e lirisë. Të gjithë kombetë ranë, I dobëtoj robërija, Shqipëtarët’ armë s’dhanë, Pa i nderoj Perëndija. Më pastaj si vdiq Mehmeti, Vërtet e njohnë të birë, Po veç nj’emrë kishte mbreti, Shqipëria ishte mirë. Mbretëronte shqipëtari, Urdhëronte parësija, Punët’ ishinë së mbari, Se gjykonte njerëzija; Mirësija ishte besë, Ligë ishte urtësija, Trimërija ishte shpresë, Dhe udhë vëllazërija; Të huajtë lark qëndronin, S’i qaseshin Shqipërisë Dhe së largu e vështronin, P’afëruarë kufisë. Kurdoherë Shqipërija Me ligë të saja punonte, Pleqësi’ e parësija Gjykonte dhe mbretëronte. Kurrë djemt’ e Skënderbeut S’ja kanë harruar mallë Kombit edhe mëmëdheut, Pa në kurt kurrë s’e kallë, Se kanë pasur’ at’ Atë, Q’i fali nder njerëzisë, Armikëvet u dha datë, I vu vjeftë Shqipërisë, Gjithë bota po e dinë, Q’ajo Shqipëri e ndjerë Kurtin’ edhe robërinë S’e ka hequr’ asnjëherë. Më pastaj u bë m’e ndjerë E më shum’ u lartësua Dh’e shtoj e s’e humbi nderë Dhe emëri ju madhua. Q’aher’e t’hu sa ka nxjerrë Trima m’emr’ e të dëgjuar Shqipërija nga çdo derë Ata kanë mbretëruar. Sa ishinë shqipëtarë, Ishin burra të vërtetë, Të bashkë e të pandarë, Të dashur’ e miq përjetë Andaj kurrë Shqipërija Në jetë s’u dobëtua, Miqësi’ e mirësija Dhe lirija s’ju mërgua; Se kish djem të paçëmuar, Të zot e t’urt’ e të mirë, Pa ka qën’ e lulëzuar, Kurrë s’ka qën’ e vështirë. Shqipëtarëtë s’e lanë Nënë zgjedhë Shqipërinë, Gjithënjë për ta u vranë, E deshnë si Perëndinë Për shpëtimt të Shqipërisë Gjithënjë janë përpjekur Dhe n’udhët të Perëndisë Kanë rën’ e kanë vdekur; Pa Shqipërija s’ka rënë, E mbajti Zot’i vërtetë, Është sindëkur kish qënë Dhe përjetë do të jetë. Edhe në Turqit të tërë Shqipëtarët kurdoherë Punëtë i kanë bërë, S’i kanë bërë të tjerë. Kë të zësh ngoje më parë Ng’ata burrat’ e vërtetë, Q’ishin vërtet shqipëtarë, Shokë s’kishinë ndë jetë! I dhanë nder Shqipërisë, Mbajtnë dhe Turqin’ e shkretë, Oh, i dhanë shpirt Turqisë! Ata trimat e vërtetë! Trimërinë nuk’ e pshehnë, Andaj e mbajtnë Turqinë! Dhe m’anët tjatërë ngrehnë Mynxyrënë! Grekërinë! Mbajtnë plakën’ e pabesë! Atë dhelprënë dinake! E nuk’ e lanë të vdesë Posi shtriga varfanjake! Ngrehnë, popo, një mynxyrë! Në kufit të Shqipërisë Një dosë, kurvë të ndyrë! Burimnë e ligësisë! Këto bëri trimërija, Se i ra pas marrëzisë, Nuk’ ish bashkë urtësija, Q’i ep dritë trimërisë. Ca kapërxyen denë, Egjyptënë van’ e zunë, Ngrehnë fron’ e vunë mbrenë Edhe bënë shumë punë Ca bashkuan Italinë, Si të tjerët që punonin E vriteshin për Turqinë, Po gjësendi s’trashëgonin! Po edhe për Shqipërinë Shqipëtarët’ u përpoqnë, S’e harruan’ urtësinë, Soje kurrë dorë s’hoqnë Dhe për të huaj lëftuan Edhe për vet’he u vranë, Të tjera punë mbaruan Dhe mëmëdhenë s’e lanë. Po ka një kohë çdo punë, Pa thënë Zot’i vërtetë, S’bëhetë me të përdhunë, Pema s’lëshon lul’e fletë. Shpirt’i Skënderbeut thotë: “Djemt’ e mij trima, ku jini! Mos mundohi më për botë Atë marrëzi e lini! Bëhuni bashkë të tërë, Madhojeni miqësinë, Vëllezërë duke bërë, Përpiqi për Shqipërinë Po të jini të bashkuar, Ësht’ e bërë Shqipërija, Dhe puna gjith’ e mbaruar, Si do vetë Perëndija; Fortësoni dashurinë Dhe bashkimnë, sa të muntni, Lini nakar’ e zilinë, Nga e drejta mos u tuntni; Bëhuni miq në mest tuaj, Si ësht’ udh’ e urtësisë, Mos përpiqi për të huaj, T’i mërgohi marrëzisë Njëri-tjatërinë doni, Se kini gjithë një shpresë, Të huajtë t’i mërgoni, Q’e kanë me të pabesë Të gjithë një gjuhë kini Dhe një bes’ e një mënyrë, Djemt’ e mëmëdheut jini, Kini një gjak, një fytyrë Kini besë Perëndinë Gjithë ç’jini shqipëtarë Edhe mëmë Shqipërinë, Si e pattë dhe më parë S’jini grekër’ as bullgarë As turq as tjatërë s’jini, Jini fjeshtë shqipëtarë, Pse gënjehi tek e dini? Selanik e tatëpjetë Është vënd’i Shqipërisë, Kjo fjalë ësht’ e vërtetë, Është fjal’ e Perëndisë. Perëndija Shqipërinë E bëri për shqipëtarët, S’e bëri për djallëzinë, Për të liqt’ e për kusarët; Zot’i math vëndinë tuaj E bëri për ju të tërë, Për fqinjë e për të huaj S’e ka bërë, s’e ka bërë. Zoti kombet’ i ka ndarë Edhe gjuhëtë me kohë, Pa u dha sy për të parë Dhe mëndjenë që të njohë Të lesh vëllanë s’ka thënë E të bësh vëlla një tjatrë, Që s’ka as gjuhën’ as zënë, Ta marrç e ta vësh në vatrë! Po shtoni vëllazërinë, Ecëni pas urtësisë, Madhojeni miqësinë, Q’është udh’ e Perëndisë Hapni sytë dhe punoni Të gjithë për Shqipërinë, Tjatërë gjë mos kërkoni, Ajo e sjell mirësinë. Dashurin’ e mëmëdhethit Dhe zogu s’e harron kurrë, Që lëvrin në mest të gjethit E s’e le folen’ e gurë. Për lirit të Shqipërisë, Për shpëtimt të shqipëtarit Po vjen ndihm’ e Perëndisë, Q’i ep dritë punëmbarit, Po ju zini miqësinë, Bëhi të zottë të rroni, Të shpëtoni Shqipërinë, Paskëtaj të mbretëroni. Kini besë miqësinë Edhe ligë mirësitë, Udhëzë vëllazërinë, Urtësitë ndihm’ e dritë, Zot’i math e i vërtetë Do t’i apë Shqipërisë Shpëtimn’ e lirinë vetë Dhe dritën’ e njerëzisë.” Kshu thotë shpirt’i uruar, Nuk’ e harron Shqipërinë, Se për atë ka lëftuar, I la nder’ e mirësinë. Shpirt, o shpirt, ta dëgjoj zënë, Fjala jote poshtë s’bije, Bëhenë gjithë ç’ke thënë, Ky është zë Perëndije! Zot’ i math! Zot’ i vërtetë! Fali, fali Shqipërisë Gjithë ç’i duhet në jetë, Se je mbret’ i gjithësisë. A e shihni Skënderbenë? Mbren’ e mirë, trim e burrë? U përpoq për mëmëdhenë, Pa s’i vdes emëri kurrë. Skënderbeu ësht’ i gjallë, Rron e mbretëron përjetë, Kjo fjalë s’është përralë Ndaj t’urtit ësht’ e vërtetë./ KultPlus.com
Shtëpia e Beethoven në qytetin gjerman perëndimor të Bonit ka blerë një dorëshkrim të rëndësishëm origjinal të kompozitorit Ludwig van Beethoven me ndihmën e donatorëve publikë dhe privatë.
Fondacioni Kulturor i Shteteve Federale Gjermane tha sot se dokumenti është akti i plotë i kuartetit të harqeve nr. 13 të Beethoven – Opus 130.
Dorëshkrimi, i shkruar në vitin 1825, përbëhet nga nëntë faqe me 15 pjesë të kompozimit muzikor.
Ai zbulon shënime dhe korrigjime të bëra nga kompozitori legjendar, i cili vdiq në 1827.
Shtëpia e Beethoven është në vendlindjen e kompozitorit në Bon dhe përfshin një muze, sallë koncertesh, qendër kërkimore dhe arkiv.
Presidenti i fondacionit Daniel Hope tha se dokumenti ishte dorëshkrimi i fundit i njohur i Beethoven-it ende në duar private.
Një ekspozitë speciale për blerjen e dorëshkrimit është planifikuar nga qershori deri në gusht 2025.
Dorëshkrimi ka një histori me kuadrate. Që prej viteve 1920 ishte në duart e familjes hebreje Petschek, e cila u persekutua nga nazistët dhe u largua nga Republika Çeke në vitin 1938, me pronat e saj të konfiskuara.
Në vitin 2022, u bë kthimi i pasardhësve, të cilët ranë dakord t’ia shisnin dorëshkrimin Shtëpisë Beethoven.
Kujdestarja e koleksionit, Julia Ronge, shprehu mirënjohjen e saj që pasardhësit e Petschek kanë vendosur t’ia lënë këtë thesar një institucioni gjerman pavarësisht historisë së tyre familjare.
Kompozitori Jörg Widmann i bëri homazhe kuartetit të harqeve Opus 130 të zbuluar në dorëshkrim – të cilin ai e përshkroi si ritmikisht shumë kompleks dhe të rëndë./atsh/ KultPlus.com