Hilë Mosi, poeti dhe luftëtari i çlirimit të trojeve shqiptare

Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më të vlefshmit, që nga mbarimi i shekullit të XIX luftuan për idénë kombëtare, duke dalur nepër male me pushkë në krah dhe duke shpërndárë në kohën e robërísë libra shqip dhe flamuj me rrezik gijotine. Vdiq në Tiranë në shkurt e vitit 1933 dhe u varros në Shkodër. Poet luftëtar e publicist, patriot dhe demokrat, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Pjesë e brezit të dytë të Rilindasve Shqiptarë.

Në Shkodër i filloi mësimet në shkollën italjane, të cilat i vijoi në shkollën teknike tregtare dhe në Kolegjin Saverjan të Jezuitvet e më vonë ndoqi degën e mësuesísë në Shkollën Normale të Klagenfurtit. Duke ndjekur shembullin e prindit, që në moshë të ré, ìu kushtua propagandës kombëtare e duke u gjetur në Vjenë, në 1902 me shokë tjerë shqiptarë nën kryesínë e Gjergj Pekmezit bashkëpunoi në shoqërínë letrare “Dija”, e cila mot për mot botoi nji kalendár, dhe nxorri një fletore me emër “Vllaznija”. Qysh prej asokohe Hila filloi të shkruante me pseudonimin Sakoli proza dhe vjersha atdhetare. Mbasi u shpall Kushtetuta e Turqve të Rij në vjetin 1908, u kthye në Shkodër, ku themeloi shoqërínë “Gegnija” e më vonë qé përfaqsues i saj në Kongresin e Manastirit bashkë me Fishten, Mjeden, Gurakuqin dhe Logorecin. Ishte dhe anëtar veprimtar i Komitetit te Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi edhe me armë në dorë në krah me Risto Siliqin.

Gjatë pushtimit austriak në Shkodër (1916-1918) qé pjesë i Komisísë Letrare, të cilën detyrë e vijoi edhe më vonë kúr Shkodra u bashkua me qeverínë e Tiranës mbas lirimit të vet nga ushtrítë franceze. Në vitin 1919 me 16 Shkurt shoqërítë e Shkodrës “Mustafa Pasha” dhe “Vaso Pasha” u bashkuan dhe sajuan shoqërínë e vetme me emrin “Vllaznija”, e cila qé nji ndër shoqërítë më të organizuara të Shqipërísë dhe që me veprimtarínë e vet letrare, teatrore, muzikore dhe gjimnastike pati një meritë të madhe për zgjimin e rinísë shqiptare, sidomos me botimin për tre vjet me radhë të së përkohëshmes “Agimi”. Hilë Mosi qé kryetár i kësaj shoqërije për një kohë të gjatë dhe me artikujt e përkthimet e veta të ndryshme e zbukuroi organin e shoqërísë. Në këto përkthime është për t’u përmendë studimi historik mbí Vlorën e kohës së mesme, të nxjerrur nga vepra e historjanit Kostandin Jireçek-ut, i cili bashkë me Milan Šufflay dhe Tallotzi-n mblodhën dokumentat e historísë së Shqipërísë dhe i botuan në dý vëllime të mëdha me titull “Acta et Diplomata res Albaniæ Mediæ illustrantia”.

Jeta e Hilë Mosit është një shembull i gjallë atdhedashurije, zelli, veprimtarije dhe vetmohimi për qellime kombtare: e dëshmojnë shoqërítë e themeluara me nismërinë e tij, të përkohëshmet dhe fletoret që nxori ai vetë, ose që i përkrahi me bashkëpunimin e vet. Jeta e tij qé nji jetë ravgimi, dhe kudo që zuri vend, edhe për pak kohë, u pá menjëherë vepra e tij shoqërore dhe letrare, e frymzuar përherë prej një shpirti dinamik dhe prej dëshirës të zjarrtë për t’u liruar nga zgjedha e huaj. U përshkua nepër shum lëvizje politike duke përballuar trimërisht pengime dhe kundërshtime të mëdha. I shërbeu kombit edhe me veprimtarínë e vet të parreshtur si zyrtár shteti: si mis i Komisísë Letrare të Shkodrës, si deputet, prefekt, si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit botues, si Ministër i Arsimit. Përfaqësoi vendlindjen e tij, Shkodrën, në Parlamentin Shqiptar nga viti 1920 ne 1924, dhe shërbeu gjithashtu si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve duke filluar nga nëntori, 1920. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. [1]. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, 1924, ai ishte Prefekt i Korcës dhe Gjirokastrës. Në 1927, Mosi u kthye ne Shqipëri pas amnistisë së dhënë nga Ahmet Zogu dhe u bë Ministër i Punëve Publike. Në vitin 1930 bëhet Ministër i Arsimit gjatë kohës së cilës qeveritë shqiptare shfaqnin prirjet për shtetëzimin e shkollave, politikë kjo e cila ra ndesh me françeskanët në Shkoder që mbronin liceun “Illyricum”. Postin si ministër e mbajti deri në vdekje, më 1933. Gjatë asaj kohe njihet dhe me Petro Markon një ditë ku i thotë dhe shkruej poezi, poezia asht forma ma perfekte e artit[2] dhe e sistemon si mësues në Dhërmi. Në polemikat e shtypit të kohës, mes Hilë Mosit e Át Anton Harapit tek Hylli i Dritës, u dëtyrua Fishta t’i shkruante një polemikë klasike që në sintezë i thoshte “Gabove Hilë!”; siç mbante edhe titullin. Polemikë të cilën, bashkë me vepren “Bujari”, Mosi s’e kapërdiu.

Veprimtaria letrareThamë më përpara se Hilë Mosi duke qênë endè në moshën e ré nisi të shkruante nepër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnjë nxënës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht n’ “Albania”-n e Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofíes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Orthodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vjetin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavëshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botërore. Në vjetin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezísh me emrin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhé. Në ketë përmbledhje Mosi këndon Shqipërínë kúr kjo vuante, dhe kúr coptohej prej diplomacísë së pamëshirshme europjane, për të ngopuë lakmít e popujve fqînj. Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botuar në vjetin 1916 përfshînë një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë originale, të tjerat janë përkthime të lira shkërbime autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bëni një botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirsuar të parat.

Në një vëllim të vogël përmblodhi në 1924 në titullin “Kangët Shqipe” disá prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritasve nepër malet shqiptare në luftat kundra Turqisë, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës. Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njihet nepër “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ká punuar lirisht duke ìa përshtatë gjendjes shqiptare; nepër “Filja” dramë trí aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellur ngjarjen në Kurbî rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nepër komedítë e Goldonit: “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”. Poezítë e Hilë Mosit me përmbajtje kombtare nuk kanë një vlerë aq të madhe artistike, por të gjitha janë të veshura me ndìesí të holla atdhetare, familjare e shoqnore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjevet dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm. Një meritim të veçantë për historínë e letërsís shqiptare ká Hila për poezínë prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-1919 në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ká dhënë nji përfundim të pëlqyeshëm. /KultPlus.com

Më 25 Prill, në Ditën e Personave të Pagjetur përkujtohen edhe Bajram Qerkini dhe Milorad Trifunovic

25 Prilli, Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, do të shënohet në Amfiteatrin e Fakulteti Filozofik të Universitetit të Prishtinës, për të nderuar kujtimin e 1592 personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Këtë vit, me respekt të thellë do të përkujtohen edhe jetët dhe puna e dy figurave të shquara që kontribuan në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë për personat e pagjetur:

 🕯️ Bajram Qerkini – themelues i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, i cili ndërroi jetë në vitin 2025

 🕯️ Milorad Trifunović – themelues i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, i cili ndërroi jetë në vitin 2020

Ngjarja do të përfshijë fjalime përkujtimore nga Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës (TBC); Aid Qerkini, familjar i ngushtë i Bajram Qerkinit; Negovan Mavric, Zëvendës Drejtor i MPRC; Kushtrim Gara, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Ngjarja po ashtu do të përfshijë edhe një performancë muzikore instrumentale me violoncello nga Adonis Gjini.

Pas ngjarjes, do të vendosen lule te Memoriali i Personave të Pagjetur.

25 Prilli do të shënohet në Amfiteatrin e Fakulteti Filozofik, salla nr 127, në ora 10:00./ KultPlus.com

Koncerti i fundit për muajin prill nga Filharmonia e Kosovës

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncerti i fundit për muajin prill do të mbahet më 25 prill nga ora 19:30.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellë një program të veçantë nën drejtimin e dirigjentit të njohur francez Aurélien Azan Zielinski. Solist i mbrëmjes do të jetë Félicien Brut, i cili do të interpretojë koncertin për fizarmonikë nga Romain Dumas. Në pjesën e dytë të koncertit do të interpretohen:

Simfonia e kompozitorit Rafet Rudi dhe Vallet Polovecke Nr. 17 nga Alexander Borodin.

Aurélien Azan Zielinski, është dirigjent i njohur, ka shërbyer si drejtor artistik i Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar gjatë sezoneve 2022-2023 dhe 2023-2024, pas një periudhe shtatëvjeçare me Orkestrën Kombëtare të Bretanjës si dirigjent i saj. Ai është gjithashtu profesor dhe drejtues i orkestrës në Haute École de Musique në Lozanë, ku ndan ekspertizën e tij me brezat e rinj të dirigjentëve.

Njohja e tij filloi në vitin 2012, kur fitoi konkursin “Talents Chefs d’Orchestre” fuqizuar nga Adami. Që nga ajo kohë, ai është ftuar të dirigjojë shumë ansamble prestigjioze në mbarë botën, përfshirë Orkestrën Kombëtare të Francës, Orkestrën Kombëtare të Île-de-France, Orkestrën Kamerale të Lozanës, Royal Philharmonic Orchestra, BBC National Orchestra of Wales, Orkestrën Simfonike të Manizales në Kolumbi dhe Metropolitan Festival Orchestra të Singaporit. Interpretimi i tij i ndjeshëm dhe i saktë i lejon atij të lëvizë në mes të repertorit klasik, atij bashkëkohor dhe muzikës së filmit.

Ai është një nga dirigjentët e pakët që udhëhoqën ndërkombëtarisht koncertet e sagës së filmave Harry Potter. Pasuria e karrierës së tij shfaqet gjithashtu në bashkëpunimet e tij me artistë të njohur si Xavier Philipps, Félicien Brut, Anne Gastinel, Célia Oneto-Bensaid, Lovro Pogorelich, Mélody Louledjian, Théo Fouchenneret, Pierre Génisson, Aurélien Pascal, Yoko Shimomura, dhe Pierre Fouchenneret. Ai është një mbështetës i pasionuar i muzikës bashkëkohore dhe punon ngushtë me kompozitorë si Gérard Pesson, Clara Iannotta, Rebecca Saunders, Baptiste Trotignon, Benoît Menut, Guillaume Saint-James, Olivier Calmel, Éric Tanguy, dhe Romain Dumas, duke interpretuar shumë premiera botërore dhe incizime.

Pasioni i tij për edukimin e ka bërë Aurélien Azan Zielinski gjithashtu një pedagog të njohur. Ai drejton disa ansamble për muzikantë të rinj, përfshirë Orkestrën DEMOS Europe të Filharmonisë së Parisit, Orkestrën Simfonike të të Rinjve në Île-de-France, Orkestrat e të Rinjve Alfred Loewenguth, dhe Koret dhe Orkestrat e Grandes Écoles.

Rritje e numrit të vizitorëve, muzeu ‘Onufri’ i hapur edhe ditëve të hëna

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat njoftoi se Muzeu Ikonografik “Onufri” do të qëndrojë i hapur edhe ditëve të hëna deri në fillimin e sezonit zyrtar veror.

Ky vendim është marrë duke parë numrin gjithnjë në rritje të vizitorëve në këtë muze, por edhe në objektet e tjera të trashëgimisë kulturore në qytetin e Beratit.

Ditëve të hëna “Onufri” do të mikpresë vizitorët në orarin 09:00-14:00.

Muzeu Ikonografik “Onufri“ ndodhet në brendësi të kalasë së Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e katedrales “Fjetja e Shën Marisë“. Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1797, por mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Sipas të dhënave historike, katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur ambientet e komuniteteve fetare i kaluan në administrim shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. /atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në varrimin e Papës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut.

Ajo do të jetë në mesin e shumë liderëve botëror që do të jetë e pranishme në ceremoninë mortore të Atit të Shenjtë.

Kjo u konfirmua nga Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.

“Tashmë e kemi konfirmuar te autoritetet shtetërore në Vatikan se Presidentja Osmani, si Kreu i Shtetit, do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut”, deklaroi Kupina.

Papa Françesku do të varroset të shtunën më 26 prill, në Bazilikën “Santa Maria Maggiore”, në Romë.

Ceremonia e varrimit pritet të nis nga ora 10:00.

Ai vdiq dje në moshën 88-vjeçare pas një sulmi në tru dhe problemeve me zemrën.

Ceremonia e varrimit të papa Françeskut caktohet të shtunën

Varrimi i Papa Françeskut do të bëhet të shtunën në bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, njoftoi sot Vatikani, pas një takimi të kardinalëve.

Më heret, papa Françesku shprehu dëshirën e tij për t’u varrosur në kishë, një nga vendet e tij të preferuara, dhe jo në Bazilikën më të madhe të Shën Pjetrit, siç ndodh zakonisht.

Liderët globalë pritet të marrin pjesë në funeral.

Trupi i papa Françeskut është aktualisht i vendosur në një arkivol të hapur në kapelën e bujtinës Santa Marta, ish-rezidenca e tij, ku kardinalët, zyrtarët dhe punonjësit e Vatikanit mund t’i japin lamtumirën e tij.

Papa Françesku, i cili ishte 88 vjeç, vdiq dje nga një goditje në tru dhe dështimi i zemrës./atsh/ KultPlus.com

Java e Letërsisë Shqipe në Ulqin

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Shqipërisë dhe PEN Qendrën e Kosovës do të organizojnë në Ulqin më 23-25 prill 2025 edicionin e parë të manifestimit letrar “Java e Letërsisë Shqipe”.

Programi letrar i larmishëm përfshin mbrëmje letrare, takime letrare, punëtori me krijues të rinj, debate për letërsinë etj. Kështu ky edicion i parë do të nisë me Mbrëmjen letrare “Poetët për Ditën Botërore të Poezisë”, ku poetët pjesëmarrës nga tre asociacionet letrare do të lexojnë vargje nga krijimtaria e tyre, ndërsa nxënësit e shkollës së mesme do të lexojnë pjesë të disa prej poetëve të njohur shqiptarë në formën e homazhit poetik. Në kuadër të manifestimit do të organizohen tre takime letrare me shkrimtarët: Entela Kasi dhe Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha dhe Çerçiz Loloçi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota, punëtoria me krijues të rinj “Si shkruhen llojet dhe zhanret e letërsisë: poezia, proza, eseja?” si dhe tryeza letrare me temë “Letërsia shqipe në programet dhe tekstet mësimore” (Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri).

Qëllimi i Javës së Letërsisë Shqipe është promovimi i vlerave më të mira letrare dhe kulturore që krijohen në botën e sotme shqiptare dhe fokusohet në tri çështje kryesore: nevojën e promovimit të vlerave letrare dhe kulturore të shkrimtarëve të këtyre tre asociacioneve letrare në gjithë hapësirën shqiptare, ngritjen e vetëdijes kulturore të gjeneratave të reja si dhe krijimin e një komuniteti të qëndrueshëm që do të kontribuojë për vizionin e vlerave artistike dhe kulturore të Ulqinit, Tiranës dhe Prishtinës.

Ky aktivitet letrar me karakter edukativ, promovues dhe debatues është konceptuar me idenë e organizimit të tij në qytete të ndryshme shqiptare, ndërsa në të ardhmen pritet që atij t’i bashkëngjiten edhe asociacione që tubojnë krijues shqiptarë nga vende të tjera të rajonit dhe diasporës.

Projekti është mbështetur nga Komuna e Ulqinit në konkursin për organizatat joqeveritare, ndërsa partnerë në realizimin e aktiviteteve janë Libraria “Ulqini”, Shkolla e Mesme e Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, Biblioteka e Qytetit – Ulqin, Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, Bashkësia Lokale – Ostros dhe Muzeu Etnografik – Draginë./ KultPlus.com

Akademia e Shkencave, tryezë shkencore mbi autizmin

Komisioni i Mjekësisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi tryezën e rrumbullakët mbi autizmin në Shqipëri.

Tema e kësaj tryeze ishte “Spektri i Autizmit dhe problemet aktuale të lidhura me të në Shqipëri”. Kryetari i Komisionit të Mjekësisë, akad. Genc Sulçebe, theksoi rëndësinë e kësaj problematike në rritje dhe nevojën për një trajtim multidisiplinar dhe të koordinuar.

Nisma për këtë veprimtari u propozua nga prof. Albana Fico, e cila theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe bashkërendimit të punës ndërmjet specialistëve të ndryshëm për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me çrregullime të spektrit autik (ASD).

Gjatë këtij takimi u theksua mungesa e protokolleve të standardizuara për diagnostikim dhe trajtim; nevoja për pajisje me instrumenta bashkëkohorë vlerësimi si ADOS; mungesa e stafit të trajnuar në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin; mbingarkesa e qendrave ditore dhe mungesa e shtrirjes gjeografike në zona rurale; Nevoja për krijimin e qendrave satelitë sipas modelit të QKTRF; Domosdoshmëria për hartimin e protokolleve të specializuara rehabilituese në fusha të ndryshme: logopedike, psiko-motorike, edukim special, terapi grupi dhe okupacionale.

Në Shqipëri mund të ketë mbi 6000 deri në 14.000 fëmijë me autizëm, ndërkohë që sistemi shtetëror identifikon vetëm rreth 2500 raste që përfitojnë KEMP, nga të cilët rreth 1500 me kujdestari. Rreth 40 milionë euro në vit shpenzohen nga familjet jashtë sistemit publik për terapi dhe shërbime mbështetëse, ndërkohë qe shumë nëna dalin nga tregu i punës për të kujdesur për fëmijë.

Shpenzimet për terapi dhe mësues mbështetës arrijnë mesatarisht në 10,000 euro në vit për familje.

Akademia e Shkencave bëri të ditur përmes një postimi online se, do të vazhdojë të promovojë shkencën dhe debatin profesional mbi temat me ndikim të lartë shëndetësor dhe social. /atsh/ KultPlus.com

Harvard padit Trump pasi ia shkëputi fondet me vlerë 2 miliardë dollarë

Universiteti i Harvard-it paditi administratën Trump të hënën pasi qeveria federale anuloi më shumë se 2 miliardë dollarë financime për këtë universitet elitë, raporton agjencia turke AA.

“Gjatë javës së kaluar, qeveria federale ka ndërmarrë disa veprime pas refuzimit të Harvard-it për të përmbushur kërkesat e saj të paligjshme”, tha Presidenti i Universitetit Alan Garber në një deklaratë.

“Pak më parë, ne kemi paraqitur një padi për të ndalur ngrirjen e financimit sepse është e paligjshme dhe përtej autoritetit të qeverisë”, shtoi ai.

Sipas padisë, administrata Trump akuzohet për veprim “të paligjshëm” pasi shkel të drejtat e Amendamentit të Parë, si dhe ligje dhe rregullore federale.

“Qeveria përdori kërcënimin e ndërprerjes së fondeve federale si një përpjekje për të detyruar Harvard-in të përshtatet me përzierjen e pikëpamjeve dhe ideologjive të preferuara të Qeverisë”, thuhet në padi.

Ky universitet është i pari institucion i madh akademik që kundërshton hapur udhëzimet e administratës, të cilat zyrtarët e Trump-it i kanë paraqitur si një përpjekje për të luftuar antisemitizmin pas protestave në kampuse lidhur me luftën brutale të Izraelit në Gaza.

Administrata po synon gjithashtu programet për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI), të cilat i ka quajtur “diskriminim të paligjshëm dhe imoral”.

Ndërkohë që administrata Trump pretendon se qëllimi i saj është të luftojë antisemitizmin, Garber tha se ai, si hebre dhe amerikan, e di “shumë mirë” që ka “shqetësime të vlefshme” për rritjen e antisemitizmit.

“Harvard e merr këtë punë seriozisht. Ne do të vazhdojmë të luftojmë urrejtjen me urgjencë… Para se të ndërmarrë veprime ndëshkuese, ligji kërkon që qeveria federale të angazhohet me ne për mënyrat se si ne po luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë antisemitizmin”, shtoi ai.

OKB: Paralajmërim për mashtrime kibernetike në gjithë botën

Rrjete të gjëra kriminale kanë bërë miliarda me mashtrime përmes internetit në Azi dhe tani po i zgjerojnë operacionet e tyre në Evropë, Afrikë, Amerikën e Jugut e më tej. Prandaj OKB-ja kërkon bashkëpunim ndërkombëtar.

OKB-ja paralajmëron se rrjetet aziatike të krimit që kontrollojnë industrinë e mashtrimeve përmes internetit dhe nxjerrin fitime në miliarda dollarë, po i zgjerojnë operacionet e tyre në të gjithë botën. Në raportin e OKB-së thuhet se masat zyrtare që po marrin vendet e ndryshme nëAzinë Juglindore nuk po arrijnë t’i frenojë këto organizata kriminale.

Në raportin e OKB-së thuhet se bandat kineze dhe ajo nga Azia Juglindore i joshin viktimat duke premtuar investimeve, fitimeve me kriptomonedha, romanca dashurie dhe mashtrime të tjera.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) mashtrimet kibernetike tani janë kthyer në një industri e sofistikuar mbarëbotërore. Bandat kanë konvikte të shumta në të cilat strehojnë dhjetëra-mijëra punëtorë, kryesisht të trafikuar, të cilët i detyrojnë të mashtrojnë njerëz të tjerë përmes internetit.

Për të luftuar grupet e krimit nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar

“Ky lloj krimi po përhapet si kancer,” thotë Benedikt Hofmann, Përfaqësuesi Rajonal zyrës së UNODC-ut për Azinë Juglindore dhe Paqësorin. “Autoritetet i kundërvihen atij në një zonë, por rrënjët e tij nuk zhduken kurrë; ato thjesht migrojnë nga një vend tek tjetri.”

UNODC thotë se rrjetet kriminale po i zgjerojnë operacionet e tyre nga Azia në Amerikën e Jugut, në Afrikë, Lindjen e Mesme, në Evropë dhe madje edhe disa ishuj të Paqësorit.
Sipas raportit të UNODC në vitin 2023, grupet kriminale kanë nxjerrë në vendet e Azisë Lindore dhe Juglindore përmes mashtrimeve kibernetike rreth 37 miliardë dollarë (32.5 miliardë euro), kurse në SHBA më shumë se 5.6 miliardë dollarë (4.9 miliardë euro).

UNODC i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të veprojë, duke thënë se tani gjendja ka arritur në një “pikë kritike kthese”. Sipas OKB-së mospërfshirja në aksionet e përbashkëta kundër këtyre bandave do të ketë “pasoja të paprecedenta për Azinë Juglindore të cilat mund të kenë ndikim global”./DW/ KultPlus.com

Richard Nixon, i vetmi kryetar i ShBA-ve që dha dorëheqje gjatë mandatit presidencial

22 prilli shënon përvjetorin e vdekjes së njërit nga burrështetasit e Amerikës, Riqard Nixon, shkruan KultPlus.com.

Ai lindi më 9 janar 1913 në Yorba Linda të Kaliforni-së. Ishte politikan amerikan dhe President i SHBA-së i 37-të në periudhën 1969-1974. Nixon është i vetmi Kryetar i ShBA-ve që ka dhënë dorëheqje gjatë mandatit presidencial pa e përfunduar mandatin e dytë, për shkak të përzierjes së tij në një skandal korrupsioni të njohur si Skandali Watergate.

Nixon lindi në një familje të varfër në një qytet të vogël në Kaliforninë Jugore. Ai u diplomua në Shkollën Juridike Duke në 1937, ushtroi profesionin e avokatit në Kaliforni, më pas u transferua me gruan e tij, Pat, në Uashington në 1942 për të punuar për qeverinë federale.

Pas detyrës aktive në Rezervën Detare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1946. Puna e tij në çështjen e Alger Hiss krijoi reputacionin e tij si një antikomunist kryesor, gjë që e ngriti atë në rëndësi kombëtare, dhe në vitin 1950 , ai u zgjodh në Senat.

Nixon ishte kandidati i Dwight D. Eisenhower, kandidati presidencial i Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 1952 dhe shërbeu për tetë vjet si zëvendëspresident. Ai kandidoi për president në vitin 1960, humbi ngushtë nga John F. Kennedy, pastaj dështoi përsëri në një garë të vitit 1962 për guvernator të Kalifornisë, pas së cilës u besua gjerësisht se karriera e tij politike kishte mbaruar. Megjithatë, në vitin 1968, ai bëri një tjetër kandidim për presidencën dhe u zgjodh, duke mposhtur Hubert Humphrey me më pak se një pikë përqindje në votën popullore, si dhe duke mundur kandidatin e partisë së tretë George Wallace.

Nixon i dha fund përfshirjes amerikane në luftimet e Vietnamit në 1973 dhe draftin ushtarak në të njëjtin vit. Vizita e tij në Kinë në vitin 1972 përfundimisht çoi në marrëdhënie diplomatike midis dy kombeve dhe ai gjithashtu përfundoi Traktatin e Raketave Anti-Balistike me Bashkimin Sovjetik. Në hap me besimet e tij konservatore, administrata e tij transferoi në mënyrë graduale pushtetin nga qeveria federale te shtetet.

Politika e brendshme e Nixon-it e pa atë të impononte kontrolle të pagave dhe çmimeve për 90 ditë, të zbatonte desegregimin e shkollave jugore, të themelonte Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe të fillonte Luftën kundër Kancerit. Për më tepër, administrata e tij nxiti për Aktin e Substancave të Kontrolluara dhe filloi luftën kundër drogës. Ai gjithashtu kryesoi uljen e Apollo 11 në Hënë, e cila sinjalizoi fundin e Garës Hapësinore. Ai u rizgjodh me një rrëshqitje historike elektorale në vitin 1972 kur mundi George McGovern.

Në mandatin e tij të dytë, Nixon urdhëroi një transport ajror për të rifurnizuar humbjet izraelite në Luftën e Yom Kipur, një konflikt që çoi në krizën e naftës në vend. Nga fundi i vitit 1973, përfshirja e administratës së Nixon në Ëatergate gërryen mbështetjen e tij në Kongres dhe në vend. Më 9 gusht 1974, duke u përballur me shkarkimin dhe largimin pothuajse të sigurt nga detyra, Nixon dha dorëheqjen nga presidenca.

Më pas, atij iu dha një falje nga pasardhësi i tij, Gerald Ford. Gjatë gati 20 viteve të daljes në pension, Nixon shkroi kujtimet e tij dhe nëntë libra të tjerë. Ai ndërmori shumë udhëtime jashtë vendit, duke e kthyer imazhin e tij në atë të një burrë shteti të moshuar dhe eksperti kryesor i çështjeve të jashtme.

Ai pësoi një goditje në tru më 18 prill 1994 dhe vdiq katër ditë më vonë në moshën 81 vjeçare. Sondazhet e historianëve dhe shkencëtarëve politikë e kanë renditur Nixon si një president nën mesataren. Megjithatë, vlerësimet e tij kanë rezultuar komplekse, me sukseset e presidencës së tij në kontrast me rrethanat e largimit të tij nga detyra./KultPlus.com

Petro Nini Luarasi, patrioti dhe martiri i gjuhës shqipe

Në 22 prill të vitit 1865, në Luaras të Kolonjës, lindi Petro Nini Luarasi.

Ai ishte nxënës në shkollën e Qestoratit drejtuar nga Koto Hoxhi. Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve.

Petro Nini Luarasi punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911). Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, si edhe i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911. /atsh/ KultPlus.com

Miguel de Cervantes, novelisti që shkroi kryeveprën ‘Don Kishoti i Mançës’

Nga Albert Vataj

Ndoshta ajo që arriti të bënte me romanin “Don Kishoti i Mançes” në letërsinë botërore do të ishte shumë më shumë se sa ai ishte gaditur në këtë sipërmarrje. Në atë kohë letërsia ndodhej në një taban të ashpër dhe tejet të ngurtë. Tematika dhe larmia e personazheve dhe ngjarjeve po vuante një lloj shterrimi. Nevoja për të vënë dorë në diçka që kishte shfaqur shenja dekompozimi ishte gjithnjë e më emergjente. Ndërsa askujt nuk i kishte rënduar në shpirt kjo situatë e shterruar e letrave dhe krijimtarisë. Një i prerë për luftë dhe aventura, më shumë se për penë, “ngre shpatën” dhe godet litarin që mban të tendosur velën e asaj anijeje të pakur që vijonte të lundonte në një detë të paanë. E përplas këtë pushtues të ujrave për shkëmbinjtë e brigjeve dhe kurajos, dhe me çfarë arrin të dalë në breg nis të ringre një anije tjetër, një anije më të shpejtë dhe më sfiduese për stuhitë dhe detet e ashpra të letërsisë që e presin kërcënueshëm.
Cili është ai që guxon kaq shumë?

Po, është Miguel de Servantes Saavedra, ai që do të hyjë në historinë e letërsisë botërore si nënshtruesi i kalorësiakes përmes satirës. “Don Kishoti i Mançes”, ishte kjo kryevepër e paarritshme fikshën që do ta ngjiste këtë spanjoll me mish e me shpirt në panteonin e famës.

Miguel de Servantes vdiq në Madrid më 22 prill si dhe u përcoll për në amshim më 23 prill duke u varrosur në një manastir triniteti si një françeskan. Është pikërisht 23 prilli i keqpërdorur si datë që në shumë hamendësime konsiderohet si datëvdekja e shkrimtarit. Shkaku i vdekjes së tij, në bazë të Antonio López Alonso, një mjek, i cili ka shqyrtuar dokumentacionin e mbijetuar deritani, ishte diabeti 2 dhe një cirozë së mëlçi. Aludime të ndryshme bëjnë fjalë që ky përkeqësim i shëndetit të Servantes erdhi si rezultat i konsumit të tepruar të alkoolit në vitet e fundit të jetës.
***
Miguel de Servantes Saavedra u lind më 29 shtator 1547 dhe vdiq më 22 prill 1616. Në historinë e letërsisë dhe tekstshkrimet për autorin, orvatet ta mbamendin atë si një novelist, poet dhe dramaturg i njohur.
Deri në vitin 1605 kur atë e kishte lënë takati dhe mbi vete mbante inatet e të pamundurave që cyt mosha e thyer, është fjala për një burrë 58-vjeçar, ai rroket prej një suksesi të paimagjinueshëm që i sjell romanin, “Don Kishoti i Mançes”. Servantes veç historive me femra, aventurave, deri tek pengmarrja nga një tufë mercenaresh algjerianë të komanduar nga një shqiptar, kishe shkruar, ose më saktë ishte ballafaquar me veten e tij të dështuar krijuese. Asaj pjese të krijimtarisë së Servantes nuk i’u kthye askush as për ta riparë, as për ta rivlerësuar, për ta lënë këtë emër të lidhur vetëm me “Don Kishotin e Mançes”, të cilin ai e bëri me dy pjesë.
Nga kritika, “Don Kishoti i Mançes” konsiderohet romani i parë modern europian dhe më i mirë i shkruar ndonjëherë. Ndikimi që pati në gjuhën spanjolle ka qenë aq themeltar sa u etiketua si “Gjuha e Servantesit”. Gjithashtu, ky roman pati një ndikesë rrapëllitëse në periudhën e bashkëkohësisë dhe përmbysjen e epokës së famës kalorësiake duke i transkriptuar këto heronj në personazhe grotesk. Kësodore arrijmë të kapim fillin e një pene inatçore, marazin e një burri me të shkuar shumëngjyrëshe dhe goditjen që pësoi nga rrufeja e famës, pod, ku ndodhet edhe sot e asaj dite. Gjithqysh ai arriti të shkruante një faqe shkëlqimtare në historinë e letërsisë dhe të sillte në jetë një emblemë filozofike dhe psikologjike, siç ishte “Don Kishoti i Mançes”.
***
Nëpër jetëshkrimet për shkrimtarit thuhet se Miguel de Servantes Saavedra, fëmija i katërt një mjeku, fillimisht regjistrohet në marinën tregtare spanjolle, por shpejt flota që e paguante përfshihet në njësitë luftarake. Servantes i ri shkëlqen si ushtarak. Ai plagoset tri herë në fushatat kundër otomanëve, më rëndë në betejën historike të Lepantos, një nocion gjeografik në Gjirin e Korintit, në Greqi.
Pas pesë vitesh shërbim, atë e lejojnë të kthehet në atdhe, në Spanjë. Për shërbimet e tij të vyera ndaj kombit, Servantes sapo ishte graduar me titullin “ushtar elitar” dhe në kthim kishte me vete edhe 2 letra për Mbretin Filip II të Spanjës. Të dyja letrat, që Servantesi i ruante me kujdes, kishin vlerën e rekomandimit, me qëllim që mbreti të çmonte atë që ai kishte bërë në luftë.
***
Pas pesë viteve të robërisë, Servantes u çlirua, falë negociatave të etërve të trinitetit. Më 27 tetor, ai mbërriti në Valencia, i dobët. I ati kishte për të shitur të gjithë pasurinë dhe shkurorëzuar nga të gjitha nderet për t’i dhënë lirinë. Përvoja ishte një pikë kthese në jetën e tij, si dhe referenca të shumta për tema të lirisë dhe robërit shfaqen në punën e tij. Servantes u kthye nga Algjeri i zhytur në borxhe për shkak të haraçit të paguar për lirimin e tij. Për të fituar të holla, ai vendosi të ishte kontingjent lufte. Ai shkoi në Portugali dhe mori pjesë në betejën e “Azores Las” në 1582. Një vit më vonë, ai u kthye në Spanjë me dorëshkrimin e një romance, “La Galatea” dhe ndoshta pjesën e parë të “Persiles y Segismunda”. Ai gjithashtu solli disa shënime për biografinë e tij. Gjatë këtij viti ai u bë babai i Isabel de Saavedra, një vajzë që kishte me një zonjë të aristokracisë së Lisbonës.
Më 12 dhjetor, 1584, 37- vjeçari Miguel de Servantes Saavedra ishte martuar me Katalina Dona de Palacios Salazara. Martesa e detyruar e Servantes për të kërkuar një punë funksionoi dhe në 1588 ai siguroi një pozitë si një zyrtar i qeverisë në jug të Spanjës, rekuizimi gruri dhe vajit të ullirit për fushatën e Armadës së pamposhtur. Posti i tij i ri i dha atij mundësinë për të mësuar zakonet dhe shprehitë e zakoneve, traditave nga Sevilje që ai përshkroi tek Don Kishoti. Ai u arrestua dy herë në Sevilje për marrje posedimin e materialeve që i përkitnin Katedrales Sevilje-së. Këto përvoja justifikojnë legjendë që pjesa e parë e Don Kishotit ishte shkruar në burg.
Qëndrimi i tij në Sevilla ishte një periudhë e fatkeqësive për Servantes. Fat i tij nuk ishte më i mirë në letërsi. Në vitin 1595, ai fitoi çmimin e parë (tre lugë argjendi) në një konkurs poeme, dhe tre vjet më vonë, kënga e tij El entierro del Rey Felipe II en Sevilla ka marrë një vëmendje, edhe pse pjesa tjetër e poemave të tij do të mbeten të pabotuar.
***
Xhaxhai i tij Alonso de Quesada Salazar thuhet se ka shërbyer si yshtje frymëzuese për të formësuar karakterin e Don Kishotit. Gjatë 20 viteve të ardhshme Servantes bënte një ekzistencë nomade, duke punuar si një agjent blerje dhe si një tagrambledhës. Ai vuajti falimentimin dhe u burgos të paktën dy herë (1597 dhe 1602) për parregullsitë në llogaritë e tij. Midis 1596 dhe 1600, ka jetuar kryesisht në Sevilje. Në vitin 1606, Servantes u vendos në Madrid, ku ka mbetur për pjesën tjetër të jetës deri në të shuar më 22 prill 1616.
***
Romani “Don Kishoti” i të madhit Miguel Serantes, gjeniut të letërsisë spanjolle, që bashkon në mënyrë krejt të natyrshme prirjen fantastike me shpirtin realist, del në dritë në periudhën kur romani kalorësiak e kishte humbur plotësisht joshjen dhe vëmendjen e lexuesit të kohës. Ai e solli këtë fikshën si një kundërvënie e fuqishme ndaj mentalitetit spanjoll mbi romanin kalorsiak, mbi këtë roman që ishte i molepsur nga figura të glorifikuara heronjsh të vendosur në situata të ekzagjeruara dhe që lëvizin në një botë eksploduese pasionesh dhe ngërthyer mes intrigash dhe aventurash të pabesueshme.
“Don Kishoti” nëtërësinë e vet rreket të ironizojë prirjeve kalorsiake, si dukuri shoqërore dhe historike të Spanjës. Servantesi zgjedh pikërisht një “hero” si Don Kishoti, një personazh sa grotesk aq dhe kompleks, për ta vendosur përballë ngjarjeve dhe situatave të fryra dhe shpesh herë absurde, për të realizuar dhe përmbushur aventura të çmendura, të cilat e pozicionojnë si romanin e pare antiroman në historinë e letërsisë, kurse Don Kishotin si të parin antihero në këtë lëm. Gjithqysh kjo kryevepër e vuri Servantesin në një radhë me përfaqësuesit e tjerë të mëdhenj të Rilindjes europiane për ta sjellë deri në ditët tona si një rast i veçar dhe emblematik i tekstshkrimit. Nëse kombi gjerman mburret me Gëten, ai angles nuk ka nguruar ta vendos në kreshtën më të lartë të krenarisë, tragjikomedianin më të madh të të gjitha kohërave, Uilliam Shekspir, edhe Spanja te Miguel de Servantes Saavedra ka të shëmbëllyer elementin më përfaqësues të kombëtares./ KultPlus.com

107 vjet nga lindja e piktorit Ibrahim Kodra

Ibrahim Kodra lindi më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur mbushi 20 vjeç (1938). Asokohe ai largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, përcjell KultPlus.

Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik.

Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

Ibrahim Kodra, vdiq më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano./ KultPlus.com

301 vjet nga lindja e filozofit idealist Immanuel Kant

Immanuel Kant ishte filozof i madh gjerman dhe njëri ndër filozofët më të shquar të historisë së njerëzimit. Ai lindi më 22 prill 1724 në Konigsberg, shkruan KultPlus.

Vepra e tij Kritikë e Aryes së Kulluar shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne. Rëndësia e tij qëndron në ndihmesën që dha në metodologjinë e re të studimit të gonselogjsë, themeluar mbi kriticizmin.

Veprimtaria e tij u zhvillua kryesisht në dy periudha. Periudha e parë, e cila përkon me emërimin “Periudha Praktike” ka filluar që nga fillimet e punës së tij deri më 1770. mbas këtij viti fillon edhe periudha e dytë e veprimtarisë së tij e cila emërohet si “Periudha Kritike”. Kjo e fundit vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Gjatë periudhës “praktike”, ai do të parashtronte ide dhe hipoteza të shumta. Engelsi këto varg idesh dhe hipotezash i quajti si “idetë që i dhanë idesë sundimin absolut të mënyrës metafizike të mendimit në shkencat e natyrës.

Si një filozof idealist, për Emanuel Kantit (flitet për periudhën e mbas vitit 1770) fillon “Periudha Kritike” solli risi të reja dhe deri më 1781 ai kishte arritur të botonte dy vepra të rëndësishme duke u përfshirë në përpunimin e Idealizmit Transcendental. Sipas këtyre mendimeve, Kanti predikonte se sendet në vetvete nuk mund të njihen prej njerëzve sepse konceptimi jonë shqisor nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me këto të fundit (pra me sendet). Dijet teorike të sakta në limitin e të vërtetës (pra nënkupton se e vetmja ide e vërtetë), sipas tij mund ta pasqyrojnë vetëm shkenca të tilla si matematika dhe shkencat e natyrës sepse këto shkenca mbështeten në format apriori të arsyes.

Ai ishte personi i cili hartoi për herë të parë prezumimin e pafajsisë për të gjithë njerëzit (e shprehur edhe në nenin 30 të kushtetutës së Repuplikës së Shqipërisë ku thuhet qartë se: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”). Imperativi Kategorik është gjithashtu parim i formuluar nga Kanti.

Në rininë e tij Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer. Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, perultesi vetjak, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës. Për pasoje, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar dhe të latinishtes rreth shkencave dhe matematikës.

Kanti ka ndikuar shumë në filozofinë botërore. Filozofia e tij është shprehur në vazhdim nga neokantistët, në idetë pozitiviste dhe mahizmi./KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Tokës

Sot, më 22 prill në botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.

Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën me 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës për herë të parë është festuar në vitin 1970, ndërsa tani përfshinë ngjarje të ndryshme globalisht nga Rrjeti i Ditës së Tokës “Earth Day Network”.

Në Ditën e Tokës 22 Prill 2016, Marrëveshja e Parisit u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe rreth 120 vende të tjera.  Ky nënshkrim plotësoi një kërkesë kryesore për hyrjen në fuqi të draft traktatit historik të mbrojtjes së klimës, të miratuar me konsensusin e 195 vendeve të pranishëm në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 2015, në Paris.

Komunitete të shumta krahas kësaj festojnë edhe Javën e Tokës, e që përfshin një javë të tërë veprimtarish të përqendruara në çështjet mjedisore me të cilat përballet bota./KultPlus.com

Ditët Shqiptare në Botë nisin nga Italia, prezantohet instalacioni i veçantë ‘Dying of Laughter’

Në Milano, një nga kryeqendrat botërore të dizajnit dhe artit bashkëkohor, Shqipëria solli një zë të veçantë – të vetin, përmes nismës më të re të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, CulturaAlb.

Me anë të kësaj platforme që ptritet të nise një kapitull i ri në diplomacinë kulturore të vendit tonë, synohet të prezantohet krijimtaria shqiptare në skenën ndërkombëtare.

CulturaAlb – Ditët Shqiptare në Botë u prezantua për herë të parë në Fuorisalone 2025, ku nga 7 deri më 13 prill, Shqipëria u bë pjesë e gjallë e programit kulturor të qytetit.

Në qendër të javës shqiptare ishte instalacioni “Dying of Laughter”, një vepër që ndërthur humorin me tragjedinë, të realizuar nga arkitektët Marin Nikolla dhe Denis Muça, në bashkëpunim me mjeshtrin e qeramikës Vasil Kuka.

Projekti i Nikollës dhe Muçës ndërton një urë mes gjuhës, kujtesës kolektive dhe formës artistike. Duke u nisur nga një shprehje popullore, “vdiq nga e qeshura”, ata krijojnë një univers simbolik ku qeramika bëhet mediumi për të përçuar një histori të paprekshme, por të gjithënjohur. Siç theksojnë edhe vetë autorët në intervista të ndryshme, projekti trajton një ndërthurje të pazakontë mes epikes së të qeshurës dhe tragjikes së vdekjes, mes gëzimit dhe humbjes, një binom që gjen shprehje në qeramika të realizuara me mjeshtëri.

Në zemër të instalacionit është mjeshtri i qeramikës Vasil Kuka, një artizan nga zona e Zadrimës, që prodhon me dorë deri në 300 copë qeramike në ditë. Ai përfaqëson modelin e një artizani-industrial, që ruan teknikat tradicionale, por punon me një efikasitet bashkëkohor.

Krahas “Dying of Laughter”, publiku pati mundësinë të vizitojë edhe ekspozita të tjera si: vepra të Bib Frrokaj, artistit shqiptar që eksploron ndërthurjen e motiveve tradicionale me ato moderne. Gjithashtu e ekspozuar ishte edhe “Vatra”, një tavolinë xhami e dizajnuar me dorë nga arkitektja Joana Dhiamandi, që mbart simbolikën e ngrohtësisë së shtëpisë shqiptare.

Një tjetër moment i rëndësishëm i javës shqiptare në Milano ishte prezantimi i platformës Albchef, një rrjet ndërkombëtar i kuzhinierëve shqiptarë që synon promovimin e traditës kulinare në një nivel global. Pjesë e aktiviteteve ishin degustimet e produkteve të agroturizmit “Mrizi i Zanave” dhe prezenca e shefit Altin Prenga, një figurë kyçe në gastronominë shqiptare bashkëkohore.

Në kuadër të CulturAlb, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u zhvilluan gjithashtu momente shoë-cooking, degustime të ushqimeve tipike dhe biseda mbi rëndësinë e etikës dhe qëndrueshmërisë në kuzhinë dhe dizajn, duke treguar se vlerat tradicionale shqiptare mund të kenë një ndikim të fortë në tregjet ndërkombëtare.

E qeshura, si motiv kryesor i instalacionit, nuk mungoi edhe në formatin e saj më të drejtpërdrejtë: stand-up comedy. Humoristi shqiptar Xhuliano Dule solli në skenë momente të spikatura ironie dhe reflektimi mbi realitetin shqiptar dhe atë të diasporës.

Po ashtu u shfaq dhe premiera e dokumentarit “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”, me autorë Lorik Cana dhe Arber Agalliu, e cila rrëfen mbi lidhjet kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve në rajon dhe diasporë.

CulturaAlb nuk ndalet në Milano. Ajo është një urë që bashkon shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar trashëgiminë tonë të gjallë në çdo cep të botës. Një nga shembujt më të prekshëm të kësaj trashëgimie është Vallja arbëreshe, një festë pesëshekullore që zhvillohet çdo të martë pas Pashkëve në katundet arbëreshe të Italisë.

Kjo festë përkujton fitoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut në vitin 1467 dhe mishëron shpirtin e një populli që nuk i ka harruar rrënjët. Me këngë, valle dhe veshje tradicionale, Vallja është një kujtim i gjallë, një homazh ndaj identitetit dhe qëndresës arbërore – tashmë pjesë e rrëfimit të ri që CulturaAlb sjell para botës.

Megjithatë, këto aktivitete të organizuara në kuadër të nismës CulturaAlb – Ditët shqiptare në botë janë vetëm të parat, pasi ky program shumëdimensional kulturor i iniciuar nga Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës së vendit tonë, ka si synim promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në shumë shtete të tjera.

Në thelb, CulturaAlb është një platformë e re diplomacie kulturore, e cila angazhon artistë, dizajnerë, muzikantë, kuzhinierë, krijues dhe komunitete shqiptare në diasporë për të sjellë zërin e Shqipërisë në qendrat më të mëdha kulturore të botës./atsh/ KultPlus.com

Rama: Transformim i shëtitores buzë detit në Durrës në hapësirë urbane shumë më tërheqëse

Në Durrës kanë nisur një seri investimesh madhore që kanë hapur një kapitull të ri zhvillimi për qytetin bregdetar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një tjetër projekt të bukur të bashkisë së Durrësit, konceptuar nga studioja e famshme spanjolle e themeluar nga legjendari Ricardo Bofill.

Rama theksoi se ky projekt do ta transformojë këtë pjesë të shëtitores buzë detit në një hapësirë urbane shumë më tërheqëse, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së ofertës turistike të Portës së Adriatikut.

Aktualisht në Durrës po zbatohen disa projekte infrastrukturore, të cilat do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e zonave turistike, por edhe në menaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik.

Projekti për Lungomaren e Durrësit do t’i japë edhe më shumë vlerë shtëpive, hoteleve, njësive të shërbimit, ndërsa parashikohet edhe zgjerimi i zonës ranore në 100 metra./atsh/KultPlus.com

Kongresi Amerikan paraqet rezolutë kundër krimeve të dhunës seksuale në Kosovë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Kongresi Amerikan ka paraqitur Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve të dhunës seksuale në Kosovë.

“Një betejë e gjatë, e dhimbshme dhe e heshtur që më në fund po merr vëmendjen që meriton.  Mirënjohje për Vasfije Krasniqi Goodman – simbol i guximit – dhe Vera Mjeku për përkushtimin dhe zërin e palodhur në këtë rrugëtim drejt së vërtetës. Kjo rezolutë sjell shpresë për çdo të mbijetuar që ka pritur drejtësi për vite me radhë. Shyrete Tahiri Ramadan Nishori”, thuhet në njoftimin e qendrës.

Një ndër të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman është shprehur se ky është një hap i rëndësishëm në luftën tonë për drejtësi.

“Anëtarë të Kongresit Amerikan Demokrat dhe Republikanë kryesuar nga Kongresistët Julie Johnson, Keith Self, Ritchie Torres, Jim McGovern, Marc Veasey, Alexandra Ocasio-Cortez, George Latimer, Mike Lawler, dhe Ilhan Omar paraqitën në Kongresin Amerikan Rezolutën 26 që bën thirrje për drejtësi dhe që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së krimeve të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë në rastin tim dhe gjithë të mbijetuarve të tjerë”, shkruan ajo.

Tutje, Krasniqi – Goodman është shprehur falënderuese ndaj Vera Mjekut, bashkëhartuese e rezolutës dhe promotore e përpjekjeve tona për mbështetje në Kongresin Amerikan dhe gjithë atyre që na kanë përkrahur dhe vazhdojnë të na përkrahin që rezoluta të paraqitet në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe gjithë Kongresin./KultPlus.com

‘Ajo që s’e them’

Poezi nga Azem Shkreli

Ajo që s’e them s’është foshnje që përkundet
Kot së koti dhe rritet. S’është as vala
Që lyp brigje të tjera dhe nuk mundet
Është burim për të cilin digjet etjes fjala

Ajo që s’e them s’është hije. As tehu që hasi
Në gurin e së pathyeshmes dhe u lakua në dëshprim
Dhunë e dhëmbjes është. Klithja që plasi
Kupën e ëndjes sate dhe të durimit tim

Ajo që s’e them s’është kullë e shembur brenda
S’është dënim i dashjes dhe nuk është e huaj
Njerëz e njolla e gjithë ç’ju përmenda
Ajo nuk është guri im mbi varrin tuaj

Ajo që s’e them s’është heshtje. As magjia
E lashtë e saj që ja dimë të fshehura halët
Dhe do t’i trembet kobit të vet zbraztia
Kur të ja flak unë fytyrës leckat fjalët./KultPlus.com

Bëje sidoqoftë!- poezi me mesazh tejet të fuqishëm

Poezi nga Shën Nënë Tereza
Përktheu: Agon Sinanaj

Në të shumtën e rasteve
Njerëzit janë të paarsyeshëm dhe egoist.
Fali, sidoqoftë.

Nëse jeni i mirë,
njerëzit mund t’iu akuzojnë
Se po e bëni për motive vetjake dhe të mëvonshme.
Bëhu i mirë, sidoqoftë.

Nëse jeni i suksesshëm,
do të fitosh disa miq të pabesë
Dhe disa armiq të sinqertë.
Bëhu i suksesshëm, sidoqoftë.

Nëse jeni i ndershëm dhe i sinqertë,
Njerëzit mund t’iu mashtrojnë.
Bëhu i ndershëm dhe i sinqertë, sidoqoftë.

Atë që keni krijuar me vite,
njerëzit, mund ta shkatërrojnë për një natë.
Krijo, sidoqoftë.

Nëse gjen paqe dhe lumturi,
disa mund t’iu xhelozojnë.
Bëhu i lumtur, sidoqoftë.

Të mirat që bëni sot,
do të harrohen shpejt.
Bëj mirë, sidoqoftë.

Jep gjithçka nga vetja,
Dhe nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme.
Jep gjithçka nga vetja, sidoqoftë.

Në fund të fundit,
kjo është mes teje dhe Zotit.
Nuk ka qenë kurrë mes teje dhe atyre, sidoqoftë./KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, rihap dyert për vizitorët këtë vjeshtë

Modernizimi urban i Durrësit po shtrihet, jo vetëm në rrugë, lagje dhe sheshe, por po bën të mundur edhe rilindjen e disa objekteve historike me të cilat qyteti identifikohet.

Muzeu Arkeologjik është një prej tyre, që po rilind nga e para pas goditjes nga tërmeti, një thesar i vyer i historisë sonë të antikitetit me më shumë se 2400 objekte, të cilat me përfundimin e restaurimit do të ekspozohen në pavione tërësisht të reja, me ndriçim dhe kushte bashkëkohore, e që bashkë me rikualifikimin e hapësirës në oborrin e muzeut do të kthehen në një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit historik në vend.

Kryetari i PSSH, Edi Rama gjatë vizitës së tij në Durrës, ndaloi në këtë Muze për të parë ecurinë e punimeve për restaurimin, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, e cila informoi se Muzeu Arkeologjik tërheq në numër shumë të madh vizitorësh.

“Një objekt, që nuk mund të rrimë pa e treguar historinë. Fillon në ‘88 dhe ngec, ndërtohet keq. Në 2010 mbyllet prapë. Në 2015 hapet, por prapë në gjendje jo të mirë. Si objekt, ka pasur tentativa nga pushtetarët para 2013 për ta bërë markatë në planet e tyre, dhe në projektin e ri që vëmë në jetë këtu, na del një problematike me strukturën, e cila del që nuk ka qene e ndërtuar si duhet, kështu që përforcimet dhe ndërhyrja pas tërmeteve, bëhet me ndryshim projektesh që në fillim. Kjo ka sjellë vonesë në kalendarin e punimeve, në radhë të parë, në radhë të dytë trashëguam në 2015 një objekt që ishte tokë pa letra, probleme ligjore. Të gjitha këto janë kompletuar deri vitin e fundit me shumë mundim, shpronësime, dokumentacion në mënyrë që të bënim projektin e plotë brenda dhe jashtë”, tregoi

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, shtoi se është dyfishuar sipërfaqja e ekspozimit. “Kati i dytë, do jetë pak më inovator. Ka shumë material, ka shumë inventar, ka shumë arkiva”, tha ai.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako informoi se në rikostruksion është dhe Muzeu Etnografik, edhe ai i dëmtuar nga tërmeti i 2019.

Ministri Gonxhja tregoi edhe mbi detaje të tjera të projektit siç është rikualifikimi i gjithë hapësirës përreth muzeut, që merr një vlerë të re.

“Kati i dytë, jeta sociale, aktivitete ku sheh nga të gjitha krahët dhe do ketë shumë gjallëri, vizitorë, fëmijë, kurse. Kati i dytë riorganizohet i gjithi për muzeun që nuk ka qenë. I gjithë oborri merr shumë vlerë. Do ndërtohet një tendë statike që të vizitohet dhe pjesa e jashtme. Do hiqen të gjitha, do pastrohen dhe do ketë objekte, aktivitete dhe një ashensor paronamik nga mbrapa ku do shkosh direkt në katin e tretë. Disa gjetje të mozaikut të Gjergj Kastriotit duam t’i lidhim në një shteg. Kolonat janë të riforcuara, pothuajse të ristrukturuara se ishin problematike”, detajoi Ministri Gonxhja, ndërsa shtoi se Muzeu është parashikuar të përfundojë në muajin shtator të këtij viti.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu arkeologjik më i madh në Shqipëri.

I themeluar në vitin 1951, muzeu ka një koleksion të pasur me objekte që datojnë nga periudha parahistorike deri në shekullin IV pas Krishtit. Këto objekte janë zbuluar kryesisht në sitin antik të Dyrrahut, i njohur ndryshe si Dyrrhachium, dhe përfshijnë artefakte nga periudhat helenistike, romake dhe bizantine.

Eksponatet më të njohura përfshijnë stele romake funerale, sarkofagë prej guri dhe bustet e vogla të perëndeshës Venus, që dëshmojnë periudhën kur Durrësi ishte një qendër e kultit të saj./atsh/KultPlus.com

“Mos u mërzit që po plakesh, ky është një privilegj që disa njerëzve u është mohuar”

Samuel Langhorne Clemens, i njohur me emrin Mark Tuein(Twain), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai shquhet për novelat e tij, The Adventures of Tom Sawyer (Aventurat e Tom Sojerit, 1876), si dhe për (Adventures of Huckleberry Finn) (Aventurat e Hakëllberri Finit), e cila me vone njihej si “Great American Novel” (Novela e famshme Amerikane).

Mençuria dhe satira e tij ishin te vlerësuara prej shume kritikeve dhe letrareve, dhe ai ishte shok me presidente, artiste, industrialiste te ndryshëm si dhe me Mbretërinë Evropiane. Gjendja e tij financiare ishte e dobët, megjithëse ai fitoi mjaft para nga shkrimet dhe ligjëratat e tij. Ai ishte i njohur si humoristi me i famshëm amerikan i moshës se tij, dhe William Faulkner e quajti Twain “babai i literaturës amerikane”.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Mark Twain:

“Kujdes kur të lexoni libra shëndeti. Mund të vdisni për një gabim shtypi.”

“Unë nuk mora pjesë në funeral, por dërgova një letër të këndshme kur thuhej se e miratova.”

“Nuk e kam lejuar asnjëherë shkollimin të ndërhyjë me arsimimin.”

“Njeriu që nuk lexon libra të mirë nuk ka asnjë avantazh ndaj atij që s’mund t’i lexojë.”

“Përse rrini heshtur me pamjen e një zarfi pa adresë sipër?”

“Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dini kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.”

“Është shumë e lehtë ta lësh duhanin. Unë e kam bërë me qindra herë.
Blini tokë. Askush s’e prodhon më.”

“Nga të gjitha gjërat që kam humbur, më ka marrë malli më shumë për mendjen.”

“Vera gjermane dallohet nga uthulla nga etiketa.”

“Mos u sillni rrotull duke thënë se bota ju detyron jetesën. Bota nuk ju detyron asgjë. Ishte këtu para jush.”

“Gjithmonë falini armiqtë, asgjë s’i mërzit më shumë.”

“Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit.” /KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e themeluesit të grupit muzikor “The Pop Group”

Mark Stewart, themelues i grupit muzikor “The Pop Group”, ka vdekur para dy vitesh në moshën 62-vjeçare.

Stewart e themeloi grupin në vitin 1977 si adoleshent në Bristol me John Waddington, Simon Underwood, Gareth Sager dhe Bruce Smith.

Frymëzuar nga punk, dub dhe reggae, The Pop Group publikoi albumin e tyre debutues “Y”, në vitin 1979.

Një vit më pas publikuan albumin tjetër të titulluar në mënyrë provokuese “For How Much Longer Do We Tolerate Mass Murder?”, pas një shfaqjeje në një tubim të Fushatës për çarmatimin bërthamor në sheshin Trafalgar në vitin 1980.

Stewart filloi të punojë me artistë të hershëm hip-hop si The Last Poets dhe anëtarë të Sugar Hill Records.

Ai shpesh bashkëpunoi me artistë të tjerë, si Bobby Gillespie i Primal Scream dhe grupi trip-hop Massive Attack’s Daddy G.

Në vitin 2010, The Pop Group u reformua për një seri shfaqjesh live dhe regjistroi dy albume në studio.

Performanca e fundit e Steëart me grupin ishte në Britani për Coventry UK City of Culture 2021./KultPlus.com