Baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa sonte do të debutojë në “Teatro Real” të Madridit në Spanjë, dhe në këtë debutim do të prezantohet me shfaqjen operistike “La Traviata”, shkruan KultPlus.
Baritoni Myshketa do të prezantohet më 17, 20 dhe 23 korrik, dhe në këtë shfaqje operistike do ta ndajë skenën me artistë të mëdhenj të skenës operistike botërore si: Nadine Sierra, Diego Florez dhe Xabier Anduaga.
Kjo shfaqje operistike do të prezantohet nën përcjelljen e korit dhe orkestrës së “Teatro Real Madrid”, nën dirigjimin e Henrik Nanasi.
Gëzim Myshketa është një prej baritonëve më të suksesshëm shqiptar që është prezantuar në skena të ndryshme të Evropës, duke u rikthyer shumë shpesh edhe në Shqipëri dhe Kosovë./ KultPlus.com / KultPlus.com
Romani i famshëm “Njëqind Vjet Vetmi” (Cien Años de Soledad), një nga veprat më të mëdha të letërsisë botërore, pothuajse nuk do të kishte dalë kurrë në dritë, për një arsye sa të thjeshtë aq edhe prekëse: Gabriel García Márquez nuk kishte 82 pesos për ta dërguar me postë dorëshkrimin e tij në shtëpinë botuese në Argjentinë.
Në vitin 1967, Márquez dhe bashkëshortja e tij Mercedes jetonin me vështirësi ekonomike në Meksikë. Kur përfundoi dorëshkrimin e romanit që do të bëhej një nga kulmet e realizmit magjik, ata e çuan në postë për ta dërguar në Buenos Aires. Por dërgesa kushtonte 160 pesos, dhe çifti kishte vetëm 78. Ata e ndanë dorëshkrimin në dy pjesë dhe dërguan gjysmën e parë.
Mercedes, me humorin që e karakterizonte, i tha Gabrielit: “Po të kishim pasur ato 82 pesos, do t’u kishim dërguar edhe romanin e keq që kishe shkruar.” Pasi siguruan paratë për pjesën tjetër të dorëshkrimit, romani mbërriti i plotë te shtëpia botuese Sudamericana, dhe pjesa tjetër është histori: një vepër që tronditi botën letrare dhe i dha Márquez-it Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1982.
Ky episod i thjeshtë tregon fuqinë e këmbënguljes, dashurisë dhe besimit në art edhe kur gjithçka duket e pamundur./KultPlus.com
Vargjet e poetit shqiptar Arian Leka janë përzgjedhur si hyrje poetike e ekspozitës ndërkombëtare “Nautical Poetics: Invitational Exhibition of Maritime Poetry”, e cila u hap në qytetin Hangzhou të Kinës një nga qendrat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në rajonin e Paqësorit.
Kjo ekspozitë unike bashkon autorë nga vende dhe gjuhë të ndryshme përreth një simboli të përbashkët: detin, jo vetëm si hapësirë fizike, por edhe si metaforë e udhëtimit shpirtëror, kujtesës kolektive, përplasjes së identiteteve, përcjellë KultPlus.
Vargjet e Lekës janë përzgjedhur nga libri “Hartë memece për të mbyturit”, konkretisht nga cikli “Kripë fshehur në gjak” (Salt Hidden In The Blood), ku motivi i detit zë një vend qendror.
Ky pranim ndërkombëtar vjen si një tjetër dëshmi e fuqisë shprehëse të poezisë shqipe në skenën globale, dhe është raportuar edhe ngaFestivali Poeteka, si nje urë komunikimi mes letërsisë shqipe dhe botës. Vargjet e Arian Lekës, të vendosura në mure poetike në ekspozitën “Nautical Poetics” në Hangzhou, krijojnë një dritare të re për të kuptuar se poezia shqipe, veçanërisht ajo që buron nga brigjet mesdhetare, zotëron një identitet të fuqishëm, thellësisht universal dhe gjithnjë e më të pranishëm në peizazhin global të artit bashkëkohor.
Një nga vargjet që ka zgjedhur vetë ekspozita si titull të saj është:
“Me botën bëj luftë, me veten paqe” (With the world make war, and peace with yourself)
和世界作战吧!但记得与自己讲和.
Ky varg tashmë qëndron i gdhendur në një mur digjital në zemër të Hangzhout. Ai shërben si një ftesë për të dëgjuar një zë poetik që vjen nga brigjet shqiptare, një zë që flet për idealin shpirtëror, për mungesën e lirisë, për betejat e brendshme njerëzore./KultPlus.com
Me shtigje të shënuara, male madhështore dhe një komunitet që ruan me përkushtim traditat, Rabdishti është shndërruar në një qendër të vogël për turizmin e qëndrueshëm në zonën e Dibrës.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me GIZ Shqipëri ka vendosur ta përzgjedhë si një nga 6 përfaqësuesit e Shqipërisë në nismën globale “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë” nga UNWTO.
Një fshat ku çdo gur mbart një histori dhe çdo mik pritet si i shtëpisë. Në Rabdisht, jeta rrjedh e qetë, por hapat e rinj të turizmit po krijojnë një rrugë të re një rrugë që nuk harron rrënjët.
Fshati Rabdishtit në Dibër, së fundi është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për agroturizmet e reja që po shtojnë ofertën turistike të zonës.
Rabdishti është një nga fshatrat ku institucionet e linjës në bashkëpunim me donatorët, kanë punuar për ndërtimin e një modeli turizmi rural të bazuar te komuniteti.
Fshati Rabdisht është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. I ndodhur në një peizazh malor, i ndërtuar më shtëpi tradicionale me gurë, çatitë prej rrase guri, si dhe rrugët me kalldrëm i japin pamje të veçantë dhe unike duke u njohur “fshati i gurtë”.
Rabdishti shtrihet në majën e Luginës së Shërimit e cila ka marrë emrin e saj nga vetitë kuruese të burimeve termale të Peshkopisë dhe nga pjesa malore e kullotës së bjeshkës së Rabdishtit dhe malit me të njëjtin emër të vargmalit Deshat-Korab.
Vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë fshat pëlqejnë jetën tipike të fshatit, bujtinat tradicionale në Rabdisht, ku mikpritja dhe gatimet tradicionale shijohen si askund në rajonin e Dibrës./atsh/KultPlus.com
Ministria e Sportit, Ministria e Arsimit dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) kanë nënshkruar një memorandum strategjik mirëkuptimi në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të infrastrukturës arsimore dhe sportive, duke përfshirë fazën e hartimit të projektit për Qendrën e Studentëve, që përfshin: Konviktet Palestrën “1 Tetori” Menzën e studentëve Qendrën e shërbimeve shëndetësore Ndërtesa tjera përcjellëse
Gjithashtu, përfshihen edhe sallat e edukatës fizike të 12 shkollave të kryeqytetit, të cilat do të shërbejnë për nevojat e Lojërave Mesdhetare dhe do të mbeten si trashëgimi në funksion të nxënësve, studentëve dhe sportistëve të rinj,transmeton KultPlus
Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Qeverisë së Francës përmes AFD-së konfirmon përkushtimin për zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të kushteve për komunitetin akademik dhe sportiv, si dhe për organizimin dinjitoz të ngjarjes më të madhe sportive që Kosova ka mirëpritur ndonjëherë. “Falënderojmë Qeverinë e Francës dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim për përkrahjen e fuqishme në këtë projekt strategjik”, thuhet në njoftimin zyrtar./KultPlus.com
Në skenën e festivaleve, në kalanë e Gjirokastrës është shfaqur baleti “Cantata”, një nga kryeveprat e baletit bashkëkohor italian.
Pjesa kishte për koreograf Mauro Bigonzetti dhe u interpretua nga balerinët e Teatrit të Operës dhe Baletit, transmeton euronews.
Baleti “Cantata” është një vepër abstrakte që flet për njeriun në tranzicion, për izolimin dhe për bashkëjetesën e përvojave personale brenda një bote kolektive në lëvizje.
Kjo pjesë sjell një shpërthim emocionesh në ritmin, pasionin dhe shpirtin e Italisë së Jugut.
“Për ne si trupë e Teatrit të Operës dhe Baletit është një kënaqësi e veçantë që të bëjmë një pjesë kontemporane në kalanë e Gjirokastrës.
Sikundër është edhe 20-vjetori në UNESCO, është një kënaqësi e veçantë dhe shpresojmë që edhe publiku ta pëlqejë shumë si shfaqje,” – thotë një nga balerinat.
Vendosja në skenë e baletit “CANTATA” ishte pjesë e programit të aktiviteteve që u organizuan në 20-vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës në Pasuritë Botërore të UNESCO-s./KultPlus.com/
Më 17 korrik 1907 lindi në Korçë kompozitori i njohur Kristo Kono (1907–1991), një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare. Me një kontribut të spikatur si kompozitor, dirigjent dhe pedagog, Kono ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës serioze shqiptare.
Ai është autor i operetës “Agimi”, veprave vokalo-instrumentale, këngëve popullore të stilizuara, si dhe muzikës për teatër e film. Kono ka kontribuar gjithashtu në themelimin e institucioneve muzikore dhe në edukimin e artistëve të rinj, përcjellë KultPlus.
Edhe pse ka kaluar mbi tri dekada nga ndarja e tij nga jeta, muzika e Kristo Konos vijon të jetojë në skenat shqiptare dhe në kujtesën kulturore të vendit./KultPlus.com
Forumi Agora Pitching i Animasyrosdo të jetë përsëri pjesë e Kampusit Ndërkombëtar MIFA.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë publikoi thirrjen e hapur për Forumin Agora Pitching. Ky forum është një program ndërkombëtar që synon të mbështesë krijuesit dhe artistët e rinj nga vendet mesdhetare, përkatësisht Greqia, Shqipëria, Kroacia, Qiproja, Libani dhe Tunizia, duke u ofruar atyre aftësi dhe përvojë. Gjashtë profesionistë nga këta vende do të marrin pjesë në program, të cilët do të përzgjidhen në bazë të planeve e projekteve që ata paraqesin deri më 18 korrik.
“Pitch” është një prezantim konçiz dhe bindës i një ideje filmi, i krijuar për të bindur producentët, drejtuesit e studios ose palët e tjera të interesuara për të investuar ose zhvilluar projektin. Në thelb, “pitching” është tentativa për ta shitur një skenar apo ide filmike, që synon të gjenerojë emocione dhe të sigurojë fonde për fazën tjetër të krijimit të filmit.
Punëtoria 4-ditore e Trajnimit për Pitching do të mbahet si pjesë e Kampusit Ndërkombëtar MIFA në Syros nga 23 deri më 26 shtator. Isntruktoret do të jenë profesionistë të vlerësuar audiovizualë të përzgjedhur nga ekipi i Tregut Ndërkombëtar të Filmit të Animuar të Annecy-së (MIFA). Gjatë punëtorisë, gjashtë pjesëmarrësit do të zhvillojnë projektet e tyre për t’u përballur me sfidat e tregut ndërkombëtar dhe do të përgatiten në mënyrë efektive për të marrë pjesë në Pitch Partenaire që do të mbahet në qershor 2026 në Annecy./atsh/KultPlus.com
Pas tre vitesh pritje, Netflix ka publikuar pamjet e para dhe trailer-in zyrtar për sezonin e pestë dhe të fundit të serialit shumë të dashur “Stranger Things”.
Krijuar nga vëllezërit Duffer, sezoni përmbyllës do të nisë në nëntor 2025, duke shënuar kthimin e shumëpritur të aventurave në Hawkins.
Publikimi i sezonit është ndarë në tri pjesë: 27 nëntor 2025: dalin katër episodet e para 26 dhjetor 2025: vjen pjesa e dytë me tre episode 1 janar 2026: finalja e madhe, me episodin përmbyllës
Sezoni i katërt përfundoi me një zhvillim dramatik: një çarje mes dy botëve që kërcënon qytetin e Hawkins, ndërsa bota e Upside Down fillon të pushtojë realitetin tonë. Armiku kryesor është më i fuqishëm se kurrë dhe rreziku është i jashtëzakonshëm.
Pamjet e publikuara më 16 korrik tregojnë personazhet kryesorë të gatshëm për betejën përfundimtare. Sipas pritshmërive, sezoni i fundit do të jetë i errët, i mbushur me dramë, aksion dhe ndoshta edhe me lamtumira emocionale të disa prej personazheve të dashur nga publiku.
Një fund epik për një nga serialet më të suksesshme në historinë e Netflix, që pritet të sjellë një përmbyllje të denjë për aventurën që ka mbajtur publikun të mbërthyer për vite me radhë./KultPlus.com
Sot janë bërë 235 vite nga vdekja e babait të Ekonomisë, Adam Smith, shkruan KultPlus.
Adam Smith (5 qershor 1723 – 17 korrik 1790) është një filozof dhe ekonomist skocez i Iluminizmit. Ai qëndron në histori si babai i shkencës ekonomike moderne, vepra kryesore e të cilit, Pasuria e kombeve, është një nga tekstet themeltare të liberalizmit ekonomik.
Ai ishte profesor i filozofisë morale në Universitetin e Gllasgout, ku i kushtoi dhjetë vite të jetës së tij këtij teksti që frymëzoi ekonomistët e mëdhenj pasardhës, ata që Karl Marks do t’i quante « klasikët » dhe që do të hidhnin parimet kryesore të liberalizmit ekonomik.
Shumica e ekonomistëve e konsiderojnë Smithin si «babain e ekonomisë politike» megjithatë, disa, si austriaku Jozef Shumpeter dhe amerikani Murrej Rothbard, e kanë quajtur një autor të vogël, duke konsideruar që vepra e tij përmbante pak ide origjinale dhe që këto të fundit ishin të gabuara. /KultPlus.com
Në korrik të vitit 1956, publiku pati fatin të shijonte për herë të parë komedinë muzikore “High Society”, një nga filmat më të dashur të epokës së artë të Hollivudit.
Sot, 69 vite më vonë, ky film mbetet një perlë e pakohë, që vazhdon të mahnisë breza të tërë me sharmin, humorin dhe elegancën e tij.
Me një kast brilant, Grace Kelly në rolin e saj të fundit para se të bëhej princeshë, Bing Crosby dhe Frank Sinatra, dy ikona të muzikës dhe kinemasë, “High Society” është jo vetëm një rikrijim i suksesshëm i filmit “The Philadelphia Story”, por edhe një krijim muzikal i shkëlqyer me kompozime të Cole Porter, përcjellë KultPlus.
I xhiruar me ngjyra të pasura dhe stil glamuroz, filmi është një portret i shoqërisë së lartë amerikane të viteve ’50, por njëkohësisht një reflektim mbi dashurinë, martesën dhe zgjedhjet personale, me një ton ironik dhe të përzemërt.
Pas gati shtatë dekadash, “High Society” nuk ka humbur asgjë nga hijeshia e tij. Është ende një nga filmat më të shikuar e më të dashur nga adhuruesit e klasikëve, dhe një kujtesë e bukur për një kohë kur muzika, eleganca dhe yjet shkëlqenin vërtet në ekranin e madh./KultPlus.com
Autoritetet në Pensilvani kanë dhënë detaje të reja për hetuesin paranormal që papritmas u gjend i pajetë gjatë një turneu ku po ekspozonte kukullën e famshme Raggedy Ann, të njohur si “Annabelle” dhe e cilësuar si e pushtuar.
Dan Rivera, 54 vjeç, hetues kryesor për Shoqatën e Kërkimeve Psikike të New England me bazë në Connecticut, vdiq të dielën më 13 korrik gjatë vizitës së tij në Gettysburg, si pjesë e turit “Devils on the Run”.
Sipas raportit të Policisë së Shtetit të Pensilvania-s, Rivera kishte njoftuar kolegët më herët gjatë ditës se ndihej keq dhe ishte kthyer në dhomë për të pushuar, përcjellë KultPlus.
Turneu ku Rivera po merrte pjesë quhej “Devils on the Run”, një seri eventesh kushtuar historive dhe objekteve paranormale. Ndalesa në Gettysburg përfshinte prezantimin e kukullës Annabelle, një kukull klasike e stilit Raggedy Ann, që sipas legjendave urbane, është e pushtuar nga një entitet keqdashës.
Kukulla Annabelle është pjesë e historisë së njohur të Ed dhe Lorraine Warren, hetuesve të njohur të fenomeneve paranormale, të cilët në vitet ’70 deklaruan se kukulla ishte burim i aktiviteteve të rrezikshme dhe misterioze. Ajo aktualisht mbahet në një kuti të mbyllur xhami, në muzeun privat të familjes Warren.
Dan Rivera kishte më shumë se 10 vite përvojë në fushën e hetimeve paranormale dhe ishte pjesë e New England Society for Psychic Research (NESPR), organizata e themeluar nga vetë Warrens. Ai ishte gjithashtu një figurë shumë e ndjekur në TikTok dhe producent këshillues në serialin e Netflix “28 Days Haunted”.
Në një deklaratë për publikun, NESPR u shprehën të tronditur nga humbja:
“Dan ishte jo vetëm një pjesë thelbësore e ekipit për më shumë se një dekadë, por edhe një mik i dashur, me integritet të lartë dhe pasion të sinqertë për të ndihmuar të tjerët. Ai ndikoi shumë njerëz përmes punës së tij, qoftë në terren, në evente apo përmes rrjeteve sociale.”
Shoqata konfirmoi se eventet e planifikuara për pjesën tjetër të vitit do të vazhdojnë, në nderim të punës dhe pasionit të Rivera-s:
“Ne besojmë fort se Dan do të kishte dashur që puna të vazhdonte, për të bashkuar njerëz, për të ndarë njohuri dhe për të mbajtur gjallë trashëgiminë e familjes Warren.”/KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroi sot Orion Jucjan, i cili përfundoi me sukses programin Hubert H. Humphrey në fushën e shëndetit publik në Universitetin Virginia Commonwealth.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Orion Jucja mësoi praktikat më të mira në trajtimin e varësisë, që do të ndihmojë në frenimin e përhapjes së drogave të paligjshme dhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta, përcjellë KultPlus
Ambasada amerikane theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Orioni bashkëpunoi me ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe Institutit Kombëtar të Abuzimit me Drogën, Divizioni për Terapitë dhe Pasojat Mjekësore, duke mësuar praktikat më të mira në trajtimin e varësisë, që do të ndihmojë në frenimin e përhapjes së drogave të paligjshme dhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta”./KultPlus.com
Premiera e re filmike e “The Legend of Zelda” do të rikthehet si një krijim filmik, duke sjellë dy aktorë të rinj britanikë në rolet kryesore, ka njoftuar Nintendo.
Ylli i “Renegade Nell”, Bo Bragason, 21 vjeç, do të luajë Princeshën Zelda, ndërsa Benjamin Evan Ainsworth, 16 vjeç, i njohur nga “Pinocchio”, do të interpretojë luftëtarin Link.
Në një njoftim në platformën X, Shigeru Miyamoto i Nintendo-s tha se është “shumë i emocionuar të shohë të dy në ekranin e madh”. Kjo do të jetë përpjekja e parë për të realizuar një film “Zelda”, megjithëse më parë, në vitin 1989, u krijua një seri televizive e animuar bazuar në këtë lojë.
Filmi “The Legend of Zelda” pritet të dalë në maj 2027, ku regjisori premton një përshtatje “serioze, por me fantazi”, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Loja ndjek Princeshën Zelda dhe luftëtarin Link, teksa përpiqen të shpëtojnë mbretërinë e Hyrule nga një sundimtar i keq i kthyer në mbret demon, i quajtur Ganon.
Në lojërat elektronike, Link nuk flet kurrë, por fansat kanë spekuluar se kjo nuk do të jetë kështu edhe në film. Gjithashtu, pritet që Princesha Zelda të ketë shumë më tepër kohë në ekran sesa në versionet e lojës.
Filmi me aktorë të gjallë u njoftua në vitin 2023, kur Sony konfirmoi bashkëpunimin me Nintendo për të bashkë-financuar projektin. Ai do të drejtohet nga Wes Ball, i njohur për “Kingdom of the Planet of the Apes” dhe trilogjinë “The Maze Runner”, përcjellë KultPlus.
Ball tha më parë për revistën Total Film: “E di që kjo është e rëndësishme për shumë njerëz dhe dua që të jetë një film serioz… një film i vërtetë që u ofron njerëzve një arratisje.”
“Kjo është ajo që dua të krijoj, duhet të ndihet si diçka e vërtetë. Diçka serioze dhe e bukur, por gjithashtu argëtuese dhe e mbushur me fantazi.”/KultPlus.com
Një vepër e mrekullueshme e përvojës së humbjes, zemërthyerjes dhe identitetit, është ajo që Shmuel Yosef Agnon, një nga shkrimtarët më të njohur hebre të shekullit të 20-të, i solli letërsisë moderne. Ky shkrimtar i lindur në 17 korrik 1888 në Buczacz, një qytet i Austro-Hungarisë (tani Ukraina Perëndimore), u rrit në një mjedis ortodoks hebre dhe kjo ndikoi thellësisht në krijimtarinë e tij.
Agnon do të mbërrinte në Palestinën Mandatare në vitin 1908, ku fillimisht do të jetonte në Jaffa dhe më vonë në Jeruzalem. Ky ndryshim vendi tregoi qartë pasurinë e kulturës hebre në shkrime të tij, pasi ai shkroi me një ndjeshmëri dhe një afsh që i dha jetë përvojave të hebrenjve të diasporës.
Vepra e Agnon-it përfshin një shumëllojshmëri zhanresh: tregime, romane, ese dhe poezi. Stili i tij është i njohur për thellësinë dhe gjuhën e pasur. Tematika kryesore e krijimtarisë së tij përqendrohet rreth kulturës hebre, identitetit kombëtar, historisë dhe spiritualitetit.
Një ndër veprat më të njohura të tij është “A Guest for the Night” (Një mysafir për natën), një roman i njohur për temat e mëkatisë dhe ndërgjegjes së fajësisë.
Për punën e tij të shkëlqyer, Agnon fitoi disa çmime të rëndësishme letrare, duke përfshirë Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1966. Me këtë çmim, Agnon u shpall njëkohësisht ambasadori i kulturës hebre dhe njeriut universal, që ia ofroi lexuesve më të gjërë të botës një njohje të thellë me trashëgiminë dhe emocionet e popullit hebre.
Shmuel Yosef Agnon, i cili vdiq më 17 shkurt 1970, e la një trashëgimi të mahnitshme letrare. Krijimtaria e tij mbetet një përqasje e thellë në zemrën e lexuesve, dhe ndikimi i tij në letërsinë moderne nuk mund të nënvlerësohet. Ai qëndron si një pikë referimi dhe frymëzimi për shumë shkrimtarë dhe lexues të sotëm, duke na kujtuar thellësinë e eksperiencave të njerëzve dhe shpirtit njerëzor në përgjithësi. / KultPlus.com
Janë shpallur zyrtarisht nominimet për edicionin e 77-të të Primetime Emmy Awards, ceremonia më prestigjioze e televizionit amerikan, e cila do të mbahet më 14 shtator 2025 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në CBS. Seriali triller i Apple TV+, “Severance”, ka dalë në krye të listës me 27 nominime, duke u pozicionuar si një ndër favoritët e padiskutueshëm të këtij viti. Menjëherë pas tij vijnë “The Penguin” nga HBO Max me 24 nominime, si dhe “The White Lotus” dhe komedia e re “The Studio”, me nga 23 nominime secili, përcjellë KultPlus
Në komedi, rivaliteti është i ashpër me emra si “The Bear” (fituesi i vitit të kaluar), “Hacks”, “Shrinking”, “Only Murders in the Building” dhe debutuesja “The Studio” që ka fituar menjëherë vëmendjen e kritikëve.
Një moment historik për Harrison Ford
Një nga momentet më të përfolura të këtij edicioni është nominimi i parë ndonjëherë për Harrison Ford, në moshën 83-vjeçare, për rolin e tij dytësor në komedinë e Apple TV+ “Shrinking”. Një arritje e vonuar, por historike për aktorin veteran.
Nominimet u shpallën nga aktorët Harvey Guillén (“What We Do in the Shadows”) dhe Brenda Song (“Running Point”), ndërsa kategoritë për Reality Competition dhe Talk Show u prezantuan në “CBS Mornings”.
Miniseri apo serial antologjik:
Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story
The Late Show with Stephen Colbert
Komediani Nate Bargatze, i cili është vetë i nominuar për specialin “Your Friend, Nate Bargatze”, do të jetë prezantuesi i ceremonisë.
Disa nga nominimet kryesore:
Serial dramatik i vitit:
Andor
The Diplomat
The Last of Us
Paradise
The Pitt
Severance
Slow Horses
The White Lotus
Serial komedi i vitit: Abbott Elementary
The Bear
Hacks
Nobody Wants This
Only Murders in the Building
Shrinking
The Studio
What We Do in the Shadows
Miniseri apo serial antologjik:
Adolescence
Black Mirror
Dying for Sex
Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story
The Penguin
Reality show më i mirë:
The Amazing Race
RuPaul’s Drag Race
Survivor
Top Chef
The Traitors
Talk show më i mirë:
The Daily Show
Jimmy Kimmel Live!
The Late Show with Stephen Colbert
Komediani Nate Bargatze, i cili është vetë i nominuar për specialin “Your Friend, Nate Bargatze”, do të jetë prezantuesi i ceremonisë./Panorama/
Një zjarr i madh ka përfshirë skenën kryesore të festivalit të famshëm të muzikës elektronike “Tomorrowland”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme vetëm disa ditë para hapjes zyrtare të eventit.
Ngjarja ndodhi në qytetin Boom të Belgjikës, ku festivali pritet të mbledhë mbi 400,000 vizitorë nga e gjithë bota gjatë dy fundjavave të ardhshme. Fatmirësisht, nuk ka raportime për persona të lënduar, por autoritetet lokale dhe organizatorët e kanë përshkruar incidentin si një “zjarr serioz”, raportojnë mediat e huaja, përcjellë KultPlus.
Shkaku i flakëve nuk është përcaktuar ende, ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë tym të dendur dhe flakë të mëdha që ngrihen nga zona ku po përgatitej skena madhështore.
Në këtë skenë ishin planifikuar të performonin disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës elektronike, përfshirë David Guetta, Swedish House Mafia dhe Steve Aoki. Shfaqjet ishin parashikuar të nisnin të premten në mbrëmje.
Megjithatë, organizatorët kanë konfirmuar se kampingu do të hapet të enjten siç ishte planifikuar, dhe janë duke punuar intensivisht për të gjetur zgjidhje që festivali të zhvillohet pa ndërprerje. “Jemi të përqendruar në rikuperimin e dëmeve dhe sigurimin e një përvoje të paharrueshme për fansat”, thuhet në një deklaratë zyrtare të organizatorëve të Tomorrowland.
Festivali mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës elektronike në botë, dhe zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë zjarri në programin dhe përvojën e pjesëmarrësve./KultPlus.com
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje Çfarë pretendon se do shikoje? Cilin përbindësh mendon se fsheh? Po të zhgënjej, por nuk më njeh. Nuk ka nevojë për të trokitur Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur. Mure të zbrazët lyer pa ngjyra Fotografi, por pa fytyra. Diku e hedhur afër shtratit Është nje kuti e tersit, e fatit. E mbushur plot është me kujtime. Brenda gjithë historia ime. Janë fjalët që kam thënë aty, gjithkush që njoha, përfshi ty. Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova Vendet ku shkela, ku jetova. Janë zënkat tona dhe mëritë Janë puthjet netëve pa dritë. Veset e mia që aq urreve Mërgimi i ngadaltë i reve. Dënimet që vuajta për ty Herët kur s’të pash në sy. Jetët që pa ty jetova Të tjera femra që dashurova. Janë dhe sekretet që s’të kam thënë E amanetet që të kam lënë. Fëmijët që kurrë nuk më lindën Epshet që vrava se nuk mu bindën. Ka letra, që për ty i shkrova Në zarfet që kurrë s’ti dërgova. E nëse gjithçka përmbys do kthesh Sekretin më të madh do gjesh. E kam fshehur në fund fare Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare. Nxirre mes duarsh në shtrëngim Atë më të shtrenjtin sendin tim. Balsamin që plagët shëronte kur kjo djall jete më kafshonte. Para fytyrës ngadalë afroje Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje. E kur ngadalë ta kesh zbuluar. Veç një pasqyrë do gjesh në duar. Do shohësh veten, reflektim Se ti , ishe thesari im!
I lindur në Francë, me rrënjë spanjolle, Jean-Pierre Martinez, është një dramaturg me një rrugëtim interesant. Në mesin e krijmtarisë së tij është edhe komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri”, premiera e të cilës u mbajt në amfiteatrin e Durrësit.
U ngjit për herë të parë në skenë në moshën njëzetvjeçare, jo si shkrimtar, por si baterist në grupe rok. Më vonë kaloi në fushën e reklamave, përpara se të niste një karrierë si skenarist televiziv. Në fund, u rikthye në skenë si dramaturg.
Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” u realizua nën regjinë e Andia Xhungës, kjo komedi solli në skenë një përzierje humori dhe reflektimi, duke fituar menjëherë simpatinë e publikut dhe duartrokitje të zjarrta.
E përkthyer në shqip nga Anxhela Çikopano, komedia u vu në skenë nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që njëherësh janë edhe emra të njohur të skenës shqiptare.
Interesi i publikut ishte i jashtëzakonshëm me shitjen e të gjitha biletatve në dy netët e para në kohë rekord, duke e kthyer këtë shfaqje në një prej ngjarjeve më të spikatura kulturore të kësaj vere në qytetin bregdetar, përcjellë KultPlus.
Ngjarja zhvillohet në një fshat të vogël dhe të harruar, i cili rrezikon të zhduket përfundimisht nga harta. Në këtë realitet të zymtë, mbërritja e papritur e një gazetareje të famshme sjell përplasje botëkuptimesh, situata të papritura dhe skena komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo sociale absurde dhe njëherazi thellësisht njerëzore.
Me ritëm të gjallë dhe humor, vepra ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe raportin e brishtë mes realitetit dhe absurditetit.
Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale mban firmën e Endri Sinës, duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë artistik./KultPlus.com
Më 17 korrik të vitit 1958 u dha premiera e realizimit të parë filmik plotësisht shqiptar, “Tana”.
Ky film, që mbante logon “Shqipëria Film”, u realizua nën regjinë e Kristaq Dhamos dhe me skenar të novelistit Fatmir Gjata. Filmi “Tana” është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare, xhiruar me autorë e aktorë shqiptarë.
Për ndërtimin e skenarit punuan shkrimtarët Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, në bashkëpunim me kineastin Kristaq Dhamo. Në film trajtohet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare për kohën, siç ishte kolektivizimi në fshat, por edhe ndryshimet që po ndodhnin mbi disa aspekte të jetës së shoqërisë shqiptare.
Në role kryesore luanin Tinka Kurti (Tana), Naim Frashëri (Stefani), Kadri Roshi (Lefteri) dhe Andon Pano (kryetari i kooperativës). Subjekti që u jep fill ngjarjeve, merr shkas nga jeta shoqërore në fshat, ku mentaliteti i prapambetur rrezikon të cënojë dashurinë e dy të rinjve.
“Tana” do të kujtohet jo vetëm si produkti i parë i kinematografisë shqiptare, por edhe për skenën e shumëpërfolur të puthjes mes një çifti aktorësh.
Muzika e filmit u kompozua nga Çesk Zadeja dhe mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare./atsh/KultPlus.com
Sot, më 17 korrik 2025, Disneyland feston 70-vjetorin e hapjes së tij historike një përvjetor që risjell kujtime, emocione dhe gjenerata të tëra ëndrrash të realizuara nën vizionin e Walt Disney.
I inauguruar më 17 korrik 1955, Disneyland ishte parku i parë tematik i krijuar dhe mbikëqyrur drejtpërdrejt nga vetë Walt Disney. Në atë kohë, ai përfaqësonte një eksperiment të guximshëm në industrinë e argëtimit, por shumë shpejt u shndërrua në ikonë globale të fantazisë dhe inovacionit, shkruan KultPlus.
Shtatë dekada më vonë, parku i famshëm në Anaheim vazhdon të tërheqë miliona vizitorë çdo vit, me atraksione që përzihen mes nostalgjisë klasike dhe teknologjisë më të fundit. Nga “It’s a Small World” deri te “Star Wars: Galaxy’s Edge”, Disneyland mbetet vendi “më i lumtur në Tokë” siç e kishte quajtur Walt-i.
Bob Chapek, ish-CEO i Disney, ka deklaruar se Disneyland “nuk është vetëm park, është një përvojë kulturore që ndikon imagjinatën globale në çdo brez të ri.
Përvjetori i 70-të po shënohet me aktivitete speciale, parada të reja, ndriçime spektakolare të mbrëmjes, dhe një ekspozitë të veçantë për trashëgiminë e Walt Disney-t. Po ashtu, është rikthyer përkohësisht edhe biletat klasike të hyrjes së viteve ‘50, në një version të limituar për koleksionistët./KultPlus.com
William Faulkner është një nga shkrimtarët më të fuqishëm dhe më të thellë të shekullit të XX-të, një zë që vazhdon të kumbojë përmes faqeve të veprave të tij dhe ndërdijes kolektive të lexuesve që kërkojnë më shumë sesa një histori kërkojnë shpirtin e saj.
I lindur më 25 shtator 1897 në New Albany të Mississippit dhe i rritur në qytetin e vogël të Oxfordit, Faulkner i dha zë një realiteti të mbyllur në heshtjen e pasluftës, në plagët e racizmit, në fajin dhe trashëgiminë e Jugut amerikan që ai e quajti Yoknapatawpha, një vend imagjinar, por tërësisht i besueshëm. Nuk përfundoi as shkollën e mesme, por me një vëzhgim të mprehtë dhe një ndjeshmëri të rrallë, ai i futi në letër rrëfime të ndërprera, zëra të shumëfishtë, struktura të thyeshme që kërkojnë përqendrim dhe përkushtim nga lexuesi. Ishte modernist, por edhe mitolog, shpesh i krahasuar me Joyce-in, por më i errët, më i brendshëm. Romanet si “The Sound and the Fury”, “As I Lay Dying”, “Light in August”, “Absalom”, “Absalom!” nuk janë thjesht histori janë rrëfime për dhimbjen, për dashurinë që plagos, për kohën që zhbëhet dhe për të shkuarën që ndjek gjithmonë të tashmen.
Në vitin 1949, Faulkner fitoi Çmimin Nobel për Letërsi, për kontributin e tij të pashoq në artin e romanit modern, ndërsa më vonë u vlerësua edhe me dy çmime Pulitzer, njëri gjatë jetës dhe tjetri pas vdekjes. Por ai mbeti një njeri i thjeshtë, që shëtiste rrugëve të Oxfordit, pinte wiski, dhe shmangte kamerat, si për të ruajtur misterin që e mbante gjallë brenda. Ai e quajti veten “i heshtur”, sepse besonte se shkrimtari duhet të jetë i padukshëm, ndërsa vepra e tij të marrë zë. Gjuha e tij është e pasur, e dendur, ndonjëherë si përmbytje që s’të lë të marrësh frymë, ndonjëherë e heshtur si balta e Jugut. Përmes personazheve të tij si Quentin Compson, Joe Christmas, Addie Bundren apo Thomas Sutpen Faulkner rrëfen të gjithë dramën e njerëzimit, nga mëkati te ndëshkimi, nga përçudnimi te shpresa, nga urrejtja te falja.
Ai është një arkitekt i ndërgjegjes njerëzore, një ndërtues i labirinteve ku çdo lexues duhet të humbasë për të gjetur vetveten. Kritikët shpesh e kanë quajtur të vështirë, por Faulkner nuk shkruante për rehati –ai shkruante për të vërtetën, sado e dhimbshme të ishte. Filmat e bazuar në veprat e tij nuk kanë mundur ta përkthejnë dot plotësisht botën që ai krijoi, sepse ajo botë është më shumë se sa fabula është një tronditje shpirtërore. Nëpërmjet Faulknerit, Amerika përballet me kujtesën e saj, me fajin kolektiv dhe me përpjekjen për të rimarrë ndjeshmërinë njerëzore në një shoqëri që shpesh e humb atë. Ai nuk ishte një moralist, por një kronikan i errësirës që qëndron në çdo zemër. Faulkner vdiq në vitin 1962, por vepra e tij nuk njeh vdekje.
Në çdo epokë, në çdo krizë, ajo ngjitet në raftet e nevojës për të kuptuar më shumë, për të qëmtuar përtej sipërfaqes, për të dëgjuar pëshpërimat që historia përpiqet t’i fshehë. Në kohën kur letërsia bëhet gjithnjë e më e shpejtë dhe e lehtë, Faulkner qëndron si një kala e papërkulur e thellësisë. Ai i dha rëndësi fjalës, jo vetëm për tingullin e saj, por për peshën që mbartte. I errët, por i domosdoshëm, ai është kujtesa e asaj që nuk duhet harruar, zëri që vjen nga toka, që flet për të gjitha ato që e formësojnë njeriun, edhe kur ai vetë nuk i pranon dot. Në botën e Faulknerit, gjithçka rrjedh si lumi i nënvetëdijes turbullt, i rëndë, por i pazëvendësueshëm. Dhe për këtë, ai mbetet një nga shkrimtarët më të domosdoshëm të kohës sonë./Panorama
Gadishulli Reykjanes i Islandës përjetoi shpërthimin e 12-të vullkanik në pak më shumë se katër vjet, ndërsa lava shpërtheu nga një çarje pas një serie tërmetesh orë më parë.
Zyra Meteorologjike Islandeze konfirmoi shpërthimin pak para orës 04:00 GMT, duke thënë se një çarje me madhësi 700 deri në 1 000 metra ishte hapur në gadishullin me popullsi të pakët në jugperëndim të Reykjavík.
Pamjet e drejtpërdrejta nga transmetuesi publik RÚV treguan lavë të kuqe të ndezur që dilte nga çarja në tokë.
Ekspertët e përshkruan vendndodhjen e shpërthimit si të favorshme, pa kërcënim të menjëhershëm për njerëzit ose infrastrukturën në qytetin e afërt të peshkimit Grindavík.
”Megjithatë, autoritetet evakuuan një vend kampingu dhe banjën gjeotermale popullore Blue Lagoon si një masë paraprake”, raportoi RÚV.
Nuk kishte ndërprerje të pritura në trafikun ajror ndërkombëtar nga Aeroporti Keflavík, qendra kryesore e aviacionit të Islandës.
Shpërthimi është i nënti që nga fundi i vitit 2023 dhe i 12-ti që nga fillimi i vitit 2021.
Një shpërthim i mëparshëm ndodhi në prill dhe zgjati vetëm disa ditë.
Ekspertët nuk e kishin pritur ngjarjen tjetër deri më vonë gjatë vitit./atsh/ KultPlus.com