Një kometë që ishte e dukshme për herë të fundit nga Toka kur neandertalët ishin gjallë, mund të dallohej me sy të lirë këtë fundjavë, thanë shkencëtarët.
Kometa A3 (Tsuchinshan-ATLAS) është quajtur “kometa e shekullit” për shkak të asaj se sa e ndritshme dhe e dukshme mund të jetë, sipas Shoqatës Mbretërore Astronomike (RAS).
Astronomët thanë se do të kishte qenë i dukshëm nga planeti ynë rreth 80 000 vjet më parë dhe u zbulua vetëm në janar 2023.
”Vëzhguesit e yjeve në Hemisferën Jugore kanë parë tashmë kometën A3, por tani ajo mund të shihet edhe në Hemisferën Veriore”, tha ajo.
Midis 12 dhe 30 tetorit, njerëzit mund të jenë në gjendje ta shohin kometën duke përdorur dylbi apo edhe me sy të lirë.
Në një video në faqen e internetit të shoqërisë, zëvendësdrejtori Robert Massey tha se marrja e fotove të kometës mund të jetë e mundur, veçanërisht nëse përdorni një aparat fotografik dixhital me një lente refleks (DSLR).
Sipas RAS, kometa vjen nga Reja Oort – një guaskë sferike gjigante që rrethon sistemin tonë diellor dhe përmban miliarda objekte duke përfshirë kometat./ KultPlus.com
Tuneli i Llogarasë që u hap gjatë muajit korrrik, do të jetë në funksion të qarkullimit të mjeteve deri në fund të tetorit.
Burime zyrtare nga Autoriteti Rrugor bënë me dije se nga 1 nëntori, mjetet do të lëvizin vetëm nga Qafa e Llogarasë.
Të dhenat tregojnë se vetëm në 3 muaj në këtë tunel kanë kaluar 715 mijë makina.
Sikundër ishte thenë edhe më herët, tuneli do të ishte i hapur vetëm gjatë sezonit veror, për t’i dhënë një shfryrje trafikut drejt plazheve të jugut.
Punimet në tunel nuk koniderohen të përfunduara, ndërsa afati final sipas kontratës është muaji dhjetor. Ndërsa nga viti tjetër, lëvizja do të jetë me pagesë, 5 euro per një kalim. /vizionplus.tv/ KultPlus.com
Zhbllokimi i CEFTA-s, e shmangi largimin e mundshëm të Kosovës nga Procesi i Berlinit, të vetmes platformë evropiane, ku Kosova prezantohet krejtësisht e barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.
Më 14 tetor, në kryeqendrën gjermane do mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, ku Kosovën do e përfaqësoj kryeministri Albin Kurti.
Do jetë ky samit ku do shënohet dhjetëvjetori i themelimit të kësaj nisme diplomatike, kumbare e të së cilës ishte kancelarja e atëhershme Angela Merkel.
I themeluar në vitin 2014, Procesi i Berlinit ka për qëllim që të nxitë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimin në BE ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes ekonomike, politike dhe infrastrukturore.
Në kuadër të procesit të Berlinit, deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.
Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit.
Në mungesë të përparimit të dukshëm shteteve të rajonit në proceset e integrimeve evropiane, ku shtete e rajonit janë në faza të pabarabarta, procesi i Berlinit ka ndihmuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbahet lart në agjendë të Brukselit. Procesi i Berlinit vazhdon të luajë një rol vendimtar në nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor./RTK/ KultPlus.com
Peza është shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar për të kaluar fundjavën mes gjelbërimit.
Fundjava shënon numrin më të madh të turistëve, që vijnë nga Tirana e qytete të tjera, por edhe nga vende të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Peza e përzgjedhur si destinacion për shumë qytetarë, të cilët kanë preferuar ta kalojnë të dielën plot diell me një piknik në gjelbërimin e këtij fshati turistik.
Peza, një zonë mjaft e bukur dhe me shumë mundësi argëtimi, është njësi administrative e Bashkisë së Tiranës dhe gjendet pak kilometra nga qendra e kryeqytetit.
E njohur për bukurinë natyrore dhe historinë e saj, është destinacioni ideal për të kaluar momente të bukura në natyrë.
Pasi largohesh nga Tirana dhe sapo hyn në rrugën e Pezës syri të zë kodra dhe fusha të mrekullueshme dhe kafshë të fermave.
Qetësia dhe aroma e luleve është impakti i parë me të cilin përballesh, duke ndjerë oksigjenin që të mbush mushkëritë.
Peza është një fshat piktoresk, plot gjelbërim dhe histori.
Në Pezë, në një territor shumë të vogël mund të gjesh: Kështjella antike, monumente historike, arkitekturë tradicionale, monumente natyrore, lloje të rralla të florës dhe faunës, liqene, peizazhe tipik rurale, ferma bujqësore e blegtorale dhe rraca të rralla të blegtorisë.
Një tjetër atraksion për zhvillimin e turizmit në këtë zonë është edhe peshkimi, ku shumë të pasionuar pas peshkimit kanë mundësi të gjuajnë peshk në dy rezervuarët e zonës, në të cilët kultivohen lloje të ndryshme peshqish./ KultPlus.com
Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.
Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.
Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.
Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.
Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.
Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.
Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.
Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.
Kryeministri Albin Kurti është takuar me bashkatdhetarët në qytetin e Këln-it.
Përgjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj mërgatës për kontributin e pandërprerë për vendin tonë, njofton zyra e Kurtit.
Diskutuan për rolin e mërgatës, arritjet e përbashkëta, sfidat dhe rrugën përpara për më shumë progres, mirëqenie e prosperitet në avancimin e shtetit tonë, për vlera shoqërore dhe zhvillimin e drejtë.
“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës. Gjermania ka qenë shtëpia ku ju keni lulëzuar, duke e mbajtur gjallë frymën e atdheut dhe mbijetesën e kombit. Ndihma gjermane ka qenë vendimtare në çlirimin e Kosovës. Jo vetëm në aspektin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në atë ushtarak. Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj.” u shpreh kryeministri.
Ai përmendi disa prej sukseseve gjatë mandatit tonë qeverisës ku janë dyfishuar eksportet e më shumë se dyfishuar investimet e huaja, gjersa kemi rritur buxhetin e shtetit e ulur borxhin publik. “Po ashtu kemi investuar në fusha kyçe si mbrojtja e siguria, arsimi e shëndetësia, bujqësia e teknologjia” tha kryeministri./ KultPlus.com
Interpretimi i Orkestrës Frymore së Filharmonisë së Kosovës mbrëmë erdhi nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, duke prezantuar kështu një mori veprash të ndryshme të cilat zgjuan emocione të llojllojshme brenda orëve interpretuese. Meloditë, tingujt e sidomos pjesëmarrja e violonçelistit virtuoz, Konstantin Manaev, kanë lënë gjurmë të paharrueshme mbrëmë për të pranishmit që patën rastin të përjetojnë një koncert të veçantë, ritmik e delikat, shkruan KultPlus.
Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre përkatëse duke mbushur sallën komplet, në prapavijë dëgjoheshin shushurimat e instrumenteve që po prekeshin nga instrumentistët pak para nisjes së koncertit. Perdet e zeza të vendosura në skenë i dhanë një hijeshi modeste estetikës së koncertit, teksa reflektorët në ngjyrë të vjollcë jepnin përshtypjen e një koncerti serioz. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh saktësinë e interpretimit të Orkestrës Frymore. Ora shënoi 19:35, heshtja hyri në eshtra dhe tingujt u ngjallën me një lëvizje dore të dirigjentit i cili u mirëprit me duartrokitje, për herë të katërt tashmë në Prishtinë.
Sa herë që Filharmonia e Kosovës mban një koncert, bashkëngjitet edhe një respekt i papërshkruar i audiencës besnike të këtij institucioni. Vepra e parë qe Simfonia për ansambël frymorë në g-mol A 509 e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, që erdhi nëpërmjet një fryme lozonjare por tejet të bukur. Dirigjenti Salvi pa shkop në duar, nisi mbrëmjen magjike krejt lehtazi. Instrumentistët e vendosur në skenë dukej se ishin të krijuar për të. Ata i jepnin frymë instrumenteve dhe e gjallëronin atmosferën në mënyrë të përsosur e precize.
Ajka e mbrëmjes padyshim që ishte vepra koncert për violonçel dhe orkestër frymore e kompozitorit austriak Friedrich Gulda. Violonçelisti Manaev ka gdhendur talentin e tij brenda hapësirës në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Interpretimi i tij qe diçka që zgjoi edhe ndjenjat më të panjohura përbrenda audiencës. Tingujt i ngjasonin elementeve të xhazit, duke e sjellë veprën në një frymë më moderne. Violonçeli para tij dukej i vogël, mirëpo tingujt pasues dëshmuan ndryshe. Nga intensiteti i tyre, kaçurrelat e tij lëviznin poshtë e lartë, sa herë që ndryshonte rrjedha ritmike. Instrumenti për të, ishte një kanavacë në të cilën ai jepte gjithçka nga vetja. Frymëmarrja e tij dëgjohej deri në fund, teksa bëhej gati për të dhënë notat muzikore çast pas çasti. Herë qëndronte drejtë, e herë dukej se e përqafonte tërësisht violonçelin, mirëpo adhurimi i tij për këtë profesion u dallua qysh në minutën e parë. Këtë e vërejti edhe publiku i cili e riktheu në skenë atë, nga duartrokitjet e shumta, për të performuar veprën shtesë ‘Nana’ nga Manuel de Falla me kitaristin Elvis Bytyqi. Tashmë, ata ishin yjet e mbrëmjes dhe këtë e kuptuan edhe vetë ata, andaj e përmbyllën prezencën me një vepër që doli përtej të imagjinueshmes.
Tutje, pas një pauze prej pesëmbëdhjetë minutave, Orkestra Frymore dhe dirigjenti Salvi, bëheshin gati për të pushtuar atmosferën me premierën botërore “Joko” të kompozitorit gjerman Peter Josef von Lindpaintner. Kjo vepër ishte diçka krejt ndryshe, duke sjellë ndjenja të buta që pasonin vazhdimisht nëpërmjet muzikës. Krahët e dirigjentit dëshmonin për një lidhje emocionale me veprën, ndërsa instrumentistët ishin të mrekullueshëm në këtë pikë. Me origjinë nga baleti, uvertura Joko arriti të gërvishte gjithçka nga të pranishmit, duke i zhveshë ata nga të gjitha emocionet pos njërës; dashurisë. Një dashuri për klasiken, për pjesëmarrjen me trup e me shpirt brenda saj.
Ndërsa, krejt në fund, u interpretua edhe vepra që shënoi fundin e këtij koncerti madhështor, “Suitë me këngë popullore angleze” e kompozitorit Ralph Vaughan Williams. Si një marsh i zhurmshëm ishin instrumentet frymore, perkusionet dhe telat, të cilat cicëronin këndshëm brenda katër mureve. Instrumentistët po ashtu po marshonin drejt një fundi me melodi të bukura e shpejta sikur akrepat e orës. Duartrokitjet ishin kolapsi i fundit i këtij koncerti të nevojshëm për Prishtinën. Ishin të bollshme e të nevojshme për të nderuar edhe dirigjentin fantastik si dhe Orkestrën Frymore, që me padyshim ka bërë një punë të shkëlqyer për të prezantuar një program kaq mahnitës.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe pjesëmarrjen e tij, për KultPlus foli vetë dirigjenti Dario Salvi.
“Ishte një javë e gjatë, ne punuam shumë dhe jam shumë i kënaqur me rezultatin, veçanërisht me veprën e fundit, kështu që jam shumë i lumtur. Kjo është hera e katërt që punoj me Filharmoninë, por është hera e parë për orkestrën të luaj një ansambël që është një procedurë shumë e vështirë. Ishte një proces në rritje për ne, por ishte e mrekullueshme të dëgjoja ndryshimin nga e hëna në sonte dhe mendoj se ne presim gjëra shumë të mira në të ardhmen. Unë jam shumë i pasionuar pas baletit romantik dhe në veprën Joko muzika mu duk shumë e bukur, por që aranzhimi për orkestër është shumë i vështirë, shumë i ekspozuar. Unë gjithmonë dua të bëj premiera botërore në koncertin tim dhe ne mbijetuam, gjë që është e mirë. Prania e njerëzve ishte ajo që më bëri më shumë përshtypje. Ishte mirë të shihja një shtëpi të shitur sepse nuk e prisja që t’i shihja këtu për shkak të programit specifik.”
Gjithashtu, violonçelisti Konstantin Manaev për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth koncertit dhe veprës që i pëlqeu të pranishmëve më së shumti.
“Kjo është hera ime e tretë që performoj në Prishtinë në përgjithësi dhe ky koncert ishte i preferuari im sepse ishte e mrekullueshme të interpretoja pjesën time të preferuar me këtë orkestër. Shpresoj që publiku ta ketë shijuar. Prishtina është si një shtëpi e dytë për mua dhe është kënaqësi të luaj këtu. Muzikantët janë të mrekullueshëm dhe më pëlqen të luaj me ta. Ne bëmë sot një provë gjenerale dhe mund të them se ata janë shumë fleksibil dhe të ndjeshëm, sepse e kuptojnë menjëherë atë që ne duam të bëjmë. Ishte një proces produktiv për të performuar së bashku. Isha shumë i lumtur që arrita të interpretoja pjesën e çmendur që të gjithë dukej se e shijuan.”
Koncerti i radhës së Filharmonisë së Kosovës vjen më 15 tetor 2024 prej orës 19:30 në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, ku Kori i Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski dhe me pjesëmarrjen e violoçelistit Antonio Gashi do të sjellin një program premierë.
Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni, ka qenë një poet dhe prozator i shquar shqiptar. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma. Ndikimi i tij mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Migjeni:
Mjerimi s’do mëshirë, do vetëm të drejtë. Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi Shpresa vdes e fundit, prandaj falim e shpresojmë. Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë. Ambëlsinën, ambëlsinën e jetës kërko ta gjesh se e hidhuna e jetës vjen vetë./KultPlus.com
Për Toomas Ilvesin, 70 vjeç, kompjuterët nuk kanë qenë asnjëherë diçka e panjohur.
Por, krejt të panjohura ishin e ardhmja dhe dobitë që do t’i sillnin idetë e tij mbarë Estonisë.
Ilves, ish-president i Estonisë gjatë viteve 2006-2016, është rritur dhe është shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas ikjes së familjes së tij nga regjimi sovjetik.
Rënia e Bashkimit Sovjetik, rikthimi i pavarësisë së Estonisë, dhe hovi i internetit në SHBA nuk kanë ndodhur në distanca shumë të largëta.
Ilves, i cili ka qenë ambasadori i parë i Estonisë në SHBA, i ka treguar Radios Evropa e Lirë për përpjekjet që ka bërë për të vendosur shtetin e tij në hartën e botës.
Perspektiva, fillimisht, ishte e zymtë.
Estonia është vend me 1.3 milion banorë, i ka rreth 4.000 ushtarë, dhe vështirë krahasohet me fqinjët – Finlandën apo Rusinë – për nga numri i popullsisë apo fuqia ushtarake.
Pikërisht këtu Ilvesit i hyjnë në punë mësimet e fëmijërisë.
“Finlanda është tetë herë më e pasur sesa ne [Estonia]. Ata regjistrojnë rritje vjetore të vogël, prej 1 për qind, ne regjistrojmë rritje vjetore prej 9 për qind, dhe ata sërish janë më të pasur sesa ne. Pra, s’ka shpresë. Duhet gjetur diçka në të cilin jeni të barabartë. Asokohe, ajo pikë ishte interneti. Prandaj, i propozova Qeverisë që Estonia të niste ashtu si nisa unë, pra t’i mësojmë fëmijët si të përdorin kompjuterët”, u shpreh ai.
Bëhet fjalë për vitin 1993. Pas tre vjetësh, më 1996, nxënësit në Estoni nisën mësimet për kompjuterë dhe teknologji, kurse më 1998-1999 të gjitha shkollat në Estoni kishin qasje në internet.
Rreth 30 vjet më vonë, Estonia është vendi që ofron online 99 për qind të shërbimeve publike.
Erica Rudiger, banore e Tallinit, përmend aplikimin për patentë shofer, letërnjoftim, pasaportë, hapje të bizneseve, dhe hapje e mbyllje të pushimeve mjekësore.
Në këtë shtet edhe votohet online. Mund të plotësohet edhe aplikacioni për martesë – por, jo për divorc.
Në Estoni janë krijuar kompani me nam global. Skype, platformë për komunikime, dhe Bolt, kompani për shërbime transportuese, janë disa prej tyre.
“Ne kemi 10 ‘njëbrirësha’ në Estoni, që do të thotë një ‘njëbrirësh’ për çdo 130.000 banorë në këtë shtet – pra kompani miliardëshe. Pas përfundimit të mandatit, i vizitova dhe i pyeta këta persona, të gjithë në të 30-at e tyre, pse i kanë hyrë kësaj pune, dhe ata thanë se ‘kam qenë njëri prej fëmijëve në programin tënd’”, tregoi Ilves për Radion Evropa e Lirë.
Shteti digjital
Pas nxënësve në shkolla, në kuadër të fazës së dytë Estonia nisi të edukonte pjesën tjetër të popullsisë, dhe, shumë shpejt, vendi u bë i njohur me emrin e dytë: shteti digjital [e-country].
Por, Marju Hendre, analiste e lartë në Autoritetin e Sistemit në Estoni – që funksionon brenda Ministrisë për Çështje Ekonomike dhe të Komunikimit – është e vetëdijshme që një shtet digjital mund të jetë edhe në shënjestër.
Ajo i ka treguar Radios Evropa e Lirë se Rusia është kryesisht mbrapa sulmeve që kanë për qëllim pamundësimin e marrjes së shërbimeve.
Estonia tani përballet me mbi 90 sulme kibernetike brenda një muaji.
“Më 2022, kur nisi lufta [e Rusisë në Ukrainë], numri i sulmeve DDoS [pamundësim shërbimesh] është rritur në mënyrë drastike. Kemi parë më shumë sulme brenda një muaji, sesa që paraprakisht kemi pasur brenda një viti, dhe e njëjta situatë po vazhdon. Ato janë të lidhura me zhvillimet politike. Ato kryhen si sulme ndëshkuese për diçka që kanë thënë politikanët tanë, për një vendim që kanë marrë, shembull, për të dërguar më shumë ndihmë në Ukrainë”.
Për ish-presidentin Ilves, Rusia nuk përbën kërcënim në periudhë afatgjatë.
“Nuk ka kapacitete për të bërë diçka në teknologji. Shteti që është kundër vlerave të Perëndimit është Kina. Rusia mund të zbatojë atë që shpik Kina, apo atë që vjedh prej Perëndimit – është praktikë e zakonshme, mirëpo është kreative kur është puna te teknologjia”.
Shërbimet kibernetike si ndihmë për shtetet tjera
Duke qenë pionierë në krijimin e shtetit digjital, estonezët kanë ndarë me mbi 25 vende në botë platformën për ndërtim të qeverisjes digjitale.
Platforma e Estonisë është e ndërtuar asisoj që të dhënat janë të ndara nëpër flluska të ndryshme. Nëse eventualisht një sektor sulmohet, hakerët nuk arrijnë të depërtojnë në baza tjera të të dhënave.
Liina Areng, udhëheqëse e rrjetit EU CyberNet, që shërben si platformë bashkëpunimi mes ekspertëve të kibernetikës në Bashkimin Evropian për të forcuar sigurinë kibernetike në botë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në gjashtë muajt e fundit, Estonia u ka ofruar asistencë kibernetike mbi 57 vendeve.
Aktualisht, ndihma është e fokusuar tek Ukraina, në dy drejtime:
1.Përmes të ashtuquajturit Mekanizëm i Tallinit ofrohet ndihmë kibernetike në sektorin civil; dhe
2.Përmes një koalicioni të teknologjisë informative koordinohet ndihma e vendeve të BE-së dhe Japonisë për sektorin civil në Ukrainë.
“Aty përfshihet ofrimi i ndihmës në infrastrukturë, por edhe në dije, shkëmbim informacionesh. Shkëmbejmë informacionet që kemi për kërcënimet, aktorët dashakëqij që veprojnë brenda shtetit, si dhe ndihmë si të menaxhohet ndonjë sulm kibernetik”, tha Areng për Radion Evropa e Lirë.
Mbështetja për Kosovën
Areng ka përmendur edhe bashkëpunimin që ka pasur Estonia me Kosovën në sektorin e qeverisjes digjitale.
Ngjashëm me estonezët, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve në Kosovë merren me teknologji informative.
Sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi i ka rreth 1.6 milion banorë, ndërsa mosha mesatare është 34.3 vjeç.
Pjesëtarë të këtij komuniteti i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë partnerë në Estoni, kryesisht si investitorë të bizneseve start-up.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur së voni se Kosova veçse bashkëpunon me Estoninë në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, dhe se që të dyja vendet janë duke diskutuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ushtarake.
Rrjeti i vullnetarëve
Çelësi i suksesit që Estonia gëzon sot është edhe bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat. Dhe, një mori vullnetarësh.
Areng i ka treguar Radios Evropa e Lirë se si vendi i saj e ka formuar një rrjet të ekspertëve kibernetikë, të cilët mobilizohen në rast se shteti përballet me ndonjë sulm të madh kibernetik.
Ajo tha se vullnetarët e ndiejnë nevojën për të shërbyer në të mirë të shtetit.
“Është shteti ynë, jemi shtet relativisht i ri, dhe i besojmë Qeverisë sonë. Ky besim është komponenti kyç për mobilizim të njerëzve, edhe përtej sektorit publik, që t’i ofrojnë shërbimet e tyre në baza vullnetare, për të mbështetur Qeverinë, shtetin digjital”.
Pikëpamja e Ilvesit?
“Arsyeja pse kemi sukses, dhe pse Rusia na dëshiron, dhe pse mund t’i ndihmojmë Ukrainës, është e lidhur me atë që kemi bërë në shtetin tonë. Duhet ta zhvilloni vendin tuaj, ta bëni modern. Nëse keni demokraci liberale, që ju lejon të jeni të lirë, njerëzit duan liri për të krijuar gjëra”./REL/ KultPlus.com
Bukuritë e Shqipërisë janë renditur mes pesë destinacioneve më magjepsëse të Europës, për tu vizituar nga gazeta e njohur franceze “Le figaro”.
Nga Lugina romantike e Rhine-it deri te fjordet e Islandës dhe vendet e mrekullueshme arkeologjike të Shqipërisë, kjo revistë rekomandon destinacionet më të bukura për të zbuluar përmes një udhëtimi me kroçerë në kontinentin tonë.
Vizitoni Shqipërinë e fshehur, një vend për t’u zbuluar dhe admiruar, shkruan gazeta franceze, e cila e cilëson këtë një eksperiencë unike.
Historia e Shqipërisë, shkruan gazeta e njohur, karakterizohet nga aventura të shumta, që nga Iliria e lashtë e deri te osmanët. Vendet e saj të mrekullueshme arkeologjike dhe atmosfera orientale në udhëkryqin e qytetërimeve emocionojnë çdo vizitor të saj.
Udhëtimi drejt Shqipërisë i lejon vizitorit të vlerësojë pasurinë historike mahnitëse të këtij vendi pothuajse të paprekur nga turizmi masiv, thuhet në artikullin që “Le Figaro” i dedikon destinacioneve më të bukura të Evropës.
Liqeni i Ohrit, trashëgimi e UNESCO-s është një vendet që rekomandohet të vizitohet në pjesën shqiptare. Ndërsa Butrintin e cilëson një vend të jashtëzakonshëm arkeologjik.
Më pas, gazeta thekson të tjera destinacione pjesë të UNESCO-s që ndodhen në Shqipëri, Beratin, Gjirokastrën, me vlera të jashtëzakonshme arkitekturore që nga periudha osmane./ KultPlus.com
Kur Vincent van Gogh zbriti nga treni atë ditë të 20 majit 1890, shkeli tokën në të cilën dhe do të varrosej. Ai mbërriti në Auvers-sur-Oise, një fshat 35 km larg Parisit, në kërkim të lehtësimit të krizave të tij mendore.
Për gati dy muaj, dukej se ai e kishte gjetur lehtësimin që kërkonte. Kjo ishte një nga periudhat më ‘pjellore’ të jetës së tij: 72 piktura, 33 vizatime dhe një gdhendje dolën nga imagjinata e tij revolucionare, shumë prej tyre ishin pamje të këtij qyteti piktoresk. Sidoqoftë, ‘demonët u rikthyen’ duke shënuar kështu luftën përfundimtare të artistit. Më 27 korrik, pasditen e një të diele, artisti doli në fushë dhe qëlloi veten me armë. Dy ditë më vonë, ai humbi jetën. Van Gogh nuk la asnjë shënim për vetëvrasjen. Trashëgimia e vetme e shtatëdhjetë ditëve të tij të fundit ishin letrat e famshme që la dhe në asnjë prej tyre nuk fliste për të.
Piktura e vetme që mendohet se ka paralajmëruar vetëvrasjen e tij është ‘Ravens’, ku zogjtë do të ishin lajmëtarët e fatit të tij të zi. E vërteta në lidhje me atë çfarë e shtyu Van Gogh-un në vetëvrasje nuk do të dihet kurrë. Atë të dielë pasdite ai mori pistoletën e pronarit të pensionit ku po qëndronte, shkoi në pjesën e prapme të kalasë ‘Léry’ dhe qëlloi veten në gjoks. Pastaj u kthye në pension dhe u ngjit në dhomën e tij pa i treguar askujt. Pronari e gjeti të plagosur, thirri mjekun, por asgjë nuk mund të bëhej për ta shpëtuar. Pasuria e punës së Van Gogh vazhdon të rritet në mënyrë eksponenciale me kalimin e viteve. Sidoqoftë, krijimet e tij dukeshin të lidhura ngushtë me çmendurinë e tij./Hejza/KultPlus.com
Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona, e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye, por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme… Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke… Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme… O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve. Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit, Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme, krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme, kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. / KultPlus.com
120 atletë nga e gjithë bota, profesionistë të fotografisë dhe videos nënujore morën pjesë në kampionatin e zhvilluar në Sarandë.
Në edicionin e 20 për fotografinë dhe të 6 për videon morën pjesë 19 ekipe nga 4 kontinente të ndryshme, në gare për pamjet më të bukura të botës nënujore.
“Ky është Kampionati Botëror i Fotografisë Nënujore dhe Videos Nënujore, që organizohet nga Federata botërore dhe federata shqiptare e zhytjes. Është evenimenti më i madh që organizohet këtë vit në Shqipëri dhe në Sarandë, është për zhvillimin e turizmit dhe faunës nënujore.”
“Çdo vit ne mbajmë kampionatin botëror, ketë vit zgjodhëm Sarandën për të fotografuar botën nënujore dhe është magjike. Jemi të surprizuar”.
Për zhytësit, është hera e parë që shkrepin fotografi dhe video të botës nënujore në ujërat shqiptare.
“Jemi këtu prej më shumë se një jave dhe eksperienca ishte shumë emocionuese. Ne patëm mundësinë të zhyteshim në dy vende, një më i cekët dhe një tjetër me i thellë. Ishte shumë shumë emocionuese, bota nënujore ishte fantastike. “
“Shqipëria është fantastike për zhytësit, në zbuluan dy vende për tu zhytur ishin të mëdha, me pjesë historike. Më pëlqeu që ketu mund të zbulonim shumë lloj peshqish.
Unë bëj zhytje prej 10 vitesh, ndërsa fotografinë prej tre vitesh, kjo sepse babai im gjithmonë është zhytur dhe shkoja më të. Udhëtoj në shumë dete dhe kjo është fantastike për mua. “
Kampionati Botëror i Fotografisë dhe Videos së botës njohu si asnjëherë më parë të huajt me pasuritë e detit Jon./abcnews.al/ KultPlus.com
Sopranoja e njohur Adelina Paloja vjen me koncertin recital “Eternal Echoes”, i cili njëkohësisht shënon edhe hapjen e edicionit të shtatë të “Prishtina International Vocal Festival”.
Sopranoja Paloja është shprehur tejet emocionuese për këtë rrugëtim unik të karrierës së saj, të cilin do ta sjell nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula Kasapolli dhe me kuartetin “Amati String Quartet”.
““Do të interpretoj një repertor të përzgjedhur me kujdes e dashuri, duke sjellë tingujt e shpirtit tim në shoqërimin e pianistës sonë të shkëlqyer Lirika Pula Kasapolli dhe kuartetit me artistet e reja mrekullueshme Amati String Quartet. Ky recital do të jetë një bashkim i zërave në mes artisteve, ku muzika do të jehojë edhe si shënim i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në muajin rozë”, është shprehur sopranoja Paloja.
Koncerti “Eternal Echoes” mbahet nesër, më 14 Tetor, në ora 19:00, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot piktorin Edi Hila me rastin e 80 vjetorit të lindjes.
Gonxhja u shpreh se, magjia e penelit të këtij artisti të madh, ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar.
“Edhe 100 Edi Hila! Magjia e penelit të këtij artisti të madh, ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar, duke dhuruar vepra që flasin me gjuhën e shpirtit”, shkruan Gonxhja.
Edi Hila lindi në Shkodër më 13 tetor të vitit 1944. Ai është një nga piktorët e rëndësishëm në artin bashkëkohor shqiptar, i prirur drejt një pikture figurative.
Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rendësishëm në punën e Hilës.
Punët e tij janë në Koleksionin e Centre Pompidou, Paris, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Koleksioni privat i Rene Block, Frac-Auvergne, Koleksioni Ville de Paris. Veprat e tij janë ekspozuar në galeri të artit në shumë qytete të botës, përshirë këtu në Athinë, Varshavë, Vjenë, Milano e të tjera./atsh/ KultPlus.com
Në 93-vjetorin e lindjes së tij, Bashkia e Tiranës çeli mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”.
Muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.
Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se sot familja e Dritëroit janë të gjithë shqiptarët kudo ku janë.
“Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale. Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar. Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi. Sot familja e Dritëroit është gjithë Tirana, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, edhe të huajt që kanë një tërheqje për të njohur vendin tonë, nga ky turizëm i jashtëzakonshëm”, deklaroi Veliaj.
Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën dhe këmbënguljen e kryebashkiakut Veliaj për ta realizuar këtë projekt.
“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”, deklaroi Elona Agolli.
Vera Ibrahimi, bashkëshortja e Feim Ibrahimit, tha se hapja e kësaj shtëpie sot tingëllon si një zile që i thërret të gjithë për të vizituar trashëgiminë që la pas Dritëro Agolli.
“Për mua është emocion shumë i madh sot. Më vjen shumë mirë që sot kjo derë u hap. Sa herë që ngjisja shkallët vetvetiu doja të pyesja Sadijen si është Dritëroi sot. Tani që u hap, më tingëllon në zemrën time sikur një zile na thërret të gjithëve për të ardhur këtu dhe për ta shijuar edhe më shumë këtë që Dritëroi i madh la trashëgimi. Një homazh dhe për Sadijen se ishte një grua shumë e rrallë, që nuk u mërzit kurrë së pritur njerëz në shtëpi. Gjithmonë dera ka qenë hapur”, tha ajo.
Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe publicist i njohur. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës./atsh/ KultPlus.com
Madhësia mesatare e popullatave globale të kafshëve të egra është ulur me 73% në 50 vjet, zbuloi një studim i ri nga Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF), sipas “abc News”.
Studimi, i titulluar “Raporti i Planetit të Gjallë 2024”, monitoroi popullatat e kafshëve të egra të 5 495 llojeve të amfibëve, shpendëve, peshqve, gjitarëve dhe zvarranikëve midis viteve 1970 dhe 2020.
Gjetjet treguan një rënie në çdo tregues që gjurmon gjendjen e natyrës në një shkallë globale.
“Gjetjet e këtij raporti janë alarmante”, tha Anke Schulmeister-Oldenhove, zyrtarja e lartë e politikave pyjore në WWF.
“Konsumimi i BE-së vazhdon të jetë një shtytës kryesor i humbjes së biodiversitetit global, veçanërisht në ekosistemet kritike si Amazona, e cila po i afrohet një pike kthese të pakthyeshme”, tha ajo.
Studimi zbuloi se popullatat e ujërave të ëmbla pësuan rëniet më të rënda, duke u reduktuar me 85%.
Kjo u pasua nga popullsitë tokësore, të cilat ranë me 69%. Popullatat detare u zbuluan se kishin rënë me 56%.
“Natyra po lëshon një thirrje shqetësimi”, tha Dr. Kirsten Schuijt, drejtoresha e përgjithshme e WWF International.
“Krizat e lidhura të humbjes së natyrës dhe ndryshimeve klimatike po i shtyjnë jetën e egër dhe ekosistemet përtej kufijve të tyre”, shtoi ajo.
Në nivel rajonal, studimi zbuloi rëniet më të shpejta në Amerikën Latine dhe Karaibe, ku u regjistrua një rënie “shqetësuese” prej 95%.
Kjo u pasua nga Afrika, ku popullsia pësoi një rënie me 76%, dhe më pas Azia dhe Paqësori, ku rënia ishte 60%.
Humbja “katastrofike” e specieve u zbulua se ishte shkaktuar kryesisht nga:
-Degradimi dhe humbja e habitatit – për të cilat studimi thotë se nxitet kryesisht nga sistemi ushqimor i njeriut – si nxitësi kryesor i humbjes së popullsisë në çdo rajon të botës.
-Mbishfrytëzimi, dhe speciet dhe sëmundjet pushtuese.
-Ndryshimet klimatike- si një tjetër shtytës kryesor i humbjes së popullsisë, megjithëse ndikimi i tij ishte më i madhi në Amerikën Latine dhe Karaibe.
-Ndotja – si një shtytës kryesor në Amerikën e Veriut, si dhe në Azi dhe Paqësor.
Studimi paralajmëron se “pikat e kthesës globale” janë shumë të mundshme nëse trendet aktuale vazhdojnë.
“Natyra po zhduket me një shpejtësi alarmante”, thuhet në raport.
Ndërsa disa ndryshime mund të jenë të vogla dhe graduale, ndikimet e tyre kumulative mund të shkaktojnë një ndryshim më të madh dhe më të shpejtë.
Kur ndikimet kumulative arrijnë një prag, ndryshimi bëhet vetëpërjetësues, duke rezultuar në ndryshime thelbësore, shpesh të papritura dhe potencialisht të pakthyeshme. Kjo quhet një pikë kthese.
Raporti paralajmëron se bota po dështon në arritjen e qëllimeve globale.
“Vendimet dhe veprimet e marra gjatë pesë viteve të ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e jetës në Tokë”, theksoi Dr. Schuijt nga WWF. /atsh/ KultPlus.com
Sonte mbahet koncerti i muzikës klasike dhe i këngëve të vjetra qytetare, me sopranon e talentuar Reyhan Kodrazi, shoqëruar me pianisten profesione Eda Vllaço, bashkë me orkestrën profesionale.
Koncerti “Harmonia e Kulturave”, organizuar nga “Ballkan Arena”, mbahet në Kino Lumbardhi në Prizren, duke filluar nga ora 19.00.
“Koncerti bashkon komunitete të ndryshme përmes muzikës duke krijuar unitet të veçantë në diversitet. Çdo tingull sjellë një histori që së bashku frymojnë në harmoni”, thuhet nga organizatorët.
Do të interpretohen këngët: Valsi i lumturisë – Avni Mula, Baresha e Nexhmije Pagarushës, Zambaku i Prizrenit, Unë biri yt, Kosovë-Ali Podrimja, Carmen – Habanera, Moj Dilbere, këngë të komuniteteve etj.
Do të ketë interpretime edhe të këngëve të bukura legjendare si L.O.V.E të Michael Buble, Besamel Mucho të Consuelo Velazquez, këngë të artistëve të mëdhenj botëror si Frank Sinatra etj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Mynih të Gjermanisë ka thënë se afër 120 mijë bashkëatdhetarë jetojnë e punojnë atje.
Në Facebook, kryeministri Kurti, ka shkruar se pa mërgatën nuk do të arrihej lufta për çlirim e deri te pavarësia.
“Afër 120 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë e punojnë në Bavari. Shumë prej tyre jetojnë mes Gjermanisë dhe Kosovës, e secili është urë bashkuese ndërmjet dy vendeve. Lidhja e fortë me vendlindjen dhe atdheun është dëshmuar vendimtare në momentet më kritike, nga lufta për çlirim e deri te përpjekja për pavarësi. As njëra e as tjetra nuk do të arrihej pa mërgatën tonë të çmueshme. Pritja madhështore në Mynih dhe interesimi i lartë për zhvillimet e progresin në vend na tregon se lidhja sa vjen e shtohet”, ka shkruar ai.
Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.
Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.
Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.
Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com
Çka bëni ju atje të dielën A dilni në ajër të pastër Për gjimnastikë të mëngjesit A i përjetoni të gjitha dhimbjet Në secilën stinë Si atëherë kur ishit në botën tonë A iu merr malli ndonjëherë për ne Kur çdo ditë shkurtoni vetëm mërzi A i merrni shpirtrat me vete Kur ndizet ai zjarr i madh Në ferr e purgator Në krojet e parajsës A flasin me ju poetët Pa fluturuar dallëndyshet e detit Pa i kryer detyrat e shtëpisë Çka iu thonë gratë e bukura Sa herë mërziteni me heshtjen Pa u mësuar kurrë me vdekjen Pa ndërruar asnjë fjalë me njëri-tjetrin A bjen shi atje ende pa u shkrirë bora Toka a dridhet si në pëllëmbë dore Pa u larë në lumenjtë e parajsës Të dielave herët në mëngjes Ndoshta nuk e keni harruar notin As rregullat e reja të lojës Ku do t’i vjerrni çelësat e përjetësisë Pa u ndryshkur nga vetmia Pa iu treguar rojtarëve të dashurisë Secili mund t’i vjedh kujtimet e pashkruara Kur i matni hijet me këmbë të zbathura Mos harroni dritaren mbyllur Pa hyrë rrezja e parë e diellit Derisa ta njihni vetveten Para atyre pasqyrave ngjyrë varri Ju çka bëni atje të dielën në mesditë Gjumi a iu zë në krahun e djathtë Pa lëshuar asnjë ofshamë Pa derdhur asnjë.pikē lot Mos keni frikë nga shpejtësia e territ Atje poshtë në udhën e ëndrrave Është një qiell tjetër Çka bëni ju atje të dielën në mbrëmje A i pushoni shpirtrat në dritën e hënës Kur i mbushni çantat me mollë të ndaluara Me fruta të ëmbla Kur i numëroni ngjyrat e ylberit Dhe bëheni të lumtur Si të parët e asaj bote Mos flini aty përgjithmonë Në shtretërit e bardhë Pa çelur gur gojën Pikërisht atje do të vijmë të gjithë Duke prishur rendin Atëherë ne Çka do të bëjmë atje të dielën
(Prishtinë, shkruar më 13 tetor 2024)/ KultPlus.com
1. “Personi i parë që rrethoi me gardh një copë tokë, pastaj u tha njerëzve se ishte e tija dhe ata e besuan, u bë themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile.
Nga sa shumë krime, luftëra, vrasje, mizori raca njerëzore do të kishte shpëtuar sikur një person të kishte dalë e ta rrëzonte gardhin, dhe t’u thoshte të tjerëve: ‘Mos e besoni këtë mashtrues’.
Ju jeni të humbur nëse harroni se frutat e dheut u përkasin të gjithëve dhe toka asnjërit!” -“Social Contract”, Jean-Jacques Rousseau
2. Të gjitha fatkeqësitë e mia vijnë nga që kam pasur mendim tepër të mirë për miqtë e mi.
3. Edhe pse modestia është e natyrshme për njeriun, ajo nuk është e natyrshme për fëmijët.
Modestia fillon vetëm me njohjen e së keqes.
4. Durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël.
5. Çdo njeri ka të drejtë të rrezikojë jetën e tij në mënyrë që ta mbrojë atë.
Është thënë ndonjëherë se një njeri që hidhet nga dritarja për të shpëtuar nga një zjarr është fajtor për vetëvrasje?
6. Fyerjet janë argumentet e përdorura nga ata që janë gabim.
7. Njerëzit të cilët dinë shumë pak janë zakonisht oratorë të mëdhenj, ndërsa njerëzit të cilët dinë shumë, flasin pak.
8. Mirënjohja është një detyrë që duhet të paguhet, por që askush nuk ka të drejtë ta presë këtë.
9. Gënjeshtra ka një pafundësi kombinimesh, por e vërteta ka vetëm një mënyrë për të qenë.
10. Është një mani e filozofëve të të gjitha moshave për të mohuar atë që ekziston dhe për të shpjeguar atë që nuk ekziston.
11. Ne kemi të lindur të dobët, ne kemi nevojë për forcë: të pafuqishëm, ne kemi nevojë për ndihmë; qesharakë, ne kemi nevojë arsye.
E gjitha që na mungon në lindje, e gjitha që ne kemi nevojë kur vjen puna te pasuria e njeriut, është dhuratë e arsimit.
12. Personi i cili ka jetuar më shumë nuk është ai me më shumë vite, por ai me përvojat më të pasura.
13. Unë i urrej librat; ata vetëm na mësojnë të flasim rreth gjërave për të cilat nuk dimë asgjë.
14. Unë mund të mos jem më i miri, por të paktën jam i ndryshëm.
15. Unë gjithmonë kam thënë dhe menduar se gëzimi i vërtetë nuk mund të përshkruhet.
16. Për të duruar, është gjëja e parë që një fëmijë duhet të mësojë, dhe atë që ai do të ketë më nevojë të dijë.
17. Natyra nuk na mashtron, jemi ne që e mashtrojmë veten.
18. Njeriu ka lindur i lirë, dhe ai është kudo në zinxhirë.
19. Ç’është lumturia? Një llogari bankare të mirë, një kuzhinier të mirë, dhe një tretje të mirë.
20. Është shumë e vështirë për të menduar fisnikërisht kur dikush mendon vetëm për të fituar jetesën.
21. Ne nuk e dimë se çfarë është me të vërtetë fat i mirë apo i keq.
22. Ata që janë më të ngadalshëm në marrjen e një premtimi janë më besnikë në kryerjen e tij.
23. Sado natyral talenti i njeriu mund të jetë, akti i të shkruarit nuk mund të mësohet i gjithi përnjëherë.
24. Unë mbeta për një kohë të gjatë fëmijë, dhe jam ende fëmijë në shumë aspekte.
25. Çfarë diturie mund të gjeni e cila të jetë më e madhe se sa mirësia? / KultPlus.com
Kjo shprehje e Xhojsit, do ta përcaktone më saktë ndikimin e fuqishëm dhe gjurmët pashlyeshme në art, histori dhe letërsi. Shekspiri e ngriti artin poetik në majat më të larta. Të gjitha studimet e analizat e veprës së tij, kanë emërues të përbashkët: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të gjithë përbërësit e veçantë. Vepra e tij, së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, janë shtyllat mbi të cilat formohet identiteti historik i Evropës.
Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më brilant i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Një ndër shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai ishte qenë komedian, dramaturg, por edhe aktor. Shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme, që përfaqësojnë historinë e letërsisë botërore, si edhe shumë komedi dëfryese, që nuk u shfaqen kurrë nëpër skenat angleze.
Krijimtaria e tij, përmbledh 37 vepra për teatrin, prej të cilave 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshin 154 sonete, që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema.
Aftësia e tij qëndronte në të hedhurit e rrëfimit përtej, për të përshkruar kështu pamjet e brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore. Mendohet se pjesën më të madhe të veprave, t’i ketë shkruar midis viteve 1585-1611 dhe pse, kronologjia e veprave që i atribuohen nuk njihet me saktësi, duke shkaktuar kështu mangësi në lidhje me hartimin e një biografie të thellë dhe të plotë, për këtë figurë madhështore të letërsisë.
Shekspiri përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohë që e folmja e asaj kohe, nuk përmbante më shumë se 1,500 fjalë. Kishte një gjuhë jashtëzakonisht të gjallë dhe të pasur në neologjizma, lojë fjalësh, si dhe fjalë me shumë kuptime.
Për lexuesin shqiptar është e njohur mirë gjenia dramatike e Shekspirit, nga përkthimet e mjaft prej dramave të tij, sidomos nëpërmjet përkthimeve mjeshtërore të at Fan S. Nolit. Nëpër të 36 dramat e tij janë të shpërndara qindra këngë dhe pasazhe lirike (si kënga e Ofelisë së marrosur te “Hamleti”, profetizimi i magjistricave te “Makbethi” mjaft pasazhe tek “Antoni dhe Kleonatra”).
Veprat e para të Shekspirit në zhanrin e poezisë u shkruan dhe u botuan pasi ai kishte arritur të njihej si dramaturg. Në vitin 1593 u botua “Venusi dhe Adonisi” në vitin 1594 – “Përdhunimi i Lukrecias”, në vitin 1598/9 – 20 këngë lirike (midis tyre disa sonete) në “Pelegrini i apasionuar”, në vitin 1601 – “Feniksi dhe breshka”. Në këtë periudhë, me ndërprerje, Shekspiri filloi të shkruante sonetet, që i vazhdoi deri në vitin 1600. Ato qarkulluan për një kohë të gjatë në rrethin e miqve të tij dhe u botuan vetëm në vitin 1609. Ato u shkruan në kohën kur Shekspiri pati arritur pjekurinë e tij të plotë dhe paraprinë drama të tilla si “Hamleti”, “Makbethi”, “Otello”, “Antoni dhe Kleopatra”./ Konica.al / KultPlus.com
The Merry Gentlemen është një film i ri për Krishtlindje që vjen në platformën Netflix më 20 nëntor. Ylli i këtij filmi është Chad Michael Murray, i njohur për rolin e tij si Lucas në One Tree Hill. Filmi u drejtua nga Peter Sullivan, ndërsa skenari u shkrua nga Marla Sokoloff.
“Duhet t’i ndryshojmë gjërat pak dhe të shtyjmë kufijtë,” tha Murray për filmin.
Komploti ndjek balerinën Ashley (Britt Robertson) e cila udhëton në shtëpi për pushime dhe zbulon se qyteti i vogël nga vjen është në telashe financiare. Për të ndihmuar, Ashley organizon një botim nudo vetëm për meshkuj.
Robertson u tërhoq menjëherë nga historia. “Kur lexova skenarin, thashë: “Ky është lloji im i filmit për Krishtlindje”, tha aktorja.
Një nga njerëzit që merr pjesë në shfaqje është Luke, i luajtur nga Murray. “I sjellshëm, i sigurt dhe pak sarkastik”, është përshkrimi i personazhit të tij. Murray e mori seriozisht përgatitjen për rolin e tij. “Unë kurrë nuk kam regjistruar diçka të tillë. I thashë vetes se më frikësonte, por duhej ta bëja,” tha ai.
Skenaristi Sokoloff gjithashtu luan në film. “Kostumet janë kulmi. Ka shumë tema dhe momente argëtuese. Mezi pres që të gjithë ta shohin filmin,” tha ajo.
Në film luajnë edhe Beth Broderick, Michael Gross, Maxwell Caulfield, Colt Prattes, Marc Anthony Samuel dhe Hector David Jr.