40 mijë vizitorë në Muzeun ‘Onufri’, kryesojnë polakët

Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pozicionuar në zemër të Kalasë së Beratit dhe mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, 6-mujorin e parë të vitit u vizitua nga 40 mijë persona.

Sipas drejtorit Pasku, shumicën e vizitorëve, edhe në këto ditë të nxehta vere, e përbëjnë turistët e huaj. Nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, vizitorët nga SHBA dhe nga Azia.

Muzeu “Onufri” është një destinacion i dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Ky muze u çel më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët bënë të mundur që thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, të ekspozoheshin për publikun në këndvështrimin artistik e historik.

Ky muze, i cili aktualisht gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. /atsh/ KultPlus.com

Një nga 27 fustanet e nusërisë së Lauren Sanchez u zhduk gjatë dasmës

Një nga 27 fustanet e nusërisë së Lauren Sanchez u zhduk gjatë dasmës së saj me Jeff Bezos. Fustani u zhdukur që nga dita e ceremonisë dhe mediave ai ishte vjedhur nga një “mysafir i paftuar i veshur me stil”. Megjithatë, kjo teori nuk konsiderohet më si e mundshme dhe nuk është paraqitur asnjë raport zyrtar policor.

Nuk dihet se cili nga fustanet mund të ketë humbur, por me siguri nuk është fustani i bardhë me dantellë me jakë të rrumbullakët nga Dolce & Gabbana, të cilin 55-vjeçarja e veshi në dasmën e saj me themeluesin e Amazon në Venecia të premten, më 27 qershor. Çifti u martua në ishullin e San Giorgio Maggiore.

Lauren Sanchez postoi një foto të saj dhe Jeff Bezos në Instagram menjëherë pas ceremonisë, së bashku me datën e dasmës. Në foto, Sanchez tregoi fustanin e saj mahnitës të nusërisë. Ajo u fotografua me fustanin e nusërisë para dasmës për Vogue. Duke folur për revistën, ajo kujtoi se u ndje si një “princeshë” gjatë provës së përgjithshme, e cila u zhvillua në Milano.

“Ishte më tronditëse nga sa prisja”, – tha ajo për momentin kur e veshi për herë të parë. Ajo zbuloi gjithashtu se Jeff Bezos iu lut t’ia tregonte fustanin, por, siç është zakoni ajo shpjegoi se nuk do t’ia zbulonte para ditës së madhe. “Gati sa nuk u dorëzova”, – pranoi ajo, duke shtuar: “Por doja që të ishte një surprizë. Teksa plakesh, nuk ka shumë surpriza në jetë. Mezi prisja të shihja fytyrën e tij”.

Lauren Sanchez gjithashtu bëri përshtypje me një fustan rozë prej mëndafshi muslini Atelier Versace, të dizenjuar nga vetë Donatella Versace, për dasmën e fundit. Fustani kishte një korse, të qëndisur me dorë me kristale Swarovski ngjyrë ari rozë./lapsi.al/ KultPlus.com

Virginia Woolf, gruaja që besonte kaq shumë te dashuria dhe bëri jetën e librave që shkroi

Pati një fëmijëri të vështirë. Bëri një jetë plot peripeci dhe brenga shëndetësore. Tentoi dy herë të vetëvritej, por “e treta e vërteta” e çoi atë në udhën pa kthim. Iku më 28 mars 1941 duke lënë pas një letër mirënjohjeje për bashkëshortin dhe një vepër, e cila më shumë se për gjithçka tjetër, flet për jetën e saj.

Bëri një jetë përpëlitjesh nëpër dallgë duke ndjekur brigjet që gjithnjë i fashiteshin sapo e kaplonin në behje. Jo dhe aq e ndëshkuar nga fati se sa nga joshja e një loje rreziku që i’u bashkëngjit pandashëm në andjen për ballafaqje dhe krisje në copëzat më të brishta dhe ndjesitë prej prushi të atij kurmi që digjej si prej pasionit ashtu edhe prej dhimbjes.

Letërsia që shkroi Virginia Woolf nuk ndryshon shumë nga jeta që ajo bëri. Mendimi filozofik e i ndjeshëm që përshkonte trupin e kësaj anglezeje, që iluminoi Britaninë e shekullit XX, e bënte atë të ishte ndryshe.

Ashtu e veshur me fustanet e saj të thjeshta, të mbërthyera deri nën qafën e hollë, ecte çdo mbrëmje rrugëve të Londrës. Ashtu si zonja Dolloway, një prej personazheve më të njohura të letërsisë së saj, Virginia Wolf besonte te dashuria. Dhe kur kjo forcë që e lidhte më shumë me të shkruarin kishte ikur prej saj, ajo u ngjasonte gërmadhave të një qyteti, që nuk do të ringrihet.

Ditarët që ajo ka lënë pas, tregojnë se gruaja gati e trishtuar në kujtesën e bashkëkohësve të saj, kishte bërë një jetë si në librat që shkroi.

Asgjë nuk e kishte penguar të ndiqte rrugën drejt shtigjeve të fshehura të zemrës. Klarisa Dalloway, gruaja që u end gjatë rrugëve të Londrës, duke u endur kujtimeve të rinisë së hershme dhe dyzimit në duhet të takonte të dashurin e saj të parë tani që ishte në qytet, është vetë Woolf.

Vetëm mendimi se ai ishte në qytet, e kishte bërë të mos ndihej e qetë; takimi me të do të ishte një ringjallje e asaj që kishte kaluar. Iu desh kaq kohë ta harronte, dhe ja ai është sërish aty. Duket sikur ca fije të padukshme lidhin nga larg shpirtrat që ndajnë të njëjtën ëndërr. Ai ishte aty si për t’i kujtuar se ishte koha për të shkruar. “Nëse duhet të jem e lumtur, është e nevojshme që çdo ditë të merrem me nga pak letërsi”, i thoshte ajo dikur.

Virginia Woolf lindi në Londër, më 25 janar 1882, nga prindër me përvoja të tjera martesore. Julia Prinsep, e ëma, një grua mjaft e bukur dhe e kultivuar, vejushë kishte pasur tre fëmijë George, Gerald e Stella, në martesën e dytë lindi vajzat Virginia dhe Vanessa (me të cilën raporti i Virginia-s ishte mjaft i ngushtë) dhe djemtë Thoby e Adrian. Kurse Leslie Stephen, i ati, historiograf dhe kritik, i ve edhe ai, gjatë martesës së parë kishte pasur një vajzë me të meta mendore, Laura.

Virginia u edukua në shtëpi nga prindërit, sipas traditave viktoriane. Dhembjet e para të jetës së saj, qenë vdekja e së ëmës kur ishte vetëm 13 vjeçe dhe menjëherë më pas e së motrës, Stella, që i shkaktuan kriza të mëdha pasigurie. Gjatë periudhës së zisë, i ati nuk arriti të ishte aspak një mbështetje e mirë, as për Virginia-n e as për fëmijët apo thjeshtrit e vet, dhe ajo, e vetme, e pambrojtur, nisi të vuante nga indiferenca e botës mashkullore.

Edhe pas vdekjes së të atit, depresioni i saj u thellua, duke u ndier në faj se pse nuk ia kishte shprehur plotësisht dhembshurinë e saj. Virginia arriti që gjithsesi të jetonte një jetë normale, të ishte aktive dhe e impenjuar me të shkruarin apo udhëtimet. Në vitin 1904 tentoi për të parën herë të vriste veten; ngushëllimi më i madh ishte miqësia me Violet Dickinson-in, që e mirëpriti në shtëpinë e saj, e kuroi dhe pastaj e prezantoi në “Guardian”, të përjavshmen londineze. Në vjeshtën e këtij viti, së bashku me të motrën Vanessa dhe vëllezërit Thoby dhe Adrian, Virginia u shpërngul në Gordon Square, në lagjen angleze të Bloomsbury-t, ku mori jetë grupi “Bloomsbury”, një rreth intelektual shkrimtarësh dhe artistësh, që për një tridhjetëvjeçar i dha zë skenës kulturore angleze, duke u mbledhur çdo javë në shtëpinë e botuesit Leonard Woolf për të diskutuar për artin, letërsinë dhe politikën. E lirë më në fund nga prania e të vëllezërve, si ajo ashtu edhe Vanessa, u stimuluan nga ambienti i ri ku ishte futur, me një entuziazëm të rigjetur. Ajo nisi të botonte në suplementin letrar të “Times” të parat kritika letrare. Më 10 gusht të vitit 1912 u martua me Leonard Woolf-in, por shumë shpejt filloi të jepte shenjat e para të një çekuilibrimi mendor dhe tentoi për të dytën herë vetëvrasjen me helm. E mori veten edhe në sajë të të shoqit, që për ta bërë të rifitonte besimin dhe ekuilibrin, i propozoi të themelonin një shtëpi botuese. Kështu lindi “Hogarth Press”, që botoi vepra shkrimtarësh të talentuar, mes të cilëve edhe Mansfield dhe Eliot.

Në vitin 1922, kushtet e saj të brishta mendore pësuan një goditje tjetër, kësaj radhe nga kritikët, mes të cilëve edhe vetë Mansfield-i, të cilët bënë copash romanin e saj “Night and Day” (Natë dhe ditë). Asaj kohe i takon edhe miqësia e saj me Vita Sackville-West-in, shkrimtare dhe poeteshë, nënë e dy fëmijëve me tendenca lesbike të pafshehura (por edhe Woolf-i në rininë e saj kishte qenë e tërhequr nga gratë), me të cilën Virginia nisi një marrëdhënie që nuk e dëmtoi marrëdhënien me Leonardin e që u bë burim frymëzimi. Ishte ajo që e krijoi personazhin Orlandon në romanin me të njëjtin emër. Me kalimin e viteve, edhe pse e vijoi aktivitetin letrar, krizat depresive u bënë gjithnjë e më të shpeshta, duke u përkeqësuar për shkak të fobive që lindnin nga Lufta e Dytë Botërore (Virginia ishte edhe pacifiste e bindur), derisa më 28 mars të vitit 1941, pasi i shkroi një letër lamtumire të shoqit, mbushi xhepat e xhaketës me gurë dhe humbi në lumë.

“E ndiej se po çmendem përsëri. Kësaj radhe nuk do të shërohem. Po filloj të dëgjoj zëra. Nuk arrij të përqendrohem. Prandaj po bëj atë që duket gjëja më e mirë për t’u bërë. Ti më ke dhënë më të madhen lumturi që mund të jepet. Nuk besoj se dy persona do të mund të kishin qenë më të lumtur përpara se të arrinte kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më… Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës sime e kam prej teje. Ke qenë plotësisht i urtë me mua dhe pabesueshmërisht i mirë. Nëse ndokush do të kishte mundësi të më shpëtonte, do të ishe ti…”.

Ishte 63 vjeçe. Ndarja e saj nga jeta nuk ishte e lehtë për burrin që i kishte kushtuar gjithë jetën kësaj gruaje të pazakontë, që e kishte dashur që ditën e parë kur e pa të hynte në takimet letrare në apartamentin e tij, me një fletore të vogël në dorë. Vite më vonë, mes koleksionit të letrave të tij, u gjet kjo letër…

“E di që Virginia nuk do të vijë nga studioja e saj përmes kopshtit, e megjithatë shoh në atë drejtim duke e kërkuar. E di që është e mbytur e megjithatë pres ta dëgjoj të hyjë. E di që libri ka mbaruar, megjithatë e kthej faqen.”

Virginia Woolf vazhdon të mbetet edhe sot si një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë. Libri i saj “Një dhomë më vete”, hyn në ato traktate që sollën ndryshime në emancipimin e gruas, dhe rolin e saj në shoqëri. “Që një grua të shkruajë letërsi, duhet të ketë para dhe një dhomë më vete”, shkruan Woolf. / Albert Vataj / KultPlus.com

Pas një mungese prej 30 vitesh, studiuesit e trashëgimisë kulturore janë rikthyer në Kalanë e Gjirokastrës

Pas një mungese prej 30 vitesh, studiuesit e trashëgimisë kulturore janë rikthyer në Kalanë e Gjirokastrës për të rinisur gërmimet dhe studimet arkeologjike në një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë.

Ekspedita e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ka për qëllim të nxjerrë në dritë gjetje të reja që do të pasurojnë njohuritë mbi origjinën dhe zhvillimin e kalasë, e cila përmendet për herë të parë në dokumente të shekullit XIV, por besohet se rrënjët e saj shtrihen shumë më përpara.

Aktualisht, punimet po zhvillohen pranë hyrjes kryesore të kalasë, ku janë zbuluar fragmente të një kulle guri që datojnë në periudhën IV-VI pas Krishtit, duke hapur një dritare të re mbi epokën e hershme të këtij monumenti historik.

Gërmimet do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit korrik në pika strategjike të kalasë, duke synuar jo vetëm evidentimin e artefakteve, por edhe përmirësimin e infrastrukturës për vizitorët, në mënyrë që ky thesar kulturor të mbahet gjallë dhe të promovohet më mirë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Kalaja e Gjirokastrës, e njohur si një qendër e rëndësishme për ngjarje kulturore dhe historike, pritet të ofrojë zbulime që do të shtojnë vlerë trashëgimisë shqiptare dhe do të tërheqin interesin e turistëve dhe studiuesve nga e gjithë bota.

Liverpooli bën veprimin e paimagjinueshëm për familjen e Diogo Jotas

Pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit portugez Diogo Jota, Liverpooli ka njoftuar zyrtarisht se do të ofrojë mbështetje të plotë për familjen e tij.

Në një veprim solidar dhe fisnik, klubi ka vendosur të transferojë mbi 15 milionë euro në llogaritë e fëmijëve të Jotës, si pjesë e përkujdesjes për të ardhmen e tyre.

Për më tepër, Liverpooli ka konfirmuar se do të respektojë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj lojtarit të ndjerë, duke vijuar pagesat e kontratës deri në vitin 2027, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e fundit me sulmuesin.

Ky gjest është pritur me emocione nga komuniteti sportiv dhe tifozët në mbarë botën, duke e përshkruar si një akt të jashtëzakonshëm respekti për një futbollist që dha gjithçka për klubin dhe që la gjurmë të pashlyeshme në “Anfield”.

Liverpooli, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se do të qëndrojë pranë familjes së Jotës në çdo hap, duke ofruar mbështetje financiare, emocionale dhe ligjore, si pjesë e vlerave që klubi promovon në raport me lojtarët dhe familjet e tyre.

Po ashtu, klubi anglez ka pensionuar numrin 20 në fanellë, numër ky që bartej nga Diogo Jota./telegrafi/ KultPlus.com

Me “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” kuruar nga Erzen Shkololli filloi “Autostrada Biennale”

“Autostrada Biennale” ka filluar sot, e dyert e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore do të jenë të hapura për tre muaj, shkruan KultPlus.

E kuruar nga artisti Erzen Shkololli, ky edicion i titulluar “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” ka nis në Prizren, sikurse edhe vitet e shkuara dhe brenda kësaj ngjarje kulturore janë përfshirë vepra bashkëkohore të artit që tashmë janë të prezantuara brenda hapësirës së këtij organizimi kulturor.

Hapësirat ekspozuese përfshijnë Autostrada Hangar e cila është qendra e artit bashkëkohor në ITP dhe hapësirat tjera në zonën historike të Prizrenit./ KultPlus.com 

EtnoFest fillon me 10 korrik, shumë aktivitete nëpërmjet temës “Identiteti” deri më 20 korrik 

Edicioni i 15-të i Festivalit “EtnoFest” do të fillojë më 10 korrik dhe për dhjetë ditë do të ketë aktivitete të shumta kulturore, e që do të mbahen në fshatin “Kukaj”.

Organizatorët tashmë kanë bërë të ditur një pjesë të programit të këtij edicioni, dhe sipas njoftimit, ky edicion do të fillojë me performancën e Malda Susurit. 

Ka edhe shumë grupe të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare që do të jenë pjesë e këtij festivali, edhe pse, ende nuk është publikuar programi i plotë I këtij edicioni. 

KultPlus ju sjell edhe linkun e faqes së festivalit ku mund edhe të njoftoheni me programin e plotë./ KultPlus.com 

https://www.facebook.com/EtnoFest

Pishina zvicerane kufizon notin për të huajt pasi grupe të ndryshme shkaktojnë probleme

Një pishinë e hapur në Zvicër thuhet se ka ndaluar shumicën e shtetasve të huaj dhe shumë turistë për periudhën e verës, duke i fajësuar ata për shpërthime të sjelljes antisociale.

Këshilli bashkiak ka kufizuar aksesin në pishinën në Porrentruy, në komunën Jura, që është afër kufirit me Francën, midis 4 korrikut dhe 31 gushtit, raportoi Aargauer Zeitung.

Vetëm qytetarët zviceranë, ata që kanë qëndrim të përhershëm dhe personat me një leje pune të vlefshme zvicerane do të lejohen të përdorin pishinën gjatë kësaj periudhe.

Turistët e huaj që qëndrojnë në një hotel ose kamping në Porrentruy gjithashtu mund të blejnë një kartë pushimesh, e cila do t’u lejojë atyre të përdorin pishinën.

Herën e fundit që të huajve iu ndalua përdorimi i pishinës ishte në vitin 2020, kur u mor vendimi për të lejuar aksesin vetëm për qytetarët zviceranë si rezultat i pandemisë Covid-19, transmeton albinfo.ch.

Pra, çfarë çoi në ndalim? Sipas Lionel Maitre, kreu i kohës së lirë në Shoqatën Bashkiake të Distriktit Porrentruy dhe kryetar bashkie i Boncourt, kjo ndodhi për shkak të sjelljes së keqe të një numri të rinjsh francezë nga përtej kufirit, tha gazeta.

Mbyllja e përkohshme e një pishine të hapur përtej kufirit në Delle e ka përkeqësuar situatën, por autoritetet presin që problemet të përsëriten edhe atje, pas rihapjes së saj më 8 korrik, tha Maitre.

Maitre raportoi se kishin parë raste të shumta sjelljeje të keqe në pishinën e Porrentruy nga të rinj, kryesisht nga departamentet franceze të Territoire de Belfort dhe Doubs, dy rajonet fqinje të Francës.

Incidentet përfshijnë “ngacmim të grave të reja, gjuhë të papërshtatshme, not me të brendshme dhe madje sjellje të dhunshme pasi u qortuan”, tha ai, raportoi gazeta.

Më shumë se 20 persona janë përjashtuar nga pishina dhe u është mohuar hyrja, sipas një deklarate nga autoritetet.

Në një përpjekje për të menaxhuar situatën, pishina punësoi roje sigurie, por zbuloi se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Nga të gjithë njerëzit që u ndalohet hyrja, jo të gjithë vijnë nga Franca fqinje, por pak nga Zvicra janë një pakicë e qartë”, shpjegoi Maitre për gazetën, duke shtuar se kufizimi i aksesit ndihmoi gjithashtu në mbajtjen e numrit të vizitorëve në një nivel të menaxhueshëm./albinfo.ch/ KultPlus.com

Puna e fotografëve Pietro dhe Kel Marubi në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës pranë UNESCO 

Puna e Pietro e Kel Marubi që vlerësohet të jetë një pasuri për populli shqiptar, dhe jo vetëm, tashmë ka marr edhe një vulë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, është bërë e ditur se puna e tyre tashmë është vlerësuar edhe nga UNESCO. 

Më poshtë po sjellim të plotë njoftimin për këtë arritje të nivelit ndërkombëtar. 

Jemi të lumtur të ndajmë me ju certifikatën e regjistrimit të arkivit të negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubi në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës pranë UNESCO

Një vlerësim i jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare, një pasuri që na përket të gjithëve🇦🇱📷

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sot, edhe Kosova feston krah për krah me Amerikën, aleatin tonë më të madh

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi ka thënë se për Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve, edhe Kosova është duke festuar krah për krah me Amerikën. 

Postimi i plotë i presidentes Osmani. 

Sot, edhe Kosova feston krah për krah me Amerikën, aleatin tonë më të madh, që qëndroi pranë nesh në orët tona më të vështira dhe vazhdon të qëndrojë e palëkundur me ne edhe sot. 🇽🇰🤝🇺🇸

Faleminderit Ambasadës Amerikane për organizimin e festës së veçantë në nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve këtë javë!/ KultPlus.com 

Euro 2025: Kosovare Asllani nga fillimi për Suedinë

Kosovare Asllani është futbollistja e dytë shqiptare që do të luajë në Euro 2025.

Ky Evropian po zhvillohet në Zvicër. Pikërisht për Zvicrën luan Riola Xhemaili, e cila ndaj Norvegjisë e nisi ndeshjen nga fillimi për të luajtur deri në minutën e 63-të.

Asllani nga viti 2008 luan për Suedinë, duke qenë njëra nga lojtaret më me përvojë, transmeton albinfo.ch.

Kosovarja do të jetë nga fillimi për Suedinë në ndeshjen ndaj Danimarkës, që zhvillohet nga ora 18:00.

Asllani ka 196 ndeshje me Suedinë, duke shënuar 48 gola.

Më herët ka luajtur edhe në Kampionate tjera Evropiane, Botërore dhe Lojëra Olimpike Verore./albinfo.ch/ KultPlus.com

Çanta e parë Hermes Birkin del në ankand, kjo është historia e krijimit të kësaj çante ikonike 

Çanta u realizua posaçërisht për Birkin në vitin 1985 nga atëherë CEO i Hermès, Jean-Louis Dumas. E bërë nga një material lëkure, modeli tipik i kësaj marke përmban një rrip të pandashëm, ndryshe nga versionet që shiten sot në treg. Ajo gjithashtu ka të stampuara inicialet e Birkin – J.B.

Kjo çantë është Birkin origjinal që do të bëhej çanta më e famshme në botë. U krijua në vitin 1985 nga shtëpia e modës Hermès për Jane Birkin. E dini historinë: ajo takon Z. (Jean-Louis) Dumas në aeroplan, ankohet, ‘Kjo çantë është shumë e vogël’, dhe Z. Dumas i tha, ‘Unë jam CEO i Hermès, do ta bëj unë çantën tënde’ dhe kjo është ajo çantë,” tha Aurélie Vassy, CEO në Sotheby’s.

Atelier-i i Hermès e krijoi çantën Birkin bazuar në një model të vjetër të quajtur Haut à Courroies.

 Ishte një çantë udhëtimi. Me sa duket, Jane Birkin e mbajti për nëntë vjet çdo ditë dhe forma e saj është ende shumë e bukur,” tha Aurélie Vassy.

Artistja me origjinë britanike, e njohur për aktivizmin e saj në fushata si HIV/AIDS, të drejtat e emigrantëve dhe të drejtat e grave, kishte vendosur stampë të UNICEF dhe Médecins du Monde (Mjekët e Botës) mbi çantën origjinale Birkin.

Ajo e nxori çantën në ankand në vitin 1994 për të mbështetur një organizatë bamirëse franceze që lufton HIV/AIDS-in. Më pas, çanta u rishit në vitin 2000, këtë herë e blerë nga një koleksioniste private franceze. Pas huazimit të çantës për ekspozita në MOMA të Nju Jorkut dhe në muzetë e Londrës, koleksionistja ka vendosur t’i japë fund pronësisë së saj dhe ta nxjerrë në ankand.

Sipas drejtuesve të ankandit, si çanta Hermès Kelly prej lëkure krokodili e mbuluar me diamante, e cila u shit për mbi 500 mijë dollarë, dhe trikoja e famshme e deles së zezë e Princeshës Diana, e shitur për 1 milion dollarë, edhe kjo çantë mund të arrijë rekord në shitje.

Çanta do të jetë pjesë e ankandit të “Ikonave të Modës” të Sotheby’s në Paris, që përfshin edhe fustane nga emra si Dior, Balmain dhe Alaïa, dhe që do të mbahet më 10 korrik, gjatë Javës së Modës Haute Couture./ Tv Klan/ KultPlus.com

Presidentë amerikanë dhe shqiptarët

(Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës)

Avni Spahiu

Marrëdhëniet dhe kontaktet e Amerikës me shqiptarët datojnë më larg se ato të vendosura në kohë të vonë dhe tashmë kanë shënuar një qindvjetor. Roli i disa presidentëve amerikanë për të mirën e Shqipërisë, Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të veçohen. Le të kujtojmë vetëm disa prej tyre:

Siç dihet tashmë gjerësisht, Presidenti Woodrow Wilson e shpëtoi Shqipërinë nga Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1919, ku Fuqitë e Mëdha synonin të copëtonin më tej vendet e vogla, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, për të ushqyer lakminë e pashuar të fqinjëve të saj. Një tjetër president i SHBA, Theodore Roosevelt ishte gjithashtu një mbrojtës i madh i Shqipërisë. Ai kishte qenë kandidat për Mbret të Shqipërisë dhe shqiptarët e kishin mirëpritur kandidaturën e tij. Europianët deshën të kishin një mbret europian. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rrezikua sërish të zhbëhej, por SHBA, nëpërmjet presidentit Franklin D. Roosevelt, këmbënguli për ruajtjen e integritetit të saj. Presidenti Harry Truman donte të përfshinte Shqipërinë në programin Marshall Aid, megjithëse shteti komunist mbylli kufijtë për Amerikën dhe Perëndimin. Presidenti Dwight Eisenhower nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq gjatë viteve 1953-55 ndihmoi në furnizimin me ushqime për popullin shqiptar nën regjimin komunist…

Duhet të kujtojmë gjithashtu paralajmërimin kategorik të Presidentit John F. Kennedy më   29  nëntor 1962: “Nëse Bashkimi Sovjetik do të përpiqet të pushtojë Shqipërinë, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të larta për të!. Sovjetë, mos e prekni Shqipërinë!”- u tha ai rusëve dhe Hrushçovit. Në fund të vitit 1996, ishte Presidenti Xhorxh Bush i Vjetri ai që erdhi në brigjet e Shqipërisë për të treguar mbështetje dhe për të sjellë një mesazh shprese për popullin e saj. Ai kishte vënë një vijë të kuqe edhe për Kosovën, në “paralajmërimin e Krishtlindjeve” më 4 mars 1992. “Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”, i shkroi Bushi Millosheviçit.

Sërish, politika dhe diplomacia amerikane u vunë në lëvizje në vitin 1999, këtë herë për të mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj. Presidenti Bill Clinton urdhëroi një ndërhyrje ajrore në Serbi. Në këtë mënyrë Kosova u shpëtua nga gjenocidi. Me ndihmën e Amerikës, popullsia e Kosovës u kthye në tokën e saj dhe filloi të ndërtojë një shtet ligjor dhe të pavarur.

Presidenti tjetër amerikan, George W. Bush vizitoi më 10 qershor 2007 Shqipërinë dhe nga Tirana deklaroi se Kosova do të shpallet shumë shpejt shtet i pavarur, gjë që u bë realitet më 17 shkurt 2008.Presidenti Obama vazhdoi mbështetjen parimore të SHBA-së ndaj Kosovës duke ndihmuar në konsolidimin e pavarësisë së saj. Presidenti Donald Trump po shprehte sërish qëndrueshmërinë e SHBA-së duke deklaruar se Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të gëzojnë mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s. Presidenti Biden, një përkrahës i vendosur i Kosovës në Senatin Amerikan, si dhe gjatë mandatit të tij si Zëvendëspresident dhe tani President i SHBA-së, treguan mbështetje për Kosovën.

Në raport me Kosovën, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka qenë konsistente. SHBA e konsideron Kosovën si një nga aleatët dhe partnerët e saj. Në periudhën e pas-pavarësisë, Shtetet e Bashkuara vazhduan mbështetjen për Kosovën, në dy mënyra kryesore: përmes lobimit te qeveritë e vendeve të tjera për njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, dhe në kuadër të mbrojtjes dhe avancimit të shtetësisë së saj në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, duke luajtur një rol vendimtar në anëtarësimin e Kosovës si anëtare e plotë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2009.

Në përgjigje të kërkesës së Serbisë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vlerësuar aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara ishin avokatët më të zëshëm në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës. Si rezultat i një angazhimi të tillë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në qershor të vitit 2010, shpalli mendimin e saj duke konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën. Në pjesën më të madhe, secila qeveri e Kosovës ka qenë e kujdesshme në marrëdhëniet e saj me SHBA-në pa asnjë mosmarrëveshje të madhe në këto marrëdhënie. Jam i bindur se Kosova gjithmonë mund të dërgojë mesazhe të qarta në krijimin e një marrëdhënieje edhe më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës…

Si popull, shqiptarët kanë një ndjenjë të thellë respekti për Amerikën. Nuk kam hasur në asnjë shqiptar, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, që të mos ketë shprehur mirënjohjen dhe admirimin e tij për mikun më të madh të shqiptarëve – Amerikën. Prandaj Kosova sot përfaqëson shtetin më pro-amerikan në botë. Megjithatë, mirënjohja më e mirë për çdo shqiptar sot është mbështetja për parimet demokratike dhe ndërtimi i një shoqërie të drejtë në vendin tonë. Duke mbështetur vlerat njerëzore për të cilat qëndron dhe lufton Amerika, ne do të kemi mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës dhe miqësinë mes vendeve tona.

Do theksuar se në të gjitha marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka një përputhshmëri të vazhdueshme që ka të bëjë me frymën e përbashkët të lirisë dhe pavarësisë dhe respektimin e vlerave të demokracisë dhe njerëzisë. Dhe, kjo nuk është rastësi. Shqiptarët përgjithësisht gjithmonë ishin kuptuar lehtësisht me Amerikën, sepse ajo gjithmonë i dëgjonte dhe kuptonte aspiratat e tyre.

Si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Uashington, personalisht i jam mirënjohës shtetit dhe popullit amerikan dhe ndihem krenar që gjatë qëndrimit tonë në Uashington arritëm të kontribuonin në ndërtimin e këtyre raporteve duke bërë ndryshim në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit të plotë ndërmjet dy vendeve./ KultPlus.com

4 Korriku, mesazhi i presidentit Trump në Ditën e Pavarësisë

Në Ditën e Pavarësisë së SHBA, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi në faqen e saj në rrjetet sociale, urimin e presidentit Trump.

“Me një fletë të vetme pergameni dhe 56 nënshkrime, Amerika nisi udhëtimin më të madh politik në historinë e njerëzimit”, shkruhet në mesazhin e presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump.

Ky është përvjetori i 249-të i Ditës së Pavarësisë së SHBA. Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u nënshkrua në 4 korrik të vitit 1776, kur 13 koloni të Amerikës së Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Deklarata e Pavarësisë mbetet si referencë e demokracisë solide, e shtetit të së drejtës dhe të drejtave dhe lirive të individit./atsh/ KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë një anije të mbytur 2,000-vjeçare me thesar të ruajtur në mënyrë të përsosur pranë brigjeve të Turqisë

Një zbulim i jashtëzakonshëm në brigjet e Adrasanit, Turqi, ka zbuluar një anije të mbytur që daton 2,000 vjet më parë, që përmbante një ngarkesë të paprekur me mallra qeramike. Anija e mbytur u gjet në një thellësi prej 120 deri në 150 metrash dhe është e jashtëzakonshme jo vetëm për ruajtjen e ngarkesës së saj, por edhe për rregullimin e kujdesshëm të qeramikës. Tasat, pjatat dhe enët e vendosura njëra mbi tjetrën, të vendosura me kujdes në pozicionet e tyre origjinale, ofrojnë një pamje të rrallë të tregtisë, prodhimit dhe teknikave të paketimit të lashtë detar. Zbulimi është i rëndësishëm si për arkeologët ashtu edhe për historianët, pasi ofron një pamje të pashembullt të praktikave të lashta tregtare, dhe ruajtja e saj e shkëlqyer është pjesërisht për shkak të një teknike të pazakontë mbrojtëse – qeramikat ishin të veshura me argjilë të papërpunuar, e cila i mbrojti ato nga degradimi gjatë shekujve.

Zbulimi i qeramikës së lashtë nuk është vetëm një triumf arkeologjik; ai gjithashtu përmban informacione të paçmuara rreth teknikave të lashta të prodhimit dhe transportit. Veshja me argjilë të papërpunuar, një metodë ruajtjeje e panjohur më parë, i mbrojti qeramikat dhe i mundësoi atyre të ruanin shumë nga ngjyrat dhe tiparet e tyre origjinale. Ky zbulim është i pari i këtij lloji, duke u ofruar arkeologëve një pasqyrë kritike mbi paketimin dhe transportin e mallrave në të gjithë botën e lashtë. Mijëra prej këtyre qeramikës, shumë prej të cilave janë të paprekura, ofrojnë një vështrim të jashtëzakonshëm në ndërlikimet e rrugëve të lashta tregtare, që ka të ngjarë të lidhin rajonet në Mesdhe dhe më gjerë.

Ekspertët sugjerojnë se anija e mbytur po transportonte këto mallra qeramike si pjesë të një rrjeti më të madh tregtar. Grumbullimi i kujdesshëm i qeramikës tregon se ngarkesa ishte paketuar me kujdes, ndoshta me qëllim që mallrat të mbaheshin të paprekura gjatë tranzitit. Ky detaj, i kombinuar me ruajtjen e jashtëzakonshme të qeramikës, sugjeron një nivel të lartë sofistikimi në praktikat e lashta të transportit detar të Mesdheut.

Kjo anije e mbytur, së bashku me të tjera të gjetura në rajon, së shpejti do të jetë pjesë e një Muzeu të ri të Arkeologjisë Nënujore Mesdhetare. Ndërtimi i këtij muzeu, i cili do të fillojë këtë verë, shënon një hap të rëndësishëm përpara në ruajtjen dhe ekspozimin e trashëgimisë nënujore. Muzeu do të strehojë një sërë objektesh nga anije të ndryshme të mbytura, duke u dhënë vizitorëve një kuptim më të thellë të kulturave të lashta detare. Pas gërmimeve, një pjesë e vendit të mbytur do të hapet për turizmin e zhytjes, duke ofruar një mënyrë gjithëpërfshirëse për publikun për të përjetuar këtë vend të rëndësishëm arkeologjik.

Hapja e muzeut është një hap vendimtar si në ruajtjen ashtu edhe në angazhimin publik me arkeologjinë nënujore. Ai do të shërbejë si një qendër si për kërkimin akademik ashtu edhe për edukimin publik, duke hedhur dritë mbi kompleksitetin e tregtisë së lashtë mesdhetare dhe teknikat e përdorura për të mbrojtur mallrat e vlefshme për transport afatgjatë.

Image 2 1200x800

Kumbaro: ZipLine, adrenalinë e aventurave të Thethit

Një ndër atraksionet më të fundit që i është shtuar Thethit prej një viti është ZipLine.

Turistët që vizitojnë Thethin, në zemër të Alpeve, kanë mundësinë për të shijuar pamjet e mrekullueshme dhe adrenalinën që ky ZipLine ofron.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga kjo eksperiencë që sjell adrenalinë tek turistët duke mbetur e paharrueshme.

Me ndërtimin e Zip Line, Thethi ka shtuar një atraksion tjetër për tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe krijon një shans të ri për të promovuar bukuritë natyrore të kësaj zone.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës. Ai është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë./atsh/ KultPlus.com

Marie Curie, shkencëtarja që fitoi dy herë çmimin ‘Nobel’

Sot janë bërë 91 vite nga vdekja e Marie Curie, gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.

Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.

Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.

Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.

Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.

Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).

Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.

Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.

E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.

Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës ‘magnet’ për turistët

Kalaja e Argjirosë në Gjirokastër eshte destinacioni kryesor kulturor në jug të Shqipërisë, duke regjistruar rritje të ndjeshme të vizitorëve edhe gjatë gjashtëmujorit të parë .Me mbi 100 mijë turistë të huaj dhe vendas, kjo fortifikatë historike shërben si një pikë kyçe për turizmin historik dhe kulturor.Turistet jane nga vende të ndryshme ndërsa risi janë vizitorët që vijnë nga Azia apo India,ndersa shifrat flasin për një rritje me 10 mijë vizitorë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vizitorët sfidojnë temperaturat e larta dhe relievin që te çon drejt këtij monumenti ndërsa në muajt në vijm pritet të ketë  fluks edhe me te shtuar.

Keshtjella Argjiro gjate vitit te kaluar u cilesua si monumenti me i vizituar ne rang vendi,dhe është një prej më të mëdhatë në Ballkan. / abcnews.al/ KultPlus.com

Hapen aplikimet për postin e drejtorit të Galerisë së Arteve në Tiranë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpall thirrjen për aplikime për drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë dhe krijimtarisë artistike në vend, Galerisë Kombëtare të Arteve.

Afati për dorëzimin e dokumenteve pranë Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, përfundon në 22 korrik 2025.

Galeria Kombëtare e Arteve është institucioni më i rëndësishëm i arteve pamore në vendin tonë. Këtu ruhet koleksioni Kombëtar i arteve pamore, duke filluar nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona. Ky koleksion përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë, një koleksion ikonash që i përket shek. XIII – XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist, pavijoni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.

Veprat e fondit kombëtar ekspozohen të ndara sipas periudhave historike, ose në bazë të koncepteve artistike që synojnë rivlerësimin në kohë të vlerave që bart ky institucion, për t’ia paraqitur ato publikut në mënyrë cilësore.

Aktualisht Galeria Kombëtare e Arteve është në rikonstruksion të plotë. Krahas godinës fillestare është shtuar edhe një godinë simotër. Më këtë godinë të re shtohet me 4000 m2 hapësira e vënë në dispozicion të artit pamor. Projekti parashikon që të ruhen, disa nga detajet dhe hapësira identitare të godinës fillestare. /atsh/ KultPlus.com

Kur Niçe jepte këshilla për shkrimtarët: Ja çka duhet të keni parasysh

Për më tepër, të qenit gjallë të autorit e dëmton atë, nëse ai është njeri i shquar dhe zbulohen shumë gjëra për të: pasi çdonjëri është i detyruar ta shkëmbejë autorin me veprën e tij. Ajo çfarë në të vërtetë libri përmban në vetvete mençuri, ëmbëlsi dhe shkëlqim të praruar, mund të zhvillohet vetëm me kalimin e viteve, me kujdesin e një përnderimi, i cili rritet, moshohet dhe në fund shuhet. Mbi të duhet të kalojnë shumë orë, merimanga të shumta duhet të thurin rrjetat mbi të. Lexuesit e mirë e bëjnë një libër gjithnjë e më të mirë, ndërsa kundërshtarët e mirë e bëjnë të njohur.

Çdo libër i mirë është shkruar për një lexues të caktuar dhe llojin e tij, pikërisht për këtë arsye konsiderohet i dobët nga pjesa tjetër e lexuesve, shumica dërrmuese: për të cilin fama e tij qëndron mbi një bazë të kufizuar dhe mund të ndërtohet vetëm ngadalë. Libri mediokër dhe i keq, është i tillë pikërisht sepse kërkon t’i pëlqejë, madje i pëlqen, shumicës.

Këto dhjetë rregulla, Niçe i parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:

1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;

2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;

3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;

5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;

6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;

8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;

10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore. /konica.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: FSK po bëhet ushtri profesionale drejt NATO-s

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka potencuar ardhmërinë evropiane për të cilën do të shërbejnë kadetët e rinj.

“Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm për sovranitet shtetëror e integritet territorial, për paqe për mbarë shoqërinë, për siguri për qytetarët”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur që janë investuar mbi 300 milionë euro në mbrojtje gjatë katër viteve të fundit dhe rekrutimin e mbi 2700 ushtarëve e oficerëve të rinj.

“Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimi strukturor e profesional i FSK-së dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën veri atlantike demokratike të NATO-s. Kosova në aspektin gjeografik, ideor, politik e vleror është Evropë, andaj pa shmangshëm, jo vetëm i nevojshëm, është anëtarësimi në familjen evropiane demokratike”, ka thënë Kurti.

Diplomimi i gjeneratës 2025 korrespondon me 20-vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, prej së cilës kanë dalë qindra oficerë ushtarakë.

Këta kadetë kanë diplomuar duke u trajnuar me modulin arsimor e stërvitor sipas doktrinës së ushtrisë amerikane dhe NATO-s.

Diplomojnë 18 kadetë të FSK-së, bëhen oficerë

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, po mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës të gjeneratës 2025.

Tetëmbëdhjetë kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë diplomuar për t’u bërë oficerë.

“Në ceremoninë e Diplomimit do të marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mysafirë e familjarë të kadetëve”, tha FSK-ja në njoftimin për media, transmeton Klankosova.tv

Siç njofton gazetarja e Klan Kosova, Endrita Bajrami, janë gjithsejtë 18 kadetë të FSK-së, të cilës pas shkollimit 4-vjeçar, sot do të diplomojnë, duke u ngritur në gradën oficer.

Në ceremoni po marrin pjesë Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Vdes Michael Madsen, ylli i ‘Reservoir Dogs’ dhe ‘Kill Bill’

Michael Madsen, aktori yll i filmit ”Reservoir Dogs” apo i ”Die Another Day”, vdiq sot në moshën 67-vjeçare, sipas hollywoodreporter.com.

Michael Madsen, aktori i njohur për punën e tij në filmat e Quentin Tarantino-s si ”Reservoir Dogs”, ”Kill Bill: Vol. 1 & 2”, ”The Hateful Eight” dhe ”Once Upon a Time in Hollywood”, u gjet i pajetë nga ndihmësit, në shtëpinë e tij në Malibu.

Liz Rodriguez, përfaqësuesja e tij në ”EMR Media Entertainment”, tha se ”Michael pati një arrest kardiak”.

Sipas biografisë zyrtare ”Madsen balancoi intensitetin me vetanalizën, qoftë duke bërë dialogë drithërues apo duke kapur në heshtje një moment pas kamerës, përkushtimi i tij ndaj rrëfimit të historive mbeti konstant. Ai solli si mprehtësi, ashtu edhe shpirt në çdo rol dhe ndikimi i tij i qëndrueshëm në kinemanë amerikane është i pamohueshëm”.

Punimet e tij në ekranin e madh përfshinin ”WarGames” (1983), ”The Natural” (1984), ”The Doors” (1991), ”Thelma & Louise” (1991), ”Free Willy” (1993), ”Species” (1995), ”Donnie Brasco” (1997), ”Die Another Day” (2002), ”Sin City” (2005) dhe ”Scary Movie 4” (2006).

”Fama është një shpatë me dy tehe”, tha ai në një intervistë, në vitin 2018.

”’Ka shumë bekime, por edhe shumë gjëra të rënda që vijnë me të. Mendoj se ka shumë të bëjë me personazhet që kam luajtur. Mendoj se kam qenë më i besueshëm sesa duhet të kisha qenë. Mendoj se njerëzit më kanë frikë vërtet. Më shohin dhe thonë o zot, ja ku është ai djali!”, shtoi ai.

”Por, unë nuk jam ai djali. Jam thjesht një aktor. Jam baba, kam shtatë fëmijë. Jam i martuar, kam qenë i martuar prej 20 vitesh. Kur nuk bëj film, jam në shtëpi, me pizhame, duke parë ‘The Rifleman’ në TV. Sigurisht që kam pasur ditët e mia plot zhurmë, por herët a vonë duhet ta kalosh këtë dhe të ecësh përpara”, thekson ai.

Madsen u lind në Çikago, më 25 shtator 1957.

Babai i tij, Calvin, ishte zjarrfikës në Departamentin e Zjarrfikësve të Çikagos, dhe nëna e tij, Elaine, ishte autore që fitoi gjithashtu një çmim Emmy në vitin 1983 për prodhimin e dokumentarit “Better Than It Has to Be”, rreth historisë së krijimit të filmave.

Familja e tij u divorcua në vitet 1960.

Ai e filloi karrierën e tij në ”Steppenwolf Theatre Company” në Çikago, ku mësoi nga John Malkovich dhe u shfaq në “Of Mice and Men”.

Në vitin 1982, ai u shfaq në dy episode të “St. Elsewhere” të NBC-së, më pas luajti një polic në “WarGames”, me regji nga John Badham.

Në filmin debutues regjisorial të Tarantinos, “Reservoir Dogs” (1992), Madsen portretizoi rolin ultramizor të Blonde.

”Nuk e kisha takuar kurrë më parë Quentin”, i tha ai ”The Independent”, në një intervistë të vitit 2016./atsh/ KultPlus.com

Çmimet e Tirana Photo Festival 2025, nga Ujëvara e Topojanit në thellësitë e Mesdheut

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi se edicioni i 8-të i Tirana Photo Festival u zhvillua nga 18 deri më 30 qershor në Tiranë, me temën “Mesdheu”, në kuadër të vitit kur Tirana mban titullin Kryeqytet Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.

Mbi 1000 fotografi nga 12 vende mesdhetare aplikuan për festivalin, prej të cilave u përzgjodhën 100 foto individuale dhe 7 seri fotografike që u ekspozuan për dy javë pranë Teatrit të Kukullave.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 24 qershor u vlerësuan: Denis Morina mori çmimin e parë me foton “Vajza me violinë te Ujëvara e Topojanit”;  Florie Cenalia mori çmimin me një imazh të Shqipërisë rurale në një ditë vere.

Për kategorinë e serive fotografike, u nderuan: Radoje Jovanovic (Mali i Zi) për serinë me pamje nga Ulqini; Mehmet Uluyurt, çmimi “Best Author” për fotografitë nënujore nga zemra e Mesdheut; Esmeralda Korini, çmim inkurajues për serinë e saj me produkte mesdhetare si vaji i ullirit, rakia dhe frutat.

Ndërkohë, çmimi për videon më të mirë iu dha Altin Seranit për një video promovuese kushtuar Shqipërisë Mesdhetare.

Ky projekt u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.