Hapet pavijoni i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë në festivalin e Kanës

Kosova dhe Shqipëria kanë hapur sot pavijonin e përbashkët në Marché du Film në Kanë, ngjarjen më të madhe të industrisë së filmit në botë.

Nën organizimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, pavijoni në International Village Riviera (Pavilion 137) do të jetë vendtakimi i producentëve, regjisorëve dhe profesionistëve të industrisë nga të dy vendet, të cilët po përfaqësojnë kinematografinë tonë në nivel ndërkombëtar./KultPlus.com

11 finalistët e garës Hackathon në Korçë

“Korça po rrit një brez të ri krijues dhe vizionar”, u shpreh kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo në rrjetet sociale, në përfundim të garës mes nxënësve korçarë.

200 nxënës nga 5 gjimnazet e qytetit u bënë pjesë e një sfide unike të Korça Innovation Hub, ku sollën zgjidhje të zgjuara për “Transportin e së ardhmes”.

11 grupe u përzgjodhën për qasjen e tyre novatore, të cilët kalojnë në finalen e hackathon-it.

Korça Innovation Hub u mbush me energji, kreativitet dhe ide futuristike. Ky ishte edicioni i dytë që ICT Clubs bashkoi nxënësit e gjimnazeve të Korçës, për sfidën me temë “A mund të mbijetojmë në Mars?”.

A do të udhëtojmë me dronë? Me energji diellore? Apo me ide krejtësisht të reja? Këto ishin disa nga pyetjet që sfida “Transporti i të Ardhmes” ngjalli te 200 nxënësit pjesëmarrës.

11 grupet fituese, të cilët dhanë ide mahnitëse, përfaqësojnë shkollat: Kolegji “Preka”, Kolegji “Platon”, “Themistokli Germenji”, “Raqi Qirinxhi” si dhe Shkolla Profesionale Teknike.

“Korça nuk ka vetëm histori, ka të ardhme”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë në përfundim të kësaj sfide interesante./KultPlus.com

Rrëfimi i Tedi Papavramit për jetën në komunizëm: Habia ime kur vizitova Kosovën

Pas lajmit për një turne në Kosovë ku unë do të marr pjesë, planifikoj të sjell prej andej shumë çamçakëz dhe – më ngazëlluese akoma – të blej një biçikletë si ajo që kam parë në faqet e zhubrosura të një katalogu italian: e kuqe dhe e shndritshme.

Bashkë me pesë muzikantë të rritur, paraqesim një lloj recitali të përzier, ku ndërthuren kanto, violonçel, violinë dhe piano. Pjesa e zezë e turneut është perspektiva e udhëtimeve të gjata me autobus, që më sëmurin gjithmonë. Për të ma lehtësuar kalvarin babai më shoqëron me motorin e tij afër kufirit maqedonas, ku marr autobusin.

Megjithëse më përzihet, kurioziteti për të parë kufirin, skaj mitik i përmendur aq shpesh në shkollë, është i madh. Në sajë të vigjilencës së kufitarëve tanë heroikë ai na mbron nga armiqtë e shumtë që ëndërrojnë ta shkelnin atë për të na pushtuar dhe shthurur. Simbolika është aq e fortë sa qentë ujq të racës së njohur gjermane që përdoren nga policitë e të gjithë botës te ne quhen “qen kufiri” dhe janë shokët e pandarë të kufitarëve tanë, me ndihmën e të cilëve ata përkujdesen për sigurinë tonë. Veç tyre, për t’i bërë ballë kërcënimit të çdokohshëm të pushtuesve të panumërt, është ngritur edhe një barrierë e elektrifikuar prej telash me gjemba, pothuaj e pakapërcyeshme.

Sepse kërcënimi është i dyfishtë. Jo vetëm shumë diversantë përpiqen të hyjnë në vendin tonë me çdo kusht, por, çka është edhe më keq, ca nga tanët përpiqen të ndahen nga ne për t’u bashkuar me trupat e armiqve tanë të betuar. Këta quhen “të arratisur”. Janë njerëz të degjeneruar, të korruptuar nga Perëndimi, gjarpërinj që flenë në gjirin e atdheut tonë të bukur, të ushqyer me qumështin e tij të shenjtë, dhe që – mosmirënjohësit! – ia shpërblejnë duke e kafshuar pabesisht. Si armiqtë e huaj, edhe ata meritojnë plumbin. Dhe për fat të mirë kufitarët dhe qentë e tyre besnikë e kanë syrin pishë. Të arratisurit dhe diversantët kapen gjithmonë dhe asgjësohen. Ky është fati i tyre. I pashmangshëm. Dhe mirë t’iu bëhet.

Nuk më paskan gënjyer: gardhi i lartë prej telash me gjemba duket sikur zgjatet pa fund në të dyja anët e kullës së vrojtimit dhe barrierës që zë rrugën. Një nga ushtarët tanë na sjell pasaportat e kuqe fringo të reja, që na janë dorëzuar me këtë rast disa ditë më parë. Në fakt ai nuk përkon saktësisht me imazhin e kufitarit krenar me dylbi dhe qenin e tij, për të cilin më kanë treguar në shkollë: në një uniformë te zbërdhulët dhe tepër të gjerë për trupin e tij, ai zvarrit këmbët me nge. Por sidoqoftë, automatikun e ka.

Autobusi ynë merr rrugën përsëri, kësaj here fare ngadalë. “No man’s land” thotë njëri nga muzikantët. Më shpjegojnë se kjo zonë nuk i përket as Shqipërisë e as Jugosllavisë. Ky “mosvend” duket goxha i madh dhe unë humbas në hamendësime: nëse “i askujt” do të thotë “i të dyve në të njëjtën kohë”, a ndodhemi tashmë jashtë vendit tonë? Dhe çfarë kombësie kanë gjarpërinjtë, ujqit dhe dhelprat që jetojnë aty? Shpejt mbërrijmë te posta kufitare e huaj. Dalloj uniforma të panjohura, me ngjyra më të errëta se të ushtarëve tanë, ndërkohë që fjalë në një gjuhë të pakuptueshme më kumbojnë në veshë.

Disa çaste më vonë përpiqem të zbuloj gjatë rrugës shenja që tregojnë se nuk jemi më në Shqipëri. Ato nuk vonojnë! Në muzgun që na rrethon kalojmë afër një katundi ku një djalosh anës rrugës mban veshur çizme të verdha: kurrë në jetën time nuk kam parë të tilla! Ndërsa për të me sa duket janë fare të zakonta duke gjykuar nga mënyra si i ka përbaltur.

Njëkohësisht me lodhjen që më kaplon, nata nuk vonon, duke përpirë peizazhet e panjohur, shtëpitë, njerëzit, zakonet e tyre të pakapshme, këto mijëra shembuj të sipëranisë së tyre ndaj nesh që edhe në mes të errësirës dalin befasisht në pah nëpërmjet tabelave të sinjalizimeve rrugore që me ngjyrat e tyre të ndezura, si dordolecë të çmendur, çajnë tek-tuk terrin me një vezullim të huaj.

Të nesërmen, në Prishtinë, kuptoj se do të më duhet të gjej një mënyrë mbrojtje prej dyndjes me informacione të reja dhe magjepsëse, për të shmangur mbingarkesën mendore. Ndërtesa të larta, ashensorë, vetura të të gjitha modeleve në numër të pakufizuar, televizorë me ngjyra, mokete, fruta të panjohura si ananase dhe banane, vitrina, xhinse, modele flokësh, syze dielli, grimime, vëmendja ime tërhiqet çdo çast. Koka më sillet rrotull dhe kam përshtypjen marramendëse sikur kam bërë një kapërcim në kohë – ndjesi e parehatshme ndërkohë që duhet t’i bëj ballë pa u dukur shumë i çoroditur. Në një bar shoqëruesit tanë më ofrojnë një pije me gaz me ngjyrë kafe, në shishe prej qelqi të trashë që duket si e brumosur me dorë.

Mahnitem nga shija e saj karakteristike të cilën më kot do të përpiqem t’ia përshkruaj Albanos kur të kthehem. Unike, përshtypja e Koka-Kolës së parë do të ruhet në një cep të kujtesës sime edhe më mirë se në shishen apo kanoçen e saj. Kurrë më në jetën time nuk do ta ripërjetoj shijen e fërgëllimës avulluese të asaj dite.

Ndërkohë, përditë na shoqërojnë në koncerte, na dëgjojnë, na festojnë. Shqetësimi im më i madh është përzierja e pashmangshme e stomakut shkaktuar nga makina. Besoj me gjithë mend se ky kalvar do të më shoqërojë gjatë gjithë ditëve të jetës sime dhe ngushëllohem duke menduar që për fat të mirë jetoj në një vend ku veturat private janë të ndaluara dhe nuk do të jem i detyruar të ulem shpesh në këto mjete të mallkuara.

Megjithatë bëhem i fortë: perspektiva e blerjes së biçikletës së kuqe më bën të duroj gjithçka, madje edhe të vjellat më të mundimshme. Ëndërroj, ëndërroj për të… Për fat të keq në ëndrrat e mia kam harruar një vogëlimë: çmimi i një biçiklete aq të mrekullueshme e tejkalon disa herë honorarin e pesë ose gjashtë koncerteve, edhe pse ai është jashtëzakonisht i lartë deri sa të lejon të blesh me qindra çamçakëzë. Zhgënjimi im është kaq i madh sa shoqëruesit tanë e vënë re, duket sikur po kërkojnë një ujdi, mund të ketë një zgjidhje mbase, shpresa ringjallet.

Një mëngjes, aeroplanë ushtarakë fluturojnë mbi qiellin e Prishtinës, fare pranë kokave tona, me një potere aq turfulluese sa të hyn deri në palcë dhe të bën të dridhesh si gjethe. Tanket patrullojnë poshtë hotelit, grupe të rinjsh vrapojnë nxitimthi në rrugë dhe gazi lotsjellës hyn deri në dhomat tona. Po atë ditë na hipin me urgjencë në autobus. Pasi kemi kaluar shumë postblloqe dhe u kemi treguar pasaportat ushtarëve që na vërejnë me përbuzje, drejtohemi me shpejtësi drejt kufirit. Pa biçikletën e kuqe.

Revolta e shqiptarëve të Kosovës dhe shtypja serbe kanë ndërprerë në mënyrë brutale turneun tonë dhe suksesin që prindërit e mi shpresonin prej tij. Pavarësisht ekzaltimit tim ndaj zbulimit të modernitetit përtej kufijve, ndihem i lehtësuar nga përfundimi i kësaj përvoje që në fund të fundit përngjante me një ëndërr të keqe. Pjergullat, agrumet, ulliri i kopshtit tonë, më duken shumë më ngushëllues. Aty njoh çdo trung, çdo cep muri, çdo hije të pronës time e cila pjesëtohet në krahina qartësisht të ndara nga njëra-tjetra në mendjen time. Në një skaj ndodhet vendi ku gjenden krimbat më të mëdhenj të tokës, prapa atij ku fshihen breshkat e sjella nga gjuetia, ngjitur me “wc-të e qenve” me jashtëqitjet e fosilizuara nën diell, përtej të cilit nis këndi i surprizave, gjatë murit, ku shpesh më ndodh të gjej, si të rënë nga qielli mbi gjethet e thara që mbulojnë tokën, portofola me dokumente identiteti, letra, fotografi ose kartolina. Unë i kontrolloj imtësisht dhe kundroj fytyrat e panjohura mbi fotografitë bardhë e zi.

Hidhësia dhe pikëllimi i fytyrave të tyre duken sikur reflektojnë enkas vjedhjen viktimë e së cilës kanë rënë. Një ditë i çoj babait një dokument të çuditshëm, me ngjyrë të kuqe flakë, vendosur në një këllëf të hollë lëkure me rrip të gjatë. Ai më thotë që është një “Triskë Partie”. Nuk arrij ta besoj, jam i trallisur që nuk m’i dogji duart. Mësuesja në shkollë na ka shpjeguar se për një komunist nuk ka në botë gjë më të çmuar se ky dokument dhe për ta ruajtur atë duhet sakrifikuar edhe jeta. Shkelja që përbën fakti i thjeshtë i të prekurit të tij më shkakton një marramendje dehëse.

Nga ana tjetër, babai duket më tepër i argëtuar se sa i befasuar nga gjetja ime dhe më këshillon t’i shkruaj një letër pronarit të saj, me një stil prej djaloshi shembullor, ashtu si na mësojnë në shkollë, duke e nënshkruar “Rroftë Partia! Fatos Tedi Papavrami”. E ndiej që ka një nuancë ironie në fjalët e tij, por gjithsesi i bindem. Disa ditë më pas i zoti do të vijë ta marrë sendin e çmuar, me fytyrë të ndriçuar nga mirënjohja. Ai më krijon përshtypjen e beftë sikur të jem shndërruar në një nga fëmijët sypatrembur dhe fisnikë me të cilët janë mbushur revistat që unë vazhdoj të shfletoj – me dëshpërimin e madh të babait – paralelisht me libra më të denjë për vlerësimin e tij. /KultPlus.com

‘Sekreti i jetës, megjithatë, është të biesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë‘

KultPlus ju sjell sot 15 citate të Paulo Coelho mbi dashurinë, jetën dhe miqësinë:

“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur arritjen e një ëndrre: frika nga dështimi.”

“Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë.”

“Dhe, kur ju dëshironi diçka, i gjithë universi punon për t’ju ndihmuar ta arrini atë.”

“Sekreti i jetës, megjithatë, është të biesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë.”

“Cila është gënjeshtra më e madhe në botë?… Është kjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne humbasim kontrollin e asaj që po na ndodh dhe jetët tona kontrollohen nga fati.”

“Dy provat më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me atë që hasim.”

 “Çdo gjë që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më kurrë. Por gjithçka që ndodh dy herë do të ndodhë me siguri për herë të tretë.”

“Nëse e doni dikë, duhet të jeni të përgatitur për ta lënë te lirë.”

“Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që dëshiron.”

 “Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato.”

“Nëse filloni duke premtuar atë që nuk e keni ende, do të humbisni dëshirën tuaj për të punuar për ta arritur atë.”

“Disa gjëra në jetë thjesht duhen përjetuar – dhe nuk shpjegohen kurrë. Dashuria është një gjë e tillë.”

“Kur dashurojmë, ne gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur ne përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi, gjithçka rreth nesh bëhet gjithashtu më e mirë.”

“Është mundësia për të realizuar një ëndërr që e bën jetën interesante.”

“Një është i dashur sepse dikush është i dashur. Nuk nevojitet asnjë arsye për të dashuruar./ KultPlus.com

“Një ëndërr amerikane”, recension për librin me kujtime “Porosia e kullës” nga Pashko R. Camaj

“Më në fund, ishte afirmimi i një ëndrre unike amerikane, një ëndrre që filloi me vendimin tim për t’u larguar nga vendlindja. Me entuziazmin për arritjet, e dija atëherë, siç e di edhe tani, se ëndrrat e mia mund t’i realizoja vetëm në vendin tim të ri. Amerika ime e dashur më ofroi gjithçka nga mundësitë që janë e veçanta e botës amerikane, për të cilat do të jem gjithmonë mirënjohës,” (faqe 215.) – konkludon Pashko R. Camaj në fund të librit të tij me kujtime “Porosia e kullës”.

Shkruan: Driton Gashi

Autori me origjinë nga Tuzi i Malësisë së Madhe ka përmbledhur në këtë vepër ngjarje të vërteta nga jeta e tij me shumë sfida dhe i ofron lexuesit një rrëfim emocionues, por edhe fakte me rëndësi historike dhe shoqërore. Fillimisht i shkruar në gjuhën angleze me titullin “Dreaming from the trunk of an american car” (Ëndrrime nga bagazhi i një veture amerikane) dhe i konceptuar më shumë për lexuesin e huaj, libri është përkthyer në gjuhën shqipe me mjeshtëri të madhe nga vëllai i autorit, Nikollë Camaj.

Në historinë dhe kulturën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, termi “american dream” (ëndrra amerikane) zë një vend të veçantë. Jo rrallë ndeshemi me këtë ide si për shembull në letërsi (në romanin e njohur të shkrimtarit F. Scott Fitzgeralds “Gatsby i madh” të vitit 1925, në romanin “Një tragjedi amerikane” nga Theodore Dreisers të vitit 1925), pastaj në kinematografi (në filmat artistikë si “Na ishte njëherë në Amerikë” të vitit 1984 dhe “Forrest Gump” të vitit 1994), në muzikë (këngët e popullarizuara “Somewhere over the rainbow”, “Believe in yourself”, mjuziklli “West Side Story”) e shumë krijime tjera artistike deri në ditët e sotme.

Por, shtrohet pyetja, nga rrjedh dhe çfarë do të thotë koncepti ose ideja e “ëndrrës amerikane”?

“Ëndrra amerikane” është pjesë e pandashme e identitetit kombëtar amerikan, sipas të cilës çdo qytetar amerikan është i lirë dhe ka mundësinë të jetë i suksesshëm dhe të synojë të ketë një jetë më të mirë. Shkrimtari dhe historiani amerikan James Truslow Adams e analizon më thellësisht këtë term në librin e tij “The Epic of America” në vitin 1931. Adams e përkufizon ëndrrën amerikane si një mundësi për një jetë më të mirë, më të plotë dhe më të pasur për të gjithë, sipas arritjeve dhe aftësive të tyre. Nuk është thjesht një ëndërr e makinave dhe pagave të larta, por një ëndërr e një rendi shoqëror, në të cilin çdo burrë dhe grua mund të arrijnë lartësinë e plotë për të cilën janë natyrshëm të aftë.

Parimet e ëndrrës amerikane kanë zanafillën e tyre në Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1776, e cila thotë se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe kanë një të drejtë të patjetërsueshme për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë.”

Qysh në kapitullin e parë, lexuesi konfrontohet me vështirësitë dhe rreziqet që duhej të përballonin shumë mërgimtarë shqiptarë (por edhe të tjerë), për të arritur në tokën e premtuar. Duke kaluar kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë të paligjshme, i fshehur në bagazhin e një makine bashkë me motrën e tij binjake, Dritën, Camaj përjeton një frikë ekzistenciale, një stres të papërshkrueshëm, një panikë masive:

“Nuk kishim askënd që të na qetësonte ankthet. Drita mund të lexonte gjithmonë shprehjet e mia të fytyrës. Edhe në errësirën e veturës, ku nuk më shihte fytyrën, ndjeu frikën time dhe më tundi si për të më zgjuar. ‘Do të shkojë mirë, mos u shqetëso, mendo pozitivisht’, tha ajo.” (faqe 2.)

Dritës dhe Pashkut u buzëqesh fati në këtë situatë të tensionuar. E kalojnë kufirin dhe arrijnë në shtetin amerikan të Miçiganit, ku së pari vendosen te familjarët e tyre. E pikërisht në këtë fazë të rrëfimit, autori zgjedh të mos vazhdojë më tutje me çapitjet e para në Amerikë, duke i lënë ato për më vonë, por të kthehet në kohë, duke përshkruar me shumë sinqeritet e nostalgji fëmijërinë dhe jetën e thjeshtë në Malësi që e la pas dyzet vite më parë. Një jetë të ndershme në një familje të madhe tradicionale shqiptare, e cila me shumë mund e sakrificë i dilte ballë varfërisë dhe vështirësive tjera të asaj kohe. Mbijetesa në zonat malore të Malit të Zi sigurohej vetëm me punë jashtëzakonisht të rëndë, me kontribut të secilit anëtar, bile edhe të fëmijëve. Pashku dhe fëmijët tjerë i ruanin bagëtitë dhe u ndihmonin prindërve në punët e fushës. Më vonë, me babain e tij, gjatë stinës së verës shisnin pemë e perime në një qytet të vogël në Bosnje e Hercegovinë. Aty fitonin ca para për të lehtësuar sadopak furnizimin e familjes me artikuj elementarë, pasi që për jetë luksoze as që bëhej fjalë asokohe. Për “Çoçon”, siç e quanin me përkëdhelje nëna dhe babai, këto përjetime ishin një aventurë e vërtetë e rinisë së hershme. Me ndjenjën e mirë se i ndihmonte familjes, ai kishte mundësinë të shprehte aftësitë e shumta që posedonte dhe t’i zhvillonte ato më tej. Babai i tij ishte i vetëdijshëm për potencialin e të birit dhe u thoshte me krenari të tjerëve se “Çoço do bëhet njeri i letrave”. Pashku u njoh edhe me një shok vendas, Shekin, i cili poashtu shfrytëzonte pushimet verore për të fituar ca lekë në pazarin e Foçës. Një ditë prej ditësh, djaloshi boshnjak u rrah brutalisht nga një serb, pasi ai i kishte ndihmuar Pashkut për të shitur. Deri atëherë ai kishte qenë ndihmës i shitësve të ardhur nga Serbia, e ata nuk e duronin faktin se ai kishte bashkëpunuar me “shiptarët”, siç i quajnë serbët shqiptarët me një term ofendues. Pashku tmerrohet duke parë këtë dhunë aq jonjerëzore dhe është hera e parë që e përjeton këtë urrejtje masive të serbëve ndaj popujve tjerë në ish-Jugosllavi:

“Tërbimi në sytë e Miloradit ishte diçka e tmerrshme për mua. (…)

Sheki kishte vendosur të më ndihmonte vetëm pse po e paguaja më shumë ose sepse nuk po punonte për Miloradin atë ditë. Në asnjë mënyrë kjo nuk do të duhej të kishte provokuar një reagim kaq të trashë dhe urrejtje. (…)

Në njëfarë mënyre, me arritjen e moshës madhore do të kuptoja se kjo ishte arsyeja që do të më shtynte të largohesha përgjithmonë nga vendlindja.” (faqe 81.)

Ndoshta ky akt i dhunës ishte një ogur i zi, i cili paralajmëronte zhvillime të tmerrshme në të ardhmen e afërme në ish-Jugosllavi. “Jugosllavia do të zhbëhej dhe do të dëshmonte për mizoritë e papara që nga Lufta e Dytë Botërore.” (faqe 81.)

Fatkeqësisht, Pashk Camaj u ballafaqua në shkollë të mesme të mjekësisë në Podgoricë me diskriminim etnik. Një mësues malazez, me të kuptuar se Pashku ishte shqiptar, nuk e trajtonte si nxënësit tjerë dhe i dha notë të dobët në lëndën e anatomisë. Me gjithë faktin se Pashku ishte shembullor, ai e zuri ngushtë me një pyetje dhe e vlerësoi me notë të pamjaftueshme. Ky poshtërim nga ana e mësuesit ishte edhe një tjetër përjetim i rëndë për autorin, gjë që dita-ditës i shuante shpresat për një të ardhme të mirë në vendin e tij. Edhe gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë jugosllave, shqiptarët nga të gjitha trevat në ish-Jugosllavi ishin në shënjestër të eprorëve të tyre, kryesisht serbë. Bile gjatë ushtrimit në gjuajtje me pushkë automatike, eprorët drejtonin tytat e pushkëve drejt ushtarëve shqiptarë, pasi që mbretëronte një mosbesim dhe një urrejtje patologjike ndaj tyre. Pasi edhe konkursi për pranim në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë nuk doli me sukses, meqenëse që atëherë kishte nepotizëm dhe korrupsion, i zhgënjyer dhe i mërzitur, Pashku

dhe motra e tij Drita vendosën që të marrin rrugë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ta provojnë fatin e tyre atje.

Natyrisht se një vendim i tillë nuk ishte fare i lehtë, meqenëse çdo mërgimtar ballafaqohet me ndjenjën e fajit ndaj atdheut dhe familjes që ka lënë pas. Pavarësisht rrethanave jo aq të favorshme në vendlindje, skamjes, rregullave të ashpra të Kanunit të Lek Dukagjinit, traditave të vrazhda patriarkale e shumë dukurive tjera, të cilat autori i përshkruan në rrëfimin e tij pa u munduar t’i zbukurojë ose t’i lë mënjanë, dashuria e pakusht ndaj vendit të të parëve është diçka e shenjtë. Ajo nuk zbehet e nuk harrohet kurrë, edhe pas dyzet viteve në Amerikën e largët. Është një meritë e veçantë e autorit, që këtë ndjesi e përçon te lexuesi që në faqet e para. Duke i shpalosur kujtimet e mira të fëmijërisë në Malësi, afërsinë dhe ngrohtësinë njerëzore, traditat e mira shqiptare, kullën si simbol të qëndresës dhe bashkëjetesës me shekuj të tërë, freskinë e Liqenit të Shkodrës, bukuritë natyrore, aromën e petullave të nënës, të cilat padyshim se shijojnë më mirë se donut-sat amerikanë, lojërat dhe pafajësinë fëmijërore, besa edhe lumturinë e përjetuar atëherë, Camaj merr me vete pothuajse gjithë mërgimtarët shqiptarë kudo që janë dhe flet për të gjithë me gjuhën e zemrës.

Me të arritur në Amerikë, autori i përvishet punës, kthen borxhin e udhëtimit të shtrenjtë nga atdheu për në SHBA dhe dita-ditës ambientohet me kushtet dhe pritshmëritë e shoqërisë amerikane. Gjithmonë modest e pa u ankuar për punën dymbëdhjetëorëshe, e cila e ka përcjellur me vite e dekada të tëra jo vetëm Camajn, por pothuajse gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë, autori përmend me dashamirësi ndihmën e pakusht që i është ofruar dhe solidaritetin e ndërsjellë të shqiptarëve përtej Atlantikut, gjë që ka ndikuar në fuqizimin dhe organizimin si komunitet i respektuar dhe i vlerësuar në një vend shumëkulturor e demokratik. Poashtu nuk duhet harruar kontributi i pashembullt i tyre në lobimin dhe sensibilizimin e politikanëve dhe shoqërisë amerikane për gjendjen e palakmueshme të kombit shqiptar. Ishte kjo punë madhështore e bashkatdhetarëve tanë, e cila së pari mundësoi shpalljen dhe njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por edhe solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga pushtimi dhe terrori serb.

“Porosia e kullës” nuk është thjesht një histori suksesi mërgimtarësh. Është një mozaik kujtimesh të pashlyera, të cilat plotësojnë tablonë e një rrugëtimi aq sfidues e me shumë sakrificë, por edhe mbresëlënës e triumfal. Edhe vetë autori shprehet siç vijon:

“Unë jam pjesë e brezit që kapërceu oqeanet për të ardhur në SHBA dhe për të filluar në jetë të re. Ne i bëmë të gjitha këto duke balancuar të kaluarën me të tashmen dhe më e rëndësishmja, me të nesërmen. Këta breza, pra të parët, të paktën, meritojnë një simpati të madhe.” (…)

“Ndërsa arritjet e mia i shoh si krejt të zakonshme në krahasim me të tjerët, nuk jam i vetmi që i kam arritur ëndrrat e mia në një botë të re dhe sigurisht, nuk jam as i pari e as i mbrami.” (faqe 222.)

Pashko R. Camaj ka arritur gradën më të lartë shkencore si Doktor i Shëndetit Publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëpër cilat vështirësi e sfida kaloi për të korrur këtë sukses aq të madh, e përshkruan me shumë emocion e modesti në rrëfimin e tij, duke ju falënderuar edhe njerëzve në Kosovë, të cilët u bënë pjesë e studimit shkencor në kuadër të temës së disertacionit.

Ky libër me kujtime është një dokument me shumë vlerë, i cili do i shërbejë historiografisë së emigracionit shqiptar në SHBA, por edhe vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri për një të kaluar jo aq të largët të kombit tonë, e cila nuk njihet sa duhet. Vepra të tilla cilësore na nevojiten më shumë, për t’i pasuruar bibliotekat tona gjithandej trojeve

shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare, meqenëse libri në origjinal është shkruar në gjuhën angleze. Nëpërmes tyre, shfaqet një fytyrë e çiltër shqiptare, përçohet një imazh pozitiv dhe dëshmohen vlerat e mirëfillta që padyshim i kemi.

Me librin “Porosia e kullës”, autori Pashko R. Camaj na dhuron një buqetë të bukur letrare, na merr me vete në bukuritë përrallore të Malësisë së Madhe, por edhe në vendin magjik të mundësive të pakufishme përtej oqeanit. Çdo faqe përmban porosi me shumë vlerë, së pari ta duam njëri-tjerin, t’i kujtojmë e t’i respektojmë të parët tanë, të punojmë shumë e të bëhemi pjesë e botës demokratike dhe të qytetëruar./KultPlus.com

Herman Hese: Vetmia është pavarësi

Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të.

Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare. Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota./Konica.al/Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim, një të tretën e veprës. Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.

“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. 

Shumica e njerëzve, pra e gjithë grigja, nuk e kanë shijuar kurrë vetminë. Po, ata shkëputen një herë nga babai dhe nëna, por vetëm për t’u strukur pranë një gruaje dhe për t’u qetësuar sa më shpejt, në një ngrohtësi dhe lidhje të re. Asnjëherë të jenë vetëm, asnjëherë të flasin me veten”.

Në romanet e Herman Heses, ashtu si në jetë, vetëzbulimi eci në një shtegth të ngushtë, midis njohurive të thella dhe solipsizmit. Është i famshëm si “autori i krizës”, në romanet e tij ai i nënshtrohet vetanalizës për të gjetur identitetin. Pa dyshim, edukimi i autorit pati një ndikim të madh, si në farkëtimin e personalitetit, ashtu edhe në stilin letrar. Nobelisti jetoi nëpër krizat e jashtëzakonshme politike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, duke i mbijetuar vështirësive të mëdha personale dhe izolimit social. Ndërsa bota ishte në kaos dhe jeta individuale ishte e kërcënuar nga ideologji të ashpra konfliktuale, ishte pothuajse e pamundur për çdo individ, që të ndiqte një jetë kuptimplote drejt realizimit të vetes.

“Kushdo që dëshiron muzikë në vend të zhurmës, gëzim në vend të kënaqësisë, shpirt në vend të arit, punë krijuese në vend të biznesit, pasion në vend të budallallëkut, nuk gjen vend në këtë botën tonë të vogël”./ KultPlus.com

Tirana, një nga destinacionet urbane me rritjen më të shpejtë në Europë

Tirana renditet si një nga destinacionet urbane me rritjen më të shpejtë në kontinent, duke u përmendur mes qyteteve europiane që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e udhëtarëve ndërkombëtarë.

Raporti vjetor i publikuar së fundi nga Mastercard Economics Institute për vitin 2025 mbi trendet globale të udhëtimeve, thekson një zhvendosje të preferencave të udhëtarëve europianë drejt përvojave më domethënëse të lidhura me mirëqenien, natyrën, aventurën, sportin dhe gastronominë, një tendencë ku Tirana po gjen vend të veçantë.

Raporti vëren se, ky vlerësim për Tiranën është nxitur kryesisht nga rritja e vizitorëve italianë, duke e bërë kryeqytetin shqiptar një nga vendet më tërheqëse për turistët e huaj.

Sipas raportit, kërkesa për udhëtime drejt Tiranës është rritur ndjeshëm në muajt e verës, duke e evidentuar kryeqytetin si një destinacion të spikatur, për pushime verore urbane në Europë.

Tendencat kryesore sipas këtij raporti përfshijnë sportin si nxitës të turizmit; destinacionet më të kërkuara gjatë 2025; udhëtime për mirëqenie; kryeqendrat kulinare; aventurat në natyrë dhe udhëtime biznesi më të rralla, por më të gjata./atsh/KultPlus.com

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”

Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.
Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. 
Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com

“Koncerti”, dramatizim i veprës së Stefan Çapalikut në Teatrin Eksperimental

Një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, do të vijë në datat 16, 17 dhe 18 maj, nën titullin “Koncerti”. Vepra është dramatizimi i romanit të Stefan Çapalikut, “Një engjëll veshë me frak” dhe do të shfaqet në ArTurbina.

Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Aksident? Vetëvrasje? Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky njeri i quajtur Pol Gjakova? Ai ishte kompozitor. Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë, në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?

Këto janë disa nga pyetjet që ngre drama me regji dhe dramatizim të Giacomo Pedini-t. Në dramën “Koncerti” interpretojnë aktorët e mirënjohur Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa e Ismail Shino./atsh/KultPlus.com

‘Mos u frikëso nga madhështia: disa kanë lindur madhështor, disa e arrijnë atë, dhe disave u dhurohet’

Ndoshta dramaturgu, poet e shkrimtar më i miri i të të gjitha kohërave, Shekspiri konsiderohet si ‘Hero’ i Anglisë.

Çfarë ju nuk dini për Shekspirin, është se ai nuk ishte vetëm një shkrimtar por edhe një biznesmen. Ai me partnerët e tij ndërtuan një teatër të quajtur ‘Globi’ dhe investuan në pasuri të patundshme.

Këto investime i fituan atij para dhe kohë, kështu mundej të punonte i qetë në shfaqjet e tij.

Ja ku janë 10 thënie të Shekspirit:

1. “Mos harxho dashurinë në dikë që nuk e vlerëson atë.”

2. “Duaj të gjithë, besoj disa, mos i bëj keq askujt.”

3. “Ferri është bosh, gjithë djajtë janë këtu.”

4. “Mos u frikëso nga madhështia: disa kanë lindur madhështor, disa e arrijnë atë, dhe disave u dhurohet.”

5. “Nuk ka asgjë të mirë ose të keqe, të menduarit e përcakton atë.”

6. “Zoti të ka dhënë një fytyrë, dhe ti i krijon vetës një tjetër.”

7. “Nëse jemi të vërtetë ndaj vetës, nuk mund të jemi falso ndaj askujt tjetër.”

8. “Nuk është në duart e yjeve të mbajnë fatin tonë, por në duart tona.”/KultPlus.com

Revista Forbes: Si Arizona State University po revolucionarizon arsimin e lartë në SHBA – ‘Evoluo ose vdis’, thotë Presidenti Michael Crow

UNI Universum International College  i fuqizuar nga Arizona State University, sjell në Kosovë dhe rajon qasje të avancuara në mësimdhënie, teknologji, dhe mundësi ndërkombëtare për studentët dhe stafin akademik. Ky partneritet i rëndësishëm përforcon misionin e UNI për të ofruar arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të lidhur me zhvillimet globale në edukim.

Në artikullin e fundit të publikuar në Forbes, Michael Crow – presidenti vizionar i Arizona State University – jep një thirrje të fortë dhe provokuese për gjithë sektorin e arsimit të lartë: “Evoluo ose vdis.” Sipas tij, universitetet që nuk përshtaten me sfidat e kohës, teknologjitë e reja dhe kërkesat e ndryshme të studentëve modernë, janë të destinuara të mbeten prapa ose të zhduken.

Crow beson se universitetet duhet të jenë të hapura për të gjithë, jo vetëm për të përzgjedhurit. Ai thekson rëndësinë e përdorimit të teknologjisë, të dhënave dhe qasjeve të reja për të ndihmuar çdo student të ketë sukses. Qasja e tij bazohet në përfshirje, fleksibilitet, dhe ndërtimin e një arsimi që ka ndikim të vërtetë në jetën e njerëzve dhe në shoqëri. Me këtë filozofi, ASU është bërë një model ndërkombëtar i transformimit në arsim – një shembull se si universitetet mund të ndryshojnë për të qenë më të dobishme, më të drejtë dhe më të përgatitura për të ardhmen.

Sot, studentët kërkojnë më shumë sesa thjesht një diplomë. Ata kërkojnë përgatitje për tregun e punës, qasje në teknologji moderne, mundësi për të mësuar online dhe fleksibilitet. Pikërisht këto elemente janë bërë pjesë e përditshme në UNI, falë partneritetit me ASU.

Në UNI, ne po ndërtojmë një përvojë të re studentore. Me platforma digjitale si “Coursera for Campus”, laboratorë të pajisur me teknologji VR për mësimin e anatomisë, dhe mundësi për të ndjekur kurse ndërkombëtare, studentët tanë po mësojnë në mënyra që përputhen me kohën ku jetojmë. Profesorët tanë po trajnohen nga ASU për të sjellë metodat më të mira të mësimdhënies.

Partneriteti me ASU nuk është vetëm një emër – është një mundësi reale për studentët dhe stafin në Kosovë që të kenë qasje në standardet më të larta ndërkombëtare të edukimit. Kjo do të thotë më shumë dije praktike, më shumë mundësi për zhvillim personal dhe profesional, dhe më shumë lidhje me botën.

Siç thotë Michael Crow – nëse nuk ndryshon, rrezikon të mbetesh pas. UNI po ndryshon, po zhvillohet dhe po hap dyert drejt një të ardhmeje më të mirë për arsimin në Kosovë.

TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./KultPlus.com

Qetësi

– Poezi nga Goethe

Përmbi çdo maje mali
Ka qetësi:
Mbi asnjë maje mali
Asgjë s’lëviz,
As pipëtin;
Në pyllin zoqt’ e vegjël po pushojnë:
Prit pak, se shpejt a vone
Gjen qetesi dhe ti./ KultPlus.com

Katër vite pa ikonën e folklorit shqiptar, Ismet Bogujevcin

Ismet Bogujevci është një ndër figurat më të shquara të muzikës dhe folklorit kombëtar, shkruan KultPlus.

Ai ka lindur më 9 prill 1952 në Podujevë. Fillet e karrierës së tij mjaftë të bujshme, ishin në shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë në vitin 1972 në muzikë dhe aktrim pasi në atë kohë kjo shoqëri kulturo-artistike kishte shtrirje paralele në muzikë dhe në aktivitete teatrore.

Drama ‘Halili dhe Hajria’ ishte ngjarja e parë që i mundësoi Bogujevcit të ngjitet në skenë në rolin e Qatipit. Më vonë ai ka vazhduar aktivitetin e tij artistik edhe në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ duke pasur paraqitje në Prishtinë dhe në gjithë rajonin ballkanik.

Nga viti 2000, ai ka punuarsi solist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kurse nga viti 2012 – 2013 ishte në pozitën e UD Drejtor i Ansamblit.

Disa prej këngëve të tij janë: “Kur ta fala një tufë gërshetë”, “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga”, “Bajram Curr o Bajram Curr” etj.

Ai vdiq më 13 maj të vitit 2021./ KultPlus.com

Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetari dhe diplomati i shquar shqiptar

Më 13 maj të vitit 1842 lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni.

Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat, anëtar i Shoqërisë së Stambollit, anëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Misioni më i madh i jetës së tij qe zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare të asaj kohe, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila hapi Kuvendin më 10 qershor 1878 me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nënkryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni.

Fill pas punimeve të Lidhjes së Prizrenit Mehmet Ali Pasha, udhëhoqi së bashku me Abdyl Bej Frashërin, përfaqësinë shqiptare në Kongresin e Berlinit ku kërkuan: bashkimin e katër vilajeteve shqiptare dhe njohjen e tyre si territor autonom nën kuadrin e Perandorisë Osmane; përgatitjen politiko-ushtarake të këtij terrirori shqiptar; sigurimin e përkrahjes për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Më 30 mars 1879 Mehmet Ali Pashë Vrioni së bashku me Abdyl Bej Frashërin u nisën sërish nga Preveza në drejtim të kryeqyteteve kryesore të Evropës për të siguruar përkrahje për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Vdiq në vitin 1895./atsh/KultPlus.com

Shqipëria garon sonte në Eurovision, Rama: Suksese me Beatriçen dhe Kolën nga Shkodra Elektronike

“Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm”, do të performojë sot e teta në gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videoklipin e këngës “Zjerm”, të interpretuar nga artistët e grupit “Shkodra Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, të cilët fituan në dhjetor të 2024-s Festivalin e Këngës në Radio Televizion.

“Suksese Shqipërisë sonte në Eurovision, me Beatriçen dhe Kolën nga Shkodra Elektronike”, shkruan Rama.

Që pas fitores në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH, “Zjerm” është shndërruar në një sensacion, duke u renditur ndër këngët më të ndjekura në YouTube nga të gjitha pjesëmarrëset e Eurovision 2025. Me qindra-mijëra klikime dhe komente nga publiku ndërkombëtar, kënga po fiton përditë terren si një prej pretendentëve për fitues të këtij edicioni.

Performanca skenike e Shkodra Elektronike shquhet për simbolikë të fortë, interpretim të fuqishëm dhe një estetikë që nuk ngjason me asnjë tjetër në garë.

Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet më 15 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 17 maj 2025.

Këtë vit, spektakli më i madh evropian i këngës zhvillohet në Bazel (Zvicër)./atsh/KultPlus.com

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur

I lindur në një familje të shquar dhe të pasur në Athinë, Platoni ia ka kushtuar jetën e tij një qëllimi: të ndihmojë njerëzit të arrijnë atë gjendje që ai e quajti: Eudaimonia. Kjo fjalë greke, pothuajse do të thotë ‘lumturi’, por është me të vërtetë më pranë ‘përmbushjes’.

Idetë e Platonit mbeten thellësisht provokative dhe tërheqëse. Ajo që i bashkon është ambicia dhe idealizmi i tyre. Ai donte që filozofia të ishte një mjet për të na ndihmuar të ndryshojmë botën. Një shembull që mund të vazhdojë të frymëzojë.

Çfarë propozon Platoni për t’i bërë njerëzit më të përmbushur?

Mendoni më shumë

Platoni propozoi që jetët tona shkojnë shpesh herë keq, sepse ne pothuajse kurrë nuk i japim vetes kohë për të menduar me kujdes dhe të logjikojmë mjaftueshëm për planet tona. Kështu përfundojmë duke përqafuar vlerat e gabuara, karrierën e gabuar dhe marrëdhëniet e gabuara. Platoni donte të sillte rregull dhe qartësi në mendjet tona.

Frojdi kishte qejf ta pohonte, në fakt ishte Platoni ishte shpikësi i terapisë, duke këmbëngulur se ne mësojmë t’ia nënshtrojmë të gjitha mendimet dhe ndjenjat arsyes tonë. Ai është përpjekur të shkruajë në mënyrë edhe të përsëritur, por thelbi i filozofisë përmblidhet në komandën: “Njih vetveten”.

Dashuro me më shumë mençuri

Platoni është një nga teoricienët e mëdhenj të marrëdhënieve. Libri i tij, Simpoziumi, është një përpjekje për të shpjeguar se çfarë është dashuria në të vërtetë dashuria.

Rëndësia e bukurisë

Askush para Platonit se kishte bërë pyetjen kyçe: Pse i pëlqejmë ne gjërat e bukura? Ai gjeti një arsye interesante: ne shohim tek ato një pjesë të “mirësisë”.

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur.

1- Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

2 – Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

3- Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

4 – Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

5 – Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

6 – Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

7- Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita

8- Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.

9- Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.

10- Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

11- Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.

12- Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.

13- Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.

14- I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

15- Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.

16- Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.

17- Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.

18- Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

19- Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.

20- Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.

21- Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.

22- Ajo që quajmë mësim është thjesht një proces rikujtimi.

23- Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

24- Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.

25- Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.

26- Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.

27- Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.

28- Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.

29- Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.

30- Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

31- Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

32- Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.

33- Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.

34- Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.

35- Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.

36- Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.

37- Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.

38- Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.

39- Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.

40- Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./KultPlus.com

Gonxhja: 190 mijë vizitorë në sitet e trashëgimisë kulturore që nga janari

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri publike statistikat e vizitorëve të siteve tona kulturore sa i përket periudhës janar-prill 2025.

Prej fillimit të vitit, thesaret tona kulturore janë vizituar nga 190 462 vizitorë. Pjesa më e madhe e tyre duket se kanë preferuar të vizitojnë parqet arkeologjike. Në vend të dytë për nga vizitueshmëria renditen muzetë kombëtarë dhe më pas kalatë dhe monumentet e tjera të kulturës.

82 781 vizitorë në parqet arkeologjike;

73 567 vizitorë në muzetë kombëtarë;

34 114 vizitorë në kala dhe monumente të kulturës.

Krahasuar me vitin 2023, vihet re një rritje prej 86%, dëshmi e interesit në rritje për trashëgiminë kulturore. Ministri Gonxhja, në postimin e tij në rrjetet sociale, kujtoi se, me nisjen e sezonit turistik, oraret janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha destinacionet kulturore./atsh/KultPlus.com

Violinisti i njohur Tedi Papavrami feston 54-vjetorin e lindjes

Tedi Papavrami lindi në Tiranë në 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Më pas studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike, shkruan KultPlus.

Në moshën 8 vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganini-t. Ai ishte shume i talentuar dhe i ati besonte shume te talenti i tij. Ky i fundit ishte i vendosur qe Tedi te behej dikush ne jete Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal.

Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona.

Tedi krahas karrieres se tij si violinist ka perkthyer veprat e Ismail Kadarese pas vdekjes se Jusuf Vrionit ne vitin 2002 dhe luan personazhin kryesor ne filmin Kronike provinciale. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogwood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman, etj. /KultPlus.com

”The Irish Times”: Shqipëria është quajtur Maldivet e Evropës, ​​por ka shumë më tepër në këtë vend magjepsës

Jam në një pazar qilimash në Pazarin e Vjetër në qytetin malor të Krujës në Shqipëri duke blerë një mbulesë tavoline të bukur, të punuar me dorë në stilin tradicional të Shqipërisë dhe një grusht me mbështetëse tavoline të thurura, të gjitha për më pak se 40 euro, shkruan Aoife McElwain për gazetën më të madhe irlandeze ”The Irish Times”.

”Kur nuk negocioj çmimin me burrin dhe gruan që kanë këtë dyqan, ata duken të hutuar. Ata më bëjnë gjeste drejt një tasi plot me hide, një frut që duket si ulli, por me shije molle e përzier me hurmë. I falënderoj dhe marr një; ata tundin kokën dhe hedhin 250 gramë hide në një qese dhe ma japin të gjithën. Ata psherëtijnë të kënaqur, të kënaqur që po largohem me paratë e mia.

Tri gjëra më joshin përsëri në këtë vend magjepsës në Ballkan: historia, ushqimi dhe njerëzit.

Ky është një vend me 2,6 milionë shqiptarë, një përzierje myslimanësh dhe të krishterësh që kanë një histori të gjatë bashkëjetese paqësore. Shqipëria, e njohur edhe si Albania, kufizohet me Greqinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, me një vijë bregdetare që përqafon detin Adriatik në veri dhe detin Jon në jug.

Është ky bregdet jugor që mori rëndësi virale në verën e vitit 2023, kur TikTokeri @thetravelmum e quajti plazhin ishullor të Ksamilit, i arritshëm me traget nga Korfuzi në Greqi, “Maldivet e Evropës”.

Shumë faqe interneti e morën atë dhe papritmas dukej se të gjithë po flisnin për Shqipërinë dhe vijën e saj bregdetare në stilin e Rivierës si destinacionin e ri të Instagram-it.

Por, Shqipëria është shumë më tepër sesa një krahasim me një destinacion tjetër; është  një vend pushimesh për dashamirësit e historisë, kuriozët dhe mendjehapurit.

Janë muralet dhe xhamitë e kryeqytetit, Tiranës; fakti që kryeministri i tyre, Edi Rama, është gjithashtu një artist dhe piktor; qentë endacakë dhe bamirësitë e kafshëve që kujdesen për ta; ecja në Alpet Shqiptare; bluja mbresëlënëse e Rezervuarit të Bovillës; qilimat e punuar me dorë në Pazarin e Vjetër në Krujë; ushqimet e detit në Vlorë; arkitektura e qytetit kodrinor të Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; uji kristalor dhe plazhet me guralecë në Dhërmi dhe byreku, salca e kosit dhe rakia kudo.

Dhe ëmbëlsirat. Oh, ëmbëlsirat.

Shqiptarët janë pushtuar, pushtuar dhe kolonizuar gjatë gjithë historisë, më së shumti nga Perandoria Romake bizantine dhe Perandoria Osmane (për 500 vjet), fashistët italianë dhe nazistët. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, revolucionari komunist Enver Hoxha dhe regjimi i tij komunist thellësisht izolacionist erdhën në pushtet dhe qëndruan atje deri në vdekjen e tij, në vitin 1985.

Gjatë diktaturës së Hoxhës, Shqipëria ishte një shtet i izoluar dhe i mbyllur. Askush nuk hynte, askush nuk dilte. Udhëtimi brenda vendit për shqiptarët ishte i kufizuar dhe njerëzit që flisnin kundër regjimit thjesht eliminoheshin.

Një trashëgimi shumë vizuale e këtij regjimi janë mijëra bunkerët që gjenden të shpërndarë në të gjithë vendin – ata u projektuan për njerëzit për të mbrojtur vendin nga sulmi bërthamor, të cilin Hoxha e ndjente të pashmangshëm. Ai ndërtoi një bunker gjigant sekret nëntokësor për veten e tij, familjen e tij dhe elitën politike. Ndodhet në veri të qendrës së qytetit të Tiranës, tani një muze i quajtur Bunk’Art, i cili është një vizitë e rekomanduar për të kuptuar regjimin, megjithëse kini kujdes – është i frikshëm.

Për një pasqyrë të mirëfilltë të qytetit të Tiranës, mund të merrni një teleferik deri në majë të malit të Dajtit në teleferikun ”Dajti Ekspres” ose vetëm një udhëtim i shkurtër me makinë nga Muzeu Bunk’Art. Kushton 14 euro për person dhe zgjat rreth 15 minuta në çdo drejtim. Në një ditë të kthjellët mund të shihni të gjithë Tiranën dhe deri në vijën bregdetare deri në qytetin port të Durrësit.

Në Turin Falas më Këmbë të Tiranës, të udhëhequr nga guida jonë e re informuese dhe simpatike, Aurora, ne vizitojmë sheshin ”Skënderbej”, Xhaminë e Et’hem Beut, Piramidën, statujën e Nënë Terezës në Katedralen Ortodokse dhe shtëpinë në qendër të qytetit ku jetoi Hoxha. E pyeta Aurorën se si është të jesh një e re në Tiranë; ajo thotë se ndihet e sigurt për të ecur kudo në çdo kohë dhe shqetësohet vetëm nëse do të jetë në gjendje të përballojë qiranë e saj në qytet për shkak të inflacionit të kohëve të fundit.

Përgjatë shtegut të turit më këmbë, kalojmë disa nga bunkerët e Hoxhës dhe një cope të Murit të Berlinit, një dhuratë nga populli gjerman për shqiptarët, që tani ekspozohet në qendër të Tiranës.

“Populli shqiptar është ende i prekur nga ajo që ndodhi gjatë asaj kohe në vendin tonë”, thotë Aurora. “Prindërit e mi nuk ishin pro sistemit dhe ndihen shumë më mirë tani që kanë më shumë mundësi pune, liri zgjedhjeje, liri fjale dhe liri për t’u zhvendosur në qytete të tjera brenda Shqipërisë dhe në vende jashtë Shqipërisë”, shton ajo.

Rruga e vështirë e tranzicionit nga regjimi komunist në demokraci përshkruhet bukur nga akademikja shqiptare Lea Ypi në librin e saj të vitit 2021 “Të lirë”. Lea ishte 10 vjeçe në vitin 1989 kur ra Perdja e Hekurt dhe ajo përshkruan kthesën që iu desh të bënte si vajzë e vogël kur gjithçka që ishte rritur të besonte doli të ishte aspak e vërteta e plotë. Është një libër që duhet lexuar para udhëtimit tuaj.

Nëse nuk keni oreks për historinë, kultura e ushqimit është padyshim e shijshme. Ushqimi, sigurisht, mund të jetë një shprehje krijuese për identitetin kombëtar, dhe shqiptarët e shprehin të tyren përmes një brumi të mrekullueshëm rrethor të mbushur me djathë, spinaq ose mish, i njohur si byrek, një kos të trashë të kripur të quajtur salcë kosi dhe një pije alkoolike frutash që të lë pa fjalë dhe që quhet raki.

Të hash jashtë në restorante dhe kafene është e përballueshme për vendasit dhe është një pjesë e madhe e kulturës dhe një nga gëzimet e vizitës sime.

Në restorantin ”Era” mund të shijoni Shqipërinë dhe Ballkanin.

Gjatë vaktit tonë kemi bukë misri krokante me ajkë dhe djathë dhie; qofte me fëstëkë dhe kos; “Tavë Kosi e Famshme e Elbasanit” (ky është emri i vërtetë i pjatës në menu); një salsiçe pikante të Kosovës dhe pite. Rezervimi është i domosdoshëm ose përgatituni të mbani radhën.

Brooklyn-i global ka mbërritur edhe në Tiranë, me kafene të specializuara në modë si ”Karamel” që po shfaqen, por ka edhe kafene si ”Radio Bar” dhe ”Vena”, që janë padyshim më interesante dhe më të krahasueshme me kafenetë e Berlinit nëse kërkoni një kornizë referimi. Ekziston një skenë diskrete LGBTQ+; ”Radio Bar” dhe ”Bunker 1944” konsiderohen baret më të mira miqësore për homoseksualët në qytet.

Në ”Hana’s Corner Cafe” do të gjeni ëmbëlsirat e famshme me kanellë apo byrek të bërë në shtëpi. Kjo kafene shërben edhe si një hapësirë ​​komunitare që ofron degustime  verërash, lexim poezish dhe takime të përkohshme.

Ne takojmë legjendën vendase Geri, një grua të vogël që bën makaronat dhe byrekët më të mirë të freskët në qytet, sipas vendasve, në dyqanin e saj të pastave të freskëta për të marrë me vete, ”Pasta Fresca” në rrugën ”Komuna e Parisit”. Blini pak lazanjë të freskët për të ngrënë në apartamentin ose hotelin tuaj ose merrni një byrek për ta marrë në shtëpi në bagazhin tuaj të udhëtimit.

Akullorja në ”La Nocciola” është e jashtëzakonshme, por janë ëmbëlsirat në Tiranë ato që vërtet kënaqin, me shumicën e furrave të bukës që qëndrojnë të hapura nga ora 07:00 deri në 23;00. ”Nefeli”, një furrë buke me tre lokacione në qytet, ishte një nga të preferuarat tona; biskotat me fëstëkë, torta e kuqe si prej kadifeje, byrek, torta me portokall dhe bajame dhe trileçe – një ëmbëlsirë me karamel qumështi e famshme në Ballkan – dhe ëmbëlsira dhe sanduiçe të kripura për t’i ngrënë në shtëpi ose për t’i marrë me vete.

Për një udhëtim në bregdet, shkoni në jug. Në Dhërmi, ku vendasit shkojnë për pushimet e tyre verore, do të gjeni plazhe me ujë të kaltër deti, plazhe me guralecë dhe një pamje të Korfuzit nga shezlongu juaj.

Në veri do të gjeni Alpet Shqiptare, të njohura edhe si Bjeshkët e Namuna. Nëse nuk mund të shkoni në Parkun Kombëtar të Thethit për një aventurë të mirëfilltë ecjeje në këmbë, Rezervuari i Bovillës ofron një gllënjkë të peizazhit natyror mahnitës të Shqipërisë. Ky rezervuar i krijuar nga njeriu është pjesë e Parkut Kombëtar të Malit Dajt, dhe ka ture që ju çojnë në fillim të shtegut të shkurtër dhe të njohur, për një aluzion të peizazhit malor që mbretëron mbi Tiranë, pa pasur nevojë të udhëtoni shumë larg kryeqytetit.

Aty pranë, në qytetin e Krujës, ndodhet Pazari i Derexhikut. Ndihet sikur është ndërtuar me porosi për turistët, por është i bukur, dhe vazhdoni të ecni përgjatë rrugës kryesore drejt Xhamisë së Pazarit, e ndërtuar në vitin 1533, dhe dyqani i fundit në të djathtën tuaj, i cili ka një makinë të mirëfilltë endjeje brenda. Merrni me vete një valixhe shtesë për qilimat me madhësi të plotë. Janë mahnitës.

Nëse po kërkoni një vend të njohur për të qëndruar në Tiranë, ”Marriott” dhe ”Radisson” ofrojnë dhoma që fillojnë nga rreth 150 euro për natë ose provoni ”Artistic Tirana Blloku” që të jeni në zonën e Bllokut, plot me kafene, bare dhe dyqane të bukura. ”Ryanair” fluturon nga Dublini në Tiranë, me një ndalesë në Stokholm. Si alternativë, fluturoni për në Luton dhe pastaj nga Lutoni në Tiranë me ”Wizz Air”./KultPlus.com

1 shekull zgjedhje në Shqipëri: Shqiptarët e diasporës votuan edhe në 1921

Më 5 Dhjetor të 1920, qeveria e asaj kohe shpalli ligjin për zgjedhjen e deputetëve në Këshillin Kombëtar sot e njohur si Parlamenti Shqiptar.

“Zgjedhjet e 5 Prillit të vitit 1921, nxorrën parlamentin e parë Shqiptar. 75 deputetë u zgjodhën në Kuvend si përfaqësues të popullit, ku të drejtë vote kishin vetëm meshkujt mbi 20 vjeç. Por si ishte atë kohe formula e votimit?”, raportoi gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.

“Zgjedhjet do të bëheshin siç ishin bërë deri në atë kohë, pra me votim indirekt, ku për çdo 500 veta dilte një zgjedhës i dytë dhe, me anë të zgjedhjeve të dyta, për çdo 12 mijë veta një deputet. Të drejtë vote kishin vetëm meshkujt mbi 20 vjeç dhe që banonin të paktën prej 6 muajsh në vendin e votimit”, tha Enriketa Papa, historian.

Në këtë Rregullore të vitit 1921, që ruhet në Arkivin e Shtetit tregohet mënyra e votimit. Ka 2 mënyra, një i quajtur i fshehtë, dhe tjetri sheshazi, që realizohet me të ngritur të dorës, ose me letra me ngjyrë të bardhë dhe të zezë ku janë emrat e kandidatëve.

Diferencë nga sot ka edhe në moshën për t’u bërë deputet. 121 vite më parë nuk mund të kandidoje nën 30 vjeç.

Historiania Enriketa Papa thotë se faktet historike tregojnë se vota e diasporës nuk është risi, por është praktikuar që në fillesat e parlamentarizmit shqiptar.

“Në parlamentin e ’21-shit Fan Noli ka përfaqësuar diasporën shqiptare “Vatrën”, shqiptarët e Amerikës, ndaj edhe bashkësia e shqiptarëve të Amerikës ka patur në Këshillin Kombëtar përfaqësuesin e tyre. Nuk është hera e parë që Shqiptarët përtej kufirit zyrtar kanë votuar apo kanë zgjedhur direkt deputetin e tyre”, tha ajo.

24 vite më vonë, në 1945 ju njoh e drejta e votës edhe grave, ndërsa në Arkivin e Shtetit ruhen të gjitha botimet që nga legjislatura e parë, faktet historike mbi debatet, dhe garën e fortë mes partive në një kohë kur vendi kishte nevojë për reformim./KultPlus.com

Mjegulli i dashurisë

“Mjegulli i dashurisë” është një ndër poezitë më të bukura kushtuar dashurisë nga poeti i njohur shqiptar Dritëro Agolli. Në këtë poezi lo, autori trajton afërsinë dhe largësinë, të dyja me emocionet e veta në njëlidhje. Largësia nxit mallin, ndërsa afërsia shton emocionet. Të dyja e trembin autorin, edhe pse shprehet vetëm për largësinë se e tremb, kurse për afërsinë shprehet se “i bëhet çark”, pasi afërsia i shton më shumë ndjenjat dhe emocionet.

“Mjegulli i dashurisë”

Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha
një mjegull pus një çmenduri,
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi

dhe ndoshta kjo ish dashuria
e çakërdisur kuturu…
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu. /bota.al/ KultPlus.com

Festivali i Filmit në Kanë, përcaktohen rregullat për kodin e veshjes

Festivali i Filmit në Kanë ka përcaktuar rregulla për kodin e veshjes për të ftuarit e ceremonisë që mbahet të martën.

Gjatë viteve të fundit, kjo ngjarje madhështore, e mbushur me yje, ka tërhequr ndoshta më shumë vëmendje për veshjet e të ftuarve të famshëm sesa për filmat që shfaqen në bulevardin Croisette.

Por këtë vit do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për zhveshjen, të hartuara “në emër të mirësjelljes”, kur regjisoreja franceze Amélie Bonnin të hapë ceremoninë me filmin “Leave One Day”.

Sipas organizatorëve, ky veprim i rreptë është një përpjekje për të frenuar trendin e famshëm të të famshmeve për të veshur “fustane të zhveshur” – domethënë veshje provokuese që zbulojnë shumë më tepër sesa fshehin – në tapetin e kuq.

“Nga arsye mirësjelljeje, zhveshja është e ndaluar në tapetin e kuq, si dhe në çdo zonë tjetër të festivalit”, thuhet në një dokument zyrtar të Festivalit të Cannes.

“Ekipet pritëse të festivalit do të jenë të detyruara të ndalojnë hyrjen në tapetin e kuq për këdo që nuk respekton këto rregulla”.

Kjo politikë e re dhe e papritur është pjesë e një udhëzuesi të ri për pjesëmarrësit në festival – i publikuar bashkë me një sërë rregullash që përcaktojnë sjelljen e pritur në publik.

Të ftuarit pritet të mblidhen në Grand Auditorium Louis Lumière për shfaqjet më të profilizuara të filmave gjatë një jave të mbushur me ngjarje në Kanë.

Kuptohet se ky ambient ikonik tashmë ndjek një kod veshjeje më konservatore, ku preferohen kostumet, xhaketat dhe fustanet e gjata në vend të veshjeve provokuese që bëjnë bujë në media./KultPlus.com

‘Oh se dy sytë m’i kanë verbue, m’i kanë verbue moj kaçurrelat e tu’ (VIDEO)

Shumë nga ata që e kanë dëgjuar këngën “Kaçurrelat”, e kanë përcjellur me mall, nostalgji e madje dhe dhimbje, e cila vjen edhe më e fuqishme kur dihet se kjo këngë buron nga kompozitori shkodran Gac Çun e ka marrë rrjedhën e krijimit derisa ai po qëndronte në burg gjatë kohës së komunizmit, shkruan KultPlus.

Që nga lirimi nga burgimi i kompozitorit Gac Çuni, kënga nuk ka trevë shqiptare që nuk ka udhëtuar, duke e bërë të afërt me publikun e duke ngjallur emocione të forta që kanë zanafillën në një dashuri platonike, që shkon në përshkrimin e himnizimin e pamjes së personit më të dashur.

Një interpretim të rrallë të kësaj këngë e ka sjellë Frederik Ndoci me Alisa Barakun, duke e bërë mesazhin e këngës së tij lehtë të depërtueshëm me një saktësi muzikore mes dy zërave që vijnë si dialog./ KultPlus.com

Zuckerberg thotë se Inteligjenca Artificiale së shpejti mund të bëjë punën e disa inxhinierëve në Meta

Mark Zuckerberg tha se themeluesit dhe sipërmarrësit e sotëm duhet të përfitojnë nga teknologjia që ai nuk mundi kur ndërtonte Facebook dy dekada më parë.

“Nëse do të fillonit çfarëdo që po filloni 20 vjet më parë, do të duhej të kishit ndërtuar të gjitha këto gjëra të ndryshme brenda kompanisë suaj, dhe tani ka platforma të shkëlqyera për ta bërë këtë”, ka thënë CEO i Meta në një konferencë javën e kaluar.

Zuckerberg thotë se përdorimi i teknologjive si IA mund t’i ndihmojë themeluesit e sotëm “të përqendrohen në idenë kryesore” të një kompanie.

“Mendoj se kjo do të çojë në gjëra me cilësi shumë më të mirë që krijohen në të gjithë botën, sepse tani po jeni në gjendje të keni këto, si, ekipe shumë të vogla me talente që janë, si, të apasionuara pas një ideje”, tha Zuckerberg.

“Ndoshta në vitin 2025, ne në Meta, si dhe kompanitë e tjera që në thelb po punojnë në këtë, do të kemi një IA që mund të jetë në mënyrë efektive një lloj inxhinieri i nivelit të mesëm që keni në kompaninë tuaj që mund të shkruajë kod”, ka thënë ai./KultPlus.com