Biblioteka Kombëtare zgjat orarin e punës gjatë sezonës së verës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka njoftuar se gjatë muajit korrik dhe gusht do t’i ketë dyert e hapura për mërgimtarët që vizitojnë atdheun. Sipas BKK-së do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore dhe vizita të organizuara për të gjithë mërgimtarët e interesuar.

“Na vizitoni dhe bashkohuni në aktivitete kulturore, vizita të organizuara në hapësirat e bibliotekës, bibliotekën personale të Hasan e Esad Mekulit, të Adem Demaçit dhe Fehmi Aganit”, thuhet në njoftimin e BKK.

Përmes këtij njoftimi, poashtu është bërë e ditur së gjatë këtyre dy muajve është zgjatur orari i punës deri në orën 21:00./ KultPlus.com

Restaurohet filmi i vitit 1979 ‘Liri a vdekje’

Filmi “Liri a vdekje” është projekti i radhës i restaurimit realizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me mbështetjen e programit “Sezoni i Filmave Klasikë” të ACE – Association des Cinémathèques Européennes.

“Liri a vdekje” është prodhim i vitit 1979 dhe mban firmën e dy regjisorëve Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro. AQSHF bën të ditur se tashmë restaurimi ka përfunduar dhe premiera do të shfaqet në kuadër të Tirana International Film Festival, i cili zhvillohet nga 21-27 shtator 2025.

Ky film është një tjetër vepër e shpëtuar falë restaurimit, siç duket edhe në pamjet krahasuese, që AQSHF ofron paraprakisht. Nga pamjet duket qartë dallimi mes negativit të dekoloruar dhe rezultatit përfundimtar të imazhit të restauruar me teknika të përparuara digjitale.

Restaurimi u krye në laboratorin e Augustus Color, Romë, pas skanimit 4K në studion e AQSHF-së të elementeve filmikë të figurës dhe zërit. /atsh/ KultPlus.com

Ansambli Vokal i ‘ReMusica’ me koncert në Holandë, merr pjesë në Festivalin më të madh Evropian të Muzikës Klasike në natyrë

Ansambli Vokal i Festivalit ReMusica – ReVocal Ensemble do të prezantohet me koncert në Holandë, në kuadër të Festivalit  më të madh Evropian te muzikës klasike në natyrë “Wonderfeel” 2025.

Pas paraqitjeve jashtëzakonisht të suksesshme në festivalet evropiane si « La Semaine du Son » në Belgjikë, Himara International Festival, koncertit në Dusseldorf, ReVocal Ensemble, me dirigjentin Rafet Rudi, do të japin koncertin e tyre para audiencës holandeze, në festivalin më të madh Evropian te muzikës klasike në natyrë, me mbi 100 shfaqje nga më shumë se 500 muzikantë, dhe rreth 10,000 vizitorë gjatë 3 ditëve.

Programi përfshien vepra të zgjedhura nga autorët tanë dhe repertoar botëror bashkëkohor.

Përveç ReVocal Ensemble dhe dirigjentit Rafet Rudi, në këtë festival do të marrin pjesë artistë të shquar si Jeanine de Bique, Petrit Ceku, Radio Philharmonic Orchestra, Julien Libeer, Ragazze Quartet, Papandopulo Saxophone Quartet, Amira Medunjanin Quartet dhe shumë emra të tjerë të njohur ndërkombëtarisht.

Koncerti është pjesë e Festivalit Wonderfeel ku fokus këtë vit ka muziken dhe artistët nga Balkani – program i kuruar nga Donika Rudi, kompozitore dhe drejtoreshë e Festivalit ReMusica, Margareta Ferek Petric, kompozitorja dhe ish drejtoresha e Festivalit Music Zagreb Biennale dhe Haris Pasovic, drejtor i Festivalit Sarajevo Fest – Arts and Politics.

Anëtarët e Ansamblit ReVocal:
Elona Sadiku, Kaltrina Miftari & Shkurta Hykaj Rexhepi – soprano, Andra Rexhepi & Diellza Sylejmani – alt, Safet Berisha – kontrartenor,  Fatjon Gashi & Rizah Jahaj – tenor , Shaban Behramaj – bariton,  Nikoll Gjini – bas./ KultPlus.com


Kryeministri Kurti pas takimit me Presidenten Osmanin: T’i japim shans konsensusit

Kryeministri në detyrë, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit rreth dy orësh me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se do të bëjnë çmos për konstituimin e kuvendit brenda periudhës së paraparë 30 ditore nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë në mënyrë që më pastaj të kalojmë tek formimi i qeverisë së re që i përgjigjet kuvendit të ri te Republikës. Diskutuam gjerë e gjatë. I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike, e mbase në fund mund të shohim nëse kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve tjera dhe në fund të shohim se cili progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, ka thënë Kurti.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i obligoi deputetët ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditësh. 

Shënohet 35 vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të 1990

Shoqata e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë me një tryezë tematike ka shënuar 35 vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës.

Iliriana Pylla

Shumë ish-delegatë pjesëmarrës në ngjarjen historike prezentë në këtë aktivitet mes emocionesh të përziera u shprehën se, në atë ditë historike, Kosova ishte shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme.

Ruzhdi Bakalli ish-delegat mes tjerash ka thënë se, Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënonte hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

“Akademia e Shkenacve të Kosovës sqaronte se, mund të aprovohej një deklaratë kushtetuese pa qenë nevoja të ndryshohej kushtetuta. Ky qëndrim na dha guxim neve delegatëve sepse askush nga ne nuk e dinim se mund të shpallej një deklaratë e tillë pa ndryshime kushtetuese”, ka thënë ai.

Ish-delegati dr. Gëzim Lipoveci ka theksuar se Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë delegatët e Kuvendit të Kosovës.

“Një numër i madh i intelektualëve shqiptar, kishin nënshkruar një apel i njohur si apeli i 215 intelektualëve me të cilin kundërshtonin ndryshimet e paralajmëruara të kushtetutës në dëm të Kosovës e të shqiptarëve. Me atë rast u keqtrajtuan, u torturuan e u izoluan të gjithë ata intelektualë të cilët u burgosën në burgje anë e kënd Serbisë”, u shpreh ai mes tjerash.

Leximin e Deklaratës së 2 korrikut e ka bërë delegati Muharrem Shabani i cili në fjalën e tij theksoi se Deklarata shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave. 

“Si protagonist i drejtpërdrejt me të gjitha sakrificat e mundshme që mund të ndodhnin, nuk hezituam të jemi në Prishtinë. Ato ditë ne përjetuam edhe maltretime e kërcënime nga organet e punëve të brendshme, nga policia. Por, përkundër asaj ishim që kjo të mbahet dhe të qëndrojmë në Prishtinë”, ka thënë Shabani.

Kjo deklaratë i parapriu Kushtetutës së Kosovë e miratuar më 7 shtator 1990 në Kaçanik. 

Ish-delegati Fehmi Nallbani ka folur për ndikimin që kishte në popullatë Deklarata unanime e delegatëve shqiptar.

“Ky akt solemn politik u shpall në një kohë kur regjimi serb kishte suprimuar me dhunë autonominë kushtetuese të Kosovës. Ndërsa institucionet legjitime të Krahinës ndodheshin përballë një fushate të organizuar të shkatërrimit dhe zhbërjes. Në këtë kontekst represiv deputetët shqiptar të legjislaturës 1989 deri në maj 1992 pas mbledhjeve të gjata dhe të tensionuara e shpesh herë të ndërprera me obstruksione e presione politike morën një vendim historik, të shpallin Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990”, ka thënë mes tjerash Nallbani.

Kryetari i Kuvendit të atëhershëm Iliaz Ramajli tha se deklarata e 2 korrikut është një akt shumë i rëndësishëm juridik e historik.

“Deklarata e kushtetuese e 2 korrikut përbën një nga momentet më të rëndësishme historisë juridike dhe politike të Kosovës. E miratuar nga Kuvendi i Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme të shtypjes juridike, politike, kulturore e fizike nga regjimi serb. Kjo deklaratë është themel juridik dhe politik i aspiratës së popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi”, tha mes tjerash Ramajli.

Kryetari i Shoqtës së Intelektualëve “Jakova”, prof dr. Ruzhdi Sefa pasi falënderoi ish delegatët për pjesëmarrje dhe prezantim të kumtesave të tyre, ndau mirënjohje në shenjë falënderimi për punën e pa kompromis që kanë bërë në ato vite dhe për rëndësinë e madhe historike të atyre ngjarjeve.

Më 2 korrik 1990, ligjvënës të kuvendit gjykuan se shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi serb. Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata e 2 korrikut e shpalli Kosovën njësi të barabartë të Federatës Jugosllave dhe u hapi rrugë veprimeve të mëtutjeshëm me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i shtetit të pavarur të Kosovës./ KultPlus.com

Sunny Hill Festival prezanton opsione të ndryshme për blerje të biletave 

Zbuloni fleksibilitetin e opsioneve të pagesës së biletës për Sunny Hill Festival këtë verë dhe merrni biletën tuaj për njërin ndër festivalet më të mëdha të muzikës në Evropë

Prishtinë, 2 qershor – Biletat për Sunny Hill Festival 2025 tani mund t’i siguroni në mënyrën që juve ju përshtatet më shumë – blerje prej 10 deri në 12 këste, blerje online, fizikisht apo edhe në pako me akomodim. Kështu nuk do të humbisni edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival që premton të jetë më i madhi ndonjëherë, duke sjellë yjet më ikonike botërore dhe artsitët më të dashur vendor.

Prej 1 deri më 3 gusht, në dy skenat gjigante te festivalit, me të mëdhat ndonjëherë do të perfomojnë emra të mëdhenj mes tyre: Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, dhe Mochakk. 

Por lista e artistëve nuk mbaron me kaq. Mes artistëve që do të performojnë janë edhe Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté, Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, TSHA dhe Mygal B2B Edgar Kerri. Lista pasurohet edhe më shumë nga artistët vendor si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina, dhe Zwada. 

Për të lehtësuar blerjen e biletës – veçanërisht tek të rinjtë, organizatorët kanë vënë në dispozicion këto opsione pagese. 

  1. Festtix – Bli biletën online, me pagesë të plotë ose në 10 këste mujore: ticketing.festtix.co.uk 
  2. Sunny Hill Travel – Një opsion i mirë për ata që duan të kombinojnë biletën me udhëtimin: sunnyhilltravel.com  
  1. IPKO – Nëse ke pakon Infinit, mund të paguash biletën në 12 këste në një nga dyqanet e IPKO  
  2. Fizikisht tek Rave Travel: rave-travel.com 
  3. Enter Events – Për të gjithë ata që ndodhen në Shqipëri: enterevents.al 
  4. Passo – Biletat për të gjithë ata që vijnë nga Turqia: passo.com.tr

Bëhuni pjesë e festivalit që renditet në mesin e 10 më të mirëve në Evropë dhe njëri ndër 25 festivalet më të mira të vitit (sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve ESNS), të cilat nuk duhet humbur. / KultPlus.com

Ernest Hemingway, shkrimtari amerikan që e përjetësoi novelën ‘Plaku dhe deti’

Ernest Hemingway ishte novelist amerikan, shkrimtar i historive të shkurtëra dhe gazetar. I përket shkrimtarëve të periudhës klasike të letërsisë amerikane. Ernest Hemingway në profilin e tij shkrimtaresk përfaqëson në menyrë të shkëlqyer realizmin letrar në SHBA. Stili i tij ekonomik dhe i nënvlerësuar kishte një ndikim të fortë në fiksion, shkruan KultPlus.

I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Heminguej vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Heminguejit janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore.

Hemingway u rrit në Oak Park, Illinois. Pas shkollës së mesme, ai raportoi për disa muaj për “The Kansas City Star”, përpara se të nisej për Frontin Italian për t’u regjistruar me shoferët e ambulancës së Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918, ai u plagos rëndë dhe u kthye në shtëpi. Përvojat e tij të kohës së luftës formuan bazën për romanin e tij “Një lamtumirë për armët” (1929).

Në vitin 1921, ai u martua me Hadley Richardson, e para nga katër bashkëshortet e tij. Çifti u zhvendos në Paris, ku punoi si korrespondent i huaj dhe ra nën ndikimin e shkrimtarëve dhe artistëve modernistë të komunitetit të emigrantëve të viteve 1920 “Lost Generation”. Ai botoi romanin e tij debutues, The Sun Also Rises, në vitin 1926. Pas divorcit të tij nga Richardson në vitin 1927, Hemingway u martua me Pauline Pfeiffer; ata u divorcuan pasi u kthye nga Lufta Civile Spanjolle, ku ai kishte qenë gazetar, dhe pas së cilës ai shkroi From Whom the Bell Tolls (1940). Martha Gellhorn u bë gruaja e tij e tretë në vitin 1940; ata u ndanë kur u takua me Mary Welsh në Londër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte i pranishëm në ulje të Normandisë dhe çlirimin e Parisit.

Menjëherë pas botimit të Plaku dhe Deti (1952), Hemingway shkoi për safari në Afrikë, ku ai u vra pothuajse në dy rrëzime të njëpasnjëshme të aeroplanëve që e lanë me dhembje dhe të sëmurë për pjesën më të madhe të jetës së tij të mbetur. Hemingway mbante banesa të përhershme në Key West, Florida, (1930) dhe Kubë (1940 dhe 1950), dhe në vitin 1959 bleu një shtëpi në Ketchum, Idaho, ku ai vrau veten në mes të vitit 1961

Ai lindi me 21 Korrik 1899 dhe vdiq me 2 Korrik 1961 . /KultPlus.com

Presidentja Osmani: 2 Korriku, dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 2 Korrikun e vitit 1990, një ndër datat më të rëndësishme të historisë së vendit.

Presidentja Osmani ka thënë së 2 Korriku i vitit 1990, ishte dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës.

“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë

Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë.

Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.

Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

35 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut

Sot bëhen 35 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave. / KultPlus.com

Vila e Karl Lagerfeld shitet për gati 5 milionë euro

Ish-vila e ikonës së modës Karl Lagerfeld, i cili vdiq në vitin 2019, u shit në ankand të martën për gati 5 milionë euro (5.88 milionë dollarë).

Prona ndodhet në fshatin francez Louveciennes, rreth 20 kilometra në perëndim të Parisit. Ka rreth 600 metra katrorë hapësirë ​​jetese dhe tokë të gjerë me një pishinë, një fushë tenisi dhe disa ndërtesa ndihmëse.

Prona u shit për 4.68 milionë euro – vetëm 50,000 euro mbi çmimin e parashikuar, sipas Dhomës së Noterëve.

Blerja nuk është ende përfundimtare, pasi ofertat më të larta mund të pranohen ende për 10 ditë.

Avokatët përgjegjës për shitjen e pronës kishin përmendur një vlerë të parashikuar prej 4.64 milionë eurosh (5.47 milionë dollarë) para shitjes.

Lagerfeld e bleu ish-shtëpizën e gjuetisë në vitin 2014 dhe e rinovoi atë me shumë vëmendje ndaj detajeve gjatë një periudhe prej katër vitesh. Thuhet se ai ka kaluar vetëm një natë atje.

Në vitin 2024, apartamenti i Lagerfeld në Paris u shit në ankand. Brenda vetëm 19 minutash, apartamenti prej 260 metrash katrorë, fillimisht i vlerësuar me 5.3 milionë euro, ndërroi pronarë për dyfishin e kësaj shume. 

Java Kulturore Egjiptiane, 8–12 korrik në Tiranë

Nga data 8 deri më 12 korrik, Tirana do të mirëpresë “Javën Kulturore Egjiptiane”, një aktivitet që synon të afrojë më shumë publikun shqiptar me trashëgiminë e pasur të qytetërimit egjiptian.

Gjatë këtyre ditëve, do të organizohen aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe kulinare, përmes të cilave do të prezantohet historia, arti, muzika dhe traditat e një prej qytetërimeve më të lashta në botë.

Java Kulturore Egjiptiane është konceptuar si një urë e rëndësishme bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes dy kulturave, duke ofruar një përvojë unike për të gjithë vizitorët. Në qendër të këtij organizimi do të jenë prezantime mbi historinë faraonike, ekspozita, koncerte, degustime të kuzhinës tradicionale egjiptiane dhe aktivitete interaktive për publikun.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të javëve kulturore ndërkombëtare, një nismë që promovon dialogun mes kulturave nëpërmjet artit dhe trashëgimisë./atsh/KultPlus.com

Filmi ‘Formula 1, The Movie’ shënon sukses me shitjen e biletave

Filmi plot energji për garat, “F1: The Movie”, arriti majat e renditjes në biletaritë këtë fundjavë.

Filmi, ku luan Brad Pitt si një garues i Formula 1 që kthehet në pistë pas një aksidenti që gati i dha fund karrierës, solli 55.6 milionë dollarë nga shitjet e biletave në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Ky numër tejkaloi parashikimin e The Boxoffice Company për të ardhurat vendase, që ishin parashikuar mes 45 dhe 55 milionë dollarësh para fundjavës.

Më i suksesshmi i këtij zhanri, filmi i vlerësuar gjerësisht “Ford v. Ferrari”, u hap me një shumë modeste prej 31 milionë dollarësh në nëntor të vitit 2019.

Një përjashtim i dukshëm është seriali aksion “Fast & Furious”, që u zgjerua përtej rrënjëve të tij në garat në rrugë, duke përfshirë grabitje, spiunazh dhe një goditje të pamundur në hënë.

“F1” kishte disa faktorë që peshonin në favor të tij. Regjisori i filmit, Joseph Kosinski, solli të njëjtin trajtim kinematografik me intensitet të lartë të garave të Formula 1, ashtu siç bëri me sekuencat e avionëve luftarakë në filmin e tij të vitit 2022, “Top Gun: Maverick”./KultPlus.com

Kadare: Dëgjo… është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve

Dhjetë thënie të Ismail Kadaresë 

Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë.

Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

Njeriu në jetë ka nevojë për 1 filxhan shkencë, 1 shishe kujdes, dhe 1 oqean durim.

Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave./KultPlus.com 

64 vjet nga lindja e princeshës Diana

Më 1 korrik të vitit 1961, në Sandringham të Anglisë, lindi një vajzë që më vonë do të fitonte zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën: Diana Frances Spencer, e njohur më pas si Princesha Diana. E lindur në një familje aristokrate angleze, ajo ishte e katërta nga pesë fëmijët e John Spencer, vikonti i Althorp, dhe Frances Roche, transmeton KultPlus.

Jeta e saj ndryshoi përgjithmonë kur, në vitin 1981, ajo u martua me princin Charles, trashëgimtarin e fronit britanik. Martesa e tyre u transmetua në mbarë botën dhe u ndoq nga mbi 750 milionë njerëz. Diana u bë menjëherë një figurë publike e dashur, falë natyrës së saj të butë, thjeshtësisë, dhe ndjeshmërisë së veçantë për njerëzit në nevojë.

Gjatë viteve si princeshë, Diana u shqua për angazhimin e saj në çështje humanitare. Ajo thyen tabu të shumta, duke përqafuar të sëmurët me HIV/AIDS në një kohë kur stigma ishte e madhe, duke mbështetur të pastrehët, dhe duke ngritur zërin për çminimin e tokave me mina në vendet e shkatërruara nga lufta. Ajo nuk ishte vetëm një ikonë mode, por edhe një zë i fuqishëm për ata që nuk kishin zë.

Megjithatë, jeta personale e Dianës nuk ishte pa vështirësi. Martesa me princin Charles u përshkua nga sfida të mëdha, dhe më në fund përfundoi me divorc në vitin 1996. Pavarësisht gjithçkaje, Diana mbeti e përkushtuar ndaj dy djemve të saj, princit William dhe princit Harry, të cilët ajo i rriti me një ndjenjë të thellë njerëzore dhe dashurie.

Fatkeqësisht, më 31 gusht 1997, Diana humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Paris, duke tronditur të gjithë botën. Vdekja e saj shkaktoi një valë të madhe dhimbjeje dhe reflektimi në mbarë globin.

Sot, në përvjetorin e lindjes së saj, ne kujtojmë jo vetëm një princeshë, por një grua që sfidoi rregullat e pallateve mbretërore për të qenë më pranë njerëzve. Diana vazhdon të jetë një simbol i dashurisë, humanizmit dhe kurajës. Ajo ishte dhe do të mbetet përjetë “Princesha e Zemrave”./KultPlus.com

Lamtumira e vonuar e Dostojevskit për George Sand, ‘krijuesen që ndezi pasionin në etjen shpirtërore për përsosmëri dhe dëlirësi’

Më 8 qershor 1876, romancierja, dramaturgia, kritikia letrare dhe aktivistja e zjarrtë e çështjeve sociale dhe politike, e madhja, Amantine-Lucile-Aurore Dupin, e njohur si George Sand, mori frymën e saj të fundit pesë javë para ditëlindjes së saj të shtatëdhjetë e dytë. Gjatë karrierës së gjatë dhe të begatuar krijuese, ajo kishte prekur miliona lexues dhe kishte ndikuar breza të tërë shkrimtarësh. Midis tyre ishte edhe autori i dashur rus Fjodor Dostojevski, një djalë i ri në kohën e debutimit letrar të Sandit, i cili kishte formësuar thellësisht ndjeshmërinë e tij si shkrimtar.

Kur lexoi për vdekjen e Sand në gazetë, Dostojevski u nxit për të shkruar një nga lavdërimet më të ngrohta në historinë e letërsisë, në të njëjtin nivel me kujtimin e Borges nga Susan Sontag dhe Robert Frost nga JFK . Më në fund u përfshi në “Ditarin i një shkrimtari”, i njëjti koleksion i mrekullueshëm që na dha Dostojevskit se pse nuk ka njerëz të këqij dhe arritjen e tij në kuptimin e jetës në ëndërr.

Me qëllimin “thjesht për t’i thënë disa fjalë lamtumire të ndjerës në varrin e saj të freskët”, Dostojevski ankohet që numri më i fundit i periodikut të tij kishte dalë në shtyp pak para njoftimit të vdekjes së Sand:

Nuk pata kohë të them as edhe një fjalë për këtë vdekje. E megjithatë, vetëm pasi kisha lexuar për të, kuptova se çfarë do të thotë ai emër në jetën time; sa kënaqësi, sa nderime më ka ngjallur në atë kohë kjo poeteshë dhe sa gëzime, sa lumturi më ka dhënë! Unë po i hedh poshtë të gjitha këto fjalë pa hezitim, sepse ky ishte fjalë për fjalë rasti, shkruan ai në “Ditarin i një shkrimtari”.

Duke pasur parasysh idealizmin e Sand-it si një “shërbim që i bëhet njerëzimit në tërësi”, Dostojevski konsideron se sa shumë të tjerë u prekën nga puna dhe shpirti i saj po aq sa ai:

Imagjinoj se, ashtu si unë, atëherë një djalë i ri, të gjithëve në ato ditë u bëri përshtypje pastërtia sublime e personazheve dhe idealeve të Sand, dhe sharmi modest i tonit të rreptë e të rezervuar të rrëfimit – dhe një grua e tillë që vesh pantallona dhe përfshihet zjarmshëm në dëfrime!

Duke vënë në dukje se Sand u bë më e popullarizuar me publikun rus sesa edhe Dikensi, Dostojevski – i cili kishte shërbyer tetë vjet në një kamp burgu siberian për leximin e librave të ndaluar – e konsideron joshjen e saj të veçantë për frymën kombëtare në një kohë despotizmi të ashpër ideologjik në Rusi, kësisoj ai shkruan:

Lexuesi arriti të nxirrte edhe nga romanet gjithçka nga e cila ruhej… George Sand ishte një nga përfaqësuesit më të shkëlqyera, më të ashpër dhe më të drejtë të asaj kategorie të njerëzve të rinj perëndimor bashkëkohorë, të cilët, kur u shfaqën, filluan me një mohim të drejtpërdrejtë në ato ofrime “pozitive” që përfunduan aktivitetet e revolucionit gjakatar francez – më saktë, evropian – të fundit të shekullit të kaluar.

Puna e Sand-it, argumenton ai, dëshmoi idenë se “rinovimi i njerëzimit duhet të jetë radikal dhe social” dhe ishte një element qendror jo vetëm i emancipimit të grave, por i lëvizjes më të gjerë socialiste drejt lirisë. Dostojevski shkruan: Predikimet e saj nuk kufizoheshin në asnjë mënyrë vetëm për gruan… George Sand i përkiste të gjithë lëvizjes dhe jo thjesht predikimeve të të drejtave të grave. Vërtetë, duke qenë një grua vetë, ajo natyrisht preferoi të portretizonte heroina në vend të heronjve, dhe, natyrisht, gratë e gjithë botës tani duhet të vendosin shenja zie në kujtesën e saj, sepse një nga përfaqësueset e tyre më të larta dhe më të bukura ka ndërruar jetë, dhe Përveç kësaj, një grua pothuajse e paprecedentë për shkak të fuqisë së mendjes dhe talentit të saj – një emër që është bërë historik dhe që është i destinuar të mos harrohet…

Në një ndjenjë trefish prekëse kundër faktit bashkëkohor që librat me protagoniste femra rrallë marrin vlerësim letrar, Dostojevski e konsideron idealizmin e dhembshur që i bëri heroinat e Sand-it kaq gjerësisht tingëlluese dhe magjepsëse.

Heroinat e saj, shkruan Dostojevski, përfaqësonin një lloj pastërtie morale kaq të lartë, saqë nuk mund të konceptohej pa një kërkim të jashtëzakonshëm etik në shpirtin e vetë poetes; pa rrëfimin e detyrës më të plotë; pa kuptimin dhe pranimin e bukurisë dhe mëshirës, durimit dhe drejtësisë më sublime. Vërtet, krah për krah me mëshirën, durimin dhe njohjen e detyrimeve të detyrës, ishte krenaria e jashtëzakonshme e kërkimit dhe e protestës; megjithatë ishte pikërisht ajo krenari që ishte kaq e çmuar sepse buronte nga e vërteta më sublime, pa të cilën njerëzimi nuk do të mund ta ruante kurrë vendin e tij në një lartësi kaq të lartë morale. Kjo krenari nuk është inat quad même, bazuar në idenë se unë jam më i mirë se ti dhe ti je më i keq se unë; jo, kjo është thjesht një ndjenjë e pamundësisë më të dëlirë të kompromisit me të pavërtetën dhe vesin, megjithëse – e përsëris – kjo ndjenjë nuk përjashton as faljen e plotë dhe as mëshirën.

[…]

Në një vajzë fshatare bashkëkohore, ajo ringjall befas para lexuesit imazhin e Joan of Arc historike dhe justifikon mundësinë aktuale të asaj ngjarje madhështore dhe të mrekullueshme. Kjo është detyrë tipike Georgesandesque, pasi askush përveç saj midis poetëve bashkëkohorë nuk mbart në shpirt një ideal kaq të pastër… Një personazh i drejtpërdrejtë, i ndershëm, por i papërvojë, i një krijese të re femërore është paraqitur në foto, e cila zotëron atë dëlirësinë krenare, e cila as nuk ka frikë, as nuk mund të kontaminohet nga kontakti me vesin – edhe nëse ajo krijesë do të gjendej aksidentalisht në gropën e vesit. Mungesa e sakrificës madhështore (gjoja e pritur në mënyrë specifike prej saj) e trondit zemrën e vajzës rinore dhe pa hezitim, pa kursyer veten, pa interes, vetëmohues dhe pa frikë, ajo befas ndërmerr hapin më të rrezikshëm dhe fatal. Ajo që ajo sheh dhe ndeshet, aspak nuk e ngatërron apo e frikëson atë; përkundrazi, ajo rrit menjëherë guximin në zemrën rinore, e cila në këtë moment, për herë të parë, e kupton masën e plotë të forcës së saj – forcën e pafajësisë, ndershmërisë dhe pastërtisë; dyfishon energjinë, zbulon shtigje të reja dhe horizonte të reja për një mendje që deri në atë kohë nuk e kishte njohur veten, një mendje energjike dhe e freskët ende e pandotur me kompromisin e jetës.

Me siguri, thekson Dostojevski, arketipi i Sand-it për gruan-protagoniste të guximshme dhe të pavarur nuk u ndesh pa rezistencë nga ata që këshilluan kundër “helmit të ardhshëm të protestës së gruas, emancipimit të gruas”. Por vetë përkushtimi i saj për të shqetësuar normat kufizuese të epokës dhe për të parashikuar një version më të gjerë të njerëzimit është gjithashtu ajo që e bëri Sand të pavdekshëm:

George Sand… ishte një nga parashikuesit më të qartë (nëse lejohet ky term i lulëzuar) i një të ardhmeje të lumtur që e priste njerëzimin, në realizimin e idealeve të të cilit ajo kishte besuar me besim dhe madhështi gjatë gjithë jetës së saj – kjo sepse ajo vetë ishte në gjendje ta konceptonte këtë, ideale në shpirtin e saj. Ruajtja e këtij besimi deri në fund është zakonisht fati i shpirtrave të lartë, i të gjithë miqve të vërtetë të njerëzimit… Socializmin e saj, bindjet, shpresat dhe idealet e saj, ajo e bazoi në ndjenjën morale të njeriut, në etjen shpirtërore të njerëzimit dhe dëshira e tij për përsosmëri dhe pastërti, dhe jo për vogëlsira meskine, Gjatë gjithë jetës së saj ajo besoi absolutisht në personalitetin njerëzor … duke e ngritur dhe zgjeruar këtë koncept në secilën prej veprave të saj.

[…]

Për sa i përket krenarisë së kërkimeve dhe protestës së saj – po e përsëris – kjo krenari nuk e përjashtoi kurrë mëshirën, faljen e ofendimit apo edhe durimin e pakufishëm të bazuar në dhembshurinë për vetë shkelësin. Përkundrazi, në veprat e saj George Sand ka qenë i mahnitur nga bukuria e këtyre të vërtetave dhe në më shumë se një rast ka portretizuar personazhe të faljes dhe dashurisë më të sinqertë. / Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com

Kulla Eiffel mbyllet për shkak të nxehtësisë, alarm i kuq në 16 rajone

Kryeqyteti francez ka shpallur alarmin e kuq për shkak të temperaturave të larta, duke çuar në mbylljen e Kullës Eiffel, të paktën deri nesër.

Agjencia franceze e motit “Meteo France” ka lëshuar alarmin e kuq për shkak të valës së të nxehtit në 16 rajone.

Ministria franceze e Arsimit, ka parashikuar mbylljen e pjesshme ose të plotë të rreth 1 350 shkollave publike, nga një total prej 45 000 – për shkak të valës së të nxehtit përvëlues që po prek pothuajse të gjithë Francën.

Të paktën 16 rajone franceze, përfshirë Parisin, kanë shpallur alarmin e kuq për sot dhe nesër për shkak të temperaturave të larta.

Ile-de-France, rajoni i Parisit, si dhe Aube, Yonne dhe Vienne janë në gatishmëri maksimale deri nesër në mesnatë.

“Ndërkohë, trafiku hekurudhor midis Parisit dhe Milanos është ndërprerë të paktën për disa ditë”, tha kompania “Sncf” – pas stuhive të forta në rrethinën Modane, në Vallée de Maurienne, në Savoy.

“Spitalet janë gati për t’u përballur me valën e të nxehtit përvëlues që po prek pothuajse të gjithë Francën”, tha ministri francez i Shëndetësisë, Yannick Neuder./KultPlus.com

‘Pa ty’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ike udhes së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i henës.
Lejleket iken.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullare të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem permbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohti medalioni i hënës./KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

221 vite më parë lindi letrarja franceze, George Sand

Sot mbushen 221 vite nga lindja e letrares franceze George Sand, shkruan KultPlus.

George Sand (shqipërimi: Zhorzh Sand) është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin 1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare.

Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Më vonë tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuar me tema nga fshati si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849), “Fransua Shampi” (1850) etj.

Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini të tjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”, (1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII.

Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodëler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale të kohës, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, Gustav Flober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë.

Megjithëse nëpërmjet letërkëmbimit, ajo mbante lidhje të ngushta me shkrimtarin Viktor Hygo. Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti 1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndër të cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804.

Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820.

Më 4 janar 1831, Amantina largohet nga Nohant dhe shkon në Paris ku futet në një shoqëri të vogël të rinjsh të dhënë pas letërsisë romantike. Aty kalon një jetë prej bohemësh duke frekuentuar teatrot, muzetë dhe bibliotekat. Krijon lidhje me të riun Zhyl Sando dhe të dy fillojnë karrierën si gazetarë në Figaro. Shkruajnë edhe një roman së bashku që botohet me pseudonimin J. Sand. Veprën e parë të saj “Indiana”, publikuar më 19 maj 1832 dhe të gjitha veprat e saj i boton me pseudonimin Zhorzh Sand. Tre muaj pasi botoi librin “Indiana”, përfundon librin tjetër Valentina gjatë verës së vitit 1832.

Të dyja këto vepra e bëjnë të njohur. Më 1833 ndahet nga Zhyl Sando dhe lidhet me Prosper Merime për një kohë të shkurtër. Të dyja këto lidhje e zhgënjejnë. Më 10 gusht 1833, vjen libri “Lelia”, një vepër lirike, alegorike, origjinale dhe shumë e suksesshme. Gjatë vitit 1833 njihet dhe lidhet me poetin francez Alfred dë Myse. Ndahet pas një udhëtimi në Itali dhe rilidhet me të, megjithëse marrëdhënia Sand – Myse vazhdon të mbetet e trazuar derisa ndahen përfundimisht në mars të vitit 1835. Kjo lidhje shërbeu si frymëzim për “Letra të një udhëtari”, kurse për Mysenë,

Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë – bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rënien e mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt – Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe./KultPlus.com

Pesë filmat më të mirë të Marlon Brando

I konsideruar gjerësisht si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, karriera e Marlon Brando zgjati më shumë se gjashtë dekada dhe la një ndikim të pashlyeshëm në kinema. Në afro 50 filmat që bëri, Brando u nominua për tetë çmime Oscars dhe fitoi dy prej tyre, së pari në vitin 1955 me “On the Ëaterfront” dhe përsëri në vitin 1973 për rolin e tij më të famshëm në “The Godfather”, transmeton KultPlus.

Karriera e Brandos filloi në teatër, duke u trajnuar me mësuesen e famshme të aktrimit Stella Adler. Falë tutelës së saj, Brando popullarizoi metodën e aktrimit në skenë dhe ekran dhe formoi një stil natyralist të tijin, duke i mbushur personazhet e tij me një lidhje të thellë personale dhe emocionale që vendosi shiritin për të gjithë aktorët e ardhshëm.

Përveç talentit të tij të jashtëzakonshëm, Brando ishte gjithashtu një aktivist që kujdesej thellësisht për Lëvizjen për të Drejtat Civile dhe Lëvizjen Indiane Amerikane, duke e dërguar aktoren Sacheen Littlefeather për të pranuar Oscarin e tij për filmin “The Godfather” në emër të tij, duke i dhënë asaj mundësinë të fliste publikisht për trajtimin e amerikanëve vendas në Hollyëood.

Në vijim gjeni pesë rolet e tij më  të mira në filma:

5. Julius Caesar

4. Apocalypse Now

3. A Streetcar Named Desire

2. On the Waterfront

1. The Godfather./ KultPlus.com

Instagram shton muzikën me zë të Spotify-it në Stories

Instagram-i tashmë lejon dëgjimin e këngëve të ndara nga Spotify direkt në Stories, duke sjellë një përvojë më të plotë pa lënë aplikacionin.

Instagram-i ka njoftuar zyrtarisht këtë të hënë se përdoruesit tani mund të ndajnë këngë nga Spotify në Stories bashkë me një paradhënie me zë. Deri më sot, ndarja e një kënge në Story thjesht shfaqte një imazh dhe një lidhje që të çonte në Spotify, por pa tinguj. Me përditësimin e ri, ndjekësit mund të dëgjojnë menjëherë një pjesë të këngës brenda vetë aplikacionit.

Ky ndryshim, ndonëse i vogël në pamje të parë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një eksperience më të pasur për përdoruesit, duke lehtësuar shpërndarjen dhe zbulimin e muzikës në platformë. Tani, nuk është më e nevojshme të kalosh në aplikacione të tjera për të dëgjuar këngën që të ka tërhequr vëmendjen.

Vetëm pak javë më parë, Instagrami kishte shtuar mundësinë për të postuar këngë nga Spotify në seksionin Notes, duke lejuar përdoruesit të shfaqin në kohë reale shijet muzikore për ndjekësit e tyre. Këto funksione të reja pritet të rrisin kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacion dhe të forcojnë pozicionin e Instagram si një platformë për zbulim muzikor./KultPlus.com

Akademia e Shkencave, veprimtari përkujtimore në nderim të Ismail Kadaresë

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një veprimtari përkujtimore në nder të shkrimtarit dhe akademikut të shquar Ismail Kadare. Të pranishëm ishin familjarë të Kadaresë, akademikë, miq e njerëz të letrave.

Në fjalën e tij, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, e cilësoi gjeniun e letrave Kadare, si një kryeakademik për nga vlera dhe jehona e veprës së tij, e mirënjohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht.

“Humbja fizike e Kadaresë është padyshim humbja më e madhe letërsisë sonë. Ishte gjithashtu një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë evropiane dhe botërore, e akademizmit shqiptar dhe atij evropian”, u shpreh akad. Gjinushi në këtë veprimtari. Sipas tij, Kadareja do të lexohet e do të vlerësohet në vazhdimësi pasi mesazhet e veprës së tij, stili dhe forca e fjalës, e bëjnë veprën e tij aktuale, tërheqëse dhe emancipuese për të gjitha kohërat.

Akad. Gjinushi përmendi dhe vlerat e Kadaresë në lëmin e gjuhësisë duke thënë se, kontributi i tij si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejt. “Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin ta kishte anëtar të sajin për 35 vjet”, u shpreh Gjinushi.

Edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kishte dërguar një mesazh të veçantë i cili u përcoll nga akademik Vaso Tole.

Të tjerë personalitete të cilët ngritën lart në fjalën e tyre, figurën e Kadaresë, ishin: botuesi i tij, Bujar Hudhri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, akad. Shaban Sinani, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali etj.

Në përfundim të aktivitetit, e mori fjalën edhe bashkëshortja e Ismailit, shkrimtarja Helena Kadare.

“Natyrisht kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimit që i bëjnë atij dhe veprës së tij letrare. Ismail Kadare është një shkrimtar shqiptar që e ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që do të thotë se ai përshkroi në veprën e tij fatin e shqiptarit dhe Shqipërisë në tërë rrjedhën e historisë së saj”, tha Helena Kadare./atsh/KultPlus.com

Ismail Kadare për Ibrahim Rugovën: Në urtësinë e tij kishte çelik

Ismail Kadare dhe Ibrahim Rugova janë dy njerëz të mëdhenj për shqiptarët. Të dytë edhe kanë shkruar dhe i janë future me zell e me xhelozi studimit dhe letërsisë. Rugova më shumë si studiues ndërsa Kadare më shumë si shkrimtar, ata i bashkon, nëse jo asgjë, Franca, si një shtet ku të dytë kanë pëlqyer të jetojnë e punojnë për një kohë, shkruan KultPlus.

Ndonëse shpesh kishin mospajtime, ata sërish ishin miq.

Po ju sjellim sot fjalët e Kadaresë mbi këtë figurë të njohur për shqiptarët:

“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu.

E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit… Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare.
Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet”, ka thënë mes tjerash Kadare.

“Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik”, ka thënë Kadare për Presidentin Historik të Kosovës – Ibrahim Rugovën.

Ndërsa në një pritje në Köln në vitin 2013, Ismail Kadare ndër të tjera theksoi: “Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq.”

Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006. Ka udhëhequr Kosovën dhe LDK’në prej viteve të 90’ta. / KultPlus.com

Poezia e Ismail Kadare për Kosovën

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,

Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Kori “Siparantum” në përballje me koret e rangut më të lartë botëror

Kosova do të ngjitet fuqishëm edhe njëherë në skenën ndërkombëtare të muzikës korale përmes Korit “Siparantum”, që do të përfaqësojë vendin në njërin prej ngjarjeve më prestigjioze evropiane: European Choir Games & Grand Prix of Nations Aarhus 2025, që mbahet nga 28 qershori deri më 6 korrik në qytetin kulturor të Aarhus-it, Danimarkë. 

Në këtë festë ndërkombëtare të artit dhe bashkëjetesës kulturore, mbi 130 kore dhe deri në 6,000 pjesëmarrës nga 35 vende të botës do të jenë të pranishëm, por Kosova do të zë një vend të veçantë – jo vetëm si pjesëmarrëse, por si dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm artistik që rrjedh nga një vend i vogël, por me shpirt të madh kulturor. 

Kori Siparantum do të garojë në nivelin më të lartë të këtij festivali – Grand Prix of Nations, një platformë ku përballen kore të rangut të lartë botëror. Ky është niveli më prestigjioz i garës, i rezervuar vetëm për ansamble që kanë dëshmuar cilësi të lartë artistike, profesionalizëm dhe fuqi interpretative. 

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë kategori nuk është rastësi – është rezultat i një përkushtimi shumëvjeçar, që ka filluar të njihet në skenën ndërkombëtare, falë punës së palodhshme të artistëve dhe vizionit të një brezi të ri që beson se muzika është ura më e fortë për të ndërtuar imazhin e një shteti. Përmes veprave shqiptare, ne sjellim në skenën ndërkombëtare tingujt e një kulture të lashtë, të pasur me emocione, ritme autoktone dhe histori të thella. 

Muzika jonë është zë i identitetit, kujtesës dhe krenarisë – një ftesë për ta njohur shpirtin shqiptar përmes këngës. Kujtojmë se në vitin 2023, Kori Siparantum solli krenari për Kosovën duke fituar Medaljen e Artë në European Choir Games & Grand Prix of Nations 2023 në Suedi, në kategorinë e koreve mikse, duke dëshmuar se Kosova ka çfarë të thotë në gjuhën universale të muzikës. Ky udhëtim është më shumë se një garë – është zëri i një vendi të ri që po shpalos ngjyrat e veta në hartën kulturore të botës. / KultPlus.com