Albert Schweitzer ishte teolog, shkrimtar, humanist, filozof dhe mjek. Ai lindi në një familje e cila për breza të tërë i ishte përkushtuar fesë, muzikës dhe arsimit. Schweitzer hyri në studimet e tij intensive teologjike, ku u doktorua në filozofinë fetare dhe vazhdoj predikimet e tij në kisha dhe kolegje të ndryshme.
Nderimet që ai mori ishin të shumta, përfshirë Çmimin “Goethe” të Frankfurtit dhe doktorata nderi nga shumë universitete duke theksuar Çmimi “Nobel për Paqe” për 1952, të cilën e morri për filozofinë e tij, duke u bërë francezi i tetë që iu dha ai çmim. Pas tij, kanë mbetur thënie të njohura me përplot kuptime brenda tyre.
KultPlus ua sjell disa nga thëniet e Schweitzer:
Në moshën 20 vjeçare çdo njeri ka fytyrën që i ka dhënë Zoti, në moshën 40 vjeçare fytyrën që i ka dhënë jeta dhe në moshën 60 vjeçare ka fytyrën që meriton!
Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse bëni çfarë doni, atëherë do të bëheni të suksesshëm.
Qëllimi i jetës njerëzore është të dhuroj, të tregojë dhembshuri dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët.
Kudo që të shkoni, mund të gjeni dikë që ka nevojë për ju. Edhe nëse është gjë e vogël, bëj diçka për të cilën nuk paguhesh, por ke privilegjin ta bësh. Kujtoni, ju nuk jetoni në një botë që është e tëra e juaja.
Në atë pikë të jetës ku talenti juaj takohen me nevojën e botës, aty është ku Zoti dëshiron që të jeni.
Nëse ke diçka që nuk mund t’ia japësh dikujt, atëherë ti nuk je poseduesi, ajo të posedon ty./KultPlus.com
Tirana po bëhët gati për tri ditë plotë muzikë dhe art kreativ.
Për herë të parë kryeqyteti i Shqipërisë, bën bashkë nga data 11 – 13 prill, në sheshin “Italia”, jo vetëm artistë dhe muzikantë nga Shqipëria, Kosova, por nga i gjithë Ballkani dhe më gjerë, në eventin Muse-X.
Festivali Muse-X është një festë e muzikës dhe kulturës i cili jo vetëm synon të jetë një hapësirë konferencash dhe ndërlidhjesh, por dhe një festival, me muzikë të përzgjedhur nga zhanret e muzikës elektronike, Hip-Hop dhe Rock, rryma që do të mbajnë zgjuar kryeqytetin e Shqipërisë gjatë kësaj fundjave.
Në konferencën për mediet që u mbajt sot në Tiranë, ku të pranishëm ishin zëvendësministrja e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës Lira Pipa, drejtori i Agjencisë së Industrive Kreative në Bashkinë Tiranë, Jonid Jorgji dhe Luel Muhametaj, themelues dhe organizator i Muse-X , u shpreh rëndësia e një eventi të tillë, që do të nxisë zhvillimin e industrisë së muzikës shqiptare.
Zv.ministrja Pipa, theksoi se, Muse-X është një panair i cili jo vetëm promovon më shumë Shqipërinë, por rrit edhe më shumë mundësinë e bashkëpunimit mes kompanive të ndryshme muzikore.
“Nuk është thjesht një panair apo një konferencë, por një domosdoshmëri për të investuar edhe më shumë në industrinë e muzikës dhe për të përthithur profesionistë të rinjë”, theksoi Pipa.
Sipas saj, ky aktivitet gjithashtu është i rëndësishëm edhe për faktin se krijon një rrjetëzim të mirë me kompanitë shqiptare dhe të huaja.
“Ky është një organizim unik jo vetëm për Tiranën por ndoshta edhe për Ballkanin, duke tërhequr një interes të gjerë nga kompani dhe organizatorë të ndryshëm.
Ajo që na pëlqen nga ky organizim, lidhet edhe me vizionin që ministria ka pasur, për programet për grantet për kulturë dhe krijimtari”, u shpreh në fjalën e saj Pipa.
Organizatori i Muse-X, Luel Muhametaj, radhiti tre elementet kryesore dhe të rëndësishëm të Muse-X që kanë të bëjnë me panairin, konferencat dhe festivalin.
“Muse-X është expofestivali i parë që po bëhet në Ballkan. Ka tre elementë kyçë, i pari është ai i panairit, ku ne do të presim mbi 100 kompani të muzikës dhe të arteve kreative. Elementi i dytë është ai i konferencave, me pjesëmarrjen e shumë kompanive nga më shumë se 18 shtete të ndryshme, dhe elementi i tretë është ai i festivalit, natën e parë do ketë muzikë elektronike, të dytën Hip-Hop, dhe natën e tretë muzikë Rock”, tha Muhametaj.
Ai theksoi se, objektivi kryesor është të krijojmë një unitet në industrinë e muzikës në Ballkan, në mënyrë që të lidhim më shumë bashkëpunim mes tregjeve të vogla të rajonit.
“Ne e kemi konceptuar që të jetë një aktivitet i përvitshëm, do të ketë shumë aktivitete, veç konferencës, për shembull, ‘beteja’ muzike, DJ, bandash repi, për të shtyrë më shumë kreativitetin dhe krijimtarinë. Veç muzikës do të kemi kërcim dhe skulptura drite dhe shumë surpriza të tjera aristike”, u shpreh Muhametaj.
Ky panair, i pari i muzikës ka gjetur edhe mbështetjen e bashkisë së Tiranës, përfaqësuesi i së cilës, Jonid Jorgji, drejtor i Agjencisë së Industrive Kreative, vlerësoi këtë aktivitet si shumë të rëndësishëm dhe një vlerë të shtuar për kryeqytetin, përmes së cilit pret të ketë më shumë turistë.
“Për Tiranën ky event është shumë i rëndësishëm, sepse po bëhet për herë të parë, por edhe po gjen një terren ku do të mund të lidhë më shumë kontakte mes profesionistëve brenda dhe jashtë vendit.
Evente që lidhen me industrinë muzikore janë një tërheqje shumë e mirë edhe për turistët, ndaj edhe ne vlerësojmë një panair të tillë. Ne si bashki do të jemi gjithmonë mbështetës të eventeve të tilla”, tha Jorgji.
Muse-X, i cili organizohet nga MEKI, Bashkia Tiranë, Fondacioni “Dritëro Agolli”, Klik Ekspo Grup, do të mbahet në Tiranë në sheshin “Italia” në datën 11, 12 dhe 13 prill. Muse-X, është konceptuar si platforma që do të bashkojë kompani, profesionistë, artistë, përfaqësues të qeverisë dhe entuziastë të muzikës për të shfaqur punën e tyre, për t’u lidhur dhe bashkëpunuar si kurrë më parë në Shqipëri dhe Ballkan.
Pritet në këtë aktivitet të jenë më shumë se 2000 të pranishëm, ndërsa synohet të jetë aktivitet i përvitshëm i cili do t’i shtohet morisë së eventeve kulturore të kryeqytetit./KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur se javën e kaluar gjatë Procesit të Akabas të mbajtur në Sofje ka takuar mbretin e Jordanisë, Abdullah bin Al Hussein.
Osmani tha se me Mbretin Al Hussein folën për hapat konkret për forcimin e lidhjeve në mes Kosovës dhe Joradnisë.
“Ne trajtuam gjithashtu sfidat urgjente të sigurisë dhe perspektivat e përbashkëta për çështjet globale”, shkroi Osmani.
Tutje, e para e shtetit u shpreh se me Al Husseinin folën edhe për avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje, zhvillim ekonomik dhe diplomaci.
Të premtën, me datë 11 prill, duke filluar nga ora 19:00, do të bëhet hapja e ekspozitës “Mënyrë e Vjetër – Perspektiva të Reja” në Galerinë e Fakultetit të Arteve, që është ekspozitë personale e artistit Hekuran Sokoli, kuratore e të cilës është profesoresha e artit, Zake Prelvukaj.
Kritika e Kuratores:
Kontradiktat Fugale të Kohës
Shpesh e kërkojmë veten në ambiente të ndryshme, duke u përpjekur të ndjehemi të lirë në kuptimin e jetesës. Megjithatë, ky tranzicion marramendës teknologjik na sjell një ndjeshmëri të re ndaj botës që na rrethon—duke na ofruar mundësi për krijimin konceptual të artistit.
Hekuran Sokoli, përmes ngjyrave intensive dhe vizatimit fugal, krijon një hapësirë të re, ku guximshëm luan me vija, duke u dhënë rolin e mbrojtësit kolorit. Në këto piktura ka filozofi dhe matematikë pa barazim, duke i lënë shikuesit mundësinë për të zbërthyer ekzistencën ose inekzistencën përmes numrave kubik të ndërlidhur e të shthurur. Ngjyrat janë shpirtërore, të shkrira dhe të ndjeshme. Në momente të caktuara, ato bëhen muzikë, film, këngë, instrument—një prezantim artistik për t’u lexuar sipas perceptimit të publikut.
Artisti kërkon diçka futuriste, ku imagjinata i takon vetëm atij, i cili e sjell më pranë nesh. Konceptet e tij janë tërheqëse—ato nuk lexohen përmes shkronjave, por përmes objekteve miniaturale dhe masive, të cilat ngjallin disponim dhe kureshtje, duke na ftuar të kuptojmë, apo jo, gjuhën vizuale të formuar nga katrorë dhe kube. Kjo të shtyn të mendosh: Cilit nga këto objekte i përkasim ne?
Ekzistente është kur e ndjenë edhe e plason një vepër artistike pa e kërkuar lejen e inteligjencës artificiale. Artisti e zbërthen imagjinatën dhe krijon duke përcjellë mesazhe intriguese për kuptimin ose moskuptimin e këtij alfabeti abstrakt—si një udhërrëfyes i së ardhmes./KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të luftës në Kompleksin Memorial në Kaçanik.
Kryeministri Kurti ka thënë se te të gjitha varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve e martirëve të luftës gjithandej vendit, bëhen homazhe jo vetëm për t’i nderuar ata, por edhe për ta ripërkujtuar se sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh çmimi i lirisë që e gëzojmë dhe të shtetit të cilin po e ndërtojmë së bashku.
“Në mëngjesin e 9 prillit 1999, Kaçaniku agoi i rrethuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në betejat në Lagjen e Re dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë 32 martirë”, ka thënë Kryeministri.
Kryeministri Kurti po ashtu ka përkujtuar edhe të viktimat e masakrave, të krimeve dhe gjenocidit të kryer në prill të vitit 1999 nga Serbia në Kosovë.
“Kujtojmë me nderim dhe dhimbje civilët e vrarë dhe të zhdukur me dhunë gjatë javës së parë të prillit 1999 në Rezallë të Drenicës, në Lybeniq të Pejës, në Çabrat të Gjakovës, në Fushë Kosovë, në Sopi të Suharekës, në masakrën e tmerrshme mbi familjen Vejsa në Gjakovë, në masakrën në Llovcë të Gjilanit, Kralan të Gjakovës, në Reznik të Vushtrrisë, në Mojstir e Cërcë të Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit, në Polac, e në fshatin Rashiq të Pejës”, ka thënë Kryeministri.
Kryeminnistri Kurti gjithashtu tha se të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë dhe para luftës, janë bërë me plan, me qëllime politike dhe me synime të egra hegjemoniste, për të arritur një Kosovë ku shfarosen shqiptarët, ku shqiptarët të spastrohen etnikisht, për ta realizuar një Serbi të Madhe.
“Përballë një gjenocidi, brutaliteti dhe çnjerëzie, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: vendosja e drejtësisë si detyrim moral dhe universal ndaj çdo viktime dhe forcimi i shtetit sa më shumë e sa më shpejt me krejt çka mundemi dhe dimë”, ka thënë Kryeministri Kurti./ KultPlus.com
Roli i gruas në letërsi ka qenë gjithmonë një temë e rëndësishme një zë që sfidon normat dhe stereotipet shoqërore. Poezia si një formë arti që të prekë thellë përmes fjalëve ka shërbyer si një mjet për ta bërë të dukshëm dhe të dëgjueshëm zërin e gruas, qoftë si varg, si figurë apo si art.
Shkruan: Eljesa Misini
Për me qenë grua e me dashtë si grua, me u zgju si grua, me puthë si grua, nuk mjafton për të qenë grua, sepse nuk është mjaftueshëm vetëm të ekzistosh duhet të jetosh dhe të luftosh çdo ditë për të shprehur dhe jetuar rolin tënd. Ky është edhe thelbi i librit të Nora Prekazit, një përmbledhje poezish që flet me zërin e vet, duke krijuar hapësirën ku çdo ndjenjë dhe çdo pasion ka një vend të vetin. Prekazi refuzon të shoh botën vetëm me dy ngjyra, prandaj ajo e ndërton botën e saj në këtë përmbledhje. Përmes poezisë së saj, ajo na tregon se jeta është më shumë se e bardha dhe e zeza, se çdo ngjyrë është e vlefshme dhe ka një histori të vetën.
Vepra poetike “Amë” e Nora Prekazit është nje rrugëtim shpirtëror i autorës përmes tre cikleve poetike: “E hirtë”, “E bardhë” dhe “E kaltërt”. Secili cikël përfaqëson një fazë të ndryshme të jetës duke e shndërruar librin në një reflektim të thellë mbi përvojën njerëzore, identitetin dhe ndjenjat e një gruaje që përballët me sfidat e jetës. Poezitë paraqiten nga rinia në vazhdimin e saj të pjekurisë e deri tek përvoja e të qenurit një nënë. Ngjyrat na dalin si simbolikë që përfaqësojnë ndjenjën shpirtërore të autorës, në të cilën e ndjekim nëpër poezitë e saj, ajo përdor metafora të fuqishme dhe imazhe poetike që nuk mbeten vetëm brenda përvojës personale por që lidhen me çdo lexues që ka ndjerë ndonjëherë peshën e ndryshimeve.
Cikli i parë “E hirtë” përmban 19 poezi ku autorja përballët me dy anët e vetës, njëra e mbushur me dritë dhe ngjyra, tjetra e mbuluar me retë gri të pasigurisë dhe dyshimit. Përmes këtij kontrasti, Prekazi shpreh botëkuptimin e ndjenjave dhe dëshirën për ta parë botën ndryshe. Në këtë cikël ndjehet një lloj përplasjeje mes ëndrrave dhe realitetit. Poezitë duken si pasqyrime të një vetëreflektimi të thellë ku autorja gjendet mes dy botëve atë të së shkuarës dhe të së tashmes. E hirtë nuk është thjeshtë një ngjyrë por një gjendje shpirtërore një mes i pasigurt mes dritës së bardhë dhe errësirës. Një motiv i rëndësishëm në këtë cikël është prania e shishes së birrës, e cila shfaqet si një mjet që e drejton autorën drejt një të vërtete të caktuar. Ajo e lidh këtë element me mënyrën se si e përcepton botën vetëm përmes saj arrin të shoh ndryshe, por ky ndryshim kërkon një varësi të vazhdueshme pasi duhen plotë shishe të zbrazura për të mbërritur në atë gjendje. Megjithatë kur gota mbetet bosh ajo nuk mund të thotë më asnjë fjalë sepse boshllëku i saj bëhet edhe me i thellë. Një nga poezitë e saj “Pse pi” nuk paraqitet si një pyetje drejtuar lexuesit, pasi mungon shenja e pikëpyetjes. Kjo na tregon se autorja nuk kërkon një përgjigje, por thjeshtë shpalos arsyjen e saj të vërtetë pse pi. Konfilikti i autorës ndodhet mes dëshirës për qetësi dhe ëndrrave të parealizuara. Prekazi kërkon një armëpushim me mendimet e saj dhe ne si lexues e ndjejmë peshën e kësaj lufte të brendshme. Ajo dëshiron që qoftë edhe për disa çaste, të mund të ëndrronte për qenien e saj pa u ndikuar nga hijet dhe errësira që e rrethojnë. Prekazi nuk dëshiron të mbetet peng e ndjenjave të zymta por kërkon një rrugëdalje duke u përballuar. Pas gjithë këtyre ndjenjave Prekazi me një gjuhë të fortë iu drejtohet lexuesve për ndjenjat e frikës, lirisë sepse ajo tashmë e ka përqafuar një mënyrë të re të jetuarit dhe ka kaluar në këto faza prandaj këto ndrojtje i sheh si diçka të panevojshme;
“Hiqi perdet që mbulojnë qenien tënde të vërtetë,
Largoji zërat bezdisës nga koka…”
Autorja na sygjeron që të lirohemi nga frika, komplekset apo edhe normat shoqërore që na mbajnë të lidhur. Sepse këto perde simbolizojnë mashtrimin, shtirjet apo edhe kufizimet tona;
“Shkurajohem duke parë
Se si shëmtohet bukuria jote mishtore,
Nga kerkimi absurd!”
Me këto vargje autorja shpreh zhgënjimin e saj ndaj dikujt që vrapon pas diçkaje absurde, ndërkohë që kjo e shkatërron bukurinë e saj të vërtetë, një bukuri që po venitet për shkak të një përpjekje të kotë. Ajo flet për ndarjen mes instiktit dhe mendjes së kufizuar nga dyshimet duke paraqitur këtë luftë si diçka që ose e kapërcen ose mbetesh i humbur.
Në poezinë e fundit të ciklit “Përballë të hirtës” na simbolizon trishtimin, një gjendje të lodhur që mundohet të largohet. Ecja e saj përfaqëson një lloj vazhdimësie një përpjekje për të ecur përpara pavaresisht realitetit. Dhe pyetja që Prekazi bën: A thua si do të ishte, po t’i njihnim yjet bashkë? Na sjell një lidhje mes realitetit të zymtë dhe mundësisë së një bote tjetër.
Në ciklin “E bardhë” përmban 9 poezi dhe ashtu sikurse edhe nuanca e bardhë që përfaqëson paqen, mirësinë, dashurinë kështu i presim edhe 9 poezitë. Një ndryshim nga cikli i parë është se nuk kemi më atë errësirën, dhimbjen por mbizotëron bardhësia dhe dashuria. Ashtu siç edhe e fillon poezinë e parë të titulluar “E bardhë” që është një reflektim i fuqishëm mbi dashurinë dhe dëshirën për arratisje nga realiteti, për të krijuar një botë të përbashkët që nuk është e përcaktuar nga shoqëria por ndërtohet nga vete individi;
“Hajde i dashur, ma jep dorën
Po e gjejmë një skutë në vijën në mes pikave
Vezulluese në qiell,
Sa më larg atyre pseudourbane…”
Është qielli dhe yjet që përfaqësojnë hapësirën e lirë të paprekur nga bota materiale, një thirrje për të shpërfillur normat dhe rregullat e imponuar nga të tjerët, sepse kuptimi i jetës është diçka që ndërtohet personalisht dhe jo të pranohet si i dhënë. Kështu si fillon cikli kështu edhe përfundon me poezinë e titulluar “Bardhësi” teksa autorja përshkruan veshjen e saj me të bardhë, ëmbëlsirën e bardhë me lule dhe lulet e saj në duar gjithçka është e bardhë sëbashku edhe me personin që ajo e përjeton paqen e vërtetë.
Cikli “E kaltër” përmban 50 poezi që janë të mbuluar me ngjyrën e qiellit. Prekazi këtu na sjell ndjenjën e fortë të nënës për fëmijët e saj. Përdorimi i ngjyrës së kaltër është simbolikë për djalin e saj, për shkak se ngjyra e kaltër shpesh lidhet me gjinin mashkullore ashtu si e paraqet Prekazi në poezinë e saj të parë “E kaltërta” ku çdo gjë është e mbuluar me këtë ngjyrë, e kaltër quhet faza e maslindjes që mbizotron mbi qenien time, kjo e kaltërt gjithashtu përfaqëson dashurinë dhe lidhjen shpirtërore. Ajo na paraqet ndjenjat e nënës, duke krijuar një dimension të thellë të dashurisë dhe përkushtimit. Përveç kësaj ajo shpreh brengat, dhimbjet dhe shpresat për një të ardhme për fëmijët e saj. Mbi të gjitha është një përshkrim i një lidhje që është si qielli, e gjerë dhe e pastër, por edhe i mbushur me ngjyra të ndryshme të jetës. Në poezinë e saj “Be” shpreh dëshirën e thellë për të ndihmuar në momentet më të errëta, që si çdo nënë që bën sakrificën e saj edhe pse mundësitë për të bërë një ndryshim konkret duket e pamundur;
“Me pasë mundësi
yjet i kisha ndukë
për me i ndezë
së bashku veç
me ia kthy
shkëndijen…”
Yjet shërbejnë si një simbol i dritës, shpresës dhe ndriçimit shpirtëror. Teksa autorja dëshiron t’i jap forcë dhe shkëlqim personit tjetër, duke e ndihmuar të dalë nga errësira emocionale në të cilën ndodhet. Dy nga poezitë e fuqishme në këtë cikël është poezia “Me qenë grua” dhe “Amë” në të parën përshkruan gruan në të gjithë kompleksitetin e saj, një gruan që kërkon, eksploron, dashuronë dhe sfidon botën pa frikë. Një motiv që bie në sy është lidhja me natyrën, me tokën, detin, yjet dhe diellin. Këmbët që shpesh i trajtoj me lloj-lloj kripërash të detrave të largëta përfaqësojnë një përvojë të kaluar, ndoshta edhe një dhimbje të larë në ujërat e largëta. Përsëritja e vargut që bënë për me qenë grua është një ritëm i qëllimshëm, një përforcim i vazhdueshëm i identitetit. Ajo nuk është thjesht një grua që ekziston, por një grua që po afirmon vetën në të gjitha aspektet e jetës, ajo zgjohet si grua, flet si grua, dashuronë si grua, lufton si grua. Çdo veprim është një deklaratë fuqie që nuk mund të kufizohet nga pritshmëritë e të tjerëve. Dhe në poezinë e fundit “Amë” përshkruan rolin e amësisë jo si një detyrë të kufizuar në marrëdhënien nënë-fëmijë por si një përvojë të gjithanshme që përfshijnë kujdesin sakrificën. Amësia pra lidhet me çdo pjesë të qenies së saj, mendimet, ndjenjat, ëndrrat;
“Jam amë
E lindur biologjikisht për t’u riprodhuar
E mësuar të jem në gatishmëri…”
Me nje ironi ajo pranon se shoqëria e sheh gruan si një qenie që duhet të riprodhojë. Sjell një përballje të idesë së gruas që ajo duhet të jetë gjithmonë e gatshme për tu kujdesur, për të shërbyer dhe të jetë për të tjerët. Në tërësi, “Amë” është poezi me një reflektim mbi barrën që gratë mbajnë, që refuzon të pajtohet me kornizat e ngushta të shoqërisë dhe shpall me zë të lartë të drejtën e gruas për të qenë më shumë se thjesht ajo që bota kërkon prej saj.
Nëpërmjet cikleve të ndryshme, Prekazi shpalos përjetime dhe reflektime të thella mbi jetën e saj si grua dhe nënë, duke e bërë lexuesin të kuptojë peshën dhe bukurinë e këtij roli. Prekazi fton lexuesit të përballen me kompleksitetin e qenies njerëzore dhe të kuptojnë se përtej çdo kategorie çdokush është një individ me botën dhe përvojat e veta të veçanta./KultPlus.com
Mbreti Charles ka paralajmëruar nevojën që demokracitë si Britania e Madhe dhe Italia të qëndrojnë së bashku në kohë kaq të trazuara ndërkombëtare, pasi ai u bë monarku i parë i Mbretërisë së Bashkuar që iu drejtua të dy dhomave të parlamentit italian.
Mbreti mori një ovacion të gjatë nga deputetët në Romë, teksa mbajti një fjalim në ditën e tretë të vizitës së tij shtetërore në Itali.
Vizita përkoi gjithashtu me 20-vjetorin e martesës së Mbretit dhe Mbretëreshës.
Mbretëresha Camilla, e cila ishte parlament, kishte veshur veshjen që e pati në dasmën e saj civile në 2005-në.
Mbreti Charles pati një thirrje për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe nevojën për të përforcuar partneritetin ushtarak midis Britanisë dhe Italisë.
“Ne jemi të dy vende evropiane”, tha ai, duke qëndruar përpara flamurit italian dhe atij të Bashkimit Evropian.
Ai mirëpriti që Mbretëria e Bashkuar dhe Italia “qëndruan pranë Ukrainës në orën e saj të nevojës”, por paralajmëroi se imazhet e luftërave tani po jehonin në të gjithë kontinentin.
“Brezat tanë të rinj mund të shohin në lajme çdo ditë në telefonat inteligjentë dhe tabletët e tyre se paqja nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë”, tha Mbreti.
Kërcënime të tilla nënkuptonin se ishte e rëndësishme që “Britania dhe Italia të qëndrojnë sot të bashkuar në mbrojtje të vlerave demokratike që ndajmë”, tha ai në parlament.
Duke mbajtur një pjesë të fjalimit në italisht, ai foli për historinë e gjatë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë dhe kulturën e përbashkët, duke u kthyer deri tek romakët e lashtë e deri tek këngëtarët si Ed Sheeran që kënduan në Itali.
Poeti i njohur francez, Charles Baudelaire, lindi më datë 9 prill të vitit 1821 në Paris.
E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.
Në vitin 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zëmëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.
Në vitin 1842, njohu poetët Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim të Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se cfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.
Në vitin 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.
Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.
Bodleri ra në depresion të thellë. Në vitin 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge. / KultPlus.com
Unë lahem buzë lumit i zhveshur, i zhveshur kam kohë që jam. Nën dritën e hënës së heshtur, dy fjalë kam për t’i thanë. Fjalët kanë kohë që janë prerë, goja me fjalën se qet; lumi sa niset të rrjedhë, diçka e ndal e e pret. Nuk është Eufrati kjo rrjedhë; pavdeksinë nuk po ëndërroj. Kam ngelur Gilgamesh i shkretë, jetën në vdekje kërkoj. Frikë as vdekje nuk ka; frika nga vdekja s’më tremb. Vetëm dy sytë e saj, sytë e saj si gjemb. Gjembat të therrin, gjak; po gjaku me sy nuk shihet. Lufta e saj me mua brenda në zemër fshihet…/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, është shprehur se sot shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore të Kosovës, miratimin e Kushtetutës sonë, që më 9 prill 2008 i vuri themelet juridike dhe institucionale shtetit tonë të pavarur.
“Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë. Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve”, është shprehur Osmani.
Tutje, ajo ka shtuar se në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim. Sepse vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve të vet me dinjitet dhe drejtësi.
“Një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij”, ka shtuar ajo./KultPlus.com
Të premten, në teatrin e qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” do të jepet shfaqja për fëmijë “Pula pispilluqe me çizme të kuqe”, me regji nga Melihate Qena.
Shfaqja “Pula pispilluqe me çizme të kuqe”, bazuar në fragmente të tregimeve popullore, paraqet pulën pispilluqe e cila nuk u shkon përdore që për një palë çizme të përlloquna t’i armiqësojë të gjitha kafshët e pyllit – por vetëm në përrallë.
Realiteti nuk ndryshon. Kafshët “e fshin” njëna tjetrën, e një shkurrë që në fillim nuk pranon t’ia pastroj çizmet pulës, tani me përultësi e mbaron detyrën. Bota-Botë… e papërmirësueshme. Me këtë nuk pajtohen fëmijët, ata ia terheqin vëmendjen botës që nëse nuk përmirësohet “do t’ia bëjn dysh (2).
Në shfaqje luajnë: Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Krasniqi, Valmira Hoti, Alban Çela, Zana Duraku, Alban Morina, Rifat Smani./ KultPlus.com
Ditën e sotme është përkujtuar firmëtari i pavarësisë, filatelisti, poligloti, arkivisti, etnografi dhe politikani shqiptar Lef Nosi që lindi më 9 prill 1877 dhe ka vdekur më 15 shkurt 1946.
Lef Nosi ka lindur në qytetin e Elbasanit, në një familje ortodokse. Studimet e larta i ka kryer në Athinë, në drejtimin “Farmaci”.
Pa përfunduar studimet, ai u kthye në Shqipëri, dhe u angazhua thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë dhe kulturës kombëtare.
Derisa ishte ende i ri, Nosi kishte në zotim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri. Ai themeloi gazetën “Tomorri” në Elbasan, dhe artikujt e botuar në të kishin frymë kombëtare që nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, që e arrestuan dhe e dënuan me vdekje.
Mirëpo, për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, ai u caktua kryetar bashkie i Elbasanit, mirëpo me largimin e Nolit, ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua botimit të dokumenteve me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.
Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946. Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./KultPlus.com
Sharl Bodler është alkimisti i shpirtit, ai që mbrujti baltën dhe bëri flori Ai mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe përpëlitej në mëdyshjet e transformimit.
“Pasioni i çmendur për artin është një krimb që gëlltit gjithçka tjetër.”
“Bukuria është ambicja e vetme, qëllimi ekskluziv i shijes.”
“Arsyeja e thjeshtë na tregon ne se gjërat tokësore janë të pakëta, dhe se realiteti i vërtetë ekziston vetëm në ëndërra”.
“Ne jemi të trysnuar në çdo moment nga konceptimi dhe ndjesia e kohës. Dhe ka vetëm dy mënyra për t’i ikur e për ta harruar makthin: qejfi dhe puna. Qejfi na konsumon. Puna na forcon. Le të zgjedhim”, këto maksimë, këto predikime i përket një tokësori të apasionuar marrëzisht pas gjithçkasë që buron nga liria.
Eshtë fjala për Sharl Bodler, 9 prill 1821 – 31 gusht 1867, një nga inovatorët më të mëdhenj të letërsisë franceze. “Kush prej nesh nuk ka ëndërruar, në momentet e ambicies për mrekullinë e një prozë poetike, muzikore, pa ritëm dhe rimë, të zhdërvjellët dhe me një harlisje të mjaftueshme për ta përshtatur me frymëmarrjen lirike të shpirtit, të dallgëzuar në ëndrra dhe të furishme në hapat e papritur të ndërgjegjes. Kjo ide, kjo ngucatje në shpirtin e poetit është e ngulmët.
Ishte shekulli XVIII, i përfshirë nga shtjella historike më rrapëllitëse që koha kishte hedhur si një shtërngatë egrashe mbi kokën e poetit rebel dhe kritik fin, Sharl Bodler. Një jetë me fëmijëri të cergët, e cila do të zbonte më pas një rini dhe në tansi, një kapërcyell mes njeriut dhe artistit, plot vese të Bodlerit. Ishte Franca, padyshim ajo e artit avangard dhe e mendimit iluminist, e kolosëve të letërsisë, mbi tabanin e të cilit po ngrihej një sistem i ri vlerash dhe shijesh estetike.
Për poetin, trazirat do të troshisnin jo vetëm krijimtarinë, por edhe integritetin e tij. Gjithçka do të ndryshonte. Ose e thënë më troç, tançka do të lindte e do të formësohej porsi nevoja e qënsisë së tij të garrametshme. Ai dukej se kishte ardhur për të jetuar në stuhi dhe për të lundruar në shterngatë. Dhe gjithë këtë për të mbushur zgavrrat e thella prejnga dëgjoheshin ulërimat e bishave të pasiont që e ndërsenin.
Ai krijoi në poezi, dhe në gjithçka tjetër që bëri, kritikë arti, përkthim, por veçmas në poezi, një raport vlerash të ndryshëm mgase botkuptimi frëng kishte pranuar deri asokohe.
Sharl Bodler ishte i pari, i lirë, veprues, dhe u bë dëshmitar e një ndryshimi fundamental dhe sentimental, etik dhe estetik. Anipse një stuhi që do të tërbohej në opinionin frëng, nga poezitë e tij “heretike” do ta dërrmonte anijen e tij që vijonte të pluskonte në kreshtat egrashe të hakërrisë. Trumbetat e moralit dhe kushtrimet tërsëllitëse u cytën të tkurrnin qiejt ku ky shpend mitik i pasioneve të shpirtit rrekej të maste me fluturim, liritë estetike. Të tjera përmasa ngulmonte ky rrebesh ëndërrimesh, t’i jepte qiejve që do të shpalosnin një erë të re transformimesh.
Koha nuk ishte gati ta priste atë dhe ai nuk kishte kohë për tjetër kohë për të ndryshuar kohën. Nuk u ndal, nuk u fsheh pas asgjëje. I doli ballë gjitjçkasë që ve4ndosi të ishte kundër tij dhe artit që predikonte me pasionin e një rishtari.
Duhej të ndodhte që jo vetëm fatalitetet që e përndiqnin, por edhe shtypi e më pas drejtësia ta anatemonin atë dhe kryeveprën e tij, e cila qëndronte e varur midis dy botëve asaj të perëndisë dhe të djallit, “Lulet e së keqes”. Më 1857, botimit të parë të paralajmëruar të “Luleve të së keqes” gjykata i përgjigjet me një gjobë prej 300 frangash, për krimin e përdhosjes së moralit të shoqërisë, duke i hequr botimit gjashtë poezi. Një penalizim i tillë për një borxhli si Bodler, do të ishte shokues dhe për shpirtin e tij të lëshuar hoveve dhe zjarreve të pasionit e lirisë, skarcimi i 6 poezive që përbënin “vertebrën” e kësaj kryevepre, do të ishte gjithashtu një anatemë që do ta ndiqte si një re e zezë përgjatë gjithë fluturimit. Në këtë kohë perëndon edhe ylli i artistes M. Sabatier të frekuentuar prej 5 vjetësh e fortësisht të idealizuar nga Bodleri, deri në atë pikë sa shumë biografë besojnë se kjo mund të ketë qenë shkaku i thyerjes së raportit të tyre. Dëshmi të shkrimtarëve bashkëkohorë që vizitonin të njëjtin sallon me poetin, e përshkruajnë atë si një grua me një inteligjencë të jashtëzakonshme e një bukuri të rrallë. Dënimi për përdorim fjalori të turpshëm si edhe fyerje të moralit publik i shkaktoi vëllimit poetik “Lulet e së Keqes” të njëjtën shkrepëtimë të zjarrtë në qiejt e bruztë të Francës, apogje fame, e humbëtira zhurme e dyshimi, ashtu siç ndodh jo rrallë herë edhe në ditët tona, ndaj persekutimit të krijimeve të ashtuquajtura pornografike. Poeti Artur Rembo thoshte për Bodlerin se … ai qe vetë Perëndia!, ndërkohë që gjykatësit e Napoleonit të III-të shihin te ai vetë Djallin dhe e dënuan të hiqte prej vëllimit në fjalë, gjashtë poezi, nënë akuzën se ato paraqisnin pamje të turpshme e fjalor të ndyrë, te cilat fyenin rendë moralin shoqëror. Pas kësaj, vetë Bodleri këmbënguli e protestoi duke kërkuar që libri, duhej gjykuar në tërësinë e tij dhe, jo në poezi të veçanta, se blasfemitë i drejtoheshin qiellit e jo Zotit, por më kot …
Në fakt, procesi ndaj përmbledhjes së famshme “Lulet e së Keqes”, një nga kryeveprat e poezisë franceze dhe botërore, kish nisur dhjetë ditë pas botimit të tij të parë me 1.300 ekzemplarë, pikërisht më 5 korrik 1857, me një artikulli të gazetës “Le Figaro”. Ku ndër të tjera, shkruhej se: “… është e palejueshme që, një person si autori i librit, i cili i ka kaluar të tridhjetë, të shkruajë një vepër të tillë monstruoze … Ka momente madje, kur mund të dyshohet edhe për vetë gjendjen e tij mendore … Kurrë s’kemi parë kaq shumë puthje e kafshime gjoksesh, kaq shumë demonë, djaj, kufoma, mace e krimba … Ky libër është një spital i hapur për çdo lloj idiotësie e fëlliqësie të shpirtit njerëzor”. Pas kësaj, Ministria e Brendëshme e hodhi librin në gjyq, ndërkohë, gazeta “Le Figaro” e vazhdoi edhe më tej fushatën kundër Bodlerit. Dhjetë ditë pas procesit, Viktor Hugo, që prej ishullit Guernesey, ku ndodhej në egzil, në një letër drejtuar Bodlerit, ndër të tjera i shkruante: “Lulet tuaja të së Keqes, vezullojnë e rrezatojnë si drita e yjeve. Pa dashje, regjimi, ju ka dhënë një prej dekoratave të tij më të vyera. Drejtësia ju dënoi në emër të atij, të cilin ajo e quan moral e kjo është edhe një medalje tjetër më tepër për ju …”. Më 1924 botuesit, të cilët kishin edhe të drejtën e autorit, publikuan për herë të parë edhe poezitë e dënuara, por libri u hoq përsëri nga qarkullimi. Vetëm 92 vjet më pas, më 31 maj 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e procesit të zhvilluar më 1857, duke rehabilituar kështu për herë të parë dhe përfundimisht, të gjashtë poezitë e mallkuara.
Sharl Bodler ishte dhe mbeti kumti i zgripit të një epoke, çarja e pllakës tektonike të romantizmit që po praronte dhe modernizmit që ngjizej në fetusin e një France të ngërthye nga empirikët, e shpirtrat e lirë që ngriheshin flatrim mbi katakombet e të atëhershmes dhe të së kaluares, për nga horizontet që davariteshin prej mjegullave. Në truallin e thepisur të asaj kohe, poeti u miklua nga tançka, dhe u kapërtheu prej hazdisë që ishte në anën e kundërt të rrjedhës. Çmimi i këtij dedikimi të çartun e degdisi atë në portat e ferrit të anatemës. Koha që e ngjizi dhe kapërcyelli ku ngarendte Franca, e cilësoi atë si “heretik”, “mëkatar”, “pervers”. Kjo ishte shpaga e një artisti që dashurohej me lirinë, po aq shumë sa dhe me femrat. Krijimtaria e tij kumtonte një perceptim të qartë përnga konkretja që gjente si mjete shprehëse një metaforë të thukët e të ngjeshur, “plot ndyrësi” dhe “makabritet”. Ajo përvojë e kumtuar prej Bodlerit, e anatemuar asohere në Francën e ligjvënësve të Napolionit të III, gjehej e pikënisur nga realitete horror, makabër, pervers, t’përjargët e çmosndrysh, që mbushte boshllëkun e një zgafelle pasioni, që s’kishte të ngopur me eros, afsh dhe ofshamë, mish e kafshime, puthje e linja që treten para syve që i flakadan testosteroni, e trupa që fashiten përnën ndërzimin e dëshirave të shpenguara e përplot me ngulm. Një atributi të horizonteve me caqe në infinit, i’u dedikua dhe u mbrujt ai që do trazonte me fjalën e lirë kryqendrën e shtjellave të gatimit të dimensionit të vlerës, Sharl Bodler. Ai nuk ishte, por mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe duhej të ndryshonte. /KultPlus.com
Më 9 prill 1961, në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1939. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.
Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtëzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i sillte një revole sepse nëse mjekët do t’i thoshin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.
Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje.
“Është kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.
Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”.
Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.
Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencës së tij, kodi i vjetruar penal Osman u zëvendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduku banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata ktheheshin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.
Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.
Me rastin e 57-vjetorit të vdekjes sjellim 50 fakte nga jeta e një nga njerëzve më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai kishte pasion tenisin, pinte 250 cigare në ditë, flinte shumë pak, ishte paranojak ndaj atentateve. Dashuritë e tij dhe detaji i veçantë me këmishën e virgjërisë të mbretëreshës Geraldina.
Njihuni me jetën e jashtëzakonshme të mbretit të shqiptarëve:
1. Ahmet Zogu jetoi 65 vite, 5 muaj e 29 ditë. Lindi në 8 tetor 1895 në fshatin Burgajet të Matit dhe vdiq më 9 prill 1961 në spitalin Fosch, pranë Parisit.
2. Ahmet Zogu ka qenë mbret i Shqipërisë për 10 vjet 7 muaj e 6 ditë. Ai u kurorëzua Mbreti i Shqipërisë më 1 shtator të vitit 1928. Monarkia i tij mori fund kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
3. Ahmet Zogu qëndroi për 11 vjet në fronin e mbretit të Shqipërisë, për 3 vjet në detyrën e presidentit, për 2 vjet në detyrën e kryeministrit dhe për 10 muaj në detyrën e ministrit të Brendshëm.
4. Ahmet Zogu ishte djali i Xhemal Zogut, kryetar i një fisi të Matit dhe i Sadije Toptanit, një nga pinjollet e familjes së njohur Toptane nga Tirana. Xhemal Zogu vdiq në moshën 41-vjeçare në rrethana të panjohura. Ndërsa Sadije Toptani vdiq më 24 nëntor 1934.
5. Ahmet Zogu ishte një nga dy djemtë e familjes dhe kishte edhe pesë motra, Adilen, Nafien, Semien, Mexhiden dhe Ruhijen. Ndërsa vëllai i tij, Xhelal, ishte nga martesa e parë e të atit. Princi Xhelal vdiq në Stamboll në vitin 1944 dhe la pesë fëmijë.
6. Mbiemri i vërtetë i familjes mbretërore është Zogolli. Nuk ka një datë të saktë se kur është bërë ndërrimi i mbiemrit, por mendohet se mund të jetë viti 1927. Mbiemri Zogu i përshtatej më shumë një aristokrati sesa mbiemri i mëparshëm Zogolli.
7. Ahmet Zogu mësimet e para i mori në Liceun Perandorak Francez të Gallatasarajit në Turqi. Më pas vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Perandorake në Vjenë. Studimet i ndërpret në vitin 1912 dhe kthehet në Shqipëri.
8. Ahmet Zogu ka qenë pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, si delegat i Matit. Ai në atë kohë ai ishte 17 vjeç dhe cilësohet si aksioni i parë politik i tij
9. Ahmet Zogu ishte 25 vjeç kur mori detyrën e ministrit të Brendshëm; 30 vjeç, kur u bë President i Republikës; dhe 33 vjeç kur vuri në kohë skeptrin e mbretit të shqiptarëve. Në 65 vite të jetës së tij Zogu i provoi të gjitha, që nga dëbimi prej Shqipërisë, rikthimin për të arritur majat e pushtetit dhe ekzili për të mos u kthyer më kurrë.
10. Gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut në 11 vite u krijuan tetë kabinete qeveritare. Më kryesorët janë ata me kryeministra Kostaq Kota, Pandeli Evengjeli, Mehdi Frashëri.
Frika nga atentatet dhe pasionet për jetën
11. Pallati i Zogut ruhej nga 500 këmbësorë dhe tridhjetë kalorësiakë. “S’kam asgjë kundër vdekjes në betejë”, thoshte ai. “Por nuk kam në plan të lejoj të më qëllojnë në mes të rrugës si qen”. Betejat e tij me bejlerët rivalë, kosovarët, radikalët që mbështesnin Nolin dhe rebelët dukagjinas e kishin shtënë në gjak me një sërë familjesh. Të fyerit i dërgonin herë pas herë një zarf me plumb brenda, që ishte premtim se plumbin tjetër do e merrte në zverk. Një vizitor britanik guxoi njëherë të sugjeronte se kreu i shtetit duhej të përjashtohej nga ligjet e gjakmarrjes. Një këshilltar i Zogut iu përgjigj: “Mbreti jonë shkëlqesi është një prej nesh, jo si mbreti juaj”.
12. “Njerëzit e Tiranës mund ta shihnin mbretin e tyre duke bërë përshëndetjen në paradat ushtarake në ditët e festa kombëtare. Kur Zogu mori pjesë në një pritje të inaugurimit të ndërtesës së re të Legatës së SHBA-së në vitin 1930, diplomatët e panë të çuditur teksa ai rrëshqiti nga makina, rendi në ndërtesë, dëgjoi fjalimin dhe u zhduk po aq shpejt sërish. Hapja e parlamentit ishte njësoj e nxituar në ato raste të veçanta kur ai mbante fjalimin e mbretit, personalisht. “Të huaj këtu shijojnë herë pas here çaste talljeje me të”, ankohej Rose Wilder Lane, shkrimtarja amerikane që jetonte në Tiranë dhe që u bë mikja dhe ndoshta edhe e dashura e tij”, shkruante studiuesi Jason Tomes në librin e tij “King Zog: self-made monarch of Albania”.
13. Herë pas here, kishte ndonjë shfaqje të papritur të mbretit, kur Zogu bënte shëtitje të shkurtra përkrah nënës së tij, përmes kopshtit trekëndësh ndërmjet rezidencave të tyre. Ky park në miniaturë ishte si kopsht bashkiak, me trëndafila dhe stola, ku shoqëria alla-franga vinte të dielash pasdite. Me Sadijen në krahun e tij, ai ishte i sigurt nga vrasësit që respektonin Kanunin. Raste kur dilte nga qyteti ishin të rralla, zakonisht për të shkuar në Mat me motrat e tij, për të ngrënë drekë në shtëpizën e tij në Qafështamë. Ekskursionet kryheshin në rrugë të ndryshme çdo herë, shpërndaheshin informacione false, bëheshin kontrolle për bomba dhe ndryshohej itinerari në momentin e fundit.
14. Frika e mbretit për jetën e tij mund edhe të ketë qenë e ekzagjeruar. Liderë të tjerë kombëtarë mund t’ia besonin mbrojtjen e tyre policisë; Zogu e shihte si të nevojshme që të kujdesej vetë për çdo detaj të mbrojtjes së tij.
15. Të dërguarit diplomatikë të Italisë dhe Jugosllavisë gjithashtu përpiqeshin ta trembnin duke u kaluar shërbimeve sekrete informacione për komplote në radhët e emigrante shqiptarë.
16. Kompleksi kishte një fushë tenisi dhe palestër, edhe pse mbreti s’i përdorte shpesh ato. Shqiptarët e modës së vjetër nuk e kuptonin pse perëndimorët bënin palestër vazhdimisht. Sporti ishte tipar i shoqërisë evropiane për të mbajtur trupin në formë, gjithsesi Zogu nganjëherë e merrte raketën e tenisit. Ata që lavdëronin lojën e tij nuk njihnin ndonjë standard krahasimi.
17. Rutina e zakonshme e këtij gjeniu duhanpirës ishte gjithçka përveç se e shëndetshme. “Ai ishte një oxhak njerëzor”, kujtonte një reporter i huaj. “S’kam parë njeri të pijë aq shumë duhan dhe pa ndërprerje”. Sipas këtij burimi, Zogu pretendonte se në 1920-ën e kishte zakon të pinte 250 cigare në ditë. Mbase duhanpirës të tjerë po aq të vullnetshëm mund të gjykojnë më mirë nëse një nivel i tillë konsumi duhani është fizikisht i mundur, por të gjithë bien dakord se ai pinte shumë duhan, edhe sipas standardeve shqiptare’, shkruante historiani Jason Tomes.
18. Zogu thoshte se ngrihej në gjashtë të mëngjesit e shtrihej në mesnatë. Ai normalisht ishte në studion e tij të mbingrohur në orën tetë të mëngjesit dhe plani i tij i punës zgjatej në 14 orë në ditë. Një poet zogist e perifrazoi në vargje, “lumi s’fle, deti s’fle, po ashtu nuk fle as mbreti”.
19. Ushqimi vinte nga pallati i nënës mbretëreshë në një kuti të mbyllur sepse ai kishte besim vetëm tek Sadija. Zakonisht ushqimi përbëhej nga specat, oriz me mish, komposto frutash, djathë i bardhë, bukë e zezë dhe byrek me djathë e arra. Ushqimi i tij i preferuar ishin patëllxhanët e mbushur.
20. Mbreti lexonte shumë ndaj s’kishte një kufi të qartë ndërmjet punës dhe zbavitjes. Pako të tëra me libra dhe revista vinin rregullisht nga Vjena. Ai ruante interesin e tij për historinë ushtarake, veçanërisht për periudhën napoleonike dhe një bust i vogël i Napoleonit qëndronte në tavolinën e tij të punës, përkrah një pllake qeramike të Skënderbeut.
21. Shpeshherë pasi mbaronte ai luante e letra për para me disa prej adjutantëve dhe ministrave të tij. Këto rast shërbenin dhe për të shkëmbyer informacione informale politike. Zogu i mësonte thashethemet më të fundit nga të ftuarit e tij dhe po nëpërmjet tyre përhapte thashethemet për llogari të tij.
22. Zogu e linte Tiranën zakonisht vetëm një herë në vit. Në pik të verës, njerëzit preferonin t’i iknin klimës mbytëse të kryeqytetit. Familja mbretërore udhëtonte drejt Durrësit çdo qershor dhe kalonte pranë detit tre ose katër muaj. Zogu kishte shpresuar ta kthente Durrësin në portën e Shqipërisë. Ishte një prej porteve më të mira në Adriatik, sipas qeverisë shqiptare. Ishte pikërisht në Durrës që në pritje të një ardhmeje më me influencë, Zogu kishte zgjedhur të ndërtonte pallatin e tij veror.
23. Buzë detit, mbreti e ndërronte kostumin e tij të zakonshëm gri me pantallonat bardha prej stofi dhe një xhaketë sportive blu. Pjesën më të madhe të kohës qëndronte në studio, një zyrë e vogël e pajisur me disa karrige të lehta, një tryezë kafeje dhe një tavolinë. Lluca ishte një problem më vete, ndaj vizitoreve femra u kërkohej të mos vishnin taka të larta. Meqë këtu vizitohej nga më pak njerëz se në kryeqytet, Zogu e përdorte shpesh telefonin. Shqipëria nuk ishte lidhur me rrjetin ndërkombëtar, por linjat ndërmjet pallateve, ministrive dhe postave të xhandarmërisë funksionin.
24. Shpeshherë organizoheshin shfaqje filmash në shtëpinë e kinemasë. Motrat e tij dhe fëmijët pëlqenin të shihnin Charlie Chaplin dhe Shirley Temple. Të gjithë binin herët për të fjetur. Ndryshe nga ç’besohet, ballot luksoze, shpenzimet e tepruara dhe format e tjera të ekstravagancës nuk ishin tipar i mbretërisë së Zogut. Kushtetuta e vitit 1928 i kishte caktuar mbretit 500 mijë franga ari në vit, si dhe shpenzimet për stafin dhe udhëtimet. Nëna mbretëreshë dhe princeshat merrnin 120 mijë të tjera. Edhe pse ishte shumë më pak se shuma që i paguhej mbretërve të Rumanisë dhe Jugosllavisë, të ardhurat vjetore zor se i kalonin 1 milionë paund dhe ku thesari ishte gjithnjë në deficit.
25. Siç mund të vërenin diplomatët e huaj, shpenzimet e tij më ekstravagante ishin ato që kishin si synim të linin bejlerët në hije. Ai e kishte shumë me qejf që t’i vinte në siklet, kur bëhej fjalë për shkëmbim dhuratash. Prestigji ishte gjithashtu një motiv tjetër për të blerë disa limuzina (më së shumti Mercedez-Benz). Ai nuk i ngiste vetë ato, por rrugët malore kërkonin motorë të fuqishëm. Për t’u bërë përshtypje krerëve të fiseve, mbreti ekspozonte koleksionet e tij të qilimave orientalë dhe armët antike.
26. Shpenzimet më të mëdha dëshmojnë se mbreti paguante trefish më shumë për çdo gjë që familja mbretërore blinte në treg. Mbase mbreti nuk e kuptonte se faturat e ushqimeve të tij fryheshin më shumë se ç’duhej; por në fakt ka më shumë mundësi që ai ta dinte shumë mirë, por dashamirësia e tregtarëve tiranas mendonte ai mund të meritonte një shpërblim të tillë.
Politika mbretërore
27. Kundërshtari politik më i egër i Ahmet Zogut mund të cilësohet Fan Noli. Edhe pse Zogu e rrëzoi nga pushteti në vitin 1924, Noli edhe në emigrim vazhdoi të ishte armiku i tij. Noli e quante oksidentalizmin e Zogut një farsë. Në një nga debatet në parlamentin e viteve 1920-1924, Fan Noli e quan kryeministrin Zog “shakaxhi të përparimit”.
28. Ahmet Zogu është dhe i pari kryetar shteti që ndërmori reforma edhe për emancipimin e gruas. Në vitin 1937 Parlamenti miratoi ligjin për ndalimin e perçes tek gratë myslimane. Ligji i Zogut lejonte ndalimin e perçes edhe me forcë, pasi ai ishte antiligjor dhe antishoqëror.
29. Akuza më e rëndë që i është bërë Ahmet Zogu është dhënia e Shën Naumit Serbisë, në vitin 1925. Sipas historianëve, ky vendim u bë në shenjë falënderimi për ndihmën që i dhanë serbët për ta sjellë në pushtet atë një vit më parë, pas rrëzimit të Fan Nolit.
30. Ahmet Zogu është i pari zyrtar i qeverisë shqiptare që nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për marrëveshjen e ekstradimit të personave të kërkuar nga drejtësia. Marrëveshja e vitit 1933, e cila është në fuqi edhe sot.
31. Mbreti Ahmet Zogu ishte dhe ai që vendosi zhvillimin e Tiranës drejt Jug-Perëndimit në zonën që sot njihet si “Tirana e Re”. Zonë që më pas u zgjodh nga bllokmenët për të banuar. Edhe sot kjo është zona më e urbanizuar e vendit dhe më e rregullta për çështjet e pronësisë.
32. Ahmet Zogu u cilësua fashist dhe nazist nga komunistët, megjithatë është i vetmi monark, qeveria e të cilit hapi dyert për hebrenjtë. Në vitin 1935 delegati i Zogut në Lidhjen e Kombeve pranon këtë bamirësi nga shqiptarët duke u shpëtuar jetën me qindra hebrenjve që erdhën në vendin tonë.
33. Pushtimi italian pritej prej kohësh. Pak ditë para ultimatumit të italianëve, mbreti Zog urdhëroi të hartohej një plan rezistence. Gjeneralët që e hartuan atë ishin Xhemal Araniti dhe Gustaq Mirdaci. Plani parashikonte një rezistencë në gjithë vendin, por kryesisht në portet e vendit. Nën drejtimin e Zogut ushtria shqiptare kishte rreth 1200 kuadro të lartë. Nga këta 2 gjeneralë, 7 kolonelë, 12 nënkolonelë, 42 majorë dhe 860 togerë. Siç shkruan vet Zogu në kujtimet e tij, pak pas hartimit të planit informohet se një pjesë e drejtuesve të ushtrisë ishin të korruptuar nga agjentët italianë.
34. Gjatë ekzilit të tij 22-vjeçar, Ahmet Zogu qëndroi në të paktën 10 shtete. Greqia, Turqia, Polonia, Suedia, Franca, Anglia, Spanja, Egjipti, SHBA-ja, Belgjika. Anglia, Egjipti dhe Franca ishin shtetet nga ku Zogu ka bërë planet kryesore për kthimin e tij në Shqipëri.
35. Historiani anglez, Jason Tomes, në librin e tij “Mbreti Zog, Monarku i Vetëshpallur i Shqipërisë”, botuar në 2003, thotë se mbreti gjatë qëndrimit në Londër ka kërkuar të blejë gazetën “The Times” me në vlerë prej 10 milionë paund. Gjatë kohës që kanë jetuar në Angli, Zogu bleu dhe jetoi në një kështjellë “Parmoor House”, një komunitet i vogël rural në Buckinghamshire në Angli. Ndërsa pjesën tjetër të qëndrimit në Angli e kaloi në Londër.
36. Gjatë kohës që kanë qenë në Francë, Ahmet Zogu ka blerë në vitin 1955 dhe ka jetuar shtëpinë e piktorit të madh, Pablo Picaso. Edhe pse në ekzil, familja jetonte sipas rangut të saj duke marrë pjesë në të gjitha ceremonitë mondane.
Jeta private
37. Ahmet Zogu ishte i fejuar me vajzën e Shefqet Vërlacit për shtatë vite. Ai u fejua në vitin 1921 dhe u nda nga ajo në vitin 1928. Kjo fejesë ishte dhe një aleancë e nevojshme mes Zogut dhe Vërlacit. Pas ndarjes dy familjet u armiqësuan, ndërsa pushteti e bashkoi përsëri Shefqet Vërlacin me Zogun.
38. Tania Vizirova (Visirova) ka qenë një nga të dashurat e njohura të Ahmet Zogut. Ai e kishte njohur atë në Francë, ku njihej si një kërcimtare profesioniste. Tania me origjinë nga Besarabia dhe Kaukazia, madje erdhi edhe në Shqipëri. Një tjetër histori dashurie e Ahmet Zogut është dhe ajo me gazetaren amerikane, Rose Wilder Lane. Kur Zogu i propozoi asaj për martesë ishte ende ministër i Brendshëm. Libri i saj për Shqipërinë, “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës), brenda pak kohëve u ribotua tri herë në Angli, Francë dhe Amerikë.
39. Ahmet Zogu u fejua dhe pas disa muajsh u martua me Geraldinën, një vajzë që rridhte nga një familje mbretërore dhe për bukurinë e saj të jashtëzakonshme ishte shpallur “Trëndafili i bardhë i Budapestit”. Mbreti Zog u martua me konteshën Geraldine Appony të mërkurën afër drekës, më 27 prill të vitit 1938. Geraldina që nga ai çast mori titullin e Mbretëreshës së Shqiptarëve. Data 27 prill u zgjodh pasi një tjetër ceremoni e tillë u bë afro pesë shekuj më parë në kalanë e Beratit. Më 26 prill 1451 martohej Gjergj Kastrioti me Maria Donikën e Arianitit.
40. Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj. Regjenti, Horti, i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj Lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronzi.
Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga kancelari i Gjermanisë, Hitler, një Mercedez sportiv kabriole të kuq.
41. Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një Mercedes të hapur. Mijëra vetë kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare.
“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si kambanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë.” – dëshmon biografja e Geraldinës.
Pikërisht këmisha e natës ka edhe një histori tipike shqiptare. Të nesërmen në mëngjes ajo nuk gjendej më nga shërbyesja e Mbretëreshës. E shqetësuar, kjo e fundit, ia referoi këtë bashkëshortit. Përgjigjja ishte befasuese: “Të kam folur shumë për mënyrën se si i respektojmë ne femrat, veçanërisht nënat. Ishte e domosdoshme që ti të ishe e virgjër dhe çdo vajzë e huaj që vjen për martesë, duhet t’i nënshtrohet një vizite mjekësore. Unë mburrem me faktin se kam aftësinë t’i njoh njerëzit dhe më mjaftoi vetëm të shikoja sytë e tu. Nuk të thashë asgjë për këtë vizitë, pasi e dija që nuk do të kishe pranuar. Por, në të njëjtën kohë, më duhej t’i jepja prova Parlamentit, kështu që e mora këmishën tënde të natës dhe ia dërgova kryetarit”. Këmisha e natës kishte shërbyer si provë shtetërore e virgjërisë së Geraldinës.
42. Ahmet Zogu ishte 42 vjeç dhe Geraldina Appony ishte vetëm 22 vjeç kur ata vunë kurorë. Vetëm një vit pas martese ata u bënë me djalë, të cilin e pagëzuan me emrin Leka, për nder të Aleksandrit të Maqedonisë, një nga idhujt. Mbretëresha Geraldinë është e para grua që ngriti një fondacion bamirësie në vendin tonë për të varfrit. Pas martesës ajo u bë një nga femrat me më ndikim në vend për emancipimin e shoqërisë së kohës.
43. Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në Prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës, i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore. Për të u shkruajtën shumë libra dhe përcaktimi më i shpeshtë që haset është: “Trëndafili i bardhë i Budapestit”!
Vdekja dhe disa vlerësime nga bashkëkohësit
44. Ndaj Ahmet Zogut janë bërë të paktën 11 atentate, të cilat janë deklaruar. Dy me bombë, dy me pistoleta dhe pjesa tjetër janë komplote që shërbimi sekret i ka njoftuar se po përgatiteshin kundër tij. Thënia më e famshme për rrezikun e jetës së Ahmet Zogut është ajo e historianit amerikan, Bernd Fisher, i cili thotë se të ishe badigard i Zogut ishte njëlloj si të ishte roje nate në një fabrikë baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptijnë rrufe.
45. Zogu vdiq në spitalin Fosch të Francës pas një sëmundje të rëndë në prani të bashkëshortes Geraldinë. Sipas historianit Ficher, në momentet e fundit të jetës Zogu ka tentuar të vrasë veten. I ka kërkuar Geraldinës t’i japë pistoletën. Ajo ia dha, por pa fishekë. Ndërsa gjendja shëndetësore e Zogut ishte e tillë që ai nuk kish fuqi as të ngrite pistoletën për të qëlluar veten.
46. Pjesa më e errët e veprimtarisë së Ahmet Zogut cilësohet largimi nga Shqipëria, më 6 prill 1939, një veprim që pavarësisht sqarimeve të tij dhe familjes, edhe sot mbetet e pashpjegueshme nga historianët.
48. Vlera më e madhe e historianëve që i japin sot Ahmet Zogut është krijimi i një shteti modern shqiptar, me ligje dhe standarde, dhe ekonomi të kohës që nuk i kishin shumë shtete perëndimore në atë kohë.
49. Në disa rreshta lapidar, Faik Konica ka përmbledhur karakterin e Zogut: “Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar me të cilin mund të merreshe vesh, por në vitet e fundit ai ishte bërë i padurueshëm. Nga natyra ai kishte disa cilësi të shquara dhe në fillim kishte zotësinë t’i maskonte të metat që i kishte më të shumta, derisa një ditë suksesi në rritje e shtyu të hiqte maskën dhe doli siç ishte: Një barbar i paqëndrueshëm dhe bukëshkalë”. Por për Konicën Zogu ka qenë edhe një personazh enigmatik interesant. “Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë edhe studiuesin e psikologjisë”.
50. Në prag të vdekjes, një prej njerëzve që e ka njohur mirë, diplomati Eqrem bej Vlora, e portretizon Zogun kështu: “Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata: Ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’i shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij.
Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij…”./ KultPlus.com
Francis Bacon, Vikonti i Parë St Alban, ishte një burrë shteti, avokat dhe filozof anglez, i konsideruar si një figurë me ndikim në revolucionin shkencor.
Një shkrimtar elokuent, ai shkroi gjerësisht për tema që varionin nga ligji dhe feja deri te politika dhe etika bashkëkohore. Djali i Sir Nicholas Bacon dhe Anne, një studiues, ai u rrit në një mjedis që vlerësonte edukimin dhe diskutimet intelektuale. Ai u arsimua në Universitetin e Kembrixhit. Ai u kualifikua si avokat dhe ndoqi një karrierë juridike për disa kohë përpara se të futej në politikë. Me kalimin e viteve, ai u bë i njohur si një reformator me mendje liberale, i cili kundërshtoi privilegjet feudale dhe pushtetet diktatoriale. Ai ishte gjithashtu kundër persekutimit fetar. Ai kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore dhe vazhdoi të bëhej këshilltari i parë i Mbretëreshës.
Ai përfundimisht u emërua prokuror i përgjithshëm gjatë mbretërimit të James I dhe vazhdoi të rritet në shtat në vitet e ardhshme. Pavarësisht se kishte një karrierë të suksesshme dhe një pozicion pushteti në shoqëri, ai ishte i rrënuar nga problemet financiare. Ai ra në borxhe të thella dhe u akuzua për disa raste korrupsioni, pas të cilave karriera e tij e profilit të lartë përfundoi në turp. Si filozof, ai la pas një trashëgimi të pasur në vepra shkencore, juridike, fetare e letrare.
*** Nga të gjitha cilësitë e larta të mendjes, më e madhja është mirësia, është cilësi e karakterit Hyjnor; dhe pa mirësinë, njeriu është i mërzitshëm, bajat, një send pa vlerë.
*** Lexo jo për kundërvënie dhe ngatërrime, as për të besuar dhe për t’i marrë kallëp gjërat…por për të shoshitur dhe për të vlerësuar.
*** Rruga e fatit është si Rruga e Qumështit në qiell; e cila përbëhet nga një numër yjesh të vegjël, të cilët nuk dallohen prej njëri tjetrit, por që japin dritë së bashku: ashtu është edhe numri i virtuteteve të vogla dhe të pavlera apo i aftësive dhe i shprehive që i bëjnë njerëzit me fat.
*** Mosha duket se është më e mira në katër gjëra: druri i vjetër është më i miri për t’u djegur, vera e vjetër është më e mira për t’u pirë, miqtë e vjetë janë më të mirët për t’iu besuar dhe autorët e vjetër janë më të mirët për t’i lexuar.
*** Jeta e një beqari është një mëngjes i shijshëm, një drekë bajate dhe një darkë e mjerë.
*** Njerëzit duhet ta dinë se në këtë teatër të jetës së njeriut, vetëm Zotit dhe engjejve iu është rezervuar vendi i spektatorëve.
*** Ai që jep këshilla të mira, ndërton me një dorë; ai që jep këshilla të mira dhe shembull të mirë, ndërton me të dyja; por ai që jep këshilla të mia dhe shembull të keq, ndëron me një dorë dhe prish me tjetrën.
*** Nëse njeriu fillon me qartësi, ai do të përfundojë me dyshime, por nëse është i kënaqur t’ia fillojë me dyshime, do të përfundojë me qartësi.
*** Fantazia i është dhënë njeriut për të plotësuar atë çfarë ai nuk është; sensi i humorit i është dhënë që ta ngushëllojë për çfarë ai është.
Kam falur gabime gati të pafalshme, kam provuar të zëvendësoj persona të pazëvendësueshëm dhe kam harruar persona të paharrueshëm. Kam vepruar sipas momentit dhe jam zhgënjyer nga persona që nuk e mendoja kurrë se mund të zhgënjehesha, por edhe unë kam zhgënjyer.
Kam mbajtur dikë mes krahëve të mi për ta mbrojtur, jam bërë mik përjetë. Kam qeshur kur nuk ka qenë e nevojshme, kam dashuruar, më kanë dashuruar, por edhe më kanë refuzuar. Më kanë dashuruar dhe nuk kam ditur si t’ua kthej dashurinë.
Kam bërtitur dhe jam hedhur përpjetë nga gëzimi. Kam përjetuar dashurinë e kam bërë premtime të përjetshme, por më është thyer zemra kaq e kaq herë!
Kam qarë duke dëgjuar muzikë e duke parë disa fotografi të mbushura me kujtime. Kam telefonuar thjesht për të dëgjuar një zë. Jam dashuruar përsëri me një buzëqeshje. Kam besuar përsëri me nostalgji dhe kam patur frikë të humbas një person shumë të veçantë, te cilin kam përfunduar duke e humbur… por kam mbijetuar!
Dhe jetoj akoma! Dhe jeta nuk më lodh! Dhe ti nuk duhet te lodhesh nga jeta. JETO!
Është mrekulli të përpiqesh me bindje, të përqafosh jetën dhe ta jetosh me pasion. Të humbësh me klas dhe të fitosh me guxim. Sepse bota i përket atij që guxon… / KultPlus.com
Presidentja Osmani ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut.
“Sot përkujtojmë me nderim të thellë përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut, ku ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë mizorisht 32 civilë.
Ata u flijuan për lirinë tonë, në mbrojtje të popullsisë civile nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë. Kujtimi për ta dhe për martirët do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për ne dhe brezat që vijnë.”/ KultPlus.com
Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli.
Ishte data 8 tetor e vitit të largët 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhet Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta marr kështu emrin Mbreti Zog.
Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.
Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.
Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecar.
Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.
Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.
Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.
Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.
Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com
Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 26 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.
Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani së fundi ka realizuar një intervistë me gazetarin Mario Nawfal, në të cilën ka treguar rrugëtimin e Kosovës dhe tërë historinë e shtetit.
Nëpërmjet rrjetit social X, Osmani ka bërë të ditur se Kosova do të qëndrojë: e palëkundur, e pathyer, e përjetshme. “Dhe kështu do të jetë aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Kosova qëndron si dëshmi se drejtësia, kur mbrohet, mund të triumfojë.
Se NATO, kur udhëhiqet nga vlerat, mund të shpëtojë jetë.
Kjo liri, kur fitohet, bëhet forca më e madhe e një kombi.
Dhe se ne kurrë nuk i kemi harruar ata që na qëndruan pranë nesh atëherë – dhe që na qëndrojnë pranë nesh sot.
Si kombi më pro-amerikan në Tokë, ne jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin amerikan, në çdo mënyrë. Është një aleancë e pakontestueshme – një aleancë që ne mezi presim ta përmirësojmë nëpërmjet formulës së Presidentit Donald Trump, “paqe përmes forcës”.
Unë u ula me @MarioNawfal për të folur për rrugëtimin e Kosovës – nga historia e saj, tek gjenocidi i mbijetuar, në ndërtimin e djepit të lirisë, një demokracie paqedashëse, të lulëzuar dhe largpamëse. Kosova do të qëndrojë: e palëkundur, e pathyer, e përjetshme! Dhe kështu do të jetë aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!/KultPlus.com
Kosovo stands as proof that justice, when defended, can prevail. That NATO, when guided by values, can save lives. That freedom, when earned, becomes a nation’s greatest strength. And that we have never forgotten those who stood by us then—and who stand by us today.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, të udhëhequr nga deputeti Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden.
Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus në sektorët që kanë interes të ndërsjellë dhe për mundësitë konkrete të avancimit të projekteve të përbashkëta.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe për hapat që po ndërmerren pas iniciativës së Presidentes për një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë, e cila është mirëpritur nga Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar.
Presidentja Osmani, me këtë rast, nënvizoi se përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i mëtejshëm i lidhjeve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe sektorë të tjerë strategjikë, për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të dy shteteve./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Betejën e Koshares.
Ajo ka vlerësuar se kjo betejë është flakadan që nuk shuhet kurrë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se në këtë betejë vajzat dhe djemtë e UÇK-së frymëzuan breza të terë.
“Beteja e Koshares, flakadani që nuk shuhet kurrë! Aty ku regjimi gjenocidal i Serbisë kishte ngritur murin ndarës me Shqipërinë, vajza e djem të UÇK-së, ngritën një ideal e mbollën guxim e frymëzim për breza të tërë. Aty ku dukej e pamundura, ata sollën fitoren. Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguaj çdo çmim. Lavdi përjetë dëshmorëve të lirisë!”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com
Tarifat e reja ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fuqi më 9 prill. Masat tregtare janë në kuadër të politikës së re tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump, e cila, sipas tij, synon të ringjallë industrinë prodhuese amerikane.
Normat më të larta të taksave të importit për dhjetëra shtete dhe territore përfshijnë një tarifë masive prej 104 për qind ndaj mallrave kineze dhe 20 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian.
Ky rund i ri tarifash hyn në fuqi të mërkurën, pasi më 5 prill nisën së zbatuari tarifat bazë prej 10 për qind për importet e shumë shteteve të botës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trumpi nuk e ka shqyrtuar mundësinë e hyrjes me vonesë në fuqi të këtyre tarifave.
“Ai pret që këto tarifa të hyjnë në fuqi”, tha ajo më 8 prill, disa orë para mesnatës, kur ishte afati për hyrjen në fuqi të tarifave.
Vetë Trump dha sinjale të përziera lidhur me atë nëse tarifat do të mbeten në fuqi. Ndërsa i përshkroi ato si “të përhershme”, ai tha se përfaqësues të shteteve të prekura ishin rrugës për në Uashington për të negociuar marrëveshje dypalëshe tregtare.
“Kemi shumë vende që po vijnë për të bërë marrëveshje”, tha ai në një ngjarje të organizuar në Shtëpinë e Bardhë më 8 prill. Më vonë, Trump shtoi se priste që edhe Kina të kërkonte një marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Administrata e Trumpit ka planifikuar bisedime me përfaqësues të Koresë së Jugut dhe Japonisë, dy aleatë të afërt dhe partnerë të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pritet të vizitojë javën e ardhshme Uashingtonin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është ndër zyrtarët që kanë ofruar një ulje të ndërsjellë të tarifave, por gjithashtu ka paralajmëruar se kundërmasat mbeten ende opsion.
Trump i shpalli tarifat më 2 prill, duke e quajtur atë “dita e çlirimit të Amerikës” dhe tha se ajo do të mbahet mend “si dita kur industria amerikane rilindi, dita kur u rimor fati i Amerikës dhe dita kur nisëm ta bëjmë Amerikën përsëri të pasur”.
Gjatë shpalljes së tarifave, Trump u ankua se për dekada me radhë shteti i tij ishte trajtuar padrejtësisht nga “miqtë dhe armiqtë njësoj” sa i përket çështjeve tregtare, duke krijuar një disbalancë të madhe tregtare.
Bursat në mbarë botën kanë rënë ndërsa tarifat po zbatohen, dhe ekonomistët paralajmërojnë se ato do të rrisin çmimet e mallrave që konsumatorët amerikanë blejnë çdo ditë, veçanërisht duke qenë se tarifat e reja ndërtohen mbi masa tregtare të mëparshme. Vendet e prekura pritet gjithashtu të kundërpërgjigjen.
Kina ka reaguar tashmë, duke vendosur një tarifë prej 34 për qind për të gjitha mallrat amerikane. Kjo përqindje përputhet me nivelin që ishte në fuqi përpara se Trump të njoftonte se SHBA-ja do të vendosë një tarifë prej 104 për qind ndaj Kinës duke filluar nga 10 prilli.
Ministria e Tregtisë e Kinës e quajti kërcënimin e Trumpit për të përshkallëzuar tarifat “një gabim mbi një gabim” që “përsëri ekspozon natyrën shantazhuese të SHBA-së”.
Përveç tarifave ndaj Kinës, Trump ka vendosur një tarifë të lartë prej 25 për qind për importet e automjeteve, duke nisur nga 3 prilli, e cila kryesisht është e drejtuar ndaj makinave të prodhuara në Meksikë dhe Kanada, me qëllim që t’i shtyjë këto dy shtete të ndërmarrin hapa për të kontrolluar migrimin dhe trafikimin e drogës. Këto tarifa janë për makinat e importuara, por tarifat pritet të zgjerohen javët në vijim, duke prekur edhe importet për pjesët e automjeteve.
Kanada është kundërpërgjigjur me një taksë prej 25 për qind për importet e automjeteve nga Shtetet e Bashkuara që nuk përputhen me Marrëveshjen e SHBA-së-Meksikë-Kanada. Këto tarifa pritet të hyjnë në fuqi më 9 prill.
Edhe çeliku dhe alumini janë cak i tarifave. Për dy metalet është vendosur një tarifë prej 25 për qind, vendim që hyri në fuqi muajin e kaluar./REL/ KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës dhe Baleti Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Operën e Kosovës, kanë nisur përgatitjet për produksionin skenik të ‘Carmina Burana’ nga Carl Orff.
Nën krijimin e ri koreografik nga Toni Candeloro dhe dirigjimin e Toshio Yanagisawa-s, Prishtina do të jetë nikoqire e këtij produksioni më 20 dhe 21 qershor 2025, në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit.
Kjo kantatë skenike për solistë, balerinë, kor, orkestër dhe imazhe koreografike inskenohet për herë të parë në Kosovë me mbi 300 artistë në skenë.