Sipas Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), 19 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur me “definitivisht po”, në pyetjen se a do të dilnin jashtë vendit për një përiudhë më të gjatë.
33 për qind ndoshta po, 15 për qind ndoshta jo dhe 29 për qind definitivisht jo.
Ndërkaq në muajin mars 2023, në pytjen e njëjtë ishin këto të dhëna:
33 për qind e të anketuarve kishin thënë definitivisht po, 26 për qind ndoshta po, 17 për qind ndoshta jo dhe 22 për qind definitivisht jo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar, sot do të zhvillojnë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.
Ai do të ketë një takim bilateral me kryeministrin të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.
Kështu kishte deklaruar dje për Klankosova.tv zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, kishte thënë Kryeziu.
Vizita e Kurtit, vjen pak ditë pas incidentit ndaj presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.
Lidhur me rastin, Presidenca pati deklaruar se Osmanit iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit.
Sot nga ora 18:00 mbahet në ceremonia e shpalosjes së propozimit fitues për zhvillimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në këtë ceremoni do të flasin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari.
Ndryshe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz – Skënderaj dhe ky vend i veçantë historik është ndërtuar për nder të Dëshmorëve të Betejës së Jasharajve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, e cila ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjithashtu e miratoi Ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar.
Ashtu si sot, 111 vite më parë, lindi publicisti, poeti dhe përkthyesi shqiptar Vedat Kokona. Jo rrallë herë gjatë shekujve të historisë, vende të vogla kanë rritur njerëz të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori. I tillë ishte Vedat Kokona.
Kokona u lind në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas vijoi mësimet në Liceun e Korçës. Gjatë studimeve në këtë shkollë, më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar. Çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërronte, dhe një botim i bukur poezish të Lamartinit. Po atë vit nisi studimet e larta në Paris për drejtësi, ku qëndroi deri në fillim të 1939-s. Pas përfundimit të universitetit, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Ai punoi si mësues i gjuhës frënge, në po Liceun e Korçës, ku kishte qenë nxënës. Aty u dallua si një nga mësuesit më të mirë. Gjatë invazionit fashist, kur Kokona punoi si profesor, udhëzimi ishte që të spiunonte nxënësit gjë që ai nuk mund ta pranonte për arsye të parimeve dhe të karakterit të tij. Për shkak të trysnisë politike, dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore.
Ai solli si trashëgimi për ditët e sotme vepra të rilindësve tanë. Përkthimin e parë e bëri që në vitet ’30 kur botoi në të përkohshmen “Illyria” me kryeredaktor Ernest Koliqin, poezinë “Njerëz të varfër” të Hygoit, për të cilën e përgëzuan Koliqi dhe diplomati Fico. Vedat Kokona përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornejin, Zhan Rasinin, Shekspirin dhe Tolstoin “Ana Karenina”, Gorkin “Fundërrinat”, Xhon Gollsuorthin “Saga e Forsajtëve”, Dikensin “David Koperfildin”, Aleksandër Beku “ Udha e Volokolamksut”, Rabindranat Tagoran “Stuhi në Gang” , Ernest Heminguejin “Lamtumirë armë”, La Fonten “Fabula të zgjedhura” , Stefan Cvaig “Letra e një të panjohure” etj.
Vedat Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Ai mbetet një figurë akademike me shumë kontribute në jetën e vendit, i cilësuar shpesh edhe si ati shpirtëror i frankofonisë.
Vedat Kokona u largua nga ne, por me kujtimin më të mirë të një njeriu zemërmirë, me pasion për jetën, për gjuhën, për frëngjishten që aq mirë e zotëronte, duke na lënë, ndër të tjera, një dhuratë të çmuar për gjuhën: fjalorin 35 mijë fjalësh shqip-frëngjisht.
Kokona mban titullin doktor “Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës, dhe është nderuar me titujt e dhënë nga Republika Franceze “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë” më 1995 dhe “Oficeri i Urdhrit të Palmave” më 1996. / KultPlus.com
Në kulmin e sezonit turistik Etno Fest ka mbërritur në Sarandë.
Eventi bën bashkë në qytetin e bukur të Sarandës, të gjitha trevat shqiptare, në panairin kulturor që shpalos vlerat kombëtare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale posterin e Etno Saranda që mbahet nga data 2 deri më 12 gusht në shëtitoren e Sarandës dhe Ksamil.
Për 11 ditë radhazi në stendat e panairit ekspozohen punime të mjeshtërisë artizanale, vepra të artistëve vendas, ndërsa nuk do të mungojnë këngët dhe vallet tradicionale.
Ky aktivitet është një etnomozaik dhe bën së bashku artizanë, zejtarë, piktorë, skulptorë për të promovuar trashgiminë kulturore duke qenë dhe një produkt turistik i shtuar për qytetin e bukur të Sarandës.
Eventi po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, ku spikat autenticiteti tradicional shqiptar që është një vlerë e shtuar për turizmin në vendin tonë.
Mbrëmjeve në Sarandë dhe Ksamil, shëtitoret janë të mbushura me pushues nga vende të të ndryshme të botës, vëmendjen e të cilëve këtë fillimgushti e ka tërhequr dhe tradita shqiptare./ KultPlus.com
Sado e pabesueshme që mund të duket, fundi i muajit mars shënoi 25 vjetorin e daljes për herëtëparë në kinema të serisë së parë të filmit “Matrix”, me regjinë e vëllezërve Uaçovski. Ky film shkencor “cyberpunk”, ishte një hit në kinematë e mbarëbotës, për shkak të vizionit futuristik dystopian, ndjenjën e veçantë të modes, dhe sekuencat e shkëlqyera të aksionit.
Por, ai ishte gjithashtu një katalizator, për debatin popullor rreth disa temave filozofike shumë të mëdha. Filmi përqëndrohet tek një haker kompjuterash, “Neo” (luajtur nga aktori Kenju Rivs), që mëson se e gjithë jeta e tij është jetuar brenda një realiteti të përpunuar dhe të simuluar.
Kjo botë ëndrrash të gjeneruara nga kompjuteri, u krijua nga një inteligjencë artificiale e krijuar nga njeriu, që industrialisht shfrytëzon trupat njerëzorë për energji, ndërsa i huton ata përmes një realiteti relativisht të këndshëm paralel të quajtur “matrix”.
Ky skenar, kujton një nga eksperimentet më të qëndrueshme të mendimit të filozofisë perëndimore. Në një pjesë të famshme të Republikës, Platoni na bën ta përfytyrojmë gjendjen njerëzore si një grup të burgosurish që kanë jetuar gjithë jetën në shpellë tëprangosur, ndaj përvoja e tyre e realitetit është e kufizuar në hijet e projektuara në faqen e shpellëssë tyre.
Një i burgosur i liruar, sugjeron Platon, do të habitej po të zbulonte të vërtetën rreth realitetit, dhe do të verbohej nga shkëlqimi i diellit. Nëse ai kthehet pas në shpellë, shokët e tij nuk do të kishin mundësi të kuptonin atë që ai e kishte përjetuar, dhe me siguri do të mendonin se ai ështëçmendur. Ikja nga robëriae injorancës, është e vështirë.
Tek “Matrix”, Neo çlirohet nga udhëheqësi rebel Morfeus (ironikisht, emri i perëndisë greke të Gjumit), duke u zgjuar për herë të pare në jetën reale. Por, ndryshe nga i burgosuri i Platonit, icili zbulon realitetin “më të lartë” përtej shpellës së tij, bota që e pret Neon është e shkretuar dhe e tmerrshme.
Shqisat tona të dështueshme
“Matrix”, ndalet edhe tek çështje filozofike të trajtuara shkëlqyeshëm nga francezi Rene Dekarti në shekullin XVII-të, në lidhje me pamundësinë tonë për të qenë të sigurt, në lidhje me dëshmitë e shqisave tona, dhe aftësinë tonë për të ditur diçka të saktë mbi atë se si është bota në të vërtetë.
Madje Dekarti, vuri në dukje vështirësinë e të qenurit i sigurt, se përvoja njerëzore nuk është rezultat i as i një ëndërre apo një mashtrimi sistematik keqdashës. Skenari i fundit, u përditësua në vitin 1981 nga filozofja Hilari Putnam, që mendoi një eksperiment, ku një shkencëtar manipulonpërmes elektricitetit një tru, për të nxitur ndjenjat e jetës normale.
Pra, tek e fundit, çfarë është realiteti? Mendimtari francez Zhan Bodilar, libri i së cilës shfaqet shkurtimisht në fillim të filmit, shkroi gjerësisht mbi mënyrat përmes të cilave shoqëria bashkëkohore,gjeneron imitime të sofistikuara të realitetit që bëhen kaq realiste, sa që ata ngatërrohen për vetë realitetin ( si për shembull duke gabuar hartën për peizazhin, ose portretin për personin).
Natyrisht, nuk ka nevojë për një konspiracion të Inteligjencës Artificiale të llojit Matrix, për ta arritur këtë. Ne e shohim atë tani, ndoshta edhe në njëmënyrë më intensive se sa 20 vjet më parë, me dominimin e “reality TV”, dhe identiteteve të kuruara të mediave sociale.
Në disa aspekte, filmi duket se arrin në një pikëpamje të afërt me atë të filozofit gjerman të shekullit XVIII-të, Emanuel Kant , i cili këmbëngultese shqisat tona jo thjesht kopjojnë botën; përkundrazi, realiteti përputhet me kushtet e perceptimit tonë. Ne e përjetojmë botën për atëqëështë, përmes spektrit të pjesshëm të shqisave tona.
Etika e lirisë
Së fundmi, trilogjia e “Matrix”, pretendon se individët e lirë mund ta ndryshojnë të ardhmen. Por si duhet të ushtrohet kjo liri? Kjo dilemë shpaloset në serinë e parë në skenën e famshme tëpilulës sëkuqe dhe asaj blu, që merret me etikën e besimit. Zgjedhja e Neos, është të përqafojë ose “të vërtetën reale” (siç ilustrohet nga pilula e kuqe që i ofrohet nga Morfeu), ose të kthehet në “realitetin” e tij më normal (nëpërmjet pilulës blu).
Ky problem u trajtua në vitin 1974 nga filozofi amerikan Robert Nozik. Nëse na ofrohet një “makinë përvoje”, e aftë të ofrojë çfarëdolloj përvoje që ne dëshirojmë, në një mënyrë të padallueshme nga ato “reale”, a mos duhet ta preferojmë me kokëfortësi të vërtetën e realitetit? Apo mund të ndihemi të lirë, të qëndrojmë brenda iluzionit tonë komod?
Tek “Matrix”, ne shohim rebelët që refuzojnë me vendosmëri rehatinë e “Matrix”, duke preferuar realitetin e zymtë. Por, ne gjithashtu e shohim tradhëtarin rebel Shifer, që kërkon dëshpërimisht vendosjen në një realitet të këndshëm të simuluar. “Injoranca është lumturi”- pohon ai.
Personazhi kryesor negativ, Agjenti Smith, vëren se ndryshe nga gjitarët e tjerë, njerëzimi (perëndimor)po konsumon pabesisht burimet natyrore. Matrica, sugjeron ai, është një “shërim” për këtë “sëmundje”njerëzore. Ne kemi dëgjuar shumë rreth rreziqeve të mundshme të Inteligjencës Artificiale, por ndoshta ka diçka të vërtetë në akuzën e Agjentit Smith. Në ngritjen e këtij tensioni, “Matrix” vazhdon të prekë nervat tona – sidomos pas 20 vitesh të tjera, të njëkonsumizmi të shfrenuar. / The Conversation – Bota.al/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” do të çelë një cikël punëtorish me tematika kreative të stampimit të fotografive nën logon “Marubi Print Parties”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shkroi në rrjete sociale se, ky aktivitet zhvillohen me mbështetejen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe synon të eksplorojë dimensione të reja të imazhit.
“Përgjatë muajve gusht dhe shtator, në muze do të organizohen disa punëtori me teknika kreative të stampimit të fotografive nga arkivi Marubi duke e përdorur koleksionin si pikënisje për të rrëfyer histori të tjera e për të eksploruar dimensione të reja të vetë imazhit”, tha Gonxhja.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë cikël punëtorish është e lirë dhe aktivitetet përfshijnë Kolografinë, Light Painting, Arkivi Marubi në Monopit dhe Portreti im.
Festa e stampimeve fillon me datë 6 gusht me Kolografinë. Mentore do të jetë Jozefina Vokrri dhe numri i pjesëmarrësve do të jetë 10 fëmijë të moshës 6-10 vjeç.
Kolografia është një teknikë stampimi që përfshin krijimin e një pllake stampimi duke përdorur materiale të ndryshme të ngjitura mbi një sipërfaqe bazë.
Gonxhja tha se, “ky aktivitet krijues u lejon fëmijëve të eksplorojnë krijimtarinë e tyre ndërsa mësojnë rreth teknikave të stampimit dhe arkivit të muzeut”.
Ndërkohë prindërit duhet të regjistrojnë pjesëmarrësin/-en duke dërguar një email [email protected] ku shënohet emri i pjesëmarrësit/-es, mosha si dhe emri i personit që e shoqëron në muze.
Fototeka Kombëtare “Marubi” në Shkodër, është krijuar më 1970 dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unik në Evropë.
Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot bashkë me liderë shtetërorë të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, kanë shënuar njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme për popullin kroat.
Osmani njofton se sot shënuan “Sinjska Alka”, një nga ngjarjet më të rëndësishme për popullin kroat, që nderon rezistencën heroike të ushtarëve kroatë, nëpërmjet një sërë aktivitetesh kulturore”. / KultPlus.com
Prej librit të parë me poezi “Bulëzuat” (1960) deri në i fundit “Zogj dhe gurë” (1997) Azemi e kishte të hollë shkrimin dhe ndjesinë ndaj fjalës. U takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjerimit libror e lakonik të cilat poezinë dijnë ta bëjnë edhe të pashpirt. Me gjuhën e rrallë poetike, me stilin e tij, Shkreli mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet. Poezia e tij është liri, e liria nuk ka hijezime. Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht që ngriten nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore.
Autor i cili për 40 vjet krijimtari botoi vetëm 8 libra poetik pa përfshirë ribotimet e përzgjedhjet, pastaj një roman (“Karvani i bardhë” i botuar fillimisht si gjimnazist dhe i ribotuar në version të zgjeruar për çka është thënë nga kritika se nuk e kishte finesën e versionit të parë); pastaj libri me tregime “Sytë e Evës” dhe drama “Varri i qyqes”, librin publicistik “Shtatë nga ata”, Azemi do të mbetet ekzemplar pikërisht në poezi – te kjo gjini të cilën e ngriti në art sipror. Në vargjet e tij nuk ndeshim as tema, as gjuhë as fjalë të befasishme, as shprehje diskursive siç të jenë të herë pas hershme jo vetëm te poetët e brezit të tij. Ai e jeton kuptimin e tyre përgjatë gjithë periudhës prej gati 40 vjetësh sa i krijoi. Nëse nisemi nga mendimi i Orhan Pamukut kur shkruan se nuk dëshëron të jetë pemë por kuptimi i saj, atëherë kuptimi i poetit kosovar është bimësia prej hijes së të cilës ai nxjerr fjalë dhe shprehje të reja.
Tatpjetë moshës na rodhi prapë koha mushkë U shkund një shekull me pupla dhe tuhamë Grimin na mbrojtën ushtarë të Natos me pushkë Paqes së gjumtë i pimë amështinë, u thamë – “Kronikë”
Kuptimi i bimës poetike te Shkreli strukturohet ndjeshëm e hijezues po ashtu edhe në shprehje të rralla, në togfjalësha si njësi të vogla sintaksore përgjatë tërë krijimtarisë së tij:
“Ne i bëmë vig vetvetes çdo gjymtyrë” – (Bisedë me fjalën) “Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male” – (Epikë) “Drini rrëket dhe gjaku i krujtë i yni” – (Këngë e vjetër) “Diellin e bakërt të bukës” – (Dukagjinçe) “Na rodhi prapë koha mushkë” – (Kronikë)
I nënshtruar fjale, jo fjale fjalë pasqyrimi por aso të ngulitura vëmendshëm thellësie, siç e shohim, fjalët e reja, të krijuara nga Azemi na vijnë në fund të vargjeve, por jo në fund të poezisë. Si poet nuk shquhet për ngulmim që t’i jap mesazh të drejtëpërdrejtë poezisë, por edhe kur mëton të ndërtojë mesazh, ai është gjithsesi mesazh poetik:
Në Tivar dhanë të kuqët E gjakut, pinë të zitë e detit” – (Deti i bardhë)
Ndikimi stilistik, gjuhësor e diskursiv te Shkreli ishte e vazhdon të jetë i pranishëm jo vetëm te autorët që erdhën pas tij, por edhe te brezi i tij. Madje, ka emra të cilët ende vazhdojnë edhe të ndikohen e të imitojnë librat e parë, të dytë e të tretë të Azemit, kurse autorët nga 1985 e tutje kanë shkruar të frymëzuar nga shkolla shkreliane e poezisë së pas viteve ’70. Ndërsa Azemi piqej si autor nga libri në libër dhe ‘harronte’ të krijonte në stilin e librave të parë, pra nuk përsëriste vetvetën, të tjerë krijues vazhdonin ta imitonin. Nëse, sipas Aristotelit jeta është imitim, atëherë mjeti, objekti, mendimi, fjalët dhe mënyra e të krijuarit të këtij poeti janë kuptimplotë nga disa autorë të cilët edhe sot e kësaj ditë krijojnë sipas shkollës shkreliane. Madje ai me shaka edhe thoshte për akcilin autor: ky po don të jetë më Azem se sa Azemi, e kur nuk po mundet, po hidhërohet me mua. Ky humor shijehollë i stilit që dinte ta bënte vetëm ai, ishte tregues se Shktrli nuk anonte të krijonte ndikim me çdo kusht siç mund dhe vazhdojnë të kërkojnë edhe sot e kësaj dite autorë, jo vetëm nga fushat e letërsisë por edhe arteve pamore, muzikës, teatrit, etj. Azemi vazhdon të mbetet poet me ndikim, por është e vështirë të imitohet, jo se jo të kopjohet.
Shkreli nuk i takon kastës së poetëve të cilët kërkojnë shembje ekzistencash të poezisë pararëndëse. Ai e ka pohuar edhe vet se ç’fuqi ka pasur poezia e Martin Camajt edhe për krijimtarinë e fillimeve të tij. Me kohë, ky ndikim u fashit, por nuk u shemb lidhja e tij me leksikun e trashëgimisë popullore. Ai noton e përhënët mençurisht me gjuhën brenda të cilave erëzojnë metaforat.
“vdekja është guximi i papërsëritshëm andaj vish gujën e saj dhe nisu kah perëndimi yt i bukur në daç bëhu krushk i parë i fundit tënd tri ditë e tri net iu bë” – (Provë)
I njohur si autor që shprehjet frazeologjikë shqipe dhe togfjalëshat, në njërën anë e kanë realizuar poet me botë të pasur vokabulare, por në anën tjetër jo aq të përkthyer në gjuhë të tjera. Shkreli, mbase është nga të rrallët autorë të mirë shqiptarë që pak është përkthyer jashtë. E habitshme pak për një poet të siprisë poetike, por duke e njohur mirë nga afër, them se as vet nuk i ka dhënë dorë dëshirës së morisë së krijuesve për tu lexuar në gjuhë të tjera. Mandej edhe mund të thuhet se poezia e Azemit nuk është e lehtë për tu përkthyer, ndaj dija letrare e ndjeshmëria gjuhësore e përkthyesve ka qenë jo e lartësisë së poezisë së tij, përkthyes të cilët pothuajse i kanë munguar poezisë shqipe. As ai vet nuk shfaqte pikësynim përkthimin e krijimtarisë së tij, as e kishte dëshirë të stuhishme.
Poezia, kjo zonjushë mbretërore për të cilën ai nuk shfaqte epitete, ta zëmë princeshë, mbeti eteri i tij. Mbeti ajo nazikja që secilën lëvizje, në secilën fjalë, secilin tingëllim e tingull e kishte në vendin e vet. Prandaj, duhet të ishe po aq nazik t’i qasëshe asaj poezie nazike. Pra, Azemi, nuk ka qenë asnjëherë poet i modës, ndonëse modern në shprehje e filozofi të cilën e sjell në diskurs, të gërshetuar me filozofinë popullore të malësorit. Ai u mishërua me leksikun popullor që në librat e parë dhe i tillë mbeti deri në fund, siç është poezia “Takimi” dhe rikthimi i tij në rrënjët e tij të gurta:
I mbështete n’krryle shtatëdhetë vjet pleqnije. S’po m’njef? E vune dorën n’ballë, se syt po t’rrjellojnë pak. Mendove – I dhenash t’hueja… Mos dikush prej “parije” T’thot: – Tunjatjeta, plak!…
Azemi, në një pjesë të krijimtarisë e vë në qendër njeriun. Është edhe urbani i atyre viteve, por edhe ai tjetri i rrënjëve të gurta të cilin nuk e kërkon. Nuk kërkohet kur e ke përballë, mjafton ta ngrisësh kokën apo të mos ia kthesh krahun. Atë njeri, poeti e ka të njohur, është gati vetvetja i kthyer për do kohë në kostumin urban.
Poetët e Kosovës që e filluan krijimtarinë e tyre në vitet ’60 të shekullit të kaluar e që e zhvilluan poezinë shqipe gjatë gjysëm shekulli krijimtarie, pothuajse të gjithë poezinë e tyre e kishin të lidhur me tokën, me rrënjët, me qenësinë, duke e krijuar që me rrënjët e tyre kodin e identitetit. Aty qëndronte edhe Azemi – përballë traditës së meditacionit dhe herë herë leksikut popullor dhe asnjëherë në nivelin e folklorizimit.
Kanë kaluar gati çerek shekulli që Azemi ka shkuar tek të shumtit. Vdekja vetëm e mikloi trupin e tij kurse veprën ia bëri më të stuhishme. Shkreli kishte hyrë nga dritaret e rralla dhe vazhdon të ushtrojë ndikim krijues si në të gjallë, ndoshta edhe më fuqishëm. Të rrallë janë krijuesit të cilët pas vdekjes magjepsin me të njejtin ndikim, sikur kur ishin gjallë.
Sopranoja e njohur Ermonela Jaho rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ku së bashku me tenorin amerikan Charles Castronovo performojnë sonte në koncertin “Rikthimi i dallëndyshes”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një publikim në rrjetet sociale, shkruan: “Krenaria jonë në çdo skenë ndërkombëtare lirike, Ermonela Jaho, pasi ka “shtegtuar” në mbarë botën, rikthehet aty ku nisi gjithçka: në Shqipëri”.
Koncerti që do të mbahet sonte sjell në skenë sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare, si dhe tenorin amerikan Charles Castronovo në një mbrëmje për të mos u humbur.
Ky koncert është një bashkëprodhim i TKOB dhe Prepost Albania me mbështetjen e institucioneve të rëndësishme në vend dhe partnerëve nga biznesi.
Ermonela Jaho ka lindur në Tiranë. Pas diplomimit nga Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë. Fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës.
Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare Santa Cecilia, në Romë. Ajo u largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skenë, përkrah artistëve të huaj. Ermonela Jaho fitoi shpejt sukses nëpër botë, me vlerësime të shumta edhe nga kritikët e huaj.
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është një ndër më të suksesshmet dhe më të njohura në botë, me një zë brilant. Me albumin e saj “Anima Rara” ajo ka marrë vlerësime. Albumi doli në treg në mbarë botën në formatin fizik dhe digjital, më 25 shtator të vitit 2020.
Ndërkohë që Ermonela fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë./ KultPlus.com
“Jam arvanit dhe flas arvanitika”, – kjo ishte fjalia e përsëritur me krenari, nga çdo banor i Salaminës, si dëshmi për historianin grek, Tasos Karantis.
Janë dy studime të botuara në revistën greke, “Rrezet e grekëve”, për historinë e arvanitasve në Greqi.
Në këto studime evidentohet se, në shumicën e krahinave të Greqisë, duke përfshirë edhe Athinën, gjuha mbizotëruese ishte ajo e arvanitasve ose siç e quanin ata, arbërisht.
Në një faqe të kësaj reviste, artikulli në fjalë paraqet atë çka sot vetë grekët e mohojnë ose mundohen ta baltosin.
Të dhënat vijnë nga vepra e Dhimitriu Bizantiut, shkruar në vitin 1836.
Ja çfarë shkruan ai, konkretisht: “Vizitorët vinin re me habi, se banorët e fshatrave përreth Atikës, por deri dhe brenda saj, në qendër të kryeqytetit të shtetit të sapoformuar, flisnin një gjuhë që arvanitët e moshuar e quanin: ‘arbërisht’, gjuhë që ishte e njohur gjerësisht si arvanitëshe”
Në vijim, ai krahason fshatrat greke dhe ato arvanitas/arbëreshe, ku sipas tij, nuk ekzistonte asnjë dallim. Madje, deri në shekullin XX gjuha që mbizotëronte në këto fshatra dhe brenda në Athinë, ishte arbërishtja.
Ndërkohë, vjen dhe studimi i një historiani me emrin Tasos Karantis, për arvanitët e Salaminës, i cili tregon sesi me krenari, banorët e saj thoshin se:
“Eimai arbanitis kai milao arbanitika (Jam arvanit dhe flas arvanitika)”.
Këta vendas, thoshin se “gjuha është e ‘tatërve (etërve) tanë, pasi kjo gjuhë është e pasur me ndjenjë në shprehje, duke u quajtur me një mënyrë edhe më poetike – gjuha e zogjve, gjuha e dallëndysheve. / Trungu / KultPlus.com
Barack Obama, njeriu i dashur për një pjesë të madhe të Amerikës, i cili në vitin 1990 u zgjodh president i Harvard Law Review, provoi edhe të shkruante një libër me kujtimet e tij.
I lindur në vitin 1961, Obama në librin ‘Dreams from My Father: A Story of Race and Inheritance’ reflekton sidomos për raportet e tij në familje, me prindërit e tij dhe se si edukimi dhe jetesa në familje e formoi atë si person.
Në disa pasazhe ai përmend nënën, një marrëdhënie interesante në jetën e tij.
Stanley Ann, nëna e Obamës, megjithatë nuk jetoi për ta parë suksesin e djalit të saj.
“A të kam treguar ndonjëherë se babai yt ishte vonë për takimin tonë të parë? Ai më kërkoi të takohesha me ta para librarisë. Mbërriva, ai nuk ishte aty, ishte ditë e mirë prandaj thash po e pres ulur diku në stol. Më kishte zënë gjumi, ndërsa ai erdhi një orë më vonë, me shokët e tij! Më pas e dëgjova duke i thënë shokëve “Ju thashë, kjo është një vajë e mirë, do të më priste”!”
Kështu shkruan Barack Obama për nënën e tij:
“Ka qenë një grua e bukur. Kur fliste për babain tim, fliste si një grua që e pati një jetë me dashuri. Kështu nisë dashuria, me impulse e fotografi që na lejojnë ta thyejmë vetminë tonë, dhe nëse jemi me fat edhe transformohemi në diçka më të mirë sesa tash. Dhe ajo më mësoi se mund të dashurosh kështu, kaq thjeshtë dhe bukur. Kur vdiq baba, e pashë nënën duke qarë dhe e kuptova se ajo e ka kuptuar atë njeri qysh kur u takuan, e kuptoi në çdo fazë, e bëri atë ta kuptonte edhe veten.”
Ai nisi të shkruante librin me kujtimet e tij në moshën 25 vjeçare, kur edhe e takoi Michelle Robinson – dashurinë e jetës së tij. / KultPlus.com
Me histori tërheqëse, që kanë mbushur me lumturi zemrat e miliona fëmijëve në mbarë botën, Hans Christian Andersen mbahet mend si autori i përrallave më krijuese dhe më të lexuara. Edhe pse Anderseni ishte romancier, poet, dramaturg dhe eseist, përrallat u shndërruan në identitetin dhe kontributin e tij më të madh në letërsinë botërore.
Ndryshe nga autorët e tjerë të përrallave, shkrimtari dhe poeti i jashtëzakonshëm danez dallohet për mesazhet me përmbajtje humane, realiste, si dhe për optimizmin e tregimeve të tij. Njerëzor dhe realist, shkrimtari përcolli shpresën dhe na la mesazhe pozitive. Supozohet rëndom se përrallat janë histori që burojnë nga tradita popullore, përçuar ndër breza nga tregimtarët. Edhe pse është e vërtetë që shumica e përrallave janë të rrënjosura në folklorin oral, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, në të vërtetë shumë nga historitë më të njohura na vijnë nga burime letrare.
Vetë jeta e Hans Christian Andersenit ngjasonte me një përrallë, sepse ai lindi biri i një këpucari të varfër dhe vdiq një njeri i pasur dhe i famshëm, i famshëm në të gjithë botën, i afërt i mbretërve dhe mbretëreshave. Bota e mrekullueshme përrallore e Hans Christian Andersen frymëzoi vepra të tilla si opera magjike e Dvoπák “Rusalka”, apo “Le Rossignol” i Stravinskit etj. Muzika mund të komunikojë ndjenjat dhe atmosferën më drejtpërdrejt sesa fjalët, ajo është në gjendje ta bëjë pranverën joreale në jetë – shoqëruesin natyral të imagjinatës dhe fantazisë. Mitet dhe përrallat popullore kanë tërhequr gjithmonë kompozitorë, veçanërisht kompozitorët romantikë në epokën romantike, por përrallat e Andersenit kanë pasur një joshje të veçantë për muzikantët, gjë e cila vijon edhe në ditët e sotme.
Të paktën 80 kompozitorë janë frymëzuar prej tij, mes tyre shumë mjeshtra, madje edhe kompozitorët e ditëve të sotme gjejnë frymëzim në këto përralla. Ato nuk janë as të thjeshta dhe as fëminore, muzika ka jetuar brenda tyre, qysh nga fillimi.
Anderseni asnjëherë nuk pati si qëllim, që përrallat të ishin vetëm për fëmijët. Madje, edhe kur ato mbështeteshin në motive tradicionale, ai arriti të jepte krijime të sofistikuara letrare. Me përzierjen e sharmit dhe aventurës magjike, por edhe të ndjenjës së pakëndshme të thellësive të errëta, padrejtësisë, patosit dhe tragjedisë së mundshme, një vetëdije se edhe përfundimet e lumtura kanë një çmim dhe rrallëherë janë absolute.
Suksesi në rritje i Andersenit dhe udhëtimet jashtë vendit, e sollën gjithnjë e më shumë në kontakt me figurat kryesore artistike evropiane, jo vetëm me ato të letërsisë si Dikens dhe Brownings, por me kompozitorë të mëdhenj, mes tyre Shuman, Liszt, Mendelson, madje edhe Wagner. Ai ishte një nga admiruesit më të hershëm të Wagnerit, duke e vënë në ballë të shijes muzikore.
Ne i detyrohemi shkrimtarit disa autobiografi, një korrespondencë voluminoze dhe një “Ditar” të mrekullueshëm. Ndërmjet 1832 dhe 1842, ai botoi në broshura tregimet e para të shkurtra të mrekullueshme: “Përralla për fëmijë” (1835), të cilat nuk i adresoheshin vetëm audiencës fëminore. Suksesi e inkurajoi të vazhdonte të botonte; “Tregime të reja” (1843-1848) dhe “Tregime dhe histori të reja” (1858-1872). Anderseni shkroi 164 përralla, të kredhura në romantizëm dhe duke kombinuar mrekullinë dhe ironinë. Larg imitimit të paraardhësve të tij në zhanrin e përrallës (Perrault, Galland dhe Hoffmann, Brothers Grimm), stili i tij spikat për përdorimin mjeshtëror dhe të ekuilibruar të gjuhës së përditshme, idiomave dhe shprehjeve popullore, arrin të shpreh mrekullisht, në një gjuhë shumë të thjeshtë, emocionet më delikate dhe idetë më të mira, duke kaluar pa vështirësi nga poezia në ironi, nga farsa në tragjike. Anderseni u frymëzua nga histori tradicionale skandinave, gjermane dhe greke, nga kohët e lashta deri në Mesjetë.
Në mënyrë mjeshtërore, ai thuri materiale dhe ndikime të ndryshme për të krijuar përrallat që ne njohim sot. Përrallat prezantojnë mbretër dhe mbretëresha të vërtetë ose legjendarë; kafshë, bimë, krijesa magjike (sirena dhe zana), madje edhe objekte. Ndër përrallat më të famshme citojmë “Rosaku i shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”, “Rrobat e reja të perandorit”, “Mjellmat e egra dhe sirena e vogël”, “Shitësja e shkrepseve”, “Princesha dhe bizelet”, “Ushtari i kallajit” dhe “Sirena e vogël” etj. Shumë nga përrallat u bënë drama, filma ose shfaqje muzikore, madje frymëzuan fotografi të animuara të njohura si Arieli. I pëlqenin shumë udhëtimet dhe udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Gjermani për të vizituar miqtë Friederike dhe Friedrich Anton Serre. Kur Anderseni vdiq në moshën 70-vjeçare, më 4 gusht 1875, në Kopenhagen, tashmë njihej ndërkombëtarisht. Deri pak kohë më parë, shtëpia ku ai kishte lindur ishte një vend pelegrinazhi për fansat.
Më 30 qershor 2021, në vendlindjen e tij, Odense u hap një muze: “H.C. Andersen House”, në gjuhën daneze, “H.C. Andersen Hus”. Anderseni nuk e mendoi kurrë veten vetëm si tregimtar për fëmijët. Ishte e rëndësishme për të, që elementët sociokritikë ose satirikë të përrallave, të cilat ai me vetëdije i përfshiu për lexuesit e rritur, u theksuan po aq sa fantastikja dhe imagjinarja. Muzeu ka “hapësirën kushtuar fëmijëve”, përfshirë atelien me emrin “Ville Vau”, ku fëmijët mund të jenë krijues dhe të marrin pjesë në krijimtari. Para vdekjes, Andersen ishte shkrimtar i njohur dhe u konsiderua si thesar kombëtar nga qeveria daneze, madje i akordohej edhe një pagë. Në kopshtin “Rosenborg”, Kopenhagen, në nder të shkrimtarit legjendar ngrihet statuja e tij. / Konica.al / KultPlus.com
Zona e kanionit të Kirit në Postribë është një nga më të bukurat dhe të veçantat në zonën e Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet nga kanionet e Kirit në Postribë të kthyera në destinacion tërheqës për vizitorët.
“Ujërat e kristalta mes shkëmbinjve madhështorë të kanionit të Kirit në Postribë, Bashkia Shkodër, deri dje të njohura vetëm prej banorëve, sot një nga qindra e qindra destinacionet e turistëve të shumtë të përhapur në çdo cep të Shqipërisë”, shkruan Rama krahas videos.
Lugina piktoreske së bashku me kanionet e Kirit e kanë shndërruar këtë zonë në një atraksion turistik që tërheq turistë vendas dhe të huaj.
Ndërthurja mes maleve, gjelbërimit dhe ujit të kristaltë krijon një panoramë të veçantë për çdo vizitor./ KultPlus.com
‘’Ndryshimi nuk vjen nëse presim dikë ose një kohë të duhur. Ne jemi ata të cilët i presim.’
‘’Asgjë që është e vlefshme në jetë nuk është e lehtë’’.
‘’Ne nuk erdhëm në këtë botë për t’u frikësuar nga e ardhmja. Kemi ardhur për t’a krijuar atë’’.
‘’Përparimi vjen në mënyrë periodike. Nuk është gjithmonë një vijë e drejtë. Nuk është gjithmonë rrugë e lehtë’’
‘’Cinikët mund të jenë zërat më të lartë, por ju premtoj, se ata përmbushin më së paku’’.
‘’Një zë mund të ndryshojë një dhomë të tërë’’.
‘’Ne nuk e shohim të ardhmen si diçka që e kemi nën kontroll, por si diçka të cilën mund t’a krijojmë me përpjekje të përbashkëta dhe kolektive”.
‘’Ne duhet të ndryshojmë idenë e përsosmërisë. Jo shumë njerëz kalojnë kohë duke u përpjekur të jenë të përsosur’’.
‘’Nëse punoni shumë dhe kryeni përgjegjësitë tuaja, ju mund të vazhdoni përpara, pavarësisht se prej nga vini, si dukeni ose çfarë doni”.
‘’Lënia e shenjës në botë është e vështirë. Nëse do të ishte e lehtë, të gjithë do t’a bënin këtë. Por nuk është. Merr durim, angazhim dhe vjen me shumë dështime përgjatë rrugës.’
Për vite me radhë Shqipëria ishte e panjohur për botën. Tani, ky vend ballkanik me qytete të listuara në UNESCO, rrënoja të lashta arkeologjike, parqe kombëtare sekrete dhe limane me guralecë po fiton njohjen që meriton, shkruan Jessica Reid në një artikull të botuar në të përdishmen britanike “Wanderlust”.
Përpara se popullariteti i saj të rritet, keni ende kohë për të vizituar Shqipërinë – pa turma vizitorësh – dhe përjetuar anën e saj më autentike.
Falë trashëgimisë së saj kulturore, peizazheve malore dhe plazheve që rivalizojnë Greqinë, Shqipëria po ecën përpara në botën e turizmit…
1. Vëzhgoni shpendët – në Lagunën e Karavastasë
Laguna e Karavastasë – pjesë e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” – është më e madhja në Shqipëri – me një sipërfaqe prej 42 km2 dhe e rrethuar nga pyje dhe këneta.
Është gjithashtu një terren i rëndësishëm mbarështimi për pelikanin kaçurrelë të rrezikuar, i cili mund të shihet duke folezuar në një nga ishujt e lagunës – në muajt e parë të vitit.
Zgjohuni herët për të vizituar një nga platformat mbi lagunë dhe merrni dylbitë për të vëzhguar jo vetëm pelikanët, por edhe flamingot, peshqit e egër dhe speciet e tjera.
Gjatë ditës, ju mund të eksploroni Parkun Kombëtar nga kulla e saj e vrojtimit 30 metra e lartë, që ndodhet pranë qendrës së vizitorëve.
2. Kthehuni prapa në kohë – në Berat
I quajtur si “Qyteti i një mbi një dritareve” – falë dizajnit arkitektonik të qytetit pranë lumit Osum – Berati është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Edhe pse historia e tij daton në vitin 300 para Krishtit, ndërtesat prej guri të bardhë të qytetit janë dukshëm të stilit otoman.
Kalaja e Beratit e shekullit të XIII përfshin gjithashtu shumë kisha bizantine dhe rrënoja të xhamive.
Do të ktheheni pas në kohë – duke ecur në rrugicat e tij me kalldrëm – por për të zbuluar historinë e qytetit drejtohuni në Muzeun e tij Kombëtar Etnografik – që ndodhet brenda një shtëpie tradicionale të ruajtur.
3. Zbuloni kulturën e pasur – në Tiranë
Tirana mund të mos duket si qyteti më emocionues, por kur të filloni të eksploroni rrugët e saj, së shpejti do të vini re se është plot me ngjyra të gjalla.
Shumë ndërtesa ish-socialiste tani janë zbukuruar me bojëra të ndritshme dhe murale, duke e bërë vizitën në qytet – një gjueti thesari për artin.
Në zemër të Tiranës ndoodhet Sheshi Skënderbej, një shesh i madh i rrethuar nga restorante dhe bare si dhe atraksione kulturore – si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1822 dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.
Për më shumë histori mbi të kaluarën e afërt të Shqipërisë, Muzeu Bunk’Art2 pasqyron kohën e kombit nën sundimin komunist, i vendosur brenda një prej bunkerëve të shumtë të qytetit të ndërtuar nën urdhrat e diktatorit Enver Hoxha.
4. Vizitoni Gjirin e Vlorës
Përgjatë bregut jugperëndimor të Shqipërisë ndodhet Gjiri i Vlorës, pjesa më e madhe e të cilit përfshihet nga një park kombëtar i mbrojtur.
Gjiri i Vlorës është shtëpia e llojeve të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë delfinët, breshkat dhe fokën e rrallë mesdhetare.
Gjithashtu, ai është i mbushur me plazhe të fshehura dhe limane të aksesueshme me varkë.
Merrni me qira një varkë për të eksploruar këto xhepa të fshehtë tëParkut Kombëtar, duke përfshirë ujërat magjike blu të Shpellës së Haxhi Aliut – që ndodhet në fund të Gadishullit të Karaburunit.
Ju gjithashtu do të gjeni plazhe të izoluara – ku mund të bëni kamping për një pasdite relaksi dhe noti në det.
5. Shkoni për ecje në male
Në Shqipërinë veriore, majat e Bjeshkëve të Nemuna (Alpet Shqiptare) e shndërrojnë peizazhin në një parajsë për adhuruesit e ecjes.
Një nga shtigjet më të njohura është Qafa e Valbonës, një rrugë sfiduese 15 kilometra midis fshatrave Valbonë dhe Theth.
Duke ecur përgjatë një terreni të thyer, do të kaloni nëpër zona të pyllëzuara, livadhe dhe përgjatë lumit Valbona.
Megjithëse ecja zgjat 6-8 orë dhe mund të përfundojë brenda një dite, ju mund ta ngadalësoni atë për të qëndruar në bujtina gjatë rrugës.
Për të shkuar në Theth – nga lumi i Shalës – duhen afërsisht katër ditë duke ecur nëpër lugina dhe gryka dhe vendbanime të lashta.
6. Rafting përgjatë lumit të fundit të egër të Evropës, Vjosa
Lumi Vjosa – lumi i fundit i egër në Evropë është shndërruar në një park kombëtar, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të këtij peizazhi natyror.
Ai është shtëpia e më shumë se 1000 llojeve të florës dhe faunës, duke përfshirë lundërza dhe shkaba, si dhe përfshin një trashëgimi të rëndësishme kulturore, pasi njerëzit kanë pushtuar brigjet e lumit për mijëra vjet.
Për aventurierët, një nga mënyrat më të mira për të përjetuar rrugën ujore të lumit të egër – është me kajak.
Shijoni peizazhet përreth duke lundruar në ujëra më të qetë.
7. Eksploroni vendet e lashta arkeologjike
Në Gjirin e Vlorës ndodhet vendi arkeologjik i Orikumit.
Vendbanimi antik u zhvillua nga grekët në shekullin e V para Krishtit – përpara se të pushtohej nga Jul Çezari në vitin 48 para Krishtit.
Vendi tregon historinë e këtij porti strategjik përmes rrënojave të tij, ku dikur qëndronin shatërvanët, kishat dhe teatrot.
Për shkak të vendndodhjes së saj brenda një zone ushtarake, vizitorët duhet të rezervojnë një turne me guidë për të siguruar hyrjen në vend.
Më në jug në qarkun e Vlorës, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – ku dikur sundonin perandori të ndryshme, nga romakët tek osmanët.
Amfiteatri romak këtu është një nga më të ruajturit në Evropë.
8. Qëndroni në bujtina
Përjetoni zemrën autentike të Shqipërisë duke qëndruar në një nga fermat ose bujtinat e vendit – që gjenden kryesisht në vendet malore.
Në Tragjas, qarku i Vlorës, Sofo dhe Dhurata presin të ftuar për drekë dhe darkë, duke gatuar prodhimet e tyre – së bashku me raki të bërë vetë dhe akomodimin e tyre në kasolle të ndërtuara me gurë.
Në veri, “Neomalsore Agroturism” ndodhet në një vend mahnitës të izoluar – përgjatë Liqenit të Komanit dhe mund të aksesohet vetëm me varkë për rreth 70 minuta.
Si pjesë e përvojës së agroturizmit, vizitorët shpesh zbulojnë mënyrat tradicionale të jetesës në këto qoshe të thella të Shqipërisë.
9. Riviera Shqiptare
Shqipëria është një zbulim i fundit për udhëtarët – kur bëhet fjalë për rërën dhe detin.
Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare magjepsëse – me plazhe që mbulohen nga dallgët e detit Jon.
Pranë Buntrintit, Ksamili është një mini arkipelag ishujsh i pyllëzuar, me limane dhe laguna.
Poshtë fshatit bregdetar, Dhërmi – në majë të shkëmbinjve me shtëpitë të lyera me gëlqere – ndodhet një plazh i bukur me guralecë me të njëjtin emër.
Ju duhet të ecni rreth 30 minuta për të arritur në plazhin e Gjipesë, një plazh i vogël me gurë – ku nuk ka shumë njerëz për shkak të vështirësisë së aksesit.
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e sugjerimeve – pasi ka qindra plazhe të tjera për t’u zbuluar përgjatë vijës bregdetare prej 300 kilometrash të Shqipërisë.
Turistët e huaj e kanë kthyer Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në ndalesë të pashmangshme gjatë turit në Shqipëri, por në qytet nuk mungojnë edhe vizitorët vendas.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, i cili është kthyer në një atraksion të madh turistik.
Kryeministri bëri të ditur se plot 86,708 vizitorë e kanë vizituar këtë muze vetëm në 7-mujorin e parë të vitit, ose mbi 90% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.
Në muze numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj./atsh/ KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, pak orë para se ajo të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të performuar për publikun shqiptar.
Duke i dhuruar Kullën e Sahatit të Tiranës, Veliaj tha se ajo kullë mbart simbolikën se është gjithmonë koha për t’u kthyer në shtëpi, si dhe e ftoi artisten të bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore që do të kulmojnë vitin e ardhshëm, kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonë koha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.
Ai dha edhe lajmin e mirë për të gjithë dashamirësit e artistes, që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e saj.
Veliaj njoftoi se në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për t’u ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.
“Për të gjithë ata që ndoshta pezmatohen që koncerti sot në darkë është i shitur, ne kemi një lajm të mirë: Do të vendosim një skenë jashtë, me një ekran të madh dhe karrige, për të gjithë ata artdashës që do të donin të shijonin qoftë edhe nga jashtë, atë mrekulli që do të na dhurojë në Teatrin e Operas së Baletit, e dashura jonë, zemra jonë, Ermonela Jaho”, tha ai.
Artistja shqiptare falënderoi kryebashkiakun për vlerësimin.
“Është një ndër dhuratat më të bukura. Duke kënduar në Shqipëri, në mëmëdheun tim, në këtë teatër ku unë u rrita, ku filloi ëndrra ime, u bëra kjo që jam sot, ndaj këtij vendi, jo vetëm këtij teatri, dua t’i kthej pakëz dashuri dhe pakëz mirënjohje nga dashuria dhe mirënjohja që më ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare”, u shpreh ajo./atsh/ KultPlus.com
Atletja shqiptare Luiza Gega përmes rrjete sociale, ka folur pas eliminimit nga Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.
Gega garoi në baterinë e dytë, por nuk arriti që të japë më të mirën e saj dhe nuk ka mundur që të kualifikohet për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra.
Atletja kuqezi mbylli garën me kohën 9.27.41 dhe u rendit në vendin e 9-të në baterinë e dytë.
Ajo thotë se është vështirë të flasësh kur ndihesh e dështuar. Ajo thotë se ky eliminim dhemb shumë.
“Është kaq vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem”, tha Gega.
“E di që do kaloj, çdo gjë kalon më kohën por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ja dal pavarësisht se gjerat që në muajin prill nuk shkuan mirë”.
“Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesitë jo të mira të trupit tim përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të niveli por në fakt nuk ndodhi kështu”, ka pohuar ajo.
Gega i ka kërkuar falje çdo fansi që ka besuar tek ajo.
“Dua vërtet t’i kërkoj falje kujtdo që besoi të unë dhe e zhgënjeva dhe falënderoj të gjithë ata që më mbështesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira. Ëndrra e Parisit mbyllet sot”, ka shkruar atletja shqiptare.
Rikthehet Mitrovica International Jazz Days, festivali më i madh i muzikës Jazz i organizuar në Kosovë, në vendlindjen e muzikës Jazz kosovare, në qytetin që bashkë me mineralet e çmuara i ka falur Kosovës kaq shumë zëra e tinguj të rrallë, në Mitrovicë, nga 22 deri më 24 gusht.
MIJD 2024, i mbështetur fuqishëm nga publiku i etur për cilësi, nga institucionet qendrore dhe lokale, si dhe nga shumë organizata dhe misione ndërkombëtare në Kosovë, këtë vit e konsolidon pozitën e vet në panoramën kulturore vendore dhe rajonale duke e rikthyer vëmendjen në Mitrovicë për arsyet që ky qytet dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm i meritojnë me të vërtetë.
Skena e MIJD 2024 do të jetë shtëpia e re e muzikës Jazz në Sheshin Isa Boletini dhe, si çdo shtëpi e lumtur, do të marrë jetë nga vepra dhe zëri i grave muzikante, yje ndërkombëtare që po e rishkruajnë historinë e këtij zhanri të muzikës dhe që me talentin dhe shpirtin e tyre inovator po e çojnë gjithçka në një nivel të ri.
Programin e pasur të MIJD 2024 e plotësojnë seria e performancave të muzikantëve të rinj tepër të talentuar që vijnë nga Kosova e të gjitha vendet e rajonit, të cilët me energjinë dhe entuziazmin e tyre do ta bëjnë MIJD Big Band-in të buçasë dhe që me projektet e tyre individuale dhe në grupe do të angazhohen në serinë e eventeve shoqëruese që trashëgiminë muzikore ballkanike e vënë në shërbim të krijimit të sound-it unik të Jazz-it ballkanik.
Harta e eventeve nuk do të ishte e plotë pa e menduar edhe diçka të posaçme për fëmijët, andaj MIJD 2024 është kujdesur të krijojë mundësi që fëmijët ta zbulojnë botën e Jazz-it në mënyrë argëtuese dhe interaktive, për ta krijuar një gjeneratë të re të dashamirësve të Jazz-it, si qershi e ëmbël mbi tortë.
Një tjetër risi absolute është edhe organizimi i seancave muzikore terapeutike që synojnë përmirësimin e mirëqenies së individëve me aftësi të kufizuara, duke demonstruar fuqinë shëruese të muzikës.
Në misionin tonë që të frymëzojmë, të edukojmë dhe t’i bashkojmë qytetarët e këtij vendi dhe të rajonit përmes gjuhës universale të muzikës, MIJD 2024 i ka të gjitha eventet falas dhe i pret krahëhapur publikun dhe të gjitha mediat e interesuara.
Për përditësimet më të fundit, informacion të detajuar rreth programit, si dhe për të reja ekskluzive, ndiqni kanalet tona në rrjete sociale./ KultPlus.com
Kompozitori Liburn Jupolli ka fituar vendin e parë në garën e kompozitorëve për aranzhime orkestrale në këngët Pop & Rock, në WBYO – Western Balkans Youth Orchestra.
Vepra/Aranzhmani origjinal fitues në këtë garë i kompozitorit Jupolli quhet “KOSOVA ROCK FANTASY”.
““KOSOVA ROCK FANTASY” është “festë” orkestrale që përdorë/tranformon/riaranzhon material nga 22 këngë të gjithë historisë së Rock’n’roll të Kosovës nga vitet e fundit të 60 deri më sot!” ka bërë të ditur kompozitori Jupolli përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com
Shkodrani Filip Shiroka ishte një nga poetët klasik të Rilindjes, poezia e të cilit do të bëhej e njohur më vonë. Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe, u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Poezia e Filip Shirokës, e frymëzuar nga poetë romantikë francezë e italianë të fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si Alfred de Mysé (1810-1857), Alfons de Lamartin (17901853), dhe Tomaso Grosi (1790-1853), të cilët ai i lexoi në kohë të rinisë në Shkodër, nuk mbulon ndonjë gamë tematike apo leksikore të veçantë dhe nuk është e gjitha me nivel letrar, ndonëse kjo e fundit vlen pa dyshim të thuhet për shumë poetë të Rilindjes. Shiroka mbahet mend si lirik thellësisht emocional e si poet me gjuhë të pastër, i zhytur me mish e me shpirt në fatin vetiak e në atë të atdheut të largët. Bashkudhëtare në veprën e tij është tema e mallit për vendlindjen. Ndoshta më e mirënjohura e më tipikja nga vjershat e tij është Shko dallndryshë, një poezi e mbushur plot mall e trishtim:
U lind më 1859 në Shkodër, i biri i Ejll (Engjëll) Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe arbëreshi At Leonardo de Martino. Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L’osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë në pësonin në kurriz shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t’onë (dhe anmiqve të vet). Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë “përgjegjësi i fletoreve L’Osservatore Romano dhe La voce della verità dhe se kishte shkruajtur shumë edhe tek Osservatore Triestino dhe Il Cittadino që botoheshin në Trieste.
Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, Alice. Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar. Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut.[6] Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë.
Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921. Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë “Vllazëria e shqiptarvet në Misir”. Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit.[4] Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij.
Vepra Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi!, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit[8] kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. U shkrua në italisht dhe u publikua në Osservatore Cattolico të Milanos më 1878. Vjersha u ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen Fiamuri Arbërit botuar nga De Rada.
Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkëatdhetarët, si të vendlindjes me djalin e dajës Zef Sumën ashtu edhe të idealit kombëtar. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra të cilat gjenden në fondin e tij në Arkivin e Shtetit, janë Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço.
Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike. Më 1921 botoi Moji i të dekunve, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër. Në këtë vëllim, me gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël, shtjellon se ç’duhet të dijë një i krishterë i mirë për t’i ndihur shpirtërat e Purgatorit. Ndjesitë e veta fetare Shiroka i radhit që nga zanafilla: edukata dhe mirërritja që kishte marrë në gjirin e familjes.
Përmbledhja e tij poetike, Zani i zemrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.