Kompleksi Memorial i “Adem Jasharit” në Prekaz tashmë është i dukshëm edhe online (FOTO)

Një nga vendet më të vizituara në Kosovë është Kompleksi Memorial i “Adem Jasharit” në Prekaz, i cili tashmë është i dukshëm edhe në formë virtuale, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se është bërë dixhitalizimi i Kompleksit të Memorialit “Adem Jashari”.

Siç njofton MKRS, kjo është bërë e mundur përmes realizimit të projektit që është implementuar nga Alban Kasumi, ndërsa është financuar nga ta.

Projekti është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me familjen Jashari dhe stafin e angazhuar në Muzeun e Kompleksit Memorial.

Duke klikuar këtu mund të shihni pamje nga pikat e vrojtimit, oborret, odën, përdhesën, katin e parë dhe katin e dytë, gjithashtu edhe nënkulmin, varrezat dhe në fund sigurisht edhe muzeun. /KultPlus.com

Kurti për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’: Kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit

Është mbajtur mbledhja e katërt e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës tregoi hapat që janë ndërmarrë që nga themelimi i këtij komuniteti.

“Gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial. Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kanë filluar ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve” tha kryeministri, duke shtuar se nga ky vit fokusi do të jetë në master planin për kompleksin memorial.

Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022, tani puna do të vazhdoj edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë. /KultPlus.com

Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë homazhe gjatë ditës së sotme te varrezat e Jasharajve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, shkruan KultPlus.

Mehaj ka thënë se se restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet.

“Sot së bashku me kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorët tjerë, ministra e deputetë, bëmë vizitë dhe homazhe para varreve të Jasharajve Legjendar, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë.Atë ditë Komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, e sulmit tinzar në orët e hershme të mëngjesit , i ishin përgjigjur me zjarr Baca Shaban e Hamza bashkë me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen”, shkroi ai në “Facebook”.

Ministri tutje ka thënë se restaurimi në këtë vend bartë peshë të madhe të nërdgjegjies kombëtare.

“Restaurimi i Kullave të Jasharajve, që bartin peshën më të madhe të ndërgjegjies sonë kombëtare, do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet , sepse këtë ia kemi borxh, jo Familjes Jashari sepse atë dhanë gjithçka për Lirinë tonë, por ia kemi borxh historisë sonë të lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit”, ka shkruar ai tutje.

Në këto homazhe ishin të pranishëm edhe Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku anëtarë tjetër të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe drejtues të institucioneve tjera shtetërore. /KultPlus.com

Aty ku flet vetë historia

Mbi 400 mijë qytetarë gjatë vitit nderuan dëshmorët e familjes Jashari. Numër më i vogël i vizitorëve është parë këtë 28 nëntor në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe për këtë ciceroni Xhevat Imeri thotë se ka ndikuar edhe moti i ftohtë. Edhe këtë përvjetor, Kullat e Jasharëve mbesin në gjendje të rëndë. Qytetarët nga Kosova thonë se kjo është mjerim, ndërkohë u bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë shembjen e kullave.

Tash e 22 vjet, Xhevat Imeri është ciceron në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Ai prezanton historinë e kësaj familje para vizitorëve të të gjithë botës.

“Rreth 14 milionë vizitorë e kanë vizituar, por ky Mund të jetë numër më i madh, sepse nuk e kemi një statistikë që tregon një realitet. Por, në bazë të supozimeve, mund të them që është numër më i madh se aq që mund të themi. Ndërsa, gjatë këtij viti i kemi 400 mijë vizitorë, jo vetëm shqiptarë por edhe nga arena ndërkombëtare për të ardhur të vizituar dhe respektuar këtë vend”, thotë Imeri.

Megjithatë, për këtë përvjetor të ditëlindjes së Adem Jasharit dhe pavarësisë së Shqipërisë, pati më pak vizitorë.

“Është koha e cila e bën të vetën. Unë kam pasur fatin të jem të dielën e kaluar, mund të them se diku mbi 24 mijë persona kanë qenë. Sepse koha po e bën të vetën, kur është kohë e mirë, njerëzit marrin fëmijët dhe të moshuarit e sot ndoshta i penalizon koha”, shton ai.

Për çdo 28 nëntor dhe festë tjetër, bashkë me familjarë veshin uniformën e ushtarëve të UÇK-së. Islam Krasniqi thotë se Prekazi është vend heroik dhe shumë i rëndësishëm për historinë e Kosovës.

“Për neve është shumë domethënëse ky vend që të paktën të rinjtë tanë t’i motivojmë dhe të dimë se çka është vlera e ushtrisë, vlera e shtetit dhe të forcohemi bashkarisht”, shprehet ai.

Ai shprehet i zhgënjyer me gjendjen e kullave në Prekaz.

“Kur zbritem thash në fillim qenka dëmtuar shumë. Shpresojmë që do të ndërmarrin diçka qeveritarët dhe të vendosin diçka se kjo duhet të rregullohet mirë, sepse është vlerë e madhe”, shprehet tutje.

Ali Zija ka ardhur nga Tetova për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të familjes Jashari.

“Prej Tetovës të vizitojmë kullën e Adem Jasharit… më e madhe nuk ka ku të shkoj, vlera më e fortë”, thotë ai.

Edhe për Xhemil Huguliqin nga Kaçaniku, ky vend është i shenjtë. Në Prekazin heroik ai thekson se është mjerim gjendja e kullave.

“Këtu ja dimë vlerën kësaj lirie. Çdo shqiptar duhet të vizitojë së paku një herë në vit këtë vend. Marrë parasysh çfarë sakrifice ka bërë kjo familje e shenjtë… është në gjendje e mjerueshme, është mjerim me pa kështu”, thekson ai për KosovaPress.

Përmes një vendimi qeveritar, në vitin 2019 ishte planifikuar konservimi i Kullave të Jasharëve.

Sot shqiptarët festojnë 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 28 nëntori shënon edhe 24 vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Adem Jasharit. / KultPlus.com