Publikohet traileri i parë i ‘Gladiator ll’ (VIDEO)

Përgatituni për një betejë epike, është publikuar traileri i parë i filmit “Gladiator II”.

Në vazhdimin e filmit të ri të Ridley Scottit të vitit 2000 luan Paul Mescal në rolin e Luciusit.

Një Lucius i rritur jeton në rajonin e Afrikës veriore të Numidias, ku u dërgua si fëmijë nga nëna e tij. Ai kthehet në Romë si gladiator dhe ribashkohet me nënën e tij.

Filmi është gjithashtu titullar nga Pedro Pascal si Marcus Acacius – një gjeneral romak, dhe Denzel Washington si Macrinus si njeri mizor dhe i pasur që mban gladiatorët për sport.

Xhirimet filluan qershorin e kaluar, por u detyruan të ndalonin dhe të rifillonin në dhjetor për shkak të grevave të industrisë së argëtimit verën e kaluar.

Filmi ptritet të dalë më 22 nëntor./ KultPlus.com

Shkencëtarja gjermane Cordelia Schmid fiton Çmimin Evropian të Shpikësit për IA-në

Shkencëtarja gjermane e kompjuterave, Cordelia Schmid u nderua sot me Çmimin Evropian të Shpikësit në një ceremoni në Maltë.

Schmid, e cila u nderua në kategorinë Kërkime, mori çmimin për punën e saj për të ndihmuar kompjuterët të kuptojnë dhe interpretojnë të dhënat nga imazhet.

Organizata që qëndron pas çmimeve, Zyra Evropiane e Patentave, tha se puna e Schmid kontribuon që makineritë të jenë në gjendje të shohin imazhe në detaje të tilla sa të jenë shumë afër njerëzve.

Kjo hap një gamë më të gjerë aplikacionesh për inteligjencën artificiale (IA), për shembull me robotë që mund të mbështesin të moshuarit, ose të dallojne kur pësojnë ndonjë incident.

Shkencëtarja 56-vjeçare e lindur në Mainz, ka studiuar në Karlsruhe dhe Grenoble dhe ka punuar në Institutin Francez të Kërkimeve për Shkenca Kompjuterike dhe Automatizim (INRIA) në Paris që nga viti 1997.

“Nëse zhvillohet me përgjegjësi, inteligjenca artificiale ka potencialin të revolucionarizojë shoqërinë në të njëjtën mënyrë si motori me avull dhe energjia elektrike në të kaluarën”, tha Schmid.

“Nga kujdesi shëndetësor te qëndrueshmëria, AI mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej problemeve më urgjente në botë”, tha ajo./ atsh/ KultPlus.com

Në GKK vjen ekspozita personale ‘Udhët që më njohin’ e artistit Rron Qena

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita personale “Udhët që më njohin” e artistit Rron Qena, kuruar nga Lulzim Zeqiri.

Filozofisë së tij artistike Rron Qena i rri gjithmonë pranë, duke e formuar nga afër karakterin bashkë me veprat e tij. Nga ky qëndrim ai përsosë stilin e shprehjes figurative dhe qasjes së tij origjinale në pikturë. Akti krijues brenda kornizës së pëlhurës, nëpërmjet tregimit të guximshëm personal synon thellësitë e përjetimit, si përvojë, si kujtesë, si ftesë për komunikim ndërnjerëzor. Muza e tij mbetet gjithmonë bindja e tij për të bukurën, si model nga i cili nuk i shmangë sytë.

Kapjet e momenteve plotë jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë apriori vrojtime dhe përceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Është reflektimi elokuent karshi motivit dhe elementeve të cilat e bëjnë peisazhin urban, apo pasqyrojnë psikologjinë e portretit në punimet e tij. Ky observim i kujdesshëm i marrëdhënies së gjatë me hapësirën dhe kohën e forcon intuitën e tij krijuese kudo që ai gjendet. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe e përbën sintaksën vizuele të pikturës së tij.

Rrugët e Prishtinës, Berlinit, Shkodrës, Bremenit, nuancë pas nuance shtrohen në pëlhurën e tij, për të na shpier në një gjeografi që nuk vijëzon kufi, e cila na merr me vete në udhëtim për të parë dhe ndjerë forcën e imagjinatës dhe pasurinë e botës së artistit. Në këto udhëkryqe lagjesh e metropolesh përparësi merr fryma e njeriut të lirë, njeriu i cili mezi shihet në labirinthin e qytetit, në mes makinave dhe kaosit, por që e dijmë se diku pas fasadave apo nën hije të parqeve ai vazhdon të shkruaj fatin e tij. Këtij njeriu të lirë pikturat e Rron Qenës i japin shpirt bohemi dhe e nxjerrin jashtë mbrëmjeve të dal me shokët, të hapërojnë të dehur nën ritmin e perkusioneve, udhëve dhe vendeve ku emërtimet nuk kanë rëndësi.

Ekspozita hapet më 17 korrik, në ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Nisin punimet restauruese në shtëpinë e Mahmut Begollit në Pejë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se kanë nisur punimet restauruese në shtëpinë e Mahmut Begollëve në Pejë, objekt ky i trashëgimisë kulturore i cili është ndërtuar në shek. XVIII-të.

“Kanë nisur punimet në konakun e Mahmut Begollëve në Pejë. Shtëpisë së ndërtuar në shek. XVIII-të, do t’i kthehen vlerat që kishte. Si një ndër shembujt e shkëlqyer të arkitekturës tradicionale të qytetit, do të ruhet për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim/ KultPlus.com

Clark: Serbia është dora e Rusisë, ka rrezik për konflikt në Ballkan

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, i cili në mars të vitit 1999 kishte dhënë urdhër për bombardimin ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe ka thënë se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, në rast se Rusia nuk ndalohet në Ukrainë.

Ai gjatë një interviste online bashkë me kryeministrin Kurti për rrjetin e njohur televiziv amerikan, CNN, ka thënë se Serbia është dora e Rusisë në Ballkan.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë dhe i shërben interesave të saj. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini. E ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, dhe sigurisht ndarja e Bosnjës dhe bërja e ‘Serbisë së Madhe’”, ka thënë Clark.

Sipas tij nëse në 30 vjetët e fundit ka pasur shumë dhunë e vrasje dhe është menduar se NATO-ja e ka ndaluar një gjë të tillë njëherë e përgjithmonë, por konflikti në Ukrainë dëshmon se ai problem mund të vijë në Ballkan.

Clark tutje ka thënë se NATO duhet të përfshihet në çlirimin e Ukrainës, ashtu siç bëri në Kosovë në vitin 1999.

“Putin e di se ne nuk duam provokim që çon në konfrontim bërthamor dhe vazhdon të na paralajmërojë me stërvitje bërthamore. E di se NATO nuk ka frikë nga kjo. Ne (gjatë vitit 1999) këmbëngulëm, NATO këmbënguli sepse SHBA si lider këmbënguli dhe Britania po ashtu, ashtu sikurse Albright dhe Clinton. Ne nuk u tërhoqëm. Kjo është koha kur NATO duhet ta dyfishojë vendosmërinë e saj se Putini nuk do të fitojë dhe duhet të bëjmë më shumë sesa të ofrojmë armatim. NATO duhet të bëjë më shumë, për shembull në Kosovë sot ka 25 vjet demokraci, është shtet i lirë. Isha atje, të gjithë kanë një histori tmerri ashtu siç e rikujtoi kryeministri (Albin Kurti) dhe të gjithë janë falënderues për NATO-n. Duhet të jetë e njëjta për Ukrainën, duhet ta shpëtojmë Ukrainën. Është detyra jonë si NATO”, ka thënë Clark.

Njëvjetori i ikjes në amshim të gjeniut letrarë Millan Kundera – Lehtësia e padurueshme e postmodernizmit (Pjesa e parë)

Bernard Çobaj

Kunder-era dhe Era­

Vitin e kaluar, kah fundi i qershorit, shikova filmin dokumentar Milan Kundera: From the Joke to Insignificance, prodhim i HBO mbi jetën misterioze dhe veprën e autorit të madh botëror. Gjatë shikimit të dokumentarit vajza ime Era lëvizte vërdallë nëpër dhomë dhe me kureshtje fëmijërore pyeste për personin me kapelë. U mundova t’ia sqaroja, aq sa mundet një i rritur t’ia shuaj kureshtjen një vajze 8 vjeçare.

Më 11 korrik të vitit të kaluar, në ditëlindjen e Erës, Kundera kaloi në amshim. Kur e pyeta Erën, se a din kush ka vdekur sot, menjëherë u përgjigj, ai me kapelë, Millani!

Përgjigjja e Erës ishte një shenjë se duhet të shkruaj diç për Kunderën. Siç thotë kryeprotagonisti, Tomashi, në vepër, duke aluduar te vepra e Bethovenit, “Es muss sein!” (Duhet të bëhet).

Po ashtu gjatë verës së vitit të kaluar, vizitova një mikun tim në Frankfurt  – në dhomën e fjetjes, mbi shtratë, ishte kopja e veprës së Kunderës në gjuhën angleze “The Unbearable Lightness of Being”, sinjali i radhës i es muss sein-it tim. Fillova ta lexoja ato ditë në Frankfurt dhe Darmstadt, sa prisja që djali Dini të përmbyllte trajnimin në kampin verorë të klubit të futbollit Darmstadt.

Një nga ditët i vizitoi Klaus Gjasula, futbollist po në atë klub dhe ia firmosi kapelën djalit tim. Po, do të jetë Klausi, këtë verë, që do na sjellë kënaqësin e padurueshme të shënimit të golit.       

Kryevepra e Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies” është një ndër librat e rralla që e kam lexuar në tri gjuhë të ndryshme dhe çdoherë kam pasur kënaqësinë sikur ta lexoja për të parën herë. Libri është botuar në vitin 1984, romani i gjashtë i Kunderës – ndërsa citimet në shkrim janë nga përkthimi i Severina Pashos.

Lehtësia e padurueshme e qenies

Në 100 vjetorin e lindjes së Kafkës dhe botimit të “Bregut Magjik” të Tomas Manit, shënohet njëvjetori i vdekjes së shkrimtarit Milan Kundera. Me Kafkën i lidh Praga, po ashtu Kafka citohet në vepër.

Të jetosh me të vërtetën – kjo është një shprehje që Kafka e ka përdorur në një ditar apo një letër.”

Kurse, një nga protagonistët e romanit, Teresa, lexon Tomas Manin, dhe këtu krijohet ndërlidhja tekstuale mes veprave – element tipik postmodern letrar. Po ashtu, Tereza, çdo kund me vete mban Ana Kareninën e Tolstojit (ajo ta çon mallin te Lexuesja nga kryevepra e Italo Kalvinos “Nëse një natë dimri një udhëtar”) duke krijuar një lloj loje intertekstuale në aspektin e dy çifteve që shfaqen në këto vepra, por krejtësisht të ndryshëm. Padyshim, libri i Tolstojit shënjon një rrafsh më të thellë semantik: për të nënvizuar dallimin e artit të madh me gjeopolitikën. Në momentin kur Rusia e invadon Çekinë, Tolstoji është rikujtim për vëllazërinë e fshehtë të shkrimtarëve/librave.  

Qysh nga fëmijëria, ajo shihte te libri shenjën e një vëllazërie të fshehtë”.

“Brenda saj ulërinte idealizmi naiv  i dashurisë që donte të fshinte të gjitha kontradiktat, të fshinte dualitetin e trupit dhe shpirtit dhe ndoshta të fshinte edhe kohën”.   

Libri për Terezën është bileta për tu futur në universin e të dashurit të saj Tomasit – libri është rruga e dashurisë, dashuria është libërleximi.

Të nesërmen e la valixhen te bagazhet e stacionit hekurudhor dhe u sorollat gjithë ditën rrugëve të Pragës me Ana Kareninën nën sqetull. Në mbrëmje, i ra ziles, ai hapi derën: ajo nuk e lëshonte librin. Si të ishte bileta për të hyrë në botën e Tomasit.

Jeta jonë e përditshme bombardohet me rastësi, ose më saktë me takime të rastësishme midis njerëzve dhe ngjarjeve, me ato që i quajmë rastësi: Tomasi shfaqet në restorant në çastin kur radioja jep muzikën e  Betovenit. Në shumicën e tyre të pafundme këto rastësi kalojnë pa u vënë re fare. Por dashuria që po lindte, e mprehu tek ajo ndjenjën e së bukurës dhe ajo nuk do ta harrojë kurrë këtë muzikë. Sa herë do ta dëgjojë, do të mallëngjehet. Gjithçka që do të ndodhë rreth saj këtij çasti, do të rrethohet me breroren e shkëlqimit të kësaj muzike dhe do të jetë e bukur.”

Raporti me Ana Kareninën është në rrafshin e përshkrimit të jetëve të dy çifteve (tek Kundera po ashtu të trekëndëshit të dashnorëve), ku raportet e tyre në të dy romanet zhvillohen paralelisht,  por te Kundera  pa antagonizmin e fateve të lumtura/të palumtura, por në një udhëtim rrethor ku të gjithë mundohen të gjejnë kuptimësinë e jetës duke e testuar kontekstin e lehtësisë dhe të rëndesës

Në fillim të romanit që Tereza mbante nën sqetull ditën kur erdhi te Tomasi, Ana takon Vronskin në rrethana të çuditshme. Ata janë në platformën e stacionit, kur treni sapo shtyp një njeri. Në fund të romanit, është Ana që hidhet nën rrotat e trenit. Ky kompozim simetrik, ku i njëjti motiv del në fillim dhe në fund, mund të duket ‘shumë romanesk’. Po,e pranoj, por vetëm me kusht që romanesk nuk do të thotë për ju një gjë ‘e shpikur’, ‘e sajuar’, pa ngjashmëri me jetën. Pasi kështu janë ndërtuar vërtet jetët njerëzore.

Ato janë ndërtuar si një partiturë muzikore. Njeriu i udhëhequr nga ndjenja e bukurisë, e shndërron ngjarjen e rastësishme (një muzikë e Bethovenit, një vdekje në stacionin e trenit) në një motiv që do të shkruhet më pas në partiturën e jetës së tij. Ai do t i kthehet, do ta përsërisë, do ta ndryshojë, do ta zhvillojë ashtu si bën kompozitori me temën e sonatës së tij. Ana mund t’i kishte dhënë fund jetës së saj në mënyrë krejt tjetër. Por motivi i stacionit të trenit dhe i vdekjes, ky motiv i paharrueshëm, i lidhur me lindjen e dashurisë, e tërhiqte në çastin e dëshpërimit me bukurinë e tij të kobshme. Njeriu, pa e ditur, e ndërton jetën sipas ligjeve të së bukurës edhe në çastet e dëshpërimit më të thellë.

Pra, nuk mund ta qortojmë romanin se është magjepsur nga takimet e mistershme të rastësive (si për shembull takimi mes Vronskit, Anës, stacionit dhe vdekjes, ose takimi mes Bethovenit, Tomasit, Terezës dhe gotës së konjakut), por me të drejtë mund ta qortojmë njeriun se është i verbër ndaj këtyre rastësive dhe se i heq kështu jetës dimensionin e saj të bukurisë”. Vazhdon…

/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti në CNN: Projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej pa intervenimin e NATO-s

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej.

Në një paraqitje për gazetaren Christiane Amanpour në CNN, Kurti tha se forcat policore dhe ushtarake të Millosheviqit e deshën Kosovën vetëm si territor, por pa popullin e saj shqiptar.

“Paraprakisht ka pasur një dyzinë masakrash kundër popullsisë civile në Kosovë ku fëmijë, gra e të moshuar janë vrarë, gra janë dhunuar, shtëpi e fshatra të tërë janë djegur dhe e gjithë kjo ka qenë përbrenda projektit gjenocidal të regjimit të Millosheviqit që Kosova të jetë pa popullin e saj, pa shqiptarë. Pra, ata e panë vendin tonë si territor e jo si popull, dhe deshën që ata njerëz ose të vriteshin ose të dëboheshin. Dhe operacioni ‘Patkoi’ po realizohej kur NATO-ja intervenoi dhe ndaloi gjenocidin e Serbisë. Prandaj, ndalimi i gjenocidit dhe çlirimi i vendit tonë, dhe sjellja e paqes në fund, ishin një dhe e njëjta gjë që u mundësua dhe më vonë u garantua nga NATO-ja”, deklaroi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.

Dyshja italiane, Sciucca e Rossini protagonistë të `Opera Night` në RLIOF

Ramë Lahaj International Opera Festival (RLIOF) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se protagonistë të mbrëmjes muzikore ‘Opera Night’ do të jenë çifti italian, tenori Riccardo Della Sciucca dhe soprano Sara Rossini, të cilët do të interpretojnë para publikut në skenën e amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.

Sipas njoftimit të festivalit, Riccardo Della Sciucca u bë i njohur pasi mori çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Operas “Adriana Maliponte” dhe “Angelo Loforese” në Milano. Pastaj zhvilloi talentin në ‘Accademia di Perfezionamento per Cantanti Lirici’ në teatrin ‘La Scala’ ku debutoi në rolin e Nadir në ‘Ali Baba and Forty Thieves’. Në vitin 2020, debutoi në ‘Teatro del Maggio Musicale Fiorentino’ në rolin e Cassios në shfaqjen operistike të Verdit ‘Otello’ nën dirigjimin e maestro Zubin Mehta, shfaqje e cila u transmetua drejtpërdrejt në RAI5.

Riccardo ka interpretuar në skena të shumta ndërkombëtare, duke portretizuar Rodolfon në operan ‘La Bohème’ të Puccinit në Qendrën për Arte Performuese ‘Hyogo’ në Japoni si dhe rolin e Arturos në shfaqjen operistike ‘Lucia di Lammermoor’ të Donizettit, në Festivalin e Salzburgut më 2022.

Ndërsa, Sara Rossini ka diplomuar në ‘Conservatorio G. Verdi’ në Milano, duke u zhvilluar pastaj në akademinë e ‘Teatro alla Scala’. Karriera e saj përfshin çmime në konkurse prestigjioze si Konkursi Ndërkombëtar i Operas ‘Umberto Giordano’, Konkursi Ndërkombëtar ‘Spiros Argiris’ dhe në Konkursi AsLiCo. Ka debutuar në role të rëndësishme në shtëpi operistike në gjithë Evropën dhe përtej, duke përfshirë Mimi në ‘La Bohème’, Lauretta në ‘Gianni Schicchi’ dhe Sophie në ‘Werther’.

Krahas arritjeve operistike, Sara Rossini dallohet edhe si soliste në vepra simfonike dhe koncerte vokale. Si soliste ka interpretuar në vepra si “Petite Messe Solennelle” e G. Rossinit në ‘Teatro alla Scala’etj.

Mbrëmja muzikore ‘Opera Night’ do të mbahet më 24 korrik, në ora 20:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Pse policët serb i kishin mëngët e këmishave të gjata?

Arben Kastrati

Prishtina është vendbanimi më i shëmtuar që njeriu ka ngritur ndonjëherë, që nga fillet e ekzistencës së tij. Vetëm qytet nuk mund të quhet, e është kryeqytet. Prishtina është më e shëmtuar se vet fjala shëmti. Nuk ekziston mënyrë për t’a përshkruar shëmtinë e qytetit. Kërkohet dhunti dhe imagjinatë pjellore, për t’a përshkruar, e një afinitet i tillë përshkrimi letrar, nuk ekziston. Gjendjen e qyteteve tjera, as nuk e marr tundimin t’a shpjegoj.

Që kjo shëmti të degradoj dhe më shumë, u përkujdesën tanët, saktësisht, interesat e njerëzve të varfër. Ne paskemi qenë një tërësi e varfër, një tërësi e varfër shumë. Në lirinë tonë, e shpërfytyruan qytetin deri në atë masë, sa që tërësisht ia humbën identitetin; Prishtina nuk njihet më.

****

Brenda kësaj shëmtie, brenda këtij shpërfytyrimi rronë dhe njerëz të lumtur. Karakteristikë e njerëzve të lumtur që rronë në qytet, është mbidoza e naivitetit me të cilën karakterizohen.

Nuk ka arritje më të madhe për varfanjakët (e së shkuarës) se të rrojturit në qytet, aty ku primitivizmi është instaluar dhe është bërë normë jetese. Aty ku sot, sundon anarkia, kjo kënaqësi varfanjakësh.

Varfanjakët e dikurshëm, që erdhën në qytet me filozofi zvarranikësh, tani janë sundimtarë të pasur. Qyteti është mbushur me njerëz të mjerë, me njerëz të lumtur (mjerimi dhe mungesa elementare e dijes i bënë të lumtur). Varfanjakët e dikurshëm e kanë zaptuar qytetin dhe sundojnë pa mëshirë. Jemi dëshmitarë të primititivizmit kulmor, pislliqeve, dhunës, amoralitetit, egërsisë dhe pashpjegueshmërisë për t’u udhëqehur nga marria. Jemi dëshmitar të anomalive nga më të pabesueshmet.

Në këtë qytet, qytet i thënçin, vetëm qytetari nuk ka.

****

Sunduesit e tashëm, varfanjakët e dikurshëm, etrit e pasur të fëmijëve të çmendur të së sotmes, sapo i takonin policët serb që patrullonin në rrugë, ju afroheshin, i tërhiqnin për mëngësh dhe me një servilizëm të paparë ju luteshin: “Sedi pij nesto” (Ulu pi diçka). Dhe nuk dorëzoheshin deri sa policët serb të uleshin dhe të konsumonin gjithë ç’dëshironin. Nga insistimi i vazhdueshëm që varfanjakët i bënin policëve serb, duke i tërhequr, ua zgjasnin mëngët e këmishave.

Varfanjakët vetëm dinjitet nuk kishin. Mungesë dinjiteti kanë edhe sot. Siç kanë mungesë ndërgjegjjeje. Janë në gjendje të shkatërrojnë çdo gjë për interesa individuale.

Duke e ditur që vetëdijësimi është diçka e huaj për këtë soj sundimtarësh dhe s’ka për t’u bërë pjesë integrale e tyre, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, degradimi do të vazhdoj dhe më tej. Deri ditën kur vet varfanjakët, do të largohen nga ky vend, të pasur. Se nuk do të mund të rronë në një vend të shkretë si ky.

Deri atëherë, do të duhet të tolerojmë dhe bashkëjetojmë me varfanjakët e dikurshëm, fëmijët e tyre dhe mungesën e zbatimit të ligjeve për atë kategori.

Trimat e së shkuarës, ata që “strehoheshin” nga dy policë serb (se frikë nuk kishin, tamam puna, se shqiptar dhe frikacak nuk ka), që mbanin rregull në një qytet të tërë, e kanë bartur trimërinë e tyre tek brezat pasardhës. Fëmijët e këtyre jargësve, janë sundimtarët e rinj të qytetit. Ata sundojnë me egërsi të paparë dhe janë mjerimi i ri.

Ashtu si dikur, banorët e sotëm vetëm brenda mureve të ndërtesave, përjetojnë një lloj lirie të shëmtuar. Brenda atyre mureve, banorët e qytetit, vazhdojnë të rronë të poshtëruar.

Mungesa e zbatimit të ligjeve, e ka bërë jetën në qytet, të pamundur. Mungesa e zbatimit të ligjeve, e ka bërë jetën në qytet, parajsë për këtë brez të mjerë.

Ikja është domosdo, për të shuar dhimbjet./ KultPlus.com

Mitrovica nikoqire e tri grupeve muzikore arbëreshe

Mitrovica, më 12 e 13 korrik, do të jetë nikoqire e tri grupeve muzikore të arbëreshëve nga Shën Sofia e Epitit të Kalabrisë.

Grupit të valleve “Shqiponjat”, rok bendit “Peppa Marriti” dhe korit “Sofioti Cantores”, do t’iu bashkohet edhe bendi ikonik i qytetit të Minatorëve “TNT”.

Bendi Peppa Marriti. Foto: Facebook

Performancat në të dyja netët do të fillojnë nga ora 20, njofton Klankosova.tv.

Sofioti Cantores. Foto: Facebook

Është paraparë që në ditën e parë pas mbërritjes në Mitrovicë, grupet e arbëreshëve të vizitojnë kompleksin memorial të Jasharëve në Prekaz.

Shpella e Lek Petës, gjeomonumenti i rrallë i Kurveleshit, së shpejti i vizitueshëm

 Në Progonat, Tepelenë, gjendet shpella e “Lek Petës”, monument natyre, e cila është zbuluar afro 30 vjet më parë nga ekspertë të fushës së speologjisë greke dhe italiane.

Bashkia e Tepelenës bën të ditur se “ekipi i ekspertëve vizitoi sot këtë vepër të krijuesit, një objekt shkëmbor tejet i veçantë formësuar nga tretja gëlqerore e kretakut të sipërm”.

“Aktualisht po punojmë për matjen e distancave nevojave për ndërhyrje me qëllim që së shpejti të jetë një monument i vizitueshëm dhe t’i shtohet listës së aktiviteteve turistike në zonën tonë”, tha bashkia.

Gjithashtu bashkia i bën apel të gjithë banorëve të zonës dhe jo vetëm, që monumenti të ruhet dhe të mos i thyhen pjesët e brendshme dekoruese, pasi e humbet vlerën e rrallë që ai ka.

Gjatë vizitës ekspertët konstatuan thyerje dhe grumbullim të këtyre formave nga njerëz, të cilët i përdorin për dekorimin e ambienteve private.

Bashkia e Tepelenës theksoi se “ky veprim është i dënueshëm me ligj”.

Shpella është e stolisur me stalaktite e stalagmite me përmasa dhe madhësi të ndryshme. Ajo ka gjurmë të hershme banimi dhe ka një gjatësi afro 200 metra dhe ndodhet në rrjedhjen e sipërme të Përroit të Thatë në lartësinë 1200 m./ atsh/ KultPlus.com

Friedrich Nietzsche: Një jetë e realizuar kërkon t’u bësh ballë dhe jo bisht vështirësive

Filozofi, poeti, kompozitori dhe shkrimtari Friedrich Nietzsche (15 tetor,1844-25 gusht,1900) është burri më i qëndrueshëm dhe me më shumë ndikim në shoqërinë njerëzore. Është mjaft e njohur konsiderata që ai ka për masën e filozofëve, ku ai ju referohet atyre si “kokë-lakra“ dhe një herë është qarë duke thënë: ”Është fati im që të jem njeriu i parë i denjë. Kam një frikë të tmerrshme se ndoshta një ditë do të konsiderohem si i shenjtë.”

Në një letër, ai i konsideron brezat e ardhshëm të begatë, që i përkasin një niveli të lartë mirëqenieje meqë kanë mundësi të shijojnë punën e tij: “Mua më duket se të marësh një nga librat e mi në dorë, është nderi më i madh që mund t’i bësh vetes. „

Një shekull e gjysmë më vonë, egoja e shëndetshme e Nietzsche-s është vërtetuar bindshëm, me një arsyetim çuditërisht mjaft modern: siguria me të cilën ai pohon se shpërblimet më të mëdha të jetës vijnë nga dora e mjerimit.

Më shumë se një shekull para “dhuratës së dështimit” dhe fetishizmit ndaj dështimit si një kanal drejt paturpësisë, Nietzsche lavdëroi këto vlera në  mënyrë të barabartë,  si pjesë  të madhështisë dhe të qartësisë.

Në një nga shumë aforizmat tij emblematike, të shkruara më 1887 dhe të botuar në përzgjedhjen pas vdekjes nga fletoret e tij, “The Will to Power”, Nietzsche shkruan nën titullin kryesor: «Llojet e dishepujve të mi»:

“Për ato qenie njerëzorë që përbëjnë sadopak shqetësim për mua, dëshiroj dhe ju uroj vuajtje, shkatërrim, sëmundje, keqtrajtim, fyerje dhe ofendim. Dëshiroj të mos mbeten të panjohur me vetëpërbuzjen dhe torturën e dyshimit të personit të vet apo mjerimin e pasmposhtjes. Nuk kam as grimcën më të vogël të mëshirës për ta, sepse ju uroj të vetmen gjë që mund të provojë sot nëse dikush ka sado pak vlera apo jo, në qoftë se reziston.”/BrainPickings-Bota.al/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Blinkenin në Washington: Aleanca me ShBA-në, gurthemel për stabilitetin

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është takuar sot me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se e ka falënderuar Blinkenin për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Ëashington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s.

“Aleanca me ShBA-në nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani në Washington falënderon Millanoviqin për përkrahjen që Kroacia i jep Kosovës drejt NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim “produktiv” me homologun e saj kroat, Zoran Millanoviq, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe mbështetjen jetike nga aleatët tanë kroatë.

“Falënderova Presidentin Millanoviq që gjithnjë ka qenë zë i fuqishëm pro anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka thënë Osmani në një postim në Facebook.

Sylvinho do qëndrojë në Shqipëri! Trajneri brazilian konfirmon marrëveshjen me FSHF

Orët në vijim do të zbulojnë trajnerin e Kombëtares për eliminatoret e ardhshme të Ligës së Kombeve dhe Kualifikueseve të Botërorit dhe ai është po i njëjti Sylvio Mendes Campos Junior.

Kanë qenë ditë intensive këto edhe pse me pushime trajneri, po për menaxherin e tij dhe presidentin e FSHF-s dhe burime konfidenciale për Top Channel konfirmojnë se diskutimi ka qenë rreth përmirësimit financiare të kushteve që do të marrë trajneri për vazhdimësinë, kjo edhe në sajë të arritjes së objektivit kryesorë që kishte, kualifikimin në Euro 2024.

Gjithçka është finalizuar me sa duket në ditën e skadimit të kontratës së pare, sot më 9 korrik. Sylvinho për Top Channel deklaron: “Kemi folur Endi dhe mund të them që kemi arritur marrëveshjen, por ende nuk kemi firmosur.”

Edhe pse në distance, Sylvinho në Porto, me pushime me familjen dhe presidenti i FSHF Armand Duka në Europian në cilësinë e Zv.Presidentit të UEFA-s në Gjermani për vazhdimësinë e Europianit me gjysmëfinalet dhe finale, është gjetur marrëveshja financiare dhe tashmë kushtet e ofruar dhe gjithçka ka pare provuar dhe përjetuar në vendin tonë trajneri Brazilian bashkë me stafin e tij e kanë bërë të refuzojë ofertat që ka patur për të vazhduar në Shqipëri, me kuqezinjtë për dy vitet e ardhshme, me një rritje page nga kjo aktualja që është rreth 750 mijë euro në vit.

Tashmë mbetet vetëm dalja zyrtare e palëve për ta njoftuar zyrtarisht, por jo tashmë pak rendësi ka sepse ndeshja e ardhshme e pare e kuqezinjve do të jetë në shtator dhe do të ketë kohë për pushime dhe më pas mbyllja ceremonia e firmosjes./topchanel/ KultPlus.com

‘Tirana Photo Festival 2024’, hapja e ekspozitës bëhet më 12 korrik

Edicioni i shtatë  i ‘Tirana Photo Festival’ me temën Rrënjët/Roots, do të hapet këtë muaj.

Ceremonia e hapjes së ekspozitës me 100 fotot me të mira të Festivalit do të hapet më 12 korrik 2024 të Reja ku do të ndahen dhe çmimet e fituesve.

Ekspozita do jetë e hapur në disa zona të Tiranës në hapësirë dhe do qëndrojë për dy javë deri më 25 korrik.

Në këtë edicion do këtë tre kategori konkurimi:

Foto Single
Foto Series
Video

Eventi organizohet nga DMO ALbania, ne bashkepunim me Visit Tirana dhe EJ Album./KultPlus.com

4.5 milionë turistë të huaj në 6 muaj, Kumbaro: Jemi në periudhën e pikut

4.5 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më shumë se qershori i vitit që shkoi.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kemi hyrë në periudhën e pikut të flukseve dhe të gjitha strukturat e shtetit që marrin pjesë në mbarëvajtjen e sezonit turistik veror vazhdojnë koordinim, së bashku me operatorët turistikë për prezantimin sa më dinjitoz të ofertës shqiptare.

“Kemi hyrë në pikun e flukseve turistike ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë bashkë me gjithë institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”, shkruan ministrja e Turizmit dhe Mjeidsit, Mirela Kumbaro në rrjetet sociale.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit mbështet 7 bashki bregdetare me operatorë shtesë pastrimi për menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë muajve të pikut të sezonit, operacion që ka nisur që prej 15 qershorit, ndërkohë që 34 qendra shëndetësore në të gjithë vendin janë në shërbim të pushuesve.

Policia Kufitare përmes një flote të dedikuar do të ushtrojë kontrolle mbi të gjithë operatorët detarë që kryejnë aktivitete turizmi, ndërkohë aksi i ri Thumanë-Kashar i hapur që prej 30 qershorit dhe tuneli i Llogarasë i askesueshëm që prej 5 korrikut, do të lehtësojnë aksesin drejt destinacioneve turistike të vendit.

“NEW ORDER”, DokuFest shpall temën e këtij viti

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, ka njoftuar se kanë shpallur temën e edicionit të këtij viti, “NEW ORDER”, që ka për qëllim të nxisë diskutimin lidhur me tendencat për ndryshimet në rendin ndërkombëtar.

Sipas organizatorëve të festivalit, në një botë në tranzicion, ku në të gjithë botën një rikonfigurim i ri gjeopolitik po ndodh, më shumë forca dhe tendenca po bëjnë ndryshime thelbësore në rendin ndërkombëtar.

“Duke i ditur të gjitha, ne kemi vendosur të sjellim përpara temën e NEW ORDER, një çështje të cilën kemi vendosur ta nxjerrim në pah përmes diskutimeve në festival, përmes filmave për mjedisin për të kuptuar nëse jemi tashmë të dënuar ose kemi ende një pikë shprese”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

‘Kush ta fali bukurinë’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Kush ta fali bukurinë
Qe t’ë më trerosh te zinë!

Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! Plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjemuar!

Mbledhur shoqet me një qoshe,
Dic, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llerë-e-gji-bardhoshe.

Pa me syckëzat e tua,
Sy-larme! C’më fole mua.

Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes ne ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë. /KultPlus.com

‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’ dhe kontributi i Jani Vretos, Sami Frashërit e Pashko Vasës

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.

Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab.  Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.  Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”.  Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.

Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.

Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

Selfixhe Ciu – Broja, gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri

Selfixhe Ciu – Broja u lind vitin 1918. Ka qenë shkrimtare shqiptare dhe gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri. Më 28 nëntor të vitit 1935 botoi një poesi tek e përkohshmja “Populli”, me emrin e pendës “Kolombia”.

Selfixhja u lind në lagjen Varosh të Gjirokastrës, në gjirin e një familjeje të kamur qytetare, e bija e tregtarit grosist, Ibrahim Ciu. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Bundo”. Njohu dhe u miqësua me Musine Kokolarin, gruaja e parë shqiptare e cila botoi një roman. U njoh me gazetarët e kohës, Nonda Bulkën, Petro Markon dhe Kolë Berishën.

Ajo ka studiuar në Firencë dhe më pas vijoi studimet në Grenoble, në Francë, ku njohu  bashkëshortin e saj, Xhemal Brojën dhe bashkë me të hapën një dyqan me libra në Shkodër.

Njohja e saj me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave “Urani Rumbos”, në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej. Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia. Poezinë e parë e botoi në revistën “Populli”,  28 nëntor 1935.

Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”. Shkrimet e një gruaje nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë tek letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj: “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar.

Shumë shpejt Colombia filloi të njihej në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje. Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java”, në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’ , deri te Colombia”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi.

Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte. “Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo. Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së gruas. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh gruan si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”. Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, kishte besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë”, të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”.

Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës. Bashkë me familjen, ajo ishte internuar, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot.

Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958). Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë.

Selfixhe Ciu – Broja në vitin 1998 botoi poezi në një libër dhe e quajti “Tallazet e jetës”.

Ajo vdiq në moshën 85-vjeçare, në vitin 2003, në Tiranë./KultPlus.com

Projekti i Muzeut “Besa”, pjesë e finalistëve për trofeun e “World Architecture Festival”

Projekti i Muzeut ‘’Besa’’ në Tiranë është përzgjedhur për të qenë pjesë e listës së finalistëve kandidatë për trofeun e kompeticionit “World Architecture Festival” duke konkuruar kështu me emrat më të mëdhenj të arkitekturës në botë.

Për këtë ka njoftuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shpreh se, ky muze do të ruajë për brezat një pasqyrë të artë të shqiptarisë, atë të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe do t’u ofrojë të gjithëve një hapësirë opinionesh, debatesh, shprehjesh artistike e kulturore mbi tolerancën, solidaritetin dhe humanizmin.

Studioja arkitekturore nga Zvicra, “Oppenheim Architecture” është fituese e projektit për ndërtimin e Muzeut “Besa”, që i kushtohet historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por jo vetëm.

Muzeu i “Besës” është i lidhur shpirtërisht me Muzeun Hebraik në Vlorë. Ndërtimi i tij përbën një sfidë pasi nga njëra anë bëhet fjalë për restaurimin e muzealizimin e një godine historike në zemër të Tiranës, por njëkohësisht duhet të flasë me zërin e kohës./atsh/KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e aktorit Tony Sirico

Aktori Tony Sirico, i njohur për rolin e tij si një grup mafioz në The Sopranos, ka vdekur më 9 korrik 2022, në moshën 79-vjeçare.

Aktori i Hollywood Michael Imperioli, i cili luajti Christopher Moltisanti, kishte drejtuar homazhet në nder të tij.

“Toni ishte si askush tjetër. Aii ishte po aq i ashpër, besnik dhe me zemër të madhe sa kushdo që kam njohur ndonjëherë. Jam krenar të them se kam bërë shumë punën time më të mirë dhe më argëtuese me shokun tim të dashur Tony. Do të më mungojë përgjithmonë. Ai është me të vërtetë i pazëvendësueshëm”, kishte shkruar ai.

Sirico ishte 55 vjeç dhe flinte në një krevat fëmijësh në shtëpinë e nënës së tij në Brooklyn, kur iu caktua roli ikonik që do t’i jepte atij dy çmime Screen Actors Guild, raporton BBC.

Ai luajti gangsterë në më shumë se një duzinë filma të tjerë të mafias, duke përfshirë Goodfellas të Martin Scorsese.

Sirico lindi në Brooklyn, Nju Jork, dhe u arrestua 28 herë, duke kaluar dy periudha në burg. /NOA /KultPlus.com