Kosova shpall ditë zie 3 korrikun me rastin e vdekjes së Ismail Kadares

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, me rastin e vdekjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe do të varroset Ismail Kadare, ndërkaq Zyra për Media e Presidencës njofton se Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, kishte dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

“Kadare është Gjeniu, të cilin, në kohën e duhur për të mos i lënë të vdisnin, shqiptarëve ua solli Zoti”

Çfarë ishte Kadare?

Shkruan: Edison Ypi

Skënderbeu ishte mit. Ali Pasha despot gjakatar. Naimi qiri. Lasgushi violinë. Fishta lahutë, çifteli. Migjeni fije bari. Diktatori, tytë, shul, sapun, litar. E kështu me rradhë, secili ka qënë diçka.

Po Kadare, çfarë ishte vallë Kadare ?

A ishte Kadare, për shembull, furrnaltë rrethuar nga proletarë heroikë leckamanë sypatrembur që luftonin dhëmb për dhëmb me zjarrin dhe metalin për të çarë bllokadën, që shkrinin çelik, bënin “me forcat tona” plugje dhe zinxhirë traktorësh që “të sigurohej buka në vend” ? Kadaresë nga këto i vinte për të vjellë.

A është Kadare një bakllava me sherbet. Që shqiptarët e hanë, ngopen, kthejnë një gjym me ujë, gromësitin, dhe duke shtriqur thonë; Rrofsh o Kadare që na ngop me ëmbëlsira dhe nuk na kërkon asgjë.

Kadare në asnjë rast dhe për asnjë çast nuk ka qënë dhe nuk është ëmbëlsirë.

Pretendimi idiotesk që Kadare të ishte i ëmbël vinte dhe vjen nga ca gomerë që nga Letërsia nuk kanë haber.

Parazitët, frikacakët, dinakët, donin që Kadare tua bënte qefin si vigan, si katallan, që kthen lumenj, ndal tërmete, than përmbytje, shpëton turmat nga vdekja.

A ishte Kadare një qetësues, një gjumëndjellës, një kamomil, për t’i ndihmuar t’i zinte gjumi dhe të shihnin ëndërra të bukura ata që prangat dhe zinxhirët i farkëtonin vetë ?

Kadare s’ka qënë kurrë qetsues, çaj, apo valium. Kadare dhe gjumi s’takohen kurrkund.

Nuk kanë munguar idiotat që Kadaren e kanë dashur të ishte një supermen me sharrë e gërshërë kovaçi ndër duar, që të këpuste zinxhirë, pranga, tela me gjëmba. Të fluturonte si zog. Të hynte nëpër burgje, në Spaç, në Burrel. Të vriste rojat me kalashnikov. T’i çlironte të burgosurit. T’i lante, t’i shplante, t’i vishte, t’i mbathte. T’i merrte me të mirë. Tu bënte muhabet, t’i ngushëllonte. Tu thoshte; “Zotërinj, e di që keni lexuar e komentuar librat e mia. Keni pritur prej meje më tepër se nga Amerika dhe NATO. Ja ku erdha. Taksiratet tuaja mbaruan.

Kadare, shumë më tepër se sharrë, gërshërë, supermen, me veprën e vet u dha shqiptarëve një pasqyrë për të parë veten dhe kohën. Pasqyrë konkave, konvekse, të sheshtë, të rrudhosur, të përmbysur, të bardhë, të zezë, të krisur, të thyer, të coptuar, në varësi të rrethanave.

Përmes kryeveprave të tij, Kadare ua ndriçoi mendjet dhe ua lehtësoi jetën shqiptarëve më tepër se të gjitha sharrat, gërshërët, çekiçat, elektroshtëpiaket, lavatriçet, thekset e bukës, hekurat e korentit, pianot, kitarrat, violinat.

I riu, i vjetri, komunisti, burokrati, ushtaraku, i përndjekuri, i burgosuri, të gjithë lexonin Kadarenë. Por lexuesit më të vëmendshëm të Kadaresë ishin Sigurimi dhe diktatori, të cilët Kadare i mposhti.

Kujt nuk i besohet se Kadare ishte më i fuqishëm se diktatura, diktatori, Sigurimi, të cilët i mposhti, janë ata që skllavërinë e kanë në gjak, diktaturën në mendje, diktatorin në bark, Sigurimin në shpirt.

Kadare është refuzuesi më i madh i fëlliqësirës më të ndyrë në Letërsi, pisllëkut më të preferuar të mediokërve, të folurit për veten, autoreferencialitetit.

Kadare është një perfeksionist, një kompjuter që kurrë nuk ka për tu shpikur.

Kadare është një mendimtar fenomenal që kohën e përdori për të shkruar ato që i ka ditur qysh kur ka lindur.

Kadare është Gjeniu, të cilin, në kohën e duhur për të mos i lënë të vdisnin, shqiptarëve ua solli Zoti./KultPlus.com

Sot, 34 vite nga eksodi i shqiptarëve në ambasadat e huaja

34 vite më parë u rrëzua “muri shqiptar i Berlinit”. Më 2 korrik 1990 mijëra shqiptarë mposhtën frikën e një diktature gjysmëshekullore dhe mësynë ambasadat e huaja dhe me këtë hap ata shënuan kthesën e madhe të Shqipërisë.

Ai që u quajt eksodi i madh i shqiptarëve, i dha goditjen e fundit regjimit të Byrosë Politike në Shqipëri, duke i hapur kombit portën e lirisë dhe demokracisë.

Kalimi mbi mure të përfaqësive diplomatike në Tiranë, me thirrjet “ Liri – Demokraci”, ishte goditja më e rëndë që regjimi kishte marrë deri atëherë.

Tashmë qytetarët shqiptarë kishin rrëzuar “murin” e regjimit që i ndante me botën e lirë, për t’iu bashkuar asaj përgjithmonë. Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat e regjimit të asaj kohe. Në tërësi numri i të larguarëve të 2 korrikut, sipas DPA llogaritet të ketë qenë 4764 persona./atsh/KultPlus.com

147 vite nga lindja e nobelistit Hermann Hesse

Sot, 147 vite më parë ka lindur një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit të kaluar, Hermann Hesse, shkruan KultPlus.

Hermann Hesse lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Calë dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.

Ai ishte djali i një pastori [prifti] dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqiat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturën angleze. 

Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrinë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Disa nga veprat e tij të përkthyera në shqip janë:

  • Ujku i Stepës, Dudaj, 2006; shqipëroi: Suzana Starikoë Skënderi
  • Miqësia, Besa, 2011; shqipëroi: Suzana Vokopola
  • Nën rrote, Shtepia botuese “Naim Frasheri”, 1980; shqipëroi: A. Koçi. T/KultPlus.com

Flamujt në gjysmështizë, sot dhe nesër ditë zie kombëtare në nderim të Ismail Kadaresë

Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e sotme dhe ajo e nesërmja janë ditë zie kombëtare, në nderim të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar ulet në gjysmështizë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore do të ngrihet një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit.

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në moshen 88-vjeçare. Ai ishte e mbetet shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës dhe vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme.

Arriti famën e merituar, që me botimin në vitin 1963, të romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës./atsh/KultPlus.com

63 vite nga vdekja e autorit të letërsisë klasike, Ernest Hemingway

Sot shënohen 63 vite nga vdekja e autorit të famshëm, Ernest Hemingway, shkruan KultPlus.

Ernest Hemingway  ishte një novelist amerikan, shkrimtar i historive të shkurtëra dhe gazetar. I përket shkrimtarëve të periudhës klasike të letërsisë amerikane. Ernest Heminguej në profilin e tij shkrimtaresk përfaqëson në mënyrë të shkëlqyer realizmin letrar në SHBA.

Stili i tij ekonomik dhe i nënvlerësuar kishte një ndikim të fortë në fiction të shekullit të 20-të, ndërsa jeta e tij e aventurës dhe imazhi i tij publik ndikuan në gjeneratat e mëvonshme. Hemingëay prodhoi pjesën më të madhe të punës së tij midis mesit të viteve 1920 dhe 1950 dhe fitoi Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1954.

Ai botoi shtatë romane, gjashtë koleksione me histori të shkurtra dhe dy vepra jo-fikse. Vepra të tjera, duke përfshirë tre romane, katër koleksione me histori të shkurtëra dhe tre vepra jo-fikse, u botuan pas vdekjes. Shumë nga veprat e tij konsiderohen klasike të letërsisë amerikane.

I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Heminguej vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Heminguejit janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore.

Hemingëay u rrit në Oak Park, Illinois. Pas shkollës së mesme, ai raportoi për disa muaj për “The Kansas City Star”, përpara se të nisej për Frontin Italian për t’u regjistruar me shoferët e ambulancës së Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918, ai u plagos rëndë dhe u kthye në shtëpi. Përvojat e tij të kohës së luftës formuan bazën për romanin e tij “Një lamtumirë për armët” (1929).

Në vitin 1921, ai u martua me Hadley Richardson, e para nga katër bashkëshortet e tij. Çifti u zhvendos në Paris, ku punoi si korrespondent i huaj dhe ra nën ndikimin e shkrimtarëve dhe artistëve modernistë të komunitetit të emigrantëve të viteve 1920 “Lost Generation”. Ai botoi romanin e tij debutues, The Sun Also Rises, në vitin 1926. Pas divorcit të tij nga Richardson në vitin 1927, Hemingëay u martua me Pauline Pfeiffer; ata u divorcuan pasi u kthye nga Lufta Civile Spanjolle, ku ai kishte qenë gazetar, dhe pas së cilës ai shkroi From Ëhom the Bell Tolls (1940). Martha Gellhorn u bë gruaja e tij e tretë në vitin 1940; ata u ndanë kur u takua me Mary Ëelsh në Londër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte i pranishëm në ulje të Normandisë dhe çlirimin e Parisit.

Menjëherë pas botimit të Plaku dhe Deti (1952), Hemingëay shkoi për safari në Afrikë, ku ai u vra pothuajse në dy rrëzime të njëpasnjëshme të aeroplanëve që e lanë me dhembje dhe të sëmurë për pjesën më të madhe të jetës së tij të mbetur. Hemingëay mbante banesa të përhershme në Key West, Florida, (1930) dhe Kubë (1940 dhe 1950), dhe në vitin 1959 bleu një shtëpi në Ketchum, Idaho, ku ai vrau veten në mes të vitit 1961 .

Ky shkrimtar kolosal amerikan është lauruar me shpërblime prestigjioze letrare, madje në vitin 1953 ky shkrimtar merr Çmimin Nobel me ” Plaku dhe deti ” u vetevra me 2 korrik te vitit 1961 vetem tre jave para 62-vjetorit te lindjes se tij. Në gjuhën shqipe janë përkthyer një varg romanesh, e vëllimesh me prozë tregimtare të këtij shkrimtari. Vlen të përmenden shqipërimet kolosale të Ismail Kadaresë, Vedat Kokonës./KultPlus.com

Kjo është Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 – gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Jusuf Buxhovi

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990. E shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën. 

Kështu, Deklarata e 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, ua hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës. 

Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, rikofirmoi këtë proces historik që filloi më Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe u përmbyll me Referendumin për Pavarësi të vitit 1991.
Andaj, për historikun e shtetësisë së Kosovës 2 korriku 1990 paraqet gruthemelin e saj.

Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990.

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat)./KultPlus.com

Instituti Albanologjik mban mbledhje komemorative, vdekja e Kadaresë vlerësohet si humbje edhe për letërsinë botërore

Të hënën ka vdekur shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, në moshën 88-vjeçare. Për të nderuar veprën e tij, Instituti Albanologjik në Prishtinë ka mbajtur mbledhje komemorative.

Mbledhja është mbajtur duke filluar nga ora 10:00, në Institutin Albanologjik.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Instituti, Lulezim Lajqi, është shprehur se me vdekjen e Kadaresë ka humbur edhe letërsia botërore.

“Ikja në nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është vetëm humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tija janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar Ballkanik në hartën e letërsisë botërore. Kadare morri edhe çmime të shumta globale”, është shprehur Lajqi.

Si vdes tek unë kujtimi yt, si vdesin flokët dhe gjithçka…

Poezi nga Ismail Kadare

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj un’ dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj./ KultPlus.com

Fatos Kongoli: Ismaili ishte shkrimtar i madh, ishte Kadare…

Fatos Kongoli një nga mjeshtrat e letërsisë shqipe foli në “Top Talk” për ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Kongoli foli për sulmet që mori Kadare që në kohën e diktaturës, ndërsa tha se shkrimtari ishte aq i zgjuar, saqë regjimin e përdori në interes të krijimtarisë së tij.

Po ashtu, shkrimtari tha se smira e kolegëve Kadarenë e ndoqi deri në fund kur ai u largua  nga Shqipëria në Paris.

Ismaili ishte shkrimtar i madh, ishte Kadare. Largimi i Kadaresë, ishte goditje fatale për regjimin diktatorial. Goditje aq e fuqishme sa regjimi nuk e mori më veten. Gjithçka që ka shkruar Kadare është e veçantë. Për mua kryevepra janë të gjitha, por dua të ndaj librin për të cilin kam dobësi shumë të madhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, libër unik.

Brezi im e lexonte Kadarenë mes rreshtave, kishte mesazhe kishte mendime që të ngacmonin. I tillë ka qenë Kadareja, ai ka qenë një shkrimtar i jashtëzakonshëm, jo si të tjerët. Ka pasur një rrymë të fuqishme në Shqipëri që e kritikonte se gjoja shkruante jo për lexuesin shqiptar por lexues të huaj. Mbaj mend një artikull idiot që e sulmonte se Kadareja nuk shkruante për lexuesin shqiptar. Kadareja nuk është lexuar si shkrimtar i mirëfilltë, por ai ka qenë më mirëfillti shqiptar. Kadareja ishte njeri i zgjuar, nuk ishte naiv dhe ai e përdori regjimin në interes të krijimtarisë së tij.

Ka pasur smirë, ligësi sa të duash. Kjo smirë dhe ligësi e kolegëve e ka ndjekur deri në fund Kadarenë, por pjesa më e madhe e adhuronin se ishte shkrimtar i madh”-u shpreh Kongoli.

Ish- Presidenti Sejdiu për Kadarenë: Ishte zë i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit shqiptar më me nam në botë, Ismail Kadare.

Ish- presidenti Sejdiu ka evokuar kujtime nga dy takimet që ka pasur me Kadarenë sa ishte president i Kosovës.

Mes të tjerave, ish- presidentit përshtypje i kishin lënë mesazhet e jashtëzakonshme të Kadaresë: “Gëzojuni ekzistimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan”. Dhe: “Të kesh dy shtete nuk është më pak se sa të kesh një shtet”.

Më poshtë gjeni shkimin e plotë të Ish- Presidentit Fatmir Sejdiu në facebook:

Me pikëllim të madh sot mora lajmin e hidhur për vdekjen e shkrimtarit të letërsisë shqipe dhe botërore, Ismail Kadare.

Me këtë rast zonjës Helena dhe gjithë familjes i shpreh ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe.

Me shkrimtarin Kadare kam pasur rast ta takojë dy herë nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës, takime këto që më kanë mbetur të paharrueshme.

Shkrimtari Kadare ishte një zë i fuqishëm në ndihmë Kosovës për liri dhe pavarësi.

Nga takimet që i kisha me të, po përcjellë mbresa të paharrueshme nga këto biseda:

Kadare: “Të kesh dy shtete nuk është më pak se të kesh një shtet”

Insert nga libri im “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”

Shkrimtarin e madh Ismail Kadare e kam pritur dy herë në zyrën time.

Që të dy herët, së pari jo larg nga koha e shpalljes së Pavarësisë dhe së dyti një vit e pak pas shpalljes, përkatësisht më 26 maj 2009. Këto vizita shprehin jo vetëm kujdes të një personaliteti të rrallë që ka bota shqiptare, por edhe mbështetjen e fuqishme që ai i kishte dhënë Kosovës dhe popullit të saj të jetojë i lirë dhe i pavarur.

Në vizitën e dytë ai kishte ardhur me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare. Gjatë bisedës që e kisha, ai u interesua për zhvillimet e shumta me të cilat ne “përplaseshim” ditë e për ditë. Për koincidencë takimi përkonte me ditën kur unë kisha refuzuar të zhvillojë vizitën në Maqedoni. Kadarenë e njoftova edhe për zhvillime të tjera që kishin të bënin me Kosovën dhe rajonin.

Me një fjali të fuqishme, “Gëzojuni ekzistimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan”, Kadare deshi të thoshte se njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për vlerën e një vendimi kaq të madh që ka marrë Kosova. Në konferencën e organizuar për shtyp, pata shprehur falënderimin ndaj Ismail Kadaresë për “mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe natyrisht përkushtimin në ecjet tona të mëtutjeshme, në rolin që ka, sepse është personalitet unikat dhe dua të them paralelisht misionar, apo ambasadori më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Është njeriu që ka shpërthyer në të katër anët e globit”

Duke iu drejtuar gazetarëve të pranishëm në atë konferencë shtypi, Kadare pati theksuar: “Nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për gjërat themelore të Kosovës, që janë gjëra themelore të kombit shqiptar dhe për mua sa herë që kam ardhur në Kosovë, sa herë që kam qenë në këtë zyrë, është kënaqësi se këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, punojnë për interesat e saj, që i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është lehtë gjithmonë të mbrohen interesat e drejta të një populli…” duke vazhduar se “Ka disa herë një paragjykim që të mbrosh interesat është lehtë, të mbrosh të drejtën ndonjë herë është tepër e vështirë ashtu sikurse është e lehtë disa herë për shtetet tjera të mbrojnë të shtrembrën, mashtrimin. Për fat të keq kjo ndodhë, ne nuk mund t’i ndryshojmë zakonet e njerëzimit, por një gjë është e vërtetë që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta, madje shpesh kujtojmë kur koha punon për ta kujtojnë ose ju krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta ose e kundërta. Popujt ose vendet që koha nuk punon për ta kujtojnë të kundërtën dhe këto ndodhin shpesh në vende tjera. Kam kënaqësinë ta përsëris koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët”.

Po atë ditë, Kadare kishte mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan në Prishtinë. Ai duke pasur parasysh zhvillimet e shumta që i kishte Kosova nga shpallja e pavarësisë, midis të tjerave kishte lënë mesazh të jashtëzakonshme, këtu tha: “Gëzojuni ekzistimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan”. Dhe: “Të kesh dy shtete nuk është më pak se sa të kesh një shtet”./ KultPlus.com

Baladë për vdekjen e J. G.

Tregim, nga Ismail Kadare

Spitali i ri i qytetit të vogël Untergrupenbah (ai në të cilin dhjetë muaj më vonë, pikërisht në një ditë të ngjashme, do të vdiste J. G.) u përurua në mbarim të dimrit. Ishte ftohtë e kishte ende dëborë të pashkrirë në kopshtin dhe rrethojën e hekurt. Bardhësinë e saj, sidomos në ato vende ku ajo fqinjëronte me tokën e zezë, kronisti i TV e shfrytëzoi me mjeshtëri në marrjet e tij, duke e gërshetuar me kontrastin që krijonin përparëset e bardha të personelit shëndetësor, kostumet e zeza të zyrtarëve e të të ftuarve të tjerë në ceremoni. Ishte, pa dyshim, një rastësi, po në sfond të asaj pamjeje tingëllonin vërtet bindshëm fjalët e drejtorit të spitalit, i cili, pasi falënderoi qeveritë e landit të Baden Vyrenbergut për kujdesin e saj dhe pasi i siguroi qytetarët e Untergrupenbahut se ai bashkë me gjithë personelin tjetër do të bënin çmos që të përligjnin këtë kujdes, e përfundoi fjalën e tij me një mbyllje disi mallëngjyese, që i bëri shumë njerëz të përloteshin. Të jeni të bindur, tha ai, se në këtë spital jeta do të luftojë kundër vdekjes, drita kundër errësirës, e mira kundër së keqes. Do të luftojë dhe do të ngadhënjejë.

2

Ministrisë së Punëve të Brendshme të Landit të Baden Vyrtenbergut, Drejtorisë së Emigrantëve.

Unë i nënshkruari J. G., ish-qytetar jugosllav, me kombësi shqiptare, me profesion gazetar, i arratisur nga RF e Jugosllavisë për arsye politike, duke falënderuar edhe një herë qeverinë e RF Gjermane për dhënien e strehimit politik, shfaq dëshirën time që, për arsye sigurimi, të vendosem në Untergrupenbah.

Siç kam deklaruar edhe në kërkesën time për strehim politik, krahas punës sime si gazetar do të merrem njëkohësisht, ashtu si edhe më parë, me letërsi dhe me muzikë.
Me nderime etj , etj.

3

Drejtorisë së spitalit të Untergrupenbahut. Në bazë të shkresës Nr. 311, dt. 3.v.1981 të Ministrisë së Shëndetësisë së Landit të Baden Vyrtenbergut, bazuar në protokollin e bashkëpunimit kulturor midis RF Gjermane dhe Jugosllavisë, nënshkruar nga qeveritë e të dyja vendeve (pika 14/c e shtojcës mbi këmbimin e përvojës profesionale) mjeku jugosllav G. Vidiç, kirurg, dërgohet në spitalin tuaj për një afat njëvjeçar.

4

NGA HETIMET E FSHEHTA PËR G. VIDIÇIN.
Vidiç? Ishte një burrë i gjatë, afër të pesëdhjetave apo ndoshta dukej aq për shkak të tëmthave të thinjura. Ishte mjek i mirë, madje unë disa herë kisha bërë me vete pyetjen vërtet përfiton ndonjë gjë të madhe në spitalin tonë? Fliste mirë gjermanisht, ishte i përpiktë dhe kishte fituar simpatinë e një pjese të mjekëve për gatishmërinë që tregonte për t’i zëvendësuar në rojën e natës.
Në fillim ne ia kërkonim me druajtje një gjë të tillë, kishim përherë frikë se mos shpërdoronim gatishmërinë e tij, po pastaj e kuptuam se e bënte këtë gjë me dëshirë. S’ka pse të druhemi, tha një ditë kolegu ynë. Ai është i huaj këtu dhe, në atë mënyrë jetese të mbyllur që bën për kalimin e mbrëmjes, roja e natës është, pa dyshim, formula më e përshtatshme, për të përdorur një shprehje tepër të kohës.

Tjetër?
Çfarë të them unë tjetër? Ishte gjithmonë një tip i qetë. Veç e kapte njëfarë trazimi, ndoshta kjo s’është fjalë e saktë, njëfarë ankthi, do të thosha, ndonëse edhe kjo s’është e saktë. S’di si t’jua shpjegoj, do ta quaja trazim, ndoshta edhe ankth, sikur të mos kishte një si pikë të ngrirë në vështrim. Afrohej te qelqnaja e dhomës së pritjes, ja atje, dhe ashtu përhumbshëm vështronte rrugën automobilistike. Nganjëherë të dukej se priste diçka apo ndoshta e jepte këtë përshtypje, ngaqë ishte i huaj dhe dihet që, për një të huaj, rruga do të thotë diçka më shumë se për vendësin: andej vijnë letrat për të, ndonjë pako për Vitin e Ri, lajmet për të vetët.

Ah, meqë ra fjala për postën, desha të them se ishte veçanërisht i ndjeshëm ndaj tingëllimit të telefonit. Madje, disa herë, po ta vëreje me kujdes, të jepte përshtypjen se ishte në përgjim të paprerë të tij. Po kjo ishte, gjithashtu, e kuptueshme për një të huaj, ndonëse duhet thënë se nuk mbaj mend t”i kenë telefonuar ndonjë herë të vetët, me përjashtim të një rasti, në mos gabohem në kuj tesën time.

Dhe ky përgjim i telefonit mos u shpeshtua kohët e fundit?

Nuk mund ta them një gjë të tillë, më kuptoni, ishte një gjë, si të them, e rëndomtë, që, edhe po të ndodhte, vështirë se do të binte në sy. Një gjë mund të ishte me të vërtetë pakëz e habitshme, madje, që të jem i saktë, duhet t’ju pohoj se tani që po e sjell ndër mend, po më duket për herë të parë e tillë. Por, para se të vij te kjo, desha të them se ajo turbullira për të cilën fola pak më parë, domethënë qelqnaja, ngrirja e vështrimit, rruga automobilistike etj ., ndodhte sidomos sa herë që dëgjohej sirena e makinës së ndihmës së shpejtë, e asaj që sillte të aksidentuarit. Ishte ndonjë kuj tim vetj ak, tronditj a para operimit të ngutshëm apo diçka tjetër, vështirë ta përcaktosh. Ai nuk ishte mjek i ri, dorën e kishte të sigurt dhe, veç kësaj, dihet që operacioni i ngutshëm i një të aksidentuari të mbytur në gjak ka gjithmonë më pak ankth se operimi i të sëmurit për të cilin ke ditë që përgatitesh.

Kështu që… ah, po, e kisha fjalën tek ajo gjëja e habitshme që përmenda pak më parë. Pra, të gjitha këto ishin të shpjegueshme njëfarësoj. E vetmja gjë që mund të dukej e habitshme ishte fakti se kureshtja e tij për telefonin (nuk e di nëse fjala kureshtje është e përshtatshme për këtë rast), pra, kureshtja e tij për telefonin, në vend që të zbehej, me afrimin e makinës së urgjencës theksohej më tepër. Kështu, për shembull, e mbaj mend fare mirë rastin kur, pasi kishte vënë dorezat e operacionit dhe maskën, për habinë tonë të madhe, e hoqi në çast këtë të fundit për të pyetur: “Mos po më kërkojnë në telefon?”. Në të vërtetë, telefoni po binte në sallon dhe ai nuk e vuri maskën veçse kur mori vesh se kërkonin dikë tjetër.

Po në ditën e shtatëmbëdhjetë janarit a foli në telefon me dikë?

Me sa di unë, jo.

5

NGA DESHMIA E S. G., BASHKESHORTE E J . G.

Sapo u dëgjuan krismat, kunata thirri e para: “I vranë!”.

Isha e veshur dhe u sula jashtë pa e pritur. Makina ishte disa metra larg hyrjes së garazhit, me dritat ende të ndezura. Po unë nuk i hiqja dot sytë nga një gjë e zezë, në anën e djathtë të saj. Kur u afrova dhe pak, dallova që ishte një trup njeriu i rënë përmbys. Rrëshqita, gati u rrëzova mbi të, gjersa e ktheva mbarë. Ishte K. Z., i vdekur.

Nuk e mbaj mend si u ngrita. Mbaj mend vetëm që u gjenda te dritarja e hapur nga ana e timonit. Ishte kunati, i ngujuar në ndenjëse. Duart i kishte hequr nga timoni dhe i mbante mbi gjunjë. Sytë i kishte të mbyllur. I futa duart pas zverkut, për t’i kërkuar plagët. S’kishte. Papritur i pashë brimat e plumbave në faqe. Edhe ai kishte vclekur. Brenda në makinë ishte gjysmëterr dhe në krye s’dallova kurrgjë, gjersa ndjeva zërin e J. që tha:

– Çikë, qe ku jam.

Kështu më thërriste zakonisht, “çikë”. Zërin e kishte të qetë, të kthjellët. Apo ndoshta m’u duk ashtu prej fjalëve që shqiptoi. Kurse mënyra si qe mbledhur kruspull, me një dorë të mbështetur te shkallina e makinës, jepte, në kundërshtim me zërin, një mundim të madh.

– Oh, – ia bëri, kur e preka në shpatulla. – Aty i kam.
Kështu më tha, me siguri, për plumbat.
Pastaj:
– Kjo dorë m’u mpi. Ma liro pak!
– J., më ndien? – e pyeta.
– Në bark kam të tjerë, – foli ai. S”dija si t”ia lehtësoja dhimbjet.
– K. e shoh që ka vdekur, – tha me vështrimin e ngulur nga
kufoma në rrugë. – Shife B. te timoni.

U mata t’i thosha se vëllai ishte gjallë, po në atë çast u ndie kuja e kunatës, që porsa kishte mbërritur.
– Ka vdekur, – tha ai.
– Ndoshta jo.
Që nga larg u ndie një sirenë makine. Duhej të ishte policia ose ndihma e shpejtë.

6

Rruga gjer në spital ishte vende-vende e mbuluar nga bora. Ashtu pjesë-pjesë e mbuluar, me copa të tëra që i mungonin, riprodhohej ajo më vonë në kujtesën e S. G.

Meqenëse nuk e lejuan të hipte në makinën e ndihmës së shpejtë, ajo e ndoqi atë me taksi. Dritat e prapme të makinës së spitalit regëtinin si të ngulura me turjelë në trupin e saj.
Ishte e vetme. Kunata kishte mbetur me fëmijët, që kishin dalë gjithashtu nga shtëpia për të parë ç’kishte ndodhur.

Përpiqej të kujtonte ngjarje të ditëve të fundit, gjëra që mund të kishin zgjuar dyshime, fjalë të J. për ndonjë rrezik të mundshëm, po nuk i kujtohej asgjë. Nuk i kujtoheshin as numrat e telefonave të miqve, të njerëzve të afërt. Qysh te shifra e tretë binte mjegulla. Pastaj tek e katërta, tek e pesta… Shifrat e fundit këputeshin në humnerë.

I kujtoheshin vetëm ca parandjenja të këqija. Por edhe për to nuk ishte e sigurt nëse i kishte dëgjuar diku apo i kishte menduar ajo vetë. Ishte thënë diçka për natën e 17 Janarit. Për 17 Janarin e vitit 1468. Madje, ishte përmendur vdekja: ah, po, një orë më parë e kishte përmendur J. Sot është dita e vdekjes së Skënderbeut. Kështu kishte thënë, duke kthyer kryet nga kalendari ku ishte një pikturë e Degas, një balerinë aq e papërshtatshme për ditën e mbarimit të kryezotit mesjetar… E megjithatë, tani i dukej se pikërisht ajo balerinë i sulej nga grumbujt e borës ndanë rrugës, drejt dritares së veshur të taksisë, si për t’i kumtuar diçka. Diçka që ngjante herë si shpresë e dhimbshme, herë si një hare misterioze.

7

Në orën 23.20, J. G. gjendej i shtrirë në tryezën e operacionit. Në kohën që narkozëdhënësi po i afrohej, ai bëri një shenjë me dorë, si për ta ndalur dhe për herë të tretë tha se donte të bënte një deklaratë në prani të mjekëve dhe të një përfaqësuesi të ligjit. E futën policin Peter S., pasi i veshën me shpejtësi bluzën e bardhë dhe në prani të tij e të mjekëve tha, me një zë që për herë të parë jepte shenjën e lodhjes: “Deklaroj se mua, J. G., vëllanë tim B. G. dhe shokun tonë K. Z. na Vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.”

Dy mjekët, si edhe infermieret me maska, që gjatë deklaratës kishin qëndruar si të ngrirë, lëvizën pas fjalëve të tij

“kaq kisha”.

Në të vërtetë, përpara se të vihej re lëvizja vetë, atë e dhanë rrezatimet e bisturive në duart e tyre.

Në Valën e parë të turbullirës që i dha narkoza, i plagosuri i pa fytyrat e mjekëve si të ngjitura me njëra-tjetrën dhe emri “Vidiç”, të cilin mjeku i parë, që u përkul mbi të, e kishte të shkruar te setra, atij duhet t’i jetë dukur si Vilhem ose Vili, përndryshe ishte ende në gjendje të bënte, së paku, një shenjë për të shmangur mjekun me emrin e rrezikshëm.

(Në të vërtetë, ia nguli sytë një grimë për herë të dytë setrës së Vidiçit, tha më vonë infermierja Marta H., po nuk pati në vështrimin e tij kurrfarë shenje pakënaqësie, pale pastaj frikë ose ankth. Pati vetëm njëfarë habie, por edhe ajo e lehtë.)

Që s’pati kurrfarë shqetësimi e pohoi edhe polici Peter S., që ende s”kishte dalë nga salla dhe që, për shkak të deklaratës së porsabërë, hetonte me kuj des fytyrën e viktimës. Mungesa e shqetësimit vërtetonte se i plagosuri nuk e kishte lexuar saktë emrin e Vidiçit. Habia, për të cilën foli infermierja dhe që nuk u kundërshtua prej policit, mund të jetë shkaktuar prej tërheqjes së vëmendjes nga diçka e atypëratyshme, për shembull, përse emri Vilhelm ose Vili ishte shkruar me një V dhe jo me W.
Në qoftë se kishte qenë kështu, atëherë kishte mundësi që në çastet e agonisë, në prag të humbjes së ndërgjegjes, V-ja ose V-të së bashku të jenë vendosur e zhvendosur shumë here mbi njëra-tjetrën, në përfytyrimin e tij me shpejtësi të ethshme, siç ndodh në gjendje makthi. Dhe gjithmonë siç ndodh në gjendje të tilla kur sendet e përfytyruara, jo vetëm lëvizin me shpejtësi të çmendur, por po me të njëjtën shpejtësi marrin traj ta e kuptime simbolike nga më të larmishmet, ka mundësi që këto V të kenë marrë aty për aty dhjetëra e qindra pamje e kuptime të ndryshme. Gjithmonë po të ndjekim këtë pandehmë, aherë mund të ketë ndodhur që, midis qindra pamjeve, ato V t”i kenë ngj arë viktimës, qoftë edhe për një grimë, me dërrasat që vendosnin dikur pjerrtazi në varre, në vendlindjen e tij të largët, përpara se i vdekuri të mbulohej me dhe.

8

NGA HETIMET KREJTËSISHT PRIVATE PËR VIDIÇIN.

Si qëlloi që Vidiçi ishte rojë atë natë? Kishte radhën e tij apo, si zakonisht, zëvendësonte dikë?
Nuk më kujtohet saktë. Zëvendësimet që bënte ishin aq të shpeshta, saqë s’binin në sy si të tilla. Më kuptoni ç’dua të them, zëvendësimet e tij prej kohësh na dukeshin të gjithëve si një gjë e rëndomtë.

Ju kuptova. T’ju pyes për diçka tjetër. Atë mbrëmje kur mori rojën, a ishte po në atë gjendje si mbrëmjet e tjera? Desha të them, a erdhi si zakonisht apo me ndonjë farë nguti, shqetësimi, apo me atë ndjenjë ankthi për të cilën folëm para ca ditësh?

Si të them, nuk vura re një gjë të tillë. Më kuptoni, kur nuk e ke mendjen në diçka të tillë është vështirë…

Ju kuptoj. Po më pas, në kohën që u dëgj ua sirena e makinës së ndihmës së shpejtë dhe sidomos kur u pa se viktima që ajo solli nuk ishte thjesht një i aksidentuar, por një viktimë e bërë shoshë nga plumbat, a pati ndonjë trazim të veçantë?

Si të them… Kur u dëgjua sirena, nuk e pashë. S’di ku ishte, ndoshta pinte cigare në sallon. Kurse më pas, kur e zbritën të plagosurin, ne ishim aq të tronditur të gjithë, sa qe vështirë që tronditja e dikujt mund të binte në sy. Qyteti ynë është i vogël dhe trupa të grirë ashtu nga plumbat nuk të bie rasti të shikosh çdo clitë.

E mori vesh Vidiçi ç’ishte i plagosuri?
Pa dyshim. Ai e bëri deklaratën në sytë e të gjithëve, midis një heshtjeje varri.

Nëse ju kujtohet, në kohën kur viktima bënte deklaratën ç’shprehje kishte në fytyrë Vidiçi?
S’mund të them asgjë. Ne i kishim sytë të gjithë te fytyra e të plagosurit. Ishte aq tronditëse gjithçka, saqë ende sot ngjethem kur e kujtoj.

Operacioni i parë u bë prej Vidiçit dhe Weberit, asistentit të tij, apo jo? Pas këtij operacioni, J. G. ishte gjallë dhe, përgjithësisht, në gjendje të mirë. Në qoftë se Vidiçi do të donte të…

O, ju lutem, zotni, mos më bëni pyetje të tilla.
Unë po ju bëj një pyetje që është lehtësuese për Vidiçin… Pra, në qoftë se Vidiçi do të donte t’i bënte atë… ai kishte mundësi qysh në ndërhyrjen e parë, apo jo?

Natyrisht.

Aherë, ç’ndodhi pas operacionit? Si ishte gjendja e tij shpirtërore? A ndihej mëdyshja, lufta e motiveve, lehtësimi apo zymtimi i mëtejshëm?

O, ju bëni pyetje tepër të vështira, zotni. Ju më premtuat se do të më bënit disa pyetje të thjeshta. Më falni, zonjushe, që nuk e mbajta dot fj alën. Eshtë fjala jo vetëm për një jetë njeriu, është fjala per shumë, shumë më tepër, besoni! Ju besoj, zotni.

A e kërkoi ndokush Vidiçin në telefon pas operacionit të parë?

Jo.
Po ai vetë a telefonoi? Kaldajisti thotë se ai mori në telefon dikë nga telefoni i qilarit. Ka mundësi të ketë marrë andej. Unë nuk di gjë.

Dhe ka folur në gjuhën e vet? Une s’di gjë. S’e kam dëgjuar kurrë të flasë në atë gjuhë.

Si ishte gjendja e tij pas telefonimit? Desha të them, gjendja e tij shpirtërore aty rreth orës një pas mesnate? Gjendja shpirtërore? Po ju më premtuat… Si mund ta di unë gjendjen shpirtërore të një doktori pas operacionit?

9

NGA POHIMI I RASTESISHËM I KALDAJISTIT JOHAN T.

Vidiçi foli nga telefoni i qilarit në orën një pas mesnate. Duhet të ishte fill pas operacionit të parë, sepse në mëngët e përparëses kishte ende njolla gjaku. Zërin e kishte të lodhur, të munduar. Ai sa vinte i dobësohej, kurse në fund të bisedës vuri dorezën e telefonit, mbështeti ballin mbi aparat dhe ndenji mjaft kohë ashtu. Kishte pamjen e njeriut krejtësisht të dërrmuar, saqë një çast m’u duk se po qante dhe u bëra gati ta pyesja: “Ç’keni kështu, zotni?”. Por e mbajta veten, ngaqë ai nuk më kishte vënë re dhe mendova se ndoshta do t’i vinte turp që po e shihja në një gjendje të tillë.

10

Në orën 1.10 pas mesnate në kujtesën e S. G. erdhi numri i parë i telefonit. Pas tij u çliruan të tjerët. Njëri pas tjetrit vinin nga sferat e panjohura ku ishin tërhequr.

Kur ajo sajoi numrin e parë, ndjeu duart t’i dridheshin, dhe vetëm atëherë e kuptoi se sa fort i kishte copëtuar gishtat gjatë gjithë kohës që kishte vazhduar operacioni. Alo, jam S. Tim kunat e vranë para dy orësh. K. Z. gjithashtu. J. porsa doli nga salla e operacionit. Eshtë plagosur rëndë. Narkoza ende s’i ka dalë.

Në orën 2 ende s’kishte mbërritur asnjë nga miqtë. Ishin larg në qytete të tjera dhe koha qe krejt e papërshtatshme për të nxituar në rrugët e akulluara.

Në orën 2.30 pritej dalja e narkozës.

Në orën 2.40 asaj i dhanë përsëri një qetësues. Ndonëse ishte e mpirë, vuri re se kíshte lëvizje në sallën e reanimacionit.

Ç’është? mendoi ajo. Pastaj e bëri pyetjen me zë. Një ndihmësmjeke i tha që të mos shqetësohej. I plagosuri kishte një keqësim të lehtë dhe po i bënin një gjilpërë. Janë gjëra të zakonshme pas një operacioni të tillë, i tha ndihmësmjekja.

Në orën 2.52 trazimi nuk po qetësohej në reanimacion.

Në orën 3 ora ngjante si e mbetur në vend.

Në orën 3.10 truri i saj i lodhur kapi fjalën “operacion”. Iu deshën disa sekonda sa ta dallonte nëse e kishte dëgjuar vërtet apo ishte brenda mendimit të saj.

Në orën 3.11 e kuptoi të vërtetën dhe pyeti me dënesë: Përsëri operacion? A është e mundur? A është e nevojshme?

Asnjë nga miqtë nuk kishte mbërritur ende.

– Ejani në sallon, zonjë. Ky është një operacion i thjeshtë. Shumë më i thjeshtë se i pari. Ka mundësi të ketë ngelur ndonjë plumb i fundit. Mos u shqetësoni.

Në orën 3.15 ajo ndodhej përsëri në kanapenë e sallës së pritjes. Duart i kishte të akullta dhe në mendje iu krijuan prapë zona të zbrazëta. Iu duk sikur jashtë u dëgjua frenimi i një makine, por em harroi sakaq. Një infermiere, ajo që i dha qetësuesin e fundit, u ul pranë saj në kanape.

– Nga jeni? – e pyeti me dhembshuri. – Nga e folura ndihet që jeni e huaj.
– Jam shqiptare nga Jugosllavia, – tha ajo. – Nga Kosova.
– Nga Jugosllavia? – tha infermierja. – Sa mirë paska qëlluar, mjeku që po e operon burrin tuaj është jugosllav?
– Si???

(Nuk kisha parë ndonjëherë vështrim që mund të shkatërrohet në çast, si në filmat me tmerre, kishte thënë infermierja.)

E çmendur, gruaja kishte rendur përjashta pikërisht në kohën që mjeku Vidiç sapo kishte dalë nga salla e operacionit dhe po i thoshte diçka një të panjohuri.

Ajo nuk i dëgjoi fialët e mjekut në fillim, as e njohu të porsaardhurin, njeriun që e kishte kërkuar të parin në telefon. Në kohën kur u bë e aftë për një gjë të tillë… ajo dalloi vetëm tre gishtat e mjekut të ngritur përpara fytyrës së të panj ohurit, siç bëhet në rastet kur tjetri nuk e kupton mirë gjuhën.

– Çfarë? – pyeste me egërsi i panjohuri dhe mjeku vazhdonte të mbante përpara tij, skeptër të mynxyrshëm, sfurk tredhëmbësh të mortit, tre gishtat e tij.
– Të thashë një herë, kanë vdekur të tre.
-Ç’po thua, rrezikzi, – thirri i panjohuri. – Po mua më thanë se njëri është gjallë.

Në atë çast, ai ndjeu praninë e gruas dhe iu kthye asaj, për ta përqafuar, për ta ngushëlluar, për ta pyetur se çka po fliste ky i çmendur, kurse e vërteta, siç ia kishte thënë ajo në telefon, duhej të ishte krejt ndryshe. Po gruaja nuk shihte kurrgjë. Sytë e saj vështronin vetëm një pikë te setra e bardhë e mjekut, atje ku në një pllakëz plastike blu ishte shkruar emri “Vidiç”. Ajo e afroi kokën edhe më shumë mbi atë pllakë, pastaj e kapi mjekun nga përparësja si të donte ta rrëzonte atë.

– Ti e vrave! – klithi me zë të çjerrë. – Ti si za ubije…
I bardhë në fytyrë si gëlqere, mjeku u mbajt me një dorë te muri, ndërsa gruaja vazhdonte të klithte në gjuhën serbe.

Gjatë gjithë kohës që vazhdoi kjo skenë e rëndë ai nuk iu përgjigj asaj asnjëherë në serbisht, pohuan dëshmitarët. Ishte tejet i tronditur, dukej çdo çast sikur do të rrëzohej, gjersa ndërhynë dhe e larguan gruan.

11

J. G., emigrant politik shqiptar, arratisur nga Jugosllavia, me nënshtetësi gjermane, gazetar, poet dhe muzikant, vdiq më 17 janar 1982 në orën 3.15 pas mesnate, gjatë operacionit.
Ky ishte shënimi për mbarimin e tij në librin e spitalit të Untergrupenbahut.

Policia nuk arriti asnjëherë të zbulonte vrasësin. Akuzat e bashkëshortes së tij kundër mjekut Vidiç, ndonëse të paraqitura nga një avokat i dëgjuar, nuk u morën parasysh, për mungesë provash.

Mjeku Vidiç u largua nga Untergrupenbahu qysh të nesërmen, në ditën e ftohtë, të ngjashme me atë në të cilën kishte ardhur. Veçse në ndryshim me ardhjen, largimi i tij nuk figuronte në asnjë shkresë, protokoll ose shtojcë protokolli.

Për të u fol njëfarë kohe në rrethe të ndryshme, por ato që fliteshin ishin në përgjithësi gojëdhëna. Përçartje të ndryshme të sëmurësh në spitale psikiatrike, pendesa, vrasje e ndërgjegjes etj., u dhanë disa herë si të tilla, por asnjëherë nuk u saktësua kjo gjë.

J. G. u varros në varrezën e Shtutgartit. Ndërsa kërkonin një tekst sa më domethënës për t’ia gdhendur mbi varr, njerëzit e familjes dhe dashamirësit e tij dëgjuan me radhë disqet me këngë e balada që ai i kishte shkruar dhe kënduar vetë, pjesën më të madhe të shoqëruara me kitarë.

Duke i dëgjuar në heshtje, ata erdhën në një mendje se shumica e këtyre teksteve ishin të përshtatshme për t’u gdhendur në mermerin e varrit. Kjo binte në sy kaq qartë, saqë një ditë, një nga ato ditë kur buzëqeshja dhe mahitë rifituan më në fund të drejtën të pranoheshin në bisedat për kujtimin e të ikurit, si për ta bërë edhe më brilante dhembjen, njëri nga miqtë e tij tha se kishin të drejtë të fajësonin J. G. se kishte përgatitur ai Vetë vrasjen e vet.

Teksti i mbishkrimit u zgjodh, më në fund, prej njërës prej baladave të tij, po drejtoria e varrezës nguli këmbë që të bëhej një ndryshim në të. Ishte prerja ose, për të përdorur një fjalë më të kohës, censurimi i fundit që iu bë J. G., në jetën e të cilit kishte pasur disa herë ndërhyrje të tilla, duke përfshirë këtu edhe vdekjen e tij, e cila, në fund të fundit, nuk ishte veçse një prerje.

I.Kadare , Tiranë, 1984/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës mban mbledhje komemorative në nderim të veprës së Ismail Kadaresë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka njoftuar se do të mbajë mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së anëtarit të jashtëm të saj, dhe shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.

AShAK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se mbledhja komemorative do të mbahet të mërkuren, më datë 3 korrik.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Edison Ypi: Shën Kadare

Nga Edison Ypi

I ra Ferrit majtas, djathtas, para, mbrapa, lart, poshtë, diagonalisht, kryqetërthor, rrethepërqark. S’la zgëq pa ja parë. S’la qosh pa ja ndjerë. S’la hile pa ja nxjerrë. S’la sekret pa ja zbuluar. S’la torturë pa ja vuajtur.

S’mbeti budalla pa e përgojuar.

S’mbeti analfabet pa i vënë në dukje gabime në stil dhe përmbajtje.
S’mbeti mediokër pa e mësuar si duhej të shkruante perfeksionistin e tekstit.
S’mbeti burokrat partie pa e kërcënuar për gabime ideologjike, pa i treguar hekurat, prangat, burgu

S’mbeti injorant pa e kritikuar. Atëhere për vigjilenca, ideologjira, të munguara. Sot për kodra mbas bregut.

S’ju tut aspak, as atyre, as këtyre, dhe askujt tjetër.

E çorrën, e ropën, e baltosën, e grisën, e kafshuan, turlilloj qensh e zagarësh. S’lëvizi nga llogorja.

Analfabetët që s’kishin lexuar asgjë iu vërsulën me kritika dhe këshilla nga më absurdet, nga më halucinantet. S’u tund nga istikami

Nga kooperativistat, traktoristat, proletarët, stakanovistat, fituesit e garave, mbajtësit e yllit, valavitësit e Flamurit, shtruesit e rrogozit, puthadorët, këpucëlëpirësit, ushtarët, detarët, marinarët, toksorët, ajrorët, të gjallët, të vdekurit, deri te akademikët e thekur, e qortuan pafundësisht për mungesë vigjilence, mos zbatim të Luftës së Klasave, ujë në mullirin e armikut etj. etj. etj. S’ja bëri tërr syri.

Rrenat dhe intrigat që ja thurën ziliqarët, s’patën të krahasuar me ato të Mesjetës. S’pordhi asnjërin. I bëri pluhur e hi të gjitha.
Aleancën më të qelbët mes Sigurimistave dinakë dhe të vuajturve budallenj e mëshiroi dhe dënoi si e meritonte, me heshtje.
E goditën me gjyle balte në mbledhje kolektivi. E ndotën mbi rrroba. I pastroi me një të shkundur.

J’u vërsulën me plumba dhe bomba nëpër plenume. Artileritë e tyre qesharake, mbi veprën kolosale, nuk bënë asnjë efekt. Talli dhe përbuzi artilierët e llumeve dhe plenumeve.

Në veprën oqeanike nuk ka absolutisht asgjë autoreferenciale. Shkroi milione e miliona fjalë. Dhe atë që llapaqenat e kanë të tretën fjalë -unë – nuk e shkrojti kurrë. Asnjëherë të vetme.

Ta shaje ishte meritë që duhej të kishe paturpësinë ta bëje.
Ta lëvdoje ishte rrezik që duhej ta përballoje.

Edhe më të qelbtit, edhe më të neveritshmit, edhe më rrezikshmit, nuk gjetën dot kurrë diçka të besueshme, diçka faktike, diçka objektive, diçka bindëse, sado të vogël, sado të imët, sado të largët, për ta goditur.

S’ja ndërtojmë dot një kishë a një tempull të madh e të lartë sa e meriton, se e vjedhim pa e filluar.

S’ja ngremë dot një shtatore prej floriri, se floriri na duhet për unaza nëpër gishta dhe zinxhira nëpër qafa.
Nga tërë kjo zhurmnajë pa pikë kuptimi, pa presje çlodhëse, pa pikpyetje frike, vetëm me pikçuditse të pafundme, iku të çlodhet pak./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me ambasadorin Hovenier, rithekson rëndësinë e largimit të masave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Sipas një komunikate për media në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë.

Presidenjta Osmani ritheksoi rëndësinë e largimit të masave për të krijuar një situatë e barabartë në tryezën e dialogut.

Tutje, Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për koordinimin e agjendës ndërkombëtare të Presidentes Osmani.

“Në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, Presidentja përcolli urimet më të mira për popullin amerikan, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e vazhdueshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara”. thuhet në njoftim.

Kurti për zbulimin e Altarit romak: Dëshmon vazhdimësinë e jetës në trojet tona nga parahistoria, antika deri në mesjetë

Kryemnistri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm gjetjen  e Altarit romak vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut, në Drenas.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kalaja e Vuçakut ishte tipike për kohën e antikitetit të vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase.

“Gjatë hulumtimit u gjet Altari romak i cili i takon gjysmës së parë të shek.III, pas Krishtit, i ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 p. Kr).

Zbulimi formëson edhe më tej historinë, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës në trojet tona nga parahistoria, antika deri në mesjetë” ka shkruar Kryeministri Kurti në facebook.

Më tej ai ka falënderuar ekipin e ekspertëve, të përbërë nga arkeologët Shafi Gashi dhe Sali Islami dhe skicografin Arbnor Morina, për punën e tyre të kujdesshme dhe për këtë kontribut sipas tij të çmueshëm./ KultPlus.com

Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, datat 2 dhe 3 korrik shpallen Ditë Zie Kombëtare! Homazhet mbahen në TKOB

Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare.

“Këshilli i Ministrave vendosi  1. Shpalljen dite zie kombëtare te martën dhe të mërkurën, përkatësisht, ne datat 2 dhe 3 korrik 2024, në nderim të të ndjerit, Ismail Kadare, personalitet i shquar i letrave shqipe.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike te ulet flamuri kombëtar ne gjysmështize.

3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore te organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tirane, ditën e mërkure, date 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri ne orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri ne orën 12:30.

4. Ne orën 13:00, date 3.7.2024, në nderim te tij të ndërpritet do veprimtari dhe të mbahet një minute heshtje.

5 Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes se homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funerale.

6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje do të ketë:

Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministrin e Mbrojtjes;

Ministrin e Brendshëm;

Kryetarin e Bashkisë Tiranë;

Drejtorin e Protokollit të Shtetit;

Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;

Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë; Drejtorin e Drejtorisë se Shërbimeve Qeveritare; Përfaqësues nga Kabineti i

Kryeministrit; Përfaqësues nga zyra e Shtypit te Kryeministrit.

7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative te homazheve dhe te ceremonialit shtetëror.

8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë dhe botohet ne “Fletoren zyrtare”.

Dua Lipa paralajmëron koncertin më të madh në karrierën e saj

Pasi shkëlqeu në “Glastonbury” të premten, Dua Lipa ka vendosur të mbajë koncertin më të madh në karrierën e saj, në stadiumin Wembley vitin e ardhshëm.

Lajmi është publikuar nga Daily Mail që i referohet burimeve brenda industrisë së muzikës. Sipas medias britanike, 29-vjeçarja shqiptare do ta mbajë koncertin e saj më të madh në muajin qershor të vitit të ardhshëm në stadiumin ku luan ndeshjet kombëtarja angleze e futbollit. Të pranishëm pritet të jetën rreth 90 mijë persona.

Ndërkohë, sipas një burimi të The Sun, Dua Lipa është vendosur të ndjekë gjurmët e Madonna-s dhe së fundmi Taylor Swift duke mbajtur këtë koncert gjigant. “Turneu i saj i fundit ishte shumë i suksesshëm, por jo në ambiente kaq gjigante. Të mbash koncert në Wembley është e mahnitshme, veçanërisht kur ajo është vetëm në albumin e saj të tretë. Pas koncertit në stadium, Dua Lipa do të zhvillojë edhe një tur në të gjithë Amerikën”, ka thënë burimi për The Sun.

Ai ka shtuar duke thënë se ky do të jetë një moment tejet emocionues për yllin e popit, pasi do të shpalosë të gjithë punën që ajo ka bërë në Londër, aty ku u vendos pasi u largua nga Kosova në moshën 15-vjeçare.

Rexhep Qosja: E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë

Rexhep Qosja

Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare.

U shpreh ngushëllimet më të thella edhe miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë.

Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella.

Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.

Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare.

Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë.

Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë të botuar në Paris.

Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi.

Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin.

Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore.

Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.

E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Kadarenë: Në errësirën e diktaturës, ishte vezullimi i krijimtarisë, njerëzimit dhe i gjeniut individual

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sërish i ka dedikuar një shkrim autorit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadaresë.

Përmes një postimi në rrjetin “X”, Kurti ka thënë se shkrimtari Kadare në errësirën e diktaturës në Shqipëri ishte vezullimi i krijimtarisë, i njerëzimit dhe i gjeniut individual.

“Ai u detyrua, si shumica e bashkatdhetarëve të tij, të jetonte brenda kufizimeve më të ashpra politike dhe artistike; e megjithatë ai gjeti mënyra për të ndriçuar, për të pyetur dhe për të qeshur” ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se romanet e tij ishin të bazuara në kulturën dhe historinë shqiptare, por temat dhe zëri i tij ishin universale.

“Çmimi i tij Ndërkombëtar i Librit për Njeriun (i pari i dhënë ndonjëherë) dhe nominimet e përsëritura për Çmimin Nobel për Letërsinë pasqyrojnë staturën e tij globale: ai foli për njerëzit kudo, duke luftuar për të mbijetuar dhe për të gjetur një dritë të pastërtisë mes kompromiseve dhe kufizimeve të jetës”ka thënë ai .

Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se si i rritur në Kosovë nën diktaturën dhe represionin e Beogradit, dhe më pas si i burgosur politik,  zërin e Kadaresë e ka dëgjuar si empati dhe si frymëzim./ KultPlus.com

Pas vdekjes së të atit, Besiana Kadare rikthen  poezinë e ndjerë ‘Kohë e pamjaftueshme’

Pas vdekjes së babait, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, Besiana Kadare ka publikuar dhe rikthyer një poezi të autorit, të titulluar “Kohë e pamjaftueshme”.

Përveç poezisë të shoqëruar me një fotografi të shkrimtarit, Besiana Kadare ka shtuar edhe një figurë me zemër të thyer.

Kohë e pamjaftueshme

S’kam kohë të harroj shumë gjëra

Që nga mendja ti nxjerr përjetë.

Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat

Do t’më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,

Për frëngjishten tok me plazhet po aq,

Ndoshta gratë do të jem duke fshirë

Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt

Para avionit që niset pas pak

I ngarkuar rëndshëm ende

Do t’afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?

Ku ta hedh këte peshë, si?

Me të s’mund të zbres atje poshtë

Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit

Nga mosthënia, nga pengu tragjik,

Një shenjë ndoshta të pakuptueshme

Do t’ju bëj të gjithëve e do ik./ KultPlus.com

Ben Blushi: Kadareja përshkruante bukur edhe gjërat e shëmtuara, kjo e bëri të pazëvendësueshëm

Autori i njohur, Ben Blushi, pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare ka thënë se dhuntia e tij për të përshkruar bukur edhe gjërat e shëmtuara e bëri atë të pazëvendësueshëm.

Blushi gjithashtu ka thënë së shkrimtari Kadare e futi kombin në borxh duke i dhënë më shumë shpresë dhe besim nga sa ai mund të treste, në kohën kur kombi nuk kishte pothuajse asgjë.

“Unë kurrë nuk do harroj sesi prisja me pasionin e një fëmije, të merrja librat e Ismail Kadaresë dhe që nga ajo ditë nuk kam mbajtur dhe ndoshta nuk do mbaj më kurrë rradhë për të blerë një libër. Të lexoje Ismail Kadarenë nuk ishte vetëm një kënaqësi por ishte një detyrim ndaj kohës. Duke lexuar Ismailin ishe, duke mos e lexuar nuk ishe.Kjo ishte çështja. Kjo ishte koha. Kjo ishte Shqipëria”, ka shkruar Blushi në facebook.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ben Blushit për Ismail Kadarenë:

Ismail Kadare kishte dhuntinë të përshkruante bukur edhe gjëra të shëmtuara dhe kjo e bëri atë të pazëvendësueshëm për të gjithë ne që kemi jetuar kohë shumë të shëmtuara.

Kur përpiqem ta krahasoj me diçka, mendoj se Ismail Kadare i ngjan një njeriu që jeton duke shpërndarë ëndrra.

Imagjinoni një vend të mbyllur, të lodhur, të izoluar, të rrënuar dhe pa shpresë, në të cilin një njeri shkruan gjatë gjithë ditës dhe natën, deri në mëngjes, hyn nëpër shtëpi dhe lë te koka e krevatit të secilit një ëndërr të shkruar.

Këto ishin librat e tij.

Kaq do mjaftonte që një shkrimtar të iki i qetë se e ka bërë punën e tij ndaj kombit në mënyrë të përkryer.

Ismail Kadare e futi kombin në borxh duke i dhënë më shumë shpresë dhe besim nga sa ai mund të treste, atëherë kur kombi nuk kishte pothuajse asgjë, kur nuk hante, nuk pinte, nuk besonte dhe nuk shihte dritë.

Librat e tij qëndronin mbi tavolinat bosh si uri, si etje, si ujë dhe si bukë.

Unë kurrë nuk do harroj sesi prisja me pasionin e një fëmije, të merrja librat e Ismail Kadaresë dhe që nga ajo ditë nuk kam mbajtur dhe ndoshta nuk do mbaj më kurrë rradhë për të blerë një libër.

Të lexoje Ismail Kadarenë nuk ishte vetëm një kënaqësi por ishte një detyrim ndaj kohës.

Duke lexuar Ismailin ishe, duke mos e lexuar nuk ishe.

Kjo ishte çështja. Kjo ishte koha. Kjo ishte Shqipëria.

Kur e kam njohur nga afër kam kuptuar edhe diçka që ngjyrat verbuese të letërsisë së tij nuk të lejojnë ta shohësh sa duhet. Ismail Kadare u mbrojt me vullnet, me kokëfortësi dhe me kurajo nga sëmundja e shkrimtarëve të mëdhenj : ai nuk u bë kurrë pesimist.

Ai besonte se bota do bëhej më e mirë, se njerëzit do bëheshin më paqësorë, se e ardhmja do ishte më e lumtur, se zilia do kishte fre dhe se e mira do ta mundte të keqen.

Ismail Kadare ishte një njeri që besonte se optimizmni është ilaçi i njerëzimit dhe jam i bindur se iku me këtë bindje.

Tani që ai nuk është më, mungesa e tij është më e madhe se ai vetë./ KultPlus.com

New York Times për Kadarenë: Shkrimtari që futi vendin e vogël ballkanik në hartën e letërsisë botërore

Ismail Kadare, romanet e të cilit i zbuluan botës shtypjen në Shqipëri, vdes në moshën 88-vjeçare.

Ismail Kadare, novelist e poeti shqiptar që futi vendin e vogël ballkanik në hartën e letërsisë botërore, ka vdekur sot në Tiranë në moshën-88 vjeçare.

Vdekja u konfirmua nga kreu i shtëpisë së tij botuese Onufri, Bujar Hudhri, i cili tha se ai pësoi arrest kardiak dhe vdiq në spitalin ku u dërgua në Tiranë.

Në karrierën e tij letrare prej më shumë se gjysmë shekulli, Kadare shkroi dhjetëra libra, koleksione poemash dhe tregime të shkurtra.

Ai u bë i famshëm me romanin e tij të parë në 1970, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i cili u përkthye fillimisht në Frëngjisht dhe kritikët e quajtën ‘kryevepër’.

Kadare ka qenë disa herë i nominuar për çmimin Nobel por pa arritur ta marrë atë, duke konkuruar me emra të letërsisë si Gabriel García Márquez e Philip Roth.

New York Times shkruan se Kadare është krahasuar shpesh me Kafka, Kundera e Orwell. Në tre dekadat e para të karrierës së tij ai jetoi e shkroi në Shqipëri, kur vendi ishte nën diktaturën e ashpër të liderit komunist Enver Hoxha.

Për t’i shpëtuar persekutimit në vendin me rreth 6,000 disidentë politikë të ekzekutuar dhe 160 000 të dërguar në kampe përqendrimi, Kadare duhet të bënte kujdes në madh në shkrimet e tij.

Ai shërbeu për 12 në kuvendin e Shqipërisë dhe ishte anëtar i sindikatës së shkrimtarëve. Romani i tij “Dimri i Madh” konsiderohet si një nga portretizimet më të favorshme të diktatorit Hoxha dhe më vonë Kadare ka thënë se e shkroi të ta zbutur atë që ta shihte më sy të mirë.

Ndërsa në romane të tjera si “Pallati i Ëndrrave” (1981), shkrimtari në mënyrë subversive sulmonte diktaturën me anë të alegorise, satirës, legjendës e mitologjisë.

Kadare “është një interpretues i madh i psikologjisë dhe fizionomisë së shtypjes shtetërore”, shkruante Richard Eder në rrjetin The New York Times në 2002.

Pas studimeve në universitetin e Tiranës, Kadare fitoi një bursë për në universitetin Gorky në Moskë, të cilin më vonë e përshkruante si “një fabrikë dogmash në shkollën e realizimit socialist”. Romani i tij Gjenerali i Ushtrisë së vdekur e bëri atë të njohur në botë dhe në vitin 1965, autoritetet ndaluan tregimin e tij të dytë “Përbindëshi,” menjëherë pas publikimit në një revistë.

Fama e papritur e Kadare tërhoqi vëmendjen e diktatorit dhe për të zbutur mbikëqyrjen e regjimit Kadare thotë se shkroi “Dimrin e madh” në 1977), ku lavdërohej ndarja e ‘guximshme e Hoxhës me Bashkimin Sovjetik në 1961.

Kadare thotë se kishte tre mundësi zgjedhjeje: “Të mbronte besimet e tij, që do të thoshte vdekje, heshtje totale, apo t’i bënte një homazh regjimit në formë rryshfeti për ta lënë të qetë”.

Për të mbrojtur punën e tij nga manipulimi i regjimit në rast vdekjeje, Kadare thuhet se ka nxjerrë fshehurazi jashtë Shqipërisë dorëshkrimet e tij, duke ia dërguar publikuesit francez Claude Durand, i cili ka udhëtuar disa herë në Tiranë.
Duke shkruar për të në 1997 në artikujt e New York Review of Books, historiani i Oxford, Noel Malcolm, vlerësonte intensitetin e atmosferës së Kadare, por kritikonte refuzimin e kritikave.

Malcolm paralajmëronte Kadare se “autori proteston shumë dhe redaktimet e volumeve të tij vetëpromovuese, mund të dëmtojnë reputacionin e tij me kritikët”. Ai shtonte se punimet më të mira të Kadare ishin shkruar “në një tjetër kontekst, më njerëzor e më mitik nga çdo tip arti ideologjik”.

Ndërsa në një përgjigje të vrazhdë Kadare akuzonte Malcolm për ‘arrogancë kulturore’ ndaj autorit të një vendi të vogël.
“të flasësh kështu me një shkrimtar të vendi të vogël është mentalitet kolonialist”, ishte përgjigjur Kadare në ‘New York Review of Books’.

Pas rënies së komunizmit Kadare vijoi të shkruante për terrorin komunist, duke i përshkruar shqiptarët që jetonin në Evropën e shekullit të 21, si të ndjekur nga makthet e gjakmarrjes , legjendat e mitologjia.

Opinionisti Charles McGrath shkruante në ‘The Times’ në 2010 se Kadare nuk shkruan dot “asgjë që të mos jetë interesante.”/New York Times/

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës: Kadare ishte personalitet qendror i kulturës shqiptare

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së anëtarit të jashtëm të saj, dhe shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.

Në një komunikatë për media AShAK ka  thënë se Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”, thuhet në komunikatë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për vdekjen e Kadaresë:

Ndërroi jetë shkrimtari Ismail Kadare, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11, në ambientet e Akademisë mbahet mbledhje komemorative në respekt të veprës së Kadaresë

Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës.

Përveç si shkrimtar, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe. Lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) solli te lexuesi ringjalljen e baladave të hershme shqiptare, ndërkaq “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste. Romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”, ndërsa nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist. Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.

Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1991 e zgjodhi Kadarenë anëtar të jashtëm të saj, për kontributin e çmuar në fushën e letërsisë.

Me këtë rast Akademia iu shpreh ngushëllime të thella familjes Kadare, shkrimtarëve, miqve të shumtë dhe institucioneve kulturore dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë./ KultPlus.com