140 vite më parë Statuja e Lirisë mbërrin në portin e NewYork-ut

Sot 140 vite më parë, simboli i lirisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbërritur në portin e New York-ut.

Statuja e Lirisë është ndër monumentet më të famshme të botës. I është dhuruar zyrtarisht SHBA-së nga populli francez me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit, që solli çlirimin e kolonive nga Britania e Madhe. Me kalimin e viteve ajo mori një simbolikë tjetër, atë të lirisë e të demokracisë në botë. Ajo u kthye në një pararojë të ”botës demokratike”.

Statuja gjendet në ishullin “Liberty Island” në Portin e New York-ut dhe tregon perëndeshën romake të ilirisë, “Libertas”.

Vendimi për t’a ndërtuar atë u mor më 1876, 100 vjet pas revulucionit amerikan. Mirëpo për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësisë së realizimit të një vepre kaq gjigante, statuja u ”ngrit në këmbë” në ishullin e saj, vetëm 10 vjet më vonë, më 28 tetor 1886.

“Statuja e Lirisë” është e lartë 46,5 m, të cilës i duhet shtuar edhe 46,9 m lartësinë e bazës.

Autor i skulpturës është Frederik August Bartoldi i ndihmuar nga inxhinieri Gustav Eiffel, autor i Kullës së famshme të Parisit. Në vitin 1886 ajo është ndërtuar dhe dizenjuar./KultPlus.com

Laura Fazliu fiton medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu është renditur e treta në Kampionatin Botëror të këtij sporti, që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit Laura e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë e seniorëve.

“Në xhiron e parë ajo ishte e lirë, në xhiron e dytë Laura mposhti Natalia Kropskan nga Polonia, kurse në xhiron e radhës ajo mposhti Carlotta Avanzaton nga Italia. Në çerekfinale Laura u mposht nga Rafaela Silva nga Brazili, duke vazhduar në repasazh me garuesen Enkhriilen Lkhagvatogoo nga Mongolia. Në ndeshjen vendimtare për të bronztë, Laura mposhti me Ippon, Nauana Silvan nga Brazili”, është thënë në njoftimin e Federatës së Xhudos të Kosovës në një postim në Facebook.

Në gusht të vitit të kaluar, xhudistja 24-vjeçare e ka fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Ajo është shpërblyer me medalje të bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Kur flitet për xhudon, Kosova është kthyer në emër me nam në botë, sidomos pas fitoreve të njëpasnjëshme të xhudistes Majlinda Kelmendi – tani trajnere – e cila pati shkruar historinë për Kosovën, duke ia siguruar medaljen e parë olimpike në Lojërat e mbajtura në Rio de Zhaneiro më 2016.

Kelmendi pati fituar medalje të artë.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani – pesë sosh. /rel/KultPlus.com

Festivali “Shpirti i Ballkanit” në Korçë, Rama: Festë ngjyrash, ritmesh dhe kulturash

Edicioni i 7-të i festivalit “Shpirti i Ballkanit”, që u zhvillua këtë fundjavë në Korçë, krijoi një atmosferë mbresëlënëse për qytetarët dhe turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky festival.

“”Shpirti i Ballkanit” ndezi Korçën. Artistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Franca iu bashkuan yjeve shqiptarë në një festë ngjyrash, ritmesh dhe kulturash”, shkruan Rama.

Rrugët e qytetit të Korçës u kthyen në një mozaik gjuhësh, kostumesh dhe identitetesh, që u prit me entuziazëm nga qytetarët dhe vizitorët, një dëshmi e gjallë e shpirtit ballkanik që bashkon përtej kufijve.

Në mbrëmje, tingujt e folkut dhe xhazit përshkuan Pazarin e Vjetër, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme.

“Shpirti i Ballkanit” është më shumë se një festival, është një përqafim kulturash, një thirrje për të festuar atë që na bashkon./atsh/KuktPlus.com

“On the Road”, pianisti Robert Bisha koncert në TKOB

“On the Road” titullohej koncerti i pianistit Robert Bisha i shfaqur mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

I rikthyer pas 16 vitesh në skenën e TKOB, Bisha solli për të pranishmit një udhëtim muzikor i mbushur me energji eksperimentuese, intimitet dhe vizione që përshkojnë peizazhe mistike dhe metafizike.

Në koncert ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga ky koncert si dhe nga takimi me dirigjentin Peter Michael Garst.

“Me Peter Michael Garst dhe Martha Garst pas shfaqjes Piano Solo të Robert Bisha në TKOB, ku në nëntor do kemi një koncert të dirigjuar nga miku i Shqipërisë, drejtuesi i një aktiviteti humanitar në ndihmë të shkollave tona rurale në vitet e vështira 1993 – 2009, dirigjenti prej mbi gjysëm shekulli, Peter Michael Garst (në skena të disa vendeve si: Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Itali, Spanjë, Hollandë), për t’u detajuar si program me drejtorin Aulon Naçi dhe në një format mirënjohjeje e shenjë nderimi për familjen Garst që ndjehet shqiptare në zemër”, tha Gonxhja.

Pianisti Robert Bisha përcolli me virtuozitet një vizion unik i të bërit muzikë, i pasur në përvojë dhe poezi.

Zgjedhja e një blues‑i të lashtë mesdhetar, ritmet shqiptare, ballkanike dhe të Lindjes së Mesme, tema nordike, harmonitë nga lashtësia e muzikës tradicionale evropiane deri tek kërkimet për traditat avangarde dhe natyrisht stilemat origjinale ishin pjesë e koncertit të pianistit Robert Bisha.

Robert Bisha është një virtuoz i pianos, i vlerësuar nga kritika. Lindi në 1984, në Vaun e Dejës, dhe kreu studimet në Itali, kur megjithëse diplomohet për piano, mund të konsiderohet poli-instrumentist e gjithashtu kompozitor. Zakonisht në koncertet e tij, ai luan në disa vegla muzikore. Robert Bisha ka kompozuar edhe për kinematografinë italiane, duke arritur të marrë vlerësime si çmimi i parë “Premio Pertini” si dhe çmimin më të rëndësishëm italian “David di Donatello”, për kolonën zanore të filmit “Anija”, i Roland Sejkos./KultPlus.com

Kumbaro: Fluks i rritur vizitorësh në Zonat e Mbrojtura

Laguna e Kune Vainit, përveç se një nga asetet turistike të veriperëndimit të vendit, është një atraksion me turizëm gjithëvjetor, e shpallur si e para zonë e mbrojtur në vend.

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një vizitë në këtë Park Natyror, ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.

Ministrja Kumbaro tha se në këtë “Park Natyror zhvillohen aktivitetet e preferuara të vizitorëve të kësaj hapësire me vlera të rralla të biodiversitetit, që është kthyer në një atraksion të veçantë për ekoturizmin, shëtitjet në natyrë, vëzhgimin e shpendëve dhe kulinarinë fantastike”.

“Kemi një nga parqet më të frekuentuara, por edhe më të mirëmbajtura për shkak të pasurive natyrore. Gjithashtu është edhe një nga pikat e atraksionit turistik, ndaj më erdhi mirë që e kishit futur në guidën e re për turizmin në bashkinë e Lezhës, pasi ky është një nga destinacionet kryesore” tha Kumbaro.

Një nga punonjëset e Parkut Natyror tha se Laguna Kune-Vainit është një nga zonat që frekuentohet më shumë nga turistët vendas dhe ata të huaj, jo vetëm pse ka agroturizmin natyror, por edhe për pjesën e turizmit bregdetar.

“Zona ka rëndësinë e saj sepse është një nga zonat e mbrojtura në Shqipëri, që më 7 korrik 1940. Zona është shpallur zona e parë e mbrojtur, ndërsa mori edhe statusin Rezervat Natyror i menaxhuar. Falë vlerave të biodiversitetit, kemi numrin më të lartë shpendëve në lagunë. Shpendët janë kryefjala e kësaj lagune si çafka e vogël e bardhë, çafka e madhe etj”, tha ajo, duke theksuar se një nga aktivitetet më të preferuara për turistët e huaj është ekoturizmi, xhirot me biçikleta, vrojtimi i shpendëve dhe specieve të tjera me dylbi, si edhe shijimi i kulinarisë tradicionale.

Ministrja Kumbaro u shpreh se në territorin e Lagunës nuk duhet të lejohet asnjë ndërtim, por të ruhen ato pak pika që lejuar të ndërtohen në harmoni me natyrën.

Kumbaro pohoi se ka një “fluks të rritur të vizitorëve në zonat e mbrojtura, nga syri i kaltër në Finiq e deri në Alpe e Theth kemi rritje”. “Kemi rritje në gjithë territorin e Shqipërisë, edhe në Kune-Vain, por janë vizitorë që shtohen të dedikuar elitarë që janë të përkushtuar për natyrën”, u shpreh Kumbaro.

Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.

Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Laguna dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish.

Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve dhe 196 lloje migratore dhe të përhershëm, e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, dhe 23 specie gjitarësh./atsh/KultPlus.com

‘Ëndërr, o ëndërr, dëshirën ti çoja asaj’ (VIDEO)

Një ndër këngët nga artisti i madh i muzikës shqipe, Agron Berisha është “Ëndërr”, shkruan KultPlus.

E interpretuar me zërin e fuqishëm të Berishës, ajo është një këngë dashurie, e gërshetuar me mallin ndaj gruas dhe atdheut.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Ëndërr”:

Sonte Ne Natë të errët të kujtoj
i trazoj endrrat te ketij qyteti
te qytetit ku jam
a m’beson
unë i thërras në argëtim

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

Sonte në natë të errët të kujtoj
i trazoj unë ëndrrat të këtij qyteti
të qytetit ku jam, a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ndonëse Jam ndjerë i vetmuar
ne atdhe kam deshirë për të takuar
a m’beson a m’beson
Une Te Therras ne argetim

Ref. 2

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

E Dashur Këtu Jam i Vetmuar në qytet te huaj larg prej teje
larg prej deshires por zemrat bashkohen pres me mall që të kthehem ne atdhe

Ref. 2

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe / KultPlus.com

Del në ankand letra që John Lennon i shkruante gruas së tij të parë

”Të dua” dhe ”të lutem më prit” janë disa nga fjalët e shkruara në një letër të prillit të vitit 1962 nga John Lennon për gruan e tij të parë, Cynthia Powell, e cila do të dalë në ankand më 9 korrik.

Kompania e ankandeve ”Christie’s” mendon ta nxjerrë atë në shitje me vlerën fillestare midis 30 000 dhe 40 000 paund.

Lennon e shkroi atë në moshën 21 vjeç, ndërsa po performonte me ”Beatles”-at e tij në Hamburg, kur grupi ende nuk kishte arritur sukses në mbarë botën.

Në letër, udhëheqësi i Fab Four i thotë Cynthias se “më mungon shumë. Të lutem më prit dhe mos u trishto”.

Lennon përmend gjithashtu mikun e tij të mirë dhe basistin origjinal të grupit të Liverpulit, Stuart Sutcliffe, i cili kishte vdekur disa ditë më parë, duke thënë se kishte menduar të vizitonte të dashurën e tij, Astrid, por më pas ndryshoi mendje.

Cynthia Powell dhe Lennon u martuan në gusht të vitit 1962 dhe bashkimi i tyre solli në jetë djalin e tyre Julian në prill të vitit 1963.

Ata u divorcuan në vitin 1968 dhe një vit më vonë Lennon u martua me Yoko Ono./KultPlus.com

“Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë”

Thënie nga Ismail Kadare:

Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”.

“Të falësh nuk do të thotë të harrosh”.

“Sillu aq mirë me ata që të lëndojnë, sa t’iu vijë neveri nga vetja e tyre”.

“Ata që shohin qart edhe larg, në të ardhmen janë të padëshirueshëm për çdo pushtet tiranik”.

“Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë”.

“Sa i hollë është kufiri mes urrejtjes dhe dashurisë. Në ankthin e dhimbjes klith: Të urrej, sepse nuk mund të dashuroj askënd tjetër”.

“Fjala është si bleta që ka edhe mjaltin, edhe thumbin”.

“Kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare”.

“Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve”./KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen aktori komik Stan Laurel

16 Qershor 1890 – Lindi Stan Laurel (1890 – 1965), një ndër figurat më të dashura të komedisë klasike.

Stan Laurel, aktori dhe komediani anglez, mbeti i pavdekshëm falë dysheve të tij me Oliver Hardy, duke krijuar njërin nga duetet më ikonike të humorit në historinë e kinemasë: Laurel & Hardy.

Me mimikën e tij të pafajshme, sytë e mëdhenj plot habitje, dhe lëvizjet e ngathëta por plot finesë, Stan Laurel nuk kishte nevojë për shumë fjalë për të nxjerrë të qeshura nga publiku.

Ai ishte mjeshtër i komedisë fizike, i detajeve të vogla, i një thjeshtësie që shkëlqente në ekran.
Filmat e tyre bardh e zi, pa efekte, por me shumë zemër, janë ende të dashur edhe sot.

Sepse e qeshura e sinqertë… nuk plaket kurrë. Sot kujtojmë një gjigand të vogël në trup, por të madh në ndikim, shkruan naishtedikur./KuktPlus.com

Screenshot

Violinisti Princ Fanaj fiton çmimin Grand Prix në ArsKosova 2025

Violinisti 12-vjeçar, Princ Fanaj ka fituar çmimin Grand Prix në festivalin Ars Kosova 2025, përcjell KultPlus.

Fanaj nga shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’ ka rrëmbyer çmimin kryesor në edicionin e 20-të të këtij festivali.

(Fondi i çmimit GRAND PRIX ARSKOSOVA 2025 , 500 euro )

PRINC FANAJ -violinë (Nxënës i Sh.u.m.Prenk Jakova -Prishtinë, klasa e prof.Ferdi Fanaj)

PRINC FANAJ-violinë
BIMI MILLA-shoqërues në piano

Çmimi Tradicional i Kompozitorit  AKIL KOCI

(Çmim i cili ndahet nga Kompozitori nga edicioni i parë i Garave ArsKosova-viti 2003)

Kompozitori AKIL M.KOCI
Fondi i çmimit AKIL KOCI  2025 ,  500 euro )

  Finalistët e Çmimit AKIL KOCI 2025

1.NOA CANA-piano 

 (Nxënëse e Sh.u.m.Prenk Jakova -Prishtinë, klasa e prof.Arbëresha Shehu)

2.LEONOR NEBIU-klarinet

(Student i DAM -Fakulteti i arteve UP-klasa e prof.Shkumbin Bajraktari)

3 LIS MUSTAFA-Kitarë

(Student i DAM -Fakulteti i arteve UP-klasa e prof.Drilon Çoçaj)

(1.Noa Cana, Lis Mustafa & Leonor Nebiu )

Çmimi i violinistes DRITA DIDA

( Çmim i cili ndahet nga Familja e violinstes së ndjerë Drita Dida nga viti 2024)

Violinistja DRITA DIDA
Fondi i Çmimit të violinstes DRITA DIDA, 500 euro )

Finalistët e Çmimit DRITA DIDA 2025

1.DION PEÇI ,violinë

Familja e violinstes Drita Dida me violinstin Dion Peçi 

(Prof Jeta Dida Bujari-pianiste dhe drejtore e Shmm Prenk Jakova -PR, Mentor Dida dhe Bardha Dida )

Çmimi i CHOPIN PIANO FEST 2025  

(Fondi i Çmimit CHOPIN PIANO FEST, 200 eur & 2 Koncerte  gjatë Festivalit 2026)

Çmimi i CHOPIN PIANO FEST 2025 (Ndahet nga prof Lejla Haxhiu -Pula,drejtore artistike e Chopin  Piano Fest )

1.NOA CANA, piano (Nxënëse e Shum “Prenk Jakova” Prishtinë, klasa e prof Arbëresha Shehu ) 

2.HILLARI PARANGONI,piano (Nxënëse e Liceut Artistik Jordan Misja -Tiranë, klasa e prof Nadjezhda Porodini)

Çmimi ESTA KOSOVË (Ndahet nga Mrika Hoxha ,presidente e ESTA KOSOVË)

1.Uran Ismaili-violinë 

 Violina-Instrument nga Koleksioni i ASOCIACIONI ESTA KOSOVË  i jepet  violinstit te ri nga Shmm e Gjilanit në shërbim 1 vjeçar gratis.

  2 Masterklase me profesorët Ndërkombëtarë 

Fondacioni ArsKosova gjatë projekteve të Koncerteve 2025/2026 u ndau dhe mundësoi 14 Finalistëve :

SOLIST ME ORKESTER KAMERTALE TE FONDACIONIT ARSKOSOVA /FESTIVALI KAMERFEST 2025 -2026 

1.PRINC FANAJ,violine

2.DION PEÇI,violinë

3.LEONOR NEBIU,klarinet

4.LIS MUSTAFA ,kitare

Koncertet recitale Solo gjatë Projekteve te Fondacionit Muz ArsKosova 2025-2026 

5.NOA CANA,piano

6.HILLARI PARANGONI,piano

7.HANA AJETI,violinë

8 ATIA NASKA,violonçelo

9.AJAS VITAKU,kitarë

10.MARIJA DUZLESKA,flaut

11.ERA XHAKLI,trombon

12.BUNA LATIFI,kitarë

13.LUM TOPALLI,flaut

14.SAMANTHA SHPATA,piano

Presidentja e Fondacionit ArsKosova, Prof Sihana Badivuku i ndan 2 Masterklase Gratis per 8 harkore te rinj te kategorive të 2-3-4 violinë.

Falenderim për të gjithë 100 kandidatët pjesemarrës të ketij edicioni Jubilar, pune e palodhshme e jurisë profeisonale- profesorëve te nderuar vendorë e internacional dhe profesorëve të talentëve që treguan suksese maksimale ne kete edicion -rezultat dhe produkt i punës në kohëzgjatje permanente të 2 dekadave.

Poashtu shume urime dhe felenderim edhe për pianistët zyrtare -bashkëpunëtorët korepetitoret e insturmentistve te rinj 

NITA GRUBI,piano 

MELOS BUZA,piano 

BIMI MILLA,piano

HANA SADIKU,piano

EMA ÇERKINI,piano 

Fondacioni ArsKosova falenderon KULTPLUS per perkrahje dhe depertim te informatave te shpejta ne komunikim me 100 kandidatet, profesoret e tyre dhe prinderit qe i perkrahin femijet ne rrugen e edukimit artistik ./KultPlus.com

Muzeu i Luvrit  mbyll dyert për shkak të turizmit masiv

Luvri, muzeu më i vizituar në botë dhe një simbol global i artit, bukurisë dhe qëndrueshmërisë ka qëndruar sot i mbyllur – jo nga lufta, jo nga terrori, por nga stafi i tij i rraskapitur, të cilët thonë se institucioni po shkatërrohet nga brenda, sipas AP.

Ishte një pamje pothuajse e paimagjinueshme: shtëpia e veprave të Leonardo da Vinçit dhe mijëvjeçarëve të thesareve më të mëdha të qytetërimit – e paralizuar nga vetë njerëzit e ngarkuar me mirëpritjen e botës në galeritë e tij.

E megjithatë, momenti u ndje më i madh se një protestë e punëtorëve.

Luvri është bërë një sinjalizues i turizmit masiv global – një ndërtesë e mbingarkuar nga popullariteti i saj.

Greva spontane shpërtheu gjatë një takimi rutinë të brendshëm, pasi punonjësit e galerisë, agjentët e biletave dhe personeli i sigurisë refuzuan të kryenin punën tyre – në shenjë proteste për turmat e papërballueshme, mungesën kronike të personelit dhe atë që një sindikatë e quajti kushte pune “të papërballueshme”.

Është një gjë e rrallë që Luvri të mbyllë dyert për publikun. Ka ndodhur gjatë luftës, gjatë pandemisë dhe në një grevë të shkurtër të stafit në vitin 2019 – por kurrë kështu: me turistë që rreshtohen në shesh, me bileta në dorë dhe pa një kuptim të qartë se pse muzeu më i famshëm në botë është mbyllur.

Kjo ndërprerje vjen vetëm disa muaj pasi presidenti francez, Emmanuel Macron zbuloi një plan gjithëpërfshirës 10-vjeçar – për të shpëtuar Luvrin pikërisht nga problemet  – rrjedhjet e ujit, luhatjet e rrezikshme të temperaturave, infrastruktura e vjetëruar dhe trafiku i këmbësorëve shumë më i madh se sa mund të përballojë muzeu.

Por për punëtorët në terren, ajo e ardhme e premtuar duket e largët.

“Nuk mund të presim gjashtë vjet për ndihmë”, tha Sarah Sefian nga sindikata “CGT-Culture”.

“Ekipet tona janë nën presion tani. Nuk ka të bëjë vetëm me artin – ka të bëjë me njerëzit që e mbrojnë atë”, shtoi ajo./KultPlus.com

Ekspozita “Kujtesa e Mesdheut – Nga Antikiteti në Kohët Moderne”, Rama: Dritare unike drejt historisë të përbashkët

“Kujtesa e Mesdheut – Nga Antikiteti në Kohët Moderne” është ekspozita e cila do të çelet në Bibliotekën Kombëtare, me mbi 700 vepra origjinale, libra, dorëshkrime, harta dhe gravura nga shek. XIV-XIX, që pasqyrojnë trashëgiminë e pasur mesdhetare.

Ekspozita do të çelet në 18 qershor dhe do të prezantojë për publikun një pjesë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot këtë ekspozitë, si një dritare unike drejt historisë sonë të përbashkët.

“Nga Homeri, Aristoteli dhe Plutarku, tek hartat osmane dhe veprat veneciane, nga besimet monoteiste tek udhëtarët dhe gjeografët e mëdhenj, kjo ekspozitë është një dritare unike drejt historisë sonë të përbashkët”, u shpreh Rama.

Ekspozita organizohet në kuadër të aktiviteteve për shpalljen e Tiranës, Kryeqytet Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut 2025.

Ajo do të çelet në 18 qershor në bibliotekën Kombëtare dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 18 korrik./atsh/KultPlus.com

Ra si yll po su shua

Poezi nga Ismail Kadare

Vështroi princesha krenare, 
Në ç’do kullë e ç’do kamare, 
Si të fundit roje ranë, 
Ç’do pëllëmbe me gjak e lanë. 

Dhe e vetme ajo mbeti, 
Përmbi kullë porsi deti, 
Që i hedh dallgët në rërë, 
Turqit u versulën të tërë, 

Që ta zenë yllin të gjallë, 
Po a zihet ylli vallë? 
Ja Argjiroja e shpejtë, 
Tok me foshnjezën e vet, 

U vërtit si zog në erë, 
Nga kalaja në humnerë. 
Shkëmb më shkëmb seç u copëtua, 
Ra si ylli po su shua, 

Dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë, 
Se fëmija saj mbet gjallë, 
Dhe që foshnjen ta mekojë, 
Qumësht zuri të pikojë. /KultPlus.com

Grupi “Shkodra Elektronike” mirëpritet në Odën e Kryeqytetit

Në një atmosferë të ngrohtë dhe simbolike, në Odën e Kryeqytetit u mirëprit grupi “Shkodra Elektronike”, krijues të një muzike që tejkalon kufijtë dhe bashkon njerëzit përmes emocioneve të përbashkëta.

Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për veprën e tyre artistike, grupit iu dhurua figura e “Hyjneshës në Fron”, si simbol i shpirtit krijues dhe identitetit tonë kulturor.

“Me energjinë, origjinalitetin dhe fuqinë e tyre artistike, “Shkodra Elektronike” mbeten frymëzim për të gjithë ata që e shohin artin si formë të përfaqësimit dhe krenarisë kolektive”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Turistë të shumtë në Sinagogën e Sarandës, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore

Bazilika Sinagogë e Sarandës është një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike të zbuluara në qytetin e Sarandës, në jug të vendit.

Si e tillë ajo është kthyer në një pikë tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau sot fotografi nga turistët e shumtë që vizitojnë këtë Sinagogë antike që gjendet në zemër të Sarandës.

“Një vend që çdo vizitor duhet ta shohë nga afër! Turistët po e zbulojnë çdo ditë këtë monument unik të trashëgimisë kulturore – mozaikë mahnitës, histori mijëravjeçare dhe një atmosferë e veçantë! Mos e humbisni, ejani dhe bëhuni pjesë e këtij udhëtimi në kohë”, ishte apeli i DRTK Vlorë për çdo turist që zgjedh të vizitojë Sarandën.

Bazilika Sinagogë e Sarandës është një ndërtesë antike që daton nga periudha e vonë romake dhe është një nga sinagogat më të mëdha të zbuluara në rajon. Sinagoga është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në vitet e fundit dhe është e njohur për strukturën e saj të madhe dhe mozaikët e mrekullueshëm që janë gjetur në të.

Mendohet se hebrenjtë mbërritën në Shqipëri në katër periudha të ndryshme, që nga shekulli II. Ata madje krijuan një qytet të quajtur Jeriko e më vonë u quajt Orikum.

Sinagoga e Sarandës mendohet se është ndërtuar nga pasardhësit e hebrenjve që u vendosën në bregdetin jugor të Shqipërisë rreth vitit 70 pas Krishtit. Megjithatë, në shekullin VI, sinagoga u zëvendësua nga një kishë.

Gjatë shekujve XI-XII, Orikumi, i quajtur atëherë Jeriko, ishte pjesë e një krahine bizantine që përfshinte gjithashtu Kaninën dhe Vlorën. Kjo provincë, e njohur si provincia Jericho et Caninon, përmendet në dekretin perandorak dhënë Venedikut në 1198 nga Alexios III Angelos.

Sinagoga është një nga objektet më të vizituara nga turistë vendas e të huaj, që shkojnë në Sarandë, duke qenë se është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: 17% më shumë vizitorë vendas e të huaj në sitet kulturore në 5 muajt e parë të vitit

Viti 2025 ka shënuar rekorde historike për turizmin kulturor në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka publikuar shifrat të cilat flasin qartë për rritjen e vizitueshmërisë që nga kalatë madhështore, muzetë plot histori, e deri tek parqet arkeologjike që magjepsin çdo vizitor.

Prej janarit e deri në maj të këtij viti, monumentet e kulturës e objekte të trashëgimisë kulturore u vizituan prej 382,036 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kjo shifër është 17% më e lartë.

Listën e destinacioneve më të vizituara e kryesojnë Muzetë Kombëtarë me 133,862 vizitorë. Më pas vijonë Parqet Arkeologjike me 174,661 vizitorë, si edhe 74,513 vizitorë në Kala dhe Monumente.

“Trashëgimia jonë kulturore, nga muzetë te parqet arkeologjike e kalatë që ruajnë shpirtin e historisë shqiptare, kanë mirëpritur në 5-mujorin e parë të këtij viti, 382,036 vizitorë vendas dhe të huaj, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2023”, tha ministri Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Sitet kulturore në janar-shtator 2024 patën 40% më shumë turistë të huaj dhe 31% më shumë vizitorë vendas.

Listën e destinacioneve më të vizituara e kryeson Kalaja e Gjirokastrës me 196,515 vizitorë. Pas saj renditet Parku Kombëtar i Butrintit me 127,753 vizitorë dhe në vend të tretë për nga vizitueshmëria qëndron Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë me 100,874 vizitorë./atsh/KultPlus.com

Shkolla e muzikës ‘Amadeus’ përfundon vitin shkollor me koncertin fantastik ‘Da Capo al Fine’, skena muzikore shpërthen fuqishëm në magjinë e nxënësve të talentuar

Vjollca Duraku

Shkolla e Muzikës “Amadeus” të shtunën mbrëma ka mbajtur koncertin artistik “Da Capo al Fine”, të organizuar në kuadër të përfundimit të vitit shkollor dhe të diplomimit të nxënësve të shkollës, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit në Bibliotekën Universitare u shëndrrua në një skenë të përbashkët interpretimi për të gjithë nxënësit e talentuar të shkollës, të cilët në të ardhmen pritet të jenë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të muzikës në vend. Ky koncert plot ëmbëlsi nisi me interpretimin e nxënësve të klasës së parë me “Kamertale- “Yanke Doodle””. Duart e tyre të vogla përmes violinës, klarinetës, kitarës, violoncellos, pianos dhe trekëndshave dhuronin pamje dhe tinguj mjaft të këndshëm për audiencën e cila i ndiqte me admirim.

Kurse, nxënëset Ejona Musliu dhe Blendina Musliu morën diplomë për përfundimin e një cikli të rëndësishëm në jetën e tyre. Përmes veprave “Victor’s Piano Solo”- Danny Elfman, “Sous le ciel de Paris”- Hubert Giraud dhe “Pirates of the Aegean”- David Brues dëshmonin shkathtësitë e fituara gjatë këtyre viteve të punës së përkushtuar me profesoreshën e shquar, Valbona Petrovci.

Po ashtu, edhe Noar Dema qe një tjetër nxënënës nga klasa e Poema Dylhasit që diplomoi në këtë koncert festiv. Përmes veprës “Concertino for violoncello A-dur”- J. Breval zgjoi emocione të festës dhe gëzimit, të cilat buronin nga lëvizjet e shkathëta të djaloshit të talentuar.

Kori i shkollës ka interpretuar në mënyrë fantastike veprat: “Këndojmë me mall”-Këngë Arbëreshe, “O sole mio”- Eduardo di Capua dhe “Kushtrim Arbëresh”- Rauf Dhomi duke zgjuar emocione deri në rrëqethje. Një jehonë e jashtëzakonshme e tingujve u dhurua edhe nga interpretimi i veprave: “Trio lll D- dur, 2nd movement”- Franz Anton Hoffmeister, “Pavane”- G. Faure, “Valle”- F. Hoxha, “Pirates of the Caribbean” dhe “Xote” nga Ansambli i Kitarave.

Pika kulmore ishte interpretimi i “Marshit të Diplomimit”, që në skenë solli të gjitha grupet e  artistëve të vegjël, duke përfshirë Korin, Orkestrën Frymore, Violinistët, Cello & Kitaristët. Ky moment solemn shënoi edhe fundin e vitit shkollor dhe diplomimin e nxënësve të shkollës.

Në fund të koncerit, në një prononcim për KultPlus foli profesoresha e nderuar, Valbona Petrovci, e cila për 42 vite ka dhënë kontribut të madh në Fakultetin e Arteve, të cilin kontribut tash pas pensionimit po e vazhdon në shkollën e themeluar nga vet ajo.

“Pas pensionimit po vazhdoj aktivitetetin në shkollën “Amadeus”. Këto tre vitet e fundit kam punuar me Elonën dhe Blendinën, nxënëset që sot diplomuan. Vërtetë është kënaqësi dhe satisfaksion kur sheh që rrumbullakësohet një cikël i shkollimit. Vlen të theksohet se ky koncert nuk ka qenë fare lehtë të organizohet dhe të përgatitet, sepse të gjitha pikat muzikore janë interpretuar në grup. Kjo është një përvojë për fëmijët që i ndihmon ata të kompletohen si muziktarë, duke u koordinuar në muzikim të përbashkët. Kjo është një pjesë e veçantë e muzikimit në përgjithësi” ka thënë profesoresha Petrovci.

Megjithëse, puna me fëmijë paraqet një sfidë më vete, për profesoreshën që një jetë të tërë ia ka kushtuar pianos kjo punë paraqet një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur para syve të saj e sheh zhvillimin e tyre si artistë të së ardhmes.

“Pas punës me student nuk ka qenë e lehtë puna me fëmijë, sepse zakonisht studentët vijnë me program të cilin iu përcaktoj paraparakisht, dhe vijnë me program të përgatitur. Ndërsa, me fëmijët e vegjël programi duhet të lexohet së bashku, e pastaj të vazhdohet me fazën e përpunimit artistik të veprës. Kështu që është pakëz më vështirë. Megjithatë unë po e gjej një satisfaksion edhe me këta fëmijë sepse e shoh nga afër zhvillimin dhe përparimin e tyre. Pra, kur sheh që prej pikës zero është duke shkuar drejt finales është vërtetë edhe kjo  kënaqësi në vete”, ka thënë profesoresha Petrovci.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës “Amadeus”, Hana Petrovci- Fetahu, tha se ky koncert ka qenë një kurorëzim i një pune të gjatë, shumë të përkushtuar dhe të jashtëzakonshme nga mësimdhënësit në bashkëpunim me nxënësit.

“Kemi pasur një përkrahje shumë të madhe edhe nga prindërit e këtyre nxënësve, të cilët i kanë sjell fëmijët shpesh në prova, për tu përgatitur për këtë koncert. E rëndësishme është që ky koncert dhe në përgjithësi shkolla “Amadeus” ka marrë një përkrahje të madhe nga ambasadat dhe institute të ndryshme. Këto përkrahje kanë ardhur si reultat i përkrahjes tonë të vazhdueshme për nxënësit e të gjitha shtresave shoqërore, jo vetëm nxënësit që kanë mundësi të ekspozohen në ambiente kulturore, edukative, profesionale por edhe për nxënësit tjerë, të cilët jetojnë në periferi të qytetit. Përmes projekteve tona ne i kemi zbuluar si talentë dhe i kemi përfshirë në edukim cilësor muzikor” ka thënë drejtoresha Petrovci- Fetahu.

Kurse, dirigjenti Vehbi Shosholli tha se ndihet i plotësuar pas përfundimit të koncertit, pasi gjithçka shkoi ashtu siç edhe ishte planifikuar.

“Po ndihem i përmbushur, pasi koncerti dhe gjithçka tjetër përfundoi  suksesshëm, duke pasur parasysh faktin që patëm performanca me fëmijë të gjeneratave të ndryshme duke filluar nga klasa e parë e deri te këta që diplomuan. Patëm grupe dhe formacione të ndryshme, lloj-llojshmëri përmbajtjesh muzikore me të cilat besoj që edhe publiku është ndarë shumë i kënaqur”, ka thënë dirigjenti Shosholli.

Megjithëse ky vit shkollor për shkollën “Amadeus” përfundoi këtu, nuk kanë përfunduar aktivitetet e nxënësve. Pjesëmarrja në koncertet garuese në Vjenë pritet të jenë ajka e punës së palodhur e profesorëve dhe nxënësve.

“Ne si shkollë që tre vjet e kemi themeluar edhe Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës dhe aktivitetet e radhës që do t’i mbajmë janë: Një koncert në Gjilan më 20 qershor, koncerti i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës dhe koncertet madhështore të cilat pritet të ndodhin janë koncertet që do të mbahen në Vjenë, në korrik. Këto koncerte kanë edhe karakter garues, në të cilat gara jemi pranuar për shkak të punës së madhe që është bërë”, ka bërë të ditur drejtoresha Petrovci- Fetahu./ KultPlus.com

Jepet premiera e shfaqjes ‘HOTEL GRAND’, përmes një udhëtimi në kohë shpërfaqet agresioni dhe aparteidi i viteve ’80-’99

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Qendrën Barabar është dhënë premiera e shfaqjes ‘Hotel Grand’ nga aktorët Armend Smajli dhe Rebeka Qena, shkruan KultPlus. ‘Hotel Grand’ është një shfaqje që udhëton në kohë përmes një historie imagjinare, duke trajtuar aspektin njerëzor, politik, historik e social, e cila shikuesin e shfaqjes e vendos në vitet ’80-’90, në kohën kur Kosova ka përjetuar një periudhë të vështirë agresioni dhe aparteidi.

Një bunker i improvizuar në katin e katërt të ‘HOTEL GRAND’ ishte shndërruar në një vendstrehim për dy shokë, të cilët nuk e kujtonin mënyrën se si janë gjendur në këtë bunker, që mbante edhe ca rezerva të ushqimit. Pas një heshtjeje të gjatë, si në kllapi artistja (Rebeka Qena) i flet shokut të saj (Armend Smajli) për protestat e 1 Tetorit, për vrasjen e një gazetareje te Santea, Mensën e Studentëve etj, pa e pasur idenë se çfarë realisht ngjante. Kjo skenë paraqet vetëdijen e përgjithshme të popullit në atë kohë, ku çdo kush ka pasur informacione të fragmentuara, porse një amulli e shkaktuar nga trauma pushuese nuk ka lejuar të kuptohet ‘piktura e madhe’ e asaj situate.

Mënyra se si janë gjendur në këtë bunker, ngjall kureshtje te protagonistët. Aty fillon e tensionohet situata mes dy miqve. Një kërkim falje për një gabim, të bërë para shumë vitesh gjeti vend në këtë ambient të ngushtë e të errtë. Megjithëse, thuhej që miqtë nuk kanë pse i kërkojnë falje njëri- tjetrit, një ndjesi jo e këndshme e cila e kishte bërë njërin prej shokëve të dukej jo mirë në sytë e të tjerëve, ende nuk ishte procesuar si ndjenjë. Skena flet mbi fuqinë emocionale të njeriut, mbi atë që “Njeriu mund të harrojë se çfarë i keni bërë, po nuk mund të harrojë mënyrën se si e keni bërë të ndihet”.

Një radio mund të ishte funksionale vetëm nëpërmjet krijimit të energjisë elektrike nga lëvizja e pedaleve të biçikletës. Një gjetje dhe kreativitet i tillë është mundësuar nga një nevojë e brendshme për informacion, i cili edhe pse si nëpër mjegull, ekzistonte. Kjo periudhë e vështirë, rëndohet edhe më shumë kur paraqitet instikti seksual. Masturbimi që mohohej derisa ndodhte e kthen njeriun në pikën zero, në atë të kafshërores dhe irracionales, duke ia vënë jashtë loje sistemin e arsyes. Ndërsa, kursimi maksimal i ujit, qoftë edhe për nevojat fiziologjike paraqet një mjerim që ishte i fokusuar në mbijetesë.

Maskat e maces dhe të miut të vendosura nga protagonistët në fund të ngjarjes, i japin shfaqjes kuptim shumëdimensional, duke filluar nga alegoria se njeriu në gjendje mbijetese shndërrohet në kafshë. Po ashtu, maskat mundësonin një ikje nga realiteti i zymtë në një jetë plotë lumturi dhe ëndrra, të cilat edhe mund të jenë jetuar edhe në të kaluarën. Shfaqja përfundon me skenën kur protagonistët shprehin edhe ndjenja dashurie, porse nuk dihet nëse ajo është jetuar vërtetë apo ëndërrohej të jetohej?

Aktori i shfaqjes, Armend Smajli, ka thënë se ideja e këtij projekti ka qenë që të trajtohet tema e paraluftës dhe e luftës përmes personazheve që nuk kanë përfaqësuar asnjë mendim ideologjik të kohës.

“Ideja ishte të trajtojmë një tekst të Denis Kelly-it, një autor anglez. Që në ditën e parë kur e kemi lexuar tekstin ka asociuar në diçka tonën të viteve të 80-ta-90-ta. Nga ajo ditë në mënyrë instiktive vendosëm të marrim një rrugëtim që nuk është punë e jona si aktorë. Vendosëm të bëjmë një eksperiment në kuptimin artistik edhe me veten, dhe me një kohë të caktuar. Filluam ta shkruajmë, dhe deri tash mund të them që i kemi bërë diku rreth 25 versione, derisa erdhëm përfundimisht në një pikë. Shfaqja ka më shumë pyetje se sa tekst. Kemi refuzuar të japim shumë përgjigje për shkak se kemi dashur më shumë të merremi me një lloj “demence” shoqërore, për shkak se kur ka ndodhur lufta, nuk kemi pasur shumë kohë për tu marrë me gjëra që kanë ndodhur shumë kohë para luftës. Kemi menduar të trajtojmë personazhe që nuk kanë përfaqësuar asnjë mendim ideologjik të kohës. Ne i dijmë grupacionet shoqërore, sociale, politike që e kanë përfaqësuar një Kosovën me mendim pro apo kundër. Kemi besuar që ka pasur njerëz që kanë qenë diku me ndonjë lagje duke qenë mospajtues ose refuzues ndaj gjithçkaje që ka ndodhur. Mandej është krijuar edhe një lloj absurdi në rrafshin artistik i kemi dhënë kuptim imagjinar, absurd”, ka thënë artisti Smajli.

Ndërsa, aktorja Rebeka Qena ka thënë se shfaqja është menduar të trajtohet në aspektin se çfarë mund të ndodh me njeriun, kur ai dehumanizohet nga përdorimi i dhunës dhe i presionit.

“Po e shoh që publiku pavarësisht nga mosha, po e perceptojnë ngjarjen, pasi në një farë forme ose kanë dëgjuar për të kaluarën, ose i përjeton ngjarjet e asaj kohe në mënyrë indirekte, për shkak se në një mënyrë jemi të formësuar nga ajo e kaluar, edhe përmes rrëfimeve të të tjerëve. Kur erdhëm në Grand e kuptuam që duhej të linim anash tekstin fillestar, për të cilin ishim mbledhur për t’i bërë provat. E kuptuam që kemi të trajtojmë diçka shumë më të rëndësishme, siç është “Hotel Grandi”, si njëfarë simboli i cili ka qenë njëfarë strofulli edhe i së keqes. Por, menduam se çka nëse në atë strofull, ishte strehuar dikush tjetër. Atëherë filluam të intervistojmë njëri-tjetrin për të kuptuar më tepër se kush kemi qenë, dhe në atë që kemi jetuar me strehe në kokë. Kur në atë realitet je i dehumanizuar, i keqtrajtuar, ti ikë, duke mos i identifikuar ndjenjat, dhe duke mos i komunikuar ato. Po flasim për njerëz që e kanë një të përbashkët të asaj kohe, që kanë mundur të jetojnë një histori të tillë. Jetët tona në atë të kaluar, e për dikë edhe sot mund të mos jenë reale. Kur diçka nuk  të pëlqen nuk dëshiron ta pranosh si realitet”, ka thënë aktorja Qena.

Shfaqja “HOTEL GRAND” do të jepet edhe sonte në Qendrën Barabar, e cila ndodhet në katin e katërt të Hotelit Grand./ KultPlus.com

‘Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Prishtina mbështet Festivalin e Këngës të RTK-së edhe këtë vit

Kryeqyteti i Kosovës do të jetë sërish mikpritës dhe përkrahës i Festivalit të Këngës, një ngjarje e rëndësishme kulturore e organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Marrëveshja për mbështetjen e këtij festivali u nënshkrua sot mes kryetarit të Prishtinës dhe drejtorit të RTK-TV, z. Rilind Gërvalla.

Në njoftim thuhet se festivali ka vlera të spikatura artistike dhe kulturore, duke krijuar hapësirë për shprehjen autentike të krijimtarisë vendore dhe për fuqizimin e identitetit kulturor.

Ky bashkëpunim vlerësohet si shprehje e përkushtimit për një kryeqytet që e nxit dialogun artistik dhe e sheh artin si shtyllë thelbësore të zhvillimit shoqëror.

“Besojmë në një kryeqytet që frymon me art, ku kultura nuk është në margjinë, por në qendër,” thuhet në deklaratën e Ramës./KultPlus.com

‘Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut se në shtëpinë e tij’

Thëniet më të mira persiane.

Sot, po sjellim një koleksion nga mençuria e kulluar e një populli të largët e të lashtë.

E çuan llafazanin në ferr dhe tha: “Sa të njoma qenkan drutë.”

Njerëzit fatkëqinj shpesh bëhen me besëtytni, shpesh nga padituria.

Njeriu modest dhe punëtor vlen më shumë sesa njeriu i fuqishëm dhe i rrezikshëm.

Nga të shtatë zogjtë e bilbilit vetëm njëri del këngëtar.

Ngushëlloje atë që mendon të ketë arritur lumturinë.

Nuk i jepet elefantit për të pirë me lugë.

Në kokën time tullace mëson zanatin e berberit.

Në punët e veta edhe i verbëri ka sy.

Në shtëpinë e kadiut ka arra plot, por ato janë me numër.

Mos i bjer atij që e ka dënuar fati.

Mos i bjerë derës së botës, që të mos i bien derës sate.

Muret kanë minj, minjtë kanë veshë.

Nata është me barrë, ç’do të na pjellë mëngjesi.

Më mirë një buqetë me trëndafila, se një mullar me bar.

Më mirë uthullën në dorë, sesa hallvën e premtuar.

Kush ka rënë në bela, s’e çan kokën për taksat.

Lakuriqit çdo këmishë i rri tamam.

Lavdërimet e tepërta çorodisin fëmijën.

Lehja e qenit nuk i pengon retë.

Kur ke hall, mund të puthësh gomarin në bisht.

Kur mund të rrosh në paqe , mos trokit në derë të luftës.

Kur piqen frutat, kopshtari nuk i vë re të njohurit.

Kur të të kenë bërë ty njeri, do të jem bërë unë budalla.

Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga.

Ku do ta dijë pusi se kova ka fundin e çpuar.

Kujt iu dogj mullari, s’kish pse i trembej rrufesë.

Kumarxhiut hileqar çdo gjë që t’ia zhvatësh e ke qar.

Kundërshtari më i rrezikshëm është miku i kthyer në armik.

Kur i ka ardhur koha, preja shkon vetë te gjahtari.

Kur janë dy akçinj, gjella del o shumë e kripur, o pa kripë fare.

Je i nderhsëm në veprime me çdonjeri, do, s’do, do të nderojë.

Jo gjithçka e rrumbullakët është arrë.

Kam dhënë kaq këshilla, sa më ka zënë gjuha lesh.

Kandili që i duhet shtëpisë nuk çohet në xhami.

Kot mburret daullja, brenda është bosh fare.

Gjelin që do ta rrëmbejë çakalli në mëngjes, le ta rrëmbejë që në mbrëmje.

Gjëegjeza e gjetur të duket e lehtë.

Gjuha e kuqe merr në qafë kokën jeshile.

Hajduti njeh hajdutin; shenjti njeh shenjtin.

Ha pak të kesh shëndet.

Ha si do vetë, vishu si duan të tjerët.

I mbyturi kapet pas fijes së kashtës.

Inteligjenti flet atëherë kur të tjerët përreth heshtin.

Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut se në shtëpinë e tij.

Frikoju nga ai që ta ka frikën.

Fut djathin në shishe e fërkon bukën nga jashtë.

Gërmove në mur, mos i qendro pranë.

Gratë janë sikur hija juaj, nëse shkoni pas tyre – ato ikin nga ju, ndërsa nëse ikni prej tyre – ato vijnë pas juve. / KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Shqipëria

Poezi nga Pablo Neruda

S’kam qënë ndonjëherë
Në Shqipëri
n’atë tokë të ashpër e të dashur,
n’atë dhe malor barinjsh.

Sot
shpresoj të vij si për të kremte,
për një të kremte të re, dasmë mbi tokë;
pa të vete të shoh
si shkëlqen dielli
majë krahëve plot muskuj
të vargmaleve të tua,
si më rritet në mes të shkëmbinjve
si zambaku i ri dhe i njomë,
kultura,
letërsia,
që po nis e shtrihet,
nderi ndaj bujkut të moçëm,
djepi i punëtorit,
përmendorja e shquar e vëllazërimit,
si merr përpjetë mirësia posi bima e re
që lulëzon në vendet e lashta e të varfra.

O Shqipëri e vogël, e fortë,
e vendosur dhe zëmjaltë,
teli i kitarës sate
‐ ujë dhe çelik i gjallë –
vjen e më t’i shtohet tingullit
të historisë,
këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
me një zë bjeshkësh
dhe ndërtimesh,
aromash
dhe bardhësish,
këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve,
zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve.
Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti
ndërtimit të jetës mbi tokë.
(Përktheu: A.Pilika) / KultPlus.com