U mbajt promovimi i librit me poezi “Më quajnë Izmir” nga poetja Tinka Kurti në Librarinë Dukagjini, Prishtinë.
Panelistët folën për poezinë e Tinka Kurtit, e cila përmes vargut bën thirrje për zhvendosjen e të përjashtuarve drejt qendrës së vëmendjes dhe kujtesës.
Në promovim mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Më quaj Izmir” i Tinka Kurtit vjen si një zë i guximshëm në poezinë shqipe. Vargjet e Tinka Kurtit janë mall dhe revoltë, lidhje dhe shkëputje, komentime poetike mbi eksperienca jetësore.
Libri i saj, i cili që në pragun semiotik hyn në relacion intertekstual me lojën melvilliane të identifikimit të subjektit, është një provokim estetik, sepse paralajmëron një zë ‘androcentrik’, ndërsa shpejt kalon në këndvështrimin gjinocentrik, për ta theksuar paradoksin dhe për ta promovuar perspektivën. Duke e parë botën me sy të tillë, poetja Tinka Kurti sjell jo vetëm një optikë specifike personale, por edhe një zë autentik në botën tonë letrare.
Tinka Kurti ka studiuar Gazetari dhe Filozofi në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar disa vjet si gazetare në Prishtinë. Më pas ka qenë aktive edhe në politikë. Në 2021-2025 ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jeton në Vjenë./ KultPlus.com
11 qershori i vitit 1999 shënon Ditën e hyrjes, në Prishtinë, të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe forcave që kishin vepruar ilegalisht në kryeqytet edhe gjatë luftës, shkruan KultPlus.
26 vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë në periferi të qytetit, ndërsa forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar tërheqjen, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor të vitit 1999.
Më 12 qershor nga bazat e tyre në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pastaj edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. / KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori e skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo.
Leka Bungo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare.
Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi për një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin më të theksuar.
Pas viteve ’90 krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt humbi destinacionin e vet artistik, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri. Pas vitit 2002, emigroi në SHBA. Përveç punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenarë filmash, ndër to dramën “Pabesia” si dhe skenarët “Pas fasadës”, “Gjuetia e fundit” etj. Në filmin e vitit 1990 Një djalë edhe një vajzë ai luajti rolin e Bardhylit. Ishte autor i skenarëve për disa filma artistikë.
Në vitin 2021 Leka Bungo u zgjodh Kryetar i Bordit Drejtues të RTSH-së, detyrë që e mbajti deri dy muaj para ndarjes nga jeta.
Disa nga veprat e tij: 1966: Oshëtime në bregdet 1980: Pabesia (dramë) 1985: Tre njerëz me guna 1988: Mirela 1990: Një djalë edhe një vajzë – roli: Bardhyli, babai i Artanit 1991: Gjuetia e fundit 1992: Pas fasadës
Leka Bungo do të mbahet mend gjatë për krijimtarinë e tij në Estradën e Fierit, të Lushnjës dhe të Estradës së Shtetit në Tiranë, për vënien në skenë të disa prej perlave të humorit shqiptar, si dhe për vitalitetin dhe këmbënguljen për të qenë aktiv deri në fund të jetës.
Varrimi bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e Sharrës, ndërsa ngushëllimet priten në “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit./ KultPlus.com
Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit, ka muaj që është shndërruar në një amfiteatër, ku nëpërmjet veprave artistike po shpalosen aspekte të kujtesës kolektive historike të golgotës shqiptare. Është OJQ “Molla e kuqe”, që me qëllim të funksionalizimit të Burgut të idealit, po sjell vepra të artistëve në të cilat shpërfaqen fatet e dhembshme të njerëzve tanë.
Mbrëmë në prag të Ditës së çlirimit të Prishtinës, në shetitoren e ish-burgut u shfaq filmi dokumentar „Kujtimi i mbuluar“ i autores Ariana Krasniqi.
Ky film përmblidhte disa nga rrëfimet e të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovës. Autorja Krasniqi, para shumë të pranishmëve, sqaroi se përmes një qasjeje plurodisiplinare, ku ishin gërshetuar dokumentarja me performancën artistike si dhe dizajni i veshjeve të viktimave, ka dashtë të shpaloste kujtimet dhe dhimbjet, për humbjen e më të dashurëve dhe për përvojat tragjike të disa prej dëshmitarëve të kohës.
Veshjet, që ishin ekspozuar nëpër çelitë e burgut ishin punuar mbi motivet e këtyre rrëfimeve. Ato njëkohësisht shërbenin simbolikisht si material për ekspozitën dhe krahas kësaj ishin edhe material dokumentar filmik.
Rrëfimet e pesë personazheve, të cilët kishin përjetuar luftën në fshatrat Hallaq, Marevc, Grashticë, Kolovicë sillnin pamjet e dëbimeve, të torturimeve, plaçkitjeve si dhe të pushkatime në masë nga forcat policore serbe. Rrëfimet autentike në filmin “Kujtimi i mbuluar” , ishin rrëfime të njerëzve që i kanë mbijetuar dhunës serbe. Idriz Govori, Filloreta Vitia, Kumrije Veliu, Fidan Ismajlit, Dardan Veliut me plot emocione dhe ngashërime, rikthenin pamjet e dhembshme, të veprimeve antinjerëzore të forcave serbe të shkaktuara ndaj popullatës civile shqiptare, në prill të vitit 1999.
Dokumentarja dhe artistikja shprehnin përballjen e njerëzve të thjeshtë me vdekjen dhe zhveshnin synimet dhe veprimet e liga të forcave serbe për të vrarë të pafajshmit, të pafuqishmit.
Autorja Ariana Krasniqi ka studiuar për Fashion Design në Düsseldorf. Angazhimin e saj profesional e ka vazhduar kryesisht në vendet skandinave, si Malmö dhe Kopenhagë. Është aktive në ngjarjet ndërkombëtare të modës dhe me koleksionet e saj ka pasur mundësi të ekspozojë në disa prej eventeve të njohura të industrisë së modës në Paris, Kopenhagë, Aachen dhe Prishtinë.
Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim ndërmjet OJQ “Molla e Kuqe” dhe autores Ariana Krasniqi./ KultPlus.com
Sonte do të hapet ekspozita personale e artistit Blerim Racaj, e titulluar “To feel your mood like the weather “, kuruar nga Bardhi Haliti në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa.
Gjatë dy dekadave të fundit, praktika fotografike e Blerim Racajt është zhvilluar në forma të ndryshme që i rezistojnë kufizimeve. Ajo që në punën e tij të hershme dukej se i ngjasonte gjuhës së portreteve, tani më shumë anon nga diçka skulpturore, madje edhe arkitekturore. Në këto imazhe, forma nuk e kornizon vetëm realitetin, ajo e thellon atë, dhe nganjëherë edhe e tret atë tërësisht.
Një pjesë e madhe e ekspozitës buron nga pesë projektet kyçe: Kosovars (Kosovarët), Indecisive Moment (Moment Pavendosshmërie), Ephemeral Notes (Shënime Kalimtare), Vend, dhe Rruga B. Racaj ka punuar me gjithçka prej kamerave të formatit të gjerë dhe të mesëm deri te DSLR-të, kamerat kompakte digjitale, dhe së fundmi, kamerën e telefonit. Shumë prej këtyre imazheve të ndërmjetme janë bërë me telefonin e tij, shpesh në transit, në çaste të pangarkuara nga përgatitja.
Në një mënyrë mjetet e tij të punës pasqyrojnë kufizimet e jetës moderne. Sot, ne formohemi po aq nga impulsi artistik sa nga limitet e bagazhit të aviokompanive. Kur nuk mund të udhëtosh me arsenalin e plotë të pajisjeve pa paguar shtesë, kamera e telefonit bëhet jo vetëm e domosdoshme, por edhe instrument i intuitës.
Ajo që bashkon tërë veprën e Racajt është një ndjeshmëri skulpturore, që kujton artistët si Thomas Demand dhe Jeff Wall. Por për dallim nga Demand që ndërton modele të përpikta për t’i fotografuar, apo Wall që inskenon peizazhe mitike dhe kinematografike, Racaj punon me vetitë e reales, duke i abstraktuar ato aq sa për t’i hapur ndaj interpretimit. Ngjyrat dhe format nuk janë asnjëherë vetëm formale, ato janë simbolike, të ngarkuara emocionalisht dhe përplot fantazma.
Si artist që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj zë një hapësirë të ndërmjetme, njëkohësisht i vendit dhe i huaj. Ai sjell këtë vetëdije të dyfishtë në punën e tij, ku kuadrimi bëhet i stërhollë, i qëllimshëm dhe gjithmonë i vëmendshëm.
Biografi
Blerim Racaj është artist pamor kosovaro-britanez i cili jeton në Londër dhe punon kryesisht me fotografi. Veprimtaria e tij përdor gjuhën pamore dokumentare për të eksploruar temat e hibriditetit kulturor dhe identitetit diasporik, duke zhvilluar gjithashtu një dialog vizual me elementet efemerale nga mjedisi i tij i përditshëm.
Puna e tij është shfaqur anembanë Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Spanjën, Kroacinë dhe Kosovën. Në mesin e ekspozitave të veçuara të tij janë Global Photography: Looking at/ Looking for, Galleria Contemporaneo, Mestre, Venedik (2010); Photodays Photo Festival, Rovinj (2013); Renaissance Photography Prize 2014, Getty Gallery, Londër (2014); Reflect the Truth, China Design Centre, Londër (2016), Nexos, Valencia (2017), dhe Nisesos Chronicles, Prishtinë (2023).
Në vitin 2014, u nderua me Çmimin Fotografik Taylor Wessing nga Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër. Racaj ka diplomë Master në Studimet e Fotografisë nga Universiteti i Westminster në Londër.
Bardhi Haliti është dizajner grafik dhe hulumtues me bazë në Amsterdam. Ai ka punuar si dizajner i pavarur në Nju Jork dhe Prishtinë përpara se të merrte diplomën master nga Werkplaats Typografie, Arnhem në vitin 2014. Haliti ishte dizajner në rezidencë në Jan van Eyck Academie, Maastricht nga 2015–16.
Ai është kritik i jashtëm në Programin Master në Dizajn Grafik në Akademinë e Arteve të Estonisë dhe ishte profesor i përkohshëm në HfG Karlsruhe në 2024. Haliti ishte ligjërues në programin e përkohshëm master The Commonors’ Society në Sandberg Instituut (2018–2020) në Amsterdam. Ai ka mbajtur ligjërata dhe seminare në institucione të ndryshme duke përfshirë Gerrit Rietveld Academie, Amsterdam; HfK Bremen; École Nationale Supérieure des Beaux-Arts de Lyon, Kunsthalle Wien, dhe Rhode Island School of Design ndër të tjera. Në vitin 2011, Haliti bashkëthemeloi REDO, një festival vjetor ndërkombëtar i dizajnit grafik dhe arteve pamore në Prishtinë, dhe që atëherë ka shërbyer si drejtor programit. Në vitin 2019, libri i Halitit May 25 is now October 1 u botua nga cPress, Cyrih. Libri është rezultat i një kërkimi shtatëvjeçar që merret me natyrën multifunksionale të hapësirave publike në të cilat pasqyrohen cikle më të mëdha socio-politike dhe kulturore.
UNI – Universum International College organizon workshop mbi Telerehabilitimin në kuadër të projektit E-PHYSIO që implementohet nga konzerciumi prej disa Universiteteve Evopriane dhe Financohet nga Erasmus+, Komisioni Evropian.
Gjatë këtij seminari, morrën pjese partnerët e programit E-physio Telererehabilitimi “Universum International College UNI-it, University of Medicine and Pharmacy in Craiova – UMFCV, University of Craiova – UCV, Burgas Free University, Mersin University, European University Of Tirana UET, Sports University of Tirana, Universum International College, Alma Mater European Campus College Rezonanca.
Projekti E-PHYSIO ka për qëllim të përmirësojë njohuritë teorike, aftësitë dhe kompetencat në lidhje me telerehabilitimin për studentët dhe mësimdhënësit në institucionet e arsimit të lartë të vendeve pjesëmarrëse në Ballkanin Perëndimor. Arritja e këtij objekti do të çojë në një integrim më të mirë të specialistëve të ardhshëm në tregun e punës, studenteve duke I’u përshtatur trendeve dhe kërkesave aktuale.
Objektivat e projekti; Të përmirësojë njohuritë teorike, aftësitë dhe kompetencat në lidhje me telerehabilitimin për studentët dhe mësimdhënësit në institucionet e arsimit të lartë që marrin pjesë në Ballkanin Perëndimor.
Të forcojë kapacitetet e organizatave partnere të Ballkanit Perëndimor për të modernizuar sistemet e tyre të arsimit të lartë dhe për t’u përgjigjur sfidave aktuale në tregun e punës duke implementuar qasje telerehabilitimi në nivelin organizativ të universiteteve.
UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.
Edicioni Jubilar (XX) i Garave të Muzicientëve të Rinj “ArsKosova” fillon të premten.
Nga data 13, 14 dhe 15 qershor 2025, do të garojnë muzicientë të rinj nga Kosova dhe shtete të tjera në kategoritë: instrumente, solo këndim, kompozim dhe solfezh.
Pjesëmarrësit, nga mosha 5 deri në 26 vjeç, do të prezantojnë arritjet e tyre artistike dhe performuese gjatë këtij viti shkollor e akademik. Ata do të vlerësohen nga një jurí prej 30 anëtarësh – profesorë dhe instrumentistë të shquar vendorë dhe të huaj.
Aplikimi i kandidatëve mbyllet sonte (data 10 qershor 2025), ora 23:59. Listat dhe oraret e garuesve do të shpallen më 11 dhe 12 qershor 2025.
Në mbrëmjen finale, për çmimin e ndarë nga Fondacioni ArsKosova, do të garojnë kandidatët që vlerësohen me 100 pikë maksimale për tre ditë radhazi.
Çmimet e Garave “ArsKosova 2025”:
FONDACIONI MUZIKOR ARSKOSOVA:
Çmimi GRAND PRIX ARSKOSOVA 2025 (500 €)
Çmimi për koncert solistik recital / koncert solo me orkestër harkore gjatë Festivalit Kosova KamerFest dhe gjatë projekteve vjetore të Fondacionit ArsKosova 2025
Çmimi: 4 masterklase falas gjatë projekteve të Fondacionit ArsKosova 2025
Çmimi i Kompozitorit: AKIL M. KOCI (500 €)
Çmimi i Violinistes: DRITA DIDA (500 €)
Çmimi CHOPIN PIANO FESTIVAL & ASSOCIATION
Koncert & shpërblim prej 200 €
Çmimi ESTA KOSOVË (European String Teacher’s Association Kosovo)
Masterklasë falas me profesorë ndërkombëtarë
Gjatë dy dekadave të kaluara (2003–2024), këta artistë të rinj kanë qenë finalistë dhe fitues të çmimit GRAND PRIX ARSKOSOVA, Çmimit Tradicional të Kompozitorit Akil Koci, Çmimit Chopin Association dhe Çmimit të Violinistes Drita Dida:
Xhafer Xhaferi – violinë (Maqedonia e Veriut)
Genc Qivljaku – kitarë (Kroaci)
Franc Koruni – kitarë (Shqipëri)
Besa Llugiqi – soprano (Kosovë)
Drilon Çoçaj – kitarë (Kosovë)
Marigona Qerkezi – flaut & solokëndim (Kosovë)
Ramë Lahaj – tenor (Kosovë)
Dimitar Mihajlovski – violinë (Maqedonia e Veriut)
Në shenjë të kremtimit të 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, të enjten, më 12 qershor 2025, në orën 19:00, në restaurantin “Symphony”, do të mbahet edicioni i tretë i aktivitetit të përvitshëm letrar “Poetët e Simfonisë”.
Në këtë mbrëmje të veçantë, magjia e vargjeve poetike do të shoqërohet me tingujt e bukur të kitarës në ambientin e mrekullueshëm e frymëzues të “Symphonisë”.
“Poetët e Simfonisë” është mbrëmje e autorëve: Lulzim Tafa, Xhevahire Izmaku, Binak Kelmendi, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Bujar Tafa, Isuf Hoxha, Arben Veselaj, Jona Bajraj dhe Sali Bashota./ KultPlus.com
Panairet e librit shpesh ngjajnë me një vazhdim reklame, për librin, ku shiten e blihen titujt që në të shumtën u është bërë një promovim paraprak. Përveç veprave klasike, shumë prej librave të mirë shpesh janë më shumë punë jehone që marrin me ndihmën mediatike. Kjo ngjan kudo. Këtë madje më së miri na e tregojnë çdo vit librat e fituesve të çmimit “Nobël” në letërsi, që ndodh të mos dimë aq shumë për ta ose për autorët e tyre deri në ditën kur gjithçka ndryshon. Në hapësirën tonë shqiptare viteve të fundit është një libër që mund t’u ketë ikur nga vëmendja vizitorëve të panaireve të librit në Prishtinë e në Tiranë; “Valbona” e Kolë Kurtit, një botim i shtëpisë botuese “Onufri” në Tiranë.
Ky libër është një dëshmi e fuqishme për dy anë të realitetit shqiptar. Frikën për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe me realitetin, shpesh të zymtë, të vajzave nga zona ku zakonet e forta tradicionale përthyhen në cepat e errët të kryeqytetit. Interesi i Kurtit është përqendruar te traditat e dallueshme e të ashpra të Ballkanit, ku askush nuk harron asgjë. Libri që në origjinal u shkrua në gjuhën angleze në vitin 2015, dhe u përkthye në vitin 2023, ndërthur, pa hetuar, dimensione të një realiteti tronditës brenda gjashtë dekadave në Shqipëri.
Diktatura komuniste e Shqipërisë normalizoi izolimin, internimet, burgosjet, ekzekutimet e përhapura, ndalimin e fesë dhe të pronës private, një dorë që ia theu shpinën lirisë së Shqipërisë, duke e sjellë një kohë çnjerëzimi.
Demokracia normalizoi goxha shumë një pajtim metafizik me të.
Në librin e Kurtit trashëgimia e terrorit komunist vazhdon të peshojë fuqishëm, në të paktën tre breza në familjen e tij shkodrane dhe në shoqërinë shqiptare në tërësi.
Paraardhësit e tij në Shkodër ishin të arsimuar jashtë vendit e të pasur, dhe komunistët i urrenin ata. Si një djalë që u rrit jashtë atdheut të tij, oreksi i tij i të shkruarit gjeti mjaft ushqim në këtë errësirë dhe mister.
“Valbona”- personazhi i librit është një fije e lidhjes së përpjekjes së njeriut për të ndryshuar, adaptuar, shpesh duke bërë kapërcime imagjinare në një botë gjithnjë e më të pamëshirshme teknologjike.
“Valbona” eksploron se si vendi ka ndryshuar, por në kontraste të forta pasuria dhe varfëria, moderniteti dhe tradicionalizmi jetojnë nën një kulm. Në këtë mjedis një e re nuk është aq e lehtë të integrohet në skenën shoqërore të kryeqytetit dhe fasadave komplekse që shumë njerëz duket se kanë ndërtuar.
Ai zbulon diçka nga marrëdhënia e tendosur që ka ekzistuar prej kohësh pothuajse kudo mes urbanes e rurales, mes qytetit dhe fshatit.
E kaluara e zymtë peshon fuqishëm në të tashmen, pavarësisht se një shtrese të shoqërisë shqiptare i pëlqen për ta shmangur.
Në përshkrimet thellësisht tronditëse të dhunës, ata që flasin në këtë libër janë personazhe që në shëmbëllimin e atë Zef Pllumit “rrojnë për të treguar” në një pikë kulminante agonizuese, ku asgjë nuk është më e frikshme. Kujtimet e familjes së Kolë Kurtit gjithashtu japin mësime të qarta për të sotmen.
Kapitujt e historitë e librit ndjekin një trajektore mbërthyese, duke të kthyer pas në kohë dhe në hapësirë, në mjedise e ngjarje të jetuara ose të dëgjuara, në një botë të vogël e të mjerueshme në vuajtje, e po kaq të madhe në reflektimet e autorit mbi to.
Ta lexosh atë nuk do të thotë të gjesh jetë të ndriçuara nga stili drithërues i jetës, por jetë të ngecura në lavjerrësin e madh të historisë, të së kaluarës dhe të ardhmes së Shqipërisë./ KultPlus.com
Visar Kryeziu, Vjosa Sadriu Hamiti e Ridvan Slivova janë një ndër fotoreporterët dhe gazetarët e kohës së luftës, që nëpërmjet punës së tyre edhe është dokumentuar një pjesë e viteve të vështira të popullit shqiptar.
Që të tre do të tregojnë për përjetimet e tyre përgjatë asaj periudhe, për ngjarjet që i kanë lënduar më së shumti, për rëndësinë e lajmeve në atë kohë.
Kjo ngjarje do të mbahet në kuadër të shënimit të 26-të vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Takimi me fotoreporterët e luftës dhe gazetare do të mbahet sot, prej orës 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.
Kryengjarja e librit në Kosovë, Panairi mbarëkombëtar i librit “Prishtina 2025” do mbahet më 11-15 qershor.
Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri” vjen edicioni i 25-të i Panairit të librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.
Ceremonia e hapjes do të mbahet sot në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 15 qershor në orën 19:00.
Hyrja për vizitorë: pa pagesë!
Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj: rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit: rreth 6000.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt
– 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës
– 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës
– 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit
Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të ketë të ftuar specialë, shkrimtarë nga Franca, etj./ KultPlus.com
Turizmi në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit prill 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 12.4%, ndërsa net qëndrimet e tyre kanë pasur një rritje edhe më të theksuar prej 17.9%.
Këto shifra tregojnë një rikthim të fuqishëm të interesimit për Kosovën si destinacion turistik, si nga vizitorët vendës ashtu edhe nga ata të huaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në prill të vitit 2024 numri i vizitorëve të jashtëm ishte 30 mijë 014, ndërkaq në prill të vitit 2025 numri i tyre është 32 mijë e 432 vizitorë.
“Në Republikën e Kosovës, në muajin prill 2025, krahasuar me muajin prill 2024, numri i vizitorëve ka pasur rritje për 12.4% ndërsa net qëndrimet e tyre kanë pasur rritje për 17.9%”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj./ KultPlus.com
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh./ KultPlus.com
Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.
Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com
Mbrëmë, publiku në Prishtinë pati mundësinë të jetë dëshmitar i një mbrëmje muzikore që kumbonte nën tingujt e veprave të Chopin, interpretuar me mjeshtëri nga pianisti i njohur britanik, Peter Donohoe, në koncertin që përmbylli edicionin e sivjetshëm të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, shkruan KultPlus.
Në një atmosferë intime dhe të përqendruar tek lëvizjet e Donohoe, audienca pati mundësinë të dëgjojë disa nga veprat më të rëndësishme të kompozitorit Frédéric Chopin.
Koncerti nisi me Barcarolle, Op. 60, një vepër lirike që ngërthen në vete lëkundjen e një varke imagjinare në një natë të qetë veneciane, interpretim ky që e përgatiti publiku që në fillim me bukurinë artistike që do ta përcjellte edhe në pjesën e mbetur. Më pas, Donohoe intepretoi Polonaise-Fantaisie, Op. 61, një nga veprat më enigmatike dhe të fuqishme të Chopin.
Në vazhdim, Donohoe solli dy Nokturnet, Op. 62 dhe më pas Tre Valset, Op. 64 e mbyllën pjesën e parë të koncertit me një shpërthim tingujsh që shkonin nga dramatikja, te e qeta dhe më melankolike.
Pas pushimit, mbrëmja mori një drejtim tjetër artistik, duke shpalosur jehonën e ndikimit të Chopin. Donohoe interpretoi me mjeshtëri ‘10 variacionet dhe fugën mbi një temë të Chopin’ nga kompozitori italian Ferruccio Busoni.
Koncerti u përmbyll me ‘22 variacionet mbi një temë të Chopin-it nga Sergei Rachmaninoff’, ku çdo notë solli një dramë të brendshme, ndjeshmëri dhe virtuozitet. E gjithë kjo performancë më shumë se dy-orëshe u shoqërua me ovacione dhe brohoritje nga publiku, në formë mirënjohje për këtë përjetim.
Pas interpretimit të tij të fuqishëm në mbrëmjen përmbyllëse të Chopin Piano Fest Prishtina, pianisti i Peter Donohoe ndau me KultPlus përshtypjet e tij me një reflektim të thellë mbi përvojën muzikore dhe marrëdhënien e tij me repertorin e zgjedhur.
Donohoe theksoi se Chopin është ndër kompozitorët më sfidues për një pianist, jo vetëm për kërkesat teknike, por edhe për ndjeshmërinë e thellë dhe kompleksitetin muzikor që kërkon interpretimi i veprave të tij.
“E konsideroj Chopin-in, në shumë mënyra, si një nga kompozitorët më kërkues për pianon. Ai, në një farë mënyre, e shpiku stilin modern të të luajturit në piano. Dhe çdo gjë që është shkruar para se ai të jetonte është krejtësisht ndryshe. Edhe shumica e muzikës pas tij është gjithashtu ndryshe. Është një lloj unikaliteti. Qëndron më vete si një individualist. Dhe për mua, kjo ka qenë shumë, shumë sfiduese, disi e ngjashme me Mozart-in, por në një mënyrë pak më ndryshe. Por edhe Mozart qëndron i veçuar mbi të gjithë të tjerët. Dhe këta dy kompozitorë, për mua, janë më të vështirët nga të gjithë, nga aspekti muzikor, teknik, në gjithçka”, tha Donohoe teksa shtoi se është kënaqësi për të që të interpretojë veprat e tij në Prishtinë, në festivalin që mban emrin e Chopin.
Po ashtu, pianisti foli edhe në lidhje me përshtypjet nga publiku dhe qyteti i Prishtinë, duke rikujtoi vizitën e tij të parë në Prishtinë, më shumë se një dekadë më parë.
“Ishte viti 2010 kur erdha për herë të parë, dhe ndryshimi që ka ndodhur që nga ajo kohë është i pabesueshëm, më pëlqen të jem pjesë e këtij ndryshimi dhe ta shoh atë të ndodhë. Është vërtet e mrekullueshme. Dhe janë njerëz shumë të mirë. Sigurisht që janë. Duhet ta them këtë sepse vërtet e mendoj”, tha mes tjerash Donohoe.
Në përmbyllje të këtij edicioni, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, mes emocionesh ndau me KultPlus arritjet e këtij edicioni. Ajo theksoi prezencën e artistëve nga trembëdhjetë shtete të ndryshme, përkushtimin e tyre artistik, si dhe lidhjen e veçantë që tashmë është krijuar me publikun e Prishtinës, një publik që vjen i përgatitur, me njohuri dhe vlerësim të thellë për artistët që performojnë.
“Sivjet kanë qenë nga trembëdhjetë shtete të ndryshme, domethënë artistë që kanë performuar në skenën e Chopin Piano Fest dhe mund të them se vërtet është mbresëlënëse edhe interesimi i publikut, Jemi bërë si familje sepse njerëzit që vijnë, dinë çka i pret, domethënë i lexojnë emrat e artistëve, lexojnë për ta dhe dijnë çfarë bagazhi kanë. Kemi qenë dëshmitarë që interpretimi ishte fantastik qysh nga fillimi, ne kemi pasur edhe recitale pianistike duke filluar nga pianistja polake e cila e ka hapë me një mbrëmje të Shopenit edhe sonte po e mbarojmë me rezidentin e festivalit, maestro Peter Donohoe, i cili është vërtet legjendë e pianizmit botëror, ai përsëri e ka pranuar ftesën tonë dhe e luan një program të jashtëzakonshëm, të vështirë e virtuoz”, shprehet Pula për KultPlus, duke shtuar mes tjerash që si organizatorë janë të kënaqur me arritjet e këtij edicioni.
Besa Luzha, po ashtu bashkë-organizatore e Chopin Piano Fest Prishtina, foli për KultPlus për edicionin e sivjetëm, duke vënë theksin jo vetëm te suksesi artistik i festivalit, por edhe te ndikimi i tij tek publiku pa marrë parasysh nëse janë muzikantë apo jo.
“Në këtë edicion të ‘Chopin Piano Fest’, pothuajse çdo mbrëmje ka pasur publik të ndryshëm, ka pasur edhe të tillë që kanë ardhë pothuajse në çdo mbrëmje. E bukura e festivalit është kur ofron, mbrëmje të ndryshme, me ngjyra të ndryshme, me përmbajtje të ndryshme dhe tërheqë audiencë të ndryshme. Kështu që kemi pasë të ri, të moshuar, muzikantë, jomuzikantë. Për neve kjo është shumë me rëndësi sepse festivali ka këtë mission, të promovojë muzikën klasike edhe te ata që nuk merren profesionalisht me të. Kemi pasë jashtëzakonisht risi, emra të ri, interpretime të reja. Niveli është veç duke shku duke u vërejtë”, theksoi Luzha.
I pranishëm në këtë ngjarje, kryetari i Prishtinës Përparim Rama u shpreh mirënjohur ndaj organizatorëve që çdo vit sjellin këtë frymë të muzikës klasike në kryeqytet.
Është kënaqësi e veçantë që të jem së bashku me të gjithë ju dashamirë të artit. I falënderoj nga zemra dy organizatoret Besën dhe Lejlën që na e mbushin kryeqytetin me tingujt të mrekullueshëm çdo vit. Edhe këtë vit, jemi në vitin e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’ ku arti e kultura shkëlqejnë në kryeqytet nga artistë të vendeve të ndryshme të botës, prej Polonisë në ShBA, Francë, Itali e nga vende të ndryshme të botës që vijnë këtu dhe në njëfarë mënyre edhe sjellin dashuri tek ne por edhe bijnë në dashuri me kryeqytetin, prandaj dua ti falënderoj të gjithëve na krijojnë këtë atmosferë të mrekullueshme këtu në Prishtinë.
Ndërkaq, Chopin Piano Fest Prishtina është mbajtur nga 8 maj deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve, publiku ka pasur undësinë të dëgjojë kryevepra të muzikës botërore, interpretuar nga artistë vendor e të huaj./KultPlus.com
Më 16 qershor do të hapet edicioni i 13-të i festivalit FemArt, nën organizimin e Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, përcjell KultPlus.
Këtë vit, hapja e festivalit përkon me Ditët e Çlirimit të Prishtinës.
Në natën hapëse do të performojë ‘Shkodra Elektronike’, grupi që perfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2025.
Ndërkaq, këtë vit FemArt vjen me moton ‘Çliroje mendjen’ dhe do të zgjasë deri më 21 qershor./KultPlus.com
Aktorja Shengyl Ismaili është nderuar me çmimin “Aktorja më e mirë” në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit SEE Film Festival, përcjell KultPlus
Ajo fitoi këtë vlerësim të rëndësishëm për rolin e saj në filmin “Okarina”, me regji nga Alban Zogjani.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e aktores Shengyl Ismaili:
Me filmin ”OKARINA” fitova cmimin Aktorja me e mire e festivalit “SEE FILM FESTIVAL” te edicionit te 15, e pranoj me shume mirenjohje e dashni!
Falenderim i vecant i shkon regjisorit Alban Zogjani qe ma besoj ket rol e qe nuk u pendu ( BESOJ) si dhe kolegeve te mi te filmit Jehon Gorani, dhe Kastriot Shehi.
Ky cmim eshte per ekipin, per perkushtimin, per artin tone qe nuk njef kufi!/KultPlus.com
Lumi Vjosa, i njohur si lumi i fundit i egër në Europë, pritet të përfshihet në listën e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO, si pjesë e programit ndërkombëtar “Njeriu dhe biosfera”.
Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi të zhvilluar në Nice mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, një mbështetëse e vazhdueshme e Shqipërisë dhe e përpjekjeve të saj për mbrojtjen e pasurive kulturore dhe natyrore.
“Audrey Azoulay, një mikeshë e vyer e Shqipërisë me të cilën kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e kulturës. Tani po kurorëzojmë një tjetër arritje të përbashkët: përfshirjen e Vjosës në trashëgiminë e UNESCO-s, si simbol i harmonisë mes natyrës dhe njeriut”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro shtoi se vendimi zyrtar për përfshirjen e Vjosës pritet në shtator, çka do ta bëjë këtë zonë unike natyrore pjesë të listës prestigjioze të trashëgimisë botërore.
Ky do të jetë një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, duke e përforcuar statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës si i pari i këtij lloji në Europë.
Lumi Vjosa është i njohur si “lumi i fundit i egër në Europë”, pasi rrjedh në mënyrë të lirë për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos), deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.
Lugina e Vjosës është një ekosistem unik, që përfshin habitate të ndryshme si pyje, ishuj ranorë dhe toka bujqësore, më shumë se 1100 lloje bimore dhe shtazore, përfshirë specie të rrezikuara si vidra, pelikanët dalmatianë dhe peshq endemikë, është një korridor migrimi për shumë shpendë dhe një zonë e rëndësishme për biodiversitetin europian./atsh/KulPlus.com
Më 13 qershor do të mbahet promovimi i librit më të ri të autorit Ballsor Hoxha, me titull “Sytë e zinj të Borës”, përcjell KultPlus.
Promovimi so të mbahet nga ora 18:00, në Librarinë Dukagjini në Prishtinë.
Gjatë promovimit do të ketë diskutime nga tre panelistët nga fusha akademike dhe letrare: Edona Llukaçaj, Bardh Rugova dhe Agron Gashi. Po ashtu, në diskutim do të marrë pjesë edhe vetë autori Ballsor Hoxha./KultPlus.com
Pas prezantimit në konferencën I/O 2025, Google ka filluar testimin e funksionit të ri “Search Live” në modalitetin AI të aplikacionit të tyre për Android dhe iOS, raporton 9to5Google.
Ky opsion shfaq një formë valëzuese me yll nën shiritin e kërkimit dhe një buton të ri rrethor gjatë bisedave me AI, duke zëvendësuar Google Lens. Ndërfaqja mbulon ekranin me opsione “Mute” dhe “Transcript”, dhe pas pyetjes shfaq karusel me faqet e përdorura për përgjigjen.
Përdoruesit mund të vazhdojnë bisedën në sfond, ndërsa opsioni i kamerës nuk është ende aktiv. Funksioni do të shpërndahet gradualisht për përdoruesit./KultPlus.com
Ndoshta të dua. Ndoshta të dua shumë. Por pikërisht për këtë arsye ndoshta do të jetë më mirë që të mbetemi ashtu siç jemi. Ndoshta një burrë dhe një grua janë më pranë njëri-tjetrit kur nuk jetojnë bashkë dhe e dinë se vetëm ekzistojnë, kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit vetëm sepse ekzistojnë dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston. Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.
Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com
Aktori i njohur kosovar Afrim Muçaj është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival, i cili u mbajt në Paris, shkruan KultPlus.
Muçaj mori këtë vlerësim për rolin e tij kryesor në filmin “Everybody Calls Redjo”, një prodhim i cili po tërheq edhe vëmendjen ndërkombëtare.
Pas këtij çmimi, Afrim Muçaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar me këtë vlerësim.
“Jam i lumtur dhe thellësisht i nderuar që roli im në filmin ‘Everybody Calls Redjo’ është vlerësuar me çmimin ‘Aktori më i mirë’ në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris”, theksoi Muçaj.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e punës ekipore dhe dedikimit që qëndron pas këtij filmi.
“Ky çmim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe një mirënjohje për punën e palodhur të gjithë ekipit që qëndron pas këtij filmi në krye me Ibron”, tha ai teksa shtoi se momente si ky të kujtojnë pse ia vlen të mos heqësh dorë kurrë.
Ai më tutje e përshkroi çmimin si një shtysë për të vazhduar rrugëtimin artistik me më shumë përkushtim.
“Ky çmim është edhe një nxitje për të vijuar rrugëtimin tim artistik me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni. E ndaj këtë sukses me publikun, me kolegët e mi dhe me të gjithë ata që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në punën time. Çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik”, përfundoi Muçaj për KultPlus.
Ndërkaq, filmi “Everybody Calls Redjo” është një dramë sociale e ndërtuar rreth jetës së një të riu që lufton me paragjykimet, vetëpranimin dhe raportet familjare në një mjedis të ngarkuar emocionalisht.
Roli i Redjos, i interpretuar nga Afrim Muçaj, është një portretizim kompleks i një individi që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri që shpesh refuzon të kuptojë ndjeshmërinë dhe dallueshmërinë.
Me regji nga Ibër Deari, në filmi “Everybody Calls Redjo” luajnë edhe aktorër Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com
Aktori kosovar, Afrim Muçaj është shpallur ‘Aktori më i mirë’ në festivalin ‘See Film Festival’ në Paris, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Ibër Deari në profilin e tij në Facebook.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e Dearit:
Afrim Muçaj shpallet “Aktori më i mirë” në SEE Film Festival 2025 – Paris
Jam i lumtur dhe krenar të ndaj me ju lajmin se aktori Afrim Muçaj, në rolin e Rexhes, Everybody Calls Redjo është shpallur “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris
Ooo Rexhep Nushi urime çmimin, shume i lumtur për ty.
Faleminderit jurisë prestigjioze dhe të gjithë atyre që besuan në këtë histori. Juria ndërkombëtare e përbërë nga: Frosa Pejoska-Bouchereau (kryetare), Madalina Vartejanu-Joubert, Igor Stanković, Frederic Fappani von Lothringen, Yves Rousslet,/KultPlus.com
Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikprerë kulturën e artin suedez, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Më 13 qershor, Nina Wedberg Thulin dhe Maria Backman, do të çelin ekspozitën përfshirëse “Fleeing”.
Një natë më pas, do të ketë një koncert me muzikë klasikë, i cili do të zhvillohet në Teatrin e Metropolit.
Ruajtja e së kaluarës dhe formësimi i së ardhmes, do të jetë një tjetër aktivitet i cili do të zhvillohet tek Kube, në Gjirokastër.
Ky aktivitet, që do të zhvillohet më 16 qershor do të jetë një takim mes kulturës shqiptare dhe asaj suedeze në qytetin historik të Gjirokastrës, për të reflektuar mbi trashëgiminë dhe bashkëpunimin.
Performanca e këngëtares Jenny nga grupi legjendar Ace of Base do të jetë kulminacioni i Javës Kulturore Suedeze, me një super performancë live që do të elektrizojë sheshin “Skënderbej” mbrëmjen e datës 17 qershor.
Dhe në 18 qershor do të ketë aktivitete kushtuar përdorimit të biçikletës nën moton “Së bashku për një Shqipëri më të gjelbër & më të sigurt”.
Me pak fjalë, Java Kulturore Suedeze do të jetë e mbushur me art, muzikë, trashëgimi kulturore dhe aktivizëm qytetar./KultPlus.com