Apple gati për prezantimin e “unazës inteligjente”

Pritjes për hyrjen e Apple në teknologjinë e unazave inteligjente duket se po i vjen fundi. Gjiganti i teknologjisë po përgatitet të kalojë fazën e patentave. Sipas “Electronic Times”, zhvillimi i Apple tregon se ka gati produktin për në treg.

“Duket e mundshme që komercializimi është afër”, ka thënë raporti, me burime brenda zinxhirit të furnizimit. Megjithëse specifikat në lidhje me datën e lansimit të “Unazës së Apple” mbeten të panjohura, kushtet aktuale të tregut tregojnë se ajo datë mund të vijë shumë shpejt.

Interesi i Appleit për teknologjinë e unazave inteligjente daton disa vite më parë. Në vitin 2015, Bloomberg prezantoi një patentë të Appleit që përshkruan unazën e pajisur me një ekran me prekje. Në vitet në vijim, u shfaqën patenta shtesë që parashikonin unazë të aftë për të kontrolluar një sërë pajisjesh, duke përfshirë Mac, Apple TV, iPad dhe pajisje VR.

Apple zakonisht pret përpara se të lansojë lloje të reja produktesh. Atyre u pëlqen të presin derisa teknologjia të jetë vërtet e mirë dhe kur shumë njerëz janë të interesuar. Apple Watch është një shembull i mirë për këtë. U bë i njohur sepse Apple priti momentin e duhur për ta lansuar. Tani duket se kanë në plan të bëjnë të njëjtën gjë edhe me unazën inteligjente./ KultPlus.com

Paraqitet libri i humanistes Marianne Graff për florën dhe faunën e Divjakë-Karavasta

“Thesari natyror i klasit botëror” titullohet libri i paraqitur sot në Divjakë nga humanistja Marianne Graff, Konsulle Nderi, presidente e Albania-Austria Partnerschaft për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm edhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner, si dhe shumë qytetarë e dashamirës të natyrës.

Administratori i udhërrëfyesit turistik Divjakë-Karavasta, Altin Hila tha për ATSH-në se, “ky libër është i vetmi material deri më sot, ku janë të përmbledhura mjaft bukur me anë të fotove dhe përshkrimeve flora dhe fauna e territorit të parkut Divjakë-Karavasta”.

“Materiali i punuar me shumë dashuri nga Marianne Graf dhe bashkëpunimi ynë i pakursyer bënë që ky libër të jetë mjaft i vlefshëm dhe i kuptueshëm nga të gjitha moshat dhe kategoritë e shoqërisë”, theksoi Hila.

Hila bën të ditur se libri është i përkthyer në dy gjuhë të tjera, anglisht dhe gjermanisht, gjë që i jep vlerë edhe përtej kufijve. Cilido dashamirës i natyrës që arrin ta prekë e shfletoj patjetër do të gjejë dhe mahnitet me realitetin e kësaj zone nëpërmjet fotove të gjalla”.

Pas promovimit të librit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Udhërrëfyesve Turistikë, AdZM Fier në bashkëpunim me udhërrëfyes të ndryshëm nga i gjithë vendi bënë të mundur mbjelljen e 1 mijë fidanëve të llojit Pishë e butë, një dhuratë e çmuar nga Marianne Graf.

Divjaka mbetet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve natyrë, histori, arkeologji, vrojtim zogjsh, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj”.

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./ atsh / KultPlus.com

E vetme në Londër me vetëm 15-të vjet, Dua Lipa: Në Londër kishte më shumë mundësi për muzikë

Ylli shqiptaro-britanik, Dua Lipa ka emocionuar me një rrëfim të bërë së fundmi në emisionin e famshëm britanik “The Graham Norton Show”, ku ka folur për sakrificat e emigracionit që në moshë të vogël me familjen e saj.

E lindur fillimisht në Londër nga prindër shqiptarë që ikën nga konflikti dhe paqëndrueshmëria politike në Ballkan, Dua u largua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2008 kur familja e saj u zhvendos në Prishtinë për të jetuar, pasi Kosova shpalli pavarësine.

Megjithatë, pas disa vitesh, Dua vendosi të kthehej në Britaninë e Madhe në moshën 15-vjeçare për të ndjekur ëndrrat e saj për t’u bërë një yll i muzikës pop, shkruan DailyMail.

Ajo shpjegoi: “U ktheva në Londër nga Kosova vetëm kur isha 15 vjeçe sepse kishte më shumë mundësi në muzikë në Londër. Ishte një kohë e mirë”.

E pyetur se si ndihej duke bërë një lëvizje kaq të madhe në një moshë kaq të re, interpretuesja e hitit “Levitating” zbuloi se pavarësisht mungesës së tyre fizike ajo ndihej jashtëzakonisht e mbështetur nga familja e saj.

“Jam shumë pranë prindërve të mi, të cilët më besuan shumë, ndaj isha sa më mirë. Familja ime më mbështet në të gjitha çmenduritë”, ka treguar Dua.

Dua u kthye në Britaninë e Madhe në vitin 2014, pasi besonte se duhej të shpërngulej nëse donte të depërtonte në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Ukrainaset në Kosovë kujtojnë ditën kur nisi lufta

Pas një nate të bukur në një koncert filarmonie, Lyudmila Makey u zgjua nga zhurma e avionëve që kalonin mbi dritaret e shtëpisë së saj në Kropivnitski në Ukrainën qendrore, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Rusia kishte filluar të sulmonte Ukrainën në shkallë të plotë.

Tentimi për të kontaktuar vajzën e saj në Kiev – kryeqytetin ukrainas – ishte gjëja e parë që Lyudmila bëri mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022

Por, iu desh të priste tërë ditën që të mund të mësonte se ajo ishte mirë.

“Njëzet e katër shkurti ishte me ngjyrë të zezë, gri dhe të bardhë. Nuk pashë ngjyra të tjera”, thotë Lyudmila në një bisedë me Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, derisa kujton ditën kur Kremlini filloi pushtimin e vendit të saj.

Ngjyrat e ylberit, thotë ajo, u zbehën për ukrainasit atë ditë.

“Doja ta evakuoja vajzën time nga Kievi por nuk e dija si ta bëja, sepse nuk kishim asnjë mundësi. Vetëm në mbrëmje ajo më telefonoi dhe më tha, ‘Nënë, jam mirë, jam gjallë’”, thotë gazetarja ukrainase e strehuar në Kosovë prej prillit të vitit 2022.

Edhe pse nuk e priste të fillonte, për luftën veçse po diskutohej në bisedat me shoqërinë e saj.

“Dëgjova muzikë (më 23 shkurt në filarmoni) dhe ndjeva se ky koncert mund të jetë koncerti i fundit në jetën time. Dhe kujtoj bisedën me kolegët dhe miqtë atë ditë, ‘ndoshta ditën tjetër lufta mund të fillojë’”, thotë Lyudmila.

Një ditë më pas, ajo thotë se ndodhi dita më e tmerrshme e jetës së saj – tmerri që vazhdoi.

“Nuk dinim si të reagonim, ku të fshiheshim, çfarë të bënim”, thotë ajo, derisa tregon se fillimisht ishin larguar në një tjetër qytet për t’u strehuar.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, mori jetët e mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

Presidenti rus Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Aktualisht, mbi 6 milionë njerëz jetojnë si refugjatë jashtë Ukrainës.

Dikur familja e Lyudmilas besonte se lufta e fundit për të cilën do të flisnin ishte Lufta e Dytë Botërore – ku edhe humbi gjyshin e saj.

“Fatkeqësisht e kishim gabim”.

Lufta në Ukrainë e ka thyer familjen e saj, duke i ndarë familjarët në vende të ndryshme. Disa prej tyre u larguan në vende të tjera të Evropës, ndërsa të tjerë qëndruan në Ukrainë.

Me insistimin e njërës vajzë të saj, që jetonte Bratislavë të Sllovakisë, Lyudmila iu bashkua asaj, pak kohë pas nisi lufta.

Atje kishte lexuar për programin për gazetarë rezidentë, vendosi të aplikonte, dhe në prill të 2022-ës arriti në Kosovë.

“Gazetarët në Rezidencë” është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Përmes këtij programi mundësohet strehimi i përkohshëm për gazetarët ukrainas.

Kosova, po ashtu, është rreshtuar krah Perëndimit, duke i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur më 2022 në Ukrainë.

Në Kosovë, Lyudmilas i janë bashkuar edhe 13 gazetare të tjera ukrainase.

Ato ndjekin kurse të gjuhës angleze në Prishtinë dhe angazhohen në projekte me mediat ukrainase dhe ato evropiane.

Në mesin e tyre edhe Tetiana Kraselnikova nga Kremençuku, po ashtu, në Ukrainën qendrore dhe Iryna Synelnyk nga Çernihivi, qytet në veri të Ukrainës.

“Ende nuk mund të besoj se kjo është e vërtetë, sepse është një situatë e tmerrshme, shpresoj që të përfundojë me fitoren tonë”, thotë Tetiana në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, e cila në Prishtinë është bashkë me djalin e saj nëntëvjeçar.

Një ditë para pushtimit rus, ajo kishte marrë pjesë në një festë me kolegët e saj. Të nesërmen, thotë ajo, kuptuan se ishte bombarduar klinika në të cilën do të operohej babai i saj.

“Ne besuam se ndoshta do të zgjasë një muaj, por nuk ishte e vërtetë. Ne nuk po mund të shohim fundin”, thotë ajo.

Iryna nga Çernihivi, më 24 shkurt 2022, u zgjua nga një telefonatë e motrës së saj, duke i thënë se kishte filluar pushtimi.

“Nuk e besoja fillimisht, si ishte e mundur në qendër të Evropës, në shekullin 21?”, pyet ajo.

“U shqetësova për familjen sepse nuk e dija çfarë do të ndodhte, është e tmerrshme kur nuk e di se çfarë të pret”.

Disa ditë para se të niste lufta, ajo e kishte humbur babanë si pasojë e COVID-19.

“Nuk isha gati, nuk dija çfarë të bëja, jetova gjashtë javë në territor të pushtuar”, thotë ajo.

Edhe Lyudmila, edhe Tetiana, edhe Iryna ndihen të sigurta në Kosovë, por ëndërrojnë të kthehen në shtëpi.

“Jetoj në Prishtinë, por zemra dhe mendja ime janë në Ukrainë. E di kush janë miqtë dhe armiqtë tanë. E di që kam fuqi të jem e dobishme për Ukrainën, por edhe për Kosovën – këtu takova shumë njerëz, shumë të këndshëm, të shoqërueshëm. Ata ishin gati të na ndihmonin, sepse edhe ata e kujtojnë kohën e luftës këtu në vitet 1998-1999”, thotë Lyudmila.

“Kur më pyesin se a e pëlqej Kosovën, unë ju them jo – e dua Kosovën, është shtëpia dhe dashuria ime e dytë. Kështu do të jetë gjithmonë”, thotë ajo. / KultPlus.com

Ekspozita kolektive “Ngjarja e Një Fijeje. Narrativat Globale Në Tekstil”, vjen në GKK

“Ngjarja e Një Fijeje. Narrativat Globale Në Tekstil“, e kuruar nga Inka Gressel, Susanne Weiß dhe Hana Halilaj do të hapet të enjten, 29 shkurt në ora 19:00.

Në qendër të ekspozitës të quajtur “Ngjarja e Një Fijeje. Narrativat Globale në Tekstil”, janë tekstilet ku fokusi qëndron në pyetjet si: Çfarë kuptime dhe porosi të qenësishme mund të gjenden në pëlhura? Cila është rëndësia e tyre kulturore? Si mund të ‘lexohen’ tekstilet? Çfarë mund të na tregojnë pëlhurat për origjinën, kuptimin dhe rolet e tyre në shoqëri? Cilat teknika tradicionale të tekstilit kanë përvetësuar, përhumbur, zhvendosur dhe rikthyer në jetë artistët? Tekstilet formojnë vendin ku arti takohet me artizanatin, traditat takohen me ditët e sotme dhe njohuritë lokale kryqëzohen me marrëdhëniet globale.

Ekspozita nxjerr në pah shumë mënyra komplekse në të cilat artistët pjesëmarrës punojnë me tekstile. Ato i lidhin narrativat personale dhe estetike me konfigurimin social dhe ekonomik të botës së globalizuar.

Në vitin 1965, artistja e Bauhaus, Anni Albers e përshkroi “ngjarjen e një fijeje” si diçka shumëlineare, pa fillim apo fund: më gjerësisht, ajo nënkupton fushëveprim të vazhdueshëm për të rivlerësuar marrëdhëniet dhe për të ristrukturuar lidhjet dhe kontekstet.

Në të gjitha pjesët e botës mund të dëshmohen mbishkrimet komplekse të tekstileve nëpër historitë e tyre kulturore dhe industriale.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, kjo ekspozitë udhëtuese fillon me thurjen e ndërlikuar të narrativave nga globi dhe inicion dialogje të reja në kontekstin lokal. Historitë janë të thurura me shkathtësi në pëlhura dhe tekstile skulpturore, duke theksuar natyrën dinamike dhe të gjithanshme të fibrave.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 28 prill, 2024. / KultPlus.com

Performanca artistike “MuSiNe”, homazh për zërat e mbytur prej diktaturës

“Ditët e Kujtesës ’24” erdhën me një performancë artistike në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”, frymëzuar nga jeta dhe vepra e qëndrestarëve të diktaturës, si Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Sabiha Kasimati, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Uran Kostreci, etj.

Performanca e titulluar “MuSiNe”, u realizua nga studentët e Klubit të Dramës, departamenti i Letërsisë (UT), me kuratore Erestina Gjergji Halilin dhe me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

Shfaqja ishte një homazh në përkujtim të atyre që patën guximin dhe kurajon të kundërshtonin regjimin diktatorial në Shqipëri.

Performanca artistike frymëzuese në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” solli me gjallëri zërat dikur të mbytur, duke demonstruar fuqinë e artit dhe këmbënguljen për të kapërcyer vështirësitë.

Muzeu “Shtëpia me gjethe” e konsideroi këtë performancë më shumë se një shfaqje, një udhëtim të thellë nëpër histori, duke u bërë homazh atyre që luftuan me guxim për lirinë dhe të vërtetën.

Performancë artistike. Fotot nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Kjo është shifra marramendëse që Dua Lipa merr për një postim në Instagram

Agjencia e Ndikimit renditi secilin prej yjeve të njohur që luajtën në filmin madhështor të Greta Gerwig, duke i vlerësuar ata sipas numrit të ndjekësve në Instagram dhe duke përdorur mjete marketingu për të llogaritur potencialin e tyre të ardhurash nëse ata do të publikonin një postim të sponsorizuar por kishte dy njoftime të rëndësishme.

Ryan Gosling i cili interpretoi rolin e Kenit por nuk është i pranishëm në mediat sociale, ndërsa Barbie e interpretuar nga Margot Robbie është tërhequr nga platforma.

Artistja me famë botërore Dua Lipa luan “Mermaid Barbie” në filmin e ri.

Dua Lipa ka 90 milion ndjekës në Instagram dhe çdo postim i saj merr mesatarisht dy milion pëlqime.

Sipas kompanisë ndërveprimet që merr një postim i saj, pjesëtim me numrin e ndjekësve është 2.33%.

Pra, artistja mund të fitojë deri në 234,298 dollarë për një postim të vetëm të sponsorizuar në Instagram, thotë kompania. / KultPlus.com

QKLL shpall 10 finalistët e Çmimit “Lumo Skëndo”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli 10 kandidaturat e Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2023.

Ky vlerësim shkon për veprën më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Në këtë përzgjedhje vlerësohen autorët më të mirë në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore, duke sjellë në vëmendjen e publikut emrin e një figure të shumanshme, siç është bibliofili Mit’hat Frashëri.

Kandidatët e këtij viti janë: Ilir Ikonomi me “Fan Noli-Apostulli” nga UET Press, Thomas Frashëri me “Frashëri i shquar, i panjohur” nga Onufri, Ardit Bido me “Beteja për 20 përqindëshin” nga Dudaj, Namir Lapardhaja me “Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit” nga UET Press, Artan Fuga me “Zbulimi i Erosit në Antikitet” nga Papirus, Natasha Lako me “Njeriu si një tjetër” nga UET Press, Blendi Fevziu me “Takimet e mia me…” nga UET Press, Migjen Kelmendi me “Unë jam Kosovë” nga UET Press, Astrit Lulushi me “Dëshmi dhe kujtesë” nga QTAL dhe Erion Kristo me “Publicistikë e zgjedhur” nga Onufri.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006 dhe nxit e mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare. / atsh / KultPlus.com

NASA kërkon katër vullnetarë për në Mars

A keni menduar ndonjëherë se si është të jetosh në Mars? Tani ju mund të përjetoni jetën në Planetin e Kuq në një simulim të drejtuar nga NASA, shkruan cbsnews.com.

Agjencia hapësinore është në kërkim të pjesëmarrësve për të jetuar në Mars dhe për t’i ndihmuar ata të përgatiten për eksplorimin njerëzor të planetit.

”Ky është i dyti nga tre misionet, i cili do të shohë katër vullnetarë të jetojnë në një zbulim të Marsit prej 1 700 metrash katrorë”, njoftoi NASA.

Misionet, të quajtura CHAPEA, për Analogun e Eksplorimit të Shëndetit dhe Performancës së Ekuipazhit, zhvillohen në një habitat marsian të printuar në 3D në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston, Teksas.

Simulimi, i quajtur ”Mars Dune Alpha”, simulon një habitat të ardhshëm në Mars me zona të veçanta për të jetuar dhe punuar.

Ai përfshin katër dhoma banimi për secilin vullnetar, një hapësirë ​​pune, një stacion mjekësor, zona të pritjes, një kuzhinë dhe stacione për rritjen e ushqimit.

Ashtu si jeta në Mars, burimet do të jenë të kufizuara. Vullnetarët në simulim do të kryejnë shëtitje të simuluara në hapësirë ​​dhe do të duhet të punojnë për të ruajtur habitatin, për të rritur të korrat dhe për të punuar me robotikë.

Ata do të përjetojnë stresorët tipikë mjedisorë të planetit, si dhe dështimet e pajisjeve dhe vonesat e komunikimit.

Misioni tokësor do të fillojë në pranverë të vitit 2025 dhe të interesuarit kanë kohë për të aplikuar deri më 2 prill. Për t’u kualifikuar, ju duhet të jeni një shtetas i “motivuar” i SHBA ose banor i përhershëm i saj midis moshës 30 dhe 55 vjeç.

”Ju duhet të flisni anglisht dhe të jeni jo duhanpirës. Aplikantët duhet të kenë një dëshirë të fortë për aventura unike dhe shpërblyese dhe një interes për të kontribuar në punën e NASA-s për t’u përgatitur për udhëtimin e parë njerëzor në Mars”, thekson NASA.

Aplikantët duhet gjithashtu të kenë përvojë pune në fushën STEM, me diplomë master në inxhinieri, matematikë, biologji ose shkenca të tjera dhe përvojë profesionale ose të paktën dy vjet punë doktorature në këto fusha ose një program pilot provë./ atsh / KultPlus.com

”Odysseus” anija e parë private kozmike që ulet në Hënë

Një anije e ndërtuar nga një kompani amerikane e fluturimeve hapësinore është bërë anija e parë kozmike në pronësi private që u ul në Hënë.

”Nova-C Odysseus” i Intuitive Machines u ul në rajonin e polit jugor të Hënës në orën 23:23 pasdite (23:23 GMT).

Ky moment shënoi gjithashtu uljen e parë të SHBA-së në Hënë që nga misioni përfundimtar i programit ”Apollo”, ”Apollo 17”, më shumë se 50 vjet më parë.

Lajmi u konfirmua nga shefi ekzekutiv i Intuitive Machine, Steve Altemus, i cili tha se ”jemi në sipërfaqe dhe po transmetojmë. Mirë se erdhe në Hënë!”.

Anija kozmike u nis javën e kaluar nga Florida mbi një raketë ”Falcon 9” të bërë nga kompania ”SpaceX” e Elon Musk.

”Odysseus” është një cilindër gjashtëkëndor rreth katër metra i gjatë dhe 1,57 metra i gjerë dhe peshon 675 kilogramë.

Anija u ul në Malapert A, një krater 186 milje (300 kilometra) nga poli jugor i Hënës.

Poli mendohet se përmban akull, i cili do të ishte një burim i vlefshëm për eksplorimin e ardhshëm njerëzor.

Në bord janë 12 ngarkesa, përfshirë një instrument të NASA-s të njohur si Scalpss (Stereo Cameras for Lunar Plume-Surface Studies).

Ai mban një grup prej 125 skulpturash të vogla, të quajtura Fazat e Hënës, të krijuara nga artisti amerikan, Jeff Koons.

Deri më tani, uljet e kontrolluara në Hënë janë kryer vetëm nga agjencitë qeveritare, duke përfshirë SHBA-në, Bashkimin Sovjetik, Kinën, Indinë dhe Japoninë.

Një mision i dytë Intuitive Machines është planifikuar të ngrihet muajin e ardhshëm, me synimin për të shpuar burime në polin jugor të Hënës./ atsh / KultPlus.com

Kënga e Bebe Rexhes është kënga e pestë më e shitur në Shtetet e Bashkuara

Artistja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha po vazhdon suksesshëm rrugëtimin e saj në muzikë duke sjell në vazhdimësi këngë të suksesshme e duke arritur majat në toplista.

Një ndër hitet e saj “Meant to be” në bashkëpunim me grupin “Florida Georgia Line” tanimë është kënga e pestë më e shitur në Shtetet e Bashkuara.

Kjo këngë i dha Bebe Rexhës nominime në ngjarje të rëndësishme të muzikës si “Grammy Awards”, “MTV Video Music Awards” e të tjera. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gratë janë boshti i historisë së popullit të Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se gratë janë boshti i historisë së Kosovës në etapa të ndryshme shtetërore. Një gjë të tillë ajo e deklaroi në konferencën rajonale  “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.

“Në bosht të historisë, popullit tonë – Kosovës, si në kohën e rezistencës paqësore ashtu edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; edhe pasluftës në procesin e shtetndërtimit, por edhe sot përderisa fuqizojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtyrë para në mënyrë vendimtare paqen dhe sigurinë në vendin tonë e më gjerë”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka deklaruar se pjesëmarrja e grave në proceset e paqes dhe sigurisë s’është veç çështje barazie dhe drejtësisë, por është gurthemeli për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vend, rajon dhe më gjerë.

“Kabineti im me përkrahjen e zyrës së sekretarit Blinken do të themelojë qendrën e ekselencës, e cila është bërë pjesë e strategjisë së SHBA-ve për gratë, paqen dhe sigurinë. Pres që në kuadër të kësaj zyre të konsolidojmë gjithnjë e më shumë partneritete të reja dhe të jetësojmë nisma e projekte që fuqizojnë rolin e parlamenteve dhe rolin e grave në to”, ka thënë ajo.

Gratë në rrafshin global sipas presidentes së Kosovës, luajnë rol vendimtar për ndërtimin e mirëkuptimit dhe sigurimit që marrëveshjet e paqes të jenë gjithëpërfshirëse.

“Kur gratë përfshihen në procese të paqes, marrëveshjet e vijnë më shpejt por kanë edhe qëndrueshmëri më afatgjatë. Gratë sjellin perspektiva, strategji dhe zgjidhje unike në tryezë që shpesh anashkalohen në mjediset e dominuara nga burrat”, ka shtuar Osmani./RTK/ KultPlus.com

Stafi akademik i UNI – Universum International College vazhdon të certifikohet nga Arizona State University për zhvillim pedagogjik

Në kuadër të partneritetit në mes UNI – Universum International College dhe Arizona State University, stafi akademik i UNI vazhdon të certifikohet për trendet dhe metodologjitë më të fundit edukative përmes Moduleve të ofruara për Zhvillim Pedagogjik të Stafit Akademik. Programi i kësaj radhe paraqet modele më të reja të të mësuarit efektiv dhe angazhimit të studentëve gjatë orëve mësimore. Ky program është i modifikuar sipas nevojave specifike të ligjëruesve të UNI – Universum International College dhe i ofrohet edhe rrjetit të universiteteve partnere të Arizona State University.

Përmes këtij trajnimi, njëra prej profesoreshave të certifikuara, prof. Nesrin Jahja, u shpreh: “Unë kam fituar njohuri të ndryshme të teknikave të reja të angazhimit të studentëve dhe kam mësuar strategji praktike për zbatimin e tyre në hartimin e materialeve mësimore. Për më tepër, jam njoftuar me rekomandime dhe praktika më të mira për të përmirësuar rezultatet e të nxënit. Jam shumë e emocionuar të zbatoj teknikat dhe strategjitë që kam përvetësuar në ligjëratat e mia, duke nxitur një mjedis që promovon suksesin e studentëve.”

Stafi akademik i UNI është trajnuar me materialet e Arizona State University në pedagogjinë më të fundit dhe praktikat më moderne të arsimit.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth mundësive të studimit,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram.

Përvjetori i gazetës së parë shqiptare “L’albanese d’Italia”

Më 23 shkurt të vitit 1848, u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”.

Ky botim periodik, që cilësohet si gurthemeli i shtypit kombëtar, u botua nën drejtimin e një prej figurave qendrore të periudhës së Rilindjes, shkrimtarit arbëresh Jeronim De Rada.

Gazeta, shkruar kryesisht në gjuhën italiane dhe pjesërisht në arbërisht, shërbeu si një tribunë e komunikimit të mesazheve politike, shoqërore e kulturore, në përpjekje për të krijuar dhe informuar opinionin publik të komunitetit arbëresh në Itali. Për këtë qëllim, në disa prej numrave të saj, janë publikuar lajme të shumta mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

De Rada, i cili gëzon atributet e “babait” të gazetarisë shqiptare, përveç konceptimit të periodikut, kishte marrë nën ngarkim të plotë kryerjen e çdo procesi të parashikuar deri tek shtypshkrimi i përmbajtjes. Në vijim atij do t’i vinte në ndihmë një bashkëpunëtor, studenti Nicola Castagna. Personaliteti i botës arbëreshe, ndërmori në vitin 1883 edhe botimin e revistës së parë në gjuhën shqipe, “Flamuri i Arbërit”./ atsh / KultPlus.com

Një grup fëmijësh ukrainas sot mbajnë fjalim në OKB për “t’iu kujtuar amerikanëve kostot njerëzore”

Një grup i vogël fëmijësh ukrainas të mbijetuar nga lufta do t’i drejtohen një sesioni privat të këshillit të sigurimit të OKB-së të premten, pjesë e një përpjekjeje të Kievit për t’iu kujtuar amerikanëve kostot njerëzore të një konflikti të prekur gjithnjë e më shumë nga politika e brendshme amerikane, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ata që do t’i drejtohen trupit të OKB-së, një ndalesë në kuadër të një vizite më të gjerë në SHBA, përfshijnë Kira, 14 vjeçe dhe Ilya, 11 vjeçe, nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, duke shpresuar që historitë e tyre personale do të rezonojnë me republikanët në një kohë kur një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën është bllokuar në Dhomë.

“Isha duke qëndruar në një stacion autobusi në orën 6 të mëngjesit, duke pritur të shkoja në shkollë, kur fillova të dëgjoja disa shpërthime. Atëherë kuptova se lufta kishte filluar”, tha Kira për Guardian përpara udhëtimit të saj në Nju Jork, i cili do të pasohet nga një vizitë në Uashington.

Ajo kaloi rreth një muaj duke u strehuar, duke u fshehur në shtëpi, bodrume dhe në një moment në një kishë, pasi Mariupol ishte goditur dhe ushqimi, uji dhe energjia elektrike ishin jashtëzakonisht të pakta.

Në fillim ajo iku te gjyshi i saj, pastaj me babanë e saj, Yevhen Obedinskyi, në “një lagje të zhurmshme”, tha Kira ku “mbi rreth një javë e gjysmë, shpërthimet u dëgjuan gjithnjë e më shumë”. Përfundimisht arriti në pikën ku ata mendonin se duhej të iknin.

Yevhen u vra meqë “rusët po gjuanin në dritare”, Kira dhe familja me të cilën ishte, u desh ta linin trupin e tij pas, duke ikur për t’u fshehur në një bodrum ku mund të duronin edhe pak.

Pas disa javësh të dëshpëruara, vajza, anëtarët e familjes së të dashurës së babait të saj dhe disa familje të tjera më në fund u përpoqën të largoheshin nga Mariupol. Ajo kujton se u thanë se do t’u jepej çokollatë nëse dilnin nga qyteti, por ata u kapën nga separatistët pro-rusë.

Një fëmijë pesëvjeçar në grup u plagos rëndë në kapje. Kira kujton se “ndodhi një bum” dhe ajo përfundimisht përfundoi në një spital në Donetskuun e pushtuar, nga ku thotë se rusët i thanë se do të dërgohej në një jetimore nëse të afërmit e saj nga Ukraina nuk mund të kalonin linjat për ta marrë atë.

Babai i Yevhen, Oleksander Oberdinskyi, mori vesh për vendndodhjen e mbesës së tij dhe ndërmori një betejë dymujore për ta kthyer atë në Ukrainë, e cila e përfshiu atë duke bërë një udhëtim të rrezikshëm në Donetsk për ta shpëtuar me sukses.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës vlerëson se 528 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë gati dy vjet më parë dhe 2134 janë të zhdukur. 19,500 të tjerë besohet se janë rrëmbyer dhe dërguar në Rusi, me disa që janë riedukuar me forcë me një “arsimim patriotik pro-rus dhe të lidhur me ushtrinë”, thuhet në një raport të SHBA.

Gjykata penale ndërkombëtare në Hagë lëshoi urdhra-arresti për Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, në mars të vitit 2023, duke argumentuar se kishte arsye për të dyshuar se ata mbanin përgjegjësi për “deportimin e paligjshëm” të mijëra fëmijëve. / KultPlus.com

Bazilika e Linit, një ndër destinacionet më të vizitura në Shqipëri

Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI, përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. DRTK Korçë publikoi në rrjetet sociale imazhe fotografike mbresëlënëse të kësaj bazilike.

Bazilika e Linit u zbulua në vitin 1967 nga një ekspeditë e muzeut të Pogradecit. Bazilika përbëhet nga naosi, dy kapela me absidë në jug dhe veri, baptiseri, atriumi, dhe një kapelë katërkonkshe.

Gjithë kompleksi ka dyshemetë e shtruara me mozaikë të cilët shfaqin motive gjeometrike, bimore dhe zoomorfe, ku mbizotërojnë elementët fetare. Mozaiku i Linit është një trashëgimi e çmuar kulturore dhe njëkohësisht konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.

Sot kjo bazilikë së bashku me mozaikun është kthyer në një pikë interesante turistike. Ekspozimi i mozaikut të Linit ka tërhequr tashmë vëmendjen e turistëve të huaj duke e bërë Linin një ndër destinacionet më të vizitura në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

PEN Qendra sot me aktivitet në Fakultetin e Filologjisë

Në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, sot PEN Qendra e Kosovës zhvillon aktivitetin e vet kulturor të radhës.

Aktiviteti fillon në orën 15:00 dhe mbahet në Fakultetin e Filologjisë.

Ky është aktiviteti i shtatë i PEN Qendrës së Kosovës, ndërsa aktivitetin e vet të fundit në kuadër të këtij projekti do ta zhvillojë më 27 shkurt në Fakultetin Filozofik me fillim në orën 10:00.

Në takimin e sotëm do të trajtohen dy tema: “Si shkruhet eseja” për të cilën flet profesor Osman Gashi dhe “Mjeshtëria e përkthimit”, për të cilën flet profesor Naim Kryeziu.

Takimi moderohet nga profesori Sali Bashota.

Projekti përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Revista kolumbiane “Cromos”: Vizitoni Shqipërinë, shtëpia e vendeve të shumta arkeologjike dhe trashëgimisë historike

Udhëtimi në Evropë për një amerikano-latin është bërë një ëndërr e paarritshme. Zhvlerësimi i pesos dhe rritja e çmimeve në mbarë botën janë faktorë që ndikojnë në dëshirën për të vizituar kontinentin e vjetër, sipas një artikulli të botuar në revistën kolumbiane “Cromos”.

Ekspertja e udhëtimeve, Stéphanie Carles rekomandon tre destinacione të përballueshme në Evropë për të udhëtuar, mes tyre edhe Shqipërinë.

Cili është vendi më i lirë për të udhëtuar në Evropë?

Stéphanie Carles ju sugjeron të bëni një turne në Bosnjë-Herzegovinë, Shqipëri dhe Kosovë, tre vende që kanë shumë të përbashkëta, por edhe disa dallime që ia vlen të eksplorohen.

Mrekullitë e Shqipërisë

Shqipëria ndodhet në Gadishullin Ballkanik. Vendi ofron peizazhe natyrore, nga plazhet e pacenuara në brigjet e deteve Jon dhe Adriatik e deri te malet mbresëlënëse si Alpet Shqiptare.

Terreni i larmishëm përfshin gjithashtu liqene, lumenj dhe parqe kombëtare, duke ofruar një shumëllojshmëri të gjerë opsionesh për adhuruesit e natyrës.

Ky vend ballkanik ka një histori të pasur dhe komplekse. Vendi është shtëpia e vendeve të shumta arkeologjike dhe trashëgimisë historike që datojnë që nga epokat ilire, romake, osmane dhe më shumë.

Qytetet si Gjirokastra dhe Berati janë renditur si vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s falë arkitekturës së tyre të ruajtur mirë. /atsh / KultPlus.com

https://www.revistacromos.com.co/estilo-de-vida/vida-sana/viajar-a-europa-barato-3-paises-que-puedes-visitar-ganando-en-pesos-colombianos/

Rrëfimi prapa këngës “You’re Beautiful” nga James Blunt

Para një viti, James Blunt rrëfeu se si u krijua kënga “You’re Beautiful” në një intervistë të dhënë për gazatarin Dave Simpson.

James Blunt: Qëkur isha 14 vjeç, ju kam thënë miqve se do të bëhem muzikant profesionist. Kur isha kapiten në Ushtrinë britanike në Kosovë, e kisha një kitarë të lidhur për tankun tim. Pasi e lashë Ushtrinë, i bëra disa demo për EMI-n. Pastaj e humba ekuilibrin tim në motoçikletë dhe e shkatërrova kitarën që i kishte mbijetuar një zone lufte. Të gjithë qeshnin. E, nuk është e nevojshme të shtoj se nuk nënshkrova kontratë me EMI-n

Një ditë isha në metro të Londrës, kur rastësisht e pashë ish-të dashurën time me të dashurin e saj të ri. Shikimet tona u kryqëzuan, por thjesht kaluam në heshtje pranë njëri-tjetrit. Shkova në shtëpi dhe për dy minuta e shkrova tekstin për këngën “You’re Beautiful” (E bukur je). Shkova në Los Angjelos për ta takuar shokun tim kompozitor, Sacha Skarbek, dhe me Amanda Ghost-in si bashkautore e përfunduam këngën. Gjithmonë është portretizuar si këngë romantike, por në të vërtetë është paksa ngjethëse. Bëhet fjalë për një djalë (mua) i cili është në “tripa” e që e ndjek të dashurën e dikujt tjetër në metro. Por, të gjithë i kanë ato momentet kur e pyesin veten: “Çka sikur të flisja diçka?”

E interpretova këngën në katin e 25-të të një hoteli në Teksas, gjatë festivalit “South by Southwest” (SXSW). Linda Perry (këngëtare, kompozitore dhe producentë) ishte aty dhe tha se dëshiron të nënshkruaja kontratë me kompaninë e saj të re diskografike. Kompania kërkoi të hiqja fjalët “fucking high” (shumë në “tripa” – v.j.) nga “You’re Beautiful”. Provova me “particularly high”, “especially high”! Në fund këndova “Flying high” (fluturoj lartë – v.j.) në editimin për radio, por doja që versioni që publikohet të mbetet ashtu siç ishte. Thash: “I was fucking high”!

Kënga e ka një fillim befasues. E këndova dy herë vargun “jeta ime është e shkëlqyer”, që ishte një shaka e imja e vogël, por mendoj se në atë gjendjen time të ngazëllyer, çfarëdo tronditje që të kisha marrë atë kohë, jeta do të më dukej vërtet e shkëlqyeshme. Bota sigurisht që dukej me ngjyra.

Për video u pajtova të hidhem nga një shkëmb në Majorkë. Por, kur arrita atje, kuptova se e kisha bërë një gabim të tmerrshëm që ishte tepër vonë ta korrigjoja. Ata kishin zhytës në ujë, në rast se do të bija pa vetëdije. Më duhej të kërceja dy herë, sepse xhirimi i parë nuk ishte i duhur dhe përfundova me çarje në buzë. Më dhembte, por kjo e bëri një video të shkëlqyeshme.

Nuk e kisha idenë se kënga do të bëhet hit kaq i madh, dhe kjo më trembi në fillim. Mendova se po bëhem muzikant që veç bën muzikë. Kënga (u publikua në 2004) ishte e kudondodhur sa nisi të irritojë njerëzit, por unë jam akoma krenar për të dhe e dua punën time. E këndova në ceremoninë martesore të Elton John-it dhe David Furnish-it dhe jam gati ta nis turneun tim të gjashtë botëror. Pa këngën “You’re Beautiful” do të isha në një turne në veri të Londrës.

Tom Rothrock, producent: E shikova në internet festivalin “South by Southwest” dhe aty e pash James-in. Dukej mjaft interesant, por shpejtë harrova gjithçka për të. Disa ditë më vonë, Linda Perry kërkoi nga unë të jem producent i një artisti të ri. Ajo veç i kishte hite të mëdha me këngëtaret Pink dhe Christina Aguilera. Thash me vete, nëse është mjaft e çmendur për të nënshkruar një artist të ri nga SXSW edhe unë jam i çmendur ta incizoj.

Kaseta demo e James-it ishte kudo, e aty ishin edhe këngët “You’re Beautiful” dhe “Goodbye My Lover”. Kishim një takim dreke e unë s’e dija se si duket, por kur ai hyri me menaxherin e tij, menjëherë ndjeva një lidhje dhe mendova: “Ky duhet të jetë ai”. E vizitova në banesën e tij në Londër dhe ai i interpretoi këngët me instrumentin me të cilin i ka bërë, për të hequr nga mendja dyshimet për demon. I kemi bërë shumë incizime në studion time në shtëpi, që atë kohë nuk ishte diçka e zakonshme, por buxheti jonë ishte modest.

Një ditë po i bënim instrument harkore me një kuartet, dhe diçka nuk ishte si duhet. Këto kushtojnë, kështu që e thirra aranzhuesin që t’ia dalim mbanë. Ishte hera e parë ku kisha mundësi të tërhiqesha dhe thjesht të dëgjoja. E kisha një drithërimë që të vjen kur e di se një këngë është e veçantë apo se do të ketë shtrirje të gjerë.

Disa muaj më vonë, “You’re Beautiful” korr suksese dhe ai i bën dy koncerte të njëpasnjëshme në “Shepherd’s Bush Empire”. Ishim në një pijetore jashtë sallës, ku u rrethuam. Thash: “James, kujto kur disa muaj më parë pinim birrë e askush nuk e dinte se kush je?” Ai tha: “Po, a nuk ishte gjë e mirë ajo?” /KultPlus.com

Shopenhauer: Asgjë nuk mund të jetë e bukur, pa të vërtetën

Filozofi gjerman Artur Shopenhauer, u bë i njohur vetëm në fund të jetës së tij. Në tekstin më të rëndësishëm që ai shkroi: “Bota si vullnet dhe përfaqësim”, botuar në 1819, pohonte se ajo çfarë shohim nuk është ajo që ekziston në të vërtetë. Në fakt, pas gjërave, në thellësinë e tyre, në esencën e tyre, fshihet një forcë e vetme që në mënyrë të vazhdueshme kondensohet dhe materializohet, duke i dhënë asaj zanafillën, që, në të vërtetë, na shfaqet në përvojën e përditshme. Kjo forcë, sipas Shopenhauerit, është vullneti. Përmes një shtegtimi skandinav nga një sërë ndalesash, njeriu, filozofi mund të arrijë të çlirojë veten nga vullneti dhe të bëhet padroni i saj, pasi ka njohur realitetin e vërtetë. Këtë gjendje Shopenhaueri, i frymëzuar nga Orienti, e quante Nirvana.

Bota do të shkojë shpeshherë drejt kalbëzimit. Bota nuk është gjë tjetër veçse paraqitja jonë. Kur ne paraqesim diçka, jemi, si në çdo veprim tonin, veçse organ zbatimi i një dashjeje për të jetuar të errët, që i vidhet pushtetit të vetëdijes. Nuk donte t’ia dinte nëse do ta botonin. Të themi të drejtën, Shopenhaueri, duhet theksuar, nuk ishte një tip i lehtë. E kaloi jetën në vetmi, duke studiuar, duke shëtitur, duke u grindur. Parapëlqente të rrinte më shumë me kafshët sesa me njerëzit. Kishte një qen qimedredhur, të quajtur Atma, në sanskrisht do të thotë shpirti i botës. Kur e qortonte, nuk i drejtoj me qen, por e quante atë “njeri”. Iu ngarkua për një vit të mbante një kurs në Universitetin e Berlinit, kohë kur jepte mësim filozofi më i rëndësishëm gjerman, madje, ende i gjallë, Hegeli.

Shopenhaueri i planifikoi kurset e veta që të përkonin me ato të Hegelit, me qëllim që ta gjente klasën bosh. Për Hegelin, thoshte se ishte “kokëfortë” dhe se askush nuk e kuptonte vërtet atë, madje dhe ata që thoshin se e kuptuan atë, në të vërtetë e keqkuptuan. Pati vetëm një pasues të gjallë, Philippe Mainlander, i cili kreu vetëvrasje në moshën 35-vjeçare.

Artur Shopenhaueri, filozofi që ndërgjegjësoi njeriun për forcën e vullnetit si zanafillë e veprimtarisë krijuese dhe asgjësuese iu përkushtua edhe shkencave të të gjallëve. Ai e donte zoologjinë, botanikën, mjekësinë. Në Sesionet e tij rrëfente se kalonte ditë të tëra në kopshtin botanik në qytetin e tij. Një herë, ndërsa shëtiste midis bimëve ekzotike, ai u ndal para një luleje veçanërisht të harlisur. Nuk e përmbante dot veten së bëri gjeste, njëlloj siç bëjnë italianët kur duan të shfaqin habi dhe admirim. Po kalonte atypari kujdestari, i cili e pa Shopenahauerin në kumin e tij ndijimor. Iu afrua dhe me dy gishta e goditi lehtë mbi sup: “Po ti kush je?” – e pyeti. Shopehanueri u qetësua, buzëqeshi dhe u përgjigj: “Po e dite, ma thuaj, i dashur zotëri, do të të isha vërtet mirënjohës”. / Konica.al / KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton këngëtaren e mirënjohur të muzikës së lehtë qytetare, Nezafete Shala

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar këngëtaren e muzikës së lehtë qytetare, Nezafete Shalën dhe familjen e saj, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, kryeministri Kurti tha se së bashku, ata diskutuan rrerh trashëgimisë tonë muzikore, përvojave dhe performimeve të saj të shumta.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Nezafete Shala sonte e vizituam në ambientin e saj familjar. Nga babai i saj deri te nipat e mbesat barten këngët. Diskutuam shumë rreth trashëgimisë sonë muzikore ndër breza, përvojave dhe performimeve të saj të shumta.

U mirëpritëm ngrohësisht nga e gjithë familja, e cila shihet se mban në vete vlerat e njëjta të kultivimit të kulturës sonë dhe i ruan ato me aq shumë dashuri.

Shala është një nga këngëtaret e fundit të plejadës së këngëtareve të mëdha të muzikës së lehtë dhe asaj qytetare. Duke e njohur kontekstin e zhvillimit tonë kulturor, ajo merr një rëndësi edhe më të madhe sot. Nezafetja, bashkë me grupin e saj të njohur dhe artistikisht të arritur, vazhdon jo vetëm të ruajë por edhe të gjallërojë muzikën e këngën që ajo e do dhe e performon, që publiku ynë e kërkon dhe e pëlqen./KultPlus.com

Zbulohet fotografia e parë e aktorëve të Supermanit

Fotoja e parë e aktorëve të Supermanit erdhi, dhe është nga tabela e lexuar e filmit!

Fotoja paraqet David Corenswet, i cili luan rolin e Supermanit, si dhe Rachel Brosnahan e cila luan si Lois Lane. Nicholas Hoult mund të shihet në sfondin e fotos me një kokë të rruar si Lex Luthor.

Gjithashtu në foton e re janë Nathan Fillon që luan Guy Gardnerin, Isabela Mercad në rolin e Hawkgirl, Edi Gathegi si Mister Terrific, Anthony Carrigan që e luan rolin e Metamorphos, Skyler Gisondo në rolin e  Jimmy Olsen dhe shkrimtari-regjisori James Gunn, ndër të tjera./KultPlus.com

Muzikanti Zhani Ciko dhuron dorëshkrime e libra në Arkivin Qendror Shtetëror

Me qindra dorëshkrime dhe me dhjetra libra iu shtuan korpusit dokumentar të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).

Në sajë të një akti dhurimi të ndërmarrë nga muzikanti i mirënjohur, Zhani Ciko, lëmi i studimeve ekonomike premton të ofrojë shtysa dhe perspektiva për nisjen e hulumtimeve të reja.

Materialet e marra nën zotërim të AQSH-së, të cilat përbëjnë trashëgiminë profesionale të ish-drejtorit të Institutit të Studimeve Ekonomike, Hasan Banjës, do të strehohen në kushtet optimale të ruajtjes dhe të shërbimit.

Aktet e dhurimit ndër vite, duke veçuar këtu fondin e poetit Lasgush Poradeci (2017), të veprimtarëve Reuf Fico (2018) dhe Musine Kokalarit (2022), dëshmojnë se DPA-ja gëzon besim dhe vlerësim në lidhje me procesin e digjitalizimit, në funksion të përjetësimit të së shkuarës historike./KultPlus.com

S’kam ardhur të këndoj

Poezi nga Leon Felipe. Përkthyer nga Aurel Plasari.

S’kam ardhur të këndoj, mund ta merrni kitarën.
As të mbush dosjen time s’kam ardhur,
Që pas vdekjes shenjtor të më bëjnë.
Kam ardhur të shoh fytyrën time në lotët që rrjedhin
Drejt detit
Me lumin
E me retë.
Në lotët që fshihen në fund të pusit
Nëpër natë
E nëpër gjak.

Kam ardhur të shikoj fytyrën time në gjithë lotët e botës
Të vë një pikël zhive, vajtimi, një pikël hequr prej lotëve të mi
Mbi këtë pasqyrë të paskaj ku të mund të më shohin e vetveten
Të njohin ata që do të vijnë.
Kam ardhur të dëgjoj sërish atë sentencë të vjetër në terr:
Me djersën e ballit bukën ta fitosh
Dhe dritën me dhimbjen e syve të tu.

Burim lotësh e burim drite janë sytë e tu./KultPlus.com