Presidenjta Osmani uron presidentin e ri të Finlandës: Pres me padurim të punojmë së bashku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin e ri të Finlandës, Alexander Stubb.

Presidentja Osmani, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se pret me padurim që të bashkëpunojnë së bashku, për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë.

“Pres me padurim të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi lidhjet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Presidentja Osmani në platformën X./KultPlus.com

Vdes basisti i Bob Marleyt, Aston Barrett

Aston Barrett, i cili si basist dhe drejtor muzikor për Wailers bashkë me Bob Marley-n, vdiq të shtunën në Miami. Ai ishte 77 vjeç.

Shkaku i vdekjes, ishte dështimi i zemrës pas një sërë sulmesh, sipas djalit të tij Aston Barrett Jr, shkruan New York Times.

Barrett ishte tashmë i njohur në Xhamajka si një muzikant sesionesh kur, në vitin 1969, zoti Marley i kërkoi atij dhe vëllait të tij, Carlton, një baterist, të bashkoheshin me Wailers si seksioni i ritmit të grupit.

Më shumë se kushdo tjetër, bashkëpunimi midis Marley dhe basistit të tij i ktheu Wailers dhe vetë reggae në një fenomen global gjatë viteve 1970./KlanKosova/KultPlus.com

Shpopullohet fshati Kaninë i Vlorës, kosovarët të interesuar për të blerë shtëpitë e braktisura

Kanina ose siç njihet ndryshe ballkoni i Vlorës, një nga fshatrat më të bukur në kurorën e gjelbër të qytetit bregdetar, po shkon drejt shpopullimit . Prej vitesh të rinjtë kanë zgjedhur të emigrojnë duke lënë vetëm të moshuarit.

Banorët e mbetur tregojnë se shkaku kryesor i largimit masiv është bërë gjendja e vështirë ekonomike.

“Nuk dëgjojmë më në fshat një zë fëmije apo të qarë fëmije , pasi nuk ka më fëmijë kanë ikur së bashku me prindërit duke na lënë vetëm në pleqtë.”

“Më ka marrë malli të mbledh njëherë fshatin si dikur , dhe do marr fizarmonikën do dal në sheshin e fshatit dhe do bëjë muzik për të mbledhur ata pak banorë, më shumë se 30 vite asnjë aktivitet kulturor nuk ka parë ky fshat, se nuk ka më rini, dhe qendra kulturore e shkatërruar.”

“Kam ngelur “ qyqar” shprehet një moshatar, asnjë nga fëmijët nuk është këtu kemi ngelur vetëm fare .´

Janë shumë pak të rinj që kanë mbetur, ndërsa edhe shkolla po shkon drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve.

Ndërkohë, sipas banorëve shumë të huaj nga Italia, por edhe nga Kosova po kërkojnë të blejnë shtëpi në Kaninë

Në këtë fshat ka pasur më shumë se 2400 banorë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 250. Shumica e shtëpive janë bosh ose të rrënuara./vizionplus.tv/KultPlus.com

Ansambli Kombëtar i Kosovës dhe i Shqipërisë me koncert festiv për 16 vjetorin e Pavarësisë

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, do të mbajnë koncert festiv për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë, shkruan KultPlus.

Koncerti festiv i cili do të mbahet me Ansamblet Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë organizohet më 16. 02. 2024, në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq.

Koncerti fillon në ora 20:00./ KultPlus. com

Mësuesja e quajti të sëmurë mendor, nëna e quajti gjeni, lexojeni këtë rrëfim për të kuptuar fuqinë e fjalës

Tomas Edison u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë. “Nënë këtë letër ma ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”.

Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë:
“Biri yt është një gjeni, dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”.

Shumë vite më vonë, nëna e tij vdiq dhe Tomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e të ëmës, në një cep të sirtarit të tavolinës së saj të punës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë!”

Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Tomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”

Fjalët e një nëne kanë fuqi të paimagjinueshme. Ato burojnë nga një zemër që e sheh fëmijën e saj me sy ndryshe. Të tjerët mund ta shohin fëmijën tonë si më pak të talentuar, pa vlerë, pa asgjë të vecantë që mund të kontriubojnë për këtë shoqëri. Ajo që ka rëndësi është si i shohim ne si nëna fëmijët tanë. Cfarë shikojmë ne tek ata: potencialin brenda tyre apo portretin e pashpresë që të tjerët mund të na paraqesin për ta.

Le të bëjmë një pakt me veten për të mos u dorëzuar, por për t’i dhënë krahë potencialit të fëmijëve tanë ashtu si nëna e Tomas Edisonit. Le të flasim fjalë bekimi dhe jo mallkimi mbi fëmijët tanë, le t’u themi: t’i mundesh, në vend që ti nuk di të bësh asgjë. Le t’i themi ti vlen, në vend që t’i tregojmë se shoku apo shoqja e klasës janë më të mirë, më të aftë, më të zgjuar se ata. Le t’u flasim fjalë jete dhe shprese, sepse kështu bën Perëndia me ne.

Tomas Edison shpiku llampen inkadeshente, sistemin energjitik, telegrafin, mikrofonin etj. Ai i dha hov revolucionit industrial. / KultPlus.com

Çelet ekspozita ‘Muri’ në galerinë ‘Vilson Kilica’ të Fierit, ekspozohen piktura dhe skulptura të 13 artistëve

Në Fier është çelur ekspozita me piktura dhe skulptura e grupimit artistik “Muri” e cila do të qëndrojë e hapur për 10 ditë.

Grupimi artistik “Muri”, përbërë nga 13 artistë të arteve pamore çeli ekspozitën e pestë në Galerinë e Artit “Vilson Kilica” të qytetit të Fierit. Artistët sollën punimet e tyre në pikturë, skulpturë, karikaturë apo teknikë mikse.

Në të marrin pjesë Adrian Devolli, Mustafa Arapi, Violeta Kongo, Mira Kuçuku, Llambrini Dëna, Fatmir Tufina, Agron Polovina, Arben Meksi, Fatmir Minga, Leon Çika, Luan Boriçi, Idriz Balani dhe Marjana Goxhabelliu.

“Është një urë bashkëpunimi dhe prezantimi të punimeve më të fundit të këtij grupimi. Ai përbëhet nga disa nga personalitetet më të rëndësishëm të artit shqiptar si. Pikturë, skulpturë, karikaturë apo teknikë mikse ajo përveç vlerave të padiskutueshmë estetike është një mundësi për të kuptuar zhvillimet më të fundit të artit vendas. Si e tillë ajo është një mundësi për gjithë publikun artëdashës të qytetit tonë për tu lidhur e komunikuar me kolegët e tyre”, tha Arben Meksi.

Ky është edicioni i 5-të i “Muri”-t dhe ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 shkurt në  qytetin e Fierit./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Mbreti Charles bën paraqitjen e parë publike pas diagnostikimit me kancer

Mbreti Charles është parë të dielën duke shkuar në kishë, në paraqitjen e tij të parë prej kur Pallati Buckingham ka njoftuar se ai është diagnostikuar me kancer.

Mbreti është parë i buzëqeshur me gruan e tij, Mbretëreshën Camilla.’ Ai e ka falënderuar të shtunën popullin për mbështetjen e ofruar.

Sipas tij, të gjithë të prekurit me kancer e dinë që ato lloj urimesh janë inkurajimi më i mirë për të vazhduar.

Rreth 100 persona janë mbledhur të dielën afër kishës, duke e uruar nga largësia për shëndet të mirë.

Ai i ka pezulluar të gjitha paraqitjet publike derisa është duke u trajtuar për kancer dhe dy figura të larta mbretërore – përfshirë Mbretëreshën Camilla dhe Princin e Uellsit – do të paraqiten në vendin e tij.

Mbreti Charles është diagnostikuar me kancer derisa ka qenë duke u trajtuar në Londër për një komplikim tjetër shëndetësor – prostatën e zmadhuar.

Ndonëse nuk dihet lloji i kancerit nga i cili vuan ai, Pallati e ka konfirmuar se nuk është kanceri i prostatës./ REL/KultPlus.com

‘U futën para me thes për terrorizëm’- Kurti ua sqaron serbëve rregulloren e BQK’së në gjuhën serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë përmes një videoje në gjuhën serbe. Kurti ka thënë se arsyeja e rregullores së re të BQK’së nuk është ndalimi i dinarit por formalizimi i parave. Sipas tij, Serbia ka financuar terrorizëm, duke dërguar para me thasë për në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.

“Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë”, vijon ai.

Tutje, ai ka thënë se shuma e parave që vjen nga Beogradi, do të dihet saktësisht nga autoritetet e Kosovës. /Insajderi.org/KultPlus.com

34 vite nga koha kur Nelson Mandela u lirua nga burgu

Nelson Mandela konsiderohet një prej figurave më të shquara dhe frymëzuese të shekullit të kaluar. Ai ishte një luftëtar për të drejtat civile dhe lider i dalluar i Afrikës së Jugut, i cili bëri të pamundurën për të fituar lirinë dhe barazinë për popullin e tij. Kujtimi i tij ende gjallëron në zemrat e njerëzve të gjithë botës si një ikonë e paepur e luftës për drejtësi dhe paqe.

Nelson Rolihlahla Mandela u lind më 18 korrik të vitit 1918 në qytetin e Mvezo, në rrënojat e një shoqërie të ndarë prej apartheidit. Nëpërmjet arsimit të tij të lartë dhe përkushtimit të pashoqëruar ndaj shërbesës së të tjerëve, ai u bë një avokat i të drejtave të njeriut dhe një zë i fuqishëm i luftës kundër ndarjes së races.

Mandela shkëlqeu për herë të parë në skenën botërore gjatë viteve të 1940, kur filloi të drejtojë organizata kundër apartheidit dhe të ngrinte zërin për një Afrikë të Jugut të bashkuar dhe të lirë. Këto përpjekje i sollën atij burgun në vitin 1962, ku ai do të qëndronte për 27 vjet. Në këto vite, ai vazhdoi të mbajë flakët e shpresës dhe të rezistencës, duke u bërë një simbol i përhershëm i rezistencës kundër padrejtësisë.

Me rrëzimin e apartheidit në vitin 1994, Nelson Mandela u shpall Presidenti i parë i një Afrike të Jugut të bashkuar, duke i dhënë fund një periudhe të errët dhe të dhimbshme të historisë së këtij vendi. Ndërsa në pushtet, ai mbrojti vlerat e demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit, duke ndihmuar vendin të shërbejë si shembull i frymëzimit për kombet e tjera të kërkojnë barazi dhe paqe.

Nelson Mandela u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1993, një tërheqje e përkushtimit të tij ndaj pajtimit dhe harmonisë ndërkombëtare. Ai e la këtë botë në vitin 2013, por trashëgimia e tij jetojë me të madhe nëpërmjet institucioneve të paqes dhe të drejtave të njeriut që mbajnë emrin e tij.

Edhe pas vdekjes, Mandela mbetet një udhërrëfyes i thellë për më shumë barazi, paqe dhe mirëkuptim mes njerëzve. Përvjetori i lindjes së tij shënohet me respekt dhe nderim nga miliona njerëz në të gjithë botën. Kujtimi i tij na inkurajon të kërkojmë vlera të larta, të mos dorëzohemi përpara sfidave dhe të punojmë nëpër bashkëpunim për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë dhe nderojmë jetën e Nelson Mandela, një shembull i rrallë i humanizmit dhe sakrificës për të mirën e të gjithë njerëzve. Le të marrim frymëzim nga jeta dhe veprat e tij, për të vazhduar të ndërtojmë një botë më të përbashkët dhe më të drejtë për të gjithë. / KultPlus.com

12 vite nga orteku i borës në Restelicë

Sot, janë bërë 12 vite nga rënia e ortekut të borës në Restelicë të Dragashit.

Më 11 shkurt 2012, orteku i borës u mori jetën 10 anëtarëve të  familjes Reka në Restelicë të Dragashit, përderisa një vajzë e vogël e quajtur Amsera, atëherë 7 vjeçe, ishte e vetmja që u nxjorrë e gjallë nga gërmadhat e shtëpisë.

Orteku i borës rrënoi 16 shtëpi të familjes Reka, të cilat gjendeshin në majën më të lartë të fshatit Restelicë.

Forcat e Sigurisë së Kosovës, atë kohë, organizuan aksionin e shpëtimit në kushte të vështira atmosferike si shkak i borës së madhe në tërë territorin e vendit./ KultPlus.com

‘Nëse do të bënim të gjitha gjërat për të cilat jemi të aftë, do të befasonim veten’

I njohur për etikën e tij të punës së madhe, këmbëngulësisë dhe zgjuarsisë, Thomas Edison është njëri prej shpikësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Nga llamba në fotografinë, gjatë jetës së tij Edison mbajti mbi 1000 licensa në Shtetet e Bashkuara në emrin e tij, pa përmendur edhe tjerat rreth botës.

Kontributet e tij të mëdha në energji elektrike, filma, inçizim të zërit madje edhe makina x-rreze ndryshuan botën në të cilën jetojmë sot. Së bashku me shumë arritje të tij, mentaliteti dhe etika e punës e Edison gjithashtu e shtyen atë drejt suksesit.

Më poshtë gjeni thëniet më të njohura të Thomas Edison:

 ‘’Shanset humbasin nga shumë njerëz për shkak se ajo është e veshur me pantallona dhe duket si punë’’.

 ‘’Fati i mirë shpesh ndodh kur mundësia takohet me përgatitjen’’.

 ‘’Për të shpikur, ju keni nevojë për imagjinatë të mirë dhe për gjëra të vjetra’’.

 ‘’Gjeniu është 1 përqind inspirim dhe 99 përqind djersë’’.

 ‘’Dobësia jonë më e madhe qëndron në dorëzimin. Mënyra më e sigurtë për të pasur sukses është që gjithmonë të provoni edhe njëherë tjetër’’.

 ‘’Unë nuk kam dështuar. Vetëm kam zbuluar 10,000 mënyra të cilat nuk kanë pasur sukses’’.

 ‘’Nëse do të bënim të gjitha gjërat për të cilat jemi të aftë, do të befasonim veten’’.

 ‘’Unë kam më shumë respekt për një njeri i cili ka një ide dhe arrin sukses me  të se sa për një njeri i cili ka me mijëra ide dhe nuk bën asgjë’’.

 ‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’.

 ‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’./KultPlus.com

Migjeni: Xhamiat dhe kishat madhështore ndër vende të mjerueme

Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. / KultPlus.com

Pse Thomas Edison dhe Nikola Tesla u përplasën gjatë betejës së rrymave?

Qasjet e ndryshme të shpikësve për krijimin e një sistemi elektrik të standardizuar përfundimisht i larguan ata.

Thomas Edison njihet gjerësisht si një nga shpikësit më të rëndësishëm të historisë, një trashëgimi e lindur nga gjenialiteti i tij i padiskutueshëm në laborator dhe pamëshirshmëria e theksuar si biznesmen. Thënia e vjetër është se historia shkruhet nga fitimtarët, dhe në rastin e Edisonit, ai e rrotulloi narrativën e tij në kohë reale. Ndonjëherë, si në rastin e shpikjeve të zhvilluara nga bashkëkohësit si Nikola Tesla, kjo nënkuptonte paksa përkuljen e së vërtetës.

I lindur në vitin 1847, në fund të revolucionit industrial, Edison ishte pjesë e një valë të re shkencëtarësh dhe shpikësish që ndriçuan rrugën drejt epokës moderne. Laboratori i tij i famshëm kërkimor në Menlo Park, Nju Xhersi priti zhvillimin e inovacioneve që ende nënshtrojnë pjesën më të madhe të infrastrukturës sonë industriale dhe konsumatore, duke përfshirë gramafonin (i cili regjistronte dhe luante tinguj), filmat dhe llambën e dritës. Puna e tij atje ishte aq e rëndësishme sa qyteti në të cilin ndodhej Menlo Park tani mban emrin e tij.

I fiksuar pas punës së tij dhe i njohur si një shef kërkues, Edison kishte një ego po aq inkandeshente sa llambat e tij, një ndjenjë të madhështisë së tij që ishte padyshim e justifikuar. Ai ishte gjithashtu tepër konkurrues, i gatshëm të bënte gjithçka që kërkohej për të siguruar që ideja e tij të fitonte.

Edison shpiku ndriçimin DC, një zgjidhje më e sigurt për llambat harkore shpesh të rrezikshme

I lindur në Serbi, Tesla ishte një gjeni tjetër. Ndërsa Edison ishte një eksperimentues dhe kallajxhi i përjetshëm, Tesla ishte një llogaritës njerëzor dhe aftësia e tij për të përpunuar ekuacione komplekse të matematikës dhe fizikës në mendjen e tij e ndihmoi atë të arrinte suksesin e hershëm të karrierës në Evropë.

Pas një adoleshence nomade që kaloi duke udhëtuar dhe duke ndjekur mësime në të gjithë Evropën Lindore, Tesla u mbyll në Hungari në moshën 25-vjeçare, i punësuar për të punuar si inxhinier elektrik në Bursën Telefonike të Budapestit. Ai shkëlqeu atje, duke kanalizuar prirjet e punës që ai kishte shfaqur si student i mirë në Kroaci përpara se të linte shkollën. Brenda një viti ai shkoi në Paris për të punuar për kompaninë Continental Edison, një degë e biznesit të suksesshëm amerikan të shpikësit.

Në atë moment, energjia elektrike kishte filluar të ndriçonte rrugët e qyteteve në mbarë botën. Në fillim, shumica e qyteteve përdornin llamba me hark të tensionit të lartë për të ndriçuar qiellin e natës, por ndërsa ato shkëlqenin dhe mahnitën një qytetërim që gjatë gjithë historisë ishte qeverisur nga lindja dhe rënia e diellit, teknologjia e hershme e ndriçimit gjithashtu paraqiti një problem. : ishte shumë e rrezikshme . Ndriçimi me hark ushqehej nga stacionet e energjisë që pomponin më shumë se 3,000 volt energji elektrike në të njëjtën kohë, gjë që shpesh çonte në shkëndija, mbinxehje dhe shpërthime të plota në vende publike, duke rënë shira të energjisë elektrike mbi këmbësorët dhe duke ndezur zjarre me rregullsi.

Energjia elektrike e gjeneruar nga rryma direkte (DC) ishte një alternativë shumë më e sigurt, dhe sapo Edison zhvilloi një llambë inkandeshente të qëndrueshme dhe afatgjatë , ai u nis për të siguruar ndriçim për shtëpitë dhe ndërtesat në mbarë botën. Në vitin 1882, kompania e tij Edison Illuminating hapi stacionin e parë qendror të energjisë në botë në Pearl Street në Manhattan. Kompania përdori rrymë direkte për të dhënë 110 volt energji elektrike në ndërtesat e afërta – ajo filloi me 59 klientë – dhe siguroi një reduktim të ndjeshëm të rrezikut të një fatkeqësie aksidentale.

Tesla shpiku një sistem energjie me rrymë alternative

Për dy vitet e ardhshme, prodhimi elektrik DC i Edison-it përhapi dritën inkandeshente në një numër në rritje qytetesh në të gjithë vendin. Por për shtrirjen e saj në rritje, ajo kishte një dobësi të konsiderueshme: energjia elektrike e dhënë nga rryma direkte mund të udhëtonte vetëm kaq larg, veçanërisht në ato ditë të hershme. Si rezultat, shpikësit e tjerë vazhduan të zhvillonin atë që quhej rrymë alternative (AC), e cila mund të modulonte lehtësisht tensionin, duke përdorur transformatorë.

Tesla ishte një nga ata besimtarë të AC. Në vitin 1882, ndërsa punonte për postin e Edisonit në Paris dhe dilte në një shëtitje me një mik, Tesla u godit befas me zgjidhjen e një sfide inxhinierike që e kishte shqetësuar për disa kohë. Aftësia e tij për të vizualizuar të gjitha ekuacionet komplekse matematikore dhe bëmat inxhinierike erdhi në ndihmë, pasi Tesla ëndërroi mekanikën e një motori që gjeneron AC.

Zhvillimi dhe përmirësimi i gjeneratorit të rrymës alternative u bë diçka si një obsesion për të dhe në 1884, kur shefi i tij amerikan në Paris u thirr përsëri në Shtetet e Bashkuara, ai sugjeroi që Tesla të emigronte në perëndim. Dhe kështu në shtator të atij viti, Tesla mbërriti në Manhattan pas një udhëtimi të mundimshëm, në të cilin shumica e pasurisë së tij u vodhën gjatë një rebelimi në anije.

Tesla më në fund punoi për Edison, por të dy kishin ideologji kundërshtuese

Megjithatë, paratë nuk do të ishin një shqetësim për kaq gjatë. Tesla u përplas me vetë Edison, i cili e ftoi shpikësin emigrant të punonte për të në Edison Machine Works në Lower East Side të Manhatanit. Një letër rekomandimi nga shefi i tij i vjetër nuk e dëmtoi kauzën e tij.

Në atë kohë, Tesla kujtoi në një intervistë vite më vonë, se ai ishte i mahnitur nga shefi i tij i ri. “Ky njeri i mrekullueshëm, i cili nuk kishte marrë asnjë trajnim shkencor, por kishte arritur aq shumë, më mbushi me habi.”

Tesla u vu në punë në një sërë projektesh, duke përfshirë riparimin e sistemit të qarkut në Oregon, varkën e parë që u ndez nga energjia elektrike, rimontimin e gjeneratorëve DC dhe detyra të tjera. Vite më vonë, në një intervistë të kryer në 1921, Tesla kujtoi se i kishte bërë përshtypje Edisonit me rregullimin e tij të shpejtë të sistemit të ndriçimit të Oregonit, deri në atë pikë sa Edison e shpalli atë një “njeri të mallkuar të mirë”.

Shpikësi serb u ngarkua gjithashtu me krijimin e një sistemi ndriçimi me hark, por përdorimi i tij i energjisë AC nuk ishte me interes për Edison, i cili kishte një pasuri të investuar në energjinë DC dhe nuk donte të humbiste besnikërinë e tij. Më vonë, Tesla me sa duket do të thoshte se vetë Edison premtoi një shumë të madhe për të përmirësuar sistemin DC, më pas e tërhoqi ofertën kur Tesla i paraqiti punën e tij, duke pretenduar se ai “nuk e kuptonte humorin amerikan”, duke e zemëruar Teslën deri në atë pikë sa ai doli me furtunë dhe u nis vetë, i vendosur të kundërshtonte shpikësin e vjetër.

Më pas Tesla i licencoi patentat rivalit të Edisonit

Tesla punoi për Edison vetëm për rreth gjashtë muaj, dhe pas një kohe të kaluar duke gërmuar varre, ai mori para të mjaftueshme nga investitorët për të krijuar kompaninë e tij në Rahway, New Jersey, afër Menlo Park. Ata investitorë e hoqën kompaninë nga pushteti i tij, dhe vetëm në vitin 1887, me një fabrikë të re në Manhattan, Tesla ishte në gjendje të ndiqte me të vërtetë motorin AC.

Nuk do të kalonte shumë kohë përpara se të zotëronte makinën, pasi iu dhanë shtatë patenta të veçanta për mekanikën e saj të ndryshme në pranverën e vitit 1888. Menjëherë pas kësaj, ai i licencoi ato patenta te George Westinghouse, rivali kryesor i Edisonit në garën për furnizim e qytetet. Gara midis AC dhe DC do të përshkallëzohej prej andej, me Edison që tërhiqte pothuajse të gjitha ndalesat për të provuar se AC ishte i rrezikshëm, (edhe pse vdekja e famshme nga goditja elektrike e elefantit Topsy nuk ishte bërë e tij) për të diskredituar atë që përfundimisht do të dëshmonte një largësi.

Tesla vdiq pothuajse pa para, megjithëse kjo nuk kishte të bënte me Edison. Ai bëri një pasuri nga kontratat e tij me Westinghouse, por i humbi të gjitha përmes marrëveshjeve të dobëta të biznesit, investimeve të këqija dhe shpenzimeve në eksperimente madhështore që rezultuan një dështim. Rivaliteti i tij i supozuar me Edison ishte pothuajse nga shoqërimi dhe ndryshimi i mendimeve për çështjet shkencore, i theksuar vetëm në pamje të pasme si karriera e pabesueshme e Teslës, e cila shtrihej shumë më tepër se risitë e energjisë AC.

Biography/ Jordan Zakarin

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

Valbona, e preferuara e destinacioneve për sportet dimërore si freeriding

Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, sidomos nën petkun e bardhë të dëborës vijon të tërheqë të pasionuarit pas sporteve dimërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje ku të pasionuarit pas sporteve dimërore i ushtrojnë ato në Valbonë e mbuluar nga dëbora.

“Me këtë energji të mirë që vjen nga Valbona, e preferuara e destinacioneve për sportet dimërore si freeriding, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Lugina e Valbonës e konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse është një ndër më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj.

Ajo është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996 dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. E konsideruar si mrekullia e Alpeve ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri. / KultPlus.com

Media franceze “Voyages et Tourisme”: Udhëtoni në Shqipëri, akomodohuni në hostelet më të mira në Tiranë

Tirana, kryeqyteti shqiptar, po bëhet gjithnjë e më popullor në mesin e turistëve që kërkojnë një eksperiencë unike udhëtimi. Një nga mënyrat më të mira për të shijuar një arratisje në Tiranë është të qëndroni në hostele. Qyteti është plot me akomodime miqësore dhe të gjalla, sipas revistës franceze të udhëtimeve “Voyages et Tourisme”.

“Hostelgeeks”, agjencia online e themeluar më 3 mars 2015, në Qipro, e specializuar në përvojën e hostelit, ju rekomandon tre vendet më të mira në Tiranë për një qëndrim të paharrueshëm.

Larg nga jeta moderne dhe e mërzitshme, këto bujtina janë të ngrohta, me dekorime origjinale dhe ofrojnë një atmosferë të favorshme për relaksim.

Ato janë gjithashtu akomodime tepër të përballueshme. Këto çmime janë një mesatare që mund të ndryshojë në varësi të sezonit.

Zbuloni këto tre vende të pabesueshme që do të përmirësojnë pushimet tuaja në Tiranë.

Trip’n’Hostel

E vendosur në lagjen Pazari i Ri, 300 metra nga qendra e qytetit, Trip’n’Hostel është i përshtatshëm për udhëtarët beqarë dhe pushuesit më të vjetër.

Ka disa dhoma të përziera me 4, 6, 10 dhe 12 krevate, si dhe dhoma dyshe private. E sofistikuar dhe e ngrohtë, ndërtesa është një vilë e vjetër italiane e ndërtuar në vitin 1910. Vila ka tre kate dhe dy lulishte.

Kati i parë përfshin një dhomë të madhe të përbashkët të stilit të vjetër me një atmosferë komode dhe dy oxhaqe.

Ekziston edhe një kuzhinë e përbashkët në bodrumin e parë. Përsa i përket dhomave të gjumit, ato ndodhen në katin e dytë dhe garantojnë netë të qeta.

Për të vëzhguar qiellin me yje, drejtohuni në tarracën e mrekullueshme të solariumit në çati.

Tirana Backpacker Hostel

Hosteli i parë që hapi dyert në Tiranë, në vitin 2005, Tirana Backpacker Hostel është një vilë mahnitëse 100-vjeçare e stilit italian.

Ndodhet në zemër të qytetit, 500 metra nga sheshi Skënderbej dhe është veçanërisht i përshtatshëm për çifte.

Shumëngjyrësh, mikpritës dhe dinamik, hosteli ka dhoma të përziera me 4 dhe 6 krevate, dhoma teke dhe dyshe, një bar, ambiente të përbashkëta të brendshme dhe të jashtme dhe një oborr të shtëpisë shumë interesant.

“Oborri i shtëpisë tërheq klientët gjatë gjithë ditës dhe natës. Aty do të gjeni shumë pemë mandarine dhe portokalli, divane dhe instrumente muzikore”, tha Hostelgeeks.

Hostel Vanilla Sky Boutique

Me konceptin “shtëpi larg shtëpisë”, kjo pronë i impresionon udhëtarët me mobiljet e dizajnuara me cilësi të lartë, dritat e bukura dhe stafin shumë të dobishëm.

Hoteli ndodhet në qendër të Tiranës, vetëm pak hapa nga atraksionet kryesore turistike.

Rekomandohet veçanërisht për gratë që udhëtojnë vetëm.

Ka një përzgjedhje mbresëlënëse dhomash, duke përfshirë dhoma me katër krevate, konvikte të përziera, një dhomë dyshe dhe një dhomë treshe me banjo private, një dhomë dyshe luksoze, si dhe një dhomë familjare.

Secila nga dhomat ka pamje nga rruga dhe disa madje kanë ballkone të gjerë. / KultPlus.com

Angelina Mango shpallet fituese e festivalit ‘Sanremo 2024’

Angelina Mango është vajza 22-vjeçare që triumfoi mbi të gjithë në festivalin “Sanremo 2024”. Këngëtarja e re, me këngën “Mërzia” shkruar së bashku me Madame, ka fituar 40.3 përqind të totalit të votave, në tre mënyrat: Televotim, Press Room dhe juria e radios.

Kanë kaluar 10 vjet që kur një grua fitoi festivalin e Sanremos. Suksesi i fundit daton në vitin 2014, kur Arisa fitoi me Controvento.

Ndërkohë në finalen e edicionit të 74-të të festivalit të Sanremos, Geolier u rendit i dyti, ndërsa e treta ishte Annalisa me këngën “Sinqerisht”.

Kur dëgjoi emrin e saj, 22-vjeçarja e emocionuar nga gëzimi falënderoi këdo që e ka mbështetur në këtë rrugëtim.

“Falënderime të përzemërta për orkestrën, për ty, për Gio, për Fiorello, për ekipin tim, për Martën, për nënën time, për Phil, Antonio, familjen time që është këtu sonte. Faleminderit që erdhët”, tha ajo.

5 vendet e para

Në podium, Geolier u rendit i dyti me këngë “I p’ me, tu p’ te” me 25.2 përqind. E treta ishte Annalisa me ‘Sinqerisht’, me 17,1 përqind, e katërta ishte Ghali me “Casa mia” me 10,5 përqind dhe e pesta ishte Irama me ‘Tu no’, me 6,9 ​​përqind. Pesëshja e parë është e përbërë tërësisht nga artistë që përfaqësojnë gjeneratat e reja të muzikës dhe që ndjekin tendencat e tregut.

Fillimet e karrierës për Angelina Mango

Njëzet e dy vjeçe me origjinë nga Lagonegro, në provincën e Potenzës, dhe me muzikën në gjak. Një karrierë që filloi shumë e re përkrah babait të saj, i cili vdiq në vitin 2014. Në vitin 2021 albumi i saj i parë dhe debutimi i saj i vërtetë në skenë në vitin 2022 në koncertin e 1 Majit së bashku me vëllain e saj, Filippo.

Për të arritur më pas tek Amici, tek këngët ‘Voglia di vivere’, albumi i dytë ‘Voglia di vivere’ dhe Festivali i lakmuar i Sanremos: “Për momentin po mundohem të menaxhoj panikun sepse është i bukur kur është edhe entuziazëm, kur është adrenalinë, – rrëfeu ajo, – Të jesh këtu më tremb pak. Por nga ana tjetër jam shumë krenare që jam këtu dhe më bën të mendoj ‘Kënaqu dhe ji e lumtur me atë që po bën’”.

Në gjurmët e babait

Edhe babai i saj Mango u ngjit në skenën e Sanremos në 1985 për të debutuar në kategorinë e të rinjve: Babai im u ngjit në këtë skenë gati 40 vjet më parë – kujton këngëtarja – E sigurisht kjo më lidh më shumë me skenën sepse është një vend jo i panjohur për familjen. Kam dëgjuar shumë të flasin për Sanremon që kur kam qenë fëmijë. Prandaj është një emocion i madh të ngjitesh në këtë skenë dhe merr një vlerë edhe më të madhe”. / KultPlus.com

11 Shkurti, dita Botërore e grave shkencëtare

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përcaktuan 11 shkurtin, si datën e njohjes së rolit të rëndësishëm që luajnë gratë dhe vajzat në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë.

“Bota ka nevojë për shkencë dhe shkenca ka nevojë për gratë. Njerëzimi nuk mund të injorojë gjysmën e gjenisë së tij krijuese-gratë” – Irina Bokova

Sipas Kalendarit Kombëtar të Promocionit Shëndetësor dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 11 shkurt festohet Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë, miratuar në shtator të vitit 2015, në përputhje me Objektivat  e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim e Qëndrueshmëri. 

Barazia gjinore ka qenë gjithmonë një çështje thelbësore për Kombet e Bashkuara. Më 22 dhjetor 2015, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për të krijuar një Ditë Ndërkombëtare vjetore, 11 Shkurtin, për të njohur rolin e rëndësishëm që luajnë gratë dhe vajzat në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë. Kjo ditë shërben për të ndërgjegjësuar femrat për mundësitë dhe aftësitë që ato kanë për t’u zhvilluar në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (që shkurtimisht shkruhet me inicialet STEM science, technology, engineering and mathematics). /KultPlus.com

Thënie të famshme nga George Washington: Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë

George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – lider dhe strateg, i vetmi njeri i zgjedhur unanimisht nga Kolegji Elektoral duke shërbyer dy mandate si president.

Si president i parë, Washington e ka ditur se të gjitha metodat e tij, vendimet dhe lëvizjet do të krijojnë precedent për çdo gjë që do të pasonte, prandaj ai kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me zgjedhjet e tij.

Ai kishte krijuar autoritet duke qëndruar i sinqertë dhe duke mos abuzuar me fuqinë që kishte.

Washington madje kishte refuzuar të shërbente një mandat të tretë dhe kishte vendosur që vitet e fundit t’i jetonte si fermer i thjeshtë, duke vendosur prapë një shembull të mirë.

Ai kishte qenë një njeri me ndjenjë të thellë të detyrës, një hero ushtarak dhe një patriot.

Marrë parasysh atë dhe të bëmat e tij, më poshtë jua sjellim disa prej thënieve të tij që jua përmirësojnë integritetin personal.

– “Lumturia njerëzore dhe detyra morale janë të lidhura në mënyrë të pandashme”

– “Këmbëngulësia dhe shpirti kanë bërë mrekulli në të gjitha epokat”

– “Shoqërohuni me njerëz të kualiteti të mirë, nëse e vlerësoni reputacionin tuaj, pasi që më mirë është të jeni vetëm sesa me shoqëri të keqe”

– “Aq më i vështirë konflikti, aq më i madh është triumfi”

– “Meshkujt e vërtetë e urrejnë luftën, por asnjëherë nuk largohen nga ajo”

– “Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”

– “Më mirë është të mos arsyetoheni sesa ta jepni një arsyetim të keq”

– “Përgatitja për luftë është një prej formave më efikase për ta ruajtur paqen”. / KultPlus.com

177 vite nga lindja e shpikësit amerikan, Thomas Edison

Thomas Alva Edison (11 shkurt 1847 – 18 tetor 1931) ishte një shpikës amerikan, shkencëtar dhe biznesmen i cili ka zhvilluar shumë pajisje që ndikuan në jetë në të gjithë botën, duke përfshirë gramofononin, kamerën e filmit, dhe llampën elektrike.

I quajtur “Magjistari i Menlo Park” (tani Edison, New Jersey), nga një raporter i një gazete, ai ishte një nga shpikësit e parë që ka zbatuar parimet e prodhimit në masë dhe punën e madhe të përbashkët në procesin e shpikjes, dhe për këtë arsye është kredituar shpesh me krijimin e laboratorit të parë të hulumtimit industrial.

Edison është konsideruar si shpikësi i tretë më pjellor në histori, duke mbajtur 1.093 patenta të SHBA në emrin e tij, si dhe shumë patentave në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani. Ai është kredituar me shpikje të shumta që kanë kontribuar në komunikim masiv dhe, në veçanti, telekomunikacion. Këto përfshinin stock ticker, një regjistrues vote mekanik, bateri për makinë elektrike, energji elektrike, muzikë të regjistruar dhe filma. Puna e tij e përparuara në këto fusha ishte rezultat i karrierës së tij të hershme si një operator telegrafi. Edison i dha rrugë konceptit dhe zbatimit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes në shtëpi, biznese, dhe fabrikat – një zhvillim i rëndësishëm në industrializimin e botës moderne. Stacioni i tij i parë i prodhimit të energjisë elektrike ishte në Manhattan Island, New York.

Të dy Tomas Edisoni dhe Tesla u permendën si laureatë të mundshëm për nobel në 1915. Pavarësisht nga kontributet e tyre shkencore, ata kurrë nuk e morrën këtë çmim. Mendohet se arsyeja ishte armiqësia mes tyre. Ka dëshmi se secili ka minimizuar arritjet e tjera për ta marrë çmimin, që të dy e refuzuan çmimin nese te tjerë e marrin dhe të dy hodhen poshtë mundesinë për ndarjen e çmimit. / KultPlus.com

Gjon Shllaku: Me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë, ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët

Bisedë me helenistin dhe latinistin Gjon Shllaku (1923-2003)
Bisedoi: Shpëtim Kelmendi
Realizuar më 2000, botuar te “Fjala” më 2003

Shpëtim Kelmendi: Dimë që jeni lindë në vitin 1923. Po data e saktë, cila asht?
Gjon Shllaku:
 Jam lindë më 24 mars të vitit 1923, në kohën e Pashkëve. Ka qenë e enjtja e madhe, paçka se në letërnjoftim daton dhjetor, 1922.

Shpëtim Kelmendi: Cilat janë rrethanat që kanë mundësue lindjen e pasionit për përkthimin?
Gjon Shllaku:
 Fillimisht më duhet t’ju them se kam pasë fatin e madh me studiue për prift. Unë kam qenë jetim, e rrjedhimisht e kam pasë të pamundun me ndjekë shkollën. Kulturën dhe edukatën që kam marrë, ia kushtoj Seminarit Papnor, që e drejtonin Jezuitët. Për herë të parë, aty kam pa dhe kam mbetë i mahnitun nga “Poetët e mëdhej t’Italisë”, përkthye nga Ernest Koliqi; jam njoftë me dy kangë të “Iliadës”, të përkthyeme nga Frano Alkaj, me përkthimet e Henrik Lacajt e të tjerë. Të tana këto tekste të prume në shqip, unë i vija përballë origjinalit. Pikërisht fakti se këto përkthime më rezultonin të denja, bani të mundun që, dora-dorës, të lindej në mua dëshira me përkthye.

Shpëtim Kelmendi: Cili asht teksti i parë mbi të cilin keni punue, pavarësisht nëse mund të jetë fjala për tekst të përfunduem ose jo?
Gjon Shllaku:
 Teksti i parë mbi të cilin kam punue, ka qenë “Ben Hur” i Wallace, kur ende nuk i kisha mbushë të shtatëmbëdhjetë vjetët. Ishte një tekst prej 150 faqesh, i cili më pat dhanë kënaqësi të jashtëzakonshme. Por, nuk u mjaftova me aq. Atë tekst e përpunova tri herë, tue ngulmue me zbulue sekretet e përkthimit, natyrisht tue u bazue edhe në përkthimet që i ishin ba këtij libri në gjuhë të tjera.

Shpëtim Kelmendi: Çfarë ndodhi me këtë tekst?
Gjon Shllaku:
 E randësishme asht se ai libër i dha formë pasionit tim mbi përkthimin. Në gjimnaz na jepnin si detyrë me zgjedhë e me përkthye vepra të autorëve latinë. Me këtë rast pata përkthye shtatëqind vargje nga “De rerum natura” të Lukrecit. Ky tekst, edhe pse ishte tekst i detyruem shkollor, më pëlqente së tepërmi. Pra, edhe kësaj radhe punova me kënaqësi. Lukreci asht një ndër poetët ma të fuqishëm të gjuhës latine, pararendës i Virgjilit dhe i Ovidit. Veç kësaj, Lukreci ka edhe profil shkencëtari, sepse ka shkrue mbi natyrën dhe kozmosin. Mund të thuhet se asht poet vizionar …

Mandej përktheva pjesë nga “Eneida” e Virgjilit, ndërsa ma vonë, kur mësova greqishten e vjetër, fillova të merresha me Homerin, Sofokliun, Euripidin, me pjesët korale. Këto punë i baja me shumë kënaqësi, kuptohet, gjithë tue u përpjekë me mësue sa ma shumë në lidhje me artin e përkthimit.

Shpëtim Kelmendi: Domethanë, ma së shumti keni përkthye për kënaqësinë tuej, e jo për t’u vu në radhën e përkthyesve të madhej?
Gjon Shllaku:
 E thashë edhe ma sipër: kënaqësia ime ka qenë gjithmonë në plan të parë.

Shpëtim Kelmendi: A keni provue me u marrë me krijimtari?
Gjon Shllaku:
 I frymëzuem prej autorëve të madhej grekë, unë jam përpjekë me shkrue edhe vepra të mia origjinale. Tue fillue që prej kohës së seminarit e deri kur jam arrestue, në moshën 22 vjeç, pata shkrue tri tragjedi. Njena ka në qendër princeshën Irenë, gruen që shkroi konfliktin mes Lek Zaharisë e Lek Dukagjinit, në dasmën e Mamicës. Një tjetër tragjedi asht me temë biblike dhe titullohet “Judita e Holofardi”. Holofardi ka qenë gjeneral i asirëve, kur këta pushtuen Palestinën. Judita ishte një vajzë çifute, e cila, e frymëzueme nga nji fuqi e mbinatyrshme, hyn në çadrën e Holofardit, të cilin arrin ta dehë e më pas ta therë me thikë, tue shpëtue kësisoj tanë Palestinën. Tragjedia tjetër titullohet “Skënderi dhe Zulejka”, dhe trajton kohën kur Skënderbeu ndodhej në Turqi. Skënderbeu dashunohet me Zulejkën, por kuptohet, asht fjala për nji dashuni të pamundun.

Shpëtim Kelmendi: Gjatë përvojës tuaj të gjatë si përkthyes, a ju ka qëllue të dështoni përballë ndonjë teksti, tue e lanë atë përgjysmë?
Gjon Shllaku:
 Jo, sepse jam marrë gjithmonë me tekste që ngërtheheshin në aftësitë e mia. Nuk kam pranue asnjiherë punë të porosituna. Kam punue gjithmonë me pasion, me shpirt, dhe nuk jam tërheqë mbrapsht nga puna me ndonji tekst. Por më kanë humbë shumë tekste.

Shpëtim Kelmendi: Si jeni trajtue në kohën e diktaturës? A jeni vlerësue në masën e duhun për punën që keni ba?
Gjon Shllaku:
 Me thanë të drejtën, deri dy vjet para se me dalë në pension, rrogën e kam pasë 4500 lekë të vjetra. Kam punue si kryenormist në “Xunktha”, ku për të njëjtën punë më kanë diferencue ndjeshëm prej kolegëve të mi. Nuk ndjehesha i sigurtë sa herë që në ndërmarrje vinin instruktorët e partisë. Merrnin vesh se kush isha, e fill mandej më pyesnin se si ishte e mundun që më kishin lejue të punoja aty. Kërkonin të më largonin nga ajo punë e të më çonin në ndërmarrjen e ndërtimit, për të ba beton, pavarësisht faktit se në vitin 1965, “Iliada” ime e parë, e botueme me nji tirazh prej 5000 kopjesh, të cilat ishin shitë menjiherë, nji tekst i përkryem, i cili duhej të më jepte autoritetin që meritoja. Më pas, “Iliada” u ribotue me nji tirazh prej 15 mijë kopjesh, të cilat u përpinë gjithashtu nga lexuesi.

Shpëtim Kelmendi: A keni përfitue gja prej këtyne botimeve në kuptimin financiar?
Gjon Shllaku:
 Në botimin e parë, po, ndërsa në botimin e dytë, kur qeshë i detyruem me e kthye tekstin në normën letrare zyrtare, s’më dhanë kurrgja.

Shpëtim Kelmendi: Cilat nga veprat që keni përkthye i konsideroni ma të randësishmet?
Gjon Shllaku: Veprat e Homerit, natyrisht. Por, nëse Homeri asht ai që asht, Homeri i tragjedisë quhet Sofokli. E kam plagë në zemër veprën e Sofokliut, të cilën e pata dorëzue në ambasadën greke, të përkthyeme në gegnisht. E pata dorëzue në bashkëpunim me fondacionin “Soros”, i cili kishte ba edhe sponsorizimin. Fatkeqësisht, nëpunësit e fondacionit “Soros” ma përçudnuen veprën. Si ma përçudnuen? Unë e kisha përkthye tekstin në dy versione: gegnisht e tosknisht. Vepra iu dha Vera Isakut, të shoqes së Agim Isakut. Ajo gjoja e redaktoi veprën, tue i ba dhjetë vargje gegnisht, dhjetë tosknisht, e dhjetë të tjera ku di unë se si. Fundja, le ta kishte lanë krejtësisht në tosknisht, sepse kësisoj vepra do të ruante një karakter të caktuam. Këtë fakt nuk e kam përfolë kurrë, dhe asht hera e parë që po e them në nji intervistë.

Shpëtim Kelmendi: A keni kopje të tjera nga ky tekst?
Gjon Shllaku:
 Posi jo. I kam të dy versionet: në gegnisht e në tosknisht.

Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni diçka rreth fjalorit Latinisht-Shqip, që po përgatisni? Ku e keni fillue këtë punë?
Gjon Shllaku:
 Tashma janë mbushë trembëdhjetë vjet qëkur e kam fillue këtë punë. Fjalori ka përmasa të mëdha, sepse përfshin jo vetëm periudhën klasike, periudhë e mirëfilltë letrare, por edhe periudhën paraklasike; përfshin dekadencën e kulturës latine, përfshin latinishten e mesjetës, latinishten kishtare, e cila asht përdorë nga etërit e kishës, si Shën Jeronimi, Shën Thoma Akuini etj. Kësisoj, kushdo që dëshiron me përkthye nga latinishtja ndonji tekst që gjendet mes latinishtes antike dhe asaj shkencore moderne, fjalët do të mundet me i gjetë në fjalorin tim. Mungojnë vetëm termat joautentikë dhe fjalët e latinizueme.

Shpëtim Kelmendi: Jeni në përfundim të kësaj pune?
Gjon Shllaku:
 Si urdhnon!

Shpëtim Kelmendi: Me sa fjalë parashikohet të jetë ky fjalor?
Gjon Shllaku:
 Me 65 mijë fjalë. Deri tashti kam 4500 faqe të daktilografueme. Çdo faqe ka 42 rreshta, e këtë e kam ba për të kursye letrën, e cila pothuajse gjithmonë më mungon.

Shpëtim Kelmendi: Shumica e lexuesve ju njohin si përkthyes i “Iliadës”. Për mendimin tim, por edhe të shumëkujt, kjo vepër do të mjaftonte për t’ju konsiderue përkthyes të madh. A do të ishit dakord me këtë vlerësim?
Gjon Shllaku:
 Si t’ju them… Kur njeriu ka vetëm një fëmijë, e shndërron atë në nji idhull të vetin, po kur ka ma shumë, duhet t’i trajtojë të gjithë me të njëjtën masë dashnie. S’di ç’mund të them ma tepër.

Shpëtim Kelmendi: “Iliada” asht zanafilla e letërsisë botnore, e praktikisht ka mbetë si model i parë për artistin e fjalës. Prej këtu, mendoj se përkthyesi i një teksti të tillë fillimor meriton respekt të veçantë. Ju, a ndiheni i respektuem në masën e duhun?
Gjon Shllaku:
 Unë njoh versionet origjinale të përkthimeve në gjermanisht e italisht. Në gjermanisht asht Johann Heinrich Voss ai që e ka përkthye “Iliadën” qysh para dyqind vjetësh, e pak a shumë në të njëjtën kohë, “Iliada” asht përkthye edhe në italisht nga Vincenzo Monti. “Iliada” asht përkthye edhe disa herë të tjera në këto gjuhë, por versionet e para të përkthimit mbeten të paarritshme. Natyrisht, këta përkthyes kanë qenë figura shumë të nderueme në vendet e tyne. Sa për mua, të vetmet vlerësime në kohën e diktaturës, i kam pas marrë nga një shkrim i Henrik Lacajt, ndërsa Engjëll Sedaj ka shkrue: “… Aq sa janë enigmatikë personazhet e ‘Iliadës’, po aq enigmatik asht edhe emri i përkthyesit të saj.”

Shpëtim Kelmendi: Me përkthimin e “Iliadës”, veç të tjerash, ju keni dhanë prova se gjuha shqipe asht gjuhë e fortë, e aftë me u përballë edhe me nji gjuhë tjetër të madhe, si greqishtja e vjetër. Ju jeni i pari që e pohoni këtë fakt nëpërmjet punës.
Gjon Shllaku:
 Gjuha shqipe asht aq e fortë me përkthye letërsinë antike e moderne, sa mund të çuditeshit. Duhet ta dini dhe të jeni të bindun, se fjalët e para me të cilat fillon “Iliada”, janë shqip (reciton në greqishten e vjetër vargjet e para: “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…”). Në origjinal asht: “menos” = mëni, mëri. Gjithashtu, kemi fjalët “thymos” = thumbos, nguc, zemëroj. Tashti, le të marrim fillimin e veprës “Odiseu” (reciton sërish në greqishten e vjetër: “Më dëfto muzë, njeriun me jetë të rrahun…”). “Andra” asht kallëzorja e “anir” = anir, njeri.

Vetëm te “Iliada” kam gjetë 170 fjalë shqipe. Kemi, për shembull, fjalën “Kronos” = krua, kroi, kroni. Kemi fjalën “daju” = daj, ndaj, me nda.

Shpëtim Kelmendi: Ju përktheni nga të gjitha gjuhët që njihni, apo nga disa?
Gjon Shllaku:
 Ma tepër kam përkthye nga frëngjishtja. Më pëlqen shumë kjo gjuhë. Qysh në moshën 19 vjeç kam përkthye nga vepra e Victor Hugo, ndërsa në moshën 21 vjeç kam përkthye “Martirët” e François-René de Chateaubriand, shtatëqind faqe roman. Ma vonë kam përkthye: “Berberi i Seviljes” dhe “Martesa e Figarosë” të Beaumarchais, poezi lirike të Victor Hugo, poezi të Alphonse de Lamartine, poezi të Alfred de Vigny etj. Me nji fjalë kam përkthye nji dynja libra nga letërsia franceze. Kam përkthye “Sidi” të Pierre Corneille, “Ester” dhe “Atali” të Jean Racine, që të dyja drama me temë biblike.

Shpëtim Kelmendi: Te mjaft artistë të sotëm ekziston mendimi se familja është pengesë serioze për ndërmarrje të mëdha si kjo juaja. Ju si mendoni? Çfarë ka qenë familja për ju?
Gjon Shllaku:
 Për mua familja ka qenë përkrahje, gruaja veçanërisht. Ajo e çmon punën time dhe i don librat e mi si fëmijë: i prek, i ledhaton, u fshin pluhurin. Ka adhurim për ta.

Shpëtim Kelmendi: A keni miq? Çfarë vendi zënë ata në jetën tuaj?
Gjon Shllaku:
 Kam dashamirë. Unë i due njerëzit dhe gjithmonë mendoj mirë për ta. Për me pasë miq duhet me qenë i përkushtuem, me pasë edhe kohë. Por, siç e dini, unë rri tanë ditën i mbyllun mbrendë. Mandej, për t’i ruejtë marrdhaniet me miqtë, duhet me marrë pjesë edhe në raste gëzimi, idhnimi, a ku di unë. Unë nuk kam kohë për gja tjetër, përveçse për punë.

Shpëtim Kelmendi: A keni besim te Zoti? Nëse po, si e shprehni këtë besim?
Gjon Shllaku:
 Shumë. I respektoj nji për nji Dhjetë Urdhnesat, që Zoti ua ka zbritë njerëzve. Për gjithçka të mirë që kam, i falem nderës Zotit! Mbi të gjitha për faktin se, pavarësisht moshës që kam, nuk e ndij të nevojshme me mbajtë syze. Shikoj shumë mirë. Të pamët më ka ndihmue shumë. Arrij ta kap edhe shkrimin ma të imët në shqip, latinisht, greqishte e vjetër e çka të jetë.

Shpëtim Kelmendi: A jeni i kënaqun me punën tuej të derisotme?
Gjon Shllaku:
 Jam shumë i kënaqun, sepse atë që kam andërrue pothuajse tanë jetën, e kam ba realitet. Qysh në vitin 1940, kur isha 17 vjeç, pata ble veprat e tre autorëve të famshëm të Greqisë së Lashtë: Sofokliut, Euripidit, Eskilit. Lexoja tragjeditë e tyne të përkthyeme në italisht, dhe andërroja që nji ditë t’i sillja këta autorë në gjuhën shqipe. Sofokliun e kam përkthye krejt; nga Euripidi kam përkthye veprat ma të mira, ndërsa nga Eskili kam përkthye “Prometeu i lidhun”.

Shpëtim Kelmendi: Me sa di, ju nuk jeni prej atyne njerëzve që ankohen herë mbas here e për çdo gja…
Gjon Shllaku:
 As mos e mendo! Unë jam shumë optimist. Kënaqem gjithmonë me pak.

Shpëtim Kelmendi: A ndiheni ndonjiherë i lodhun, i dëshpëruem e në mungesë dëshire për punë?
Gjon Shllaku:
 Kurrë! I lodhun fizikisht, po. Në kësi rastesh vetëm flej. Ju nuk e dini: unë kam pasë nji sëmundje të keqe. Më kanë operue disa herë dhe kam vuejtë përnjimend shumë. Por, edhe pse në gjendje të tillë, ashtu i mbështjellë me batanije dhe i rrethuem me borsa uji të nxehtë, nuk kam reshtë asnjiherë së punuemi. Ishin kushte të randa, por që prapëseprapë nuk arritën me m’shkëputë nga puna. Megjithatë, tash që mendohem, kujtoj se e kam pasë edhe unë nji gjendje të vështirë në jetën time. Ndodhi kur ma vonuan pesë vjet botimin e nji teksti, e që për ma tepër nuk e pashë kurrë ma me sy. Me atë rast i thashë vetes, por edhe grues sime: “Po e la krejt këtë punë! Nuk po e çmon kush përkthimin.”

Shpëtim Kelmendi: A i keni pasë bezdi kontaktet me drejtuesit e këtyne institucioneve?
Gjon Shllaku:
 Ou! Mos pyet! Shumë! Vetëm te Ndërmarrja e Botimit që drejtonte Drago Siliqi kam shkue gjithmonë me kënaqësi, sepse ai më donte shumë. S’e harroj kurrë qëndrimin pozitiv që ka mbajtë ndaj punës sime. Dragoja ka qenë promotori i botimit të “Iliadës”. Simbas meje ka qenë njeri ideal, nji mecenat i palodhun.

Shpëtim Kelmendi: Ç’mendim keni në lidhje me përkthimin në shqip? A mendoni se po punohet me seriozitet në këto kohë?
Gjon Shllaku:
 Nuk jam i njoftun me materialet që përkthehen sot. Më duhet të baj punën time, kështu që nuk kam kohë me lexue përkthimet e të tjerëve. As durim. Nuk jam në gjendje me lexue as librat që më sjellin të njoftunit e mi. Tashma kam nji defekt të madh: sa herë nisi me lexue më zen gjumi. Sidoqoftë, nivelin e përkthimit arrij ta dalloj edhe në hapsinën e dy faqeve tekst. Nëse përkthimi në shqip ka ecë përpara, nuk duhet të harrojmë se përtej këtyne arritjeve qëndron puna vetëmohuese e sa e sa përkthyesve dhe letrarëve të mirëfilltë, që ishin ma para. Në qoftë se për të qenë shkrimtar i mirë s’asht e nevojshme të jesh magazinë kulturore, me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë. Ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët. Engjëll Sedaj mendon se niveli i përkthimit në Shqipni asht ma i naltë se sa tekstet e mirëfillta letrare që botohen. Unë për vete, deri kohë ma parë, i studioja me kujdes poetët shqiptarë, për të marrë prej tyne fjalë e shprehje të bukura. “Qerbelanë” e Naimit, për shembull, e kam lexue me shumë pasion.

Shpëtim Kelmendi: Me tanë atë përvojë që keni grumbullue në fushën e përkthimit, besoj se ju do të kishit shumë porosi për përkthyesit që po vijnë. Cilat mund të ishin këto porosi?
Gjon Shllaku:
 Kisha me u thanë se, pikë së pari, duhet ta studiojnë mirë gjuhën shqipe. Duhet me i njofte mirë autorët klasikë shqiptar, rapsoditë, kangët tona popullore, për me zbulue mendësinë, shpirtin, frymën e dashunisë që populli shqiptar ka arritë me e shndërrue në fjalë. Vetëm për me përkthye “Iliadën”, unë kam pas hartue nji fjalor prej 4000-5000 fjalësh. Gjendesha përballë nji ndërmarrjeje të madhe, ndaj më duhej të isha i sigurt.

Shpëtim Kelmendi: Nji fjalor i tanë në funksion të vetëm nji teksti?
Gjon Shllaku:
 Oh, sigurisht.

Shpëtim Kelmendi: Cilat janë veprat, që ndjeni nevojën t’i përktheni sa më parë?
Gjon Shllaku:
 “Iliada” më asht botue tri herë: dy herë në Shqipni e nji herë në Kosovë. Sofokliu nji herë. Do të doja të më botohej Euripidi me “Ifigjenia në Aulidë”, “Medea”, “Hipoliti” dhe “Alçesti”. Të tana këto vepra mund të përmblidhen në jo ma shumë se 250 faqe libër.

Shpëtim Kelmendi: Botimin e parë të “Iliadës” e keni ba në gegnisht. Për mendimin e një mase të konsiderueshme lexuesish, versioni gegnisht tingëllon ma bukur se ai në tosknisht, domethënë në standardin letrar. A bini dakord me këtë?
Gjon Shllaku:
 Sa herë kam shkrue në gegnisht, kam pasë shumë probleme në lidhje me botimin. E botimi më ka interesue shumë. Vetëm se duhet të keni të qartë diçka: edhe kur përdor variantin e gjuhës letrare, unë pothuajse prapë shkruej në gegnisht. Kjo ndodh për arsye se sintaksa, e cila përban bazën e nji gjuhe, asht gege. Nji “ë” apo nji “r” s’më prish fort punë. Unë mendoj se në tanë Shqipninë shkruhet gegnisht.

Shpëtim Kelmendi: Cilat janë përparësitë e gegnishtes në përkthim, gjithnji nëse, simbas jush, mund të flitet për përparësi?
Gjon Shllaku:
 Në gegnisht asht përkthye Dante Alighieri. Në gegnisht janë përkthye Homeri e Virgjili. Këta janë majat e letërsisë botore. E vërtetë se Shekspiri, nji tjetër gjigant, asht përkthye në tosknisht, nga Fan Noli, por në këtë rast bahet fjalë për nji shqipe artificiale. Fan Noli nuk ka jetue fare në Shqipni; kësisoj, ai nuk njeh shqipen e shqiptarëve që banojnë këtu, por shqipen e shqiptarëve që banojnë në Amerikë apo ndokund tjetër. Ai sjell nji tosknishte të vjetër, të papërpunueme, e jo tosknishten moderne.

Shpëtim Kelmendi: Pra, përparësitë e gegnishtes janë në poezi, në prozë, apo në të dyja njëherësh?
Gjon Shllaku:
 Gegnishtja i ka kultivue të gjitha gjinitë letrare. Gegnishtja ka romanin e parë, ka epikën ma të hershme e të tjera. Si kohë, Naimi vjen para Fishtës, por tetërrokëshi i tij nuk ka të krahasuem me atë të Fishtës. “Luftëtarëtë lëftuan” – thotë Naimi. Pse, tetërrokësh asht ky? Kurse Fishta të batërdis me tetërrokësh. Thotë ma shumë e ma fort.

Marrim edhe lirikën. A ka ndonji lirik të tosknishtes që mund të krahasohet me Mjedën? Poezia don përgatitje klasike, sidomos latine. Edhe greke, kuptohet, por këta shquheshin ma tepër si mendimtarë, ndërkohë që latinët i dhanë hov stilit poetik.

Shpëtim Kelmendi: Cilët janë përkthyesit e shquem shqiptarë, që ju i respektoni?
Gjon Shllaku:
 Ma së pari asht Ethem Haxhiademi. Çmoj Fan Nolin në përkthimin e “Don Kishotit”. Ka përdorë plot fjalë turke, por megjithatë ka punue mirë.

Shpëtim Kelmendi: Çfarë kishit me thanë në lidhje me ata që përkthejnë nga nji gjuhë e dytë, pra jo nga origjinali?
Gjon Shllaku:
 Kisha me thanë se ata lajnë tesha në nji ujë, ku dikush tjetër ka la përpara tyne. Duhet me përkthye vetëm prej origjinalit. Madje duhet me gjetë autorë, të cilët ndërkohë janë përkthye edhe në shumë gjuhë të tjera. Pse sheh edhe ndonji model tjetër përkthimor nuk asht keq. Thjesht kjo të ndihmon me u ndi ma i sigurt në punën tande.

Gjuha jonë shqipe asht e vjetër dhe e fuqishme. Unë nuk kam lanë fjalë pa përkthye te Homeri; madje në shumë raste kam përdorë nga tre a katër sinonime, vetëm me i dhanë sa ma shumë larmi përkthimit. Për shembull, kam përdor emrat: shtizë, ushtë, patërshanë, mëzdrak etj.

Shpëtim Kelmendi: Çfarë mendoni për “Odiseun” e Spiro Çomorës?
Gjon Shllaku:
 Mirë! Bukur! Spiro Çomorën e lexoj me qejf, sepse ai e njeh hekzametrin. Ata që nuk e njohin hekzametrin dhe nuk dinë me e skandue mirë, rrezikojnë me ra në kurthin e nji proze të pasistemueme. Hekzametri njihet pak, e kjo për arsye se nuk përfshihet në traditën e gjuhës shqipe. Mendoj se pa hekzametrin gjuha shqipe ka humbë shumë.

Shpëtim Kelmendi: Po ju, a e keni përkthye “Odiseun”?
Gjon Shllaku:
 Posi jo. Prej vitesh. Por ende nuk kam mundë me e botue.

Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni pse?
Gjon Shllaku:
 Në lidhje me këtë, besoj se kam diçka interesante me kallzue. Pothuajse në të njëjtën kohë kur unë çova “Iliadën” për shtyp, në Ndërmarrjen e Botimit, Spiro Çomora, dritë pastë, sepse s’asht ma mes nesh, e kishte përfundue së përkthyemi edhe ai “Iliadën”. Drago Siliqi, dritë pastë po ashtu, se as ai s’asht ma mes nesh, i tha Spiros që i kishte ra në dorë një përkthim shumë i mirë i “Iliadës”, prej Gjon Shllakut nga Shkodra. Në këtë rast, Spiroja tërhiqet tanë dinjitet, e kësisoj “Iliada” ime botohet.

Ma vonë na ndodhi e njëjta gja edhe me “Odiseun”. Prapë kishim punue njikohësisht e për të njëjtin libër. Kësaj radhe e ndjeva si detyrim moral që të tërhiqesha unë. E kështu, që prej shumë vitesh, “Odiseu” im vijon të mbetet në fletë të daktilografueme, në pritje të kohës së tij.

Shpëtim Kelmendi: E keni përkthye në gegnisht apo në tosknisht?
Gjon Shllaku:
 Në gegnisht. / KultPlus.com

Kur Joyce dhe Proust u takuan në vitin 1922 dhe u mërzitën tmerrësisht nga njëri-tjetri

Kur përmendim emrat e artistëve të mirënjohur të së shkuarës, u referohemi veprave të tyre më të vlerësuara – për shembull, Orson Welles na kujton Qytetarin Kane ose Luftën e botëve, dhe H. G. Wells na kujton Makina e kohës ose… Luftën e botëve. Dhe kur të dy artistë u takuan në vitin 1940, zbuluan se botët e tyre, të cilat tashmë ishin ndërthurur në filmin famëkeq të Welles-it, kishin goxha për të folur së bashku, duke shkëmbyer përzemërsisht histori, idera dhe admirim reciprok.

Një tjetër takim historik ndërmjet dy artistëve të cilin mund ta konsiderojmë të ngjashëm, ai midis James Joyce-it që njihet për Uliksin, dhe Marcel Proust-it që njihet për Në kërkim të kohës së humbur, nuk solli një bisedë kaq të këndshme.

Siç ka vënë në dukje kritiku irlandez, Arthur Power:

“Ja tek takohen dy figurat më të mëdha të letërsisë së kohës sonë, dhe e pyesin njëri-tjetrin nëse i pëlqejnë tartufët.”

Ky të paktën është njëri version i kësaj ngjarjeje në maj të vitit 1922, kur Proust-i po i afrohej fundit të jetës. Takimi u bë në një një festë të organizuar për Igor Stravinsky-n dhe Sergei Diaghilev-in, në hotel Majestic. Të dy ishin lexues të etshëm, me memorie të shkëlqyera (siç e dimë me siguri për Proust-in) dhe i kuptonin me intuitë mekanizmat kulturorë të modernitetit. Ata mund të bënin biseda kaq serioze….

Megjithatë, një pjesëmarrës me emrin William Carlos Williams, e përshkruan në mënyrën më komike…..

Ben Jackson i London Review of Books shkruan: “Joyce-i mbërriti i dehur dhe i veshur keq, ndërsa Proust-i, me një gëzof të hedhur mbi supe, hapi derën”.

Më pas, shkruan Williams, “të dy burrat u ulën në karrige krah njëri-tjetrit, ndërsa “mbështetësit” prisnin “shkëndija prej fjalëve të mençura”.

Ndërsa ata biseduan për sportet e për motin, sikur të ishin dy të moshuar që po takoheshin në sallën e pritjes për t’u vizituar te doktori, apo dy personazhe të Samuel Beckett-it, të munduar nga ankesat e papërfillshme me rëndësi madhore.

“Kam përditë dhimbje koke. Sytë i ndiej shumë keq”, – tha Joyce-i.

Proust-i ia ktheu:

“Stomaku im i gjorë. Si do t’ia bëj? Po më dhemb. Në fakt, duhet të largohem menjëherë”.

“Ndodhem në të njëjtën situatë”,-iu përgjigj Joyce-i. “Sikur të gjej dikë që të më mbajë për krahu. Mirupafshim”!

“Charmé”, -tha Proust-i. “Oh, stomaku im, stomaku im”.

Ford Madox Ford e konfirmon këtë version, por siç tregon Richard Ellmann, që është biografi më i respektuar i Joyce-it, organizatori i festës, romancieri Sydney Schiff, e mohon atë. Nuk duket se Ellmann favorizon ndonjë version të caktuar, megjithatë, ai na tregon versionin e Joyce-it, i cili është dhënë shumë herë.

Autori i Uliksit mbante mend se “biseda e tyre përmbante vetëm fjalën ‘Jo’. Proust-i më pyeti nëse e njihja filan njeri. I thashë, ‘Jo’”. Ndërsa Proust-i u pyet nëse e kishte lexuar Uliksin, dhe ai u përgjigj gjithashtu negativisht. “Ishte një situatë”, kujton Joyce-i, “e pamundur”. Të ftuar të tjerë e mbanin mend në mënyrë të ngjashme takimin.

Në një version tjetër ne shohim se çfarë ndodh pas diskutimit të tyre – një rrëfim që i përngjan një skenari të një mbrëmjeje që mbyllet me zhgënjim. Bashkëshortja e Sydney Schiff-it, Violeta, kujton se Joyce-i i dehur u fut në një taksi bashkë me këta të dy dhe Proust-in, e hapi direkt dritaren. “Duke ditur frikën paralizuese që Proust-i kishte ndaj rrymës së erës”, shkruan një faqe për Proust-in, Violeta “e mbylli menjëherë dritaren”. Kur taksia mbërriti tek apartamenti i Proust-it, romancieri francez e “nxiti irlandezin që ta lejonte taksistin ta çonte deri në shtëpi”, e më pas “shpejtoi për tek apartamenti i tij”.

Interpretimet e shumta kundërshtuese, duket se bashkohen në një pikë: takimi ishte i pavlerë. Megjithatë, një shkrimtar botoi së fundmi atë që pretendohet se është një libër i tërë mbi këtë temë. Edhe ai mbërrin në konkluzionin se “askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë folën me njëri-tjetrin”. Është tunduese të mendosh se mund të kishte shkuar ndryshe, nëse do të ishin takuar më herët ose në rrethana të tjera, duke marrë parasysh prirjen e Joyce-it për të pirë me tepri dhe shëndetin e dobët të Proust-it e antipatinë e tij ndaj shoqërisë. Revista The New Inquiry citon një koment që Joyce-i i bëri Samuel Beckett-it për Proust-in:

“Nëse do të na kishin lejuar të takoheshim e të bisedonim diku….”

Megjithëse thuhet që të dy shkrimtarët rrëfyen se nuk ia kishin lexuar librat njëri-tjetrit, Jackson vëren se kur Joyce-i “pranoi që u kishte hedhur një sy disa faqeve, deklaroi se nuk kishte dalluar ‘ndonjë talent të veçantë’”. Ai gjithashtu shfaqi njëfarë zilie për rrethanat e rehatshme të Proust-it. Proust-i, i cili vdiq gjashtë muaj më vonë, nuk përmendi ndonjë gjë për takimin që pati.

Përktheu David Hudhri / KultPlus.com

Dhjetë vjet nga vdekja e aktorit Skënder Sallaku

Artisti Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935. Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. 

Njëkohësisht Sallaku me të njëjtin pasion iu përkushtua edhe sportit të mundjes klasike, ku koleksionoi edhe titullin “Kampion Kombëtar”.

Aftësitë e tij sportive do t’i shërbenin edhe në skenë, pasi në vitin 1956 ai u emërua si aktori i parë akrobat pranë Teatrit të Estradës dhe Varietesë së Tiranës, duke u bërë pjesë e trupës profesioniste të atij institucioni. 

Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit. Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë.

 Disa nga interpretimet e tij më të njohura janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” e shumë e shumë të tjera. Ndërkohë ai luajti edhe në ekranizimin e materialeve komike si në filmat: “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, etj., ku ai gjithashtu do të tregonte nivele të larta interpretimi. Për këto arsye artisti Skënder Sallaku gjatë karrierës u vlerësua me shumë çmime si: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”. 

Artisti Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme prej së cilës ai vuajti për disa vite, por megjithatë gjente forcën të angazhohej dhe të ishte aktiv me mënyrën e tij, që ishte shkrimi i materialeve komike. / KultPlus.com

Profili historik i Ali Kelmendit

Kosovar BASHA

Ali Hadri, Ali Kelmendi (1900-1939), Akademija Nauka i Umetnosti Kosova, Pristina, 1984, f.241.

Monografia e autorit akademik Ali Hadri u botua në një periudhë të vështirë politike në të cilën ndodhej Kosova dhe autori i librit. Prof. Ali Hadri, profesor Universiteti, Drejtor i Institutit të Historisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pas vitit 1981 u diferencua politikisht dhe rrjedhimisht ju pamundësua puna në Katedër dhe Institut. 

Veprimtaria e tij pas këtij viti ngeli vetëm në projekte të veprimtarisë shkencore të Akademisë. Historian më një njohje të thellë historike, mjeshtër i shkrimit të historisë prof. Ali Hadri në vitin 1984 arriti të bëjë një sintezë të Ali Kelmendit antifashistit të njohur dhe personalitetit të kryesor të lëvizjes komuniste në Shqipëri. Monografia është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, me një stil të natyrshëm të tij, më faktografi të bollshme arkivore, literaturë relevante dhe shtypin e kohës. Poashtu autori i veprës për hartimin e këtij libri bëri intervista gojore me disa nga personalitetet të cilat patën kontaktë të drejtëpërdrejt më Ali Kelmendin si bie fjala prof. Aleks Buda, Roza Buda, prof. Dhimiter Shuteriqi etj. 

Në fund të monografisë, autori ka dhënë një shtojcë me dokumente arkivore të cilat janë vjelur në Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin e Korçës, pastaj edhe copëza të shtypit të kohës. Zatën ky libër deri më tash mbetet përpjekja më serioze për të ndriçuar në mënyrë të tërësishme personalitetin e Ali Kelmendit. Sipas prof. Ali Hadrit, Ali Kelmendi hynë në rangun e personaliteteve më të dalluara të popullit shqiptar, jeta dhe vepra të cilit është e lidhur ngusht me luftën për liri kombëtare. Libri është i konceptuar në 11 kapituj të vegjël, të cilat japin në tërësi jetën dhe veprën e Ali Kelmendit në kontekstin historik. Në pjesën e parë gjejmë informacione të rinisë së Ali Kelmendit. Ai u lind më 1900 në Pejë, në një periudhe historike kurr lëvizja kombëtare shqiptare shënonte fazën e katërt të saj. Fëmijëria e Ali Kelmendit do të lidhej me këtë qytet, ku do të përfundonte shkollën fillore me sukses. Shkollën e mesme nuk e përfundoj për shkak të fillimit të Luftërave ballkanike, por më pushtimin austro-hungarez treva e Pejës do të kishte fatin të shijonte mësimin në gjuhën shqipe. Autori na tregon se patrioti shqiptar Bajram Curri luajti një rol të madh në hapjen e shkollave shqipe në regjionin e Pejës ku nxënësi i ri Ali Kelmendi do të përfundonte një kurs në gjuhën shqipe. 

Nga viti 1919-1920 Ali Kelmendi, do të fillon angazhimet e para në fushën politike i ndikuar thellë nga literatura sovjetike kryesisht edhe nga idetë përparimtare për kohën siç ishin ato të Leninit. Organizatorët e parë që do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë të Ali Kelmendi ishin Ymer Paçarizi, Zef Lush Marku etj. Nga viti 1921-1922, do të mbante kontakte me Hasan Prishtinën, dhe Bajram Currin. Mund të thuhet që kjo ishte edhe faza e parë e veprimtarisë së tij politike. Me faktografi autori na njofton për aktivitetin e tij në lëvizjen demokratike në Shqipëri gjatë viteve 1921-1924. Këtej Ali Kelmendi do të fillon të mban kontakte në Shqipëri me personalitete si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Fan Noli, Avni Rustemi etj. Në vitin 1922 ai do të futet në organizatën “Bashkimi”. Do të jap kontribut të çmuar për këtë organizatën në rajonin e Tropojës. Organizata në fjalë kishte në program luftën antifeudale, dhe kishte orientim majtist. Gjatë vitit 1923 Ali Kelmendi do të krijojë një rrjet të madh të njerëzve dhe bashkëpunon fuqishëm edhe me kosovar si Asim Vokshi, Niman Ferizi, Ibrahim Gjakova etj. Revulucioni i qershorit më 1924 do ta joshte pamasë Ali Kelmendin, kështu ai u rreshtua me Bajram Currin, Fan Nolin e shumë antizogist të tjerë të cilat organizuan këtë kryengritje. Edhe pse u shua kjo kryengritje Ali Kelmendi nxorri mësime nga kjo përvojë, dhe nuk e ndali veprimtarinë e tij si revolucionar. Prof. Ali Hadri na ofron të dhëna të tjera për veprimtarinë e Ali Kelmendit në Moskë. Me analiza të thukta autori vë në pah punën e tij në mërgim krah për krah me Fan Nolin. Kështu në Itali, Austri, Francë ai do të jap kontribut në përhapjen e ideve komuniste. Ali Kelmendi gjatë periudhës 1925-1930, në Moskë do të punon fort bashkë me Ymer Domin, Asllan Pejanin e të tjerë, gjithashtu në këtë kohë do të mban kontakte të vazhdueshme Georgi Dimitrovin. Themelimi i organizatës “Konare” më 1925 do të lidhej në mënyrë indirekte me të, sepse themelues direkt ishte Fan Noli. Komunistët shqiptar në Moskë me ndihmën e tij hartuan statutin e vet, të ndikuar drejtëpërdrejtë nga Kominterni. Një prej pjesëve më interesante të librit i gjejmë në kapitullin e titulluar “Organizator i grupeve komuniste shqiptare në vitet 30 të shek.XX”. Prof. Ali Hadri me anë të dokumenteve arkivore, qartëson se Ali Kelmendi i udhëzuar nga Georgi Dimitrovi pra Kominterni, erdhi në Shqipëri më detyra të qarta më 1930. Nga një informacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë shifet qartë se shteti shqiptar udhëzonte ndjekjen e tij si njeri të dyshimtë. Vitet 1930-1936 janë vite kurr Ali Kelmendi do të qëndroj në Shqipëri nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Disa herë gjatë viteve 1930-1936, do të internohej në Berat, Himar, Porto Palermo etj, por aktiviteti i tij nuk do të ndalej asnjëherë edhe pse nën vëzhgim të vazhduar nga autoritetet e Zogut. Në Korçë sipas prof. Ali Hadrit në vitin 1932, Ali Kelmendi do të vendoste kontakte me Niko Hoxhën, Mihajl Lakën etj, me të cilët do të rriste aktivitetin komunist. Ali Kelmendi gjatë kësaj kohe do të themelonte pra grupe komuniste të Korçës, dhe pastaj në Tiranë më ndihmën e Asim Vokshit dhe Vasil Shantos punoj në ngritjen e celulave komuniste të Tiranës. Dokumentet arkivore na shpalosin letra të shumta nga Ali Kelmendi, i cili ndonëse në internim në Porto Palermo do t’i shkruaj shokëve të tij komunistë për ndërmjetësim që ai të lirohet. Se aktiviteti i tij ishte i frytëshëm dëshmon edhe puna që bëri për lëvizjen punëtore. Së këndejmi me ndikimin e tij u themelua organizata “Puna”e cila mbronte të drejtat e punëtorëve të cilët punonin në kushte tepër të vështira. Protestat e punëtorëve në Kuçovë më 1936 patën jehonë të madhe në Shqipëri. Rritja e paknaqësisë ndaj Zogut dhe puna e vazhdueshme e organizatave komuniste ku Ali Kelmendi ishte prezent gjithashtu bën që në Fier të shpërthente një kryengritje e njohur në historiografi si “Kryengritja e Fierit”. Ali Kelmendi kishte kontakte të vazhdueshme me Riza Cerovën i cili organizoj këtë kryengritje. 

Edhe pse u shtyp nga Zogu kjo lëvizje dha sinjale të qarta të rritjes së lëvizjes majtiste në Shqipëri ku Ali Kelmendi kishte padyshim rol të madh. Pos kësaj autori na shpalos materiale interesante ku Ali Kelmendi me shok organizoj demonstrata me peshë më 1936 si në Korçë, Vlorë, Gjirokastër etj. Të gjitha këto manifestime kishin një arsye – kundërshtimin e politikës së Zogut karshi vendit. Pas ikjes nga Shqipëria, Ali Kelmendi morri pjesë në mbledhje të shumta të Kominternit së bashku me Halim Xhelon. Ai informoj Kominternin për të gjitha të arriturat e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Rruga të cilën e ndoqi Aliu dha fryte të bollshme edhe në fushën e propagandës. Këtej më 1938 ai insistoj të themelohen edhe gazetat si “Sazani”, “Puna” si dritare ku do të kundërshtohej regjimi i Zogut. Në libër gjejmë copëza tejet me rëndësi për angazhimin e Ali Kelmendit në mobilizimin e shqiptarëve në Luftën e Spanjës 1936-1939. Në mënyrë të veçantë pati ndikim te Asim Vokshi të cilin e bindi që të shkonte në Luftë. Gjithashtu drejtëpërdrejtë e këshilloj dhe e dërgoj për front të luftës poetin e ri Petro Markon. Dihet se shumë shqiptar si Skënder Luarasi, Justina Shkupi e të tjerë nuk u nisën me rekomandimin e Kominternit por shkuan vetë në frontin e Luftës së Spanjës. Dha një kontribut të çmuar në botimin e gazetës “Vullnetari i lirisë” gazetë e të gjithë shqiptarëve në luftë. Prof. Ali Hadri përmes intervistave me Aleks Budën, Esat Dishnicën, Roza Budën na sqaron se Ali Kelmendi tërë kohën sensibilizoj shqiptarët në Europë, për të shkuar në Luftën e Spanjës. Ali Kelmendi vdiq në Paris më 1939 nga një sëmundje e mushkërive. Vdekja e tij u bë lajmë në gazetat shqiptare si “Sazani” i cili në faqet e veta shkruante rreshta të artë mbi veprimtarinë e këtij personaliteti të dalluar. Shqiptarët e Francës organizuan një mbrëmje kushtuar këtij vigani ku foli Qamil Qela. Ai vuri në dukje rolin e madh që luajti Ali Kelmendi për lëvizjen komuniste dhe Shqipërinë në përgjithësi. Poashtu për vdekjen e tij folën përfaqësues të Bullgarisë, Francës etj, të cilën çmuan punën revolucionare të Ali Kelmendit. Monografia e prof. Ali Hadrit fillimisht na plotëson një boshllëk në fushën historiografike. 

Ky studim na mëson se si shkruhet një monografi mbi një personalitet historik. Erudicioni i prof. Ali Hadrit është aktual sot e gjithë ditën, mënyra e interpretimit të dokumenteve, pastaj ngjarjeve dhe mbi të gjitha siç thekson prof.Hadri “analiza e personalitetit në tonalitetin shoqëror”. Sigurisht ky libër do të ishte më i plotë, në qoftë se do të plotësohej me intervista si ajo me Petro Markon ose me Shaban Bashën, që të dy kishin njohje të thellë me Ali Kelmendin në fillet e Luftës së Spanjës dhe kishin një shoqëri nga jeta në Parisin e viteve 1936-1939. Studimi i prof. Ali Hadrit na hap një rrugë të re shkencore, ku përmes njohjes së Ali Kelmendit mund të analizojmë personalitete të tjera të cilët jetuan, vepruan dhe kishin peshë në vitet 30 të shek.XX.

(Autori është hulumtues i pavarur për shek.XX në Institutin e Historisë në Prishtinë).

Dashurisë

Poezi nga Ndoc Gjetja

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim,
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
në pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë,
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër
në atë vend ku ti mungon!