‘U futën para me thes për terrorizëm’- Kurti ua sqaron serbëve rregulloren e BQK’së në gjuhën serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë përmes një videoje në gjuhën serbe. Kurti ka thënë se arsyeja e rregullores së re të BQK’së nuk është ndalimi i dinarit por formalizimi i parave. Sipas tij, Serbia ka financuar terrorizëm, duke dërguar para me thasë për në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.

“Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë”, vijon ai.

Tutje, ai ka thënë se shuma e parave që vjen nga Beogradi, do të dihet saktësisht nga autoritetet e Kosovës. /Insajderi.org/KultPlus.com

Nesër hyn në fuqi rregullorja e re e ‘Prishtina Parking’

Më 22 janar të 2024-ës hynë në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.

Kështu ka bërë të ditur faqja zyrtare “Prishtina Parking”, përcjell Klankosova.tv.

Përndryshe në njoftim janë listuar gjashtë veprime që qytetarët rezident duhet të ndërmarrin me fuqizimin e rregullores së re.

Njoftimi i plotë:

“Ditën e hënë me datë 22 janar 2024 hyn në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.

Cilat janë veprimet që duhet të ndërmerren nga banorët rezident?

– të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking.

– në kontaktin që do e realizojmë do të informojmë banorët nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.

– nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro.

– nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë.

– të gjithë banorët e regjistruar më herët do të kontaktohen brenda kësaj periudhe. Gjithashtu, përgjatë kontaktit do të informohen banorët që kanë parapagim për t’u rimbursuar.

– deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat)”./KlanKosova/KultPlus.com