Tri opera të Puccini-t, së shpejti në TKOB

Tri vepra krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, por që i bashkon një element i vetëm si vdekja, do të vijnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit. “Il Tabarro”, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schichi”, nga Giacomo Puccini, sjellin një histori dashurie me fund tragjik në Parisin e romancave të mëdha, fatin e një vajze që vuan dënimin e saj, e detyruar të vishet murgeshë dhe të mos e takojë kurrë fëmijën e vet si dhe Gianni Schichi-n, personazhi më interesant të Firences që ka lënë një testament i cili ka mërzitur familjarët.

Për këtë sipërmarrje me peshë të TKOB, do të ketë tri skenografi, të ardhura enkas nga Italia, me mbështetjen e Fondazzione Festival Pucciniano dhe Institutit Italian të Kulturës. Tri operat e Puccini-t si dhe të tjera aktivitete të TKOB, do të ekzekutohen në kuadër të vitit Puçinian, në 100-vjetorin e vdekjes së kompozitorit.

TKOB fton përmes rrjeteve sociale, ku shkruan se, “Il Trittico” është vepra që nuk duhet ta humbisni. / atsh / KultPlus.com

Samiti për Ukrainën më 28 shkurt në Tiranë, Zelensky do të vizitojë Shqipërinë

Më 28 shkurt në Tiranë do të mbahet samiti për Ukrainën, ku i pranishëm do jetë edhe presidenti Volodimir Zelenksi.

Një ditë më pas, më 29 shkurt do të ketë një takim me vendet e Ballkanit Perëndimor po në kryeqytetin shqiptar.

Takimi në 29 shkurt i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në kuadër të planit të rritjes ekonomike dhe perspektiva europiane e vendeve te rajonit. / KultPlus.com

Kate Winslet: Jeta ime ishte e tmerrshme pas “Titanic”

Kate Winslet ka folur së fundmi për revistën “Porter” dhe është shprehur se fama që mori pas suksesit të menjëhershëm të filmit të “Titanic” e bëri atë të ndihej “e tmerrshme”.

“Ndihesha sikur duhej të dukesha në një mënyrë të caktuar ose të isha një gjë e caktuar, dhe për shkak se ndërhyrja mediatike ishte kaq e rëndësishme në atë kohë, saqë jeta ime ishte mjaft e pakëndshme”, tha Winslet., teksa më tej vijoi,  “Gazetarët gjithmonë thoshin: “Pas ‘Titanic’, ju mund të kishit bërë gjithçka dhe megjithatë keni zgjedhur të bëni këto gjëra të vogla. Dhe unë thashë, ‘po sepse të jesh i famshëm është e tmerrshme’”.

“Unë isha mirënjohëse, sigurisht”, shtoi Kate. “Isha në fillim të të 20-ave dhe munda të merrja një shtëpi, por nuk doja të më ndiqnin duke ushqyer rosat”.

Pavarësisht se e urrente famën që erdhi së bashku me luajtjen në filmin 11-herë fitues të Oscarit së bashku me mikun më të mirë, Leonardo DiCaprio, Winslet zbuloi se niveli i saj aktual i famës “nuk është më një barrë”.

Kjo nuk është hera e parë që aktorja e “Divergent” shprehet për mospëlqimin e saj ndaj gjithë vëmendjes që mori pas suksesit të filmit. Në vitin 2021, ajo u shfaq në një episod të podcast-it “WTF With Marc Maron” ku zbuloi se shkoi “menjëherë në modalitetin e vetëmbrojtjes”, pasi pretendoi se u ndje e “ngacmuar” nga disa tabloidë në Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

Me biçikleta drejt Prekazit e Gllogjanit, “Tour De Friends” organizon një udhëtim të veçantë për Pavarësinë e Kosovës

Ekipi i “Tour De Friends” po organizon një udhëtim të shkëlqyer çiklistik në datën 17 Shkurt, për të festuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës në mënyrën më të veçantë.

Nisja do të jetë nga kryeqyteti i Prishtinës, dhe do të vazhdojë drejt Prekazit të familjes Jashari dhe fshatit Gllogjan për të eksploruar kulturën, historinë dhe bukurinë e vendlindjes
sonë.

Ky event është një mundësi e shkëlqyer për të festuar sukseset tona kombëtare, për të nderuar kujtimin e heronjve tanë dhe për të përjetuar solidaritetin dhe krenarinë tonë kombëtare nëpërmjet çiklizmit.

“Bashkohu me ne për një udhëtim të paharrueshëm dhe për të përjetuar shpirtin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në çdo pedalim!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

351 vjet nga vdekja e Molierit, figura e ndritur që hodhi themelet e komedisë franceze

Molieri lindi më 15 janar 1622 e vdiq më 17 shkurt 1673.

Molieri (Zhan Baptist Poklen) është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, që hodhi themelet e komedisë franceze. Jetoi veprimtarinë e vet dramatike në të ashtuquajturin “shekull të artë” të monarkisë absolute, që shënonte etapën më të lartë të feudalizmit si rend shoqëror dhe fillimin e shpërbërjes së tij. Së bashku me disa dashamirë të vet, formon një trupë me nëntë aktorë, të cilën e quan “Teatri mbretëror”, pikërisht në këtë kohë e ndërroi emrin dhe u quajt Molier. Ai ushtronte në të njëjtën kohë detyrën aktor, regjisor, drejtues trupe dhe autor tekstesh. Jeta e tij ishte lidhur ngushtë me teatrin. Duke i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor, në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi. Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin shumë telashe në jetë. Për shembull, vënia në dukje e hipokrizisë së klerit tek Tartufi, e detyroi ta përpunonte tri herë tekstin për ta shpëtuar nga censura, ndërkaq guximin për ta shfaqur me çdo kusht para publikut, e pagoi me shkishërim. Krijimet e Molierit janë pak a shume anekdota, pasi ato nuk godasin personin por godasin vesin, dhe kanë për qëllim t’i mësojnë njerëzve moralin. Kjo dallohet shumë dhe te vepra “Borgjezi fisnik” i këtij dramaturgu.

Molieri shprehu nëpërmjet teatrit mendimin e vet për shumë nga problemet të epokës kur jetoi, si për shembull: hipokrizinë klerikale dhe shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, preciozitetin, kopracinë, tendencën e një pjesë të borgjezisë për të imituar fisnikërinë, martesën borgjeze e despotizmin prindëror etj.

Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet, Kornejit e Rasinit. Molierin nuk e shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit. Para se gjithash, ai dëshironte “t’i pëlqente publikut” dhe për të “kjo është rregulla e madhe e të gjitha rregullave”. Sipas tij komedia duhet ta bëjë spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik. (d.m.th. të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës).

Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike, kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e shumë dinamik. Me mjeshtëri Molieri krijon atmosferë të nxehtë, të shkaktuar nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe demskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë. Veprat më të njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe Borgjezi fisnik.

Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet. Së bashku me Shekspirin, Molieri ishte pa dyshim një nga dramaturgët më të mëdhenj e më popullor botërorë. Por fama e tyre vazhdon të ecë edhe në gjurmët e së ardhmes.

Kopraci: Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Herpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga figurat më negative, antipatike e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.

Duke i venë titullin Kopraci, Molieri e përcakton qysh në titull pjesën e tij si komedi karakteri, në të cilën përqeshen personat që e bartin këtë ves të ligë e asocial, që e deformon përçudshëm karakterin e tyre. Pikënisjen për Kopracin Molieri e ka marre nga komediografi romak Plauti, i cili në pjesën me titull Kusia tregon se si Euklioni , që gjeti një ditë një kusi plot me monedha të arta, jo vetëm që nuk harxhoi asnjë grosh, po edhe humbi rehatinë e gjumin nga frika se mos ia merrte kush kusinë e shtrenjtë. Molieri e quan kopracin e vet me emrin Harpagon dhe e paraqet si të qenit të robëruar nga vesi i vet, në atë mase sa të qenit koprac përbënë thelbin e karakterit të tij. Dhe ishte me i miri i të gjithë autorëve. / KultPlus.com

Tradita e “surretënve” apo karnavaleve shkodrane

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zbuloi pak nga tradita e mrekullueshme shumëvjeçare e Shkodrës, përmes një postimi në rrjetet sociale, mbi karnavalet e Shkodrës.

Beci kujton se, karnevalet në Shkodër janë quajtur “surretën” ose më saktë ashtu quhen ato që vishen për karnavale.

“Në vitin 1860 erdhën në Shkodër dy këpucarë: njani hungarez, Shtjefën Ingris, tjetri Dalmatin, Jovan Drakutinoviqi. Të dy mjeshtrat i tregojshin punëtorëve rreth kremtimeve të karnevaleve që zhvilloheshin në përjashta, sidomos në Venedik”, shkruan kryebashkiaku Beci duke përcjellë një gojëdhënë të vjetër nga Gjush Sheldia (arsimtar e studiues i folklorit të Shkodrës).

Tradita tregon se “surretënit” shëtisnin, i binin dyerve të shtëpive, këndonin, kërcenin duke kërkuar shpërblim petullat karakteristike, por edhe fruta të thata.

Nismëtarët e festimit realizoheshin nga disa grupime, që zotëronin aftësi për “aheng e dyzen” me daulle e surle, një kortezh me instrumentistë të ndryshëm, valle dhe ekspozim i veshjeve të ndryshme dhe me maska. / atsh / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Radios

13 shkurti është Dita Botërore e Radios, e shpallur si e tillë në 2011, prej shteteve anëtare të UNESCO-s.
“Në këtë Ditë Botërore të Radios, ne festojmë jo vetëm historinë e radios, por edhe rolin e saj qendror në shoqëritë tona, tani dhe në vitet në vijim”, ka deklaruar Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s.

Sipas të dhënave të faqes së OKB, në nivel global, radio mbetet mediumi më i konsumuar. Kjo aftësi unike për të arritur audiencën më të gjerë do të thotë se radio mund të formësojë përvojën e diversitetit të një shoqërie, të qëndrojë si një arenë ku të gjithë zërat të flasin, të përfaqësohen dhe dëgjohen.

OKB thotë se stacionet e radios duhet t’u shërbejnë komuniteteve të ndryshme, duke ofruar një shumëllojshmëri programesh, pikëpamjesh dhe përmbajtjesh, si dhe të pasqyrojnë diversitetin e audiencës në organizatat dhe operacionet e tyre.

Radioja është një medium me kosto të ulët, i përshtatshëm posaçërisht për të prekur komunitetet e largëta dhe njerëzit vulnerabël, duke ofruar një platformë për të ndërhyrë në debatin publik, pavarësisht nga niveli arsimor i njerëzve. Radioja gjithashtu luan një rol vendimtar në komunikimin e urgjencës dhe lehtësimin e fatkeqësive./ atsh / KultPlus.com

Në mbrojtje të poetëve

Poezi nga Niels Hav

Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.

Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.

Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!

Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta

Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta

Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.

Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.

Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.

Përktheu: Kujtim Morina / KultPlus.com

Aplikacioni Threads me 130 milionë përdorues

“Aplikacioni Threads, alternativa e Metës ndaj X, tani ka 130 milionë përdorues aktivë mujorë”, tha të enjten CEO Mark Zuckerberg teksa prezantoi rezultatet e tremujorit të parë të kompanisë mëmë Facebook.

Kjo do të thotë se rrjeti social Threads fitoi rreth 30 milionë përdorues të rinj brenda tre muajve. Meta e lansoi aplikacionin në Bashkimin Evropian në dhjetor, pesë muaj pasi u lançua në pjesë të tjera të botës.

Zuckerberg ka thënë gjithmonë se Threads ka potencial për më shumë se një miliard përdorues. Ai theksoi se ai po përdoret më shumë tani sesa gjatë stuhisë fillestare afatshkurtër kur u lançua verën e kaluar.

Threads është ende i vogël në krahasim me platformat e tjera Meta. Facebook tani ka 3.07 miliardë përdorues aktivë mujorë. Çdo muaj, 3.19 milionë përdorues aksesojnë të paktën një aplikacion Mete, i cili zotëron gjithashtu Instagram dhe WhatsApp.

Threads është i ndërlidhur me Instagram, kështu që mund të ndërtohet mbi lidhjet ekzistuese midis qindra miliona përdoruesve./alsatm/KultPlus.com

TKOB sjell shfaqjen ‘Puccini in Love’ në ditën e Shën Valentinit

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka përgatitur një program të veçantë, enkas për Ditën e Shën Valentinit. Prej kohësh ky teatër ka nisur një fushatë mediatike në rrjetet sociale, përmes së cilës u drejtohet kryesisht të rinjve, duke iu qasur atyre me sloganin “për date në opera” (për takim në opera).

“Nëse ende nuk e ke ftuar të dashurën apo të dashurin për takim në opera, ky është rasti ideal”, shkruan TKOB në rrjetet sociale.

Këtë Shën Valentin, TKOB do të sjellë shfaqjen “Puccini in Love”, një mbrëmje të tërë dedikuar dashurisë e pasionit, me ariet dhe duetet nga operat më të njohura të historive të mëdha të dashurisë.

Më datë 14 shkurt do të interpretohen arie dhe duete nga operat “Tosca”, “Turandot”, “La Boheme”, “Manon Lescaut”, “Madame Butterfly”, “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schicchi” dhe “Le Villi”. Të gjitha janë vepra të shkruara nga njëri prej kompozitorëve më të suksesshëm në Itali dhe rang botëror. Puccini u nda nga jeta 100 vjet më parë dhe teatro nga më të rëndësishmit, ia kanë kushtuar këtë vit, veprës së tij./atsh/ KultPlus.com

Tirana nikoqire e tryezës BE-Ballkan Perëndimor mbi planin e rritjes

Në Tiranë, u zhvillua sot tryezë ministrore e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor për fushën e integrimit evropian, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), mbi Planin e Rritjes.

Sipas njoftimit nga Qeveria, në këtë takim, delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Gjithashtu u tha se tema të diskutimit ishin përfitimet nga Plani i Rritjes dhe perspektiva e rrugës së integrimit në BE, forcimi i integrimit ekonomik me Tregun Unik të BE-së, si dhe mbështetja e përshpejtimi i reformave kyçe.

“Ky ishte një takim përgatitor, në pritje të takimit të radhës të liderëve, të planifikuar në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt, në ndjekje të objektivave për intensifikimin e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Evropian”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në nëntor 2023, propozoi një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në./ RTK/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon ambasadorin gjerman, flasin edhe për zbatimin e rregullores së BQK-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë Jorn Rohde.

Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt dhe që e njeh Euron, si valutën e vetme me të cilën mund të bëhet pagesë, për hapat e institucioneve përkatëse ndërlidhur me planin e tranzicionit, për zbatimin e kësaj rregulloreje.

Në njoftimin e Presidencën, u fol edhe për vizitën produktive dhe të rëndësishme të Ministrit të mbrojtjes të Gjermanisë në Kosovë, me ç’rast u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellim të metejmë të raporteve bilaterale, transmeton Klankosova.tv

“Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend, për përgatitjet për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë”, thuhet në njoftim.

Baleti Kombëtar fillon provat gjenerale të shfaqjes ‘Rebounds. A BasketBallet’

Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur provat gjenerale për premierën e parë të vitit 2024, “Rebounds. A BasketBallet”, me koreografi të Friederike Lampert & Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Muzika e shfaqjes premierë “Rebounds. A BasketBallet” është realizuar nga Ohad Talmor.

Shfaqja para publikut do të jepet me datat 15.02.2024 dhe 16.02.2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë duke filluar ora 20:00./ KultPlus.com

Alan Greenberg, Ish Drejtori për Edukim në Apple, vjen në Kosovë

Për të pasuruar më tej përvojën edukative për studentët e tij dhe për të ofruar mundësi për komunitetin më të gjerë, UNI – Universum International College është përgatitur të mbajë edhe për audiencën e jashtme, një Bootcamp ekskluziv nga Alan Greenberg, ish-Drejtor i Apple për Edukim dhe tashmë edhe Profesor i Praktikës në Teknologji Digjitale, Inovacion dhe Ndërmarrësi në UNI – Universum International College.

Ekzekutivi i cili ka krijuar disa nga produktet më të rëndësishme për edukim në gjigantin Apple, do t’i bashkohet UNI-it dhe do të kryesoj Bordin Këshilldhënës të Qendrës me po te njejtin emër.

Bootcampi është planifikuar të zhvillohet në data të ndryshme, ku Tema e Bootcampit do të jetë: Exploring the Intersection of Digital Technology, Innovation, and Entrepreneurship (Eksplorimi i ndërlidhjes së teknologjisë digjitale, inovacionit dhe ndërmarrësisë.)

Ky Bootcamp është një mundësi unike për studentët e UNI dhe një numër të kufizuar të individëve nga Kosova që janë të interesuar për teknologjinë digjitale, inovacionin dhe ndërmarrësinë. Alan Greenberg, me përvojën e tij të gjërë, do të jetë një udhëheqës i shkëlqyeshëm për të ofruar ligjërata në formë të punëtorive. Ai do të ndajë njohuri të vlefshme dhe praktika të fituara nga vite të tëra në krye të sektorëve të teknologjisë dhe edukimit në mbarë botën. 

Bootcampi është i ndarë në 5 module në formë të punëtorive ku secili pjesmarrës do të ketë mundësinë të zhvilloj ide biznesore duke kulminuar me një projekt real biznesor apo inovacion digjital. 

Alan Greenberg sjell shumë përvojë dhe ekspertizë në UNI, pasi ka shërbyer si ish-Drejtor i Arsimit të Lartë EMEA, më pas Drejtor Arsimi në Kinë dhe AsiaPAC në Apple Inc. Ai udhëhoqi ekipin që ndërtoi Education Podcasting iTunes U në Angli dhe Evropë, zhvilloi Apple Education APP në iOS dhe nismat e zhvillimit të Apple APP me disa universitetet. Aktualisht ai shërben si një Bashkë-themelues, drejtor, këshilltar, konsulent dhe VC në një portofol edukimi dhe biznesi të drejtuara nga ndikimi i teknologjisë shëndetësore në Londër, Mynih, Dubai, Cape Town, Delhi, Tokio dhe New York.

Orari i Ligjeratave:

  • Takimi I: 08 dhe 09 Mars 2024
  • Takimi II: 26 dhe 27 Prill 2024
  • Takimi III: 21 Maj dhe 01 Qershor 2024

Lokacioni i Bootcampit: kampusi i UNI – Universum International College (afër Prishtina Mall)

Aplikimi dhe procedurat e regjistrimit mund të kryhen edhe online

Apliko duke klikuar këtu: shorturl.at/gtNQ7 

Çmimi për Bootcamp:

Ligjerata, materialet, Diplomë me ECTS të transferueshme për vetëm 790€

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth këtij Bootcamp,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./KultPlus.com

Emina Çunmulaj emërohet Konsulle Nderi e Shqipërisë në Florida: Me nder dhe përulësi pranoj rolin

Modelja shqiptare e njohur në botë, Emina Çunmulaj është shpallur nga shteti shqiptar Konsulle Nderi e Shqipërisë në Florida, shkruan KultPlus.

Kredencialet e Konsulles së Nderit i janë dhënë modeles Çunmulaj nga ambasadori shqiptar në ShBA, Ervin Bushati.

Lajmin për media e ka bërë të ditur Këshilli Koordinues i Diasporës, përmes një postimi në facebook.

“Emina Cunmulaj: “Me nder dhe përulësi pranoj rolin e Konsulles së Nderit të Shqipërisë në Florida”

Me një mesazh sa modest aq edhe domethënës shqiptarja e mrekullueshme ka pranuar rolin e ri, në të cilin është prezantuar nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati, ndërsa i ka dorëzuar edhe kredencialet.

Këshilli Koordinues i Diasporës shpreh urimet e thella dhe përgëzimet më të sinqerta për anëtaren tonë të denjë, duke shprehur bindjen se Emina Cunmulaj do të kryejë një vepër madhore e patriotike edhe në këtë rol, siç ka vepruar deri më sot”, thuhet në njoftim.

Nis ndërtimi i stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, pritet të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se sot kanë filluar punimet për ndërtimin e  stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë të ditur se ndërtimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, ka filluar pas përfundimit të disa procedurave të nevojshme siq janë shpronësimet e pronës dhe dhënies së lejes ndërtimore.

“Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite (komunalitë) janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar.

Stadiumi do të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s dhe do të përmbush të gjitha kushtet për ndeshje vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Lulzim Tafa i ftuar nderi në festën e Pavarësisë së Kosovës në Sarajevë, pritet të lexojë poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake

Komuniteti shqiptar në Bosnjë dhe Hercegovinë, i udhëhequr nga kryetarja Elvira Dushi, më 17 shkurt ka organizuar festën e Pavarësisë së Kosovës, ku ndër të tjera do të lexohen edhe poezi në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

Në festën e pavarësisë, pritet të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës, intelektual të shumtë, adhurues të artit e lexues të poezisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Lulzim Tafa, i cili në këtë festë si i ftuar nderi do t’i lexoj edhe disa poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake.

“Festën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin, këtë vit do ta kaloj në Sarajevë, si i ftuar nderi nga Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Atje më kanë ftuar që t’i lexoj disa poezi në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake. Në festën e pavarësisë, do të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe intelektual të shumtë, miq të mi, Sarajli të vjetër e të rinj, adhurues të artit e lexues të poezisë.

Komuniteti shqiptar në Sarajevë është mjaftë i organizuar dhe udhëhiqet nga Kryetarja Elvira Dushi, një promovuese e madhe e vlerave tona në Bosnje.

Përndryshe shqiptarët janë komunitet shumë i respektuar në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sarajeva feston me Poezi”, ka shkruar Tafa në facebook./ KultPlus.com

Mediumi KultPlus dhe platforma Shqip.ai nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Mediumi KultPlus dhe platforma Shqip.ai sot kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi nga sot, mediumi KultPlus, do të integrojë platformën Shqip.ai në të gjitha proceset për transkriptim, krijim dhe pikësim, që pritet të ndikojë në efikasitetin e punës në mënyrë më të shpejtë dhe më të thjeshtë.

Të dyja palët kontraktuese janë shprehur të kënaqura me bashkëpunimin në fjalë, nga ku pritet plasim më i shpejtë i informacioneve me plotë vlera para audiencës së mediumit KultPlus.

Drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, bashkëpunimin në fjalë e ka cilësuar si një arritje të madhe, përfitues më i madh i së cilës do të jetë audienca e mediumit KultPlus.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm, sidomos në afrimin edhe më të mëtejshëm të stafit tonë dhe audiencës, duke transmetuar informacione me vlerë të paçmuar nga sektori i artit dhe kulturës mbarë shqiptare dhe asaj botërore”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Bashkëpunim të rëndësishëm e ka cilësuar edhe platforma Shqip.ai.

“Një hap i madh drejt inovacionit në punën e përbashkët”, është shprehur Astrit Pira nga platforma Shqip. ai. / KultPlus.com

Si e rindërtuan shkencëtarët statujën e perandorit Kostandini i Madh në Romë?

Dikur ulej madhështor në zemër të Romës së lashtë.

Tani një statujë e madhe e perandorit, Konstandini i Madh po kthehet në Qytetin e Përjetshëm falë një rindërtimi të teknologjisë së lartë bazuar në fragmente mermeri të mbijetuar, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.

“Është diku mes dokumentimit, rikrijimit dhe interpretimit. Por me të vërtetë shpresoj se ky është fillimi i një revolucioni, se si të ndash dhe si të tregosh”, shpjegon Adam Lowe, drejtori i Fondacionit Factum, i cili mbikëqyri procesin e përpiktë të rindërtimit.

I lindur në vitin 306 pas Krishtit në Naissus, Konstandini u bë një nga udhëheqësit romakë më me ndikim të të gjitha kohërave, duke e forcuar jashtëzakonisht perandorinë.

Por ai është ndoshta më i famshëm për konvertimin në krishterim dhe ekspertët besojnë se statuja e madhe e tij shërbeu si një njohje se krishterimi ishte bërë feja e perandorisë.

I ashtuquajturi Kolos i Kostandinit, i cili daton në fillim të shekullit të 4-të, ishte një statujë monumentale e ngritur për të festuar mbretërimin e Kostandinit.

Fillimisht rreth 11 metra i gjatë, më vonë u shkatërrua dhe u plaçkit për bronz.

Pavarësisht se fragmentet e mbijetuara u rizbuluan në vitin 1486, fillimisht u gabua me një statujë të perandorit Commodus. Vetëm në fund të viteve 1800, fragmentet u identifikuan saktë si pjesë e Kolosit të Kostandinit.

Tani, romakët dhe turistët do të mund të admirojnë një kopje të statujës në tërësi, krejtësisht të ngjashme me origjinalin, falë 14 muajve të punës nga Fondacioni Factum.

Me qendër në Madrid, Fondacioni Factum krijon dokumentacion dixhital të saktë dhe me rezolucion të lartë të vendeve të trashëgimisë kulturore dhe veprave të artit në mbarë botën, për të bërë faksimile të veprave të artit të shkatërruara, të dëmtuara, të grabitura ose të humbura.

Ata kaluan tre ditë duke skanuar fragmentet në mars 2022 duke përdorur teknikat e fotogrametrisë. Më pas u bë një model 3D nga secili fragment, pas së cilës u vendos në versionin dixhital të statujës, i cili vizatonte në format e statujave të tjera të kultit të asaj epoke në poza të ngjashme./KlanKosova/ KultPlus.com

“Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente”, ju rrëfej jetën e një bariu të ri shqiptar – Letra e Mehmet Shehut dërguar nxënësve të një shkollë në Virxhinia

Nga Aurenc Bebja

“American Junior Red Cross News” ka botuar, në nëntor të 1930, në faqet n°62 – 63, letrën e Mehmet Shehut dërguar asokohe nxënësve të një shkolle në Virxhina (SH.B.A.), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente

Një treg dhish në Tiranë, Shqipëri. Ka shumë të ngjarë që disa nga dhitë e Mehmetit janë shitur pikërisht në këtë treg — Burimi : American Junior Red Cross News, nëntor 1930, faqe n°62 – 63
Një treg dhish në Tiranë, Shqipëri. Ka shumë të ngjarë që disa nga dhitë e Mehmetit janë shitur pikërisht në këtë treg — Burimi : American Junior Red Cross News, nëntor 1930, faqe n°62 – 63

Mehmet Shehu, student në Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) në Tiranë, shkroi një letër për një album të destinuar për një shkollë në Virxhinia, duke rrëfyer jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa nga aventurat e tij të kujtojnë delen e humbur të Xhinos në historinë e Miss Upjohn.

Të dashur shokë,

Unë mendoj se mund t’ju interesojë të dini për jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa vite para se të vija në këtë shkollë kam qenë bari. Në shtëpinë time kishim rreth 150 dhi. Unë dhe kushëriri im duhej të kujdeseshim për to. Kur ai ishte i zënë me diçka tjetër, më duhej të qëndroja vetëm me tufën time në pyllin e madh gjatë ditës. Kishim ndërtuar dy stane për to. Njëri ishte afër shtëpisë dhe tjetri rreth një orë në këmbë. Kopenë e kemi mbajtur në stanin më të largët nga vjeshta deri në kohën e lindjes në shkurt. Pastaj i çuam në stanin afër shtëpisë. Ne kishim tre qen me vete. Gjatë ditës e lidhnim qenin e madh me zinxhir në stan. Dy të tjerët vinin me tufën në pyll, duke vrapuar përpara tyre.

Një muaj dhjetori ra një borë e madhe. Filloi gjatë natës. Unë dhe kushëriri im ishim në kasollen tonë dhe kopeja në strehën e tyre. Zbardhi dita dhe binte ende borë. Vazhdoi deri në orën dhjetë të mëngjesit, bora kishte arritur një thellësi prej rreth gjashtëmbëdhjetë inç. Kishim mjaft dru të thatë për të ndezur zjarr, por prindërit tanë ishin të shqetësuar për ne dhe për tufën. Secili pronar tokash punëson një fermer kryesor. Pas pak, dëgjuam zërin e fermerit që na thërriste. Ai kishte hipur në pelën tonë dhe na kishte sjellë ushqim. Na tha ta çonim kopenë në shtëpi. Nuk e dallonim rrugën, por fermeri ynë hipi në pelë dhe na tregoi rrugën. I hoqëm këmbanat e mëdha nga qafa e cjapëve dhe ato ndoqën gjurmët e pelës. E gjithë tufa, në një rresht, ndiqte cjapët. Nga stani në rrugën kryesore zakonisht kalonim gjysmë ore në këmbë, por atë ditë na u deshtën dy orë. Për katër orë arritëm në shtëpi. Ishte shumë ftohtë. Ne e çuam kopenë në stallat e tyre dhe i vendosëm ato që ishin të dobët dhe që dridheshin pranë zjarrit. Ky ishte një dimër i ashpër dhe kur erdhi koha e pjellave, shumë nga të  vegjëlit ngordhën. Kjo na bëri të pendoheshim, jo sepse do të humbnim fitimet, por sepse një bari e do vërtet kopenë e tij.

Ujqërit shkaktuan dëme të mëdha atë dimër. Një natë e kishim çuar kopenë në stan. Ne ishim duke fjetur në kasollen tonë. Të tre qentë ishin lëshuar. Nata ishte tepër e errët. Një ujk arriti të futet në një nga stanet dhe kapi një kec nga fyti. Keci blegëronte dhe qentë lehnin, por nuk kishin se si të hynin. Kushëriri më zgjoi dhe të dy vrapuam te dera. Kushëriri im hapi derën dhe qeni i madh hyri brenda. Qeni dhe ujku u përplasën në fyt me njëri-tjetrin dhe keci u shpëtua. Ujku nuk e mbajti dot veten me qenin dhe kështu u hodh mbi gardh dhe iku. Tre qentë e ndoqën atë për një kohë të gjtatë. Pas asaj nate, asnjë ujk nuk sulmoi më tufën tonë, por ata sulmuan tufat e të tjerëve. Jam i sigurt se ujqërit e dinin që qentë tanë ishin shumë të fortë për ta.

Disa dhi fshihen kur pjellin. Një mëngjes isha afër një pylli duke u kujdesur për një dhi e cila ishte gati për të pasur një kec. Kushëriri im ishte me kopenë. Dy të rinj nga fshati im ishin duke gjuajtur pranë meje. Njëri nga qentë hasi në një strofull derrash të egër. Ishin nëntë derrkucë të rinj, dosa dhe derri. Derrkucët vrapuan drejt meje. U tremba dhe u ngjita në një pemë të re. Aty sipër nuk u tremba, sepse e dija që tufat e derrkucëve nuk mund të më arrinin. Pas pak derrkucët u larguan. Dhia, të cilën e ruja, kishte frikë dhe ishte larguar. Nuk e gjeta dot. Kushëriri im shkoi ta kërkonte dhe unë qëndrova me kopenë, por nga frika e derrave, ngjitesha nga një pemë në tjetrën, në të njëjtën kohë duke u përpjekur të rrija me kopenë time. Ishte një kohë terrori për mua. Kushëriri im gjeti dhinë që kishte lindur një kec.

Disa dhi nuk i duan të vegjëlit e tyre të parë dhe nuk i lënë të thithin gjirin. Këto dhi i lidhëm në qafë dhe i lamë kecat që t’i thithin; dhe gjatë natës i mbajtëm vogëlushët pranë zjarrit në kasollen tonë. Kishte edhe disa vogëlushë, nënat e të cilëve kishin ngordhur. Ne u mundësuam që të thithnin gjinjtë dhive të tjera. Një pjesë e stanit u nda për dhitë me të vegjëlit e tyre.

Në shtator, ne mbjellim arat tona me tërshërë. Këtu dhitë kullosin pasi kanë pjellë kecat. Kur të vegjëlit rriten pak, ata ndahen nga nënat e tyre gjatë ditës. Kur nënat e tyre kthehen, ata kërcejnë lart e poshtë dhe blegërojnë nga gëzimi i madh, sepse mund të qëndrojnë me nënat e tyre gjatë natës.

Dhitë tona pjellin në shkurt. Në datën 12 prill i mjelim një herë në ditë, në mbrëmje. Pastaj vogëlushët lihen të lirë të takojnë nënat e tyre. Dhitë nuk i mjelim tërësisht, sepse lëmë pak qumësht për kecat. Gjatë ditës, vogëlushët çohen në shkurre të vogla dhe fillojnë të përtypin gjethe, duke marrë pak lëngje ushqyese, por pjesën më të madhe të kohës ata e kalojnë duke kërcyer dhe duke luajtur në shpatet e argjilës. Sa mirë është të shohësh vogëlushët duke luajtur ! Pasi të rriten mjaftueshëm, mund të hanë gjethe dhe nuk kanë më nevojë për ushqimin e nënës së tyre dhe ne i heqim nga gjiri. Ata lihen të lirë me nënat e tyre në gusht kur kanë harruar thithjen e qumështit. Gjatë kësaj kohe i mjelim dhitë dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Në verë, ne i nxjerrim kecat dhe dhitë nga strehëzat e tyre në natyrë. Kur është shumë vapë në mesditë, kopetë i çojmë në hije. Në mbrëmje, dhitë i mjelim dhe pastaj futen në pyll. Ato kullosin gjatë natës. Në mesnatë, ato mblidhen dhe shtrihen për rreth tre orë. Pastaj ato përsëri fillojnë të kullosin derisa dielli, në gjuhën e dhisë, të jetë rreth katër shkopinj mbi horizont. Më pas i mjelim dhe i çojmë sërish në vende me hije, ku pinë e pushojnë. Vogëlushët në një tufë të veçantë i çojmë në pyll në mbrëmje.

Ne kishim një dhi të zezë të përkëdhelur. Ishte shumë e butë. Kur e thërrisnim, ndërsa kulloste, vinte menjëherë dhe na tregonte të gjitha shenjat e dashurisë. Një nga qentë tanë e kishte zakon të shkonte tek çdo dhi dhe të hiqte pleshtat e saj. Kur një dhi thërriste për qenin, ai shkonte tek ajo dhe fillonte ta pastronte.

Dy vite më parë, pavarësisht trishtimit të qenve tanë, shitëm dhitë dhe blemë dele. Gjatë javës së parë, kur qentë hynë në pyjet ku kishin qenë më parë, ulërinin nga pikëllimi për dhitë e tyre. Sa keq më erdhi për ta, sepse prej kohësh ishin mësuar me dhitë dhe u mungonin shumë; por sot kujdesen për delet, me besnikëri, por jo me dashurinë që treguan për dhitë.

E di që anekdotat e mia do të ngjallin buzëqeshje të dyshimta, por bëhu bari dhe jeto me kafshët, dhe atëherë edhe ti do të mësosh se njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente dhe as i vetmi që është i sjellshëm dhe i dobishëm me të tjerët.

https://www.darsiani.com/la-gazette/1930-njeriu-nuk-eshte-e-vetmja-kafshe-inteligjente-ju-rrefej-jeten-e-nje-bariu-te-ri-shqiptar-letra-e-mehmet-shehut-derguar-nxenesve-te-nje-shkolle-ne-virxhinia-sh-b-a/

“Qyteti dhe letërsia: ese” nga Stefan Çapaliku do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

Shtëpia Botuese “Olymp” së fundi ka botuar librin më të ri të shkrimtarit të njohur nga Shqipëria, Stefan Çapalikut, shkruan KultPlus.

“Qyteti dhe letërsia: ese” është libër që sjell rolin e hapësirës urbane për krijimin e letërsisë, duke vënë theksin në Letërsinë Shqipe dhe Qytetin Shqiptar.

Në këtë promovim do të merr pjesë edhe vet autori Stefan Çapaliku, ku për librin do të flasin edhe shkrimtari i njohur Ag Apolloni dhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Stefan Çapaliku është shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar. Andaj për një takim sa më të afërt me autorin, ju ftojmë që të jeni më afër kësaj mbrëmje letrare.

Takimi me autorin Çapaliku do të bëhet më 14 shkurt, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë./ KultPlus.com

QKLL shpall 2024-ën vitin e Lasgush Poradecit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli vitin 2024 si Vitin e Lasgush Poradecit, në 125-vjetorin e lindjes së poetit. Përmes mbrëmjeve poetike, konferencave, aktiviteteve në shkolla e librari, takimeve me të rinj, QKLL do të sjellë më pranë lexuesve figurën e poetit që e lartësoi gjuhën shqipe.

Drejtuesja e QKLL, Alda Bardhyli priti në mjediset e kësaj qendre, Marian, vajzën e poetit tonë kombëtar, Lasgush Poradeci, me të cilën bisedoi mbi punën e jashtëzakonshme të realizuar prej saj, për zbardhjen dhe koleksionimin e letërkëmbimeve të poetit me personalitete të njohura të kohës si Skënder Luarasi, Gjergj Bubani, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, etj.

Pjesë e arkivit të Poradecit, këto letërkëmbime do të vijnë së shpejti në një botim të dedikuar, nën kujdesin e Marias dhe mbështetjen e QKLL-së.

“Koha vendos në vend gjithçka. Për gjërat e mëdha duhet një kohë e gjatë për vleftësimin e tyre. E kohë e gjatë është ajo kohë e cila muros, e bën monument vlerat e kulturës sonë kombëtare”, shkruan Lasgushi në një letër drejtuar Mitrush Kutelit, shprehje të cilën e kujtoi Maria, gjatë bisedës me drejtoreshën e QKLL. / atsh / KultPlus.com

Përkthimi dhe mënyra se si shkruhet poezia, sot në fokusin e takimit kulturor të PEN Qendrës së Kosovës

Jeta Zymberi

Në KultPlus Caffe Gallery, një ngjarje e rëndësishme kulturore u shtrua sot përpara publikut të interesuar. Në këtë ambient të mbushur me frymë krijuese, PEN Qendra e Kosovës prezantoi aktivitetin e saj të gjashtë në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.

Synimi i këtij projekti është më shumë se thjesht të mbledhë një audiencë, është një përpjekje për të shtyrë përpara ndjeshmërinë letrare të brezave të rinj, duke i nxitur ata të kuptojnë rëndësinë dhe bukurinë e shkrimtarisë. PEN Qendra e Kosovës, me këtë iniciativë, dëshiron të sjellë në vëmendje rolin e librit, kulturën e leximit dhe të inkurajojë talentet e reja për të eksploruar dhe shprehur veten përmes poezisë, prozës, eseve, dhe më tepër, shkruan KultPlus.

Ngjarja e cila kishte mbledhur studentë, krijues e studiues u bë edhe më e këndshme me prezencën e gazetareve ukrainase që kanë gjetur strehim në Kosovë, Oksana Chykanch dhe Tetiana Kraselnykova. Këtë takim e hapi profesori Milazim Krasniqi në këtë rast në cilësinë e moderatorit, i cili edhe prezantoi temat e këtij takimi.

“Sot kemi dy autorë emblematikë, të veçantë në fushat e tyre. Avni Spahiun, një nga intelektualët dhe përkthyesit eminent i cili ka dërguar kumtesën e tij “Veçoritë e përkthimit letrar” pasi për shkak të disa problemeve shëndetësore e kishte të pamundur të jetë sot në mesin tonë, por kumtesën e tij do ta lexoj profesori Ibrahim Berisha, ndërsa për temën e dytë, “Si shkruhet poezia” do të flas profesori universitar dhe një ndër poetët më të mirë bashkëkohorë që e kemi, Sali Bashota”, tha Krasniqi.

Fillimisht fjalën e mori profesori Ibrahim Berisha i cili po e përcillte kumtesën “Veçoritë e përkthimit letrar” duke e ndriçuar kështu rrugën përballë sfidave dhe bukurive të përkthimit dhe duke na udhëzuar në botën e thellë të këtij arti të ndërlikuar.

“Procesi i përkthimit paraqet një komunikim artistik midis autorit, përkthyesit dhe lexuesit dhe fjalët e përdorura nga përkthyesi përbëjnë pjesën kryesore në procesin e komunikimit të ideve apo ndjenjave të autorit. Përkthyesi është ai që duhet të kuptojë, lexojë dhe interpretojë tekstin burimor i pari dhe ta përkthejë atë në një gjuhë dhe kulturë tjetër”, u shpreh Berisha, teksa theksoi se përkthimi nuk është thjesht përcjellje e kuptimit nga një gjuhë në tjetrën, por është gjithashtu një krijim.

Sipas, Spahiut, përkthyesi letrar duhet të zotërojë njohuri të mjaftueshme nga të dy gjuhët, atë bartëse dhe atë pranuese duke qenë në gjendje që të bart narracionin, stilin, disponimin, veçantitë krijuese dhe imagjinatën e autorit.

“Pozicioni i përkthimit në komunikimin ndërkulturor është thelbësor. Qëllimi i përkthimit është transmetimi i ideve dhe ngjarjeve nëpër kohë dhe hapësirë për të kuptuar diçka, për të realizuar, për të vërtetuar. Bota që është gjithnjë e më e ndërlidhur, përmes përkthimit përmbush një rol duke thyer barrierat gjuhësore. Nga pikëpamja profesionale, përkthyesit luajnë një rol si ekspertë të komunikimit ndërkulturor, ndërmjetës dhe urë lidhëse ndërmjet njerëzve.”

Një përkthim i mirë paraqet një sfidë të vërtetë krijuese që sjell kënaqësi si gjatë procesit ashtu dhe gjatë prezantimit të produktit final, dhe tutje, Berisha ndau me publikun diçka nga përvoja personale e Spahiut si përkthyes letrar i cili ishte shprehur se gjithmonë ka qenë i impresionuar nga dy prej intelektualëve të njohur shqiptarë, Noli dhe Konica, shkollarë të Harvardit, ndër të tjera edhe për shkak  të përkthimeve të tyre të shkëlqyera letrare.

“Që të dy ishin edhe vetë krijues, poetë e publicistë të frymës europiane. Fan Noli i solli kulturës shqiptare disa nga kryeveprat botërore, ndër të tjera tragjeditë e shqipëruara të Shekspirit, kryeveprat e Servantesit, Bodlerin, Edgar Alan Poe-në, Khajamin, Ibsenin e të tjerë. Ai i bëri ata t’i flisnin lexuesit shqiptar në shqip. Konica ishte i një lloji tjetër intelektuali, më cinik, më skeptik dhe më i pakënaqur me gjendjen e emancipimit të shqiptarëve. Andaj, ai me më shumë përtesë përktheu disa nga veprat e shquara të autorëve botërorë, për shkak të skepticizmit të tij lidhur me aftësinë e shqiptarëve për të konsumuar e absorbuar veprat e mëdha botërore”, tha tutje Berisha teksa theksoi se interesimi i Avni Spahiut për përkthimin letrar erdhi spontanisht nga dëshira për t’ua sjellë edhe të tjerëve nga publiku shqiptar kënaqësinë që ka ndjerë vetë nga shijimi i veprave letrare nga kultura të  huaja, por edhe për prezantimin e pjesëve të krijimtarisë sonë kombëtare tek publiku i huaj.

Në vazhdim, u zhvillua tema e dytë, “Si shkruhet poezia”, e drejtuar nga profesori universitar Sali Bashota. Fjala e tij u bë një udhërrëfyes për shkrimtarët e rinj, duke shpalosur teknikat dhe emocionet që përcjellin krijimin e një poezie të shkëlqyeshme.

“Poezinë time e frymëzojnë pajtueshmëria dhe papajtueshmëria e jetës me të gjithë përbërësit e saj. Poezia është pasioni dhe vetëdija krijuese më elitiste e letërsisë”, tha Bashota teksa shpalosi tutje se frymëzimi i tij buron nga shpirti e rikthehet në shkrim.

“Çdo poet synon ta ketë formulën e vet të ngjizjes dhe të harmonizimit të frymëzimeve, pra ta krijojë sistemin e vet të mendimit, i cili do ta karakterizonte individualitetin e tij krijues. Dua të them se poezia është ekzistenca e një bukurie të pashpjegueshme deri në fund, e cila synon ta përmbysë kohën e ankthit dhe të vuajtjes dhe ta fuqizojë kuptimin e saj të figurshëm dhe stilistik. Gjërat e kësaj bote mund të perceptohen përbrenda peizazhit të vet dhe përfytyrimi nga koha e tashme synon të mbizotërojë edhe në kohën e ardhme”, u shpreh Bashota.

Tutje profesori foli edhe për procesin e krijimit të një poezie të cilin e quajti një akt solemn.

Ndërtimi i ideve dhe konceptimi i imazheve, pra sistemimi i tyre në laboratorin e krijuesit është gjëja më misterioze. Çdo poezi ka filozofinë e vet të krijimit. Në mendjen time me ditë të tëra i rrotulloj idetë, për t’i sistemuar konceptet dhe imazhet në ballafaqim me procesin e frymëzimit. Për më tepër, procesi i krijimit të një poezie mbase zgjat me javë të tëra apo edhe me muaj. Është një sprovë e dilemave dhe e anktheve, e shtresuar përbrenda motivimeve të autorit: si do të funksionalizohet gjuha, ligjërimi, figura, stili apo komunikimi e përjetimi gjatë dhe pas procesit të krijimit të poezisë”, tha autori.

Një fenomen tjetër të cilin e potencoi profesori ishte dhe koha kur shkruan dhe stina që pëlqen. Sipas tij, koha e autorit është fenomeni më i veçantë në krijimtarinë e tij.

“Unë zgjohem në orët e hershme të mëngjesit. Çdo ditë lexoj, por nuk shkruaj çdo ditë. Pothuajse, gjithnjë shkruaj në mëngjes. Shumicën e poezive i kam shkruar në stinën e vjeshtës. Shiu dhe vjeshta janë shumë të pranishme në poezinë time. Gjithsesi, janë imazhe metaforike, të cilat e artikulojnë vizionin tim në poezi.”

Krejt në fund, profesori shpalosi edhe mësimet e tij nga veprat që i ka lexuar, në këtë formë duke nxitur dëshirën për lexim tek studentët e pranishëm.

“Në secilën vepër që e kam lexuar kam mësuar për dimensionin e jetës, të dashurisë, të vdekjes, të përjetësisë, por edhe të gëzimit, dhimbjes, lumturisë, fatit, etj. Secila vepër e ka vlerën e vet për lexuesin”, tha Bashota teksa krejt përfund përmendi edhe ndjesinë e vecantë që ka marr nga leximi i veprave të autorëve si: Homeri, Shekspiri, Dante, Prusti, Gëte, Kafka, Kaneti, Markezi, Eco, Borhesi, etj., pastaj veprat e Aristotelit, Platonit, Hegelit, Volterit, D’Akuinit, etj., si dhe veprat e shkrimtarëve shqiptarë: Naimi, De Rada, Fishta, Konica, Lasgushi, Kuteli, Mit’hat Frashëri, etj., si dhe të autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Sipas profesorit, leximi i veprave të mira, është gjëja më fatlume për një lexues. Madje, tha se veprat e tilla ia ndryshojnë jetën e njeriut.

Pas fjalës së profesorit Sali Bashota u hap një diskutim i lirë në mes të pranishmëve dhe panelit duke lënë kështu një shije të begatë për ata që e përjetuan.

PEN Qendra e Kosovës përmes këtij projekti bëri një hap të rëndësishëm drejt qëllimit të saj për të kultivuar dhe promovuar talentet letrarë në vendin tonë.

Ky projekt u mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Dokumentari për Marubin, në faqet e shtypit italian

Libertà, gazeta kryesore e Piacenza-s, i ka kushtuar seksionin e saj “Cultura e Spettacoli”, dokumentarit mbi jetën e Pietro Marubbi-t, i cili do të shfaqet në edicionin XXIII të Concorto Film Festival në Pontenure gjatë muajit gusht.

Nën titullin “Pietro Marubbi, in un documentario la vita del patriota, pittore e fotografo” (Pietro Marubbi, një dokumentar mbi jetën e patriotit, piktorit e fotografit), artikujt e ndryshëm njohin lexuesin me figurën e tij dhe dokumentarin e realizuar nga Associazione Concorto, shoqëruar me imazhe nga arkivi i Muzeut “Marubi”.

Pjesë e programit të aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë ditëve të festivalit janë edhe laboratoret fotografike me studentë të frymëzuar nga krijimtaria e Pietro Marubbi-t.

Concorto Film Festival lindi më 2002, pranë Piacenza-s. Shpejt u shndërrua në një festival të rëndësishëm, ku grupit origjinal të organizatorëve iu bashkuan bashkëpunëtorë të rinj dhe stafi i dha vetes një organizim më të strukturuar, duke themeluar Associazione Concorto, e cila që nga ai moment do të kujdeset për menaxhimin dhe promovimin e festivalit, si dhe iniciativa të tjera, përfshirë edhe në fushën e edukimit.

Thirrja për pjesëmarrje në festival është e hapur për produksione nga e gjithë bota dhe filmat e regjistruar shkojnë nga 72 në edicionin e parë, në mbi 3500 në të fundit./ atsh / KultPlus.com