Kalifornia heq ligjin e mediave sociale

Në një fitore për kompaninë X të miliarderit Elon Musk. Shteti i Kalifornisë nuk do t’u kërkojë më kompanive të mediave sociale të raportojnë për praktikat e tyre se si ato kontrollonin gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe përmbajtje të tjera. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble sjell me shumë detaje nga Silicon Valley.

Kalifornia kohët e fundit anuloi një ligj të shtetit që kërkonte nga kompanitë e mediave sociale të zbulojnë se si ato kontrollonin gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe përmbajtje të tjera potencialisht të dëmshme në platformat e tyre.

Ligji, që i kishte fillesat në vitin 2022, fillimisht u iniciua nga anëtari demokrat i Asamblesë së Kalifornisë, Jesse Gabriel.

“Ligji kërkon të adresojë shqetësimet se platformat e mediave sociale po mundësojnë përhapjen e urrejtjes, racizmit, dhunës ekstremiste dhe teorive konspirative”.

Por një padi në vitin 2023 nga drejtuesi i kompanisë së medias sociale X, Elon Musk, dikur Twitter, sfidoi ligjin që kërkonte nga platformat të paraqisnin raporte publike mbi praktikat e tyre të kontrollit të përmbajtjes dy herë në vit.

Një gjykatë federale vendosi pro padisë së kompanisë “X” vitin e kaluar, duke theksuar se ligji shkelte të drejtën kushtetuese të kompanive të mediave sociale për lirinë e fjalës.

Zëri i Amerikës kërkoi një reagim nga kompania “X” për këtë zhvillim por nuk mori përgjigje.

“Kompania X argumentonte se kërkesa për raportim rreth vendimeve të tyre në lidhje me lloje të ndryshme të përmbajtjes dhe si t’i përgjigjet asaj është shkelje e të drejtave të tyre të Amendamentit të Parë, sepse këto raporte mund të jenë një formë detyrimi dhe do të ishte një ndërhyrje në atë që mund të jetë vendimi i tyre editorial”, thotë Michael Karanicolas, nga Universiteti Dalhousie.

Shtetet janë përpjekur, por kanë dështuar, të rregullojnë politikat e përmbajtjes së mediave sociale.

Florida dhe Teksasi, dy shtete me shumicë republikane, miratuan ligje që kufizojnë kompanitë e mediave sociale.

Por këto ligje u pezulluan vitin e kaluar, kur Gjykata e Lartë vendosi se kompanitë e mediave sociale kanë të drejtë të marrin vendime editoriale pa ndërhyrje të qeverisë.

“Të njëjtat probleme që lidhen me Amendamentit të Parë lindin në shumë prej këtyre ligjeve. Shpresojmë që gjykatat të kenë parasysh këtë vendim edhe në raste të tjera dhe do të vazhdojmë të shohim që Amendamenti i Parë të qëndrojë i fortë në mënyrë që të vazhdojmë të shohim përfitimet e fjalës së lirë në internet”, thotë Jennifer Huddleston, Instituti Cato.

Megjithatë, përpjekjet për të rregulluar mediat sociale në nivel shtetëror vazhdojnë. Në dhjetor, shteti i Nju Jorku miratoi një ligj të përafërt me versionin e Kalifronisë. /VOA/ KultPlus.com

‘Veç të lutem mos më lër në atë vend ku ti mungon’

Poezi nga Ndoc Gjetja

Dashurisë

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon./ KultPlus.com

Juri Gagarin, njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë

Më  9 mars të vitit 1934 lindi Juri Gagarini njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë.

Në rininë e tij, Gagarin u bë i interesuar për hapësirën ​​dhe planetet. Pas studimeve për një vit në një shkollë profesionale teknike në Lubertsi, Gagarin u zgjodh për trajnim të mëtejshëm në një shkollë të mesme teknike në Saratov. Ndërkohë, ai u bashkua me “Klubit te Fluturimit”. Në vitin 1955, pas përfundimit të shkollimit të tij teknik, ai hyri në stërvitje ushtarake të fluturimit në Shkollën e pilotimit në “Orenburg”. Ndërkohë që ai u takua me Valentina Goryacheva, me te cilen ai u martua në vitin 1957.

Në vitin 1960, pas procesit të kërkimit dhe përzgjedhjes, Yuri Gagarin u zgjodh mes 19 pilotëve të tjer për programin e hapësirës sovjetike. Gagarin u zgjodh më tej për trajnimin e një grupi elitë të njohur si “Soçi Gjashtë” nga të cilat kozmonautët e parë të programit Vostok do të zgjidhen. Gagarin dhe Kozmonautët të tjerë të mundshëm iu nënshtruan eksperimenteve të dizajnuara për të provuar durimin fizik dhe psikologjik, ai iu nënshtrua edhe trajnimeve për fluturimin e ardhshme. Nga njëzet të zgjedhurit, u zgjodhen Yuri Gagarin dhe German Titov për shkak të performancës së tyre në trajnim.

Më 12 prill 1961, në bordin e anijes kozmike “Vostok 1”, Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapsirë​​, dhe i pari që e përshkoi orbitën e tokës. Ai gjatë daljes nga atmosfera ndiente ndryshime në peshën e tij, dhe i dukej vetja sikur e kishin varur për shkak të shtypjes atmosferike.Ai tregoi që gjatë udhëtimit këndoi disa këngë patriotike rusisht.

Pas fluturimit, Gagarin u bë një njeri i famshëm në mbarë botën.

Në vitin 1962 punoi si depudet i bashkimit sovjetik, dhe si kolonel i forcave ajrore.

Më 27 mars 1968, në një fluturim rutin te forcave ajrore Ruse, avioni morri flak dhe Gagarini vdes. Trupi i tij u dogj, edhe hiri i tij u dergua ne muret e Kremlinit në sheshin e kuq./KultPlus.com

Poeti Ndoc Gjetja në përjetësinë e krijimtarisë

Nga Jak Rrozhani

Poeti i njohur lezhjan Ndoc Gjetja do të mbyllte sytë përgjithmonë më 7 qershor 2010, për t’iu dhënë përjetësisë e për të mbetur i pavdekshëm, por jeton krijimtaria e tij poetike. Poeti Ndoc Gjetja filloi të botojë poezitë e para në vitin 1970, duke qenë autor i disa vëllimeve poetike, si: “Dhjata ime”, etj,.

Ai mbetet njëri prej poetëve më në zë të poezisë së sotme shqipe. Mjaft studiues e kritikë vlerësojnë se Ndoc Gjetja, me talentin e thjeshtësinë e tij, mbetet emblemë e njeriut dhe poet i ndjesive të thella. Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra e bukur, ajri i pastër, njerëzit e thjeshtë, dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Ku poezia ishte shpirtësia e tij, duke mbetur kështu zotërues i një sinqeriteti, modestie e ndershmërie gati hyjnore.

Universi i poezisë Ndocgjetjane ishte aq tokësore është një puthje, një përkëdhelje diku mbi bar, por që ngërthen hapësirat kozmike të të gjitha kohërave qysh në lashtësi. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje , shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij:

“Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja / I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë / Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha / Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”./ KultPlus.com

Plazh edhe në pranverë në Vlorë, qytetarë të shumtë shijojnë bregdetin

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar këtë të dielë bregdetit të Vlorës për të shijuar motin e ngrohtë me diell.

Edhe pse sezoni i plazhit ende nuk është çelur zyrtarisht, shumë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për të shijuar fundjavën dhe rrezet e diellit, duke u larë edhe në det.

Shëtitorja buzë detit në Vlorë është plot edhe në këto ditë të marsit, ndërsa qytetarë të tjerë zgjodhën të shijojnë rrezet e diellit në bregdet duke shijuar kaltërsinë e detit në distancë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, i cili po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor falë rezervimeve nga turistët e huaj.

Fluksin turistik në rritje e dëshmojnë edhe strukturat hoteliere të cilat flasin për rritje të rezervimeve nga turistët e huaj.

Përveç bregdetit, Vlora ofron edhe turizmin malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e  ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

‘Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha’

Thënie nga Leon Tolstoy:

  1. Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
  2. Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
  3. Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur.
  4. E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
  5. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
  6. Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues!
  7. Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra.
  8. Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
  9. Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
  10. Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
  11. Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
  12. Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
  13. Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
  14. A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
  15. Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet.
  16. Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
  17. Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
  18. Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte.
  19. Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
  20. Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
  21. Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
  22. E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
  23. Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
  24. E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë.
  25. Të gjitha atoq ë kuptoj, i kuptoj prej dashurisë.

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës, një javë e mbushur me traditë dhe muzikë

Elbasani ka nisur sot festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe atmosferë festive.

Si çdo vit, Elbasani mirëpret mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bashkohen në një festë që mishëron traditën, kulturën dhe gëzimin e ardhjes së pranverës.

Festimet u hapën me aktivitetin “Trashëgimia në duart e vogla”, ku fëmijët e kopshteve të qytetit shfaqën talentin e tyre përmes lojërave tradicionale, punimeve artistike dhe këngëve festive.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se këtë vit festimet do të zgjasin një javë, me një program të pasur që kulmon më 15 Mars, kur qyteti do të kthehet në një arenë të madhe festive.

“Elbasani e jeton ndryshe Ditën e Verës dhe këtë vit kemi zgjeruar aktivitetet për ta bërë këtë festë edhe më të veçantë. Nga defiletë e kostumeve tradicionale, koncertet e mëdha, ekspozitat dhe panairet e kulinarisë, deri tek aktivitetet për fëmijë dhe të rinj, Elbasani do të jetë epiqendra e festimeve pranverore.”

Një javë festive plot surpriza

Mbrëmjen e 12 Marsit rikthehet defileja e Kostumeve Tradicionale, një paradë që do të sjellë në skenë kulturën dhe folklorin e trevave shqiptare.

13 Marsi do të sjellë atmosferën e zjarrtë të Natës së Verës, ku koncertet dhe performancat artistike do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Në 14 Mars, një program i pasur me aktivitete do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.

“Këtë vit, Elbasani është gati të mirëpresë të gjithë ata që duan ta jetojnë këtë festë në zemër të traditës. Ju ftoj të gjithë, kudo që ndodheni, të vini në Elbasan dhe të festojmë së bashku këtë trashëgimi të bukur, duke sjellë energji, gëzim dhe dashuri për një pranverë të mbarë”, tha Llatja.

Fridrih Niçe për gjenitë e muzikës, Bethoven, Mozart, Bah, Hendel, Shubert, Mendelson dhe Robert Shuman

Nga Albert Vataj

Friedrich Nietzsche, filozofi që sfidoi konvencionalen dhe përshkroi me nuanca të thella shpirtërore dhe estetike artin dhe kulturën, i qaset muzikës me një ndjeshmëri të veçantë dhe një vështrim që kap thelbin e frymëzimit gjenial. Në veprën e tij “Udhëtari dhe hija e tij”, ai analizon mjeshtërit e mëdhenj të muzikës—Beethoven, Mozart, Bach, Händel, Schubert, Mendelssohn dhe Schumann—duke nxjerrë në pah jo vetëm stilin e tyre, por edhe burimin e brendshëm të krijimtarisë që i bëri ata të pavdekshëm.
Në qasjen e tij filozofike ndaj muzikës, Nietzsche nuk e trajton atë thjesht si një formë arti, por si një manifestim të shpirtit dhe kulturës, një reflektim i thellë i natyrës njerëzore.

– Bethoven dhe Mozart
– Muzika e Bethovenit duket shpesh si një soditje mallëngjyese, e shkaktuar nga dëgjimi i ri i papritur i një fragmenti që besohej për një kohë të gjatë si i humbur: “pafajësia në tingujt”. Ajo është një muzikë mbi muzikën. Në këngën e lypësve dhe fëmijëve të rrugës, në këngët e italianëve emigrantë, në vallëzimin e tavernës së fshatit ose në netët e karnavaleve, këtu i zbulon ai “meloditë” e veta – ai i grumbullon si një bletë, duke mbledhur aty këtu një tingull, një vijimësi të vogël tingujsh. Këta janë për të kujtime të shndërruar të një “bote më të mirë”, ngjashëm me atë që Platoni imagjinonte për sa u përket ideve.

– Mozarti ka raporte krejt të ndryshme me meloditë e tij: ai i gjen frymëzimet jo duke dëgjuar muzikë por duke parë jetën, jetëm më të lëvizshme të vendeve të jugut. Ai ëndërronte gjithnjë Italinë, kur nuk ndodhej në Itali.

– Sebastian Bah
– Kur muzikën e Bahut nuk e dëgjon si njohës i përsosur dhe i mprehtë i kontrapunktit ose i gjithë mënyrave të stilit të fugës, pra duke qenë domosdoshmërisht i privuar nga shijimi i vërtetë artistik, si dëgjues i kësaj muzike do të provosh një gjendje shpirtërore (për të futur në punë një shprehje madhështore të Gëtes) të ngjashme me atë që ka qenë i pranishëm kur Zoti krijoi botën. Ose më mirë: ndjejmë se këtu diçka e madhe është duke u bërë, muzika jonë e madhe moderne, por nuk është bërë ende. Ajo ka fituar tashmë botën, duke fituar mbi Kishën, kombësitë dhe kontrapunktin. Te Bahu ka ende tepër krishtërim të gjallë, gjermanizëm të gjallë, skolastikë të gjallë: ai qëndron në prag të muzikës evropiane (moderne), por ende i mban sytë përtej, drejt Mesjetës.

– Hendel
– Hendeli në gjetjen e muzikës së tij ishte guximtar, novator, i sinqertë, i fuqishëm, i kthyer dhe i lidhur ngushtë me heroiken që një popull është i aftë të bëjë por në përpunimin e saj u bë shpesh i ngathët dhe i ftohtë, madje i lodhur nga vetja. Atëherë ai shfrytëzonte disa metoda ekzekutimi të eksperimentuara mirë, shkruante shpejt dhe shumë dhe ishte i gëzuar që kishte përfunduar, por jo i gëzuar në atë mënyrë që ishin të gëzuar Zoti dhe krijuesit e tjerë në mbrëmjen e ditës së tyre të punës.

– Franc Shubert
– Franc Shubert, artist më i vogël se muzikantët e tjerë të mëdhenj, kishte megjithatë mes gjithë të tjerëve pasurinë trashëgimtare më të madhe të muzikës. Ai e harxhoi atë me duar plot e zemër të mirë, në mënyrë të tillë që muzikantët ende për nja dy shekuj mund të ushqehen me idetë dhe frymëzimet e tij. Në veprat e tij kemi një thesar shpikjesh të papërdorura – të tjerë do të gjejnë madhështinë e tyre duke i përdorur ato. Nëse Bethoveni do të mund të quhej dëgjuesi ideal i një menestreli, Shuberti do të kishte të drejtën të quhej vetë menestreli ideal.

– Feliks Mendelson
– Muzika e Feliks Mendelson është muzika e shijes së mirë që kënaqet me gjithë atë që është aty e mirë: ajo kthehet gjithnjë te ajo që qëndron prapa saj. Si mund të ketë ajo shumë “para vetes”, shumë të ardhme? Por, a ka dashur ai të ketë të ardhme? Ai zotëronte një virtyt që është i rrallë mes artistëve, atë të mirënjohjes, pa mendime të fshehta dhe ky virtyt kthehet gjithnjë te ajo që është pas tij.

– Robert Shuman
– “I riu”, të cilin e ëndërronin poetët lirikë romantikë të Gjermanisë dhe të Francës në një të tretën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë, ky i ri u përkthye plotësisht në këngë dhe në tinguj nga Robert Shumani, i riu i përjetshëm, deri sa ai u ndje në plotësinë e forcave të tij. Sigurisht edhe ka çaste kur muzika e tij të kujton “beqareshën plakë” të përjetshme.
Shkëputur nga “Udhëtari dhe hija e tij”/ KultPlus.com

Për herë të parë në Shqipëri, mbahet Olimpiada Matematikore

Ka përfunduar në Korçë, Olimpiada Matematikore e 19 Ballkanike Studentore  e organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Shoqata e Matematikës në Evropën Juglindore.

Në këtë olimpiadë kanë marrë pjesë 111 studentë nga 27 universitete nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania e Turkmenistani.

Për Ardian Naco, kryetar i shoqatës shqiptare të matematikës organizimi i kësaj olimpiade nuk ka qenë e lehtë por që ia dolën, shkruan Euronews.al.

I pyetur për nivelin e studentëve shqiptarë në këtë olimpiade ai tha se ka nevojë për pjesëmarrje të vazhdueshme në nivele të tilla

Një nga studentet ekselente nga Turqia, tregon se është habitur me nivelin e studentëve shqiptarë në këtë fushë

Mbrëmë në teatrin” Andon Zako Çajupi “është organizuar ceremonia e shpërndarjes së medaljeve për studentët më të mirë në këtë olimpiade, por që studentët shqiptarë nuk u vlerësuan me asnjë medalje.

Charles Bukowski: A jemi në shoqëri të mirë kur jemi vetëm?

Fragmente nga Charles Bukowski

“Unë kurrë s’kam qenë i vetmuar. Kam qenë në një dhomë – jam ndier vetvrasës. Kam qenë në depresion. Jam ndjerë i tmerrshëm – i tmerrshëm përtej gjithçkaje – por kurrë nuk e kam ndjerë se dikush do të futet në dhomë dhe do ta shërojë atë që jam duke e ndjerë… ose ndonjë numër më i madh i njerëzve.

Me fjalë të tjera, vetmia është diçka me të cilën asnjëherë s’kam qenë i shqetësuar.

Do ta citoj Ibsenin: “Më të fortit janë më të vetmuarit.” Unë kurrë s’kam menduar që një bjonde e bukur do të vijë tani, të bëjmë qejf dhe pastaj unë do të ndihem mirë. Jo, kjo nuk do të ndihmonte.

E dini këtë frazën e zakonshme të turmave “wow sonte është e premte, çfarë do të bëni? Do ta kaloni natën i ulur këtu?” Po, sepse nuk ka asgjë atje jashtë. Është vetëm marrëzia. Njerëz të marrë që shoqërohen me njerëz të marrë. Lërini le ta marrosin veten.

Unë kurrë s’kam i shqetësuar me nevojën për të nxituar jashtë gjatë netëve. Unë fshihem në bare sepse nuk dua të fshihem në fabrika. Kjo është e gjitha. Më pëlqen vetja. Unë jam forma më e mirë e dëfrimit që e kam. Le të pijm edhe më shumë Venë.”

– Charles Bukowski

Presidentja Osmani i bashkohet thirrjes së Rubios në mbështetje të sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Rubio dje ka deklaruar se veprimet e presidentit të Republikës, Millorad Dodik, po i minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj, transmeton Klankosova.tv

Me këtë rast, Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së Sekretarit Rubio dhe se qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane. Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim” tha ajo.

Shtetet e Bashkuara inkurajuan liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.

ShBA iu bëri thirrje edhe partnerëve të tyre në rajon që të bashkohen për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese.

Dita e Verës, Elbasani qendra tradicionale e festimeve

Si çdo vit, Elbasani, qyteti i lashtë nga festimet e Ditës së Verës, është gati të mirëpresë mijëra vizitorë me një atmosferë magjike pranverore.

Rrugët e qytetit janë dekoruar me lule shumëngjyrëshe, ndërsa aktivitetet festive do të startojnë më 9 mars dhe për herë të parë, do të zgjasin deri më 16 mars.

Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe tradicionale, që do të kulmojnë më 14 mars, ditën e shënuar të kësaj feste unike shqiptare.

Agjenda e aktiviteteve festive:

9 Mars
Ora 10:00 – Trashëgimia në duart e vogla (Pjesëmarrës: fëmijët e kopshteve) – Lulishtja “A. Pasha”

10 Mars
Ora 10:00 – Koncert festiv me fëmijët – Parku Rinia

12 Mars
Ora 10:00 – Panairi i zejeve dhe kulinarisë (Nxënësit e shkollave) – Rrugicat e Kalasë
Ora 16:00 – Defile e ansambleve – Bulevardi “Q. Stafa”

13 Mars
Ora 18:00 – Sofra e Ditës së Verës – Fish City
Me pjesëmarrjen e Artan Bakias, Kastriot Tushës, Anxhela Peristerit, Ansamblit “Isuf Myzyri”, këngëtarëve të rinj elbasanas.

Ora 19:00 – Koncert Gala – Sheshi Gensher
Me artistët Alban Skënderaj, Soni Malaj, Anxhela Peristeri, Klint Collaku, Englantina Toska dhe DJ.

14 Mars – Dita e Verës
Ora 09:00 – Media Point – Përballë Sahatit
Ora 09:00 – Photo Point LED Wall – Sheshi Gensher
Ora 09:00 – Panairi i zejeve – Bulevardi
Ora 09:00 – Panairi i ballokumes – Lulishtja “Aqif Pasha”
Ora 10:00 – Karnavalet e shkollave – Bulevardi “Q. Stafa”
Ora 11:00 – Koncert në shesh me Elita 5 dhe Ardit Çuni
Ora 18:00 – Koncert elektronik – Sheshi Gensher

15 Mars
Ora 10:00 – DJ Set – Sheshi Gensher
Ora 10:00 – Retro Parade – Sheshi Gensher
Ora 20:00 – Koncert me Redon Makashin dhe Altin Gocin – Sheshi Gensher

16 Mars
Ora 10:00 – Çiklizmi
Ora 18:00 – Një lulishte me trëndafila – Teatri Skampa

Me një program kaq të pasur, Elbasani do të mirëpresë banorë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të festuar së bashku Ditën e Verës, festën e ngrohtësisë, traditës dhe gëzimit.

Elbasani dhe tradita shekullore e Ditës së Verës

Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë. Kjo festë, e cila dikur kremtohej vetëm në Elbasan, sot është bërë një simbol kombëtar i pranverës dhe gëzimit.

Në Elbasan, qendra tradicionale e festimeve, Dita e Verës ruan ende zakonet e vjetra si përgatitja e ballokumes, një ëmbëlsirë tradicionale e bërë me miell misri, sheqer dhe gjalpë. Familjet mblidhen së bashku, shtëpitë hapin dyert për miqtë dhe qyteti mbushet me muzikë, vallëzime dhe panaire.

Nga një festë e vogël lokale, sot Dita e Verës është bërë një nga festat më të mëdha të vendit, ku Elbasani kthehet në kryeqendrën e gëzimit dhe mikpritjes. Ky qytet e ka bërë festën një pjesë të pandashme të identitetit të tij, duke ruajtur traditën dhe duke e përcjellë atë brez pas brezi./ KultPlus.com

Shqiptaro-amerikanët takojnë Osmanin, kërkohet formimi i shpejt i Qeverisë dhe rikalibrimi i raporteve me SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Këshillin për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC), të përfaqësuar nga presidenti Martin Vulaj, Kryetari i Bordit Ilirjan Rusi dhe Sekretari Burim Rexhaj.

Në emër të AARC, Vulaj theksoi nevojën për formimin e shpejtë të një qeverie të re, e cila duhet të rishqyrtojë qasjen e Kosovës ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai deklaroi se, ndonëse partneriteti strategjik mbetet i fortë, marrëdhëniet janë përkeqësuar dukshëm gjatë viteve të fundit, duke e lënë Kosovën gjithnjë e më të izoluar.

Ai shtoi se ndryshimet në qasjen e administratës së re amerikane ndaj partnerëve dhe interesave strategjike në mbarë botën e bëjnë edhe më urgjente për Kosovën që të pozicionohet siç duhet.

Vulaj gjithashtu vlerësoi Presidenten Osmani për rolin e saj konstruktiv në ruajtjen e aleancës së fortë strategjike.

Presidentja Osmani falënderoi AARC për angazhimin e tyre dhe ritheksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se nuk do të kishte Kosovë pa Shtetet e Bashkuara.

Ajo nënvizoi përkushtimin e saj të plotë për përmbushjen e detyrave kushtetuese në mbështetje të formimit të qeverisë së re dhe mirëpriti partneritetin me AARC për të forcuar marrëdhëniet Kosovë.

Përkujtohet në 145-vjetorin e lindjes intelektuali dhe politikani, Terenc Toçi

 Muzeu Kombëtar i Gjetheve përkujtoi sot intelektualin, politikanin, botuesin Terenc Toçi.

Toçi lindi në Strigari të Kalabrisë më 9 mars 1880 në një familje arbëreshe. Mësimet e para i mori në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Urbino. Gjatë kohës si student boton broshurën “Questione Albanese” (Cështja Shqiptare).

Gjatë viteve 1908-09 ndërmerr një udhëtim të gjatë nga Amerika e Jugut në atë të Veriut ku merr pjesë në takime me koloni të shqiptarëve e arbëreshëve dhe predikon Shqipërinë e lirë e të pavarur.

Në kryengritjen antiosmane të vitit 1911, i mbështetur nga i biri i Garibaldit, ai drejtoi Kuvendin e Fanit në Mirditë, por pa vazhduar më tej me sukses veprimtarinë atdhetare në krijimin e një qeverie autonome nga ajo osmane.

Më 1913 merr pjesë në Kongresin e Triestes dhe po atë vit nxjerr në qarkullim gazetën politike “Taraboshi” në Shkodër. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, autoritetet italiane e shtrëngojnë të kthehet në vendlindje dhe të izolohet për disa vite.

Toçi u kthye në Shqipëri në vitin 1920 dhe caktohet prefekt i Korçës. Pas një viti vendoset si konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt. Në zgjedhjet e vitit 1923 u zgjodh deputet i Shkodrës. Më 1925 emërohet kryetar i Gjykatës së Kastacionit dhe më 1927, sekretar i përgjithshëm i presidencës.

Me vendosjen e monarkisë shqiptare, ai jep dorëheqjen nga çdo post politik si rrjedhojë e bindjeve republikane që kishte. Vetëm në vitin 1937 ai do të rikthehej në politikë duke drejtuar Ministrinë e Financave.

Gjatë pushtimit italian ka kryesuar Këshillin e Epërm Korporativ Fashist në vitet 1940-42. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, arrestohet dhe dënohet me vdekje nga Gjyqi Special në prill të 1945./atsh/ KultPlus.com

Mbërritja, pas shumë peripecive, e Aleksandër Moisiut në Buenos Aires — Intervista me gjeniun e skenës bashkëkohore botërore

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Mars 2025

“Diario Crítica” ka botuar, të dielën e 7 prillit 1929, në faqen n°11, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Buenos Aires, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Moisiu, tragjiku i madh gjerman, sapo ka mbërritur në Buenos Aires dhe tregon përshtypjet e udhëtimit të tij.

Burimi : Diario Crítica, e diel, 7 prill 1929, faqe n°11
Burimi : Diario Crítica, e diel, 7 prill 1929, faqe n°11

Një udhëtim me probleme. — “Të kryesh tetë funksione. Kam gjashtëdhjetë ditë lundrim.

Angazhimet e mëparshme do ta pengojnë tragjedianin e shquar të ofrojë më shumë se tetë shfaqje.

Moisiu ndodhet në Buenos Aires që nga mbrëmë. Pasagjeri nga Cap Arcona zbarkoi sapo u hoqën kufizimet sanitare për anijen transatlantike, i cili megjithatë, po shkurton edhe më tej itinerarin e tij, që është shumë i shkurtër në Buenos Aires për shkak të kontratave të tij në pritje. Aleksandër Moisiu është i ndjeshëm, do të kalojë si yll në qiellin tonë artistik. Moisiu, siç e kemi thënë tashmë, është një nga figurat kryesore të skenës bashkëkohore botërore. Parisi, Londra dhe Nju Jorku kanë përshëndetur të gjithë figurën tragjike që ka bërë që turmat të dridhen nga emocionet. Francezët, të cilët ishin aq të kursyer në lëvdatat e tyre për të huajin, ishin ata që treguan entuziazmin më të madh në kritikat e tyre, ku disa e shpallën atë gjeni, e të tjerë aktorin më të madh dramatik të gjallë.

Pasi e nisi karrierën e tij në teatër si një ekstra, karriera e tij evropiane dhe triumfi i tij i fundit në Nju Jork kulmojnë me famën e tij aktuale. Gjermano-gjermani tragjik, me gjak hebre, bir i një shqiptari dhe nënë italiane, i lindur në Trieste nën dominimin austriak ? — por gjerman, për shkak të kulturës së tij intelektuale dhe gjuhës me të cilën shpreh temperamentin e tij artistik, ai do të na japë vetëm katër shfaqje të talentit të tij : “Fantazmat”, “Hamleti”, “Dymbëdhjetë mijë” të Bruno Franck-ut dhe “Kufoma e gjallë” e Tolstoit. E pamë mbrëmë duke folur familjarisht në të gjitha gjuhët, duke pritur me ankth kohën e debutimit të tij para një publiku të ri dhe të largët.

Për çdo zotëri, çdo nder. Moisiu është një nga zotërit e artit dramatik. Mos hezitoni të na dërgoni mirëseardhjen tonë të ngrohtë dhe të shprehim kënaqësinë tonë për të ndarë me ju aktivitetet tona teatrale në Buenos Aires.

Moisiu, poliglot

Figura e Aleksandër Moisiut, e konsideruar artistikisht, është mjaft e njohur që ne të përpiqemi ta zbulojmë atë; Fizikisht ai është një njeri me tërheqje të veçantë; Me gjatësi mesatare, i hollë, me një fytyrë të rrumbullakët, të bardhë, me flokë të valëzuar, ngjyrë bronzi, një grimasë ironike në gojë dhe me sy depërtues, këto janë linjat e përgjithshme të këtij lloji që mbushin skenën dramatike në teatrot e mëdha evropiane dhe të Amerikës së Veriut.

Moisiu është një poliglot dhe me fraza në italisht, gjermanisht dhe frëngjisht na tregon odisenë e udhëtimit të tij :

— Për të luajtur tetë ditë në Buenos Aires — do të më duhet të lundroj për gjashtëdhjetë ditë …

Ndërsa isha në Nju Jork, i dhashë fjalën Urban-it që të vija me të në Buenos Aires. Ideja për t’u njohur me këtë pjesë të planetit të vogël që ne jetojmë më tërhoqi dhe nëse mbaj fjalën e nderit do të më duhet të lundroj për gjashtëdhjetë ditë dhe do të duhet të pres deri në maj për të pranuar kontratën e mrekullueshme që më ofroi një kompani e madhe filmash për të luajtur në dy filma shumë të rëndësishëm, “Kean” të Dumas dhe “Dishepulli i Djallit” të Bernard Show.

Moisiu, aktor filmi (kinemaje)

Këta filma, bazuar në këto vepra të mrekullueshme, do të realizohen duke përdorur një proces modern që po revolucionarizon artin kinematografik sot, ai quhet film që flet (film me zë), dhe siç duket edhe emri i tij, aktori shihet në të njëjtën kohë kur dëgjohet.

Një udhëtim me probleme

Udhëtimi im ishte vërtet plot ngjarje : për të takuar Urbanin dhe për t’u kthyer në Kaliforni më 15 maj, më duhej të hipja në anijen e parë që nisej për në Evropë në Nju Jork në një ditë kur shpërtheu një stuhi e jashtëzakonshme që nuk na la gjatë gjithë udhëtimit tonë për në Hamburg. Meqenëse moti i keq na bëri të vonoheshim për rreth 70 orë, nuk munda të shihja familjen time me mbërritjen time në Gjermani dhe nga anija që po më çonte atje shkova drejtpërdrejt në Cap Polonio, në bord patëm një udhëtim shumë të lumtur, por siç thotë thënia e vjetër spanjolle : “Epo, hajde keq, nëse vjen vetëm”, dhe ja, në brigjet e Brazilit mësuam se do t’i nënshtroheshin një karantine shëndetësore, dhe si pasojë e një vonese të re dhe shtyrjes së pashmangshme të debutimit tim.

Kompania Urban

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, shton Moisiu, kompania Urban që udhëton në bordin e Weser-it do të duhet të durojë një karantinë më serioze se e imja, gjë që ka bërë të nevojshme shtyrjen e sezonit përsëri.

Pas performancës sime në Buenos Aires, do të kaloj Andet për të hipur në një anije në Valparaíso dhe do të arrij në San Francisko, Kaliforni, më 15 maj, sipas fjalës time.

Moisiu do të performojë në Odeón të mërkurën me datë 10 prill në shfaqjen “Espectros — Fantazmat”./ KultPlus.com

31 vite nga vdekja e Charles Bukowski

Sot janë bërë 31 vite nga vdekja e shkrimtarit Charles Bukowski, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht te vitit 1920.

Dy vjet pas lindjes së tij, e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën. E gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk. Ka vdekur me 9 mars te vitit 1994 nga leukemia në San Pedro. Është autori i 34 vëllimeve poetike, 3 romaneve dhe një skenar filmi. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik.

Charles Bukowski ishte letrar, poet, novelist dhe shkrimtar amerikan me rrënjë gjermane, përfaqësues i valës tjetër të gjeneratës beat, stili i tij i të shkruarit është në ndikim të plotë të ambientit social, kulturor dhe ekonomik të qytetit të tij Los Angeles.

Në veprat e tij e përshkruante jetën e njeriut të varfër, alkoolit, relatat me femrat, dhe të gjitha mungesat dhe vështirësitë e punëve të këtilla.

Bukowski shkruajti me mijëra këngë, qindra tregime të shkurtra dhe gjashtë romane, të gjitha deri në gjashtëdhjetë libra. Në veprat e tij e përvetësonte veten si Henry Chinaski.

Sa i përket Bukowskit në jetën personale, në rini ishte i turpshëm dhe i tërhequr, e cila ishte si rezultat i abuzimit nga ana e moshatarëve të tij dhe babait të tij që e rrihte.

Në vitet e hershme të adoleshencës për herë të parë ra në kontakt me alkoolin i cili më vone do ta përcaktoj si person dhe shkrimtar gjatë tërë jetës së tij.

Bukowski vdiq nga Leukemia më 9 mars të vitit 1994 në San Pedro./KultPlus.com

Ameriko Vespuçi, hartografi që zbuloi ‘Botën e Re’

Ameriko Vespuçi ( 9 mars 1451 — 22 shkurt 1512) ishte financier, lundërtar dhe hartograf i cili ishte i pari që demonstroi se Brazili dhe baseni i Karaibeve nuk ishin pjesët e jashtme të Azisë lindore siç kishte hamendësuar Kolombo nga udhëtimet e tij, por tha se kjo ishte një tokë e re e cila nuk ishte ende e njohur nga Bota e Vjetër.

I referuar si Bota e Re, ky super kontinent i dytë u emërua “Amerika”, që rrjedh nga fjala Americus, versioni latinisht i emrit të Ameriko Vespuçit.

Ameriko Vespuçi është i lindur dhe rritur në Firence të Italisë.

Ka marrë pjesë dy udhëtime në “Botën e Re”, dhe ka qenë udhëheqës i ekspeditës detare spanjolle (1499-1500) e cila si duket ka zbuluar grykëderdhjen e lumit Amazon. Mandej ka udhëhequr edhe ekspeditën portugeze (1501-1502) e cila e ka zbuluar Rio de Zheneiro dhe Rio de Plata.

Duke i paraqitur zbulimet e tija për herë të parë përmendet shprehja Amerikë dhe Bota e Re. Duke lundruar me flamurin Spanjoll, arriti deri te bregdeti i Brazilit dhe Hundurasit. Në dallim me Kolombin, ka qenë i sigurt se ka zbuluar “Botën e Re” e cili gjindet në mes të Evropës dhe Azisë.

Përshkak se hartografët e kanë injoruar Kolombin, kontinenti i ri e mori emrin Amerikë nga ky hulumtues dhe detar italian.

Duke i paraqitur zbulimet e tija për herë të parë përmendet shprehja Amerikë dhe Bota e Re. Duke lundruar me flamurin Spanjoll, arriti deri te bregdeti i Brazilit dhe Hundurasit. Në dallim me Kolombin, ka qenë i sigurtë se ka zbuluar ” Botën e Re” e cili gjindet në mes të Evropës dhe Azisë. Roli i Vespuçit është i dyanshëm, jo vetem që vërtetoi se Kolombo ka zbuluar tokë të re, por edhe për dy shkrimet e veta, “Mundus Novus” dhe “ Lettera”. Disa mendojn se shkrimet e Vespuçit janë vetëm mendime dhe iluzione, ndërsa disa të tjerë mendojnë se a to shkrime nuk janë të tijat por janë shkruat para periudhës qe ka jetuar Vespuçi.

Në përgjithësi pranohet se Amerika Veriore dhe Jugore u emëruan sipas eksploruesit Italian Amerigo Vespucci nga kartografi Gjerman Martin Waldseemüller. Vespucci, i cili kishte eksploruar Amerikën Jugore mes viteve 1497 dhe 1502, ishte Evropiani i parë që sugjeroi se Amerikat nuk ishin Inditë (grupe ishujsh në Azi), por një tokë tjetër e panjohur më parë për evropianët.

Më 1507, Waldseemüller prodhoi një hartë të botës, në të cilën ai vendosi fjalën “America” në kontinentin e Amerikës Jugore, në mes të Brazilit të sotëm. Ai shpjegoi logjikën për këtë emër në librin e tij “Cosmographiae Introductio”. Për Waldseemüllerin, askush nuk duhet të kundërshtoj emërimin e tokës sipas zbuluesit. Ai përdori verzionin e Latinizuar të emrit të Vespuccit (Americus Vespucius), por në formën femërore “America”, duke ndjekur shembujt “Europa” dhe “Azia”. Më vonë, kur kartografë të tjerë vizatuan Amerikën Veriore, ata shtuan emrin origjinal gjithashtu më 1538, Gerard Mercator përdori emrin America për të gjithë hemisferën perëndimore në hartën e tij të botës.

Ameriko Vespuçi vdiq më 22 shkurt të vitit 1512./KultPlus.com

‘Lonely Planet’: Cila është koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë?

Shqipëria ka qenë një nga destinacionet më të nxehta vitet e fundit dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se fluksi i turistëve do të “qetësohet” së shpejti, shkruan Joel Balsam në një artikull të botuar në “Lonely Planet”.

Vendi ballkanik ka plazhe të bukura me ujëra të kristalta – në fakt, një prej tyre u shpall së fundmi si më i kaltërti në botë – qytete të trashëgimisë së UNESCO-s me rrugica magjepsëse dhe tunele nëntokësore, së bashku me shtigje ecjeje të mrekullueshme në Bjeshkët e Nemuna (Alpet Shqiptare).

Shumica e turistëve vizitojnë Shqipërinë në sezonin e verës (qershor-gusht), kur plazhet janë më të ngrohta dhe malet janë pastruar nga bora. Kjo është koha e shkëlqyer për ta vizituar vendin ballkanik.

Vizitoni Shqipërine në maj ose tetor – me më pak turma dhe temperatura të ngrohta. Megjithatë, kjo periudhë mund të mos jetë ideale për të notuar në det pasi është ende i ftohtë.

Shumica e objekteve turistike jashtë qyteteve të mëdha dhe përgjatë bregdetit në Shqipëri, mbyllen në dimër (dhjetor-mars).

Industria e turizmit fillon të hapet sërish pas festës së bektashinjve të pranverës, Ditës së Nevruzit, më 22 Mars. Nëse shkoni gjatë dimrit, qëndroni në kryeqytetin, Tiranën, ose qytetin verior Shkodër, i cili organizon karnavale dimërore.

Planifikoni udhëtimet tuaja në Shqipëri gjatë gjithë vitit me këtë guidë sezonale.

Muajt qershor-shtator përbëjnë pikun e sezonit veror 

Riviera Shqiptare në jug të vendit është quajtur Maldivet e Evropës – një vlerësim i cili merr kuptim kur mendon për ujin e kaltër në brigjet e Ksamilit dhe përreth.

Zbulimi i Shqipërisë ka ndihmuar në rritjen e numrit të turisteve të huaj –  kështu që gjatë pikut të sezonit pritet të ketë turma të mëdha vizitorësh.

Për t’i shpëtuar turmave më të mëdha, merrni me qira një makinë dhe udhëtoni deri në plazhin e Borshit dhe të Gjipesë.

Ju gjithashtu mund të bëni një turne me varkë nga Himarë në plazhet e izoluara ku mund të jeni vetëm ju dhe deti i hapur.

Në qershor, shkoni në Dhërmi për të marrë pjesë në festivalin e muzikës “Kala”. Nëse mund të prisni deri në shtator, do të gjeni temperatura më pak të nxehta në bregdet dhe me më pak turma vizitorësh.

Në përgjithësi, në Shqipëri ka vizitorë gjatë gjithë vitit, megjithëse mungesa e ndonjë flladi detar mund të shkaktojë nxehtësi ekstreme në korrik dhe gusht, me temperatura që rriten mbi 30°C. Zonat më të freskëta janë Bjeshkët e Nemuna, ku temperaturat mesatare lëvizin midis 17°C dhe 22°C në verë.

Gjithashtu, zbuloni një tjetër destinacion alternativ veror – Pogradecin, i cili pret “Festivalin Balkan Film Food” në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.

Vizitoni Shqipërinë në maj ose tetor për klimë më të butë dhe me më pak turma

Të vizitosh pothuajse çdo vend jashtë pikut të sezonit është një ide e mirë. Ka më pak turma, mot të butë dhe çmime më të arsyeshme. E vetmja pengesë është rreziku i motit të keq – si psh shiu në pranverë.

Muajt maj-tetor janë veçanërisht ideal në Shqipëri. Në maj, do të keni më shumë hapësirë ​​për t’u shtrirë në plazhet e Rivierës Shqiptare, megjithëse mund të jetë pak freskët – temperaturat mesatare në Ksamil variojnë nga 16°C – 22°C.

Ndërsa maji është gjithashtu teorikisht një kohë e mirë për të ecur në male pasi ka më pak vizitorë në Shqipëri, vini re se bora mund të mos jetë shkrirë deri në fund të muajit.

Vjeshta (tetor dhe nëntor) është gjithashtu një kohë e shkëlqyer për të vizituar Shqipërinë, pasi do të keni mundësinë të shihni ndryshimin e gjetheve në vende si Parku Kombëtar i Thethit.

Vjeshta është gjithashtu perfekte për të vizituar qytetet e UNESCO-s si Gjirokastra dhe Berati.

Ngrohja në dimër (dhjetor-mars) në baret e modës së Tiranës dhe karnavalet e Shkodrës

Shumica e akomodimeve në Shqipëri mbyllen gjatë dimrit, por ka ende argëtim gjatë sezonit dimëror. Nëse fluturoni drejt kryeqytetit – Tiranës, shkoni në Bllok dhe relaksohuni me një koktej në “Radio Bar”. Ose provoni rakinë në bar “Komiteti”.

Dimri është gjithashtu një kohë e mirë për të vizituar muzeun magjepsës të Shtëpisë me Gjethe të Tiranës, i cili dokumenton historinë e spiunazhit gjatë diktaturës paranojake të vendit nën drejtimin e Enver Hoxhës.

Kuzhina shqiptare, e karakterizuar nga mishrat e pjekur në skarë, është e shijshme në çdo kohë të vitit. Provoni gatimet më të mira vendase si qoftet dhe tavën e kosit me mish qengji të pjekur – në restorantet e Tiranës si “Era” dhe “Oda Garden”.

Nëse mund ta përballoni të ftohtin në veri të Shqipërisë, vizitoni Shkodrën. Në shkurt, qyteti pret festime të karnavaleve me interpretues të maskuar dhe parada në rrugë.

Provoni verën shqiptare nga tetori deri në dhjetor

Shqipëria është një destinacion në lulëzimin përsa i përket prodhimit të verës, me një histori që shtrihet prej shumë dekadash. Shijoni verën unike të vendit duke përfshirë “Kallmeti”, “Sheshi”, “Debin”, “Vranac” dhe “Vlosh” në qytetin e Beratit.

Një ndër të preferuarat është Kantina e Verës Çobo, e vendosur në një kopsht.

Adhuruesit e verës mund të vizitojnë në dhjetor qytetin e Pogradecit – i cili pret Festivalin e Verës dhe Gështenjës. /atsh/ KultPlus.com

Punërat e Perëndisë

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Zot i math e i vërtetë,
çdo pun’ e ke bërë vetë;
bëre qiejtë dhe denë,
bëre yjtë dhe dhenë,
bëre diellin’ me dritë,
bëre nat, e bëre ditë,
bëre erënë dhe retë,
bëre pemëtë me fletë,
bëre hënëzën me yje,
bëre fusha, male, pyje,
bëre zogjtë, që këndojnë
dhe lulet që lulezojnë,

bëre dimër’ e beharë,
bëre kuaj e gomarë,
bëre misër edhe grurë,
po më shumë bëre gurë.
Si bëre kaqë të mira,
bëre dhe shumë egërsira:

bëre arinë dhe derrë,
bëre… po ç’nukë ke bërë?
Bëre botënë të tërë,
bëre dhe djallë me brirë!
Çdo pun’ e ke bërë mirë,
po një gjë bëre pa mënde
dhe prishe punën tënde:

Kur bëre derr’ dhe arinë,
Ç’deshe që bëre Turqinë?
Se të mos qenkej kjo farë,
bota do të vinte mbarë,
dhe do të lulëzonte,
Shqipëria do t’gëzonte./ KultPlus.com

‘Gruaja që ti ke njohur dje, sot nuk është më, ajo është gjithmonë një tjetër’

Osho është filozofi i madh indian (Shree Rajneesh), njëkohësisht një nga spiritualistët më të mëdhenj të shekullit të XX.

Në vijim, do t’ju njohim me disa nga shprehjet filozofike dhe praktike të OSHO-s, që do t’ju bëjnë ta shihni veten dhe realitetin me sy tjetër.

1.Përdoreni energjinë me dashuri, përdoreni në ndonjë akt krijues, përdoreni në miqësi, përdoreni në meditim, bëni diçka me të që t’ju ngrejë lart.
Dhe sa më lart të shkoni, burimet e më shumë energjie bëhen të disponueshme për ju.
Në pikën më të lartë të vetëdijes, ju jeni gati një Zot.
Kjo është në duart tuaja!
2. “Të mendosh se e njeh shumë mirë gruan tënde, është një mendjelehtësi.
Si mund ta njohësh ti atë grua?
Si mund ta njohësh ti atë burrë?
Janë proçese, nuk janë gjëra.
Gruaja që ti ke njohur dje, sot nuk është më: ajo është gjithmonë një tjetër, totalisht ndryshe.”
3. “Ti je përgjigjja, por je krejtësisht i përgjumur.
Përgjigjja është brenda teje.
Ti je vetëm një farë.
Ke nevojë për dheun e duhur, ke nevojë për një kopshtar, ke nevojë për bashkëpunimin e për vullnetin tënd që të vdesësh si farë që pastaj të mund të lindësh si pemë.”
4. “Përmes dashurisë, hedhja e egos është e thjeshtë. Kjo është aq e natyrshme pasi vet dashuria është frymëzueshmëri natyrore.
Çdo gjë tjetër është jonatyrore kur të krahasohet me rrugën e dashurisë.”
5. “Tërë përpjekjet e shkencës nuk janë asgjë tjetër përpos kërkime për jetën e amshuar, e gjithashtu edhe tërë përpjekjet e religjioneve nuk janë asgjë tjetër përveç kërkim për jetën e amshuar”
6. Çdo fëmijë lind si individ, por tepër rrallë njeriu vdes si individ.
Me gjithë qëllimet më të mira, prindërit, mësuesit, udhëheqësit, klerikët dhe të ngjashmit na mbjellin idenë e konkurrencës, rivalitetit, ambicies, duke krijuar kështu prej çdo fëmije qenien e cila me jetën takohet në lufta mendimesh, me fjalë të tjera, në dhunë, në agresivitet.”
7. “Nëse e dashuron një lule, mos e këput.
Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe pushon së qëni ajo që dashuron.
Kështu që… Nëse e do një lule, lëre të jetë…”
8. ”Dashuria nuk është zotërim. Dashuria është vlerësim”.
9. “Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme… e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë, verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet.
Mos ki frikë nga eksperienca, sepse sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq më i pjekur do të jesh”.
10. “Trishtimi jep thellësi.
Lumturia jep lartësi.
Trishtimi jep rrënjë.
Lumturia jep degë.
Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë.
Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të shkojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht.
Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rrënjët.
Në fakt, janë gjithmonë në proporcion.
Ky është ekuilibri i saj”
11. “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën.
Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim”
12. “Miqësia është dashuria më e pastër.
Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon”
13. “Jeta fillon aty ku merr fund frika”
14. “Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je”
15. “Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh.
Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde.
JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”.
16. “Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën”
17. “Një fëmijë është një rilindje e zotit.
Ai duhet të respektohet dhe atij duhet t’i jepet çdo mundësi për t’u rritur dhe për t’u bërë jo ashtu siç do ti, por ashtu siç është potenciali i tij.”/ KultPlus.com

KOKSH: Roli i grave dhe vajzave, thelbësor në Lëvizjen Olimpike

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) uroi sot 8 marsin, duke vlerësuar të gjitha ato kampione që kanë nderuar dhe kontribuojnë për Shqipërinë në çdo arenë të botës.

“Në sport nuk ka limite, sepse fuqia për të garuar si të barabartë është suksesi më i madh”, thekson KOKSH.

“Në këtë 8 Mars nderojmë dhe respektojmë kontributin e grave, vajzave dhe motrave tona, që na e bëjnë jetën më të bukur. Respektojmë të gjitha ato kampione që kanë nderuar dhe kontribuojnë për Shqipërinë në çdo arenë të botës”, thekson KOKSH.

Për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, roli i grave dhe vajzave është thelbësor dhe shumë i rëndësishëm në çdo arritje teksa beson në fuqinë e tyre transformuese dhe shumë të guximshme në Lëvizjen Olimpike./ KultPlus.com

Si të krijosh historinë

(nga përmbledhja me tregime Kratere njerëzish)

Shkruan: Ballsor Hoxha

Ajo është duke e mbushur një gotë Coca Cola për mua. Jam ndarë me familjen, gruan dhe djalin shtatë vjeç, për shkak të një incidenti. Nuk mundem t’i takoj, por aq më shumë edhe kam urdhërndalesë nga gjyqi për t’iu afruar gruas më shumë se pesëdhjetë metra!! Nuk i kam parë qe më shumë se dy javë (megjithëse sa i përket gruas ndoshta edhe është më mirë), e djali kushedi çka është duke menduar për mua tashmë. Kam humbur dhe apartamentin ku kam jetuar tërë jetën, sakrificë e prin¬dërve, meje e kujtdo që na ka njohur, në kohë paqeje dhe sidomos në kohë lufte. Kam humbur dhe veturën, me gjithë atë që konoton ky atashim me veturën time, atë ia kisha blerë gruas dhuratë të re fringo etj. Kam humbur, aq më shumë, qytetin ku kam lindur e jetuar tërë jetën, kam humbur jo vetëm vendbanimin në të por edhe kontaktin me të e me miq e kafe ku kam ka¬luar ditët e netët. Në të vërtetë kam humbur tërë atë që kam pasur, timen, si dashuri e si përpjekje, tërë jetën time, dhe si duket, përgjithmonë. Por, ajo, e mbush gotën time me Coca Cola, po e mbush ngadalë.

Vuan nga kanceri i eshtrave. Për një kohë të shkurtë i është ngrënë, brejtur, tërë skeleti i saj. Dhe, tani, me atë rrënojë prej eshtrave që i ka mbetur, duke çaluar dhe në dhembje, qoftë edhe e shtrirë, ulur, e sidomos kur i bën punët si një amvise e përkushtuar, të tmerron. Por, nuk është tmerri aq i madh derisa e sheh duke u për¬pjekur për të bërë hapërimin më të thjeshtë; është edhe më tmerrshëm kur, si një shërbyese e vyeshme merr gotën tënde, e mbush atë dhe ta sjellë në tërë tmerrin e saj qoftë për të bërë lëvizjen më të vogël. Pastaj, po ashtu tmerr i makthshëm është kur, ajo, me grimcat e rrënojave të eshtrave të saj, që çuditërisht ende janë në funksion të trupit të saj si skelet, përgatit ushqimin për tërë ditën; pastaj dhe e shërben atë në secilin vakt; pastaj e mbledh dhe doemos edhe i lanë a pastron me kujdes të gjitha enët. Pastaj, në mes vakteve, sigurisht e gjen në tualet duke pastruar si e përçartur; pastaj e gjen duke marrë e dhënë me rrobat e shtëpisë, të të gjithëve etj.; dhe, ndoshta, kur e gjen duke tymosur ndonjë cigare, e ajo ndihet e turpëruar, për pushimin që është duke e bërë. Është, si të them, e të mos e lëndoj, amvise që të bën të tmerrohesh nga dhembja e saj; të bën të tmerro¬hesh nga dashuria e saj; por edhe të tmerrohesh nga dhembja e saj, e që në të vërtetë e shkakton tek secili prej nesh, po ashtu, duke provuar të të dojë në tërë këtë paralizë të dhembshme të saj.

Megjithatë, ajo, ende nuk e ka mbushur gotën me Coca Cola, unë jam aty pranë saj. Për një moment, ajo derisa është duke e zbrazur shishen, ndalet pak, pastaj ndalet dhe e shikon. Kushedi çka ka në mendje.
Kur e mendoj, dashuria e saj është sikur vuajtje, por jo në kuptimin romantik ndërmjet dy të dashuruarve. Është më shumë vuajtje për të mbetur! Për të qenë. Për të pasur një konfirmim. Por, pyetem, ajo ka tre fëmijë, dhe një bashkëshort, të gjithë jetët e tyre të jetueshme e të pranueshme. Nuk janë as kriminelë dhe as të gjymtë, aspak si ajo, dhe megjithatë, ka një obsesion për të mbetur!

Ajo vazhdon të mbushë gotën time me Coca Cola, vazhdon të ndalet dhe ta shikojë, ta masë, ta vëzhgojë, ta fshijë me duart e saj, derisa unë afër saj, as nuk mund të pres përfundimin e tërë këtij rituali të saj, dhe as të imagjinoj çka ka në mendje, dhe as pse po e bën këtë. Siç e thashë, kam humbur pak a shumë tërë atë që kam pasur, ndërtuar me dashuri e përpjekjen më të sinqertë, dhe në këtë, nuk kam shumë durim, por, ajo vazhdon ta mbushë dhe pastaj edhe ta kontrollojë gotën.

Ka momente kur ajo rënkon, rënkon tmerrshëm në dhembje të hatashme. Kur është tmerrësisht e përhum¬bur në sëmundjen e saj. Kur shtrihet në ndenjësen, aty mes kuzhinës dhe dhomës së ditës dhe nuk mund të lëvizë, ajo.

Ka, po ashtu, dhe ditë të tëra kur nuk mund të ngri¬het fare nga shtrati.

Megjithatë, ajo është shërbëtore e vyeshme, edhe e dashur, por, edhe besnike.

Ishte nata e parafundit e vitit që ka mbetur pas, ishim duke ngrënë drekë, bashkë dhe ajo me ne, dhe përnjë¬herë dikujt nga ne, besoj nuk është me rëndësi cilit, i duhej edhe pak kos, e ajo një ditë më herët nuk kishte mundur të zgjohej fare nga krevati, gjithashtu kishte pa¬sur tërë ditën dhembje të tmerrshme, mirëpo, kur njëri nga ne, pa rëndësi cili, kishte bërë të ditur se i duhej edhe pak kos, asnjëri nga ne nuk kishim mundur ta ndal¬nim, ishte ajo, pa një pa dy duke ardhur me tasin e kosit në dorë. Tërë familja kishim insistuar se nuk kishte pse të ngrihej, dhe se mund të shërbeheshim vetë, por ajo, me atë që e quajta tmerr, duke na tmerruar, me dashu¬rinë, apo çka do që është ky tmerr, të saj, ishte ngritur dhe kishte sjellë kosin, gjithnjë duke u përpjekur të ecte, gjithnjë duke çaluar, gjithnjë duke përjetuar dhembje të tmerrshme; detaj krejt i parëndësishëm dhe aq më shumë banal, por kur e ke në mendje kancerin e eshtrave të saj, dhembjet, rënkimet e shpeshta, ndoshta edhe moshën e saj, dhe edhe parëndësinë e këtij shërbimi të saj, e me¬gjithatë të kryer me besnikëri, kjo disi të tmerron.

Ajo tashmë ka mbushur gotën e Coca Cola për mua. Është pak përmbi gjysmë. Ndoshta, jo gjashtëdhjetë, por shtatëdhjetë për qind e gotës është e mbushur me Cola. Kur i kam thënë se doja Cola, i kisha thënë se doja shumë pak, ndoshta gjysmë gote, Cola. Por, derisa ajo është duke e pastruar me kujdes dhe besnikëri gotën të mbu¬shur sipas saj, mendoj, ajo tërë jetën e saj, ka pasur për ligj që çdo gjë që i kërkon, çdo gjë që i kërkoje, ta jepte më shumë sesa ke kërkuar në të vërtetë, pak më shumë sesa doje, që do, pak më shumë sesa të duhet.

Ajo ka edhe një problem tjetër, në tërë këtë tmerr, në tërë këtë dashuri të tmerrshme, në përpjekjet, në veshti¬rësitë e saj, në dhembjet e saj, ka edhe një tmerr shtesë. Një tmerr të egër e shpartallues. Shumë shpesh i shpër¬then një lloj çjerrjeje, britme dhe shpërthimi ndaj nesh. Që të tmerron. Është diku mes mallkimit të thellë të kob¬shëm e paralizues; tragjedie që të shpartallon e të para¬lizon. Nuk po hyj më thellë të mendoj për këtë frus¬trim e mallkim të saj, shkaktuar pikërisht nga dhembja prej kancerit të eshtrave që e ka.

Por ajo e ka kryer të veten tashmë. E ka mbushur, diku mes gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë për qind të gotës sime me Coca Cola, dhe e ka pastruar mirë. Ma jep.

“Falemnderit nënë!” i them, dhe në padurimin tim, duke krisur e i çmendur, nisem tutje.
Ajo mbetet në kuzhinë, ka punë, ka shumë punë.

Prishtinë, 2021-2023/ KultPlus.com

Kurorë e Hirtë

Poezi nga Sibel Halimi

Zgjohet, sytë e saj
ende të mjegullt nga ëndrrat
e përgjumura

Në pasqyrë lë veten
një fytyrë të njohur që e mbyll në shtëpi

Në trupin e saj vesh brezin
shtrëngon fort lëvizjen drejt vetes
ecën në heshtje, çdo hap bart peshën e së panjohurës

rrugët e qytetit janë të ngarkuara,
një siluetë që shkrihet në turmë

dora e një tjetri fshin hapësirën,
një buzëqeshje e detyruar
gati për t’u shpërbërë

duar që presin të duartrokasin
për një plotësim mungese
njeriu pa fëmijëri

Në mbrëmje, grimi hiqet
si maskë e huazuar,
lëkura, ajo kërkon një prekje lirie, një hukamë

Hijeshia e ndjek mbi çdo hap,
kurora që e mbulon, pa e pyetur trupin e saj.

Një ditë, do dalë nga shtëpia pa pasqyrë,
do veshë trupin
me fustanin e bardhë me pika t’kuqe,
ecë lirshëm pa mallkimin e shekujve
pa mburojë kohe e hapësire

Një ditë rrugës
drejt vetes
në fund të sokakut
hedh kurorën

bashkë me mëdyshjet nëse është fshehur mirë, a mos u zbulua nga vajza?!/ KultPlus.com

Lara Colturi renditet e 3-ta në Sllallomin Gjigant të Ares në Suedi

Lara Colturi, skiatorja më e re e finaleve botërore, që garon për Shqipërinë, arrin një tjetër rezultat mbresëlënës, duke u renditur e 3-ta në Sllallomin Gjigant të Ares në Suedi.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga garimi i skiatores Colturi, e cila ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer në këtë garë.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, skiatorja italiane Lara Colturi u rendit në janar në vendin e dytë në Kupën e Botës në Ski.

18-vjeçarja u rendit e dyta në garën e Sllovenisë, duke shenjuar një tjetër moment historik për vendin tonë, sa i takon sportit të skive.

Në muajin shkurt në debutimin e saj në Kupën e Botës të Skive Apline, Lara Colturi ka arritur të renditet e 7-ta mes 10 më të mirave të botës.

Ndërsa në Sestriere të Italisë, në Sllallomin Gjigant, skiatorja që garon për Shqipërinë ka realizuar kohën e 6-të më të mirë të ditës./ KultPlus.com