Baleti Kombëtar fillon provat gjenerale të shfaqjes ‘Rebounds. A BasketBallet’

Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur provat gjenerale për premierën e parë të vitit 2024, “Rebounds. A BasketBallet”, me koreografi të Friederike Lampert & Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Muzika e shfaqjes premierë “Rebounds. A BasketBallet” është realizuar nga Ohad Talmor.

Shfaqja para publikut do të jepet me datat 15.02.2024 dhe 16.02.2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë duke filluar ora 20:00./ KultPlus.com

Alan Greenberg, Ish Drejtori për Edukim në Apple, vjen në Kosovë

Për të pasuruar më tej përvojën edukative për studentët e tij dhe për të ofruar mundësi për komunitetin më të gjerë, UNI – Universum International College është përgatitur të mbajë edhe për audiencën e jashtme, një Bootcamp ekskluziv nga Alan Greenberg, ish-Drejtor i Apple për Edukim dhe tashmë edhe Profesor i Praktikës në Teknologji Digjitale, Inovacion dhe Ndërmarrësi në UNI – Universum International College.

Ekzekutivi i cili ka krijuar disa nga produktet më të rëndësishme për edukim në gjigantin Apple, do t’i bashkohet UNI-it dhe do të kryesoj Bordin Këshilldhënës të Qendrës me po te njejtin emër.

Bootcampi është planifikuar të zhvillohet në data të ndryshme, ku Tema e Bootcampit do të jetë: Exploring the Intersection of Digital Technology, Innovation, and Entrepreneurship (Eksplorimi i ndërlidhjes së teknologjisë digjitale, inovacionit dhe ndërmarrësisë.)

Ky Bootcamp është një mundësi unike për studentët e UNI dhe një numër të kufizuar të individëve nga Kosova që janë të interesuar për teknologjinë digjitale, inovacionin dhe ndërmarrësinë. Alan Greenberg, me përvojën e tij të gjërë, do të jetë një udhëheqës i shkëlqyeshëm për të ofruar ligjërata në formë të punëtorive. Ai do të ndajë njohuri të vlefshme dhe praktika të fituara nga vite të tëra në krye të sektorëve të teknologjisë dhe edukimit në mbarë botën. 

Bootcampi është i ndarë në 5 module në formë të punëtorive ku secili pjesmarrës do të ketë mundësinë të zhvilloj ide biznesore duke kulminuar me një projekt real biznesor apo inovacion digjital. 

Alan Greenberg sjell shumë përvojë dhe ekspertizë në UNI, pasi ka shërbyer si ish-Drejtor i Arsimit të Lartë EMEA, më pas Drejtor Arsimi në Kinë dhe AsiaPAC në Apple Inc. Ai udhëhoqi ekipin që ndërtoi Education Podcasting iTunes U në Angli dhe Evropë, zhvilloi Apple Education APP në iOS dhe nismat e zhvillimit të Apple APP me disa universitetet. Aktualisht ai shërben si një Bashkë-themelues, drejtor, këshilltar, konsulent dhe VC në një portofol edukimi dhe biznesi të drejtuara nga ndikimi i teknologjisë shëndetësore në Londër, Mynih, Dubai, Cape Town, Delhi, Tokio dhe New York.

Orari i Ligjeratave:

  • Takimi I: 08 dhe 09 Mars 2024
  • Takimi II: 26 dhe 27 Prill 2024
  • Takimi III: 21 Maj dhe 01 Qershor 2024

Lokacioni i Bootcampit: kampusi i UNI – Universum International College (afër Prishtina Mall)

Aplikimi dhe procedurat e regjistrimit mund të kryhen edhe online

Apliko duke klikuar këtu: shorturl.at/gtNQ7 

Çmimi për Bootcamp:

Ligjerata, materialet, Diplomë me ECTS të transferueshme për vetëm 790€

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth këtij Bootcamp,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./KultPlus.com

Emina Çunmulaj emërohet Konsulle Nderi e Shqipërisë në Florida: Me nder dhe përulësi pranoj rolin

Modelja shqiptare e njohur në botë, Emina Çunmulaj është shpallur nga shteti shqiptar Konsulle Nderi e Shqipërisë në Florida, shkruan KultPlus.

Kredencialet e Konsulles së Nderit i janë dhënë modeles Çunmulaj nga ambasadori shqiptar në ShBA, Ervin Bushati.

Lajmin për media e ka bërë të ditur Këshilli Koordinues i Diasporës, përmes një postimi në facebook.

“Emina Cunmulaj: “Me nder dhe përulësi pranoj rolin e Konsulles së Nderit të Shqipërisë në Florida”

Me një mesazh sa modest aq edhe domethënës shqiptarja e mrekullueshme ka pranuar rolin e ri, në të cilin është prezantuar nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati, ndërsa i ka dorëzuar edhe kredencialet.

Këshilli Koordinues i Diasporës shpreh urimet e thella dhe përgëzimet më të sinqerta për anëtaren tonë të denjë, duke shprehur bindjen se Emina Cunmulaj do të kryejë një vepër madhore e patriotike edhe në këtë rol, siç ka vepruar deri më sot”, thuhet në njoftim.

Nis ndërtimi i stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, pritet të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se sot kanë filluar punimet për ndërtimin e  stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë të ditur se ndërtimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, ka filluar pas përfundimit të disa procedurave të nevojshme siq janë shpronësimet e pronës dhe dhënies së lejes ndërtimore.

“Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite (komunalitë) janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar.

Stadiumi do të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s dhe do të përmbush të gjitha kushtet për ndeshje vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Lulzim Tafa i ftuar nderi në festën e Pavarësisë së Kosovës në Sarajevë, pritet të lexojë poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake

Komuniteti shqiptar në Bosnjë dhe Hercegovinë, i udhëhequr nga kryetarja Elvira Dushi, më 17 shkurt ka organizuar festën e Pavarësisë së Kosovës, ku ndër të tjera do të lexohen edhe poezi në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

Në festën e pavarësisë, pritet të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës, intelektual të shumtë, adhurues të artit e lexues të poezisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Lulzim Tafa, i cili në këtë festë si i ftuar nderi do t’i lexoj edhe disa poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake.

“Festën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin, këtë vit do ta kaloj në Sarajevë, si i ftuar nderi nga Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Atje më kanë ftuar që t’i lexoj disa poezi në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake. Në festën e pavarësisë, do të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe intelektual të shumtë, miq të mi, Sarajli të vjetër e të rinj, adhurues të artit e lexues të poezisë.

Komuniteti shqiptar në Sarajevë është mjaftë i organizuar dhe udhëhiqet nga Kryetarja Elvira Dushi, një promovuese e madhe e vlerave tona në Bosnje.

Përndryshe shqiptarët janë komunitet shumë i respektuar në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sarajeva feston me Poezi”, ka shkruar Tafa në facebook./ KultPlus.com

Mediumi KultPlus dhe platforma Shqip.ai nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Mediumi KultPlus dhe platforma Shqip.ai sot kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi nga sot, mediumi KultPlus, do të integrojë platformën Shqip.ai në të gjitha proceset për transkriptim, krijim dhe pikësim, që pritet të ndikojë në efikasitetin e punës në mënyrë më të shpejtë dhe më të thjeshtë.

Të dyja palët kontraktuese janë shprehur të kënaqura me bashkëpunimin në fjalë, nga ku pritet plasim më i shpejtë i informacioneve me plotë vlera para audiencës së mediumit KultPlus.

Drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, bashkëpunimin në fjalë e ka cilësuar si një arritje të madhe, përfitues më i madh i së cilës do të jetë audienca e mediumit KultPlus.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm, sidomos në afrimin edhe më të mëtejshëm të stafit tonë dhe audiencës, duke transmetuar informacione me vlerë të paçmuar nga sektori i artit dhe kulturës mbarë shqiptare dhe asaj botërore”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Bashkëpunim të rëndësishëm e ka cilësuar edhe platforma Shqip.ai.

“Një hap i madh drejt inovacionit në punën e përbashkët”, është shprehur Astrit Pira nga platforma Shqip. ai. / KultPlus.com

Si e rindërtuan shkencëtarët statujën e perandorit Kostandini i Madh në Romë?

Dikur ulej madhështor në zemër të Romës së lashtë.

Tani një statujë e madhe e perandorit, Konstandini i Madh po kthehet në Qytetin e Përjetshëm falë një rindërtimi të teknologjisë së lartë bazuar në fragmente mermeri të mbijetuar, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.

“Është diku mes dokumentimit, rikrijimit dhe interpretimit. Por me të vërtetë shpresoj se ky është fillimi i një revolucioni, se si të ndash dhe si të tregosh”, shpjegon Adam Lowe, drejtori i Fondacionit Factum, i cili mbikëqyri procesin e përpiktë të rindërtimit.

I lindur në vitin 306 pas Krishtit në Naissus, Konstandini u bë një nga udhëheqësit romakë më me ndikim të të gjitha kohërave, duke e forcuar jashtëzakonisht perandorinë.

Por ai është ndoshta më i famshëm për konvertimin në krishterim dhe ekspertët besojnë se statuja e madhe e tij shërbeu si një njohje se krishterimi ishte bërë feja e perandorisë.

I ashtuquajturi Kolos i Kostandinit, i cili daton në fillim të shekullit të 4-të, ishte një statujë monumentale e ngritur për të festuar mbretërimin e Kostandinit.

Fillimisht rreth 11 metra i gjatë, më vonë u shkatërrua dhe u plaçkit për bronz.

Pavarësisht se fragmentet e mbijetuara u rizbuluan në vitin 1486, fillimisht u gabua me një statujë të perandorit Commodus. Vetëm në fund të viteve 1800, fragmentet u identifikuan saktë si pjesë e Kolosit të Kostandinit.

Tani, romakët dhe turistët do të mund të admirojnë një kopje të statujës në tërësi, krejtësisht të ngjashme me origjinalin, falë 14 muajve të punës nga Fondacioni Factum.

Me qendër në Madrid, Fondacioni Factum krijon dokumentacion dixhital të saktë dhe me rezolucion të lartë të vendeve të trashëgimisë kulturore dhe veprave të artit në mbarë botën, për të bërë faksimile të veprave të artit të shkatërruara, të dëmtuara, të grabitura ose të humbura.

Ata kaluan tre ditë duke skanuar fragmentet në mars 2022 duke përdorur teknikat e fotogrametrisë. Më pas u bë një model 3D nga secili fragment, pas së cilës u vendos në versionin dixhital të statujës, i cili vizatonte në format e statujave të tjera të kultit të asaj epoke në poza të ngjashme./KlanKosova/ KultPlus.com

“Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente”, ju rrëfej jetën e një bariu të ri shqiptar – Letra e Mehmet Shehut dërguar nxënësve të një shkollë në Virxhinia

Nga Aurenc Bebja

“American Junior Red Cross News” ka botuar, në nëntor të 1930, në faqet n°62 – 63, letrën e Mehmet Shehut dërguar asokohe nxënësve të një shkolle në Virxhina (SH.B.A.), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente

Një treg dhish në Tiranë, Shqipëri. Ka shumë të ngjarë që disa nga dhitë e Mehmetit janë shitur pikërisht në këtë treg — Burimi : American Junior Red Cross News, nëntor 1930, faqe n°62 – 63
Një treg dhish në Tiranë, Shqipëri. Ka shumë të ngjarë që disa nga dhitë e Mehmetit janë shitur pikërisht në këtë treg — Burimi : American Junior Red Cross News, nëntor 1930, faqe n°62 – 63

Mehmet Shehu, student në Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) në Tiranë, shkroi një letër për një album të destinuar për një shkollë në Virxhinia, duke rrëfyer jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa nga aventurat e tij të kujtojnë delen e humbur të Xhinos në historinë e Miss Upjohn.

Të dashur shokë,

Unë mendoj se mund t’ju interesojë të dini për jetën e një bariu të ri shqiptar. Disa vite para se të vija në këtë shkollë kam qenë bari. Në shtëpinë time kishim rreth 150 dhi. Unë dhe kushëriri im duhej të kujdeseshim për to. Kur ai ishte i zënë me diçka tjetër, më duhej të qëndroja vetëm me tufën time në pyllin e madh gjatë ditës. Kishim ndërtuar dy stane për to. Njëri ishte afër shtëpisë dhe tjetri rreth një orë në këmbë. Kopenë e kemi mbajtur në stanin më të largët nga vjeshta deri në kohën e lindjes në shkurt. Pastaj i çuam në stanin afër shtëpisë. Ne kishim tre qen me vete. Gjatë ditës e lidhnim qenin e madh me zinxhir në stan. Dy të tjerët vinin me tufën në pyll, duke vrapuar përpara tyre.

Një muaj dhjetori ra një borë e madhe. Filloi gjatë natës. Unë dhe kushëriri im ishim në kasollen tonë dhe kopeja në strehën e tyre. Zbardhi dita dhe binte ende borë. Vazhdoi deri në orën dhjetë të mëngjesit, bora kishte arritur një thellësi prej rreth gjashtëmbëdhjetë inç. Kishim mjaft dru të thatë për të ndezur zjarr, por prindërit tanë ishin të shqetësuar për ne dhe për tufën. Secili pronar tokash punëson një fermer kryesor. Pas pak, dëgjuam zërin e fermerit që na thërriste. Ai kishte hipur në pelën tonë dhe na kishte sjellë ushqim. Na tha ta çonim kopenë në shtëpi. Nuk e dallonim rrugën, por fermeri ynë hipi në pelë dhe na tregoi rrugën. I hoqëm këmbanat e mëdha nga qafa e cjapëve dhe ato ndoqën gjurmët e pelës. E gjithë tufa, në një rresht, ndiqte cjapët. Nga stani në rrugën kryesore zakonisht kalonim gjysmë ore në këmbë, por atë ditë na u deshtën dy orë. Për katër orë arritëm në shtëpi. Ishte shumë ftohtë. Ne e çuam kopenë në stallat e tyre dhe i vendosëm ato që ishin të dobët dhe që dridheshin pranë zjarrit. Ky ishte një dimër i ashpër dhe kur erdhi koha e pjellave, shumë nga të  vegjëlit ngordhën. Kjo na bëri të pendoheshim, jo sepse do të humbnim fitimet, por sepse një bari e do vërtet kopenë e tij.

Ujqërit shkaktuan dëme të mëdha atë dimër. Një natë e kishim çuar kopenë në stan. Ne ishim duke fjetur në kasollen tonë. Të tre qentë ishin lëshuar. Nata ishte tepër e errët. Një ujk arriti të futet në një nga stanet dhe kapi një kec nga fyti. Keci blegëronte dhe qentë lehnin, por nuk kishin se si të hynin. Kushëriri më zgjoi dhe të dy vrapuam te dera. Kushëriri im hapi derën dhe qeni i madh hyri brenda. Qeni dhe ujku u përplasën në fyt me njëri-tjetrin dhe keci u shpëtua. Ujku nuk e mbajti dot veten me qenin dhe kështu u hodh mbi gardh dhe iku. Tre qentë e ndoqën atë për një kohë të gjtatë. Pas asaj nate, asnjë ujk nuk sulmoi më tufën tonë, por ata sulmuan tufat e të tjerëve. Jam i sigurt se ujqërit e dinin që qentë tanë ishin shumë të fortë për ta.

Disa dhi fshihen kur pjellin. Një mëngjes isha afër një pylli duke u kujdesur për një dhi e cila ishte gati për të pasur një kec. Kushëriri im ishte me kopenë. Dy të rinj nga fshati im ishin duke gjuajtur pranë meje. Njëri nga qentë hasi në një strofull derrash të egër. Ishin nëntë derrkucë të rinj, dosa dhe derri. Derrkucët vrapuan drejt meje. U tremba dhe u ngjita në një pemë të re. Aty sipër nuk u tremba, sepse e dija që tufat e derrkucëve nuk mund të më arrinin. Pas pak derrkucët u larguan. Dhia, të cilën e ruja, kishte frikë dhe ishte larguar. Nuk e gjeta dot. Kushëriri im shkoi ta kërkonte dhe unë qëndrova me kopenë, por nga frika e derrave, ngjitesha nga një pemë në tjetrën, në të njëjtën kohë duke u përpjekur të rrija me kopenë time. Ishte një kohë terrori për mua. Kushëriri im gjeti dhinë që kishte lindur një kec.

Disa dhi nuk i duan të vegjëlit e tyre të parë dhe nuk i lënë të thithin gjirin. Këto dhi i lidhëm në qafë dhe i lamë kecat që t’i thithin; dhe gjatë natës i mbajtëm vogëlushët pranë zjarrit në kasollen tonë. Kishte edhe disa vogëlushë, nënat e të cilëve kishin ngordhur. Ne u mundësuam që të thithnin gjinjtë dhive të tjera. Një pjesë e stanit u nda për dhitë me të vegjëlit e tyre.

Në shtator, ne mbjellim arat tona me tërshërë. Këtu dhitë kullosin pasi kanë pjellë kecat. Kur të vegjëlit rriten pak, ata ndahen nga nënat e tyre gjatë ditës. Kur nënat e tyre kthehen, ata kërcejnë lart e poshtë dhe blegërojnë nga gëzimi i madh, sepse mund të qëndrojnë me nënat e tyre gjatë natës.

Dhitë tona pjellin në shkurt. Në datën 12 prill i mjelim një herë në ditë, në mbrëmje. Pastaj vogëlushët lihen të lirë të takojnë nënat e tyre. Dhitë nuk i mjelim tërësisht, sepse lëmë pak qumësht për kecat. Gjatë ditës, vogëlushët çohen në shkurre të vogla dhe fillojnë të përtypin gjethe, duke marrë pak lëngje ushqyese, por pjesën më të madhe të kohës ata e kalojnë duke kërcyer dhe duke luajtur në shpatet e argjilës. Sa mirë është të shohësh vogëlushët duke luajtur ! Pasi të rriten mjaftueshëm, mund të hanë gjethe dhe nuk kanë më nevojë për ushqimin e nënës së tyre dhe ne i heqim nga gjiri. Ata lihen të lirë me nënat e tyre në gusht kur kanë harruar thithjen e qumështit. Gjatë kësaj kohe i mjelim dhitë dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Në verë, ne i nxjerrim kecat dhe dhitë nga strehëzat e tyre në natyrë. Kur është shumë vapë në mesditë, kopetë i çojmë në hije. Në mbrëmje, dhitë i mjelim dhe pastaj futen në pyll. Ato kullosin gjatë natës. Në mesnatë, ato mblidhen dhe shtrihen për rreth tre orë. Pastaj ato përsëri fillojnë të kullosin derisa dielli, në gjuhën e dhisë, të jetë rreth katër shkopinj mbi horizont. Më pas i mjelim dhe i çojmë sërish në vende me hije, ku pinë e pushojnë. Vogëlushët në një tufë të veçantë i çojmë në pyll në mbrëmje.

Ne kishim një dhi të zezë të përkëdhelur. Ishte shumë e butë. Kur e thërrisnim, ndërsa kulloste, vinte menjëherë dhe na tregonte të gjitha shenjat e dashurisë. Një nga qentë tanë e kishte zakon të shkonte tek çdo dhi dhe të hiqte pleshtat e saj. Kur një dhi thërriste për qenin, ai shkonte tek ajo dhe fillonte ta pastronte.

Dy vite më parë, pavarësisht trishtimit të qenve tanë, shitëm dhitë dhe blemë dele. Gjatë javës së parë, kur qentë hynë në pyjet ku kishin qenë më parë, ulërinin nga pikëllimi për dhitë e tyre. Sa keq më erdhi për ta, sepse prej kohësh ishin mësuar me dhitë dhe u mungonin shumë; por sot kujdesen për delet, me besnikëri, por jo me dashurinë që treguan për dhitë.

E di që anekdotat e mia do të ngjallin buzëqeshje të dyshimta, por bëhu bari dhe jeto me kafshët, dhe atëherë edhe ti do të mësosh se njeriu nuk është e vetmja kafshë inteligjente dhe as i vetmi që është i sjellshëm dhe i dobishëm me të tjerët.

https://www.darsiani.com/la-gazette/1930-njeriu-nuk-eshte-e-vetmja-kafshe-inteligjente-ju-rrefej-jeten-e-nje-bariu-te-ri-shqiptar-letra-e-mehmet-shehut-derguar-nxenesve-te-nje-shkolle-ne-virxhinia-sh-b-a/

“Qyteti dhe letërsia: ese” nga Stefan Çapaliku do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

Shtëpia Botuese “Olymp” së fundi ka botuar librin më të ri të shkrimtarit të njohur nga Shqipëria, Stefan Çapalikut, shkruan KultPlus.

“Qyteti dhe letërsia: ese” është libër që sjell rolin e hapësirës urbane për krijimin e letërsisë, duke vënë theksin në Letërsinë Shqipe dhe Qytetin Shqiptar.

Në këtë promovim do të merr pjesë edhe vet autori Stefan Çapaliku, ku për librin do të flasin edhe shkrimtari i njohur Ag Apolloni dhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Stefan Çapaliku është shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar. Andaj për një takim sa më të afërt me autorin, ju ftojmë që të jeni më afër kësaj mbrëmje letrare.

Takimi me autorin Çapaliku do të bëhet më 14 shkurt, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë./ KultPlus.com

QKLL shpall 2024-ën vitin e Lasgush Poradecit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli vitin 2024 si Vitin e Lasgush Poradecit, në 125-vjetorin e lindjes së poetit. Përmes mbrëmjeve poetike, konferencave, aktiviteteve në shkolla e librari, takimeve me të rinj, QKLL do të sjellë më pranë lexuesve figurën e poetit që e lartësoi gjuhën shqipe.

Drejtuesja e QKLL, Alda Bardhyli priti në mjediset e kësaj qendre, Marian, vajzën e poetit tonë kombëtar, Lasgush Poradeci, me të cilën bisedoi mbi punën e jashtëzakonshme të realizuar prej saj, për zbardhjen dhe koleksionimin e letërkëmbimeve të poetit me personalitete të njohura të kohës si Skënder Luarasi, Gjergj Bubani, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, etj.

Pjesë e arkivit të Poradecit, këto letërkëmbime do të vijnë së shpejti në një botim të dedikuar, nën kujdesin e Marias dhe mbështetjen e QKLL-së.

“Koha vendos në vend gjithçka. Për gjërat e mëdha duhet një kohë e gjatë për vleftësimin e tyre. E kohë e gjatë është ajo kohë e cila muros, e bën monument vlerat e kulturës sonë kombëtare”, shkruan Lasgushi në një letër drejtuar Mitrush Kutelit, shprehje të cilën e kujtoi Maria, gjatë bisedës me drejtoreshën e QKLL. / atsh / KultPlus.com

Përkthimi dhe mënyra se si shkruhet poezia, sot në fokusin e takimit kulturor të PEN Qendrës së Kosovës

Jeta Zymberi

Në KultPlus Caffe Gallery, një ngjarje e rëndësishme kulturore u shtrua sot përpara publikut të interesuar. Në këtë ambient të mbushur me frymë krijuese, PEN Qendra e Kosovës prezantoi aktivitetin e saj të gjashtë në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.

Synimi i këtij projekti është më shumë se thjesht të mbledhë një audiencë, është një përpjekje për të shtyrë përpara ndjeshmërinë letrare të brezave të rinj, duke i nxitur ata të kuptojnë rëndësinë dhe bukurinë e shkrimtarisë. PEN Qendra e Kosovës, me këtë iniciativë, dëshiron të sjellë në vëmendje rolin e librit, kulturën e leximit dhe të inkurajojë talentet e reja për të eksploruar dhe shprehur veten përmes poezisë, prozës, eseve, dhe më tepër, shkruan KultPlus.

Ngjarja e cila kishte mbledhur studentë, krijues e studiues u bë edhe më e këndshme me prezencën e gazetareve ukrainase që kanë gjetur strehim në Kosovë, Oksana Chykanch dhe Tetiana Kraselnykova. Këtë takim e hapi profesori Milazim Krasniqi në këtë rast në cilësinë e moderatorit, i cili edhe prezantoi temat e këtij takimi.

“Sot kemi dy autorë emblematikë, të veçantë në fushat e tyre. Avni Spahiun, një nga intelektualët dhe përkthyesit eminent i cili ka dërguar kumtesën e tij “Veçoritë e përkthimit letrar” pasi për shkak të disa problemeve shëndetësore e kishte të pamundur të jetë sot në mesin tonë, por kumtesën e tij do ta lexoj profesori Ibrahim Berisha, ndërsa për temën e dytë, “Si shkruhet poezia” do të flas profesori universitar dhe një ndër poetët më të mirë bashkëkohorë që e kemi, Sali Bashota”, tha Krasniqi.

Fillimisht fjalën e mori profesori Ibrahim Berisha i cili po e përcillte kumtesën “Veçoritë e përkthimit letrar” duke e ndriçuar kështu rrugën përballë sfidave dhe bukurive të përkthimit dhe duke na udhëzuar në botën e thellë të këtij arti të ndërlikuar.

“Procesi i përkthimit paraqet një komunikim artistik midis autorit, përkthyesit dhe lexuesit dhe fjalët e përdorura nga përkthyesi përbëjnë pjesën kryesore në procesin e komunikimit të ideve apo ndjenjave të autorit. Përkthyesi është ai që duhet të kuptojë, lexojë dhe interpretojë tekstin burimor i pari dhe ta përkthejë atë në një gjuhë dhe kulturë tjetër”, u shpreh Berisha, teksa theksoi se përkthimi nuk është thjesht përcjellje e kuptimit nga një gjuhë në tjetrën, por është gjithashtu një krijim.

Sipas, Spahiut, përkthyesi letrar duhet të zotërojë njohuri të mjaftueshme nga të dy gjuhët, atë bartëse dhe atë pranuese duke qenë në gjendje që të bart narracionin, stilin, disponimin, veçantitë krijuese dhe imagjinatën e autorit.

“Pozicioni i përkthimit në komunikimin ndërkulturor është thelbësor. Qëllimi i përkthimit është transmetimi i ideve dhe ngjarjeve nëpër kohë dhe hapësirë për të kuptuar diçka, për të realizuar, për të vërtetuar. Bota që është gjithnjë e më e ndërlidhur, përmes përkthimit përmbush një rol duke thyer barrierat gjuhësore. Nga pikëpamja profesionale, përkthyesit luajnë një rol si ekspertë të komunikimit ndërkulturor, ndërmjetës dhe urë lidhëse ndërmjet njerëzve.”

Një përkthim i mirë paraqet një sfidë të vërtetë krijuese që sjell kënaqësi si gjatë procesit ashtu dhe gjatë prezantimit të produktit final, dhe tutje, Berisha ndau me publikun diçka nga përvoja personale e Spahiut si përkthyes letrar i cili ishte shprehur se gjithmonë ka qenë i impresionuar nga dy prej intelektualëve të njohur shqiptarë, Noli dhe Konica, shkollarë të Harvardit, ndër të tjera edhe për shkak  të përkthimeve të tyre të shkëlqyera letrare.

“Që të dy ishin edhe vetë krijues, poetë e publicistë të frymës europiane. Fan Noli i solli kulturës shqiptare disa nga kryeveprat botërore, ndër të tjera tragjeditë e shqipëruara të Shekspirit, kryeveprat e Servantesit, Bodlerin, Edgar Alan Poe-në, Khajamin, Ibsenin e të tjerë. Ai i bëri ata t’i flisnin lexuesit shqiptar në shqip. Konica ishte i një lloji tjetër intelektuali, më cinik, më skeptik dhe më i pakënaqur me gjendjen e emancipimit të shqiptarëve. Andaj, ai me më shumë përtesë përktheu disa nga veprat e shquara të autorëve botërorë, për shkak të skepticizmit të tij lidhur me aftësinë e shqiptarëve për të konsumuar e absorbuar veprat e mëdha botërore”, tha tutje Berisha teksa theksoi se interesimi i Avni Spahiut për përkthimin letrar erdhi spontanisht nga dëshira për t’ua sjellë edhe të tjerëve nga publiku shqiptar kënaqësinë që ka ndjerë vetë nga shijimi i veprave letrare nga kultura të  huaja, por edhe për prezantimin e pjesëve të krijimtarisë sonë kombëtare tek publiku i huaj.

Në vazhdim, u zhvillua tema e dytë, “Si shkruhet poezia”, e drejtuar nga profesori universitar Sali Bashota. Fjala e tij u bë një udhërrëfyes për shkrimtarët e rinj, duke shpalosur teknikat dhe emocionet që përcjellin krijimin e një poezie të shkëlqyeshme.

“Poezinë time e frymëzojnë pajtueshmëria dhe papajtueshmëria e jetës me të gjithë përbërësit e saj. Poezia është pasioni dhe vetëdija krijuese më elitiste e letërsisë”, tha Bashota teksa shpalosi tutje se frymëzimi i tij buron nga shpirti e rikthehet në shkrim.

“Çdo poet synon ta ketë formulën e vet të ngjizjes dhe të harmonizimit të frymëzimeve, pra ta krijojë sistemin e vet të mendimit, i cili do ta karakterizonte individualitetin e tij krijues. Dua të them se poezia është ekzistenca e një bukurie të pashpjegueshme deri në fund, e cila synon ta përmbysë kohën e ankthit dhe të vuajtjes dhe ta fuqizojë kuptimin e saj të figurshëm dhe stilistik. Gjërat e kësaj bote mund të perceptohen përbrenda peizazhit të vet dhe përfytyrimi nga koha e tashme synon të mbizotërojë edhe në kohën e ardhme”, u shpreh Bashota.

Tutje profesori foli edhe për procesin e krijimit të një poezie të cilin e quajti një akt solemn.

Ndërtimi i ideve dhe konceptimi i imazheve, pra sistemimi i tyre në laboratorin e krijuesit është gjëja më misterioze. Çdo poezi ka filozofinë e vet të krijimit. Në mendjen time me ditë të tëra i rrotulloj idetë, për t’i sistemuar konceptet dhe imazhet në ballafaqim me procesin e frymëzimit. Për më tepër, procesi i krijimit të një poezie mbase zgjat me javë të tëra apo edhe me muaj. Është një sprovë e dilemave dhe e anktheve, e shtresuar përbrenda motivimeve të autorit: si do të funksionalizohet gjuha, ligjërimi, figura, stili apo komunikimi e përjetimi gjatë dhe pas procesit të krijimit të poezisë”, tha autori.

Një fenomen tjetër të cilin e potencoi profesori ishte dhe koha kur shkruan dhe stina që pëlqen. Sipas tij, koha e autorit është fenomeni më i veçantë në krijimtarinë e tij.

“Unë zgjohem në orët e hershme të mëngjesit. Çdo ditë lexoj, por nuk shkruaj çdo ditë. Pothuajse, gjithnjë shkruaj në mëngjes. Shumicën e poezive i kam shkruar në stinën e vjeshtës. Shiu dhe vjeshta janë shumë të pranishme në poezinë time. Gjithsesi, janë imazhe metaforike, të cilat e artikulojnë vizionin tim në poezi.”

Krejt në fund, profesori shpalosi edhe mësimet e tij nga veprat që i ka lexuar, në këtë formë duke nxitur dëshirën për lexim tek studentët e pranishëm.

“Në secilën vepër që e kam lexuar kam mësuar për dimensionin e jetës, të dashurisë, të vdekjes, të përjetësisë, por edhe të gëzimit, dhimbjes, lumturisë, fatit, etj. Secila vepër e ka vlerën e vet për lexuesin”, tha Bashota teksa krejt përfund përmendi edhe ndjesinë e vecantë që ka marr nga leximi i veprave të autorëve si: Homeri, Shekspiri, Dante, Prusti, Gëte, Kafka, Kaneti, Markezi, Eco, Borhesi, etj., pastaj veprat e Aristotelit, Platonit, Hegelit, Volterit, D’Akuinit, etj., si dhe veprat e shkrimtarëve shqiptarë: Naimi, De Rada, Fishta, Konica, Lasgushi, Kuteli, Mit’hat Frashëri, etj., si dhe të autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Sipas profesorit, leximi i veprave të mira, është gjëja më fatlume për një lexues. Madje, tha se veprat e tilla ia ndryshojnë jetën e njeriut.

Pas fjalës së profesorit Sali Bashota u hap një diskutim i lirë në mes të pranishmëve dhe panelit duke lënë kështu një shije të begatë për ata që e përjetuan.

PEN Qendra e Kosovës përmes këtij projekti bëri një hap të rëndësishëm drejt qëllimit të saj për të kultivuar dhe promovuar talentet letrarë në vendin tonë.

Ky projekt u mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Dokumentari për Marubin, në faqet e shtypit italian

Libertà, gazeta kryesore e Piacenza-s, i ka kushtuar seksionin e saj “Cultura e Spettacoli”, dokumentarit mbi jetën e Pietro Marubbi-t, i cili do të shfaqet në edicionin XXIII të Concorto Film Festival në Pontenure gjatë muajit gusht.

Nën titullin “Pietro Marubbi, in un documentario la vita del patriota, pittore e fotografo” (Pietro Marubbi, një dokumentar mbi jetën e patriotit, piktorit e fotografit), artikujt e ndryshëm njohin lexuesin me figurën e tij dhe dokumentarin e realizuar nga Associazione Concorto, shoqëruar me imazhe nga arkivi i Muzeut “Marubi”.

Pjesë e programit të aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë ditëve të festivalit janë edhe laboratoret fotografike me studentë të frymëzuar nga krijimtaria e Pietro Marubbi-t.

Concorto Film Festival lindi më 2002, pranë Piacenza-s. Shpejt u shndërrua në një festival të rëndësishëm, ku grupit origjinal të organizatorëve iu bashkuan bashkëpunëtorë të rinj dhe stafi i dha vetes një organizim më të strukturuar, duke themeluar Associazione Concorto, e cila që nga ai moment do të kujdeset për menaxhimin dhe promovimin e festivalit, si dhe iniciativa të tjera, përfshirë edhe në fushën e edukimit.

Thirrja për pjesëmarrje në festival është e hapur për produksione nga e gjithë bota dhe filmat e regjistruar shkojnë nga 72 në edicionin e parë, në mbi 3500 në të fundit./ atsh / KultPlus.com

Imanuel Kant: Askush nuk ka të drejtë të më mësojë, si do të jem i lumtur

Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”.

Mbi jetën e Immnauel Kant

Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar. Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne. Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë. Ai e kaloi gjithë jetën e tij në qytetin e tij të lindjes, aso kohe kryeqytet i Prusisë Lindore. Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer. Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës. Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës. Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore. Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.

Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor. Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790. Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse. Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant. Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël. Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.

Disa nga thëniet më të njohura të Imanuel Kantit që përbejnë veprimtarinë e tij:

1. Me ligj, njeriu është fajtor nëse shkel të drejtat e të tjerëve. Me etikë, ai është fajtor qoftë edhe vetëm kur e mendon këtë.

2. Shkenca është dije e organizuar. Urtësia është jetë e organizuar.

 3. Mendimet pa përmbajtje janë boshe, intuita pa koncept është e verbër.

 4. M’u desh të eleminoja dijen, me qëllim që t’i bëja vend besimit.

 5. Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por i imagjinatës.

 6. Moraliteti nuk është doktrina se si ne e bëjmë veten të lumtur, por se si mund ta bëjmë veten që ta meritojë lumturinë.

 7. Prano gjithmonë se individët njerëzorë janë qëllime, dhe mos i përdor si mjete për qëllimin tend.

 8. Jetoje jetën sikur çdo akt i yti, do të shndërrohej në një ligj universal.

 9. Nuk është e domosdoshme që ndërkohë që jetoj, të jetoj i lumtur; por është e domosdoshme që sa kohë që jetoj, ta bëj me nder.

 10. E gjithë dija jonë nis me shqisat, vazhdon me kuptimin dhe përfundon me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se sa arsyeja.

 11. Me një gënjeshtër, njeriu e asgjëson dinjitetin e tij si njeri.

 12. Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë.

 13. Vetëm i ndriçuari nuk ka frikë nga hijet!

14. Shiko nga afër. E bukura mund të jetë e vogël.

 15. Vdekja e dogmës është lindja e moralitetit.

 16. Nuk ka njeri me virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit.

 17. E madhja dhe e vetmja dobi e shembujve është se ata rafinojnë gjykimin.

 18. Kush është mizor ndaj kafshëve ,është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve.

 19. Arsyetimi i kthjellët është në vetvete praktik dhe i jep njeriut një ligj universal, që ne e quajmë ligji moral.

 20. Askush nuk ka të drejtë të më mësojë, si do të jem i lumtur./KultPlus.com

Revista franceze “Voyages et Tourisme”: Shqipëria ndër destinacionet më të mira në Evropë

Që nga rifillimi i udhëtimeve pas një periudhe mbylljeje për shkak të Covid-19, destinacionet kryesore evropiane janë pushtuar nga turistët, sipas revistës franceze të udhëtimeve “Voyages et Tourisme”.

Spanja, Italia, Franca dhe Greqia janë të mbipopulluara gjatë sezonit turistik. Disa vende kanë vendosur masa, kufizime për qiratë e turistëve dhe taksat për të kufizuar numrin e turistëve.

Nga ana e tyre, turistët kërkojnë vende më të qeta për t’i shpëtuar turmave të mëdha.

Por, disa destinacione të reja po shfaqen më pak të shtrenjta, të cilat ofrojnë peizazhe mahnitëse dhe nuk janë ende “viktima” të mbipopullimit të turizmit.

Ndër këto destinacione është edhe Shqipëria.

Toka e ballkoneve është padyshim destinacioni që duhet zbuluar.

Për vitin 2024, ky vend në trend është plot me qytete dhe vende të mrekullueshme për t’u eksploruar

Një avantazh tjetër i vendit, është se ai mbetet ende shumë i përballueshëm – por për sa kohë?

Shqipëria është renditur mes katër vendeve evropiane më të lira për turistët.

Ndër qytetet në trend për t’u zbuluar në vitin 2024 në Shqipëri, sipas “Yardbarker” është Saranda.

E vendosur në zemër të bregdetit të bukur shqiptar, Saranda është quajtur kryeqyteti jozyrtar i “Rivierës Shqiptare”.

Ky qytet piktoresk është pesë orë larg me makinë nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë.

Duket se i përket një bote tjetër, një bote ku koha ngadalësohet dhe bukuria natyrore merr shkëlqimin e saj të plotë.

Një nga arsyet e shumta pse Saranda është bërë një destinacion kryesor është përballueshmëria e saj.

Ndryshe nga destinacionet e tjera të njohura evropiane, Saranda ofron akomodim të përballueshëm dhe shërbime cilësore.

Nëse jeni duke kërkuar për një hotel buzë detit apo një apartament komod në qytet, Saranda i plotëson të gjitha nevojat.

Nëse jeni adhurues i ushqimeve të detit, Saranda është vendi ideal.

Qyteti është i famshëm për kuzhinën e tij të klasit botëror, ku ushqimet e detit të freskëta janë gjithmonë në menu.

Restorantet lokale, shpesh të vendosura buzë detit, ofrojnë jo vetëm gatime të shijshme, por edhe pamje mahnitëse të detit Jon, duke e bërë çdo vakt të paharrueshëm.

Së fundmi, pritja e ngrohtë e banorëve të Sarandës është legjendare. Ata janë të njohur si njerëzit më miqësorë në Ballkan. /atsh / KultPlus.com

Ah, çfarë burri ishte ai fëmijë! (Histori e vërtetë)

Ermal Mulosmani

Ishim në zemër të Pranverës, ndoshta Prill apo fillim Maji, por moti ishte i ftohtë si në Janar. Dielli i mëngjesit në një qiell të pastër ta ngrohte shpirtin por jo edhe trupin. Unë jetoja në një barakë të gjeologjisë, një hapësirë ndoshta 60 metër katror, ku ishin krijuar tri dhomëza e një banjo. Dhoma e ndenjes, në të djathtë të hyrjes, ishte streha ime e kujtimeve, atje zhvillohet çdo ngjarje që kujtesa ime ka regjistruar. Ajo dhomëz ishte ndoshta 12 metër katror, muret e saj me struktura kallamash ishin të lyera me shije për të luftuar sadopak zymtësinë dhe mizerjen e ftohtë të ambientit.

Në cepin e hyrjes mbaj mend ishte soba e ngrohjes ku gjithmonë kishte diçka që zihej, groshë, makarona apo një çajnik. Anash saj gjithmonë kishte ca dru të çara e të thara që prisnin radhën të ushqenin sobën. Në mes të dhomës ishte mangall i madh i mbushur me hi e prush të ndezur, burim i pafund aksidentesh. Dyshemeja e asaj dhome ishte e shtruar me dërrasa të papërpunuara, të mbërthyera keq në çimenton përfund tyre e me hapësira jo të vogla ndërmjet. Shpesh prushi që rrëzohej nga mangalli aksidentalisht shpërndahej nëpër dërrasa duke krijuar panikun e një zjarri të mundshëm.

Unë isha strumbullari i pengesës në atë mangall të pasuara nga shkulmet bubulluese të sharjeve të babit që më bënin të mallkoja veten për atë pakujdesi të pafajshme fëmijënore. Pranë dritares ishin dy krevate dhe një tavolinë e vogël si komedinë ku babai vendoste radion “Mimoza” të stacionuar te Italia. Zëri i radios ishte i fiksuar ulët e kjo gjë më pëlqente pa masë. Ishte si një sekret që ndodhte brenda atyre mureve të ftohta dhe që i jepte njëfarë konspiracioni shtëpisë sonë. Ndikonte për të rritur atë dozë edhe paranoja klasike e babait. Ai kishte fantazi me spiunë rrotull barakës që dërgoheshin nga qendra e që do sillnin pashmangshmërisht riburgosjen e tij të shpejtë. Isha zemërpulë nga gjithë ajo frikë e induktuar por njëkohësisht kjo gjendje edhe më pëlqente. “Fundja babain do arrestojnë, jo mua”- i thashë një ditë vetes dhe duket e gjeta arsyen për tu qetësuar. Madje fillova edhe ta mendoja jetën me baba në burg. Raportet tona ishin të vështira qysh në fillesë dhe për këtë unë e gjeja fajin gjithmonë te ai. Ai, kam përshtypjen, as e vriste mendjen për këtë gjë.

Në njërin krevat flija unë me gjyshen, nënën e babait. Në tjetrin nuk e mbaj mend mirë se kush flinte, mbaj mend se shumicën e kohës pasditeve dhe në mbrëmje shtrihej babai që dëgjonte radio, lexonte libër apo shkruante. Shkrimet e tij zakonisht ishin ose ditar ose përkthime nga italishtja.

Akoma nuk kisha filluar klasën e parë, isha pak më shumë se 6 vjeç. Ishte pranvere e 1976-ës. Baraka jonë rrethohej me një pyll gështenjash në njërin krah dhe një shtëpi private në tjetrin. Para saj ndodhej një çesme uji që u shërbente 3 barakave. Gjithmonë mbaj mend njerëz në radhë aty. Më sipër çesmes ishte një fushë futbolli e improvizuar mbi dyshemenë e një barake të djegur pak kohë më parë.

Lëndina të gjelbëruara, lule, ferra e lisa të vegjël rrethonin gjithë ambientin në distancë. Mund të gjeje atyre rrethinave lule nga më të bukurat, fole natyrore zogjsh, skuta të fshehura që të molepsnin imagjinatën me fantazi konspirative.

*****

Atë natë e mbaj mend mjegull. Duhej të ishte orë e vonë e darkës kur dëgjoj babain duke folur me nënën e tij, gjyshen time, Fatimen. Ishte një e folur e kujdesshme, serioze, gati ogurzezë. Gjyshja e dëgjonte e zymtë por me vëmendje. Zërat e tyre përziheshin me spikerat e Italisë dhe muzikën që luhej në radio. Ishte një bisedë atipike. U bëra i tëri vesh. Bëra sikur më ka zënë gjumi. Babi sikur e lëshoi pak gojën :

“Duhet patjetër të shkojë dikush, nesër është vendimi. Shko ti, nuk të njeh njeri. Unë jam në përgjim. Rri një natë, dy maksimumi dhe kthehu. Merr edhe Ermalin që mos të jesh vetëm.

Maskarai! Kishte vendosur të lante gojën me të motrën. Nuk do shkonte vetë, dhe, nga mënyra sesi fliste, me zë të ulët e tonalitet të butë, me doza mirënjohëse brenda, i kërkonte së ëmës, aso kohe 60 vjeçare, ta përfaqësonte.

E njihja mirë tim atë. Kur zbutej e fliste ashtu, i përkorë, ndjehej në faj. Edhe e ëma e dinte po aq sa unë. E shkreta, ishte gat të nisej për hënë boll që t’i bënte qejfin të birit egoist. Ai ishte drita e syve të saj, ajo u prek fort nga ai zë fajtori i të birit dhe, e lumtur se do të bënte diçka që i shërbente atij, iu drejtua:

“Hiç mos u bëj merak, e kam si vajzë timen dhe do ia shpjegoj mirë pse nuk kishe mundësi me ardhë…”

Babai mu duk i kënaqur nga përgjigja. Sa herë ai dukej i kënaqur nuk fliste. Zakonisht bërtiste.

Diçka po filloja të kuptoja. Ishte fjala për gjyqin e Xh, burrit të hallës sime, H-së. Ishte arrestuar në Fushë Arës para disa muajsh si pjesë e një “rrjeti sabotues në tregti”. Flitej për një “grup armiqësor”, se do dënohej rëndë. Në shtëpinë tonë flitej nën zë për arrestimin, për dënimin e mundshëm, për hallën, për 4 fëmijët e saj. Babai e kishte motër nga babai, nëna e tij nuk e kishte pothuaj asgjë. Por unë e shihja shpesh gjyshen të qante për të. Ishte e habitshme sesa fort e vlerësonte, çfarë fjalësh të mira më fliste për hallën. “I la fëmijët jetima e me njollë tërë jetën” – ishte fjala që më goditi më shumë. “Vdekja do të ishte më e mirë” -më tha një ditë tjetër. Në imagjinatën time ishte bërë një mishmash tmerri me burg, vuajtje, halle, përndjekje, përbuzje e konspiracion që, me thënë të drejtën më frikësonte por edhe më tërhiqte njëkohësisht. Familja e hallës me burrin në burg kishte një lloj magjepsje që ma zgjonte dëshirën për të qenë atje.

Të nesërmen në orën 05.30 gjyshja më zgjon nga gjumi. Kishte ndezur radion te Tirana, programi i mëngjesit. Sa herë e dëgjoja radion të fliste shqip, e dija që im atë kishte dalë nga shtëpia. Edhe ajri i shtëpisë ishte tjetër, më i qetë. Radio po luante këngë popullore që i kisha veçanërisht qejf. Ishte Fitnete Rexha me një këngë për një thëllëzë që përpëlitej. Oh, sa e pëlqeja atë këngë! Pas pak filloi gjimnastika e mëngjesit me ritmin e përditshëm dhe zërin e njohur: “E majtë, lart, e djathtë, poshtë”. Mundohesha ta imagjinoja ushtrimin me kokën e zhytur poshtë jorganit. Pak më vonë më thirri gjyshja:

“Ermal, vishu nan, t’i kam bo gati rrobat. Do nisemi për në Fushë Arrëz.”

U ngrita pa përtesë. Ishte ftohtë, zjarri nuk ndezej kurrë në mëngjes ndërsa një furnelë e vogël nuk kishte fuqi fare. Pas nja 30 minutash dolëm në rrugën që të çonte te agjensia e udhëtarëve…

Nuk e mbaj mend sa zgjati pritja por di që hipëm në një skodë, në karroceri. Shoferi dashamirës që na mori, nuk donte kurrsesi, sepse nuk kishte vend në kabinë dhe në karroceri ishte ftohtë. Por gjyshja, e lumtur që gjeti një mënyrë për tu nisur, ishte aq mirënjohëse dhe aq e gatshme sa ia hoqi çdo dilemë.

Kur skoda u nis mu duk sikur pashë tim atë në kafenenë e agjensisë, me shpinë kthyer nga rruga. Po bisedonte me dy silueta që nuk i shquaja mirë. Por nga mënyra e qëndrimit kuptova se ishte ai.

Rruga ishte e tmerrshme. E gjatë, e keqe, me kthesa mes malesh të humbura e të pabanuara. Unë u lodha shumë, gjyshja nuk e jepte veten. “Për gjysmë ore mbërrijmë” më tha kur isha bërë telef dhe mezi po rrija në këmbë. Nga ai moment e deri sa mbërritëm kaluan dy orë të mira.

Fushë Arrëzi ishte një qytezë sharrëtarësh e minatorësh. Një vend pushimi për udhëtarët më shumë sesa një qytet. Pak pallate, një si biçim turizmi të mbushur plot, me udhëtarë më shumë sesa vendas, dy tre dyqane dhe skoda që venë e vijnë.

Gjyshja e dinte shtëpinë e hallës, mbërritëm shpejt. Ishte afërsisht kohë dreke.

Derën na e hapi halla vetë. Sa e pa gjyshen u lëshua në një përqafim të përmallshëm të shoqëruar me një vaj të pazëshëm. Mua më pëlqenin dramat, doja të isha subjekt i tyre. Sa më pëlqeu kur të njëjtin përqafim ma dha edhe mua! Për më tepër kur u lëshua me ngashërima mirënjohëse :

“Zemra hallës që ke ardhur për hallen ti”

Ajo ishte njeri i shkëlqyer. Kishte një zë të trashë nga cigarja por sytë dhe fytyra e saj kishin dritë e dashuri edhe në atë mizerje situatë. U futëm brenda. Katër fëmijët mes 8 dhe 15 vjeç të hallës ishin të heshtur, seriozë, të zymtë. Mu dukën shumë më të rritur seç ishin në fakt. Ardhja jonë e lëvizi pak ajrin e rëndë të monotonisë së përzishme.

Unë u ndjeva i rëndësishëm për momentin. Drama ishte e tjetërkujt por edhe unë kisha rëndësinë time. Fëmijët e hallës më shihnin me një supermaci prej të rrituri. Përveç Dianës. Ajo ishte më e vogla prej fëmijëve, vetëm 8 vjeç. E bukur, me flokë bionde, sy blu dhe dritë në shpirt. Ajo erdhi e më përqafoi si motër e madhe. I kërkoi leje hallës që të dilte me mua në oborr të pallatit. Halla nuk pranoi, ua kishte ndaluar fëmijëve daljen.

Besniku, djali i madh, foli si të ishte nja dyzet vjeç:

“Tani duhet të jepet vendimi”.

Ishin fjalë acar që kthyen edhe një herë heshtjen. Edhe Diana u bë e pagojë. Unë kërkova të dal pak jashtë:

“Hallë, a mund të dal deri në oborr”?

Më dukej se prania ime pengonte një bisedë që ishte në majë të gjuhës. Unë doja të shpëtoja nga ajo zezonë e ata prej meje. Duket se mezi e pritën.

“Të keqen halla, zemra hallës ti. Veç mos u largo shumë”…

Dola jashtë. Oh, sa i mirë mu duk ajri.

Në oborr nuk kishte kalamaj. U afrova pak drejt një turme të mbledhur pak më tej. Një altoparlant lexonte me tonalitet të lartë fjalë të tmerrshme me “të pandehur”, “armiku i popullit”, “kriminelë”. Shpesh fjalimi ngjethës ndërpritej nga duartrokitje miratuse dhe thirrje ndëshkuese për kriminelët. Më kapi frika. Pashë rreth e rrotull. Askush nuk më njihte, të gjithë ishin rehatuar nëpër bordurat e dyqaneve dhe dëgjonin gjithë kënaqësi. Ishte një kënaqësi mizore, dashakeqe. Në atë qytet nuk ndodhnin ngjarje, kjo që po ndodhte duhej të shfrytëzohej.

Unë fillova ta pëlqej situatën. Mund të përgjoja rehat, pa zgjuar dyshime. U miklova nga ky fakt.

Njëri po thoshte:

“Ky legeni do ketë vjedhë pafund se shiste pordhë shumë. Gjithë ditën me atë kurvën. Ha e pi në Turizëm, leku letër. Do ju vinte fundi. Qelbësirat”

Tjetri ia priste:

“Ore këtë e morën në qafë Gj. dhe M. Ata e futën në rreth dhe e shfrytëzuan. Do i pushkatojnë me siguri, e kanë hak”…

Fjala “pushkatojnë” më tmerroi! U drithërova. Pështyma mu tha në gojë, zemra po më rrihte fort. Fakti që unë isha një i afërm i një të pushkatuari ma miklonte sedrën. Sa më e bujshme ngjarja aq më interesante më dukej.

Pashë që edhe publiku ishte pregatitur për pushkatim. Ishin të tërë që po prisnin vendimin. Mezi e prisnin atë të bekuar fjalë “vendosi të dënojë të pandehurin x me pushkatim”! Lexohej në biseda një drojë se mos i falin, se mos i dënojnë me 25 vjet burg. Edhe unë u bëra si ata, doja ta pushkatonin Xh. Mendoja sesi do shkoja te halla, sesi do thoja lajmin e zi, si do shpërthenin të qarat. Kjo ishte një ngjarje e bujshme, me vdekje, tragjedi, makthe, vuajtje. Më pëlqente.

Tensioni po rritej. Njerëzia harroi të fliste. Me dhjetëra njerëz të mbledhur dëgjonin fjalët e fundit të gjyqtarit në pritje të vendimit. U deshën nja 5 minuta të tmerrshme deri sa Kryegjyqtari tha fjalën e mezipritur: ”vendosi”

““Në litar”- thirri dikush nga turma duke zgjuar duartrokitje miratuese dhe britma solidarizuese. Edhe unë duartrokita.

Gjykatësi vazhdoi leximin derisa i erdhi radha Xh:

“I pandehuri Xh dënohet me 25 vjet burg”….

Një bubullimë dëshpërimi u ndje ndër spektatorët e pafund që mbushnin sheshin përpara Pallatit të Kulturës ku bëhej gjyqi!

“Ç’ishte kjo mëshirë ogurzezë ndaj një armiku të popullit”? – dukej sikur thonin ata, punëtorë e sharrëtarë, që prisnin të flinin një natë të qetë pas një dënimi të merituar ndaj armikut. Shumë prej tyre kishin kaluar kohë të bukura me Xh ndaj sot duhej të tregoheshin veçanërisht agresivë për të demonstruar botërisht distancën nga armiku.

Unë u turbullova. Kishin kaluar 2 orë nga momenti kur kisha dalë nga shtëpia. Doja të dija se çfarë po ndodhte atje.

Shkova me vrap, i rashë derës. Ma hapi Diana. U futa brenda dhe pashë të njëjtën gjendje. Ata e kishin dëgjuar vendimin nga altoparlanti dhe ishin dëshpëruar. 25 vjet për ta do të thoshin një jetë. Me siguri prisnin një vendim mes pafajësisë dhe 5 vjetëshit. Halla ishte bërë meit në fytyrë, gjyshja ime i kishte hedhur dorën në qafë, dhe i kishte afruar kokën në gjoksin e saj. Fëmijët ishin seriozë e të përzishëm.

Besniku veçanërisht ishte serioz. Ishte nxënës në shkollën Skënderbej dhe kuptohet që ajo shkollë mori fund atë ditë. Si edhe puna e hallës si mësuese. Gëzimi, djali tjetër ishte pak më i përmbajtur në mërzi, Diana nuk e kishte humbur mirësinë e portretit. Heshtja mbretëronte. Derisa halla shpërtheu:

“Mjera unë për ju”!

Më kapi një ngulç, mjekra mu drodh dhe lotiët më shpërthyen. E doja hallën, i doja edhe fëmijët shumë. Veçanërisht Dianën e mirë. Xh., i sapodënuar mu duk si një vrasës i të ardhmes së tyre.

Ndoshta kështu e mendonin edhe të tjerët. Në këto mendime isha kur halla lëshoi thagmën tjetër:

“Mjera unë për ty o Xh”

**********

Pak kohë pas kësaj historie dërrmuese, halla me 4 fëmijët internohet në një shpatmali të thepisur, 6 orë larg nga fshati më i afërt i Pukës, shumë afër digës së sotme të Komanit. I strehojnë në një ish stallë bagëtish që shirat dhe i ftohti e depërtonin deri në palcë. Duhej të luftonin me urinë, vetminë, braktisjen totale. Fjala “Humbëtirë” do të duket luksoze po të krahasohej me atë skëterrë të vdekjes ku jetuan ata të gjorë.

Një vit pas kësaj degdisjeje në këtë rreth të dhjetë të ferrit, Gëzimi, djali i vogël i hallës, një fëmijë i bukur e me sjellje ëngjëllore, i munduar nga uria, vendos të hajë grurë që e kishte vjedhur në një fshat shumë larg internimit.

Gruri me pesticide e vret për pak orë. Varroset në atë tmerr. Ishte vetëm 16 vjeç!

Halla i mbijeton edhe këtij tmerri. Vërtetë dilte çdo ditë e këndonte si e çmendur majë një peme por shpëtoi gjallë. Atij makth i mbijetuan edhe Merita, edhe Diana, edhe Besniku. Nuk e di sesi. Ata janë njerëzit më të fortë që kam njohur në jetë. Janë heronjtë e mi.

******

Për ta mbyllur këtë rrrëfi të gjatë e tragjik do të rrëfej rastin e takimit tim me Gëzimin pak para se të vdiste. Kishte ardhur në Bajram Curri nuk e di se për çfarë. Ishte mëngjes i ftohtë. Unë u futa në mëngjesore të blija një byrek a gurabie. Befas, u përballa me të.

Kishte marrë një byrek dhe ishte fshehur në një cep të burektores dhe po hante.

U drodha!

E dija se herëpashere nga skëterra vinin me këmbë ata mbinjerëz por nuk i kisha takuar kurrë. Te shtëpia jonë nuk vinin që të ruanin biografinë e babit (!). Ky u ishte mirënjohës për këtë por kishte gjithë antipatinë time për këtë sjellje të tmerrshme.

Gëzimi i mirë ishte gati të mos më fliste! Kështu ishte mësuar: “Mos u fol edhe të afërmëve, ndoshta vihen në siklet”!

Por unë isha i vogël dhe nuk çaja kokën. I shkova afër e përqafova, e pyeta për jetën për hallën. Nuk më besohej dot, doja ta përqafoja sërish e sërish! Ai ishte kaq i mirë, kaq migjenian e kaq i fortë njëkohësisht! Ndenja nja 10 minuta. Më trajtonte si fëmijë, me distancë të rrituri. Ishte misterioz, nuk më foli gjatë. U ndamë për të mos u takuar më kurrë.

Nuk e di si vinte nga skëterra, me këmbë a me makinë. Di që prehjen e gjente te gjyshja e vet në Bujan, nana e mirë Bute! Atje merrte pak furnizime sa për të mbajtë shpirtin gjallë, flinte nja natë në shtrat njerëzor e i lejonte vetes të hante një byrek për mëngjes! Ndihesha fajtor për Gëzimin dhe pse isha vetëm 8 apo 9 vjeç. Më rëndonte fort dinjiteti i tij, mirësia, forca, dashuria, serioziteti.

Vdekja e tij më ka dërrmuar më shumë se asgjë fëmijërinë time.

Ah, çfarë burri ishte ai fëmijë! / KultPlus.com

Përkujtohet martiri i Kishës Katolike, Dom Jak Bushati, pushkatuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot klerikun e masakruar nga regjimi komunist, Dom Jak Bushatin.

Françeskani Bushati lindi më 8 gusht 1890 në qytetin e Shkodrës. Mësimet e para i ndoqi në shkollën franceskane, më pas e vazhdoi të mesmen në Seminarin Papnor të Shkodrës. Jaku ishte famulltar i Ndërfanës, e më vonë i Gëziqit. Por edhe në këto vende nuk ishte statik dhe pas 26 viteve si meshtar në Abacinë e Mirditës u transferua në Kallmet si famulltar.

Regjimi komunist nuk e kurseu as priftin e devotshëm e mendjeprehtë pasi në 1949 u akuzua se ndihmonte diversantet dhe u arrestua për agjitacion dhe propagandë.

Janë këto akuza që do ta çonin drejt pushkatimit pa gjyq me 12 shkurt 1949. Fatkeqësisht masakra do të vazhdonte dhe më tej, pasi trupin e pajetë të tij e hodhën në një kënetë diku afër Lezhës. Më datën 5 nëntor 2016, Dom Jak Bushati u lumnua dhe u pranua shenjtor i kishës katolike, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. / atsh / KultPlus.com

215 vjetori i lindjes së Abraham Lincoln, presidentit që formoi Amerikën e sotme

Sot, shënohet 215 vjetori i lindjes së një nga figurat më të shquara në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Abraham Lincoln. Lincoln, i cili u lind më 12 shkurt 1809 në Hardin County, Kentucky, do të bëhej një nga presidentët më të respektuar dhe më të adhuruar në historinë e Amerikës.

Nëpërmjet shumë sakrificave dhe vendimeve të guximshme, Lincoln shënoi një epokë në historinë amerikane, duke drejtuar vendin përmes një prej periudhave më të turbullta dhe të ndryshueshme. Ai u zgjodh si president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1860, në një moment të trazuar për vendin, duke gjetur atë të ndarë midis qyteteve dhe idealeve kontradiktore të luftës civile.

Një nga momentet më të shquara të udhëheqjes së Lincolnit ishte shpallja e Emanicipacionit, në vitin 1863, e cila shpalli lirinë e robërisë për të gjithë skllevërit në territoret e rebelëve. Kjo shpallje, që e shënon një përparim të madh në luftën për të drejtat civile, theksoi vizionin dhe idealizmin e Lincolnit për një shoqëri ku të gjithë njerëzit kishin të drejtën për liri dhe barazi.

Megjithatë, sukseset dhe pengesat e Lincolnit nuk u kufizuan vetëm në sallën e Ovalit. Ai u përball me sfida të mëdha personale dhe politike, duke përdorur zgjuarsinë dhe aftësitë e tij diplomatike për të zgjidhur konfliktet dhe për të ndërtuar ura të reja për një të ardhme më të mirë për Amerikën.

Pas një karriere të shkëlqyer politike dhe përkushtimit ndaj unitetit kombëtar, fati e kishte të tijën në Teatrin Ford në vitin 1865, ku ai u vra nga një anarkist në moshën 56 vjeçare. Edhe pse ai nuk e pa kurrë Amerikën të rilindur dhe të bashkuar pas luftës civile, trashëgimia e tij mbetet e vlefshme edhe në ditët e sotme.

Abraham Lincoln vazhdon të jetë një shembull frymëzues i liderëve të gjeneratave të ardhshme për guximin, integritetin dhe përvojën e tij të thellë në të drejtën dhe të keqen. / KultPlus.com

Apokrifi i vonuar

Tringë Arifi

Tek veprat dhe shkrimet e njerëzve më të përshpirshtëm përjetimet personale apo të tjetrit si shumë herë tregojnë fëmijërinë e vetminë. Luftërat, vrasjet, përndjekjet, mosbindjet datojnë qysh nga antikitekti ku gjaku dhe kundërshtari janë problem madhor. Mbreti nuk e arreston mbretin tjetër, por njerëzit e zakonshëm jo rrallë herë bëhen që të ketë njerëz që arrestojnë dhe vrasin. E gjithë kjo e përndjek narracionin ideo-tematik të autorit José Saramago tek libri i tij Ungjilli sipas Jezu Krishtit.

Në mes të kaosit letërsia çdoherë na sfidon me të bukurën, me dashurinë. Kjo duhet edhe të jetë detyra e secilit shkrimtar të epokave ku çdoherë e më pak dashurohet, përftyrohet e bashkëndjehet. Por në një histori dy mijëvjeçare kundrejt së bukurës projektoheshin fëlliqësi, gjuhë që është shpikur nga njerëzit që nuk njohin gjuhën e dashurisë, dhembshurisë dhe nuk kanë asnjë trohë feminiteti. Tek më të përshpirtshmit kur realiteti bëhet aq i rëndë saqë as përpjekja e tyre nuk i ndalon përndjekjet dhe vrasjet, aty shfaqen ëndrrat ku trupi nga parandjenjat e forta tkurret e përdridhet nga tmerri. Këto ëndrra e kishin përndjekur edhe Jozefin në veprën e Saramagos, tek thotë se po shkoj të vras tim bir në Betlehem. Ai kishte shtatë djem ndër ta dhe Jezusin dhe nga të cilët ndihmohej dhe ishin shembull i ekonomisë shtëpiake. Ëndrrat e kishin përndjekur edhe Jezusin për vdekjen e babait të tij, i cili i vetëm me vëllezërit në kasollen e tyre kishte mbathur sandalet e të atit, por kjo e kishte ngatërruar nënën dhe shikimin e të birit i cili jo rrallë herë tentonte të shfajësohej me urinë. Ajo tenton të gjej përgjigjje nga i biri se mos është sëmurë dhe ai i thotë se “është njëlloj sikur t’i kem këmbët dhe duart e lidhura, të thërras ty, por ti je larguar, thërras babanë, por ai vjen të më vrasë dhe në këtë çast zgjohem, si këtë natë, ashtu dhe natën e shkuar.”

Me ndihmën e skllaves Zelomi ai shoqërohet në shpellë kur mes mureve të errëta kërkon ta dëgjoj heshtjen dhe britmën e tij të parë të lindjes. Gjatë udhëtimit të tij në Jerusalem, takimit me bariun, gjetjes se qengjit vie një moment kur atë e futë në torbë dhe vrapon se kujton që Perëndia ka thënë “në qoftë se njeriu bashkohet me kafshën do të ndëshkohet me vdekje dhe ju do vrisni kafshën, gjithashtu mallkuar qoftë ai që mëkaton me çdo lloj kafshe” Gjithë përndjekjen e tij, këmbët e kulluara me gjak i kishte mjekuar një grua me të cilën fle dhe duket se aty merr fajin fillestar. Aty dhe sheh ëndrrën e dytë sikur babai vjen ta vrasë dhe gruaja i thotë se babai yt ka vdekur dhe se ti nuk di asgjë. Ai i thotë se në Betlehem kanë vdekur fëmijë për shkak të babait tim dhe në ëndrrat e tij ai vdes nga mijëra vdekje. Sërish kthehet në Nazaret ku në familje përçohet ngazëllimi kur kthehet fëmija i madh dashuri-dhembshuria. Ju sjelle edhe monedha e vetëm Lisia i mban sytë poshtë dhe është më e turbulluara që askush nuk do ta njohë përkatësinë e tyre. Sërish largohet. Sërish e kërkojnë.

 Tek është duke arsyetuar gruan kurorëshkelëse, gati për t’u vrarë me gurë sipas ligjeve të Moisiut “ndaloni aty, le ta hedhë gurin e parë ai që prej jush është pa mëkate”. Një varg vrasjesh ia numron i ati nga Adalberti i Pragës, Anjeza e Romës, Apolini i Aleksandrisë, Aureja e Sirisë, Beatriçja e Romës etj. Koka të prera, vrasje me çekan, eshtër kau, turrë të druve, shigjeta, masakruar etj etj. Dhe kur i thotë Zoti nuk u mërzite nga 3 faqe vrasje që ja përmend Jezusi i thotë që këtë pyetje duhej të ja bëje vetës. Ende shpresonte se kjo është e gjitha gjersa merr lajmin se do këtë gjakosje e kasaphane, luftëra të reja, por ky nuk e kishte menduar se e priste Kryqi. Sa përmend inkuizicionin ai insiston të di për të, por ideja rreth tij ishte të vuante të tashmen nga pendimet që i përkasin së ardhmes nga Ai që nuk ka pendime dhe brerje ndërgjegjeje. Këtu mbase lind ajo se të gjithë duhet të jemi Ai, në mënyrë që mos të pendohemi e vihemi në faj. Inkuizicioni fundja është një polici, gjykatë që mund të arrestoj dhe dënoj, ku tymi i drurëve do ta errësoj qiellin nga rënkimet e agonisë. Kështu djalli nxjerrë përfitim nga vdekja, të tjerët japin lavdinë.

Pse autori është marrë aq shumë me religjionin është se sikur regjilioni, sikur jeta të ishin më ndryshe se ç’janë ndryshe do të ishte edhe gjendja, dhe gjërat, vdekjet nuk do të mbeteshin me buzëqeshjen enigmatike të të vrarëve që shoqërohen me befasinë e çastit, dashamirësinë përbuzëse dhe kurreshtjen e lodhur. Këtu edhe rrotullohen kuptimet e gjërave si faji e pafajësia, besimi e mosbesimi dhe rikuptimësohet historia mijëravjeçare e njerëzimit për vrasjet dhe arrestimet. Dhe pse-të janë fundi i kësaj tragjedie e cila po të ndjekte të ashtuquajturën vetmi nuk do të parashkruhej si fat.

Në mes të veprave të tij si Kaini, Udhëtimi i përkryer, Nata dhe ç’do të bëj me këtë libër?, Tjetri si unë, Verbëria, Le të ulërijmë dhe Ungjilli sipas Jezu Krishtit jo rastësisht jam ndalur të shkruaj për Ungjillin sipas Jezu Krishtit, për shkak të Tundimit të Fundit të Nikos Kazanxaqis dhe krahasimit të interpretimit të tyre, që në fund të fundit edhe Ungjilli edhe Tundimi i Fundit prekin sedrat e secilit që dëshiron të jetë edhe survejues edhe ndëshkues, por, të cilët as sot nuk e kanë kuptuar që nuk munden ta bëjnë njëkohësisht arbitrin dhe indiferentin, përballë një sistemi që më së paku rrëfen dashurinë dhe pasionin dhe më së shumti kultivon frikën e dëshpërimin. / KultPlus.com

Bota përkujton Ditën e Darwinit, babait të evolucionit

Një festë në të gjithë botën për babanë e një prej teorive më të rëndësishme shkencore në histori, atë të teorisë së evolucionit.

Charles Darwin u lind më 12 shkurt 1809 dhe me teorinë e tij revolucionarizoi imazhin që kemi për veten dhe për origjinën tonë.

“Evolucioni ka pasur një ndikim të madh sepse ka të bëjë me jetën e gjithsecilit, ai trajton pyetjen se çfarë jemi ne, qenia jonë njerëzore dhe nga vijmë”, komenton Chiara Fabi, drejtuese e Njësisë së Koordinimit Shkencor të Muzeut të Historisë Natyrore të Milanos.

Për të përkujtuar ndikimin e jashtëzakonshëm të teorisë së evolucionit, lindja e natyralistit britanik që formuloi teorinë e tij në moshën 50-vjeçare është festuar për 20 vjet në të gjithë botën, më shumë se 20 vjet pas kthimit nga udhëtimi i gjatë në bordin e anijes ”Beagle”.

“Kur balenat kishin këmbë” është titulli i një prej iniciativave të planifikuara në hapësirat e Muzeut të Detit të Lashtë dhe Biodiversitetit, në Salsomaggiore Terme (Parma), i projektuar për fëmijët për të shpjeguar se si, të nxitura nga mutacione gjenetike të rastësishme dhe presioni selektiv, të gjitha speciet e gjalla në planet kanë pësuar transformime të thella gjatë miliona viteve.

Kjo ishte pikërisht një nga intuitat e mëdha të Darvinit në bazën e teorisë së evolucionit, mekanizmat më të thellë të së cilës, veçanërisht mungesa e një specieje superiore, nuk janë ende të lehta për t’u pranuar sot.

Një teori që, kur u propozua nga Darvini dhe paralelisht edhe nga Alfred Russel Wallace,  ngjalli menjëherë polemika të hidhura.

Për këtë arsye, një nga objektivat e ditës ndërkombëtare është gjithashtu të frymëzojë njerëz nga e gjithë bota për të reflektuar dhe vepruar mbi parimet e guximit intelektual, kuriozitetit të përhershëm, të menduarit shkencor dhe urisë për të vërtetën, të mishëruara nga Charles Darwin./ KultPlus.com

Projekti i Muzeut “Marubi” për përcjelljen e trashëgimisë në breza

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në bashkëpunimin me Shkollën 9-vjecare ”Ndre Mjeda” realizoi edicionin e pestë të “Çfarë fsheh qyteti”, edicion i cili u përqëndrua në Lagjen Parrucë.

Punimet e grupeve të ndryshme, të prezantuara përmes fotografish, intervistash e maketesh, u përqëndruan tek trashëgimia e humbur. Kjo trashëgimi u soll përmes gjurmimit të ngjarjeve, personaliteteve, ndërtesave, traditave, artizanëve të lagjes ku nxënësit banojnë, e të përcjella përmes kujtimeve të prindërve, gjyshërve duke ndërtuar kështu një mozaik historish që lidhen me kujtesën urbane të një hapësire që ata e jetojnë në përditshmëri.

Programi “Çfarë fsheh qyteti” është një program i Muzeut “Marubi”, i hartuar nga Tea Çuni, përgjegjëse e sektorit të komunikimit dhe promovimit, me mbështetjen e Zyrës Vendore Arsimore Shkodër e përfshirjen e shkollave 9-vjeçare publike të qytetit.

Muzeu “Marubi” falenderoi pjesëmarrësit, stafin pedagogjik si dhe të intervistuarit për një mbasdite mbushur me histori të parrëfyera, të njërës prej lagjeve më të vjetra të qytetit./ atsh / KultPlus.com

Shkruhen grafite me motive të nxitjes së urrejtjes ndër etnike në Zubin Potok, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka njoftuar për shkrimin e disa grafiteve me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike, në disa lokacione në Zubin Potok. Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

Rasti është duke u hetuar nga policia.

“Zubin Potok  11.02.2024 – 11:36. Raportohet se persona të panjohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Mitrovicë Veri  11.02.2024 – 10:30. Raportohet se persona të panjohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar”, thuhet tutje në njoftim.

” Leposaviq  11.02.2024 – 11:30. Raportohet se persona të pa njohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar”, thuhet ndër të tjera aty. /Express/ KultPlus.com

12 vjet nga tragjedia e Restelicës, momenti prekës kur u nxor e gjallë Amsera Reka

Sot bëhen 12 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat ky në komunën e Dragashit ku si pasojë e rënies së ortekut të borës kanë humbur jetën 10 banorë të këtij fshati, të gjithë të një familje.

Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm në atë kohë 7-vjeçarja, Amsera Reka, e cila tashmë jeton te të afërmit e saj. Asaj i vdiqën babai, nëna, vëllai dhe gjyshërit.

Aksioni i shpëtimit ishte organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, por arritja deri te vendi i tragjedisë ishte i vështirë, për shkak kushteve atmosferike dhe borës së madhe./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot me aktivitet kulturor në KultPlus Caffe Gallery

Sot, e hënë, 12 shkurt, në orën 12:00, në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës, trajton dy tema letrare.

Për temën e parë, “Veçoritë e përkthimit letrar” do të flasë pubicisti, përkthyesi e diplomati Avni Spahiu, ndërsa për temën e dytë “Si shkruhet poezia”, do të flasë profesori universitar dhe poeti Sali Bashota. Takimin e moderon Milazim Krasniqi.

Ky është aktiviteti i gjashtë i PEN Qendrës së Kosovë në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.

Projektin e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Musk zhvendos selinë e Neuralink nga Delaware në Nevada

Kompania amerikane e neuroteknologjisë së miliarderit Elon Musk, Neuralink, e zhvendosi selinë e saj të korporatës nga Delaware në Nevada pasi një gjykatës i Delaware hodhi poshtë një marrëveshje për të paguar Musk 55.8 miliardë dollarë nga marrëveshja e tij me Tesla-n e vitit 2018.

“Asnjëherë mos e keni selinë e korporatës tuaj në shtetin e Delaware. Unë rekomandoj Nevadën ose Teksasin, nëse doni që aksionarët të vendosin”, shkroi Musk në platformën X (Twitter).

Ekspertët ligjorë thonë se shumica e korporatave kanë selinë në Delaware sepse ligjet e atij shteti favorizojnë korporatat, raporton AP.

“Delaware është miqësor me menaxhimin e korporatave, jo me aksionarët,” thotë profesori i biznesit dhe drejtësisë në Universitetin e Miçiganit.

Në fund të janarit, kancelarja e Delaware Kathleen St.

Në vendimin e saj, ajo e quajti paketën “mundësinë më të madhe të mundshme të kompensimit të parë ndonjëherë në tregjet publike me disa shkallë të përmasave”.

McCormick zbuloi se bordit të Teslës i mungon pavarësia nga Musk.

Avokatët e tij thanë se paketa duhej të qëndronte në formën e saj origjinale për t’i dhënë Musk një nxitje për të mos u larguar, një argument që nuk u pranua në gjykatë./alsatm/KultPlus.com