Atmosferë festive e fundvitit në Gjirokastër (FOTO)

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës është veshur tashmë prej javësh me ngjyrat e festës. Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte në këtë qytet për të “fiksuar” atmosferën e veçantë të festave që ia shton hijeshinë qytetit hijerëndë tashmë destinacion për shumë pushues si vendas ashtu edhe të huaj.

Qafa e Pazarit është epiqendra e festës, ku skena e improvizuar mirëpret çdo natë këngëtarë dhe grupe muzikore nga të gjitha anët e vendit, duke ofruar argëtim në këtë sezon festiv.

Në rrugicat karakteristike me kalldrëm të qytetit plot histori të Gjirokastrës janë të shumta siluetat e të rinjve të cilët i afrohen qendrës festive për të kaluar orët e mbrëmjes.

Por ngjyrave të festës nuk i mungojnë grupmoshat e tjera, fëmijë, prindër dhe gjyshërit e gjyshet, teksa të shumtë janë turistët e huaj nga e gjithë bota që kanë zgjedhur pikërisht qytetin e Gjirokastrës për të kaluar netët festive.

Kjo zgjedhje ka vlerë të shtuar kulinarinë tradicionale të zonës, aromën e festës dhe copëza të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

Atmosfera e Fundvitit në Gjirokastër, foto: Arbri Fortuzi./KultPlus.com

Pa përgjigje


Poezi nga Ibrahim Berisha 

Pa përgjigje 

Kam një pyetje për barin:
Është mirë të lindësh në ditën e gabuar
Apo të mos lindësh fare një natë?
Kam edhe një pyetje për ujin:
Më mirë të jetosh duke u përshëndetur
Apo në mëshirë të fatit duke të përshëndetur?
Së fundmi, kam edhe një pyetje për njeriun:
A mund vërtetë t’ia dalësh me sukses
Në një moskuptim pa mëshirën e fatit?
Por nuk e di pse dita pikëniset në një natë tjetër./KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Poezia është hyjnore, prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar

Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.

Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.

Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.

“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”

Lasgush Poradeci / KultPlus.com

Ekspozita më e madhe e fotografit gjerman Juergen Teller në Paris

Ekspozita më e madhe deri më tani e punës së fotografit gjerman, Juergen Teller po zhvillohet aktualisht në “Grand Palais Éphémère” në Paris, duke shfaqur rreth 800 vepra.

Teller njihet ndërkombëtarisht për portretet e tij të sinqerta të të famshmëve, editorialet provokuese të modës dhe fushatat e veçanta për stilistë të ndryshëm.

Gjithashtu ekspozita përfshin foto familjare, autoportrete nudo dhe video.

Imazhet e famshme të Charlotte Rampling duke pozuar e zhveshur në Luvër së bashku me modelen Raquel Zimmerman dhe vetë Teller mbi një gomar shfaqen gjithashtu.

Portrete të tjera janë të stilistit të ndjerë të modës Yves Saint, aktorit nga Berlini Lars Eidinger dhe muzikantit amerikan Iggy Pop.

Shfaqja përfshin portrete shumë personale, ku shfaqet Teller, 59 vjeç, me të brendshme, si fëmijë dhe me bashkëshorten Dovile Drizyte në Itali. Ato shfaqen me rroba pune në ngjyrë neoni në kantier dhe me poza erotike.

Salla prej 10 mijë metrash katrorë është shndërruar në shfaqjen “Juergen Teller. Më duhet të jetoj” që do të zgjasë deri më 9 janar. Më pas ekspozita do të zhvendoset në Milano./KultPlus.com

 NASA: Teleskopi Hubble ofron fotografi të ‘atmosferës së festave’ të yjeve

Teleskopi Hubble ofron disa nga imazhet më të mira që na vijnë nga hapësira. Siç e shohim në foton e fundit të shpërndarë nga NASA, duket se yjet në galaktikën xhuxh me emrin e koduar UGC 8091 janë gjithashtu në një atmosferë festive me shumë shkëlqim dhe nuanca të kuqe.

Galaktika është një koleksion prej rreth 1 miliard yjesh. Kjo tingëllon si shumë, por është 1/100 e popullsisë yjore brenda Rrugës së Qumështit tonë plotësisht të rritur.

Universi i hershëm ishte i mbushur me galaktika xhuxh që përfundimisht u bashkuan për të krijuar galaktikat spirale madhështore që na rrethojnë sot. Në një distancë prej 7 milionë vitesh dritë, UGC 8091 kohët e fundit ka filluar të shfaqë një mozaik të ndritshëm./KultPlus.com

Mustafa Kruja, patrioti i mohuar nga diktatura komuniste

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot firmëtarin, mësuesin, patriotin dhe politikanin Mustafa Merlika-Kruja, një figurë e mohuar dhe anatemuar nga regjimi komunist, të cilit edhe firma në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, ju fshi.

Lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan. Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishteje në shkolla të ndryshme në Durrës.

Ishte ndër njerëzit që organizuan pritjen e Ismail Qemalit në Durrës pasi vinte nga Trieste dhe e shoqëron drejt Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.

U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit. Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921.

Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë. U rikthye në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, së bashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj.

Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943. U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.

Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm. Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj. Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”. La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”. Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.

Vdiq në Niagara të ShBA-së më 1958. / atsh / KultPlus.com

Historia e Kullës Eiffel, u refuzua nga një shtet dhe u vendos në Paris

Kulla Eiffel ishte e ndërtuar për Barcelonën, mirëpo qytetit iu duk shumë e shëmtuar, prandaj e refuzuan idenë e Gustave Eiffel, dhe ai u detyrua të zhvendoste projektin e tij në tjetër vend.

Fatmirësisht, ai gjeti një shtëpi për idenë e vetë, në Paris. Atje, kulla do të përdorej si pikë ekspozimi për harkëtarinë internacionale në 1889.

Por fatkeqësisht, edhe në Paris qytetarët nuk reaguan mirë. Ajo u kritikua shumë dhe u poshtërua, dhe një prej komenteve më të egra ishte që e quajtën “Asparagus metali”.

Kjo kullë nuk kishte plan që të qëndronte për shumë gjatë. Në fakt, ajo u ofrua të shitej për hekur, mirëpo e kursyen sepse doli të jetë e dobishme për ushtrinë franceze.

Ata e përdorën si kullë komunikimi. Kjo strukturë metali, filloj pas viteve 50 të bëhet paksa atraksion turistik, dhe në vitin 2002, ajo arriti numrin e 200 milionë vizitorëve.

Kjo e bëri monumentin më të vizituar në botë, që është krijuar nga një njeri. KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Nata e Ustikës’ i Petro Markos

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.

U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com

Letra e rrallë e Lasgush Poradecit për vajzën e tij

Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Lasgush Poradeci, i cili vdiq në vitin 1987, la pas vetës një trashëgimi të madhe të veprave të tij.

Ai ishte mjaft i veçantë në krijimet e tij dhe jo vetëm. Edhe në letrat që ua shkruante më të dashurve të tij i shkruante me mjaft përkushtim shkruan kultplus. Kësisoj sjellim një letër ku Lasgush Poradeci ia kishte shkruar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974.

Sjellim një pjesë nga kjo letër e shkruar nga Lasgush Poradeci:

“… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”, kishte shkruar Poradeci. /KultPlus.com/

Si sot, më 27 dhjetor 1923, Fan Noli u zgjodh deputet i Korçës

Jeta parlamentare e Nolit nisi me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, kur mori detyrën si deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921-30 shtator 1923). Në vijim ai shërbeu për pak kohë si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Ishte kryetar i Partisë Popullore.

Qe figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, u dënua me vdekje në mungesë. Sipas vetë Nolit, programi i tij prej njëzet pikash (dokumenti më poshtë) për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çalonte tek theksi që i vinte reformës agrare.

Në shumatoren e angazhimit të tij të dendur pikëtakoheshin veprimtari të larmishme, siç qenë: poezia, filozofia, historia, politika dhe feja, të cilat priheshin në ansambël nga qëllimi i ngutshëm i konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Megjithëkëtë, vokacioni i tij i njëmendtë qe priftëria. / KultPlus.com

Vallja devollite, ’Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale’

Vallja devollite shpallet “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri me dije përmes rrjeteve sociale se, pas shqyrtimit të propozimit të Shoqatës atdhetare kulturore “Devolli” dhe Bashkisë së Devollit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale vendosi që kjo valle burrash që interpretohet në zonën e Devollit dhe Korçës, që ngre peshë zemrat e shqiptarëve sa herë që kulmon nëpër festa e gëzime, të hyjë listën e kryevlerave kombëtare.

Gjatë ditëve festive të dhjetorit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shpalli pasuri kombëtare edhe “Fyejt e Gramshit” ndërsa më herët, veshja e gruas mirditase u shpall “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”./KultPlus.com

Petro Marko: E dua Kosovën gjer në dhimbje

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 

Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com

Disa filma që mund t’i shikoni për festat e fundvitit

Në këtë kohë të festave të fundvitit, kur jemi tërhequr nga magjia e sezonit festiv, një listë e filmave mund të jetë përgjigja e duhur për të kaluar festat me argëtim.

Derisa në këto kohë ku moti jashtë është i ftohtë, të shikuarit një film në ambient shtëpie pranë njerëzve më të dashur është terapia më e mirë për një fundvit të mrekullueshëm.

Nëse jeni në kërkim të aventurës, ndjenjave romantike, ose thjesht humorit, këtu gjeni një listë që ua ofron disa tituj të filmave më të preferuar për shikim gjatë festave të fundvitit./21Media/KultPlus.com

  1. Home alone 2

2. Elf

3. Best Christmas Ever 

4. Let it snow

5. Falling for Christmas

6. Single all the way 

7. The Knight Before Christmas

8. The holiday calendar 

9. Love Hard

10. Christmas with you 

Presidentja Osmani viziton të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve

Me rastin e festave të fundvitit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka vizituar të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve.

Osmani tha se puna që stafi bën në këto dy klinika është e jashtëzakonshme.

“Jep shpresë e forcë për këta fëmijë dhe për prindërit e tyre që ndiejnë dhimbjen më të madhe të jetës së tyre”, tha Osmani.

Ajo shprehu mirënjohje për punën e gjithsecilit.

“Duke ofruar jo vetëm shërbime mjekësore, por edhe dashuri e përkrahje të pafund!”, theksoi ajo.

E para e shtetit aty bëri edhe shpërndarjen e dhuratave.

Skena lëvizëse e TKOBAP, sonte në Durrës

Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka ndërmarrë një “udhëtim” nëpër disa qytete të vendit, për ta çuar artin sa më pranë artdashësve, e për të mos qenë ekskluzivitet i kryeqytetit.

Fillimisht artistët e TKOBAP janë ndalur në Shkodër dhe në Kukës, ku çuan këngë e valle tradicionale, me orkestrën, solistët, grupin e valleve, dhe grupin koral të Ansamblit Popullor, nën kujdesin e Brikena Jaupajt dhe Alban Tahirit. Dy shfaqjet e para janë ndjekur nga një numër i madh spektatorësh dhe janë pëlqyer prej tyre. Në Shkodër skena u ngrit në sheshin përpara bashkisë, duke lejuar një numër më të madh njerëzish për të ndjekur spektaklin, nën dritat e shumta që shoqërojnë këtë atmosferë festash. Ndërsa në Kukës, koncerti u zhvillua në mjedis të mbyllur.

Udhëtimi nëpër Shqipëri do të vijojë deri më 30 dhjetor. Sonte Ansambli Popullor do të japë shfaqje në Durrës, ndërsa në datat në vazhdim do të interpretojnë në Fier, Vlorë dhe Korçë./atsh/KultPlus.com

Chalameti ka dëgjuar një listë këngësh të papublikuara të Bob Dylanit të gjatë 12 orë

Timothy Chalamet ka thënë që ka dëgjuar një bollëk këngësh të papublikuara të Bob Dylanit.

Ai po përgatitet që ta luajë rolin e ikonës së folkut amerikan në filmin biografik, Krejtësisht i panjohur.

Menaxheri i kamotshëm i Dylanit, Jeff Rosen, i ka dhënë qasje Chalametit në një listë këngësh që bashkë i bëjnë 12 orë, e të cilat Dylani i kishte incizuar midis viteve 1959-1964.

“Kjo mund t’i inatosë shumë fansa të Bobit, dhe me të drejtë, por ai [Roseni] ma ka dërguar një listë këngësh të gjatë 12 orë të Bobit nga vitet 1959-1964”, ka thënë Chalameti për Happy Sad Confused në një intervistë të fundit.

“Po ndihem sikur jam duke mbajtur flori a diçka të tillë”. / KultPlus.com

Shoqata e intelektualëve ‘Jakova’ përkujton Presidentin Bush në pesëvjetorin e vdekjes

Shoqata e intelektualëve “Jakova” ka përkujtuar në pesëvjetorin e vdekjes presidentin e 41-të të ShBA-së, George Herbert Walker Bush.

Nga kjo shoqatë shquhet një porosi që Bush kishte dërguar në drejtim të Serbisë 31 vjet më parë lidhur me Kosovën.

“Mbetet i paharruar ‘Kërcënimi i Krishtlindjeve” i para 31 viteve që presidenti Bush ia kishte dërguar Millosheviqit për Kosovën më 25 dhjetor 1992, akt ky që shënon kthesën e madhe të politikës së jashtme amerikane në mbështetje të kërkesave legjitime të shqiptarëve në Kosovë!”, thuhet në postimin e shoqatës “Jakova”.

“Atëbotë presidenti Bush ia kishte tërhequr vërejtjen presidentit të Serbisë se çfarëdo ndërhyrje e Serbisë me dhunë a luftë në Kosovë, do të përballej me përgjigje ushtarake amerikane. Vija e tij e kuqe ishte shpëtim për një vend e popull të tërë dhe duhet të kujtohet gjithherë me pietet”.

“Ngushëllime popullit shqiptar për vdekjen e mikut të madh!”/KlanKosova/KultPlus.com

Përkujtohet Petro Marko, luftëtari dhe shkrimtari i “brezit të humbur”

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poetin, shkrimtarin dhe përkthyesin Petro Marko (25 nëntor 1913 – 27 dhjetor 1991).

Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare.

Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra.

Më 1940 u detyrua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në detin Tirren.

Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991. / atsh / KultPlus.com

‘Hiri i Krishtlindjes’ zbriti në pavijonin e ikonave në Muzeu Historik Kombëtar

Një mbrëmje poetike nën titullin “Hir Krishtlindjeje” mblodhi artdashësit, ditën e djeshme në Muzeun Historik Kombëtar. Aktoret e mirënjohura Yllka Mujo e Luiza Xhuvani interpretuan vargje nga Nënë Tereza, Ilirjan Zhupa e Zhak Prever.

“Aktoret tona të çmuara Yllka Mujo e Luiza Xhuvani e përfshinë publikun në një atmosferë të ngrohtë dhe intime nën hirin e Krishtlindjes”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim online. Atmosfera plotësohej nga ikonat e ekspozuara në MHK, ku artistet recituan të shoqëruara nga Ave Maria e interpretuar prej mexo-sopranos Vikena Kamenica.

Koncerti “Hir Krishtlindjeje”, u zhvillua në pavijonin e ikonave, pranë Muzeut Historik Kombëtar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Vdes Lee Sun-kyun, fitues i Oscar-it me filmin “Parasite”

Aktori koreano-jugor, Lee Sun-kyun, i filmit fitues të çmimit Oscar “Parasite” u gjet i vdekur në Seul.

Policia fillimisht zbuloi një person të ulur pa ndjenja në një makinë në një park në kryeqytetin Seul të mërkurën në mëngjes, njoftuan transmetuesit koreano-jugor dhe agjencia kombëtare e lajmeve Yonhap.

Ai më vonë u identifikua si aktori 48-vjeçar.

Policia nuk e ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes.

Lee ishte nën hetim për përdorim të dyshuar të drogave të paligjshme.

Lee ishte tashmë një aktor i njohur në Korenë e Jugut përpara suksesit mbarëbotëror të “Parasite”.

Filmi i Bong Joon-ho 2019 mblodhi katër çmime Oscar dhe bëri historinë e Oscar-it si fituesi i parë në gjuhë të huaj për filmin më të mirë./atsh / KultPlus.com

Kumbaro: Alpet, destinacion i turistëve të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës

Alpet shqiptare të mbuluara nga dëbora ofrojnë një peizazh mbresëlënës për të pasonuarit pas ngjitjeve në mal.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga Alpet, duke ftuar vizitorët t’i frekuentojnë ato në këto ditë dimri.

Kumbaro tha se “Alpet, deri pak vite më parë ishin të izoluara gjithë dimrin e gjatë, kurse sot frekuentohen nga turistë e të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës”.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Ish-emsiari amerikan Grenell promovon turizmin shqiptar: Më besoni mua, shkoni në Shqipëri

Ish-emisari Presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, përmes një postimi në rrjetin X, ka promovuar Shqipërinë dhe turizmin shqiptar.

Ish-emisari Grenell përmes këtij postimi, ka ftuar të gjithë që ta vizitojnë Shqipërinë, pasi sipas tij s’do të pendohen.

“Më besoni mua. Shkoni në Shqipëri. S’do të pendoheni”, ka shkruar Grenell./KultPlus.com

Mërgata shqiptare dërgoi mbi 1 miliard euro për 11 muaj

Gjatë muajit nëntor mërgimtarët shqiptarë kanë dërguar 101.3 milionë euro remitanca.

Por për 11 muaj dërgesat financiare të diasporës shkojnë në 1 miliard e 217 milionë euro, sipas raporteve preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës, përcjell KlanKosova.tv.

Krahasuar me 11 muajt e vitit paraprak, është regjistruar rritje prej 10.2 përqind.

Derisa vetëm për muajin nëntor nga 101.3 milionët – 65 përqind e tyre janë dërguar përmes institucioneve financiare jobankare, 19 përqind kanale të tjera dhe 16 përqind e mjeteve janë trensferuar përmes bankave./KlanKosova/ KultPlus.com

192 vite më parë Charles Darwin filloi ekspeditën rreth botës e cila zgjati 5 vite

Charles Darwin (1809-1882) ishte një biolog, gjeolog dhe natyralist anglez, i njohur për dy nga teoritë më me ndikim në botën shkencore; evolucioni dhe procesi i seleksionimit natyror. Në përmbledhje, ai propozoi që të gjitha speciet e qenieve të gjalla të vijnë nga një paraardhës i përbashkët dhe që speciet që përshtaten më mirë me mjedisin janë ato që riprodhohen dhe mbijetojnë. Të dy teoritë u propozuan në Origjina e specieve, botuar në 1859. Ndërsa në vitin 1831 ai filloi ekspeditën rreth botës e cila zgjati 5 vite.

Udhëtimi në bordin e anijes “Beagle”

Më 27 dhjetor 1831, filloi udhëtimi i Beagle-it. Udhëtimi zgjati plot pesë vjet (tre vjet më shumë se sa ishte menduar). FritzRoy-i në bordin e Beagle-it udhëtonte dhe kontrollonte brigjet ndërkohë që Darvini vetë shpenzonte kohë me studimet gjeologjike në ishull duke mbledhur mostra për koleksionin e tij mbi historinë natyrore. Ai mbajti shënime të kujdesshme mbi vëzhgimet në ishull dhe mbi teori të ndryshme spekulative (në kuptimin që teoritë ishin më shumë hipoteza në atë kohë). Në intervale të ndryshme kohore, mostrat e tij dërgoheshin në Kembrixh së bashku me letra duke përfshirë edhe kopje të ditarit për familjen e tij. Darvini kishte studiuar rreth krijesave detare jovertebrore dhe kishte njohuri të përgjithshme mbi gjeologjinë, por në fushat e tjera ku shtroi studimet e tij, ai ishte një fillestar. Qëndrimi i tij në ishull bëri që Darvini të bëhej një ekspert. Edhe pse Darvini kishte probleme shëndetësore (e zinte shpesh deti), shumica e shënimeve të tij zoologjike janë hartuar mbi krijesat detare jovertebrore si planktoni, etj.

Në ndalesën e parë në tokë të thatë në Saint Jago, Darvini zbuloi se në një rrip të bardhë, të lartë në gurët vullkanik ekzistonin midhje. FitzRoy i kishte dhënë atij volumin e parë të Principet e Gjeologjisë (origjinali: Principles of Geology) nga Charles Lyell-i, i cili shpjegonte konceptet e uniformitaritetit, pra se si toka ngrihej, ulej ose binte ngadalë në periudha të ndryshme kohore. Darvini i pa gjërat në mënyrën e Layell-it duke menduar në shkrimin e një libri mbi gjeologjinë. Në Brazil, Darvini u mahnit nga pyjet tropikale, por filloi të urrente pamjet e egra të skllavërisë.

Në zonën Punta Alta në Patagonia, ai zbuloi fosile gjitarësh të zhdukur me përmasa të mëdha ndër shkëmbinj, përveç midhjeve të freskëta që tregonin një zhdukje të ndodhur rishtasi të llojit pa asnjë shenjë të ndryshimeve klimaterike ose katastrofave të mundshme. Fosilet e gjitarëve të emëruar prej tij si Megatherium, i ngjasonin një versioni gjigant i armadilos që jetonte në ato zona. Zbulimet e tij ngjallën interes të veçantë, kur provat u dërguan në Angli. Gjatë vazhdimit të eksplorimit gjeologjik më në brendësi të territorit, për të grumbulluar sa më shumë fosile, ai fitoi njohuri të shumta mbi gjendjen sociale, politike dhe antropologjike të popullësisë autoktone dhe koloniale (spanjolle) në një kohë revolucioni, duke zbuluar gjithashtu se rhea (një lloj zogu karakteristik i Patagonias) jetonte në zona të ndara, por njëkohësisht përkonin pjesërisht me njëra tjetrën. Ai lexoi më pas volumin e dytë të librit të Lyell-it duke pranuar idenë e “qendrës së krijimit” të llojeve, por duke kundërshtuar ose më mirë të themi sfiduar idetë e Lyell-it mbi vazhdimësinë graduale (vazhdimësinë e qetë) dhe zhdukjes së llojeve.

Në Tierra del Fuego, Darvini ndaloi dhe vazhdoi progresin me shënimet e veta. Ai u njoh me tre vendas të cilët ishin dërguar dhe instruktuar në Angli për tu kthyer si misionarë në ato zona. Sipas tij, të tre miqtë e tij të rinj ishin të civilizuar dhe miqësorë, ndërsa “të afërmit” e tyre vazhdonin të ishin “mjeranë dhe egërsira të pashpresa,” aq të ndryshëm sa janë kafshët shtëpiake me kafshët e egra. Sipas Darvinit kjo kishte të bënte me shfaqjen e përparësive kulturore dhe jo inferioritetit të racave. Tashmë Darvini nuk kishte më dyshime se nuk kishte asnjë ndarje të pakalueshme ndërmjet njerëzve dhe kafshëve, siç pretendonin shumë shkencëtarë të kohës. Mbas një viti, misionarët nga Terra del Fuego e brakstisën misionin e tyre. Jemmy Button-i (i emëruar kështu nga anglezët) rifilloi jetën si të parët e tij, gjeti një grua dhe nuk dëshironte të kthehej më në Angli. Në Kili ai përjetoi një tërmet të fuqishëm. Aty në të çarat e tokës, Darvini gjeti akoma më shumë guaska midhjesh dhe fosile bimësh që rriteshin zakonisht në brigjet ranore. Kjo i dha shkas teorive të reja.

Udhëtimi i tij vazhdoi në ishujt Galapagos. Atje Darvini kërkoi për prova që lidheshin me “qendrën e jetës” të një kohe më të hershme dhe gjeti se popullata e zogjve në ishuj kishte lidhje me zogjtë që kishte vëzhguar gjatë qëndrimit në Kili por që ndryshonin nga ishulli në ishull. Darvini u vu në dijeni se në bazë të zhguajve të breshkave pak të ndryshëm në formë nga njëri tjetri, mund të kuptohej se nga cili ishull vinin ato, por ai nuk arriti t’i mblidhte ato edhe pse dieta në Beagle në këtë periudhë konsistonte në ngrënien e breshkave. Në Australi, miu-kangur (kafshë me xhep – marsupial) dhe playpus (kafshë e vogël leshatore që jeton në Australi dhe Tazmani) lanë një përshtypje të madhe te Darvini, të cilit iu duk sikur në krijimin e tyre kishin marrë pjesë dy krijues të ndryshëm. Darvini u njoh me aborigjenët (vendasit australianë) të cilët lanë përshtypje të mirë te ai si “të këndshëm dhe me humor të mirë” dhe vuri në dukje keqtrajtimet e tyre nga ana e kolonizatorëve evropian.

Kapiteni FitzRoy filloi të shkruante rrëfimet zyrtare të udhëtimeve të Beagle-it dhe, pasi lexoi ditarin e Darvinit, ai i propozoi atij që të dy shkrimet të shkriheshin në një. Megjithatë ditari i Darvinit u rishkruajt në mënyrë të veçantë në tre volume të ndryshme mbi historinë natyrore. Në Kejp Taun, kapiteni i anijes “Beagle” dhe Çarls Darvin u takuan me John Herschel-in. Ky i fundit ishte një përkrahës i uniformitarizmit të Lyell-it duke e quajtur teorinë e tij për zëvendësimin e specieve të zhdukura nga të tjera si “një proces natyral në kundërvënie të një procesi të mrekulleushëm (hyjnor).” Ndërkohë që Beagles-i po kthehej në Angli, Darvini riorganizoi shënimet duke shkruar se dyshimet e tij në rritje për zogjtë e Galapagosit, breshkat dhe Falkland Island Fox (një lloj ujku) ishin të drejta; “ – Fakte të tilla zhvlerësojnë stabilitetin e llojeve… “duhet” vjen përpara “zhvlerësimit.” Më pas Darvini shkroi se “ … më duket se të tilla fakte hedhin deri diku dritë mbi origjinën e specieve.”/KultPlus.com

/KultPlus.com