Petro Marko: E dua Kosovën gjer në dhimbje

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 

Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com

‘Po tërmeti tjetër nuk erdhi, erdhi përsëri lufta për bukën e gojës’

Nga Petro Marko

“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

 Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”

(Pjesë e shkëputur nga “Intervistë me vetveten”) / KultPlus.com