U mbajt edicioni i 14-të i Festivalit Mbarëkombëtarë “RadioFest”

Blerim Valla

Në Gjakovë, pas 5 viteve mungesë, rikthehet festivali mbarëkombëtar i radiostacioneve shqiptare “Radiofest 14”, festival ky unik në tërë rajonin, i organizuar nga Radio Gjakova.

Radiostacionet nga Kosova, Shqipëria dhe trevat shqiptare edhe këtë vit erdhën në Gjakovë me krijimtarinë e tyre më të re në garën që organizohet në fushën e radioreportazhit, raportit radiofonik dhe të spotit publicitar. Qëllimi i mbajtjes së këtij manifestimi, është nxitja e gazetarëve, teknikëve dhe stafeve të radiostacioneve për një punë profesionale dhe ofrimit të materialeve atraktive për radio dëgjuesit. Qëllimi tjetër i projektit është edhe stimulimi dhe shkëmbimi i vlerave radiofonike dhe atyre kulturore si dhe njohja dhe rritja e bashkëpunimit të qytetarëve të shteteve në regjion. 

Përndryshe, mbajtja e këtij edicioni të 14- të festivalit Radiofest, i bashkohet edhe shënimit të 44- vjetorit të fillimit të punës së Radio Gjakovës.

Ky festival pos programit artistik, ku performuan Kori i grave dhe vajzave “Besa” si dhe nxënësit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nga Gjakova, pati edhe pjesën zyrtare ku u ndan shumë çmime radiofonike. 

Fillimisht u përkujtuan gazetarët e njohur të radiove nga mbarë hapësira shqiptare si: Hivzi Krasniqi, Zana Dibra, Vangjel Sako, Halil Gashi dhe Kastriot Shehdadi, që u nderuan me Mirënjohje “Post Mortum” për kontributin e çmuar në edicionet e kaluara të Festivalit Radiofest.

Kurse çmimet që u ndan në këtë edicionin të 14 – të Radiofestit ishin: në fushën e radioreportazhit vendi i parë i takoi Radio Kukësit, në fushën e raportit radiofonik më i miri ishte Radio Lushnja, kurse vendi i parë si spoti më i mirë publicitar i takoi Radio Tiranës. 

Si zëri më i mirë radiofonik u zgjodh ai i gazetarit të Radio Shkodrës, Marjo Gjini. Kurse çmimi special i këtij edicioni të 14 – të Radiofestit i takoi Radio Gjirokastrës. 

Përndryshe Festivali Radiofonik “RadioFest 14” këtë vit është përkrahur dhe mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e KK të Gjakovës. / KultPlus.com

Qeveria iu ndan nga 100 euro fëmijëve dhe pensionistëve për fundvit

Fëmijët dhe pensionistët do të marrin nga 100 euro shtesë këtë fundvit, tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria pritet ta miratojë sot këtë vendim, raporton Gazeta Express.

“Besoj ju kujtohet premtimi që çdo vit secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet kemi vendosur që të gjtihë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro”, tha Kurti.

Ai tha se po planifikojnë “që kjo skemë të kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje, duke filluar zbatuimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues”. Kjo, sipas Kurtit, “që të ketë dallim në mbështetje” dhe që “ata që kamë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë”.

“Për të gjithë pensionmarrësit këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme, do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 eurove, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha Kurti.

Ministria e Financave do të njoftojë për detajet rreth ekzekutimit të shtesave./GazetaExpress/KultPlus.com

Projekti për turizmin i BB, vijon në Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet

Banka Botërore vlerëson ecurinë e kënaqshme të zbatimit të programit të turizmit, që mbështetet nga BB me një kredi 71 milionë dollarë.

Vlerësimi i fundit i Bankës për Programin për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin që prek katër bashki Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet nxjerr në pah edhe investimet konkrete që janë kryer si dhe ato që janë ende në proces.

Sipas BB punimet civile të rrugës me kalldrëm të këmbësoreve dhe aksesit të makinave Kalaja e Beratit dhe shëtitores dhe shkalleve të Sarandës, përmirësimi i integruar urban dhe i ndriçimit në Përmet, rruga me kalldrëm e Pazarit të Gjirokastrës, Sistemi i Muzeve dhe punime rehabilitimi në kalanë Gjirokastër kanë përfunduar. Ndërkohë punimet civile të përmirësimit të integruar urban në Berat, Sarandë dhe Gjirokastër janë duke u zbatuar.

Përsa i takon punimeve për përmirësimin e zonave turistike të Bënjës dhe pikave panoramike përgjatë korridorit turistik janë në vazhdim; dizajni për përmirësimin e zonës turistike të Zvërnecit është finalizuar dhe janë kontraktuar punimet civile; konsulenca e projektimit për sitet turistike të Kalasë së Gjirokastrës si dhe Kalasë së Borshit, Kalasë së Kaninës dhe Shpellës së Spillesë janë në zbatim.

“Konsulenca për Strategjinë e Kërkimit dhe Zhvillimit të Tregut ka përfunduar. Shërbimet e konsulencës për partneritetin e menaxhimit të destinacionit, Zhvillimin e Tregut për Jugun e Shqipërisë, Zhvillimin e Produkteve Turistike dhe Sistemi i Statistikave të Turizmit janë aktualisht në zbatim”, thuhet në përmbledhjen e Bankës Botërore.

Projekti për turizmin nisi në vitin 2016 me një financim 71 milionë dollarë dhe u bë efektiv në vitin 2017. Fillimisht data e parë e mbylljes ishte 31 korriku 2022, por më pas u shty për 31 korrik 2025. Aktualisht për këtë projekt janë disbursuar deri tani 42 milionë usd./atsh/KultPlus.com

Presidenti Begaj niset drejt Bullgarisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të zhvillojë këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Sofje, me ftesë të homologut bullgar, Rumen Radev.

Agjenda parashikon takimin ‘kokë më kokë’ të kryetarëve të të dyja shteteve, takimin e delegacioneve përkatëse si dhe konferencën e përbashkët për shtyp të Begajt me Radev.

Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare  e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian do te jenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar, raporton Abcnews.al.

Begaj do të pritet edhe nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.

Gjithashtu, ai do të zhvillojë një vizitë te trupat ushtarake shqiptare që janë të pozicionuara në Novo Selo, si pjesë e programit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”./Abcnews.al./KultPlus.com

Prezantohet koleksioni i veçantë i xhubletave (FOTO)

DRTK Shkodër prezantoi në faqet e saj online, koleksionin privat të Ilirjan Velos.

Ai ruan me fanatizëm një koleksion të çmuar të Xhubletës së Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Komanit, dhe Rugovës. Ky është një koleksion privat mbresëlënës i xhubletave që Velo i ka trashëguar si pasuri familjare për shkak të vlerës së tyre artistike, historike dhe ndjeshmërisë sociale të kohës.

Ngjyrat e pasura të elementeve të veshjes, dikur të bëra me dorë, plotësohen nga magjia e stolive, gjë që shpreh më së miri moshën, pozitën familjare dhe sociale të gruas në shoqëri.

Velo, që i vogël një koleksionist i apasionuar, ka ditur të përkujdeset për të mbajtur një trashëgimi të vlefshme që mund të trashëgohet në brezat e ardhshëm si një mënyrë për të përkujtuar ngjarje dhe njerëz të rëndësishëm në jetën e tij dhe historinë e familjes dhe shoqërisë. Ky koleksion xhubletash ka vlerën e vet të veçantë për të, si krenari për paraardhësit dhe krijimet e tyre./ atsh / KultPlus.com

Ish-presidentja e Zvicrës: Punova me të gjithë, por më së shumti më bëri përshtypje Rugova, babai i pavarësisë

Ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey e ka përmendur Ibrahim Rugovën si figurën politike që i ka bërë më së shumti përshtypje në Kosovë.

Calmy-Rey në një intervistë për swissinfo.ch tha se ka punuar e biseduar me të gjithë në Kosovë, por e veçoi presidentin e parë të para pavarësisë, Ibrahim Rugovën, përcjell Gazeta Express.

“Kam punuar mirë me të gjithë me të cilët kam folur në Kosovë, qoftë Albin Kurtin, Hashim Thaçin apo të tjerë”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mendon për kryeminiastrin aktual të Kosovës, të cilin tha se e kishte takuar në Cyrih.

Për ish-presidentin Hashim Thaçi, Calmy-Rey tha se nuk dëshiron të shpreh gjykime, por theksoi se “ai e njihte shumë mirë Zvicrën” dhe se “ai gjithashtu flet shumë mirë gjermanishten zvicerane”,

Më pas, u ndal të flasë për Rugovën.

“Figura politike që më bëri më shumë përshtypje në Kosovë ishte presidenti pacifist Ibrahim Rugova, babai i pavarësisë. Në vitet 2000, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, ishte shumë kënaqësi të punoja me kontaktet e mia në Kosovë. Funksionoi mirë”, tha ajo./GazetaExpress/KultPlus.com

“Do ta kisha shumë të vështirë ta qeverisja Kosovën sot”, thotë ish-presidentja e Zvicrës

Micheline Calmy-Rey, ish-presidente e Zvicrës tha se po të ishte kryeministre e Kosovës sot, do ta kishte shumë të vështirë të qeveriste.

Për Kosovën, ajo tha në një intervistë për swissinfo.ch se tensioni me Serbinë mbetet “pengesa kryesore” drejt njohjeve të reja.

“Po të isha kryeministre e Kosovës sot, do ta kisha shumë të vështirë ta qeverisja këtë vend”, tha Calmy-Rey.

“Në veri të Kosovës, ku popullsia është kryesisht serbe, ekziston një sistem social paralel. Tekstet shkollore ofrohen nga Serbia. Disa komuna refuzojnë të pranojnë autoritetin e Prishtinës. Është një vend i vështirë për t’u qeverisur. Bashkimi Europian ndërmjetëson mes Serbisë dhe Kosovës, por udhëheqësit e tij – përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák dhe shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, për shembull – vijnë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, theksoi ish-presidentja helvetike, përcjell Gazeta Express.

Para një viti, ish-presidentja zvicerane, Micheline Calmy-Rey u nderua në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani ia kishte dorëzuar asaj medaljen e “Urdhri i Pavarësisë”. / KultPlus.com

‘Tulipanët e vonuar’, vëllimi me tregime i Flutura Açkës, ndër pesë finalistët e çmimit për ‘Prozën e shkurtër’ 2022

“Tulipanët e vonuar”, vëllimi me tregime i shkrimtares dhe deputetes Flutura Açka është përzgjedhur një ndër pesë finalistët e çmimit kombëtar për “Prozën e shkurtër” 2022.

“Ishte libri që më ka dhënë një kënaqësi të çuditshme: atë të përqendrimit të vetes në pak rreshta. E bën poezia këtë, por ka ritëm marrafrymës. Tregimi është një mrekulli që të magjeps ta shkruash. Ka pak lexues, thonë. Thonë, por nuk është e vërtetë, pasi çdo gjini letrare ka lexuesin e vet, dhe për shkrimtarin që e ka lexuesin e tij, është vetëm një mënyrë e re takimi, si të them, një gjuhë e re mes tyre”, thotë shkrimtarja Flutura Açka.

“Kam eksperimentuar duke e shkruar, kam ndërruar disa herë gjatë shkrimit të tij rrason e errët të jetës sime e kësisoj të mos ia vishja lexuesit zymtin tim, përzgjodha tregime me një gjeografi më të gjerë mbase se vetë jeta ime dhe stërvita durimin të ngjëroja në gurra të befta ngjarjesh, me kujdesin të mos hyj në përroin e ndërgjegjjes që shpesh më ka lypur shumë e më shumë faqe” – zbulon më tej autorja e librit me tregime, “Tulipanët e vonuar”.

Por pse të vonuar?

“Tulipanët e vonuar” ishte ura e brishtë nga “Biri” te libri që ende e kam ndër duar”, thekson Açka.

Kjo është bota ku pikturohen me nota të stilit të njohur të saj, një galeri qeniesh magjike që e kthejnë këtë libër i ckli gjendet në libraritë kryesore me një çmim për 100 lekë, është ndër më të veçantët dhe të rëndësishmit të autores.

DETAJET E LIBRIT
Titulli: Tulipanë të vonuar
Origjinali: Tulipanë të vonuar
Gjinia: Tregime dhe novela
Autor: Flutura Açka
Shtëpia botuese: Skanderbeg
Viti: 2022
Fq. 208

Përmbledhje mbi librin

Fantazma distopike që shfaqen në kohë pandemie, flutura të ardhura nga botëra të tjera, koleksionistë të dehur thikash, gra që ecin pikëpyetjeve të jetës njëlloj si në bulevarde qytetesh e shtigje pyjesh, fatalitete pa kohë që iu fanepsen të gjallëve në fundin e kohës së tyre biologjike, një gjindje plot larushi që ndërton shpesh gjendje surreale, me gjeografi të gjerë të atdheut të autores, Europës së sotme, dhe jo vetëm. Kjo është bota ku pikturohen me nota të stilit të njohur të saj, një galeri qeniesh magjike që e kthejnë këtë libër ndër më të veçantët dhe të rëndësishmit të autores.
Pas suksesit me veprën “Biri”, fitues i Çmimit Kombëtar “Proza më e mirë e vitit 2020”, Flutura Açka vjen te lexuesi me vëllimin me tregime “Tulipanë të vonuar”, ndër më të beftët në listën e gjatë të veprave të saj./Liberale.al/KultPlus.com

Ndryshimet klimatike sjellin shtatorin më të ngrohtë në histori në Alpe

Në vitin 2023, meteorologët regjistruan shtatorin më të ngrohtë në Alpe që nga fillimi i regjistrimeve të motit.

Raporti i hartuar nga Shërbimi Gjerman i Motit (DWD), “GeoSphere Austria” dhe “MeteoSwiss” u botua në “Buletinin e Klimës Alpine”.

Në fillim të gushtit, u regjistruan reshje rekord në Austrinë jugore dhe rajonet fqinje alpine të Italisë dhe Sllovenisë, të cilat shkaktuan përmbytje të mëdha.

“Ka pasur gjithashtu temperatura rekord ditore dhe mujore duke filluar nga korriku i vitit 2023”, raportuan shkencëtarët.

Pas një vale të të nxehtit fillestar në korrik, një tjetër pasoi në fund të gushtit me temperatura të reja rekord.

Temperaturat arritën në 37,6 gradë Celsius në Sion, Zvicër./atsh / KultPlus.com

Princi Harry urdhërohet të paguajë dëmshpërblim për tabloidin britanik

Princi Harry i Britanisë është urdhëruar t’i paguajë 48,000 £ kompanisë botuese Mail on Sunday, pasi humbi një çështje për shpifje kundër tabloidit britanik.

Mes shumë padive të ngritura nga djali i vogël i Mbretit Karli III kundër një gazete britanike, njëra lidhet me një artikull për mbrojtjen e tij nga policia gjatë vizitës në MB.

Në artikullin e diskutueshëm, të botuar në shkurt 2022, Harry akuzohet gabimisht, sipas mbrojtjes së tij, për “gënjyer” dhe “përpjekje për të mbajtur sekret” një kërkesë drejtuar qeverisë për t’i dhënë atij mbrojtje nga policia ndërsa ishte në MB.

Pasi kërkesa e tij u refuzua në gjykatë, gjyqësori e urdhëroi atë të paguante 48,447 £ deri më 29 dhjetor.

Harry dhe gruaja e tij Meghan Markle janë larguar nga familja mbretërore dhe Britania e Madhe, kështu që ata nuk kanë më të drejtë për mbrojtje policore në kurriz të taksapaguesve britanikë.

Djali i Mbretit, i cili për këtë arsye ndonjëherë duhet të përdorë mbrojtjen private me shpenzimet e tij, kërkoi të ishte në gjendje të përdorte mbrojtjen e policisë, të paguar nga fondet e tij, kur ishte në MB. Gjykata e hodhi poshtë këtë kërkesë në maj.

Harry më pas nisi një çështje të dytë, duke sfiduar ndërprerjen e mbështetjes sistematike për sigurinë e tij ndërsa ishte në vendin e tij.

Ankesa e Harry-t kundër Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar lidhet më konkretisht me vendimin e autoriteteve në shkurt 2020 për t’i dhënë atij mbrojtje policore vetëm rast pas rasti./KultPlus.com

“Wanderlust in Albania”, mbi 30 fitues në konkursin ndërkombëtar të fotografisë për Shqipërinë turistike

Në një mbrëmje gala u shpallën sot fituesit e “Wanderlust in Albania”, Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove më të bukura promovuese për Shqipërinë Turistike.

Në këtë konkurs morën pjesë 687 konkurrentë nga 40 vende të botës, që nga Australia e largët, India, Japonia, Kina e kudo në Europë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi nismën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit e cila në një kohë rekord organizoi këtë konkurs ndërkombëtar.

“Vendosëm që konkursi të jetë ndërkombëtar dhe fotografët të jenë ata që e kanë përshkuar Shqipërinë nga të gjitha vendet e botës dhe të na tregonin atraksionet tona, të cilat shpesh nuk i kuptojmë se i kemi. Fotografitë janë të orientuara në tematika nga më të larmishmet, nga perëndimet e Adriatikut te tryezat e ushqimeve, elementët folkorikë dhe etnografë apo hartën e destinacioneve të ndryshme”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se nisma lindi si një nevojë që e diktoi një tjetër nismë e këtij viti, kalendari turistik i eventeve TEA, ku u regjistruan mbi 517 evente.

“Kalendari nuk do të jetë vetëm aq, por vitin që vjen duam ta kthejmë në sportel shërbimesh e informacionesh turistike. Në nëntor ne kishim 547 mijë turistë dhe kemi bindjen se edhe për vitin 2024 do të ruajmë të sigurt pozicionin tonë. Deri në fund të nëntorit në Shqipëri erdhën 9.54 milionë turistë. Ne po shkojmë në 365 ditë turizëm në çdo cep të vendit”, u shpreh ajo.

Kumbaro theksoi se turistët mbeten edhe ambasadorët më të mirë të Shqipërisë turistike.

Nga ana e saj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela bëri të ditur se në konkurs u dorëzuan mbi 7 mijë fotografi.

Çela u shpreh se fituesit u shpallën në 11 kategori, ku për secilën kategori janë përzgjedhur dy fitues për fotografitë dhe një për video reels.

Fituesit e “Wanderlust in Albania”:

Peizazh: Fation Plaku, Bleron Caka, Aldo Tare

Agroturizëm dhe Kulinari: Aldo Mustafa, Anxhi Çeliku dhe Mirela Andoni

Arkitekturë: Ergys Temali, Elvis Vrioni dhe Adelina Marku

Monumente dhe Site Arkeologjike: Nikolay Shabarkov (Bullgari), Antonio Lombardi (Itali) Duli Kasmi

Folklor: Ardian Fezollari, Naxhie Elezi, Bjori Thana

Foto dhe video panoramike: Dajana Reci, Altin Serani dhe Beatrice Chan

Artizanat dhe Zejtari: Mikaela Lala, Carolyn Perry dhe Thomas Hadinger

Ekoturizëm: Bleron Caka, Anxhi Çeliku, Thomas Hadinger

Eventet e aplikacionit TEA: Idlir Abazaj, Ina Tepshi Nurjana Mullaj

Fotoreportazh: Albert Cmeta, Zeni Alla dhe Sara Zekaj

Turizëm Sportiv: Alket Islami, Aida Dhefto dhe Altin Serani./atsh/KultPlus.com

Kinemaja e Shkodrës do të restaurohet, Rama: Do t’i rikthejmë identitetin

Kinemaja e Shkodrës do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, për t’u hapur më pas sërish për artdashësit e qytetit veriperëndimor.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, shkruan “Bëhemi gati për transformimin e Kinemasë së Shkodrës për t’i kthyer identitetin, si një hapësirë publike në funksion të qytetarëve të Shkodrës, si një vlerë e trashëgimisë dhe artit”./KultPlus.com

Zahara, ikona e muzikës afrikane ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare

Këngëtarja afrikane e pop-it, fituese e disa çmimeve, e njohur gjerësisht si Zahara, është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare, njoftoi ministri i kulturës i vendit.

Ajo kishte ishte shtruar në spital, pasi kishte pasur komplikime të mëlçisë dhe qeveria kishte ndihmuar familjen “për disa kohë”, tha Ministrja e Sportit, Artit dhe Kulturës Zizi Kodwa.

Këngëtarja fitoi famë në vitin 2011 me albumin e saj Loliwe. Në vitin 2019, Zahara foli për betejën e saj me varësinë ndaj alkoolit. Ajo ndërroi jetë të hënën mbrëma në një spital të Johanesburgut në moshën 35-vjeçare, raporton agjensia shtetërore e lajmeve SABC.

Ndërkohë që familja e saj nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare, fansat janë pikëlluar dhe kanë ndarë kujtime të bukura në rrjetet sociale.

“Zahara dhe kitara e saj kishin një ndikim të jashtëzakonshëm dhe të qëndrueshëm në muzikën e Afrikës së Jugut,” postoi zoti Kodwa në X (ish-Twitter).

“Ajo na la një muzikë kaq të bukur,” postoi një përdorues i X.

Zahara, e cila publikoi pesë albume, fitoi dhjetëra çmime vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 2020, ajo u emërua në listën e 100 grave të BBC-së.

Këngëtarja përdori gjithashtu platformën e saj për të folur për dhunën ndaj grave në Afrikën e Jugut, diçka që ajo zbuloi se i kishte ndodhur asaj.

Në një intervistë vitin e kaluar, Zahara tha se muzika e saj nuk ishte për njohje, por për të sjellë ngushëllim për shpirtrat e thyer që kanë nevojë për shërim. /KultPlus.com

‘Life is Life’, hiti i madh që i këndohet jetës (VIDEO)

KultPlus ju sjell këngën “Life is Life” të kënduar nga Opus, këngë që ka qenë një hit i madh në vitet e 80-ta, shkruan KultPlus.

Më poshtë keni tekstin dhe videon e kësaj kënge.

Na, na, na, na-na)

(Na, na, na, na-na)

All together now

(Na, na, na, na-na)

(Na, na, na, na-na)

Live-

[Chorus]

Live is life (Na, na, na, na-na)

Live is life (Na, na, na, na-na)

Live is life (Na, na, na, na-na)

[Verse 1]

When we all give the power

We all give the best

Every minute of an hour

Don’t think about the rest

Then you all get the power

You all get the best

When everyone gives everything

And every song everybody sings

Then it’s life (Na, na, na, na-na)

[Chorus]

Live is life (Na, na, na, na-na)

Live is life (Na, na, na, na-na)

Live (Na, na, na, na-na)./KultPlus.com

Reportazhi i revistës rumune, “Ziare.Com”: Tirana, kryeqyteti shumëngjyrësh dhe miqësor me turistët

 Dikur një qytet i trishtë dhe gri, si shumica e qyteteve komuniste në Evropën Lindore, Tirana sot është një kryeqytet i vogël, por shumëngjyrësh, shkruan Iulian Anghel në revistën e përditshme rumune “Ziare.Com”.

Ende mbizotëron ajri arkaik i epokës që kaloi tre dekada më parë, por tani ka një nuancë të ngrohtë, të këndshme, të rrethuar nga mirësia dhe entuziazmi i njerëzve.

Tirana është një qytet i lirë, ku mund të hash mirë, me çmime të ulëta dhe ku mund të kalosh një fundjavë pa frikën se mund të mërzitesh.

Tirana është një qytet shumë i sigurt, për më tepër, është edhe miqësor, me njerëz të thjeshtë dhe të ngrohtë, të kënaqur kur shohin rritjen e turizmit të shfaqur në vitet e fundit, në të cilën qeveria dhe sektori privat sigurojnë të ardhura.

Nuk e prisja, por madje pashë disa grupe aziatikësh, kinezësh, japonezësh apo çfarëdo tjetër, nëpër qytet, dëgjova edhe gjermanisht dhe frëngjisht që flitej në rrugë.

Plus italisht, por kjo nuk është përfundimtare, pasi çdo shqiptar që respekton veten ka të paktën një të afërm në Itali dhe nëse nuk ka, sigurisht që e ka bashkëshortja e tij.

Natyrisht, Tirana nuk është Londra, Parisi apo Barcelona, madje as Bukureshti, por ka hijeshinë e një qyteti ballkanik, mjaft të rregullt, me shumë restorante dhe tarraca, një bulevard të gjerë, sipas modelit të Moskës, ku janë valëvitur dhjetëra flamuj të kuq me një shqiponjë të zezë, një shesh i madh qendror, xhami dhe kisha, disa parqe dhe liqene natyrore.

Qyteti i ngjan pak Brasovit, i vendosur mes maleve. Madje, një prej tyre, Dajtin, mund ta ngjitësh edhe me teleferik, nga ku ka një pamje të përgjithshme të qytetit deri në detin Adriatik.

Sigurisht që vera është më e bukur, mund të arrish në 800 metra lartësi dhe në rrugë të ndryshme.

Por, tani është mjaft ftohtë dhe nuk duket koha e duhur për ecje nëpër pyll. Përtej qendrës, peizazhi i Tiranës është i ndërthurur.

Blloqe gri të ndërtuara sipas modelit sovjetik, ku rrobat varen për t’u tharë në telin jashtë banesës, por edhe rrugë të vogla me kalldrëm, sipas modelit turk.

Gjatë qindra viteve kur ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, Shqipëria u quajt zyrtarisht Arnavutluk dhe banorët e saj ishin arnavutlarët (Arnautët).

Shqipëria fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Në vitin 1939 u pushtua nga italianët dhe më 1944 komunistët morën pushtetin.

Në vitin 1991, pas disa vitesh izolimi dhe komunizmi, shqiptarët rifituan pavarësinë e tyre, duke u bërë një vend demokratik.

Shqipëria është një vend i njohur që nga janari 2003 si një vend kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Tirana është një qytet që vuajti shumë gjatë komunizmit, si Shqipëria. Rasti i diktatorit Enver Hoxha është unik në botë.

Ai ndërtoi mbi 200 000 bunkerë (disa thonë deri në 700 000) në të gjithë vendin, duke pasur një fobi ndaj luftës bërthamore dhe pushtuesve.

Në thelb, Hoxha, i cili vdiq në vitin 1985, bëri një bunker për pothuajse çdo familje në Shqipëri. Bunkerët janë kudo, në qytete, fshatra, fusha, pyje.

Shtëpia ku ai jetonte, një kështjellë e vërtetë në kohët e vjetra, tashmë është kthyer në muze.

Nën drejtimin e Hoxhës, një mandat i karakterizuar nga izolimi nga pjesa tjetër e Evropës dhe aderimi i vetëshpallur ndaj parimeve marksiste-leniniste, qeveria shqiptare krijoi një imazh të evolucionit të vendit nga një shtet gjysmë feudal në një shtet të industrializuar.

Në kujtim të Hoxhës, Partia Komuniste e Shqipërisë ngriti Piramidën e Tiranës, një atraksion unik dhe intrigues, i ndërtuar në vitin 1988 si muze për ta festuar atë.

Një statujë ari e diktatorit ishte vendosur sipër strukturës së mermerit dhe betonit, por u hoq pas rënies së komunizmit në 1991.

Sot, piramida shërben si një qendër për kulturën dhe artin.

Bunk’Art 1 (në qendër) dhe Bunk’Art 2 (në periferi) janë dy nga bunkerët e Hoxhës, të cilët janë kthyer në atraksione turistike. Hyrja është 7 euro, online vetëm 3,5 euro.

Vlen të shihet se sa larg kishte shkuar fiksimi i njeriut që udhëhoqi Shqipërinë komuniste. Ai kishte bërë edhe dhomat e dekontaminimit bërthamor.

Kuzhina shqiptare është për gustatorët. Shqiptarët pohojnë se përgatisin mishin e qingjit më të shijshëm dhe specialitetet e tyre janë: byreku (byreku tradicional me djathë ose me mish), tave kosi (pjatë qengji me kos), sufllaqe, qofte.

Birra shqiptare Peja është e mira (1-2 euro), verërat janë më të shtrenjta pasi janë italiane. Në Tiranë sigurisht që nuk vdes nga uria, dhe marrëzia më e madhe është të shkosh drejt ushqimeve të shpejta.

Meqë ra fjala, në të gjithë Shqipërinë nuk ka restorant McDonalds dhe Starbucks, por ka KFC dhe Burger King.

Në përgjithësi, Shqipëria është një oaz i lirë, në një botë gjithnjë e më të shtrenjtë.

Me paratë që shpenzon në Paris për tri ditë, ndoshta mund të mbijetosh në Tiranë për një muaj.

Akomodimi, në një bujtinë në qendër, kushton 13 euro nata, dhomë teke.

Sigurisht që ka vende të shtrenjta, por turizmi masiv nuk praktikohet me pesë yje.

Mjaft pranë sheshit është edhe rruga më e zhurmshme e qytetit. Në vitin 2007, George W. Bush u bë lideri i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë dhe me këtë rast, në nder të tij u emërtua një rrugë kryesore.

Popullsia e vendit dhe e Tiranës është kryesisht myslimane, si trashëgimi shekullore e sundimit osman, por ka edhe ortodoksë shqiptarë (20%) dhe katolikë (10%).

Duke filluar nga viti 1967, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte i vetmi shtet në botë i shpallur zyrtarisht ateist, kishat dhe xhamitë u mbyllën dhe ata që mbanin emra fetarë u detyruan t’i ndryshonin ato.

Shqipëria në atë kohë ishte si Koreja e Veriut sot. Por tani gjërat janë ndryshe. “Feja ime është Shqipëria dhe shqiptarët janë vëllezërit e mi”, është motoja që ndikoi në tolerancën fetare mes grupeve.

Rrallëherë sheh hixhabe apo koka të mbuluara në rrugë.

Aeroporti i Tiranës ka një pamje spektakolare me malet pas pistave.

Monedha vendase është leku shqiptar. Një euro është rreth 100 lekë. Fjala lek është shkurtesë e Aleksandrit të Madh, siç quhet nga shqiptarët ish-mbreti i madh i Maqedonisë së Veriut.

Ka një autobus nga aeroporti në qytet, i cili shkon çdo orë, 24/24.

Udhëtimi është 400 lekë dhe zgjat nga 30 deri në 40 minuta, në varësi të trafikut.

Në kohën e komunizmit, kishte rreth 1 000 makina në të gjithë vendin, shumica prej të cilave i përkisnin partisë.

Nuk ka metro apo tramvaj  por shumë autobusë janë hibridë. Ka edhe shumë taksi, por vendet turistike janë të lidhura në qendër të qytetit, kështu që nuk keni nevojë për transport publik për t’i njohur.

Nënë Tereza është një figurë e rëndësishme në Shqipëri. E lindur më 26 gusht 1910, me emrin Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, ajo themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkutë, Indi në vitin 1950.

Për më shumë se 45 vjet ajo u kujdes për të varfërit, të sëmurët, jetimët dhe ata që po vdisnin, duke udhëhequr zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në të gjithë Indinë, pastaj në vende të tjera. Në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqen.

Më 4 shtator 2016, Kisha Katolike e shpalli shenjtore në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Nënë Tereza është e pranishme pothuajse në të gjitha suveniret shqiptare, që nga kriklat e deri te magnetet, peshqirët, kapelet etj.

Një personazh tjetër është Ahmet Zogu, i quajtur ndryshe edhe Zogu I, i cili ishte kryeministër, president dhe mbret i Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Ai i mbijetoi 55 atentateve që u krijuan gjatë një periudhe dhjetëvjeçare. Më pas Zogu vdiq i qetë në mërgim në Paris.

Shqiptarët janë të apasionuar pas muzikës dhe argëtimit dhe janë krenarë që Rita Ora dhe Dua Lipa kanë origjinë shqiptare.

Në Tiranë ka shumë klube, por edhe pak qendra tregtare. Qyteti ka një qendër të madhe tregtare pikërisht në qendër, me dhjetëra dyqane, disa edhe luksoze.

Çmimet janë të ngjashme me tonat dhe nëse rrogat e shqiptarëve janë pak më të ulëta, oreksi për shopping duket se nuk ndikohet nga kjo.

Megjithatë, shumica e banorëve kanë të afërm jashtë vendit, të cilët i ndihmojnë ata në shtëpi.

Thuhet se në të gjithë botën jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Shqipëri, ku shumica e tyre migrojnë në Itali, Greqi, Turqi, Kanada, Australi dhe SHBA.

Shqipëria ka 2,8 milionë banorë dhe rreth 500 mijë prej tyre jetojnë në Tiranë.

Gjuha shqipe ka mjaft fjalë të përbashkëta me rumanishten dhe një theks të ngjashëm.

Teksti i himnit kombëtar të Shqipërisë, i titulluar “Himni i flamurit”, është shkruar nga arumuni Aleksander Stavri Drenova.

Muzika është “Bashkimi është shkruar në flamurin tonë” dhe është kompozuar nga Ciprian Porumbescu.

Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve nuk duhet të mungojnë në listën e objekteve për t’u vizituar.

Janë vende ku mund të njiheni me trashëgiminë kulturore të një vendi të vogël, por bujar në piketa arsimore.

Gjithashtu, Kalaja e Tiranës, e ndërtuar në vendin e një fortifikimi të vjetër, ka një histori interesante dhe ofron pamje interesante të qytetit dhe maleve të zonës.

Duke qenë në jug të Rumanisë, Tirana ka një mot më të butë, veçanërisht në stinën e ftohtë.

Nuk është shumë ftohtë as në dimër, dhe bie shi më shumë se borë.

Qyteti është në të njëjtën gjerësi gjeografike si Napoli, Madridi ose Stambolli dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovën. /ATSH /KultPlus.com

Zara kërkon falje për keqkuptimin e kampanjës së fundit

Zara ka kërkuar falje për një kampanjë reklamuese që u kritikua për përdorimin e fotove që ngjasojnë me imazhe nga lufta Izrael-Gaza, transmeton KultPlus.

Fushata, e quajtur “Xhaketa”, përmbante një seri imazhesh në të cilat modelja ishte fotografuar në sfondin e gurëve të plasaritur, statujave të dëmtuara dhe kartonit të gipsit të thyer.

Disa në mediat sociale sugjeruan se ato ishin të ngjashme me imazhet që dolën nga Gaza.

Zara tha se fushata prezantoi “një seri imazhesh të skulpturave të papërfunduara në studion e një skulptori dhe u krijua me qëllimin e vetëm për të ekspozuar veshjet e bëra artizanale në një kontekst artistik”.

Ata shprehen keqardhje për keqkuptimin dhe rikonfirmon respektin e saj të thellë ndaj të gjithëve. /KultPlus.com

Zelensky arrin në Kongresin Amerikan, aty varet fati i ndihmës për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Kongresin Amerikan, skenë e negociatave shumë të ashpra mbi fatin e një pakete të re ndihme për Ukrainën.

Institucioni i fuqishëm u pengua javën e kaluar, pas mosmarrëveshjeve mes demokratëve dhe republikanëve

Marrëveshja përfshinte dhënien e një ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Kievin, të kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden. /KultPlus.com

Zbulohen dhoma antike me mozaikë të veçantë pranë Koloseut të Romës

Arkeologët kanë zbuluar disa dhoma të një shtëpie të lashtë romake me mure të dekoruara me mozaik jo shumë larg Koloseut në Romë.

“Ekspertët e Parkut Arkeologjik të qytetit zbuluan dhomat në një vend midis Forumit Romak dhe Kodrës Palatine, një nga shtatë kodrat e Romës”, njoftoi Ministria Italiane e Kulturës.

“Dekorimet e pazakonta të mureve me mozaik të shtëpisë luksoze, e cila ndoshta është ndërtuar në fund të shekullit të II para Krishtit, janë veçanërisht të jashtëzakonshme”, thanë ekspertët.

“Skenat e përshkruara në të ashtuquajturat “mozaikë të thjeshtë” janë veçanërisht mbresëlënëse”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ato përbëhen nga lloje të ndryshme guaskash deti, gurë mozaik, xhama të çmuar, pllaka të vogla mermeri të bardhë dhe gurë të tjerë shumëngjyrësh.

Ato përshkruajnë disa figura të ndryshme në një sekuencë komplekse tablosh, ku përfshihen bori, pjesët e anijeve dhe vazo nga të cilat mbijnë zhardhokët dhe lule zambaku.

Dhomat e shtëpive të qytetit shtrihen në dy kate dhe ndodhen në zonën përreth Horrea Agrippiana, kompleksi më i vjetër monumental që nga periudha e Augustit të Romës së lashtë. /KultPlus.com

Destinacionet më të mira në botë për vitin 2023

Parisi është emëruar edhe një herë si destinacioni më tërheqës në botë, sipas një raporti vjetor nga kompania globale e kërkimit të tregut Euromonitor International.

Indeksi i 100 destinacioneve më të mira për vitin 2023 shqyrtoi qytetet kryesore nga e gjithë bota dhe i renditi ato sipas kritereve, duke përfshirë turizmin, qëndrueshmërinë, performancën ekonomike dhe shëndetin dhe sigurinë.

Evropa mbretëroi supreme, me shtatë nga 10 qytetet më të mira dhe 63 vende në 100 vendet e para. Të vetmet qytete jo-evropiane në top 10-she ishin Dubai në vendin e dytë, Tokio në numrin 4 dhe Nju Jorku në vendin e 8-të.

Madridi doli i treti, ndërsa Amsterdami, Berlini dhe Roma ishin respektivisht në numrin 5, 6 dhe 7. Barcelona dhe më pas Londra përfunduan në top 10. Azia doli mirë në top 20 pasi Singapori (11), Seuli (14), Osaka (16) dhe Hong Kongu (17) hynë të gjithë në listë.

Raporti i atribuon suksesin e Evropës “urbanizimit me ritme të shpejta dhe adoptimit të gjerë të teknologjisë”. Udhëtarët tani duan internet me shpejtësi të lartë, opsione fleksibël rezervimi dhe hapësira për punë në distancë. Euromonitor International tha se: “Përmirësimi i qëndrueshmërisë, rrjeteve të transportit dhe ndikimi social janë disa nga qëllimet kryesore që qytetet po përqafojnë sot për të rritur konkurrencën, për të përmirësuar ofertën e tyre turistike dhe për të ofruar një udhëtim të pandërprerë të klientit.”

Tokio hyri në top 10 për herë të parë, gjë që sipas raportit është për shkak të përmirësimit të infrastrukturës turistike, lehtësimit të rregulloreve të lidhura me Covid-19 dhe Yenit të dobësuar – që u ofron vizitorëve ndërkombëtarë vlerë të madhe për para.

20 qytetet më të mira në Indeksin 100 më të mirë të destinacioneve të qyteteve të Euromonitor 2023 janë:

  • Paris, Francë
  • Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe
  • Madrid, Spanjë
  • Tokio, Japoni
  • Amsterdam, Holandë
  • Berlin, Gjermani
  • Romë, Itali
  • Nju Jork, Shtetet e Bashkuara
  • Barcelona, Spanjë
  • Londër, Mbretëria e Bashkuar
  • Singapor
  • Mynih, Gjermani
  • Milano, Itali
  • Seul, Koreja e Jugut
  • Dublin, Irlandë
  • Osaka, Japoni
  • Hong Kong
  • Vjenë, Austri
  • Los Angeles, United Shtetet
  • Lisbonë, Portugali /KultPlus.com

Margariti: ‘Carmen’ ndezi skenën e TKOB-së

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, i bëri jehonë suksesit të operas “Carmen”, vënë në skenën e TKOB fundjavën që lamë pas.

“Pasionante dhe energjike “Carmen” ndezi skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale.

Për 4 net radhë, Orkestra Simfonike, solistët dhe kori i TKOB-së sollën një “Carmen” shpëthyese të kompozitorit francez Georges Bizet, nën dirigjimin e maestros, Dian Tchobanov, me regji të Giandomenico Vaccari, dhe asistencën e Ada Gurrës.

Dy kaste mjeshtërore artistësh si Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso, Denis Skura, Armando Likaj, Artur Vera, Renisa Laçka, Nina Muho e shumë profesionistë të tjerë mbajtën pezull frymëmarrjen e publikut për 4 net rresht.

Muaji dhjetor nisi në TKOB me dramën e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, duke kapërcyer kufijtë e teatrit tradicional.

Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe e lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që do të tronditin rregullat shoqërore dhe do të çojë në fatin e keq të të dy protagonistëve./atsh/KultPlus.com

‘Mbi ato buzë’ nga Adelina Pali, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Adelina Pali

Nuk di në ç’vetull të qëndroj,
Nuk di ku të të puth më parë.
Shikoj një buzë që flakë lëshon
I tëri një hijeshi e rrallë!
Dhe le të digjem, shkrumb të bëhem
Mbi ato buzë do të qëndroj,
S’dua të mbetesh imazh ëndrre
Të të humbas jo dot s’guxoj…/KultPlus.com

‘Epitafi i ëndrrës’ nga Agim Berisha, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Agim H. Berisha

Në kohën e hiçit
S’prishen ëndrrat e askujt
As varet qielli në gjysmështizë
Ta zëmë
Kur eklipsohet dielli
Shpërfaqen marrëzitë
Miq
Shenjtëria e maleve preket
Sa herë bien në delir perënditë
Tallje me vetveten
Tash e dymijë vjet
S’ia mësuam mashtrimit gjuhën
Në Olimp
Veç qirinj të ndezur
Tym pak dhe errësirë
Parajsa e hiçit
Ç’na përhihej
Në njëmijë e një fytyra
Udha
Pa trokëllimë
Gjumë i ftohtë akull
Shpresa e asgjës
Epitafi i ëndrrës/KultPlus.com

‘Hekubë’ nga Rigel Rizaj, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Rigel Rizaj

Dy bedena vetmitarë në gjinjtë e tu Hekubë, 
si e durojnë vallë aq kuqëlim e trishtëzim? 
Prehet një tiran në gojën time, o shpirt, Hekubë, 
o shpirt! Bedenat, tek të lëngen, më ndjellin rrënim.

Mos është ajo venë e kërcyer në zverkun tënd plot borë 
puthja ime e tejshtriqur asisoj, Hekubë, si njëlloj kumti? 
Të të dashuroj e të më rrënosh Hekubë në tonën plojë 
gjersa unë të bie mbi barkun tënd si kashta e kumtrit… 
…oriri-oriri ia bëjnë kasandrat mbi kryet e tua Hekubë, 
lumit Kokitos të zemrës sime vozit fryma jote oriri-oriri…/KultPlus.com

‘Perspektivë’ nga Laureta Rexha një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Laureta Rexha

U habita kur e pashë papritur
Ajo kishte një buzëqeshje më ndryshe
Një shikim të tretur
Një frikë më pak
Sepse i kishte parë të gjitha tashmë
Ikjen e papritur
Mungesën që nuk mbushej me asgjë
Kërkimin e syve të njohur nëpër turmë
Madje edhe tani pa e ditur përse
E sheh shikimin tim të vrazhdë
Si rend pas saj
Duke mos e kuptuar
Duke mos ditur në çfarë ëndrre të saj
Kisha hyrë pa e ditur
Dhe ashtu humburazi kisha dalë.

U habita kur e pashë papritur
Të nesërmen do ta lija edhe vendin tim
Edhe ëndrrat e mija
Edhe ëndrrat e saj
Ishte një qytet i huaj atë mëngjes
Qyteti i tërë pandalë zbrazej prej nesh
Dhe zbrazej diku në një pikëllim të bardhë…/KultPlus.com