Fjalët e fundit që shkrimtarët e mëdhenj thanë para vdekjes

3 Marsi shënon Ditën Botërore të Shkrimtarëve, shkruan KultPlus.

Shkrimtarë të njohur të botës së letrave, para vdekjes së tyre kanë thënë fjalët e fundit: prekëse, mesazhe, himne, fatkeqësi, zhgënjim… atë çfarë jeta dhe bota e tyre e brendshme shpirtërore ka grumbulluar për t’u shprehur në frymën e fundit.

Gjergj Fishta

Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë” vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista “MAPO” botoi para disa vitesh detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Faik Konica

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhet të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë. Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë.

Fan Noli

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij. Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.

Lasgush Poradeci

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit 1944.

I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalëngadalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat.

Një jetë e vështirë që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”. Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël.

Petro Marko

“Cila do të ishte fjala e fundit kur do të jepja shpirt? Tani mendoj si i gjallë dhe do të dëshiroja të isha i gjallë deri në çastin e fundit kur të thosha: Jetova kohën si një aktor që nuk e shprehu mirë pjesën e caktuar nga regjisori jetë…”, shkruan në një nga shënimet e tij të pabotuara më parë, gjeniu i Brezit të Humbur. Kjo është fjala e fundit që kishte dëshirë të thoshte ai. Një “Hasta la vista” vetëm prej Petro Markoje. E menduar deri në detaj dhe e trishtë, si subjektet e romaneve të tij. Apo ashtu si jeta e tij, që ishte e vetmja vepër e pashprehur mirë. Dhe kjo, jo për faj të tij. Një nga shkrimtarët më të vuajtur gjatë regjimit diktatorial, i mbylli sytë në dhjetor të vitit 1991, atëherë kur sapo po hapeshin perdet e një Shqipërie të lirë.

Teodor Keko

Dhe, në fjalët e fundit Teodor Keko do bënte letërsi. “Në këtë botë nuk ka njerëz të përjetshëm, por kalimtarë. Është e vështirë ta pranosh vdekjen tënde, por ja që ajo është prezente dhe një ditë vjen, dhe atëherë pavdekësinë, pikërisht atë që lakmojmë, na e dhuron nëse e meritojmë ajo vdekje. Filozofi e komplikuar apo jo!”, këto ishin fjalët që shkrimtari njohur kishte thënë pak kohë para se të vdiste.

I lindur më 2 shtator 1958, në një familje të shquar kineastësh, Teodor Keko që i vogël shquhet për humorin e hollë dhe shpirtin e rebeluar, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare boton të parat poezi në gazetën letrare “Drita”, përcjellë me mjaft dashuri nga personaliteti i letrave shqipe Fatmir Gjata. Shkrimtari i njohur është shumë aktiv gjatë lëvizjeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për dy mandate rresht. Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Pas një sëmundjeje të rëndë, Teodor Keko vdes më 20 gusht 2002 nga një sëmundje e rëndë.

Dhimitër Shuteriqi

Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.

Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr. Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.

Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh.

Nonda Bulka

Chri-Chri i mbylli sytë në orën 20:10 të mbrëmjes së datës 14 nëntor të vitit 1972. Prej kohësh ishte i sëmurë prej kancerit. Ai e dinte se ishte nisur në një rrugë pa kthim, por nuk e lëshonte veten. “Do ta mund demonin”, kujton ish-bashkëshortja e tij, Qefseri, fjalët që përmendte shpesh shkrimtari që prej vitesh kishte pushtuar zemrat e njerëzve.

Ai është një ndër shkrimtarët e parë të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal, si dhe denoncimin e politikës imperialiste të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30 e sidomos nga Migjeni.

Megjithatë, sëmundja e rëndë shpeshherë ia ulte moralin. Në një letër dërguar miqve të tij, kur shkon të kurohet në Bukuresht, shkruan: “Të dashur shokë, Sterjo, Zisa, Fate! L’inevitable, l’inexorable, l’ineluctable, l’irreparable… erdhi (e paevitueshmja, e papërthyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja..). Po hyj edhe unë në listën e kandidatëve të 50000-ve që i venë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliardave frymorëve që mbërthen globi”. Me tej, duke e mbyllur letrën, thotë: “P.S.: Në hyrje të spitalit me shkronja të padukshme, po që duken është shkruar ‘Voi ch’entrate,Lasciate ogi speranza’ (Ju që hyni, braktisni çdo shpresë)! Jo Dante, po K… (kanceri)”.

Virginia Woolf

Një prej shkrimtareve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, e cila ka revolucionarizuar letërsinë. Fjalët e fundit: Jam e sigurt se po çmendem sërish. Besoj se nuk mund të kalojmë sërish nëpër ato kohë të tmerrshme. Dhe kësaj radhe nuk do e rimarr veten. Kam nisur të dëgjoj zëra.

Anton Chekhov

Anton Çehov, në shtratin e vdekjes kërkoi morfinë dhe shampanjë. “Ka kaluar shumë kohë qëkur kam pirë shampanjë për herë të fundit”, ishin fjalët e fundit që tha.

Voltaire

“Tani, miku im, nuk është koha e përshtatshme për të bërë armiq”, ishin këto fjalët e fundit të Volterit, thënë priftit që i kërkoi të hiqte dorë nga Satanai.

Franz Kafka

“Më vrit, ndryshe je vrasës”, janë fjalët e fundit të Kafkës që i drejtoheshin mjekut të tij, i cili nuk donte t’i bënte një mbidozë vdekjeprurëse morfine. Kafka vuante nga tuberkulozi dhe nuk mund të fliste ditët e fundit të jetës.

Aldous Huxley

Aldous Huxley, autori i librit të mirënjohur “Më e mira e botëve”, para se të vdiste, i kërkoi së shoqes t’i jepte një dozë LSD – një lloj droge e njohur për efektet psikologjike – në mënyrë që të ikte nga kjo botë në gjendjen mendore që dëshironte vetë.

Johann Wolfgang von Goethe

Fjalët e fundit të Gëtes ishin: “Më shumë dritë”! Natën para se të vdiste, shkrimtari i njohur gjerman kishte diskutuar me nusen e djalit për fenomenin optik.

Jane Austen

Jane Austen, e pyetur nga e motra se çfarë dëshironte pak para fundit, thotë: “Nuk dua asgjë përveçse të vdes”!

James Matthew Barrie

“Nuk mund të fle”! Para se të vdiste, Barrie i dha spitalit të Londrës të drejtat e kryeveprës së tij, “Piter Pan”. Ky spital vazhdon edhe sot e kësaj ditë të përfitojë nga trashëgimia.

Hunter S. Thompson

Hunter S. Thompson, para se të vriste veten shkroi në letër: “Qetësohu, nuk do të dhembë”!

Edgar Allan Poe

“Zot, ndihmoje shpirtin tim të shkretë!”, ishin fjalët e fundit të Edgar Allan Poe. Vdekja e tij ishte e mistershme dhe ende nuk ka të dhëna se çfarë i ndodhi në ditët e fundit të jetës.

Lev Tolstoi

Tolstoi në fund të jetës e braktisi shtëpinë dhe u mundua të jetonte mes njerëzve. Fjalët e fundit para se të ndërronte jetë: “Dua shumë gjëra, i dua të gjithë njerëzit”.

Emily Dickinson

“Duhet të shkoj, mjegulla po shtohet”, ishin fjalët e fundit të saj, që kishte zënë shtratin për shtatë muaj para se të ndërronte jetë.

Eugene O’Neill

“E dija! I lindur në një dhomë hoteli dhe si për dreq po vdes në një dhomë hoteli”. O’Neill vdiq nga pneumonia, pasi kishte vuajtur edhe nga Parkinsoni, çka e kishte bërë të paaftë për të shkruar për vite të tëra./KultPlus.com

13 vjet nga vdekja e piktorit të shquar shqiptar, Sotir Capo

Sotir Capo ka qenë piktor i shquar shqiptar, i cili u nderua me titullin “Artist i merituar”, shkruan KultPlus.

Lindi në qyetin e Beratit në qershor të vitit 1934, ku edhe i mori mësimet e para për të vazhduar studimet në Tiranë pranë Institutit të Lartë të Arteve.

Punoi si skenograf dhe mësues vizatimi, në shkollat tetëvjeçare të Beratit.

Capo është shquar si njëri nga portretistët më të njohur të Shqipërisë. Ai ka punuar portrete të figurave të shquara kombëtare, po ashtu punimet e tij janë zhgjedhur për të qëndruar në hapësirat e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Pikturat e Capos janë vlerësuar nga shumë kritikë brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare.

Në vitin 1979 Capo mori titullin e lartë “Artist i merituar”.

Sotir Capo vdiq në po këtë datë, më 3 mars të vitit 2012 në Filadelfia. /KultPlus.com

3 marsi, Dita Botërore e Shkrimtarëve

3 marsi është shpallur Dita Botërore e Shkrimtarëve dhe festohet çdo vit, që prej vitit 1986.

Dita Botërore e Shkrimtarëve është themeluar nga Kongresi ndërkombëtar i PEN Club, një shoqatë në gjithë botën e shkrimtarëve të themeluar në Londër në vitin 1921, për të promovuar miqësinë dhe mbështetjen intelektuale në mesin e shkrimtarëve nga të gjitha anët e botës. 

Emri për organizimin u krijua nga letra e parë të fjalëve “poetëve, eseistë dhe romancierëve”, por në të vërtetë ajo përfshin shkrimtarë të të gjitha formave të letërsisë, duke përfshirë gazetarët dhe historianët. Ideja për të krijuar organizatë të tillë i takon shkrimtarit anglez C.A. Daëson Scott dhe presidenti i saj i parë ishte John Galsëorthy. Në ditët e sotme PEN Club International ka qendrat e saj në mbi 130 vende.

PEN Club International është organizata më e vjetër globale letrare që thekson rolin e letërsisë në zhvillimin e kulturës botërore, duke luftuar për lirinë e shprehjes. Gjithashtu festohet edhe 23 prilli, Dita Botërore e Shkrimtarëve, Dita Botërore e Poezisë etj. / KultPlus.com

Protesta e Mit’hat Frashërit në Lidhjen e Kombeve, për shqiptarët e trevave të aneksuara

Më 3 mars 1921, Mit’hat Frashëri denoncoi pranë Konferencës së Paqes në Paris keqtrajtimin e shqiptarëve në Greqi dhe në Serbi, përmes një letre që ia dërgoi Konferencës së Paqes në Paris.

Në cilësinë e presidentit të delegacionit shqiptar, Frashëri shprehte gatishmërinë e qeverisë për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej pranimit në Lidhjen e Kombeve. Nga ana tjetër, përcillte keqardhjen për situatën kritike të shqiptarëve në territoret e Greqisë dhe të Serbisë, ku nuk respektoheshin të drejtat e këtij minoriteti.

“Në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar, shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek. Megjithatë, këta deputetë nuk janë caktuar ende, gjë që bie në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Minoriteti i shqiptarëve në Greqi është gjithashtu i privuar nga çfarëdo përfaqësimi”, shpjegonte Mit’hat Frashëri.

Më tej në letër, patrioti informonte Lidhjen e Kombeve se shqiptarët në Serbi ishin subjekt keqtrajtimesh, që shpesh përshkallëzonin deri në fatalitete.

“Padrejtësi të ngjashme ushtrohen edhe nga qeveria serbe, e cila i mohon minoritetit shqiptar privilegjin e njohur të mësimit të gjuhës së tyre amtare, pavarësisht parashikimeve të Traktatit të Saint Germain-it, përmes të cilit mori përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e minoriteteve”, përmbyllte letrën Frashëri.

Traktatit të Saint Germain-it ishte një nga pesë traktatet që dolën nga Konferenca e Paqes së Parisit (1919) pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore./atsh/KultPlus.com

“Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

“Anora”, një film i pavarur i shkruar dhe drejtuar nga Sean Baker, është filmi i cili ka fituar pesë çmime “Oscar”, duke përfshirë edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë të vitit.

Përveç filmit më të mirë, Sean Baker fitoi çmimet për regjisorin më të mirë, skenarin origjinal dhe montazhin, duke barazuar rekordin për numrin më të madh të Oscarëve të fituar nga një individ në një vit të vetëm me Walt Disneyn, i cili kishte fituar për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.

Ceremonia e 97-të e Çmimeve të Akademisë, e organizuar nga Conan O’Brien, u transmetua drejtpërdrejt në ABC dhe Hulu të dielën, më 2 mars, nga Teatri Dolby në Ovation Hollywood në Los Angeles.

Adrien Brody mori trofeun e tij të dytë për aktorin më të mirë, këtë herë për “The Brutalist”,.

Madison fitoi garën kundër Demi Moore, e cila ishte favoritja për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në “The Substance”.

“Unë u rrita në Los Anxhelos, por Hollywoodi gjithmonë më dukej kaq larg”, tha Madison në skenë. “Të jem këtu sot është vërtet e pabesueshme”.

Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj për komunitetin e punëtoreve të seksit, duke thënë “unë do të vazhdoj të jem një aleate”.

“Anora”, e shpërndarë nga kompania e pavarur Neon, ka gjeneruar 40 milionë dollarë në arkat kinematografike globale. “Wicked” ka arkëtuar 728 milionë dollarë.

Adrien Brody fitoi Oscarin e tij të dytë për aktorin më të mirë për rolin e një arkitekti emigranti hebre që ndjek ëndrrën amerikane në “The Brutalist”. Aktori 51-vjeçar nga Nju Jorku kishte fituar më parë për “The Pianist”, kur në moshën 29-vjeçare u bë fituesi më i ri ndonjëherë i këtij çmimi.

“Aktrimi është një profesion shumë i brishtë”, tha Brody. “Nuk ka rëndësi ku ndodhesh në karrierën tënde, gjithçka mund të zhduket. Mendoj se kjo e bën këtë moment edhe më të veçantë”.

Zoe Saldana u shpall aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e saj si ndërmjetësja e një bosi të drogës meksikan në “Emilia Perez”, një film në gjuhën spanjolle i shpërndarë nga Netflix.

Filmi, i cili fitoi gjithashtu çmimin për këngën më të mirë origjinale me “El Mal”, ishte një nga favoritët për filmin më të mirë në fillim të vitit. Por, shanset e tij u zvogëluan kur dolën në dritë postime të papërshtatshme në rrjete sociale nga aktorja kryesore, Karla Sofia Gascon.

Kieran Culkin mori çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e njërit prej dy kushërinjve që udhëtojnë në Poloni për të studiuar rrënjët e familjes së tyre në filmin “A Real Pain”.

Culkin falënderoi bashkëshorten e tij dhe nënën e dy fëmijëve të tij, Jazz Charton, dhe tha se së fundmi i kishte thënë asaj se dëshironte gjithsej katër fëmijë. Charton kishte bërë shaka duke i thënë se do të pranonte nëse ai fitonte një Oscar.

“Le të fillojmë punën për ata fëmijë!”, tha Culkin nga skena, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij.

Fituesit e statujave të arta të Oscarit zgjidhen nga rreth 11.000 aktorë, producentë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të industrisë që përbëjnë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

“No Other Land”, një film mbi zhvendosjen e një komuniteti palestinez nga Izraeli, fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë dokumentar. Regjisorët e tij apeluan ndaj botës për t’i dhënë fund konfliktit, duke akuzuar SHBA-në për bllokimin e një zgjidhjeje.

Bashkëregjisorët e filmit, aktivisti palestinez Basel Adra dhe gazetari izraelit Yuval Abraham, kaluan pesë vjet duke e realizuar këtë dokumentar, që tregon ushtarët izraelitë duke shkatërruar shtëpi dhe duke dëbuar banorët për të krijuar një zonë stërvitjeje ushtarake, si dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në komunitetin palestinez.

Dokumentari nxjerr në pah realitetet paralele në të cilat jetojnë dy miqtë – Abraham me targat e tij të verdha izraelite që ia lejojnë të udhëtojë kudo, ndërsa Adra mbetet i izoluar në një territor që vetëm sa tkurret për palestinezët.

“’No Other Land’ pasqyron realitetin e ashpër që kemi duruar për dekada dhe të cilit ende i rezistojmë, teksa u bëjmë thirrje vendeve të botës të marrin masa serioze për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe spastrimit etnik të popullit palestinez”, tha Adra kur mori çmimin në skenë.

Duke qëndruar pranë bashkëregjisorit të tij, Abraham shtoi: “Ne e realizuam këtë film, palestinezë dhe izraelitë bashkë, sepse zërat tanë janë më të fortë kur jemi së bashku. Ne e shohim njëri-tjetrin, shkatërrimin e tmerrshëm të Gazës dhe popullit të saj, që duhet të ndalet, pengjet izraelite të marra brutalisht në krimin e 7 tetorit, të cilat duhet të lirohen.

“Kur e shoh Baselin, shoh vëllain tim, por ne nuk jemi të barabartë. Ne jetojmë në një regjim ku unë jam i lirë nën ligjin civil, ndërsa Basel është nën ligjin ushtarak që ia shkatërron jetën dhe ai nuk ka kontroll mbi të”, tha Abraham.

“Ka një rrugë tjetër. Një zgjidhje politike pa supremaci etnike, me të drejta kombëtare për të dy popujt tanë. Dhe duhet ta them sa jam këtu, politika e jashtme e këtij vendi po ndihmon në bllokimin e kësaj rruge”, shtoi ai.

Thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar që palestinezët të emigrojnë nga Gaza, përfshirë në Egjipt dhe Jordani, është dënuar gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si destabilizuese.

Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, e quajti fitoren e filmit një “moment të trishtë për kinemanë”, pasi, sipas tij, ai paraqet një pamje të shtrembëruar të Izraelit, që ende po përjeton pasojat e sulmit të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

“Liria e shprehjes është një vlerë e rëndësishme, por përdorimi i shpifjeve ndaj Izraelit si një mjet promovimi ndërkombëtar e dëmton shtetin e Izraelit, dhe pas masakrës së 7 tetorit dhe luftës së vazhdueshme, kjo është dyfish më e dhimbshme”, shkroi Zohar në X.

Pavarësisht se ka fituar çmime të rëndësishme në Evropë dhe SHBA, filmi ende nuk ka arritur një marrëveshje për shpërndarje në kinematë amerikane, tha Abraham për Deadline muajin e kaluar.

I pyetur pse mendon se shpërndarësit amerikanë nuk e kanë marrë filmin, Abraham u përgjigj: “Besoj se është e qartë që arsyeja është politike. Shpresoj që kjo të ndryshojë.” Ai tha se vendosën të mos prisnin një publikim tradicional në kinema dhe e shfaqën atë në gati 100 kinema në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, çmimi për filmin më të mirë të animuar shkoi për filmin e pavarur “Flow”, filmi i parë nga Letonia që fiton një Oscar. Filmi brazilian “I’m Still Here” fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.

Të nominuarat, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo, hapën ceremoninë e Oscarit me një disa performanca muzikore me tematikën e “Wizard of Oz”, përfshirë këngën “Defying Gravity” nga filmi “Wicked”./KultPlus.com

Restaurohet ikona “Shën Maria” në Lubonjë të Korçës

Pas një pune të gjatë nga kuratorët profesionist, ka përfunduar ndërhyrja restauruese e ikonës “Shën Maria” në Lubonjë të Korçës.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, teksa ndau foto të vepres para dhe pas restaurimit.

Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e saj të dikurshëm. Ikona “Shën Maria”, e krijuar në vitin 1814, është një testament i artit të asaj periudhe.

Gjatë procesit, restauratorët përdorën teknika moderne për të restauruar detajet e imazhit, duke ruajtur gjithashtu materialet origjinale dhe karakteristikat që e bëjnë këtë ikonë të veçantë.

“Me përfundimin e restaurimit, ky objekt do të vazhdojë të jetë një pikë referimi për besimtarët dhe vizitorët që duan të njohin më shumë për kulturën dhe historinë e kësaj zone të rëndësishme”, u shpreh Filo./atsh/KultPlus.com

Spiropali: Mesazhi dhe mësimet e Besëlidhjes së Lezhës, aktuale edhe sot

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka përcjellë sot mesazh me rastin e Kuvendit të Lezhës.

“Themelimi i Kuvendit të Lezhës mbajtur në 2 mars 1444, i njohur edhe si Besëlidhja e Lezhës, është një nga ngjarjet historike kryesore të zanafillës së shtetit shqiptar. Nën udhëheqjen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ajo hodhi themelet e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj”, shprehet Spiropali.

Sipas Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, “bashkimi politik dhe ushtarak i shqiptarëve përballë rrezikut osman shërbeu si një mesazh i fuqishëm dhe domethënës për të fituar mbështetjen dhe përkrahjen e Papatit dhe Europës”.

“Mesazhi dhe mësimet e Besëlidhjes së Lezhës janë aktuale edhe sot, kur Shqipëria është vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt Bashkimit Europian, një protagoniste e bashkëpunimit rajonal dhe e udhëheqjes së faktorit shqiptar në rajon, drejt familjes europiane, me të cilën na bashkojnë rrënjët, identiteti dhe e ardhmja”, pohon Spiropali./atsh/ KultPlus.com

Oscars 2025 – kush do të fitojë sonte?

Sonte në qendër të vëmendjes së industrisë së filmit është ceremonia magjepsëse e 97-të e ndarjes së çmimeve Oscar.

Nga 10 të nominuarit për filmin më të mirë, duket se Anora, Conclave ose The Brutalist mund të fitojnë, megjithëse çmimet Oscar janë të njohur për surpriza.

Prezantuesi i këtij viti të mbrëmjes glamuroze do të jetë fituesi i çmimit Emmy, Conan O’Brien. Komediani do të marrë rolin specifik, duke zëvendësuar Jimmy Kimmel.

Emilia Perez kryeson çmimet me 13 nominime, me Wicked gjithashtu ndër pretendentët kryesorë.

‘Lule t’bukura ka Tirona’ nga Merita Halili (VIDEO)

Merita Halili është një nga këngëtaret më të njohura shqiptare dhe konsiderohet mbretëreshë e muzikës së Shqipërisë së Mesme, shkruan KultPlus.

Ajo lindi më 5 Prill 1966, në Tiranë dhe u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes Tiranës.

Debutimin e parë si artiste në tërë vendin e pati në vitin 1983, në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës.

Nga repertori i saj i gjerë, sonte, KultPlus ka përzgjedhur këngën “Lule t’bukura ka Tirona”:

‘Blue Ghost’ zbret në Hënë

Një kompani hapësinore amerikane ka zbritur një automjet hënor në Hënë, duke u bërë kompania e dytë private që e bën këtë.

Një transmetim i drejtpërdrejtë tregoi anijen kozmike ”Blue Ghost”, i ndërtuar nga kompania ”Firefly Aerospace” duke prekur sot Hënën.

Ai u nis nga Kepi Canaveral në Florida në janar me një raketë ”Falcon 9” nga ”SpaceX”, e cila është në pronësi të miliarderit të teknologjisë Elon Musk.

Ai u ul në Mare Crisium, një fushë me diametër prej rreth 500 kilometrash.

”Blue Ghost”, rreth dy metra e lartë dhe tre e gjerë, do të kalojë dy javë duke kryer eksperimente me instrumente shkencore.

Ai do të shpojë në sipërfaqen e Hënës për të marrë mostra dhe gjithashtu do të bëjë fotografi të Diellit që perëndon.

Më pas, misioni do të sigurojë të dhëna se si shkëmbinjtë e Hënës reagojnë ndaj ndikimit të Diellit në muzg.

Ulja e parë komerciale në Hënë erdhi në shkurt 2024, me ”Nova-C” nga kompania amerikane ”Intuitive Machines”.

Të dy, ”Nova-C” dhe ”Blue Ghost” janë pjesë e programit të NASA-s për shërbimet komerciale ”Lunar Payload” (CLPS).

Agjencia hapësinore amerikane po synon të mbledhë njohuri përpara kthimit të saj të planifikuar në Hënë, më shumë se 50 vjet pasi misioni i saj i fundit me njerëz – ”Apollo 17” – u ul në dhjetor 1972.

SHBA është i vetmi vend që ka dërguar astronautë në Hënë, me 12 të tillë, që udhëtuan atje midis viteve 1969 dhe 1972 si pjesë e misioneve ”Apollo”.

Kina tani po konkurron me SHBA-në dhe synon të zbarkojë njerëz në Hënë deri në vitin 2030.

Tashmë ajo ka zbritur me sukses në Hënë me misione pa pilot, ashtu si SHBA, Rusia, Japonia dhe India./ atsh/ KultPlus.com

‘Kufiri’, drama mbi dëshpërimin dhe shpresën në mes të askundit

Flonja Haxhaj

Në teatrin ‘Oda’ në Prishtinë, po vazhdon të jepet shfaqja ‘Kufiri’, shfaqje kjo e cila sjell një rrëfim të fuqishëm mbi sfidat, ëndrrat dhe sakrificat e atyre që kërkojnë një jetë më të mirë përtej vijave të ndarjes gjeografike dhe politike. Me regji të Sovran Nrecaj dhe tekst të autores Ana Ristoska Trepenoska, kjo shfaqje synon të zgjojë ndjeshmëri dhe reflektim tek publiku për një ngjarje që është përherë aktuale, shkruan KultPlus.

Në qendër të skenës qëndron i shtrirë një djalë 12-vjeçar, një simbol i ëndrrës evropiane dhe realitetit të vështirë të migrimit, imazh ky nga i cili fillon e gjithë drama e kësaj shfaqje. Përmes një ndërtimi narrativ që i ngjason rrëfimit dokumentar, megjithatë shpeshherë shfaqja ofron një përvojë, ku kufijtë mes reales dhe imagjinares bëhen të paqartë.

‘Kufiri’ afron publikun në kaosin që ndodhë në vendin e ashtuquajtur ‘Ne mesin e askundi’, aty ku përcaktohet fati i gjithsecilit që merr rrugën e migrimit nëpërmjet rrugëve ilegale. Shfaqja ofron botë e karaktere të ndryshme, e që i lidh vetëm një linjë, ajo për të kaluar kufirin. Shpeshherë këto rrugë merren pa dëshirë, siç shpjegohet në këtë shfaqje, fati i këtij 12-vjeçari që humb jetën teksa po kalonte lumin së bashku me familjen e tij.

Nëpërmjet simboleve në dukje të çuditshme por në thelb të arsyeshme, si udhëtimi 10 mijë kilometra i ngjalave apo shtegtimi i lejlekëve drejt vendeve të ngrohta, shfaqja i jep dimension artistik arsyjes së largimit të njerëzve. Megjithatë, lisi mbetet i palëvizshëm, duke personifikuar ata që mbeten, ata që hedhin rrënjë dhe zgjedhin të mos largohen.

Pesë aktorët transformohen vazhdimisht, duke luajtur role të ndryshme – nga emigrantët e dëshpëruar te policët kufitarë, trafikantë, reporterë, e gjitha kjo në përpjekje për të pasqyruar kompleksitetin e fenomenit të migracionit.

Shfaqja në tërësi prek barrën e rëndë të migrimit në të gjithë botën duke vënë hera herës edhe statistika të dhimbshme për përfundimet fatale të shumë prej atyre që kërkonin për një botë me të mirë në një vend të huaj. Megjithatë për publikun vendas, duket sikur kjo shfaqje i është dedikuar pikërisht atyre, sepse fenomeni i migrimit, si shkak i rrethanave politike e ekonomike, ka qenë gjithmonë i shfaqur për kosovarët.

Në një strukturë që sfidon perceptimet e publikut, “Kufiri” zbërthen jo vetëm dramën e atyre që largohen, por edhe politikën, moralin dhe ndikimet sociale të një bote të ndarë nga barrierat fizike dhe ideologjike.

Regjisori i shfaqjes, Sovran Nrecaj, tha për KultPlus se kjo shfaqje ka për qëllim që zërin e atyre që kanë migruar apo duan të migrojnë ta paraqesin përpara publikut.

“Përmes shfaqjes kufiri, kemi tentuar që të eksplorojmë më shumë mbi temën e migracionit, zhvendosjes dhe përkatësisë. Nëpërmjet kësaj shfaqje kemi tentuar që njerëzit që kanë migruar ose dëshirojnë të migrojnë në të ardhmen dhe të cilët kanë qenë pjesë e valës së migracionit nga Kosova dhe nga Ballkani në përgjithësi t’i nxjerrim nga statistikat dhe zërin e tyre ta paraqesim në skenë, pra të mos jenë ata vetëm numra ose ‘edhe një tjetër’, por historia e tyre të vijë plotësisht te audienca, ky ka qenë qëllimi kryesor. Po ashtu kemi tentuar që këto rrëfime njerëzish t’i ballafaqojmë në të njëjtën kohë edhe me politikat e ashpra, kryesisht nga perëndimi, të cilët i kanë shtyrë këta njerëz që ta marrin këto rrugë ilegale”, theksoi Nrecaj për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se në shfaqjen ‘Kufiri’ luajnë aktorët: Shpetim Selmani, Verona Koxha, Kosovare Krasniqi, Blend Sadiku dhe Leart Nrecaj./KultPlus.com

‘Dy kokat e shqiponjës në të zezë përfaqësojnë kombësinë dhe gjakun në një sfond të kuq’— Mbreti Leka I mendon se një ditë do të kthehen në Shqipëri nga Afrika e Jugut

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Mars 2025

Die Transvaler” ka botuar, të mërkurën e 16 janarit 1985, në faqen n°11, intervistën ekskluzive asokohe me mbretin Leka I në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Jo të gjithë mbretërit mbajnë skeptrin e një froni paqësor. Për disa, si princi në ekzil i Shqipërisë, Mbreti Leka I, kjo nënkupton orë të tëra pune në zyrë dhe kërkim ndihme derë më derë për të siguruar mirëqenien e nënshtetasve të tij. Në një intervistë me DIE TRANSVALER, ai hodhi dritë mbi detyrat e vërteta të një mbreti, të cilat janë shumë larg idesë së përrallës me të cilën rritemi.

Mbretëria e Lekës I është vepra e një jete

Ai mendon se do të kthehen një ditë

Ans Oosthuizen

Pretoria — Një mbret nën një kurorë dhe një kështjellë, i cili pëlqen ëmbëlsira të mëdha dhe qull misri me mishin e pjekur në barbëky, është shumë larg idesë romantike të një njeriu që mban këtë pozicion.

Për mbretin shqiptar në ekzil, Leka I, i cili shijon ëmbëlsirat me miqtë e tij afrikano-jugore, mbretërimi i tij është mbi të gjitha vepër e jetës së tij. Ai ndërhyn dhe punon që një ditë të kthehet sërish në vendin e tij për të përmbushur detyrën që i takon.

Nëse nuk do të besoja në të, nuk do ta kisha bërë të gjithë punën.” — tha mbreti, duke kaluar krahun mbi tavolinën e tij të zënë. “Unë jam edukuar dhe trajnuar për një detyrë në jetë dhe prandaj duhet ta kryej atë.

Në të njëjtën mënyrë do të rritet edhe princi i kurorës, i cili do të mbushë tre vjeç në mars të këtij viti. “Ne po mundohemi ta rrisim atë si një shqiptar, i cili është krejtësisht i ndryshëm nga shumica e evropianëve.” — tha Mbreti Leka.

Mbreti Leka ishte dy ditësh kur babai i tij, Mbreti Zog, duhej të largohej me familjen e tij nga shteti ballkanik i Shqipërisë. Kanë qenë gjashtë muaj para Luftës së Dytë Botërore, menjëherë pasi Italia pushtoi Shqipërinë.

17 vjet përpara se ai dhe gruaja e tij me origjinë australiane, Susan, duhej të transferoheshin në Zimbabve në prill 1980, Mbreti Leka mbeti në Spanjë, në janar 1979 qeveria spanjolle, nën presionin e katër qeverive të tjera, tha se duhej të largoheshin nga Spanja. Zimbabwe ishte vendi i parë ku ata mundën të vendoseshin.

Pas 15 muajsh, çifti mbretëror vendosi të vinte në Afrikën e Jugut “Afrika e Jugut është një nga vendet e pakta në botë që kupton se çfarë do të thotë lufta kundër komunizmit.” — tha Mbreti Leka.

Ne synojmë të largohemi nga Afrika e Jugut gjatë këtij viti. Do të doja të shkoja në shtëpi (Shqipëri), por në këtë fazë nuk jemi ende të sigurt se ku do të jetë vendbanimi ynë i ardhshëm.” — thotë ai.

Mbreti në ekzil i Shqipërisë pas tryezës (zyrës) së tij. Prej këtu ai udhëheq nënshtetasit e tij, të cilët janë të shpërndarë në mbarë botën. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11
Mbreti në ekzil i Shqipërisë pas tryezës (zyrës) së tij. Prej këtu ai udhëheq nënshtetasit e tij, të cilët janë të shpërndarë në mbarë botën. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11

Plani i tij është të qëndrojë më afër Evropës. Afrika e Jugut është mjaft e izoluar për një njeri që udhëton deri në gjashtë muaj në vit dhe duhet të bëjë vizita të shpeshta jashtë vendit.

Megjithatë, mikpritja e Afrikës së Jugut do të mbetet gjithmonë me të dhe ai është mirënjohës për këtë, tha Mbreti Leka.

Ideja për të udhëtuar nuk është më emocionuese për të. Në çdo rast, ai nuk sheh shumë nga qytetet e mëdha botërore si Nju Jorku dhe Parisi që viziton në misionet e tij politike. Zakonisht ecën nga dera në derë dhe troket, thotë Mbreti Leka.

Por si duket “shtëpia” në të cilën dëshiron të kthehet njeriu, shkolla e të cilit ishte bota dhe që flet rrjedhshëm tetë gjuhë ?

Shqipëria është një vend malor, mjaft i izoluar, ku popullsia jeton ende si në shekullin e 18-të. “Është mjedisi në të cilin ata ndihen si në shtëpinë e tyre dhe që i bën ata të lumtur.” — tha Mbreti Leka. “Nëse nuk e kupton situatën, është jashtëzakonisht e vështirë ta kuptosh atë.

Flamuri shqiptar është kuqezi. Dy kokat e shqiponjës në të zezë përfaqësojnë kombësinë dhe gjakun në një sfond të kuq. Dy kokat, njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi, me sa duket tregojnë natyrën dualiste të shqiptarëve.

Shqiptarët jetojnë jo vetëm në shtetin e tyre ballkanik në detin Mesdhe, por edhe në Kosovë, në disa pjesë të Belgjikës, Gjermanisë Perëndimore, Zvicrës, Turqisë, Amerikës, Kanadasë, Australisë e gjetkë.

Rreth 3 milionë shqiptarë jetojnë në vetë Shqipërinë, 2 miljon në Kosovë, në Jugosllavi ku ka pasur kryengritje sporadike që nga viti 1981, rreth 250.000 në Amerikë dhe 50.000 shqiptarë në Australi.

Edhe pse u takua me gruan e tij në Australi gjatë një vizite shtetërore atje, ajo nuk është shqiptare, por gjysmë franceze-irlandeze, shpjegon Mbreti Leka. Ndërsa jetonte në Spanjë, ajo jetonte me disa miq ku u njohën më mirë me njëri-tjetrin.

Detyrat dhe udhëtimet e tij profesionale konsistojnë kryesisht në mbajtjen e kontakteve me komunitetet shqiptare në mbarë botën. “Ne jemi të shqetësuar për të ardhmen e vendit tonë dhe jemi në kontakt edhe me vetë Shqipërinë. Vitin e kaluar kam bërë një udhëtim në Amerikën e Jugut dhe Evropë me vizita shtetërore. Këtë vit do të vijojnë të tjera.” — thotë Mbreti Leka.

Problemi kryesor në Shqipëri mbetet politik. Këtë vit, ai synon të krijojë kontakte edhe në Lindjen e Mesme dhe të shohë nëse problemet mund të zgjidhen gjatë rrugës.

Mbreti Leka I me princin e kurorës. Qeni me ta quhet Fluska, që në shqip do të thotë flluskë. Dy qentë e tjerë të mbretit janë Rakia, i quajtur sipas pijes tradicionale shqiptare, dhe Vodka. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11
Mbreti Leka I me princin e kurorës. Qeni me ta quhet Fluska, që në shqip do të thotë flluskë. Dy qentë e tjerë të mbretit janë Rakia, i quajtur sipas pijes tradicionale shqiptare, dhe Vodka. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11

Mbreti Leka mund të mos shohë të rikthehet mbretëria në Shqipëri për së gjalli, por është djali i tij i quajtur Leka Anwar (i quajtur sipas të ndjerit Sadat) Zog Reza (i Iranit) Baudoin i cili një ditë mund të sundojë si mbret.

Në këtë fazë, mbreti në ekzil nuk dëshiron të flasë shumë për këtë./ KultPlus.com

Në 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, zbulohet shtatorja e re e Skënderbeut

Me rastin e Besëlidhjes së Lezhës sot është zbuluar shtatorja e re e Gjergj Kastriotit Skënderbeu përballë vendvarrimit të tij në Lezhë.

Sot festohet momenti historik ku shqiptarët para 581 viteve ranë në një mendje. Të pranishëm në ceremoni ishin presidentja Vjosa Osmani dhe Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

“Sot pas më shumë se 5 shekujsh, historia na mëson se uniteti kombëtar nuk është thjesht një koncept i së kaluarës, por një domosdomshmëri për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ashtu si në vitin 1944, edhe sot na nevojitet një qasje e përbashkët, një vizion afatgjatë dhe një vullnet i palëkundur për ta forcuar rolin e shqiptarëve në rajon dhe në botë”, tha Osmani, shkruan euronews.al.

“Le të na shërbejë edhe Lezha edhe Kruja. Kruja për rezistencë, Lezha për bashkim dhe unitet dhe për diplomaci. Skënderbeu nuk ka qenë vetëm i shpatës por dhe i politikës, i diplomacisë nga më të avancuarit e kohës”, shtoi Ahmeti nga ana tjetër.

Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë.

Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.

Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Zbulohen rrënojat e një kulle rrethore në fshatin Rreja e Velës në Rubik

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një verifikim në terren në fshatin Rreja e Velës, pas një njoftimi për gjetje rastësore nga një banor i zonës.

Në majën e një kodre u identifikuan rrënojat e një fortifikimi, me pllaja të vogla të rrethuara nga shpate të thikta në lindje, jug dhe veri, ndërsa ana perëndimore ka një terren më të butë.

Vendgjetja ndodhet në Kodra e Qytezës, 10 km larg Rubikut, në një lartësi prej 475 m.

Në veriperëndim të fortifikimit ndodhen rrënojat e një kulle rrethore, ndërsa në jugperëndim vërehet një linjë muri i rrënuar.

Fortifikimi mendohet të ketë pasur funksion mbrojtës ose shërbente si pikë vëzhgimi për kontrollin e territorit.

IKTK do të vijojë proceset e dokumentimit, studimit dhe konservimit të këtij fortifikimi në fazat e ardhshme. Gjithashtu, do të realizohet një vëzhgim sipërfaqësor arkeologjik për të kuptuar lidhjet e fortifikimit me territorin përreth./Euronews.al/ KultPlus.com

Papa Françesku bën thirrje për paqe në botë

Papa Françesku, duke shkruar lutjen e tij të së dielës nga shtrati i tij në spital, ndërsa po luftonte me pneumoni të dyfishtë të rëndë, bëri thirrje për paqe në botë, duke thënë se “lufta duket edhe më absurde”.

Fjalimi u shpërnda vetëm me shkrim, për shkak të sëmundjes së Papës.

Udhëheqësi shpirtëror i 1,4 miliardë katolikëve të botës përmendi veçanërisht Ukrainën, Territoret Palestineze, Izraelin, Libanin, Mianmarin, Sudanin dhe Kivunë, në Republikën Demokratike Lindore të Kongos, kur kërkoi lutje për rajonet e shkatërruara nga lufta.

88-vjeçari ndodhet në spitalin ”Gemelli” që nga mesi i shkurtit.

Sëmundja e papa Françeskut e pengoi përsëri të kryejë lutjet e së dielës në sheshin e Shën Pjetrit – hera e parë në mandatin e tij 12-vjeçar që ai i ka humbur ato për të tretën javë radhazi.

Nga spitali, ai shprehu mirënjohjen e tij me shkrim për lutjet dhe urimet për shërimin e tij nga e gjithë bota./ atsh/ KultPlus.com

Publikohet llogoja dhe agjenda për Epopenë e UÇK-së

Sot është publikuar llogoja dhe agjenda e manifestimit Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që zhvillohet nga data 5 e deri më 7 mars.

Aktivitetet nisin nga dita e mërkurë.

Do të nisë me mbajtjen e orës së parë mësimore në të gjitha shkollat e vendit kushtuar Epopesë së UÇK-së, ndërsa mbyllet me Natën e Zjarreve në Prekaz dhe një program artistik në shehin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Agjenda e plotë:

E mërkurë, 5 mars

08:00 Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së

10:00 Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës

10:00 Seanca solemne nga Kuvendet e Komunave të Republikës së Kosovës Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë

14:00 Turne në Futsall, palestra “Ilaz Kodra” në Skënderaj

14:30 Turne në Volejboll në Skënderaj.

E enjte, 6 mars

10:00 Krerët e shtetit homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

10:00 Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve;

12:00 Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

19:00 Akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së në Prishtinë.

E premte, 7 mars

19:00 Ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Republikës së Kosovës;

19:00 Nata e zjarreve në Prekaz;

19:30 Programi artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.

89 vite nga lindja e shkrimtarit Skënder Hasko

Skënder Hasko (Dukat, 2 mars 1936 – Tiranë, 4 shkurt 2013) ka qenë shkrimtar shqiptar.

Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në Tragjas të Vlorës, pastaj Liceun Artistik “Jordan Misja” për aktor. Ka punuar mësues në fshatin e lindjes, mekanik në Kuçovë dhe aktor në estradën profesioniste të Beratit. Pasi mbaroi Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dhe u diplomua për gazetari, punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, pastaj shef i redaksisë së botimeve “Teatër-Estradë” në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, më vonë kryeredaktor në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe, së fundi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, deri sa doli në pension. Ka filluar të krijojë qysh në shkollën 7-vjeçare.

Skënder Hasko ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare, por ai spikat veçanërisht në krijimtarinë për fëmijë. Këtu, pra, pa lënë mënjanë edhe atë për të rritur.

Ka botuar 6 romane (2 për të rritur e 4 për fëmijë), 9 novela (ndër të cilat 4 janë novela-përralla), 6 vëllime me poezi (dy prej tyre për të rritur), 7 vëllime me tregime ( 2 për të rritur), 1 vëllim me përralla të shkurtëra, 2 poema, 6 pjesë për teatrin e kukullave, 13 drama e radiodrama (1 për të rritur), si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë.

Pra, e gjithë krijimtaria e tij, deri tani, përmbledh 52 vepra të gjinive të ndryshme. Romani “Një “gjeneral” kapet rob” është bërë edhe film me të njëjtin titull dhe është nderuar me diplomë në Festivalin e filmit, në Salerno të Italisë.

Ndër veprat e vlerësuara me çmime mund të përmendim: “Një “gjeneral” kapet rob”, “Qeshin kafshët shtëpiake”, “Dinakja me vesh të grisur”, “Ata që të bëjnë për të qeshur”, “Çudirat dhe e fshehta e Zamirit” (me dy çmime).

Novela-përrallë “Mbreti i tigrave” është nderuar me çmimin “La Fonten” nga ambasada franceze. Romani “Të burgosurat e Xhuxhumit” me çmimin “Xhani Rodari” nga ambasada italiane. (Një kopje e diplomës së këtij çmimi është në muzeun e Xhani Rodarit në Itali).

Novela-përrallë “Arushi hundëkavanoz” është nderuar me çmimin “Viktor Eftimiu” nga ambasada rumune. Romani “Arratisja e Tupe Xhelos” është nderuar me çmimin “Tasim Gjokutaj” nga Shtëpia Botuese TOENA dhe Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Romani “6 muaj nga jeta e Besianit” në Panairin e 8-të të librit 2005, u nderua me çmimin “Libri më i mirë për fëmijë i vitit 2005”. Nga veprat për të rritur mund të përmendim: “Legjenda e fshatit tim-Dervish Ali Dukati” (roman), “Dardanët janë aty” (roman), “Vaje halli, këngë malli” (poezi), “Në do nuse, gjej taksi” dhe “Byrekët e Shegës” (tregime humoristike e satirike), “Vendi nuk mbetet bosh” (dramë), “Ah!…” (poezi)

Për krijimtarinë e tij jepen leksione të veçanta në universitetet “Aleksandër Xhuvani”-Elbasan; “Eqerem Çabej”-Gjirokastër dhe “Ismail Qemali”-Vlorë. Është i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me dy Urdhëra “Naim Frashëri”. / KultPlus.com

10 mijë turistë në dy muajt e parë të vitit në Gjirokastër

Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke tërhequr çdo vit një numër në rritje të turistëve, ku pjesa më e madhe janë të huaj.

Edhe pse jemi në stinën e dimrit, rrugët e kalldrëmta, kalaja, monumentet e tjera të kulturës dhe rrethinat e qytetit, janë të mbushura me vizitorë.

Kryetari bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha për ATSH-në se “qyteti i Gjirokastrës dhe rrethinat kanë mirëpritur vizitorë gjatë stinës së dimrit ndërsa janë regjistruar 10 mijë turistë. Tashmë në Gjirokastër kemi një zhvillim të turizmit të qëndrueshëm dhe vizitueshmëria shtrihet përgjatë gjithë vitit”.

“Ndërkohë që muzetë e qytetit si ai Etnografik, “Kadare”, “Tuneli” dhe muzeu në “Kala” u vizituan nga 10 mijë vizitorë gjatë muajve janar dhe shkurt”, tha Golemi.

Golemi u shpreh se “fluksi gjithnjë e në rritje i vizitorëve në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, po angazhon edhe më shumë strukturat lokale për të pasuruar akoma më shumë guidën turistike, duke e bërë Gjirokastrën një nga pikat kryesore të turizmit në vend”.

Gjithashtu, tha Golemi, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm po ndikon pozitivisht në ekonominë lokale jo vetëm në bizneset me profil turistik, por në tërësi në aktivitetin ekonomik të rajonit jugor.

Bashkia e Gjirokastrës përveç një numri të madh aktivitetesh po përgatitet për sezonin veror.

“Po përgatisim fletëpalosje për të informuar vizitorët që vijnë në qytet, në të cilat pasqyrohen hartat, pikat turistike, të cilat duhet të vizitojnë, për të lehtësuar lëvizjen e tyre nëpër qytet”, tha Golemi.

Ndër destinacionet më të preferuara për vizitorët në Gjirokastër janë pazari karakteristik, banesat e ndryshme karakteristike dhe muzetë e qytetit, të cilët vazhdojnë të ngelen më të veçantët për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja.

Përgjatë vitit 2024, Gjirokastra u vizitua nga mbi 700 mijë turistë vendas dhe të huaj,  duke u cilësuar si një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor. / KultPlus.com

Rrëfimi i Al Pacinos: Unë, Coppola, Marlon Brando dhe “Kumbari” im

Ajo që mendoj se audienca mori nga “Kumbari”, ajo që e përcolli dhe i dha vërtet ndikimin e tij, ishte kjo ide e familjes. Njerëzit u identifikuan me Korleonët, e panë veten tek ata dhe ndjenë një lidhje me personazhet dhe dinamikën e tyre si vëllezër e motra, prindër dhe fëmijë. Filmi kishte dramën dhe rrëfimin emocionues të Mario Puzos, magjinë e interpretimit të Coppolës dhe dhunën reale. Por, në kontekstin e asaj familjeje, gjithçka u bë diçka tjetër. Nuk ishin vetëm njerëzit nga qyteti që ndiheshin të lidhur me Korleonët—ajo ndjenjë familjariteti e shpërndau filmin në çdo cep të botës.

Marlon Brando tregoi shumë bujari me mua, por nuk mendoj se e kurseu vetëm për mua, sepse e ndau me audiencën. Kjo ishte që e bëri interpretimin e tij kaq të paharrueshëm dhe të dashur. Të gjithë fantazojmë të kemi dikë si Don Vito tek i cili mund të drejtohemi. Ka kaq shumë njerëz që pësojnë padrejtësi në këtë jetë, por nëse ke një Godfather, ke dikë ku mund të shkosh dhe ai do të kujdeset për ty. Kjo është arsyeja pse njerëzit u ndjenë të lidhur me të në film.

Nuk ishte thjesht guximi dhe trimëria; ishte humanizmi që fshihej poshtë tyre. Prandaj ai duhej ta luante Viton si një figurë madhështore—madhësia e tij fizike, llaku në flokët e tij, pambuku në faqet. Godfather-i i tij duhej të ishte një ikonë, dhe Brando e bëri atë po aq ikonik sa Citizen Kane ose Superman, Julius Caesar ose George Washington.

Por Francis Ford Coppola kishte shumë peshë mbi supe, siç do ta mësoja kur po punonim për skenën e funeralit të Vitos. Ishte një skenë e madhe që e xhiruam në Long Island, e cila përfshinte një numër të madh të aktorëve dhe zgjati disa ditë. Dielli po perëndonte dhe dëgjova “Stop! Mbaruam!” Më thanë se për atë ditë isha i lirë. Kështu që, natyrisht, isha i lumtur sepse do të shkoja në shtëpi dhe do të shijoja pak kohë të lirë. Isha nisur për në dhomën time të grimit, duke thënë me vete: “Epo, nuk isha dhe aq keq. Nuk kisha asnjë rresht për të thënë, asnjë detyrim. Isha në rregull.”

Teksa po kthehesha, fillova të dëgjoja zërin e dikujt që po qante, gjë që mund ta prisje në një varrezë. Hodha sytë përreth, për të parë nga vinte zëri. Dhe atje, ulur mbi një varr, ishte Francis Ford Coppola, duke qarë si fëmijë. Qante pa u ndalur.

Askush nuk po i afrohej, ndaj shkova dhe e pyeta: “Francis, çfarë ke? Çfarë ndodhi?” Ai i fshiu sytë me mëngën, u ndal pak, më pa dhe tha: “Nuk do të më lejojnë të bëj një tjetër xhirim.” Ai kishte dashur të filmonte një tjetër skenë atë ditë, por nuk ishte lejuar. Edhe ai duhej t’i jepte llogari dikujt tjetër. Dhe ai e donte këtë aq shumë, saqë refuzimi e kishte lënduar thellësisht.

Asnjëherë nuk i dihet nëse një film do të jetë i madh. Di një gjë, nëse skenari është vërtet i mirë – dhe Mario e Francis shkruan një skenar të mirë – ka gjithmonë një shans. Një aktor hyn dhe luan rolin e tij, por filmi është i tëri në atë që ndodh më pas, në mënyrën se si një montazhier e ndërton dhe si regjisori arrin të krijojë rrëfimin. Por atje, në atë varrezë, mendova: Nëse ky është lloji i pasionit që Francis, atëherë diçka këtu po funksionon. E dija që isha në duar të sigurta.

Realizimi i filmit më çoi në Siçili për herë të parë në jetën time. Nuk isha gati për këtë. M’u duk si një angari e madhe. Por sapo mbërrita, ndjeva një lloj energjie kozmike. Gjithçka më erdhi përpara, madje edhe gjëra që nuk i kisha përjetuar kurrë. Rrugët që më kishin sjellë deri këtu kishin nisur pikërisht këtu – çfarëdo që isha ose do të bëhesha, kishte një lidhje me këtë vend. Ishte një përvojë që të hapte sytë, të rriste vetëdijen dhe ishte krejtësisht themelore. Si aktor, gjithmonë je në kërkim të identitetit dhe gjërave me të cilat lidhet shpirti yt. Kur u ktheva nga ky udhëtim, nisa t’u them të gjithëve që duhet të shkojnë e të vizitojnë vendet nga vijnë familjet e tyre, të ndjekin rrënjët e tyre sa më larg që të munden. Është një mënyrë për t’u lidhur me realitetin, një kujtesë që ke ekzistuar dhe vazhdon të ekzistosh.

Nuk njihja askënd në Siçili, dhe as njerëzit atje nuk më njihnin mua. Nuk e dinin çfarë roli po luaja tek “Kumbari”, madje as që e dinin se isha siçilian. Isha një aktor i panjohur, dhe të ishe i panjohur ishte kënaqësi. Nuk flisja me askënd. Nuk dija çfarë të thosha. Por kudo që shkoja, vendasit ishin kuriozë dhe shumë të sjellshëm me mua. Nuk kishin shumë, por ishin bujarë dhe plot hijeshi, dhe ata po ftonin një djalë nga filmi, ose këdo tjetër, të vinte dhe të mangia (hante) me ta, në shtëpitë e tyre të vogla. Unë ulesha në heshtje dhe haja ushqimin që më ofronin.

Kur erdhi momenti për të xhiruar skenën e dasmës, ku Michael martohet me Apollonian në një ceremoni të bukur, po rrija aty me kostumin tim të leshtë, pranë Simonetta Stefanellit, e cila luante nusen, dhe një grup italianësh që nuk flisnin anglisht. Kjo nuk më dukej se ishte një skenë sfiduese për t’u xhiruar, por ja tek ishte Francisi me një megafon në dorë, duke bërtitur udhëzimet: “Al, dua që të bësh tre gjëra. Së pari, shko atje dhe fol me njerëzit në skenë. Pastaj, kthehu prej, shko te nusja dhe kërce valsin me të. Më pas, shko bashkë me të te makina dhe largohu.”

Ja tek isha unë, Aktori Metodik, që i thashë: “Duhet të kuptosh, Francis, unë nuk di të flas italisht.” Ai tha: “S’ka problem, Al, sajo diçka,”. Dhe unë pranova. Kamera ishte në distancë për një plan të mesëm, jo një plan të afërt, kështu që nuk do të dalloohej tamam se çfarë po thosha. Pastaj, kur ai tha, “Shko dhe kërce valsin,” u ktheva nga Coppola dhe i thashë: “Por unë nuk di të kërcej vals.” Ai tundi kokën, më pa me inat dhe bërtiti: “Atëherë thjesht kërce me të, pastaj, kur të kesh mbaruar, shko te makina dhe largou!” Ta kishit parë fytyrën e tij kur iu përgjigja: “Më fal, Francis, por nuk di as të ngas makinën.” Si mundej një djalë nga Bronksi të ngiste makinën, kur kishte përdorur metronë gjithë jetën? Unë e mora patentën e parë të shoferit në moshën tridhjetë e katër vjeç.

Në atë moment, Francisi shpërtheu: “Pse të mora në punë? Çfarë di të bësh ti?” Unë i thashë: “Nuk e di nëse ka rëndësi, por di të thur shporta, kështu që me këtë do merrem kur të vijnë të më marrin me forcë.” Figurantët shpërthyen në të qeshura teksa e panë këtë shkëmbim të ndodhte para tyre.

Sot e kujtoj këtë skenë me nostalgji. Ai ishte një regjisor që po bënte një film, dhe unë isha një aktor që nuk mund të bënte shumicën e gjërave që më kërkonte. Por unë vallëzova, fola italisht me njerëzit atje dhe zbrita kodrën, hipa në makinë dhe e ngava tre a katër metra. Kjo është arsyeja pse të gjithë i duam filmat. Gjithçka është e mundur.

Bënte shumë vapë aty në korrik. Të gjithë ishim të veshur me rroba leshi. Po xhironim një skenë që kërkonte një grup të madh figurantësh të rreshtoheshin në një resht, kur u shpall pushimi për drekë dhe njerëzit filluan të shpërndaheshin. Asistenti i regjisorit, një djalë me përvojë të madhe nga Roma që po mbante nën kontroll figurantët, filloi t’u bërtiste siçilianëve – “Hej, kthehuni atje!” – sikur po fliste me gomerë…

Kjo më shqetësoi. Këta njerëz kishin duruar në mes të vapës që herët në mëngjes. Njëri prej burrave në rresht ngriti dorën, tha diçka në italisht dhe tregoi orën, sepse ishte dy e pasdites. Dhe romani i tha, në italisht: “Ti mbylle gojën dhe kthehu në rresht.”

Figuranti ishte një burrë i shkurtër, i dobët, me flokë gri dhe një fytyrë të hijshme. Mendoj se ishte në të gjashtëdhjetat. Kishte një modesti tek ai person. Thjesht ngriti supet dhe u largua. Braktisi filmin, që do të thoshte se nuk do të paguhej.

E adhurova. Imagjinova se si do të ishte të isha si ai. Çfarë guximi. Këta ishin njerëz të varfër, që paguheshin pak për të mbushur sfondin e filmit. Ky njeri nuk kishte para dhe po largohej sepse i kishte ardhur koha e drekës. Do të shkonte diku dhe do të hante pak djathë dhe një copë frutë. Edhe unë e kisha pasur dikur atë liri. Por nuk doja të ndërroja vendet me të. Thjesht po e shijoja fantazinë që më frymëzoi. E pashë dhe mendova: Kjo është diçka me të cilën pajtohem. Në shpirt. Për mua, ai ishte një hero.

Pjesë nga autobiografia e Al Pacinos, “Sonny Boy”/ KultPlus.com

Kalendari artistik i TKOBAP për muajin mars

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka publikuar sot kalendarin e aktiviteteve artistike për muajin mars.

Ky muaj nis me nota pranverore duke hapur siparin me J’adore Chopin, konkursin e parë ndërkombëtar për artistët e rinj dhe një koncert simfonik premierë absolute me vepra shqiptare dhe kryevepra të huaja.

“Ansambli Popullor, pas kthimit nga ITB Berlin, udhëton drejt Kosovës motër, për të ndarë fuqinë e traditës dhe për t’u rikthyer sërish në skenën e TKOBAP-së me koncertin Brez pas Brezi, një shfaqje që lidh brezat përmes muzikës dhe kërcimit”, thuhet në njoftimin e TKOBAP.

Gjigantët e kompozicionit, bashkohen në mbrëmjen gala “Bota e Re”, ndërsa magjia e operetës “Karnavaleve të Korçës” do të përmbyllë këtë muaj të pasur me art, duke sjellë gjallërinë e traditës dhe atmosferën festive në skenën tonë./ KultPlus.com

Elegji për Luigj Gurakuqin

Poezi nga Fan Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. / KultPlus.com

Rozafa Shpuza nderohet me çmimin “Martin Camaj” në festivalin e poezisë gege ‘Eja n’Liss’

Më 1 mars 2025, në Bibliotekën “Gjergj Fishta” në Lezhë, u mbajt edicioni i dytë i takimit poetik “Eja n’Liss”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që synon të ruajë dhe promovojë krijimtarinë në gegnisht. Ky event, i organizuar nga Klubi i Letrave “Ndoc Gjetja”, mirëpriti 45 poetë të përzgjedhur nga mbi 100 krijime të dërguara për konkursin poetik.

Në këtë edicion, u ndanë tre çmime speciale dhe çmime kryesore të cilat ishin:

• Çmimi “Martin Camaj” – i akorduar poetes Rozafa Shpuza.

• Çmimi “Azem Shkreli” – i akorduar poetit Gezim Murajza.

• Çmimi “Ndre Mjeda” – i akorduar poetes Arbana Arba.

Takimi poetik u pasurua gjithashtu me promovimin e dy veprave të reja:

• “Gega i motit” nga studiuesi Ernest Marku

• “Misioni perandorak” nga shkrimtari Anton Papleka

Poezia u bë frymë dhe zë në këtë ngjarje falë pjesëmarrjes së poetëve:

Valbona Kolaveri, Gëzim Murajza, Jorida Satka, Fatbardha Behri Kaçi, Farida Zmijani Ramadani, Luerda Avdiaj, Arbana Arba, Nikolin Lemezhi, Ajne Iberhysaj, Drita Ademi, Aurela Kurtaj Ruka, Sara Baja, Alma Zenellari, Bekim Kelmendi, Eva Kacanja, Ana Tisi, Hyre Fazllia, Dritan Mesuli, Ardita Lajçi Gjocaj, Lindita Prenga, Ali Gjeçbritaj, Shyrete Demaj, Alfons Zeneli, Hamdi Hysuka, Ramë Oraca, Flora Peci, Greta Kadare Teta, Gabriela Mujaj, Trandafile Malshi, Bledar Tafaj, Bislim Ahmetaj, Asja Mulgeci, Filip Guraziu, Gjelina Maçi Keqi, Mimoza Rexhvelaj, Kasam Shaqirvela, Xheladin Mjeku, Mirela Papuçiu, Emi Krosi, Dan Ibrahimi, Etleva Tafa, Klevisa Bardeli, Kaltrinë Uka dhe Rozafa Shpuza.

“Eja n’Liss” dëshmoi se poezia gegë jo vetëm që vazhdon të mbijetojë, por edhe të lulëzojë me zëra të rinj dhe të spikatur./ KultPlus.com

581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Kurti: Historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin


Kryeministri Albin Kurti përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

”Lavdi e përmotshme heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe trashëgimisë historike e politike të tij”, ka shkruar Kurti.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Duke dashur ta përkujtojmë historinë e përbashkimeve politike të shqiptarëve, sot e kujtojmë 581 vjetorin e Kuvendit të Lezhës.

Më 2 mars të vitit të largët 1444, në qytetin e Lezhës, u mblodhën në kuvend një mori fisnikësh arbër, nga dinastitë Arianiti, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Zaharia, Spani, Gjurashi dhe të tjera familje bujarësh, me qëllim që t’i bashkonin forcat e tyre për t’i bërë ballë ekspansionit të osmanëve. Këshilli i Përgjithshëm i dalë nga ky Kuvend në Lezhë, e caktoi Gjergj Kastriotin Kapiten të Përgjithshëm, si prijës ushtarak të forcave të bashkuara të tyre. Vetëm tre muaj më parë, më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu, e kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër osmanëve, duke shënuar fillimin e një epoke çerekshekullore të rezistencës së armatosur kundërosmane në Arbëri.

Gjatë tre dekadave të mesme të shekullit të XV, arbërit dhe Arbëria të udhëhequr nga Skënderbeu, u kthyen në një zonë të pathyeshme për osmanët, në rrugën e tyre drejt pushtimit të Evropës synuar përmes brigjeve të Italisë. Megjithëse në dekadat pasuese të gjitha trevat e banuara nga arbërit ranë në pushtimin osman dhe ishin pjesë e Perandorisë Osmane deri në fillim të shekullit XX, epoka e Skënderbeut dhe figura e tij, do t’u shërbenin shqiptarëve në të gjitha etapat e historisë së tyre për frymëzim e fuqizim, për krenari e bashkim.

Si gjatë shekullit XIX, kur rilindasit po e konceptonin dhe sendërtonin kombin shqiptar sipas modeleve moderne evropiane, ashtu edhe gjatë gjithë shekullit XX deri te lufta për çlirimin e Kosovës, sytë e shqiptarëve janë kthyer gjithmonë kah figura e lavdishme e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë. Shkathtësia e tij si strateg ushtarak në njërën anë si dhe mençuria e tij si lider politik në anën tjetër, e bën Skënderbeun një fisnik shtetformues, me aftësi për të lidhur dhe mbajtur marrëdhënie diplomatike të balancuara me osmanët dhe venedikasit, si dhe aleanca me Papatin dhe me napolitanët e me sicilianët e Aragonës, me hungarezët e Janosh Huniadit sikur edhe me kroatët e Dubrovnikut. Andaj edhe sot, historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin e saj në të menduar e në të vepruar, në guxim e në maturi, në strategji dhe në patriotizëm. Për liri dhe për shtet, për aleanca të fuqishme dhe për progres historik.

Lavdi e përmotshme heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe trashëgimisë historike e politike të tij!/ KultPlus.com

581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Begaj: Mesazhi historik i atij Kuvendi se ka humbur kurrë vlerën

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.

“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të pareve”, shkruan Begaj në një postim në Facebook.

Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithsecilit, nga bashkimi i energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë./ KultPlus.com