Marie Kraja, gurëthemeli më i rëndë i traditës së këngës operistike shqiptare

Nga Albert Vataj

Tradita e skenës opertistike shqiptare, me Marie Krajën hyn në një etapë të re. Zërat e mëhershëm dhe ato të mëvonshmit, së bashku me kontributin e pashoq që ajo dha, ndërtuan atë përmendore të mburrjes tonë nacionale, atë shkas krenarie që e ka ndërkombëtarizuar zërin operistik shqiptar, në skenat më prestigjoze, duke e transformuar në një potencial të jashtëzakonshëm konkurrues.

Marie Kraja do të mbetet një gurë themeli në traditën e këngës operistike shqiptare. Një talent që ngriti në mit femrën e asokohshme. Një sprovë që triumfoi duke i atribuar famë dhe mirënjohje shpirtit të sakrificës dhe vullneteve ngadhnjimtare. Zëri dhe shpirti i saj do të kërshërijnë ëndjet e brezave, të cilët do t’i jenë mirënjohës aktit të saj krijues, virtuozitetit me të cilin ajo përfaqësoi shqiptaren në skenën e kushtimeve të mëdha operistike botërore. Opera shqiptare, ngulmi i ëndrrës së çdo sopranoje, marrin dritën më të shndritshme tek ky yll, duke u bërë vazhdues të asaj udhe të gjatë, që e madhja Marie Kraja e nisi, atëherë kur ndër më të shumtat pamundësi, çdo e mundshme ishte një mrekulli, të cilën ajo e jetësoi në emrin dhe veprën e saj.

Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës poppullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë. Ishte në moshën 6 vjeçare kur familja e saj u vendos në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj i parë ishte në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku Maria përfaqësoi Shqipërinë me interpretimin e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”. Në Shqipëri aktiviteti i saj fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert në Tiranë. Më 1938 megjithëse vazhdon një aktivitet të dendur koncertal, fillon punën si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë, pastaj pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946. Më pas me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve, Maria filloi të japë mësim atje dhe që në hapjen e Teatrit të Operas dhe Baletit ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni dhe u bë nga solistet e para të këtij Teatri.

Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

Vdiq në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet me përunjësi dhe respekt. Ajo do të mbetet në të përgjithmonshmen e nevojës shqiptare si një kresht krenarie, si një shëmbëllim i përmasave botërore të talentit dhe përkushtimit.

Prapaskenat e Sigurimit të shtetit për të spastruar sopranon e madhe

(Materiali i meposhtem eshte huazuar nga shqiptarja.com)

Një grup shkresash tepër rezervat të vitit 1951 zbulojnë fillesat e përplasjes së regjimit komunist me sopranon Marie Kraja dhe një varg artistësh të tjerë themelues të artit lirik e instrumental  në Shqipëri, të cilët nji nga nji do t’i zhduknin nga skena e operas dhe baletit.

 Artistja virtuoze vihet në kryq për t’u spastruar nga Filarmonia, për shkak të familjarëve të saj, biografia e hollësishme e të cilëve ishte hartuar nga drejtoritë e Sigurimit të Shtetit dhe regjimi i kishte shpallur armiq e bashkëpunëtor të nazizmit.

 Edhe pse Marie Kraja sipas tyre kishte qenë thjeshtë indiferente dhe nuk e kishte simpatizuar Lëvizjen Nacional Çlirimtare e më vonë indiferente ndaj regjimit komunist dhe pa veprimtari armiqësore, sirish ishte një element që duhej spastruar. Detyra për të hartuar biografitë e hollësishme për një listë të gjatë artistësh, i jepet Sigurimit të Tiranës nga kryetari i Komitetit të Arteve Foto Stamo.

Sipas shkresës së 7 korrikut të 1951, me shënimin “Rezervat” që Foto Stamo i dërgon Sigurimit, njoftohet se, së afërmi me 17 korrik do të bëhej një mbledhje ku do të raportohej për të gjithë elementët e asaj liste, e cila kryesohej nga Marie Kraja. Në shkresë Foto Stamo porositi që punonjësit e sigurimit të vijnë të përgatitur. Në listë përveç Marie Krajës rreshtohen emrat: Lek Tasi, Fatbardha Tatzati, Zef Gruda, Tonin Harapi, Haki Bejleri, Tonin Guraziu, Aleko Kareco, Mateo Guralumi, Nik Guralumi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Flora Kallajxhi, Vilhelm Konjari, etj…

Urdhri i dalë nga Komiteti Qëndror i PPSH-së ishte që një pjesë e tyre të pushoheshin sapo të shihej e mundur, një pjesë që ishin të pazëvendësueshëm, të zëvendësoheshin pas 5 ose 7 vjetësh (duke nënkuptuar zbulimin dhe edukimin e nëj artisti të ri që mund ti zëvendësonte) dhe një pjesë e këtyre artistëve më të rinj në moshë, vendosen të mbahen nën survejim e të edukohen për t’u vënë në rrugë të mbarë.

Pjesë nga dokumenti

Këtu poshtë po ju përshkruajmë elementin  që mendojmë  të pushohen, elementin që mendojmë të largojmë me zëvendësim dhe elementin që me punë edukative do të bëhen të vlefshëm.

 Marie Ndue Kraja: Artiste lirike pushohet për mungesë garancije për këto arsye: gjatë okupacionit, gjithë familja e saj ka bashkëpunuar me armikun e kanë urryer luftën e popullit dhe kanë propaganduar kundra saj. Babaj saje ka qenë bashkëpuntor i nazistave, vëllai ka qenë spiker në stacionin nazist në Gjermani. Në fund të vitit 1944 familja arratiset.

Qendrimi i saj gjatë okupacionit ka qenë indiferent, nuk e ka simpatizuar lëvizjen NÇL. Ka punuar në Radio Tirana dhe ka dhënë koncert në Firenze, në Bari. Qëndrimi i sotçëm është indiferent nuk ka veprimtari armiqësore. Punën që i është ngarkuar e ka kryer, ka realizuar planin. / KultPlus.com

Emra të njohur të artit pamor shqiptar, pjesë e ekspozitës vjetore e pikturës “Nëntor 26”

Në Galerinë FAB vjen ekspozita e përvitshme e pikturës shqiptare “Nëntor”. Ky është edicioni i saj i 26-të, me pjesëmarrjen e emrave më të njohur të artit pamor shqiptar.

Ekspozita e cila do të hapet pranë Universitetit të Arteve, është organizuar nga piktori Aleksandër Filipi.

Në “Nëntor 26” marrin pjesë: Anastas Konstandini, Adrian Devolli, Andi Hila, Artan Buca, Ardit Boriçi, Agron Mesi, Buron Kaceli, Dea Tili, Denisa Brahimi, Eniela Veveçka, Erion Bardhi, Erina Dibra, Fatmir Juka, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Merita Selimi, Meri File, Nikolin Ivanaj, Nesti Taço, Pandeli Lena, Shpëtim Kërçova, Pëllumb Bylyku, Orlis Vathi, Zef Shoshi. Si dhe në cilësinë e të ftuarit: Besnik Erëbara, Lec Shkreli.

Ekspozita vjetore e nëntorit do çelet sot dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 30 nëntor. “Në të do të ketë kryesisht tablo kompozicionale, që me gjuhën e artit bashkëkohor tenton të trajtojë dhe probleme, që shoqërojnë në vazhdim jetën e vendit tonë”, është shprehur piktori dhe kuratori Aleksandër Filipi mbi pjesëmarrjen në këtë ekspozitë.  /atsh / KultPlus.com

“Hotel Unioni” në Prishtinë që dikur njihej me emrin “Skanderbeg”

Ndërtesa e United Colors of Benetton të cilën e shihni duke ecur në Prishtinë njihej me emrin ‘’Hotel Unioni’’.

Kjo ndërtesë fillimisht e quajtur ‘’Skanderbeg’’ u ndërtua në vitin 1927 dhe u përdor si bujtinë deri më 1945 kur edhe iu ndërrua emri në “Hotel Union”. Objekti u ndërtuar nën mbikëqyrjen e arkitektit austriak, Andija Kremer.

Komuna e Prishtinës, në vitin 2008, njoftoi se kishte për qëllim rrafshimin e këtij objekti, nën pretekstin se nuk zotëronte asnjë vlerë të rëndësishme arkitektonike dhe në mënyrë që të hapet rruga për bulevardin e ri ‘’Ibrahim Rugova’’, që do të ndërtohej.

Mirëpo, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës pati shprehur rekomandimin e vet për restaurimin e menjëhershëm të tij. Gjendja e objektit ishte përkeqësuar edhe më shumë, kur aty kishte rënë një zjarr në vitin 2009, veprim për të cilin ishte arrestuar një i pastrehë, nën dyshimin e kryerjes së këtij akti.

Në vitin 2010, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore njoftoi për marrëveshjen me kompaninë italiane të modës ‘’The United Colors of Benetton’’ për të rivendosur objektin në gjendje sa më të afërt me gjendjen origjinale të tij.

Fotografia: Bujar Gashi

Pas përfundimit të punëve në restaurim, në vitin 2013 ‘’United Colors of Benetton’’ inauguroi një hapësirë 2.000 metrash katrorë në objektin e ish-hotel Skanderbeg./ KultPlus.com

“E kaluar e çmuar”, ekspozita e radhës në Galerinë Qahili

Galeria Qahili këto ditë hapë ekspozitën e radhës të titulluar, “E kaluar e çmuar” ku do të ekspozohen pikturat e artistëve, Burhan Ahmeti dhe Nevzat Kica, përcjell KultPlus.

Hapja e ekspozitës mbahet me 24 nëntor, e premte, nga ora 17:30 në Galerinë Qahili dhe do të përcjellët me një fjalë hyrëse dhe koktej rasti.

Muret ekspozuese të Galerisë Qahili do të mbushen me punimet ndër vite të piktorëve, të dy nga qyteti i Gostivarit, në Maqedoninë e Veriut.

“E kaluar e çmuar” është një qasje e trajtimit të temave të ndryshme duke shkuar nga trashëgimia kulturore, kolektive në ato personale. Ka të bëjë me dashuri, me shoqëri, me udhëtim, me hidhërim. Të gjitha këto emocione ndërlidhen dhe përshkruhen më së miri me anë të sonetës 30 të Shekspirit:

“Kur, në seanca t’heshtura të mejtimit

Thërras figura t’ëmbla që janë zhdukur,
Psherëtij me mall, ia nis sërish vajtimit
Për gjith sa desha, e vjett e mi, më t’bukur;
At’herë kujtoj me lot kaq shok rinie
Q’u fshehën n’terrin e pafund, diku matanë;
Qaj prapë plagë të vjetra dashurie
Dhe sa e sa fytyra q’iknë e vanë:
Aherë m’hidhërojnë hidhni të kohës shkuar
Dhe vrer më vrer, me lot, rri duke larë
Një llogari vajesh të vajtuar,
Si t’mos e kisha paguar vetë më parë.
Po në më shkoftë mendja at çast tek ti,
Çdo humbje ndreqet, hiqet çdo mërzi.”

Projekti është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Nëntori i flamurit, nisin ditët e Javës Kulturore Kombëtare

Java Kulturore Kombëtare është java përmbyllëse e programit të Javëve Kulturore Ndërkombëtare të cilat edhe në këtë edicion të dytë, sollën në Shqipëri, përgjatë gjithë vitit, qindra aktivitete e artistë nga e gjithë bota.

“Java Kulturore Kombëtare vjen me një program që mbart shpirtin shqiptar që këndon, vallëzon e krijon. Ju presin ditë plot emocione dhe ngjarje të paharrueshme”, thuhet në faqen online të Javëve Kulturore.

Duke shfletuar programin e kësaj jave mund të veçojmë aktivitetin artistik “Udhëtimi i Flamurit” i cili do të përcjellë gëzimin e krenarinë e festave përmes një shfaqje të Orkestrës Frymore “Fanfara Tirana” dhe grupeve të ndryshme artistike. Aktiviteti do të zhvillohet pranë Universitetit të Arteve, në amfiteatrin veror, më 22 nëntor.

Ndërkohë sonte, në Teatrin “Petro Marko”, në Vlorë, do të japë një shfaqje Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Deçani”.

Më 24 nëntor është programuar dhënia e një çmimi për shkrimtarin Ismail Kadare nga Komuna e Gjilanit. Në të njëjtën ditë, këngëtari Shpat Deda do të ketë një koncert në Katedralen Orthodhokse.

Në programin e këtyre ditëve festive janë vendosur edhe ekspozita, shfaqje filmash, koncert në TKOB, ligjërata e hapur rreth gjuhës shqipe, në Qendrën “Sotir Kolea, promovimi i librit “Enciklopedia Imagjinare-Postroman” i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi e shumë aktivitete të tjera që do të shtrihen deri më 30 nëntor. / atsh / KultPlus.com

Amazoni ofron trajnime falas për përdorimin e inteligjencës artificiale

Gjiganti teknologjik amerikan, Amazon, njoftoi të hënën se do ta nisë një program falas për trajnimin e njerëzve se si ta përdorin inteligjencës artificiale (AI).

Amazon.com njoftoi për lëshimin e programit “AI Ready”, apo “Gati për AI”, i cili do të ofrojë trajnim për zhvillimin e aftësive dhe arsimim për dy milionë njerëz në gjithë botën deri në vitin 2025.

Kompania amerikane tha se synimi i saj është ta bëjë inteligjencën artificiale të qasshme për këdo që dëshiron të mësojë.

“Inteligjenca artificiale është teknologjia më transformuese e gjeneratës sonë. Nëse duam ta zhbllokojmë potencialin e plotë të inteligjencës artificiale për t’i luftuar telashet më sfiduese të botës, atëherë ne duhet ta bëjmë edukimin për AI të qasshëm për të gjithë që duan të mësojnë”, tha Swami Sivasubramanian, zëvendëspresident për të dhëna dhe AI në Amazon.

“Synimi i [programit] ‘Gati për AI’ është të ndihmojë për ta bërë edukimin për AI të barabartë për të gjithë, me mbështetjen e nismave të reja që po i bëjmë sot”, theksoi ai.

Ai shtoi se Amazoni do t’i rrisë programet dhe kurset e tanishme falas për trajnim për AI “në mënyrë që ta largojmë koston si barrierë e qasjes në këto aftësi kritike”./REL/ KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Televizionit, OKB: Ende mjet i rëndësishëm komunikimi

Sot është Dita Botërore e Televizionit. Televizioni vazhdon të jetë burimi i vetëm më i madh i konsumit të videos. Sipas të dhënave që disponon OKB-ja, megjithëse madhësitë e ekranit kanë ndryshuar dhe njerëzit krijojnë, postojnë, transmetojnë dhe konsumojnë përmbajtje në platforma të ndryshme, numri i familjeve me televizorë në mbarë botën vazhdon të rritet.

Ndërveprimi midis formave të reja dhe atyre tradicionale të transmetimit krijon një mundësi të shkëlqyer për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e rëndësishme me të cilat përballen komunitetet dhe planeti ynë.

Cili është qëllimi i një TV në shekullin e 21-të? Nuk është më vetëm një kanal i njëanshëm për transmetime dhe përmbajtje kabllore. Televizionet moderne ofrojnë një gamë të gjerë përmbajtjesh multimediale dhe interaktive, të tilla si transmetimi i videove, muzika dhe shfletimi në internet.

Pavarësisht zhvendosjes së konsumit të përmbajtjes audiovizuale në platforma të ndryshme dhe teknologjisë në zhvillim të vazhdueshëm, TV mbetet ende një mjet i rëndësishëm komunikimi. Siç kujton Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), Dita Botërore e Televizionit na kujton se televizioni është bërë një simbol i lidhjes dhe globalizimit në shekullin e 21-të. / atsh / KultPlus.com

“Corriere della Sera”: Spektakli i maleve të Shqipërisë në një foto

Ka ditë që Shqipëria duket se është vetëm një hap larg Italisë, shkruan Claudio Tadicini për të përdtshmen italiane “Corriere della Sera”.

Midis brigjeve të Salentos dhe atyre të ‘Tokës së Shqiponjave’ ka një distancë pothuajse prej 70 kilometrash.

Spektakli i maleve shqiptare të dukshme nga brigjet italiane u përjetësua në një fotografi të realizuar ditët e fundit nga Massimo Rolando në Santa Cesarea Terme, në provincën e Leçes, dhe menjëherë bëri xhiron e internetit duke ngjallur shumë admirim.

Malet e Shqipërisë shfaqen përgjatë Kanalit të Otrantos, në varësi të këndit dhe pozicionit.

Nga Santa Cesarea Terme shihet qartë mali i Këndrevicës, në Shqipëri, i cili është 2 121 metra i lartë.

Spektakli në prani të erërave të forta

Fenomeni ndodh në prani të erërave të forta që vijnë nga veriu duke e bërë ajrin të pastër dhe të thatë.

Shqipëria dhe malet e saj duken më pak të largëta, duke u ofruar atyre që kalojnë Adriatikun peizazhin e mahnitshëm të maleve, i gjendur vetëm në kartolina. /atsh / KultPlus.com

Shqipëria e para në grup drejt Gjermanisë, Rama: Arritje historike e Kombëtares (VIDEO)

Kombëtarja regjistroi një tjetër arritje historike mbrëmjen e djeshme duke e mbyllur në vendin e parë në Grupin E me 15 pikë pas përballjes me Ishujt Faroe në stadiumin “Air Albania”.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga atmosfera në stadium.
“Shije e jashtëzakonshme e arritjes historike të Kombëtares, si edhe me bindjen se kjo skuadër e re do të na bëjë surpriza të tjera të bukura”, shprehet Rama.

Në një Air Albania të mbushur në kapacitet maksimal, trajneri Sylvinho e nisi me këtë formacion titullar: Strakosha (GK), Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bare, Bajrami, Uzuni, Asani, Daku.

Shqipëria dominoi takimin gjatë gjithë ndeshjes. Rasti i parë i rrezikshëm ishte me Nedim Bajramin, i cili provoi me një goditje të fortë por u ndal nga portieri kundërshtar, ndërsa rasti më i pastër u regjistrua në minutën e 45+7 me Dakun, i cili nuk arriti të shënonte i vetëm përballë portierin. Edhe në fraksionin e dytë kuqezinjtë shpërdoruan disa raste të mira, ndërsa trajneri Silvinjo aktivizoi në pjesën e dytë edhe Muçollin, Laçin, Cikalleshi dhe Muçin.

Në fund gjithçka përfundoi 0-0 dhe Shqipëria përmbyll një edicion fantastik dhe historik, me sigurimin e finaleve të Europianit “Gjermani 2024”.

Rrugëtimi i Shqipërisë në këtë edicion kualifikues mbyllet me 1 humbje, dy barazime dhe katër fitore./ atsh/ KultPlus.com

‘Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet, bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet’

Poezi nga Ndre Mjeda

‘Vaji i Bylbylit’-

Po shkrihet bora,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murrlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.

Gjith’ fushët e malet
Blerimi i mbëloi;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoi.

Ndër pyje e ograja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue që veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Kurrkush ma hovin
Atje s’ta pret;
Me zeher hajen
Kurrkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamie,
Ke me gjetë mel;
Për gjith’ prendverën
Njajo buk’ t’del.

E kur t’zit edi
Ndër prroje pi;
Te njato prroje
Që ti vetë di.

Tash pa frikë çerdhen
E mban n’ndo’j lis;
Nuk je si ‘i nieri
Që nuk ka fis.

E kur t’vij’ zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Ndahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, fluturo;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zambakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

II

Por vaj! Se ‘i dimën tjetër
Paske, o bylbyl i shkreti;
Pa da ty zemra t’treti
Mbas vajit që t’rrethon.

Me lulzim t’vet prendvera
Ty s’ta përtrin gazmendin:
Jo kurrë s’e njifke shendin,
Bylbyl, që po vajton.

A thue po kjan, se çerdhen
Ta ka shkatrrue skyfteri?
A thue po kjan, o i mjeri,
Se me rrnue gjallë s’ke mel?

Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
E për çdo herë ndron era.
Mbas dimrit vjen prendvera,
Mbas borës blerimi del.

Veç ti me idhnime t’tuja
N’zemër gjithmonë po pihe,
E ditë e natë po shkrihe
Mbas vajit që t’mundon.

Kur â tuj ardhun drita
Ndihet tuj këndue shpendi,
E n’kangë i duket shendi,
Që zemrën ia gazmon.

Gjetiu ndër pem, ndër lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N’at erë që jep zymbyli
Vjollca e zambaku nget.

Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
Ty t’paska ndry mizori,
E kurrnjiherë nuk t’nxori
Me t’lëshue ku zemra t’thrret.

Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
Diellit kur nadje çohet;
Zemra me vaj t’coptohet
E me pajtue nuk don.

Ndoshta kujdesi i t’tujve
Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
E shendin ta shutiti
E vshtira që i mundon.

T’burguem i bani gjindja
Veç përse donë me ndie
Njat za që lëshojnë me hije
Që t’knaq e që t’ban rob.

Çdo krajl i madh ndër shpija
Ty t’mba m’u thanë i veti;
Vetë bukuria, o i shkreti,
Kenka për ju nji kob.

Përse tu ndeja e t’mëdhajve
Nji shpend i vogël s’ndalet;
Shpendit i kande malet,
Çerdhen e t’parve do.

Me at zanin tand t’përmallshëm
Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
Derisa t’kthejn’ e mira,
Bylbyl, papra gjimo.

III

Por njaj vaj që je tuj lëshue,
Bylbyl, zemrën ma copton;
Ditë e natë rri tuj prigjue,
Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?

Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pre.

Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.

Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
E kurrkund nuk m’len pushim,
Shkoi nji muej, po shkon i dyti
T’zezat t’tua s’kanë mbarim.

Tash ndër arë lulzoi qershia
E me borë dimni po shkon:
Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
Gjama jote kurr s’mbaron.

Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;

E papra n’ankime t’veta
Vajton fisin që larg la;
E tu fëmija i shkon si zgjeta
Mendja e shkretë se mbet pa ta;

Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.

Për fat tand, për zogj që kishe
Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.

Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.

Njat vaj tandin tuj kujtue
Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
Pveshtin hanën tuj gjimue,
Pvetshin hyjt për prind të vet.

Por aj kob që hana e diti
E njaj vaj që ylli pau,
T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
E kurr zemra nuk ju ndau.

Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.

Nëpër fush’ e nëpër shpija,
Me kujdes që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…

IV

Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.

Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.

Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.

Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
Fillo me gëzue.

Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue,
Fillo me gëzue.

Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashtë dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.

Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue:
Fillo me gëzue.

Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.

Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.

Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
Kam për t’u gëzue. / KultPlus.com

Java e Kuzhinës Italiane në Botë

Sapo ka përfunduar edicioni i 8-të i Javës së Kuzhinës Italiane në Botë. Ambasada italiane në Tiranë, e cili mbështeti këtë event në Shqipëri, tha se aktivitetet në kuadër të kësaj jave ishin një eksperiencë e mrekullueshme, veçanërisht për fëmijët e Seksionit Dygjuhësh të shkollave “Shkolla e kuqe” dhe “Pjetër Budi”, të cilët provuan të përgatisin në një laborator një nga produktet italiane më të famshme në botë, akulloren. Fëmijët ia dolën me sukses këtij eksperimenti, nën drejtimin e shefave Pierandrea Giagnoli dhe Anila Nanushi.

Ambasada Italiane në Tiranë i uroi fëmijët që përgatitën me përpikëri, përzgjodhën lëndët e para me shumë kujdes, por edhe përdorën makineritë italiane.

Gjatë Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, përfaqësitë diplomatike e kulturore nëpër botë, kremtojnë kuzhinën italiane dhe produktet tipike të këtij vendi.

“Qëndrimi në tryezë, për ne italianët, është një mënyrë për të qenë së bashku, në një epokë që gjithnjë e më pak ndodh të flitet ballëpërballë. Ky është një rast i rëndësishëm për të ndarë dhe për t’u përballur, për t’u hapur ndaj të tjerëve e për të hapur dialogje me vendet e tjera”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani./atsh/KultPlus.com

Zyrtare: Shqipëria i prin listës E për kualifikimin drejt “Euro 2024”

Me barazimin e siguruar, Shqipëria tashmë ka siguruar prijësen e listës për grupin E, drejt kualifikimit “Euro 2024”.

45 minutat e parë dhe 7 të tjerë shtesë nuk mjaftuan për t’u tundur rrjeta e bardhë.

Atmosfera është e zjarrtë, por loja jo në nivelin e saj.

Në pjesën e parë kuqezinjtë kishin tri raste shënimi. Nedim Bajrami gjuajti bukur nga distanca në minutën e 36-të, por portieri i Ishujve Faroe ndërhyri me sukses.

Në minutat shtesë fillimisht provoi Myrto Uzuni, ndërsa Mirlin Daku lëshoi rast të artë më pas.

Ndryshe, Shqipëria është kualifikuar për në Europianin e Gjermanisë 2024, por kërkon fitoren sonte për të mbajtur vendin e parë në grup.

Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur festë dhe surpriza për kualifikimin e kuqezinjve në Euro 2024.

Stadiumi “Air Albania” është i mbushur në kapacitet të plotë nga tifozët kuqezi për të mbështetur kombëtaren dhe për të festuar së bashku me ta.

Emocionet kuqezi të ndeshjes Shqipër – Ishujt Faroe do të keni mundësi t’i ndiqni falas në ekranin e televizionit Klan./rtvdukagjini/KultPlus.com

Festivali i Teatrit ‘Moisiu’ çelet me shfaqjen ‘Vojçek’ nga regjisori japonez Kuniaki Ida

Sonte në mbrëmje nis edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit “Moisiu”. Organizatorët kanë përzgjedhur dramën “Vojcek” për ta çelur këtë festival shëtitës, i cili edicionin e tij të parë e pati vjet në Shkup.

Në orën 19:00, në sallën 400 tek “ArTurbina”, do të shaqet “Vojcek” me autor Georg Büchner dhe artdashësit do të mund të hyjnë pa pagesë.

Regjisori i dramës është japonezi Kuniaki Ida.

“Vojcek”, e cila e pati premierën në muajin shtator, është një vepër e shkruar në fillim të shek. XIX, por që i flet publikut bashkëkohor mbi transformimin e qenies njerëzore në shoqëri të dhunshme, sjellë me emocion nga trupa e aktorëve, me një skenografi dhe muzikë mbresëlënëse.

Pjesa është përkthyer nga Ardian Klosi, kompozitor Endri Sina, ndërsa në role interpretojnë: Rafael Hoxhaj, Luli Bitri, Lulzim Zeqja, Hervin Çuli, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Arben Derhemi, Dori Çaushi, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Igli Zarka.

Pacienti Vojcek, funksionet normale të të cilit janë shkatërruar, vazhdon të luftojë kundër sëmundjes së tij (çmendurisë) për të rifituar identitetin e tij njerëzor. Shoqëria ku jetojmë sot është plot kaos, ankth, frikë dhe imazhe dhune./atsh/KultPlus.com

Fillojnë xhirimet e filmit ‘Me Fjalë Tjera’

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se kanë filluar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Me Fjalë Tjera”, me skenar dhe regji të Valbona Jasharit, ndërsa producente është Mjellma Istrefi.

Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe prodhohet nga shtepia filmike “Wavemaker Films”.

Xhirimi do jetë i ndarë në tri faza dhe pritet të zgjasë 4 javë./KultPlus.com

157 vjet nga lindja e poetit dhe veprimtarit Ndre Mjeda

Sot kujtojmë 157 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, një prej poetëve dhe veprimtarëve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe letërsisë shqipe.

Gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës ka qenë Italia, Spanja dhe Polonia. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër.

Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes të cilit ata ankoheshin kundër pushtetit osman.

Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do t’i kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton një syrgjynosjeje në Anadoll, një kapërcyell i jetës së tij që e himnizon me poemthin “I tretuni”.

Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël.

Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.

Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe u nda nga jeta më 1 gusht 1937. / KultPlus.com

Promovohet libri biografik për Fan Nolin ‘Apostulli’, nga autori Ilir Ikonomi

Në ambientet e Librarisë Dukagjini, promovohet libri “Apostulli” i autorit Ilir Ikonomi, shkruan KultPlus.

Libri ‘Apostulli’ është vëllimi i parë i një biografie për Fan Nolin.

Promovimi i librit bëhet të mërkuren, më 22 nëntor ora 18:00/ KultPlus.com

Flamuri gjigant që do hapet sonte në stadiumin ‘Air Albania’

Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë sonte ndeshjen e fundit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kombëtarja shqiptare ka siguruar një vend në Evropianin e vitit të ardhshëm, teksa sonte synon që të sigurojë kualifikimin si e para e grupit. Një barazim është i mjaftueshëm për këtë, përveç fitores, shkruan Gazeta Express.

Sonte në stadiumin “Air Albania”, por edhe jashtë tij, sigurisht që do të ketë atmosferë festive.

“Tifozat Kuq e Zi” kanë premtuar spektakël në këtë aspekt, por nga ta nuk do të mungojnë as koreografitë dhe mesazhet e ndryshme.
Është bërë e ditur se një flamur gjigant kombëtar do të shfaqet sonte.

Plisat: Nuk ka bileta, s’ka problem. Shihemi në Gjermani!

Tifo-grupi Plisat sot kanë dalë me një reagim zyrtar, pasi nuk iu dhanë bileta për ndeshjen futbollistike Shqipëri-Ishujt Faroe.

Në reagimin e tyre thuhet që nuk përbën problem që nuk ka bileta, pasi plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, me sukses.

Reagimi i plotë i tyre:

Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta.

Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë perfunduar misionin e tyre, ME SUKSES.

Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.

Nuk ka bileta – nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve.

Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira.

Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI.

Shihemi në Gjermani!/KultPlus.com

Stoltenberg pas takimit me Kurtin: Folëm mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon

Pas presidentes Vjosa Osmani, Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, na ambientet e Qeverisë së Kosovës.

Numri një i Aleancës Paqeruajtëse, thotë se në takimin me kryeministrin Kurti, diskutuan për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Ai u shpreh në platformën X, se NATO do vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt mbi të gjitha komunitetet.

Të njëjtën temë, e ka trajtuar edhe në takimin me presidenten, Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

MKRS shpall konkurs për kurimin e ekspozitave të përhershme në muze

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të Programit Kombëtar të Muzeve, ka shpallur konkurse për hartimin e projekteve të kurimit të ekspozitave në muzetë: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prizren, Muzeu Etnologjik – Emingjiku në Prishtinë, Kompleksi i Kullës së Isë Boletinit në Boletin, dhe Muzeu i Burgut të Idealit në Prishtinë.

MKRS përmes një postimi në facebook ka ftuar që profesionistët e interesuar të aplikojnë përmes e-prokurimit, në web faqen: https://tinyurl.com/3s87jzan

“Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitave dhe [ri]funksionalizimin e muzeve [ekzistues], të vendosur në ‘asete’ të trashëgimisë kulturore arkitekturale- të ‘Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit’, në Prizren; të Muzeut Etnologjik- te ‘Kompleksit të shtëpive Emin Gjiku’, në Prishtinë, të ‘Kompleksit te Kullës së Isë Boletinit’, në Boletin, dhe të ‘Muzeut të Burgut të Prishtinës- Burgu i idealit’, në Prishtinë.”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Afati i fundit për aplikim: 19.12.2023, ora 14.00./KultPlus.com

Presidentja Osmani për vizitën e Stoltenbergut: Vjen në një moment përcaktues për sigurinë e rajonit dhe kontinentit       

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ardhur në një moment përcaktues për paqen dhe sigurinë, jo vetëm të rajonit, por edhe të kontinentit, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Presidentja Osmani e ka ritheksuar rëndësinë për përfshirjen urgjente e Kosovës në NATO.

“Kosova është e vendosur për të ardhmen e saj, prandaj në takimin e sotëm, ritheksova rëndësinë urgjente të anëtarësimit në NATO, duke filluar me përfshirjen e vendit tonë në Partneritetin për Paqe.

Në një rajon të sfiduar nga planet destabilizuese të Serbisë, bashkëpunimi me aleatët tanë në NATO është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë”, ka thënë presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidenjta Osmani me Stoltenbergun: Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët në tjetrën anë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se nëse Serbia nuk ballafaqohet me asnjë masë do të jetë inkurajim që ta sulmojë Kosovën.

“Prandaj nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë, do të jetë një inkurajim që të sulmojë Kosovën dhe ta destabilizojë sërish rajonin”, ka thënë Osmani.

“Pasi Serbia mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për Kosovën dhe të gjithë rajonin tonë. Duke qenë forcë profesionale policia e Kosovës janë të gatshme për bashkëpunimin me KFOR-in”.

“Bashkëpunimi me aleatët tanë është vlerë që ne vazhdimisht e promovojmë, Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët në tjetrën anë. Anëtarësimi i Kosovës në NATO-s është garanci për të gjithë rajonin”./klankosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani, Stoltenbergut: Adresa e presionit duhet të jetë Beogradi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, t’i bëhet presion Serbisë, në mënyrë që dialogu të mos ngecë.

Sipas saj meqë Beogradi zyrtar, është e vetmja adresë nga e cila nuk zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel.

”Adresa e presionit duhet të jetë Beogradi. Sepse arsyeja që nuk zbatohen marrëveshjet, është Beogradi”.

”Ne presim që partnerët tanë të ushtrojnë presion mbi Beogradin. Nëse injorohet fakti që Serbia po mohon marrëveshjet, atëherë nuk pres dialog të mirëfilltë”./KlanKosova/KultPlus.com

Gëte: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre

facebook sharing button

Më 22 mars të vitit 1832, në Gjermani, vdiq njëri ndër shkrimtarët më të njohur gjerman, Johan Volfgang Gëte.

Gëte, akoma vazhdon të njihet si ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore, shkruan KultPlus.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të këtij shkrimtari të pavdekshëm.

“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”

“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”

“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”

“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”

“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”

“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.” / KultPlus.com