157 vjet nga lindja e poetit dhe veprimtarit Ndre Mjeda

Sot kujtojmë 157 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, një prej poetëve dhe veprimtarëve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe letërsisë shqipe.

Gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës ka qenë Italia, Spanja dhe Polonia. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër.

Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes të cilit ata ankoheshin kundër pushtetit osman.

Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do t’i kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton një syrgjynosjeje në Anadoll, një kapërcyell i jetës së tij që e himnizon me poemthin “I tretuni”.

Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël.

Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.

Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe u nda nga jeta më 1 gusht 1937. / KultPlus.com

Përkujtohet Sotir Kolea, intelektual dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot Sotir Kolean. Kolea ishte leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928.

Lindi në Berat, më 4 shtator 1872. Kreu gjimnazin në gjuhën greke në Manastir. Më 1896 punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës.

Më 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt. Mori pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Organizoi tok me Faik Konicën Kongresin e Triestes, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913.

Më 1915, drejtoi në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës.

Më 29 qershor, 1919 i drejtoi poetit italian D’Anuncio, një promemorie, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Mori pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, vendos t’i kushtohet jetës private.

Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor.

Nga 4 000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, kur doli në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14 000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime.

Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë.

Puna më e madhe, më e plotë studimore e tij mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund të jetës duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge.

Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studiues./atsh/KultPlus.com