Laura Fazilu kalon në gjysmëfinale, mposht legjendën franceze Clarise Agbegnenou

Xhudistja Laura Fazilu ka kaluar në gjysmëfinale, pasi mposhti legjendën franceze Clarise Agbegnenou, shkruan KultPlus.

Kjo fitore konsiderohet në prej fitoreve më të mëdha të Fazilut, pasi Agbegnenou konsiderohet një prej xhudistëve më të mira në historinë e xhudos./KultPlus.com

Kryeministri Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se sot po shënohet një moment i madh për hekurudhën në Republikën e Kosovës.

Kurti, mes tjerash, dha detaje nga përurimi i tuneleve gjashtë dhe shtatë dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.

I pari i ekzekutivit kosovar potencoi se projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe shtatë tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane.

“Sot shënohet një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovën. Po rindërtojmë në veçanti dy tunele, njëri me gjatësi 262 metra dhe me një gjatësi 122 metra, që kanë qenë të shembur tërësisht. Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10. Nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë. Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe Mitrovicë në kufirin verior të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

“Gjatë javëve në vijim ministrit e linjës dhe Infrakos do të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore pesëvjeçare duke ndjekur normat evropiane”.

“Me Shqipërinë tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndërtuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synojmë të ngrehim portin e thatë që kthen kryeqytetin ton në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe qarkullimit, të shpërndarjes dhe akumulimit”.

“Edhe me linjën 10 dhe me hekurudhën Prishtinë Durrës, Kosova bëhet pjesë e e rrjetit të transportit trans-evropian”.

Ai tregoi se do të rritet edhe shpejtësia e trenit me hekurudhën e re.

“Me forcim rriten shkëmbimet, me zgjerim rritet ndërlidhja, ndërsa me modernizim rritet shpejtësia. Këtu treni mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë se 60 kilometra në orë, me hekurudhën e re mbi 100 kilometra në orë”. /Klankosova./KultPlus.com

Akil Gjakova i jashtëzakonshëm, pas serbit e mposht edhe bullgarin Hristov për të kaluar në çerekfinale

Akil Gjakova po tregon paraqitje të jashtëzakonshme në kategorinë deri në 73 kilogram në Kampionatin Evropian, ku tani ka arritur në çerekfinale.

Ai fillimisht e mposhti serbin Bajsangur Bagajev në raundin e dytë, për të vazhduar rrugëtimin e tij.

Ndërsa në raundin e tretë pati punë me bullgarin Mark Hristov, të cilin shumë lehtë me dy Waza-ari e mposhti, për të kaluar në çerekfinale.

Në garën për të shkuar në gjysmëfinale, Gjakova do të përballet me fituesin nga përballja Petru Pelivan – Valtteri Olin./nacionale/KultPlus.com

‘Mëkati i buzëqeshjes’, vepra më e re e shkrimtarit Sali Bashota

Vepra me prozë poetike “Mëkati i buzëqeshjes” e shkrimtarit Sali Bashota, është vepra më e re e tij, e cila është botuar këto ditë nga Botimet Rea.

Përveç poezisë, esesë, studimit letrar dhe publicistikës, Bashota është i njohur edhe me prozë poetike. Në librat e tij me poezi, duke filluar nga “Plagomë” (1994), pothuajse në secilën vepër autori ka përfshirë proza të ndryshme poetike, pastaj duke vazhduar edhe me vepra të veçanta me prozë poetike “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2010), “Rruzullimi i zjarrit” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020).

Në veprën “Mëkati i buzëqeshjes”, Bashota trajton tema të ndryshme, të cilat dallohen për nga ligjërimi, gjuha, stili dhe figuracioni. Në parathënien e kompletit të veprave të Sali Bashotës, duke shkruar për prozën poetike të Bashotës, studiuesi Milazim Krasniqi, ndër të tjara, thekson se “falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Sali Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrin t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin. Prozat poetike, të cilat jam i prirur t’i shohë si pjesë komplementare e vargut poetik të Bashotës, janë brenda kornizave motivore e stilistike të vargut të tij. Në poezinë tonë nuk di ndonjë autor tjetër të ketë vëllim kaq të madh të prozave poetike dhe sigurisht edhe kaq arritje artistike në këtë formë sinkretike të shprehjes poetike”.

Vepra “Mëkati i buzëqeshjes” ndahet në tri kaptina” Afshi”, “Lumturia” dhe “Vetmia”. Në mesin e shumë prozave poetike dallohen: “Magjia e parë e ëndrrës”, “Njësoj si afshi”, “Nostalgjia e syve”, “Ngjyrat e kësaj bote”, “Zemërimi i parë”, “Intriga e mrekullueshme”, “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë”, “Orari i ëndrrave”, “Kjo qenka dashuria”, “Perëndimi i hënës”, etj.

Sali Bashota është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Për krijimtarinë letrare e shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Botimi është përkrahur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Fushë Kosovës. Librin mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”./KultPlus.com

Laura Fazliu në çerekfinale të Kampionatit Evropian, Loriana Kuka eliminohet

Laura Fazliu ka treguar paraqitje fantastike, për të kaluar në çerekfinale të Kampionatit Evropian, ndërsa Loriana Kuka është eliminuar në raundin e tretë.

Laura në raundin e dytë pati punë me garuesen nga Ukraina Yuliia Hrebenozhko, të cilën e kaloi pa vështirësi, duke e mposhtur me IPPON, për të kaluar në çerekfinale të kategorisë deri në 63 kilogram.

Në çerekfinale do të ketë punë me francezen Clarisse Agbegnenou, ku do të kërkojë me çdo kusht një vend në gjysmëfinale.

Në anën tjetër, Loriana Kuka edhe pse ishte shumë aktive dhe e fitoi raundin e dytë, pasiviteti ia humbi ndeshjen në raundin e tretë ndaj holandezes Sanne Van Dijke, kështu për të mbyllur eksperiencën e saj në këtë Kampionat Evropian./Nacionale/KultPlus.com

Agim Zajmi, artisti shumëdimensional dhe themeluesi i skenografisë moderne shqiptare

Nga Milena Selimi

“Teatri është fjala është mendimi, ajo  e ka mbajtur gjallë  për shekuj, ku teatri ka mbijetuar nga filozofia e veprës”- kështu më shfaqet në një intervistë të vitit 2009 Piktori, Skenografi dhe Profesori Agim Zajmi, e më tutje “Teatri edhe me gjëra të thjeshta bëhet i bukur, kur e dashuron atë. Teatri është shtëpia ime”.

Kambana e ikjes së artistit ra më 3 nëntor 2013, (10 vite nga sot) atëhere kur ai kaloi përtej, duke na lënë një kujtesë që unëgjithmonë  e kam të vështirë ta ndaj nga Artisti, Njeriu, Qytetari.

E kam shkruar edhe më parë, mik i mirë i tim eti, Skënder Selimi, bashkëpunëtor në skenografi e kostumografi, të njëjtë dhe të kundërt në argument, frymëzues dhe pasionantë, kërkues dhe kontribues në artin shqiptar, sfidues deri në momentin e ngjitjes në skenë në moshën 70- vjeçare për të realizuar një ëndërr të shkuar krijimtarie si baleti “Sheherazade”me atë rivënie spektakolare në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Atëhere kur morën duartrokitjet duke u ndjerë në shtëpi..

Si e ndërtojmë shtëpinë, si e ngremë shtëpinë, si e mbrojmë shtëpinë? Nuk e kam përballë ta pyes profesor Gimin, por besoj se e di përgjigjen… na e ka lënë në themelet e skenografisë moderne shqiptare, me një kontribut me më shumë se 300 skenografi.  Bashkëpunimin më të frytshëm  me regjisorin Pirro Mani, me mbi 40 shfaqje, skenografi që e çliroi skenën nga mbingarkesa e objekteve përshkrimore, që ndërtoi skenografi që lindin dhe vdesin në skenë, që e pranoi konvencionin në teatër, që ndërtoi një skenografi unike që shpirtëzohet me autorin, regjisorin, aktorin. Duke besuar se “teatri është art kolektiv. Duhet të jesh 50% regjisor që të mbetesh 100%skenograf dhe anasjelltas. Na e tregoi këtë edhe në shfaqjen “Pamje nga ura”, në vitin 2009, atëhere kur skena bosh fillon e ‘trembet’ nga pesha e mendimit, urtësisë, cclirimit dhe kërkimit të një skenografi 71-vjeçar.

Artisti Agim Zajmi e ndërtoi “shtëpinë”në Teatrin  Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë, duke kontribuar edhe në teatrot kombëtare të Prishtinës në Kosovë, Shkupit në Maqedoni dhe Malit te Zi. Dekan dhe profesor në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, në Tiranë. Pjesa më e madhe e veprave shqiptare dhe të huaja, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, janë krijime të piktorit e skenografit të talentuar Agim Zajmi. Gjithashtu një kontribut të vyer sjell edhe në fushën e kostumografisë. Si një njohës i thellë i etnografisë shqiptare ai dha në skenën e Teatrit Kombëtar, jo vetëm mjediset, por veshjet e detaje të ndryshme që mbushnin skenën duke dhënë me sa më shumë realitet jetën shqiptare.

“Krijimtaria për Agim Zajmin është lumturi”- është shprehur regjisorja Drita Agolli, aktori magjik i skenës shqiptare, Naim Frashëri e cilëson “Mjeshtër i Teatrit”, ndërsa Sandër Prosi nuk kursehet në cilësime si “skenografitë e tij janë unaza floriri”. Atëhere besoj se Ai- Artisti e mbajti gjallë “Shtëpinë” me personalitetin unik, talentin shumëdimensional, çka i ka dhënë mundësi ta njohë atë thellë dhe të na “shëtitë” në laboratorin krijues të poetit të skenës duke na zbërthyer si askush deri më sot, magjinë dhe të fshehtat e artit të skenografit. Duke mbajtur mbi vete një tjetër vlerë si ajo që e cilëson artisti dhe profesori Gazmend Leka “gur kilometrik në skenografinë shqiptare”.

 Agim Zajmi si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranës, për dekada me radhë, ai përgatiti piktorët e ardhshëm në Akademinë tonë të Arteve me durimin dhe thjeshtësinë që e karakterizonte. Si piktor, ai ka ekspozuar punimet e tij në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, etj.

 Agim Zajmi ky mjeshtër i ngjyrës si piktor kavaleti, me shumë peizazhe, tablo kompozicionale, portrete etj nga ku me kujtohen: “Valle shqiptare”, “Fushë-Kosovë”, “Qan qielli shqiptar”, “Zanat e maleve”, “Për luftën në Kosovë”, “Portret gruaje”, “Kosovarja”, “Emigracioni”, etj.

Artisti Zajmi, si bir i Pejës trajtoi temën që e kishte aq për zemër, temën e Kosovës. Si skenograf ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare të teatrit. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Në vitin 1975, iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe më 1991-shin u nderua me titullin “Piktor i popullit”, ndërsa më 1995 iu dha titulli “Profesor”. Zajmi ka qenë dekan në fakultetin e artit figurative dhe më pas profesor në Akademinë e Arteve. Ishte president i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë me qendër në Tiranë.

Une nuk i përmbledh dot të gjithë jetën e tij artistike, por e di se ajo është dhe vazhdon të jetë “Në Shtëpi” dhe në kujtesën e atyre që jetuan në kohën e Artistit Agim Zajmi.

Faleminderit Profesor Zajmi për kontributin, në skenografi, kostumografi dhe ekspozita plot ngjyra dhe ide..të falenderoj që u deshët me tim atë, si miq, artistē, krijues dhe nuk u ndatë deri në  fund..

Tani jeni në qiej bashkë!

Faleminderit Mjeshtër per Artin, Qytetarin, Pedagogun, faleminderit për gjithçka na dhurove!

(1936- 3 nëntor 2013)/KultPlus.com

Më 16 dhjetor mbahet ‘Kampionati Evropian i Xhudos’, ngjarja më e madhe sportive në vend

Më 16 dhjetor 2023 në Pallatin e Rinisë, pritet të mbahet për herë të parë Kampionati Evropian i Xhudos, ngjarje kjo që konsiderohet si më e madhja sportive e vitit në vend, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje sportive pritet të jenë 50 shtete që me 100 sportistë do të garojnë për çmimin e madh prej 300,000 € në total në të gjitha kategoritë.

Lajmin e ka bërë të ditur Gëzim Sveçla përmes një postimi në facbook.

“Logoja e Kampionatit Evropian është frymëzuar nga ngjyrat bardhekaltër të Prishtinës si dhe ilustrimi i objektit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve,

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit të shtetit, “Kosova shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos së Kosovës dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Elbenita Kajtazi ndan skenën me  aktorin e madh Willem Dafoe: Do e mbaj në zemër si një ndër kujtimet më të bukura të rrugëtimit tim!

Sopranoja shqiptare e njohur në botë, Elbenita Kajtazi gjatë një performance ka ndarë skenën së bashku me aktorin e madh Willem Dafoe, përvojë të cilën e cilëson si ndër më të bukurat përgjatë rrugëtimit të saj, shkruan KultPlus.

Sopranoja Kajtazi, përmes një postimi në facebook ka thënë se kjo përvojë do t’i ngelë në zemër si një ndër më të bukurat e rrugëtimit të saj:

UNWTO: Shqipëria e para në Evropë në renditjen botërore të turizmit

Barometri Botëror i Turizmit i UNWTO, i cili monitoron rregullisht tendencat afatshkurtra të turizmit për t’u ofruar palëve të interesuara globale të turizmit analiza të përditësuara mbi turizmin ndërkombëtar, ka renditur Shqipërinë në vendin e parë në Europë sa i takon numrit të lartë të turistëve ndërkombëtarë gjatë periudhës janar-korrik 2023.

Sipas shifrave të publikuara, Shqipëria ka lënë pas destinacione të njohura si Greqia, Italia, Spanja, Kroacia apo Franca.

Gjithashtu, Shqipëria renditet e treta në botë me 56 për qind për rritjen e numrit të turistëve të huaj, pas Katarit, në vendin e parë me 95 për qind dhe Arabinë Saudite me 59 për qind.

Raporti publikohet katër herë në vit dhe përfshin një analizë të të dhënave më të fundit mbi destinacionet turistike dhe tregjet burimore.

Barometri përfshin gjithashtu një Indeks Besimi bazuar në anketën e Panelit të Ekspertëve të Turizmit të UNWTO, i cili ofron një vlerësim të performancës së fundit dhe perspektivave afatshkurtra në turizmin ndërkombëtar.

Shtetet anëtare të UNWTO-së, anëtarët e asociuar dhe anëtarët e anëtarësimit marrin Barometrin Botëror të Turizmit të UNWTO-së si pjesë e shërbimit të anëtarëve.

Turizmi ndërkombëtar rikuperoi 84% të niveleve para pandemisë në periudhën janar-korrik 2023 (-16% kundrejt 2019) pas një tremujori të dytë të fortë dhe pjesës së hershme të sezonit veror të Hemisferës Veriore.

Kërkesa për udhëtime vazhdoi të tregojë elasticitet të jashtëzakonshëm dhe rimëkëmbje të qëndrueshme, mes sfidave ekonomike dhe gjeopolitike.

Pasi arritën 80% në tremujorin e parë 2023, ardhjet ndërkombëtare të turistëve arritën 85% të niveleve para pandemisë në tremujorin e dytë 2023 dhe 90% në korrik 2023, të mbështetur nga kërkesa e vazhdueshme e ndrydhur.

Rreth 700 milionë turistë udhëtuan ndërkombëtarisht midis janarit dhe korrikut 2023, rreth 43% më shumë se në të njëjtët muaj të vitit 2022, megjithëse 16% më pak se në 2019.

Sipas rajoneve, Lindja e Mesme pa rezultatet më të mira në janar-korrik 2023, me ardhjet që kaluan me 20% nivelet para pandemisë.

Evropa, rajoni më i madh i destinacionit në botë, arriti 91% të niveleve para pandemisë, mbështetur nga kërkesa e fuqishme ndërrajonale.

Afrika rikuperoi 92% të vizitorëve të para krizës këtë periudhë shtatëmujore dhe Amerika 87%. Në Azi dhe Paqësor, mbërritjet u ngjitën në 61% të niveleve para pandemisë.
Sipas nënrajoneve, Afrika e Veriut (+8%), Amerika Qendrore (+2%) dhe Evropa Mesdhetare Jugore (+1%) tejkaluan nivelet para pandemisë në janar-korrik 2023.

Këto rezultate tregojnë se turizmi ndërkombëtar është në rrugën e duhur për të arritur 80% deri në 95% të niveleve para pandemisë në vitin 2023, siç parashikohet nga UNWTO në Barometrin Botëror të Turizmit të janarit 2023.

Perspektivat për shtator-dhjetor 2023 tregojnë për një rimëkëmbje të vazhdueshme, sipas Indeksit më të fundit të Besimit të UNWTO, megjithëse me një ritëm më të moderuar pas sezonit të pikut të udhëtimeve qershor-gusht.

Mjedisi sfidues ekonomik mund të rëndojë në modelet e shpenzimeve gjatë pjesës së mbetur të vitit, me turistët që kërkojnë gjithnjë e më shumë vlerën për paranë, duke udhëtuar më afër shtëpisë dhe duke bërë udhëtime më të shkurtra./atsh/KultPlus.com

Edhe 11 ditë nga edicioni 26-të i Panairit të Librit në Tiranë

Kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë nga edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Tiranë,  i cili këtë vit është paraparë të mbahet në datat 15-19 nëntor në Pallatin e Kongreseve, shkruan KultPlus.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se përgjatë gjithë vitit botuesit shqiptarë, janë përgatitur për një prezantim sa më dinjitoz të punës së tyre, përballë lexuesve.

“Kjo festë e bukur e librit i dedikohet dhe punës së tyre të madhe gjithë këto vite, për të pasuruar bibliotekën e librit shqip, jo vetëm me vepra të autorëve shqiptarë, por dhe nga autorëve të huaj.

Mehmet Gëzhilli është një prej tyre, i cili erdhi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për t’i dhuruar Bibliotekës sonë, disa prej botimeve të fundit të Argeta LMG.

Ekspozime, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj, çmimet e panairit, konferenca, Sofaja e librit dhe më shumë do të jenë ngjarjet që do të mbushin këtë Panair!

Shënojini në agjendën tuaj këto data 15-19 nëntor!”/KultPlus.com

Rita Ora fiton çmimin ‘Artistja muzikore më e mirë’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora është shpallur “Artistja muzikore më e mirë e vitit” në një ceremoni për ndarjen e çmimeve vjetore në Londër, në ngjarjen ‘Ethnicity Awards 2023’, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje të organizuar nga panelistja e Loose Women, Judi Love, u vlerësuan të arriturat jetësore të shumë yjeve të famshëm në fusha të ndryshme.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rita Ora përmes një postimi në Instagram:

Turistja italiane, vizitorja e 100 000-të në Muzeun e Krujës

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka shënuar një numër rekord vizitorësh gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “janë 100 mijë vizitorë vendas e të huaj që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti. Ndërkohë që gjatë muajit nëntor presim një fluks të lartë vizitorësh në kuadër edhe të festave të 28-29 Nëntorit”.

Hafizi tha se “mbi 50% e vizitorëve janë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa kryesojnë spanjollët, polakët, italianët, amerikanët etj.”.

“Për të përballuar fluksin e vizitorëve ne kemi eksperiencën e duhur në shoqërimin e vizitorëve në muze dhe stafi do të jetë në dispozicion të tyre për t’i njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”, tha Hafizi.

Hafizi bëri të ditur se “vizitorja e 100 000-të ishte Roberta Oss Pegora nga Trento, Itali, e cila në veçanti vlerësoi mikpritjen dhe mirësjelljen e shqiptarëve gjatë qëndrimit në vendin tonë”.

Duke e cilësuar muzeun më të dashur për të gjithë shqiptarët, Hafizi tha se “më 1 nëntor muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë shënoi edhe 41-vjetorin e krijimit”.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në këto pavilone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit të XV, etj./ATSH/KultPlus.com

Patrulla ‘Triumfi Dardan 2023’ sfidon kadetët e ‘Akademisë së Mbrojtjes’ në aspektin fizik dhe mental (FOTO)

Kadetët e vitit të tretë dhe të katërt nga ‘Akademia e Mbrojtjes’ janë sfiduar në aspektin fizik, mendor dhe taktik pas zhvillimit të Patrullës “Triumfi Dardan 2023”, e cila ka pasur karakter garues  mes skuadrave, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi në facebook thuhet se Kadetët e Qendrës për Studime Universitare, ‘Akademia e Mbrojtjes’, kanë përfunduar me sukses Patrullën ‘Triumfi Dardan 2023’ duke dëshmuar qëndrueshmëri fizike, mentale dhe bashkëpunim ekipor, që janë esenciale për sukseset në sektorin e mbrojtjes.

“Kadetët e vitit të tretë dhe të katërt përfunduan me sukses Patrullën “Triumfi Dardan 2023”.

Kjo patrullë e cila tashmë është ndër traditat më të çmuara të QSU-së, ka karakter garues në mes skuadrave. Gjatë kësaj patrulle kadetët sfidohen mjaft shumë në aspektin fizik, taktik dhe të udhëheqjes. Por, përvoja e mirë dhe mësimet e marra nga ky aktivitet janë të një rëndësie të veçantë për kadetët.

Qëndrueshmëria fizike dhe mentale, shpirti luftarak dhe puna ekipore janë esenciale në përfundimin e suksesshëm të Triumfit Dardan.

I përgëzojmë ‘Dardanët’ tanë për Triumfin e tyre” thuhet në njoftimin e Qendrës për Studime Universitare-Akademia e Mbrojtjes/KultPlus.com

Historiani dhe gazetari britanik i ftuar në podcastin e Ramës/ Rrëfen për librin “Vendet e mia” dhe situatën e Europës

Studiuesi, gazetari, shkrimtari dhe historian britanik, Timothy Garton Ash, ishte i ftuari i radhës i episodit të tetë të podkastit “Flasim” nga Kryeministri Edi Rama.

Historiani Timothy Garton Ash ndodhet në Tiranë për të prezantuar librin e tij “Vendet e mia”, për të cilin tha se iu deshën 50 vite për ta shkruar me 50 udhëtime përreth Europës duke mbajtur shënim gjithçka.

“Unë e përshkruaj shpesh veten si “historian i së tashmes” dhe është interesante që qysh prej kohëve të Thukididit – i pari historian i mirëfilltë – deri në shekullin e 18-të, njerëzit mendonin se historia e kohës kur jeton, është historia më e mirë, pasi, në fund të fundit, atë njohim më mirë, botën në të cilën jetojmë vetë. Është një ide mjaft e rishtë, që e ka zanafillën vetëm në shekullin e 19-të, sipas së cilës duhet të presësh 30 a 40 vjet. M’u deshën 50 vjet për ta shkruar këtë libër, 50 udhëtime përreth Europës, duke mbajtur shënime mbi gjithçka. E vetmja gjë që di është sesi ishte të ndodheshe atje. Si ishte të gjendeshe në Gjermaninë Lindore, gjërat që bëheshin nga Stasi ose kur u rrëzua Muri i Berlinit, ose gjatë Revolucionit të Kadifenjtë në vitin 1990 apo në Kosovë në vitin 1999. Ajo çfarë di tani janë pasojat. Mendoj që nuk janë në kundërshti, janë plotësuese.– tha historiani.

Kryeministri Edi Rama e pyeti sesi e shkruan Timothy Garton Ash historinë, duke qenë se është edhe gazetar, pra shkruan historinë apo I përcakton lexuarit një drejtim.

Nuk është problem, është një avantazh i madh – të dy, në thelb, janë në kërkim të së vërtetës. Është shumë e thjeshtë. Detyra e të dyve është të qëmtojnë të vërtetën dhe këtë e bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme, e vrojtojmë paraprakisht, vijmë të flasim me një kryeministër – mëson shumë duke folur me kryeministra – por edhe duke u ulur nëpër biblioteka apo arkiva për të lexuar dokumente të 50 vjetëve më parë. Kështu që, nuk mendoj që kundërshtia qëndron këtu, kundërshtia vjen kur fillon të mendosh – unë e quaj “riti i Kisingerit” – kur e mendon veten si vendimmarrës dhe gati përpiqesh të jesh një qeveri dhe të bësh politikën e qeverisë, në vend që të bësh atë që është puna jonë, përpjekjen për të kërkuar të vërtetën dhe për ta thënë atë siç është, duke i thënë pushtetit të vërtetën. Pra, këtë kam menduar që kam bërë, gjithmonë.”-tha ai.

Duke folur për ‘Brexit’, Garton Ash e cilësoi si disfatën më të madhe politike të jetës së tij.

‘’Për mua, Brexit-i ishte disfata më e madhe politike e jetës sime. E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty’- u shpreh historiani.

Intervista e plotë:

Kryeministri Edi Rama: Episodi i tetë i sezonit të dytë të podkastit “Flasim” dhe ndër të ftuarit që unë besoj se janë specialë gjithnjë në këtë tryezë, sot është një i ftuar shumë special, historian britanik apo britanik njëherë, pastaj historian…

Timothy Garton Ash: Historian njëherë, europian..

Kryeministri Edi Rama:  …autor, opinionist dhe historian serioz. Pyetja ime është, çfarë është më shumë në rrezik, kur një historian serioz diskuton mbi historinë bashkëkohore, e cila ende po ndodh, pra në distancë mjaft të afërt, që nuk le shumë hapësirë për gjykim retrospektiv? A është në rrezik vetë historia apo gjykimi i fakteve bashkëkohore, kur hyn në mes historiani?

Timothy Garton Ash: Unë e përshkruaj shpesh veten si “historian i së tashmes” dhe është interesante që qysh prej kohëve të Thukididit – i pari historian i mirëfilltë – deri në shekullin e 18-të, njerëzit mendonin se historia e kohës kur jeton, është historia më e mirë, pasi, në fund të fundit, atë njohim më mirë, botën në të cilën jetojmë vetë. Është një ide mjaft e rishtë, që e ka zanafillën vetëm në shekullin e 19-të, sipas së cilës duhet të presësh 30 a 40 vjet. M’u deshën 50 vjet për ta shkruar këtë libër, 50 udhëtime përreth Europës, duke mbajtur shënime mbi gjithçka. E vetmja gjë që di është sesi ishte të ndodheshe atje. Si ishte të gjendeshe në Gjermaninë Lindore, gjërat që bëheshin nga Stasi ose kur u rrëzua Muri i Berlinit, ose gjatë Revolucionit të Kadifenjtë në vitin 1990 apo në Kosovë në vitin 1999. Ajo çfarë di tani janë pasojat. Mendoj që nuk janë në kundërshti, janë plotësuese.

Kryeministri Edi Rama:  Po, kjo është një mënyrë e mirë për të argumentuar në favor të të dyjave, për të mbrojtur atë që bën. Sidoqoftë, ka ende një rrezik, nuk po them kundërshti, por rrezik…

Timothy Garton Ash Nëse mundem… A mund të qëndroj pak këtu? Problemi me historianin që bën gjënë tipike të historianit akademik dhe pret 30 apo 40 vjet, është ai që filozofi Henri Bergson e quan iluzioni i  determinizmit retrospektiv, tundimi gati i parezistueshëm për të besuar se ajo çfarë në fakt ka ndodhur, në një farë mënyre duhej të ndodhte. Le të marrim fundin e komunizmit, rënien e Murit të Berlinit, fundin e Luftës së Ftohtë, fundin e komunizmit në Shqipëri… Njerëzve sot iu duket sikur ishte e pashmangshme. Ju e dini shumë mirë që vetëm e pashmangshme nuk ishte. Pra, ajo që kësisoj mungon është botëkuptimi mbi se si iu dukej njerëzve të asaj kohe dhe çfarë nuk dinin ata në atë kohë. Ky është avantazhi kur historia nis të shkruhet nga momenti i së tashmes.

Kryeministri Edi Rama:  Atëherë, shkojmë te pyetja tjetër, që është: “Kur shkruani opinionet tuaja – opinione të forta më duhet të them – mbi ngjarjet e ditës, shkruani histori apo përpiqeni të përcaktoni një drejtim të mundshëm për lexuesit tuaj, bazuar në mënyrën sesi e lexoni momentin dhe, po kështu, mbështetur tek ajo çka keni mësuar nga historia?”

Timothy Garton Ash:  Do të thoja që historiani dhe gazetari – dhe unë jam që të dyja këto – …

Kryeministri Edi Rama:   Ky është problemi…

Timothy Garton Ash: Nuk është problem, është një avantazh i madh – të dy, në thelb, janë në kërkim të së vërtetës. Është shumë e thjeshtë. Detyra e të dyve është të qëmtojnë të vërtetën dhe këtë e bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme, e vrojtojmë paraprakisht, vijmë të flasim me një kryeministër – mëson shumë duke folur me kryeministra – por edhe duke u ulur nëpër biblioteka apo arkiva për të lexuar dokumente të 50 vjetëve më parë. Kështu që, nuk mendoj që kundërshtia qëndron këtu, kundërshtia vjen kur fillon të mendosh – unë e quaj “riti i Kisingerit” – kur e mendon veten si vendimmarrës dhe  gati përpiqesh të jesh një qeveri dhe të bësh politikën e qeverisë, në vend që të bësh atë që është puna jonë, përpjekjen për të kërkuar të vërtetën dhe për ta thënë atë siç është, duke i thënë pushtetit të vërtetën. Pra, këtë kam menduar që kam bërë, gjithmonë.

Kryeministri Edi Rama:   Por, në një farë mënyre, kur i thua pushtetit të vërtetën, vë në diskutim vendimin e pushtetit.

Timothy Garton Ash:  Sigurisht.

Kryeministri Edi Rama:   Dhe, kur vë në diskutim vendimin e pushtetit dhe thua “nuk është puna ime të marr vendime”, ti e vë veten në njëfarë mënyre edhe mbi vendimmarrësin dhe pa e shprehur, ti pretendon se e vërteta jote është më e mirë sesa e vërteta që e çon vendimmarrësin drejt vendimit të vet.

Timothy Garton Ash:  Shiko si është puna, demokracia varet nga ndarja e pushteteve. Ke pushtetin gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv dhe…

Kryeministri Edi Rama:   Po, po dhe jam dakord me këtë, por mos m’u shmangni…

Timothy Garton Ash: Nuk po shmangem. Ka një ekuivalent intelektual të ndarjes së pushteteve, që është se ne luajmë role të ndryshme, që, domethënë, ti, si politikan…

Kryeministri Edi Rama:   Po, po, jam dakord me këtë…, por dua që tani të më rrëfeheni, sepse duhet të rrëfeheni. Duhet të përpiqem t’ju bëj të rrëfeheni dhe nëse kërkoni të mbroheni tërë kohën me anë të disa argumenteve të formuluara bukur, në rregull, por më duhet të këmbëngul. A nuk mendoni se, kur thoni “i them pushtetit të vërtetën, pra le të themi, ky vendim është një gomarllëk”, a nuk mendoni se i jepni vetes një epërsi morale të papërgjegjshme, duke thënë “nuk është përgjegjësia ime ta bëj këtë, nuk bëj punën tënde, por po të them që ajo që po bën është një gomarllëk”.

Timothy Garton Ash:  Nuk do përdorja tamam atë gjuhë, të të thoja që ajo që po bën është “gomarllëk”. Ajo që do thoja…

Kryeministri Edi Rama:  Jo… thjesht po e zhvesh nga zbukurimet gjuhësore, për ta bërë të qartë atë që kërkoj të nxjerr prej jush.

Timothy Garton Ash:   Miku im i mirë, Vaclav Havel, që është një prej heronjve të këtij libri, i cili ishte disident e më pas dramaturg dhe më tej, politikan e president…

Kryeministri Edi Rama:  Nuk jemi ende te libri. Do vij edhe te libri.

Timothy Garton Ash:… po ka shumë lidhje me këtë. Ai kishte idenë se mund të vazhdosh të jesh njëkohësisht edhe intelektual, edhe politikan e vendimmarrës. Argumenti im është që këto janë thjesht role të ndryshme. Por, politikanit i duhet domosdoshmërisht të ndjekë një linjë të caktuar dhe ta çojë përpara këtë linjë e ta përsërisë, që fundja të fitojë zgjedhjet. Intelektuali e sfidon në mënyrë të vazhdueshme, e rivlerëson, e sheh nga kënde të ndryshme. Nuk është çështja që njëri ka epërsi morale ndaj tjetrit, demokracia ka nevojë për të dy, po aq sa ka nevojë për parlamentin, ekzekutivin dhe legjislativin.

Kryeministri Edi Rama:   Absolutisht. Nuk po vë në diskutim të drejtën e ekzistencës suaj…

Timothy Garton Ash:  Shumë e sjellshme nga ana juaj!

Kryeministri Edi Rama:   … si një person që i thotë të vërtetën pushtetit, po përpiqesha të zbërtheja paksa atë me të cilën e nisa. Edhe njëherë, ju jeni historian, jeni edhe opinionist, të themi, autor librash, gazetar e të gjitha këto dhe gjendeni në një pozicion shumë të mirë, pasi, duke njohur historinë, zotëroni instrumente mjaft të forta ose antena të ndjeshme, për të filtruar atë çfarë ndodh në realitet, por desha thjesht të dija prej jush sa mund ta minojë kjo njërën apo tjetrën. Ju u përgjigjët deri diku dhe e kuptoj plotësisht. Le të shkojmë pak më tej, atëherë. Ju keni qenë shumë i përfshirë, me gjithë zemër do thoja nga ajo çka kam lexuar, në një ndryshim të madh, në kalimin historik nga regjimet totalitare në shoqëri të lira. Tema juaj kanë qenë revolucionet e ish-regjimeve komuniste. Në ato momente në kohë, ju ishit shumë entuziast për atë që ndodhte. Po tani, parë me sytë e asaj që po ndodh, a nuk mendoni se ajo çfarë keni shkruar asokohe ishte gazetari dhe ajo çfarë shkruani në këtë kohë lidhur me atë që keni shkruar dikur është histori?

Timothy Garton Ash:  Ah, e kuptoj ku e keni fjalën. Mendoj që të dyja janë histori. Mendoj që janë lloje paksa të ndryshme historie. Njëra është historia e së tashmes, që, siç e thashë, për shekuj të tërë është konsideruar si historia më e mirë, asnjë s’mund të thotë që Thukididi nuk ishte historian, por ajo çfarë nuk njihet janë pasojat afatgjata. Kështu që, këtu, për herë të parë, pas 50 vjetësh, po kthej kokën pas, ajo që në gjuhën angleze njihet si “vrojtim në retrospektivë”, një instrument i mrekullueshëm, që ka avantazhin e të kuptuarit të diçkaje pasi ka ndodhur.  Sa i takon argumentit tuaj për lirinë – sepse ky është një libër mbi Europën dhe lirinë, dy lajtmotivet e jetës sime – kur nisa të udhëtoj nëpër Europë në fillim të viteve ’70, shumica e europianëve jetonin ende nën diktaturë, jo vetëm Shqipëria dhe e gjithë Europa Lindore e Juglindore, por edhe Spanja, Portugalia dhe Greqia, që kishin diktatura fashiste, ndaj historia e madhe, jo vetëm e jetës sime, por edhe e Europës, është përhapja e lirisë dhe e demokracisë dhe, pastaj, e bashkimit të Europës dhe nuk mendoj që e shoh me më pak entuziazëm tani sesa e shihja gjatë kohës kur isha dëshmitar i saj. Sigurisht, kishte probleme të mëdha, gjithmonë ka probleme, por më duket se thelbi është një histori e shkëlqyer e përhapjes së lirisë. Edhe diçka tjetër shumë shpejt. Shumë historianëve akademikë apo studiuesve iu pëlqen të mbajnë një ftohtësi olimpike, sikur janë të shkëputur dhe asnjanës. Askush nuk është asnjanës, askush nuk është objektiv. Unë kam një tjetër qasje. Modeli im është George Orwell, “Homazh Katalonjës”. Ti iu tregon lexuesve saktësisht qëndrimin që ke: unë jam me disidentët, unë mbështes lirinë, unë mbështes demokracinë, unë mbështes Europën. Është një lloj kontrate me lexuesin tënd, është kontratë ndershmërie, në vend të pretendosh se ke ftohtësi olimpike dhe je asnjanës, çka mbart një lloj mashtrimi në vetvete.

Kryeministri Edi Rama:   Prirem të bie dakord me ju për këtë. Pyetja tjetër është, çfarë ka shkuar keq nga koha e ngjarjeve ku keni qenë dëshmitar në fillim të këtij ndryshimi të jashtëzakonshëm – nuk besoj ka njeri që e vë në dyshim se ky ka qenë një ndryshim vërtet i madh dhe pozitiv – dhe deri më sot. Ju jeni një dëshmitar, i cili gjithnjë ka këmbëngulur të dëshmojë dhe nuk i ka ikur asnjëherë dëshmisë në bankën e gjyqit publik. Pra, kur ishit dëshmitar i një ndryshimi të madh, e shihnit sigurisht me syrin objektiv të asaj që po ndodhte, por edhe me një dëshirë të madhe subjektive që kjo të çonte në diçka të mrekullueshme. Ndërkohë, sot, vazhdoni të dëshmoni në bankën e gjyqit publik dhe jeni dëshmitar që disa gjëra kanë shkuar keq. Pra, nëse mund ta përmblidhni në shumë pak minuta, çfarë shkoi keq?

Timothy Garton Ash:  Dy gjëra. Së pari, nënvlerësuam atë që do të ishte përgjigjja, reagimi. Shembulli klasik: perandoria ruse, perandoria sovjetike ruse, apo jo? Ne njihemi me rënien e perandorive nga historia. Atyre nuk iu pëlqen. Pyesni britanikët, pyesni francezët. Ndaj, kur perandoria sovjetike ruse u zhduk befas, pa pipëtirë, brenda tre viteve, 1989-1991, nuk duhet të kishim menduar që historia mbaroi aty. E them edhe në libër,  kur u takova me Vladimir Putinin, në vitin 1994, ai fliste që atëherë për Krimenë, thoshte që Rusia duhet të merrte mbrapsht disa nga territoret që kishin qenë gjithnjë ruse. Pra, kjo ka të bëjë me mosparashikimin e asaj çfarë do të bënte pala tjetër, që Rusia do të përpiqej të kthente perandorinë e saj. Gjysma tjetër e historisë ka të bëjë me gabimet tona si europianë liberalë – dhe ky është edhe një libër autokritik. Arroganca! Miqtë tanë të vjetër grekë… Nga fillimi deri në mes të viteve ‘2000, menduam që çdo gjë do shkonte në drejtimin që donim ne dhe është pikërisht në këtë moment, në vitin 2007-2008, që gjërat nisën të shkonin keq në shumë aspekte. Folëm kaq shumë për gjysmën tjetër të botës, për komunitetin europian, për Europën, sa neglizhuam gjysmën tjetër të shoqërive tona. Pra, mendoj se janë ata, por edhe ne.

Kryeministri Edi Rama:   Dhe gjysma tjetër nënkupton?

Timothy Garton Ash:  Nënkupton njerëzit që votuan për Brexit-in, njerëzit që votuan për Jarosław Kaczyński-n, njerëzit që votuan për Donald Trump-in.

Kryeministri Edi Rama:   Do të vijmë te Brexit-i.

Timothy Garton Ash:  E kam fjalën për ata që nuk ishin të kënaqur me atë që, për ne ose, së paku, për mua si Europian liberal, ishte një histori e mrekullueshme progresi, e hapjes së kufijve e Europës që bëhej bashkë. Për ta, nuk funksionoi.

Kryeministri Edi Rama:   Mendoj që, “po”, por, gjithashtu, për ta shkoi keq njëfarësoj, por nuk shkoi mirë as për anën tjetër të hemisferës, ku ata që ishin modeli ynë, burimi ynë i frymëzimit, qytetet e praruara mbi kodër, kishin këtë ndarje gjysmë për gjysmë.

Timothy Garton Ash:  E ke fjalën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Edi Rama:   Jo, nga Perëndimi, të themi, pra, nga Europa Perëndimore deri te Shtetet e Bashkuara. Në një farë mënyre janë të lidhura.

Timothy Garton Ash:  Plotësisht! Dhe ajo që do të thoja është se ishte pikërisht Perëndimi që ra pre e arrogancës, i pëlqeu vetja, u bë dembel dhe i vetëkënaqur. Ka diçka ironike në këtë histori, sepse, në njëfarë mënyre, konkurrenca me Bashkimin Sovjetik, konkurrenca ideologjike me Bashkimi Sovjetik, na mbante vigjilentë. Na duhej të konkurronim, duhej të provonim se kishim një model më të mirë dhe kështu kishim shtete më të forta të mirëqenies sociale, si dhe ekonomi të forta. Njëfarësoj, ramë viktima te vetë fitores sonë. Befas, në vitet ’90-‘2000, dukej se nuk kishim më një konkurrent të madh ideologjik global – ajo çfarë shkruante Francis Fukuyama në librin e tij të famshëm, “Fundi i historisë” – dhe atëherë nisëm të bëheshim dembelë dhe të vetëkënaqur. Tanimë, kemi sërish konkurrent, kemi Vladimir Putinin, por kemi edhe Kinën.

Kryeministri Edi Rama:   Një tjetër aspekt i kësaj është sërish një dëshmi ndryshe e juaja – ju jeni i njëjti person – por, dikur, jo shumë kohë më parë,  ju gjetët një mënyrë të bukur për të shpjeguar se çfarë ishte britanizmi dhe u shprehët që ishte si një paradoks:  Perandoria e mëparshme është kthyer në identitetin post-perandorak të një shoqërie gjithpërfshirëse, civile dhe shumë liberale. Kështu ishte atëherë, po tani çfarë është britanizmi, se nuk mendoj që vazhdon të jetë njësoj?

Timothy Garton Ash:  Me shumë respekt, nuk bie dakord.

Kryeministri Edi Rama:   Më thoni, pse? Dua lajme të mira.

Timothy Garton Ash:   Ja cili është lajmi i mirë. Më gjej një vend tjetër europian që ka një kryeministër hindu, një ministër të Jashtëm me ngjyrë dhe një kryetar bashkie mysliman si të Londrës. Ky është një kapacitet fantastik për të përqafuar, jo vetëm skocezët, anglezët, uellsianët dhe irlandezët, por edhe njerëz nga mbarë bota.

Kryeministri Edi Rama:   Jam dakord, por – ka një “por” këtu – kjo që përshkruat është produkti i asaj që kishit shpjeguar në atë kohë. Atëherë, ju e zbuluat këtë britanizëm dhe thatë: “Ky është britanizmi”. Le të themi që farat dhe e gjithë klima ekzistuese atëherë bënë të mundur që kjo pemë të lulëzonte dhe këta emra janë frytet e saj. Megjithatë, a mendoni se Britania e sotme do të ishte e aftë të vazhdonte pas 10 apo 20 vjetësh të prodhonte të njëjtat fryte, me ato që po shohim, me retorikën kundër emigracionit, mbështetjen shumë të fortë të ideve dhe koncepteve që, në kohën kur ju përshkruanit britanizmin, do të ishin dukur ca këndvështrime periferike, që kurrë nuk do të mund të fitonin zgjedhje.

Timothy Garton Ash:  Nuk mendoj kështu. Për mua, Brexit-i ishte disfata më e madhe politike e jetës sime. E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty.

Kryeministri Edi Rama:   Ka ende shpresë

Timothy Garton Ash:  Po dhe, meqë ra fjala, duke qenë se, më herët, folëm të dy pak rreth migracionit, mendoj që një nga gabimet që bëri Toni Blair, të cilin e admiroj për shumë gjëra – e tija ishte një periudhë e mrekullueshme  e historisë britanike – gabimi që bëri ishte të besonte se ishte e mundur që të kishte vetëm hapje, hapje, hapje; hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim. Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren – meqë ra fjala, vetëm 52 për qind me 48 për qind, mos harro, nuk ishte aspak e pashmangshme – ishte “Rimerr kontrollin”. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për “kontrolverlust” (humbjen e kontrollit). Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj.

Kryeministri Edi Rama:   Dëgjoni, së pari, më duhet t’ju informoj që jam shumë i hapur, por mbetem fanatik për disa gjëra dhe një prej tyre është: “Mos e prek Tony Blair-in në praninë time”. Thjesht, mos e prek.

Timothy Garton Ash: Shiko, unë e kam mik Tony Blair-in. Ai është i rritur mjaftueshëm, për të pranuar gabimet e tij.

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk po flas në emër të tij. Ai mund të flasë vetë për veten e të merret me gabimet e tij. Por unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in. Jo për të bërë avokatin e tij, por, më fal, sa vite ka Tony Blair që është larguar nga detyra, sa vite? Nuk mendoj se është shumë korrekte, që  ajo që ndodhi me Brexit-in t’i lihet Tony Blair-it si një gabim tjetër, sepse, ndoshta, asokohe – nuk e di – por, ndoshta, në atë kohë, hapje, hapje, hapje ishte rruga e duhur dhe, mbase, mbyllje, mbyllje, mbyllje është më shumë një reagim nxitimthi, kur sheh që po humbet kontroll, në vend të disa gjërave që mund të ishin bërë më parë… dhe, pastaj, fajin e kishte Tony Blair! Problemi në Britani me Tony-n sa herë që thotë diçka, është njerëzit nuk e dëgjojnë, por i thonë “ti e ke fajin për Irakun, kështu që mos fol, ti je kriminel”. Megjithatë, shumë kohë më parë, ai e ka thënë dhe e ka propozuar një mënyrë për të kontrolluar (imigracionin). Ai ka qenë një prej atyre njerëzve që ka paraqitur propozime për kontrollin. Mund të isha shumë mirë biografi i tij, por jo si ju, nga brenda, por nga jashtë.

Timothy Garton Ash:  Unë kam folur me Tony-n për këtë libër. Shkova dhe do e shihni në libër, fola me të rreth kësaj dhe besoj që ai do të ishte dakord. Britania ishte e vetmja anëtare e BE-së, që, me zgjerimin e madh në vitin 2004 dhe prapë në vitin 2007, me Bullgarinë dhe Rumaninë, tha “nuk ka kufi, çdokush mund të hyjë” dhe pastaj ata miliona europianolindorë që erdhën në Britani – që për mua është shumë mirë, se mund të flas polonisht…

Kryeministri Edi Rama:   Jo, jo, miliona europianët që erdhën në Britani erdhën duke i sjellë përfitime të mëdha Britanisë.

Timothy Garton Ash:  Jam shumë dakord.

Kryeministri Edi Rama: Sepse, e patë, kur filluan të largoheshin pas Brexit-it, ju duheshin shoferë kamioni.

Timothy Garton Ash:  Por, çdo analist i Brexit-it do ta thoshte këtë – dhe ata janë njerëz që janë thjesht në kërkim të së vërtetës – se një nga arsyet pse njerëzit e dhanë votën për Brexit-in ishte shkalla e emigracionit, sidomos nga brenda BE-së dhe këtu qëndron ndryshimi nga vendet e tjera europiane. Është thjesht fakt dhe nuk mendoj që Toni do ta kishte problem…

Kryeministri Edi Rama:   Jo, jo, nuk e di se çfarë ai mendon për këtë. Nuk kemi folur saktësisht për këtë, por… mirë, nuk do debatoj me ju, sepse do të ishte pretencioze dhe ndoshta shumë sipërfaqësore nga ana ime. Faleminderit që më thatë se ka shpresë për Britaninë. Ky është lajm i mirë. Dua të kaloj te diçka tjetër, që e keni shumë për zemër dhe që unë e kam shumë për zemër, po prapë ju jeni ai që i thoni pushtetit të vërtetën, unë jam një ish-folës i së vërtetës për pushtetin të cilit tani i duhet të merret me pushtetin dhe, ndonjëherë, kjo është një luftë e brendshme e fortë. Po flas këtu për lirinë e fjalës, që e keni fort për zemër, madje edhe keni shkruar “Roli i Europës në politikë, diversitet dhe fjalën e lirë” dhe keni thënë diçka për të cilën dua t’ju pyes, për ta shtjelluar pak. Keni shkruar dhe citoj, “na duhet një rrugë për të kombinuar lirinë dhe diversitetin” dhe ky, nëse nuk gaboj, është një reflektim i një shqetësimi tuajit, sesi po abuzohet me lirinë e fjalës, pa masë, apo jo? Ju thoni, “mënyra për të kombinuar lirinë dhe diversitetin, është duke pasur liri më të madhe, por edhe liri më të mirë, të fjalës”. Tani, kjo është një mënyrë shumë fisnike për ta parë këtë, po a është e mundur? Dhe si mund të jetë e mundur, kur – meqë ra fjala, duke folur për podkastin përpara se të fillonim, më thatë që keni qenë në shumë podkaste dhe e shihni si një mënyrë të mirë për të shkuar te veshi i njerëzve, sepse njerëzit, shumicën e kohës, nuk lexojnë dot më shumë se dy faqe, ndërkohë që mund të dëgjojnë. Pra si mund të jetë më e mirë liria e fjalës në një botë ku shkalla e dëgjimit nga njerëzit po ulet poshtë e më poshtë dhe mundësia për të thënë gjithçka që dëshiron të thuash, madje pa e menduar dy herë, vetëm rritet e rritet.

Timothy Garton Ash: Liri fjale nuk do të thotë që kushdo mund të thotë çdo gjë kudo dhe në çfarëdo konteksti. Ka pasur gjithnjë kufij për këtë dhe është lidhur përherë me dy gjëra. Pyetja e parë: “Sa e lirë duhet të jetë fjala?” Pyetja e dyte: “Si duhet të jetë fjala e lirë?”. Me fjalë të tjera, si duhet të flasim? Si duhet të zgjedhim të flasim me njëri-tjetrin, duke pasur parasysh kufijtë shumë bujarë që i duhet shtetit të lejojë. Tani, këtu, problemi është, po është mrekulli që ju edhe unë po flasim drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, por shumica e fjalëve tona sot ndërmjetësohet nga platformat e mëdha, nga Facebook-u ose Google ose Twitter-i dhe ata ndërmjetësojnë në një mënyrë të tillë që na furnizon duke privilegjuar mendimet më ekstreme. Algoritmet e tyre i optimizojnë (ekstremet) për të marrë vëmendje, e për rrjedhojë, fitime. Struktura e kësaj mënyre të atyre që unë i quaj superfuqitë private, platformave, po na jep një fjalë më të keqe, në vend të një fjale më të mirë dhe është ajo që unë e quaj një problem të thellë strukturor. Merr Twitter-in, për shembull – ju jeni në Twitter, apo jo…

Kryeministri Edi Rama:  Po, po.

Timothy Garton Ash: Unë e dua absolutisht Twitter-in, sepse ishte si sheshi i lashtë i “pazarit” grek, që do të thotë, ishte një platformë publike ku njerëzit flisnin publikisht. Nëse thonin ndonjë budallallëk, kundërshtoheshin. Dhe merr Elon Musk, kërkon të bëjë më shumë para dhe cilësia e platformës është ulur shumë. Kjo është vetëm pjesë e përgjigjes, por, mendoj, një  pjesë e rëndësishme e përgjigjes.

Kryeministri Edi Rama:   Po, po kjo nuk është tamam përgjigjja për  “Si-në”, kjo është përgjigja për “Pse-në”. Absolutisht që kjo është një prej arsyeve se pse cilësia e fjalës së lirë po përkeqësohet, sasia e komunikimit të keq, nëse mund ta them kështu, po rritet dhe ndikimi te të rinjtë është i tmerrshëm. Më kujtohet gjithnjë takimi im i parë me botën e fjalës e lirë. Kur m’u kërkua të botoja diçka në “The Guardian”. Ishin vitet ’90 dhe kjo lidhej me një problem që kisha hasur për marrjen e një vize nga ambasada britanike në Paris. Më kishte ftuar një mik në Londër. Miku im ishte i zemëruar dhe më thotë: “Shkruaj diçka dhe unë do i kërkoj ‘The Guardian’ ta botojë”. Ishte gjë e madhe. Kështu, shkrova diçka. Në atë kohë nuk kishte telefona celularë. E dërgova dhe kur u ktheva në atelienë time në Paris, po dëgjoja sekretarinë telefonike dhe dëgjoj një zë: “Z. Rama, po ju marr nga ‘The Guardian’ dhe kam nevojë të flas me ju, ndaj artikulli nuk mund të botohet nesër, sepse duhet të flasim.’

Thashë me vete, “çfarë ka ndodhur me artikullin”, po ishte shumë vonë. E marr ose më merr në telefon në mëngjes dhe më pyet për titullin që donin, i cili ishte më se në rregull dhe për dy ndryshime krejt të vogla, që ishin më shumë se në rregull. U befasova dhe iu thashë: “Ju nuk e botuat artikullin, se donit autorizimin tim për këto ndryshime?” “Sigurisht”.

Përvoja e dytë që pata sërish me botën e fjalës së lirë ishte me revistën, “The New Yorker”, kur Jane Kramer erdhi për të shkruar një portret timin, asokohe kryetar bashkie. Ajo qëndroi një javë këtu, pyeti njerëzit andej-këtej, foli me mua dhe, përpara sesa të largohej, më thotë: “Edi, duhet të kalosh edhe një proces që nuk është një përvojë e këndshme, por është kontrolli i fakteve”. Kurrë nuk kisha dëgjuar për kontrollin e fakteve. Më pas nisën të më dërgonin pyetje. Në një pikë të artikullit, kur kisha folur me të, isha shprehur se kur kisha takuar dikë, ajo ishte e veshur me të kuqe. Ata i kishin çuar e-mail personit në fjalë: “A jeni dakord me citimin, që ishit veshur me të kuqe?”.

I shkrova Jane-it dhe i them: “Jane, ky nuk është kontroll faktesh, kjo është KGB”. Përgjigjja e saj ishte: “Hahaha, duhet të ketë ndonjë arsye pse ‘The New Yorker’ nuk ka humbur kurrë një çështje në gjykatë”. Tani, ndjesë, po të kalosh nga kjo te një kazan ku ziejnë dokrra gjithfarësoj, gjithfarëlloj mendimesh të neveritshme, pa filtër, që nuk janë as mendime, po thjesht të vjella që i nxjerrin nga barku te publiku… janë dy civilizime kryekëput ndryshe.

Timothy Garton Ash:  Po. “The Guardian” vazhdon akoma dhe ka ende…

Kryeministri Edi Rama:  E di, kam pasur edhe një përvojë të tretë me gjermanët. Vitin e kaluar, dy gazetarë erdhën tek unë, ishin nga Der Spiegel,  dhe zhvilluan një intervistë, më kërkuan ta rishikoja dhe iu thashë: “Kjo është e pabesueshme, është fantastike. Nuk më ka ndodhur kjo me gazetarët kohët e fundit”.

Gazetarja më tha: “Ne vazhdojmë ta bëjmë këtë, por, ki parasysh, se kur ndodhin shkurtime të personelit në botën e publikimeve, kontrolluesit e fakteve janë të parët që shkurtohen”.

Timothy Garton Ash:  Problemi është ky, që motoja e “The Guardian”…

Kryeministri Edi Rama:   Besoj, ka dashur të thotë që nuk do të vazhdoj edhe për gjatë kështu.

Timothy Garton Ash: Problemi është ky, që motoja e botuesit të “The Guardian”, në shekullin e madh të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të, ishte “komenti është i lirë, po faktet janë të shenjta”. Tani thonë: “Komenti është i lirë, po faktet janë të shtrenjta”. Me fjalë të tjera, do të kërkonte një investim të jashtëzakonshëm të kohës, përpjekjeve dhe parave për të ruajtur faktet, nëse mund ta them kështu. Pata një bisedë këtu në Tiranë nja dy ditë më parë dhe një miku im më tha: “Nëse jam jashtë vendit dhe në Shqipëri ndodh diçka, po të shoh vetëm median shqiptare në internet, e kam shumë të vështirë të gjej se ku janë faktet”. Sepse nuk janë një burim i besueshëm që kontrollon faktet.

Kryeministri Edi Rama:   Ju po e plotësoni panoramën dhe faleminderit për këtë. Kthehem prapë te pyetja: “Si dreqin mund të kemi një fjalë më të mirë?!”

Timothy Garton Ash:  Mirë…

Kryeministri Edi Rama:   Në këtë lloj atmosfere, që nuk e inkurajon përmirësimin e fjalës, nuk ushtron trysni për përmirësimin e fjalës, nuk kërkon të përmirësojë fjalën dhe ku liria e përhapjes së fjalës e  ka zëvendësuar krejtësisht lirinë e fjalës. Gazetat, njerëzit që punojnë në gazeta thonë: “Po të rri, të kontrolloj, e humba, se e boton tjetri. Pra lajmi del, çfarëdo që të jetë, del dhe unë duhet ta ndjek”.

Timothy Garton Ash:  Do ta trajtoj nga dy anë. Së pari, nga ajo që nisa të thosha, kushtet e prodhimit, me fjalë të tjera, si vijnë këto gjëra te ne. A vijnë nga platformat e mëdha, a vijnë nga gazetat, apo nga televizioni, në rregull? Pra, nëse ke “The Guardian”, “The Economist”, “FT” dhe BBC-në tënde, ku këto fakte kontrollohen, ti i jep shoqërisë ajrin e pastër të fjalës së mirë.

Tre vjet më parë, ShBA-ja dhe Britania ishin të dyja tej mase të polarizuara, shoqëri me ndasi të skajshme, Britania për shkak të Brexit-it. Sot, Britania nuk ka më lidhje me atë ndarje, ndërsa ShBA-ja është edhe më e ndarë. Pse? Ne kemi BBC-në, kemi një media të besueshme e të arsyeshme, ku njerëzit mund të bëjnë vërtet dallimin midis fakteve, histerisë dhe trillimit.

Ana tjetër e kësaj është – dhe me vjen keq që e them këtë – edukimi. Po të hysh në një ushqimore dhe të blesh një sanduiç, ke një etiketë që t’i tregon me saktësi të gjithë përbërësit. Nëse je një fëmijë dhe hyn në internet e merr një informacion, nuk ke kurrfarë ideje se çfarë përmban dhe nga vjen. Pra, do ta shihja nga të dyja këndvështrimet, nga ai i konsumatorit dhe ai i prodhuesit.

Kryeministri Edi Rama:    Nuk e di. Po e mbyll këtë pjesë, duke kujtuar një burrë të madh, një person tjetër admirues fanatik i të cilit jam, e që nuk është më gjallë, Michel Rocard. Politikan i madh francez, kryeministri më i mirë francez sipas meje, pas Luftës së Dytë Botërore dhe një nga mendimtarët më të mëdhenj politikë, i cili, përpara se të vdiste, dha një intervistë dhe tha: “Interneti na ka marrë gjënë më të çmuar që na ka dhënë Zoti, kohën për të dyshuar”. Nuk ka më kohë për të vënë asgjë në dyshim. Duhet të jesh aty gati me anën tënde të historisë, gati për sulm. Të gjitha këto platforma që supozohet, supozohet të jenë hapësira të reja të lirisë së fjalës dhe të dialogut demokratik, janë çdo gjë përveçse platforma dialogu. Çfarë nuk ka aty… përveç dialogut. Ka llogore, ka njerëz në llogore, gjithsecili i veshur me parzmoren e bindjeve të veta për të kritikuar dhe të gjithë janë gati të qëllojnë drejt llogores tjetër me çfarë u vjen për goje e në mend, pa asnjë filtër. Është katastrofë. Nejse. Unë jam më pesimist se ju për këtë dhe falemnderit që më injektuat pak optimizëm. S’e di sa do zgjasë, por shpresoj deri nesër.

Le të shkojmë tani te libri. Keni botuar një libër, që është edhe në shqip tani. Përkthimi në shqip është “Vendet e mia (My Countries) – Një histori personale e Europës”. E lashë për në fund, sepse e nisa me një britanik dhe doja ta përfundoja me një europian. Por  nuk më latë ta bëja gjithçka siç e kisha në plan, që është më se në rregull. Dua ta nis këtë pjesë me këtë makinë, sepse kopertina më duket shumë e bukur dhe më duket e jashtëzakonshme kjo makinë, e cila, mesa duket, vjen nga një kohë tjetër. Dua t’ju pyes, a është kjo makinë një foto qe keni gjetur ju apo dizenjatori juaj grafik për të lidhur në një farë mënyre Europën e vjetër me atë të renë apo jeni ju shoferi këtu?

Timothy Garton Ash:   Jam shumë i kënaqur që e pikasët këtë kopertinë, sepse…

Kryeministri Edi Rama:   Është shumë e bukur.

Timothy Garton Ash:    …kopertina shqiptare është unike.

Kryeministri Edi Rama:   Po, sepse pashë versionin anglisht dhe nuk ishte.

Timothy Garton Ash: Kjo është vetëm në shqip dhe shkak ishte botuesja ime e mrekullueshme shqiptare, Arlinda Dudaj. Unë përshkruaj herën e parë fare që kalova Kanalin anglez nga ky ishull i çuditshëm e i largët, Britania, drejt asaj që atëherë e quanim Europa kontinentale dhe isha me këtë makinë, që njihej si “Hillman Super Minx”. Një makinë jo fort e mirë, e ngiste babai im dhe Arlinda gjeti një foto të kroskotit të asaj makine. Pra, ajo është makina me të cilën erdha për herë të parë në këtë vend të çuditshëm, që quhet Europë.

Kryeministri Edi Rama:   Pra, Arlinda e gjeti?

Timothy Garton Ash:    Po.

Kryeministri Edi Rama:  Chapeau (respekte) Arlindës.

Timothy Garton Ash:    Chapeau! Absolutisht fantastike

Kryeministri Edi Rama:   Po e ndihmuat ju ta gjente.

Timothy Garton Ash:    E gjeti vetë.

Kryeministri Edi Rama:   Ju nuk e dinit?

Timothy Garton Ash:    Unë vetëm sa kisha përshkruar makinën në libër.

Kryeministri Edi Rama:   Dhe nuk e dinit që e kishte gjetur?

Timothy Garton Ash:    Më dërguan një e-mail dhe aty ishte kopertina. E mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama:  Fantastike! Ky është vërtet një libër që më duhet ta lexoj deri në fund. E kam parë paksa, duket magjepsës. Dua t’ju pyes pak për Europën, por duke u hedhur disi përtej dy anëve të ekzistencës suaj si historian i së tashmes dhe si historian i së shkuarës. Dua që të jeni historian i së ardhmes. Më thoni, ku do të jetë Europa në 10 vjet?

Timothy Garton Ash:    Pikë së pari, shumë shpejt rreth titullit. Mrekullia e të qenit europian është se mund të ndihesh në atdhe, edhe kur je jashtë. Jam në Tiranë, jam në Paris, jam në Varshavë, në Madrid; është e qartë që jam jashtë vendit, por jam në shtëpi, ndaj quhet atdhe. Dhe kjo është një gjë unike që kemi ndërtuar, që është ky kombinim i unikes me diversitetin. Kjo na çon te pyetja juaj, që, tanimë, pas shumë vitesh gjatë të cilave Europa Perëndimore nuk e ka marrë realisht me aq seriozitet zgjerimin drejt Lindjes – do thoja që prej vitit 2008. Kroacia hyri në BE, por ju e dini këtë më mirë se çdokush, Maqedonia u bë kandidate që prej vitit 2005. Që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës më 24 shkurt 2022, Europa u kthye ta merrte edhe njëherë seriozisht zgjerimin drejt Lindjes. Herakliti, me që ra fjala, historian i lashtë grek, thoshte “lufta është nëna e të gjitha gjërave”. Edhe njëherë vërtetohet. Kjo luftë e madhe është zanafilla e këtij ndryshimi dhe do të thoja që kemi edhe njëherë një mundësi për të hedhur atë hapin e madh përpara, që hodhëm në vitet ’90 dhe në fillim të viteve ‘2000, me zgjerimin e parë të madh drejt Lindjes të Bashkimit Europian dhe të NATO-s deri te vendet baltike e te Rumania dhe Bullgaria. Pra, ky është shansi. Rreziku është se lufta në Ukrainë na ka treguar gjithashtu se gjendemi në një botë të vështirë dhe të rrezikshme për Perëndimin. Kështu, kemi periudhën e pasluftës, nga viti 1945 deri në vitin 1989. Kemi atë që unë e quaj periudha pas Murit, nga rënia e Murit të Berlinit, nga viti 1989 deri më 24 shkurt 2022. Tani jemi në një periudhë të re. Si do të quhet? Mendoj se mund të quhet periudha post-perëndimore, sepse, befas, zbulojmë se kemi Rusinë që bën një luftë mizore për rikolonizimin e Ukrainës. Po Kina nuk shqetësohet, India nuk shqetësohet, Turqia qëndron midis në një farë mënyre, Afrika e Jugut është e lumtur të zhvillojë stërvitje të flotës ushtarake bashkë me Rusinë dhe Kinën, Brazili nuk shqetësohet aq shumë. Pra, po kërkojmë të ndërtojmë këtë Europë më të madhe e më të mirë, por në një botë fuqish të mesme e të mëdha joperëndimore, që kanë një optikë mjaft të ndryshme për mënyrën si duhet të jenë gjërat. Për mua, kjo është sfida.

Kryeministri Edi Rama:   Po, por pyetja ishte: “Më thoni, ku do të jetë Europa pas 10 vitesh?” Të gjitha këto janë analiza. Tani, si do të shkojë? Përpiquni që, për një moment, të jeni historian i së ardhmes.

Timothy Garton Ash: Historian i së ardhmesh është kontradiktë konceptesh. Historian i së shkuarës, historian i së tashmes…

Kryeministri Edi Rama: E di, po, prapë, po ju sfidoj që t’i mbijetoni kësaj kontradikte në koncepte.

Timothy Garton Ash: Pikë së pari, motoja e madhe e italianit arbëresh, Antonio Gramsci, ishte pesimizmi i intelektualit, optimizmi i vullnetit. Po të shohësh gjithë këto sfida, ndryshimi i klimës, plus zhvillimet demokratike, është e vështirë të jesh intelektualisht optimist. Mendoj se, po të mobilizohej një brez i ri europianësh, jo vetëm për të mbrojtur atë çfarë kemi arritur, që është Europa më e mirë që kemi pasur, por edhe për ta zgjeruar dhe përmirësuar atë, çka është plotësisht e mundur, pas 10 vjetësh, do të mund të shohim pas dhe të kemi një Union prej 35 shtetesh dhe do t’ia kemi arritur të mbrojmë atë që kemi, mënyrën e lirë të jetesës në Europë. Është e mundur, por është në dorën tonë.

Kryeministri Edi Rama:  Mirë. Së pari, bie absolutisht dakord me ju, 100 për qind, por Europa siç u konceptua dhe ashtu siç është shpalosur, bazuar në vizionin dhe ëndrrën madhështore të etërve themelues, është projekti më i mrekullueshëm politik i njerëzimit, sipas këndvështrimit tim. Pra, njerëzit nuk kanë krijuar asnjë koncept më të mrekullueshme sesa Europa, Bashkimi Europian…

Timothy Garton Ash:  Në politikë…

Kryeministri Edi Rama:   Po, politikisht. Po flas për Bashkimin Europian, absolutisht. Problemi, siç e shoh unë, për të shkuar drejt asaj që ju përshkruat, nuk lidhet aq fort me brezin e ri të europianëve dhe gjithë këtë, por ka të bëjë me diçka që, të paktën, kryesisht, ndoshta jo vetëm me këtë, diçka që edhe ju vetë e keni shkruar, që vetë Europa duhet të marrë disa nga tiparet e perandorisë. Ky është çelësi. Ma shpjegoni, se një perandori me 35 vende nuk e shoh të funksionojë. Me 35 në drejtim, se perandoria mund të ketë edhe 350, po çështja është kush udhëheq.

Timothy Garton Ash:  Ka një paradoks të fortë. Nëse Ukraina ia del të mbrojë pavarësinë e vet, ky do të jetë fundi i perandorisë së fundit të madhe europiane, perandorisë ruse. Pra, për herë të parë në më shumë se 600 vjet, do të kemi një Europë pa perandori në det dhe në tokë. Por, për ta arritur këtë, vetë Europa duhet të përftojë disa prej tipareve të një perandorie, sepse duhet të jemi të aftë të mbrohemi, ndaj duhet të jetë diçka e re në histori, që është një perandori johegjemoniste, një perandori pa asnjë hegjemoni, sidomos, nëse Shtetet e Bashkuara…

Kryeministri Edi Rama:   Një perandori e të vullnetshmëve për të qenë pjesë e saj.

Timothy Garton Ash:  Për të qenë pjesë e saj dhe për të bërë më shumë së bashku.

Kryeministri Edi Rama:   Sigurisht, po jo hegjemoniste në këtë drejtim.

Timothy Garton Ash: Pa asnjë vend të vetëm si hegjemonist, ky është kyçi. Meqë ra fjala, gjashtë muaj më parë isha ulur në Ministrinë e Jashtme në Kiev, me shumë roja përreth, me Ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe më thotë: “Për ne, Europa është një perandori liberale, një perandori i paqtë, johegjemoniste, me pëlqimin e të gjithëve dhe ne duam të largohemi nga ajo perandori e vjetër e keqe, perandoria ruse dhe të hyjmë në perandorinë liberale”. Po, që ta bëjmë këtë, duhet të shkojmë përtej asaj që kemi bërë deri më tani. Dhe, e di çfarë? Askush nuk e ka bërë këtë deri më sot. Ju thatë sa i mrekullueshëm është Bashkimi Europian. Absolutisht, po. Ky është argumenti i këtij libri. Kjo është Europa më e mirë që kemi pasur, por askush nuk ka mbledhur kaq shumë vende europiane në një bashkim që është i fortë, i cili mund të mbrojë veten, ekonomikisht dhe ushtarakisht, teknologjikisht dhe në anë të tjera, por që, njëkohësisht, nuk është hegjemonist dhe ruan ekuilibrat midis unitetit dhe diversitetit. Pra, le të mos e marrim lehtë, kjo do të ishte diçka tërësisht e pashembullt në histori.

Kryeministri Edi Rama:   Po dhe është shumë më e lehtë të zgjidhësh kontradiktën midis të qenit historian dhe të shkruarit e historisë së të ardhmes sesa të përfytyrosh një perandori funksionale, johegjemoniste dhe jo e udhëhequr nga një fuqi hegjemoniste, që përmban 30, 40 a më shumë shtete dhe që është në gjendje të ketë unitet, të ketë vendimmarrje në kohë reale, të ketë udhëheqje të guximshme dhe të jetë efikase. Kështu, që, le ta lëmë këtu.

Timothy Garton Ash: Megjithatë, a mund të them që, në vitin 1989, merrja pjesë në tryeza të panumërta konferencash, ku njerëzit thonin, “do të ishte krejt e pamundur t’i futësh vendet Baltike në Bashkimin Europian dhe në NATO”. Ne e bëmë të pamundurën.

Kryeministri Edi Rama:  Nuk po them që do të jetë e pamundur. Thjesht, po them se duket më e vështirë ta parafytyrosh, ta konceptosh, sesa të shkruash historinë e së ardhmes. Por, sigurisht, ndoshta, do të vijnë njerëzit e aftë për ta bërë këtë.

Timothy Garton Ash: E di, Madeleine Albright, ish-sekretarja amerikane e Shtetit tregon një histori, kur një diplomat i lartë francez i thotë: “Zonja Sekretare, e dimë që do të funksionojë në praktikë, po a do të funksionojë në teori?” Do thoja që kjo është e anasjellta. Në teori, ka gjasë të jetë e mundur, çështja është, pavarësisht kësaj, a mund ta bëjmë praktikisht?

Kryeministri Edi Rama:  Kanë kaluar përtej 50 e më shumë minuta pa e vënë re, të paktën unë, se kanë mbetur vetëm 10 minuta dhe përvoja juaj, fusha juaj e interesave, hapësira juaj e të vërtetave që i thuhen pushtetit është kaq e gjerë, saqë, për fat të keq, do të na duhet ta lëmë për njëherë tjetër. Shpresoj që do të ktheheni. Shqipëria do të jetë pjesë e kësaj ëndrre, edhe kur të gjithë të tjerët do ta braktisin ëndrrën. Ne këtë bëjmë. U jemi gjithnjë besnikë perandorive. Do t’i qëndrojmë besnikë derisa vdekja të na ndajë asaj perandorie që po ngrihet apo do të ngrihet. Por, për ta përmbyllur, do t’i kthehem në radhë të fundit, radhës suaj të parë, të parës fare të këtij libri të bukur, që është edhe përpara rreshtit të parë. Do ta sjell këtu për dëgjuesit dhe për diskutimin tonë citimin e Soren Kirkegardit. Do përpiqem tani ta përkthej direkt nga shqipja në anglishte dhe shpresoj t’ia dal: “Është e vërtetë ajo që thotë filozofia, se jeta duhet kuptuar duke shkuar pas. Por me këtë, harrojmë premisën e dytë, që duhet jetuar duke shikuar përpara”. A nuk mendoni se ajo që ndodhi në atë moment për të cilin folëm shumë sot, revolucionet kundër totalitarizmit, ishte një forcë e madhe dhe një energji e jashtëzakonshme për të parë përpara, pa pasur dëshirë më për të shikuar pas, ndërkohë që, ajo që  jetojmë sot është përherë e më shumë pasojë e kthimit të kokës pas, më tepër sesa e hedhjes së shikimit para.

Timothy Garton Ash: Ka qenë një anekdotë të vjetër europianolindore. Më duket se ishte në Çekosllovaki, në vitet ’70. Dy njerëz takohen në rrugë. “Ç’kemi Jiří, si je?” Përgjigjja: “Më mirë se nesër”. Pra, kështu ishte atëherë, kështu mendonim në atë kohë për të ardhmen. Më pas, një njeri si Vaclav Havel erdhi dhe tha, “jo, nuk e pranoj këtë fatalizëm për atë botë. Nuk do të bëhem si Stefan Cvajgu, që thoshte “çdo gjë ka marrë fund’”. Sigurisht, patjetër që duhet të kemi një vizion për të ardhmen dhe unë e kam. Dhe në atë të ardhme, duke qenë vetëm dje mora çelësin e Tiranës nga kryetari juaj i bashkisë, pres me padurim të kthehem në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama:  Nuk vë në diskutim prirjen tuaj apo timen për të parë përpara. Thjesht, po thoja që ajo që po shohim, përplasjet që janë kudo, janë rrjedhojë e një qëndrimi që vjen shumë më tepër nga kthyerit të kokës pas sesa nga vështrimi përpara.

Timothy Garton Ash: Jam shumë dakord. Një prej problemeve gjatë kësaj periudhe vetëpëlqimi në fillim të viteve ‘2000, ishte se menduam që çdo gjë po shkonte siç e donim dhe se e ardhmja na përkiste ne. Tani kemi problemin e kundërt, mendojmë se e ardhmja i përket dikujt tjetër.

Kryeministri Edi Rama:  Sapo rastisa të dëgjoja një intervistë prej të shumtave të Yuval Hararit dhe mbeta plotësisht i befasuar nga një frazë, që, për mua, ishte kaq e bukur. U pyet si historian nga intervistuesi: “Ju, si historian, si e shihni atë që po ndodh dhe çfarë ju ka mësuar historia rreth kësaj?” Ai tha: “Në momente të caktuara në kohë, duhet të përballesh me dy gjëra themelore: drejtësinë dhe paqen. Gjithmonë, ajo që ka qenë më e mira, ajo që ka funksionuar më mirë është që, së pari, të sigurohet paqja dhe pastaj të hidhen sytë nga drejtësia, sepse nëse fiksohesh të sigurosh më parë drejtësinë dhe pastaj të kthesh kokën nga paqja, nuk do të kesh as drejtësi, as paqe”. Fantastike! Ju jam kaq mirënjohës dhe, sërish, ju falënderoj për anekdotën. Po e mbyll jo me një anekdotë, por me një episod nga ish-Shqipëria komuniste, kur një student i arteve u kthye nga studimet në një prej vendeve, nga Çekosllovakia, më duket. Kur arriti në fazën finale dhe i duhej të prezantonte punën e diplomës, këtu po hapej tashmë Instituti i Lartë i Arteve, akademia. Kështu, profesori i tij çekosllovak erdhi me të dhe ai e ekspozoi punën e tij përpara tij e gjithë të tjerëve dhe mori diplomën. Të nesërmen, kur shkoi të shoqëronte në aeroport profesorin e tij, profesori i thotë të uroj gjithë të mirat, por nuk ta fsheh dot që e ardhmja jote ishte dje./topchanel/KultPlus.com

Rriten kërkesat për punëtorë në Kroaci, këto janë profesionet më të kërkuara

Indeksi i vendeve të lira të punës OVI për muajin tetor u rrit me 3.6 për qind në bazë vjetore, që është muaji i tretë radhazi i rritjes së indeksit, njoftoi të premten Instituti Ekonomik i Zagrebit (EIZ), nga i cili theksoi se rritja e kërkesës për punë është në dhjetëmujorin e parë të këtij viti arriti në 4.2 për qind.

Në publikimin në faqen e EIZ-it, thuhet se edhe sipas të dhënave të rregulluara sezonalisht, indeksi OVI ka shënuar rritje për të tretin muaj radhazi.

“Pas 3.2 për qind në gusht dhe 5.1 për qind në shtator, në tetor indeksi u rrit me 0.8 për qind shtesë krahasuar me muajin paraardhës ose 9.1 për qind në tre muaj. Duke pasur parasysh një fillim kaq të mirë të tremujorit të fundit të këtij viti, mund të presim që i gjithë viti 2023 të mbyllet pozitivisht, pra me kërkesë ende të fortë në tregun e punës”, vlerësojnë analistët e EIZ.

Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, profesionet e shitësit, mësuesit, kuzhinierit dhe kamerierët mbetën ndër më të kërkuarit, por punëtorët e magazinës “shtyrën” kontabilistët dhe zunë pozicionin e profesionit të pestë më të kërkuar.

Rënia më e madhe në renditjen e profesioneve më të kërkuara ishte sërish programuesit, nga vendi 11 në vendin e 27-të dhe rritja më e madhe ishte për mjekët dhe dentistët, të cilët kaluan nga vendi i 22-të një vit më parë në profesionin e 13-të më të kërkuar në tetor 2023.

Kontributin më të madh në ritmin e rritjes së reklamave e kanë dhënë reklamat për punëtorët e magazinës, shoferët dhe teknikët e shërbimit, ndërsa kontributin më të madh negativ e kanë dhënë mësuesit, programuesit dhe shitësit, raporton EIZ.

Në periudhën njëvjeçare, pesha e reklamave në të cilat kërkohej një kualifikim i mesëm është rritur me 3.3 pikë përqindje, në 41.6 për qind, ndërsa në të njëjtën kohë pjesa e reklamave me kualifikim të lartë është ulur me 3.8 pikë përqindje, në 44.8 për qind.

Shumica e shpalljeve ofronin punësim me kontratë me afat të pacaktuar, 51.2 për qind prej tyre, që është një rritje prej 5.1 pikë përqindjeje në krahasim me tetorin e vitit të kaluar.

Kroacia Lindore me rritje të numrit të reklamave për 11 për qind

Në tetor, dy rajonet e Adriatikut shënuan një rënie të numrit të reklamave me bazë vjetore dhe Kroacia lindore arriti normën më të lartë të rritjes prej 11 për qind.

Në të njëjtën kohë, reklamat për mjekë dhe dentistë, teleoperatorë dhe kuzhinierë patën kontributin më të madh në rritjen e numrit të reklamave në Kroacinë lindore, ndërsa reklamat për mësuesit, shitësit dhe infermierët dhanë kontributin më të madh negativ në reklamat në Kroacinë Adriatike.

Vetëm dy profesione ishin në pesë profesionet më të kërkuara në të katër rajonet, përkatësisht profesionet e shitësit dhe mësuesit. Kuzhinierët dhe magazinierët ishin ndër profesionet më të kërkuara në tre rajone dhe kamerierët dhe mjekët në dy nga katër rajonet, theksojnë analistët e EIZ-it.

Online Vacancy Index (OVI), është një indeks mujor i vendeve të lira të punës online, i zhvilluar në Institutin e Ekonomisë dhe qëllimi i tij është të jep informacion në kohë për gjendjen aktuale të kërkesës për punë.

Ky indeks krijohet thjesht duke numëruar numrin e reklamave të reja unike, afatet e aplikimit të të cilave mbarojnë në muajin për të cilin është llogaritur indeksi./rtv21/KultPlus.com

Veshjet tradicionale të Lumës, ngjyra dhe elegancë

Një vend të rëndësishëm në punët e dorës dikur zinte përgatitja e kostumeve tradicionale. Gjithnjë e më të paktë janë personat që i veshin apo dinë t’i realizojnë veshjet tradicionale dhe për këtë arsye ruajtja e tyre, e përçimi i dijes janë thelbësore për trashëgiminë. Në kohët moderne, kostumet popullore shpalosen kryesisht në festivale folklorike apo raste gëzimesh familjare si dasmat. Ka ende shumë familje që i ruajnë ato si pasuri kulturore e shpirtërore.

DRTK Shkodër, në vazhdën e një projekti për prezantimin e veshjeve të veriut me publikun, sjell disa veshje të zonës së Lumës. Ato shquhen për bukurinë, elegancën e kombinimin e ngjyrave.

Në njërën nga fotot e publikuara në rrjetet sociale, DRTK Shkodër sjell një jelek të ruajtur me fanatizëm nga familja Doçi, punuar në dorë në vitin 1935 kur po përgatitej paja për vajzën e familjes.

Ky jelek ruan elementë të veshjes së Lumës e ruhet me fanatizëm në fshatin Nangë, nga kjo familje.

Në foton e dytë tregohet pjesa e pasme e jelekut lumjan, veshje e shekullit XX.

Më pas prezantohen edhe disa çorapë të Lumës në fshatin Vilë, punuar gjatë përgatitjeve për pajën, në familjen Hasa. Këto trashëgohen sot  nga e bija e shtëpisë. Për endjen e tyre janë përdorur lesh nga delja rudë që është racë 100 % e Kukësit dhe Dibrës.

Përveç veshjeve, DRTK Shkodër sjell edhe foton e një instrumenti muzikor që në Kukës quhet dahire dhe i përket familjes Gjana, në Ujmisht të Kukësit. Dahirja është realizuar nga i zoti i shtëpisë me rastin e fejesës së tre djemve të familjes./atsh/KultPlus.com

Mariah Carey paditet për këngën “All I Want For Christmas is You”

Muzikanti Andy Stone ka paditur këngëtaren Mariah Carey, dhe kërkon 20 milionë dollarë, me pretendimin se në këngën “All I Want For Christmas is You”, të publikuar në vitin 1994, këngëtarja ka kopjuar këngën e tij me të njëjtin titull, të publikuar në vitin në vitin 1989.

Padia është dorëzuar në gjykatën e Kalifornisë të hënën, raporton Fox News.

Stone, vokalisti i grupit “Vince Vance” dhe “The Valiants”, është bashkautor i këngës së tij.

Në padi thuhet se Carey kopjoi për 50% të këngës që Stone e realizoi pesë vjet më herët se Carey.

Stone pretendon se Carey dhe ekipi i saj kishin qasje në versionin e tij të “All I Want for Christmas is You”, për shkak të suksesit të gjerë komercial dhe kulturor që pati ajo.

Kënga e Stone u rendit në Billboard për vjet me radhë, dhe grupi i tij e interpretoi atë gjatë një paraqitjeje në Shtëpinë e Bardhë në pranverën e vitit 1994 – po atë vit që kënga e Carey u publikua. / KultPlus.com

Publikohet kënga e fundit nga grupi The Beatles, “Now and Then”

Është publikuar kënga që përshkruhet si “kënga finale” e grupit britanik “The Beatles”, raporton CNN.

Kënga që quhet “Now and Then” përmban edhe zërin e anëtarit të ndjerë të grupit John Lennon.

“E di që është e vërtetë. Është gjithçka për shkakun tënd. Dhe nëse ia dal, është për shkakun tënd”, është vargu që Lennon këndon në këngë.

Lennon e ka punuar këngën në shtëpinë e tij në New York gjatë viteve ‘70. Ishte gruaja e tij Yoko Ono që ua dha demon e këngës anëtarëve të mbetur të grupit në vitin 1994.

Këtë e ka bërë të ditur vet ajo duke shpjeguar ngjarjen në një film të shkurtër që u publikua në kanalin Youtube të mërkurën.

Kitaristi George Harrison para se të vdiste në vitin 2001, kishte deklaruar se ishte emocionuar shumë kur ka dëgjuar zërin e Lennonit në këngë.

“Dëgjimin e zërit të Johnit është diçka që duhet ta vlerësojmë. Dhe jam i sigurt se ai do ta vlerësonte mundësinë për të qenë me në përsëri”.

Përpunimin e këngës e kanë bërë yjet Paul McCartney, Starr dhe Harrison, në vitin 1995, por ata nuk mund ta ndanin zërin e Lennon nga melodia e pianos që dëgjohej në demo.

Është përdorur IA (inteligjenca artificiale) për ta ndarë zërin e Lennon nga një këngë demo për seritë e dokumentarit të drejtuar nga Peter Jackson me titull “The Beatles: Get Back” në vitin 2021. Në atë dokumentar flitet për realizimin e albumit “Let It Be” të Beatles në vitin 1970.

McCartney pastaj ribëri basin, Ringo shtoi bateritë, dhe të tjerat u shtuan nga muzikantët në “Capitol Studios”, të cilët e kishin mbajtur të fshehtë duke qenë se po e bënin një këngë të re të “The Beatles”.

Ai ka thënë gjithashtu se të gjitha kujtimet i janë rikthyer dhe ndjehej shumë me fat që ka punuar me njerëz të tillë.

Pastaj ka folur edhe djali i Lennon, Sean që ka thënë se ndjehej shumë i emocionuar e krenar.

“Ishte shumë prekëse t’i dëgjosh duke kënduar bashkë pas kaq shumë vjetësh pasi ka vdekur babi. Është kënga e fundit që babai im, Paul, George e Ringo do të mund të bëjnë bashkë”, ka thënë ai.

Lennon ishte vrarë në afërsi të apartamentin të tij në New York, në vitin 1980, kuri ishte 40 vjeç.

“The Beatles” 20 herë mbajtën numrin një në toplistat për 100 hitet më të mira të “Billboard”, duke përfshirë këngët “Hey Jude”, “Come Together”, “Let It Be”, “Help!” dhe “Yesterday.”

Të tjera këngë të njohura që dëgjohen sot e kësaj dite janë edhe “Twist and Shout” dhe “Here Comes the Sun”. / KultPlus.com

Mattia, 5-vjeçari me origjinë shqiptare nderohet me çmimin “Lexuesi i Vitit”

Italia nuk është vendi i lexuesve të mëdhenj, prandaj, është befasuese të zbulosh se një fëmijë vetëm 5 vjeç ka arritur të lexojë 125 libra në një vit, sipas “La Stampa”.

Të gjitha librat ishin pjesë e bibliotekës “Bartolomeo Della Fonte”, në Montemurlo, në provincën e Pratos.

Protagonist i kësaj historie është Mattia Mehdihoxha, me origjinë shqiptare, por banues në qytetin e vogël toskan.

Një fëmijë me pasion të madh për tregimet dhe leximin.

Sipas një llogaritjeje të shpejtë, Mattia udhëtonte nga shtëpia në bibliotekë afërsisht një herë në tre ditë.

Biblioteka “Bartolomeo Della Fonte” vendosi t’i jepte 5-vjeçarit çmimin “Lexuesi i Vitit”

Çmimi u dorëzua nga këshilltari i Kulturës i komunës së Montemurlos, Giuseppe Forastiero./atsh/ KultPlus.com

Arkeologët në Gjermani gjejnë një skelet mbi 600 vjeçar me protezë dore

Arkeologët në Gjermani kanë zbuluar një skelet shekullor të kompletuar me një dorë protetike metalike për të zëvendësuar katër gishtat që mungojnë.

Zyra Shtetërore e Bavarisë për Ruajtjen e Monumenteve tha në një deklaratë të botuar javën e kaluar se arkeologët përdorën datim karboni për të vlerësuar se njeriu vdiq diku midis viteve 1450 dhe 1620, në moshën 30 deri në 50 vjeç, shkruan CNN.

Gishtat në dorën e majtë të burrit duket se janë amputuar dhe mbetjet e dorës ishin të rrethuara në një kuti të zgavruar të punuar nga hekuri dhe metali tjetër, duke zbuluar gjendjen e përparuar të mjekësisë në atë kohë, thanë arkeologët.

“Proteza e zbrazët e dorës në dorën e majtë shtoi katër gishta,” tha në deklaratë Walter Irlinger, kreu i departamentit të ruajtjes së monumenteve arkeologjike bavareze.

“Gishti tregues, i mesëm, unaza dhe gishti i vogël janë të formuar individualisht nga llamarina dhe janë të palëvizshëm. Kopjet e gishtave shtrihen paralelisht me njëra-tjetrën, pak të lakuar. Me sa duket proteza ishte ngjitur në trung me rripa,” shtoi ai.

Një pëlhurë e ngjashme me fashë u gjet brenda dorës protetike, duke sugjeruar se ajo ishte përdorur për të qetësuar trungun.

Eshtrat u gjetën në një varr pranë një kishe në qytetin bavarez të Freising, rreth 40 kilometra (25 milje) në veri të Mynihut, gjatë punimeve të shërbimeve.

Freising ishte vendi i disa betejave gjatë Mesjetës dhe gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare të 1618-1648. Kjo ndoshta rriti numrin e amputimeve dhe për rrjedhojë çoi në më shumë proteza, thuhet në deklaratë.

Rreth 50 proteza të ngjashme që datojnë nga e njëjta periudhë kohore janë zbuluar në Evropën Qendrore, që variojnë në kompleksitet nga një e palëvizshme si ajo e gjetur në Friesing deri tek një dorë protetike e ndërlikuar, lëvizëse e veshur e famshme nga kalorësi Götz von Berlichingen pas vitit 1530, shtuan arkeologët. .

Dhe një gisht prej druri protetik edhe më i vjetër, 3000-vjeçar, u zbulua nga arkeologët në Egjipt në 1997.

I veshur nga vajza e një prifti, gishti i këmbës u bë për të mundësuar ecjen dhe për t’u dukur estetikisht natyral, zbuluan më vonë arkeologët./21Media/ KultPlus.com

Fondi i Teatrit për të Rinj sjell në “Skampa” një shfaqje frymëzuar nga Migjeni

Në Teatrin “Skampa” të Elbasanit është vënë në skenë shfaqja teatrore “M’i gjeni këngët e rinis”, frymëzuar nga vepra e plotë e Migjenit. Me regji të Ina Morinaj, publikut i janë prezantuar disa histori:

Studenti emigrant rikthehet në një shtëpi që tashmë i duket e huaj. Ai duhet të përballet me nostalgjinë për jetën që la pas dhe realitetin mbytës të vendit të tij. Njerëzit që gjen në shtëpi janë po të njëjtët, por atij i duken më të largët se kurrë. Ndërkohë merr vesh dhe një lajm – e motra do të martohet.

Historia e dytë është ajo e një 30-vjeçari që ndihet tashmë i plakur. Jeta për të ndryshon me ritme të shpejta dhe tashmë i duket sikur nuk ka më fuqi e mbështetje për asgjë. Dëshirat që ka janë të papërshtatshme për kohën – dashuria romantike, shtëpitë e vjetra janë tashmë të dala mode.

Historia e fundit trajton se si të rinjtë gjithmonë e më tepër e ndjejnë se si iu humbet shpresa në vendin ku jetojnë. Për ta rrugëdalja e vetme është largimi, por me kokën gjithmonë mbrapa.

“M’i gjeni këngët e rinis” vjen me interpretimin e Ilia Kaçi, Silvio Goskova dhe Matia Llupa. Kjo vepër është një nga 10 projektet fituese të “Fondit të Teatrit për të Rinj”, mbështetur nga Ministria e Kulturës. Shfaqja teatrore do të vijojë dhe në datat 3, 4 dhe 5 nëntor për publikun.

“Fondi i Teatrit për të Rinj” është një nismë e Ministrisë së Kulturës dhe për vitin 2023 nga 37 aplikime u përzgjodhën 10 fitues. Mes tyre, artistët e rinj kanë propozuar 5 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 5 të dramaturgjisë së huaj. Projektet teatrore përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental në bashkëpunim edhe me teatrot e rretheve./atsh/ KultPlus.com

Stuhia ‘Ciaran’ prek Shqipërinë, reagon Edi Rama

Stuhia “Ciara” që përmbyti Firencen dhe Toskanën, përfshiu sot edhe Shqipërinë, duke shkaktuar përmbytje të mëdha rrugësh në disa qytete dhe problematika të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim pasi stuhia goditi vendin ndërsa shprehet se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren.

“Pas përkeqësimit të shpejtë të motit që të gjitha strukturat shtetërore në terren për të siguruar kthimin në normalitet. Grupet e punës janë në gatishmëri për të garantuar që akset rrugore të jenë të hapura si dhe për të siguruar furnizim me energji elektrike.

Drejtuesit e automjeteve të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com

“nji ditë, tu’ u kujtue qi çdo gjaje i vjen fundi, u tranda“

Plator Gashi

nji ditë, tu’ u kujtue qi çdo gjaje i vjen fundi,
u tranda.
pastaj edhe kësaj së kujtueme i erdh fundi,
po disi s’u tranda asnjifije.
kështu pra nisa me u bindë, qi fundi mbase s’asht i lig.
e si mund të jetë e ligë nji sajesë poetike,
e rrasun thellë në makinën interpretuese të botës,
që ka për burim argumentin e xhamtë se lindja asht fillim
e vdekja fund?

pyeta pra nji gjethe, si asht me ra prej degës
kur vërshon eterin i ftohti vjeshtor:
“Pa më këqyr, si zverdhem e kuqërremem për bukuri! A ke pa
ndonjiherë gja ma të hijshme? Shih si spërdridhem
e si më përkund era andej-këndej! Pastaj prehem nji grimë
në tokë me bashkëgjethet e tjera — si det kërcellitës bojëzjermi. Në pranverë bahem tokë… po a s’e pe
sa mirë kërceva? Pyete njiherë Jacques Prévert!”

pyeta pastaj ujin, si asht me jetue nji jetë mërguese —
përherë me i ikë burimit e në fund me mbaru
në gjellën ujore të oqeanit:
“Unë baj punën qi s’e ban as çekani — i çaj malet! Rrugës la ndonji pikë djerse a loti, për me i ushqy farat qi bahen pyje, pra edhe unë bahem pyll! Herë-herë vijnë dhelpna e kaprolli e pijnë pak prej meje, pastaj bahem dhelpën, kaproll, ujk,
lepur e dosëbalë! Në oqean pastaj çlirohem nga burimi, nga rruga e nga mundi — grimcat e mia s’dallohen ma prej të fqinjit!
Kur të bahem shi ndoshta kthehem pak në shpi… po ma s’ka
randësi kjo punë! A e pe sa bukur rrodha? Pyete njiherë Tom Jobim!”

në fund pyeta njeriun, si asht me vdekë:
dhe nuk foli, po vetëm u trand.
Si asht kur mbaron dita?
Dhe vetëm u trand.
Si asht kur ikën njeriu tjetër?
Dhe vetëm u trand.

Kush e rrejti kusherinin e largët të gjethes
e të ujit
se kalimi asht shkak për trandje?
Kush e rrejti, kur kalimi asht ma i njimendtë
se çdo fillim e çdo fund?

Fillimi e fundi janë thjesht kalime të krekosuna,
që kumbojnë “e imja” dhe “e jotja”
si gramafon i prishun,
që rropaten me nda tapi imagjinare
në eter, tu’ kujtue se asht marifet
me i dhanë emën të paemnueshmes.

tekembrama, çka i takon gjethes
pos nji ndërrimi ngjyrash
e nji valleje ymërshkurtë?

tekembrama, çka i takon ujit,
pos kujtimit të shtegtimit
dhe ngazëllimit
që nji hise të djerrë
e bani të blertë? /KultPlus.com

Parlamenti i Kanadasë kaloi në shqyrtim ligjin për shpalljen e nëntorit si “Albanian Heritage Month”

Parlamenti i Kanadasë pranoi dje për shqyrtim projekt-ligjin C-361 për shpalljen e nëntorit si “Albanian Heritage Month” në të gjithë Kanadanë, shkruan KultPlus.

Ky do të jetë një gjest për të njohur dhe festuar arritjet dhe kontributin që shqiptarët japin në të gjitha aspektet e jetës në Kanada.

Propozimi erdhi nga deputeti liberal Yvan Baker (Etobicoke Centre) me mbështetjen e deputetes liberale (Toronto-Danforth) Julie Dabrusin pas një lobimi disa vjeçar nga Dr. Ruki Kondaj dhe Shoqata e Torontos.

Deri në miratim ky ligj do të duhet të kalojë në disa lexime dhe debate dhe në fund të njihet si i vlefshëm edhe nga Guvernatori. Procesi është i ngjashëm me atë të Ligjit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, i cili është në fuqi qysh prej 8 dhjetorit 2016. /KultPlus.com