Biblioteka ‘Ernest Koliqi’ shënon ditën e bibliotekës dhe ditëlindjen e shkrimtarit të madh

Në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ernest Koliqi (20 maj 1903), biblioteka Ernest Koliqi në Prishtinë ka shënuar për të tretën herë Ditën e Bibliotekës.

Fjalën përshëndetëse në emër të ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji, e mbajti Don Lush Gjergji, i cili nënvizoi kontributin e jashtëzakonshëm të Koliqit në kulturën shqiptare, bashkimin e diasporës shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj.

“Sivjet Ditën e Bibliotekës ia kemi kushtuar “Shejzave” të Koliqit. Jemi të lumtur që, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, të kemi sot edhe një koleksion të “Shejzave” për ekspozitë. Me BKSH-un kemi nënshkruar ditë më parë edhe një memorandum të bashkëpunimit, e ky aktivitet është i pari i këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.

Për “Shejzat” e Koliqit, foli studiuesi Vehbi Miftari, me temën “Shêjzat” – monument kulture dhe atdhedashurie.

“Ishte shumë emocionuese që sivjet të kemi 40 revista origjinale të “Shejzave” të Koliqit, të ekspozuara posaçërisht për këtë ditë, të nxjerra nga Fondi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, me kurator Andreas Dushi, i cili ishte edhe përfaqësues i BKSH-ut për këtë ditë”.

Dushi foli për rëndësinë e Shejzave, krijimtarinë e plotë të Koliqit që ka BKSH-u dhe për Willy Kamsin, bibliotekarin e pasionuar shkodran, që e ka regjisturar bibliografinë e plotë të revistës dhe krijimtarisë së Koliqit.

Ditë më parë, Sh. B. “Drita” ka botuar librin “Libri i Mallit. Poezia e Ernest Koliqit”, të autorit Vehbi Miftari, për të cilën foli Kujtim Mani, redaktori i botimit.

Mbrëmja e kësaj ditë të veçantë për bibliotekën tonë u pasurua me pika artistike muzikore: nga J.S.Bach “Fugue” no.5, dhe S. Rachmaninoff Elegie Op.3 No.1, që i interpretoi në piano Shpëtim Mehmeti, kurse këngën “Dielli ka prendue” e kompozuar nga Prenk Jakova, arie nga opera e parë shqiptare “Mrika” e mbajtur në Shkodër, në qytetin e lindjes së Ernest Koliqit e këndoi Doruntina Gjini, i përcjell në piano nga Shpëtim Mehmeti./ KultPlus.com

Elita 5 fiton edicionin 22-të ‘Netët e Klipit Shqiptar’

Grupi i mirënjohur i muzikës shqiptare Elita 5 me këngën “Natën e mirë” ka fituar edicionin e 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”, një prej eventeve më të rëndësishme të muzikës dhe videoklipit në hapësirën shqiptare.

Vokalisti i grupit ‘Elita 5’, Arif Ziberi falënderoi jurinë dhe vlerësoi publikun shqiptar pas marrjes së çmimit të madh, i përbërë nga plot 7 kupa për arritje të ndryshme teknike-profesionale.

“Natën e mirë’ ka qenë një projekt i realizuar shpejt. Ka qenë një këngë dhe mund shumë i madh për grupin tonë. Falënderoj publikun e mrekullueshëm që na përkrah për mbi 35 vite. Derisa të jenë ata do të jetë edhe grupi Elita 5”, tha z. Arif Ziberi.

Mbrëmja ofroi emocione të forta dhe performanca speciale nga salla e Teatrit të Operës dhe Baletit në TIranë. Kjo ishte hera e parë pas 7 vitesh që shfaqja u rikthye në kryeqytetin shqiptar, pas disa realizimeve në Ulqin.

Spektakli i moderuar nga Ermal Peçi dhe Drita Ziri bëri pjesë të skenës së madhe disa nga emrat e shquar të artit skenik, muzikës dhe tekstit të shkruar, duke dorëzuar secili prej tyre çmimin e merituar për secilën kategori të krijimtarisë filmike dhe muzikore për produksionet shqiptare.

Spektakli u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 1 HD.

Çmimet e dhëna në natën finale të edicionit të 22-të, ‘Netët e Klipit Shqiptar’

Klipi më i mirë në të gjithë komponentët: “Natën e mirë” nga Elita 5

Produksioni Deliart: Aurel Thellimi

Grafika më e mirë në klip: Pinkmoon për “Putain” nga Dafina Zeqiri ft. Vig Poppa

Klipi më i mirë baladë: “Vëlla” nga Silva Gunbardhi

Debutuesi më i mirë: Luna Çausholli me “Dielli të më shohë”

Klipi më i mirë urban: “E premte” nga Orgesa Zaimi

Kamera më e mirë: MVC Production për “A ka njeri” nga Hazy ft. Klodian Kodra

Muzika qytetare: “Të kam dashur” nga Ertila Koka

Interpretuesi më i mirë: Mateus Frroku me “Me raki”

Klipi më i mirë rok: “Twisted” nga Rool

Montazhi më i mirë në klip: Daniel Joveski për “Natën e mirë” nga Elita 5

Çmimi i publikut: Rina Januzi me “Ten Thousand Miles”

Dueti më i mirë në klip: Gena & Mimoza Shkodra me “Tradhtia”

Fabula më e mirë në klip: “Paja e nusnis” nga Fatjeta Barbullushi

Regjia më e mirë në klip: Emiljo Leka për “Ti m’ke braktis” nga Big Basta & Lyrical Son & MC Kresha

Best Influencer: Arkimed Lushaj (Stresi)

Interpretuesja më e mirë në klip: Marsela Çibukaj me “As engjëll, as dreq”

Produksioni më i mirë në klip: Fullmoon Production për “Romanca” nga Bardhi & Melinda./rtsh/ KultPlus.com

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim

Çdo vit më 21 maj, UNESCO kremton Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, duke theksuar jo vetëm pasurinë e kulturave botërore, por edhe rolin thelbësor të dialogut ndërkulturor për arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Mbrojtja e diversitetit të shprehjeve kulturore është më e rëndësishme se kurrë. Me 89% të të gjitha konflikteve aktuale në botë që ndodhin në vende me dialog të ulët ndërkulturor, për të krijuar bashkëpunim efektiv dhe për të ruajtur paqen, forcimi i dialogut ndërkulturor duhet të jetë një prioritet.

Sipas të dhënave të UNESCO-s, sektori kulturor dhe krijues është një nga motorët më të fuqishëm të zhvillimit në mbarë botën. Ajo përbën më shumë se 48 milionë vende pune në nivel global – pothuajse gjysma e të cilave mbahen nga grate, të cilat përfaqësojnë 6.2% të të gjithë punësimit ekzistues dhe 3.1% të PBB-së globale. Është gjithashtu sektori që punëson dhe ofron mundësi për numrin më të madh të të rinjve nën moshën 30 vjeç.

Megjithatë, sektori kulturor dhe krijues ende nuk e ka vendin që meriton në politikat publike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar./atsh/ KultPlus.com

Ndahet nga jeta George Wendt, ylli i serialit ‘Cheers’

Aktori dhe komediani i dashur amerikan, George Wendt, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Familja e tij njoftoi se ai u nda nga jeta në mënyrë paqësore në gjumë, në shtëpinë e tij, mëngjesin e së martës.

“George ishte një baba i përkushtuar, mik dhe besnik i dashur për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Ai do të mungojë përgjithmonë,” tha një përfaqësues i familjes për bbc, transmeton klankosova.tv.

Wendt u bë i njohur në mbarë botën për rolin e tij si Norm Peterson në serialin legjendar “Cheers”, ku luajti në të gjitha 275 episodet nga viti 1982 deri në 1993.

Për interpretimin e tij, ai mori gjashtë nominime radhazi për çmimin Emmy në kategorinë “Aktori më i mirë dytësor në një serial komedi”.

Të premten promovohet ‘Libri im i kujtimeve’ nga autori Rafet Rudi

Të premten, do të bëhet promovimi i librit “Libri im i kujtimeve” nga autori Rafet Rudi, shkruan KultPlus.

“Libri im i kujtimeve” përmbledhë një “kronikë të jetës muzikore” nga viti 1969 deri në 1999, parë nga perspektiva e autorit si kompozitor, dirigjent dhe publicist.

Libri përmban të dhëna faktografike për jetën muzikore të një periudhe delikate të zhvillimit, të cilat praktikisht nuk mund të gjenden në arkivat e institucioneve përkatëse.

Promovimi bëhet më 23 maj, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në ora 18:00. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani udhëton për vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të Presidentes Keller-Sutter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, kanë udhëtuar për në Zvicër, në vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet.

Vizita do të realizohet në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore dhe do të ketë për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, ndaj kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.

Në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, do të priten me nderime të larta shtetërore nga Presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller.

Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz, do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës, ku Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale.

Në St. Gallen, Presidentja Osmani me homologen Keller-Sutter do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE të Universitetit të St. Gallen.

Ndërkaq në Gjenevë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitet për trashëgiminë politike të Martti Ahtisaarit, të organizuar bashkërisht nga Fondacioni i Paqes Martti Ahtisaari, Misioni i Përhershëm i Finlandës në Gjenevë, organizata ndërkombëtare Interpeace dhe Geneva Graduate Institute.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare.

26 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

Sot bëhen 26 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut.

Më 21 maj 1999 ranë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.

21 maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi.

Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

Nis restaurimi i një monumenti kulture në lagjen ‘Goricë’ të Beratit

Banesa e Nikolla Manestrës, Monument Kulture, Kategoria I, është e vendosur në pjesën e poshtme të ndërtimeve në lagjen “Goricë” të qytetit të Beratit.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ka ndërmarrë ndërhyrje restauruese, duke parë problematikat që kjo banesë paraqiste. DRTK Berat mori masa të menjëherëshme, sidomos për problematikën që paraqiste gjendja e murit rrethues, dritareve dhe streha e çatisë.

Fillimisht ndërhyrjet synojnë prishjen, ndërtimin dhe në restaurimin e murit të gurit. Pjesa e poshtme e murit do të restaurohet me teknikën shqep-qep. Kjo ndërhyrje duhet bërë me shumë kujdes duke marrë masa për të parandaluar shkarjen e dherave. Më pas do të kryhet restaurimi i strehës me një palë dhe dy palë dhe qeramosja e çatisë në pjesën ku kanë lëvizur tjegullat. Dritaret e dëmtuara do të zëvendësohen me të reja. Gjithashtu do të hiqen dherat të cilat do të dalin gjatë kohës së restaurimit./atsh/ KultPlus.com

Gonzato: Arti, një nga mjetet më të fuqishme për të frymëzuar pranimin, dialogun dhe përfshirjen

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato mori pjesë në çeljen e ekspozitës së Bulevard Art Media Institute, kushtuar lirisë.

Gonzato u shpreh se, “arti është një nga mjetet më të fuqishme që kemi për të frymëzuar pranimin, dialogun dhe përfshirjen”.

“Dje, me mbështetjen e BE-së dhe përkushtimin e Valentina Bonizzi dhe kuratorëve të tjerë, Bulevard Art Media Institute hapi një ekspozitë të dedikuar lirisë: lirisë për të ekzistuar; lirisë për të dashuruar; lirisë për të folur hapur për barazi”, theksoi ai në një postim në rrjetet sociale.

“Duke u fokusuar në kreativitetin dhe përvojat personale të artistëve queer, ekspozita sjell së bashku vepra nga talente shqiptare dhe ndërkombëtare, duke nxitur një shprehje të fuqishme kolektive”, nënvizoi Gonzato.

“Për mua, ishte një moment i veçantë për të rikonfirmuar një të vërtetë të thjeshtë: në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, ka vend për të gjithë ne, pavarësisht kë dashurojmë”, shtoi ai./atsh/KultPlus.com

Gratë, sipas Honore De Balzak

Honoré de Balzac ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të. Për 20 vjet ai arriti të bënte 90 krijime midis te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” (Komedia njerëzore) dhe të ndara në Scènes de la vie privée (Skena të jetës private).

Në vijim mund të lexoni disa thënie të veçanta për femrat nga kryevepra e Balzak, “Komedia njerëzore”

“Thonë se njerëzit janë të egër, edhe tigrat gjithashtu; por, as mizoritë e tigrave, as të nepërkave, as të diplomatëve, as të përfaqësonjësve të ligjës, as të xhelatëve, as të mbretërve nuk mund të krahasohen me dashurinë plot vrer, me ligësinë e ëmbël, me përbuzjen barbare që tregon një femër kundrejt një tjetre, kur njëra e quan veten më të bukur, më të lartë nga fisi e nga pasuria se tjetra, sidomos kur bëhet fjalë për martesë dhe për epërsi; me një fjalë, mizoritë që përmendëm, nuk mund të krahasohen me rivalitetin që kanë gratë midis tyre”.

“Gratë, pasi e kanë transformuar një burrë në qengj, arrijnë gjithnjë ta bindin se është luan dhe se ka një karakter të hekurt”.

“Ka disa femra që, kur ndahen, venë dhe gjejnë menjëherë një tjetër, shpesh ia rrëmbejnë nga duart dikujt, me gjasa kundërshtares. Këto femra ose e vrasin të dashurin e tyre, fizikisht apo moralisht, ose e degdisin në fund të botës; këto gra i ka rrëmbyer dallga fisnike e pasionit që shfaqet tek to më i fortë se çdo ndjesi drejtësie njerëzore; kjo ka bukurinë e saj. Ka femra të tjera që, kur gjenden ballë përballë me fatkeqësinë e ndarjes, humbjes së një dshurie, ulin kokën dhe vuajnë në heshtje; të gjithë thjesht ecim në rrugën drejt vdekjes, por këto femra ecin drejt saj gjysmë të vdekura, të ndrydhura, qajnë dhe ndihen fajtore, ato luten për njeriun që u shkaktoi dhimbjen dhe e kuptojnë atë deri në çastet e fundit të jetës; kjo është dashuri, dashuria e vërtetë, dashuria e engjëjve, që ka dhimbjen si ushqim dhe prej dhimbjes vdes”.

“Rrudhosja e lëkurës është një fakt i pashpjegueshëm, e prapë së prapë i natyrshëm, i cili qysh nga krijimi i botës, i ka hedhur në dëshpërim mjekësinë dhe gratë”.

“Ç’i shtyn gratë të shohin në shumë raste vetëm të metat te një njeri i talentuar dhe vetëm cilësitë te një budalla? Sepse ato kanë simpati të madhe për aftësinë e budallait për të qenë pa problem lajkatar, e si i tillë ai i lëvdon gratë pa menduar fare nëse është e vërtetë lëvdata, ai ua fsheh të metat e tyre. Kurse njeriu i talentuar ndjehet superior, për fat të keq ai nuk ia jep askujt kënaqësinë për t’i kompensuar nëpërmjet fjalëve të tij të metat e veta”

“Zemra e një nëne është një humnerë, në fund të së cilës gjendet gjithnjë falja”. /KultPlus.com

Julia Ducournau në Kanë me dramën “Alpha”

Regjisorja franceze Julia Ducournau u rikthye në festivalin e Kanës me filmin “Alpha”.

“Alpha”, luajtur nga aktorja e re Melissa Boros, është një adoleshente e cila vendos të bëje një tatuazh në krah, por  gjilpëra rezulton e infektuar duke e kthyer ne një bartëse të një virusi vdekjeprurës. Ndersa drejtuesit e shkollës e përjashtojnë për shkak të virusit.

Golshifteh Farahani, një personazh i njohur në Kanë për filma të tillë si “Paterson” dhe “Girls of the Sun”, luan rolin e nënës së Alfës, e cila është mjeke që kujdeset për pacientët e prekur nga virusi.

Pavarësisht suksesit të saj të hershëm në Kanë, ajo tha se ende e pret me shumë emocion filmin e saj të ri. 41-vjeçarja Ducournau fitoi çmimin kryesor të festivalit, Palmën e Artë, në vitin 2021 me filmin “Titane”./KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

“O Margjela e malësisë, thuja kangve të çobanisë” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.

Moj margjel mori malsore
ku po shkon me at kosore
ku po shkon moj tuj vrapue
a po me pret o vash dhe mue
bashkë të shkojmë me punue
bashkë të korrim tuj këndue

Margjelo mori Margjel
çilma synin që më ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Moj margjel mori fisnike
bija e malësisë kreshnike
mos t`lshoj zemra ble sonjike
trim i mirë që shkon si erë
mendjen kthyer ka gjithherë
e tash kthen sot bëhet verë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com

85 vjet nga vdekja e Verner Von Heidenstam, poetit, romancierit dhe nobelistit suedez

Carl Gustaf Verner von Heidenstam ishte një poet, romancier suedez dhe fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1916. Ai ishte anëtar i Akademisë Suedeze që nga viti 1912. Poezitë dhe prozat e tij janë të mbushura me një gëzim të madh për jetën, herë pas here të përshkruara me dashuri për historinë dhe peizazhin suedez, veçanërisht për aspektet fizike të tij, transmeton KultPlus.

Ai lindi në Olshammar, në qarkun Örebro, më 6 korrik 1859, në një familje fisnike. Ai ishte djali i Gustaf von Heidenstam, inxhinier, dhe Magdalena Charlotta von Heidenstam (me mbiemër të vajzërisë Rütterskiöld). U arsimua në shkollën Beskowska në Stokholm.

Ai studioi pikturë në Akademinë e Stokholmit, por e la së shpejti për shkak të problemeve shëndetësore. Më pas udhëtoi gjerësisht në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Ai u prit menjëherë si një poet premtues me botimin e përmbledhjes së tij të parë me poezi, Vallfart och vandringsår (Pelegrinazhi: Vitet e Endjes, 1888). Kjo përmbledhje e frymëzuar nga përvojat e tij në Lindje shënonte një largim nga natyralizmi që ishte mbizotërues në letërsinë suedeze të asaj kohe.

Dashuria e tij për bukurinë shfaqet gjithashtu në poemën e gjatë epike Hans Alienus (1892). Dikter (“Poezi”, 1895) dhe Karolinerna (Karolinët, 2 vëllime, 1897–1898), një seri portretesh historike të mbretit Karl XII të Suedisë dhe kalorësve të tij, shfaqin një pasion të fortë nacionalist. Përkthime në anglisht të disa tregimeve të shkurtra nga Karolinerna mund të gjenden në American-Scandinavian Review (New York), maj 1914, nëntor 1915 dhe korrik 1916. Dy vëllimet e Folkunga Trädet (Pema e Folkungëve, 1905–07) janë një rrëfim epik i një fisi të prijësve suedezë gjatë Mesjetës.

Në vitin 1910, në shtypin suedez u zhvillua një debat mes disa letrarëve suedezë mbi “shkatërrimin” proletar të letërsisë. Protagonistët e dy kampeve kundërshtare ishin August Strindberg dhe von Heidenstam. Në debat morën pjesë edhe profesorët Lidforss dhe Böök. Kontributi kryesor i von Heidenstam ishte pamfleti, i drejtuar kryesisht kundër Strindbergut, me titull Proletärfilosofiens upplösning och fall (“Rënia dhe shkatërrimi i filozofisë proletare”).

Përmbledhja poetike Nya Dikter, e botuar më 1915, trajton tema filozofike, kryesisht për ngritjen e njeriut drejt një njerëzie më të mirë përmes vetmisë.

Ai vdiq në shtëpinë e tij në Övralid më 20 maj 1940./KultPlus.com

Gratë shqiptare në vitin 1972 (FOTO)

Një album i porositur nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit të Grave të Shqipërisë botohet në vitin 1972 nën titullin “Poemë për gratë Shqiptare”.

Në kopertinën e tij shkruhet se është një botim me ilustrime dedikuar femrave shqiptare.

Ideja e përgjithshme është: gruaja në të gjitha frontet e jetës, raporton Respublica, që ka botuar fotot.

Të gjitha sqarimet e pamjeve në këtë album janë bërë nga shkrimtari Llazar Siliqi si dhe janë të shkruara në gjuhën angleze.

Ndërsa redaktimi fotografik i takon të mirënjohurit Petrit Kumi. Parathënien e albumit e ka formuluar shkrimtarja Elena Kadare.

Në faqen e parë të përmbajtjes së albumit fjalia e parë thotë: Sot këto gra janë të lumtura. / KultPlus.com

Historia e butonit ‘Like’ në rrjete sociale

Interneti nuk do të ishte i njëjtë sot pa butonin e famshëm “Like” – një shenjë me gishtin e madh lart, të cilin Facebook dhe platforma të tjera e kanë shndërruar në ekuivalentin digjital të njohjes, mbështetjes dhe shpesh të varësisë.

Butoni, i cili prej kohësh ka shkuar përtej fushëveprimit të një klikimi të thjeshtë, është bërë një lloj simboli i epokës dhe komunikimit modern.

Kjo ikonë është përgjegjëse për një revolucion të vërtetë në mënyrën se si njerëzit shprehin emocionet dhe bashkëveprojnë në internet.

Tani diskutohet në detaje në një libër të ri të quajtur “Like: The Button That Changed the World”, në të cilin autorët Martin Reeves dhe Bob Goodson zbulojnë se si një buton i thjeshtë u shndërrua në një fenomen global.

Frymëzimi për gishtin e madh lart (dhe gishtin e madh poshtë) daton që nga koha romake, kur publiku në Koloseum shprehu mendimin e tij mbi fatin e gladiatorëve.

Ky gjest u rikthye në fokusin e kulturës popullore falë filmit “Gladiator” të vitit 2000, dhe hyri në jetën e përditshme përmes personazhit të Fonzit nga seriali “Happy Days”, i cili i dha një shenjë miratimi çdo gjëje që i pëlqente.

Megjithatë, një rol kyç në modernizimin e atij simboli luajti Bob Goodson, atëherë një punonjës i Yelp. Më 18 maj 2005, ai vizatoi një skicë me gishtin e madh lart dhe poshtë, si ide për një vlerësim restoranti.

Edhe pse Yelp nuk e pranoi propozimin e tij, Goodson më vonë bashkoi forcat me Reeves për të hetuar gjenezën e simbolit.

Facebook nuk është krijuesi i butonit “Like”, megjithëse ishte rrjeti që e lansoi atë. Ideja është zhvilluar prej vitesh midis pionierëve të Silicon Valley – nga bashkëthemeluesi i Twitter, Biz Stone, te themeluesi i PayPal, Max Levchin dhe krijuesi i Gmail, Paul Buchheit.

Të gjithë kanë eksperimentuar me mënyra për të motivuar përdoruesit të publikojnë përmbajtje falas.

Edhe pse inxhinierët e Facebook-ut kishin zhvilluar idenë e një butoni “Like” që nga viti 2007, themeluesi Mark Zuckerberg ishte kundër kësaj, duke e konsideruar atë një shtesë të parëndësishme.

Megjithatë, rrjeti konkurrues FriendFeed – i themeluar nga Buchheit dhe presidenti aktual i OpenAI, Bret Taylor – nuk kishte dyshime të tilla dhe prezantoi versionin e vet në tetor 2007.

Facebook shpejt bleu FriendFeed dhe më 9 shkurt 2009, më në fund prezantoi butonin “Like”. Propozimi fillestar ishte që butoni të quhej “Mrekullueshëm”, por u refuzua si i tepërt.

Pas prezantimit të tij, “Like” u bë një mjet për mbledhjen e të dhënave mbi interesat e përdoruesve, gjë që i solli kompanisë miliarda përmes reklamave të synuara.

Meta Platforms, emri i ri i Facebook-ut nga viti 2021, fitoi më shumë se 165 miliardë dollarë vitin e kaluar vetëm nga reklamat.

Në vitin 2016, Facebook prezantoi reagime shtesë – “Dashuri”, “Haha”, “Uau”, “Trishtim” dhe “I zemëruar” – duke i dhënë përparësi shprehjes digjitale të emocioneve.

Por, së bashku me të gjitha përfitimet, butoni “Like” hapi edhe kutinë e Pandorës. Psikologët paralajmërojnë për probleme në rritje tek të rinjtë, vetëbesimi i të cilëve shpesh varet nga numri i “pëlqimeve”.

Narcistët ushqehen me reagime pozitive, ndërsa ata që nuk marrin njohje të mjaftueshme shpesh vuajnë nga ndjenjat e inferioritetit.

Reeves pranon se pasojat negative ishin të paplanifikuara, por edhe të pashmangshme: “Nëse nuk mund të parashikojmë as anët e mira të inovacionit teknologjik, atëherë si mund t’i parashikojmë efektet anësore”.

Megjithatë, autorët besojnë se butoni “Like” preku diçka thellësisht njerëzore – nevojën primare për përkatësi dhe konfirmim.

“Nuk mund të ngopesh lehtë me ndjenjën e pëlqimit dhe nevojën për t’ua treguar të tjerëve. Është rezultat i 100,000 viteve evolucion”, përfundoi Reeves.

Kështu, një gjest i përulur digjital u bë gjuha universale e internetit – një bekim dhe një mallkim i epokës digjitale./KultPlus.com

Tingëllimë dashurie nga Ernest Koliqi

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com

Denzel Washington nderohet me një çmim surprizë në Festivalin e Filmit në Kanë

Aktori i njohur amerikan, Denzel Washington mori një çmim surprizë për arritje në karrierë dje në Festivalin e Filmit, në Kanë, sipas “Radio France Internationale”.

Pavarësisht vlerësimeve të tij në karrierë, kjo ishte dalja e parë e aktorit 70-vjeçar amerikan në tapetin e kuq në Kanë, për premierën e filmit “Highest 2 Lowest” me regji të Spike Lee.

Aktori – fitues dy herë të çmimit “Oscar” u nderua me “Palmën e Artë” nga drejtuesit e festivalit, Thierry Fremaux dhe Iris Knobloch – para shfaqjes së filmit “Highest 2 Lowest”.

Përpara ndarjes së çmimeve, Fremaux prezantoi një montazh të performancave të paharrueshme të aktorit – duke përfshirë rolet e tij në “Malcolm X” dhe “Mo’ Better Blues”, të dyja me regji të Lee.

Gjithashtu, u shfaqën fragmente nga “Glory”, për të cilin ai fitoi një çmim “Oscar” për aktorin më të mirë mbështetës në vitin 1989, dhe “Training Day”, një tjetër çmim “Oscar” për aktorin më të mirë në vitin 2002 – duke e bërë Washington aktorin e parë me ngjyrë që u nderua me dy çmime në një vit./KultPlus.com

’Vjosart’, festivali ndërkombëtar i artit përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa

Trashëgimi, art e kulturë përgjatë rrjedhës së lumit të egër Vjosa.

Këtë pritet të ofrojë edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të artit “Vjosart”, që do të zhvillohet në datat 21-31 maj 2025 përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa.

Përmeti, Fieri dhe Vlora do të mirëpresin 200 artistë të muzikës dhe artit pamor nga 7 vende të ndryshme, të cilët do të performojnë në lokacione të ndryshme në datat 21-31 maj 2025.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese nga ky festival, për organizimin e të cilit po përgatiten tri bashkitë respektive.

“Vjosa e egër me art të bukur”, u shpreh Rama, ndërsa informoi mbi këtë event kulturor.

Festivali hapet më 21 maj në zemër të Përmetit me homazh për ikonën Laver Bariu dhe përurimin e bustit të tij pranë shatërvanit të qytetit.

Nga 21 deri më 31 maj 2025, Përmeti, Fieri dhe Vlora do të pulsojnë në ritmin e artit me koncerte të muzikës folklorike, klasike dhe moderne.

Po ashtu aktivitetet artistike do të përfshijnë edhe ekspozitën “Ndërthurje” nga kolonia e piktorëve “Kontakt”; sfilatën e modës “Blooming” me stilistet Erina Bektashi dhe Anila Zajmi; aktivitete letrare dhe bashkëbisedim me poetin Lek Tasi./atsh/KultPlus.com

Letra që Honore de Balzak i shkroi konteshës polake Ewelina Hanska

Zjarri dhe pasioni i një letre që Honore de Balzak i shkruante konteshës polake Ewelina Hanska, qershor 1835.

Jam aq i çmendur për ju e më shumë se kaq nuk mund të jem. Nuk të arrij të mendoj as dy gjëra të vetme, pa ju menduar edhe juve ngatërruar mes tyre.

Nuk arrij të mendoj asgjë tjetër veç jush. Megjithëse përpiqem të qëndroj, imagjinata më çon gjithnjë te ju. Ju përqafoj, ju puth, ju përkëdhel dhe mijëra përkëdhelje dashurie pushtojnë qenjen time.

Mund t’ju them se do jeni gjithnjë e pa diskutim në zemrën time. Brenda saj ju ndjej në një mënyrë kaq të këndshme. Por, Zot, ç’do të ndodhë me mua nëse ju më hiqni dashurinë tuaj, qëllimin e ekzistencës sime? Ky është mendimi më i tmerrshëm i vetmisë që më tmerron këtë mëngjes.

Ngrihem papritur duke i thënë vetes: “Do shkoj te ajo!” Por ulem përsëri i shtrënguar nga detyrimet që kam. Brenda meje kam një konflikt të frikshëm. Kjo nuk është jetë. Nuk jam ndjerë kurrë kështu. Më keni gllabëruar plotësisht.

Sa herë mendoj për ju ndjej një gëzim prej të çmenduri. Shoh e rishoh një ëndërr aq të bukur sikur në një moment të vetëm arrij të jetoj një mijë vjet. Ç’tmerr i vërtetë!

Pushtuar nga dashuria që më ka hyrë në çdo por, e duke jetuar vetëm për dashurinë, e shoh veten të konsumuar nga dhimbja e si të mbështjellë në një rrjetë merimange.

Eva ime e dashur, ju nuk e dinit. E mora letrën tuaj. E kam këtu para dhe po ju flas njësoj si t’ju kisha edhe ju këtu. Ju shoh njëlloj si dje, të bukur, çmendurisht të bukur!

Mbrëmë i përsërisja vetes pa pushim: Ajo është e imja! Ah! Nuk besoj se engjëjt në parajsë janë më të lumtur sesa isha unë dje! / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

“Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur”

Thënie nga Leo Tolstoy

 Nuk është bukuria që zgjat, është dashuria që na bën neve të dukemi të bukur.

 Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.

 Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.

 E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.

 Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.

 Pa e ditur se çfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.

 Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.

 Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.

 Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.

 Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.

 A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?

 Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.

 Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.

 Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.

 Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.

 E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.

 Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.

 Njeriu mund të jetojë dhe të ketë shëndet pa i vrarë kafshët për ushqim; kështu që, nëse ai ha mish, ai merr pjesë në mbytjen e kafshës për hir të urisë së tij.

 Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vockla.

 Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis Njeriut dhe Natyrës të mos prishet.

 Ne humbëm sepse i thamë vetes sonë se humbëm.

– Dhe të gjithë njerëzit jetojnë, jo nga arsyeja e ndonjë kujdesi ndaj vetes së tyre, por nga dashuria që të tjerët kanë për ta.

 Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por në mënyrën se si ne i shikojmë ato.

 Kape momentin e lumturisë, dashuro dhe dashurohu. Ky është realiteti i vetëm në botë, gjithçka tjetër është marrëzi.

 Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë.

“Dialogje në tinguj”, koncerti-leksion i mbajtur në Universitetin e Arteve

Universiteti i Arteve në Tiranë u mbush me dashamirës të muzikës, të cilët iu bashkuan Musica Nova dhe Mikaela Mingës për “Dialogje në Tinguj”, një koncert-leksion me vepra të dëgjuara rrallë ose kurrë më parë në Shqipëri.

Publiku udhëtoi përmes kujtesës, identitetit dhe lidhjes kulturore, me koncertin “Dialogje në Tinguj” i cili përmbante vepra nga Berio, Bartok dhe Buharaja.

“Bachian Reflex” është një vepër për 11 harqe soliste e shkruar nga Edmond Buharaja, pak kohë para se të ndërronte jetë. Ajo cilësohet si një dialog mes të shkuarës dhe të ardhmes, ndërtuar me shumë kujdes nga kompozitori. Ndërsa “Folk songs” është një cikël prej 11 këngësh nga kultura të ndryshme të përpunuara për zë dhe ansambël. Kompozitori Luciano Berio nuk i trajton këto këngë thjesht si materiale folklorike por si një udhëtim që lidh kulturat e traditat.

“Divertimento for Strings” e Bartók është kompozuar në verën e 39-ës, pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe është një nga krijimet e fundit të Bartókut në Evropë. Folklori që dëgjohet është i shpikur, jo citim, por evokim, me të cilin krijon një gjuhë personale, si mjet shprehës i ankthit, kujtesës dhe rezistencës./atsh/KultPlus.com

Fatjona Maliqi nderohet me çmimin „Münster Stella Award Klassik 2025“

Pianistja Fatjona Maliqi e cila po prezantohet me paraqitje ndërkombëtare pianistike, së fundi është nderuar edhe me një çmim të lartë në Gjermani, shkruan KultPlus.

Ajo ka bërë të ditur se i është ndarë çmimi „Münster Stella Award Klassik 2025“, dhe se për këtë çmim ndihet shumë e privilegjuar.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Fatjona Maliqit.

Krenare dhe shume e lumtur qe e kam nderin te marr kete cmim shume te veqante.

Ndihem shume e priveligjuar dhe e lumtur qe mua mu nda cmimi „Münster Stella Award Klassik 2025“ per arritjet e mia te veqanta internacionale dhe akademike. Cmim i cili u nda per heren e pare.

Pas lojes time, publiku me priti disa here ne kembe dhe ishte shume inteziuast per koncertin tim.

Faleminderit Münster 🌹./ KultPlus.com

Dita Botërore e Metrologjisë

20 maji është Dita Botërore e Metrologjisë. Në përvjetorin e 150-të të Konventës së Metrit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, nderojmë themelin mbi të cilin ndërtohen besimi, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet matjeve të sakta.

Tema e Ditës Botërore të Metrologjisë, për 2025-ën është “Matjet për të gjitha kohërat, për të gjithë njerëzit”.

“Ky nuk është vetëm një slogan, por një reflektim i rolit jetik që luan metrologjia në jetën tonë të përditshme, nga siguria ushqimore, tek teknologjia, shëndetësia dhe tregtia globale”, shkroi ministri Gonxhja.

Shqipëria e përfaqësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, është anëtare e asociuar e Byrosë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave (BIPM) prej vitit 2007 dhe aspiron së shpejti anëtarësimin me të drejta të plota.

Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në BIPM është një hap strategjik me rëndësi për ekonominë dhe të ardhmen Europiane të vendit, i cili kontribuon në: njohjen ndërkombëtare të sistemeve tona të matjes; rrit besueshmërinë e eksporteve; na bën pjesë të vendimmarrjes globale për standardet metrologjike; mundëson qasje në bashkëpunime shkencore elitare; nxit zhvillimin teknologjik në vend; garanton matje të sakta në fusha jetike dhe me ndjeshmëri publike, si shëndetësia, energjia dhe mjedisi./atsh/KultPlus.com