Kryeministri Kurti uron SHBA-në: Vlerat e përbashkëta përbëjnë themelin e aleancës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi për përvjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, duke thënë se Deklarata është një nga vizionet “më të fuqishme të lirisë dhe barazisë të njohura në botë”.

Nëpërmjet një cicërime në Twitter, kryeministri Kurti ka shkruar se vlerat e përbashkëta përbëjnë themelin e aleancës së kombeve.

“Ashtu si ai vizion që është i përjetshëm, ashtu është edhe aleanca. Gëzuar 4 korrikun”, thuhet në mesazhin e tij./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: NATO e ndaloi gjenocidin në Kosovë, përgjithmonë falënderues dhe mirënjohës

Kryeministri Albin Kurti tha se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës, në 24 vjetorin e çlirimit të vendit.

Ai shprehu falënderimin e mirënjohjen ndaj ndërkombëtarëve për lirinë.

“Pas çlirimit vjen paqja. Sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe për humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe kontributin e NATO-s”, tha Kurti.

“Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, shtoi ai. / Express / KultPlus.com

Kurti në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot

Sot shënohen 145 vjet nga nisja e punimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, përcjell KultPlus.

Në një fjalim në Prizren për shënimin e 10 qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se kjo lidhje e bashkon popullin shqiptar sot dhe do ta bashkojë çdo mot.

Në vijim KultPlus ua sjell fjalimin e plotë të tij:

145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot.

Fjala ime e plotë në manifestimin qendror për shënimin e 10 Qershorit:

Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia juaj, Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, dhe zonja e parë, Armanda Begaj,

I nderuari, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

E nderuara ministre e Ekonomisë,  znj. Artane Rizvanolli,

I nderuari ministër i Brendshëm, z. Xhelal Sveçla,

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Data e 10 qershorit është një ditë që na kthen çdo vit këtu në Prizren, për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila u themelua në Prizren pikërisht më 10 qershor 1878, plot 145 vite më parë. Nga ajo ditë deri më sot, duke ecur nëpër etapa të ndryshme të historisë politike të tyre, në vazhdimësi shqiptarët janë kthyer dhe rikthyer me trup dhe me mendje kah Prizreni dhe kah Lidhja, për t’i përtërirë lidhjet e tyre politike mes vete dhe me të tjerët.

Por çfarë ishte kjo lidhje atëherë kur nisi dhe çfarë është ajo sot që po e kujtojmë? Një shekull e gjysmë më parë, Evropa u përballë me një fazë të re të asaj që ishte quajtur Kriza Lindore, e cila përfshinte përgjithësisht luftëra dhe rivalitete mes Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha të Evropës. Mes tyre, ngjashëm sikur dhe sot, veçanërisht problematike ishte Perandoria Ruse, e cila pasi arriti ta mposhte ushtarakisht Perandorinë Osmane, më 1878 i imponoi asaj Traktatin e Shën Stefanit, me anë të të cilit parashiheshin shtete të mëdha pansllave dhe proruse në Ballkan. Të alarmuar nga kjo shtrirje e madhe ndikimi të drejtpërdrejtë rus në gadishull, Britania, Gjermania, Austro-Hungaria, Franca dhe Italia, organizuan një kongres diplomatik në Berlin, ku bashkë me rusët dhe osmanët do ta rishihnin traktatin e tyre.

Më 10 qershor 1878, tre ditë para se të fillonin punimet e këtij kongresi ndërkombëtar në Berlin, duke dashur t’i paraprijnë atij, rreth 300 përfaqësues nga tërë hapësira shqiptare, u mblodhën në Prizren, te xhamia Baraklije fare pranë nga këtu afër, për ta artikuluar vullnetin e tyre politik në sferën ndërkombëtare të kohës, pa dallim krahine e feje. Nga ajo ditë e tutje, ata u organizuan gradualisht në kuadër të një organizate politike të njohur si Lidhja Shqiptare, e cila ngriti edhe komisionet e saj për punë të brendshme dhe të jashtme, si dhe për financa, para se të bënte edhe trupat e saj të armatosura dhe deri te një trup ekzekutive.

Gjatë katër viteve pasuese, Lidhja Shqiptare ishte tejet aktive në njërën anë në mbrojtjen e trevave shqiptare nga dhënia dhe pushtimi i tyre prej shteteve të Ballkanit, si dhe në anën tjetër për angazhimin për avancimin e të drejtave dhe pozitave politike të shqiptarëve në Perandorinë Osmane, me kërkesa dhe synime deri mëvetësi. Betejat e lidhjes me Fuqitë e Mëdha, me shtetet ballkanike dhe me Perandorinë Osmane, vazhduan të ishin po të njëjtat beteja të shqiptarëve edhe në tre dekadat e ardhshme deri më 1912, kur u shpall shteti shqiptar. Andaj, 10 qershori, është në po atë regjistër datash të rëndësishme si 28 nëntori dhe 17 shkurti. 

Prandaj, 10 qershori i vitit 1878, konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik të shqiptarëve, e i cili vazhdon dhe sot. Prandaj, çdo 10 qershor, ne vijmë në Prizren për ta kujtuar Lidhjen tonë nga vendi ku ajo u ngjiz dhe mori jetë pastaj, për t’u shtrirë në krejt hapësirën shqiptare dhe tutje përpara në kohë deri te ne sot.

Prandaj sot i kemi këtu edhe Presidentët e të dyja shteteve tona republikane, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptar. Prandaj jam dhe vetë këtu, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të përkujtojë rrënjët politike të qeverimit të shqiptarëve dhe të përforcojë lidhjet e qeverisë tonë me filozofinë politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Sepse ne ende kemi çfarë të mësojmë nga teoritë politike të Sami Frashërit dhe nga praktika diplomatike e Abdyl Frashërit; nga kuvendimet e Ilaz Pashë Dibrës dhe të Ymer Prizrenit si dhe nga organizimi ushtarak i Sulejman Vokshit e Ali Pashë Gucisë. Sepse rruga jonë e sotme, është  rruga e tyre e dikurshme. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik atëherë, siç duam dhe ne shqiptarët sot. Ne duam menaxhim racional të burimeve ekonomike si dhe ngritje të kapaciteteve sot, siç donin shqiptarët e kohës së Lidhjes atëherë. Me fqinjët ballkanikë përreth, Perandorinë Osmane mbi krye dhe Fuqitë e Mëdha në mes, krerët politikë dhe vetë populli shqiptar i kohës së Lidhjes, mbrojtën territoret dhe interesat e tyre politike atëherë, siç duhet ta bëjmë edhe ne sot.

Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë, po këtu. Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm, për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth Lidhjes, si mendësi dhe vetëdije politike, mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë evropianë e amerikanë.

Për këtë, Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot!

Ju faleminderit!/KultPlus.com

25 vjet nga rënia e dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, ranë në pritë teksa po dërgonin armë për UÇK-në

Sot janë bërë plot 25 vjet nga rënia e dëshmorëve, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kolegë ministra dhe deputetë, si dhe bashkë me familjet Konushevci dhe Malaj, bëmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit.

Kryeministri Kurti është shprehur se pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike dhe shoqërore në vendin e tonë, e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë dhe mbarë pikërisht duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë.

Postimi i plotë i kryeministrit:

Sot më 9 maj, u bënë plot 25 vite nga rënia e dy dëshmorëve të lirisë, Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt. Bashkë me kolegë ministra dhe deputetë, si dhe bashkë me familjet Konushevci dhe Malaj, bëmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit. Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike dhe shoqërore në vendin e tonë, e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë dhe mbarë pikërisht duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri.

Në natën e 8 majit 1998, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj u nisën nga Tirana për në fshatin Tpla të Tropojës, të pasuar nga një kamion me armatime për të furnizuar ushtarët e UÇK-së në Kosovë. Pas mesnatës, rrugës nga Qafë-Mali për në Bajram Curr, ata ranë në një pritë. Iliri Konushevci dhe Hazir Malaj me atentat u vranë në orët e para të 9 majit 1998, në Poravë, në rrethana që asnjëherë nuk janë sqaruar plotësisht. Grupi i Ilir Konushevcit ishte grupi logjistik që paraqiste kanalin me prurjet më të mëdha furnizuese për UÇK-në. Që më 13 maj 1992, Iliri së bashku me shokë kishin themeluar grupin ilegal “Shqiponjat” dhe, një vit më pas, kishin bashkëpunuar edhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Nga qershori i vitit 1996, Iliri u bë i afërm me grupin e Zahir Pajazitit dhe Hakif Zejnullahut, vrasja e të cilëve më 31 janar 1997 e dekonspiroi Ilirin, për çka ai kaloi në Shqipëri. Ilir Konushevci – Mërgimi, u vra teksa po çonte dërgesën e fundit me armë drejt Kosovës, meqë kishte vendosur që tutje të qëndronte në Kosovë. Pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së nga zona e Llapit. Sot në këtë 25 vjetor të rënies së Ilir Konushevcit, le ta kujtojmë edhe me vetë përshëndetjen e shkruar me dorë prej tij: “Ju përshëndes nga zemra, ushtari i UÇK-së Mërgimi”!

Lavdi Ilir Konushevcit dhe Doktor Hazir Malajt, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar! / KultPlus.com

25 vjet nga rënia e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajs, ranë në pritë teksa po dërgonin armë për UÇK-në Sot janë bërë plot 25 vjet nga rënia e dëshmorëve, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kolegë ministra dhe deputetë, si dhe bashkë me familjet Konushevci dhe Malaj, bëmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit. Kryeministri Kurti është shprehur se pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike dhe shoqërore në vendin e tonë, e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë dhe mbarë pikërisht duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë. Postimi i plotë i kryeministrit: Sot më 9 maj, u bënë plot 25 vite nga rënia e dy dëshmorëve të lirisë, Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt. Bashkë me kolegë ministra dhe deputetë, si dhe bashkë me familjet Konushevci dhe Malaj, bëmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit. Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike dhe shoqërore në vendin e tonë, e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë dhe mbarë pikërisht duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri. Në natën e 8 majit 1998, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj u nisën nga Tirana për në fshatin Tpla të Tropojës, të pasuar nga një kamion me armatime për të furnizuar ushtarët e UÇK-së në Kosovë. Pas mesnatës, rrugës nga Qafë-Mali për në Bajram Curr, ata ranë në një pritë. Iliri Konushevci dhe Hazir Malaj me atentat u vranë në orët e para të 9 majit 1998, në Poravë, në rrethana që asnjëherë nuk janë sqaruar plotësisht. Grupi i Ilir Konushevcit ishte grupi logjistik që paraqiste kanalin me prurjet më të mëdha furnizuese për UÇK-në. Që më 13 maj 1992, Iliri së bashku me shokë kishin themeluar grupin ilegal “Shqiponjat” dhe, një vit më pas, kishin bashkëpunuar edhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Nga qershori i vitit 1996, Iliri u bë i afërm me grupin e Zahir Pajazitit dhe Hakif Zejnullahut, vrasja e të cilëve më 31 janar 1997 e dekonspiroi Ilirin, për çka ai kaloi në Shqipëri. Ilir Konushevci – Mërgimi, u vra teksa po çonte dërgesën e fundit me armë drejt Kosovës, meqë kishte vendosur që tutje të qëndronte në Kosovë. Pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së nga zona e Llapit. Sot në këtë 25 vjetor të rënies së Ilir Konushevcit, le ta kujtojmë edhe me vetë përshëndetjen e shkruar me dorë prej tij: “Ju përshëndes nga zemra, ushtari i UÇK-së Mërgimi”! Lavdi Ilir Konushevcit dhe Doktor Hazir Malajt, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë

Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar këtë ngjarje të rëndë për vendin tonë, duke u shprehur se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

Postimi i plotë i kryeministrit:

Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.

Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.

Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë.

E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Po përpiqemi të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale ka uruar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve e me këtë rast ka njoftuar për hapat që si Qeveri kanë ndërmarrë gjatë këtyre viteve në këtë drejtim, përcjell KultPlus.

Kurti shprehet se si qeverisje e re, kanë ndërmarrë disa hapa, vendime e iniciativa ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve.

Krejt në fund, kryeministri shprehet se janë duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojnë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

”8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë pushim”, ishte slogani i kërkesës në kundërshtim të eksploatimit të punëtorëve që për herë të parë u bë publikisht në Australi më 1885. Një vit më vonë në po këto kërkesa kujtojmë rezistencën e njohur të punëtorëve në Çikago. Sot e asaj dite me 1 Maj shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, jo vetëm duke i kujtuar ata, por edhe duke u angazhuar për barazi, të drejta dhe kushte më të mira të punës e jetesës.

Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë.

Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm.

Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi).

Po ashtu, kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat.

Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve.

Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë. Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë.

Urime 1 Maji i punëtorëve! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Nga 1 janari, qytetarët do të udhëtojnë lirshëm, kjo është meritë e të gjithëve

Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën, përmes një seance plenare, shkruan KultPlus.

Pas këtij vendimi të shumëpritur nga kosovarët, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili është shprehur se kjo është meritë e të gjithëve, e veçanërisht e qytetarëve të Kosovës.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Liberalizimi i vizave ndodhi sot.

Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen.

Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë.

Falënderojmë eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen. / KultPlus.com

Kurti: Në Izbicë të Skenderajt, përkujtuam të vrarët në një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani kanë përkujtuar të vrarët në Izbicë të Skenderajt, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës ka ndarë më ndjekësit e tij edhe pamje nga kjo vizitë, njoftim që KultPlus e sjell të plotë.

Në Izbicë të Skenderajit, bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, përkujtuam të vrarët në një nga masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.

Pas rrethimit të fshatit, forcat e Serbisë masakruan 147 burra, pleq dhe fëmijë. Të masakruarit u zhvarrosën nga Izbica, u varrosën në varreza masive. Disa prej të vrarëve u gjetën në Petrovo Selo në Serbi. 24 vite pas, ka ende varre të zbrazëta të atyre që ende janë të zhdukur.

U përkulëm para pllakës përkujtimore e para qendresës së familjarëve. Mirënjohës për forcën e familjarëve që dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë.

Në këtë përvjetor të parë pa të, na mungoi plaku me plis të bardhë, z. Mustafë Dragaj, i mbijetuar dhe dëshmitar i kësaj masakre./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka takuar dy mësues të vecantë me rastin e ditës së mësuesit, shkruan KultPlus.

Më poshtë keni të plotë njoftimin e kryeministrit Kurti.

Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije

Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj.

Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III.

Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit./ KultPlus.com

Kurti: Uniforma e FSK-së e ka prejardhjen nga Adem Jashari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

Ai tha se që nga 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1999, kur UÇK shënoi 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të këtyre datave.

“Që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë luftë, kur trupa artistike ushtarake e Hamëz Jasharit, e përbërë nga akterë dhe ushtarë që me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5,6 dhe 7 marsit të 1998 në Prekaz”, tha Kurti.

Ai përmendi komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari ku tha se “Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UCK-së le të kujtojmë fillet e kësaj traditë përkujtimore të nisur më 5, 6 dhe 7 mars 1999 ku ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë Ai është gjallë. Ato ditë ishte ende koha e luftës, për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur tërë jetën dhe asaj luftë që ai ia kushtoi tërë jetën. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është kështu sepse origjina e Ushtrisë së Kosovës duhet kërkuar në fund të viteve 80 atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët, për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtrinë, andaj sot ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti iu drejtua ushtarëve duke iu thënë se sa herë që ata e veshin uniformën, ta dinë se është uniformë me prejardhje nga Adem Jashari.

“Për më tepër që e tëra kjo po ndodhë në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin Kazerma “Adem Jashari”. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti. 

Publikohet për herë të parë zyrtarisht plani franko-gjerman, kjo është përmbajtja

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje./ gazeta express

Albin Kurti deklarohet pas takimit: Jemi në rrugë të mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas përfundimit të takimit trilateral në Bruksel, ku u arrit pajtim për planin franko-gjerman, por jo edhe për modalitetet e zbatimit të tij.

Kurti ka thënë pas takimit se janë në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes dhe arritjes së fqinjësisë së mirë evropiane.

“Ecje përpara do të ketë për planin e zbatimit, për cka do të ketë diplomaci të fluturimit, që thuhet. Dhe do të ketë edhe takime të nivelit të lartë me facilitimin e takimeve nga zotëri Borrell dhe zotëri Lajcak. I falënderoj të dy dhe besoj se jemi në një rrugë të mbarë mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe rrugë një kahëshe për fqinjësi të mirë evropiane”, tha ai./gazetaexpress

Vuçiq pas takimit me Kurtin: Një takim shumë i vështirë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është deklaruar në lidhje me takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Zakonisht një takim i vështirë dhe besoj se do të ketë shumë takime të tjera në periudhën e ardhshme. Më datën 18, duhet të shihemi në Maqedoninë e Veriut, kur z. Borrell do të jetë në rajon. Atëherë së bashku edhe me Lajçak do të flasim për çështjet e implementimit”, ka thënë Vuçiq./ FrontOnline/

Kurti pak orë para takimit me Vuçiqin: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e mundshme deri në fund të vitit

Kosova dhe Serbia synojnë të përfundojnë një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve “këtë vit”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, duke e bërë të qartë se nuk do të ishte pa probleme, pavarësisht angazhimit të shtuar perëndimor.

“Ne kemi nevojë për normalizim të marrëdhënieve dhe kjo mund të arrihet me njohjen reciproke si pikën kryesore. Beogradi ka qenë i bindur se nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e ish-krahinës, megjithëse mund të pajtohet për një njohje ‘de facto’, tha Kurti në një intervistë me Euractiv.

Komentet e Kurtit erdhën përpara një takimi të nivelit të lartë në Bruksel sot, ku liderët e Serbisë dhe Kosovës pritet të miratojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara.

Propozimi i përditësuar i BE-së, i marrë nga të dyja palët përpara fillimit të një samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhjetorin e kaluar, por që nuk është bërë ende publik, thuhet se përfshin njohjen reciproke të dokumenteve zyrtare, rritjen e ndihmës financiare dhe masa të tjera për të përmirësuar jetën e njerëzve në të dy vendet.

I pyetur për perspektivën e përfundimit të një marrëveshjeje deri në fund të këtij viti, sipas afatit kohor që është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti tha, “sigurisht që synimi është që kjo marrëveshje të arrihet këtë vit”.

“Ajo që ka mbetur për të negociuar – dhe nuk do të jetë aspak e lehtë – është një mekanizëm për zbatim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, tha Kurti. / KultPlus.com

Kurti letër Zelenskit: Rusia e Serbia kanë dëshirë të madhe ta zgjerojnë konfliktin nga rajoni juaj te ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të njëvjetorit të rezistencës së Ukrainës nga invazioni dhe agresioni rus, i ka dërguar një letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke shprehur përmes saj simpatinë tonë më të thellë dhe empatinë tonë më të sinqertë si popull.

“Në komunikimet e përditshme mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij”, ka nisur letrën për presidentin Zelenskyy, kryeministri Kurti.

Ne, vazhdon më tej ai, jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Kryeministri shtoi se edhe pse gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme.

Kryeministri kujtoi rezistencën shqiptare të Kosovës para 23 viteve dhe se si 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë. “Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATO-s, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne”, thuhet në letrën e kryeministrit.

Letra e plotë e kryeministrit Kurti drejtuar presidentin të Ukrainës, Zelenskyy:

I nderuar z. President,

Në komunikimet e përditshmme në mes përfaqësuesve të shteteve, janë të shumta letrat e urimit që shënojnë jubile të pavarësisë dhe çlirimeve. Por është e rrallë në histori t’i drejtosh një Presidenti një letër urimi në përvjetorin e rezistencës në vazhdim të vendit të tij.

Z. President, ju jeni në luftë, një luftë rezistence për Ukrainën, për Evropën dhe për demokracinë. Ju mbani shkallën më të lartë të historisë të së ardhmes dhe sakrificës së popullit. Nuk mund t’ju urojmë më shumë në rrafshin e ndërgjegjes morale dhe politike se ajo që ju po bëni tashmë prej një viti. Ju e keni mishëruar popullin tuaj dhe ndjenjën e tij të lirisë.

Nga zemrat tona ne ju shprehim simpatinë tonë më të thellë dhe empatinë tonë më të sinqertë. Ne jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Edhe pse jemi gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme. Në këtë ngjashmëri historike rrugët tona kryqëzohen.

Para 23 vitesh ne bëmë rezistencën tonë dhe NATO na ndihmoi për të mbyllur ciklin gjenocidal të Serbisë. 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë. Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATOs, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne.

Ju po luftoni për të mbrojtur demokracinë, integritetin territorial, të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtën e një populli dhe sovranitetin e një shteti. Këto vlera janë po ashtu në rrezik në rajonin tonë: Aleati kryesor i Rusisë në Ballkan, fqinja jonë veri-verilindore Serbia, mban ende një dëshirë të mbuluar hollë për të minuar sovranitetin tonë dhe për të marrë shtëpitë tona. Prandaj, në një kuptim shumë real, qëllimi juaj është qëllimi ynë; beteja juaj është beteja jonë.

I nderuar z. President, ju keni mbështetjen e plotë të shtetit dhe popullit të Kosovës. Nga gazetarët ukrainas që kemi strehuar në Kosovë, ne jemi informuar edhe më mirë për realitetin e përditshme në vendin tuaj. Historitë e guximit dhe sakrificës së ushtarëve, përkushtimit të tyre ndaj vendit dhe kauzës, të cilat i kanë mposhtur shanset kundër tyre dhe kanë frymëzuar botën — historitë e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së njerëzve përballë pushtimit brutal — kanë mobilizuar botën e lirë për t’i bërë ballë agresionit të Rusisë.

I nderuar z. Zelenskyy, me respektin më të lartë për ju dhe popullin ukrainas, ne ju urojmë një fitore vendimtare. Ne do të jemi me ju për rindërtimin e qyteteve tuaja, kthimin e njerëzve tuaj, rehabilitimin mendor dhe fizik të shoqërisë suaj dhe anëtarësimin tuaj sa më të shpejtë në NATO dhe në BE.

Lavdi Ukrainës,

Slava Ukraini!/ KultPlus.com

Pjesëtarët e FSK-së kthehen nga Turqia, priten në aeroport nga kryeministri Kurti

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë kthyer të hënën në Kosovë nga Turqia, ku kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve të 6 shkurtit që kanë lënë të vdekur mbi 40.000 njerëz.

Në aeroport ata janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë të kabinetit qeveritar.

Kosova, duke përfshirë vullnetarët dhe forcat e specializuara të FSK-së në dy rajonet e prekura nga tërmeti Hataj dhe Osmanije ka prezentuar me një personel prej 48 anëtarësh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që të nxjerrin të gjallë katër persona të cilët kishin qenë në rrënojat e objekteve të shkatërruar si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë.

Kurti zgjedhë të jap mesazhe përmes tri grave shqiptare, Shotë Galicës, Tringë Smajlit e Nënë Terezës

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dha mesazhe për kabinetin e tij dhe qytetarët edhe përmes figurave të mëdha të vendit.

Ai zgjodhi tri gra shqiptare për t’i cituar: Shotë Galicën, Tringë Smajlin dhe Nënë Terezën.

 “Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:

Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.

Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.

E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.

Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë”, tha Kurti në Qeveri. / KultPlus.com

Kurti përkujton dëshmoren e lirisë, Elfete Humolli

Në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë Elfete Humolli, Kryeministri Albin Kurti, së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, bënë homazhe te kompleksi memorial në Lupç të Poshtëm.

Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se Kurti pastaj vizitoi familjen Humolli, ku u prit nga nëna Sevdije, nëna e dy dëshmorëve, Elfetes dhe Mentorit, i cili ra dëshmor më 21 mars 1999 gjatë luftimeve në Koshare.

Risollën në kujtesë 1 shkurtin e vitit 1990, kur 33 vjet më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli, dy javë para ditëlindjes së 17-të, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo bashkë me mijëra demonstrues shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit po thërrisnin për demokraci, e përballë pushtetit të Serbisë po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb.

Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.

Në kumtesën për media, bëhet e ditur se familjarët rrëfyen se atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit kishte pyetur për vëllanë e saj 13 vjeçar Mentorin, nëse kishte shpëtuar.

Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, tha kryeministri Kurti. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Ditën e Holokaustit: Shqiptarët kanë kultivuar një empati të veçantë për këto lloj krimesh

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

“27 janar 1945. U gdhi. Mbi dysheme, grumbulli i turpshëm i gjymtyrëve të thara, sendi Somogi. […] Rusët erdhën, ndërsa Sharli dhe unë po e çonim Somogun pak më larg. Ishte shumë i lehtë. E përmbysëm barelën mbi dëborën ngjyrë gri. Sharli hoqi kapelën. Mua më erdhi keq që s’kisha kapelë. Nga të njëmbëdhjetë vetët në Infektionsabteilung, Somogi qe i vetmi që vdiq gjatë dhjetë ditëve. Serteleti, Kanjolati, Tovarovski, Lakmakeri dhe Dorgeri, vdiqën disa javë më vonë, në infermierinë e përkohshme ruse të Aushvicit.”

Kështu e kujton Primo Levi kimisti italian me origjinë hebreje, ditën e 27 janarit 1945, në veprën e tij mbi Holokaustin “Nëse ky është një njeri”, teksa përshkruan vdekjen e shokëve të tij, kur ushtria ruse hyri në kampin e përqendrimit Aushvic në Poloni, aty ku Levi kishte qenë i burgosur mbi 11 muaj, që nga shkurti i vitit 1944. Në Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monowitz, nazistët kishin vrarë mbi 1.1 milionë njerëz, prej të cilëve 960 mijë hebrenj. Kjo datë, 27 janar, që përkon me ditën e sotme, do të shpallej më pas nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. Sot, në këtë ditë, ne i kujtojmë gjithë ata njerëz që u vranë me plumba dhe gaz si dhe u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor. Në vitet aq të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin gjithandej dhe vriteshin si dhe kur pak dyer ishin të hapura për ta, disa qindra hebrenj të ikur nga vende të ndryshme të Europës, u morën nën mbrojtje nga shqiptarët dhe u strehuan duke u shpëtuar. Duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia mbi ta, shqiptarët kanë kultivuar një empati të veçantë për këto lloj krimesh që nga koha e Holokaustit. Dhe kjo empati rezultoi të ishte e ndërsjellë, kur më 12 prill 1999, një i mbijetuar tjetër hebre i Aushvicit dhe Buhenvaldit, nobelisti i paqes Eli Wiesel, e përqasi Kosovën me Holokaustin në diskutimin e tij “Rreziqet e indiferencës: mësimet e një shekulli të dhunshëm”, në kuadër të “Mbrëmjes së Mijëvjeçairt”, organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton. Pasi kishte vizituar kampet e refugjatëve të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova prej forcave serbe, duke këshilluar që të mos bëheshin krahasime pasi çdo vuajtje është unike, Wiesel tha se “kjo situatë kërkon veprim dhe jo krahasim”, duke mbështetur ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Koha u dha të drejtë të dyve: si Wieselit edhe Clintonit!

Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova. 20 vite më pas, Izraeli njohu shtetin e Republikës së Kosovës. Duke i përkujtuar gjithëherë, populli dhe institucionet e Kosovës nuk do t’i harrojnë asnjëherë viktimat e Holokaustit, të asaj kohe kur duke strehuar dhe shpëtuar hebrenjt e ikur, shqiptarët dhanë provën e tyre tashmë të njohur botërisht, si njerëz fisnikë mes kombesh. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujuar sulmin e dytë të forcave serbe mbi Jasharajt.

Sulmi i dytë mbi ta kishte ndodhur më 12 janar të vitit 1998.

Adem Jashari dhe familja e tij ishin vazhdimisht duke rezistuar ndaj forcave okupuese serbe të cilët i përndjeknin.

Ata kishin rezistuar për çlirimin e Kosovës, gjë që ndodhi rezultat edhe i sakrificës së tyre.

Postimi i plotë i Kurtit: 

25 vjet nga sulmi i dytë i forcave të Serbisë mbi Jasharajt

22 janar 1998, ditë e enjte, ora 05:25 minuta! Në Prekaz të Poshtëm të Drenicës, tri predha hidhen në drejtim të shtëpive të familjes së Shaban Jasharit: një mbi ahër, një në derë dhe një në oborr. Janë të shtëna prej distancës nga njësitet speciale të policisë së Serbisë, që ishin stacionuar prej kohësh në fabrikën e municionit të gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të Shabanit. Duke sulmuar herët në mëngjes, ata kishin menduar t’i zënë në befasi apo të fjetur anëtarët e familjes Jashari, që sapo kishin ngrënë vaktin e syfyrit, që atë ditë të muajit të agjërimit të Ramazanit, lihej në ora 05:17.  

Ky ishte sulmi i dytë i policisë serbe mbi Jasharët e Prekazit, pas sulmit të parë të kryer 6 vite më herët më 30 dhjetor 1991. Qëllimi ishte të kapeshin a të vriteshin veçanërisht Ademi dhe Hamza, por pa u kursyer familjarët e tjerë, gra dhe fëmijë, e aq më pak shtëpitë dhe pasuria. Atë natë, Ademi nuk ishte aty, kishte shkuar mysafir te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nga tre djemtë e Shabanit, aty ishte Hamza, kurse vetë Shabani e kishte në odë për mysafir të nipin Bajram Gashin. Siç ka rrëfyer ai, natën që i parapriu sulmit, Hamza i kishte thënë: “Unë e di mirë që ne jemi në thumb dhe kurdoherë që të kenë mundësi ata do t’na sulmojnë me tërë fuqinë, për t’na shkatërruar dhe për t’na zhdukur nga faqja e dheut. Por, ne kemi vendosur që tu kundërvihemi dhe të bëjmë rezistencë deri në vdekje, me të gjithë anëtarët e familjes dhe kurrsesi të gjallë mos t’u bijmë në dorë dhe aspak nuk ua kemi frikën atyre.”  

E nesërmja i provoi për të vërteta fjalët e Hamzës: pritjet për sulm dolën të kishin qenë reale, kurse vendosmëria për rezistencë u sprovua nga luftimet që Hamza i bëri në përballje të drejtpërdrejtë duke shtirë dhe hedhur bomba dore mbi policët. Teksa predhat dhe plumbat po godisnin gjithandej nëpër shtëpitë e tij, nga oda, Shaban Jashari bashkë me tre nipat e tij fare të rinj në moshë, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), iu përgjigjën me armë automatike trupave policore speciale të Serbisë, që tentuan të hyjnë edhe brenda shtëpive.  

Pas rreth gjysmë ore luftimesh, ky aksion i rrufeshëm mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, përfundoi me tërheqjen e policisë serbe rreth orës 06:05, bashkë me disa policë të plagosur dhe shumë predha e municione të lëna pas. Atë mëngjes, nga të shtënat e policisë u plagosën Selvete Hamëz Jashari (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jashari (25) në dorë. 

Ndërkaq, kur po tërhiqeshin për t’u kthyer në fabrikën e municionit, policia shtiu mbi një kalimtar të rastit duke e vrarë. Ai ishte Hysen Nezir Mangjolli nga Mikushnica, që po shkonte në punë në fabrikën e materialit ndërtimor në Skënderaj. Rreth 20 000 njerëz morën pjesë në varrimin e tij pas dy ditësh, më 24 janar 1998 në fshatin Mikushnicë. Ky martir i lirisë, la pas gruan dhe tetë fëmijë. Atë kohë sikur edhe më pas, autoritetet e Serbisë e mohuan plotësisht kryerjen e këtij aksioni nga ana e tyre dhe krimet e pasojat që lanë pas. Por media vendore dhe shumë të tjera ndërkombëtare, bën reportazhe dhe morën intervista nga Prekazi, duke e dëshmuar historinë e sulmit të policisë së Serbisë, më 22 janar 1998, mbi familjen Jashari.  

Në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë mbi shtëpinë e kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit. Një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ata u rrethuan siç u rrethua edhe gjithë Prekazi, në sprovën e madhe përballë shumë qindra policëve të Serbisë, ku Jasharët e Prekazit rezistuan duke e kthyer kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës. 

Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij. / KultPlus.com

Kurti: E kujtojmë ish-presidentin Rugova për qëndrimin intelektual dhe sjelljen paqësore

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sapo kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 17-vjetorin e vdekjes së tij.

Kurti tha se bashkë me Osmanin vendosën lule të freskëta tek varri i ish-presidentit Rugova, për të cilin tha se kujtohet për shumë gjëra.

“21 janari është ditë e ftohtë dhe një ditë në të cilën teksa e kujtojmë ish-presidentin Ibrahim Rugova, kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, sjelljen paqësore, çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovë”, tha Kurti, njofton Klankosova./ KultPlus.com

Osmani e Kurti nderojnë ish-presidentin Rugova

Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot u organizua ceremonia e vendosjes së kurorave.

Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.  

Të pranishëm ishin edhe liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ish-presidenti Ibahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006./ KultPlus.com

Kurti përkujton Shaban Shalën: Mësuesi që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot mësuesin dhe patriotin Shaban Shala në 60-vjetorin e vdekjes, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurtit:

“Unë për ty kam me punuemun,
Se ti vendi jemi je;
Unë gjithmonë kam me t’kujtuemunë
Ty çdo çast o i jemi atdhe.”

Këto vargje janë shkruar nga Shaban Shala, më 26 shtator 1956 në fshatin Letanc të Podujevës, ku ai kishte lindur më 16 shkurt 1933. E shkruar në një gegnishte të folmës së krahinës së Llapit, titulli i kësaj poezie, “I betumi për Atdhe”, mund të lexohet edhe si një titull vetëprofetik i autorit për fatin e tij, por edhe si emërtues i figurës së tij postmortum. Sepse Shaban Shala vërtetë ishte “I betumi për Atdhe”!

Në moshë fare të re, Shaban Shala iu bashkua Organizatës Revolucionare Nacional-Demokratike për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pasi kishte kryer Shkollën Normale në Prishtinë, Shaban Shala punoi si mësues në fshatrat Lupç i Epërm, Popovë, Murgull, Pollatë, Dabishec dhe Tugjec. I vetëdijshëm që për shkak të veprimtarisë së tij politike rrezikonte të arrestohej, më 1952, duke dashur të kalonte kufirin e Jugosllavisë për të dalur në Austri, Shaban Shala u arrestua në rrethin e Mariborit në Slloveni, bashkë me Shaban Zhijeqin, Ibrahim Demollin dhe Nuhi Gashin. Ai u dënua me një vit burgim në burgun e Prishtinës, në një proces gjyqësor bashkë me Xhafer Mehmetin, Fetah Batatinën, Nuhi Gashin, Jusuf Ismailin, Ibrahim Demollin, Sabit Kapitin, Shaban Zhijeqin dhe Hamit Zhitinë. Siç kanë rrëfyer të burgosurit e tjerë, gardianët e torturonin Shabanin duke e mbyllur në sënduk, duke e mbajtur të lidhur 24 orë të shtrirë mbi një dërrasë me gozhda, duke i futur gjilpëra mes thonjëve, duke i lëshuar hekur të skuqur në zjarr mbi shuplakë të dorës dhe duke i futur minj të mëdhenj në qeli. Pas lirimit nga burgu, për t’u kuruar nga pasojat e torturave në burg, Shaban Shalës iu desh të shtrihej në spitalin e Nishit dhe Beogradit.

Më 28 shkurt 1956, Shaban Shala u burgos për herë të dytë, tani në burgun e Gjilanit, pasi u arrestua bashkë me Ali Pecin nga Mitrovica dhe Emrush Lluçkun nga Përlepnica e Gjilanit. Pa ndonjë provë reale për akuzë, Shaban Shala u lirua nga gjykata e Gjilanit katër muaj më vonë, më 16 qershor 1956. Më 28 nëntor 1960 dhe 1961, bashkë me shokët e organizatës dhe me gruan e tij Sadijen, Shabani qepi flamuj me shqiponjë dykrerëshe mbi beze të kuqe dhe i vendosi në publik, ndonëse atë kohë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar.

Më 27 shtator 1962, Shaban Shala u arrestua përsëri dhe u burgos për herë të tretë, kësaj here në burgun e Prishtinës. Ai u dënua me 2 vite burgim, por gjatë katër muajve pasues, Shaban Shala u torturua jashtëzakonisht shumë, sa që më 20 janar 1963, duke mos pranuar të fliste përkundër mundimeve dhe malltretimeve, ai vdiq nga torturat. Natën e 20 janarit 1963, një e burgosur politike në një qeli tjetër të burgut të Prishtinës, Hyrije Hana nga Gjakova, kujton se si kur gardianët e morën dhunshëm Shaban Shalën duke e lidhur dhe zvarritur, ai thërriste me zë të lartë: “Rroftë Shqipëria, poshtë tradhtarët e kombit, poshtë klika e Titos”.

Sot bëhen 60 vite nga vrasja e Shaban Shalës nga autoritetet serbe më 20 janar 1963. Ky mësues patriot dhe ky aktivist i burgosur politik, ishte viktimë e politikave diktatoriale dhe shoviniste të zbatuara nga UDB-ja dhe zyrtarët e Serbisë, që ushtronin dhunë mbi shqiptarët në Kosovë. Në popull, Shaban Shala do të njihej si Shabani i flamurit, mësuesi i flijuar për gjuhën shqipe, simbolet kombëtare dhe për liri.

Lavdi Shaban Shalës, mësuesit që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike, duke e shtruar rrugën e gjatë të çlirimit të Kosovës./ KultPlus.com

Kurti me përgjigje epike kur pyetet në Zvicër për festën e Xhakës e Shaqirit kundër Serbisë

Zvicra është shtëpia e klasës sonë punëtore, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën Blick.

Kurti foli edhe për futbollistët shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pasi u pyet për festën e tyre kundër Serbisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës, përcjell Gazeta Express.

“Zvicra është edhe shtëpia e disa futbollistëve të shkëlqyer me rrënjë kosovare. Këto bënë sërish polemika në Kupën e Botës, kur Granit Xhaka veshi një fanellë me mbishkrimin Jashari, emri i komandantit të parë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas fitores ndaj Serbisë. A jeni në rregull me deklarata të tilla politike në fushën e futbollit?”, e pyeti Kurtin gazetarja Lea Hartmann.

“Varet. Mendoj se deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tij, kjo është në rregull edhe për mua”, u përgjigj kryeministri i Kosovë.

“Keni një mesazh për Xhakën, Shaqirin dhe të tjerët?”, e pyeti gazetarja më tej.

“Faleminderit që frymëzuat kaq shumë talentë të rinj për të luajtur futboll. Edhe në Kosovë”, ishte përgjigjja e Kurtit./ KultPlus.com