Një kujtim nga Bekim Fehmiu që gjendet në Prizren (FOTO)

Një fotografi e një veture të vjetër është shpërndarë para disa ditësh në llogarinë e Facebook-ut të ish-gazetarit Fahri Musliu, shkruan KultPlus.

Kjo fotografi tregon veturën Peugeot 404, që aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu e kishte blerë për nënën e tij më 1968. Vetura sipas Musliut, është në oborrin e fotografit Burim Myftiu në Prizren, i cili e kishte marrë atë më 1996 nga vëllezërit Fehmiu.

Po e sjellim të plotë shkrimin e Fahri Musliut:

NJË KUJTIM NGA BEKIM FEHMIU

Burim Myftiu nga Prizreni në një emision te TV Klan Kosova ka zbuluar se posedon makinën PEZHO 404 të cilën më 1968, aktori kosovarë me famë botërore, BEKIM FEHMIU nga honorari i serialit TV ODISEJA ia kishte blerë nënës së vet Hedijes, që të mund ta vizitojë Bekimin kudo që ai xhiron. Myftiu thotë se makinën që nga vëllezërit e Bekimit e ka marre më 1996 e ka shfrytëzuar disa vite por që nga përfundimi i luftës, ajo është në gjendje të mjerueshme dhe kërkon riparim të jashtëm. Makina gjendet në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren dhe shpreh gatishmërinë që atë dhuroj për ekspozim në ndonjë hapësirë në qendër të Prizrenit apo në kuadër të Mezeut kushtuar Bekim Fehmiut, që do të duhej të hapej në këtë qytet, si shenjë kujtimi të aktorit të madh.
Për riparimin do të duhej të shfaq interesim Komuna e Prizrenit apo edhe firmat private e individ.
Do ishte mirë që riparimi të ndodh deri në fillim të qershorit kur shënohet përvjetori i lindjes apo i vdekjes së Bekimit dhe të caktohej vendi për ekspozimin e saj.
Të interesuarit le të lajmërohen në këtë faqe ose personalisht mua në messenger.
Ju faleminderit për mirëkuptim. F.M.

Filmi me Bekim Fehmiun fillon të shpërndahet nëpër Francë (VIDEO)

Filmi “I even met happy Gypsies”, me protagonist aktorin legjendar shqiptar Bekim Fehmiu, ka nisur të shfaqet në Francë.

Pasi këtë vit janë shënuar 50-të vite qëkur filmi u realizua, shteti francez ka marrë të drejtën e shpërndarjes së filmit në një version më të përpunuar vizuelisht.

Në titullin origjinal ‘Skupljaci perja’, filmi me Bekim Fehmiun dhe me Olivera Katarinan, me regji nga Aleksandar Petroviq, këtë vit u dha në Kanë të Francës, në festivalin ku kishte triumfuar para pesë dekadash.

Në frëngjisht, filmi merr titullin ‘J’ai même rencontré des Tziganes heureux’, shkruan KultPlus. Distributori francez i angazhuar për filmin është Malavida, ndërsa ky film vjen i restauruar.

Filmi këtë vit është rikthyer në garë edhe për Festival Lumiere, Festival d`Arras dhe Festival Cinemed, të tria këto festival të rëndësishme të filmit në Francë.

Filmi, në 94 minutat e tij, bazohet në jetën e popullatës rome në Vojvodinë, por merret edhe me temën e dashurisë, etnisë dhe lidhjeve mes klasave sociale. / KultPlus.com

Kur aktori Bekim Fehmiu shkaktonte skandal në Abu Dabi

Në vitin 1971, Bekim Fehmiu do të shkaktonte një problem në Abu Dabi.

Fotografia e tij me aktoren Candice Bergen dhe mbishkrimin “Asgjë nuk është lënë jashtë”, pasi dyshja luan në filmin “The Adventurers” do të shkaktonte debat në Abu Dabi, pasi filmi supozohej se do të kishte skena të nxehta.

Atef Karam, pronari i kinemasë El Dorado, e para kinema e mbyllur në Abu Dabi dhe e cila madje do të mbyllet pasi ka funksionuar për 47 vite, megjithatë nuk e ndali shfaqjen e filmit, edhe përkundër debatit të madh që filmi nuk i përket një shoqërie si Abu Dabi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Hera e parë kur e dhamë filmin, ishte gjithçka normal. Edhe shfaqja e dytë e filmit ishte në rregull. Në herën e tretë, policia erdhi bashkë me autoritetet tjera për ta parë filmin. E panë filmin dhe deshën ta mbyllnin kinemanë, u bë skandal pa nevojë” tregon Karam.

Më pas, në Abu Dabi do të vinte ligji kundër filmave me zhveshje apo dhunë. Zhveshje kishte në filmin me Fehmiun, por jo dhunë, shkruan KultPlus.

E njëjta kinema tani do të mbyllet në tërësi. Ajo u hap me 22 nëntor 1970 dhe është e para kinema e mbyllur në Abu Dabi.

Bekim Fehmiu dhe Candice Bergen patën krahas tyre edhe Charles Azvanour dhe Olivia de Havilland në filmin i cili arriti fitim rreth 7.75 milionë dollarësh në kinematë e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

‘Ata që ikin’ të premten premierë në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, të premten vjen premiera e shfaqjes me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit ‘Ata që ikin’, shkruan KultPlus.

‘Ata që ikin’, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje. Ndërsa trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në një intervistë të mëhershme për KultPlus, regjisori i cili rrëmbeu disa çmime me shfaqjen ‘Tartufi’, të realizuar në Teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër, pati treguar për këtë dramë të cilën e ka shkruar para dhjetë vitesh.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, pati thënë për KultPlus, regjisori Bekteshi.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

‘Ata që ikin’ vjen premierë më 10 nëntor, me fillim nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren./ KultPlus.com

Bekim Fehmiu te varri i Aleksandër Moisiut

Në këtë fotografi shihet aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, pranë varrit të një aktori poashtu shumë të madh shqiptar, shkruan KultPlus.

Ai shihet të ketë shkrepur këtë fotografi pranë varrit të Aleksandër Mosiut, i cili prehet në varrezat e fshatit Morcote në Lugano të Zvicrës./KultPlus.com

Jo si zakonisht, Bekim Fehmiu flet për sportet e preferuara

Në vitin 1979, një pjesë e mirë e aktorëve e regjisorëve të ftuar në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë u pyetën mbi lidhjen e tyre me sportin.

Këta filmbërës, këta aktorë, secili të inkuadruar mirë e mirë në botën e filmit, megjithatë kanë pasionet e tyre në fushën e sportit.

U pyet edhe Bekim Fehmiu, mbi dashuritë e tij në sport dhe mbi kohën e lirë të cilën dosido do t`ia kushtonte sportit.

Ai në këtë intervistë të cilën e sjellë Yugopapir në kuadër të shkrimeve të moçme të kulturës e artit e sportit, ka treguar se gjatë jetës së tij, pos aktrimit fenomenal dhe njohjes që aktrimi i solli në mbarë botën, ai është marrë me boks, me not, me atletikë, me basketboll e me futboll, shkruan KultPlus.

“Sportet e mia më të preferuara janë basketbolli, boksi dhe noti. Për shkak të një lëndimi që pata, po merrem më shumë me gjimnastikë pasi kjo po më ndihmon ta marr veten. Nuk shkoj shumë në stadiume, por e përcjelli futbollin” ka treguar Fehmiu në këtë intervistë.

Në këtë edicion të Festivalit të Filmit në Pula, u shfaq filmi “Era dhe Lisi” me regji nga Besim Sahatçiu dhe me skenar nga Petrit Imami. Abdurrahman Shala mori çmimin për aktorin më të mirë të festivalit për rolin e tij në këtë film. / KultPlus.com

Shkupi nikoqir i ekspozitës së Agron Saliut, u prezantuan portretet e të famshmëve shqiptarë (FOTO)

Portrete të ndryshme të të famshmëve shqiptarë, duke përfshirë: Nënën Terezë, Bekim Fehmiun, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe shumë figura të rëndësishme shqiptare janë prezantuar nëpërmjet ekspozitës personale të artistit Agron Saliu, shkruan KultPlus.

Ekspozita është hapur në ambientet e Galerisë Kic, kurse kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 17 tetor. Kurse Fatmir Sulejmani, me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, nëpërmjet një recensioni ka vlerësuar Agron Saliun, si një artist me emër të përveçëm.

“Për mua, ai është ambasador arti gjithandej ku ekspozon reliktet e shpirtit – portretet e punuara me dashuri dhe përkushtim të veçantë”, ka vlerësuar ai, kurse për veprat veprat e kësaj ekspozite, të përgatitura gjatë dy viteve të fundit, sipas tij janë realizuar kryesisht me teknikën vaj në pëlhurë, ndërkaq, sa i takon formatit, janë të gjitha të njëllojta. /KultPlus.com

Duke trajtuar fatet e njerëzve që ikin, regjisori Kushtrim Bekteshi hapë sezonin në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Sarandë Selimi

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, qysh më 27 gusht kanë nis provat për shfaqjen e re e cila njëherësh edhe do të hapë sezonin në këtë institucion. ‘Ata që ikin’ me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje.

Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit dhe punës që është bërë deri më tani, për KultPlus, foli regjisori Kushtrim Bekteshi.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, tha për fillim regjisori Bekteshi, duke vazhduar tutje të flas për përrallën e kësaj drame.

Ai tregoi se drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli, për të cilin regjisori Bekteshi, tha se ka një konsideratë shumë të lartë dhe ndjehet i nderuar që ka pranuar të jetë në ekipin e shfaqjes së tij.

“Jam shumë i kënaqur si po zhvillohet procesi i provave. Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe shumicën e aktorëve i njoh shumë mirë, prandaj edhe kënaqësia e bashkëpunimit është po e njëjta si para dy vitesh. Bile mund të them se tani aktorët e këtij teatri i kam gjetur në kondicion edhe më të mirë, e kjo falë angazhimeve të vazhdueshme që kanë pasur në shumë shfaqje të suksesshme që janë realizuar në këtë teatër. Me pjesën tjetër të aktorëve, me të cilët po bashkëpunoj për herë të parë, ndjej të njëjtën frymë të bashkëpunimit kreativ, të njëjtën energji pozitive dhe elasticitet interpretues. Gjitha këto më japin një siguri se procesi i përgatitjes se shfaqjes do të rrjedh pa komplikime dhe besoj se produkti final do të rezultojë i suksesshëm”, theksoi regjisori Kushtim Bekteshi, ku poashtu tregoi edhe për pjesën tjetër të ekipit.

“Kostumografe është Samka Ferri, me të cilën është jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunosh. Është shfaqja e katërt që bashkëpunoj me Samkën dhe besoj se do të bashkëpunojmë edhe në shumë shfaqje tjera. Ndërsa skenograf është Mentor Berisha, një skenograf i ri dhe tejet kreativ, me të cilin po bashkëpunoj për herë të dytë”, tha ai.

‘Ata që ikin’, pritet të dalë me premierë në fund të muajit tetor në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren./ KultPlus.com

Në Beograd do të shfaqet filmi ku vetëvritet Bekim Fehmiu

Filmi “Protesta”, ku luan edhe aktori shqiptar Bekim Fehmiu, do të shfaqet javën tjetër në Beograd.
Bëhet fjalë për dy ditë me debate dhe shfaqje filmash mbi socializmin jugosllav në filmat e asaj kohe, nga vitet 50-të e tutje.

Me datë 20 dhe 21 shtator, gjashtë filma të periudhave të ndryshme të kinematografisë jugosllave vijnë për publikun serb.

Mes tyre, “Protesta” e sjellë aktorin shqiptar, në filmin me regji nga Fadil Hadzic. Fehmiu luan rolin e Ivo-s, një punëtor ndërtimtarie i cili kryen vetëvrasje. Gjithçka nisë me këtë veprim dhe njerëz të tjerë angazhohen në skenarin e filmit. Krahas Fehmiut, në film luan edhe Antun Vrdoljak, shkruan KultPlus.

Pos këtij filmi, të tjerë filma që do të shfaqen në kuadër të këtij programi me titull “Teza në menaxhimin e Jugosllavisë”, janë edhe filmat “Sluzbeni polozaj”, “Prometeu nga Ishulli”, filmi “Licem u lice nga Brako Bauer dhe filma të tjerë.

Ngjarja dy ditore do të mbahet në Jugoslovenska Kinoteka në Beograd. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=oyBOaCD6qZI

Bekim Fehmiu në Prizren, atëherë kur i është ofruar roli kryesor në filmin “Kur pranvera vonohet” (VIDEO)

Aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiut në vitin 1978 i ishte ofruar roli kryesor dhe regjia për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Kur pranvera vonohet”, projekt ky që bëri që Bekim Fehmiu të vinte në Prizren për të vendosur për lokacionet e shesh xhirimeve, shkruan KultPlus.

Fotografitë që janë ofruar nga Shukri Kaçaniku, atëherë xhirues filmik, janë publikuar po nga ai, ku shihet Bekim Fehmiu të jetë në valën e punëve për fillimin e këtij filmi.

Kaçaniku ka bërë të ditur se për arsye të ndryshme Bekim Fehmiu nuk arriti të bëj marrëveshje me Kosovafilmin, dhe nga kjo iniciativë kanë ngelë vetëm këto fotografi. Ky film më pas është realizuar me regji të Ekrem Kryeziut /KultPlus.com

“Sikur në duel me Tajsonin, dhe ti e di që ai është boksier më i mirë se ti”

Uliks Fehmiu, në një intervistë të fundit për Politikën, ka treguar se sado që ka provuar të jetë aktor i mirë, asnjëherë nuk do të jetë në nivelin e Bekim Fehmiut – babait të tij.

“Fëmijët gjithmonë duan të kalojnë prindërit me sukseset e tyre. Çdo fëmijë e ka një shpirt konkurrues në këtë aspekt. Megjithatë qysh i vogël i kam ditur sukseset dhe aftësitë e Bekim Fehmiut në aktrim” tregon Uliksi, shkruan KultPlus.

Megjithatë ai thotë se e ka ditur se sado që provon të afrohet në kalibrin dhe talentin e babait të tij, kjo do të ishte gjithmonë e pamundur.

“Është sikur të jesh në duel me Tajsonin, boksierin e famshëm. Ti e din që ai është boksier më i mirë, dhe është e parëndësishme sa shumë ke ushtruar ti, kur je afër tij” tregon Uliksi duke krahasuar veten me aktorin e madh që depërtoi edhe në Hollivud – Bekim Fehmiun.
Edhe Uliksi ka kohë që po bën karrierë në teatër dhe në film, me projekte të ndryshme e madje disa prej tyre edhe në Kosovë. / KultPlus.com