‘Festari’ i Therandës përkujton shkrimtarin Ragip Sylaj

Të martën në Therandë (ish-Suharekë), në kuadër të manifestimit kulturor “Festari” do të mbahet një orë akademike e letrare kushtuar veprës së shkrimtarit dhe gazetarit të ndjerë, Ragip Sylaj.

Në këtë akademi për veprën letrare të Ragip Syljat pritet të flasin kritikë dhe studiues të letërsisë, si dhe do të jepet shfaqja “Kopshti i Edenit”, sipas tekstit të Ragip Sylaj, e vënë në skenë nga regjisori, Naser Shatrolli. 
Ragip Sylaj ndërroi jetë pesë vjet më parë, pas një sëmundje të rëndë. Ai qe gazetar, poet, prozator, dramaturg, kritik dhe eseist. Botimet letrare të Ragip Sylajt janë vlerësuar gjithmonë lart nga kritika, ndërsa emri i tij radhitet ndër shkrimtarët më produktivë dhe më dinamikë të letërsisë bashkëkohore shqipe. Për krijimtarinë letrare ai ka marrë shumë çmime. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës, si: në anglisht, gjermanisht, pastaj sllovenisht, italisht, kurse në gjuhën rumune është botuar një përmbledhje që përfshinë krijimtarinë më të mirë poetike të tij./rtk/KultPlus.com

Sot në Suharekë nis edicioni i 16-të i ‘Festarit’

Sot më 25 shtator në Suharekë nis edicioni i 16-të, i festës së të rinjve dhe vjeljes së rrushit ‘Festari’, shkruan KultPlus.

Ky festival është festë e rinisë ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa ‘Festari’ cilësohet edhe si festë e artë sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

‘Festari’ sivjet ka një program shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe ‘Festari’ përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës.

‘Festari’ nis sot më 25 shtator ndërsa përfundon më 1 tetor./ KultPlus.com