“Kush m’ka faj që jam shqiptar”, tragjikomedia që shpërfaqi realitetin shqiptar karshi figurave të mëdha artistike

Vjollca Duraku

Të mërkurën mbrëma, në teatrin Dodona u dha premierë shfaqja “Kush m’ka faj që jam shqiptar” e autorit Enver Petrovci dhe nën regjinë e Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.

Në shfaqjen tragjikomedi e cila u luajt nga aktorët Gyner Halili, Arbnorë Nuha, Labinot Lajçi dhe Vedat Haxhiislami shpërfaqet një realitet shqiptar, mbi atë se si shoqëria i ka trajtuar dhe trajton figurat e mëdha artistike.

Shfaqja me theks të veçantë trajton një vend me probleme të shumta i cili nuk është në gjendje të absorboj kapacitetin e personaliteteve të mëdha, të cilët kthehen në vendit e tyre për të kontribuuar dhe për të sjellë përvojën e marr nëpër botë.

Mosmirënjohja, mos respekti, ndikimi e ndërhyrja e  politikës në art, mosnjohja e vlerës së mirëfilltë, janë disa aspekte të cilat u dhanë mbrëmë para publikut, i cili me shumë mprehtësi kapi pikat më pikante dhe mesazhin kryesor që përçonte shfaqja.

Pas përfundimit të shfaqjes, në një prononcim për KultPlus, regjisori Ekrem Sopi, tha se përmes kësaj shfaqje ka dashur të përcjell mesazhin se figurat e mëdha shqiptare janë  ata që kanë ndikuar në ‘ngritjen’ e vendit dhe trasimin e rrugës së artistëve të rinj.

“Kjo shfaqje trajton jetën e një artisti që kthehet në Kosovë dhe mënyrën se si pritet nga shoqëria këtu, e cila përbëhet prej shumë problemeve në njëfarë mënyre dhe që nuk ka kapacitet ta absorboj një artist të madh, të cilin nuk e trajton edhe aq mirë. Por unë mendoj dhe kam dashur ta them në fund që artistët e mëdhenj duhet ta ndërtojnë këtë vend ashtu edhe siç e kanë ndërtuar. Këta artistë janë viktimë e vendit, por që vendi përfiton nga ta në një kohë tjetër, qysh edhe tash që po përfiton nga trasimi i një rruge të mirë për artistët e rinj”, ka thënë Sopi.

Ai gjithashtu tha se për të sjellë produktin final është bërë një punë e madhe, pasi vet zhanri që u paraqit mbrëmë në dukje shihet si punë e lehtë, por realisht është e kundërta.

 “Publiku reagoi shumë mirë. Por, realisht publiku duhet ta sheh vetveten në skenë. Realisht duhet të punosh shumë në mënyrë shumë të hollë për tragjikomeditë ngase në shikim të parë duken shumë të lehta, por realisht janë shumë të vështira. Nuk ka më vështirë se të bësh audiencën të qeshë dhe pastaj ta bësh atë të qajë”, ka thënë po ashtu regjisori Sopi.

Ndërsa aktori Gyner Halili foli për rolin e tij siç e quajti vetë ai kompleks, atë të një personazhi yll botëror i cili kthehet për të kontribuar në vendlindjen e  tij.

“Si karakter është mjaft kompleks. Sepse është një yll jo vetëm evropian por edhe botëror. Komplet projekti u dedikohet shqiptarëve, ku një artist i madh dëshiron të kthehet në vendlindje për të kontribuar dhe këtu has në të metat tona, siç është mosmirënjohja, mos respekti, pozicionet, politikat të cilat e bllokojnë me një fjalë rrjetën e tij sepse janë të instaluara rrjetet politike”, ka thënë aktori Halili.

Ai po ashtu i potencoi disa shembuj specifikë të aktorëve të mëdhenj, të cilëve nuk u është dhënë vlerësimi i duhur.

“Në këtë rast mundemi me fol si për profesorin Enver Petrovci, sikurse për Bekim Fehmiun, Faruk Begollin. Ne studentët e tyre i dimë mjaft mirë vështirësitë e tyre, i dimë shumë mirë çka nuk ka lënë politika, jo vetëm politika por njerëzit në përgjithësi. Kur themi politika, janë njerëzit tanë sepse po ata janë edhe në politikë. Në politikë kanë hyrë njerëz që nuk e kanë ditur as çka është arti, çka është aktrimi, e as humori. Ne e kemi rastin më të dhimbshëm që ka mund të ndodhë, ku me rastin e vdekjes së aktorit të madh Bekim Fehmiut nuk është mbajtur as një minutë heshtje në Kuvendin e Kosovës. Këto janë problemet e këtij karakteri. Ka qenë shumë rëndë për t’i plasuar komplet ato, mirëpo jemi munduar”, ka thënë aktori Halili.

Ai më tutje tha se reagimet e publikut përgjatë dhe në fund të shfaqjes u dhanë mesazhin se kishin arritur të përcillnin te publiku atë që kishin pretenduar.

“Në profesionalizëm na thuhet gjithmonë që ne duhet të luajmë për vete, por ajo shpjegohet më gjerësisht. Luajnë për vete që do me thënë me hy në karakter. Mirëpo lojën totale ne e bëjmë për publikun, sepse po nuk patëm publik ne nuk i hyjmë kësaj pune. Kur publiku reagon, sidomos sonte që ka duartrokitur pikërisht aty ku e kemi pritur, kjo kthehet në një motivacion të jashtëzakonshëm. Normal që një buzëqeshje e publikut një duartrokitje, reagim të jep fuqi më të madhe në skenë”, ka thënë artisti Halili.

Ndërsa Elena Sopi e cila me ëndje e kishte ndjekur shfaqjen tha se i kishte pëlqyer pa masë, sidomos tema e cila paraqiste gjendjen aktuale të shoqërisë sonë duke përfshirë edhe mentalitetin primitiv.

“Unë kalova shumë mirë dhe në fakt shfaqja i ka tejkaluar pritshmëritë e mija. Pjesa e cila më ka pëlqyer më së shumti ka qenë pjesa ku tregon imigrimin e shqiptarëve për shkak se e tregon gjendjen aktuale tonën, një lloj primitivizmi të mentalitetit tonë”, ka thënë Sopi, duke shtuar se shfaqja e veprave të tilla ndikon në kultivimin e audiencës, dhe në ngritjen e vetëdijes se vendi në të cilin kemi lindur jo rastësisht duhet të na jep vlerë.

Përfundimi i shfaqjes pasoi me biseda të këndshme në hollin e teatrit “Dodona”. /KultPlus.com

“Kush m’ka faj që jam shqiptar” sonte premierë në teatrin “Dodona”

“Kush m’ka faj që jam shqiptar” me autor Enver Petrovcin dhe regjisor Ekrem Sopin vjen sonte premierë në teatrin “Dodona”.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Gyner Halili , Arbnorë Nuha, Labinot Lajçi, Vedat Haxhiislami.

Premiera vjen sonte, datë 7 shkurt, ora 19:30 në teatrin “Dodona”. / KultPlus.com

Nesër në TKK mbahet leximi skenik i dramës “Era” së autores Albana Muja

Nesër në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbahet leximi skenik i dramës “Era” së autores Albana Muja, përcjell KultPlus.

Me fillim nga ora 14:00, “Erën” do ta lexojnë aktorët si: Fatlume Bunjaku, Labinot Lajçi, Mirsad Ferati dhe Ekrem Sopi.

“Era” është njëra nga fitueset e vitit të kaluar në “Konkursin për Dramë Origjinale Shqipe Katarina Josipi”.

Ky event është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

“Eksperimenti” me regji nga Ekrem Sopi vjen premierë në TKK

“Eksperimenti” i autorit Agush Mulliqit i cili është tekst fitues i konkursit kombëtar për dramë shqipe “Katarina Josopi” dhe fitues i “Netët e dramës shqipe” në Tiranë, tashmë vjen i inskenuar si premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Shfaqja vjen nën regjinë e Ekrem Sopit, ndërsa luajnë aktorët: Dardan Gashi dhe Teuta Krasniqi.

Në këtë shfaqje bëhet fjalë për një çift që është duke e përjetuar krizën e moshës së mesme përballet me të kaluarën e tyre. Ata sa ishin student, bashkë me çiftin tjetër Besën dhe Astritin e përbenin një shoqëri të fortë dhe rebele. Ata ishin të etur për ta shijuar jetën dhe duke menduar se nuk janë duke e bërë një gjë të tillë, ata vendosin që të ndryshojnë diçka, dhe ideja ishte që të eksperimentonin. Të dy meshkujt vijnë me propozimin që ti ndërrojnë të dashurat e tyre vetëm për një natë dhe këtë e quajnë eksperiment. Të dashurat e tyre e pranojnë propozimin. Eksperimenti ndodh, por ai nuk ndodh vetëm një herë ashtu si ishte ujdia, por vazhdon të ndodh fshehtas duke e tradhtuar të gjithë njëri tjetrin.

Kjo lojë për ta sa ishin student dukej vetëm një eksperiment i një episode të jetës, por në të vërtetë ai ishte një eksperiment me pasoja jetësore. Tash që janë në moshën e mesme, ata për çdo dështim në jetën e tyre familjare dhe profesionale e fajësojnë njëri tjetrin se pse propozuan e pse pranuan të eksperimentonin seksualisht. Burri e ka dilemën se cili ishte më i mirë “unë apo Astriti” , ndërsa Gruaja e lodhur nga jetesa me burrin e saj, tërë kohën kërkon ndarjen. E të dy e akuzojnë njëri tjetrin se ajo e do Astritin, ndërsa ky e do Besën. Në tërë këtë tollovi grindjesh, përmes skenave të retrospektivës shohim njohjen në mes tyre, dashurinë e tyre dhe shkatërrimin e tyre.

Skenografia e shfaqjes është realizuar nga Dhurim Ismaili, ndërsa në piano: Alzan Gashi.

Premiera vjen më datë 2 tetor, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

“Kosova jo ‘o’.” nesër premierë në Prishtinë

Nesër më 17 janar vjen premiera e shfaqje “Kosova jo ‘o’.”, me regji të Ekrem Sopit, shkruan KultPlus.

Shfaqja sjellë kërkimin e dinjitetit, të dy shokëve që të dy rreth moshës 40-45 vjeçare. Njëri emigrant në Gjermani e tjetri në Kosovë. Balerina freskon ngjarjen me lojëra të ndryshme. Bekimi dhe Linda përmes dialogut sarkastik i rrëfehen gjeneralit te varri i tij, çka po ndodhë më “Kosova-n jo, o-n”…Bazuar në Kadare, Chekhov.

Kjo shfaqje vjen nën lojën e aktorëve Makfire Miftari, Besim Ajeti dhe Ekrem Sopi.

Shfaqja vjen premierë në Amfiteatrin e American School of Kosova në Prishtinë, nesër më 17 janar me fillim nga ora 19:30./ KultPlus.com