Mitrovica dhe Gjakova po bëhen me stadiume të reja moderne

Punimet për ndërtimin e stadiumeve të reja në Mitrovicë dhe Gjakovë po zhvillohen me ritëm të shpejtë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se projektet po ecin sipas planit, duke sjellë kushte moderne për sportistët dhe tifozët. Këto investime synojnë të rrisin cilësinë e organizimit të ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive, si dhe të nxisin zhvillimin e sportit në nivel lokal dhe kombëtar.

Stadiumet e reja pritet të jenë jo vetëm qendra të futbollit, por edhe hapësira multifunksionale për evente të ndryshme komunitare./KultPlus.com

Kur arti fluturon: Thirrja e Berat Hasanit për Kosovën, nga lartësitë e qiejve

Diellza Gashi

Në një avion mes reve, atje ku horizonti bëhet paqe dhe zhurma shuhet në tingujt e motorëve, një akt i vogël shpërtheu si një dritë e ngrohtë në mes të rutinës. Në vend të një reklame të zakonshme për pushime, shfaqet një skicë. E bardhë dhe e zezë. E heshtur, por e fortë. E vendosur me dorën e një artisti.

Një peizazh i thjeshtë, por tronditës në bukurinë e tij të qetë: një rrugë që futet në një tunel malor, një urë që kapërcen një përrua, shkëmbinj që ngrihen si rojtarë të përjetshëm të natyrës së egër. Dhe mbi të gjitha, një thirrje e vogël, në cepin e sipërm: “Visit Kosovo.”

Sa shumë mund të thotë një fjalë kur del nga një zemër që e do vendin e vet!

Artisti Kosovar, Berat Hasani publikoi në rrjetet sociale artin e tij gjatë një fluturimi, përmes të cilit nuk kërkoi vëmendje, nuk postoi një fushatë, nuk bëri zhurmë. Thjesht zëvendësoi një poster komercial me dashurinë e vet për vendin, të skicuar, të menduar, të dhënë si dhuratë për këdo që do ta shihte. Një veprim që flet me zërin e atyre që nuk harrojnë rrënjët, edhe kur janë lart në qiell.

Kosova, me natyrën e saj të paprekur, me rrugët që përdridhen nëpër male si damarë të gjallë, me urat që lidhin brigje, njerëz, histori  shfaqet në këtë skicë si një ftesë, si një kujtim, si një premtim i bukurisë që pret të zbulohet.

Në një botë ku çdo hapësirë është kthyer në vend për të shitur, ky ishte një vend për të ndjerë. Një vend për të kujtuar se arti është ende gjallë, se dashuria për atë që është e jotja, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por për gjeste të vogla që digjen si flakë të heshtura në errësirë.

Dikush, diku, do ta shohë këtë skicë dhe do të pyesë: “Ku është kjo?”
Dhe ndoshta, vetëm ndoshta, do të zbresë një ditë në tokën e Kosovës. Jo sepse e pa në një reklamë me zbritje, por sepse një artist vendosi ta thërrasë me shpirtin e tij. Berati i Kosovës. Kosova e Beratit…/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës me numër rekord vizitash

Biblioteka Kombëtare e Kosovës si një epiqendër e zhvillimit kulturor dhe arsimor të vendit po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ka ndarë foto nga vizitat e vizitorëve të huaj, por edhe të mërgimtarëve, që e vlerësojnë si një qendër me rëndësi të madhe kulturore dhe arsimore.

“Gjatë këtij viti, Biblioteka ka pranuar një numër rekord vizitorësh, mijëra persona e kanë vizituar deri më tani, duke e kthyer atë në një vend shumë atraktiv dhe turistik për vizitorët.

Një pjesë e këndshme e këtyre vizitave është edhe Këndi Amerikan, që funksionon si pjesë integrale e BKK-së, duke ofruar një ambient miqësor, modern dhe tërheqës për vizitorët.

Përmes vizitave të shumta dëshmohet se Biblioteka Kombëtare e Kosovës luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor.” – shkruhet në postimin e fundit të faqes zyrtare të Bibliotekës./KultPlus.com

Çamëria, dhembja e heshtur: Fjalimi i fuqishëm i Esad Mekulit

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun.

Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.”/KultPlus.com

Sot fillon Kayak Fest 2025 në Liqenin e Batllavës

Për herë të dytë radhazi organizohet festivali i kajakut “Kayak Fest 2025” në liqenin e Batllavës.

Ky festival sportiv do të mbahet nga data 8 deri 10 gusht në Liqenin e Batllavës, duke ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e sporteve ujore.

‘Kayak Fest 2025’ synon të promovojë kajakimin si një aktivitet rekreativ dhe sportiv në Kosovë, duke ofruar mundësinë për të gjithë pjesëmarrësit që të përjetojnë emocionet dhe adrenalinën e këtij sporti

Festivali do të përfshijë aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat dhe nivelet e aftësive, duke filluar nga sesionet e trajnimit për fillestarët, garat për profesionistët, deri te aktivitetet argëtuese për fëmijët.

Liqeni i Batllavës, i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe ujërat e qeta, ofron kushtet ideale për zhvillimin e një festivali të tillë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë mjedisin e bukur përreth liqenit, të marrin pjesë në aktivitete sociale dhe të shijojnë një atmosferë festive.

‘Kayak Fest 2025’ do të mbahet nga data 8 deri 10 gusht 2025, në Liqenin e Batllavës, te Plepat. Ky festival pritet të tërheqë qindra entuziastë të kajakimit nga Kosova dhe rajoni, duke ofruar një hapësirë për ndarjen e përvojave dhe për krijimin e lidhjeve të reja në komunitetin e kajakut.

Organizatorët e festivalit kanë planifikuar një program të pasur me aktivitete që do të përfshijë gjithashtu gara emocionuese, muzikë, kamping, ekspozita të pajisjeve të kajakimit, si dhe ushtrime rreth teknikave dhe sigurinë në kajakim.

Për fëmijët do të ketë zona të veçanta lojërash dhe aktivitete edukuese për të nxitur dashurinë e tyre për natyrën dhe sportet ujore.

Për më shumë informacion mbi ‘Kayak Fest 2025’ dhe për të bërë regjistrimin, vizitoni faqen zyrtare të festivalit ose kontaktoni organizatorët përmes rrjeteve sociale. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të përjetuar emocionet e kajakimit dhe për të qenë pjesë e një eventi të madh sportiv në Kosovë./KultPlus.com

Turqia realizon film për sulmin në Banjskë – Së shpejti premiera e “Në Errësirën e Diellit – Kosova”

Turqia ka finalizuar një film që trajton një nga ngjarjet më të ndjeshme dhe tronditëse të viteve të fundit në Kosovë – sulmin terrorist në Banjskë, të kryer nga grupe paramilitare serbe më 24 shtator 2023.

Filmi mban titullin “Në Errësirën e Diellit – Kosova” dhe pritet të shfaqet premierë më 5 shtator 2025 në kinematë e Turqisë, e më pas edhe në Kosovë dhe në vende të tjera të Ballkanit.

Ky prodhim kinematografik vjen si bashkëpunim mes profesionistëve të njohur të industrisë së filmit në Turqi, dhe synon të sjellë në ekran një rrëfim dramatik, emocional dhe vizualisht të fuqishëm për ngjarjen që tronditi opinionin publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, përcjellë KultPlus.com

Detajet rreth kastës dhe skenarit mbahen ende konfidenciale, por thuhet se filmi do të fokusohet në historitë njerëzore brenda ngjarjes, pasojat në nivel shoqëror dhe politik, si dhe mesazhin për qëndresë dhe drejtësi.

Ky është një nga filmat e parë ndërkombëtarë që trajton drejtpërdrejt një ngjarje kaq të afërt dhe të dhimbshme për Kosovën, duke shënuar edhe një kapitull të ri në mënyrën se si arti dhe kinematografia reflektojnë mbi konfliktet dhe traumën kolektive./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret zyrtarin amerikan: Bashkëpunimi me SHBA-të, prioritet strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në një takim zyrtar Zv. Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, David A. Baker.

Në një postim në rrjete sociale, Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara, duke u shprehur se kur Amerika qëndron përkrah Kosovës, vendi është më i fortë, më i sigurt dhe më i zhvilluar, transmeton KultPlus.

Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe industrinë e mbrojtjes, të cilën e vlerësoi si një mundësi me përfitime të ndërsjella.

Presidentja theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik, ndërsa nënvizoi se mbështetja amerikane në këtë proces është thelbësore./KultPlus.com

Kosova mes 30 vendeve më të lumtura në botë

Vendet e Evropës Veriore vazhdojnë të dominojnë, por pati edhe surpriza në renditjen e këtij viti, si Kosta Rika (vendi i 6-të), Izraeli (i 8-ti) dhe Meksika (i 10-ti). 

Renditja bazohet në një mesatare trevjeçare (2022–2024), që do të thotë se, për disa vende si Izraeli, ngjarjet e periudhës së fundit (p.sh. sulmet e 7 tetorit 2023) mund të kenë ndikuar në rezultate.

Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në një trend rënës vitet e fundit, duke rënë në vendin e 24-t këtë vit.

Pse janë finlandezët kaq të lumtur?

Lumturia finlandeze, sipas Heli Jimenez, drejtuese e marketingut ndërkombëtar në Business Finland, “gjendet në thjeshtësinë dhe të përditshmen: kontaktin me natyrën, kujdesin për trupin dhe shpirtin, por edhe një vlerësim të thellë për dizajnin, artin dhe qetësinë”.

Plani sekret i Zuckerberg për Inteligjencën Artificiale ndez pyetje në Wall Street
Modeli i mirëqenies i Finlandës nuk bazohet në një PBB të lartë (renditet vetëm i 27-ti në botë), por në një shtet të fortë mirëqenieje, shërbime shëndetësore dhe arsimore të arritshme dhe cilësore, korrupsion të ulët dhe barazi.

30 vendet më të lumtura për vitin 2025

Finlanda
Danimarka
Islanda
Suedia
Holanda
Kosta Rika
Norvegjia
Izraeli
Luksemburgu
Meksika
Australia
Zelanda e Re
Zvicra
Belgjika
Irlanda
Lituania
Austria
Kanadaja
Sllovenia
Republika Çeke
Emiratet e Bashkuara Arabe
Gjermania
Mbretëria e Bashkuar
Shtetet e Bashkuara
Belize
Polonia
Tajvani
Uruguai
Kosova
Kuvajti

Çfarë na mësojnë vendet e lumtura?

Lumturia, sipas raportit, varet jo vetëm nga të mirat materiale, por edhe nga faktorë të paprekshëm, siç janë liria, kohezioni social, bujaria dhe besimi në institucione.

Një gjetje e thjeshtë, por e rëndësishme nga botimi i këtij viti: të ngrënit me të tjerët është e lidhur fort me nivele më të larta të mirëqenies, pavarësisht nga mosha apo vendi.

Shoqëria me ushqimin ka një efekt pozitiv në psikologjinë tonë, ngjashëm me të ardhurat ose punësimin.

Një përvojë lumturie në Finlandë

Finlanda ofron jo vetëm një standard të lartë jetese, por edhe një stil jetese që inkurajon kontaktin me natyrën.

Nga Laplanda me pyjet e saj të mbuluara me borë dhe dritat veriore, te qytetet moderne me qendra kulturore si Amos Rex dhe biblioteka publike Oodi në Helsinki, vizitorët mund të përjetojnë “recetën e lumturisë” finlandeze në veprim.

Me më shumë se 3 milionë sauna në të gjithë vendin, mirëqenia nuk është vetëm një qëllim, por një mënyrë jetese.

Trump rrit tarifat për dhjetëra vende anembanë botës, për Kosovën e Shqipërinë s’ka ndonjë vendim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa më të larta për dhjetëra vende anembanë botës për të “ristrukturuar tregtinë globale në dobi të punëtorëve amerikanë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Tarifat e reja variojnë nga 10 deri në 41 përqind, me tarifën më të lartë për Sirinë. Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do t’i nënshtrohen tarifave prej 15 përqind. Serbia do të përballet me tarifa prej 35 përqind dhe Bosnja dhe Hercegovina prej 30 përqind.

Shtëpia e Bardhë tha  se tarifat synojnë “ristrukturimin e tregtisë globale në dobi të punëtorëve amerikanë” dhe do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, jo më 1 gusht siç ishte njoftuar më parë. Tarifat për mallrat kanadeze po rriten nga 25 në 35 përqind, por ato do të hyjnë në fuqi të premten./KultPlus.com

Kayak Fest Kosova rikthehet me edicionin e dytë

Kayak Fest Kosova mbahet këtë vit nga data 8 deri më 10 gusht 2025 në Liqenin e Batllavës. Festivali u zhvillua për herë të parë në vitin 2024, dhe mbajti gara, trajnim fillestarësh, aktivitet për fëmijë dhe ambient festiv pranë ujërave të qeta të liqenit.

Programi përfshin gara kajaku për konkurrentë të shkallëve të ndryshme, muzikë live, kamping në natyrë, ekspozita pajisjesh, demonstrime të teknika dhe sigurisë dhe zona argëtuese për fëmijë. I gjithë organizimi është realizuar nga Federata e Kajakimit të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Festivali ka për qëllim promovimin e kajakimit dhe sporteve ujore si relaks dhe aktivitet rekreative për të gjitha grupmoshat, forcimin e komunitetit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për konservimin e natyrës. Vizitorëve u ofrohen hapësira për kamping, infrastruktura e duhur dhe një mjedis i sigurt me ndihmën e vullnetarëve dhe instruktorëve të licencuar.

Liqeni i Batllavës është ndër liqenet më të mëdha të Kosovës, me sipërfaqe rreth 3.29 km² dhe thellësi deri në 48 metra. Ai ndodhet rreth 13 km larg Podujevës dhe 30 km nga Prishtina, dhe njihet për peizazhet e bukura dhe ujërat e qeta që e bëjnë vendin ideal për sporte ujore./KultPlus.com

Apple Pay tashmë i disponueshëm edhe në Kosovë, një hap i madh drejt digjitalizimit të pagesave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar zyrtarisht se shërbimi global i pagesave Apple Pay është bërë i disponueshëm edhe në Kosovë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në drejtim të modernizimit të sistemit financiar dhe rritjes së përfshirjes digjitale.

Përmes këtij shërbimi, qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt duke përdorur pajisjet Apple, si iPhone dhe Apple Watch. Kartelat bankare mund të lidhen me Apple Pay përmes bankave dhe institucioneve financiare në vend, në përputhje me marrëveshjet individuale dhe integrimet teknike që secila prej tyre kërkon, përcjellë KultPlus.

Sipas BQK-së, kjo nismë vjen si vazhdim i përpjekjeve për digjitalizimin e tregut financiar në Kosovë dhe ndjek integrimin e mëhershëm të Google Pay. Apple Pay konsiderohet një element kyç për përmbushjen e standardeve moderne evropiane për pagesa digjitale dhe zgjerimin e qasjes në shërbime financiare ndërkombëtare.

BQK ka theksuar se ky hap është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin bankar dhe partnerët ndërkombëtarë, me një mirënjohje të veçantë për mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të Planit Strategjik 2024–2028, BQK shprehet se do të vazhdojë të mbështesë transformimin digjital të sistemit financiar dhe të sigurojë kushte sa më të favorshme për përhapjen e teknologjive të avancuara në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë./KultPlus.com

Ekipi Olimpik i të Rinjtë të Kosovës gati për EYOF Shkupi 2025

Prej 20 deri më 26 korrik, 32 sportistë nga Kosova do të përfaqësojnë vendin në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF), që këtë vit mbahet në Shkup, Maqedoni e Veriut.

Ekipi ynë konkurron në 9 sporte: xhudo, atletikë, çiklizëm, pingpong, gjimnastikë, not, taekwondo, shenjëtari sportive dhe badminton. Sportistët janë të pajisur me veshje të brendit të njohur 4F, transmeton KultPlus

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, priti ekipin dhe uroi suksese, duke i inkurajuar për maksimumin në gara. Disa sportistë munguan në pritje për shkak të përgatitjeve jashtë vendit, të mbështetura po ashtu nga KOK-u.

Udhëtimi drejt Shkupit do të bëhet të shtunën, ndërsa ceremonia hapëse mbahet të dielën./KultPlus.com

Kosova nikoqire e Kampionatit Evropian të Esports, Ministri Çeku: Kosova e gatshme për organizime të mëdha ndërkombëtare

 Këtë vit Kosova është nikoqire e Kampionatit Evropian të Esports, një prej ngjarjeve më të mëdha të lojërave elektronike.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se 35 ekipe nga 24 shtete janë duke marrë pjesë në këtë organizim të veçantë të lojërave elektronike.

“Komuniteti ynë i Esports ka bërë rrugë të gjatë drejt një organizimi kaq të veçantë. Jemi krenarë që si Ministri kemi qenë gjithmonë pranë tyre, me mbështetje konkrete, besim dhe hapësirë për zhvillim.

Kjo ngjarje është një tjetër dëshmi se Kosova, edhe pse vend i vogël, është e gatshme për organizime të mëdha ndërkombëtare, dhe se rinia jonë është forca që po e çon vendin përpara”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Mediet shtetërore të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë me memorandum, hapin zyre të përbashkët në Ulqin 

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq, Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, dhe Drejtoresha për Marrëdhënie me Jashtë dhe Projektet në Radio Televizionin e Shqipërisë, Ervjola Osmanaj, firmosën memorandumin e bashkëpunimit në fushën e medias dhe informimit publik.

Hapja e zyrës së përbashkët në Ulqin, ndërmjet mediave shtetërore të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës, hap një kapitull të ri dhe përfaqëson një model bashkëpunimi rajonal në fushën e medias dhe informimit publik. Prezantimi i Ulqinit me vlerat e tij turistike, kulturore dhe natyrore do të jetë i pranishëm dhe më afër kryeqyteteve si Podgorica, Prishtina dhe Tirana./ KultPlus.com 

ASK-ja: Mbi 207 mijë banesa të blera, por të pabanuara në Kosovë

Foto: Arben Llapashtica

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin me të dhëna të detajuara për banesat dhe ndërtesat sipas komunave, në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.

Ky publikim ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi strukturën e banesave në nivel kombëtar dhe komunal, duke përfshirë tregues të rëndësishëm që ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve në sektorin e banimit dhe planifikimin urban.

Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 581 mijë  e 95 banesa, nga të cilat 356 mijë 959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë.

Ndërkohë, 207 mijë e 165 banesa, që përbëjnë 35.7 për qind të totalit, rezultojnë të pabanuara, përfshirë ato të destinuara për shitje, dhënie me qira apo përdorime të tjera.

Raporti përfshinë informacione të detajuara për: numrin e përgjithshëm të banesave sipas komunave, shpërndarjen e banesave në vendbanime urbane dhe rurale, klasifikimin e banesave në të banuara dhe të pabanuara, llojin e furnizimit me ujë, llojin e sistemit të shkarkimit të ujërave të zeza, mënyrat e ngrohjes në banesa dhe numrin e dhomave në banesat e zakonshme.

ASK-ja ka theksuar se këto të dhëna janë një burim i rëndësishëm për politikat zhvillimore, si dhe për hartimin e strategjive për përmirësimin e kushteve të banimit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të hapësirës.

Analiza e shpërndarjes së banesave të banuara dhe të pabanuara shërben gjithashtu për të kuptuar trendët e zhvillimit urban dhe rural, duke ndihmuar komunat në planifikimin e nevojave të ardhshme për infrastrukturë dhe shërbime publike./ KultPlus.com

Belgjika njeh zyrtarisht atasheun ushtarak të Kosovës në Bruksel

Belgjika ka njohur zyrtarisht praninë e atasheut të mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bruksel, një zhvillim i rëndësishëm diplomatik që forcon marrëdhëniet bilaterale dhe afron më shumë Kosovën me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përbashkët për media nga ministri i Mbrojtjes së Belgjikës, Theo Francken, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Lajm fantastik!

Përmes një konference të përbashkët për media, së bashku me ministrin e mbrojtjes të Belgjikës, Theo Francken, bëm të ditur që bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve po merr një hap tjetër zhvillimi. Belgjika zyrtarisht mirëpret atasheun e mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, ndërsa sigurisë së vendit që nga ky vit, ky shtet partner i yni, po i kontribuon me angazhimin e trupave ushtarake të tyre në kuadër të KFOR-it.

Mirënjohës pafund për mbështetjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës që nga viti 2008, ndërsa jam tejet i entuziazmuar për marrëdhëniet tona që po fillojnë të thellohen në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Në Ballkanin Perëndimor, Belgjika gjithmonë do të ketë Kosovën aleat të besueshëm të saj.

Bedankt België!

🇽🇰
🤝
🇧🇪

Poezia e Ismail Kadare për Kosovën

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,

Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Katër institucione bëhen bashkë për dokumentimin e rrëfimeve të të mbijetuarve në masakrat e luftës në Kosovë 

Ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Ceku ka njoftuar se ka filluar projekti “Kujtesa e masakrave në Kosovë”, e që për këtë projekt janë përfshirë katër institucione të Kosovës. 

Ky projekt do të përfshijë të mbijetuarit e masakrave të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se këto dokumentime do të bëhen me audio-intervista. 

Më poshtë po e sjellim njoftimin e plotë mbi këtë projekt-dokumentim. 

Rrëfime që nuk guxojnë të humbin. Zëra që duhen dëgjuar, ruajtur dhe kujtuar përherë.

Ka nisur projekti tre vjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë” që do të dokumentojë rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve nga dhjetë prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë, 1998–1999. Mbi 1000 intervista audio që do të bëhen pjesë e një arkive publike që ruan kujtesën dhe të vërtetën.

Projekti realizohet nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. 

Dokumentimi dhe ekspozimi i krimeve të regjimit serb ndaj shqiptarëve është obligim për të cilin po angazhohemi çdo ditë./ KultPlus.com 

Kosova hap Këndin e Librit në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë

Kosova ka hapur Këndin e Librit në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë “Shën Kirili dhe Metodi”.

Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Haxhi Bajraktari tha se përzgjedhja e shënimit të kësaj dite të rëndësishme përmes inaugurimit të këndit të librit pasqyron dëshminë dhe përkushtimin për t’i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve aktuale dypalëshe dhe për t’i ngritur në një nivel më të lartë fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Blerina Rogova-Gaxha theksoi se ky kënd përfaqëson jo vetëm prezencën kulturore të Kosovës, por gjithashtu përpjekjen për të ndërtuar ura miqësie përmes librit, gjuhës dhe dijes.

“Librat që sot vendosen këtu përfaqësojnë zërin e letërsisë dhe të mendimit shqiptar, si edhe përpjekjen tonë për të ndërtuar ura miqësie kulturore në një Evropë që bashkon e respekton diversitetin: një hap konkret drejt njohjes, shkëmbimit dhe afrimit përmes librit”, tha ajo.

Ndërkaq drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Kalina Ivanova, ka thënë se hapja e këndit është një konfirmim se letërsia është ambasadori më i mirë i mundshëm i bashkëpunimit midis vendeve.

“Siç e dimë, bibliotekat nuk janë vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por shërbejnë si institucione për t’i përafruar vendet dhe kulturat, dhe ne sot kemi nderin të hapim në bibliotekën tonë këndin e librit shqip nga Kosova”, ka thënë ajo.

Këndi i Librit të Kosovës do të jetë një hapësirë e përhershme në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë, duke ofruar vepra të autorëve shqiptarë dhe botime të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare.

Kosova dhe Shqipëria bashkë për autobiografinë shqipe

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Departamentin e Studimeve Letrare dhe Degën e Letërsisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, janë bashkorganizatorë të konferencës shkencore me temën: “Autobiografia në letërsinë shqipe”.

Në këtë konferencë shkencore do të marrin pjesë këta studiues nga Instituti Albanologjik: Hysen Matoshi: “Ditari si autobiografi”, Meliza Krasniqi: “Letërsia si akt kujtese: gratë që rikrijojnë heroinat”, Gëzim Aliu: “(Auto)biografi në letërsi”, dhe Adil Olluri: “Studimi i Agron Y. Gashit mbi autobiografinë”.

Ngjarja do të mbahet sot, nga ora 09:30, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjegjësisht në sallën “Akademikët”.

Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim arkeologjik

Ambasada Gjermane në Kosovë ka njoftuar se Institutiti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë.

“Sot, Instituti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkruan një marrëveshje kornizë që ngritë në një nivel të ri bashkëpunimin tonë në fushën e arkeologjisë,” thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.

Marrëveshja u nënshkrua nga Dr. Lukas Werther dhe Bislim Bislimi, në prani të ambasadorit gjerman Jorn Rohde dhe ministrit Hajrulla Çeku. Kjo marrëveshje synon të vendosë themelet për projekte të reja të përbashkëta dhe shkëmbim të ekspertizës profesionale në mes të të dyja vendeve./ KultPlus.com

Më 28 mars 1989, në Kosovë shpërthyen protestat e mëdha kundër represionit të Serbisë

Në të gjithë Kosovën, më 28 mars të vitit 1989, shpërthyen protestat e mëdha kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës nga parlamenti serb.

Kjo datë shënon edhe pushtimin e Kosovës nga forcat ushtarake serbe. Nga sulmet e ushtrisë serbe, që në ditën e parë të demostratave u vranë 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Kjo datë e furishme dhe e përgjakshme ka hyrë në historinë e Kosovës si ditë e manifestimit të vullnetit për pavarësi. Me gjithë dhunën e egër, kosovarët nuk e ndërprenë luftën dhe përpjekjet për lirie pavarësi. Dy vite më vonë, u shpall pavarësia e vendit, në vitin 1991, u përfundua referendumi, ku kosovarët shprehën dëshirën e tyre që të jetojnë të lirë dhe të pavarur në vatrat dhe në trojet e tyre.

Ndërkaq në vitin 1992 u zhvilluan zgjedhjet për deputet në parlamentin e Kosovës dhe për Kryetarin e Republikës. / KultPlus.com

Kosova në mesin e vendeve më të lumtura në botë, e para në Ballkan

Rrjeti për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së, në “Ditën Botërore të Lumturisë” ka publikuar Raportin Botëror të Lumturisë, ku ka renditur vendet të cilat kanë popullin më të lumtur.

Në këtë raport vendin e parë e ka zënë Finlanda, si vendi më i lumtur në botë, dhe pas këtij shteti vijnë Danimarka në vendin e dytë, Islanda në vendin e tretë, Suedia zë vendin e katërt dhe Holanda vendin e pestë.

Në listë, Kosova ka zënë vendin e 29, duke bërë me dije se qytetarët e Kosovës janë më të lumturit në Ballkan.

Pas Kosovës, prej vendeve ballkanike vjen Serbia në vendin e 31, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 56-të, Mali i Zi në vendin e 71, Maqedonia e Veriut në vendin e 86-të si dhe Shqipëria në vendin e 89.

Në kapitullin e tretë të raportit, tregohet se ka shumë mënura që të kujdesemi dhe të ndajmë me njëri-tjetrin si për shembull të ngrënit vetëm nuk është e mirë për mirëqenien tuaj.

Ndryshe, në korrik 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars./KultPlus.com

Hendboll: Kosova e mposht ShBA-në, një hap afër botërorit

Kombëtarja e Kosovës U18 në hendboll është një hap afër kualifikimit në Kampionatin Botëror.

“Dardanët” sonte e mposhtën ShBA-në me rezultat 27:26.

Nesër djelmoshat tanë do të kenë punë me Nigerinë, që në gjysmëfinale e mposhtëm Uzbekistanin me rezultat e thellë, 43:29.

Në rast të fitores, Kosova do të jetë pjesëmarrëse e botërorit të hendbollit në kategorinë U18-të.

Më të dalluarit në fitoren e Kosovës ishin Olsi Mulaj dhe Amar Muqolli.

Të dy hendbollistët e rinj i kishin nga nëntë gola.