Presidentja Osmani: Kosova, shtet i ngritur mbi diversitetin e përkatësive etnike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor tha se ky samit është një platformë e duhur për ta ngritur zërin kundër diskriminimit të çfarëdo lloji, por edhe për ta ri-forcuar përkushtimin institucional kundër diskriminimit racor në veçanti.

“Njohja e dinjitetit të lindur njerëzor, të të drejtave dhe lirive të barabarta e të patjetërsueshme sublimohet më së miri në deklaratën universale për të drejtat e njeriut qysh nga viti 1948. Ndaj në këtë linjë duhet të ecim vazhdimisht sepse ky është drejtimi i cili garanton barazi, gjithë përfshirjeje edhe respekt të ndërsjellë”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha se shoqëria kosovare është diverse, ndaj sipas presidentes, ne themelet kushtetuese të shoqërisë qëndron edhe shpirti shumë etnik i Kosovës.

Tutje presidentja shtoi se shteti i Kosovës është ngritur mbi diversitetin e përkatësive të ndryshme të cilat i japin forcë.

Kurti: Diskriminimi është i papranueshëm

Slogani unitet në diversitet është gjithsesi i qëlluar sepse thotë që diversiteti është gjendja, ndërkaq uniteti është synimi. Kështu theksoi kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor. Tutje Kurti tha se ”ky synim, pra uniteti, nuk është një i tillë që mohon ose e shpërfillë diversitetin, por përkundrazi e forcon dhe lartëson atë”.

“Është kënaqësi t’ju mirëpresim në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës me qëllimin e përbashkët për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor. Shtetet tona përfitojnë nga diversiteti etnik. Andaj, ne, jemi sot këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim”, tha ai.

Ai tha se pabarazia dhe diskriminimi shfaqen në forma të ndryshme. “Gjatë muajit të rinisë në gusht në panairin e organizuar nga MKRS, prezantuam punimet kreative nga një ndërmarrëse e re egjiptase. Ajo më tha se nuk ka pasur mbështetje që ta mbarojë shkollën fillore dhe se askush nuk reagoi kur  ajo e braktisi shkollën. Kjo është pabarazi, është e papranueshme , është e padurueshme”, ka theksuar Kurti.

Ai më pas përmendi edhe një rast tjetër kur ishte në vizitë në Fushë Kosovë, ku aktivistë ashkali i treguan se si e kanë përjetuar refuzimin e shërbimeve nga transporti urban. “Edhe ky është një diskriminim i patolerueshëm në shoqërinë tonë”, shtoi Kurti.

Për të luftuar këto dhe format tjera të pabarazisë e diskriminimit, ne jemi sot këtu dhe do të flasim nesër e çdo ditë. Për të mbështetur shkollimin kemi investuar 200 mijë euro dhe po ofrojmë 500 bursa për nxënës të këtyre komuniteteve. “Pra, duhet të flasim sot, nesër e çdo ditë, por edhe të veprojmë  e të dëshmojmë me mbështetje praktike, materiale e financiare”, nënvizoi ai./rtk/KultPlus.com

Kosova dhe Suedia nënshkruajnë marrëveshje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Sot, Ministria e Kulturës dhe Agjencioni Suedez për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA),  kanë nënshkruar një marrëveshje për avancimin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Marrëveshja për bashkëpunim u nënshkrua nga ministri Hajrulla Çeku dhe ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund.

“Programi për të cilin u zotuan të dy palët të angazhohen në financim dhe zbatim të suksesshëm, ka për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes mbështetjes së edukimit, zhvillimit të rrjeteve ndërmjet organizatave, promovimit të identiteteve kulturore lokale, komponentës së zhvillimit të zonave kulturore për zhvillim ekonomik, ofrimit të drejtave dhe qasjes së barabartë në trashëgiminë kulturore për të gjitha komunitetet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës në facebook./KultPlus.com

Deputetja Kearns i bën thirrje BE-së që t’i largojë masat ndaj Kosovës

Deputetja britanike, Alicia Kearns, i ka bërë thirrje edhe njëherë tjetër Bashkimit Evropian që t’i largoë masat ndaj Kosovës.

Kearns ka reaguar ndaj deklaratave që ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “TV Prva” të dielën.

“Edhe një herë Kosova punon me komunitetin ndërkombëtar, përkundër një sulmi terrorist të orkestruar nga Beogradi. Edhe një herë Vuçiq refuzon. Hiqni sanksionet ndaj Kosovës, tani, Josep Borrell dhe Von der Leyen”, shkroi Kearns në platformën X. /KultPlus.com

‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë’

Hillary Clinton, ndër gratë më të fuqishme e më të zëshme të skenës politike, sot shënon 76 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël.

Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën Clinton e kishte thënë kohë më parë në një konferencë për media.

‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë‘, ishte shprehur ajo me vendosshmëri të lartë. / KultPlus.com

BE fton Kurtin e Vuçiqin në Bruksel të enjten, konfirmon se ka paraqitur një draft të asociacionit

Si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët, Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.

Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano. 

Ai shtoi se “priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave”, tha Stano. /REL/ /KultPlus.com

Deklarata e Samitit ShBA-BE: Kosova dhe Serbia urgjentisht të zbatojnë pa kushte marrëveshjen

Pas samitit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pjesëmarrësit kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se Kosova dhe Serbia urgjentisht duhet të zbatojnë pa kushte marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër.

Në deklaratë, po ashtu theksohet nevoja që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet, raporton Klan Kosova.

Deklarata përmban 34 pika gjithsej dhe në pikën e tetë përmendet Kosova dhe Serbia.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Samitit ShBA-BE. /KultPlus.com

Guerot: Liberalizimi i vizave është në fuqi nga 1 janari, 2024

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka dashur të japë një mesazh politik për Kosovën dhe Serbinë, me deklaratën e tij të djeshme të dhënë në Tiranë, sipas së cilës, të dy vendet duhet ta mbajnë fjalën e dhënë.

Kështu deklaroi ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në intervistë për RTK.

Ai tha se Presidenti francez është pyetur në fund të vizitës bilaterale në Shqipëri për situatën në Kosovë, por shton se ai ka dashur t’i vendosë të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, para përgjegjësive.

“Duke filluar me Serbinë, duke e ftuar presidentin Vuçiq që t’i dënojë fuqishëm sulmin e 24 shtatorit, vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe sulmin në tërësi dhe duke kërkuar që të ndriçohet sulmi në tërësi dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ky ka qenë mesazhi i parë”.

“Mesazhi i dytë për Kosovën dhe Serbinë lidhur me nevojën për të organizuar zgjedhje të reja në veri për arsye që dihen dhe që nuk kam nevojë t’i rikujtoj. Zgjedhje me një pjesëmarrje të serbëve dhe me kthimin e serbëve në institucione”.

“Mesazhi i tretë kishte të bënte me nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në fund të këtij mesazhi, të këtyre tri kërkesave të shprehura drejtuar njëkohësisht presidentit Vuçiq dhe autoriteteve të Kosovës, presidenti Macron ka rikujtuar se liberalizimi i vizave që tani është në fuqi në Serbie dhe që do të zbatohet nga 1 janari 2024 në Kosovë, është një inkurajim pozitiv, një gjest i mirëbesimit dhe se ky gjest nuk ka qenë reciprok dhe se është e domosdoshme që të dy palët të riangazhohen në dialog. Ky ka qenë një mesazh politik që të dy palët shpresoj se do ta dëgjojnë”, deklaroi Guerot. /KultPlus.com

Shpalosja e flamurit të Kosovës, Bërnabiq nuk mori pjesë në fotografinë e samitit në Tiranë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk ka marrë pjesë në fotografinë familjare të liderëve evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor sot në Tiranë.

Mosprezenca e Bërnabiqit në fotografinë familjare të samitit të Procesit të Berlinit vjen pasi është shpalosur flamuri i Kosovës, dhe ajo tha se për këtë nuk mori pjesë në fotografinë familjare./Klan Kosova / KultPlus.com

Von der Leyen thirrje nga Tirana: Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Tirana, në vigjilje të Samiitit të Procesit të Berlinit u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen dialogut.

Ajo ka thënë se dialogu i Brukselit është rruga e vetme që duhet ndjekur, njofton KlanKosova.tv.

“Marrëveshja e Ohrit, ajo që është arritur në shkurt dhe mars janë baza, themeli për pajtim ndërmjet dialogut të BE-së”.

“Është shumë me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien e tyre. Vendi i duhur për pajtim është dialogu sepse kjo është rruga e duhur për të ardhmen”. /KultPlus.com

Rama: Mund të ndodhë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.

“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë”, deklaroi Rama në intervistën e tij në podkastin Inside Albania.

I vënë përballë kritikave të shumta nga klasa politike në Prishtinën zyrtare, përfshi kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla për idetë e tij për të ngritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Asociaicionin e komunave me shumucë serbe, Rama kishte një përgjigje të gjatë por të qartë.

“Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën”, u shpreh Rama.

Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.

“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë”, sqaroi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.

“Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar”, deklaroi Rama.

I pyetur nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, Rama, tha “Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri”.

“Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit. Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar”, përfundoi Rama. /EuronewsAlbania/

Fitorja që u shndërrua në altar të besimit për bashkim kombëtar (VIDEO)

Ndeshja e eliminatoreve për Euro 2024, Shqipëri-Republika Çeke, Tiranë, 12 tetor 2023 në stadiumin kombëtar, “Air Albania”.

Çdo ndenjëse një plis!

Çdo plis një zemër!

Çdo zemër një zë!

Çdo zë një thirrje!

Dhe gjëmoi “Air Albania” siç nuk kishte shkundullitur kurrë më parë nga themelet deri në qiejt, lart ku prehen shpirtrat e përjetësisë që pikuan e bekuan këtë natë solemne, këtë mbrëmje fitoreje, këtë zgjim të thirrjes së gjakut, gjakut që skuqi këtë flamur dhe hymnizoi këtë mbrëmje më plis e shqiponjë.

Ishte e veçanta e atmosferës kuqezi në shkallët e Arenës Kombëtare, për ndeshjen Shqipëri-Çeki, ishte për të mbetur prej më të spikaturat, më madhështorja. Plot 22 mijë qeleshe janë dhuruar nga Digitalb, jo thjeshtë për marketing, por për ta shndërruar magjike atmosferën, e cila mbeti elektrizuese përgjatë gjithë kësaj ndeshje epike. Dhe për të vijuar gjatë gjithë natës festive në Tiranë dhe kudo ku shqiptarët e zbardhën me ngjyrat kuq e zi, në veshje e në zemër.

Ideja e qelesheve, e cila u potencua nga banderolat, pjesëmarrja në stadium e kreut të ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, por me një rëndësi thelbësore prania në shkallët e Arenës Kombëtare të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti bashkë me Lulzim Jasharin, djalin e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit. Për t’u finalizuar me këngën himn, “Mora Fjalë”, të Naim Gjoshit, kënduar live nga Shkurte Fejza.

Krejtkjo ishte një gjëmim i zëshëm për bashkim, një oshtimë që vjen nga thellësia e kohës dhe emergjenca e së sotmes për qëndresë, shqiptari dhe fitore. Pavarësisht se cila ishte përballja futbollistike, shqiptaria është thirrur në këtë manifestim të jashtëzakonshëm për të dëshmuar, se kemi forcë për të fituar, kemi arsye për festuar dhe besim për bashkim kombëtar.

Fitorja e përfaqësueses sonë kundër asaj të Republikës Çeke, ishte jo thjeshtë një konfirmim i Shqipërisë në vendin e parë më 13 pikë, në Grupit E, për eliminatoret e Euro 2024. Po, ishte shndërrimi i “Air Albania”, në një tempull të nacionalizmit, në një shpërfaqje spektakolare të ambicies për ta ngjitur idealin e lartë kombëtar, në kreshtën e një zëri buçitës, që shpërthen në shkallët e një stadiumi për të populluar Evropën dhe Botën me zgjim kombëtar shqiptarë.

Fushat e blerta shpesh kanë qenë arena të ndeshjeve epike, e tillë ishte dhe ajo e mbrëmshmja, 12 tetor 2023, për të na sjellë në kujtesë betejën e 14 tetorit 2014 në stadiumin e Partizanit në Beogradit kur valëviti “Autochthonous” në zemër të Serbisë. Jo pak herë këto kulmime të garës dhe sfidës kanë shërbyer si një katalizator i ridimensionimit të ndjenjës nacionale. Pavarësisht se është futbolli si indicie, në të vërtetë ai mbetet ndoshta mjeti më efikas që shpie te përmbushja e qëllimeve, dhe nacionalizmi është reflektimi më i shpejt në këtë kontakt.

Ngjarjet e fundit në Kosovë, nevoja për bashkim kombëtar, dukshëm ka marrë një shtysë, që merr zjarr në një ndeshje futbolli, për të ushqyer frymën, për të shprehur fuqinë, për të ndërmendur krejtkujt se ne dimë të luajmë, të luftojmë dhe të fitojmë shqip.

Bashkimi i trojeve shqiptare, korrigjimi i një prej padrejtësive më të mëdha historike që Evropa na bëri, për logjikën e politikës është një mision i pamundur, por për idealin kombëtar është një e drejtë, e cila mund të shpërthejë në entuziazmin e një tifozerie, për t’u shndërruar në një altar, të cilin e lartësojmë me besim dhe e përmbushim me devocion dhe përkushtim.

Dje nuk fituam vetëm ndaj Republikës Çeke, nuk çimentuan vendin e parë në Grupit E, për eliminatoret e Euro 2024, që na afron me Gjermaninë, nuk triumfuam vetëm në një ndeshje futbolli, por e lartësuam ndjenjën tonë kombëtare në qiejt e asaj lavdie, të cilën e ushqejmë me magjinë kuqezi dhe fitore.

Albert Vataj

Milanoviq i bën thirrje vendeve anëtare të BE-së: Thyeni dhe shkelni masat ndaj Kosovës

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka kërkuar sot nga shtetet anëtare të BE-së t’i thyejnë masat ndaj Kosovës që i ka ndërmarrë Komisioni Evropian.

Milanoviq i ftoi të gjithë të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës.

“Borrelli ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë ia ka dërguar një letër dhe i ka thënë se Kroacia nuk ka të drejtë të caktuar dhe kur e shkruan një fëmijë është një gjë, kur e shkruan Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian është një gjë tjetër dhe aty ka theksuar një sërë pasaktësish dhe të gënjeshtrave të pranuara, të cilat i thonë Kroacisë se nuk ka të drejta të caktuara, por ka të drejtë. Pra më sheh në sy dhe më gënjen. A duhet të hesht për këto gjëra? Pasi ekzistojnë masa të caktuara të Komisionit Europian dhe nuk guxojmë të flasim për komplotet e tyre dhe për veprimet e tyre të padrejta. Ata të cilët nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Europian ka masa ndaj Kosovës, i ftoj të gjithë që thyejnë këto masa, të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës dhe që t’i përsërisin këto”, tha ai.

Presidenti kroat në konferencën e përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është kundër sanksioneve që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.

Sipas tij ato s’kanë asnjë rezultat, dhe sipas tij nuk mund të pritet objektivitet nga Borrelli, një spanoll, që siç tha ai “nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, nga dikush që është spanjoll e që drejton politikën evropiane kundër Kosovës”.

“Natyrisht, Kosova është nën sanksione, nën sanksione të Komisionit Evropian dhe i ftoj ata që t’i bojkotojnë ato. Dhe keto janë disa prej masave të cilat i ka ndërmarrë Komisioni Evropian nga z.Borrell i cili shpresoj së shpejti shkon në pension dhe si të them t’i ndalojnë, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Komisioni, nga Borrelli, ekipi i tij të cilat na ndalojnë dhe kërcënojnë të gjithë ne që të takohemi në disa nivele të caktuara me disa përfaqësues të Kosovës”./ isnajderi/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Kroaci, e cila ka realizuar takim me presidentin kroat Milanovic, shkruan KultPlus.

Pas takimit me të parin e shtetit kroat, presidentja Osmani është shprehur të jetë falënderuese për mbështetjen e shtetit kroat që ka për Kosovën, duke përfshirë edhe mbështetjen e fundit të Kosovës, përgjatë ballafaqimit me pasojat e agresionit të Serbisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes.

Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte.

Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.

President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës! 🇽🇰🇭🇷./ KultPlus.com

Nis shitja e biletave online për ndeshjen Kosovë – Izrael

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se ka filluar shitja e biletave për ndeshjen Kosovë – Izrael, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, shkruan KultPlus.

Kjo ndeshje do të zhvillohet më 15 tetor 2023, në ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri.

Çmimet e biletave janë si më poshtë: Veri dhe Jug 5 euro, Lindje 10 euro, Perëndim 20 euro dhe VIP 80 euro.

Një person mund të blejë deri në katër bileta, derisa biletat mund t’i gjeni këtu. /KultPlus.com

“Themeli”, ekspozita që ndërthur poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në Muzeun e Amsterdamit

Jeta Zymberi

Një titull me peshë, një titull që mbart shpirtin dhe historinë e një populli, “Themeli” është fjala që përthekoi punën e dy artistëve shqiptarë, Luan Buleshkaj dhe Arijan Zymeraj për të prezantuar një copë Kosove në një vend të veçantë, siç është Muzeu i Amsterdamit.

Për një shqiptar të rritur larg vendlindjes së tij, “Themeli” është më shumë se një fjalë – është një kujtim i vendlindjes, një lidhje me rrënjët dhe një dëshirë për të përjetuar dhe ndarë trashëgiminë kulturore me botën, shkruan KultPlus.

“Themeli” është një përpjekje plot pasion e këtyre dy artistëve, për të zbuluar thelbin e popullit kosovar dhe të shpërndajë këtë njohuri me botën nëpërmjet poezisë dhe fotografisë.

Muzeu i Amsterdamit ka hapur dyert për këtë ngjarje të veçantë, ku poezia dhe fotografia përplasen për të sjellë historinë dhe kulturën e Kosovës të nxjerra nga një udhëtim i veçantë i këtyre dy artistëve në Kosovë, në veçanti në qytetin e bukur të Istogut.

Në një intervistë për KultPlus, artistët kanë zbuluar më shumë rreth këtij projekti inspirues.

Projekti “Themeli” lindi si ide e Luan Buleshkajt, një artist me ngjyra të ndryshme në biografinë e tij. I lindur dhe i rritur në Amsterdam, me rrënjë shqiptare, ai bëri emër më së shumti si reper, por që kur u fut në botën e poezisë ai ka performuar në shumë skena të njohura në Holandë.

“Gjithmonë kam pasur dëshirën që të kombinoj poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në një mënyrë unike”, tha Luani i cili tregon se kur u takua me fotografin Arijan Zymeraj kuptoi që ky ishte kombinimi perfekt për realizimin e këtij projekti.

Bashkë, ata kuptuan se kishin një mision të përbashkët, për të eksploruar dhe shpërndarë historinë dhe emocionet e Kosovës nëpërmjet artit.

Kosova është një vend i pasur me histori të ndryshme ku pothuajse nga secila familje mund të nxjerrësh rrëfime fantastike. Edhe për këta dy artistë, historitë e familjes së tyre ishin burimi kryesor frymëzues për këtë projekt.

“Historitë e babait tim dhe anëtarëve të familjes më kanë frymëzuar. Tregime nga historia e Istogut. Përralla popullore klasike por edhe histori rreth luftës. Më kanë prekur më së shumti historitë e gjyshit. Ai ishte këngëtar dhe aktivist politik”, tregon Luani për KultPlus.

Njëjtë është edhe për Arijanin, i cili në këtë ekspozitë do të ndaj me publikun edhe një pjesë shumë personale.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të ndaj fotografitë e gjyshit tim gjatë kësaj ekspozite 5 mujore dhe ta bëj të pavdekshme historinë e tij”, thotë Arijani.

Arijan Zymeraj dhe Luan Buleshkaj

Edhe pse ekspozita do të hapet në Muzeun e Amsterdamit, titulli mbetet në gjuhën shqipe, “Themeli”. Fotografi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Holandë, Arijan Zymeraj, fotografitë e të cilit kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë, një arsye kjo që vazhdon ta nxisë për të punuar vazhdimisht, ka treguar më shumë rreth idesë së titullit të ekspozitës.

“Ne e quajtëm projektin “Themeli” sepse njerëzit për të cilët flitet dhe janë fotografuar janë themeli i popullit shqiptar të Kosovës sot, sepse ata kanë luftuar për të na dhënë një të ardhme neve”.

Udhëtimi nëpër Kosovë për të kapur historitë dhe emocionet ishte një përvojë e pasur dhe ndikuese për artistët. Fotografi tregoi se pavarësisht bukurisë së vendit, udhëtimi kishte edhe sfidat e veta.

“Përvoja ishte e bukur por edhe e vështirë. Të dëgjosh historitë e njerëzve në Istog për kohën e tyre gjatë okupimit është diçka që nuk dëshiron ta dëgjosh çdo ditë. Por arsyeja pse vazhduam është diçka për të cilën gëzoj më shumë respekt”, shprehet Arijani.

Në ekspozitën “Themeli,” dy artistët trajtojnë tema të ndryshme, por disa prej tyre janë më shumë në fokus. Arijani theksoi se një nga temat kryesore është brezi i vjetër që ka guxuar të ndërmarrë hapa kundër pushtimit. Por edhe se si Kosova ende po punon për të rindërtuar vendin e saj.

Ndërsa Luani u shpreh se ekspozita është më shumë se një pasqyrim i historisë së Kosovës.

“Kosova është më shumë se luftë dhe tragjedi. Është një vend historik me histori të pa treguara. Ne i përcjellim ato histori të pa treguara përmes fotografisë dhe poezisë”, thotë Luani.

Sipas artistëve, e veçanta e kësaj performance në Muzeun e Amsterdamit është aspekti njerëzor.

“Ne i qasemi çdo gjëje nga këndvështrimi njerëzor. Nga vetë populli shqiptar. Por edhe nga diaspora shqiptare. Mendoj se kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë do të bëhet shumë e njohur për publikun këtu” thotë Luani.

Krejt për fund, artistët na shpalosën se tashmë kanë nisur punën që ekspozitën e njëjtë ta sjellin edhe në Kosovë.

“Ne patjetër që dëshirojmë ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë. Poezitë janë në anglisht por janë përkthyer edhe në shqip. Këtë e bëmë pikërisht për këtë qëllim, sepse duam ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë”, përfundon Luani.

Ekspozita “Themeli” do të hapet nesër më datë 6 tetor në Muzeun e Amsterdamit dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 shkurt të vitit 2024. / KultPlus.com

Kosova nuk propozon film për garën e çmimeve Oscars, nuk kishte prurje adekuate

Kosova këtë vit nuk propozon film për garën e nominimeve në kategorinë e filmit ndërkombëtar për edicionin e radhës të Oscars 2024.

Për një dekadë të tërë, Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve Oscars dhe komunitetin e tij vlerësues. Por pas trajtimit të aplikimeve të këtij viti, anëtarët e komitetit selektues kanë vendosur mos të propozojnë film për edicionin e Oscars 2024.

Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këti viti, komiteti selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë deshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e Oscars 2024 të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova.

Në këtë vendim nuk u harrua të theksohet fakti se kualiteti i punëve të filmbërëseve kosovar të prezentuara në propozimet e filmave për Oscars deri tani ka ndërtuar reputacionin e kinematografisë tonë në këtë platformë globale, duke u afruar madje edhe deri te 15-shja e rrethit të ngushtë të filmave, siç ishte “Zgjoi” në vitin 2021. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Kosova, andrra e jetës sime’ i autorit Bajram Gashi

Në Istog është mbajtur një aktivitet letrar, ku shkrimtarë e poetë kanë prezantuar poezitë e tyre para jurisë. Kjo ngjarje është organizuar nga klubi letrar “Podguri”.

Manifestimi letrar “Ibrahim Rugova, i nënti me radhë ka mbledhur në Istog , shkrimtarë,  poetë e shkrimtarë.

Ky aktivitet letrar në të cilin me poezitë e tyre u paraqitën mbi 60 poetë e shkrimtarë nga të gjitha trevat shqiptare, u organizua nga Klubi letrar “Podguri” në Istog.

Me këtë rast Klubi letrar “Podguri” promovoi librin, “Kosova, andrra e jetës sime” e autorit Bajram Gashi. Po ashtu krahas tri çmimeve nga organizatorët u ndanë edhe mirënjohje.

Për angazhimin e përvitshëm në transmetimin dhe promovimin e vlerave kulturore e artistike, një mirënjohje e veçantë iu nda edhe Radiotelevizionit të Kosovës./rtk/KultPlus.com

Aktorja Angelina Jolie shkruan në shqip njoftimin për publikimin e librit të saj në Kosovë dhe Shqipëri

Aktorja e famshme Angelia Jolie, ka bërë një postim në gjuhën shqipe, duke njoftuar se libri i saj “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkojini ato”, i shkruar nga ajo, Amnesty International dhe Geraldine Vab Bueren, tanimë është publikuar edhe në Kosovë dhe në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Përmes një publikimi në instagram, Jolie u është drejtuar ndjekësve të saj edhe në gjuhën shqipe.

“Për t’i kërkuar të drejtat tuaja, duhet t’i njihni ato. Neni 42 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i detyron qeveritë të sigurohen që fëmijët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për parimet dhe të drejtat e mbrojtura me konventë. Jam e lumtur që libri ynë për të drejtat e të rinjve tani është publikuar në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Rumani dhe Moldavi, dhe ua dërgoj respektin tim të gjithë aktivistëve/eve që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në rajon dhe që përdorin të drejtën e tyre të jenë të zëshëm.”, thuhet në shkrim./KultPlus.com

Kosova nuk merr pikë ndaj Rumanisë, shuhen shpresat për “EURO 2024”

Ndeshja në “Nations Arena” solli një humbje të dhimbshme për Kosovën, shkruan KultPlus.

Dardanë u mposhten me rezultatin 2-0 kundër Rumanisë, duke ulur shpresat për kualifikim në Euro 2024.

Tabela aktuale vendos Zvicrën në krye me 14 pikë, ndërsa Kosova renditet në vendin e pestë me vetëm 4 pikë, pas rivalëve më të fortë, Izraelinë, Rumaninë dhe Zvicrën.

Megjithatë, ekipi duhet të vazhdojë të punojë me përkushtim për të arritur qëllimin e tyre dhe përfaqësuar vendin në këtë turne të madh futbolli. /KultPlus.com

Gërvalla me ministrin izraelit flasin për mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njofton se ka pritur në takim ministrin Izraelit të Turizmit, Haim Katz, me të cilin tha se u diskutua për zhbllokimin e turizmit dhe mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve.

Postimi i saj i plotë:

Më herët sot mirëprita në Kosovë Ministrin Izraelit të Turizmit, z. Haim Katz. Ne patëm diskutime produktive rreth zhbllokimit të potencialit të plotë të sektorit tonë të gjallë të turizmit dhe eksplorimit të mundësisë së udhëtimit pa viza midis vendeve tona./ KultPlus.com

Mbyllet me rezultat 2-2 ndeshja Kosovë – Zvicër

Kosova ka barazuar me Zvicrën, me rezultat 2-2, në kuadër të ndeshjes së pestë kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Golin e parë në ndeshje e shënoi Remo Freuler, në minutën e 14’. Me këtë rezultat u krye pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Kosova e barazoi rezultatin me anë të Vedat Muriqit, i cili realizoi një gol të bukur me kokë, pas asistimit nga Milot Rashica.

Por “Helvetikët” kaluan sërish në epërsi, pasi Amir Rrahmani shënoi autogol në minutën e 79’.

Megjithatë, në skenë doli edhe njëherë Vedat Muriqi, duke e barazuar rezultatin 2-2, në frymën e fundit.

Kurti viziton “Dardanët”: Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”

Në prag të ndeshjes së shumëpritur për kualifikimet e Evropianit 2024, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës që luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kryeministri Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres Daulina Osmani ka vizituar kampin e Dardanëve.

Kurti ka falënderuar futbollistët kosovarë dhe stafin e Kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.

“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione, por edhe ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive, por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë, do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator, por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë”, ka thënë Kurti.Ai ka falënderuar gjithsecilit për gjithë këtë kontribut, i cili nuk është vetëm sportiv por është edhe popullor sepse jo vetëm njerëzit që përcjellin sportin ju ndjekin.

“Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”, ka theksuar para futbollistëve kryeministri Kurti.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi duke e falënderuar të parin e ekzekutivit për vizitën ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që institucionet shtetërore po i japin ekipit kombëtar dhe në përgjithësi futbollit të Kosovës.

“Kryeministri është motivues i madh dhe është njeri i aksionit, prandaj e kemi parë të arsyeshme që ai si kreu i qeverisë të vjen sot për vizitë dhe të japë mesazhin e tij frymëzues për të ecur përpara së bashku”, ka thënë presidenti Ademi.

Në emër të ekipit kombëtar kryeministrin me bashkëpunëtorët e tij i ka falënderuar kapiteni Amir Rrahmani.

“Faleminderit për përkrahjen ndaj ekipit kombëtar dhe ndaj federatës. Shpresoj që edhe në të ardhmen kontributi dhe ndihma e institucioneve për rritjen e futbollit nuk do të mungojë”, ka thënë kapiteni i Dardanëve.Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku premtoi se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah futbollit dhe ekipit kombëtar.

“Ju jeni të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve dhe ne jemi këtu për t’iu ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme si shtet e si institucione, jo vetëm zyrtarisht por edhe moralisht e me zemër. E keni një shtet dhe shoqëri të tërë mbrapa. Edhe jemi krejt me juve. Dijeni se po e përfaqësoni më shumë se një ekip dhe një sport. Këtu e kemi një gjasë të madhe për të ecë përpara dhe duhet ta shfrytëzojmë. Faleminderit të gjithëve për kontributin që e jepni për shtetin”, ka thënë Çeku. /KultPlus.com

Amnesty International: Kosova po dështon t’i mbrojë viktimat e dhunës në familje

Autoritetet e Kosovës po dështojnë ndaj viktimave të dhunës në familje, thuhet në një raport të publikuar sot nga “Amnesty International”.

Në raportin “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje”, tregon si të mbijetuarat e dhunës në familje, “përballen me shumë pengesa në sigurimin e mbrojtjes, qasjes në drejtësi dhe mbështetje”.

“Autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm në luftimin e dhunës në familje dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave dhe adresimin e prioriteteve të tyre”, është thënë në raport.

Në raport është vlerësuar qenësore që autoritetet e Kosovës të përfshijnë të mbijetuarat e dhunës në familje në të gjitha proceset vendimmarrëse që kanë ndikim te to”.

“Të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë përballen me pengesa në të gjitha drejtimet kur përpiqen të largohen nga situatat abuzive. Përgjigjja e autoriteteve përqendrohet shumë në ndjekje penale. Në fakt, pothuajse të gjitha të mbijetuarat detyrohen të raportojnë dhunën në polici për të pasur qasje në strehimore. Njëherësh, nuk po bëhet mjaftueshëm për t’i mbështetur të mbijetuarat të jetojnë jetë të pavarur larg abuzimit. Të mbijetuarat nga grupet e margjinalizuara po ashtu po lihen në harresë”, ka thënë Lauren Aarons, zëvendësdrejtoreshë e programit dhe udhëheqëse e ekipit për gjininë.

Amnesty International ka gjetur zbrazëti të shumta në mbështetjen shtetërore që ofrohet për të mbijetuarat e dhunës në familje si dhe mungesë të veprimeve për përfshirjen e tyre në procese vendimmarrëse, që ka shkundur themelin e të drejtave të tyre. Këto zbrazëti përfshijnë pengesa në kompensim, në realizimin e të drejtave tjera ligjore si alimentacioni, si dhe shërbime joadekuate për të mbështetur të mbijetuarat pas largimit nga strehimorja.

“Të mbijetuarat po ashtu kanë treguar për paragjykime të dëmshme nga zyrtarët policorë, punëtorët socialë të mbingarkuar me punë, mbrojtës të viktimave të padobishëm apo që mungojnë dhe mungesë të informatave për të drejtat e tyre apo për mjetet dhe asistencën në dispozicion. Të mbijetuarat nga minoritet etnike si nga komunitetet serb, rom, ashkali, egjiptian nga Kosova, dhe të mbijetuarit/at LGBTI përballen me pengesa shtesë për shkak të formave të diskriminimit ndërthurës me të cilat përballen”, thuhet në raport.

Në raport është thënë se nëse “të mbijetuarat tentojnë të largohen nga situatat abuzive, atëherë në rastin më të mirë marrin mbrojtje fillestare dhe mbështetje afatshkurtëre”.

“Autoritet e Kosovës janë zotuar t’i vendosin të mbijetuarat në qendër të përgjigjes së tyre ndaj dhunës në familje. Tani ata duhet ta shndërrojnë këtë zotim në veprim. Kjo do të thotë ndarjen e burimeve të mjaftueshme, por po ashtu edhe dëgjimin e të mbijetuarave dhe atyre që punojnë me to, për zhvillimin e përgjigjeve gjithëpërfshirëse që respektojnë të drejtat e të mbijetuarave,” ka thënë Aarons.

Një e mbijetuar e dhunës në familje nga Prishtina, identiteti i të cilës nuk është zbuluar, i ka thënë Amnesty International se institucionet e Kosovës duhet t’i informojnë gratë se e kanë derën e hapur dhe mbështetjen e shtetit, “ende pa ndodhë ndonjë gjë”.

“S’ki nevojë me u brengosë për fëmijë, s’ki nevojë me u brengosë për ku ke me shku… edhe nëse nuk të mbështetë familja, edhe nëse s’munesh me u kthy te shpia e babës, institucionet kanë me të mbështetë”, ka thënë viktima.

Kosova është tronditur nga një varg i rasteve të femicidit viteve të fundit. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre vrasjeve, u mbajtën protesta me të cilat kërkohej drejtësi, dëmshpërblim, si dhe dënime në përputhje me ashpërsinë e veprës penale.

Me 14 mars 2021, Sebahate Morina u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Gjykata Kushtetuese më vonë konstatoi se autoritetet shtetërore dështuan ta mbronin Morinën, duke ia shkelur asaj të drejtën në jetë.

Më 4 gusht 2023, burrat përgjegjës për vrasjen brutale të 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht 2021 morën dënimet. Dardan Krivaqës iu dha dënimi me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, Arbër Sejdiut iu dha dënimi 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

“Njerëzit në Kosovë po dalin në rrugë për të kërkuar që të veprohet për të parandaluar vrasjen e më shumë grave. Autoritetet e Kosovës kanë një mundësi të artë ta bëjnë ndryshimin: t’i dëgjojnë të mbijetuarat dhe protestueset, të cilat i kanë zgjidhjet, dhe t’i mbajnë zotimet e tyre ligjore me veprime konkrete të nevojshme për ta t’i dhënë fund dhunës ndaj grave,” ka thënë Aarons. / KultPlus.com

Osmani: I urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin e Ukrainës për ditën e pavarësisë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani ka thënë se populli ukrainas ka mbetur i pathyer edhe pas një pushtimi që po përpiqet ta bëjë Rusia.

“Zemra e një kombi rreh brenda popullit të tij dhe në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer.

Nga një tokë e forcës, demokracisë dhe shpresës në tjetrën, i urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë! 🇽🇰🇺🇦”, thuhet në postimin e Osmanit. /KultPlus.com