Presidentja e PE-së: Sot është dita kur Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e ka cilësuar si historike ditën e sotme ku po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Metsola tha se sot është dita kur duhet të nisin negociata për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve./Insajderi.org / KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Brukseli: Mbështetja nga Parlamenti Evropian garancë për rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Në takim me znj. Metsola, Presidentja Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane. Për këtë si dhe për mbështetjen e vet Presidentes Metsola, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës. 

“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit. 

Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. / KultPlus.com

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Presidentja Osmani në Bruksel për takimin e liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor, kërkon liberalizimin e vizave

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja Osmani do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës. / KultPlus.com

Lajmi i fundit nga BE-ja: Liberalizimi i vizave po vjen, e them me siguri të plotë por nuk guxoj të përmend datë

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për Euronews Albania deklaroi se anëtarët e BE-së besojnë se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.

Diplomati theksoi se nuk mund të thoshte një datë të saktë, por është i bindur se momenti i liberalizimit të vizave për Kosovën është shumë afër.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, u shpreh Lajçak.

Lajçak po ashtu tha se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. / KultPlus.com

Deputetja gjermane: Reagimi i Vuçiqit për njohjen e Kosovës është skandaloz, ai na ka mashtruar

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nisur sot vizitat zyrtare në Ballkanin Perëndimor, ku pas Kosovës, ka vizituar edhe Serbinë.

Pas takimit të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të dy bashkë dolën në një konferencë për media. Gjatë kësaj konference të dy palët folën mbi bisedën e tyre për situatën politike në Evropë, me theks të veçantë në Ukrainë.

“Ne folëm për situatën e përgjithshme politike në Evropë dhe në botë dhe ai haptazi dhe fuqishëm kërkoi që ne t’i bashkohemi sanksioneve”, tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se ishte i habitur që Scholz i kërkoi njohje të ndërsjellë të pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar qe një gjë e tillë nuk është kërkuar asnjëherë nga akterët e BE-së.

Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e Bundestagut gjerman, Renata Alt.

Ajo e ka quajtur skandal reagimin e Vuçiqit, teksa ka bërë thirrje që të ndërprehen bisedimet e BE-së me Serbinë, nën arsyetimin se Vuçiq po i mashtron të gjithë.

“Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohjen e Kosovës është skandaloz. Negociatat e anëtarësimit me BE-në duhet të ngrihen! Vuçiq na ka mashtruar për një kohë të gjatë” shkroi ajo në Twitter.

Presidenti serb tashmë ka bërë me dije që qëllimet e tij në dialogun Kosovë-Serbi nuk përfshijnë njohje të pavarësisë së Kosovë./Front Online/ KultPlus.com

6500 persona nënshkruajtën peticionin për liberalizimin e vizave

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka filluar një peticion online me anë të të cilit kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën.

Qëllimi i saj është t’i bind shtete skeptike të BE-së se qytetarët e shtetit më të ri të Evropës duhet të lëvizin pa viza sa më parë.

Në iniciativën që nisi më 27 maj, të dielën rreth orës 6 pasdite, ishin anëtarësuar mbi 6.500 persona.

E atë e mirëpresin njohësit e integrimeve Evropiane dhe besojnë se mund të influencojë tek zyrtarët vendimmarrës në Union.

“Adresat janë pak më konkrete, janë tek Franca, Holanda dhe do të varet shumë prej këtyre shteteve se a do të liberalizohen vizat apo jo, zyrtrarët e BE-së e kanë kaluar pjesën e tyre.” deklaroi profesoresha e Integrimeve Evropiane, Jehona Lushaku.

Një peticion të njëjtë me 5000 nënshkrime e kishte dërguar edhe Lushaku, në zyrën e BE-së në Kosovë, në Këshill të ministrave, e tek zyrtarë të UE-së.

“Por ka tri vite që kjo iniciativë veç ka marrë adresën e duhur por nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh, tani që vije nga zyrtarë të BE-së shpresojmë të ketë ndikim më të madh” tha ajo tutje.

Megjithatë sipas Lushakut pika kyçe është tek shtete anëtare dhe aty Qeveria duhet të lobojë më shumë./Klankosova.tv/ KultPlus.com

Mandl kritikon pesëshen e BE-së: Flisni kundër autoritarizmit dhe s’e njihni Republikën e Kosovës

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, i cili është edhe raportues për Kosovën në Parlamentin Europian, ka folur në debatin e PE-së mbi draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë. Fjalimin e tij, ai e filloi me kritikën që ia bën shpesh vendeve anëtare të BE-së për mosmbajtjen e premtimit për liberalizim të vizave për kosovarët, derisa më pas e ashpërsoi kritikën për pesëshen e BE-së që vazhdon të këmbëngulë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Është një kohë kritike kur jemi duke diskutuar raportin e ri të Parlamentit Europian për Kosovën. Fakti që qytetarët e Kosovës ende nuk lejohen të hyjnë në BE pa viza është absurd. Nëse ky lëshim i madh i BE-së nuk do të ishte aq tragjik, kjo do të ishte thjesht qesharake. Kriteret ishin vërtet të tepërta, por janë përmbushur prej kohësh. Komisioni Europian e ka konfirmuar këtë. Parlamenti Europian ka folur vazhdimisht në mënyrë të qartë në favor të udhëtimit pa viza. Një pakicë e qeverive të shteteve anëtare po e ngadalësojnë dhe bllokojnë [procesin]”.

“Për pakicën e vogël të vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, tani është koha për të zënë hapin. Është e pabesueshme të flitet për unitetin e botës së lirë kundër autoritarizmit dhe dhunës nga njëra anë dhe nga ana tjetër të mos e njohësh Republikën e Kosovës. Me raportin aktual të Kosovës, Parlamenti Europian më shumë se kurrë duhet të vendosë për tejkalim të urrejtjes dhe dhunës, të ecjes drejt të bazuar në fakte, racionalitetit, mirëkuptimit, paqes dhe lirisë”.

Mandl në PE tha se në vend të pajtimit, plagëve të Kosovës po i hidhet kripë pa ndalë.

“Agresioni i Kremlinit kundër popullit në Ukrainë, i shoqëruar me krime lufte, zgjon kujtimet e popullit në Kosovë dhe e ushqen frikë”.

Eurodeputeti ka thënë se pikërisht në këtë kohë, shteti serb po refuzon të mbrojë qytetërimin e botës së lirë kundër luftës së përgjakshme të Rusisë dhe për më tepër po tregon mirëkuptim edhe më shumë.

“Si në zyrat e qeverisë ashtu edhe në rrugë kjo është e papranueshme, veçanërisht jo duke pasur parasysh faktin se BE-ja deri tani është donatori më i madh i Serbisë dhe madje i jep Serbisë edhe statusin e kandidatit, përndryshe prej Kosovës dhe Bosnjës”.

Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor, ka shtuar Mandl, mundet që me punë të përkushtuar të bëhet diçka si Silicon Valley i Europës.

“Popullsia më e re e Europës jeton atje, nuk ka pothuajse asnjë industri tradicionale, por ka shumë vullnet”./Express/ KultPlus.com

Ministrja gjermane Baerbock: Po punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se shteti që ajo përfaqëson po punon për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave edhe këtë e thash shumë qartë. Për mua nuk është në pikëpyetje se neve na duhet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe paqen e krijojmë vetëm së bashku me njerëzit”, tha Baerbock.

“Ne po përpiqemi dhe po punojmë me tërë forcën në mënyrë që këtë çështje ta çojmë përpara së bashku”, shtoi ajo. /Express/ KultPlus.com

Viola von Cramon: Po përpiqemi në maksimum që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, së fundmi ka folur përpara mediave, ku edhe ka deklaruar se po bëjnë përpjekje në maksimum që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Në këtë konferencë, Viola von Cramon njoftoi edhe për takimet që zhvilloi në Kosovë.

“Po përpiqemi në maksimum që Kosova të fitojë atë që e meriton, pra liberalizimin e vizave. Por, në të njëjtën kohë dëshirojmë që kjo qeveri të jetë e suksesshme sa i përket reformave, të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Tutje, eurodeputetja ka thënë se nuk po largohet nga vëmendja e tyre për asnjë moment lufta e cila është duke ndodhur në Ukrainë.

Viola von Cramon ka theksuar se popullata në veri të Kosovës nuk është e interesuar për tensione.

“Të gjithë ne jemi të prekur nga situata në Ukrainë. Unë nuk shohë ndonjë paralele në bazë të gjendjes në Moskë dhe asaj në Beograd. Kemi parë demonstrata në Beograd që ka qenë në mbrojtje të Rusisë dhe kjo ka qenë irrituese për ne. Kur flet me popullatën në veri e kupton se ata nuk duan tensione, nuk kanë interes që të kenë provokime”, tha ajo.  /KultPlus.com

Osmani takohet me ambasadoren Lobbezoo, diskutohet për liberalizimin e vizave

Presidentja Vjosa Osmani, sot takoi ambasadoren holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, përballjen me pandeminë dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidentja ka përsëritur se Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka shfaqur shpresën se do ta ketë mbështetjen e shtetit holandez.

Sipas Osmanit, është radha që BE-ja ta mbajë fjalën kundrejt qytetarëve të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave. U diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe nevojën e integrimin të shteteve të rajonit të Ballkanit në BE.

Kryetarja e shtetit dhe ambasadorja Loobezo diskutuan edhe për bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Holandës dhe Kosovës.

“Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj”, ka thënë Osmani.

Në fund të takimit ambasadorja Loobezo e dorëzoi në presidencë telegramin e urimit të mbretit të Holandës, Willem-Alexander R., për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. /KultPlus.com

Holanda tregon arsyet pse s’po e mbështet liberalizimin e vizave për kosovarët

Holanda është në mesin e disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që po e pengojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning, ka bërë të ditur se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani.

Koning ka përmendur mbledhjen e fundit të Këshillit të Evropës në të cilën nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç Holandës, një gjë të tillë po e vështirësojnë edhe qëndrimet e shteteve, si Franca dhe Belgjika, të cilat po kërkojnë hapa më konkret në luftimin e këtyre dukurive negative.

“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, ka thënë Koning për KP.

Më tej, ajo bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë vizitë të planifikuar të këtyre delegacioneve në Kosovë për shkak të formimit të qeverisë së re në Holandë. Megjithatë, ajo theksoi edhe një herë gatishmërinë e këtij shteti për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces.

“Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë përmes projekteve, këshillave dhe ekspertëve për të arritur këto rezultate të qëndrueshme në luftimin e këtyre dukurive”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e diplomacisë holandeze i ka quajtur inkurajuese planet e Qeverisë aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë.

“Për Holandën është e rëndësishme që korrupsioni i nivelit të lartë jo vetëm të ndiqet penalisht, por të ketë edhe zbatim efektiv të dënimeve ndaj atyre që janë përgjegjës. Planet e Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë inkurajuese, andaj po presim të shohim rezultatet, meqë kjo është një nga prioritetet e tyre”, ka deklaruar Koning.

Krejt në fund, ajo tha se qeveritë e Holandës dhe Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm në Prishtinë përmes autoriteteve përkatëse.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se problem për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën nuk janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por shtetet si Franca dhe Holanda, të cilat janë të pakënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim vizash, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për këtë proces./Kp / KultPlus.com

Kryediplomati italian: Kosova meriton liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe meriton liberalizimin e vizave.

Kryediplomati italian këtë deklaratë e bëri në një konferencë ndërparlamentare të organizuar nga kryetari i Komitetit italian për Çështjet e Jashtme dhe BE, Piero Fassino.

Ndërkohë që ishte i dërguari i Romës në vendin tonë, Nicola Orlando që e bëri publik lajmin përmes një postimi në Twitter.

“Në konferencën ndërparlamentare të organizuar nga Piero Fassino, Luigi Di Maio bëri thirrje që Evropa ta mbështes Ballkanin Perëndimor pas negociatave të shumta të lodhshme në perspektivën e integrimit evropian. Ai theksoi se Kosova plotësoi të gjitha kriteret dhe meriton liberalizimin e vizave”. / KultPlus.com

Me një fotografi satirike të John Cenës, Fatmir Spahiu thotë: Faleminderit për liberalizimin e fituar

Komisionari i BE-për për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, sot ka thënë se Kosova tanimë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Një lajm i tillë ka gëzuar të gjithë shqiptarët e Kosovës, të cilët ndjejnë se po i afrohen liberalizimit të vizave.

Një ngjarje e tillë është komentuar edhe nga figurat publike.

Ka qenë aktori Fatmir Spahiu, ai i cili ka vendosur të publikojë në rrjetin social Instagram një fotografi të përgjakur të mundësit të njohur, John Cena.

“Falemnderit krejtve për liberalizimin e fituar”, shkruan aktori në mbishkrimin e fotografisë.

Duket se me këtë ai ka vendosur të ironizojë me politikanët dhe situatën politike, pasi Kosovës i mbetet ende rrugë drejt liberalizimit.

Ky postim është shoqëruar me komente të shumta nga ndjekësit e tij. /KultPlus.com