“Ma kanë hedhur fëmijën nga djepi”, rrëfimi emocionues për luftën (VIDEO)

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga lufta në Kosovë, rrëfimet e asaj kohe janë shumë të freskëta dhe mjaft emocionuese.

I tillë është edhe rrëfimi i një nëne e cila kishte ikur nga vatra e luftës diku në Kosovë me fëmijët e saj, ndërsa për media rrëfen tmerrin që ka kaluar gjatë rrugës.

Ajo dëgjohet duke rrëfyer se si ushtria serbe i kanë larguar me dhunë nga shtëpitë ndërsa fëmijët i kanë torturuar.

Për më shumë shikoni rrëfimin e kësaj nënë i cili është mjaft emocionues. / KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/rrefim-me-emocionues-per-luften-se-ky-nuk-keni-degjuar-asnjehere-mp4

https://video.gjirafa.com/rrefim-me-emocionues-per-luften-se-ky-nuk-keni-degjuar-asnjehere-mp4

Lufta më e shkurtë në botë, zgjati vetëm 38 minuta

Një luftë shumë pak e njohur është ajo mes Anglisë dhe Zanzibar, në vitin 1896, dhe ajo konsiderohet të jetë lufta më e shkurtë në histori.

Historia fillon me nënshkrimin e marrëveshjes mes Britanisë dhe Gjermanisë, në vitin 1890, ku ata vendosën që të ndajnë zonat e pushtuara të Afrikës lindore, dhe Gjermania morri kontrollin mbi Tanzaninë dhe Anglia mbi Zanzibar.

Kështu, Zanzibar u deklarua tokë nën mbrojtjen e Britanisë, dhe ata vendosën në krye të vendit një Sulltan “marionetë” në vitin 1983, të quajtur Hamad bin Thuwaini.

Hamad udhëhoqi në paqe për 3 vite, deri me 25 gusht 1896, kur ai papritmas vdiq në pallatin e tij. Edhe pse e vërteta nuk është zbuluar kurrë, mendohet se kushëriri i tij Khalid bin Barghash bëri atentat në të.

Kjo ide erdhi sepse disa orë pas vdekjes së Hamadit, Khalid veçse u zhvendos në pallat, duke thënë se është e drejta e tij të ketë fronin e Sulltanit.

Ai e bëri gjithë këtë pa aprovimin e britanikëve, shkruan lajmi.net. Sigurisht, diplomatët lokal britanik nuk ishin të lumtur me këtë ndodhi, dhe shefi i diplomacisë së zonës Basil Cave, i deklaroi Khalid se ai duhet të zbres nga froni.

Khalid e injoroi këtë paralajmërim dhe filloi të mblidhte forca rreth pallatit.

Këto forca ishin çuditërisht të armatosura mirë, dhe po përdornin armatimet që ishin dhuratë diplomatike për sulltanin e mëparshëm.

Në mbrëmje të 25 gushtit, Khalid kishte rrethuar pallatin e tij me 3 mijë ushtarë. Në të njëjtën kohë britanikët kishin dy anije lufte në limanin e tyre, dhe kërkuan ndihmë nga një anije tjetër luftarake që ndodhej pranë.

Edhe pse Cave kishte autoritet të fuqishëm, ai e dinte se nuk mund të niste një sulm pa aprovimin e qeverisë Britanike, shkruan lajmi.net. Ai dërgoi një telegram, duke kërkuar autorizim për përdorim dhune nëse zgjedhjet paqësore nuk kanë rezultat.

Ditën e nesërme dy anije të tjera britanike zbarkuan në liman dhe gjithashtu Cave morri autorizim për sulm, por u këshillua të ndërmarr vetëm veprime që i ofrojnë një fitore të sigurt.

Me datën 26 gusht Khalid morri ultimatumin e fundit, që i kërkonte të dilte nga pallati para orës 9 të mëngjesit të nesërmen.

Ai e refuzoi këtë, duke thënë se është i sigurt se britanikët nuk do të hapin zjarr ndaj tyre. Mirëpo Cave ktheu një telegram duke i thënë se nuk kanë dëshirë të hapin zjarr, por do ta bëjnë nëse janë të detyruar.

Në ora 09:00 fiks, sulmi britanik filloi mbi pallatin, dhe në ora 09:02 anijet britanike kishin shkatërruar shumicën e artilerisë së Khalid, dhe strukturat e bëra nga druri rreth pallatit filluan të bien.

Në këtë kohë kur bombardimi filloi, Khalid u arratis nga pallati përmes një dalje të fshehtë, dhe la shërbyesit e tij dhe ushtarët të mbrojnë pallatin vetëm.

Në 09:40, flamuri i sulltanit u ul nga pallati. Kjo është lufta më e shkurtër në histori, që zgjati plotësisht 38 minuta.  /express/ KultPlus.com

Hoti: Në varrezat e Rahovecit u gjend një trup që dyshohet se u vra më 1999

Kryetari fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka deklaruar se familjarët e të pagjeturve janë gëzuar që kanë filluar gërmimet në lokacionet e reja për gjetjet mortore të të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në Info Magazinë në Klan Kosova ai tregoi se sot në Rahovec është gjetur një trup, i cili është dërguar në Prishtinë për t’iu bërë ekzaminimi dhe verifikimi, në mënyrë që t’i kthehet familjes.

Hoti ripërsëriti se nuk do të ndalen së kërkuari jo vetëm trupa, por edhe që kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Sot në varrezat e qytetit në Rahovec, në mes të tyre, është gjetur një trup që dyshohet se është i vrarë gjatë luftës në Kosovë, gjegjësisht në maj të vitit 1999, dhe ekipet mjekoligjore në bashkëpunim me zyrtarë kompetentë e kanë marr trupin dhe kanë vazhduar tutje për në Prishtinë për ekzaminim, që përmes AND-së do të verifikohet dhe t’i kthehet familjes që i përket. Del se është trup që është varrosur nga serbët gjatë asaj kohe”.

“Gjithashtu edhe në Tusuz në Prizren janë gjetur edhe lokacione të tjera”.

“Është ndjenja tjetër që në njëfarë forme familjarët edhe gëzohen, sepse ata njerëz do ta kenë një vend që e meritojnë”.

“Familjarët janë të lodhur dhe rraskapitur dhe normal është edhe mllefi i tyre që ndonjëherë e shprehin në formë të pakënaqësisë”.

“Besojmë që këto punime të kryhen sa më shpejt dhe t’i bëhet presion më i madh Serbisë që të përshpejtojnë me dhënien e informatave që këto krime të mbyllen përgjithmonë dhe ne nuk do të pushojmë së kërkuari jo vetëm trupa, por edhe drejtësi që kriminelët që i kanë bërë këto krime, që me kilometra larg i kanë dërguar trupat për t’i humbur gjurmët, të dënohen”.

“Si familjarë nuk do të rreshtim së kërkuari të drejtën tonë”, u shpreh Hoti. /express/ KultPlus.com

11 vjeçarëve që ju ndal loja në gjysmë, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë

11 vjeçarët Din dhe Arsim Paçarizi kanë qenë nxënës të klasës së tretë të shkollës së fshatit Dragobil të Malishevës.

Ishte 5 prilli 1989 dhe ata po luanin në fshat sikurse çdo ditë. Ishte ditë e mërkurë. Të nesërmen bëheshin fiks dy javë që Serbia me dhunë e tanke e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Dini dhe Arsimi akoma nuk e dinin se çfarë ishte as autonomia, as republika. Ata dinin të luanin, ndonëse e nuhatnin se diçka e jashtëzakonshme po ngjante në vendin e tyre. Atë të mërkurë, një konvoj ushtarak serb stacionohet në vendin e quajtur Golesh, në të dalë të fshatit të Dinit dhe Arsimit. Duke bërë “manovra”, zunë të shtinin në drejtim të Dragobilit.

Dy 11 vjeçarët vriten dhe i ngel në gjysmë loja. Faji i vetëm i tyre? Ishin shqiptarë. Dhe kushdo që ishte shqiptar nuk e meritonte as të luante, as të rritej, as të shkollohej. Serbia kishte vendosur që Dini dhe Arsimi nuk meritonin as të jetonin.

Kësisoj – një dhjetëvjeçar para Abrisë, Rezallës, Bellacërkës, Poklekut, Studimes, etj. – Serbia po e dëshmonte se ish në gjendje të luftonte me tanke kundër fëmijëve dhe foshnjave. E, Dini dhe Arsimi u bënë paralajmërimi që hasi në vesh të shurdhër të kancelarive botërore për atë çfarë do të bënte Serbia vite më pas.

31 vite më vonë, krimet serbe ndaj fëmijëve, grave dhe burrave shqiptarë vazhdojnë të jenë të pandëshkuara. Në vend të kriminelëve serbë po gjykohen luftëtarët shqiptarë, moshatarët e Dinit dhe Arsimit që vendosën të kapnin pushkët e lirisë për ta ndalur vrasjen e Dinëve dhe Arsimëve të tjerë.

Autor i tekstit: Fitim Salihu / KultPlus.com

Kënga himn “Vlora, Vlora”, trashёgimia shpirtёrore e luftës së 1920

Kёnga himn “Vlora-Vlora” , e kompozuar nga Thoma Nasi gjatë Luftës së Vlorës, në vitin 1920, u risoll pёr publikun e gjerё si trashёgimia shpirtёrore e asaj lufte, e cila ribёri Shqipёrinё pas shpalljes së Pavarësisë me Flamur e Himn Kombëtar.

Kjo këngë u rijetëzua nё kuadёr tё aktiviteteve qё Akademia e Shkencave organizoi nё nderim tё 100 vjetorit tё Luftёs sё Vlorёs (shtator 1920-shtator 2020), me orkestrim dhe masterizim të Klodian Qafoku, konsulent shkencor  Akademik Vasil S. Tole dhe  u interpretua nga tenori Josif Gjipali.

Akademiku Vasil S. Tole tha sot se “kjo këngë u kompozua nga Thoma Nasi në kohën kur Banda Kombёtare “Vatra” e drejtuar prej tij, mori pjesë me armë në dorë në këtë luftë. Anëtarët e bandёs ishin të rinj shqiptaro-amerikanё pa ndonjë përvojë paraprake muzikore, shumica punëtorë fabrikash. Sipas kujtimeve të Rrefat Xh. Rrugazezit “Historia e Federatës “Vatra”, e botuar në vitin 2009”.

“Vatra mori një kabllogram nga kryeministri Sulejman Delvina, i cili kërkonte dërguarjen e vullnetarëve të Gardës Civile në Shqipëri nga an’e Vatrës. Ishin organizuar ahere trupa vullnetarësh shqipëtarë Vatranë në disa kolloni të New England-it  dhe ishin stërvitur tamam si ushtarë të regullshëm. Vullnetarët shkuan në Shqipëri nënë komandën e Kolonel Aqif Permetit, i cili i shërbeu Vatrës disa vjet si manager i Diellit dhe konferencier, dhe e pushkatuan komunistët me 1945, në Tiranë. Bashkë me vullnetarët shkoj dhe banda “Vatra” në Shqipëri, e udhëhequr nga prof. Thoma Nasi”, – nënvizon Tole.

Sipas tij, po aty ata e interpretojnë për të parën herë këngën e kompozuar nga drejtuesi i tyre Thoma Nasi, “Vlora-Vlora”, me poezi të Ali Asllanit.

“Thoma Nasi theksonte se dëshira për një muzikë të re, i dha atij mundësinë të kompozonte shumë këngë. Njё nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte kur pas largimit të italianëve, të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora! Kënga pati sukses të menjëhershëm dhe brenda pak ditëve u përhap në të gjithë Shqipërinë. Në një nga transmetimet e saj në radio, Dorothe Thompson tha se shqiptarët kur hidheshin në sulm kundër italianëve këndonin këngën “Vlora, Vlora”. Kjo këngë është bërë një nga klasiket shqiptare dhe ende këndohet sot. Gjëja që më ka habitur e befasuar më shumë është se si këngët që shkruaja arrinin të shpërndaheshin pothuajse brenda natës në të gjithë vendin dhe të këndoheshin e ekzekutoheshin pa nota të shtypura nga orkestrat vendase. Kudo që vizitonim qytete të mëdhenj a të vegjël, popullata vendase do të na përshëndeste duke kënduar këto këngë”, shkruan Tole duke iu referuar botimit “Banda Kombёtare “Vatra”, njё histori unikale shqiptaro-amerikane”, botim i Akademisё sё Shkencave, Tiranё  2020.

Në vitin 1920, vijon ai, për të mbështetur luftën e popullit shqiptar për pavarësi Banda Kombёtare “Vatra” organizoi një turne koncertesh në Shqipëri, në qytetet Durrës, Tepelenë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Tiranë, Elbasan, Përmet, Ersekë dhe Korçë etj.

“Ardhja në Vlorë e Bandës Kombëtare “Vatra” ishte vetëm prologu i rrugëtimit të saj shumëvjeçar në Shqipëri. Me vajtjen në Vlorë ata i dha Luftës së Vlorës dhe luftëtarëve shqiptare formën dhe përmbajtjen e një lufte kombëtare dhe ushtrie të vërtetë, e cila lufton për çdo pëllëmbë të territorit të vendit, me flamur në dorë e me himn në gojë. Prandaj prezenca e tyre aty ishte më shumë se mbështetje nga shqiptarët e Amerikës, apo edhe nga vetë qeveria e Sulejman Delvinës. Ata ishin në Vlorë si shenjë e qartë e angazhimit të gjithë shqiptarëve të bashkuar, nga jugu në veri, e nga lindja në perëndim, nën siglën përbashkuese të Bandës Kombëtare Vatra. Vatranët nuk ishin thjesht muziktarë me vegla muzikore, por misionarë modernë të çështjes kombëtare”, – tha Tole.

Pas Vlorës  Banda Kombёtare“Vatra” zhvilloi veprimtarinё e saj në Korçë me statusin e Bandës Kombëtare të Shtetit Shqiptar, duke filluar nga muaji gusht 1920.

Në vitet 1925-1928 Banda Kombёtare “Vatra” shndёrrohet nё Bandё Presidenciale dhe transferohet në kryeqytet, në Tiranë. Nё vitin 1929 merr statusin e Bandёs Mbretёrore./atsh/ KultPlus.com

Edhe institucionet i bashkangjiten aksionit simbolik për Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur

Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS),  Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Integra, Humanitarian Law Center Kosovo (HLC) dhe Forum ZFD  shënojnë Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. 

Sonte në ora 20:00 do të shënohet një aksion simbolik për Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, duke ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta. Me 2 minuta errësirë në familjet tona, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.  

Komuna e Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjiten aksionit simbolik për Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur duke ndal dritat për 2 minuta. / KultPlus.com



21 vite në pritje

Fotografitë: Artan Korenica

Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, fotografi Artan Korenica na sjellë fotografitë e njerëzve që tash e 21 vite janë “Në Pritje”, shkruan KultPlus.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

Edhe 1641 persona janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

“Kur do t’pushoj kjo këngë”

Sot shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit.

KultPlus sot ju sjell këngën e njohur “Kur do t’pushoj kjo këngë” nga rock-grupi kosovar Jericho e cila ju kushtohet viktimave të pagjetura të luftës së fundit.

Teksti i këngës:

Kur do të pushoj ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Syte mu kane ronu
Zemer ri me mu

na na na na na. / KultPlus.com

Shkrimtarët që kanë folur për luftën

Lufta është një ndër temat që ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve. Që nga koha e klasikëve deri te modernët, janë të shumtë ata që kanë shkruar për ndërveprime të rëndësishme, për operacione ushtarake, jetë në udhëkryq e në rrezik. Më poshtë është një listë me shkrimtarët që kanë shkruar për luftërat më të rëndësishme. Kjo është një mënyrë për të treguar se lufta është një e keqe që prej kohësh lë shenjë në historinë e njerëzimit dhe duhet evituar në mënyrë absolute.

Erodoti – Ky grek me origjinë nga Azia e Vogël, përkatësisht nga Alikarnazo, është babai i historisë së disiplinës. Erodoti është i njohur për përshkrimin e vendeve dhe njerëzve të njohur në udhëtimet e tij të shumta të kryera, për të cilat tregon në “Historitë”, pushtimi persian i Greqisë.

Jul Cezari – Kur flitet për luftën e përshkruar në libra, si mos të mendosh për veprimet e këtij romaku në fushatat e tij. Përveç “De bello Gallico”, ndoshta vepra e tij më e njohur, Cezari është edhe autor i një libri mbi Luftën Civile, “De bello civili”, dhe disa tregimeve sporadike, të përfshira në “Corpus Caesarianum”.

Nikolo Makiaveli – Historiani, shkrimtari, dramaturgu dhe politikani italian, që ka jetuar mes viteve 1400-1500, nuk ka folur për luftën vetëm në veprën e tij të famshme “Princi”. Makiaveli në fakt i ka dedikuar një reflektim të thellë këtij argumenti në “Mbi artin e luftës”, e shkruar në formën e dialogut me synim për “të vlerësuar nderin, për mos të përdhosur varfërinë, për të vlerësuar mënyrat dhe rregullat e disiplinës ushtarake, për të detyruar njerëzit për ta dashur njëri-tjetrin, për të jetuar pa etje, për të vlerësuar më shumë jetën private sesa atë publike”.

Sun Tzu – “Arti i Luftës”, padyshim një ndër manualet më antikë të strategjisë së historisë, ndër vite është transformuar në një tekst të vërtetë kulti për këdo që dëshiron të arrijë një objektiv në jetë. Filozofia e Sun Tzu është shumë e qartë: mënyra më e mirë për të fituar një luftë është se duhet ta sigurosh fitoren përpara se të nisësh të luftosh. Një objektiv i arritshëm, duke studiuar pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarit, duke ditur limitet e veta por dhe besimin në forcën e vet, duke befasuar në vazhdimësi armikun. Dhe mbi të gjitha, duke kontrolluar informacionet, sepse falë njohjes fati i betejës vërtet mund të shkruhet para nisjes së luftimit.

Emilio Lusu – Shkrimtarit italian (1890-1975) i shkon merita që ka treguar në mënyrë madhështore Luftën e Madhe, në romanin e tij “Një vit në pllajë”, e shkruar në vitin 1936, i shfaqur për herë të parë në Francë më ’38 dhe më pas në Itali në vitin 1945. Bëhet fjalë për një vit, qershor 1916-korrik 1917, kur sulmet e vazhdueshme, betejat absurde të iniciuara nga komandantë të mbushur me retorikë patriotike dhe vanitet, për episode shpesh tragjikë dhe ndonjëherë groteskë, përmes të cilave lufta tregohet në realitetin e tij me “përtaci e gjak”, me “baltë e konjak”. Me një stil të thatë dhe përshkrime historike, Lusu paraqet një rekuizitë të paepur kundër tmerrit të luftës pa tone polemike, duke i përshkruar me forcë dhe origjinalitet ndjenjat e ushtarëve, dramat e tyre, gabimet dhe veprimet çnjerëzore që do të çonin në disfatën e Kaporetos.

Ernest Heminguej – Shkrimtari dhe gazetari amerikan (1899-1961) ka treguar në librat e tij dramën e luftës dhe efektet e konfliktit mbi jetët e individëve të përfshirë. “Lamtumirë armë” është historia e dashurisë dhe e luftës që Heminguej kishte pasur gjithnjë dëshirë ta shkruante, i frymëzuar nga eksperiencat e tij në vitin 1918 në frontin italian, kryesisht për plagët e marra në Fosalta dhe pasionin për infermieren Agnes von Kurouski. Ndërsa në “Për kë bie kambana” është i riu intelektual amerikan Robert Jordan, vullnetar në ushtrinë antifashiste, i vënë në qendër të vëmendjes.

Italo Calvino – Shkrimtari italian (1923-‘85) ka qenë pjesë aktive e luftës partizane që e ka përmendur dhe në punët e tij. Në romanin e parë “Gjurmët e folesë së merimangës” konflikti tregohet përmes syve të Pin, një fëmijë i shkujdesur, që kaloi rastësisht nga lojërat e dhunshme të fëmijërisë në realitetin e egër të konfliktit. Bashkë me përmbledhjet e tregimeve bashkojnë elementet realistë me dellin e fantazisë, që më pas do të bëhet dhe karakteristika kryesore e të gjitha punët pasuese të Kalvinos. Botime Shqip /KultPlus.com

Përgatiti: Elona Qose

Gërmime të reja për varrezë masive në Serbi

Përfaqësuesit e organizatave dhe këshillave koordinues të familjarëve të personave të pagjetur, kërkojnë nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë që të punohet më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga konflikti i viteve 1998-99.

Anëtarët e Grupit dialogues të Kosovës për personat të zhdukur me Serbinë, kanë thënë se ekipe të caktuara nga Kosova janë duke punuar dhe duke bërë kërkim në disa lokacione në Rashkë të Serbisë, te vendi i quajtur Kizhevak, për varreza masive.

Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të zhdukur me Serbinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nga fillimi i javës një ekip nga Kosova është duke bërë kërkime në vendin e quajtur Kizhevak në Serbi.

Ai tha se në këtë vend ka katër vjet që herë pas here bëhen gërmime.

“Thuajse qe katër vjet jemi duke punuar në minierën e Kizhevakut, por e dimë se aty për 20 vjet janë hedhur mbeturinat e minierës dhe gurë dhe ka ndërruar reliefi. Në vazhdimësi kemi problemin e dëshmitarit për shkak edhe të ndërrimin të reliefit, por në ato vende ku po i tregon (dëshmitari) jemi duke gërmuar. Në Kizhevak do të qëndrojmë të paktën tri javë duke bërë dhe ndërrimin e ekipeve dhe varësisht nga nevoja, do të qëndrojmë edhe më tutje”, ka thënë Gërxhaliu.

Bashkëpunimi me autoritetet në Serbi për çështjen e të pagjeturve, është shprehur Gërxhaliu, vazhdon sipas ritmit të njëjtë.

“Ne që nga viti 2003 bashkëpunojmë me grupet punuese me Serbinë dhe ky bashkëpunim nuk është ndalur kurrë, pavarësisht ndërrimeve politike në të dyja vendet, sepse e gjithë puna bazohet në çështjen humanitare”.

“Kurse, sa u takon çështjeve të tjera [dialogut politik Kosovë – Serbi] janë organe tjera, të cila vendosin edhe pse çështja e të zhdukurve nuk duhet të lihet anash, por normal që duhet t’i jepet një prioritet i veçantë për arsye se faktikisht 20 vjet kaluan dhe e dimë fare mirë se familjarët e të zhdukurve kanë filluar ta lënë këtë botë dhe thjesht kërkohet një azhurim më i madh i punës”, ka theksuar Gërxhaliu.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Serbia ende nuk ka pasur asnjë rast të identifikimit dhe riatdhesimit të mbetjeve mortore të personave të pagjetur të Kosovës.

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur kanë thënë se puna dhe komunikimit ndërmjet delegacioneve shtetërore për çështjen e personave të pagjetur të të dyja vendeve, është duke vazhduar.

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se në Serbi dyshohet se ka varreza masive, për të cilat duhet të bëhen kërkime.

Grajçevci ka thënë se pa një presion ndërkombëtar, Serbia nuk do të tregojë asnjëherë për fatin e personave të zhdukur.

“Pa një trysni të madhe të faktorit ndërkombëtar, do të thotë të Këshillit të Evropës, dhe të Këshillit të Sigurimit, Serbia nuk do t’i tregojë rastet sepse 1200 persona nga Kosova i ka dërguar të gjallë deri në Prokuple dhe atje janë evidentuar se kush janë dhe i kanë shpërndarë. Do të thotë të gjithë kanë shkuar të gjallë deri në Serbi”.

“Thashë janë edhe 1200, për fatin e të cilëve ende nuk dihet dhe këtë e dinë vetëm strukturat ushtarake dhe policore. E dinë në çfarë drejtimi i kanë dërguar dhe ku janë ata njerëz”, tha Grajçevci.

Edhe Grajçevci tha se kjo çështje që nga përfundimi i luftës është kërkuar që të diskutohet në instancat më të larta ndërkombëtare.

Ndryshe, për varreza ku supozohet se ka të varrosur persona të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe, gërmimet kanë vazhduar edhe në Kosovë. Javën e kaluar në periferi të Komunës së Podujevës është hapur një varreze ku janë gjetur mbetjet mortore të një personi.

Autoritetet thanë se në vendin e njëjtë kanë përfunduar gërmimet pasi nuk ka indikacione për mbetje mortore të personave të tjerë.

Morini, Albania. Albanian peaple escaping from Kosovo, 1999.

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.

‘Flaka e luftës në Kosovë’, që qëndroi 3 muaj e vetme në spital

Kur në muajt e parë të vitit 1999 e gjithë Kosova ishte në luftë, një foshnje nga Peja kishte mbetur pa prindërit e saj në spitalin e Prishtinës.

Ata e panë vajzën e tyre vetëm pas mbarimit të luftës pasi ajo kishte lindur në kohën më të vështirë që Kosova po kalonte, transmeton rel. 

Një grua nga Prishtina që ishte përkujdesur për atë, i dha emrin Flaka. Ky është rrëfimi për Flakën e luftës.

Kosova prezantohet në Bienale me pamjet dhe rrëfimet rrënqethëse të luftës

Alberina Haxhijaj

20 vite më parë kur Kosova ishte në luftë, fotoreporter të njohur vizituan këtë vend dhe realizuan fotografi që preken gjithë botën.

Një nënë me gjirin jashtë duke ushqyer të bijën (të cilën e kishte menduar të ngrirë dhe e kishte vendosur në shporet për ta ngrohur), një babë i cili tregon fotografin e djalit dhe vajzës së tij (për të cilët nuk dinë se a janë gjallë) dhe një fëmijë duke kaluar mes telave me gjemba, ishin në mesin e fotografive të realizuara 20 vite me parë e që akoma të ngjallin mornicat në trup.

20 vite pas, këta katër personazh të këtyre fotografive kanë rrëfyer për artistin Alban Muja ato çfarë kujtojnë nga kjo periudhë. Rrëfimet e tyre janë bërë pjesë e projektit multimedial “Albumi Familjar” me të cilin Muja po përfaqëson Kosovën në ngjarjen më të madhe të artit pamor, Bienalen e Venedikut.

Për artistin ishte e rëndësishme që të mësonte sesi  i kujtojnë këto momente pas 20 viteve këta fëmijë. Mirëpo projekti “Albumi familjar” shkon përtej të treguarit se çfarë ka ndodhur në Kosovë pasi që po ashtu vë theksin te ajo se çfarë po ndodh sot dhe vë në fokus çështjen e refugjatëve edhe në ditët e sotme.

Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). /KultPlus.com

Pse këndon Ramush Haradinaj, përgjigjet vetë kryeministri

Kryeministri i Kosovës, zotëri Ramush Haradinaj së fundi është paraqitur në publik jo vetëm si politikan por edhe si këngëtarë.

Modestia e tij dhe talenti për muzikë është komentuar mjaft nga qytetarët, mirëpo kryeministri duket se është mjaft i guximshëm dhe i pakompleksuar për të shfaqur edhe anën e tij të padukshme.

I pyetur nga gazetarët se cila është arsyeja pse këndon, kryeministri Haradinaj tregon pasionin e tij për këngën “Kah po shkon moj zanë” dhe ajo që e lidhë me këtë këngë është nostalgjia e luftës.

Kjo këngë është përdorur si lloj alarmi dhe frymëzim për t’iu dhënë forcë ushtarëve të Kosovës për të luftuar.

“Për ata që kanë qejf me ditë pse këndoj, unë këngën e kam filluar në luftë. S’e di prej tutës apo prej trimnisë, por në luftë e kam filluar sepse para lufte nuk kam kënduar kurrë. Në luftë nuk kemi pas trumpe ose alarm për mirëmëngjesi, për me i çua ushtarët ka qenë kënga “Kah po shkon moj zanë”, krejt ushtarët  e kanë pas mërzi këtë këngë. Kur jam hy nëpër ato ku kanë fjet ata, kanë qenë shumë të tmerrshme me i pa, unë nuk kam thënë çohuni por këngën “Kah po shkon moj zanë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Edhe pse i vetdijshëm se dikujt mund të mos i pëlqej, Ramush Haradinaj thotë se ai këndon sepse e ka qejf këndimin./Kultplus.com

Fotografia që tregon emocionet e fëmijëve refugjat nga Kosova në Kukës (FOTO)

Fotografja amerikane, Carol Guzy ka shkrepur disa fotografi gjatë vitit 1999 në Kukës të Shqipërisë, atje ku ishin nisur një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Një fotografi e saj paraqet fëmijët kosovarë në një kamp në Kukës të Shqipërisë, pas udhëtimit të tyre nga toka e trazuar.

Në përshkrimin e gazetares së Washington Post, shkruhet se programi i UNICEF kishte ndihmuar fëmijët kosovar që t’i kalojnë traumat psikologjike të përjetuara gjatë luftës. Në këtë foto shihet Lindita Morina, 9 vjeçare (me një kurorë të bërë nga nëna e saj) derisa përqafon një tjetër fëmijë refugjat gjatë seancës.

Përmes poezisë, vizatimeve dhe lojërave, ata kanë mësuar të shprehin emocionet e tyre. Vizatimet janë më shpesh nga tmerret që ata kanë parë, nga vrasjet dhe shkatërrimi. Poezitë e tyre flasin për lirinë. Vullnetarët e UNICEF-it kishin vizituar çdo kamp në Kukës në baza ditore. Fëmijët e kishin pritur me padurim këtë pjesë të ditës dhe u shfaqnin atyre shumë dashuri dhe mirënjohje./ KultPlus.com

19 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit

Sot bëhen 19 vjet që nga vrasje e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi, si dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Avokati Kelmendi, së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë nga forcat serbe më 24 mars, ditën që NATO-ja kishte nisur bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe.
Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.
Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut./ KultPlus.com

Kur e pyesnin për luftën, sytë e saj mbusheshin me lot, një dhimbje që ishte mbyllur në një kuti për 50 vjet

KultPlus u sjellë historinë e Sara Kirschner, letrat dhe ditarin e saj, të ruajtur që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat u ekspozuan në Bibliotekën Publike të NewYork-ut në vitin 2006.

Po ashtu ato shërbyen si material për realizimin e librit “Dhurata e Sarasë: Historia e nënës sime në Holokaust”publikuar nga vajza e saj Ann Kirschner. Ky libër është përkthyer në shtatë gjuhë, kurse është shfrytëzuar edhe si bazë për realizimin e shfaqjes “Letrat e Sarës”, nga Arlene Hutton, shfaqje kjo e cila ështëperformuar në shkolla dhe në teatrot regjional atje, përcjellë KultPlus.

E shqetësuar se mund të vdes gjatë operacionit kardiak, pa treguar sekretin që e ka mbajtur për më shumë së 50-të vite, Sara Kirschner në vitin 1991 ia dorëzon vajzës së saj një kuti të veçantë.
Brenda ishin 350 letra, kartolina dhe fotografi tëSara Kirschner, familjes së saj dhe miqve, të cilat ajo i kishte mbajtur të fshehura nga rojet nazistë, si e burgosur në kampet e punës për 5 vite, që kur ishte 16-të vjeçare.

Letra të verdha dhe të thyera, në judish, në gjuhën polake dhe gjermane, të cilat kanë qenë të censuruara, ofrojnë shikim të thellë në jetën dhe shpërbërjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në qytetin e zonjës Kirschner, Sosnowiec në jug-perëndim të Polonisë, ku hebrenjtë qëndronin të mbyllur nëpër geto para se 35 mijë prej tyre të internoheshin në Aushvic.

Megjithëse Kirschner mund të mos ketë qenë në dijeni të vlerave të letrave, studiuesit si David S. Ferriero, arkivisti i Shteteve të Bashkuara, i përshkruan ato si të jashtëzakonshme për atë që zbulojnë mbi jetën e njerëzve brenda kampeve të punës.

Sara Kirschner ka vdekur më 7 mars në moshën 94. Ajo i ka mbajtur të fshehura librat nga fëmijët e saj pasi që ka menduar se historia e saj mund të ndikonte emocionalisht te ata. Prindërit e saj ishin vrarë nga gazi helmues nëAushwitz kurse katër vëllezërit dhe e motra ishin vrarë gjatë luftës.
Në kampet naziste Kirschner i fshihte letrat në baraka të kashtëve ose i ka groposur në tokë, duke rrezikuar me dënim nëse ato do të zbuloheshim. Ajo për New York Times ka treguar se këtë e ka bërë pasi që besonte se këshut kishte një lidhje me familjen e saj.

“Kur ndihesha e vetmuar i merrja letrat dhe i lexoja ato pa pushim”, ka treguar ajo. Megjithëse se jeta në kampe ishte e mjerueshme, ata kishin disa liri, pasi që gjermanët dëshironin që bota të besonte se kampet ishin vende për punët që konsideroheshin rutinë. Kështu ajo në fillim ishte lejuar që të dërgonte dhe pranonte letra.

“Nënë është gëzuar shumë kur mori letrën nga ti”, i ka shkruar motra e saj Raizel në një letër Sarës. “je e lumtur dhe falënderoj perëndinë njëmijë herë çdo ditë që kemi akoma njëri tjetrin për t’i shkruar duke parë sesi po shkojnë gjërat këtu”, vazhdon letra tjetër nga motra e saj e cila më vonë i shkruan “Mos u shqetëso për ne, ne jemi mirë. Mirëpo jemi të shqetësuar për prindërit tanë të dashur. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ta. Dashtë Zoti dhe marrim lajme të mira”.

Asnjë nga familjarët apo shokët e Sara Kirschner nuk i mbijetoi luftës. Të mbijetuarit e Holokaustit kanë trajtuar kujtimet e tyre të ankthit nga lufta në mënyra të ndryshme. Kirschner u nxit nga burri i saj që të linte të kaluarën pas. Kur e pyesnin për luftën sytë e saj mbusheshin me lot dhe ajo nuk dëshironte që të fliste, kishte lënë prapa çdo gjë, ka treguar vajza e saj.Mirëpo Sara Kirschner kurrë nuk i harroi letrat e saj të çmuara që i mbante në atë kuti të bërë nga kartoni./KultPlus.com

Pasojat e luftës, përmes syve të fotografëve (FOTO)

Kur Carol McCusker po përgatiste shfaqjen e fotografisë “Pasojat: Përballja e Luftës – Amerika dhe Lindja e Mesme”, ajo dëshironte “fotografi të fuqishme që zgjeronin konceptet e individëve kur ata përballeshin me luftën”, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Përfundimet e paraqitura në Muzeun e Artit Samuel P. Harn në Gainesville vitin e kaluar sollën imazhe të tragjedisë: një grua siriane që qante pas një sulmi nga ushtarët e presidentit Bashar al-Assad; një fëmijë në Gaza ulur në kaosin e një shtëpie të shkatërruar; një foshnjë që rrinte para rrënojave që dikur ishte shtëpia e saj në Bejrut; portrete të ushtarëve amerikanë që kishin luftuar në Irak dhe Afganistan.

Asnjë formë arti nuk i sjellë ngjarjet në mënyrë aq të menjëhershme sa fotoreportazhet. Fotoreporterët më të mëdhenj janë gjithnjë në linjat e para të historisë, duke krijuar fotografi që formojnë interpretimin e këtyre ngjarjeve.

McCusker, kuratore e fotografisë në muze, e cila është pjesë e Universitetit të Floridës, ishte e kujdesshme në vendosjen e parametrave. “Nuk jemi kundër luftës” tha ajo. “Por ka një brez njerëzish që kërkojnë luftë për të zgjidhur problemet. Ne duam të tregojmë se çfarë bën lufta. Unë kam qenë gjithmonë e interesuar në histori, dhe unë besoj në përdorimin e fotografisë për të adresuar çështjet bashkëkohore. Gjithnjë e më shumë ekspozitat tona janë të momentit”, tregoi ajo.

Fotografët në ekspozitë përfaqësojnë një mori sfondesh, por McCusker vendos disa kufizime duke thënë se ekspozita nuk ka agjendë politike. Fotografitë pothuajse nuk tregojnë asnjë armë. “Ka të bëjë me pasojat,” tha ajo.

Ndër fotografët, puna e të cilëve është e përfshirë është edhe Lynsey Addario. Disa prej fotografive të saj kapin refugjatë të zhvendosur sirianë: disa prej tyre presin, të dëshpëruar për të mbledhur bukën e tyre të përditshme në një kamp refugjatësh në Jordani. Eman Mohammed, i cili e përshkruan veten si fotoreporteren e parë femër në Gaza, sjellë imazhet e familjeve që mbajnë zi për vdekjen e njerëzve të vrarë në sulmet ajrore izraelite. Paketa e Rania Matarit e fotografive të Libanit nga një seri e 20060-es “What Remains” tregon shkatërrimin e të dy qyteteve dhe shtëpive./KultPlus.com

Përmes ‘Klithma’ vjen rrëfimi i dhunimit të meshkujve gjatë luftës në Kosovë

Sarandë Selimi

‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt është ndër projektet që është mbështetur së fundmi nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kësisoj ky film i metrazhit të shkurtër tashmë ka dhënë sinjalet e para për nisjen e xhirimeve që do të bëhen gjatë muajit tetor.

‘Klithma’ do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një rrëfim për KultPlus, regjisori i ‘Klithma’, Korab Lecaj, shpalosi detaje interesante për këtë projekt që rezulton i pari me këtë temë shumë të ndjeshme. Lecaj, foli për rrëfimin e filmit, aktorët, xhirimet, premierën e poashtu foli edhe për të veçantën e ekipit të filmit.

“Për përrallën e filmit mund të them shumë shkurt. Filmi “Klithma”, trajton temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të paluftës, që është, dhunimi seksual i meshkujve shqiptar, gjatë luftës në Kosovë. Kush janë personazhet? Si e mbajnë të fshehur dhe kur ata e bëjnë publike plagën e tyre fizike dhe shpirtërore, kjo mbetet të shihet në film. Mbi të gjitha mund të them se, filmi është i inspiruar nga ngjarje të vërteta”, nisi kështu rrëfimin për KultPlus, Korab Lecaj, i cili vazhdoi tutje të flasë për kastën e aktorëve duke shpalosur edhe personazhet e ‘Klithma’.

“Në film janë gjashtë personazhe: dy role kryesore, burri dhe gruaja, të cilët do të interpretohen nga Hazir Haziri dhe Arjola Demiri, dy role dytësore gruaja e komshinjve që do të interpretohet nga Arbnesha Grabovci – Nixha dhe roli i Ramadanit që do të interpretohet nga aktori Alban Zogaj, poashtu edhe dy role episodike, gruaja e Ramadanit që do të interpretohet nga Kaltrina Zeneli si dhe gruaja e komshinjve të Ramadanit që do të interpretohet nga Rajmonda Ahmetaj. Do të ketë të angazhuar edhe disa etatistë”, pohoi Lecaj, duke thënë që xhirimet do të realizohen gjatë muajit tetor dhe do të zgjasin shtatë ditë.

Ndërkohë, regjisori Lecaj, tregoi për veçantin që do të ketë ky projekt. Ai për KultPlus, tregoi se në fillim të tetorit në Prishtinë nga Bosnja do të vjen drejtori i fotografisë, së bashku me ekipin e tij, Almir Xhikoli. “Almiri është njëri prej drejtorëve në të mirë të fotografisë nga Bosnja, i cili ka xhiruar dhjetëra filma të gjatë artistikë me regjisorë të njohur. Pra, ne kemi nderin pjesë të ekipit të filmit “Klithma”, ta kemi këtë artist”, theksoi ai.

Korab Lecaj si ko-skenarist dhe regjisor i këtij projekti, tha se për të personalisht është sfidë goxha e madhe, së pari tema e filmit që sipas tij është shumë e ndjeshme, pastaj barra artistike që e ka karshi kësaj teme. “Sfidues për mua e bën këtë projekt edhe fakti se ky është filmi i parë që e realizoj me para të taksapaguesve, që do të thotë projekt i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, tha tutje Lecaj.

Krejt në fund, Korab Lecaj shpalosi edhe muajin se kur pritet të dalë me premierë ky film.

“Filmi “Klithma”, në fund të nëntorit 2017 do të jetë i gatshëm, fillimisht për festivale ndërkombëtare të filmit, sepse synimi i ynë si ekip është që premierë botërore filmin ta japim në ndonjë festival të kategorisë A. Se si do të rrjedh ky proces, prite të shihet. Sigurisht për ne festivalet ndërkombëtarë janë të rëndësishme jo vetëm për faktin artistik, por edhe për temën e filmit, sepse synim yni është t’i tregojmë botës se çfarë kanë bërë serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999”, përfundoi Lecaj.

Ky film është prodhim i shtëpisë ‘Land Film’s’, ndërsa producent i tij është Besar Zahiti./ KultPlus.com