Në Kukës po merr formë “Parku i Aventurave”

Kukësi do të ketë së shpejti “Parkun e Aventurave”.

Në Shishtavec të Kukësit po merr jetë “Parku i Aventurave” një investim që do të krijojë mundësi në rritjen e potencialit ekonomik të zonës.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto që tregojnë aspekte nga ky investim i ri, nën emrin “Parku i Aventurave”, që po merr formë në këtë zonë me bukuri natyrore.

“Po merr formë pak nga pak “Parku i Aventurave”, një investim i mençur i Bashkisë Kukës, një zonë magjepsëse të natyrës shqiptare si Shishtaveci, ku kemi një plan ambicioz zhvillimi të turizmit malor”, u shpreh Rama.

“Parku i Aventurave” është një projekt i fituar nga bashkia Kukës në kuadër të Skemës së Granteve të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit të Programit (PZHRSH).

Nga ky investim do të promovohet zona nëpërmjet krijimit të hapësirave për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe sporteve. / atsh / KultPlus.com

Polakët e ‘National Geographic’ mahniten në Kukës

Kanë udhëtuar nga Polonia për në Kukës dhe është udhëtimi i parë në Shqipëri por që u ka pëlqyer shumë.

Dy fotoreporter të “National Geographic”, Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski, janë impresionuar nga bukuritë e rralla që ofron Kukësi. Tomas e Bernard, prej tre ditësh kanë eksploruar Kukësin duke u ndalur kryesisht tek veçoritë e objekteve nga sistemi i kaluar, transmeton KultPlus.

Bunkerët janë ato qe u kane bërë më shumë përshtypje. Ata kanë udhëtuar në disa zona të Kukësit, duke u njohur me këto objekte e vendstrehime, si në Gjegjan, Shishtavec, Gostil etj. Por, fotoreporterët polak në fokus të udhëtimit të tyre kishin edhe kulturën, traditën, kostumografinë, natyrën e mrekullueshme të bjeshkëve dhe besën e shqiptarëve.

Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski

Ekspedita e tyre do të përmblidhet në një botim të veçantë. Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të pasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve. /a2/ KultPlus.com

Vazhdon edhe sot vaksinimi i mjekëve kosovarë në Kukës

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka thënë se edhe sot është duke vazhduar vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve kosovarë.

“500 mjekë dhe infermierë të Kosovës po vaksinohen në Kukës”.

“Edhe sot në ditën e dytë, do të vijojë vaksinimi me stafet mjekësore të vijës së parë”, ka shkruar Manastirliu në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Vaksinimi i mjekëve kosovarë në Kukës (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka postuar disa fotografi ku shihen pjesëtarë të personelit mjekësor të Kosovës duke u vaksinuar në Kukës kundër COVID-19, shkruan KultPlus.

“Jena1. Vaksinimi i bluzave të bardha të Kosovës në Kukës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Më poshtë gjeni fotot./ KultPlus.com

Kukësi, qyteti i shpëtimit për kosovarët – 1999/2021

Gjatë ditës së sotme në një qendër vaksinimi në Kukës ka filluar imunizimi i grupit të parë prej 250 mjekëve nga Kosova, kurse grupi i dytë do të vaksionohet në ditët në vijim, shkruan KultPlus.

Mungesa e vaksinës dhe mos sigurimi i saj deri më tash nga qeveria në Kosovë, ka shtyer  qeverinë shqiptare që rë paktën ti ofroj ndihmë Kosovës në vaksinimin e kategorisë së punonjësve që përballen me virusin në baza ditore, mjekët.

Por, kjo nuk është hera e parë që Kukësi ka hapur dyert për kosovarët, kjo sepse edhe në eskodin e madh të vitit 1999 si pasojë e shpërnguljes me dhunë të kosovarëve nga regjimi i atëhershëm serb, Kukësi u bë streha e shpëtimit të atëhershëm.

Bashkia e Kukësit së bashku me qytetarët në atë kohë kishin strehuar familjet e ardhura nga lufta, u kishin siguruar ushqim, por dhe kujdesin shëndetësor.

Kurse sot 22 vite më pas zemërgjerësia kuksiane vazhdon të mbetet po e njëllojta./ KultPlus.com

Flet mjeku kosovar që mori vaksinën e AstraZeneca në Kukës

Në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Kukës të hënën ka filluar vaksinimi kundër korona virusit me kurën e Astra Zeneca.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, të gjithë mjekët kosovarë duhet të shkojnë në Kukës për t’u vaksinuar meqë kontrata e blerjes së vaksinës nuk lejon dhurimin e saj si donacion për Kosovë.

Mjeku kosovar Blerim Feka e kaloi kufirin të hënën për tu imunizuar kundër koronavirusit.

Pasi regjistrohet, gjinekologu ka për tu vaksinuar me kurën anti-covid të AstraZeneca për çka thotë se nuk hezitoi aspak.

“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për tu vaksinuar kundër Covid-19”, tha ai për Klan Kosovën.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut siç u raportua në disa vende europiane vendet e fundit./klankosova/ KultPlus.com

Bunkeri nën qytetin e Kukësit pritet të shndërrohet në atraksion turistik

Vendstrehimi i nëndheshëm i ndërtuar dekada më parë në qytetin e Kukësit, ku mund të stresoheshin më shumë se 30 mijë persona nga sulmet e armiqëve të atërhershëm të socializimit, tani mund të kthehet në një atraksion turistik për qytetin verior.

Bashkimi Europian   pritet që ta rivitalizojë të ashtuquajturin Kukësi i nëndheshëm, në kuadër te projektit Adrion që përfshin të gjitha vendet që lagen nga deti Adriatik.

Projekti pritet të përfundojë në vitin 2022 dhe synon të japë kontribut jo vetëm njohjen e vlerave dhe aseteve të qytetit të Kukësit, por dhe ekonomisë së këtij qyteti./a2/KultPlus.com

Familja nga Kukësi që strehoi gjatë luftës rreth 50 persona nga Kosova

Këtë vit mbushen 22 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës ku rreth një milion ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës 1998-1999.

Forcat serbe, kishin dëbuar popullin e Kosovës me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa vala më e madhe e refugjatëve ishte në Shqipëri.

E shqiptarët atje, ishin mjaft mikpritës me kosovarët që po iknin nga lufta, duke i hapur edhe shtëpitë e tyre e duke ndarë gjithçka bashkë. /express/ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/familja-nga-kukesi-qe-strehoj-gjate-luftes-rreth-50-kosovare

Mali i Kallabakut në Kukës, maja ku takohen kufijtë e tri shteteve

Mali i Kallabakut në Kukës është pjesë e Parkut Natyror “Korab-Koritnik”.

Është shkëmbor dhe 2174 m i lartë, ndërsa nën këmbët e tij, “nusërojnë” pllajat me lule, ujra dhe gjelbërim. Në majën e Kallabakut takohen kufijtë e tri shteteve, dy prej tyre shqiptare Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa tjetri po me shqiptarë, Maqedonia.

Të ngjitesh në Kallabak, është relativisht e lehtë, përjashtim bën pjesa lindore e tij, nga ku për të kapur majën është paksa e vështirë.

Në periudhën e dimrit, mali nuk e heq gëzofin e dëborës, teksa muaji më i preferuar për t’u ngjitur në shpatet e tij, mbetet muaji Qershor.

Në majën e Kallabakut, syri i vëmendshëm ka rrokur peizazhin mahnitës, i cili nuk është gjë tjetër veçse një vallëzim i Alpeve, Sharrit dhe Korabit, rit ky i moçëm sa vetë Toka.

Pamja që ofron maja e Kallabakut është spektakolare dhe kohët e fundit është kthyer në një destinacion turistik dhe po tërheq shumë turistë, veçanërisht ata të apasionuarit pas alpinizmit.

Udhëtimi për në malin e Kallabakut nis nga Liqeni i Novosejit në drejtim të majës. Shtegu është shumë i përshtatshëm për çdo grupmoshë.

Bjeshkët e Cajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme.

Në këtë zonë blegtoria është biznesi më fitimprurës, viteve të fundit edhe turizmi./ KultPlus.com

Qendra e Traditës Moderne Shqiptare, kontribuon në fuqizimin e gruas përmes artizanatit

Më shumë se 100 gra nga Kukësi janë bërë pjesë e Qendrës së Traditës Moderne Shqiptare.

Të gjitha këto gra, kanë shkathtësi të shkëlqyera në punë dore, që i kanë trashëguar nga nënat dhe gjyshet e tyre, ndërsa sot, pasionin e tyre kanë arritur ta modernizojnë dhe ta materializojnë përmes qendrës MATH.Qendra ka angazhuar disa barinj nga Malësia e Kukësit, përmes të cilëve siguron produktin e parë që më pas dërgohet në Qendër për t’u pastruar, tjerrë dhe ngjyrosur.

Kjo u ka mundësuar këtyre grave që pasionin e tyre ta shndërrojnë në punë të përditshme dhe të përfitojnë nga ky zanat.Produktet artizanale i shesin përmes Qendrës dhe së fundi edhe përmes faqes së internetit “katunar.al”.

I financuar nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga GIZ, programi ProSEED mbështet Qendrën MATH, me qëllimin që të arrijë sa më shumë gra të papuna të Kukësit dhe në të njëjtën kohë, t’i fuqizojë ato përmes modernizimit të teknikave, produkteve dhe të zhvillojë aftësitë e tyre sipërmarrëse. /atsh/ KultPlus.com

‘Festa e Bjeshkëve’ në Kukës mbledh banorët e zonës

Festa e Bjeshkëve në Kukës mblodhi gjithë banorët e zonës së bashku dhe me ministrin e Turizmit Blendi Klosi.

Ky i fundit tha tha se Rruga e Kombit për turizmin bregdetar dhe Rruga e Arbërit për atë malor do të bëjnë të mundur që turistët e shumtë që vizitojnë Shqipërinë, të kenë mundësinë e një oferte të vërtetë turistike 12 mujore.

Ka një festë që i bashkon të gjithë banorët e Kukësit. “Festa e Bjeshkëve” mblodhi jo vetëm banorët e Bushtricës së Kukësit por edhe zonave përreth me shpresën se do të kenë një turizëm malor më të zhvilluar përmes burimeve dhe bukurive natyrore të zonës së tyre.

“Unë do të doja që ky të mos ishte një turizëm malli por të kthehej në turizëm të mirë të mirëfilltë. Njerëzit t’i shfrytëzojnë bjeshkët e të kthehet në burim ekonomik për banorët e zonës”, tha një banor.

“Një meritë e madhe për arsye se këtu mund të dalë ndonjë firmë e mund të bëhet turizëm malor, është vend shumë i bukur”, tha një banor tjetër.

Këtij organizimi nuk i mungoi as Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i cili ftoi të gjithë shqiptarët dhe turistët e huaj që të vizitojnë jo vetëm bjeshkët e Bushtricës por edhe Zonën e Dibrës.

Ministri Klosi tha se Rruga e Kombit për turizmin bregdetar dhe Rruga e Arbrit për atë malor do të bëjnë të mundur që turistët e shumtë që vizitojnë Shqipërinë, të kenë mundësinë e një oferte të vërtetë turistike 12 mujore.

“Lidhja me rrugën e kombit e më pas me rrugën e Arbrit do të bëjë të mundur që turistët e shumtë që vizitojnë Shqipërinë të kenë mundësinë e një ofertë të mirë turistike në gjithë zonën dhe qarkun e Kukësit, ku jo vetëm Valbona është një mrekullie natyrës, por edhe këtu ku jemi e gjithë zona”, tha Klosi.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici tha se Bashkia Kukës, ka një projekt që i gjithë vargmali Korab-Koretnik të lidhet me Bjeshkët e Kukësit dhe Dragashit në Prizren.

“Është një investim që jo vetëm që akseson bjeshkët e Kolecianit por shërben për të gjithë 20 mijë banorë që dalin dhe është një arterie shumë e rëndësishme turistike”, tha Safet Gjici, kryetari i Bashkisë Kukës.

Banorët dhe të ftuarit nga Kosova dhe e zona të tjera të vëndit që u përfshinë në festime iu bë e mundur udhëtimi me makinë përmes rrugës së përmirësuar nga Bashkia Kukës.

Në këtë event u hap panairi i prodhimeve blegtorale, gatimet tradicionale të zonës, bimëve medicinale dhe veshjeve popullore të zonës. Me këtë rast u zhvilluan aktivitete sportive dhe artistike. Ndërsa një grup motoçiklistësh të ardhur nga Suhareka, vazhduan udhëtimin për pushtimin e malit të Korabit. /shqiptarja/ KultPlus.com

Bjeshkët e Kukësit, vendi ku takohet historia, kultura dhe folklori i shqiptarëve në shekuj (FOTO)

 Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici u bën thirrje të gjithë kuksianëve që banojnë jo vetëm në Kukës, por dhe në zona të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, t’u bashkohen aktiviteteve të organizuar nga bashkia me rastin e shpalljes së ditës së sezonit turistik të bjeshkëve.

“Eja n’shpinë tënde. Zoti e bekoi si një të tërë, historia bëri të vetën. Por sot qyteti ynë shihet si një i vetëm. E shijojmë më mirë, i shërbejmë më mirë dhe e trashëgojmë më të mirë në breza”, tha Gjici.

“Historia të tregon shumë, kulinaria të josh pamasë. Duke përshkruar këto rrugë e këto vende do të gjesh historinë, kulturën, folklorin e shqiptarëve në shekuj”, shprehet ai.

Këshilli bashkiak Kukës do të shpalli 11 korrikun si ditën e turizmit të bjeshkës. Në kuadër të kësaj dite bashkia do të organizoi një ceremoni festive në bjeshkë.

Bjeshkët e Kukësit janë nga më të rrallat në Shqipëri, pjesa e malësisë që bashkohet me malin e Korabit.

Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve. Një ndër destinacionet më kryesore për këtë 9-mujor është parku natyror Korab-Koritnik.

Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. /atsh/ KultPlus.com

Zjarri në ish-arkivin shtetëror në Kukës, Bido: Nuk u cenua asnjë dokument

Ish- Arkivi Shtetëror Vendor në Kukës është përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, Ardit Bido, i cili tha se nuk janë djegur dokumente me rëndësi, por vepra të mykura të ish- diktatorit Enver Hoxha apo dokumente të tjera të mykura.

“Asnjë zjarr në arkiva nuk ka rënë. Kur na çmendën pse i mblodhëm arkivat në godina arkivore e u thoshim “zjarri” nuk na besonin”, theksoi ai.

Bido sqaroi se, “zjarri i rënë në Kukës është në godinën e Ish-Arkivit Shtetëror Vendor”.

Sipas tij, ASHV Kukës gjendet i plotë e i paprekur në godinën e ndërtuar enkas për arkiv në qytetin e Rrëshenit.

“Para dy vitesh kur u ndërmor kjo reformë, ishim të qartë se asnjë dokument arkivor nuk mund të lihej në godina që nuk kishin kushtet e ruajtjes. Ndaj, duam të sqarojmë se lajmi i rënies së zjarrit në ish-godinën e Kukësit nuk cenon asnjë dokument, që prej vitesh ruhet sipas standardeve arkivore, siç i ka hije arkivave shqiptare! Ai lajm fakton se lëvizja e paprecedentë e grumbullimit të arkivave vendore në godina mirfilltazi arkivore ishte e domosdoshme e fatmirësisht u krye në kohën e duhur”, tha Bido.

“Në godinën në Kukës kishin mbetur vetëm materiale për jashtë përdorimit, si disa vëllime të mykura të veprave të Enver Hoxhës apo dokumentacion i mykur masiv kontabël; që prisnin procedurën e asgjësimit”, shtoi Bido. / KultPlus.com

20 vjet më parë iu hap dera si refugjat në Kukës, dje shërbeu në Thumanë si polic i Kosovës

 

Shqipëria u godit nga një tërmet me 6.4 shkallë të Rihetrit mëngjesin e së martës.

Ky tërmet mori jetën e shumë njerëzve, lëndoi shumë të tjerë dhe nën rrënojat e ndërtimeve të shkatërruara vazhdojnë të jenë ende shumë njerëz.

Thumana dhe Durrësi ishin dy qytetet më të prekura nga lëkundjet e tokës, të cilat vazhdojnë edhe sot por me Rihter më të ulët.

Për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në këtë situatë shumë të vështirë për t’u përballur nga Kosova shkuan shumë policë, ushtarë e zjarrfikës, duke mos harruar edhe njerëzit vullnetarë.

Një gjë e veçantë ndodhi me njërin nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës, shkruan Indeksonline.

Hasan Mulaj është pjesëtari i PK-së që në vitin 1999 ishte refugjatë në Kukës, aty ku kërkoi ndihmë përderisa Kosova po përballej me gjendje lufte.

Dyert e mikpritjes dhe mirësisë Hasanit iu hapën në vitin 1999 në Shqipëri, ndërsa ai këtë herë shërbeu në Thumanë, për të kthyer të mirën 20 vjet më vonë.

“I njëjti destinacion, i njëjti qëllim. Dora për ndihmë. 20 vjet më parë për ta kërkuar, 20 vjet më pas ta kthyer. Gjithmonë mirënjohës”, u shpreh Mulaj nga Skenderaj./KultPlus.com

Fotografia që tregon emocionet e fëmijëve refugjat nga Kosova në Kukës (FOTO)

Fotografja amerikane, Carol Guzy ka shkrepur disa fotografi gjatë vitit 1999 në Kukës të Shqipërisë, atje ku ishin nisur një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Një fotografi e saj paraqet fëmijët kosovarë në një kamp në Kukës të Shqipërisë, pas udhëtimit të tyre nga toka e trazuar.

Në përshkrimin e gazetares së Washington Post, shkruhet se programi i UNICEF kishte ndihmuar fëmijët kosovar që t’i kalojnë traumat psikologjike të përjetuara gjatë luftës. Në këtë foto shihet Lindita Morina, 9 vjeçare (me një kurorë të bërë nga nëna e saj) derisa përqafon një tjetër fëmijë refugjat gjatë seancës.

Përmes poezisë, vizatimeve dhe lojërave, ata kanë mësuar të shprehin emocionet e tyre. Vizatimet janë më shpesh nga tmerret që ata kanë parë, nga vrasjet dhe shkatërrimi. Poezitë e tyre flasin për lirinë. Vullnetarët e UNICEF-it kishin vizituar çdo kamp në Kukës në baza ditore. Fëmijët e kishin pritur me padurim këtë pjesë të ditës dhe u shfaqnin atyre shumë dashuri dhe mirënjohje./ KultPlus.com