Ministrja greke kritikon ashpër serialin dokumentar të Netflix-it për Aleksandrin e Madh

Ministrja e Kulturës greke, ka kritikuar një dramë-dokumentar të Netflix për Aleksandrin e Madh si “fiction jashtëzakonisht me cilësi të dobët” dhe “përmbajtje të ulët, të mbushur me pasaktësi historike”.

Komentet e Lina Mendonit për Aleksandrin, ”The Making of a God” vijnë në mes të një buje për përshkrimin e një marrëdhënie romantike në shfaqje midis Aleksandrit të Madh dhe të besuarit dhe mikut të tij Hephaestion, përcjell klankosova.tv.

Në Greqi, një opinion në Eleftheros Typos e quajti shfaqjen “një shtrembërim të së vërtetës” dhe fajësoi filmin Alexander të vitit 2004 të Oliver Stone për fillimin e “një fushate propagandistike rreth homoseksualitetit të Aleksandrit”.

Dimitris Natsiou, presidenti i partisë politike kristiane ortodokse, të ekstremit të djathtë Niki, e quajti serialin “të mjerueshëm, të papranueshëm dhe johistorik” dhe tha se synonte “të përçonte nënkuptueshëm nocionin se homoseksualiteti ishte i pranueshëm në kohët e lashta, një element që nuk ka bazë”.

I pyetur në parlament në lidhje me shfaqjen e Natsiou, siç shkruan The Guardian, Mendoni tha se ai ishte “i mbushur me pasaktësi historike, duke demonstruar shkujdesjen dhe varfërinë e skenarit të regjisorit”.

Ministrja e Kultures greke, Lina Mendoni

Në lidhje me përshkrimin në emision të marrëdhënies mes Aleksandrit dhe Hefestionit, Mendoni tha: “Nuk përmendet në burime se ajo shkon përtej kufijve të miqësisë, siç përcaktohet nga Aristoteli.

“Por do ta dini se koncepti i dashurisë në lashtësi është i gjerë dhe shumëdimensional. Ne nuk mund të interpretojmë as praktikat dhe as personat që kanë vepruar 2300 vjet më parë me masat tona, normat dhe supozimet tona. Aleksandri i Madh, për 2300 vjet, nuk ka pasur kurrë nevojë dhe as tani, ndërhyrja e ndonjë mbrojtësi të pakërkuar të kujtesës së tij historike apo, aq më tepër, të personalitetit dhe të pozitës së tij morale”./klankosova/ KultPlus.com

Buxheti 2024 për kulturën, Margariti: 14% më i lartë krahasuar me 2023-i

 Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deklaroi sot se prioriteti kryesor në fushën e artit dhe kulturës mbetet intensifikimi i përpjekjeve për zbatimin dhe realizimin e objektivave të parashikuara në “Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2019-2025”.

Në fjalën e saj gjatë diskutimit të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2024”, Margariti tha se “pas një viti të suksesshëm si ky që po lëmë pas, një tjetër vit sfidues kemi përpara, me projekte të reja dhe nisma madhore. Buxheti i vitit 2024 pritet të jetë 14% më i lartë krahasuar me vitin 2023”.

“Rritja e buxhetit është më e madhe në zërin e pagave me +29% krahasuar me 2023, ndërsa investimet 30% më shumë”, tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “do të çojmë përpara projekte tepër ambicioze që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e skenës së pavarur përmes mbështetjes financiare”.

“Prioritet mbetet përmirësimi dhe zgjerimi i tregut kulturor nëpërmjet një legjislacioni në dobi të krijuesve, krijimtarisë artistike e kulturore dhe trashëgimisë kulturore, si dhe hartimi i paketës së re të skemës se mbështetjes së projekteve të Ministrisë të Kulturës; Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza; Mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve; Promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare”, tha Margariti./atsh/KultPlus.com

Franca do të ofrojë asistencë për ligjin e kinematografisë, trajnim për kineastët, marrëveshje për bashkëprodhimin

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me presidentin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë franceze CNC – Centre national du cinéma et de l’image animée, Dominique Bouttonat. Margariti e vlerësoi këtë si një hap të ri për kinemanë shqiptare. Në këtë mënyrë do të mund të merret asistenca më e mirë në hartimin e ligjit për kinematografinë, do të ketë trajnime për kineastët e rinj si dhe do të shtrohet rruga për lidhjen e një marrëveshjeje bashkëprodhimi në vitin 2024.

Në takimin që ministrja Elva Margariti pati me ministren e Kulturës të Republikës së Francës, Rima Abul-Malak, kinematografia ishte një nga temat e diskutimit. Kjo ishte edhe objekt i marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Franceze.

E krijuar në vitin 1946, Qendra Kombëtare e Kinemasë dhe Imazhet e Animuar (CNC) është nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës në Francë. Misionet kryesore të (CNC) janë të lidhura me rregullimin, mbështetjen e prodhimit dhe shpërndarjes së veprave audiovizuale, si dhe me ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

Xhaçka: Gjuha shqipe do njihet në shkollat në Greqi

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se gjuha shqipe do njihet në shkollat në Greqi.

Ajo u shpreh se gjatë takimit me ministrin e Jashtëm grek Dendias diskutuan mjaft çështje me interes për emigrantët.

“Çdo vend ka rregulla, për emigrantët dhe ata që aspirojnë që të jetojnë në atë vend. Diskutuam për të drejtat e atyre që janë integruar aty, ky kujdes ishte pjesë e diskutimeve tona, për të ofruar lehtësira në shërbimet konsullore, për të drejtat e fëmijëve që të mësojnë shqipen në sistemin arsimor të Greqisë, kemi folur dhe për tema të tjera të lidhura emocionalisht. Kemi folur dhe për të zgjidhur tematika të kaluara, atje është një komunitet me mbi 600 mijë shqiptarë. Interesat e tyre janë në vëmendje”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, këtë javë po shënohet edhe Java e Kulturës Greke në Shqipëri. /KultPlus.com

Ministrja Margariti kujton shkrimtarin e njohur Mitrush Kuteli

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka kujtuar njërin prej shkrimtarëve më të njohur të gjuhës shqipe, Mitrush Kuteli, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Margariti ka ndarë edhe një thënie të poetit, i cili njihet si shkrimtarë, përkthyes, kritikë e lëvërues i pashoq i gjuhës shqipe.

“Thjeshtësia dhe natyrshmëria janë shumë herë veshja e vetme e një mendimi të thellë që mbetet brez pas brezi”, thënie nga Mitrush Kuteli.

22 Prilli shënon Ditën Botërore të Librit, andaj Ministrja ka kujtuar shumë shkrimtarë të njohur në këtë muaj. /KultPlus.com

Vazhdon drama për Djokovic, pa vaksinë nuk lejohet as në ‘French Open’

Novak Djokovic mund t’i ndalohet pjesëmarrja në truneun “Frrench Open”, pasi ligji i ri i Francës për vaksina, do t’u kërkojë të gjithë njerëzve të kenë një certifikatë vaksinimi për të hyrë në vende publike si restorante, kafene, kinema dhe trena në distanca të gjata, përcjell KultPlus.

Numri një i botës në tenis, Djokovic, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, u deportua nga Australia të dielën përpara turneut të parë Grand Slam të vitit, pasi humbi një çështje gjyqësore rreth qëndrimit atje.

Ministrja e Sportit, Roxana Maracineanu ka thënë që sapo ligji i ri të miratohet, të pavaksinuarit nuk do mund të marrin pjesë në “French Open”.

“Rregulli është i thjeshtë. Leja e vaksinës do të vendoset, sapo të shpallet ligji, në institucionet që tashmë i nënshtroheshin lejes shëndetësore,” tha ministria.

“Kjo do të vlejë për të gjithë ata që janë spektator apo sportist profesionist”, shtoi ajo.

Serbi Djokovic ka refuzuar të vaksinohet dhe është kritikuar për pjesëmarrjen në ngjarje publike muajin e kaluar pasi rezultoi pozitiv me koronavirus. /KultPlus.com