O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka Më je nënë, më je motër, më je vlla. Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je, Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé. Ty përditë të pat parë ime nënë, Dheu yt në fund atë e pati ngrënë. Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj. Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj. Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi, Edhe eshtërat tretur ua ke po ti. Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë. Pranë teje patën qeshur, patën qarë. Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë, Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë, Numri prapë në vend mbetet kurdoherë. Begatoje, o Zot, ti këtë vend! Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend! Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij! Gas përjetë paçin zotërit e tij! I begatë, i lulëzuar qoftë ai, Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com
Udha e mbarë, se erdh prendvera, shko dallendyshe tue fluturue, prej Misirit n’dhena tjera fusha e male tue kërkue; n’Shqypni shko, pra, fluturim, shko në Shkodër, n’gjytet tim!
Shndet prej mejet të m’i falesh saj’ shpis’ vjetër ku jam le, me ato vende rreth t’përfalesh ku kam shkue kohën e re; atje shko, pra, fluturim, fal me shndet gjytetit tim!
Shko n’at shkollën ku jam msue me shokë t’mi, shokt e fmnisë, shko n’at Kishë ku kam urue t’parën Uratë Perendisë, atje shko, pra, fluturim, fal me shndet gjytetit tim!
Me ato male, me ato kodra, me ato prronje rreth t’përfalesh; n’ato fusha qi m’ka Shkodra, të lulzueme, aty t’ndalesh, tue këndue me ambëlcim: fal me shndet gjytetit tim!
T’mujshe edh’ un me fluturue, dojsh’ edhe un me u nisë me ty, dojshe n’Shkodër me kalue, m’e pa prap at vend me sy!… Por… ti shko atje flutrim; e ti qajma fatin tim!…
Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit, dallendyshe ulu me pushue; kam dy vorre n’at vend t’vajit, t’nans e t’babs qi m’kan mjerue: qaj me za t’përmallshëm shqim nji kangë tanden gjith vajtim!…
Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni n’ato vorre me vajtue, ti dallendyshe, veshun në zi, ti aty pra qaj për mue, me nj’at za t’përmallshëm shqim, kangën tande për vajtim./KultPlus.com
Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke përvëluar, që t’u ap pakëzë dritë, natënë t’ua bënj ditë.
do të tretem, të kullohem, të digjem, të përvëlohem, që t’u ndrinj mir’ e të shihni, njëri-tjatërin të njihni.
për ju do të rri të tretem, asnjë çikë të mos mbetem, të digjem e të qanj me lot, se dëshirën s’e duronj dot.
unë zjarrit nuk i druhem dhe kurrë s’dua të shuhem, po të digjem me dëshirë, sa të munt t’u ndrinj më mirë.
kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall’ e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë,
unë jam në shpirtin tuaj, mos më kini për të huaj, m’është falurë durimi, andaj po digjem si trimi,
se ma k’ënda t’u bënj mirë, të mos mbeti n’errësirë. jakëni rreth meje rrini, flisni, qeshni, hani, pini,
në shpirt kam dashurinë, pa digjem për njerëzinë, lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem,
dua ta djek trupn’ e kretë për atë zotn’ e vërtetë. me zjarr ta djek mushkërinë e të tretem për njerinë,
bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. unë dua njerëzinë, mirësin’ e urtësinë.
në bëhi shokë me mua, në më doni si u dua, njëri-tjetërin në doni, të paudhë mos punoni.
o zëmëra fluturake, qasju pakë kësaj flake! mase krahët t’i përvëlon, po dhe shpirtin ta shënjtëron.
unë duke përvëluar, njerëzit i kam ndrituar. kam qënë mik me njerinë, andaj i di e më dinë.
gjithë tuajt’ i kam parë, mëm’ e at’ e fis e farë, si tani gjithë i kam ndër mënt, që rrininë më këtë vënt.
edhe sot nër ju ata shoh, se shpirtin e tyre ua njoh, dhe unë si ju jam ndruar e jam përzjer’ e ndryshuar,
pa jam bërë shumë herë zjar e uj’ e balt’ e erë. jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli.
edhe ndër qiej fluturonj, edhe brënda në det qëndronj, shumë herë fle në baltë, diku ndodhem dhe në mjaltë
bënem qëngj e kec i pirë, lul’ e bar e gjeth i mbirë. dua shumë fjalë t’u them, po trëmbem mos i bënj ujem. e ku shkruhenë në kartë fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?/KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore. Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali. Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet. Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive. Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej, Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush të ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com
Nëse më do, më duaj të gjithën, jo veç në pjesët e dritës dhe hijes… Nëse më do, më duaj të zezë, të bardhë, gri, jeshile, bjonde dhe brune… Më duaj ditën, më duaj natën… dhe në mëngjesin e hershëm në dritaren e hapur!
Nëse më do, mos më hiq pjesë: Më duaj të gjithën… ose mos më duaj!
Të vëzhgosh lumin prej kohe dhe uji Të kujtosh se koha është një tjetër lum. Për të ditur se ne humbim si lum Dhe fytyrat tona zhduken si uji. Të ndjesh se zgjimi është një tjetër ëndërr Se ëndrra e paëndërr është vetë vdekja Se mishi jonë i friguar është vdekja E çdo natë, që ne e quajmë ëndërr. Të shikosh në çdo ditë dhe vit një simbol Të ditëve të njeriut dhe viteve, Dhe të konvertosh zemërimin e viteve Në muzikë, në zë dhe në një simbol. Të shikosh tek vdekja ëndrrën, tek perëndimi i artë trishtimin – e tillë është poezia E varfër dhe e pavdekshme është. Poezia, Që kthehet herë si lindje e herë si perëndimi. Ndonjëherë muzgu ka një fytyrë Që na sheh nga thellësia e një pasqyre. Arti duhet të jetë kjo lloj pasqyre, Që ne na e zbulon fytyrën. Ata thonë se Uliksi, i lodhur nga mrekullitë, Qau me dashuri kur iu shfaq Itaka, E përvuajtur dhe e gjelbër. Arti është Itaka, Një përjetësi e gjelbër, jo mrekullitë. Ai është gjithashtu si lumi pafund, që rrjedh e rri dhe është pasqyrë e njëjtë te Heraklitit të ndryshueshëm, i cili është i njëjtë dhe prapë ngjan një tjetër, si lumi pafund./KultPlus.com
“E ftohtë dhe e ashpër” është një nga poezitë më të bukura të autorit Franz Kafka. Poezia ndërtohet mbi bazën e kontrastit, ku autori i quan të ftohtë dhe të ngrirë njerëzit, ndërkohë ambientin e konsideron tëndriçuar e me gjallëri në periudhën e festave të fundvitit.
Është një nga “panorama” normale të kohëve tësotme, ku atmosfera gjallëruese e festave jo gjithmonë shkon paralel me problemet dhe streset e çdokujt në përditshmëri. Ama nëfund, çdokush pajtohet me realitetin dhe i lë ngjarjet të rrjedhin natyrshëm (autori në strofën e fundit me foljet “sheh” dhe “mbështetet” pranon pikërisht realitetin, edhe pse të trishtë).
“E ftohtë dhe e ashpër” E ftohtë është dita sot dhe e ashpër. Retë të ngrira, erërat zvarritin të ftohtit. Të ngrirë edhe njerëzit. Hapat jehojnë si metal mbi pllakat e bakrit dhe retë vështrojnë liqene të bardhë.
Në qytetin e vjetër janë ngritur, shtëpiza krishtlindjesh me drita dhe dritare shumëngjyrëshe që shohin, në sheshin e vogël me borë. Një burrë ecën heshtur, në sheshin me borë me dritë hëne dhe hijen e tij të madhe e fryn era mbi shtëpizat.
Njerëz që kalojnë ura të errëta, shkojnë me nxitim në meshë, me dritat verbuese në duar. Në qiellin gri kalojnë re, mbi kishat, me kambanare gjysmë të errëta. Dikush, që mbështetet në mur, sheh ujin e natës, me duart e tij në gurët e lashtë./ KultPlus.com
KultPlus, ju sjell disa vargje të Naim Frashërit, të interpretuar nga Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Bujar Asqeriu, Yllka Mujo, Drita Pelingu dhe Ndriqim Xhepa.
Mikja, zemra ime, ku je? Ku jemi ne? Të kam menduar, Po të shkruaj nën Pandemi Mos jemi avulluar. Të sëmurë, bërë si retë e tjerrura brigjeve, të padukshëm për cilindo tani. Dikur, harruar vetes, u dhuruam te kohërat tona. Te ato që shkuan e vanë, kohëra që gjaku u shterrte në atë që quhej “atdhe”. U blatuam nga ç’ish vetja jonë. Tash kocka. Nuk na njeh njeri. Tash atdheu na qenkej tjetër. Dhe kuptime, jetë na janë tjetër. Vetja, e vockëla, ish vetja jonë ku mbeti? Ku.. ku ndodhet ajo ish “e bukura” jonë? Kush? Pyet kush? Kush do të dijë për të tani? Mikja ime, (ku je?) M’u zgjove Të kërkova nën Pandemi./KultPlus.com
Të enjten, më 30 mars 2023, në orën 11, në Shtëpinë Studio Kadare në Tiranë, u organizua një aktivitet i veçantë letrar, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Sadik Bejkos, njëri ndër poetët më të njohur dhe më të rëndësishëm të poezisë së sotme shqipe.
Manifestimi u organizua nga PEN Qendra e Shqipërisë, në cilin aktivitet morën pjesë shkrimtarë të nga Shqipëria, profesorë, gazetarë, miq të autorit, si dhe anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu dhe Sali Bashota.
Nën moderimin e Entela Kasit, kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë, fjalët kryesore për jetën dhe krijimtarinë e Sadik Bejkos, i paraqitën Rudolf Marku dhe Sali Bashota.
Gjithashtu, diskutuan edhe Josif Papagjoni, Bujar Leskaj, Ymer Çiraku, Natasha Lako, Pandeli Koçi, Zyhdi Dervishi, Piro Loli, Çerçiz Loloçi, Brisi Trajko etj., ndërsa aktori Timo Flloko lexoi poezi të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Sadik Bejkos.
Poeti Sadik Bejko u nderua me Mirënjohje të Veçantë, për kontributin e çmuar në promovimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Në emrin e PEN Qendrës së Kosovës dhe PEN Qendrës së Shqipërisë, mirënjohjen ia dorëzoi Binak Kelmendi.
Në drekën e organizuar nga familja ishin të pranishëm edhe shkrimtari Ismail Kadare, znj. Helena Kadare dhe Bujar Hudhri./KultPlus.com
Të duhet guxim së pari të pranosh veten ashtu si je, pa u parë në pasqyrën e të tjerëve ta ruash egon tënde, pa e lënduar krenarinë .
Do të duhet shumë guxim të thuash të vërtetën, të varrosur nga gënjeshtrat të ndihesh e fortë, angështuar nga frika të përballesh me dështimin, dehur nga suksesi të pranosh humbjen, pa shijuar lavdinë e fitores të qeshesh thekshëm, pas lotëve të pikëllimit.
Shumë, shumë guxim do të duhet të besosh në përralla moderne, e vetdijshme se s ‘ekzistojnë.
Pastaj do të duhet guxim të durosh dhimbjen deri në asht, e të mos nxjerrësh zë prej goje të ngjallesh pas betejave të palavdishme të një lufte të Trojës të dashurosh marrëzisht e të ndalosh së dashuruari një ditë guxim duhet të mbyllesh derën e të largohesh pa gjurmë edhe më shumë guxim për t’u rikthyer për të menduar të ardhmen, e kujtuar të shkuarën .
Po, ti e di se do të duhet gjithmonë guxim të marrësh vendime të vështira a të heqësh dorë
Guxim për të thënë PO, e tërë guximi i botës për të thënë JO. / KultPlus.com
Gjysma e qiellit me re dhe gjysma tjetër e kaltër Këtë harmoni shkrepëtima e prish Gjysma e shpirtit e ngrirë dhe gjysma tjetër e vakët Dhe në gjoks një ankth si iriq.
Ndaj sot nuk do shkojmë kurrkund, As në koncert, as në park, as në varre; Ti shko në dhomën tjeter dhe mbesën përkund Dhe unë po ndez një cigare.
Mbase kujtohet im bir arratisur në botë Dhe prish heshtjen e dhjamur mbi telefon! Ah, kjo cigare që pi është e fortë, E ndiej kur në gjoks më shtrëngon./KultPlus.com
Jeni lodhë, dallëndysha t’shkreta, Je molis’i ziu bylbyl; Ah! pushoni n’streh’ku u gjeta, Pusho n’kopshtë te njaj zymyl. Mbi krahë t’uej prei dhenash tjera Ju prendveren na pruet këtej; Shlodhn’ ju pra, dallëndysha t’mjera, Rri, bylbyl, n’lulzim qi kthej. Se qe’j prrue prei malit ulet E t’tanë fushës ushqim i nep; E nen borë po shperthejn’ lulet Porsi fëmië që zbulohen n’djep. Fllad i let me vapë dashtnijet Puthi pemen gemb për gemb; U zgjue pema, e qe prei shijet Buloj mbarë neper kopshtë t’em. Ndej’ brië votres nieri myket: Vrapo bulk, ku puna t’thrret; Tui vrue fushen kau berlyket, Lyp’m’u vue per lavrë t’vet.