PriFest publikon programin e filmave në kategorinë ‘Let It Be’

PriFest’-i publikon programin e filmave në kategorinë ‘Let It Be’, përcjell KultPlus.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, (PriFest) ka prezantuar programin “Let It Be”, kategori kjo dedikuar filmave me tematikë për komunitetin LGBTIQ.

Lista e plotë e programit “Let It Be”:

1. Imperial nga Stéphane Gowl, Zvicër / Premierë Kosovare (22min)

2. Budapest, Closed City nga Máté Konkol, Hungari / Premierë Regjionale (13min)

3. Hear My Voice nga Daniele Guerra, Britani e Madhe / Premierë Kosovare (12min)

Edicioni i 14-të i PriFest i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.

Festivali mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022.

 Vjosa. Forever. PriFest.

#ForHer / KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ premierë në Prifest, shpalos ulërimën e zjarrtë të rinisë për liri

Era Berisha

Të ulura në një kodër, pamja e së cilës është e pakrahasueshme, tri personazhet kryesore si: Qe, Li dhe Jeta, mbi tre shkëmbinj jetësojnë filmin e metrazhit të gjatë ‘Luaneshat e Kodrës’, e së bashku me fjalët: Oh Kodër, nis të shpaloset rrjedha e historisë së tyre e cila fillon pikërisht me një ulërimë që vjen nga brendësia shpirtërore e tyre. Përpjekjet e këtyre personazheve për tu ballafaquar me padrejtësitë e jetës pasqyrohen në këtë film nën skenarin dhe regjinë e Luàna Bajrami, e që mbrëmë u shfaq para publikut kosovar në kuadër të edicionit të 13-të të PriFest, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 20:30, ishin njerëzit e shumtë të cilët vrullshëm po mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar duke zënë vendet e tyre të distancuar. Pas pritjes të padurueshme të të pranishmëve dhe fikjes së dritave të ngrohta brenda sallës, filmi nisi hapjen e tij nën errësirën tashmë të mirënjohur nga çdo kush.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit. Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi.

Kamera precize e regjisores Luàna Bajrami, duket se pas çdo gremisje të paraqitur brenda rrjedhës së filmit, para publikut kosovar shfaq imazhe e peizazhe që i ngjasojnë fantazive e imagjinatave të mbyllura në thellësinë shpirtërore të qenies njerëzore, duke ngulitur kështu syrin e tij para ekranit me një rrënjosje të pamjeve diversive të kodrave dhe jo vetëm. Cicërima e zogjve në natyrë dhe ajo pranë ujit të kristaltë e krejtësisht të pasur, portretizonte lirinë e ëndërruar të tri personazheve kryesorë.

E teksa këto pamje paraqitnin një spektakël më vete porsi një tablo e pikturuar nga plasaritja e emocioneve e ndjenjave nga më të ndryshmet, filmi tregonte për jetën e tre vajzave, familjet e të cilave ndryshonin nga njëra-tjetra por që në thelb kishin të pikasur një mendësi pothuajse të njëjtë.

Fshatin në të cilën ato janë rritur duket se tashmë vajzave po iu shndërrohet në një labirint nga i cili nuk ka shpëtim e as dalje. Përderisa ato prisnin rezultatet e tyre për tu pranuar në Universitet përkundër mendimeve të prindërve të tyre, ambiciet e tyre nuk po mund të kalonin pas prangave të fshatit në të cilin po frymojnë. Por kërkimin e tyre për të qenë të pavarura në jetë nuk mund t’ia ndalë askush, andaj po njëlloj si emri i këtij filmi, këto luanesha nisin hungërimën e tyre e cila edhe do të ketë një fund të paparashikuar.

Në tentim për lirinë e tyre shumë të dëshiruar, gjatë rrugës për një të ardhme më të mirë, iu bashkëngjiten edhe dy personazhe të tjerë të interpretuar nën aktrimin e Andi Bajgores, dhe Luàna Bajramit. Por edhe pse kjo ndërhyrje do të ndikojë në jetën e tyre, udhëtimi i tyre po vazhdon pothuajse njëjtë. Prandaj, koha për të marrë përsipër vendimet për veten në duart e tyre pas përjetimeve të dhunës fizike dhe seksuale të përditshme si dhe varfërisë të vazhdueshme, tashmë ka gjetur vendin dhe kohën e duhur.

‘Luaneshat e Kodrës’, titullohet emri i bandës së tyre e që duket se për ta ishte zgjidhja e vetme dhe e fundit në një shtet ku ndryshe nuk funksionohet. Andaj, vjedhja e tyre e parë në një dyqan bizhuterish i siguron atyre një numër të madh parash, përmes të cilave ata shijojnë jetën në një shtëpi të braktisur e cila është shndërruar në strofullën e tyre të paqes. Por kjo fole e ruajtur me dashuri, lumturi e qetësi absolute së shpejti nuk do të jetë më e tillë.

Një arratisje e tyre drejt detit, do të shpalos historinë e dy dashurive të krijuara përgjatë këtij rrugëtimi e ku më në fund nën meloditë e këngës ‘Fëllënza’, buzëqeshjet e sinqerta, lumturia në sy njeriu dhe dhimbjet e varrosura brenda shpirtrave, zgjuan ndenja të bukura tek të pranishmit, duke i shtyrë ata të mendojnë se ata po i afrohen drejt një fundi të lumtur i cili do të zgjasë me po të njëjtat emocione. Por, sic edhe thuhet brenda filmit: gabimi i vetëm i tyre është kthimi në ferrin të cilin e lanë para disa ditësh.

E ky ferr i mbushur me gjak në skenën e fundit vulos fundin e këtij gabimi që shpërtheu zemrat e luaneshave në një gabim të papërmirësuar.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që zhurmuan sallën e Teatrit Kombëtar në një varg melodish të përsëritura për disa minuta. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Luaneshat e Kodrës’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Po ndjehem shumë e kënaqur dhe faleminderit shumë për pritjen. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e Kosovës dhe Francës, aktorët si dhe PriFest-in. Me qenë njeri dhe me pas ambicie është goxha e komplikuar, kështu që këtë film e kam bërë për inspirim. I kam pasur 18 vjet kur e kam shkruar dhe xhiruar e arritja dhe udhëtimi i këtij filmi, është goditje shumë e madhe për të gjithë ne”, thotë Bajrami.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Luaneshat e Kodrës’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Luàna Bajrami si dhe aktorët në rolet kryesore: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

“Unë kam dashur të flas për liri dhe me kriju një film që do ta kisha dëshirë ta shihja kur i kam pasur 15 vjet. Jam inspiruar prej shumë gjërave dhe kam dashur që këtë film ta mbajë në Kosovë sepse Kosova më inspiron por kjo tematikë për mua është shumë universale. Kështu që këto ndenja në film ndaj kësaj rinie, problematikat e kufizimet që i kanë, mendoj se e njëjta është edhe në Francë”, thotë Bajrami.

Sipas saj, është dashur të merret shumë vetëbesim nga vetja dhe të tjerët sepse filmi nuk pa pasur përkrahje në fillim por gjatë procesit të xhirimit, është arritur lidhja me disa partnerë të ndryshëm.

Ndërsa, aktorja Uratë Shabani foli rreth punës së saj me një regjisore vajzë.

“Po shkoj në audicion dhe po shkoj shumë vetvetja ashtu siç doja unë të isha e veshur. Kur hyra dhe e pashë Luanën, ishte një moment që më goditi papritmas. Prandaj, për të punuar me Luanën është fat shumë i madh, të paktën për mua sepse ky është filmi im i parë i gjatë dhe prej Luanës 18 vjeçare kam mësuar shumë më shumë se sa me regjisorët të cilët kam punuar më herët”, thotë Shabani.

Po ashtu, aktorja Flaka Latifi foli rreth të përbashkëtave të saj me rolin e saj në film.

“Në film e luaj rolin e Qe-së e cila ka shumë të përbashkëta me mua por gjithashtu ka edhe dallime. Qe është një vajzë me karakter shumë të fortë që po njëlloj e shoh edhe veten. Qe po ashtu është ambicioze dhe punëtore. Këto do të thoja që mund të janë karakteristikat e përbashkëta që Flaka i ka me Qe-në”, thotë Latifi.

Kurse, aktorja Era Balaj foli rreth punës së tyre në ekip dhe emocionit të saj gjatë premierës së filmit në PriFest.

“Së bashku me aktoret jemi bërë shumë shoqe dhe mendoj që kjo ka ndikuar në gjithçka mes neve. Ka mjaftuar njëherë me diskutu dhe kemi qenë në të njëjtën faqe për atë se çfarë kemi dashur të arrijmë. Kështu që dje ka qenë hera e dytë që e kemi parë filmin dhe mu është dukur si me pa për herë të parë”, thotë Balaj.

Gjithashtu, aktori Andi Bajgora foli rreth arsyes së interesimit të madh të publikut për të parë filmin.

“Nuk jemi mësuar të shohim shumë aktorë të rinj duke punuar në një projekt kaq të madh e as nuk jemi mësuar të shohim një regjisore kaq të re. Energjia jonë gjatë xhirimeve gjithçka e ka bërë interesant dhe ka shtyrë që edhe njerëzit tonë të interesohen për filmin”, thotë Bajgora.

‘Luaneshat e Kodrës’, filmi i parë i gjatë kosovar që ka shfaqur premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Shpaloset juria e kategorisë kryesore garuese të PriFest

Dhe tanimë pas publikimit të 6 jurive të kategorive të ndryshme garuese të PriFest, shpaloset edhe përbërja e Jurisë së kategorisë kryesore garuese, ajo e Filmave Ballkanik të metrazhit të gjatë.

Si rëndom gjatë 12 viteve, PriFest ka sjellur emra me renome të industrisë së filmit ndërkombëtarë. Dhe këtë edicion, ajo është në përbërje të:

– Matthijs Wouter Knol, Drejtori i Akademisë Europiane të Filmit (European Film Academy);

– Wilhelm Faber, nga festivali i mirënjohur Berlinale (Berlin International Film Festival), në departamentin e programacionit për më shumë se 25 vjet;

Chris Belloni, filmbërës i dokumentarëve, producent dhe drejtor i International Queer & Migrant Film Festival.

Kategoria garuese e filmave Ballkanik, e njohur më parë edhe si ‘Kinemaja e Mjaltës dhe Gjakut’, këtë vit shfaq 7 filma nga 5 shtete. Kjo kategori është kuruar nga Drejtori Artistik i PriFest, Fatos Berisha.

Gjithë filmat në këtë kategori do të kenë premierën kosovare në PriFest, por 1 do të ketë Premierë Ndërkombëtare ndërsa 2 nga filmat do të ketë Premierë Regjionale në edicionit e 13-të PriFest.

Filmat do të garojnë për cmimin kryesor Hyjnesha e kuqe, si dhe cmimet tjera në këtë kategori.

Që nga viti 2021, holandezi Matthijs Wouter Knol, është emëruar Drejtor i Akademisë Europiane të Filmit (EFA), institucioni që mbledh kineastët Europian dhe organizon eventin vjetor Cmimet Filmike Europiane (European Film Awards). Ai është anëtar i Bordit të International Coalition for Filmmakers at Risk (Koalicioni i kineastëve në rrezik), i bashkëfinansuar nga IFFR (Festivali i Rotterdamit) dhe IDFA (Festivali dokumentar i Rotterdamit) në vitin 2020.

Nga viti 2001, Matthijs ka punuar si producent i asocuar në shumë filma dokumentarë dhe ka bashkëprodhuar veprën e digjitalizuar të kineastit holande Johan van der Keuken (cmim në Prix Cahiers du Cinema, 2006). Poashtu, në ekspozita të instalacioneve filmike dhe fotografike me tematikë nga filmi, konferenca dhe publikime. Pas një pune të shkurtër në IDFA, Matthijs ka punuar për festivalin e mirënjohur Berlinale, si programeri kryesor në Berlinale Talents (2008-2014) dhe Drejtor i European Film Market (2014-2020). Matthijs është një aktivist, në cështjet anti-raciste dhe cështjet e diversitetit dhe politikave inkluzive brenda industrisë filmike Europiane.

Wilhelm Faber punën në menaxhmetin e Berlinales – Berlin International Film Festival për më shumë se 25 vjet. Fusha kryesore e punës së tij është Programacioni, zhvillimi organizacional dhe koordinimi i eventeve speciale. Që nga fillimi, selektimi i filmave të shkurtër ishte në qendër të punës së tij në këtë festival me renome botërore.

Chris Belloni është kineast i filmave dokumentarë, producent dhe Drejtor i International Queer & Migrant Film Festival, ku ishte edhe themelues, që nga viti 2015. Filmi i tij debutues ‘I am Gay & Muslim’ është shfaqur në festivale të ndryshme nëpër botë. Në vitin 2018, ai inicoi projekte me tematikë artistike-LGBT në Azerbejxhan dhe në Ballkanin perendimor. Në vitin 2020 ai nisi projektin shumëvjecar të aktivizmit dhe drejtave të njeriut në rajonin e Caraibeve. Kohë më parë ishte në juri të Teddy Award 2020, për filmin më të mirë queer në Berinale. Nga shtatori 2021 ai do të udhëheqë Supernova Cinema, një hapësirë alternative e kinemasë në qendër të Amsterdamit.

Listën e plotë të filmave në kategorinë garuese të filmave Ballkanik mund ta gjeni në prifest.org. / KultPlus.com

Festivali ‘Prifest’ shtyhet përsëri

Bëhet e ditur se Festivali Ndërkombëtar i filmit, ‘Prifest’, është shtyrë për në muajin tetor, edhe pse arsyet nuk dihen akoma, me shumë gjasë ka të bëjë me përhapjen e madhe të virusit Covid19 në Kosovë, njofton KultPlus.

Fatos Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ky festival do të mbahet në tetor të këtij viti, në platformën online. Ndërkaq datat e sakta nuk janë publikuar akoma. / KultPlus.com

Për një javë Prishtina do të shndërrohet në një qytet filmi

PriFest është një ndër festivalet më të rëndësishëm të filmit në Kosovë, i cili për njëmbëdhjetë vjet me radhë ka sjellur premiera të filmave si dhe emra të njohur të kinematografisë botërore, shkruan KultPlus.

Ketë edicion do të shfaqen 70 filma në katër lokacione në Prishtinë me 5 kategori garuese si dhe me 8 juri ndërkombëtare dhe kombëtare. Po ashtu do të jenë disa ekspertë të cilët do të vlersojnë filmat kosovarë dhe kështu do ta kenë mundësinë që të tejkalojnë qarqet e kufijve.

Sot është bërë hapja e festivalit, salla e Teatrit Kombëtar ishte e mbushur plotë si kurrë më parë. Udhëheqjen e hapjes e bëri aktorja nga Shqipëria Jonida Vokshi si dhe aktori nga Kosovar Eshref Durmishi, të cilët bënë një lojë atraktive skenike midis moderimit dhe aktrimit.

Drejtoresha e këtij festivali zonja Vjosa Berisha u shpreh shumë e kënaqur dhe mjaft falënderuese për të gjithë ata që ishin present dhe të gjithë ata që e përkrahen PriFestin.

 ‘Mirëse keni ardhë, jam shumë e lumtur që të shoh kaq shumë dashamirë të artit që në ditën e parë të Festivalit. Kosova ka pasur vetëm një kinema, ndërsa tash ne jemi të gatshëm të sjellim 70 filma dhe t’i shfaqim ato brenda një jave. Tani kemi më shumë kinema dhe jemi krenar për ketë. Kjo jave do të jetë javë e shoqërisë, shoqërimit dhe te bashkëpunimit’, u shpreh Berisha.

I pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili përshendeti realizuesit e festivalit dhe të gjithë artistët.

 ‘Si kryeministër i Republikës së Kosovës jam shumë i lumtur që jam këtu dhe jam i lumtur për t’i mbështetur njerëzit që kanë punuar shumë për ketë event dhe të gjithë komunitetin e kinematografisë. Jam i lumtur aq sa jeni ju artistët. ‘Fusha e mëllenjave’, filmi që do të shfaqet sonte paraqet jetën e vështirë që kemi pasur ne kosovarët dhe më të vërtetë kënaqësia që përjetojmë tani është reale’, tha Kryeministri Haradinaj.

Mbështetësi kryesor i PriFestit që nga fillimet e fesitvalit është Raiffeisen Bank ku shefi ekzekutiv i kësaj banke, zotëri Robert Ëright premtoi se do të vazhdoj ta mbështesë edhe në vazdhen e tij.

 ‘Jam i lumtur që për njëmbëdhjetë vjet me radhë e mbështesë ketë festival, i cili është I përmasave botërore dhe ka fituar famë botërore. Jam shumë krenar për suksesin që ka pasur dhe do të vazhdoj ta mbështesë për shumë vjet me radhë’, u shprej Robert Ëright në fjalimin e tij të hapjes.

Mysafir special i kësaj hapje ishte aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili kishte qenë një ndër vullnetmirët e festivalit që në fillimet e tij dhe më pas kishte shkuar në Amerikë. Atje luan në seriale të njohura ku ka prezantuar Kosovën në mënyren më të mirë të mundshme.

 ‘Është kënaqësi që jam sonte këtu edhe pse kam qëlluar krejt rastësisht meqe edhe sonte jam këtu. Kur kemi filluar me Vjosen ketë festival, kam qenë si lloj vullnetari dhe e kam dit që ky festival do të arrijë shumë lartë. Jam i lumtur që ky festival sot shënon 11 vjetorin’, theksoi Hoxha.

Në natën e parë të Festivalit do të jepet premiera kombëtare e filmit ‘Fusha e Mëllenjave’ e Arzana Kraja./KultPlus.com

“Prifest” bën thirrje për aplikim

Nën moton “Sfido veten për një javë, realizo një film TANI!” PriFest fton dhe u jep mundësinë film bërësve, aktorëve, regjisorëve, producentëve si dhe entuziastëve të fushës së filmit të jenë pjesë e programit Prishtina KinoKabaret.

Edhe këtë vit, tanimë nën udhëheqjen e regjisorit të talentuar Valter Lucaj, Prishtina KinoKabaret, do të ketë një dinamikë të veçantë, ku nëpërmes shoqërimit, diskutimeve dhe realizimit në terren, për një javë të plotë, gjatë festivalit PriFest do të mund të prodhohen filma të metrazhit të shkurtër me ekipe të krijuara spontanisht dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

Kino Kabaret është një mënyrë e re dhe inovative e film bërjes, ku artistëve, regjisorëve, producentëve dhe film bërësve, nga gjithë bota, profesionist apo amator, u ipet mundësi për prodhim të filmit në një mënyrë më të veçantë.

PriFest dhe Prishtina Kino Kabaret ofrojnë mundësinë e realizimit të filmave të shkurtër duke u bazuar në një spontanitet dhe bashkëpunim mes aplikantëve. Kurse, këta filma që rrjedhin natyrshëm, duke krijuar përmbajtje të madhe, mundësohet pa buxhet.

Programi Prishtina Kino Kabaret nuk ka karakter garues, ku rrjedhimisht nuk do të shpallet ndonjë fitues, por filmat, të cilët do të realizohen gjatë ditëve të festivalit 16-21 korrik, do të shfaqen në mbrëmjen e datës 20 korrik për mysafirët e shumtë të festivalit dhe audiencën e PriFest.

Aplikimi për Prishtina Kino Kabaret do të jetë i hapur deri më 10 qershor. / KultPlus.com

Vanessa Redgrave rikthehet në Prifilm Fest, sjellë dhembjen e refugjatëve

Alberina Haxhijaj

Aktorja britanik, Vanessa Redgrave, fituesja e dyfishtë në Festivalin e Kanës është rikthyer në Prishtinë në kuadër të PriFilm Fest për të sjellë filmin e saj debutues si regjisore, Sea Sorrow, shkruan KultPlus.

Filmi “Sea Sorrow” është një meditim shumë dinamik e personal rreth krizës aktuale të refugjatëve në botë përmes syrit dhe zërit të aktivistëve dhe fëmijëve që e kombinojnë të kaluarën me të tashmen. Dokumentarë dhe dramë për reflektimin e rëndësisë së të drejtave të njeriut.

Regjisorja Vanessa Redgrave tregon që e gjithë ideja prapa këtij filmi është që njerëzit të kuptojnë se çfarë po ndodh me refugjatët dhe të reagojnë në përkrahje të tyre.

“Edhe pse nuk kisha shumë pak buxhet mendova që duhet bërë një film që do të udhëtonte rreth botës. Edhe nëse shumë pak njerëz do e shihni, përsëri filmi do të arrinte që të përcjelltë njohuritë mbi të drejtat e njerëzve dhe ligjet pa të cilat nuk do të mund të funksionim”, u shpreh ajo.

Tutje duke ju drejtuar publikut Vanessa Redgrave, tha se edhe në mesin e publikut që është sonte këtu, ka artistë dhe ne të gjithë duhet të pyesim vetën se çfarë mund të bëjmë që të ndihmoj refugjatët. Sipas saj të gjithë duhet që të pyesim vetën sesi nuk po arrijmë që të dëgjojmë, nuk po arrijmë që të shohim atë që po ndodh dhe po bëhemi të pashpirt, jo njerëzor.

“Në çfarë botë po jetoj, si mundem që të fle, si mund të lejoj që njerëzit të vdesin”, janë pyetjet që regjisorja ia ka bërë vetës duke parë gjendjen e refugjatëve, raportimet që janë bërë por edhe duke i vizituar vet për së afërmi.

Titulli, “Dhimbja e Detit”, është marrë nga Tempesti i Shekspirit, në të cilin Prospero kërkon që vajza e tij të arratiset nga mbytja në det në një varkë të kalbur.

Recituar nga aktori fitues i Oskarit, Ralph Fiennes, fjalët kapin në mënyrë të përsosur tragjedinë e refugjatëve të cilët ikin nga lufta dhe varfëria e dhunshme në vendet e tyre, vetëm për t’u mbytur në det.

“Të gjitha deklaratat për të drejtat e njerëzve janë bërë që tmerret të cilat kanë ndodhur më parë të mos ndodhin përsëri”, thekson regjisorja.

Për të bërë edhe më të fuqishëm historinë aktorja shkon prapa në të kaluarën e saj si një e evakuuar nga Londra në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë si një vullnetare që ndihmon refugjatët hungarezë, para se të përfundon me një vizitë në një shkollë fillore në një kamp refugjatësh në Liban.

“Njerëzit harrojë prandaj ne si filmbërësit duhet që të ndihmojnë që gjërat të mos harrohen. Njëlloj siç po bëni ju këtu me këtë festival”, u shpreh ajo.

Redgrave lidhë të kaluarën dhe të tashmen në mënyrë që të ngrejë pyetje rreth mbrojtjes dhe sigurisë në kontekstin e të drejtave të njeriut.

Ligjet si Konventa e të Drejtave të Njeriut apo leximi i titujve të gazetave që janë shkruar kohë më parë, të japin përshtypje se ato në fakt paraqesin situatën e tanishëm.

Regjisores përmes filmi të saj dhe historive që sjellë dhe sidomos përmes retrospektivës prapa në kohë tregoj se çdo kush në një mënyrë apo tjetrën ka qenë refugjatë apo mund të jetë një refugjat. /KulPlus.com

PriFilm Fest sonte shpallë fituesit e edicionit të 10-të

Sonte përfundon edicioni i 10-të i PriFilm Fest. Festivali mes datave 17 dhe 22 korrik, solli gjithsej 58 filma cilët u shfaqen në programe të ndryshme garuese dhe jo-garuese, shkruan KultPlus.

Në kuadër të këtij edicioni u dhanë 6 premiera botërore, 2 ndërkombëtare, 3 evropiane dhe 14 regjionale.

Më poshtë KultPlus ju risjellë filmat që ishin pjesë e këtij rrugëtimi ku mund të zbuloni edhe filmat garuese për çmimet e këtij edicioni.

Programi garues i filmave evropian:

1. “APOSTASY” – Daniel Kokotajlo / 1h 35 min / Angli, Dramë, 2018 (nga PlayUK)
2. “FOAM AT THE MOUTH” – Janis Nords / 79 min / Letoni, Poloni, 2017
3. “I WAS A DREAMER” – Michelle Vannucci / 97 min / Itali, 2016
4. “WAJIB” – Annemarie Jacir / 96 min / Palestinë, Francë, Gjermani, Kolumbi, Norvegji, Katar, 2017
5. “WHEN THE TREES FALL” – Marysia Nikitiuk / 1h 28 min / Ukrainë, 2018
6. “ANCHOR AND HOPE” – Carlos Marques-Marcet / 111 min / Spanjë, Angli 2017 (LGBTQI)

Programi garues i filmave të Ballkanit (HONEY AND BLOOD):

1. “DIRECTIONS” – Stephan Komandarev / 103 min / Bullgari 2017
2. “THE WITCH HUNTER” – Rasko Miljkovic / 86 min / Serbi, Maqedoni 2018
3. “MEN DON’T CRY” – Alen Drljević / 100 min / Bosnje dhe Herzegovinë, Slloveni, Kroaci, Gjermani 2017
4. “YEAR OF THE MONKEY” – Vladimir Blazevski / 112 min / Maqedoni, Kosovë, Serbi 2018
5. “COMIC SANS” – Nevio Marasović / 103 min / Kroaci 2018
6. “NJË TREGIM PRISHTINE” / “A PRISHTINA STORY” – Burbuqe Berisha / 85 min / Kosova 2018
7. “HISTORI MAJË KULMI” / “ROOFTOP STORY” – Gazmend Nela / 75 min / Kosovë, Maqedoni 2017
8. “THE SMELL OF MONEY” – Ahmet Boyacioglu / 99 min / Turqi 2018
9. “ZER” – Kazım Öz / 110 min / Turqi 2017
10. “KTHIMI” / “THE RETURN” (FILM JO-GARUES) – Kastriot Abdyli / 84 min / Maqedoni, Kosovë 2018

Programi garues i filmave të metrazhit të mesëm:

1. “KLITHMA” / “SCREAM” – Korab Lecaj / 27 min / Kosovë, 2018
2. “MARY” – Juraj Primorac / 29 min / Kroacia, 2017
3. “THE APP” – Thomas Grascœur / 26 min / Francë 2016
4. “THE SERVANTS” – Marwan Khneisser / 25 min / Francë, 2017
5. “CHOCOLATE WIND” – Ilia Antonenko / 23 min / Rusi, 2016
6. “FALLOU” – Alassane Sy / 30 min / Angli, Senegal, 2017
7. “LEGEND OF THE RICE GRAIN” – Lukasz Pethe / 45 min / Gjermani, 2016
8. “A DISCRETION” – Cédric Venail / 50 min / Francë 2017
9. “FLORIAN’S LAST CLIMB” – Harold Chapman / 25 min / Gjermani, 2018
10. “ECLAIR” – Marko Gjokovik / 30 min / Maqedoni, 2016

Programi garues i filmave dokumentarë:

1. “ARCADIA” – Paul Wright / 1h 18 min / Angli, 2017 (nga PlayUK)
2. “THE LAST TAPE” – Cyprien Clément-Delmas, Igor Kosenko / 12 min / Gjermani, 2017
3. “THE UNITY OF BIRDS” – Cruz Lisandro Morena / 29 min / Argjentinë, Meksikë 2017
4. “MR.GAY SYRIA” – Ayse Toprak / 1h 25 min / Turqi, 2017 (LGBTQI)
5. “UPON THE SHADOW” – Nada Mezni Hafaiedh / 1h 20 min / Tunizi 2017
6. “BURKINABÈ RISING: THE ART OF RESISTANCE IN BURKINA FASO” – Iara Lee / 72 min / SHBA, Belgjikë, Burkina Faso
7. “NOTHING IS FORGIVEN” – Vincent Coen, Guillaume Vandenberghe / 1h 1 min / Belgjikë, Francë 2017
8. “THE KITMAN” – Andres Cornejo / 25 min / Ekuador, 2017
9. “MAN MADE” – T Cooper / 1h 38 min / SHBA, 2018 (LGBTQI)

Programi garues i filmave studentorë:

“THIS MUST BE THE RITUAL” – Robin Lipo / 14 min / Poloni 2016
“REENACTMENT” – Jerónimo Atehortúa Arteaga / 25 min / Bosnje & Herzegovinë, Kolumbi 2018
“BIG SISTER” – Michal Gassner / 13 min / Izrael 2017
“PULSE” – Eyal Tzadik / 13 min / Izrael 2017
“MUSTACHELAND” – Ercan Küçük, Esen Tan, Balen Zangana, Oya Aytimur Duman, Emre Güvenç, Fatih Yaşın, Doğacan Güneş Perkün, Ayşe Yörükoğlu, Tilbe Cana İnan, Emre Çücük / 8 min / Turqi 2017
“ROOTA” / “THE WHEEL” – Doki Qerimi / 8 min / Kosovë 2018
“DIELLI” / “SUN” – Mjellma Istrefi / 12 min / Kosovë, Itali 2018

Programi i filmave eksperimentalë:

“IN BETWEEN TAKES” – Alexei Dmitriev / 17 min / Rusi 2017
“ONE AND MANY” – Jonas Bak / 19 min / Kamboxhia, Angli 2017
“AS YOUR WITNESS” – João Pupo / 18 min / Portugali 2018
“GALINHAS NO PORTO” – Caio Zatti, Luís Henrique Leal / 20 min / Brazil 2018./ KultPlus.com

PriFilm Fest zbulon “Kosovo’s Rising Stars” të edicionit të 10-të

Alberina Haxhijaj

“Kosovo’s Rising Stars” është një program i ri në kuadër të PriFilm Fest, që ka filluar vitin e kaluar dhe që ka për qëllim promovimin e aktorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë edicioni të 10-të, Yjet e Kosovës në ngritje, të përzgjedhur nga PriFilm Fest janë: Afrim Muçaj, Armend Smajli, Bujar Ahmeti, Doresa Rexha, Fatlume Bunjaku, Florist Bajgora, May-Linda Kosumovic, Rifat Smani, Rina Krasniqi dhe Shpëtim Selmani.

Aktorët të cilët u zgjedhën në kuadër të këtij programi vlerësohen si një aset i çmuar i Kosovës në kuptimin e industrisë filmike.

Festivali përmes përzgjedhjes që bënë mundohet që të promovojë artistët dhe punën e tyre tregoi për KultPlus Fatos Berisha një ndër themeluesit e festivalit PriFilm Fest.

“Vitin e kaluar e kemi lansuar këtë projekt, kjo është hera e dytë. Do të tentojmë si festival që të ndihmojmë në promovimin e aktorëve sidomos në arenën ndërkombëtare në mënyrë që sa më shumë regjisorë dhe producent të huaj por edhe vendor të kenë mundësi që të njihen më punën e tyre, e që mund të rezultojë me angazhimin e tyre në projekte ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në kuadër të Prifilm Fest sot në sallën e vogël të teatrit Kombëtar u dha një projeksion i veçantë, para të pranishmëve. Aty u treguan disa sekuenca nga filma të ndryshëm ku luajnë aktorët e përzgjedhur si pjesë e programit “Kosovo’s Rising Stars”.

“Në mesin e miqve të festivalit, ndërkombëtarëve por edhe para aktores Vanessa Redgrave, patëm prezantimin e aktorëve që janë pjesë e ‘Kosovo’s Rising Stars’. Ne do të vazhdojmë edhe në vitet në vijim për të përkrahur promovimin e aktorëve. E mira e gjithë kësaj është që ne kemi se çfarë të promovojmë pasi që kemi aktorë të mirë dhe dëshira jonë nuk mungon”, theksoi tutje Berisha.

Aktorët do të prezantohen përsëri në përmbyllje të edicionit të 10-të të festivalit pasi që dita e sotme mund të konsiderohet si një projeksion në hapësirë më të vogël, e që ishte i dedikuar për njerëzit të cilët janë pjesë e industrisë filmike.

“I jam shumë falënderues PriFilm Fest-it që na ka ftuar, është nder për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë vetën tonë. Është nder të jemi pjesë e të zgjedhurve si “Yjet e Kosovës në ngritje”, u shpreh aktori Shpëtim Selmani.
Të jesh pjesë e kësaj përzgjedhje sipas aktores Fatlume Bunjaku është shumë e rëndësishëm për faktin se disa prej tyre, duke përfshirë edhe aktoren Bunjaku, janë në fillim të karrierës së tyre si aktorë.

“Besoj që rëndësia qëndron edhe te fakti se kjo bëhet pikërisht në kuadër të PriFilm Festi-it një festival i cili çdo vit e më shumë ka evoluar duke përfshirë këtu edhe mysafirët me nam botëror. Mbështetja e artistëve të ri është shumë e rëndësishme dhe ndjehem shumë e privilegjuar edhe për faktin që puna jonë është prezantuar edhe para aktores Vannesa Redgrave”, theksoi aktorja Fatlume Bunjaku për KultPlus.

Pikërisht ideja e projekti dhe përzgjedhja e vitit të kaluar ka qenë mjaft intriguese për aktoren Doresa Rexha e cila këtë vit përcolli përsëri ceremoninë e prezantimit, por tani si pjesë e ekipit të përzgjedhur nga festivali.

“Vitin e kaluar vetëm e kam përcjellë këtë program si shikuese dhe e kam vlerësuar shumë idenë e këtij programi. PriFilm Fest çdo herë është befasuese me përkrahjen që ua jep aktorëve. Kur mora lajmin që këtë vit unë jam pjesë e përzgjedhjes ishte një privilegj i madh”, u shpreh ajo për KultPlus.

Vitin e kaluar pjesë e përzgjedhjes në kuadër të “Yjet e Kosovës në ngritje”, ishin aktorët: Andi Bajgora, Blerta Ismaili, Dukagjin Podrimaj, Lum Veseli, Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com

“Më falni”, fjala e fundit e terroristit në filmin e Besim Ugzmajlit

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në kuadër të PriFilm Fest në Teatrin Kombëtar të Kosovës është shfaqur filmi “Forgive Me” i regjisorit Besim Ugzamajli, shkruan KultPlus.

PriFilm Fest ka pushtuar mbrëmë skenën e madhe të Teatrit Kombëtar për të sjellë një seri filmash, të cilët erdhën një pas një. Në mesin e tyre ishte edhe premiera kosovare e filmit “Forgive Me”.

Filmi në qendër të tij ka një dramë sa familjare aq dhe shoqërore. Në fokus të tij janë dy vëllezër. Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Në anën tjetër Bujari nuk e mendon kthimin madje e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta.

Mirëpo rrugëtimi për të ardhur deri të premiera nuk ka qenë i lehtë as për personazhet dhe as për ekipin, tregoi regjisori i filmit Besim Ugzmajli, i cili me të përfunduar filmi mori fjalë para publikut që ishte i pranishëm.
Regjisori Ugzmajli falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm, për nderimin që i kanë bërë me pjesëmarrjen e tyre ekipit të filmit por edhe festivalit.

“Kam qenë pjesë e PriFilm Fest edhe më përpara dhe tani po rikthehem përsëri në edicionin e tij të dhjetë dhe ju uroj edhe shumë edicione të tjera këtij festivalit”, u shpreh regjisori.

Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala dhe më përkrahje të ekipit i cili ka besuar në film dhe në idenë e filmit.

“Kemi dashur që t’i tregojmë audiencën botërore por edhe audiencën në Kosovë një histori e cila ka kaluar vazhdimisht nëpër ne vitet e fundit”, u shpreh regjisori.
“Forgive me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë, siç janë: Manchester Film Festival, Semana de Cine Internacional de Medina del Campo, Atlanta Film Festival e të tjerë.

“Pa dashur që ta bëjë shumë dramatike, mirëpo më duhet të them se nuk ka qenë e lehtë të merremi më këtë temë, ta dërgojmë deri në fund por as t’i qëndrojmë mbrapa pas publikimit të tij. Filmi është në mesin e rrugës së tij dhe ky është edhe festivali i 13-të që po prezantohet. Është kënaqësi që u shfaq edhe para publikut kosovar”, u shpreh ai duke theksuar se ky film i metrazhit të shkurtë e ka një rrugë të gjatë para tij.

Aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.

“Forgive me”, në PriFilm Fest ka ardhur në kategorinë “IN ALBANIAN” si shfaqje speciale në kuadër të festivalit dhe nuk është në garë./KultPlus.com

Nga protestat në Kosovë, në kërkim të ‘Diellit’

Alberina Haxhijaj

Përveç programeve tradicionale filmike të PriFest-it, edicioni i dhjetë ka sjellë edhe dy programe të reja duke përfshirë këtu Programin Garues të filmave Studentorë.

Pjesë e kësaj kategori është edhe filmi “Dielli”, premiera e të cilit u dha mbrëmë në kuadër të festivalit, shkruan KultPlus.

Filmi “Dielli” me regji të Mjellma Istrefit, studente e Filmit dhe Mediave Dixhitale në Universitetin Amerikan në Romë, është një projekt studentor i cili përshkruan një situatë të caktuar politike në Kosovë, parë nga këndvështrimi i regjisores.

Profesori i tregon studentëve të tij për mitin, dielli djegë gjithçka që prek, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë. Një studente është mjaft e guximshme, ja shpjegon profesorit se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e tij.

Profesori bindet që ajo ka të drejtë dhe vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim. Mirëpo kur ajo konsiderohet e çmendur dhe izolohet, a do vazhdojë ta përkrah profesori këtë kauzë?

“Ideja e filmit ka ardhur prej gjendjes në Kosovë ku ka pasur shumë protesta gjatë asaj kohe dhe askush nuk diskutonte me askënd. Ka qenë mënyra sesi unë e kam pa këtë situatë pasi që nuk merrem shumë me politikë. Pra ka qenë sesi unë e kam pa situatën, apo unë në vend të një njeriut që nuk po kupton shumë se çfarë po ndodh, mirëpo që po e dinë që po shkojmë herë në një anë e herë në tjetrën po nuk po shohim dritë në asnjërën anë”, u shpreh regjisorja.

Në film rolin e studentes e luan aktorja Trina Ukmata ndërsa profesorin aktori Shkumbin Istrefi. Regjisorja pas shfaqjes së premierës, falënderoi të dy aktorët por edhe gjithë ekipin për punën e bërë.

“E gjithë kjo punë është realizuar falë ekipit i cili ka punuar shumë dhe i jam shumë falënderues. Sigurisht një falënderim shumë i madh shkon për Shkumbin Istrefin pasi që ky skenar është shkruar dhe rishkruar 100 herë me të vetmen arsye, e kam dashur atë si aktorë në këtë film. Mirëpo, kur e ka lexuar herën e parë ai ka thonë që unë nuk aktroj në këtë film kështu që unë është dashtë ta shkruaj e rishkruaj derisa kemi arritur në këtë që e patë edhe ju sonte”, përfundoi regjisorja e re Mjellma Istrefi.

Edicioni i 10-të i PriFilm Fest po vazhdon akoma. Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë këtu për të mësuar më shumë se cilët filma do të shfaqen sonte në kuadër të festivalit./KultPlus.com

Program 2018


Bletari, roli i ardhshëm i Nik Xhelilajt në “Milk & Honey”

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Prishtinë u dha premiera e filmit “Zer” ku luan shqiptari Nik Xhelilaj, i cili tashmë i është përveshur punës për të realizuar projekte të tjera filmike. Personazhi i tij i ardhshëm do të jetë një bletar, shkruan KultPlus.

Aktori Nik Xhelilaj është duke bërë xhirimet në Berlin të Gjermanisë për serialin Milk & Honey.

“Për momentin jam duke xhiruar një serial në Gjermani në Berlin, aty luajë një bletar i cili kur nuk i ecën puna me mjaltin u bënë edhe ‘favore’ grave. Është një skenar shumë i mirë, një histori shumë e lezetshme ku jemi katër shok. Dhe unë jam shoku emigrant në këtë film”, u shpreh ai për KultPlus.
Sipas tij pjesëmarrja në këtë serial e bënë të lumtur pasi që do të ketë mundësi që të shoh edhe pjesë të tjera të Berlinit.

Në audicion personazhi i aktorit Xhelilaj kishte kombësi tjetër por pas audicionit është vendosur që ai të jetë shqiptar duke e bërë rolin e tij edhe më origjinal.

“Është hera e parë që është një prodhim jashtë Shqipërisw dhe ku shqiptari nuk paraqitet si mafioz por është një personazh shumë interesant. Shpresoj qw kwtw serial ta blejë ndonjë televizion në Shqipëri apo edhe në Kosovës pwr ta transmetuar sepse wshtw një projekt ku luan një aktor shqiptar dhe besoj do ishte interesantpwr shikuesit shqiptar, pse jo”, u shpreh ai.

Momentalisht aktori Nik Xhelilaj është duke luajtur në një serial në Turqi ku janë xhiruar katër seri dhe do të vazhdojnë xhirimet përsëri. Edhe në këtë serial ai portretizon një shqiptar nga Prizreni i cili është terrorist.
“E mira e serialit është që histori e tij çdo herë ndryshon kështu që do presim sesi do të rrjedhë historia e prizrenasit”, u shpreh ai.

Aktori Nik Xhelilaj po qëndron në Prishtinë në kuadër të Prifilm Fest, ku u paraqit premiera e filmit “Zer” në të cilin rolin kryesor e ka ai. /KultPlus.com

“Gjumë dhe Dashuri”, premiera e radhës në PriFilm Fest

Alberina Haxhijaj

Filmi ‘Gjumë dhe Dashuri’ me skenar nga Arsim Haliti dhe Arian Krasniqi e me regji nga Arsim Haliti u dha mbrëmë premierë në PriFilm Fest, shkruan KultPlus.

Në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit të filmi, PriFilm Fest, një vend të veçantë po e zënë produksionet vendore. “Gjumë dhe Dashuri” është filmi i radhës i cili erdhi mbrëmë në kuadër të këtij festivali. Premiera e të cilit u dha te platoja në sheshin “Zahir Pajazit”.

Film flet për Astritin, i cili përpiqet që të shërojë vajzën e tij, Zanën, e cila prej muajsh ka rënë në koma si pasojë e një aksidenti automobilistik. Në momentin kur Astriti vendos ta shesë edhe shtëpinë për ta dërguar vajzën e tij jashtë vendit, mjekët zbulojnë se Zana është shtatzënë. Ky lajm e trondit Astritin. Ai bie në konflikt me gruan e tij, në përpjekje për të zbuluar se me kënd ka mbetur shtatzënë Zana. Astriti vihet në kërkim të babait të fëmijës së palindur e që vazhdon të rritet në barkun e vajzës së tij.

Pikërisht tematika që ka filmi e bënë këtë film të veçantë u shpreh producenti Valon Bujupi sipas të cilit pika kulminante e filmit është biseda në mes të Astritit dhe Zanës.
“Tradita dhe mentaliteti janë diçka që lidhen me këtë film e që vërehen të gjeneratat më të vjetra. Këtë mund ta gjejmë te babai, te Astriti dhe te konflikti i tij me gruan e tij. Astriti brenda vetës e ka një konflikt. Ai përpiqet që ta shpëtoj vajzën por në anën tjetër i kushton vëmendje asaj se çfarë thonë të tjerët për të dhe familjen e tij”, u shpreh Bujupi.

“Gjumë dhe Dashuri” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa xhirimet për këtë film kanë përfunduar për 13-të ditë pune dhe është xhiruar në 5 lokacione të ndryshme.

“Buxhetin që e kemi kërkuar nga QKK-ja, ka qenë 60 mijë euro mirëpo na kanë ofruar vetëm 35 mijë euro kështu që të gjithë filmin e kemi realizuar me këtë buxhet. Kemi bërë shumë reduktime mirëpo merita më e madhe për realizmin e filmit i takon ekipit të cilët kanë punuar shumë”, u shpreh Bujupi.

Sipas tij dashuria për projektin dhe besimi që ka pasur ekipi në këtë film ka bërë që ata të vazhdojnë punën.
“Nëse e marrim dhe e analizojmë skenarin dhe filmin, për mendimin tim, filmi e ka tejkaluar skenarin. Kjo është diçka shumë e mirë pasi që i jam frikësuar skenarit. Kam menduar se ndoshta nuk kemi material të mjaftueshme mirëpo tani jemi shumë të kënaqur me rezultatin”, u shpreh producenti Bujupi

Filmi “Gjumë dhe Dashuri” në PriFilm Fest ka ardhur si projeksion special dhe nuk është në garë, ndërsa pritet që rrugëtimin e tij ta vazhdojë edhe në festivale të tjera.

“Falënderojmë shumë PriFilm Fest i cili na ka ofruar mundësin për të qenë pjesë e tyre dhe që vazhdimesh na përkrahin. Këtu do të apeloja tek të gjitha festivalet vendore që të kenë përkrahje më të madhe sidomos për projektet vendore pasi që buxheti me të cilin po realizohen filma është i vogël”, përfundoi Valon Bujupi.

Edicioni i 10-të i Pri Film Fest vazhdon deri më 22 korrik. Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest./KultPlus.com

Turqia e censuroi filmin ku luan Nik Xhelilaj, Prishtina e sheh të plotë

Alberina Haxhijaj

“Oh Zer oh Zer, i dashuri i kujt është Zer, dashnori im me flokë të gjatë” është pjesa e këngës që do të ju pushtojë nëse shihni filmin “Zer”, të regjisorit Kazım Öz. Në këtë film, premiera e të cilit u dha mbrëmë në Prishtinë në kuadër të PriFilm Fest, luan edhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj, shkruan KultPlus.

Duke realizuar dokumentarin “Dûr” në Dersim, regjisori Kazım Öz dëgjoi këngën “Zer” e cila e pushtoi atë. Regjisori i dashuruar pas kësaj kënge filloi kërkimet për të gjetur versionin e plotë të kësaj kënge. Kështu kjo histori kërkimi 5 vjeçar shërbeu si një histori intriguese për të realizuar edhe një film.

Zer shpalos tregimin e Jan dhe të gjyshes së tij Zarife. Zarife e sëmurë dërgohet për shërim në New York ku fillon që të njihet më mirë me nipin e saj. Nipi, pas vdekjes së gjyshes së tij hidhet në kërkim për të gjetur burimin e këngës “Zer” të cilën ia këndoi gjyshja e tij. Ndërsa, ai gjurmon për këngën “Zer”, e gjen vetën në Dersim, në mes të gërmadhave të masakrës, duke zbuluar edhe sekretin e gjyshes së tij, Zarifes. fëmija që i shpëtoi masakrës në Dersim në vitin 1938. Kështu Jan gjersa kërkon këngën kërkon edhe vetën e tij.

Pikërisht historia e filmit e cila është realizuar në një mënyrë shumë poetike, është financuar nga Ministria për Kulturë dhe Turizëm në Turqi, mirëpo është censuruar pastaj nga e njëjta qeveri. Censurimi i filmit bëri që njerëzit të udhëtonin nëpër qytetet ku filmi nuk ishte i censuruar për ta parë atë, tregoi regjisori Kazım Öz.

“Në Turqi mbi shtatë skena të këtij filmi janë censuruar”, thekson regjisori.

Filmi ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e festivalit të filmit në Stamboll, ku do të jepej premiera e pacensuruar, mirëpo më vonë u kërkua largimi i këtyre shtatë skenave.

“Ajo që bëra ishte se largova skenat mirëpo ato pjesë i lash me të zeza. Kështu kur filmi u kthye në komision kishte minutazhin e plotë, mirëpo me pjesë të zeza dhe në titra kishim shënuar: “Këto skena ti publik i dashur, nuk i shikon dot pasi që Ministria e Kulturës i ka censuruar”, tregoi regjisori Kazım Öz i cili tregoi se pas kësaj premierën shumica e kinemave u tërhoqën për të shfaqur filmin.

Mirëpo gjithë kjo nuk e ndaloi suksesin e filmit i cili tejkaloi parashikimet dhe mori shumë kritika pozitive. Për aktorin shqiptar Nik Xhelilaj, i cili luan Jan, censurimi ishte shumë i padrejtë mirëpo beson në thënien se “Filmi e gjen rrugën e tij vet”, diçka që ai beson që do ndodh edhe më këtë film.

“Nuk është e lehtë që të marrësh pjesë në një film ku gjuha që flitet nuk është gjuhë e nenës tënde. Mirëpo unë u lidha me skenarin që në lexim të parë. Madje mendoj që në film ka ndikuar shumë edhe fakti që unë nuk kam ndonjë lidhshmëri me ngjarjet që kanë ndodhur çfarë ka shërbyer në të mirë të filmit. Pastaj, ajo që më ka intriguar që në fillim kanë qenë edhe lokacionet ku do të xhirohej filmi, u shpreh ai.

Film “Zer” e riktheu aktorin në Prishtinë por edhe në PriFilm Fest, një festival i cili është shumë i veçantë për aktorin.

“Në Prishtinë vij gjithmonë me shumë dëshirë, sidomos kur vijë edhe me film, i cili është edhe në garë të festivalit. Për mua , po nuk pati Nik nuk ka as PriFilm Fest, pasi që isha këtu që në edicionin e dytë të festivalit dhe për mua ai mbetet momenti më i rëndësishëm. Ishte hera e parë dhe mora kritika shumë pozitive pastaj edhe çmimin” ka thënë Nik Xheilaj, i cili më pas ka thënë se komentet që ka marë në këtë festival janë edhe ato të krahasimit me Bekim Fehmiun, duke e quajtur si Bekimi i ri, dhe për vetë Xhelilajn, këto komente kanë një rëndësi shumë të madhe, prekëse dhe të paharrueshme.

Edicioni i 10-të i Pri Film Fest vazhdon deri më 22 korrik. Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest./KultPlus.com

PriFest shpalos juritë e edicionit të dhjetë

Pak ditë para fillimit të edicionit të dhjetë të festivalit, PriFest ka shpalosur juritë e të gjitha programeve garuese, e ato sivjet janë gjithsej tetë, shkruan KultPlus.

Si zakonisht, edhe në këtë edicion, PriFest sjell emra eminent të kinematografisë ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, të cilët së bashku me pjesëtarët e jurisë nga bota e medias dhe studentëve, do të vlerësojnë të gjitha kategoritë garuese në festival.

Në kategorinë kryesore garuese, atë të filmave Ballkanik, të quajtur ‘Mjaltë dhe gjak’, juria përbëhet prej: Johannes Naber, regjisor dhe skenarist nga Gjermania, i njohur me filmin e tij ‘Der Albaner’, i cili ndër tjerash fitoi çmime edhe në PriFest. Pastaj, Hayet Benkara, konsulente e skenarit, këshilltare programi për Toronto Film Festival nga Franca dhe Kanadaja, si dhe Izabel Igel, producente filmi nga Polonia.

Nga juria e programit garues të filmave evropian, këtë vit është: Ahmet Boyacioglu, programer i festivaleve, regjisor e producent i njohur nga Turqia, udhëheqës shumëvjecar i pavilionit Turk në Cannes dhe Berlinale. Pastaj, Tina Hajon, producente dhe programere e festivaleve nga Kroacia, si dhe Almir Djikoli, drejtor i fotografisë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në jurinë e filmave dokumentarë janë: Simon Wilkinson, ekspert në lëminë e “VR – Virtual Reality dhe AR – Augmented Reality” nga Briania e Madhe, së bashku me Ajola Xoxën, regjisore dhe juriste nga Shqipëria dhe Shkëlzen Gashin, hulumtues dhe autor nga Kosova.

PriFest mbetet festivali i vetëm në Kosovë në të cilin FIPRESCI (Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit) dërgon juri për të vlerësuar filma. Ky fakt vetvetiu është edhe vlerësim për PriFest. Kjo është tashmë hera të tretë që juria e FIPRESCI është prezente në PriFest, dhe këtë vit përbëhet nga: Ziga Brnik (Slloveni), gazetar në “Večer”, “Film Magazine Ekran” dhe “Magazine Manager”, Rita Di Santo (Angli), gazetare në “Daily Mirror”, “Morning Star” dhe “The Tribune”, si dhe Ingrid Beerbaum (Gjermani), gazetare në www.weltexpress.de, “35mm radio show”, “Deutschlandradio” dhe “kunstundfilm.de”, që të tre kritikë të mirënjohur të filmit.

Këtë vit, në PriFest është shtuar edhe një kategori garuese, ajo e filmave studentorë ndërkombëtarë, andaj edhe një juri ndërkombëtare i është shtuar festivalit. Juria e programit garues ndërkombëtarë të filmave studentorë përbëhet nga: Ema Ndoja, aktore (Shqipëri/Gjermani), Cheryl Johnson, skenariste, regjisore (Afrikë e Jugut) dhe Jana Wolf nga European Film Market (Gjermani).

Më poshtë është lista e plotë e anëtarëve të të gjitha jurive të programeve të PriFest-it:

1. Juria e programit garues të filmave evropian:

Ahmet Boyacioglu – regjisor, programer i festivaleve dhe producent (Turqi)
Tina Hajon – producente, programere e festivaleve (Kroaci)
Almir Djikoli – xhirues (Bosnje dhe Hercegovinë)

2. Juria e programit garues të filmave Ballkanik “Mjaltë dhe gjak”
Johannes Naber – regjisor dhe skenarist (Gjermani)
Izabel Igel – producente (Poloni)
Hayet Benkara – menaxhere e programeve për industri filmike (Francë, Kanadë).

3. Juria e programit garues të filmave metrazhit të mesëm
Norika Sefa – filmbërëse (Kosovë)
Marija Perovic – regjisore, producente, skenariste (Mal i Zi)
Florenc Papas – filmbërës (Shqipëri)

4. Juria e programit garues të filmave dokumentarë
Ajola Xoxa – regjisore dhe juriste (Shqipëri)
Simon Wilkinson – ekspert në “VR & AR” (Britani e Madhe)
Shkëlzen Gashi – hulumtues, autor (Kosovë)

5. Juria e programit garues të filmave ndërkombëtarë studentorë
Ema Ndoja – aktore (Shqipëri/Gjermani)
Cheryl Johnson – skenariste, regjisore (Afrika e Jugut)
Jana Wolf – Europan Film Market (Gjermani)

6. Juria FIPRESCI
Ziga Brnik – kritik i filmit, gazetar, redaktor (Slloveni)
Rita Di Santo – kritike e filmit, historiane (Angli)
Ingrid Beerbaum – PR, gazetare, kritike e filmit (Gjermani)

7. Juria e pavarur e studentëve kosovarë (për filmat e metrazhit të mesëm)
Dardania Kajdomqaj – studente e drejtimit “Komunikim Masiv dhe Produksion” AAB (Kosovë)
Ulpiana Maloku – studente e dramaturgjisë, skenariste (Kosovë)
Gentrit Syla – student i drejtimit “Regji Filmi dhe TV” (Kosovë)

8. Juria e mediave
Kozeta Kurti – gazetare, moderatore (Shqipëri)
Ilir Ajdini – gazetar, shkrimtar, dramaturg, përkthyes (Kosovë)
Majlinda Aliu – gazetare (Kosovë)./KultPlus.com