Likaj: Mësuesit janë faktor kyç për emancipim shoqëror

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj me rastin e 7 marsit, ka uruar të gjithë mësuesit, duke theksuar se ata janë faktori kyq për emancipimin shoqëror, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Likaj ka shkruar se pikërisht kjo datë, 7 Marsi na përkujton marsin e 1887-ës, kur në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe nën drejtimin e Pandeli Sotirit.

Në ditën e tyre, 7 marsin, urojmë dhe nderojmë të gjithë mësuesit! Kjo datë na përkujton 7 marsin e 1887-ës, kur u hap…

Posted by Ramë Likaj on Saturday, March 6, 2021

7 Marsi na rikujton themelet e para të shkollës shqipe, mirëpo marset shënohen si festë që nga vit 196-të kur dhe shteti shqiptar i asaj kohe e kishte vendosur këtë për të përkujtuar hapjen e Mësonjëtores së parë Shqipe./ KultPlus.com

Likaj: Gjysmëvjetori i parë në shkolla përfundon më 18 dhjetor

Gjatë një vizite në komunën e Ferizajt, ministri i arsimit të Kosovës, Ramë Likaj ka folur edhe sa i përket vendimeve që do të merren për shkollat.

Likaj njoftoi sot se në kuadër të masave të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ministria e arsimit të Kosovës ka vendosur që gjysmëvjetori i parë në shkollat fillore të dhe mesme të përfundojë më 18 dhjetor të këtij viti, ndërsa gjysmëvjetori i dytë të fillojë më 11 janar 2021. / KultPlus.com

Rritja e rasteve me COVID-19, ministri i Arsimit ka një thirrje për nxënësit dhe mësimdhënësit

Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ka reaguar edhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i cili u ka bërë thirrje nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve që t’i respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga Minstria e Shëndetësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Likaj tha se të gjithë duhet të punojnë për parandalimin e COVID-19 në mënyrë që të mbahet mësimi nëpër shkolla.

“Rastet me COVID-19 po rriten përditë. Ju bëjmë thirrje nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe stafit të shkollave, që të respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga MSh dhe IKShPK. Asnjë skenar tjetër nuk e zëvendëson pjesëmarrjen në shkollë. Prandaj, të punojmë të gjithë së bashku që të mbajmë në jetë skenarin A (mësim me pjesëmarrje në shkollë)”, ka shkruar Likaj.

Kujtojmë se ditët e fundit, Kosova ka shënuar rritje sa i përket numrit të infektimeve me COVID-19, ndërsa sot ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar për masat e reja për gastronominë dhe kufizimin e lëvizjeve për personat mbi 60 vjeç.

Këto masa do të hyjnë në fuqi nga e hëna. / KultPlus.com

Ramë Likaj: Prej nesër mësimi zhvillohet në mënyrë të kombinuar

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se prej nesër më datë 21 shtator, nxënësit do të kthehen në shkollë me mësim të kombinuar, edhe nxënësit e klasave të shtata, teta, nënta dhe njëmbëdhjeta e dymbëdhjeta, përcjellë KultPlus.

Përveçse nëse menaxhmenti i shkollës dhe task forca e secilit institucion, pasi të ketë vlerësuar situatën, mund të vendosin për ndonjë skenar tjetër, në mënyrë që të respektohen strikt rregullat e Udhëzuesit për organizimin e mësimit në kushte pandemie’, njofton tutje Likaj.

Likaj poashtu apelon që nxënësit të jenë më të vëmendshëm dhe të respektojnë rregullat dhe rekomandimet për mbrojtje nga Covid.

‘’Ministria e Arsimit dhe të gjitha institucionet tjera relevante do të jenë në çdo kohë afër juve.
Të gjithë bashkë, mund t’ia dalim që të mbajmë shkollat hapur për Ju, për Kosovën!’’ thuhet ndër të tjera në njoftimin e ministrit. / KultPlus.com

Likaj për fillimin e mësimit online në veri: Vendimet e autoriteteve të Kosovës vlejnë për të gjithë qytetarët njëjtë

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se shteti i Kosovës tashmë e di që komunat veriore ka nisur mësimin edhe pse autoritetet kanë vendosur që një gjë e tillë të mos bëhet deri më 14 shtator, shkruan KultPlus.

Komunat në veri të Kosovës tashmë kanë filluar mësimin nga distanca duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, kurse Likaj gjatë vizitës në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë ka potencuar se vendimet e qeverisë vlejnë njëlloj për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ministria e Arsimit, Qeveria e Kosovës është qeveri e të gjithë qytetarëve të saj. Ne kemi marrë informacione se ata kanë filluar mësimin online. Kjo është politikë 20 vjeçare, e cila nuk është zgjidhur. Ne nuk e kemi shkopin magjik. Jemi duke e bërë më të mirën edhe për ta”, u shpreh ai.

Së bashku me Likajn, në vizitë ishte i pranishëm edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Ministria e Arsimit në fund të këtij muaji kishte marrë vendimin që mësimi në të gjitha shkollat e vendit të filloj me datën 14 shtator. / KultPlus.com

Shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor

Fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 është shtyrë për 14 shtator

Kjo për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19 në vend.

Lajmi për shtyrjen e këtij afati për fillimin e vitit të ri shkollor u bë i ditur pas takimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, bashkë me SBASHK-un, IKSHPK-në dhe përfaqësues të MSH-së.

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka thënë se në këtë takim është vendosur që mësimi të fillojë më 14 shtator 2020 për të vazhduar pastaj sipas master planit në tri faza.

“Jemi pajtuar që të vazhdojmë takimet që nga e hënë për të diskutuar çështjet tjera teknike, në mënyrë që të gjithë të jemi më të përgatitur. Po ashtu, mendojmë se deri me 14 shtator, është periudhë e mjaftueshme për t’u përgatitur shkollat. Gjatë kësaj kohe do të shikohet të bëhet një lloj regjistri i mësimdhënësve se kush është i infektuar, kush i zëvendëson, pastaj a do të paguhen mësimdhënësit e sëmurë e çështje tjera”, tha ai. / KultPlus.com

Takohen ministrat Dumoshi e Likaj: Orientimi i të rinjve në aftësim profesional për t’u përgatitur për treg të punës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi priti sot në takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj.

Ministrat Dumoshi e Likaj gjatë takimit diskutuan për pikat e bashkëpunimit në mes të MKRS dhe MASH-it në projekte të interesit dhe fushave të përbashkëta që dy ministritë mbulojnë, duke veçuar mësimin në vendin e punës, kryerjen e praktikës profesionale të nxënësve si dhe për qendrat e kompetencës të cilat duhen lidhur me qendrat rinore.

Ministrja Dumoshi shprehu gatishmërinë që MKRS-ja ka për bashkëpunim me me MASH-in, sidomos për fushën e rinisë. Ministrja u shpreh përkushtuar të punojnë në çështje të cilat lidhen edhe sipas programit qeveritar që parasheh bashkëpunimin e ministrive në projekte të përbashkëta.

Ministrja theksoi që është shumë e rëndësishme që aftësimi për të rinjtë të ndërlidhet me tregun e punës dhe kështu t’i kontribuohet objektivit së përbashkët të qeverisë për punësimin sa më të madh të të rinjve.

Ministrja Dumoshi e informoi Ministrin Likaj për mbështetjen që MKRS i ka bërë organizatave rinore duke u dalë kështu në ndihmë sidomos për periudhën e pandemisë, për memorandumet e bashkëpunimit me UP-në në fushën e trashëgimisë të cilat integrojnë sferën akademike në rrafshin praktik dhe për gatishmërinë e saj dhe të ministrisë që drejton për orientimin e fondit emergjent në punësim.

Ministri Likaj e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë e saj që të thellojnë bashkëpunimin aq më tepër kur këto dy ministri kanë shumë fusha të përbashkëta.

Ndër shumë të tjera Ministri Likaj përmendi qendrat gjithëpërfshirëse rinore ku përfshihet edhe arsimimi profesional dhe qendrat e karrierës në të cilat bashkëpunimi mes dy ministrive është shumë i rëndësishëm.

Ministrja Dumoshi e Ministri Likaj u zotuan që të bashkëpunojnë në të gjitha projektet e përbashkëta që dy ministritë kanë në mënyrë që të bashkërisht të shtyjnë papara objektivat e qeverisë dhe ti kontribuojnë zhvillimit të gjithmbarshëm rinor e arsimor në vend. / KultPlus.com

Ministria e Arsimit prezanton tre skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpalosur udhëzimet e përgjithshme për fillimin e vitit të ri shkollor e kujdesit ndaj pandemisë COVID -19.

Nëpërmjet një postimi në Facebook tregohet se MASH ka udhëzuar shkollat që të jenë të përgatitur për tre skenar, të cilët më pas do të implementohen në shkolla varësisht nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e ISHKP-së dhe varësisht nga kapacitetet hapësinore e infrastrukturore të shkollave veç e veç.

Këto janë tre skenarët të publikuara nga MASH:

Skenari A– Mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkollë, me masat parandaluese
Skenar B: Rikthimi i pjesshëm dhe mësim të kombinuar/ prezentë dhe mësim në distancë, ndërsa prioritet do të kenë klasat e para deri në të pestë.
Skenari C: Mësimi në distancë

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

MASH ka dhënë udhëzimet e përgjithshme për fillimin e vitit shkollor 2020/2021 në kushtet e kujdesit ndaj pandemisë COVID -19. Bashkë me partnerët, MASH ka udhëzuar shkollat që të përgatiten për të tre skenarët, të cilët do të implementohen në shkolla varësisht nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e ISHKP-së dhe varësisht nga kapacitetet hapësinore e infrastrukturore të shkollave veç e veç. Ministri Likaj, kabineti i MASH dhe departamentet përkatëse në MASH janë mobilizuar që me bashkëpunim të mirë të të gjithë akterëve, përfshirë DKA-të, shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit e donatorët, do të bëhet e mundur që t’i përgjigjemi me sukses sfidave të shumta që paraqet organizimi i mësimit në kushtet e pandemisë COVID-19 në shkollat e Kosovës.

Ministri  Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka thënë se në bashkëpunim edhe IKSHPk-në është rekomanduar që viti i ri shkollorë të fillojë më 1 shtator.

Ai ka thënë se mësimi pritet të fillojë për parashkollërt dhe klasat nga 1- 9, i ndarë në tri faza.

“Gjithashtu edhe me IKSHPK-në  është rekomanduar që viti  ri shkollor të fillojë me 1 shtator për parashkollorët,  klasët  1-2-3, 6 dhe 9.

”Më  datën 7 shtator për klasën 4 dhe 5 ndërsa në fazën e  tretë me 10 shtator. Sipas tre skenarëve”.

“Task forcat e komunës dhe shkollave në bazë të respektimit të masave ata vendosin për skenarët që do të përdorin. Ne do ta përcjellim këtë situatë. Mësimi për nxënësit e klasës 7,8,9 do të jetë mësim i kombinuar”.

“Kemi paraparë edhe një kontingjent  plotësues  për ti zëvendësuar mësimdhënësit. Këta do të shfrytëzohen  mësimdhënës shtesë. Qeveria ka ndarë 10 milion buxhet”, është shprehur Likaj. / KultPlus.com

Plagjiaturat e ministrit Ramë Likaj publikohen në sheshin e Prishtinës, kërkohet dorëheqja e ministrit

Jeta Zymberi

Plagjiaturat e Ministrit të Arsimit në Republikën e Kosovës, Ramë Likajt, sot kishin zënë vend në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Kjo gjë e pazakontë, ndodhi në kuadër të ekspozitës së parë të plagjiaturave në Kosovë të titulluar “Plagjiaturat e Supermenit”, shkruan KultPlus.

Organizuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ekspozita nisi të mbledhë përreth të interesuar sapo u ekspozuan 7 materialet e sjella aty për publikun.

Ndërsa, Rron Gjinovci, nga kjo organizatë, para mediave u shpreh se kjo është një ekspozitë simbolike e plagjiaturave në Kosovë, ku publiku do të ketë rastin t’i shohë bardh e zi.

“Për herë të parë, ORCA e ka ngritur rastin në Këshillin e Etikës së UP-së në vitin 2018 gjatë periudhës së avancimeve akademike kur ministri i tanishëm ishte avancuar me titullin më të lartë akademikë në UP. Ministri Likaj, atëbotë profesor i asocuar pretendonte se brenda 1 viti e gjysmë kishte botuar 19 punime “shkencore”. Hulumtuesve të ORCA-s kjo iu duk e çuditshme. Me hulumtim të thjesht, gjetën se një norvegjez në fushën e njëjtë të studimit publikonte 0.96 punime në vit. Dilema ishte: a është Ramë Likaj superman apo inxhinierët norvegjezë të mekanikës janë të lodhtë?”, u shpreh Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, eksponati i parë  është punim i kopjuar duke mos u cituar pjesa e parë, ndërsa eksponati numër tre është plagjiaturë që përmban disa fjali ku gjuha angleze është e mjerueshme. Gjithashtu ai potencoi faktin se këto punime janë botuar në revista mashtruese. Revistat në fjalë ishin të indeksuara në platformën SCOPUS, e cila konsiderohet si platformë e besueshme e indeksimit të revistave shkencore.

Në eksponatet që sot kishin zënë vend në shesh, thuhej se këtu kemi të bëjmë me plagjiaturën CTRL+C e cila nënkupton marrjen e pjesëve të punës nga një burim pa e cituar. Në punimin plagjiat, Ministri Likaj është autor i dytë, ndërkaq në punimin e plagjiuar ai nuk figuron fare si autorë.

Tutje ai u shpreh se pas kësaj ekspozite pritet dorëheqja e ministrit ose në të kundërtën paralajmëroj protesta, sepse sipas tij ky është shembull i keq.

“Jam i sigurt që shumë shpejt edhe mediat ndërkombëtare do të shkruajnë për këtë çështje.”

Krejt për fund u njoftua se plani është që sapo të rregullohen kushtet, ekspozita të dërgohet edhe në Tiranë e Shkup. / KultPlus.com