Qendra muzeore Berat sapo ka përfunduar ndërhyrjen restauruese të ikonës “Shën Joan Pagëzori” e vitit 1835, që mban firmën e Naum Çetirit.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “pas një muaji pune intensive, ajo i shtohet ekspozimit ikonografik në muzeun “Onufri””.
“Vepra paraqiste shumë problematika, por pas ndërhyrjes u arrit rezultati i dëshiruar, duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës. Ajo pasuron jo vetëm koleksionin e muzeut “Onufri”, por plotëson kronologjinë në artin e autorëve ikonografë Çetiri”, – theksoi Margariti. / atsh/ KultPlus.com
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin e restaurimit të Kalasë së Prezës në kushte të emergjencës, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kullës së sahatit në kala.
Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.
Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m.
Kalaja e Prezës u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntori 2019 e cila do t’i nënshtrohet rikonstruksionit pas miratimit të projektit për Rindërtim në fazë emergjente.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /KultPlus.com
Egjipti ka filluar të restaurojë arkivolin e artë prej druri të Tutankhamonit, për herë të parë, që kur u zbuluan në vitin 1922.
Ministria egjiptian e Antikiteteve tha në një deklaratë se arkivoli vuan nga disa forma të dëmtimit duke përfshirë çarje në shtresat e saj të arit.
”Rivendosja dhe mirëmbajtja e arkivolit do të përfundojë në tetë muaj”, shtoi ajo.
Ministria tha se koleksioni i djaloshit-faraon duke përfshirë të gjithë arkivolin e tij, do të ekspozohet në Muzeun e Madh të Egjiptit, i cili është në ndërtim e sipër, pranë piramidave të Gizës dhe pritet të hapet në vitin 2020.
Tutankhamoni ishte nëntë vjeç kur u bë faraon. Ai sundoi midis 1333 dhe 1323 para Krishtit, si një nga mbretërit e fundit të Dinastisë XVIII.
Egjipti në muajt e fundit njoftoi një sërë zbulimesh, me shpresën e ringjalljes së industrisë së turizmit, një burim kryesor i të ardhurave kombëtare.
Industria është goditur rëndë nga trazirat e gjera që nga kryengritja e vitit 2011 kundër sundimtarit më të gjatë të kohëve moderne të Egjiptit, Hosni Mubarak/ ATSH/ KultPlus.com
Restaurimi i pikturave kërkon një delikatesë dhe një mjeshtri të jashtëzakonshme.
Piktura që shihni
është një vet-portret nga piktorja italiane Emma Gaggiotti Richards,
e cila ishte piktore e oborrit mbretëror të Mretëreshës Viktoria dhe Princit
Albert.
Restaurimi i pikturave të kësaj kohe fillimisht kërkon
largimin e pikturës nga korniza dhe largimin e pluhurit dhe instekteve që mund
të kenë mbetur Brenda kornizës.
Pastrami kryesor i pikturës bëhet me dyll, në mënyrë që të largohet
rrëshira dhe të qartësohen ngjyrat. Restauruesit e pikturave zakonisht bëjnë
disa teste mbi një pjesë të vogël të pikturës pasi që disa ngjyra reagojnë me
dyllin dhe mund ta shkatërrojnë të gjithë pikturën po të hidhen menjëherë sipër
saj.
Pjesa e dytë e pastrimit bëhet me sulfur të zbutur, e në disa
raste edhe me varnish, një lëng që e zbut sipërfaqen e pikturës..
Me anë të makinerive të presionit të lart pikturat drejtohen
dhe riparohen në vene ku mund të jenë shqyer.
Qepja e pikturës bëhet me fije të vogëla të copës së piktirës
dhe lihet në ambijent të mbyllur derisa dy materialet të kapen mes vete.
Pjesa e fundit e restaurimit të pikturave është zgjerimi i rretheve
të pikturës që piktura të mund të ngjitet pa problem me kornizën e saj.
Gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj pune është që asnjëherë të mos fshihet emri i autorit, i cili zakonisht është i shkruar në pjesën e pasme të pikturës./RronaJaka/KultPlus.com
Kisha e Labovës së Kryqit më e vjetra në Shqipëri dhe ndër më uniket në të gjithë botën bizantine përfundoi vitin e kaluar punimet restauruese.
Ndërhyrja konsistoi në fasadën e jashtme, lehtësimin e peshës së kupolave, çatinë e objektit dhe ndërhyrjet për zbulimin e pastrimin e pikturës murale.
Një vit pas përfundimit të ndërhyrjes lagështia në mjedisin e brendshëm të objektit ka rikthyer punimet në çatinë e objektit, ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës nuk ka asnjë shpjegim për këtë ndërhyrje. Drejtori Albert Kasi tha se nuk ka dijeni rreth situatës së objektit dhe se nuk po kryhen punime të tjera restauruese.
Sipas banorëve në Labovë, kisha nuk ka shpëtuar nga problematika e lagështisë. E gjithë periudha e reshjeve ka vijuar ta kërcënojë objektin e restauruar një vit më parë. Mjeshtrit lokalë jashtë kamerave flasin për cilësi të dobët të tjegullës dhe pllakës që mbuloi objektin si dhe për punime me cilësi të dobët dhe restaurim të nxituar.
Kisha e Labovës së Kryqit e vendosur në fshatin me të njëjtin emër në Gjirokastër prej vitesh ishte e ekspozuar ndaj një rreziku evident shembjeje.
Kupola kryesore e kishës që është duke jetuar “efektin e Pizës” arriti të stabilizohej pas ndërhyrjes restauruese, por probleme të tjera duket se ju shfaqën objektit pas restaurimit.
Vizitorët e shumtë kësaj vere janë befasuar prej pikturës origjinale, ikonostasit, madhështisë së kupolës 17 m të lartë dhe qasjes origjinale në raport me mjedisin natyror e gjeografik të Labovës./TCH/ KultPlus.com
Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur në hyrje të fshatit me të njëjtin emër në qytetin e Përmetit, tashmë i është nënshtruar procesit të restaurimit.
Në këtë shtëpi muze kanë shkuar për të parë nga afër fillimin e këtij kantieri restaurimi specialistët përkatës ku kanë takuar dhe Marjanën, një banore e cila që prej 25 vitesh kujdeset për këtë shtëpi plot dashuri.
Për restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimin e çarjeve në fasadë, restaurimin e dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth.
Kjo shtëpi muze është ndërtuar në vitin 1974 mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. Ajo u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare.
Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të reja si, ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma.
Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke ekspozuar orendi të vjetra të mbledhura edhe nga banorë të zonës.
Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze përmban në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit./ KultPlus.com
Inspektim në Frashër, Shtëpia Muze, shumë shpejt do t’i nënshtrohet restaurimit, përcjell KultPlus.
Në hyrje të fshatit Frashër pozicionohet banesa madhështore e vëllezërve Frashëri. Në vitin 1974, mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar është ringritur “Banesa e Vëllezërve Frashëri”, monument kulture i kategorisë I-rë, duke u përshtatur si shtëpi-muze.
Shtëpia-muze u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare. Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma. Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.
Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin në Frashër për të kryer një inspektim në këtë banesë. Sot, objekti shfaq nevojën për ndërhyrje restauruese në strukturë, sepse paraqet disa problematika në konstruksionin e çatisë si dhe janë evidentuar çarje në muraturën perimetrale. Është i nevojshëm restaurimi i elementëve arkitektonikë të brendshëm si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret.
Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekpozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze. Mobilimi duhet t’i nënshtrohet një procesi restaurimi së bashku me maketin e fshatit Frashër që ndodhet në një nga dhomat e katit përdhe./ KultPlus.com
Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, tashmë është në një gjendje thuajse të mjerueshme.
Dritareve të thyera, pamjes jo të mirë të oborrit dhe gjendjes fizike të shkatërruar të kësaj shtëpie që është Monument Kulture, duket se i ka ardhur fundi, shkruan KultPlus.
Sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, është bërë e ditur se kanë nisë të bëhen matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti.
“Në Fishtë pranë shtëpisë Monument Kulture ku ka jetuar i madhi At.GJERGJ FISHTA duke bërë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti tejet të amortizuar së bashku me specialistët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit(Bashkia-Lezhë)..
*Lidhur me gjendjen fizike të Monumentit, pamjet flasin vetë…”, ka shkruar Zefi në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com
Në Pukë ka nisur sot puna për hartimin e projektit të restaurimit të shkollës ku dha mësim poeti revolucionar Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, shkruan KultPlus.
Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë udhëtuar drejt shkollës muze të qytetit të Pukës, në vendin ku Migjeni jeton sot nëpërmjet fotove, kujtimeve dhe veprave të tij, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e shkollës.
Duke marrë parasysh gjendjen aktuale jo të mirë të monumentit dhe rëndësinë e tij, specialistët kanë nisur punën për hartimin e projektit të restaurimit.
Instituti i Monumenteve të Kulturës ka theksuar se restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit si dhe rikonceptimi i ambientit të brendshëm në shërbim të ekspozimit të objekteve, do të mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve ndaj këtij objekti muzeal, me vlera të veçanta./ KultPlus.com
Të rinj nga vendet e Ballkanit prej dhjetë vitesh po punojnë në Gjirokastër në fushën e Trashëgimisë Kulturore.
Krahas ndihmesës profesionale Kurset e Restaurimit po u shërbejnë të rinjve edhe për të kapërcyer paragjykimet dhe forcuar lidhjet e miqësisë./ KultPlus.com
Të enjten janë bërë fiks dy muaj prej se njëri prej objekteve të Muzeut Etnologjik në kompleksin “Emin Gjik”, është zbrazur. Të gjitha eksponatet janë paketuar në përdhesen e objektit krahas tij. Një gjë e tillë është bërë për ta liruar hapësirën për restaurim e konservim.
Krahas kësaj, në ditën e fundit të gushtit Ministria e Kulturës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu i Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum për realizimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e dy objekteve të kompleksit që përdorën nga Muzeu Etnologjik. Përderisa ka dy muaj që vizitorët nuk kanë qasje në njërin objekt, restaurimi e konservimi nuk ka nisur ende, megjithëse buxheti është ndarë qysh në fund të vitit të kaluar dhe projekti është gati, po ashtu, qysh prej vitit 2016. Këtë javë është pastruar hapësira përreth objektit, por ende nuk dihet saktë se kur do të nisë puna restauruese e konservuese.
“Nëse mund të sigurohen skelet, nesër e pasnesër ato do të vendosen. Në krejt Prishtinën flitet se si nuk ka punë, por nuk kemi gjetur skele. Përndryshe nuk ka ndonjë pengesë”, ka thënë drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj. / KultPlus.com