KEDS: Nga sot s’ka reduktime

KEDS njofton qytetarët se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3.

Megjithatë, KEDS thekson se kursimi është i domosdoshëm dhe fton konsumatorët që ta kursejnë energjinë elektrike.

Njoftimi i plotë:

Stabilizohet situata e furnizimit me energji elektrike pas rikthimit të bllokut B2 dhe A3

Njoftojmë konsumatorët se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3, pasi që gjendja është stabilizuar për momentin.

Pavarësisht kësaj, kursimi është i domosdoshëm! Prandaj, ftojmë konsumatorët t’i bashkohen thirrjes sonë për kursim të energjisë sepse çdo kilovat është i rëndësishëm të kursehet duke marrë parasysh krizën energjetike që ka kapluar gjithë botën.

Ne në vazhdimësi do ju përcjellim udhëzime praktike se si mund ta kurseni energjinë elektrike dhe ta përdorni racionalisht.

Në këto rrethana të vështira, ajo se çfarë na duhet është të jemi të bashkuar për tejkalimin e krizës.

Bashkë ia dalim!

Kriza energjetike ka përfshirë Australinë, me tetë milionë njerëz që u kërkohet të fikin dritat

Ministri i Energjisë i Australisë u ka kërkuar familjeve në Uellsin e Ri Jugor – një shtet me rreth 8 milionë banorë – që përfshin qytetin më të madh të vendit Sidnein – që të fikin dritat përballë një krize energjie, shkruan BBC.

Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Chris Bowen u ka bërë thirrje banorëve që të mos përdorin energjinë elektrike për dy orë çdo mbrëmje nëse “kanë një zgjidhje tjetër”.

Megjithatë, ai shtoi se ishte “i sigurt” se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të shmangeshin, transmeton KultPlus.

Një kërkesë e tillë vjen pasi tregu kryesor me shumicë i energjisë elektrike në Australi u pezullua për shkak të rritjes së çmimeve.

Australia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të qymyrit dhe gazit natyror të lëngshëm, por është duke luftuar me një krizë energjie që nga muaji i kaluar. Tre të katërtat e energjisë elektrike të vendit ende prodhohen duke përdorur qymyr. Prej kohësh është akuzuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ulur emetimet e saj duke investuar në burimet e rinovueshme.

Në javët e fundit, Australia ka ndjerë ndikimin e ndërprerjeve në furnizimet me qymyr, ndërprerjet në disa termocentrale me qymyr dhe rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Këto dhe çështje të tjera kanë ndihmuar në rritjen e çmimeve të energjisë në tregun me shumicë në mbi 300 dollarë Australianë (rreth 200 euro) për megavat orë – kufiri i vendosur nga rregullatori i tregut, Operatori Australian i Tregut të Energjisë. /KultPlus.com

Presidenti amerikan kishte frikë t’i ndizte dritat, shkak energjia elektrike

Më 3 shkurt të vitit 1889 në Uashington përfundoi instalimi i dritave në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, thuhet se presidenti i asaj kohe, Benjamin Harrison dhe familja e tij nuk i preknin me dorë çelësat për të ndezur dhe fikur dritat, nga frika e korrentit.

Në atë kohë energjia elektrike ishte diçka e re. Kështu, punonjësit e Shtëpisë së Bardhë, para se të shkonin në shtëpi, çdo mbrëmje i fiknin dritat dhe i ndiznin ato kur vinin për të punuar në mëngjes.

Gjatë natës, familja presidenciale e Shteteve të Bashkuara vazhdonte të përdorte qirinj, gaz natyror dhe fenerë, të cilat ishin përdorur para elektrifikimit të Shtëpisë së Bardhë./ KultPlus.com

Më 26 janar mbahet protesta “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Më 26 janar në Prishtinë mbahet protesta kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë duke filluar nga ora 12:00, përcjell KultPlus.

Me 28 janar 2021 Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% për të gjithë konsumatorët/et që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë 600 kWh.

Faqja e krijuar si një kauzë në rrjetin social Facebook, “KEDS t’i kthehet Kosovës” ka njoftuar për këtë protestë e cila nis tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë me dy kërkesa kryesore: Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja dhe Nacionalizimi i KEDS-it.

Më poshtë KultPlus ua sjell të plotë njoftimin e tyre:

Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit/ës prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.

Përveç që i palogjikshëm, ky propozim do t’i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë. Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin.

KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve/eve të Kosovës.

Këto shantazhe, ne qytetarët e këtij vendi nuk do i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRrE-së e me KEDS-in.

Andaj, ju ftojmë që të mërkurën, duke filluar nga ora 12:00, të mlidhemi e ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të rradhës ndaj nesh. Protesta nisë tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore:

1.Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja;

  1. Nacionalizimi i KEDS-it / KultPlus.com

Kosova përgatitet për të ardhmen rreth krizave të energjisë elektrike

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 52-të, ka miratuar Koncept Dokumentin për Burime të Ripërtërishme të Energjisë të propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, është krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që synohet të arrihet nëpërmjet teknologjisë dhe energjisë së pastër e të përballueshme.

Ky koncept dokument ka për qëllim të arrijë përmirësimin e infrastrukturës ligjore me qëllim të rritjes së furnizimit me energji të pastër, rritjen e sigurimit të furnizimit me energji, promovimin e inovacionit teknologjik dhe ofrimin e mundësive për punësim dhe zhvillim rajonal përmes industrisë së energjisë së pastër.

Qëllimi i politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë është promovimi i shfrytëzimit ekonomik e të qëndrueshëm të potencialeve vendore të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në funksion të plotësimit të nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për këtë ka reaguar edhe Ministrja Rizvanolli e cila ka thënë se zhvillimi i kapaciteteve vendore të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë do të kontribuojë në diversifikimin e burimeve tona të energjisë dhe do të na ndihmojë që në të ardhmen të jemi më të përgatitur për t’u përballur me kriza të energjisë. /KultPlus.com

Reuters: Kriza energjetike po përshkallëzohet në Kosovë

Agjencia e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull krizës energjetike në Kosovë.

Ndërsa Kosova po përballon krizën e saj më të rëndë energjetike në një dekadë, Xhelal Gashi po mendon të mbyllë furrën e tij në Prishtinë, sepse ai po përpiqet të mbulojë kostot e karburantit për një gjenerator që kur autoritetet prezantuan ndërprerjet e energjisë.

“Zakonisht paguaj rreth 300 euro për faturën time të energjisë elektrike, por tani po shpenzoj 100-110 euro në ditë për të blerë naftë për gjeneratorin”, tha Gashi, duke folur nga furra e tij ku ka 10 punëtorë.

Më tej Reuters shkruan: “Shumë biznese dhe familje në Kosovë kanë nxjerrë gjeneratorë portativë të energjisë që kur kompania e shpërndarjes së energjisë në vend, KEDS-i njoftoi javën e kaluar se do të prezantojë ndërprerjet e energjisë elektrike prej dy orësh deri në njoftimin e radhës”.

Vendet në të gjithë Evropën po përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës në mes të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.

Të premten, qeveria shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për 60 ditët e ardhshme, e cila do t’i lejojë asaj të ndajë më shumë para për importet e energjisë dhe ndoshta të prezantojë masa edhe më të ashpra dhe më shumë ndërprerje të energjisë.

Kosova prodhon shumicën e energjisë së saj nga dy termocentrale të vjetra me qymyr jashtë Prishtinës, dhe normalisht importon 10-15% të energjisë së saj, por kjo shifër është rritur në 40% gjatë krizës aktuale. / KultPlus.com

Nga sot pritet përmirësim dhe zvogëlim i reduktimeve me rrymë

Nga dita e sotme pritet përmirësim i furnizimit dhe zvogëlim i reduktimeve me energji elektrike.

Së paku kështu kanë deklaruar nga KOSTT’it për Gazetën Express.

“Programet e kufizimit të konsumit mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa dhe sigurimi i importit nga KESCO/KEDS. Për oraret e furnizimeve ju lutemi drejtohuni në KEDS/KESCO si operatorë të licencuar përgjegjës për distribuim/furnizim me energji elektrike. Sipas planifikimeve dhe energjisë në dispozicion nga nesër do të ketë përmirësim me zvogëlimin e redukimeve”, kanë deklaruar dje nga KOSTT.

Pas raportimeve se në pjesën veriore të Kosovës furnizimi me rrymë po vazhdon teksa pjesa tjetër e vendit po përballet me reduktime të ashpra, KOSTT-i ka deklaruar se reduktimet përfshijnë edhe pjesën veriore.

Sipas planifikimeve dhe energjisë në dispozicion nga nesër do të ketë përmirësim me zvogëlimin e redukimeve.

“Si rrjedhojë e mosbalancës së theksuar në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar imbalance të mëdha ndaj sistemit interkonektiv, ku rreth 40% e konsumit në Kosovë është tërhequr nga sistemi interkonektiv i Evropës Kontinentale. Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SëissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E kanë kërkuar në mënyrë strikte ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Derisa monitoruesi i Bllokut AK në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen zonës rregulluese të Kosovës për situatën. Zbatimi i masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ për zvogëlimin e konsumit si masë e fundit e veprimit, vlen për të gjithë vendin, përfshirë pjesën veriore të vendit”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për Express.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së ekonomisë.

E ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë,  një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. / KultPlus.com

Kurti: Jemi në krizë e gjithë bota, qytetarët i lusim të racionalizojnë shpenzimin e energjisë

Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe të energjisë elektrike, ku si rrjedhojë shumë qytetarë janë ankuar dhe madje janë paralajmëruar edhe protesta rreth rikthimit të reduktimeve, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën.

“Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat”, ka thënë ai.

Tutje, i pari i ekzekutivit tregoi se Kosova është detyruar që të importojë energji elektrike, dhe çmimet janë bukur të shtrenjta.

“Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive”, shtoi Kurti.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një dokument ku parashihen se 60 ditë mund të zgjasin gjitha këto probleme. /KultPlus.com

Zëdhënsi i KEDS-it, tregon nëse është është shtrenjtuar energjia elektrike

Kriza energjetike – edhe Zvicra mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike

Kriza energjetike që ka kapluar shumë vende të Evropës, duket se nuk do të përfundojë aq lehtë sa pritej fillimisht, transmeton KultPlus.

Së fundmi është paralajmëruar se Zvicra mund të mbetët në errësirë nga ndërprerja bërthamore franceze.

Në Francë, 15 reaktorë bërthamorë nga 56 gjithsej, u mbyllën ditët e fundit për shkak të punëve të mirëmbajtjes ose prishjeve.

Meqenëse Zvicra importon energji elektrike në dimër nga vendet fqinje dhe Franca është një nga furnizuesit e saj, ekziston shqetësimi për ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë festave të Krishtlindjeve, shkruajnë mediat zvicerane.

Komisioni Federal i Energjisë Elektrike, megjithatë, tha se pavarësisht mbylljes së termocentraleve në Francë, “siguria e furnizimit me energji elektrike të Zvicrës nuk është e kërcënuar në këtë moment”.

Por, sipas një raporti nga Departamenti Federal i Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikimeve (DETEC), disa faktorë mund të kontribuojnë në mungesën e energjisë elektrike në Zvicër dhe “mosdisponueshmëria e 30 për qind e flotës bërthamore franceze është pjesë e saj”.

Zviceranët mund të fajësojnë Francën, nëse për pak ditë do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. /Albinfo.ch /KultPlus.com

Teatri Kombëtar pa energji elektrike, dështon shfaqja ‘Lea & Co’

Shfaqja Lea & Co ishte parparë që të shfaqet më 21 dhe 22 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Megjithatë, një gjë të tillë e ka pamundësuar mungesa e energjisë elektrike, e cila është paraqitur si problem në të gjithë botën.

Aktori i kësaj shfaqje, Kushtrim Sheremeti, njoftoi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Twitter” se është ndalur rryma dhe rrjedhimisht shfaqja ka dështuar.

“KEDS e ndal rrymen fiks ne ora 20:00 ne Teatrin Kombetar te Kosoves, Teatrit Kombetar nuk i punon gjeneratori qe 2-3 vjet dhe si pasoje anulohet shfaqja Lela & Co ndersa salla ishte plot me publik #KosoveDjepLirie”, ka shkruar ai.

Kjo nuk është hera e parë që po dështojnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës si rezultat i mungesës së energjisë elektrike. /KultPlus.com

Kosova e dyta në botë më e varura nga thëngjilli për energji elektrike

Ndotja e ajrit është ndër problemet kryesore me të cilat Kosova përballet gjatë sezonit të dimrit, transmeton KultPlus.

Ndër shkaqet primare për këtë është fakti se Kosova burim të parë të energjisë e ka thëngjillin.

Sipas disa statistikave të shpërndara nga ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi,  Kosova është vendi i dytë në botë më i varur nga thëngjilli.

Me këtë rast, ai ka thënë se planet për diversifikimin e burimeve të energjisë nuk janë çështje partie apo donatorësh dhe se Kosova ka nevojë për një plan tranzicioni me gazjellës.

Kosova është vendi i dytë më i varur nga thëngjilli në planetin tokë. Planet për diversifikimin e burimeve të energjisë nuk janë çështje partie apo donatorësh – çështje interesi kombëtar. Ne kemi nevojë urgjentisht për një plan tranzicioni me gazsjellës në afat të mesëm dhe me energji të rinovueshme në afat të gjatë”, ka thënë ai.

Vlen të përmendet se çështja e gazsjellësit është temë aktuale në Kosovë pasi qeveria Kurti refuzoi projektin amerikan.

Po ashtu, kriza globale energjetike që përcillet me rritje çmimesh është paralajmëruar edhe në Kosovë nga vet akterë të qeverisë Kurti. / KultPlus.com