Shkrimtarët Dom Ndoc Nikaj dhe Gëzim Puka sjellin dy tituj të rinj

Ditë më parë nga shtypi doli romani ‘Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun’. Është ky botimi i tretë i këtij romani historik i cili te lexuesi vjen sërish pas 100 vitesh. Ky roman konsiderohet si një ndër romanet e para të letërsisë shqipe ndërsa Dom Ndoc Nikaj njihet si nismëtar apo ‘baba i prozës gege të shekullit XX’.

Romani ‘Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun’ u botua për here të parë në vitin 1913. Me këtë lloj titulli të dyzuar, emërtues dhe sqarues autori na rrëfen një ngjarje dashurie, që shkon kundër zakonit të fejesave në moshë të mitur, mjaft të përhapura në atë kohë në malësitë shqiptare. E gjithë kjo dramë ndodh në skenën e një ngjarjeje historike, siç ishte lufta për mbrojtjen e Ulqinit, pas Kongresit të Berlinit (1878).

Sipas recensentëve të librit Gëzim Pukës dhe Gjovalin Çunit, lexuesi i sotëm do të gjejë vlera në poetikën e romanit të Ndoc Nikajt, aq më shumë në këtë vepër ku Ulqini, ka shërbyer si sfond për një histori dashurie të dy të rinjve. Duke e parë në këtë pikë vështrim simbolik, horizonti i pritjes së lexuesit të sotëm e pranon akoma me endje dhe magjepset nga një roman i tillë i tipit sentimental dhe historik.

Romani është i ribotuar në gjuhën origjinale të autorit, gjë që veprën e bënë edhe më interesante për lexuesin e sotëm. Redaktori i librit është Jaho Kollari, recensentë Gëzim Puka dhe Gjovalin Çuni, botuar nën siglën e SHB DITI&OLI- Ulqini dhe përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

Dom Ndoc Nikaj, ka lindur në Shkodër më15 qershor 1864. Mësimet fillestare i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës, në kohën e Karlo Pooten dhe në Seminarit Papnor, të udhëhequr nga eterit jezuit. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888. Në vitin 1910 ka hapur shtypshkronjën e parë publike në Shkodër, shtypshkronja “Nikaj”, në të cilën botohen gazeta, vepra letrare dhe tekste shkollore. Arrestohet më 9 shtator të vitit 1946, me akuzën si pjesëmarrës në kryengritjen e Postribës e dënohet me 5 vjet burg. Për shkak të moshës së thyer vuan dy vjet e gjysmë të dënimit. Vdes në moshën 87 vjeçare në vitin 1951, në Shkodër.

Gëzim Puka, ‘Në kërkim të një drame ndryshe’

Në këtë studim mbi dramën bashkëkohore shqipe autori interesohet për tekstin dramatik dhe tenton t’i afrohet këtij procesi të evoluimit të kësaj gjinie letrare në letërsinë shqipe, përmes metodës së vëzhgimit të disa teksteve letrare, periodikëve dhe arkivave. Analiza përqendrohet mbi vështirësitë që formohen në brendësi të formës dramatike të disa autorëve që janë marrë si përfaqësues. Pikënisje janë disa tekste të dramave shqipe bashkëkohore, të cilat mbetën jashtë metodës së imponuar të realizmit socialist. Përgjatë zhvillimit të saj historik gjinia dramatike, si një formë apo instrument racional dhe i kontrolluar, ka pësuar disa lloje ndryshimesh. Gjatë viteve ’90 gjinia dramatike ndryshoi kursin nga dramë realiste drejt një drame moderne dhe post moderne. Tekstet dramatike të Kasëm Trebeshinës, Serafin Fankos, Stefan Çapalikut, Albri Brahushës njohën suksesin në konkurse të ndryshme, por u zvogëlua impakti me lexuesin-spektator.
Sipas Prof. dr. Josif Papagjonit, përmes kësaj monografie i jepet një orientim dhe përmasë e thelluar studimit të tekstit dramatik në një qasje të re, jo aq të prekur nga kritika jonë. Analizohen dhe interpretohen disa autorë interesantë të dramës shqipe, të cilët i bashkon një aspekt i rëndësishëm, ai i tjetërsimit që ka pësuar forma dramatike si e tillë përmes risive në gjuhë, në kodet e ligjërimit dhe ato të komunikimit. Përfundimet e librit janë interesante, hedhin dritë në procese të transformimit të modelit të dramës, duke u bazuar në njohjen e mirë të strukturave të saj të fundme si dhe koncepteve teorike. Vlerën studimit ia rrit, po aq, stili i autorit: thellësi mendimi, këqyrje e argumentit nga një shumësi pikash, ligjërim teorik i thelluar, ndërthurje e dialektikë kahesh e idesh, strukturë e shkrifët, frazë e përpunuar me shije.”


Ky studim ka miratimin e QSA (Qendrës për Studime Albanoligjike) ekskluzivisht e boton SHB Diti & Oli nga Ulqini, me recensentë Josif Papagjoni dhe Stefan Çapaliku, redaktorë Vinçens Marku dhe Erzen Koperaj ndërsa botimin e përkrahi Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

Gëzim Puka është lektor pranë departamentit të Letërsisë në Fakultetin i Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Anëtar i Bordit artistik të Bashkisë së Shkodrës. Ka botuar artikuj shkencor dhe kumtesa në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe është pjesëmarrës i shumë konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare./ KultPlus.com

Dokumentari ‘Zoti i Shpisë’ që trajton traditat shqiptare, vjen në DokuFest (VIDEO)

Ishin librat e Edi Durhamit ato që shërbyen si pikënisje për krijimin e filmit dokumentar “Zoti i Shtëpisë”, i cili ngërthen në vete tradita që përshkojnë familjet shqiptare, tradita këto që ende mbesin si një enigmë e pazgjidhur në shoqëritë tona, shkruan KultPlus.

‘Zoti i Shpisë’, dokumentar në të cilin u arrit të gërshetohet tradita shekullore shqiptare, mori petkun e realizimit të tij nga regjisorja holandeze, Danielle Bremer. Në pamundësi që të flasim me vetë regjisoren, KultPlus, realizoi një intervistë të shkurtër me producentin e filmit Edon Rizvanolli.

Ai, tregoi për KultPlus, më konkretisht se çfarë trajton ky film dokumentar.

‘Filmi ka trajton vështirësitë e gruas në shoqërinë shqiptare, për shkak të traditave sipas të cilave meshkujt janë atë që dominojnë në shoqëri. Filmi sjellë historinë e një gruaje kosovare, e cila në moshë 13 vjeçe kishte ikur nga shtëpia e saj, pasi babai i saj tenton të ia ndërkrejë shkollimin. Synimi që të shkollohej e mbajti atë larg pragut të shtëpisë, ngase ekzistonte frika se po të kthehej do të mbytej nga babai i saj, i cili kundërshtonte shkollimin e saj’, pohoi Rizvanolli.

Është edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest , ai që do të shërbejë si pasqyrë për shfaqjen e këtij filmi.

Producenti i këtij filmi, Edon Rizvanolli tutje për KultPlus tregoi se filmi ‘Zoti i Shpisë’, do të shfaqet edhe në festivale tjera, ngase trajton një temë mjaft të rëndësishme.

Xhirimet për këtë film janë bërë në Bresana, Pobergj e Dragash/ KultPlus.com

Vazhdojnë takimet ‘DiasporaFlet’ në Prizren

Pas takimeve në Suharekë, Kamenicë dhe Gjilan organizata jo-qeveritare Germin do të organizoj diskutimet e radhës me profesionistët e ftuar nga diaspora. Këto takime kanë për qëllim të njoftojnë nga afër të rinjtë nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë.

Edicionin e katërt i këtyre takimeve, DiasporaFlet,do të mbahet në Prizren,më datën 27 korrik në ora 18:00 në N’terrasë. Për të ndarë përvojën e tyre dhe për të diskutuar rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, janë të ftuar: Hilmi Gashi, bashkëkryesues i Sindikatës Unia për rajonin e Bernit, Besar Rexhepaj themelues i Innobus GmbH në Zvicër dhe Veb Kosumi, konsulent i pavarur i cili ofron shërbime të specializuara për Ministrinë e Drejtësisë në MBN’terrasë.

Pas qytetit të Prizrenit, destinacioni i radhës do të jetë Peja. DiasporaFlet në Pejë, të ftuar në panel për diskutim janë: Albana Krasniqi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Neë York, anëtare e bordit në organizatën Gift of Life International, një aktiviste e dalluar dhe humaniste në komunitet, e nderuar me çmimin “Women of the Year – Gruaja e Vitit – 2017”, nga Organizata e Gruas Shqiptare në Amerikë – “Motrat Qiriazi dhe Ilir Daci nga Norvegjia, Olso, bashkëthemelues i kompanisë The Apartments Company, një ndër kompanitë kryesore në Norvegji.

Pas Prizrenit dhe Pejës të shtunën, diskutimet DiasporaFlet do të vazhdojnë në qytetin e Junikut në Kullën Isufaj duke filluar nga ora 18:30. Në takimin DiasporaFlet n’Junik janë të ftuar: Nezir H. Kraki, ligjërues i shkencave politike në Paris, në Universitetin Paris Est dhe Drejtor programi në shkollën e lartë të biznesit Enaco në Lille dhe Liridon Hoxha (Don Liri), i cili është duke përfunduar studimet në nivelin Master për Biologji në Universitetin e Konstancës, Gjermani. Z.Kraki, kohëve të fundit është i pranishëm edhe në media të ndryshme me analiza dhe opinione mbi çështjet politike ballkanike/shqiptare dhe evropiane/franceze. Kurse, Liridoni gjatë këtyre ditëve është duke organizuar edicionin e tretë të shkollës verore biologjike, e cila vije si një bashkëpunimi mes Universitetit të Konstancës dhe Universitetit të Prishtinës.

Folësit në panel do të ndajnë rrugëtimin dhe eksperiencat e tyre. Njëherësh, pikë kyçe e këtyre takimeve do të jetë edhe rëndësia e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë nga diaspora dhe atyre në Kosovë, si dhe ndryshimeve shoqërore që ky rrjetëzim mund të na sjell.\ KultPlus.com

Rihanna takohet me Presidentin francez në mbështetje të arsimit global (FOTO/VIDEO)

Ambasadorja e organizatës ndërkombëtare ‘Global Partnership for Education’ Rihanna, është duke bërë fushatë aktive në mbarë botën, për të mbështetur arsimimin e barabartë të fëmijëve në mbarë botën, shkruan ABCNews, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të kësaj fushate që promovon arsimin gjithëpërfshirës, dje Rihanna ka vizituar edhe Francën, ku është takuar me presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij, Brigitte Macron.


Në këtë takim ata diskutuan për mënyrat e përkrahjes së arsimit të fëmijë në mbarë botën, me theks të veçantë ata diskutuan për arsimimin e vajzave.

Këngëtarja e famshme, Rihanna përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social, Twitter falënderoi presidentin francez dhe gruan e tij, për këtë takim.


‘Ju faleminderit shumë Zotëri President dhe Zonja e Parë, për këtë takim të mrekullueshëm dhe për pasion që e treguat për mbështetjen të arsimit global dhe edukimit të vajzave’, shkroi Rihanna, përcjellë KultPlus./ KultPlus.com

Ka vdekur rapsodi Gjok Nonaj në moshën 107 vjeçare

Është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare lahutari Gjok Nonaj, rapsodi më i vjetër, unik jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë e më gjerë. Për herë të fundit është ngjitur në skenë në festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2015.

Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që u mbajt në 2015, lahutari Gjok Nonaj ishte bartësi më i vjetër që këndoi në skenën shqiptare, madje vlerësuar rapsodi më i vjetër në Evropë e më gjerë. Kjo ishte ngjarja, dhe lahutari këtë vit, në shkurt, mbushi 107 vjeç, por dje është njoftuar ndarja nga jeta. Pak ditë më parë u lajmërua gjendja e tij e rëndë shëndetësore, madje kërkohej edhe ndihmë për dhurim gjaku. Nonaj, 107-vjeçar ishte shtruar në spitalin e Lezhës, por nuk ia doli, duke na lënë historinë unike shqiptare bashkë me epikën e këtij lahutari. Nonaj ishte 10 vjeç kur mësoi lahutën dhe është shprehur se “kurrë s’do ndahem prej saj”. Lahutari i moçëm Gjok Nonaj e ka përcjellë këtë traditë edhe tek e mbesa Lumturije Nonaj, e cila është lahutarja e vetme femër në Shqipëri, por edhe te nipërit e tij Gjovalin dhe Gjet Nonaj. Në daljen e tij të fundit në publik, pra në Gjirokastër rapsodi 105-vjeçar, Gjok Nonaj, ka interpretuar këngën epike “Fuqia e Mujit”, një fragment rapsodik i shkëputur nga eposi i Kreshnikëve. Eposi i kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) janë këngë epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Ardhja e lahutarit 105-vjeçar është vlerësuar si një risi e festivalit, ku për herë të parë lahutarët e familjes Nonaj, Gjoka e Lumturija janë bërë bashkë duke kënduar në Gjirokastër.

Reagimi për ikjen e rapsodit 107-vjeçar ka qenë i menjëhershëm dje, sidomos në rrjetet sociale prej muzikologëve dhe njerëzve të trashëgimisë duke vlerësuar etnicitetin dhe bartësin e fundit të lahutës, kur ende nuk është zbuluar më i riu. Një prej tyre, Vaso Tole i ka dhënë lamtumirën:

“Ndahet nga jeta Gjok Nonaj, rapsodi më i vjetër i botës. Dje, në orën 16:55 minuta në spitalin e Lezhës, u nda nga jeta i rrethuar nga dashuria e familjes lahutari, rapsodi më i vjetër në botë, 107-vjeçari Gjok Nonaj. “Dy vdekje nuk ka dhe nga njëra nuk shpëtojmë dot”, thotë populli, por Gjoka e sfidoi vdekjen deri në fund me lahutë në dorë e këngë në buzë. Ai, si lajmës i traditës, solli deri në kohët moderne magjinë e Eposit, kreshnikët tanë dhe bukurinë e bjeshkëve tona me gjithë forcën e shpirtit. Në moshën 105-vjeçare debutoi në vitin 2015 në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, duke thyer kështu çdo rekord të mëparshëm të këtij lloji. Ishte fat që të njoha, të dëgjova dhe që më pranove si mikun tënd! Tani që vdekja e mori, ai duhet trajtuar me nderimet që i takojnë një personaliteti kulturor, se i tillë ishte, se të tillë e bëri trashëgimia e madhe që ai barti dhe këndoi për ne. Pa shpërblim! Gjok! Shko lehtë-lehtë, ashtu siç hidhje hapin te Muji e Halili e të parët e tu. Rapsodët i mirëpresin në botën e përtejme, se dhe në të gjallë vetëm një tjetër rapsod si Orfeu ia doli të zbriste nën dhe. Pas teje, nuk ka një të dytë si ty. Dhe për këtë do të kujtojmë! Amin! Ngushëllime familjes, të afërmve, bartësve dhe dashamirësve të trashëgimisë sonë kulturore”.

Ndërsa këngëtari popullor Esat Ruka ka shprehur dhe vlerësimin mbi lahutarin duke shkruar:

“I ndrittë shpirti si në skenat e festivaleve dhe në Odat malësore, këtij “normëthyesi” të Madh të dashurisë e talenti të rrallë i rapsodisë popullore shqiptare. Pata fatin dhe kënaqësinë të shijoja edhe bujarinë e humorin e çiltërsinë e tij në vatrën familjare në malësitë e Lezhës, ku rrethohej nga nipër e mbesa, i respektuar prej tyre. Ai deklamues i legjendave e historive shndërrohej në një interpret plot lirizëm e sarkazëm rezervatesh ndër dekada. Ishte një njeri i thjeshtë si vetë lahuta dhe rapsodia”.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot në orën 13:00 në varrezat e Kodër Marlekaj, Lezhë./ KultPlus.com

Elina Duni fiton në Çmimet Zvicerane për Muzikë (VIDEO)

Këngëtarja Elina Duni është në mesin e fituesve në çmimet Swiss Music Prize 2017.

Janë gjithsej 15-të këngëtarë që e marrin këtë çmim këtë vit.

“Elina Duni nuk është as shqiptare, as zvicerane, ajo është krenari kombëtare, në disa shtete. Elina është një përzierje e melankolisë dhe guximit, e kur ajo del në skenë për të kënduar himne mërgimi sjellë vrazhdësinë e vendit që ajo nuk e ka lënë kurrë”, shkruan Arnaud Robert si një arsyetim pse Elina merr njërin nga çmimet kryesore që Zvicra jep në fushën e muzikës.

Pos Elinës, në këtë listë janë edhe emrat si Jojo Mayer, Tobi Tobler, Helena Winkelman, Pascal Auberson e këngëtarë të tjerë, shkruan KultPlus.

Elina është një ndër këngëtaret më të njohura shqiptare në botë, dhe shpesh ka shndërruar këngët shqipe në këtë të përjetuara edhe nga të huajt, në festivalet ku ajo ka performuar./ KultPlus.com

‘Evropë qite n’veti’ edhe në Ulqin

Pas disa shfaqjeve të suksesshme që pati në disa vende të Kosovës, Stand Up Comedy-a ‘Evropë qite n’veti’ do të shfaqet edhe në Ulqin, shkruan KultPlus.

Me aktorë Kushtrim Qerimi, Avni Shkodra dhe Ernest Zymberi, përmes kësaj Stand Up Comedy-e trajtohen disa tema aktuale në vendin tonë si: raporti i Shqiptarëve me Evropën: për politikë, punë, çaja, teknologji, dasma, viza, sehire (magji), miza, monedha, etj, duke përfshirë edhe ngjarjet të cilat mund të kenë ndodhur së fundmi.

‘Evropë qite n’veti’, do të jepet në Kalanë e Ulqini më 5 gusht me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

Hoxhaj mburret se lexon 2-3 libra për një muaj, kërkon ballafaqim me filozofë

Ministri i Punëve të Jashtme në ikje, Enver Hoxhaj pas disa publikimeve në llogarinë e tij në Facebook ku tregon se cilat libra po i lexon, ka treguar edhe publikisht pasionin e tij të leximit.

Në “Rubikon” Hoxhaj është mburrur se është një lexues i pasionuar, përcjell Insajderi.

“Gjatë muajit lexoj ndoshta, mund të përfundoj 2-3 libra”, ka thënë Hoxhaj.

Madje ai ka thënë se librat që lexon janë edhe voluminoz.

“Realisht libri i Kissingerit është 800 faqe por e kam lexuar me pasion”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar Henry Kissingerin një nga diplomatët e njohur duke e quajtur një “fenomen në politikën e jashtme, si mendim”

Hoxhaj ka treguar se është i dhënë pas leximit të filozofisë gjermane duke e quajtur si filozof të preferuar Jürgen Habermas gjë që e ka ndihmuar të “çlodhet dhe të motivohet për të vazhduar tutje”.

“Haberman është filozofi im i preferuar edhe për tezat e patriotizmit”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka treguar edhe arsyen pse i publikon në Facebook, librat që i lexon duke i shoqëruar edhe me nga një fotografi ku ai shihet duke lexuar.
“Po mendoja se mund të provokoja ndonjë debat në shoqëri”, ka thënë ministri në ikje i Punëve të Jashtme.

Në fund ka pasur edhe një kërkesë për KTV-në, ku transmetohet “Rubikon”.

“Kam dëgjuar që ju e keni një emision për libra dhe mirë është të ftohem të flas për libra dhe kisha pas qejf të ballafaqohem edhe me këta të filozofisë….”, ka thënë Hoxhaj.

Por ka pasur një kusht.

“…. nëse e njohin gjuhën gjermane, sepse Habermasi mund të lexohet edhe në gjuhë të tjera, por mënyra e shkrimit të tij në gjuhën gjermane është e veçantë”, ka thënë Hoxhaj.

E autori i emisionit Adriatik Kelmendi i ka premtuar se do të “intervenoj” që Hoxhaj të jetë i ftuar në emision televiziv për të folur për libra./KultPlus.com

Gati për Bienalen ‘Netët e muzikës klasike’ në Durrës

Bienalja “Netët e muzikës klasike” këtë vit mbërrin në edicionin e tetë.

Një prej veprimtarive më të vlerësuara gjatë sezonit të verës edhe këtë edicion Bienalja që nis më 1 gusht ngjit në skenë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Nuk do të mungojnë dhe vepra premierë, por dhe zërat e artistëve më të njohur lirikë të skenës. Edhe këtë edicion Bienalja vjen me drejtues artistik violinistin e njohur Florian Vlashi dhe drejtues të përgjithshëm kompozitorin Haig Zacharian. Sipas drejtorit artistik Florian Vlashi këtë vit ka një temë qendrore në Bienale, që është artistë dhe pushteti.

“Pjesa kryesore më me peshë e festivalit është Kuarteti për fundin e kohërave, që është shkruar në shekullin e 20. Ishte muzika e “Kuartetit të fundit të kohërave”, që luhej në kampin nazist Stalag VIII atë ditë të akullt janari të vitit 1941. Pra ideja e Bienales është arti si shpresë. I gjithë festivali është i ndërtuar në këtë aspekt. Për këtë arsye dhe një nga netët që ne ia dedikojmë muzikës shqiptare janë pikërisht ata autorë që kanë qenë të persekutuar dhe ne e kemi quajtur “Në kërkim të muzikës së humbur”, pasi shumë vepra janë lënë mënjanë. Një prej tyre është dhe vepra e Palok Kurtit, apo Lec Kurti që krijoi një sonatë për piano. Kjo do jetë premierë në Bienale”, tregon mes të tjerave drejtori Vlashi për Bienalen, që nis më datë 1 deri më 8 gusht në Durrës.

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” lindi në vitin 2003 në Durrës në një formë krejt të natyrshme, në momentin dhe vendin e duhur.

“Festivali është i ndërtuar mbi një strukturë të mirëfilltë. Janë shtatë net të dedikuara një tematike dhe një periudhe muzikore: Nata e Muzikës Baroke, që nis me vepra që nga viti 1500, Klasike, Romantike, Moderne, Shqiptare, Konkursi Yjet e Rinj dhe Carte Blanche”, pohon drejtori Florian Vlashi. Çdo koncert shfaqet në ambiente të ndryshme të qytetit si Katedralja Shën Luçia, Muzeu Arkeologjik, Jozef Galery, Teatri Aleksandër Moisiu, shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli” e deri tek një fabrikë e braktisur në rrethinat e qytetit. “Janë luajtur vepra madhore të historisë së muzikës, disa prej të cilave vinin për herë të parë në Shqipëri si “Arti i Fugës” i Bahut apo “Historia e ushtarit” e Straviskit. Për çdo edicion porosisim një vepër premierë, ndërsa fituesi i konkursit të të rinjve ftohet nga Grupo Instrumental Siglo XX për koncerte në Spanjë”, shton më tej drejtori Florian Vlashi.

Programi muzikor

Bienalja nis me koncertin “Netët e Muzikës Baroke”. Për publikun do të jetë Orkestra Rinore e Durrësit dhe solistët Florian Vlashi, drejtues dhe solist Irina Nanushi në violinë. Në Bienale do të jepet Çmimi “Solisti i Ri i Netëve të Muzikës Klasike” i shoqëruar me diplomën përkatës si dhe e drejta për të dhënë koncerte në Spanje, si solist, (solo, i shoqëruar në piano apo me Orkestër dhome) i ftuar nga violinisti Florian Vlashi dhe bashkëshortja e tij, violonçelistja Rediana Lukaçi, të cilët janë njëherësh dhe financuesit e këtij çmimi, shkruan SotNews. Më 2 gusht 2017 Feim Ibrahime bën 20 vjet që nuk është mes nesh.

Për këtë përvjetor, Bienalja e Durrësit do të prezantojë veprën e tij të muzikës së dhomës si pjesë përbërëse e detyruar e repertorit të konkurruesve pjesëmarrës. Nuk mungon në festival dhe krijimtaria e Palok Kurtit me : N´at zaman t´njasaj furie, Kajrafil të zgjodha. Tonin Harapi vjen me Djaloshare. Lec Kurti me Romanca për violinë e piano (1914), sonata për violinë e piano (1915) vijnë si premierë. Palokë Kurti, është i pari muzikant shqiptar i cili, duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota, e ekzekutoi, duke hedhur kështu, bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Këngët romancat e tij do të arrinin majat më të larta të krijimtarisë popullore shqiptare. Do të prezantohet dhe Gëzim Çela bashkë me kitarën e tij të dhuruar nga Vaçe Zela. Ky instrument e shoqëroi “Gëzimin” në 22 vitet e dënimit në Tiranë e Spaç./ KultPlus.com

Rrëfimi i arbëreshes në kërkim të rrënjëve të saj shqiptare (AUDIO)

Studiuesi Robert Elsie ka publikuar sot një incizim ku dëgjohet një arbëreshe nga Qefti të Puljes në kërkim të rrënjëve të saj shqiptare.

Konstantina Massara është emri i gruas në incizim, realizuar nga Kujtim Shkreli.

http://dialects.albanianlanguage.net/HR-IT/138it.htm

/ KultPlus.com

Berati, qyteti i dytë më i bukur sipas agjencisë japoneze JATA

Në artikujt tanë ju kemi informuar vazhdimisht mbi qytetet më të bukura në botë, të cilat duhet t’i vizitoni të paktën një herë në jetë, por ndryshe nga sugjerimet e tjera kësaj here duhet ta ktheni busullën nga Shqipëria jonë e bukur, më saktë Berati.

Agjencia japoneze për turizmin “JATA” ka publikuar listën e qyteteve më të bukur në botë ku në vendin e dytë është edhe qyteti i Beratit, i cili është futur në këtë klasifikim për vlerat arkitekturore dhe kulturore që posedon.

Duke bërë një përshkrim te Beratit, JATA shkruan:

“Mangalemi, qyteti i vjetër i Beratit, shtrihet në brigjet e Osumit dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në periudhën e mesjetës ishte qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, fakt që e dëshmon edhe kalaja e qytetit”. Shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën, që asnjë piktor s’do t’i vendoste dot aq bukur, i kanë dhënë emrin Beratit: “Qytet i një mbi një dritareve”.

Rrugicat e këtyre lagjeve janë të shtruara me kalldrëm, ku mjeshtrit beratas punimin e gurit ua kanë lënë trashëgim brezave më të rinj. Muret e shtëpive janë të ndërtuara me gurë të skalitur ku shkëlqejnë nga bardhësia e gëlqeres.

Ajri i pastër i pishave përreth, gjelbërimi i tyre i përhershëm, kodrat e veshura me fiq e ullinj, xhamitë e bukura dhe të lashta në qendër të qytetit, ku ndër më të njohurat janë, Xhamia Mbret (1512) Xhamia e Plumbit (1555), Xhamia e Beqareve (1827) si dhe Xhamia e Celebi Hysen Pashes (nipi i Kara Mahmud Pasha) në lagjen Murat Celepias, janë dëshmia që qytetarët beratas si gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin pa dallim feje.

“Gati për gjithçka”, kur Bekim Fehmiu ishte më erotik se kurrë (VIDEO)

“Dispuesta a todo”, “Disposta a tutto”, “Ready for Anything” janë disa prej titujve të filmit ku Bekim Fehmiu luan në rol kryesor.
Skena të nxehta por edhe aktrim në gjuhën italiane, Bekim Fehmiu shkëlqen në film krahas aktores italiane Emanuela Giorgi.

Filmi është prodhim i vitit 1977 ndërsa flet për një burrë i cili dashurohet në një vajzë e cila ka fantazi të ndryshme seksuale, mes tyre edhe të vendosë thikë afër gjoksit të saj, shkruan KultPlus.
Ky konsiderohet edhe si një ndër rolet më erotike dhe pse jo romantike të aktorit të njohur shqiptar Bekim Fehmiu. Filmi është xhiruar në Venecia, atje ku Fehmiu ka qenë pjesë edhe e disa filmave tjerë

http://www.dailymotion.com/video/x5ihk6k

Dhurata Dora sjellë këngën e re ‘Bubble’ (VIDEO)

Këngëtarja Dhurata Dora sapo ka lansuar këngën e re të titulluar ‘Bubble’, shkruan KultPlus.

Kjo këngë vjen bashkë me videoklip i cili është realizuar nga Max Production, kompani e cila tash e një kohë e ka në menaxhim këngëtaren.

Teksti i këngës është shkruar nga Dhurata Dora, Gent Fatali dhe Fifi. / KultPlus.com

‘Bento.de’: Pesë gjërat që nuk duhet t’i humbisni pa i parë nga vendi i shqiponjave

Mediat ndërkombëtare vazhdojnë të shkruajnë për Shqipërinë, ndërsa e radhës është reportazhi i “Bento.de” duke treguar shumëçka për tokën e shqiponjave.

Udhëtimi i ekspeditës gjermane zgjati tri ditë në rrugët shqiptare, derisa kanë mbetur të befasuar për të mirë me atë se çfarë kanë parë në Shqipëri.

“Rruga ka qenë lehtë e kalueshme, edhe pse ka pasur vështirësi dhe rregullat nuk kanë qenë shumë të qarta. 350 kilometra nga veriu në jug, mund t’i kaloni pa problem për një javë, derisa mund të gjeni pak kohë edhe për të pushuar”, thuhet ndër të tjera në reportazh, përcjellë atsh.

Pesë gjërat që nuk duhet të humbisni sipas reportazhit në Shqipëri janë: Kepi i Rodonit, Tirana, Parku Kombëtar në Llogara, Plazhet e jugut dhe Syri i Kaltër. / KultPlus.com

http://www.bento.de/trip/roadtrip-durch-albanien-das-sind-die-5-schoensten-stationen-mit-dem-auto-1522095/


Është gjetur një mozaik 1800 vjeçar

Në Qytetin Antik Perge në provincën e Antalias në Turqi është gjetur mozaiku 1.800 vjeçar, që shfaq skenën e sakrifikimit të Ifigjenias, bijës së Agamemnonit, gjatë Luftës së Trojës, tha kreu i punimeve të gërmimit në Perge dhe drejtori i Muzeut të Antalias, Mustafa Demirel.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) lidhur me punimet e gërmimit, Demirel tha se në Perge janë bërë punime të mëdha të rehabilitimit.

Në kuadër të punimeve, siç tha Demirel, është bërë përmirësimi i hapësirës së qytetit antik, duke filluar nga porta jugore e deri në shatërvanin Kesos në veri. Ai tha se punime intensive janë zhvilluar në pjesën perëndimore të qytetit dhe se gjatë gërmimeve kanë gjetur në masë të madhe skulptura dhe zbulime të tjera të vogla.

Duke folur për mozaikun e gjetur, Demirel tha se ky zbulim u ka dhënë emocion të veçantë.

“Gjatë punimeve në qytetin antik Perge, është gjetur mozaik i cili reflekton skenën kur Ifigjenia u sakrifikua në Luftën e Trojës. Ky zbulim, i cili na ka dhënë emocione, u shfaq teksa dëshironim të hapnim një dyqan në rrugën perëndimore. Ramë në përfundim se ky vend ishte vend i shenjtë kulti. Nga analiza laboratorike e ekspertëve tanë, pamë se ajo që gjetëm është një mozaik. Bëhet fjalë për një mozaik 1.800 vjeçar i cili nuk është rastisur asnjëherë më parë në rajon”, theksoi Demirel.
Mustafa Demirel foli edhe për periudhën së cilës i përket mozaiku.

“Lufta e Trojës, e cila ka një vend të veçantë në mitologjinë greke dhe e cila përshkruhet në Iliadën e Homerit, filloi në vitin 1184 para erës sonë pasi Paridi, i biri i mbretit të Trojës Priamit dhe Hekubas, rrëmbeu Helenën, gruan e mbretit të Spartës Menelaut. Teksa flota e kryesuar nga Menelau dhe vëllai i tij, mbreti i Mikenës Agamemnoni, po përgatitej të udhëtonte, përnjëherë ndaloi era dhe parashikuesi që gjendej aty thotë se ky stagnim i erës buron nga zemërimi i Artemisit dhe se Agamemnoni ka bërë krim duke vrarë një kafshë të përkushtuar ndaj Artemisit. Zemërimi i Artemisit do të largohej vetëm nëse Agamemnoni sakrifikonte vajzën e tij Ifigjenian. Sakaq, Agamemnoni dëshiroi ta sakrifikojë të bijën Ifigjenian, në mënyrë që Artemisi të rikthente erën. Pikërisht në çastin kur do ta priste të bijën, Artemisi dërgon një dre dhe bën që në vend të së bijës ta sakirfikojë drerin. Vajza, e cila ngeli në jetë, bëhet murgeshë në tempullin e Artemisit, ndërsa era që do të mundësonte shkuarjen e ushtrive greke në Trojë fillon të fryejë”, tha Demirel.

Demirel po ashtu shtoi se në të ardhmen shpreson të nxjerrin edhe gjetje të reja befasuese nga gërmimet në qytetin antik Perge. / KultPlus.com

Muzetë në Krujë, ndër vendet më të vizituara në Shqipëri (FOTO)

Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë si dhe Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, janë shndërruar ndër vendet më të vizituara në Shqipëri, përcjellë KultPlus.

Vetëm për 6-të mujorin e parë të vitit numri i vizitorëve shënon shifrën e rreth 15 mijë vizitorëve në të dyja muzeumet. Interesi në rritje vazhdon edhe në ditët e nxehta të verës.

Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” si dhe Muzeu Historik dhe Etnografik janë të hapur çdo ditë për vizitorët nga ora 9:00 deri në orën 19:30. / KultPlus.com


Dua Lipa pozon për ‘serinë peshqirë’ të fotografit Mario Testino (FOTO)

Krijuesja e hitit ‘New Rules’, së fundmi ka pozuar për fotografin e njohur, Mario Testino, i cili ka punuar për revista të njohura si Vogue, V Magazine, Vanity Fair dhe GQ, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri të ditur vetë Dua Lipa përmes profilit të saj në rrjetin social Instagram. Ajo pak minutash postoi një fotografi mjaft artistike, të realizuar në mënyrë profesionale nga fotografi i njohur, Mario Testino.

‘Shumë e nderuar. Faleminderit shumë Mario Testino që edhe mua më bëre pjesë të serisë tënde me peshqir. Të dua”, ka shkruar kështu Dua pranë fotografisë.

Mario Testino ka fotografuar shumë yje të njohura, si Beyoncé, Christina María Aguilera, Gigi Hadid etj. /KultPlus.com

Anne Hathaway në rolin e ‘Barbie’

Filmi i ardhshëm ‘Barbie’ do të dalë në qershor të vitit 2018, shkruan KultPlus.

Aktorja fituese e çmimit ‘Oscar’, Anne Hathaway është në krye të listës së aktoreve të propozuara nga kompania ‘Sony’ për të luajtur rolin kryesor në filmin e ardhshëm ‘Barbie’.

Sipas kreut të ‘Sony’, Amy Pascal, roli ‘barbie’ është një ‘rol i rëndësishëm dhe i ndërlikuar’, për të cilin ata tani e shohin të përshtatshme aktoren e njohur amerikane, Anne Hathaway.

Amy Schumer ka qenë e përzgjedhur për të luajtur këtë rol, por ajo në mars të këtij viti u tërhoq për shkak të disa konflikteve rreth kohës, çka ka bërë që të shtyhet koha lansimit të këtij filmi.

Producentët e filmit ‘Barbie’ janë duke u përpjekur që të si sigurojnë bashkëpunim me regjisoren, Alethea Jones për të drejtuar filmin. /KultPlus.com

Katër këngëtare shqiptare pritet ta pushtojnë Moskën

Katër këngëtare shqiptare do të marrin pjesë në njërin prej festivaleve më moderne të muzikës “Evropa Plus” në Moskë.

Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi e Arilena Ara, janë emrat e përzgjedhur që do të performojnë në këtë festival.

Këtë lajm e ka bërë të ditur edhe vet posteri zyrtar i festivalit, i cili ka shfaqur listën me emrat e pjesëmarrësve, në të cilën bëjnë pjesë edhe katër këngëtaret në fjalë.

Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Era Istrefi janë emra, projektet e të cilave janë të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa edhe Arilena ka bërë një rrugë shumë të suksesshme me këngën “Nëntori”, e cila depërtoi në disa shtete sllave, dhe deri në Rusi.

Data kur do të mbahet ky festival është 29 korrik, në kryeqytetin rus, në Moskë, ku do të ngjiten në skenë edhe katër artistet shqiptare të lartpërmendura. Më poshtë po ju sjellim linkun ku mund të shihni listën e artistëve pjesëmarrës: https://live.europaplus.ru/#/artists/2017 / KultPlus.com

Katër rolet e mëdha të Adriana Matoshit

Ata që pëlqejnë filmat shqiptarë, e njohin mirë Adriana Matoshin dhe shkëlqimin e saj në shumë prej filmave me regjisorë shqiptarë.

Një ndër aktoret që me disa vite bagazh prapa saj vazhdon të shkëlqejë në role artistike, Adriana Matoshi gjithmonë vjen e freskët dhe e mishëruar brenda artit që veç ajo di ta sjellë.
Shembull, roli në filmin “Kthimi” nga Blerta Zeqiri e sjellë një Adrianë gati gati histerike, një grua që nga e qeshura kthehet në pak sekonda në vajtim, kur burri i saj merr vesh se ajo ka një fëmijë me dikë tjetër. Një histori lufte, ku Adriana futet brenda në rol dhe afër aktorit Lulzim Bucolli është një grua që nuk dorëzohet. Me Adrianën filmi arriti suksese të mëdha, në Sarajevë dhe më pas në Sundance Film Festival, dhe kjo tregon për mjeshtërinë e kësaj aktoreje.

 

Një rol tjetër i Adrianës, e ku ajo jep maksimumin e saj është roli i Valentinës tek filmi “Babai” me regji nga Visar Morina. Një film i prekshëm për historinë e një djali dhe babait të tij, ku Adriana sjellë emocionin e saj. Adriana udhëtoi për në Karlovy Vary me suksesin që arriti ky film.

Dhe Adriana është fantastike edhe në shfaqje. Shfaqja “Zemër e huaj” e bashkon atë me aktorë të tjerë të kalibrit të saj, për një shfaqje që vjen si traktat kundër shoqërive të dobëta të Ballkanit, dhe jo vetëm. Problemet me viza i ka pasur edhe vetë Adriana, dhe brenda kësaj shfaqjeje që niset me përvoja personale ka ditur të mbushë skenën e teatrit. Cinizëm, humor, fjalë të pista, luftë kundër burokracisë, të gjitha i përkthekon Adriana në këtë rol.

Me shfaqjen “Mësimi” nga Bekim Lumi para disa vitesh Adriana Matoshi udhëtoi për në Itali e më pas për në Lugano, e këtu morri edhe çmim për shfaqjen më të mirë. Shfaqjen e blenë më pas italianët. Adriana luan rolin e një 12 vjeçareje, e vetë thotë se ka qenë vështirë të portretizojë dikë të kësaj moshe. Shfaqja është lojë fizike, ku ajo në fund mbytet dhe dhunohet. / KultPlus.com

Filmi ‘James Bond’ do të dalë në vitin 2019

Kompania ‘Eon Productions’ e cila realizon filmat ‘James Bond’, dhe kompania ‘Metro Goldwyn Mayer’ dje njoftuan se filmi i radhës ‘James Bond’ do të dalë në nëntor të vitit 2019, por nuk konfirmoi se kush do ta luaj agjentin 00, përcjellë KultPlus.

Ndërsa, ‘New York Times’ duke u thirrur në disa burime anonime ka shkruar se rolin e agjentit të famshëm 007 sërish do ta luaj, aktori i famshëm anglez, Daniel Craig. ‘Se Daniel Craig do të vishet si 007 në ‘James Bond –in’ e ardhshëm, kjo tashmë është marrëveshje e bërë’, shkruan ‘New York Times’.

Aktori 49 vjeçar, Daniel Craig në një intervistë pati thënë se ai nuk do të luaj më rolin e agjentit 007, pasi është lodhur nga ky rol, por më vonë ai tërhoqi këtë deklaratë, duke thënë se do të merrte në konsideratë një rol tjetër. /KultPlus.com

Skënderbej Cërnojeviçi, shqiptaro-malazezi, historia e një kryetari shteti

Ylli Polovina është autor i tre librave për Gjergj Kastriotin dhe pasardhësit e tij. Të parin, “Gjysma e harruar e Skënderbeut” e publikoi në 2008, të dytin, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, në 2012 dhe të tretin “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur”, në 2013. Janë mbi nëntëqind faqe të botuara.

Shtyrë prej interesimit të medias dhe lexuesve për raportet e Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të familjes së tij me sllavët, autori ndërtoi, duke iu referuar saktësisht tre botimeve të veta, këtë lëndë për lexuesit e “Shqiptarja.com”.

“Vajza e dytë, Vojsava”, e vijon më tej testamentin e tij princi i Beratit, Gjon Muzaka, “pat për burrë Ivan Çërnojeviçin, Zotin e Malit të Zi dhe të Cetinës. Prej tyre lindën dy fëmijë: i pari u quajt Gjergj, i dyti u thirr Skënderbeg. Gjergji u martua dhe pati dy djem e tri vajza.

I pari nga djemtë quhej Solomon, ndërsa i dyti Kostandin.

Solomoni vdiq, kurse Kostandini u martua në Venecia.

Ndërsa dy nga vajzat u martuan në Hungari dhe e treta në Venecia.

Djali i dytë, Skënderbeu, kaloi në fenë islame dhe sot sundon territoret e vëllait të vet që ia kanë dhënë turqit”.

Siç e bën të ditur Gjon Muzaka që një gjysmë mijëvjeçari më parë, por që shqiptarët për po aq kohë, pesë shekuj, as që e dinë dhe as u ka rënë në vesh, ka ekzistuar edhe një Skënderbej tjetër, njëfarësoj nip si edhe i biri i mohuar i Gjon Kastriotit.

Në të vërtetë kur lindi ai u pagëzua me emrin Stanisha (Stanko shkurtimisht). Gjyshi i tij Stefan Cernojeviçi qe martuar me të motrën e madhe të Skënderbeut, Marien. Kështu i biri i princit malazez,
lordi Ivan, i cili u martua me vajzën e dytë të Gjergj Arianitit dhe të një Marieje tjetër, bijë Muzake, kur lindi dhe jetoi ishte një bashkim i fisit sllav Cërnojeviç dhe i tre familjeve arbërore: Kastrioti, Arianiti dhe Muzaka.

I biri i tij me emrin Stanisha qe po ashtu përzierje gjenetike e këtyre katër “gjaqeve”, por këtë rast të tretë edhe dy herë më shumë Arianit. Ndërsa i ati Stefan ishte martuar me arianitasen Marie, i biri Ivan pati lidhur kurorë me mbesën e saj, Vojsavën.

Pikërisht ky nip i derës fisnike të Arianitëve, i Muzakajve, por më së pari edhe i Kastriotëve, ndërsa lindi në 1457 dhe ndërroi jetë në vitin 1530, u kthye në fenë islame. Emri i tij i ri zyrtar qe Skënder Bej.

Ndryshe veproi i ati. Ai nuk e braktisi tingëllimin sllav të emrit të vet. Kur u pushtua nga turqit dhe bëri një lloj pajtimi me regjimin e ri, e la Ivan. Thjesht shtoi ofiqin fisnik osman Bej. Skënderbeu, i biri i Ivan Beut, u emërua nga sulltani guvernator i Malit të Zi, me një fjalë qe sanxhakbej. Këtë post të lartë e ushtroi prej vitit 1513 deri në 1528.

Në mërgimin e tij, tek shkruan testament-kronikën, siç cituam pak më lart, princi i Beratit shkruan edhe këtë frazë: “Djali i dytë, Skënderbeu, kaloi në fenë islame dhe sot sundon territoret e vëllait të vet që ia kanë dhënë turqit”. Ky informacion lë të kuptosh se i ka ardhur sapo ka ndodhur.

I biri i dytë i malazezo-shqiptarit Ivan (dhe i Maries) filloi si qeverisësi më i lartë i vendit të vet në vitin 1513. I vëllai i Stanishës (Skënderbeut), Gjergji V, vijuesi i drejtpërdrejtë i familjes Cërnojeviç, pasi Malin e Zi në periudhën 1499-1515 e qeverisi Ivani II (Bej), qe i pari i vendit vetëm për një vit. Në 1516 ai abdikoi në favor të arqipeshkvit Vavil dhe iku për të jetuar në Republikën e Venedikut.

Kështu këtë mot ekzistonin dy principata apo territore me emrin Mali i Zi. Njëri qe i drejtuar prej Vavilit, një lloj peshkopi-princ dhe shteti që ai kontrollonte, një krijesë teokratike.

E dyta ishte provinca turke me të njëjtin emër. Kjo qe krijuar nga Perandoria Osmane në 1514. Më pas ajo u zgjerua me përfshirjen në të edhe të provincës së Shkodrës.

Pikërisht në krye të këtij të dyti Mali i Zi, shtet paralel me atë të hierarkut të krishterë ortodoks Vavil, deri në vitin 1528 qe Skënderbeu, dikur Stanisha. Duke qenë se kronika e historisë e provon këtë, duke qenë po ashtu se Gjon Muzaka shkruan se stërnipi i arbrit të famshëm Skënderbeu pati qeverisur edhe tokat e të vëllait, pra Gjergjit, hamendja për vitshkrimin e testamentit shtyhet edhe më shumë.

Të paktën jo më herët se 1516, kur ky abdikoi.

Por le t’i largohemi ftillimit të mëtejshëm të kësaj teme, sepse nuk përbën objekt të parë të librit tonë, e të rikthehemi tek malazezo-shqiptari, madje shumë më saktë shqiptaro-malazezi Skënderbej. E themi këtë sepse në një rreth të ngushtë të krishterësh ai thirrej edhe Stanko Bushatlliu, mbiemër i marrë nga krahina e Bushatit në Shkodër.

Ky Skënderbej me mbiemrin Cërnojeviçi, por më shumë me identitet Arianitasi, Kastrioti e Muzake, ndërsa supershtetin turk e drejtonte sulltan Selimi I, provincën e vet e priu me një talent të rrallë administrativ.

Në veri të Perandorisë Osmane ajo qe më e lulëzuara, një model zhvillimi për të tjerët. I fortë edhe ushtarakisht (mobilizonte 3000 ushtarë sulmues), Skënderbej Cërnojeviçi kishte lidhje mjaft të ngushta me personalitete të njohura të kohës, veçanërisht me Gazi Husrev Beun, gjeneral, strateg dhe politikan i shkëlqyer boshnjak, themeluesi i Sarajevës së sotme.

Ky qe dhëndër i sulltanit Bajazid II dhe në 1521 u emërua guvernator i provincës otomane të Bosnjës.

Aq e madhe qe miqësia midis Skënderbej Cërnojeviçit dhe Gazi Husrev Beut sa që pas vdekjes së të parit dhe për pasojë krijimit të një boshllëku të madh pushteti në provincën turke të Malit të Zi, ky luftoi pa pushuar kundër disa kryengritjeve të popullsisë së krishterë, duke ia dalë të mos e lërë ta marrin, por t’i mbetej osmano-myslimanëve.

Prania e bujshme e këtij Skënderbeu tjetër, sigurisht atë kohë më e rënë në sy se ajo e të birit të Gjon Kastriotit, Skënderbeut të Ri, sot është zbehur e pothuaj shuar. Tek shqiptarët nuk hyri dot, por edhe tek malazezët, ku ndërsa shënohet në shumë nga tekstet për historinë e shtetit të tyre, paraqitet gjithsesi e mpakur.

E zvogëluar së tepërmi ajo është në të njëjtën kohë edhe e kritikuar, e mos pëlqyer. Sipas hartuesve të kronikave të vjetra të Malit të Zi Skënderbej Cërnojeviçi qe një njeri shumë i ashpër. Sistemi i tij i taksave, i zbatuar në vitin 1519, gjithnjë sipas tyre, ishte shumë i dhunshëm e shtypës, pothuaj i pashpirt.

Megjithatë Skënderbeu malazez dhe njëkohësisht arbër ka një vijë jete e bëme mjaft më të merituar për t’i hedhur dritë. Duke qenë se ka lindur në 1456, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu gjëmonte lavdi, të tërheq fillimisht arsyetimi se emri i është vënë në nderim të dajës së vogël. Veç nuk është aspak kështu. Në kishë iu vu Stanisha.

Nuk duket se edhe në një formë të tillë pagëzimi i është kryer për një arsye tjetër po aq të lidhur me familjen e të gjyshes, Marie Kastriotit. Stanishi qe vëllai i saj i dytë. Nuk të ndihmon këtu as fakti se daja i madh pati ndërruar jetë në vitin 1446. Disi e vështirë të mendohet se për këtë “ngjallje” nëpërmjet emrit është pritur plot një dekadë.

Depërtimi në ato pak të dhëna të jetës së tij na çon në një shteg tjetër. Ngjan si i kopjuar prej Gjergj Kastriot Skënderbeut. I lindur në shtëpinë e Cërnojeviçëve i ati, Ivani, në vitin 1485 e dorëzoi në oborrin e sulltanit, ku u arsimua dhe u formua si kuadër i administratës së perandorisë. Ndërsa detyrimisht u bë mysliman Stanisha mori emrin turk Skënderbeu.

Sipas asaj pak që shkruhet në jetëshkrimin e historisë së Malit të Zi, ky emër dhe titull bashkë, birit të Ivan Beut iu dha për aftësinë e tij të veçantë (ishte si Aleksandri i Maqedonisë).

Kështu në oborrin e sulltanit ai u thirr Skënderbej Cërnojeviç. Njëlloj edhe më pas, kur nisi të shërbejë në administratën e perandorisë. Me këtë emër mbeti edhe në pesëmbëdhjetë vitet e qeverisjes së provincës turke të Malit të Zi.

Po me Skënderbej Cërnojeviç e mbylli jetën dhe u ruajt në kujtesën historike të malazezve.

Ndërsa vëllai i gjyshes, Skënderbeu i famshëm, mbeti në memorien e kontinentit, madje edhe të globit, si një i krishterë, nipi i tij e mbylli jetën si osmanlli. Në dukje të parë ndryshimi është vetëm kaq.
Një pyetje këtë rast nuk mund të shmanget: ngjashmëria mes të dyve me vetëm këtë jopërputhje në mes, mos është punë e organizuar?
Imazhi i princit të krishterë të Krujës që pati aleat Evropën dhe Papën e u përball për një çerek shekulli me dy sulltanë shumë të fuqishëm ushtarakisht, por mjaft të zotë edhe si politikanë, në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë qe edhe më i përndritur se kur ishte gjallë.

Ai do të ngrihej më lart në të paktën edhe dy njëqindvjeçarët e ardhshëm. Si i tillë, imazh dhe jo njeri i gjallë, ai për Perandorinë Osmane përbënte një armik të ri, edhe më të rrezikshëm.

Nuk ka dyshim se mes masave të rrepta që brenda territorit shqiptar morën për ta shuar rrezatimin e kësaj shëmbëlltyre, oborri sulltanor duhet të mos ketë anashkaluar edhe një mënyrë tjetër asgjësimi. Kjo teknikë është e njohur për njerëzit që kryejnë luftë për pushtet: rikrijohet një imazh tjetër, ballafaques e njëkohësisht kundërvënës.

Ai nuk mund të ngjizet nga hiçi, si një mashtrim i rëndomtë. Kështu do të qe mjaft jetëshkurtër dhe për pasojë i paefektshëm. Stanisha, siç edhe e dëshmua jo pak por në pesëmbëdhjetë vite të administrimit të tij të provincës osmane të Malit të Zi, qe plot dhunti. Ai ishte politikan mjeshtër. Si i tillë, por tërësisht mysliman dhe në shërbim besnikëror ndaj Perandorisë Osmane, nipi i Skënderbeut është nxitur, stimuluar.

Ka gjasë që tipare e karakteristika të tij të jenë rafinuar apo zmadhuar ndopak, sidomos kur ndesh në përpjekjen e oborrit sulltanor për ta propaganduar administrimin e tij si një model për të gjithë provincat veriore të perandorisë.
I trajtuar kështu Skënderbeu mysliman e ka pëlqyer këtë rol përderisa në territorin ku qeverisi, të krishterët nuk e kanë ndjerë veten aq mirë sa të mos ia kursejnë mosbindjen për sa ishte gjallë dhe urrejtjen po ashtu më pas.

Vdekja e tij lehtësoi shpërthimin e menjëhershëm të një cikli kryengritjesh të tyre, të cilat nuk rezultuan me fitore për shkak të ndërhyrjes me forcë të mikut të hekurt, Gazi Husrev Beut.

Oborri sulltanor patjetër e ka përdorur këtë imazh kundërvënës ndaj Skënderbeut princ i Krujës dhe gjeneral i shumënjohur nga Evropa përderisa tek malazezët, popull tradicionalisht i krishterë, i biri i Ivanit nuk hyri dot në zemër.
Stanisha me emrin e konvertuar si paraardhësi i tij i famshëm, në rast se duke qenë realisht i aftë nuk do të pëlqente të përdorej për diversion politik, do të mbetej shumë më dashamirësisht në kujtesën e vendasve. Ai bëri lojën e Parandorisë Osmane dhe kështu u ndëshkua.

Kujtojmë se provinca e tij, e zgjeruar më pas edhe me qytetin e rrethinat e Shkodrës, qe e banuar nga shqiptarë. Kështu të dy etnitë në të njëjtën provincë kanë ndikuar tek njëra-tjetra për t’i bërë bllokadë imazhit të tij rivalizues me Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Në këtë njëmendjeje të dy palët, në një harmoni të plotë, e kanë fundosur në sgafellat e historisë, shumë larg vëmendjes dhe kureshtjes së shqiptarëve dhe malazezëve pasardhës”./ KultPlus.com

‘Divide’ i Ed Sheeran, albumi më i shitur në Britaninë e Madhe

Albumi i fundit i këngëtarit të njohur britanik, Ed Sheeran ‘Divide’ disa muaj pas publikimit, po vazhdon të shënoj suksese.

‘Divide’ ka 20 javë që gjendet në listën zyrtare të ‘BBC Radio 1’ më albumet më të popullarizuar dhe më të shitur në Britaninë e Madhe, ku në të shumtën e herëve ka qëndruar në krye të kësaj liste, shkruan KultPlus.

Tani albumi ‘Divide’ i Ed Sheeran është edhe zyrtarisht produkti muzikor më i shitur për vitin 2017, në Britaninë e Madhe, shkruan ‘The Guardian’, përcjellë KultPlus.

Albumi ‘Divide’ të cilin Ed Sheeran e lansoi në mars të këtij viti, deri më tani ka 2 milionë kopje të shitura.

‘Divide’ përveç që është albumi më i shitur në Britaninë e Madhe, është edhe produkti i argëtimit më i shituri atje, duke lënë pas shumë filma, këngë, albume etj. / KultPlus.com

Një histori e veçantë dashurie nga Lufta e Dytë Botërore (FOTO)

Andrea Rosheen Finnigan, ishte vetëm tri vjeçe, kur babai i saj, David kishte vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëna e Rosheen, Maria, shumë rrallë i kishte folur asaj për të atin, por përpara se të vdiste, ajo i kishte lënë të bijës një valixhe me disa letra, të cilat e tregojnë në detaje historinë e dashurisë magjepsëse, midis Davidit dhe Marisë, shkruan DailyMail, përcjell KultPlus.

Në njërën nga letrat, e cila daton që nga 8 maji i vitit 1943, David Francis i shprehë Marias, frustrimin e tij nga qëndrimi i tij në shërbimin e inteligjencës në Afrikë dhe pastaj në Indi gjatë luftës së dytë botërore.

Larg gruas dhe vajzës tashmë për më shumë se një vit, ai në letrat e tij tregonte se dëshira e vetme e oficerit të ri, ishte të shihte edhe njëherë familjen e tij, përpara se me gjasë do të humbiste jetën në atë luftë e cila e kishte lidhur të gjithë.

Vetëm tri javë pas shkroi letrën e fundit, Francis vdiq dhe Rosheen Finnigan humbi babain e saj në moshën tre vjeçare edhe pse ajo nuk e kishte parë atë që kur ishte dy vjeçe. Nga ajo kohë ai u zhduk nga jeta e saj, pasi u zhdukën nga shtëpia fotografitë, shënimet dhe madje edhe gramafoni i lavdishëm i vjetër me lëkurë të cilin ai e quajti ‘Griselda’. Nëna e saj ndonjëherë përmendte se kishte një valixhe me letra të tij. Ajo shumicën e kohës nuk fliste për Francisin, për shkak të burrit të saj të ri, i cili frikësohej se nëse ajo vazhdonte të fliste për të, do të ushqente edhe dashuri për të, edhe pse ai kishte vdekur. Kështu vazhdoi deri në vdekjen e nënës së Rosheen, e cila para se të vdiste ia dorëzoi të bijës valixhen me letra nga i ati i cili kishte vdekur gjatë luftës së dytë botërore.

“Ajo ma dha babain tim më në fund”, tha Roshen, e cila më pas publikoi këto letra, përmes të cilave tregoi një histori shumë të veçantë dashurie, e cila përfshin hollësi të vlefshme me qëndrimet çuditërisht të sinqerta dhe bashkëkohore të Davidit dhe Marisë për çdo gjë, nga seksi në politikë.

Maria ishte e bija e një çifti emigrantëve irlandezë, e cila ishte arsimuar në gjuhën angleze. Por ata ishin të dy të zgjuar, energjikë, artistikë dhe ishin bërë anëtarë të përkushtuar të Partisë Komuniste Britanike, radhët e të cilave u rritën në përgjigje të kërcënimit fashist.

Roshen me anë të këtyre letrave kishte mësuar aq shumë detaje nga jeta e edhe lidhja e prindërve të saj, të cilat ndoshta nuk do t’i mësonte edhe po të jetonin bashkë për një kohë të gjatë.

Sipas letrave të cilat Roshen i ka bërë publike, takimin i tyre i parë ngjanë më atë që shohim vetëm në filma. Ata ishin takuar në një festë të një miku, kur Maria ishte 21 vjeçe dhe Davidi ishte 20 vjeç. Letrat tregojnë detaje nga lidhja e një çifti, bisedat e tyre të thjeshta, bisedat mbi fëmijën e tyre, biseda erotik…, e me anë të së cilave Roshen lidhi dhe krijoi një histori për familjen e saj, të cilat i ndau edhe me publikun më pas.

“Babai im kurrë nuk erdhi në shtëpi, por falë nënës sime dhe letrave që ajo më la mësova gjithçka për të. Babai im ishte i pasionuar, i çmendur, cinik, i kujdesshëm, i padurueshëm , i mrekullueshëm”, ka thënë Roshen e cila për tërë jetën nuk dinte asgjë për të atin dhe menjëherë mësoi gjithçka, më shumë së sa secili mund të dijë për të atin e vet edhe nëse kanë jetuar gjithë jetën bashkë. / KultPlus.com