Shenoll Zehri shpalosë bukurinë e veshjeve kombëtare përmes fotografisë (FOTO)

Fotografi Shenoll Zehri, puna e të cilit gjithmonë mahnitë, kësaj radhe të bënë të dashurohesh në të, shkruan KultPlus.

Jeta Zymberi

Fotosesionet e tij të shumta që kryesisht lidhen me modën, kanë tërhequr gjithmonë vëmendje të madhe te publiku, por kësaj radhe ata që e donë fotografinë e Shenollit, janë mrekulluar nga e bukura që përçohet përmes artit të tij në fotosesionin e fundit i cili lidhet me veshjet kombëtare e që janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale shqiptare.

Veshjet kombëtare shqiptare dhe bukuritë e natyrës shqiptare, më saktësisht të Rugovës, janë dashkëdyzuar në këtë fotosesion të fundit të fotografit, për të përçuar një mesazh të qartë:

“Traditë është dashuria dhe kjo është arsyeja pse e duam traditën, ajo na veçon dhe është bukuria e të qenit shqiptar”, u shpreh fillimisht për KultPlus fotografi Shenoll Zehri.

Shenoll Zehri i cili këto fotografi i ka ndarë me KultPlus, ka treguar se qëllimi i këtij fotosesioni ishte që të bënte diçka më ndryshe.

“Doja të ofroja diçka më ndryshe, por gjithsesi të ketë kryefjalë artin përsëri. Mendoj se ky fotosesion pos që ka mjaft art në vetvete përcjell edhe një ngrohtësi të veçantë te kushdo që i sheh”, është shprehur tutje Shenolli.

Ky set fotografish është realizuar në Rugovë, sepse sipas Shenollit asnjë vend tjetër nuk do t’i përshtatej më shumë kësaj ideje.

“Vendimi për të realizuar një fotosesion të tillë e ka diktuar edhe lokacionin. Cili vend më bukur se Rugova do të vinte në pah bukurinë e veshjeve tradicionale edhe artin e traditës. Bukuritë natyrore të Rugovës janë përshtatur më së miri me gjithçka që kam dashur të shprehë. Gjithsesi është fotosesion i veçantë dhe krejt ndryshe nga të tjerët. Bart në vete një ngrohtësi dhe afërsi me të bukurën, tonën dhe çdo shqiptar e sheh si të veten”, tha tutje fotografi për KultPlus.

Sipas tij puna për realizimin e fotosesionit ka shkuar për bukuri dhe sipas planit, prandaj tani që puna është publikuar ai ndihem i përmbushur. / KultPlus.com





Era Istrefi kërcënohet nga Rusia, nuk udhëton fare për koncertin në Moskë

U paralajmërua që katër këngëtare shqiptare do të marrin pjesë në njërin prej festivaleve më moderne të muzikës “Evropa Plus” në Moskë, shkruan KultPlus.

Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi e Arilena Ara, janë emrat e përzgjedhur për të performuar në këtë festival. Këtë lajm e ka bërë të ditur edhe vet posteri zyrtar i festivalit, i cili ka shfaqur listën me emrat e pjesëmarrësve, në të cilën bëjnë pjesë edhe katër këngëtaret në fjalë.

Por, megjithatë në mesin e këngëtareve performuese që është pritur të performojnë sonte live ishte edhe Era Istrefi, në momentin e fundit ajo e ka anuluar këtë performancë.

Meqë shumica e këngëve të Erës janë në gjuhën shqipe, si dhe ajo përfaqëson shtetin e Kosovës, kjo gjë ka nxitur kërcënime ndaj këngëtares. Andaj, Era nuk ka udhëtuar fare për në Rusi pas rekomandimeve të institucioneve të sigurisë.

Bebe Rexha dhe Dua Lipa, tashmë gjinden në Moskë, teksa pritet që të performojë edhe Arilena Ara e cila ende nuk është parë të ketë arritur në shtetin rus. / KultPlus.com

Aktorja Cara Delevingne lanson këngën e saj të parë (VIDEO)

Cara Delevingne, përveç modelimit dhe aktrimit, ka vendosur të merret edhe me muzikë, shkruan KultPlus.

24 vjeçarja britanike, Delevingne dje ka lansuar në YouTube, këngën saj të parë të titulluar ‘I Feel Everything’.

‘I Feel Everything’ është punuar nga këngëtari dhe producenti i njohur amerikan, Pharrell Williams dhe Luc Besson, regjisori i filmit ‘Valerian and the City of a Thousand Planets’, ku luan edhe Cara Delevingne, shkruan ‘Cosmopolitan’, përcjellë KultPlus.

Këngën e parë, Cara Delevingne e solli edhe me videoklip, dhe kjo është paraqitja e saj e parë si solo këngëtare.

Në videoklipin e ri, modelja, aktorja tashmë edhe këngëtarja, shfaqet mjaft e veçantë me stile të ndryshme të flokëve në të cilat nuk është parë më herët.

Për më shumë shikoni videoklipin e këngës ‘I Feel Everything’ nga Cara Delevingne. /KultPlus.com

Klubi Letrar ‘De Rada’ organizon takim me studiuesin dhe shkrimtarin Ag Apolloni

Klubi Letrar ‘De Rada’ në Ferizaj, në kudër të ‘Ditëve të Diasporës’ për këtë vit organizon takim letrar me studiuesin dhe shkrimtarin Ag Apolloni, shkruan KultPlus.

Takimi do të mbahet nesër prej orës 19:00 te Qendra e Kulturës në sallën e kinemasë.

Ag Apolloni është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës. Veprat letrare të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.

Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare dhe kulturore në Prishtinë. Në vitin 2010 e ka riaktivizuar dhe e ka udhëhequr për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë, “Jeta e Re” (e themeluar më 1949), e cila ka qenë mbyllur më 2006. Në vitin 2013, themelon revistën kulturore “Symbol”, në të cilën ka realizuar intervista me: Linda Hutcheon, Rita Dove, Raoul Eshelman, Gottfried Helnëein, Andreas Huyssen, Mieke Bal, D. M. Thomas etj. Tekste dhe vepra të Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, maqedonisht, serbisht etj. Apolloni është shpërblyer disa herë me çmime kombëtare për veprat e tij fiksionale dhe studimore. / KultPlus.com

Gima sjellë këngën ‘Vjollcat’ (VIDEO)

Këngëtari Agim Llapashtica i njohur si Gima ka lansuar këngën e re të quajtur ‘Vjollcat’, shkruan KultPlus.

Teksti dhe komponimi origjinal i këngës është realizuar nga Violeta Rexhepagiqi, ndërsa vjen e përpunuar nga Gima.

Incizimi dhe mixi i këngës është realizuar nga Pëllumb Ballata në ‘Homebasesound’, kitarat elektrike dhe akustike Leonard Canhasi, bas kitarë Emir Plava dhe bateri Teoman Ukqa, ndërsa në back vocals qëndron Emir Plava.

Regjia është realizuar nga Ylber Yascha Mehmedaliu. / KultPlus.com

TV France2 ka transmetuar reportazh mahnitës për turizmin e Shqipërisë (VIDEO)

“Është ende një vend i panjohur për turistët, një parajsë e fshehtë përballë Italisë, e mbërthyer midis Greqisë dhe Malit të Zi, është Shqipëria!”, kështu nis reportazhi dedikuar turizmit në Shqipëri të cilin e ka realizuar TV France2, shkruan KultPlus.

Ky reportazh është transmetuar mbrëmë në ora 20:00 në televizionin francez, duke arritur një rekord shikueshmërie prej 8 milionë.

Me këtë lajm të bukur e ka nisur ditën edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai ka shpërndarë videon në Facebook dhe është shprehur i lumtur për këtë promovim që po i bëhet Shqipërisë.

“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë reportazh të bukur për turizmin e Shqipërisë, transmetuar në edicionin e orës 20:00 në TV France2 duke arritur edhe një rekord shikueshmërie prej 8 milionë qytetarësh francezë”, ka shkruar Rama.

Për më tepër ndiqeni videon në vazhdim./ KultPlus.com

Legjenda londineze e muzikës General Levy, vjen në ‘Turtle Fest’

Nisur si një festë e vogël në plazhin e mrekullueshëm të Drymades, tashmë në edicionin e tij të gjashtë, Turtle Fest ka arritur që të kthehet në një ndër festivalet më të rëndësishëm të rajonit për shkak se përmbledh muzikën e mirë, efekte vizuale të mrekullueshme dhe rivierën unike shqiptare, përcjellë KultPlus.

Tashmë, në prag të tre netëve të gjata dhe ditëve të freskëta, festivali publikoi dhe tre emrat të cilët do udhëheqin tre mbrëmjet e tij, duke formuar kështu dhe natyrën e secilës natë.

General Levy (UK) do jetw nw Turtle Fest 2017

General Levy, legjenda londineze e muzikës, i cili prej 20 vitesh është Headliner në eventet më të rëndësishme europiane tw muzikës Reggae, Jungle, Drum and Bass, vjen për të parën herë për të performuar Live në skenën kryesore të Turtle Fest. I njohur ndryshe si Mr. Incredible, ai ka qenë influencë e shumë Mc-ve dhe zhanreve të ndryshme urbane që janë zhvilluar për pasojë.
General Levy do çelë natën e parë të Turtle Fest, në të cilën do mbizotërojë muzika reggae, hip-hop, jungle dhe drum’n’bass, në një eksperiencë e cila do ju bëjë të kërceni gjithë natën.

Prej më shumë se 20 vitesh në skenë, General Levy është absolutisht veterani më i madh i skenës urbane të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u rrit nën influencat e muzikës reggae dhe kulturës afro-amerikane. Falë vëllait të tij të madh, i cili është një fans shumë i madh i muzikës, General Levy krijoi një variabël të kulturës muzikore e cila varion nga ska në rock steady, nga calypso në muzikën soul, nga hip-hop në reggae.

Shumë shpejt nisi të shkruajë tekstet e këngëve të tij, ndaj suksesi nuk vonoi, pasi vetëm në moshën 19 vjeçare General Levy fitoi vëmendje botërore, duke fituar dhe shumë çmime si albumi më i mirë reggae, për publikimin e tij të parë të quajtur “Third Dimension”, kënga më e mirë e vitit për “Heat” dhe vlerësimin si MC më i mirë në UK.

Mandej, kënga e tij “Incredible”, një sukses botëror, nuk arriti thjesht majat e klasifikimeve botërore, por u përdor dhe në filma si “Ali G” dhe “Seuls Two”.

Në skenat e mëdha festive, General Levy ka ndezur publikun e Garance Reggae Festival apo Summer Jam dhe gjithashtu të Reggae Sun Ska apo Realbeat Reggae Festival. Të gjitha këto evente janë pushtuar nga ky talent dhe performues i jashtëzakonshëm.

Bashkëpunimet e tij me studio e mëdha të prodhimit janë gjithashtu mbresëlënëse, duke nisur nga Capleton, Sly & Robbie, Danakil dhe Desmond Dekker.

Albumi i ri i General Levy sjell një gamë bashkëpunimesh me artistë të ndryshëm, për të sjellë si rezultat një publikim eklektik dhe të suksesshëm në rrymën funk, hip hop, jungle dhe reggae. “We progressive” mban vlera edhe sepse shënon bashkëpunime me artistë si Balik (Danakil), Big Red (Raggasonic) dhe Papa Style & Baldas. / KultPlus.com


Tjetër zbulim arkeologjik që flet për rëndësinë e Durrësit në antikitet

Një tjetër zbulim i ri arkeologjik në Durrës përforcon bindjen mbi rëndësinë dhe madhështinë e qytetit buzë Adriatikut edhe në periudhën e antikitetit të vonë, kur Perandoria Bizantine përballej me një sërë problemesh dhe investime të tilla ishin të pazakonta.

Sipas drejtueses se gërmimeve, arkeologes Brikena Shkodra, bëhet fjalë për elemente strukturore të ndërtuara me materiale të kushtueshme për kohën dhe që i përkasin një godine të antikitetit të vonë, që mund të jetë një pallat perandorak bizantin.

“Ajo që ne mundëm të zbulojmë këtë vit është një ambient që shtrohet me pllaka cilësore mermeri të importuar ndoshta nga Prekonezi; faqet anësore janë të shtruara me shtresë llaçi me karakter hidroizolues; si dhe fasada e jashtme është e veshur me pllaka cilësore të mermerit prekonezian. Këto na bëjnë të mendojmë se kemi të bëjmë me një hapësirë që ka funksionuar si një fontanë ose pishinë, pjesë e një kompleksi shumë të madh publik në antikitetin e vonë. Nëse tentojmë të mendojmë mbi funksionin e këtij kompleksi, gjetjet, nisur nga cilësia e punimit, na shtyjnë të mendojmë se mund të kemi të bëjmë me një pallat perandorak. Kjo tregon se Durrësi ishte një qytet shumë i rëndësishëm për Perandorinë Bizantine gjatë shekullit të V-VI”, thotë Shkodra.

Një ide tjetër është se këto gjetje mund t’i përkasin edhe një terme (banjo termale) të së njëjtës periudhë historike, por arkeologia shprehet se priten të tjera elemente për të sqaruar përfundimisht funksionin e godinës.

“Pritet gjetja e elementeve të tjera nëse bëhet fjalë për një pallat perandorak, apo një terme. Është e rëndësishme që kemi të bëjmë me një godinë të karakterit publik dhe jo fetar”, vijon Shkodra.

Gjatë këtyre gërmimeve të bëra në oborrin e pasmë të një banese private, në rrugën “Mustafa Varoshi”, në një nga lagjet e hershme të qytetit të Durrësit, atë 11 ka dalë në drite dhe një pus me thellësi 4.7 metra që i përket shekullit XVIII.

Dëshmitë e reja historike kanë dalë në dritë gjatë zbatimit të një projekti të Institutit Arkeologjik me fokus studimin e qytetit të Dyrrachiumit. / KultPlus.com

Violinisti rock që bashkon Mazart dhe Metallica

Asnjë muzikant tjetër nuk i bashkon njerëzit e të gjitha moshave, si dhe të marrë vlerësimet maksimalisht në një spektër të gjerë stilesh muzikore, por David Garret mundet ta bëjë.

Në koncertet e tij, publiku hipnotizohet nga talenti dhe pasioni që ai përçon në interpretim dhe mënyrën në të cilën ai zbulon gamën e plotë të asaj që është e arrihet në luajtjen e violinës.
Përgjatë turneut të tij vjetor ai realizon rreth 160 koncerte në të gjithë botën.

Numrin më të madh të publikut Garret i ka në vendlindjen e tij në Gjermani, ku pjesëmarrja në një nga koncertet e tij shkon rreth 65,000 persona në stadiume, ose open air koncert e çmimet variojnë nga 300 euro deri në 85 euro për person dhe bileta janë “Sold out”- të shitura, në dy muajt e parë të vitit.

Koncertet e tij më të sukseshme transmetohen në Tv ZDF ekskluzivisht. Më pas renditet Amerika, vendlindja e nënës së tij, ku publiku shkon rreth 45,000 persona në një koncert dhe ku çmimet variojnë nga 230 USD deri ne 70 USD.

Në repertori i tij në koncerte ai përfshin muzikë klasike të ripërpunuar, si dhe pjesë të njohura të muzikës rock, blues të përshtatura për violinë.

Garrett ka sjellë një formë tërësisht të re shoë muzikor midis klasikes dhe modernes që ka tërhequr jashtmase audiencë në koncertet e ndryshme që ai realizon, shkruan Top-channel.

Shumë fansa të tij, si dhe publiku ka vlerësuar përshtatjen dhe risjelljen në violinë të disa prej hiteve më të njohura botërore nga Nirvana, Metallica, Guns ‘N Rosses, Pink Floyd, si dhe tribute e disa prej hiteve të Michael Jackson të realizuar enkas.

David Garret mësimet e para në violinë i mori në moshën 4-vjeçare dhe u regjistrua në konservatorin e Lubeck në moshën 7-vjeçare. Garrett iu dha falë bujarisë së presidentit gjerman në atë kohë Richard Von Weizsacker në moshën 11-vjeçare violina Stradivarius në përdorim.

Garret njihet si një ndër violinistët më të mirë botërorë dhe mban rekordin Guinness si violinisti që luan më shpejt.

Të ardhurat e tij vjetore, përveç koncerteve janë dhe nga imazhi i tij, ku realizon sete fotografike dhe spote komerciale të disa prej kompanive më të njohura botërore./KultPlus.com

Nesër fillojnë aplikimet për mbjellje të drurit në ‘Parkun e të martuarve’

Komuna e Prishtinës njofton qytetarët se nga nesër do të pranohen aplikimet për mbjellje të drurit nga çiftet e sapomartuara në parkun e dedikuar për ta, përcjellë KultPlus.

Hapja e parkut do të bëhet më 7 gusht, dhe të drejtë aplikimi për mbjelljen e drurit kanë të gjitha çiftet që paraqiten në Komunë për t’u kurorëzuar.

Ju rikujtojmë se tarifat për ceremoninë e kurorëzimit, janë: 15 euro, nëse kurorëzimi bëhet brenda objektit të Komunës, 50 euro, nëse kurorëzimi bëhet në lokacion tjetër dhe 40 euro, nëse duan ta mbjellin drurin në parkun e të martuarve.

Kërkesat dorëzohen në sportelet e Komunës së Prishtinës, gjegjësisht më Zyrën e Gjendjes Civile. / KultPlus.com

Tri këngëtaret shqiptare i këndojnë qytetit të Beratit (VIDEO)

Irma Libohova, Silva Gunbardhi dhe Eranda Libohova kanë postuar sot një video në rrjetin social Facebook ku i këndojnë Beratit.

Të tri këngëtaret janë nisur për në Berat, për të qenë pjesëmarrëse në Maratonën Verore. Ato i këndojnë Beratit, qytetit që shpesh cilësohet si një ndër më të bukurit në Evropë.

Këngëtaret janë mike prej vitesh dhe videoja tregon se sa të koordinuara janë edhe me vokalet e tyre.

Shqiptari Action Bronson lanson ‘The Chairman’s Intent’

Pas konfirmimit të projektit “Blue Chips 7000” në muajin e kaluar, reperi me prejardhje shqiptare Action Bronson ka publikuar këngën e tij të re.

“The Chairman’s Intent” quhet kënga e tij e re, të cilën e sjell edhe me videoklip.

Videoklipi me regji të Rik Corderos paraqet Bronsonin duke bërë goditje kung-fu në vitet e ’70-ta.

Ai ka konfirmuar se albumi “Blue Chips 7000” do të publikohet më 25 gusht.

Adem Mikullovci, artisti që do të jetë përfaqësues i popullit në Parlament

Aktori Adem Mikullovci do të jetë një prej përfaqësuesve të popullit.

Ai ka fituar votat për të qenë pjesë e Parlamentit të Kosovës, në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mikullovci ka marrë mbi 12 mijë vota ndërsa është në mesin e 12-të më të votuarve në këtë parti.
Aktori viteve të fundit ka treguar dëshirë të madhe për tu bërë politikan dhe duket se ka triumfuar në zgjedhjet e fundit. Madje gjatë fushatës elektorale ai ka qenë goxha i zëshëm. Ai partinë e tij e ka quajtur “Dielli i Kosovës”, ndërsa kjo e arsyeton pasi ai ka marrë votat për tu ulur në një nga ulëset e Parlamentit.

Mikullovci bën pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës. Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër, shkruan KultPlus.

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj.
Në vitin 1990 ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. / KultPlus.com

Do të këndoj për ne, do të këndoj për të

Poezi nga shkrimtari Adonis. Adonis ose Adunis është një poet dhe eseist libanez me origjinë siriane.

Do të këndoj për ne do të këndoj për të
në emër të saj, o shoqëruesi i shpërthimit tim shkëlqim trupin e saj,
mësoma të kënduarit
thuaji kësaj kohë-mur që fillova
dhe u hapa misterit të saj,
dhe u rrënjosa në të
poezitë e mia janë mbuluar me të,
dhe unë nuk dua të ekzistoj vetëm për të ekzistuar.
nuk dua ta le kohën time të rrjedhë midis krahëve të tu
nuk dua të magjepsem për të e të magjepsem prej saj,
të këndoj për ne dhe të këndoj për të
në emër të saj, o shoqërues i shpërthimit tim shkëlqim trupin e tij,
mësoma të kënduarit

‘Turtle Fest’ dhe ‘Hapësira’ bashkojnë forcat, sjellin DJ e njohur botëror

Edicioni i këtij viti shënon dhe këtë bashkëpunim të shumëpritur në mes Turtle Fest dhe Hapësirës. Dy forca të mëdha të skenës së muzikës në Shqipëri dhe Kosovë janë bashkuar për t’ju sjellë një mbrëmje plot tundime dhe emocion, përcjellë KultPlus.

Turtle Fest është një festival i muzikës i cili sjell një lineup të emrave më të të mirë të rajonit dhe botës.

Eventi, i cili shënon edicionin e tij të gjashtë, është rritur në formë dhe cilësi, ndaj kur u publikuan të dhënat e para të emrave të cilët do kryesonin secilën mbrëmje, të gjithë mbajtëm frymën për të mësuar se cili do të mbyllë siparin e kësaj eksperience të papërsëritshme. Dhe ja tek erdhi.

Turtle Fest në bashkëpunim me Hapësira arritën të sjellin një emër i cili jo vetëm ka shënuar histori si një ndër Dj më të mirë techno, por është dhe pjesë e shtëpisë më të madhe të kësaj rryme, “Afterlife”, bëhet fjalë për Locked Groove.

Energjia e skenës së muzikës techno dhe house ka qenë terreni më i natyrshëm dhe frymëzues për Locked Groove, artistin e lindur në Belgjikë dhe të vendosur në Berlin.

Prodhimet e tij, njësoj si setet e Dj-të kanë të përbashkët shkëlqimin e himneve klasike të Chicagos dhe elementët e errët të ritmeve industriale. Ky kompleksitet dhe vizion i guximshëm e dallon atë masivisht nga çdo artist tjetër, pasi karakteristika e tij dalluese që në gjenezë ka qenë aftësia për të mos bërë kompromise dhe për të mos u ndikuar nga asnjë influencë.

Ndaj, nuk përbën çudi që vetë Scuba u tërhoq nga tingulli i Locked Groove në vitin 2012. Debutimi i tij dhe ritmet që vijuan ishin të gjitha të vlerësuara në po të njëjtën mënyrë.
Deri më tani, Locked Groove ka nxjerrë publikime të suksesshme në bashkëpunim me shtëpi si Life and Death,Permanent Vacation apo Afterlife, shtëpia aktuale e cila prodhon dhe mbështet këtë talent absolut të muzikës.

Vit pas viti, Turtle Fest zhvillon dhe perfeksionon këtë prodhim që rritet pas çdo edicioni. Nga skena madhështore, vizualet, efektet e ndriçimit dhe piroteknikat janë bërë tashmë një pjesë integrale e eksperiencës që ky festival ofron. Në edicionin e 6-të, organizatoret kanë premtuar se do sjellin eventin më të mirë deri më tani, duke e bërë pritjen për muajin gusht ende më të paduruar. / KultPlus.com

Etno Fest shpalos nëntë shtyllat programore për këtë edicion

Në pritje të lansimit të Web site që do të bëhet nesër, ku do të shpaloset programi dhe informatat tjera shtesë, Etno Fest ka publikuar sot nëntë shtyllat programore të këtij edicioni që mbahet nga data 11 gusht deri më 3 shtator, përcjellë KultPlus.

I – EKSPOZITAT:

1.“Hasjanet” – Ekspozitë e skulpturave nga Luan Mulliqi

2. “Hasjanet”- Ekspozitë e skulpturave të Destan Gashit ( Austri) – Galeria e vogël

3. “Kremte pagane”- Ekspozitë e pikturave dhe e keramikave të Blerta Surroit

4. Ekspozita kostumesh tradicionale nga Zona etnografike e Hasit

II – ETNO KONCERTE RITE DHE ETNOPERFORMANCA

1.Koncert i Etno ansambli “Katarina Josipi nga Zymi dhe nga etno ansambli nga Kruma

2.Etno Ansambli “Xhevat e Muharrem Qena “ nga Romaja e Hasit

3. Etno performancë nga Rapsha e Zones Etnografike të Malësisë së Madhe me temë kryesore “ Riti i stolisjes se nuses”.

4. Etno Ansambli “Merak” nga Lubinja e Prizrenit
Rite të ushqimit dhe të dasmës.

5. Etno ansamble nga Kumanova dhe Smira e Vitisë

6. Ansambli i Rugovës. Valle, rite këngë dhe lojëra tradicionale të Rugovës.

7. Grupi polifonik: “Idriz Culli” – Zhula, Gjirokater

8. Grupi polifoniik: “Bijtë e Tepelenës” – Tepelenë

9. Zona etnografike Opojës (Bresana) Programi i riteve të dasmës

10. “Prishtina Brass” – Grupi i frymorëve nga Filharmonia e Kosovës.
Motive muzikore tradicionale

11.Performanca skenike dhe instalacione në temë të veshjes së Hasit dhe të Malësisë së Madhe dhe Malësisë së Prizrenit

12. “Etno Muzika e Re” – Program muzikor nga llir Bajri, Liburn Jupolli, Visar Kuqi, Shaqir Hoti, Erëmira Çitaku, Arbër Salihu, Edona Vatoci dhe Blerta Kosova

III – SHFAQJE TEATRORE

1. “Tana Production” – trupë teatrore nga Prishtina
“Aritmia” – shfaqje premierë sipas tekstit të Arta Arifit në regji të Ilirianë Arifit

2. Teatri Kombëtar i Kosovës:
“Dëshira tours” sipas “Tramvaji i quajtur dëshirë” të Teenesi Vilijemsit në regji të Ard Mejzinit
3. Qendra “Multimedia”
“Peer Gynti nga Kosova” e Jeton Nezirajt në regji të Agon Miftarit

4. MonoAKT – Trupa teatrore nga Prishtina:
“Anonimi i Venedikut” nga Guiseppe Berto në regji të Drita Begollit

5. Teatri DODONA
“Muhamed Ali” me autor dhe regjisor Naser Shatrolli

6. Fakulteti i Arteve
“Ferri” nga Dante Eligeri. Regjia: Kushtrim Mehmeti

7. Teatri i Qytetit Vushtri
“Sundimi i Gruas” nga Miro Gavran ne regji te Marigona Bekteshit

8. Shfaqje teatrore nga Fakulteti i Arteve:
“Barbara” adaptimi dhe regjia: Elhame Kutllovci

9. Teatri ‘Dodona’
“Lojë e Pafund”, regjia Fadil Hysaj

IV – KULINARIA TRADICIONALE

ART I KULINARISË TRADICIONALE SHQIPTARE
Shoqata e Grave “Women 4 Women”

V- ZONA E DEBATIT, BISEDË ODASH, PROMOVIM LIBRASH

1. Në fokus libri i Kanunit të Lekë Dukagjinit i kodifikuar nga Shtjefën Gjeqovi me ekspozitën e kopertinave nga botimet e deritashme të kësaj vepre.

2. Promovimi i librit “HASI“, enciklopedi etnokulturore e Nexhat Çoçajt për veshjet tradicionale të Hasit me performanca përcjellëse nga kjo temë

3. Kultura e ushqimit te shqiptarët
4. “Stolisja e nusës Ilire” kumtesë nga Xhavit Rexhepi
dhe debate shkencore në këtë temë

5. “Kriza identitare dhe prishja e kohezionit social”

6. Kumtesa e debate shkencore për vallen me shpata, këngë të grave, lojën me tepsi. Kumtesë për shallen e Rugovës .

7. ARTI I BISEDIMIT TRADICIONAL NË ZONA RURALE TË KOSOVËS.

8. ARTI I BISEDIMIT NË ZONËN ETNOGRAFIKE TË PERMETIT

9. Tribunë shkencore për artin e bisedimit tradicional shqiptar

10. Kaosi urban dhe mungesa e arkitekturës autoktone

11. Roli i mediave dhe rrjetave sociale në shkatërrimin ose ne rimëkëmbjen e një ekuilibri mes modernes dhe traditës. Krijimi I oazave kulturore që rrezatojnë ide iluministe

VI – PUNËTORI KREATIVE

Forma kontemporane të lojës skenike të bazuara në rituale tradicionale

VI – FILMA DOKUMENTAR

1.Film dokumentar për xhubleten i punuar nga grup regjisorësh të rinj ne Top Chanal
2“Shtegtimi i malësorit”- film dokumentar për veteranin e ansamblit të Rugovës Kapllan Nikçi me regji të Fatos Lajqit
3. Në bashkëpunim me DOKUFEST: 3 filma dokumentar për Etno Kulturën
VII – VESHJE TRADICIONALE

1. Kostumografi moderne e bazuar në dizajne të kostumografisë tradicionale nga Diverse Fashion Desing Academy – Akademia e Dizajnit të Modës “Diverse” të Prishtinës
2. Performanca skenike dhe instalacione në temë të veshjes së Hasit dhe të Malësisë së Madhe dhe Malesisë së Prizrenit

VIII – ZEJE TË VJETRA

PROGRAMI I ZEJEVE TË VJETRA DHE ARTIZANATEVE
1.Arti i Farkatarisë
2.Arti i Poqarisë
3. Punimi i Plisit
4. Arti i Punimit me Gurë (muri prej guri)
5. Arti i Punimit me Dru (Thurje a gardhit me thupra dhe pallzina)
6. Reciklime dhe instalacione artistike në këtë temë
7. Arti I punimit të gardhit ( Arti I thurjes se gardhit bistek. Thurja e shportave, mureve me pallzina dhe lyerja e tyre me balë…

IX – ETNO NEJA

12 Etno Neja me këngëtar dhe grupe të njohura. / KultPlus.com

Regjisorja Elmaze Nura dështon në tentimin për tu bërë deputete

Këtë vit listat zgjedhore të disa partive politike brenda tyre patën emra edhe të artistëve.

Një numër artistësh menduan se duke u futur në politikë do të mund të ndihmonin në jetën e qytetarëve të Kosovës, e ndoshta edhe në futjen e kulturës më shumë në agjendën e jetës politike.

Një prej emrave që dështoi të bëhej deputete në Parlamentin e Kosovës është regjisorja Elmaze Nura. Pjesë e listës në koalicionin PDK-AAK-NISMA, Nura nuk morri votat e nevojshme për të qenë në mesin e 39 deputetëve të këtij koalicioni në Parlamentin e Kosovës.

Ky ka qenë edhe tentimi i parë i Elmazes drejt një karriere e cila duket se, si për fillim, nuk i ka dalë suksesshëm. Nura njihet si regjisore e shfaqjeve “Lisistrata” dhe “Ku..Çka” ndërsa ka qenë e infiltruar në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Nura ka mbajtur numrin 42 në listën e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, ndërsa në listën përfundimtare të rezultateve nuk figuron emri i saj.

Profesoresha e ka siguruar komunitetin artistik se do të jetë përfaqësuese e vendosur e interesave të tyre.
“Besoj se një zë artisti në Kuvendin e Kosovës, do të jetë një mundësi më shumë, për të zhvilluar artin e kulturën, për të ndarë në mënyrë të drejtë dhe të merituar, më tepër fonde për krijuesit tanë. Nëse fitoj besimin e votuesve, arti dhe kultura, do të jenë prioritet kryesor i aktivitetit tim politik. Ka ardhë koha, për t’i kthyer sytë te vlerat e vërteta artistike”, është shprehur kandidatja në rrjetin e saj social Facebook kohë më parë, para zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë tre individët që kanë marrë më së shumti vota nga ky koalicion. / KultPlus.com

James Cameron sjellë një dokumentar me fakte historike rreth filmit ‘Titanik’

Tashmë janë bërë 20 vite që nga lansimi i filmit të famshëm ‘Titanik’, në kinematë botërore, film ndër më emblematikët e kinematografisë botërore, historia e të cilit ka prekur miliona njerëz në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Regjisori edhe skenaristi i filmit ‘Titanik’, James Cameron pikërisht në 20 vjetorin do të sjellë në “National Geographic” një dokumentar rreth anijes së përmbytur në vitin në vitin 1912.

Ai ka njoftuar se është duke e realizuar një dokumentar një orësh rreth ‘Titanik’, në të cilin ai do të eksplorojë saktësinë historike të filmit.

“Kur e kam shkruar dhe drejtuar filmin ‘Titanik’ jam kujdesur edhe për detajet më të vogla, trajtoja me shumë kujdes dhe hollësi çdo moment emocional të pjesë së orëve të fundi të njerëzve, kur ata tanimë po humbnin jetët e tyre në atë tragjedi. Por ky dokumentar do të jetë edhe më i përsosur dhe më i plotësuar, për shkak se nuk dua të devijoj as më të voglin fakt, ka thënë James Caeron.

20 vjetori i filmit të famshëm ‘Titanik’ është në dhjetor të këtij viti, me ç’rast filmi do të shfaqet edhe njëherë në kinematë e shumë shteteve të botës. / KultPlus.com

Libri ‘My War Gone By, I Miss It So’ i cili sjellë histori nga Lufta e Bosnjës, bëhet film

Filmi, ‘My War Gone By, I Miss It So’ bazohet në librin e vitit 1999, me të njëjtin emër, të shkruar nga Anthony Loyd, gazetar anglez, i cili ishte korrespodent në luftën e fundit në Bosnje, shkruan KultPlus.

Filmi drejtohet, nga regjisori i njohur amerikan, Gavin O’Connor, ndërsa producent është Tom Hardy, i cili do të luaj edhe rolin kryesor në këtë film, shkruan ‘Variety’, përcjellë KultPlus.

‘My War Gone By, I Miss It So’ sjellë përvojat personale të Anthony Loyd, i cili si korrespodent, ishte pjesë e Ushtrisë së Britanisë, gjatë Luftës në Bosnje gjatë vitit 1999. Libri, së shpejti edhe film, poashtu sjellë edhe histori personale të autorit, si divorci i prindërve të tij dhe varësinë e tij nga droga.

‘My War Gone By, I Miss It So’ është një histori brutale, por e ndjeshme, tregon përvojën në një luftë dhe përvojën e varësisë nga droga. Më kanë lënë shumë përshtypje fjalët, përvojat dhe puna e Anthony. Mendoj që ai është një zë shumë i rëndësishëm dhe libri i tij poashtu është shumë i rëndësishëm, tha producenti i filmit, Tom Hardy.

Edhe regjisori i filmit, Gavin O’Connor tha se libri i Anthomy, i kishte pëlqyer shumë dhe i kishte lënë përshtypje të mëdha.

‘Libri i tij është thjesht një dashuri qysh në faqen e parë. Një tregim tejet personal që pasqyron konfliktin më të përgjakshëm në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Në anën tjetër ai na jep një luftë të tijën personale me drogë. Ky është apokalipsi i Anthony. Ndihem i privilegjuar dhe i nderuar për mundësinë që ta sjellë librin në kinema’, tha Gavin O’Connor.

Autori i librit Anthony Loyd, ka lindur në një familje me traditë ushtarake, të ngritur mbi tregimet e paraardhësve, heronj të luftës. Kështu që edhe Anthony dëshironte të përjetonte luftën nga linjat e para. Ai la Anglinë në moshën 26 vjeç për të dokumentuar konfliktin në Bosnje, nga ku ai raportoi për një luftë vdekjeprurëse midis serbëve, kroatëve dhe myslimanëve boshnjakë. Nga adrenalina e luftës së armatosur, ai u kthye në shtëpi për të bërë tani një betejë personale kundër abuzimit me substancat. /KultPlus.com

Elvana Gjata në bashkëpunim me DJ e njohur botëror (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Elvana Gjata e cila tashmë është duke kërkuar rrugët e suksesit nëpër botë, duket se shumë shpejt do të vijë me një bashkëpunim mjaft interesant, shkruan KultPlus.

Projekti në fjalë do të vijë në bashkëpunim me producentin Poo Bear dhe DJ e njohur botëror, Sonny John Moore i njohur si Skrillex.

Gjata ka publikuar në Instastory disa video ku dëgjohet kënga. Sipas burimeve thuhet se tashmë xhirimet e videoklipit kanë filluar. Si gjithmonë, edhe kësaj radhe Elvana vjen shumë e rezervuar, duke mos zbuluar shumë, por fansat janë duke kërkuar gjurmë për të kuptuar më shumë rreth këtij projekti. / KultPlus.com

Dua Lipa i bashkohet bendit ‘Coldplay’ në turneun e tyre në Brazil e Argjentinë

Dua Lipa, krijuesja e hitit ‘New Rules’ po vazhdon suksesshëm rrugëtimin e saj në muzikë, shkruan KultPlus.

Lipa ka njoftuar se do t’i bashkohet bendit të famshëm britanik, Coldplay, në turneun në Amerikën Latine.

Turneu i ‘Coldplay’ do të mbahet në muajin nëntor, dhe Dua do të jetë pjesë e këtij turneu gjë për të cilën ajo është shprehur shumë e lumtur.

“Jam shumë e lumtur të njoftoj se do t’i bashkohem Coldplayit në një turne në Brazil dhe Argjentinë këtë nëntor!! Shihemi atje”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

Në Prizren u hap ekspozitë në 100 vjetorin e lindjes së presidentit amerikan John Kennedy

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Greg Delawie, ka marr pjesë sot në hapjen e ekspozitës me fotografi nga jeta e presidentit amerikan John F. Kennedy. Kjo ekspozitë u hap në 100 vjetorin e lindjes se presidentit të 35-të të Amerikës.

Drejtoresha e Bibliotekës ndërkomunale në Prizren, Sahadete Sadikaj, tha me këtë rast se kjo ekspozitë me fotografi nga jeta e presidentit amerikan John F. Kennedy hapet në 100 vjetorin e lindjes së tij. Po ashtu është mbajtur një ligjëratë dhe bashkëbisedim për jetën e presidentit amerikan me grupin e vullnetarëve të bibliotekës.

“Ka shumë mesazhe që mund të merren nga kjo ekspozitë, si nga jeta ashtu edhe nga vepra e presidentit amerikan. Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 8-të gusht”, tha Sadikaj.

Ambasadori amerikan pos që mori pjesë në hapjen e ekspozitës vizitoi edhe grupin e vullnetarëve, me të cilët e zhvilloi një bashkëbisedim të shkurt, dhe pa u prononcua fare për medie, u largua nga shtëpia e kulturës, shkruan gazetaere.

Drejtoresha e Bibliotekës ndërkomunale Sahadete Sadikaj, tha me këtë rast se grupi i vullnetarëve të Bibliotekës do të jetë në shërbim të vizitorëve të qytetit të Prizrenit.

“Gy grup nga data 29 do të jenë në përcjellje të vizitorëve për në Kalanë e Prizrenit”, tha ajo. / KultPlus.com

Aktori kosovar Florist Bajgora në mesin e talentëve në ‘Sarajevo Film Festival’

Në edicionin e tij të 23 – të, festivali i filmit ‘Sarajevo Film Festival’ do të mirëpresë 70-të artistë të rinj – të ardhshëm, kinematografë, drejtorë, redaktorë, kritikë filmash, producentë dhe skenaristë nga Evropa Juglindore dhe Kaukazi Jugor, shkruan KultPlus.

Këtë vit artistët e përzgjedhur vinë nga 19-të vende të ndryshme si: Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Malin e Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Nga gjithsej 303 aplikime të pranuara këtë vit, janë përzgjedhur 70-të, ku në mesin e tyre në grupin e aktorëve, është përzgjedhur edhe aktori kosovar, Florist Bajgora.

Talenteve të Sarajevës të përzgjedhur për 2017 do t’u ofrohet një program i pasur me masterklasa, diskutime, punëtori, shfaqje filmash, gjatë Festivalit të Filmit të Sarajevës. / KultPlus.com

Riva Starr pjesë e ‘Turtle Fest 6’

Festivali i Muzikës ‘Turtle Fest’, i cili më 4 gusht nisë rrugëtimin e gjashtë të tij, tashmë ka publikuar emrat që do të jenë pjesë e këtij eventi, i njohur si më i madhi i muzikës elektronike.

‘Turtle Fest’, njoftoi sot se pjesë e këtij festivali do të jetë edhe Riva Starr, duke shënuar kështu bashkëpunimin e këtij festivali me një nga platformat më të mëdha muzikore: Electronic Beats.

Një festë e bukur kampi, si e tillë fillon historia 6 vjeçare e ‘Turtle Fest’, i cili në tri ditë dhe tri net mbledh Dj-të më të rëndësishëm të skenës Alternative Evropiane & Shqiptare dhe numëroi edicionin e kaluar pjesëmarrjen e mbi 4500 adhuruesve të muzikës.

Riva Starr, i njohur ndryshe si Stefano Miele ka shënuar tashmë emrin e tij në jetën e natës londineze.
Përveçse një ndër Dj-të më të vlerësuar, ai është producent dhe zotëron shtëpinë e tij të prodhimit “Snatch Records”, i cili ka krijuar një ndër larrierat më të larmishme deri më sot, duke ndryshuar stil dhe duke thyer vazhdmisht barrierat e zhanreve muzikore.

Nga Glastonbury, tek Fuji Rock Festival e deri në Tomorroëland, Riva Starr ka arritur të ndezë çdo skenë ku ka performuar. Tashmë, Snatch! zotëron hapësirën e saj në Creamfields [ndër festivalet më historike në Mbretërin e Bashkuar], teksa në karrierën si muzikant, Starr ka bashkëpunuar me emra si Jamiroquai, Fatboy Slim apo London Grammar.

Ajo çka e bën Riva Starr të pa ngatërrueshëm është aftësia e tij për të lëshuar një hit absolut i cili
arrin majat në platforma si iTunes, dhe njëkohësisht të krijojë himnin e ri të muzikës underground, duke prodhuar për kompani muzikore si Cajual, Hot Creations apo Moon Harbour.
I mbështetur nga emra si Giles Peterson, Jamie Jones, Matthias Tanzamann e deri tek legjendari Pete Tong, Riva ka arritur të krijojë emrin e tij si një ndër muzikantët më solid në treg dhe në preferencat e publikut.

Të premten, të shtunën dhe të dielën e datave 4,5 dhe 6 gusht 2017, Ishulli i Breshkës zbarkon për të 6-in vit radhazi në plazhin përrallor të Drimadhesit për të hapur dyert e Festivalit më të madh Open-Air Shqiptar./ KultPlus.com