‘Time’ zgjedhë 10 shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave

Revista e njohur “Time”, ka mbledhur mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur të kohëve të sotme të cilët kanë vlerësuar autorët më të shquar të të gjitha kohërave.

Pra, jo dhjetë shkrimtarët më të mirë, por më të famshmit.

1. Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i madh botëror. Ndonëse në kohët e sotme është kaq shumë i çmuar, jeta e tij në periudhën kur jetoi, pati shumë dhembje dhe moskuptim. Ai ishte i pambështetur prej familjes dhe miqve prej pikëpamjeve të tij të ndryshme mbi jetën, fenë, dashurinë dhe mënyrën e ndërtimit të shoqërisë. Në vitin 1910, në moshën 81-vjeçare, si shenjë e revoltës së tij dhe për të mbrojtur më së miri ideologjinë që predikonte, Tolstoi u largua nga shtëpia dhe vdiq në ndërtesën e stacionit të trenit të Astapovos prej sëmundjes dhe pleqërisë.

2. Uilliam Shekspir, dramaturgu, poeti dhe shkrimtari më i njohur anglez, me shumë mister që e rrethon, është vlerësuar i dyti. Ai e bëri botën të qajë e të qesh me dramat dhe komeditë e tij të papërsëritshme. Është shkrimtari më i lexuar në botë, me 4 miliardë libra të shitur. Talenti i tij në depërtimin e botës së çdo personazhi dhe mjeshtëria e gjuhës, e bëjnë Shekspirin “Lordin e shkrimit anglez”. Shekspiri realizoi gjithsej 37 vepra: 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Tragjeditë e tij më të famshme janë “Hamleti”, “Henri IV”, “Makbeth” dhe “Romeo e Xhulieta”. Te komeditë përmendim “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Nata e dymbëdhjetë”.

3. Xhejms Xhojs, është i akuzuar prej shumë kritikëve si shkrimtari irlandez me stil të pakuptueshëm, të vështirë dhe monoton. Në listën e shkrimtarëve më të mirë botëror, renditet i treti. Xhejms Xhojs konsiderohet si një nga autorët më me ndikim të shekullit XX. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë të diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939), për përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe për romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit djaloshar” (1916).

4. Vladimir Nabokov, shkrimtari rus i famshëm për romanin e tij tërësisht tronditës për shoqëritë e të gjitha kohërave, “Lolita”, është vlerësuar i katërti. Karriera e tij filloi pas përkthimit të veprave në anglisht, ku u bë shumë i njohur sidomos me romanin “Lolita”, i cili është realizuar shumë herë në filma, ku përmendet filmi i vitit 1997 aktruar nga i madhi Xheremi Ajrons dhe Melani Grifit.

5. Fjodor Dostojevski, shkrimtari, filozofi dhe eseisti rus, është i njohur për veprat e tij madhështore. Në këtë klasifikim është vlerësuar i pesti. Veprat e tij hulumtojnë thellë në psikologjinë njerëzore nga pikëpamjet politike, shoqërore dhe shpirtërore të Rusisë së kohës. Ai është themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të 20 në Rusi. Për Dostojevskin thuhet se është ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë të të gjitha kohërave.

6. Uilliam Folkner, shkrimtari i rëndësishëm që prej natyrës së tij të tërhequr ishte gati-gati i panjohur për lexuesit, derisa në vitin 1949 mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ai është vlerësuar në këtë listë si shkrimtari i gjashtë më i shquar. Vepra e tij, që korri më shumë sukses dhe që i dha emër, është “Një trëndafil për Emilinë”. Në fjalën e tij, gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai tha: “Është veç një fjalë goje të thuash se njeriu është i pavdekshëm, vetëm sepse ai do të mbijetojë, kur të ketë kumbuar tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbimin e sprasëm e krejt të pavlerë të përshkënditjes së mbrëmjes së fundit, edhe atëherë do të ketë mbetur kumbi i një zëri: kumbi i mezindier, i pashtershëm i njeriut që ligjëron ende.”

7. Çarls Dikens, shkrimtari i madh anglez vjen në këtë listë i vlerësuar i shtati. Ai mendohet se është ndër të parët shkrimtarë anglezë, të cilët lëvruan romanin shoqëror. Si veçori e këtij autori është se veprat e tij përbëhen nga personazhe kryesisht fëmijërorë, nga ku vijnë dhe titujt e librave. Mendohet se shkak i kësaj është fëmijëria e tij e mjerueshme. I varfër dhe pa asnjë mjet jetese, ai i nënshtrohet punës në moshë shumë të re. Ndoshta ky është edhe çelësi i suksesit të tij, nëpërmjet personazheve që krijoi, ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij për t’i dhënë një fund të lumtur. Veprat e tij më të njohura janë: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell” dhe “Nikolla Nikëllbi”.

8. Anton Çehov, konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar jo vetëm rus, por mbarëbotëror. Ai vlerësohet i teti nga kritikët e sotëm. Çehov u diplomua në Mjekësi, por me shaka shprehej: “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Përmbledhja e novelave të tij është një nga librat më të shitur dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave, thellësia që pasqyron Çehov në novelat e tij, të magjeps dhe njëkohësisht të fut në kolapsin e shoqërisë ruse të shekullit të 19.

9. Gustav Flober, është një nga novelistët më të njohur francezë të shekullit të 19, kohë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit dhe miqve të tij. Ndjenjat që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Zonja Bovari”, “Tundimet e Shën Andonit”, “Salambo” dhe “Një zemër e thjeshtë”.

10. Xhejn Ostin është shkrimtarja e vetme që arrin të përfshihet në listën e shkrimtarëve më të mirë botërorë, pavarësisht se shumë femra të tjera kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi. Që më 1787-n, Xhejn filloi të shkruante poema, histori dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes së saj. Xhejn më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tri blloqe, tashmë të quajtura “Juvenilia”, që përmbanin pjesë të shkruara mes 1787-s dhe 1793-shit. Veprat e saj të mëpasshme janë frymëzim i shumë filmave hollivudianë, tepër të ndjekur dhe të lexuar. Ajo është një autore që nuk do të harrohet për veprën e saj “Krenari dhe paragjykim”./ KultPlus.com

Agon Myftari sjellë ‘Këngëtarja Tullace’ në Teatrin e Qytetit të Gjakovës

Teatri i Qytetit të Gjakovës ka filluar provat për shfaqjen më të re e cila edhe do të hapë sezonin e dytë të teatrit. Bëhet fjalë për shfaqjen “Këngëtarja Tullace” e autorit Eugene lonesco, shfaqje kjo e cila vjen nën regjinë e Agon Myftarit, shkruan KultPlus.

Në qendër të komedisë, të cilën vet lonesco e ka cilësuar si antikomedi, janë tre çifte bashkëshortësh, të cilët rastësisht mblidhen në shtëpinë e një mikut të tyre. Dhe mes bisedave me njëri tjetrin merr jetë absurdi i veprës dhe vështirësitë që hasin në komunikim njerëz të së njëjtës kulturë.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Ylber Mehmeti, Vlera Pylla, Yllka Lota dhe Altina Kusari.

Antidrama e njohur e autorit Eugene lonesco, “Këngëtarja Tullace”, konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd. Dihet se kur ky tekst u inskenua për herë të parë, më 1948, në Paris, ishin shitur vetëm shtatë bileta. Natyrisht, shfaqja u anulua. Pas katër viteve, më 1952, shfaqja u kthye përsëri në repertor dhe pati sukses. Që nga ajo kohë, shfaqja nuk u largua më nga repertorët e teatrove botërorë.
Në Teatrin parisien të Komedisë ajo ka mbi 50 vjet që është pjesë e repertorit të rregullt.

Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Gjakovës – Drejtoria për Kulturë dhe Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Obama dëshiron që Will Smith ta portretizojë atë në filmin e ri (VIDEO)

Obama beson se ka vetëm një njeri të duhur për këtë punë dhe ai është aktori Will Smith pasi ai mendon se vetëm Smith ka veshët e duhur për rolin.

Obama i ka thënë Will Smith se ai do të jetë i lumtur që aktori ta portretizojë atë në një film.
Në një intervistë me James Corden në show-in e Carpool Karaoke të komedianit, aktori dhe reperi i tha Corden se atij i është ofruar për të luajtur rolin e ish-presidentit dhe e ka diskutuar mundësinë me vetë Obamën, shkruan NME transmeton.

Smith tha për Corden se Obama e miratoi këtë, duke thënë: “Besoj se vetëm ai i ka veshët e duhur për rolin”.

Shikoni videon e plotë më poshtë, ose kaloni në 4:30 për bisedën rreth Obamës. / KultPlus.com

Di Caprio në rolin e Da Vincit

Nëna e Leonardo DiCaprios ia kishte vënë emrin djalit të tij sipas polimatit të famshëm italian, Leonardo Da Vincit.

Ndërkaq tani, fituesi i çmimit Oskar, do ta luajë rolin e autorit të Mona Lizës në filmin biografik për të.

Përpos si aktor, Di Caprio do të jetë edhe bashkë-producent i këtij filmi.

Sipas Deadline, Paramount ka fituar një ankand shtatë-shifror mes tyre dhe Universal për të drejtat e adaptimit të librit të Walter Isaacson për Da Vincin. / KultPlus.com

Gazmend Freitag, prezantohet në ekspozitën ‘MultiKulti Award 2017’ në Vjenë

Piktori shqiptar i cili jeton dhe vepron në Austri, Gazmeng Freitag, do të prezantohet edhe në një ekspozitë të radhës në Vjenë, shkruan KultPlus.

Ceremonia e prezantimit të fituesit të çmimit ‘MultiKulti Award 2017’ për piktura dhe fotografi, si dhe hapja e “Alt-Ottakringer Kulturpfades”, ku të gjithë pjesëmarrësit multikulturor do të prezantojnë veprat e tyre në lokalet e shumta të distriktit të Vjenës “Alt-Ottakring”, në pjesën e tretë të ekspozitës “Traumwelten 3” do ta mirëpresë edhe piktorin Gazmend Freitag i cili merr pjesë me grafikën e tij „Albanische Gutenachtgeschichte“, e punuar me teknikë thëngjilli në letër, ku ai paraqet nënën shqiptare e cila vë në gjumë foshnjën e vet duke i lexuar tregime.

Në pjesën e parë të ekspozitës “Traumwelten 1” të mbajtur në mars të këtij viti, Gazmend Freitag ka eksponuar grafikën “Ginger Rogers & Fred Astaire”, një punim lapsi me tush në letër. Në këtë vepër ai i përkushtohet njërit nga vallëzuesit legjendar dhe më të popullarizuar në historinë e filmit, „maestros së parketit” Fred Astaire dhe partneres së tij Ginger Rogers. Gazmend Freitag përshkruan këtu një paraqitje gllamoroze përgjatë bashklozjes, lehtësinë në ritmin e tyre të vallëzimit „stepp“ dhe frymën e Hollywood-it të viteve të 30-ta dhe 40-ta.

‘MultiKulti Award 2017’, mbahet më datë 1 shtator, në orën 19:00 në Kunstwerkstätte Ehweiner,
Thaliastraße 139 në Vjenë. / KultPlus.com

Ilir Tafa në tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë, me premierën e filmit “Zhaba”

Me regji të Elmir Jukic, mbrëmë në Festivalin e Filmit në Sarajevë është dhënë premiera e filmit “Zhaba”, film në të cilin luan edhe aktori shqiptar Ilir Tafa, shkruan KultPlus.

Ekipi i filmit ka parakaluar në tepihun e kuq të këtij festivali, ku më pas edhe audienca ka pasë rast të shoh këtë film artistik, i cili bazën e ka në një shfaqje teatrale, ku sipas medieve, shumë shpesh kur është dhënë kjo shfaqje përgjatë nëntë viteve nëpër teatro të ndryshme të ish Jugosllavisë, për shkak të emocioneve që kanë marë nga kjo shfaqje, një pjesë e publikut shumë shpesh ka harruar palltot, çantat dhe gjësende të tjera personale.

Dhe pikërisht në këtë shfaqje ka luajtur aktori shqiptar Ilir Tafa, tashmë i realizuar në film, që është në konkurrencë zyrtare të këtij edicioni./KultPlus.com

‘New Rules’ e Dua Lipës, kënga cover e muajit në MTV (VIDEO)

Këngëtarja e njohur Dua Lipa këto ditë është duke përjetuar sukseset më të mëdha në karrierën e saj. Këto suksese po vijnë falë këngës së saj më të re “New Rules” e cila këngë po pëlqehet shumë, e ku nuk po mungojë edhe versionet e ndryshme të saj, shkruan KultPlus.

Pas njoftimit se “New Rules” është klikuar mbi 96 milionë here dhe është numër 1 në Britani në Top 50 të shërbimit për muzikë online, Spotify, tani vjen lajmi I radhës.

“New Rules” është zgjedhur kënga e muajit cover në MTV. Kjo këngë vjen e sjellë në cover nga një vajzë e talentuar e quajtur Jodie Mellor. Lajmin en ka bërë të ditur vetë Dua përmes një postimi në Facebook.

“New Rules is this month’s song for MTV Cover of the Month. If you think your cover is🔥🔥 head to http://mtvcoverofthemonth.com to submit now!”, ka shkruar Lipa.

Më poshtë po ju sjellim interpretimin e “New Rules” nga Mellor. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=St1Iq71kKdI

Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO, shkak mosmiratimi i dy ligjeve

Kosova nuk ka aplikuar që të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj ka dhënë arsyet e mos aplikimit në këtë organizatë.

Sipas tij, pengesë kanë qenë çështje e brendshme, saktësisht mosmiratimi i dy ligjeve, atij për Liritë Fetare si dhe Ligji për Trashëgiminë Kulturore.

Demaj ka hedhur poshtë pohimet se ka munguar mbështetja nga shtetet anëtare. Madje kryediplomati kosovar thotë se Serbia nuk ka pasur gisht në mosaplikim.

“Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO akoma. Jemi në pritje të miratimit të dy ligjeve – Ligjit për Liritë Fetare dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të cilat ende nuk kanë kaluar. Jemi duke punuar, jemi duke i parë të gjitha mundësitë dhe opsionet. Besoj që kemi edhe pak kohë për të aplikuar dhe do të shohim si do të rrjedhin gjërat”, tha shefi i diplomacisë kosovare për Ekonomia Online.

Moskonstituimi i Kuvendit, sipas Demajt, do të pamundësojë miratimin e këtyre dy ligjeve, për rrjedhojë dhe mosaplikimin për këtë vit.

“Pa miratimin e këtyre dy ligjeve nuk mund të lëvizim, nuk mund të aplikojmë… Nëse nuk mundemi këtë vit e lëmë për vitin tjetër”, sqaroi ai.

Në mungesë të tri votave Kosova dështoi për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO, në nëntor të viti 2015, pas lobimit të madh të Serbisë dhe shteteve përkrahëse si Rusia etj.

Sesioni 21 i Asamblesë së UNESCO-s do të mblidhet në nëntor në Paris. E për pranim Kosovës i duhet dy të tretat e votave të 195 vendeve anëtare, raporton EO.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë tjetër në INTERPOL. Por edhe pse u tha se janë siguruar votat e mjaftueshme për tu bërë anëtare e kësaj organizate të sigurisë, ministri në detyrë thotë se këto raporte nuk janë shumë shpresëdhënëse.

“Do të ketë vështirësi është shumë e vërtetë, sepse ka shumë shtete që kanë mbetur pezull nuk japin një përgjigje. Do të kemi një takim gjatë kësaj jave me kryeministrin edhe presidenti është njoftuar dhe mbetet që të shohim të gjitha raportet që kanë ardhur. Raportet nuk janë shumë shpresëdhënëse se Kosova do të anëtarësohet, por sidoqoftë këto raportet do të na udhëzojnë si të vazhdojmë më tutje. Ne e dimë se gjërat mund të ndryshojnë në momentet e fundit, Kosova në këtë situatë që është do të ketë vështiri se institucionet janë ende të pa krijuar dhe kuvendi i pa konstituuar edhe pse po mundohemi të bëjmë punën si është më së miri. Brenda kësaj jave do të vendoset gjithçka rreth INTERPOL”, u shpreh ministri në detyrë i Punëve të Jashtme.

Asambleja e përgjithshme e INTERPOLIT do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator kur edhe do të votohet për anëtarësimin e Kosovës. Dy të tretat e votave i nevojiten Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, raporton EO. / KultPlus.com

QKK formon komitetin selektues për propozimin e Kosovës në Oscars

Formohet komiteti selektues për përzgjedhjen e filmit i cili do të jetë propozimi i Kosovës në Oscars, përcjellë KultPlus.

Ky komitet përbëhet nga: Astrit Kabashi (kryesues), Antoneta Kastrati, Visar Morina, Doruntina Basha, Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca dhe Zymber Kelmendi.

Komiteti do të bëj përzgjedhjen e filmit më të mirë që do të jetë kandidati kosovar për çmimin Oscars në kategorinë e filmit më të mirë të huaj.

Thirrja për dorëzimin e propozimeve për konsiderim në Oscars është e hapur deri më 10 shtator 2017 dhe pas mbylljes do të merret vendimi nga ana e komitetit selektues.

Ky është viti i katërt që Kosova është kualifikuar për propozim të nominimit dhe filmat e mëparshëm të propozuar vit për vit në Akademinë Oscars ishin: ‘Home Sweet Home’ nga Faton Bajraktari, ‘Babai’ nga Visar Morina dhe ‘Tri Dritare dhe një Varje’ nga Isa Qosja. / KultPlus.com

Fillon ‘Anibar’, arti mbërthen Pejën

Peja ka ndërruar atmosferë, duke u shndërruar kështu në një qytet të kulturës, rinisë, artit, filmave, aktiviteteve e duke pritur shumë vizitorë, krejt kjo për të shënuar javën më të bukur të vitit, javën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’, përcjellë KultPlus.

Gjatë kësaj jave, të gjithë të interesuarit në kulturë, film, të interesuarit për të takuar njerëz të njohur e interesantë në animacion, filmografi, art, arkitekturë e shumë fusha të tjera, do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të llojllojshme, duke filluar prej orës 10:00 të mëngjesit e deri në 22:00 në mbrëmje.

Përpos filmave do të hapet edhe një ekspozitë në galerinë e arteve në Pejë, do të ketë punëtori për fëmijë dhe të rinj, takime e prezantime në ambiente të ndryshëm, dhe në fund të çdo dite do të ketë ndeja të cilat shënojnë fundin e secilës ditë të Festivalit.

Gjatë kësaj jave, do të bashkohemi të gjithë për të Rikthyer Qytetin – duke qenë kjo kauza kryesore e këtij festivali, ku do të vihen në jetë hapësirat e pashfrytëzuara publike prej kohësh.

“Gjatë kësaj jave, të gjithë së bashku do e RECLAIM THE CITY, për ta lënë një shije të mirë të kulturës e artit edhe pjesën tjetër të vitit”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Washington Post me artikull të mrekullueshëm për fshatin Nivicë të Shqipërisë

Shqipëria është vendi i cili këtë vit ka marrë një vëmendje jashtëzakonisht të madhe nga mediat botërore, kështu duke u promovuar vendet turistike të Shqipërisë dhe duke i dhënë një rëndësi të veçantë, shkruan KultPlus.

Një artikull të bukur për një fshat në Shqipëri, është botuar dje në Washington Post. Pikërisht me këtë artikull ka filluar mëngjesin edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull për Nivicën e bukur, botuar dje në Washington Post. Projekti synon të tërheqë turistë në fshatrat e thella të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Artikulli i Washington Post:

NIVICË, Shqipëri — Lart në malet e jugut të Shqipërisë, një udhëtim përgjatë një rruge të vështirë të frekuentuar më shumë nga dhitë sesa nga makinat, të çon në një grup fshatrash ku koha duket se ka ndaluar prej dekadash.

Qumështi i deles ende transportohet me gomar për tek djathëbërësit lokalë. Fshatarë të moshuar ngjisin malin për të mbledhur rigon të egër dhe bimë të tjera. Ritualet e vjetra të ndezjes së qirinjve për të nderuar lisat e lashtë, të përkulur e të shenjtë mbahen ende gjallë, ndonëse askush nga ata që i praktikojnë duket se e di pse dhe si kanë lindur këto rituale.

I pozicionuar përgjatë një shkëmbi pas rrënojave të një fortese të vjetër, fshati Nivicë është i panjohur për shumë njerëz edhe në Shqipëri. Por një projekt ambicioz synon që ta hapë atë për turistët të cilët duan të zbulojnë bukurinë natyrore të jashtëzakonshme dhe stilin e jetës të fshatit në zonat më të izoluara të vendit.

“Po bëjmë një projekt pilot rreth konceptit se si të lidhim komunitetet rurale që janë shumë afër vijës bregdetare, por që nuk janë ndihmuar kurrë nga turizmi bregdetar”, thotë Auron Tare, i cili kryeson Agjencinë Kombëtare Bregdetare të Shqipërisë dhe po drejton projektin Nivica.

Atraksionet e zonës janë të shumta. Burime me ujë të kristaltë rrjedhin nëpër kanione dhe gryka duke përvijuar peizazhin. Ura të vogla prej guri të epokës osmane, të paprekura prej shekujsh, ende kalojnë sipër kanaleve. Kur perëndon dielli, barinjtë çojnë kopetë e tyre në vathë të vogla për t’i mjelë ato.
Dhe si çdo gjë në Ballkan, rajoni është i zhytur në histori.

“Përveç peizazhit, arsyeja për të ardhur këtu janë historitë. Ky është një vend nga ku kanë kaluar trupat romake, normanët, osmanët. Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore. Ka shumë histori që lidhen me këtë zonë”, thotë Tare.

“Pastaj është peizazhi i mrekullueshëm, dhe gjithashtu natyra e paprekur. Këtu shihni njerëzit që mjelin delet dhe dhitë e tyre ashtu siç bënin 4.000 vjet më parë. Shikoni barinjtë në jetën e përditshme, e cila është jashtëzakonisht tërheqëse për ata që e kanë humbur atë trashëgimi, ndaj dhe ata që vijnë këtu vijnë për të gjetur atë pasurim shpirtëror në jetën e tyre”.

Për momentin, vizitorët janë kryesisht udhëtarët të rinj me çanta shpine të cilët vijnë nga vendet evropiane, ecin përgjatë shtigjeve të lashta të Shqipërisë dhe kalojnë natën në një fushë jo shumë larg fshatit. Tare thotë se rreth 150 turistë kanë vizituar fshatin gjatë muajit të kaluar, kryesisht nga Republika Çeke, të tërhequr nga komentet në rrjetet sociale nga një ekip çekësh që kanë punuar në përcaktimin e shtigjeve shekullore si shtigje për ecje.

Por zona është ende larg të qenit një udhë e rrahur; shumë prej atyre që jetojnë në bregdet, në anën tjetër të maleve, nuk kanë dëgjuar asnjëherë për Nivicën.

“Mund të themi se ky fshat është thellësisht i fshehur në mal”, thotë Lorena Sinatrakaj, një arkeologe 29-vjeçare e cila punon për këtë projekt. Edhe ajo vetë pranon se nuk kishte dëgjuar kurrë të flitej për të.

Kur drejtuesit e projektit mbërritën këtu, ata gjetën një fshat që bazohej tek bujqësia dhe blegtoria, thotë ajo. Turizmi ishte një koncept i huaj, dhe fshati ishte në një gjendje të përgjithshme rrënimi.
Shumë nga vendasit ishin zhvendosur në qytete dhe zona të tjera të vendit. Për shkak të një infrastrukture ose shërbimesh minimale shtetërore, menaxhimi i mbeturinave konsistonte kryesisht në hedhjen e tyre nëpër lugina ose në rrugë.

“Kur erdhëm këtu, në sheshin e fshatit kishte mbeturina 30-vjeçare”, thotë Tare. Puna fillestare e projektit ishte pastrimi i plehrave si brenda fshatit ashtu edhe në luginën aty pranë. Tani sheshi i fshatit është pastruar dhe fshatarët kalojnë me dhitë e tyre nëpër rrugët ku zhurma e çekiçëve që godasin gurin bën jehonë përmes së nxehtit të zjarrtë të verës teksa muratorët punojnë për projektin më të madh dhe të vetëm të fshatit: një bujtinë e re, e planifikuar për t’u përfunduar pranverën e ardhshme.

Projekti në tërësi përfshin rikuperimin e ndërtesave të vjetra që do të përdoren si bujtina dhe për të ndihmuar vendasit të nisin aktivitete private duke transformuar shtëpitë e tyre në ‘bed and breakfast’. Lorena thotë se vendasit e përqafuan menjëherë projektin sapo panë potencialin për turizëm.

Dallandyshe Merio, një vendase e cila e u largua nga fshati dy dekada më parë për t’u zhvendosur në qytetin e Vlorës, thotë se projekti ka ngjallur aq shumë shpresë për fshatin saqë ajo po mendon të kthehet përsëri aty.

“Më vjen mirë që fshati është gjallëruar përsëri. Përpara të gjithë iknin”, thotë Dallëndyshja, e cila një dhomë të shtëpisë së saj në fshat e ka liruar për vizitorët të cilët qëndrojnë aty kundrejt pagesës. Kur pa se kjo gjë funksionoi mirë me vizitorin e parë, një gjerman, ajo rinovoi dhe një dhomë tjetër dhe tani drejton një ‘bed and breakfast’ të vogël.

“Njerëzit po kthehen përsëri këtu dhe po rindërtojnë”, thotë ajo.

Më e rëndësishmja, një pjesë e projektit përfshin transformimin e shtegut që të çon në fshat nga qyteti më i afërt, ai i Tepelenës, në një rrugë lehtësisht të aksesueshme.

Por rreziku i një hapjeje shumë të shpejtë për turizmin është real, dhe Tare dhe Sinatrakaj janë të vetëdijshëm për këtë. Qëllimi, thonë ata, nuk është që të kthejmë Nivicën në një vend ku autobusët turistikë shkarkojnë mijëra turistë, sepse kjo do të prishte qetësinë e zonës dhe do të rrezikonte mënyrën e jetesës.

“Siç e dimë, turizmi ka shumë përfitime, por edhe efekte negative, siç është shkatërrimi i kulturës lokale dhe shkatërrimi i mjedisit. Dhe kjo është një arsye shumë e vlefshme për t’u marrë në konsideratë”, thotë Tare.

“Dhe ndërsa e kemi marrë shtruar, po përpiqemi që mikpritjen tradicionale ta kthejmë në një ndjenjë dhe në një vend mikpritës për vizitorët që vijnë, pa e shqetësuar kulturën vendase. Sigurisht, kjo është një sfidë dhe koha do të tregojë nëse kemi të drejtë apo jo”. / KultPlus.com

‘Zambaku i Prizrenit’ mbahet në shtator

Pas një maratone të shpalljes së tenderëve dhe dy herë anulimit të tyre, studio “Helix” ka fituar tenderin e shpallur për herë të tretë për organizimin e tri festivaleve që i organizon Drejtoria për Kulturë Rini e Sport e Komunës së Prizrenit, përcjellë KultPlus.

Festivali i këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, festivalin për fëmijë “Fluturat” dhe festivali “Rrock live”, vijnë në muajin shtatorë.

“Persona të papërgjegjshëm, pa asnjë përgatitje për organizimin e festivaleve, të profilizuara për veprimtari që janë të profilit jomuzikor, edhe të tilla që merren me kultivimin e pemëve dhe perimeve, apo kompani që merren me printim e reklama, duke konkurruar me qëllime tendencioze, këtë vit për rreth një muaj e kanë lëvizur datën e mbajtjes së festivaleve tradicionale të Drejtorisë për Kulturë rini e sport”, thuhet në komunikatë.

“Zambaku i Prizrenit” këtë vit vjen me edicionin e 29-të me radhë. Studio Helix, si organizator i edicionit të vitit të kaluar, e nxori nga nami i keq këtë festival, duke ia dhënë publikut një edicion të suksesshëm. Opinioni prizrenas dhe më gjerë e vlerësuan edicionin e kaluar, prandaj studio “Helix” e ndjen për obligim që edicionin e sivjetmë ta organizojë edhe më cilësor, duke ia kthyer festivalit namin që dikur e kishte.

Pas shpalljes së konkursit të pranimit të këngëve dhe përzgjedhjes së tyre “Zambaku i Prizrenit” do të organizohet në shtator.

Në shtator do të organizohet edhe festivali për fëmijë “Fluturat” dhe festivali “Rrock live”. /KultPlus.com

Rëndësia e Kanunit nëpër botë

Shumë personalitete botërore kanë folur dhe e kanë studiuar Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ish-presidenti amerikan Clinton e ka cilësuar atë të ngjashëm me Kushtetutën Amerikane. Sepse në Kanun ashtu si dhe në Kushtetutë mbrohen të drejtat e jetës së njeriut dhe respektimi i trinisë së shenjtë: Zot, fe e atdhe.

Shumë personalitete shqiptare e botërore do shkruanin për këtë vepër. Aleks Buda do e quante një vepër monumentale, ndërkohë që At Gjergj Fishta e ka cilësuar atë si palca e kombit. Të gjitha qeveritë e mëvonshme shqiptare janë bazuar në të dhënat e këtij kanuni.

Kanuni i Maleve të Shqipërisë ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse për gjithë ata njerëz të letrave apo studimeve që bien në kontakt me të. Nuk besoj se ka temë tjetër të historisë a etnografisë sonë që të jetë rrahur kaq shumë nga udhëtarë të huaj, konsuj, etnografë, poetë, romancierë, diplomatë e doktorantë që të mos jenë interesuar për këtë kanun dhe vlerat e tij.

Walter Paincip vjen në Shqipëri për të studiuar kanunin e maleve shqiptare në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur vendi ynë ishte i pushtuar.

Paincip ishte një jurist, një studiues austriak me interesa shkencore, që e kishte ndarë mendjen ta studionte një ditë kanunin shqiptar, kjo jo vetëm se i pëlqente të hynte në këtë botë dokesh që nuk gjendej tjetërkund, së cilës i ishin qasur me kohë shumë dijetarë evropianë, por, siç e thotë vetë ai në parathënie, kishte dhe një detyrim ndaj profesorit të tij të fakultetit të drejtësisë në Vjenë, për ta çuar deri në fund veprën e lënë përgjysmë, nga Teedor Ipeni, konsulli i përgjithshëm austriak para Luftës së Parë Botërore.

Rasti e solli që ai të vinte si përkthyes me trupat gjermane gjatë Luftës, po që me ikjen e tyre, nuk do të thotë se iku dhe ai. Jo, Paincip qëndron mes malësorëve shqiptarë si mik i nderuar i tyre, pasi ua kishte bërë të qartë qëllimin e tij. Kështu ata e mbajnë fshehur ndaj qeverisë komuniste deri në vitin 1947, nëpër kullat e tyre, kreshtave të malësive shqiptare të Veriut, duke i treguar kanunin e tyre, siç kishin bërë me plot dijetarë të huaj.

Walter Peinsipp, kur thotë se “tek e drejta tradicionale e malësorit shqiptar janë ruajtur mirë arketipet e rendit shoqëror e zakonor të kulturave të lashta”, rikonfirmon dhe njëherë si vëzhgues dhe hulumtues i drejtpërdrejtë atë që kanë pohuar më parë të tjerë dijetarë europianë në zë. Merita e tij është se ai mundet ta shohë të pashprishur këtë arketip dhe në mesin e shekullit XX, në fillim në Shqipëri, gjatë luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1947 dhe pastaj në Kosovë, kur shërbeu si diplomat i vendit të tij në Beograd.

Prof. Kazuhiko Yamamoto nga Japonia, gjatë një takimi në Nju Jork, u shpreh se: “Struktura etike e Kanunit, është forma më origjinale e etikës në shoqërinë njerëzore. Kanuni i Lekë Dukagjinit, sipas tij ishte një mekanizëm i nevojshëm i kohës. Ai është një vështrim përqasës mes strukturës etike e shoqërisë homerike dhe asaj kanunore shqiptare. / KultPlus.com

‘New Rules’ e Dua Lipës, numër 1 në Britani

Këngëtarja e njohur me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm me këngën e saj të fundit “New Rules”, e cila është pëlqyer mjaft shumë.

Tani, Lipa ka njoftuar përmes Instagramit se “New Rules” e cila është klikuar mbi 96 milionë herë, është numër 1 në Britani në Top 50 të shërbimit për muzikë online, Spotify.

Gjithashtu, këngëtarja ka falënderuar fansat e saj për mbështetjen
dhe dashurinë që po i japin.

“‘New Rules’ është numër 1 në Britani në Spotify. Faleminderit për dashurinë dhe mbështetjen! Më vjen mirë që po ju pëlqen! Faleminderit”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

Bruno Mars dhuron një milion dollarë për banorët e qytetit Flint

Bruno Mars gjatë një paraqitje të tij para publikut, ka ndërprerë gjithçka për ta bërë publik vendimin e tij për bamirësi.

Këngëtari ka befasuar publikun kur ka thënë se do të dhurojë një milion dollarë për t’i ndihmuar banorët e qytetit Flint, të cilët janë ekspozuar ndaj ndikimit të plumbit në ujin e pijshëm.

“I jam shumë falënderues publikut në Michigan që më mbështet në këtë qëllim. Sfidat me të cilat përballen banorët e Flintit zgjasin me vite dhe është me rëndësi që të mos i harrojmë vëllezërit dhe motrat tona që janë goditur nga kjo katastrofë”.

“Si njerëz, në veçanti si amerikanë, duhet të jemi të bashkuar dhe të përpiqemi që diçka e tillë të mos ndodhë më”, ka deklaruar Mars.

Problemet me ujin e pijshëm në qytetin Flint kanë nisur nga viti 2014 kur më shumë se 100.000 banorë ishin ekspozuar ndaj përqendrimit të lartë të plumbit në ujë. /KultPlus.com

Tom Cruise plagoset gjatë xhirimeve të “Mission Impossible 6” (VIDEO)

Tom Cruise ka bërë një hedhje të rrezikshme gjatë xhirimeve të filmit “Mission Impossible 6”, ditën e dielë, dhe përfundoi duke u përplasur me taracën e një ndërtese.

Aktori 55-vjeçar është mbajtur nga një pajisje e posaçme ndërkohë që po bënte këtë hedhje nga një taracë në Londër, shkruan koha.net.

Një video e postuar në rrjetet sociale ka treguar Cruise teksa vuante nga dhimbjet dhe i gjithë stafi eshtë mbledhur rreth tij. Nuk dihet se cili është dëmtimi që ka marrë aktori por xhirimet janë ndërprerë përkohësisht./KultPlus.com

Miriam Cani me fotosesion të ri (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Miriam Cani, e cila njihet për stilin e saj në muzikë, së fundi si duket ka realizuar një fotosesion, shkruan KultPlus.

Ajo nuk ka dhënë detaje se nga kush janë realizuar fotografitë, përpos asaj që shihet se Miriam Cani është e veshur me të bardha, dhe ashtu sikurse që është e veshur, i është përshtatur edhe ambienti ku edhe e ka realizuar fotografinë./KultPlus.com

Fotografi nga Eliza Hoxha, objekt i bombarduar në Kosovë në vitin 1999 (FOTO)

Këngëtarja shqiptare Eliza Hoxha një kohë të gjatë ia ka dedikuar edhe fotografisë,duke punuar në vitet e 90-ta, për mediume të ndryshme në Kosovë, shkruan KultPlus.

Përpos portreteve që i ka realizuar artistëve të ndryshëm, ajo ka realizuar edhe fotografi në vitin 1999, pikërisht në kohën kur edhe kanë përfunduar bombardimet në Kosovë.

Eliza Hoxha kishte shpërndarë një fotografi të realizuar në vitin 1999, ku tregon detajet se objekti i bombarduar është objekti i ish bankës ekonomike, sot objekti i kryeministrisë. Në foto poashtu shihet edhe këngëtari Naser Gjinovci./KultPlus.com

Ekspozitë me makina Old Timer, në Gjakovë (FOTO)

Në Komunën e Gjakovës, përgjatë fundjavës është organizuar një ekspozitë me makina klasike, të cilët i kanë prezantuar në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.


Organizatorë të kësaj ekspozite ishin “Old Timer Club Gjakova”, bashkë me Komunën e Gjakovës, ku pjesëmarrës ishin pronarë të makinave klasike nga e gjithë Kosova.

Ndërkaq, të pranishmit kanë pasur rastin që këto makina ti shohin për së afërmi, por edhe të bëjnë ndonjë fotografi me këto makina të veçanta./KultPlus.com

Për herë të parë, Stacioni i Autobusëve të Prizrenit hapë dyert për artin bashkëkohor

Autostrada Biennale në edicionin e parë të titulluar ‘’E Ardhmja e Kufijve’’, terminalin e autobusit do ta ketë vendtakim të artistëve, puna e të cilëve trajton politikën e mobilitetit, refugjatët, dislokimin e pakicave, migrimin, shkëmbimin kulturor, pakufishmërinë e imagjinatës, luftën, kufijtë gjinor, kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën bashkëkohore publike.

Autobusët janë një nga automjetet kryesore publike moderne, ato përdoren për të transportuar masën ndërmjet pjesës rurale dhe urbane, mes qyteteve të mëdha dhe të vogla, në të gjithë kufijtë kombëtarë dhe rajonal. Ky aspekt masiv, së bashku me qasjen e tij të përhapur në territore me nivele të ndryshme të modernizimit, i bën autobusët një fokus qendror kur bëhet fjalë për të ardhmen e kufijve. Imigrimet, refugjatët, pakicat shpesh duhet të mbështeten në autobusë për arsye të lehtësirave që sjellin me kosto të ultë dhe përhapje që kanë ato. Pra, nëse Autostrada është thelbi infrastrukturor i mobilizimit masiv modern, atëherë autobusët janë shprehje publike e rrugëve moderne.

Artistë pjesëmarrës në ekspozitë janë: Valentina Bonizzi (Itali), CHANG Chien-Chi (Tajvan), Libia Castro (Spanjë) & Ólafur Ólafsson (Islandë), Irwin (Slloveni), Alban Muja (Kosovë), Rena Rädle (Gjermani) dhe Vladan Jeremić (Serbi), Ella Raidel (Austri) , Oliver Ressler (Austri), Saso Sedlacek (Slloveni), Alketa Xhafa (Kosovë). Veprimtaritë e këtyre artistëve mbulojnë media të ndryshme duke filluar nga fotografitë, videot, vizatimet, posterët, robotët interaktiv dhe performancat.

Nga 19 Gusht deri më 23 Shtator, këto vepra të artit do të ekspozohen: në dhomën e pritjes së stacionit, kafene të mëdha, zyre, fasada, tek hapësira në natyrë, si dhe në sallën legjendare të dasmës. Pritja e hapjes së Autostradës Biennale do të mbahet me 19 gusht në mbrëmje tek Stacioni i Autobusëve.

Si vendtakim për ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, do të përdoren zona të ndryshme të qytetit të Prizrenit me trashëgimi kulturore. Duke qenë qendër e mobilizimit masiv, stacioni autobusëve do të jetë pikënisja e ekspozitës me titull “E ardhmja e kufijve”.

Një histori e shkurtër e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit:

Stacioni i parë i autobusëve në Prizren ishte e vendosur tek Posta, ndërsa në vitin 1960 ai u zhvendos në vendin ku gjendet edhe sot. Themelet e para të stacionit aktual të autobusëve u vendosën në vitin 1978 dhe në vitin 1981 ai u hap për publikun. Stacioni i autobusëve gjithashtu kishte një sallë dasmash ku organizoheshin dasma dhe ahengje të ndryshme. Gjatë tendencave të privatizimit në periudhën e pas-Jugosllavisë, stacioni i autobusëve ishte përjashtuar nga lista dhe deri më tani funksionon si objekt publik. / KultPlus.com

Minatori: Athua ëndërr ishe ti (VIDEO)

Grupi “Minatori”, njihet si një ndër grupet më të njohura në Kosovë, të cilët janë dalluar edhe për tekstet e këngëve, të cilat vazhdojnë të mbeten të paharruara për shumë adhurues.

Një ndër këngët e famshme të grupit “Minatori”, është edhe kënga “Athua ëndërr ishe ti”, mirëpo, grupi “Minatori”, është një ndër grupet që ka krijuar shumë hite për vitet e 80-ta, ku këngët e tyre kanë qenë hite në Radio Televizionin e Prishtinës.

Kurse këngët e këtij bendi që u patën shndërruar hite janë edhe “Molla me shërbet”, “Mihane”, “Të dua sa Kosovën”. Kurse, vokalist i kwtij grupi wshtw Naser Gjinovci/KultPlus.com

Posta e Kosovës lanson pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës

Posta e Kosovës së fundi ka lansuar pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Në këto pulla janë përfshirë objektet më me rëndësi të kësja komune, por duke përfshirë edhe objekte të komunave të tjera./KultPlus.com

“The Other Side of Albanian Communism”, ekspozita e fotografëve të famshëm holandez

Ekspozita fotografike “The Other Side of Albanian Communism” (Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar) mbledh bashkë fotografët e famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish Bllokut Lindor.

Ata kanë qenë dëshmitarë të momenteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, Solidariteti, në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989. Gjithsesi, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të Bllokut Lindor të asaj kohe.

Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1986, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”. Pavarësisht, ligjit që ndalonte kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj, si edhe ligjit që ndalonte realizimin e fotografive në rrugë, ai ia doli të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist. Ekspozita do të hapet më 17 gusht, ne ora 18:00, në Muzeun Historik të Tiranës./KultPlus.com

“Tirana MOVES” i Igli Mezinit po lëvizë edhe turizmin, të huajt interesohen për Shqipërinë

“Tirana Moves” po vlerësohet si një ndër projektet më promovuese të qytetit të Tiranës, video projekt që ka ndërlidhë vallëzimin, muzikën, dhe pamjet e shesheve të kryeqytetit shqiptar. Igli Mezini ka thënë për KultPlus, se tashmë ka marë reagimet e para edhe nga ndërkombëtarët, pasi që, pikërisht nga pamjet e kësaj videoje, ata tashmë kanë futur në listën e udhëtimeve edhe Tiranën.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Tirana MOVES” është video projekti më i ri që keni realizuar, duke ndërlidhë vallëzimin tuaj me bukurinë e qytetit të Tiranës, si erdhe deri te ky projekt?
Igli Mezini:
Gjithçka lindi shumë natyrshëm, duke e parë lëvizjen si një domosdoshmëri jetësore. Ne të gjithë lëvizim, dhe pse në drejtime e për qëllime të ndryshme. Duke shkuar në punë, në shkollë, në park, duke gatuar, duke u ushqyer e në gjithçka tjetër. Si artist nuk mund të mos vija re zhvillimin e transformimin e Tiranës në sheshe, rrugë, parqe.

Padyshim më është kthyer në një burim shumë të fortë inspirimi, që mendoj që të gjithë ne mund ta përdorim maksimalisht në çdo fushë të artit. Aty lindi dhe Tirana MOVES, një koncept artistik multifunksional të cilin vazhdoj ta zhvilloj në qytetin tim, në prejardhjen time, në kryeqytetin e të gjithë shqiptareve.

KultPlus: Janë pjesët më të frekuentuara të Tiranës që janë ndërlidhë në këtë video, përpos prezantimit artistik, shihet se video ka për qellim edhe promovimin e turizmit, keni marë ndonjë përshtypje në këtë drejtim, pasi që lansuat projektin?
Igli Mezini:
Ambienti është frymëzim i padiskutueshëm për një artist. Tirana MOVES, si edhe përkthimi i konceptit tim prezanton jo vetëm artin tim, por edhe Tiranën me lëvizjen e saj, me bulevardin e ri, me sheshin e ri, sixhaden tek sheshi Nënë Tereza, me instalacionin e quajtur Reja, gjithashtu në qendër të qytetit. Por, ndërsa gjuha ime e trupit përmes vendeve ku unë kërcej percjell mesazhe duke e përqafuar të bukurën dhe ndryshimin, fiton edhe Tirana. Indirekt ajo video i shërben edhe turizmit. Tani më këtë e kam fakt, pasi shume miq dhe kolegë të nacionaliteteve të ndryshme, jo vetëm më uruan për punën e bërë, por e kanë Tiranen në listën e destinacioneve që ata duan ta vizitojnë. Me përkrahjen e kryetarit të Bashkise së Tiranës, Erion Veliaj “Tirana MOVES” do të vijojë aktivitetin artistik me ide dhe qëllime të reja !

KultPlus: Duke pasë parasysh që ju jeni balerin me përvojë ndërkombëtare, dihet që edhe koreografinë e keni realizuar, por pjesa e videos nga kush u xhirua, dhe si vendosët për këngën që dëgjohet në sfond?
Igli Mezini:
Kam menduar të improvizoj e të bëj atë që ndjej në moment. Isha i sigurt që në hapësira të mëdha, si sheshet kryesore të Tiranës dhe spontaniteti im trupor do te ishin kombinimi perfekt që i përshtatet më së miri projekt-idesë time Tirana MOVES, kërcim konceptual minimalistik, që përcjellë ndjesi për shpirtin dhe revolucion për mendjen përballë realitetit, shoqërisë, ekonomisë, politikës, zhvillimeve të një sistemi në tërësi. Videoja është përgatitur me mjeshtëri nga dy djem të talentuar dhe të palodhur qe ndihmuan në një realizim sa me dinjitoz të videos. Muzika është zgjedhja ime, melodia, tingujt, fjalët kishin mbetur në memorien time që në momentin e parë që e dëgjova. Pata një lloj lidhje me të dhe sapo mu dha rasti e huazova për ta bërë timen, përmes lëvizjeve. Me siguri ju ka ndodhur edhe juve që një këngë të caktuar ta bëni tuajën edhe pse teksti thotë një gjë tjetër. May i have this dance? Një fjali që me përket! Unë e kërkova këtë dhe njerëzit ma besuan, e shijuan me mua, me uruan dhe presin më shumë nga unë.

KultPlus: Ju tashmë realizuat videon me Tiranën, po me qytetet e tjera?
Igli Mezini:
Plani im ishte që Tirana MOVES të lindte në Tirane, ku kam lindur edhe unë. Kjo dëshirë e madhe e imja, falë edhe mbështetjes së pakursyer të Bashkissë së Tiranës, e kryetarit Erion Veliaj u realizua me sukses. Kështu që në vijim, projekti do të rritet kudo, në çdo cep të Shqipërisë, edhe në Kosovën shumë të dashur për mua.

KultPlus: Po Kosovën e keni menduar si opsion?
Igli Mezini:
E si mundem te mos mendoj për Kosovën ? Kësaj pyetjeje do më duhet ti shmangem pak, por së shpejti do vij me një surprizë shumë të bukur ! Do kënaqemi të gjithë, jam i sigurt.
KultPlus: Dhe për videot e tjera, do të futet koreografi ndryshe, apo do të ndërrohen vetëm qytetet?
Igli Mezini: Për një artist është gati e pamundur ta sjellë të njëjtin art njësoj, me ndryshimin e vetëm vendndodhjen. Dëshiroj që çdo kërcim të jetë sa i ngjashëm dhe i ndryshëm nga njëra video në tjetrën. Kam disa ide se ku do të fokusohem në videot e radhës. Para se ta bëj këtë më duhet ta njoh atë qytet, të njihem me kulturën, zakonet, problematikat, të mirat e atij vendi, me pakënaqësitë e njerëzve dhe me revoltën e tyre të brendshme. Dua që të gjithë të gjejnë gjuhën e fjalës në artin tim. Konteksti i gjithçkaje që ndodh në një qytet të caktuar besoj do të jetë frymëzimi im parësor.

KultPlus: Dhe krejt për fund, sa do të zgjasë ky projekt i juaji dhe sa qytete keni ndërmend ti fusni në këtë projekt?
Igli Mezini:
Projekti im sapo ka filluar dhe po zhvillohet çdo dite me ide të reja. Është herët për të parashikuar një fund, nuk i preferoj “ndarjet”. Më pëlqen jetëgjatësia. Di vetëm t´ju them që do shihemi së shpejti ! /KultPlus.com

Igli MEZINI lindur me 6 korrik 1993 ne Tirane.

Studimet e para te shkolles fillore i kreu ne shkollen Naim Frasheri ne kryeqytet.
Nderkohe paralelisht ne moshen 7 vjecare nisi mesimet e para ne kursin e baletit prane Qendres Kulturore te Femijeve. Gjate ketyre viteve kercimi u kthye ne pasion dhe deshire,e fale mbeshtetjes se familjes endrra e tij u realizua per te qene pjese e Shkolles Profesionale Kombetare te Baletit ne Tirane. Per shtate vjet ne ate shkolle Igli u formua me nje baze te forte te baletit klasik. Nder vite Igli ka qene pjesmarres ne shume evente artistike te Shkolles se Baletit gjithashtu dhe ne Teatrin e Operas dhe Baletit.

Pas shtate vitesh studime prane Shkolles Kombetare Profesionale te Baletit ne moshen 18 vjecare Igli ben nje audicion ne nje nga shkollat me prestigjoze “Rosella Hightower” ne Kane te Frances. Audicioni rezultoi mjaft i suksesshem dhe Iglit i ofrohet nje burse studimi duke bere qe djaloshi 18 vjecar te niset drejt nje eksperience te re krejt i vetem por me nje enderr te madhe. 3 vite eksperience ne Kane i sherbyen artistit te ri per tu formuar e per te performuar neper skena te rendesishme te Europes, si Itali, Austri, Spanje, Turqi e te tjera vende. Duke mos harruar pjesmarrjen shume te rendesishme ne “Festival de Film de Cannes” ne vitin 2013 si pjese e trupes se kercimit ne hapjen gala me “The Great Gatsby” krah Leonardo Di Caprios, Lana del Rey, Baz Luhrmann, Florence and the Machine e yje te tjere te kinematografise boterore. Gjate 3 viteve ne Kane Igli preformoi si solist ne pjese te njohura te repertorit te baletit boteror.

Ne gusht te vitit 2014 Igli tenton nje tjeter audicion, kesaj rradhe ne Gjermani. Behet fjale per teatrin shteteror te Wiesbaden, i njohur per historine e sukseset qindra vjecare. Po ashtu dhe ky audicion perfundon me sukses ku Iglit i ofrohet nje kontrate si solist. Me nje axhende shume te mireorganizuar dhe me nje staff shume profesional arrin qe ne nje sezon te beje rreth 80 shfaqje te nje kualiteti shume te larte te standarteve boterore. Sezoni i ri sapo ka filluar ku mjaft surpriza priten per publikun artdashes.